• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. AGIM LEKA, MJEKU QË KUROI PLAGËT E KOMBIT DHE U SHËRBEU PËR 50 VJET SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

June 9, 2014 by dgreca

NGA DALIP GRECA/
Një mbrëmje të ftohtë të marsit 2014, së bashku me dr. Skënder Murtezanin, udhëtuam nga Bronxi drejt Baldwin, një qytezë, e vendosur në pjesën jugore të Long Island- ishullit më të populluar në të gjithë Amerikën- për dendësinë e popullsisë, renditet i 17-ti në Botë.Nëse do të ishte shtet Long Island, do të renditej i 13-ti në Amerikë, në SHBA-pas Virginias. Dendësia e popullsisë është 5402 banorë për një milje katrore (2,086 për km2.). Ishulli ka një popullsi prej 7,740, 208 (Sipas statistikave të 2013-ës), ndërsa qyteza e Baldwin, sipas Censusit prill 2010, regjistronte një popullsi prej 23.455 banorë. Baldwin është një njësi banimi që klasifikohet e pasur; të ardhurat mesatare për çdo familje janë $72.456. Pikërisht këtu është vendosur dr. Agim Leka me familjen, që në vitin 1960, ku hapi zyrën e tij të shërbimit shëndetsor. Në muzg shtëpia ka një pamje magjike, veçanërisht në lindje dhe perëndim të diellit, tabloja që përfitohet është e rrallë.Qëndrojmë një copë herë duke vëzhguar diellin që po “zhytet” në oqean, ndërsa dr. Murtezani bën telefonatën e mbërritjes. Dr. Agimi i shoqëruar nga zonja Elisabeth dalin në paradhomë dhe na presin me përzemërsi shqiptare. Edhe pse nga shëndeti nuk janë mirë, duken plot gjallëri dhe gëzimi për vizitën, u lexohet ndër sy.
Pas përshëndetjeve, dr. Leka propozon që të shkojmë për darkë në restorantin Oak Schalet , që është jo më larg se 7 minuta prej shtëpisë së tyre.
Është një restorant me klientelë të zgjedhur, ku gjithçka të mbetej në mendje, që nga tavolinat me dru lisi, kthinat, dhe gjellët karakteristike të kuzhinës gjermane, e deri tek gjysëm ndriçimi, që krijon një mjedis romantik. Biseda nis që aty dhe dr. Agimi, kujton rininë, luftën, shkollimin të shtrirë në shumë shtete, ardhjen në Amerikë, studimet universitare, praktikën mjeksore, specializimin, njohjen me bashkëshorten Elizabeth, punën studimore, shërbimin ndaj komunitetit shqiptar, pa harruar veprimtarinë e tij në mjekimin e plagëve të Kombit, artikujt në The New York Times… dhe këtë shërbim e ka nisë që në rininë e tij…Shqetësimi për plagët e Kombit ka qenë pjesë e vetëdijes së tij kombëtare.
Vonë kthehemi sërish në shtëpinë e dr. Lekës dhe vazhdojmë aty bisedën e nisur në restorant Oak Schalet. Zonja Elizbeth duket pak e lodhur, por fisnikëria nuk e lejon që të largohet. Ulet në një nga kolltukët dhe e ndjek bisedën tonë.
Dr. Agim Leka ka se çfarë tregon nga jeta e tij 90 vjeçare, e cila që në rini është e mbushur përplot ngjarje, ku ai ka qenë protagonist. Më tregon se ka qenë me fat për trashëgiminë familjare dhe për shkollimin, që e ka kryer në shkollat më të mira të kohës.
Edukata familjare la gjurmë tek dr. Agim Leka dhe i përcaktoi orientimin kombëtar.Shërbimin ndaj Kombit, ai e ka konsideruar detyrë, si testament i trashëguar nga gjyshi; Ibrahim Leka Borshi, i cili pat kryer detyrën e Qark/komandantit të Beratit dhe Lushnjës, dhe gjyshi tjetër Nebi Sefa. Ende sot rrëfehen shërbimet e gjyshit të tij atdhetar, i cili shpëtoi Ismail bej Qemalin nga arrestimi, duke e udhëhequr drejt Vloës përmes Myzeqesë. Po ashtu ai krenohet me gjyshin nga nëna, Nebi Sefa, i cili ishte delegat i Lusnjës në Kuvendin e Shpalljes së pavarësisë në Vlorë dhe nënshkrues i aktit historik, si dhe kontribues kryesor në Kongresin kombëtar të Lushnjës. Po nuk kishte se si të mos ndikonte tek ai dhe babai, një intelektual i spikatur i kohës së tij. Juristi Rakip Leka dha një kontribut të vlefshëm profesional në shtetin e pavarur shqiptar, duke shërbyer në poste të larta në Ministrinë e Drejtësisë.
Dr. Leka, thotë se i është mirënjohës babait të tij, që i shpjegoi me detaje vuajtjet e popullit kosovar nën Serbi, vuajtje që ngjanin si dy pika ujë me vuajtjet e shqiptarëve të Jugut nga represioni dhe masakrat greke. Babai i dr. Agimit, Rakip Leka, e kishte përjetuar në moshën 16 vjeçare djegien e fshatit të tij, Borsh nga andartët grekë. Rrefimet e të atit i dhanë kahje nacionaliste vetëdijes së tij.
Dr. Agim Leka më tregon se ishte me fat që njohu apostullin e shqiptarizmës, Mit’hat Bej Frashërin, me të cilin i pat nisë takimet në librarinë e tij në Tiranë dhe mbeti një nxënës i zellshëm i ideve të tij. Në edukimin e tij nacionalist lanë gjurmë edhe Prof. Vasil Andoni, Prof. Abaz Ermenji dhe nacionalistë të tjerë.

NË RRUGËT E LUFTËS DHE TË JETËS

Dr. Leka nuk e ka të vështirë ta kthejë pas shiritin e kujtesës. Ai kujton se pushtimi fashist i Shqipërisë e gjeti në radhët e demonstruesëve në Korçë, ku kryente studimet në Lice. Organizimi i Batalionit të Liceut të Korçës, në mars 1939, e gjeti në radhët e tij, si luftëtar, nën komandën e Prof. Abaz Ermenji. Ishte më i riu i batalionit, vetëm 15 vjeç. Në pranverën e vitit 1943 ai është në radhët e luftëtarëve të ballit nën komandën e Abaz Ermenjit në Skrapar. Atje pati rastin të takohej me udhëheqësin e misionit anglez në Shqipëri, kolonel McLean. Po atë pranverë Agim Leka është pjesmarrës-vëzhgues, në Kongresin e Ballit në Berat. Dy nga fotografitë e kësaj pjesmarrje, janë botuar nga publicisti Ylli Polovina në Gazetën Illyria në New York.
I riu Agim leka, pati fatin që të ishte në Konferencën e Mukjes, ku komunistët e prishën marrveshjen e nënshkruar nga diktati i Jugosllavëve sepse në të njihej e drejta e vetëvendosjes për Kosovën, trevat e tjera etnike në Maqedoni e Mal të Zi si dhe Çamërinë shqiptare, sipas Kartës së Atlantikut.
Dr. Leka, kujton se me 28 nëntor 1943 me një grup djelmoshash të Ballit Kombëtar, realizuan një takim me heroin e 7 prillit, Abaz Kupin. Aty, thotë dr. Leka,- mbajta një fjalë të zjarrtë ku kërkova bashkimin e ballistëve me Legalistët. Fati e deshi, thotë dr. Leka, që me 9 janar 1976, heroi i 7 prillit, Abaz Kupi, ndërroi jetë nën përkujdesjet e tij mjeksore, pas një operacioni të rëndë në spitalin Mercy Medical Center në Rockeville Center, NY.
-Fati ka qenë me mua,- thotë dr. Leka. “U largova nga Shqipëria pa mbaruar lufta. Me 2 maj 1944, së bashku me 100 studentë shqiptarë, duke qenë se lufta i kishte ndërprerë shkollat në Shqipëri, udhëtuam drejt Vienës për të vazhduar studimet.”
Pas një viti ai përfundoi me sukses studimet në Gjimnazin e Salzburgut. Diploma e Salzburgut i dha mundësi që të regjstrohej në Universitetin”La Sapienza” të Romës. Nga ajo kohë ruan një kujtim; ishte ndalur në Milano para se të shkonte në Romë. Në Milano ai ishte pjesmarrës i rastësishëm në një manifestim popullor në Piazzale Loreto, ishin varur nga partizanët italianë, trupat e udhëheqësit fashist Benito Musolini dhe së dashurës së tij Clara Petacci.
– Më bëri përshtypje, thotë dr. Leka se si ai popull që kishte thirrur për vite me radhë”Rroftë Duçja” ,tash qëllonte kufomat me zemrim! Turmat entuziazmohen, manipulohen, zemrohen…

SHKOLLIMI- NGA KORÇA E TIRANA, NË FIRENCE, SALZBURG, ROMË, NEW YORK…

Shkollimi i dr. Agim Leka u bë në shkollat më të njohura të vendit dhe jashtë tij. Për shkak të luftës atij iu desh që të arsimohej në disa shkolla. Filloi në Liceun Francez të Korçës, më i miri në vend. Për katër vite studioi aty dr. Leka. Më pas u zhvendos në Liceun “Francesco Krispi” në Tiranë, për t’u zhvendosur më pas në Liceun”Cicognini” në Firenze të Italisë. Maturën do ta kurorëzonte në Salzburg të Austrisë.
Studimet universitare dr. Leka i kreu në Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e njohur “La sapienza” të Romës, ku u diplomua si mjek kirurg më 1953. Pas diplomimit ai vjen në SHBA për të kryer intership në Jersey City në New Jersey. Beteja për studimet mjekësore nuk kishte mbaruar ende. Ai vazhdoi specializimin në Universitetin e Nju Jork-ut dhe në “Graduate School” të Universitetit të Pensilvanisë, ku u specializua për sëmundjet e brendshme, me përqëndrim të posaçëm në Kardiologji. Ky specializim i mori dr. Agim Lekës, jo pak, por pesë vjet, nga viti 1953 deri në vitin 1958.

NGA KENTUCKY NË NEW YORK

Pas specializimit dr. Agim Leka, në qershor të vitit 1958, u emërua specialist internist në spitalin e veteranëve në Louisville, Kentucky, spital i Qeverisë amerikane. Po ashtu ai ishte në të njëtën kohë dhe pedagog në Universitetin e Lousville, Shkollë e Mjekësisë. Përvoja dyvjeçare që fitoi në Kentucky ishte me vlerë. Pas dy vjetësh ai u kthye në Nju Jork. Dr. Leka nuk e harron datën 1 korrik 1960. Ajo ishte një ditë e veçantë sepse pikërisht me 1 korrik hapi zyrën e tij mjekësore në Baldwin në Long Island, New York. Dalëngadalë qyteza e vogël u bë pjesë e jetës së tij, ndërsa ai një mjek i papërtuar, që ishte përherë pranë pacientëve të tij.
Kalendari kronologjik i shërbimeve të tij mjekësore është i pasur me data e kontribute. Në vitin 1978 dr. Leka emërohet Instruktor i Mjekësisë së Brendshme në Stony Brook University në Long Island. Ky është një ndër universitetet e njohura në fushën hulmtimit publik, edhe pse është relativisht i ri, renditet ndër më të njohurit në Amerikën e Veriut.Kontributi i dr. Agim Lekës edhe në këtë institucion ishte me vlera.
Në vitin 1994. Dr. Agim Leka u emërua asistent –profesor i sëmundjeve parandaluese në New York Medical College në Valhalla, NY. Këtë pozitë ai do ta mbante deri në 31 Dhjetor 2002, kur për arsye të moshës e mbylli veprimtarinë akademike, për ta vazhduar ende atë profesionale.
Shërbimet e dr. Agim Lekës janë me vlerë. Ai ishte anëtar i Komitetit Edukativ i “Mercy Medical Centre” në Rockville Centre, NY. Në atë kohë dr. Leka kreu një shërbim me vlerë për komunitetin.Arriti që të ndërlidhte Universitetin e Harvardit në Boston me Mercy Medical Centre në Long Island. Kjo u bë për të parën herë dhe tërhoqi vëmendjen e medias.
-Kjo, thotë dr. Leka, ishte e para dhe e vetmja lidhje që Universiteti i famshëm i Harvardit, realizonte me një Institut jashtë Bostonit. Ardhja e profesorëve të Harvardit në Long Island bëri përshtypje të madhe dhe solli një përvojë të çmuar. Zbulimet e fundit të shkencëtarëve të arritura në Universitetin e famshëm të Harvardit u publikuan nga profesorët në konferencat e Harvardit në Long Island.
Kjo ngjarje nuk i shpëtoi as gazetës The New York Times, e cila në numrin e saj të 26 prillit 1975, shkroi:”Bashkëshoqërimi i Harvardit me Mercy Hospital, një nga katër spitalete Dioqezës të Rockville Centre, që përmbledh tërë rajonin e Long Island-it, u krye prej dr. Agim Lekës nga Baldwin, anëtar i Komitetit Edukativ.
Dr. Agim Leka, tha se pasi ka frekuentuar kurse në shkollën mjekësore të Harvardit, ai pa nevojën për ta prurë atë program”afër vendit ku jeton dhe të lidhur me vendin e punës…”.

NË SHËRBIM TË KOMUNITETIT SHQIPTAR

Dr. Agim Leka është i njohur për shumë familje shqiptare në shtetin e New York-ut. I janë mirënjohës doktorit, veçanërisht shqiptarët e porsaardhur në Amerikë, të cilët për shkak të gjuhës, i trokisnin shpesh në derë doktorit.
Dr. Leka, më tregon se, veprimtaria e tij humanitare mjeksore për një gjysëm shekulli të ushtrimit të profesionit, u shërbeu pacientëve të shtresave të ndryshme shoqërore, që nga diplomatët, ministra të qeverive shqiptare postkomuniste të ardhur këtu për mjekime e ekzaminime, nacinonalistë të ikur nga Shqipëria pas luftës së Dytë Botërore, Heroi Kombëtar antifashist Abaz Kupi, shqiptarëve nga Kosova dhe viseve të tjera etnike, që vuajtën nën genocidin e sllavëve, si dhe ish të përndjekurit e burgjeve të diktaturës komunsite, që erdhën pas vitit 1990 në Amerikë.Janë të shumtë emigrantët që kanë marrë shërbimin dhe këshillat e tij mjekësore.
Dr. Leka, me zërin e tij të butë,me zemrën plot dashuri e atdhetarizëm, thotë se si mjek, si shqiptar, u ka shtrirë dorën dhe u ka shërbyer me zemër, të gjithë shqiptarëve që i kanë trokitë në derë.
Shërbimi i tij në ndihmë të komunitetit shqiptar nisi që në vitin 1960, kur hapi zyrën në Baldwin.
Dr. Leka i ka shërbyer falas komunitetit shqiptar me vizita, vaksina e shërbime të tjera. Ja se çfarë i ka deklaruar ai Revistës”Jeta Katolike” të majit 1972, kur përshkruan përvojën e tij me fëmijët shqiptarë gjatë vaksinimit, të mbledhur në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë:” Rrallëherë e kam ndjerë veten time aq të kënaqur me ushtrimin e profesionit se sa kur, pa ansjë interes lëndor, i jap ndihmën time mjeksore, bashkësisë shqiptare, popullit tim, që ka nevojë, dhe që është pjesë e pandarë e racës sonë…”.
Por në tërësi, Komuniteti Shqiptar, e ka prekur shumë herë kontributin e dr. Lekës. Ai ka kryer shërbime të vlefshme për komunitetin. Dr. Leka për të ndihmuar bashkësinë shqiptare të New York-ut me rrethe, siguroi ndërlidhjen me Qendrën Mjeksore ”Our Lady of Mercy Medical Centre” në Bronx dhe shkollën mjeksore “ New York Medical College” në Valhalla, në Westchester County; krijoi “Qendrën Mjeksore Shqiptare” me 3 Qershor 1994. Kjo Qendër u përurua nga klerikët e të tri feve, nga diplomatët shqiptarë në Kombet e Bashkuara dhe nga përfaqësues të politikës amerikane. Me këtë rast, kongresmeni demokrat Eliot Engel, i dha dr. Lekës një çmim të veçantë. Pllaka me këtë çmim u lexua nga Kongresmeni Engel edhe në Kongresin Amerikan me 26 Maj 1994. Në çmim evidentohet roli kryesor që dha Dr. Leka në krijimin e “Qendrës Shqiptare të Shëndetit”. Edhe kjo ngjarje nuk kaloi pa u pasqyru në shtypin e kohës. Gazeta “The Bronx Times Reporter” e 9 qershorit 1994, Studio TV Victoria dhe gazeta ILLYRIA i kushtuan shkrime dhe kronika televizive kësaj ngjarje.
Dr. Agim Leka, vazhdoi për 12 vjet të punonte me përkushtim në shërbim të bashkësisë shqiptare në Bronx, duke kryer vizita dy herë në javë në klinikën e hapur në Bronx, përveç asaj në Baldwin. Për arsye të moshës, me 31 dhjetor 2006, ai e kishte të vështirë të udhëtonte nga Long Island në Bronx.
Një vit më vonë, me 30 qershor 2007, po për arsye të moshës, dr. Leka do të mbyllte veprimtarinë aktive edhe në zyrën ku shërbeu për gati 50 vite, në Baldwin. Ishte 83 vjeç, një jetë të tërë në roje të shëndetit të qytetarëve.
***
Dr. Leka i ka shërbyer komunitetit shqiptar edhe në fusha të tjera, përveç mjekësisë. Në shtator të vitit 1967 dr. Leka me bashkëshorten Elizabeth, profesoreshë e gjuhëve të huaja, dhe një grup edukatorësh shqiptarë të devotshëm në përkushtim Kombëtar, hapën shkollën shqipe të Qendrës Shqiptare në Woodhaven, Jamica, New York. Dr. Leka drejtonte funksionimin administrativ të shkollës, ndërsa zonja e tij, Elizabeth, drejtonte anën akademike. Çifti Leka pati fat se në këtë nismë iu bashkuan edhe Prof. Sami dhe Diana Repishti, që të dy profesorë të njohur dhe të regjistruar në Shtetin e Nju Jork-ut. Elizabeth Leka, çifti Repishti, Dr. Ramazan Turdiu, Nesti Andrea, morën përsipër mësimin e gjuhës shqipe dhe historisë shqiptare, dr. Leka mori përsipër mësimin e shqipes në klasën e më të rriturve. Në këtë nismë kontribuan edhe: Albert dhe Joan Fundo, zonja Mini Domni dhe të tjera zonja kontribuan për mësimin e valleve dhe këngëve shqiptare. Qyteti i Nju Jork-ut vuri në dispozicion të bashkësisë shqiptare shkollën publike nr. 60 në Woodhaven, Jmaica, NY. Shkolla shqipe ishte e ndarë në pesë klasa nga 5 vjeç deri në 16 vjeç. Shkollën e frekuentuan 80 nxënës.

NË NDIHMË TË SHQIPËRISË DEMOKRATIKE

Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe ngjarjet që pasuan, ngjallën shpresa edhe tek dr. Agim Leka. Nisja e ndryshimeve në Shqipëri e gjeti atë të gatshëm për kontribute konkrete.
Ai u ndje mirë, kur djali i tij, Donald Leka, ndërmjetësoi për lidhje ndërmjet Shqipërisë dhe shtetit të Oklahomes. Donald Leka në pozicionin e kryetarit të Shoqatës Amerikane Sirius Systems Inc, inicioi bijësimin ndërmejt Universitetit të Oklahomes dhe Universitetit të Tiranës, i pari në historinë e dy kombeve. Dr. Leka së bashku me Donaldin vizituan Universitetin e Oklahomes së bashku me një delegacion nga Universiteti i Tiranës realizon lidhjen. Marrëveshja u nënshkrua nga Rolanda Dhimitri, zv/ rektorja e universitetit të Tiranës dhe pala tjetër.
Më 1992, dr. Leka së bashku me Joan Fultz Kontos, e bija e profesorit të shquar amerikan Harry Fultz, ish drejtor i Shkollës Teknike të Tiranës e hapur që më 1922, Donald Leka dhe një grup dashamirësisht të Shqipërisë, ndërmjet tyre dhe ambasadori William Kontos, bashkëshorti i Joana Fultz, krijuan Fondacionin Edukativ Shqiptaro-Amerikan Harry Fultz”. Fondacioni u ndihmua financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga Fondacioni SOROS. Qëllimi i fondacionit ishte rihapja e Shkollës teknike Harry Fultz në Tiranë. Mijëra studentë e kanë frekuentuar këtë shkollë. Dr. Leka ishte nënkryetar i Fondacionit deri në 31 Mars 2006. Donald Leka, një nga themeluesit e fondacionit, u emërua drejtor ekzekutiv, pozitë që e mbajti për shtatë vjet, kohë kur u trasferua me zonjën e tij Claire Leka në New York.
Gjithësesi, dr. Leka ndjehet mirë, që i biri i tij, Donaldi nuk është ndarë nga Shqipëria as sot e kësaj dite. Para pak ditësh ai ishte sërish në Shqipëri, ku media shqiptare e kishte në qendër të vëmendjes.

GJITHË JETËN DUKE MJEKUAR PLAGËT E KOMBIT

Që në rini Agim Leka ishte i kthjellët në qëndrimin nacionalist. Reagimet e tij janë pjesë e vetëdijes kombëtare. Ishte vetëm 18 vjeç kur me 5 Maj 1942 përktheu dhe botoi librin”Skandali Cordignano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar” në gjuhën italiane me titullin” Risposta a Cordignano su suoi giudizi nei riguardi degli Albanesi”. Ishte një aventurë e gjatë botimi i këtij libri, që dr. Leka ma tregon me detaje. Nuk ishte e lehtë, duheshin kaluar shumë pengesa sepse në Shqipëri ishin italianët, por ai arriti që ta botonte librin në 2 mijë kopje përmes Shtypshkronjës ”Kastrioti”. Libri u shoqërua me një parathënie të shkruar nga i riu Agim Leka”Prefazione e traduzione di Agim Leka(Borshi)”. Ai spjegonte aty nevojën për botimin e librit në gjuhën italiane gjatë pushtimit fashist. Punimi në origjinal ishte shkruar me pseudonimin Nike Barcolla. Autori i vërtetë ishte kleriku atdhetar Don Nikollë Mazrreku, që aso kohe ishte ndihmës famullitar në famullinë Katolike të Tiranës. Libri mbronte Kombin shqiptar, kundër një artikulli denigrues përkundrejt Kombit shqiptar shkruar nga prifti katolik italian Fulvio Cordignano, i cili pat botuar një punim antishqiptar në “Rivista d’Albania” me titull” L’Albania nella storia e nella vita ossia visione panoramica di un piccolo mondo primitive”. Botimi i priftit fashist shkaktoi indinjatë, ndërkohë që studentët shkodranë i dorëzuan rektorit të Jezuitëve në Shkodër peticionin, ku kërkonin që At Fulvio Cordignano, të tërhiqte publikisht artikullin, ndërsa grupi i profesorëve të Liceut të Shkodrës, botuan një broshurë me titull” Cordignano në gjyq para botës”! Punimi i Don Nikollë Mazrrekut “Skandali Kordignano dhe mbrojtja e Kombit shqiptar” ishte një përgjigje e merituar. Pas botimit Don Mazrreku u internua në fshatrat e malësisë për mënjanuar ndikimin e tij në kryeqytet, ndërsa libri i shkruar në shqip, u sekuestrua me urdhër të Mëkëmbsit të Mbretit Viktor Emanueli…
Dr. Leka ka qenë përherë i vëmendshëm ndaj zhvillimeve që kishin të bënin me Shqipërinë. Ja një shembull: Gazeta amerikane The New York Times e 7 shtatorit 1957 botoi shkrimin e dr. Agim Leka(me pseudonimin “Illyricus”) me titull”Për Lirinë e Shqipërisë, kërkohet një politikë pozitive amerikane për të nxitur çlirimin nga Sovjetikët”. Në artikull dr. Leka shkruante:”Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Amerikës z. Dulles se”Qeveria amerikane nuk do të pushojë përpjekjet e saja të shohi Shqipërinë të lirë është e mirëpritur pa dyshim nga shumica e madhe e Kombit shqiptar, e cila e sheh demokracinë amerikane , drejtimin shpirtëror të botës. Atë që shqiptarët duan ta shohin si shtojcë e kësaj deklarate, është një garanci nga z. Dulles që SHBA nuk do të lejojnë një tjetër shqyerje të Kombit shqiptar, i cili është gjysëm i coptuar.”
Më 1961, dr. Leka protestoi në redaksinë e Enciklopedisë Britanike për jetshkrimin e gabuar për heroin Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që paraqitej me origjinë serbe. Dr. Leka ishte shqetësuar dhe i kërkoi ndihmë Metropolitan Fan S Noli, për të dokumentuar prejardhjen shqiptare të Gjergj Kastriotit. Përgjigja erdhi nag Peshkop Noli me 21 gusht 1961. Letra shoqërohej me dokumente të botuar në librin e Nolit”George Kastrioti Scanderbeg”. Dr. Leka i dërgoi dokumentet dhe u korrigjua gabimi. Në ribotimin e vitit 1967, Enciklopedia Britanike botoi, jo më shkrimin me burim serb, por shkrimin jeshkrues të Tajar Zavalanit për heroin Kombëtar të Shqiptarëve.
Në bisedë, i kujtoj dr. Lekës ,se në arkivin e Federatës Vatra kam gjetë një kronikë të veprimtarive të organizuara me rastin e 60 vjetorit të gazetës Dielli, ku morën pjesë edhe arbëreshët e italisë. Në kronikë shkruhej se në konferencën shkencore, përshkruhej dhe një ligjëratë juaja për një dokumentar televiziv në NBC. A mund të kujtoni detaje, çfarë përshkruante dokumentari dhe cili ishte reagimi?
Spjegimi i dr. Lekës:- Me 29 Dhjetor 1968, një vit para se të vinin arbëreshët në ceremonitë madhështore të 60 vjetorit të Diellit, ishte shfaqur në kanalin NBC dokumentari “Sicilia e Rosselinit”. Në dokumentar Rosselini thoshte:” Prania greke akoma ndjehet në Sicili. Ky fshat është “Piana Dei grecci”, fjalë për fjalë”Rrafshina e grekëve”. Ndikimi i Greqisë kristiane duket haptazi këtu:”Musolini urdhëroi që emri të ndryshohet në Piana degli albanesi”(rrafshina e shqiptarëve”, por kjo nuk e bëri punën. Prapë Piana është akoma greke në dukje dhe zakonet e vjetra mbahen të pa prekura.”
Cili ishte reagimi juaj, dr. Leka?
“ I dërgova një letër të hapur regjizorit italian Roberto Rosellini me anë të Kanalit Televiziv NBC duke i dokumentuar shqiptarsinë e Arbëreshëve dhe i kërkova kanalit televiziv që ky dokumentar nuk duhej shfaqur më për pasaktësi. Po ashtu, ua dërgova arbëreshëve letërkëmbimin me kanalin televiziv NBC , duke iu kërkuar që të mbronin origjinën e tyre. Reagimi ishte i menjëhershëm, Kanali televiziv ktheu përgjigje se dokumentari nuk do të shfaqej më. Dhe kështu ndodhi.”
Dr. Leka përherë ka qenë i ndjeshëm ndaj Kombit të vet. Ngjarjet në Kosovë në fundvitet ’60 ai i përjetoi me dhimbje. Me 18 janar 1969, Gazeta The New York Times, botoi një letër të gjatë të dr. Lekës me titull”Shqiptarët e Jugosllavisë.” Kjo letër ishte e frymëzuar nga një shkrim që vetë gazeta kishte botuar rreth vrasjes të një djali shqiptar në demonstratën e 28 nëntorit 1968 në Prishtinë.
Shkëpusim një fragment nga letra:” Qeveria Jugosllave mund të fitojë dashamirësinë e Botës së qytetëruar dhe të vetë kosovarëve, po qe se i trajton demonstruesit në mënyrë njerëzore.Gjithashtu, qeveria jugosllave mund të mësojë nga eksperienca amerikane, se demonstratat e zhvilluara në mënyrë paqsore mund tu vënë në dukje autoriteteve dhe botës mbarë padrejtësira, të cilat po të ndreqen me kohë, do të mund të ndihmojnë në fuqizimin e shtetit… Tito duhet t’i japë Kosovës pozitën politike që sot kërkon…”
Vëmendjen e dr. Lekës e kanë tërhequr edhe lëvizjet e shtetit grek në Jug të Shqipërisë. Nisja e shkrirjes së akujve në marrdhëniet mes Shqipërsië dhe Greqisë pas 31 vjet ngrirje, sollën reagimin e dr.Lekës. Në një letër me titull” Lidhjet e Shqipërisë me Greqinë”, që The New York Times e botoi me 17 Korrik 1971 në faqen editoriale, dr Agim Leka, pasi denonconte politikën absurde dhe kërkesat po absurde të Greqisë mbi Shqipërinë e Jugut, coptimin e saj, dhe pushtimin e Çamërisë, shkruante:”Konferenca e Paqes së Parisit 1919-20, përfundoi me coptimin e Kombit Shqiptar ndërmjet fqinjëve të saj duke lejuar pjesë të mëdha të trevave shqiptare të përvetohen nga shteti Jugosllav dhe shteti Grek”.
Rrallë gjejmë ndonjë intelektaul që të ketë reaguar kaq kthjelltsisht si dr. Leka. Me 12 shkurt ai i bëri një thirrje shkrimtarit disident jugosllav Milovan Djilas, i cili kishte qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Titos, të cilit i kërkoi që të ngrinte zërin për lirimin e kolegut shkrimtar Adem Demaçi.
Detyra e atdhetarit nuk mbaroi këtu; dr. Leka u lidh me Komitetin për të Drejtat e Njeriut në NY, për të ndihmuar bashkësinë shqiptare në NY për të grumbulluar e dërguar pako ndihmash për të burgosurit shqiptarë në burgjet jugosllave. Ky Komitet u lidh me Ambasadën amerikane në Beograd që të ndërmjetësonte për dorëzimin e pakove tek të burgosurit shqiptarë.
Disa herë dr. Leka ka reaguar ndaj veprimeve antishqiptare të lobit greko-amerikan. Me 28 Janar ai shkroi kongresistit greko-amerikan Gus Yatron në lidhje me seancat e Kongresit Amerikan që ai drejtonte, dhe i bënte thirrje që ta ndalonte promovimin e kërkesave shoviniste greke në Shqipëri. Në seanca nuk ishte thirrë asnjë shqiptar që të mbronte tezën përkundër asaj greke se në Shqipëri keqpërdorej minoriteti grek.
Janë të njohura sulmet antishqiptare të shkrimtarit dhe ish gazetarit greko-amerikan Nicholas Gage kundër Shqipërisë së Jugut. Në një shkrim Gage botoi në Washington Post më 11 prill 1983 me titull”Kosova, fuçi baruti”, ku krahasohej Kosova me minoritetin grek në Shqipëri dhe kërkohej nga faktori ndërkombëtar trajtim i njëllojtë. Dr. Agim Leka replikoi në maj 1983 dhe me fakte ia hodhi poshtë Gage krahasimin e pa vend.Janë të njohura edhe reagimet e tij në mbrojtje të Ramush Haradinaj dhe çështjes së drejtësisë të luftës për çlirimin e Kosovës.
Shqetësimet për çështjen kombëtare dr. Leka i ka pasqyruar edhe në shtypin shqiptar, këtu dhe në Kosovë.
.. Ja kështu, dr. Leka, krahas detyrës humane si mjek, ka mjekuar dhe plagët e Kombit…

VLERËSIME

Dr. Agim Leka ndjehet i vlerësuar për çfarë ka bërë në jetë. Po vlerësimi i të tjerëve për të? Ai u ndje shumë i nderuar kur me 19 Mars 2011, Shoqata Mjekësore Shqiptaro-Amerikane organizoi një Mbrëmje madhështore kushtuar përkushtimit të tij gjysëm shekulli në shërbim të shëndetit të qytetarëve. Vlerat e këtij nderimi i shtoi edhe pjesmarrja dhe dorëzimi i çmimit që iu akordua prej shoqatës, nga Nobelisti Dr. Ferid Murat, kryetar nderi i shoqatës. Darka u shtrua në klubin prestigjioz të Universitetit të Harvardit.
Në këtë veprimtari vlerësuese kishin ardhë për ta nderuar dr. Lekën edhe Presidenti i Shoqatës Amerikane të Mjeksisë Dr. Peter Karmel dhe drejtori rajonal i Ministrisë Amerikane të Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Njerëzore Dr. Jamie R Torres, të cilët edhe përshëndetën dhe e përgëzuan dr. Agim Lekën.
Dr. Agim Leka është nderuar edhe në Kongresin Amerikan me 26 Maj 1994, për hapjen e Qendrës Mjeksore Shqiptare.
Një vlerësim të veçantë i ka bërë dr. Lekës Mercy Medical Center në Rockville , duke e nderuar me motivacionin”Në mirënjohje të sinqertë dhe vlerësim për shërbim të dalluar, përkushtim dhe dhe angazhim në 40 vjetë.”
Në prill 2013, Shoqata Mjekësore e Shtetit të Nju Jorkut, i dha dr. Lekës një pllakë mirënjohje më mbishkrim”Në mirënjohje për 50 vjet përkushtimi, shërbimi ndaj publikut, në ushtrimin e profesionit të mjekut.”
Një vlerësim emocionues i bëri dr. Lekës në dhjetor të vitit 2006 ,Our Lady of Mercy Medical Center”, që shtroi një darkë madhështore dhe i dha mirënjohje me motivacion”në vlerësim, urimet më të mira për një jetë të gjatë dhe të lumtur me rastin e mbylljes karrierës profesionale-nga miqtë dhe kolegët”.(Ne foto: Gjate intervistes ne shtepine e dr. Agim Lekes)
New York, Maj 2014

Filed Under: Komunitet Tagged With: 50 vjet, Agim Leka, dalip greca, dr, ne Sherbim, te Amerikes, te shqiptareve

“Vatra e shqiptarëve të Amerikës”, një film me vlera të veçanta

February 12, 2013 by dgreca

Ilia Terpini dhe Anxhelina Xhara , në një dokumentar mbresëlënës per VATREN

Nga Baxhul Merkaj/Kritik Arti

Si studiues e kritik arti, jam marrë me elitën e artit shqiptar. Por këto ditë më bëri shumë përshtypje filmi dokumentar ”Vatra e shqiptarëve të Amerikës”. Këto emocione e mbresa me shtynë që të hedh këto pak rreshta për kontributin e shqiptarëve të Amerikës në këto 100 vite të saj. Tejmeritori Fan Noli dhe mendjendrituri Konica ishin në qendër të këtij dokumentari të xhiruar me mjaft kulturë nga Mjeshtri i madh i artit, Ilia Terpini, dhe skenariste Anxhelina Xhara. Mjeshtri Terpini, pas nje kontributi dhe nje eksperience mjaft të pasur në këtë gjini të artit kinematografik si kineast, por dhe si regjisor i filmave dokumentare, ka dhënë një kontribut të vyer për një kohë të gjatë. Si i tille ka një karrierë artistike mbi 40 vjet, ku ka xhiruar 26 filma artistik si drejtor fotografie dhe mbi 60 filma dokumentar si regjisor i tyre si “Një vizite ne Athine”: Dashuria e një zonjë franceze për Shqipërinë, ”Mbresa nga Turqia”, ”Parisi”, ”Brukseli”, ”Baleti shqiptar ne kështjellën e Hamletit”, Shoqata Albanopulli ne Paris”, ”Marseja etj.Po mjeshtri i artit, Ilia Terpini, ka rrënjë të thella në art, pasi babai i tij, anëtar i shoqatës “Vatra”, në bandën kombëtare “Vatra”, por edhe kur erdhi në Shqipëri dha një kontribut të çmuar si mësues dhe atdhetar. Petro Ilia Terpini, pasi hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Hoçisht për këto kontribute që kurse ishte gjalle ju dha titulli me i larte “Urdhri i Flamuri” por edhe me tej meritoi dekoratën e lartë “Urdhri për patriotizëm”. Edhe skenaristja Anxhelina Xhara Papalilo, me një eksperiencë të pasur si skenariste e filmave dokumentare kishte në shoqatën “Vatra” njerëzit më të dashur të saj. I bashkoi te dy këta artiste dashuria e tejskajshme për shqiptarët e Amerikës që realizuan këtë film tej te arrire në këtë 100-vjetor të pavarësisë.

Salla e kinemasë “Millenium” ne Tirane e mbushur plot e përplot me artiste kineastë, studiues, intelektual te të gjitha fushave. Këta artdashës ndoqën me mjaft interes kuadrot e filmit qe te rrëmbente me mënyrën e tregimit te ngrohte, emocional dhe profesional për historinë e “Vatres” shoqatës me te madhe ne diaspore, shoqatës me jetëgjatësi shekullore. Filmi te çon ne mënyrë magjike ne Amerikën dje dhe ne Amerikën sot.. Turmat e vizitoreve te sotshëm alternuar me turmat e emigranteve te dikurshëm qe vinin me ëndrrën e madhe për një jetë më të mirë, një gjetje e bukur, emocionale, qe te trondiste me detaje sugjestionuese për shqiptaret e par qe shkelen ne Amerikën e lirë. Te mbetet ne kujtese kënga e një kitaristi buzë oqeanit ne statujën e lirisë. Me pas vazhdon njohja me dy figurat korifenj te “Vatrës”, Fan Noli e Faik Konica, me detaje aq jetësore, si shkallet e shtëpisë se Nolit apo rruga e Bostonit, ku Konica u shfaq me kostum kombëtar. Vete “Vatra” me zjarr është përdorur në mënyrë dramaturgjike, si një detaj i bukur figurativ e dramaturgjik për te kaluar ne çastet kulmore te historisë së shoqatës qe nga themelimi i saj. Me mitingjet madhështore te protestave ne qytet kryesore Amerikane me Parasqevi Qirjazi ne krye me mbledhjen e ndihmave qe do te mundësonin realizimin e detyrave te mëdha te vatrës, si qeveri ne mërgim, mbështetjen e qeverise te kongresit të Lushnjës etj. Gjate gjithë filmit kishte një harmonizim te plote te tekstit, figurës e muzikës. Nuk munguan edhe zërat e mrekullueshëm te Nolit e Konicës, i pari në fjalën e tij ne konferencën e Gjenevës apo ndihmesën e patrioteve te tjerë të shquar si Dr. Turtulli apo Mehmet Konica, i dyti me fjalën e tij në anglisht nga Uashingtoni kundër pushtimit te Shqipërisë nga Italia fashiste. Për realizimin e këtij filmi një ndihmese te madhe ka dhënë kryetari i “Vatrës”, Gjon Bucaj dhe ish-kryetari i “Vatrës” për një kohë shume te gjate Agim Karagjozi njeri me virtyte patriotike. Kryesia e “Vatrës”, vuri ne dispozicion te gjithë arkivin e saj, një material shumë i pasur nëpërmjet edhe te gazetës “Dielli” ku një ndihmesë të çmuar ka dhënë editori Dalip Greca. Kjo gazetë ka qenë yll ndriçues për mbarë emigrantët e asaj kohe. Filmi, nëpërmjet episodeve te ndryshme, tregon se si Fan Noli dhe Konica munden të bashkojnë të gjitha shoqatat e krijuara nëpër qytete të ndryshme të Amerikës, në një të vetme dhe krijoi ”Vatrën”. Ndihmës të madhe dha poetja e talentuar Ilirjana Sulkuqi, e cila i priti realizuesit e këtij filmi me një dashuri të madhe, gjithashtu, një punë të palodhur ka bërë dhe konsulli shqiptar ne New York, Dritan Mishto. Gjithashtu, një ndihmesë për filmin ka dhënë dhe ish-punonjësi i Kinostudios Arben Faber, në Boston. Ne gjakun e këtyre emigranteve ziente malli për atdheun. Regjisori i filmit, Ilia Terpini, duke ndenjur me ore te tera ne ishullin muze ne Neë York, gjeti materiale te asaj kohe, si pasaportën e një gruaje shqiptare shkruar shqip, e cila ndodheshe ne muze. Kuadrot e filmit na çojnë në një stende ku operatori i filmit Zhani Terpini zbuloi këpucët e një fëmije shqiptar të shkruar “Albania”. Ky operator vjen nga një përvojë artistike, e cila ka xhiruar filma të tillë: “I kudondodhuri”, ”Blloku”, ”Marseja”, ”Dita e fundit”, etj., dhe ka marrë pjesë në disa festivale si në Gjermani, Greqi, Itali, dhe është vlerësuar me çmim në festivalin e filmit në Tiranë. Kuadrot e xhiruar nga drejtori i fotografisë, Zhani Terpini, na sjellin Amerikën me pranë brenda nesh. Nuk mund të lë pa përmendur bisedën e bërë me mjeshtrin e madh të artit, Ilia Terpini. Është pikërisht ky kineast dhe regjisor, veprimtaria e vyer e të cilit është futur në librin tim “Personalitete elitare të artit shqiptar”, botuar para pak kohësh. Ai është rreshtuar në këtë libër krahas artisteve me të mëdhenj të kombit shqiptare. Ilia Terpini me ka folur me mall për kujtimet për babanë e tij, i cili kishte jetuar dhe punuar ne Amerike ne gjirin e “Vatrës”. Petro Terpini, babai i regjisorit Ilia Terpini, jetoi 91 vjet dhe në çdo takim fliste për aktivitetin e madhe të shoqatës “Vatra”ai ishte pjesëtar i bandës muzikore kombëtare “Vatra” dhe fotografia e bandës muzikore ndodhet në familjen e Ilias. Para 2-vjetësh, ky patriot u vlerësua, përveç medaljeve dhe dekoratave që kishte marrë, qyteti i Korçës i dha titullin “Qytetar nderi i qarkut të Korçës”. Regjisori Ilia Terpini dhe skenaristja Anxhelina Xhara te dy kanë pasur dëshirë që këtë film ta bënin qysh në vitin 1993. Por ja që tashmë në këtë kohë u realizua ëndrra e tyre. Regjisori Terpini arriti qe Brenda 47 min te tregoje periudhën 100-vjeçare të shoqatës “Vatra”. Shikuesi mori emocione te veçanta dhe informacion te plote edhe nga intervistat e shkurtra tepër shprehëse nga studiues, historian si Dr. Prof. Beqir Meta, konsulenti i filmit historian, Luan Malltezi, drejtor i muzeut kombëtar Tirane, gazetari i zërit të Amerikës, Ilir Konomi, historian Neritan Ceka, Dr. Ana Kohe apo të afërm të vatranëve filmi është i realizuar profesionalisht dhe te emocionon. Një intervistues ka ne dore një fotografi te thjeshte dhe thotë se të afërmit e tij shiten shtëpinë në Amerikë për të ardhur ne luftën e Vlorës, në 1920 kur “Vatra” dërgoi 250 vullnetaret e saj ne Shqipëri. Dhe me pas shton se ky gjest fatkeqësisht nuk mund te përsëritet ne ditët tona. Kur e pyeta skenaristen e filmit se çfarë mesazhi kryesor keni sjell në këtë film m’u përgjigj: Kol Tromara, ishte kryetar i “Vatrës” ka bere tekstin e këngës patriotike dua me shume Shqipërinë, sot duhet të ndryshoj koha e foljes duhet ta duam pak me shume Shqipërinë. Prej kësaj, vijnë të mira të mëdha për të gjithë në shqiptaret, pa dallim feje besimi e ideje… ide e arte e rilindësve të mëdhenj që vatranët e zjarrte patriote të “Vatrës” e bënë realitet duke mbrojtur Shqipërinë nga copëtimi i Shqipërisë që rrezikonte deri në mosekzistencën e Shqipërisë së sotme. Ndërsa regjisori i filmit mjeshtri i madh Ilia Terpini shton ky film ka nisur te realizohet si ide para 20-vjetësh. Bashkë me skenaristen Anxhelinen që ka pasur gjyshin e saj Kristaq Koco ne banden “Vatra”, sikurse dhe unë babanë Petro Terpini, i kemi propozuar projektin tone për dokumentarin, Antoni At ”Thanas dhe filmi mbeti për mungese të mbështetjes financiare dhe ja erdhi çasti i 100-vjetorit te “Vatres” që përkoi me 100 vjetorin e pavarësisë qe te realizohet. Një ndihme te madhe ka dhënë muzeu historik kombëtar, muzeu i pavarësisë “Vlora”, Mësonjëtorja, biblioteka Kombëtare Tirane, biblioteka Korçë etj. Me interes është dhënë në film përkushtimi i Presidenti amerikan, Ëillson, i cili beri qe Shqipëria te mos copëtohej. Gjesti i mbi 250 shqiptareve qe lanë shtëpitë, punën, dollarët dhe erdhën në luftën e Vlorës ishte i madh. Ilia Terpini, bashke me regjisorin Maharrem Fejzo xhiruan filmin “Guna përmbi tela”, ku sekuencat e tij u përdorën në këtë film me sukses. Kuadrot e papërsëritshme janë ato ku nipi i babait të Ilias mban në dorë flautin e gjyshit të tij të cilin ai e kishte sjelle nga Bostoni. Gjithashtu, mbyllja e filmit jepet me himnin e “Vatrës”, drejtuar nga mjeshtri Zhani Ciko. Ky episode jepet bashkë me hyrjen në Vlorën e çliruar ku banda muzikore “Vatra” ekzekuton këngën “Vlora” te kompozuar nga Thoma Nasi dirigjent i Vatrës me tekst të Ali Asllanit. Për Vlerësimin e filmit mund te përmendim fjalët e bukura te artistes se madhe nderit të kombit Drita Pelingu, Margarita Xhepes, Tinka Kurti, Reshat Arbanes, Teodor Lacos, Robert Ndrenikes, Raimonda Bulkut, Saimir Kumbaros, Kujtim Gjonajt, Petrit Rukes ku e vlerësuan maksimalisht realizimin tepër profesional te këtij filmi. Nuk mund te le pa përmendur komponentët e tjerë te filmit si muzika funksionale e kompozitorit Thoma Gaqi dhe Gerti Druga, Regjisorin e montazhit Lulzim Sula, spikerin e talentuar Xhelil Aliu, te cilët si një ansamble plotësuan me se miri realizimin e këtij filmi. Ky film i realizuar artistikisht renditet krahas filmave me te mire te vitit.

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Baxhul Merkaj, dokumen tar, e shqiptareve, Ilia terpini, te Amerikes, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT