• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A DO TA KETE RAMA 2 NJE MINISTRI TE DIASPORES?

July 27, 2017 by dgreca

Jo shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë në kabinetin Rama 2, por Ministri të Diasporës/1 arben llallaNga Arben LLALLA/Këto ditë në mediat shqiptare po flitet se në kabinetin Rama 2 do ketë ministra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Si ide është për t’u përkrahur, por duke patur parasysh se shqiptarë ka në Preshevë, Mal të Zi, Çamëri, e gjetkë nuk e shoh të arsyeshme që të mbështetet ideja për ministër në kabinetin Rama 2 nga Kosova dhe Maqedonia, por për themelimin e Ministrisë së Diasporës. Sepse, lind pyetja: Përse shqiptarë të Maqedonisë ministër i Ramës 2 dhe jo të Preshevës? Përse ministër nga Kosova dhe jo nga Mali i Zi? Përse mos të ketë ministër nga Çamëria? Pra, çështja nuk është aq e thjeshtë, prandaj Edi Rama duhet të themelojë Ministrinë e Diasporës, idenë dhe projektin e kësaj ministrie e ka hedhur PDIU, e cila e ka njërën nga pikat kryesore në programin e saj.

Ministria e Diasporës do të përfshinte në gjirin e saj, jo vetëm shqiptarët nga Kroacia, Sllovenia, Serbia, Presheva, Mal i Zi, Maqedonia, Çamëria, por edhe diasporën e hershme të Turqisë, Bullgarisë, Ukrainës, Rumanisë, Egjiptit, Sirisë, Jordanisë e gjetkë. Kjo ministri do krijonte lehtësira, përkujdesje edhe për emigrantët ekonomikë të pas viteve 1990, për mosasimilimin, për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe të trashëgimisë kombëtare. Kosova pa përvojë të gjatë shtetformuese është treguar më serioze për diasporën duke themeluar Ministrinë e Diasporës, ende pa e shpallur pavarësinë e saj. Ministria e Diasporës e Kosovës ka bërë hapa të suksesshme në përkujdesje të shqiptarëve nëpër botë duke sjellë në Kosovë për herë parë në vitin 2004, rreth 30 arvanitas për të njohur njëri-tjetrin, shpërndarë Abetare, hapur kurse për mësimin e gjuhës shqipe. Por, Shqipëria, e cila ka më shumë se 100 vjet shtet dhe ku pretendohet se rreth 35% shtetas të saj janë në emigracion hesht për themelimin e një ministrie të tillë. E vetmja parti që ka në programin e saj themelimin e Ministrisë së Diasporës është PDIU, e cila në bashkëpunim me Shoqatën “Çamëria” të Shqipërisë dhe të Izmirit në vitin 2012 dërgoi Abetaret e para për mësimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e klasave të para për mësimin dhe kulturën shqiptare në Izmir të Turqisë. Sot, kanë kryer arsimin fillestar të gjuhës shqipe me qindra shqiptarë nga diaspora e atjeshme.

Prandaj, mendoj se nuk ka nevojë për ministra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, por për Ministrinë e Diasporës, e cila do të kujdesej për ata njerëz që prej dhjetëra vitesh dërgojnë miliona euro në vendlindje. Që Shqipëria, gjuha shqipe dhe kultura jonë tradicionale mos të jenë atdhe i humbur për shqiptarët, të cilët pas luftërave, gjenocideve që kanë ndodhur në shekujt e kaluar dhe emigrimit ekonomik lanë trojet e të parëve. Nuk do të jetë tragjike apo nënshtrim, nëse Edi Rama fton për këshillime njerëzit që kanë njohje të thella për diasporën, por edhe ekspertët e PDIU-së, të cilët prej disa vitesh promovojnë dhe kërkojnë themelimin e Ministrisë së Diasporës.

Filed Under: Opinion Tagged With: A DO TA KETE RAMA NJE MINISTRI, arben llalla, te diaspores

POST SCRIPTUM I “SAMITIT” TË DIASPORËS

November 23, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

1-frank-shkreli-300x150

Nuk dua të komentoj mbi suksesin ose dështimin e pjesëshëm ose të tërë të “samitit” që u cilësua si i pari i diasporës që u mbajtë javën e kaluar në Tiranë, pasi nuk isha i pranishëm dhe nuk dua të bëjë gjykime ose vlerësime nga kjo anë e oqeanit, megjithse në median shqiptare janë shfaqur vlersime në favor dhe kundër.  Vetë Kryeministri Rama kërkoi falje për mungesat që mund të kenë ndodhur në organizimin e samitit.  Por, pa marrë parasyshë përfundimet në të cilat kanë ardhur organizuesit a po edhe kritikët mbi suksesin ose jo të “samitit” të diasporës në Tiranë, unë siç e kam theksuar edhe më heret, besoj gjithnjë se organizimi i një takimi të tillë ishte më se i nevojshëm, ndonëse i vonuar, për derisa takimi   – për nga qëllimi dhe përmbajtja – do të ishte mbarë kombëtar dhe gjithpërfshirës, pa dallime, sidomos pa dallime politike midis diasporës së vjetër dhe asaj të 25-viteve të fundit.

“Samiti” i ashtuquajtur i parë, nuk është një ide e re dhe as i pari.  Pa dashur të tregohem kritik ndaj këtij takimi në kryeqytetin e shqiptarëve, deshta të  ve në dukje një fakt historik dhe të shënoj se “samiti” i Tiranës, në të vërtetë, nuk është takimi i parë i diasporës, ashtu siç u cilësua nga organizuesit dhe nga disa prej folësve në tubimin e Tiranës.  Në një dokumentar që u shfaq në fillim të punimeve të “samitit” në Tiranë, u pohua në një referencë në kalim dhe shkurt, se “Krerët e diasporës shqiptare u takuan në audiencë solemne me Papa Palin e VI, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, prillin e vitit 1968.   Por nuk u tha se kush ishin këta krerë, ose kush ishte organizatori i kësaj nisme, megjithse dokumentarit nuk i mungonin emëra të njohur dhe të panjohur, të rëndësishëm dhe jo aq të rëndësishëm të diasporës së vjetër dhe të re dhe nuk u tha se kush në fakt e organizoi atë takim të parë nga mbarë mërgata e atëhershme, përfshirë Arbëreshët e Italisë, e që u mbajt 48-vjetë më parë në kryeqytetin italian.  Duket se ishte tepër e pa pranueshme që nismëtarët e “samitit” të diasporës në Tiranë të përmendnin në dokumentarin e tyre për mërgatën, emërin e Profesor Ernest Koliqit, nismëtarit dhe organizatorit të takimit të përfaqsuesve të mërgatës në Romë.

Fatkeqsisht, duket gjithashtu se hendeku i thellë ideologjik është vështirë të ngushtohet, lere më të zhduket në Shqipërinë tonë të sotëme, bile edhe 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, influencoi edhe organizimin e “samitit” të fundit në Tiranë.   Sa për dijeni të lexuesit, krye-organizatori i kësaj nisme, në të vërtetë të takimit të parë të mërgatës”, ishte Profesor Ernest Koliqi, por të cilit nuk iu përmend emëri në dokumentarin e shfaqur në “samitin e diasporës” në Tiranë, si nismëtari i takimit të parë të mërgatës shqiptare.  Ernest Koliqi,  ishte ai i cili me punë të rëndë dhe me mbështetjen e Vatikanit dhe të një grusht shokësh të tij të ngushtë bëri të mundur grumbullimin e parë të mërgimtarëve të atëherëshëm në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe.   Jo vetëm që ai takim u organizua shumë mirë, por nga të gjitha vlerësimet e pjesëmarrësve, bazuar në rrethanat dhe mundësitë e kohës, mërgata e vjetër shqiptare, ndonëse “pa plang e pa shtëpi, pa dallim partie a krahine” — siç do t’i përshkruante Karl Gurakuqi pjesëmarrsit në atë tubim të parë të mërgatës – me atë tubim i tregoi botës me dinjitet se kush në të vërtetë ishin shqiptarët dhe kush ishte Heroi i tyre Kombëtar.  Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij,  organizuan takimin e parë të diasporës në Romë në prill të vitit 1968, në frymëm dhe në kujtimin e të, “Gjithëmonshmit të fisit tuaj, (Gjergj K astriotit Skënderbe) i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka venë vlerat  e trashëguara të besës, të nderit e të burrënisë”, siç është shprehur në tubimin e parë të mërgimtarëve shqiptarë nga bota e lirë, Papa Pali i VI, në pritjen që u pat bërë  mërgimtarëve shqiptarë në Vatikan.  

Do të ishte mirë që faktet historike të mos nepërkëmbën dhe të mos injorohen, vetëm e vetëm, se disave për arsye ideologjike dhe politike nuk u pëlqejnë  protagonistët e këtyre fakteve.  Organizimi i takimeve si ai i “Diasporës Shqiptare” që u mbajt në Tiranë duhet të ishin larg ndikimeve dhe prapaskenave politike.   Vet i ndjeri Profesor Koliqi do të thonte në lidhje me këtë, ndoshta edhe me pak cinizëm, se gjithçka në botë lëvizë e ndryshon, veç në Shqipni mjerimi mbetet i njëjtë, madje edhe kur ai ndryshon ngjyrën.  Me këtë nuk besoj se Koliqi kishte në mend mjerimin ekonomik!  Nuk është për tu habitur se Shqipëria komuniste kishte refuzuar të dërgonte ndonjë përfaqsues të saj në kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skëndërbeut në Romë, por sot 25 vjetë post-komunizëm në Shqipëri nuk duhet të ketë dallime dhe paragjykime të tilla.

Në të vërtetë, në mbledhjen e parë të mërgatës në vitin 1968 në Romë, takimi me Papa Palin e VI në Vatikan ishte vetëm një pjesë e ceremonive me rastin e këtij përvjetori të madh për shqiptarët dhe ishte rasti i parë që Arbëreshët e Italisë dhe pjesëtarë të mërgatës shqiptare nga e mbarë bota e lirë, kryesisht të pas Luftës së dytë Botërore — nga Amerika e deri në Australi – ishin mbledhur në Romë për të përkujtuar heroin e madh të shqiptarëve.  Takimi me Papa Palin e VI dhe fjalimi i tij drejtuar shqiptarëve me atë rast, ishin kulmi i festimeve kastriotjane prej katër ditësh të diasporës shqiptare, por nuk munguan as ceremonitë, ligjëratat akademike dhe shfaqjet kulturore që u mbajtën me këtë rast, anë e mbanë Romës.   

Duhet të theksohet se ndonëse edhe mërgata e asaj kohe ishte e ndarë në disa parti dhe organizata politike të ndryshme, takimi i parë i saj në Romë të Italisë, në kujtim të 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbe, nuk përbënte ndonjë  pengesë politike që ndër pjesëmarrësit në atë takim historik të përfshiheshin përfaqsuesit më të dalluar, të djathtë e të majtë të politikës së diasporës së atëhershme shqiptare.  Në një shkrim të Karl Gurakuqit mbi pjesëmarrjen në takimin e parë të mërgimtarëve shqiptarë në Romë më 1968, botuar në revistën  “Shëjzat” e Ernest Koliqit, shënohet se në kryeqytetin italian kishte shkuar ajka e mërgatës shqiptare të pas luftës.  Merrte pjesë Dhimitër Berati, njëri prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë, publicisti dhe politikani i njohur shqiptar i fillim shekullit të kaluar.  Nga Amerika, përfaqsues të Federatës Pan Shqiptare Vatra, Anthony Athanas, Christo Thanas, Peter Chikos, Prof Nelo Drizari, Dr. Hamdi Oruçi, e të tjerë.   Komiteti Shqipëria e Lirë përfaqsohej ndër të tjerë, nga Dr. Nexhat Peshkopia.  Aty ishin gjithashtu përfaqsuesit e Ballit Kombëtar, profesorët Abaz Ermeni e Vasil Andoni, Zef Pali e Sulejman Meço.   Natyrisht, organizatori i tubimit të parë të diasporës, Prof. Ernest Koliqi, Kapidan Ndue Gjomarkaj, Profesor Martin Camaj, dr. Ismail Verlaci, dr. Vehbi Frasheri, dr. Ragip Frasheri, piktorët Ibrahim Kodra e Lin Delija dhe Tahir Zajmi, ish-sekretar i Bajram Currit, e shumë e shumë të tjerë.  Burra të tillë të kombit ishin me dyzina nga radhët e intelektualëve të mërgatës politike shqiptare të pas luftës që morën pjesë në takimin e parë të diasporës shqiptare, të gjithë së bashku në ceremoninë fetare në Kishën e Madhe të Shën Pjetrit për të nderuar Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, megjithse dihesh se mosmarrveshjet politike midis tyre ishin të dukshme dhe shpesh tepër të theksuara.  Por të përbashkët kishin jo vetëm Gjergj Kastriotin Skënderbe dhe vlerat e tija kombëtare, por edhe vuajtjet nepër të cilat përshkohej Shqipëria komuniste e atyre viteve dhe familjet e tyre atje.  Karl Gurakuqi shkruante se gjatë takimit të parë të mërgatës shqiptare në Romë, në vitin 1968, “Mendja e jonë fluturonte atje larg në Shqipni. Na u përfytyrojshin kishat e rrenueme e të djeguna, shërbëtorët e Perendisë të përndjekun, të vramë, të pushkatuem, të kalbun nepër burgje, të tallun e të nepërkambun…na dilshin përpara vuejtjet e të pafajshëmve, lotët e nanave të mbetuna pa djelm.  Shifshim Atdheun në futa të zeza.”

Fatbardhësisht,  me shëmbjen e Murit të Berlinit, shumë gjëra kanë ndryshuar për më mirë ç’prej takimit të parë të  mërgatës shqiptare në Romë.   Diaspora shqiptare sot anë e mbanë botës, është shumë më e madhe dhe më e përhapur dhe në shumë aspekte edhe më e zhvilluar se kurrë më parë.  Shkon e vjen lirisht në Atdhe dhe kryesisht e ndjenë veten si një degë e pandarë e trungut të kombit shqiptar.  Si të tillë besoj se shumica e jonë dërmuese ia duam të mirën Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithsi, pa marrë parasyshë se kush udhëheqë atje.  Besoj se flasë për shumë pjesëtarë të diasporës shqiptare, të vjetër e të re, kur them se mbi të gjitha duam ta shohim Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta, të nderuar dhe të respektuar në botë, por edhe të përparuar shoqërisht, politikisht dhe ekonomikisht në trojet e veta, ashtu që ata të jetojnë sa më të lumtur në tokën e vet në Ballkan.  Ne nuk duam që të na shtohen radhët në mërgim se jemi mjaft në diasporë dhe nuk duam të boshatisen trojet shqiptare.  Bota e re shqiptare e shekullit 21 — Shqipëria, Kosova dhe Diaspora — në nismat e tyre duhet të jenë të pandashme dhe gjithpërfshirse, pa marrë parsyshë dallimet midis tyre, madje edhe mosmarrveshjet politike   midis brezave të ndryshëm.  Nuk duhet patur frikë nga njëri tjetri, sepse as Shqipëria, as Kosova dhe as Diaspora, si njësi të vetme nuk do të mund të krijojnë botën e re shqiptare të shekullit 21.  Bota e re shqiptare nevojitë  një kulturë të re politike, nevojitë bashkpunim dhe tolerancë ndaj njëri tjetrit në trojet shqiptare dhe në diasporë.  Nevojitet një bashkjetesë vëllazërore midis shqiptarëve, pa marrë parsyshë ku jetojnë ata dhe cilat janë pikpamjet e tyre politike, në përputhje kjo me frymën e kohës moderne të fillim shekullit 21.   Nëqoftse në këtë botë të re, objektivi është ringjallja e kombit shqiptar, atëherë, nevojitet bashkpunimi me forcat më të shëndosha të tija, kudo qofshin ato dhe çfardo pikpamjesh te kenë.  Prandaj, “samiti” që sapo u mbajt në Tiranë dhe “samitet” e diasporës shqiptare që mund të mbahen në të ardhmen, do të konsiderohen të suksesshme — jo për nga investimet që mund të bëjë diaspora në trojet shqiptare, ndonëse edhe ato janë të nevojshme dhe të rëndësishme — por për nga aftësia e organizatorëve, që me respekt  dhe tolerancë për mendimet e njëri tjetrit dhe të tjerëve, të bëjnë të mundur harmonizimin e pikpamjeve të rrymave të ndryshme politike të pjesëmarrësve në ato takime, për të mirën e përbashkët të kombit.  Me qëllimin për të pasuruar dhe për të lartësuar emërin e shqiptarëve në botë, ashtu siç bëri takimi i parë i diasporës shqiptare me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në prill të vitit 1968 në Romë.  “Kjo dëshirë, me e pa vendin tonë mirë të mbarshtruem e të maturuem politikisht mbi baza drejtësie shoqënore, do të mbette ndiesi e thatë, po nuk u shëndrrue në shkas përpjekjeje e vrull veprimtarie që shëndërron dëshirën në realitet”, ka thënë organizatori i takimit të parë të diasporës shqiptare, Profesor Ernest Koliqi.  Shpresojmë që “samitet” e ardhëshëm të bëjnë realitet faktin se mërgata shqiptare, pa dallime dhe paragjykime politike, do të bëhet pjesë e pa ndarë e botës së re shqiptare të shekullit 21.  Kjo është në dorë të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare.  Ka ardhur koha pra që, sidomos në Shqipëri, të zhduken paragjykimet enveriste mbi “mërgatën e qyqeve” të Nasho Jorgaqit.  Pa marrë parasyshë se ç’mendojnë jorgaqët e kësaj bote, atëherë dhe sot, Diaspora Shqiptare ishte dhe është pjesë e pa ndarë e trungut të kombit shqiptar. Si gjithmonë gjatë historisë, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për të.  Ato kanë nevojë për mbarë diasporën shqiptare në përgjithësi dhe jo për individë ose grupe të caktuara që nuk përbëjnë as nuk përfaqësojnë pjesën dërmuese të mërgatës si një njësi të vetme.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, POST SCRIPTUM I “SAMITIT”, te diaspores

Seminar rajonal me mësues shqiptarë të diasporës

November 3, 2016 by dgreca

1-mesuesit-diaspora-Me mësuesit shqiptarë nga Kroacia, Italia dhe Sllovenia/

-Temë që u trajtua në seminar ishte mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Kroaci, Slloveni dhe Itali/

PRISHTINË, 3 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/Organizuar nga Ministria  e Diasporës e qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë dhe Këshilli i Pakicës Shqiptare të Istres dhe me mbështetjen e mësuesve nga Italia dhe Sllovenia,  si dhe   Bashkësinë e Pakicës Shqiptare të Pulës, në Kroaci, përkatësisht në qytetin Pula, për herë të parë u mbajt seminari rajonal  me mësuesit shqiptarë nga Kroacia, Italia dhe Sllovenia.Temat që u trajtuan në seminar ishin mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Kroaci, Slloveni dhe Itali – organizimi dhe perspektivat e zhvillimit; konsolidimi i shoqatave të mësuesve; kurrikula, zbatimi i saj dhe mjetet mësimore; planifikimi i procesit mësimor në klasat heterogjene mbi bazën e diversitetit të moshave dhe motivacionit; orë mësimi model; praktika e mërgatave të tjera për organizimin e mësimit plotësues, si dhe pati diskutime të mësuesve për problemet konkrete të tyre.

Në seminarin e mësuesve u paraqitën kumtesa lidhur me rëndësinë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe,  si dhe tema nga fusha e mësimdhënies.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Osman Shahini, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Diasporës, foli për synimet dhe projektet që Ministria ka për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.

Ai  tha se Ministria e Diasporës pret një bashkëpunim intensiv dhe evidentimin e të gjitha problemeve dhe synimeve për ngritjen e mësimit të gjuhës shqipe në një nivel më të lartë dhe masivizimin e tij.

Në fund u zhvillua një diskutim i hapur. Mësuesit theksuan se mësimi plotësues në Itali dhe Slloveni nuk është i  organizuar mirë, prandaj sa më shpejt duhet të formohen këshillat e mësuesve në këto vende, kurse mësimi plotësues në Kroaci e ka kualifikimin e mësuesve të gjuhës shqipe.

Ata kërkuan një bashkëpunim më intensiv me institucionet e atdheut, vizitat më të shpeshta nga zyrtarët e institucioneve, veçmas organizimin e takimeve dhe seminareve të tilla.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Seminar rajonal me mësues, shqiptare, shqiptarë të diasporës, te diaspores

Koha për një rol të ri të diasporës

May 30, 2016 by dgreca

-Kryetari i kuvendit të Kosovës, Veseli takoi një delegacion të Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani: Ka ardhur koha që diaspora jonë të marrë rolin e investimit të kapitalit të saj në veprimtari prodhuese në Kosovë/

 PRISHTINË, 30 Maj 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion të Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në fushën e ekonomisë në Kosovë. Kryetari Veseli, duke përgëzuar drejtuesit e këtij Unioni për punën që janë duke bërë në krijimin e urave të bashkëpunimit ekonomik në mes Gjermanisë dhe Kosovës, theksoi se diaspora jonë në botën perëndimore përbën një faktor shumë të rëndësishëm për ekonominë kosovare. 

“Ka ardhur koha që diaspora jonë në botën perëndimore të marrë një rol të ri në raport me vendlindjen, e ky është roli i investimit të kapitalit të saj në veprimtari prodhuese në Kosovë. Shumë sipërmarrës tanë që veprojnë në vendet perëndimore kanë përparësinë e përvojës së shkëlqyer të këtyre vendeve në fushën e investimeve dhe rritjes ekonomike”, theksoi kryetari i Kuvendit. 

Më tutje Veseli shtoi se shteti i Kosovës do të krijojë lehtësirat e nevojshme ligjore për të gjithë ata sipërmarrës që duan të ngrisin biznesin e tyre në Kosovë, sepse kështu potenciali i madh human dhe burimet natyrore që ka Kosova mund të shndërrohen në zhvillim ekonomik për vendin. 

“Ligjet që nuk stimulojnë iniciativën e lirë ekonomike, e që nxjerrin pengesa burokratike për zhvillimin ekonomik, do të ndryshohen sa më shpejt që është e mundur. Kemi humbur shumë kohë duke mbajtur vëmendjen institucionale në axhenda shterpe e vetshkatërruese. Është koha për fokusim të të gjithëve në axhendën ekonomike”, potencoi Veseli./b.j/

Filed Under: Mergata Tagged With: Koha për një rol të ri, te diaspores

SHQETESIME TE DIASPORES-PSE PO LEJOHET MBYLLJA E SHKOLLES NE VUTHAJ

September 19, 2015 by dgreca

NGA ESAT GJONBALAJ/

Tempulli i dijes së vuthjanve, shkolla fillore, po rrezikon të mbyllet për shkak të neglizhencën e vet vuthjanve.

Plaga e rënd e mërgimit po len gjurmët e saja në ardhmërinë e fshatit, duke rrezikuar folene e dijes. Vuthaj, fshat me tradita,që kombit dhe trevës tonë i dhuroj me dhjetëra e dhjetëra intelektualë, që me arritjet e tyre i bën nder  kombit shqiptar, por edhe me inteligjencën e  tyre në fushën e dijes bënë emër me përmasa botërore.

Po nga ky fshat që ka një histori të gjatë dhe  të lavdishme kanë spikatur emra të mëdhenj në çdo fushe të jetës, po nga ky fshat në botë, gjenë vuthjanë që rangohen sot si miliarderë  dhe multimilionerë, po nga ky fshat kemi figura të çdo fushe të jetës si akademikë, doktorë, diplomatë, ushtarakë, politikanë, sportistë, artistë, kompozitorë etj.

I tërë ky thesar ka një adresë të burimit e burimi i pashtershëm i dijes është shkolla fillore katër vjeçare në Vuthaj që këtë vit po rrezikon të mbyllet. Kjo shkollë ka një histori rreth 100 vjeçare si tempull i dijes dhe mbijetesës së qenies shqiptare në Plavë Guci.

Ne këtë shkollë dhanë mësim mësuesit e mirënjohur si Josip Rela, Ahmet Rexhepagaj, Hysen Cukaj, Imer Ahmetaj e Brahim Gjonbalaj e shumë e shumë te tjerë.

Kjo shkollë po rrezikon të mbyllet për dy faktor kryesor e që njeri fatkeqësisht jemi ne vet vuthjanet të cilët këtë vit shkollor 2015/16 vogëlushet e tyre po i dërgojnë për të vijuar mësimin në Guci dhe në këtë mënyrë po kontribuojnë që numri edhe ashtu i vogël i nxënësve në Vuthaj në katër  paralelet të bije në 9 nxënës

Faktori i dyte është se shkolla në Vuthaj qëllimisht është neglizhuar nga komuna e Plavës  dhe institucionet malaziase përmase tri dekada duke mos investuar asnjë cent në të, shpresën e mbajmë në komunën e Re të Gucisë. Duhet theksuar se objekti  aktual shkollor në Vuthaj është ndërtuar në vitin 1983 dhe financues i ndërtimit ishte Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpo mosmirëmbajtja dhe puna jo cilësore  e ka bërë të vetën.

Pyetja shtrohet se vallë  ç’jemi duke bërë ne që të gjithë si shoqëri për vendlindjen pa marr parasysh se ku ndodhemi, ku është potenciali i të gjithë atyre vuthjanve të cekur ma lart në të gjitha fushat e jetës, ku është atdhedashuria, pse po lejojmë që Vuthajt e krenarisë sonë të përulen dhe gjunjëzohen nga mos angazhimi i jonë.

I gjori ai popull qe kufinjë të atdheut të tië i ka muret e oborrit që e rrethojnë.

Filed Under: Featured Tagged With: Esat gjonbalaj, Shkolla e Vuthaj, Shqetësime, te diaspores

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT