• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Victoria Nuland, në Tiranë, takime me Nishanin dhe Ramën

July 13, 2015 by dgreca

Ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit për Çështjet Europiane dhe Euro-aziatike, zonja Victoria Nuland, e ka nisur këtë të hënë vizitën e saj zyrtare në Tiranë, në kuadër të turit ballkanik, me takimin me Presidentin Bujar Nishani.
Gjatë takimit u diskutua kryesisht reforma në drejtësi, ku kreu i shtetit shprehu angazhimin dhe nevojën që kjo reformë të jetë cilësore, premtuese dhe gjithpërfshirëse.
“Reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese. Ajo nuk mund të ndahet në politike dhe teknike, pasi sfida kryesore ka qenë gjithmonë e lidhur me procesin e implementimit të ligjeve e reformave, që është përgjegjësi dhe vullnet politik”.
Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe pjesëmarrjen së fundmi të opozitës në komisionin parlamentar të posaçëm për reformën në drejtësi.
Me interes u trajtuan edhe nevoja e bashkëpunimit për parandalimin e shtrirjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe elementet terroristë. Presidenti Nishani evidentoi nismat e ndërmarra për të inkurajuar klerikët e lartë të vendit për të dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim dhe forcuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes njerëzve.
Presidenti shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zhvillimeve në vendin tonë, duke theksuar se, “falë kësaj vëmendjeje, në Shqipëri po avancojnë çështje shumë principiale, që lidhen me reformat, forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe lirisë ekonomike të tregut”.
Presidenti vlerësoi nënshkrimin e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve, duke e konsideruar si tepër të rëndësishme për vendin tonë veçanërisht.
Duke u ndalur në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit theksoi se “Prania dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet jetike, pasi tentativat për destabilizimin e këtij rajoni mbetet një sfidë shumë serioze”.
Shqipëria, – tha Nishani – si pjesë e NATO-s, është tepër e interesuar për të dhënë kontributin e vet në kuadër të Aleancës, duke ruajtur dhe respektuar standardet buxhetore të sanksionuara prej pjesëmarrjes në këtë Aleancë.
Ndërkaq, në orën 15.30, znj. Nuland u takua me kryeministrin Edi Rama, në selinë e qeverisë.
Nga Presidenca dhe Kryeministria pritet të ketë në vijim një njoftim për shtypin mbi temat e diskutuara në këto takime.
Në fillim të turit rajonal, znj.Nuland mori pjesë në “Forumin Kroacia 2015”, në Dubrovnik, nga ku përcolli mesazhe të rëndësishme për Ballkanin.
Ndërsa të shtunën, znj. Nuland u ndal në Srebrenicë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për 20-vjetorin e masakrës së forcave serbe, të cilat vranë mbi tetë mijë burra myslimanë.
Turi vijoi të dielën në Kosovë e Shkup, ndërsa pas Tiranës, zyrtarja e DASH do të udhëtojë drejt vendeve të tjera të rajonit.(SH.K)

NJOFTIM NGA ZYRA E PRESIDENTIT
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë, Nën Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe ato Euroaziatike, zonjën Victoria Nuland, e cila shoqërohej në këtë takim nga Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane për Mbrojtjen, zonja Evelyn Farkas.
Biseda me zyrtaret amerikane, të cilat po zhvillojnë një vizitë në Shqipëri në kuadrin e një turi ballkanit, u përqendrua në çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe ato të sigurisë, zgjedhjet vendore, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët.
Presidenti i Republikës përshëndeti vizitën në Shqipëri dhe rajon të zonjave Nuland dhe Farkas dhe shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zhvillimeve në vendin tonë, duke theksuar se falë kësaj vëmendjeje, në Shqipëri po avancojnë çështje shumë principiale, që lidhen me reformat, forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe lirisë ekonomike të tregut.
Gjithashtu, Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen edhe për Partneritetit Strategjik të nënshkruar pak muaj më parë mes dy vendeve, duke e konsideruar atë një ngjarje tepër të rëndësishme dhe mundësi shumë të madhe për Shqipërinë.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për çështjet e sigurisë. Kreu i shtetit i siguroi zyrtaret amerikane se Shqipëria dhe shqiptarët do të vijojnë të kontribuojnë e të jenë një aleat i besuar i Shteteve të Bashkuara në në kuadrin e NATO-s dhe në përballimin e sfidave rajonale e globale të sigurisë. Duke u ndalur në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit theksoi se “Prania dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet jetike, pasi tentativat për destabilizimin e këtij rajoni mbetet një sfidë shumë serioze.”
Presidenti i Republikës theksoi se: “si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është shumë e interesuar për të kontribuar për sigurinë e vendit dhe të Aleancës, por është gjithashtu e vëmendshme edhe për të respektuar standardet buxhetore të Aleancës”. Kreu i Shtetit garantoi se: “si President i Republikës ai do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në buxhetimin e forcave të armatosura të Shqipërisë konform standardeve të NATO-s, pasi vetëm me një angazhim të përbashkët mund të përballohen sfida të përbashkëta”.
Presidenti Nishani shprehu një vlerësimin të veçantë edhe për kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe misioneve amerikane si ICITAP dhe OPDAT, për ekspertizën e shkëlqyer që kanë sjellë në Shqipëri, por edhe të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për angazhimin e drejtpërdrejtë dhe inkurajimit që i kanë bërë reformës në drejtësi. Kreu i Shtetit theksoi se “reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese. Ajo nuk mund të ndahet në politike dhe teknike, pasi sfida kryesore ka qenë gjithmonë e lidhur me procesin e implementimit të ligjeve e reformave, që është përgjegjësi dhe vullnet politik.”. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe pjesëmarrjen së fundmi të opozitës në komisionin parlamentar ad-hoc për reformën në drejtësi.
Gjatë takimit u bisedua edhe mbi zgjedhjet vendore në Shqipëri, ku Presidenti Nishani theksoi nevojën e leximit me përgjegjësi nga të gjithë aktorët politik të raportit të OSBE/ODIHR-it, për të evidentuar dhe adresuar problematikat reale. Dduke vlerësuar edhe angazhimin e Ambasadorit amerikan në Tiranë, Presidenti i Republikës evidentoi dekriminalizimin si një prej betejave reale të shoqërisë shqiptare. Kreu i Shtetit vuri në dukje se: “dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve publike shqiptare mbetet një prej sfidave shumë e rëndësishme për vendin, pasi përfshirja e elementëve kriminalë në skenën politike dhe institucionet shqiptare përbën një kërcënim real për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare”.
Me interes u trajtuan edhe nevoja e bashkëpunimit me komunitetet lokale për parandalimin e shtrirjes së influencës nga ekstremizmi i dhunshëm dhe elementet terroriste. Presidenti Nishani evidentoi nismat e ndërmarra për të inkurajuar klerikët e lartë të vendit që të japin ndihmesën e tyre në këtë drejtim dhe forcuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes njerëzve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Nuland, presidenti Nishani, Takimi

“Urat e Ballkanit flasin”, takimi rajonal në Berat

March 25, 2014 by dgreca

Nga Almarina Gegvataj/Në kuadër të nismës së saj globale “Kultura-një urë drejt zhvillimit”, e cila synon shfrytëzimin e forcës së kulturës si mjet dinamik i bashkëpunimit dhe risi për zhvillim gjithëpërfshirës ekonomik, kohezion social dhe paqe, UNESCO,  në bashkëpunim me Fondacionin Balkanika, Bashkinë e Beratit dhe partner të tjerë nga rajoni, organizon takimin rajonal në Berat, në datat 29-30 mars 2014.

Sipas njoftimit zyrtar, takimi do të zhvillohet me prezencën e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO, Irina Bokova. Ky takim rajonal në urën e Goricës në Berat pason takimet e organizuara në Edirne-Turqi dhe në Lovech, Bullgari.

Takimi në Berat është i treti takim në kuadër të projektit “Urat e Ballkanit flasin”, projekt i nisur që në vitin 2013, i cili do të mbarojë në vitin 2014 në të gjithë Evropën Juglindore për të nxjerrë në pah urat, si simbole të fuqishme të unitetit dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë.

Projekti ka disa aktivitete : tryeza të rrumbullakta, shfaqje artistike dhe kulturore, lexime publike, etj. Ai ofron një mundësi për personalitete letrare, autoritetet kombëtare, ndërkombëtare dhe vendore, ekspertë, partner privatë dhe universitete të rajonit për të shkëmbyer përvojat. Ai ka për qëllim të rrisë krijimtarinë, dialogun dhe shkëmbimet kulturore, për të frymëzuar qasje innovative dhe krijuese për ruajtjen e trashëgimisë dhe kulturës ndaj politikave të ndjeshme të zhvillimit.Nisma është konceptuar që të sigurojë hapësira për bashkëpunim kulturor ndërajonal dhe rajonal, të nxisë shkëmbimet ndërmjet profesionistëve të kulturës, urbanistëve, komunave, artistëve, shoqërisë civile në politikat kulturore, në strategjitë dhe praktikat që ushqejnë dialogun ndërkulturor, por edhe stimulimin e sektorit kulturor si sektor i qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.

Në takimin rajonal do të zhvillohen edhe veprimtari artistike si: Foto-ekspozitë “Murmurima e ujërave”, me pjesëmarrjen e piktorëve të vendeve të ndryshme të Ballkanit, që do të krijojnë  në ajër të hapur veprat që do t’i dhurohen qytetit të Beratit., koncerte nga ansamblet bullgare dhe shqiptare, si dhe një spektakël 3D animacion mbi urën e Goricës. Panairi i artizanëve  të Beratit dhe Gjirokastrës do të shoqërojë vendet e hapura përgjatë dy ditëve të takimit rajonal “Urat e Ballkanit flasin”.(Sipas ATSH)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: “Urat e Ballkanit flasin”, rajonal në Berat, Takimi

Edhe një “takim konstruktiv”

October 8, 2013 by dgreca

Ka përfunduar në Bruksel takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, i cili nga të dyja palët është cilësuar si konstruktiv dhe i suksesshëm.

Nga Valona Tela/
Duke folur para gazetarëve në Bruksel, Thaçi është zotuar se institucionet e Kosovës do të respektojnë marrëveshjen për lëvizje të lirë me Serbinë, pa qasje diskriminuese ndaj askujt.
Vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, gjatë kohës kur në vend zhvillohet fushata për zgjedhjet e 3 nëntorit, kanë qenë temë e deklaratave kontradiktore të zyrtarëve kosovarë, ditëve të fundit.
Disa ministra të Qeverisë Thaçi kanë thënë se asnjë zyrtari serb nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë përgjatë 30 ditëve fushatë; të tjerë kanë thënë se ndalesa vlen vetëm për kryetarin e Qeverise serbe, Daçiq.
Këto paqartësi, të cilat në Beograd janë komentuar në forma të ndryshme, kanë bërë që  Daçiq të kërcënojë me heqjen dorë nga dialogu me Prishtinën.
Por, e gjithë situata është shtensionuar të hënën mbrëma në Bruksel me deklaratën e kryeministrit Thaçi, i cili ka thënë se “në rast të ndonjë kërkese për të vizituar Kosovën, institucionet do të marrin vendimin meritor në përputhshmëri me kushtet, rrethanat që mund të krijohen”.
“Lufta e ftohtë ka mbaruar; ne jemi për bashkëpunim, për fqinjësi, komunikim, lëvizje të lirë dhe pa qasje diskriminuese”, ka thënë Thaçi.
Ai po ashtu ka theksuar se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit janë test i rëndësishëm evropian për Kosovën. Thaçi ka thënë se pret që të gjithë të marrin pjesë në këtë proces, përfshirë edhe serbët e pjesës veriore, ku për herë të parë do të mbahen votimet që organizon Republika e Kosovës.
I kënaqur me takimin e së hënës është shprehur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili nuk ka hezituar të thotë se kjo “ka qenë një nga ditët më të suksesshme të dialogut”.
“Kemi diskutuar për çështje që për kohë të gjatë kanë qenë aktuale dhe kanë paraqitur pengesë në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht në organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Shpresoj që ajo për të cilën jemi pajtuar, të realizohet deri në fund të javës dhe me këtë të krijohen kushte për zgjedhje të ndershme lokale”, ka thënë Daçiq, për të shpjeguar se çështja kryesore në këtë rrafsh është ajo e regjistrimit të votuesve.
“Regjistrimi i atyre votues që kanë dallime në listat tona dhe të Prishtinës. Bëhet fjalë për më shumë se 10-12 mijë njerëz, të cilëve do t’iu njihet e drejta të regjistrohen në listat zgjedhore në katër komunat në veri. Kur bëhet fjalë për zgjedhësit jashtë Kosovës, jemi marrë vesh që përmes mekanizmave specifikë të krijojmë kushtet që sa më shumë njerëz të kenë të drejtë vote”, ka thënë Daçiq.

Takimi Thaçi-Daçiq është zhvilluar si rëndom me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Zëdhënësja e ndërmjetësueses, Maja Kocijançiq, ka thënë se takimi ka qenë i dobishëm dhe i rëndësishëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Edhe një “takim konstruktiv”alona Tela, Takimi, Thaci-dacic

TAKIMI ME AKADEMIKUN MARK KRASNIQI NE TIRANE

January 23, 2013 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

1.

Kisha kohë pa e takuar prof. Mark Krasniqin-Akademik, njërin ndër figurat e njohura dhe të shquara të arsimit, kulturës, shkencës e politikës në Kosovë. Prandaj ndjeva kënaqësi të veçantë, kur mora një ftesë nga kryetari i Shoqatës “Nikaj-Mertur”, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), se në mbrëmjen e datës 18 janar 2013, do të organizohej një koncert dhe manifestim masiv, në Pallatin e Kongreseve të kryeqytetit Tiranë. Ndër të tjera, aty shënohej se do të ishte pjesëmarrës edhe prof. M.Krasniqi.

Ende pa nisur shfaqja, hyra në sallën e stërmadhe, që gumëzhinte si “koshere” bletësh. Nga radhët e mezit, drejtpërdrejt me skenën, ku diku afër e kisha të caktuar edhe unë vendin, e vërejta të ulur atë, bashkë me një mik të tij, nga Gjakova, Gjokë Gecin. U përshëndeta me prof. Mark Krasniqin me përzemërsi dhe iu luta një personi që të na fotografonte, për ta patur shenjë kujtimi. Ndërkaq, edhe më pas gjeta rastin të bisedonim bashkë, sigurisht jo gjerësisht. Më  erdhi shumë mirë që, megjithëse në moshën mbi 92-vjeçare, gëzonte shëndet të qendrueshëm, mbahej i fortë dhe kishte kujtesë të admirueshme. Këtë gjë e vërejta edhe  kur ai u shfaqi dashamirësi gjithë njerëzve të shumtë, të cilët vinin ta takonin dhe ta respektonin. Bile, pati nga ata nikajmërturas, që ia treguan shtëpinë dhe iu lutën që, pas shfaqjes, të shkonin në familjen e tyre.

Në bisedë e sipër, por dhe  kur u ndamë aty, pasi nisi shfaqja “e zjarrtë”, e titulluar “Nata e Nikaj-Mërturit”, në vijim të disa veprimtarive të tilla, solla në kujtesë njohjen tonë. Ishin vitet ’70-të e 80-të të shekullit të kaluar, kur në kryeqytetun Tiranë, por dhe në rrethe të vendit, u organizuan veprimtari masive, konferenca, simpoziume e kongrese shkencore. Ato ishin për çështje të historisë e gjuhësisë, kulturës, etnografisë, arkeologjisë e tjerë. Megjithëse dihen vështirësitë e kohës për lidhjet me Kosovën e robëruar nga rregjimi serb, në ato merrnin pjesë edhe studiues e shkencëtarë shqiptarë prej saj. Një ndër ata, padyshim, ishte edhe prof. Mark Krasniqi. Ai nuk vinte këtu, në “shtetin amë”,  si një një “vizitor” i thjeshtë, por edhe lexonte punime të thelluara shkencore.

Një ndër udhëtimet e tij në Tiranë, por dhe në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ishte ai i marsit të vitit 1980. Në qytetin më verior alpin, Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë, kishte përgatitur një sesion shkencor, me rastin e 55-vjetorit të vrasjes së “Heroit të Popullit”, “Dragoit të Dragobisë”, Bajram Curri. Në udhëtimin, nga kryeqyteti për atje, pasi kisha për të lexuar një temë për figurën e tij në këngët popullore, arrita në Fushë-Arrës dhe aty u ndalëm pak për të pushuar. E dija që, në përbërje të grupit nga Prishtina, ishin Ali Hadri, Zekeria Cana e një tjetër. E pyeta prof. Markun, pak me shaka: “Për ku jeni nisur kështu, profesor,  apo për në sesionin shkencor, kushtuar B.Currit?” Aty për aty, ai m’u përgjigj me një shprehje popullore, duke e anashkaluar shpjegimin e saktë: “Jo, po, me që i kisha opingat veshur, mendova dhe unë të dal një herë në Malësi”. Në fakt, meqenëse e ka origjinën nga krahina e Nikaj-Mërturit dhe larguar shumë kohë të parët që andej, ai ma shfaqi dëshirën se donte t’i njihte të afërmit e tij, atje. Kur arritëm në qytetin “B.Curri”, sigurisht, këtë gjë ua thashë drejtuesve të partisë e shtetit të asaj kohe. Me sa kuptova, një ndër arsyet, se përse nuk donin ta lejonin të shkonte për vizitë tek ata prof. Marku, ishte varfëria e tejskajshme në atë krahinë. Ndërsa përgjigja  e pëligjia, për atë, ishte se: “Rruga është e prishur dhe nuk mund të kalohet për andej!?”

Megjithëse nuk mori pjesë në sesionin shkencor, të organizuar në qytetin “B.Curri”, pasi nuk e kishte “lejën” nga organet jugosllave,prof. Mark Krasniqi erdhi me ne në fshatin e bukur Valbonë. Aty hëngrëm një drekë së bashku, ku dhe u kënduan këngë popullore. Por pati edhe një recitim, nga rapsodi i mirënjohur vendës, Sokol Arifi. Në vargjet e tij, me përmbajtje të theksuar atdhetare, ai përmendëte edhe të këqijat e regjimit serb, ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, të ftuarit kosovarë  u ndjenë ca “ngusht” dhe, për të mos i venë ata në pozitë të vështirë, raspsodi nuk vazhdoi më gjatë, me recitime të tilla. Megjithatë, e pashë që prof., Markut i shëndritën sytë, kur i dëgjoi ato vargje rapsodike, të cilat e shprehnin realitetin e vertetë e të dhimbshëm historik të shqiptarëve, nën pushtimin e huaj serb.

Në vitet pasardhëse, kam lexuar shpesh për  studimet, botimet e pjesëmarrjet në detyrat dhe veprimatritë e ndryshme, nga Akademiku Mark Krasniqi. Sigurisht, si atëherë dhe tani, jam ndjerë krenar për këtë bashkëkrahinas e  atdhetar të mirë, i cili jetën e tij të gjatë e ka venë në shërbim të arsimit, shkencës e kulturës kombëtare shqiptare. Prandaj, si unë, por dhe të gjithë ata, që e takuan e biseduan këto ditë me të në Tiranë, i uruan nga zemra: Shëndet të plotë, jetëgjatësi dhe krijimtari sa më të frytshme, për të mirën e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Në darkën, që u shtrua nga Shoqata “Nikaj-Mërtur” për të ftuarit dhe artistët amatorë, përsëri u përshëndeta me Akademikun e shquar Mark Krasniqi. Bile, me ftesën edhe të Gjokë Vukajt, që e filmonte tërë veprimatrinë, shkuam e i takuam gotat me atë dhe kolegë të tij nga Kosova, unë dhe kryetari i Shoqatës, Av. Gjin Niklekaj. Sigurisht, për këtë gjë, ai na falënderoi dhe u ndamë përzemërsisht.

2.

Mark Krasniqi  lindi më 19 tetor 1920, në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kolaj), në afërsi të Pejës, në Kosovë. Arsimin fillor e ndoqi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prizren. Në vitet 1941-1943,  vazhdoi studimet e larta për letërsi, në Universitetin e Padovës së Italisë. Ndërsa më tej, studioi për gjeografi dhe etnografi, në Universitetin e Beogradit (1946-1959). Nisi të shkruajë që herët në shtyp. Kështu, në vitet 1945-1946, ishte redaktor i gazetës “Rilindja”, në Prizren, së bashku me Esad Mekulin e Omer Çekrezin.  Në tri vitet vazhduese, punoi në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe, në Radio-Beogradi. Në vazhdimësi, gjatë viteve 1950-1961, ishte asistent dhe pastaj bashkëpunëtor shkencor, në Akademinë e Shkencave të Serbisë. Ngjarje më rendësi për të ishte marrja e diplomës, në Beograd, më 1950 dhe pastaj mbrojtja e doktoraturës, në Universitetin e Lubjanës, më 1960.

Për aftësitë e tij pedagogjike e shkencore, në periudhën 1961-1981 ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, kur shteti serbo-komunist e largoi nga puna arsimore e pedagogjike. Disa herë ka shërbyer dekan dhe prodekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, në Prishtinë. Gjithashtu, është ngarkuar me detyra të larta, si: zëvendëskryetar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka marrë pjesë dhe ka lexuar punime të tij në shumë kongrese, konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombetare, ku janë diskutuar çështje të traditave, gjuhës letrare kombëtare, historisë, etnografisë, folklorit shqiptar e tjerë.

Përveç punës pedaogjike e shkencore, detyrave drejtuese dhe veprimtarive të tjera, ka hartuar e botuar rreth 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollorë. Prof. M.Krasniqi është autor i disa vëllimeve me poezi, si për të rritur e fëmijë, ndër të cilët veçojmë librin për të vegjëlit, “Posta e porositur”. Po kështu, ka shqipëruar, nga serbishtja e sllovenishtja, disa romane e përmbledhje me poezi

…Me përvojën e gjatë shumëvjeçare dhe shërbimet e çmuara, q ë i ka bërë popullit tonë, për të cilat folëm shkrutimisht më lart, prof.Mark Krasniqi-Akademik, është jo vetëm krenari e natyrshme për banorët e krahinës së prejardhjes, pra Nikaj-Merturit, por edhe për vendlindjen, mbarë Kosovën e Shqipërinë dhe, më tej, për të gjitha trojet amtare e diasporën tonë shqiptare.(Ne Foto: Nga e majta: M.Krasniqi e M.Gecaj (Tiranë, 18 janar 2013)

Tiranë, 22 janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: me mark Krasniqin, Murat Gecaj, Takimi, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT