• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PUNËT E MËDHA KOMBETARE TË FEDERATËS “ VATRA”

January 9, 2014 by dgreca

Kryeministri i Greqisë Z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra…”./

Nga Dalip GRECA/

Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” erdhi në skenën e historisë sonë kombëtare në një moment  kritik, kur Kombit i ishte vënë në pikëpyetje egzistenca. Turqia po merrte tatpjetën dhe ashtu si i mbyturi, kërkonte të tërhiqte pas vetes edhe viktimën. Fqinjët kishin mprehur hanxharët dhe ishin bërë gati që ta copëtonin trupin e viseve shqiptare në copa, siç kishin bërë në kohën e prag Lidhjes së Prizrenit. Atdhetarët e kishin kuptuar rrezikun dhe i kishin paraprirë dhjetëvjeçarit të pare të shekullit njëzet me kryengritje të njëpasnjëshme, që nga Kosova, Malësia e deri në skajet jugore, kur një gjysëm Shqipërie në veri dhe një çerek Shqipërie në jug, lëngonin nën pushtime fqinjësh me vendime e kompromise  të fshehta që mbanin firmën e Europës. Kryengritjet e Kosovës, Shkupit dhe Malësisë ia dhanë shenjat Europës se nuk do ta kishin të lehtë me pasardhësit e ilirëve, që rronin moteve e shekujve  në vendin e tyre të shqiponjave.

       Pikërisht në atë trubullirë e mjegullnajë që endej në Ballkan, këtu në SHBA, lindi Vatra, që jo vetëm mblodhi djemtë e shqiptarisë, që kishin kapërcyer Atlantikun në kërkim të një jete më të mirë dhe për t’i shërbyer kombit, u hodh sinjali i kushtrimit të bashkimit të shoqatave për të krijuar Vatrën Kombëtare.

        28 prilli 1912, dita e deklarimit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra” mbetet një ditë e shenjtë, jo vetëm pse ajo u bekua nga një prift idealist siç ishte Fan S Noli, që kishte në krah një mendje të artë si ajo e Faik Konicës,  por edhe pse ajo dukej si dhuratë Perëndie në ato kohë kur Kombi shqiptar kishte ishte në zgrip të egzistencës.

       Shqiptarët dukeshin si të pafat në agun e lirisë pas 500 vjetëve sundimi nën Turqi, pasi nuk arritën që ta gëzonin shtetin e mosvarur shqiptar të 28 Nëntorit 1912, e cila më 1913 do të futej edhe një here në sallën e operacionit për t’i hequr pjesë të trungut, dhe mbeti ajo që sot e kësaj dite vazhdon të quhet “Shqipëria Lonineze”- dhuratë e Europës hileqare. E keqja nuk kishte të mbaruar; pasi lufta Ballkanike dhe Lufta e I Botërore e bënë vendin e shqiponjave shesh betejash. Princi që dërgoi Europa me kredencialet e Mbretit, dukej si jetim, pa përkrahje të vetë Europës dhe të shqiptarëve të dalldisur nga feja e të mashtruar nga prijsit e rrejshëm,dhe suleshin si somnanbul me hanxharë të mprehur nën thirrjen”Duam Babën!”…

    Vatra, që nga Amerika dha kushtrimin: Jo më kthim prapa!Harrojeni babën e rrejshem, shpëtoni Shqipërinë dhe drejtohuni kah Perëndimi! Pikërish që aty filluan punët e mëdha të Vatrës.Faik Konica, Fan S Noli, që së bashku me patriotët e tjerë lanë Amerikën dhe shkuan të punojnë për Shqipërinë nëpër Europë, ndërsa Vatra këtu kultivonte me Diellin dashurinë dhe përkushtimin ndaj çështjes Kombëtare. Vatra në SHBA, po llogariste fundin e Luftës së Parë Botërore dhe asaj  në Ballkan dhe fatin e Shqipërisë së mjerë, që vazhdonte të ishte e kërcënuar dhe me Pavarësi të humbur. Duheshin miq në Evropë dhe këtu në SHBA, që të shpëtonte Shqipëria.Në këto kushte Vatra mori në dorë fatet e shtetit të vdekur dhe i doli për zot Kombit. Vatranët ishin në një mendje që të financonte delegatët e saj-diplomatë në Londër, Gjenevë, Romë, Washington, me qëllim, që çështja shqiptare të kishte avokatët e saj. Natyrisht që ky shërbim diplomatik i ngritur nga Vatra e kishte koston e lartë. Gjithëçka e financonte vetë ajo, Vatra. Ata, vatranët që jetonin në kushte të vështira, 8-10 vetë në një konak, hoqën mënjanë kursimet dhe i caktuan rrogë mujore kryedelegatit të Vatrës në Londër, Mehmet Bej Konica, që mbetet një figurë e shquar diplomatike dhe që bëri aq shumë për të siguruar miq të çështjes tonë kombëtare në Londër. Nga 1300 franga në muaj, që iu caktuan më 1916, më pas shifra shkoi në 1600 franga. Edhe diplomatët e tjerë nëpër Europë, dr. Mihal Turtulli, Mithat Frashëri, Nik Kasneci e të tjerë, ishin delegatë të Vatrës në Europë dhe punuan fort për çështjen shqiptare. Po ashtu ishte një kartë e fortë diplomatike edhe miku i shtrenjtë i shqiptarëve, delegati tjetër i Vatrës, Erikson, që mbetet një shenjt i çështjes shqiptare. Të gjithë së bashku ata i dhanë zë çështjes shqiptare dhe e shpëtuan atë copëz Shqipërie të mbetur pas copëtimeve të mëparshme të fund shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Mbetet një faqe nderi kontributi i Vatrës për shpëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Pikërisht para se të fillonte punimet ajo konferencë shqiptarët e Amerikës të grumbulluar rreth Vatrës, treguan se Shqipëria ishte mbi gjithçka për ta.Të frymëzuar nga poezia e Nolit” Jepni për nënën”, vatranët iu përgjigjën zemërhapur thirrjes për shpëtimine Shqipërisë. Noli, prijësi i tyrë shpirtëror, i kishte prekur atje ku nuk mund të duronin, në poshtërimin e Nënës, e cila diku, kishte qenë zonjë e rëndë, por që tani kërkonte ndihmën e bijëve, që e kishin harruar detyrën ndaj Nënës. Dhe vargjet e Nolit shkonin drejt e në zemër: Qan e lutet Nën’ e mjerë,/Kërkon vatrën edhe nderë,/Do lirinë dhe atdhenë,/ Si ç’e pat me Skënderbenë,/ Bijt’ e besës thërret pranë./ Kur i thirri dhe s’i vanë?/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë,/ Se ke djemtë n’Amerikë…Por që të shpëtohej Nëna duhej që shqiptarët e Amerikës të boshatisnin xhepat dhe të jepnin gjithçka për shpëtim. Noli, di ku t’i prekë bijtë e shqipes: ai e bën fakt të kryer se ata nuk do të kursejnë asgjë për shpëtimin e Nënës:Sa kërkon e sa të duhen?/ Burrat nga detyra s’ndruhen!/ Trim i mirë do të japë,/ S’kursen jetën as paratë;/ Hithni, hithni tok dollarë,/ Të mos mbetemi të share/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë./ Se ke djemtë n’Amerikë.

Dhe djemtë nuk e turpëruan Nënën. Nëse u mendua në fillim të paktën të grumbulloheshin rreth 40 mijë dollarë, vatranët dhuruan më shumë se 150 mijë dollarë, shumë që u përdor për mbrojtjen e çështjes shqiptare, mbulimin e sherbimit diplomatik, dergemin e kabllogrameve, mbajtjen e delegateve ne Konferencen e Paqes etj. Gazeta e Vatrës”Dielli” e mbajti të ndezur garën e madhe të dhurimeve duke nxjerrë në faqe të parë ata që dhuronin më shumë. Çdo dollar i dhuruar konsiderohej “plumb për armiqtë e çështjes shqiptare”. Dielli shkruante me shkronja te mëdha: “Plumbi goditi në shenjë. Ali Kuçi udhëheq garën me 750 dollarë…”

Krahas punës diplomatike në Evropë, Vatra punoi fort edhe në Washington, me qëllim që të kishte me vete edhe votën amerikane. Ishte fat, që Fan S Noli, takoi me 4 korrik 1918, presidentin Wilson,i cili i dha fjalën bashkëthemeluesit të Vatrës, se një votë që kishte do ta përdorte në favor të shqiptarëve.

Në Konferencën e Paqës, Vatra pagoi jo vetëm harxhet e delegatëve të vet, por edhe delegatëve të tjerë, përfshirë dhe atyre të kolonisë të Rumanisë.Me shpenzimet e Vatrës u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u paguan agjensi që punuan për çështjen shqiptare, u kablluan mijëra telegrame, u percollen protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë – dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë Z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra…”.

Misioni i vatrës nuk mbaroi me “shpëtimin e Shqipërisë” në Konferencën e Paqës, jo, vatra dërgoi djemtë e saj vullnetarë në Shqipëri në vitet 1920, dërgoi bandën muzikore Kombëtare”Vatra”, dërgoi delegatë të saj në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, siç kishte dërguar djemtë në Luftën e Vlorës dhe mbrojtjen e kufijëve jugorë të Shqipërisë, dhe shkëlqeu sërish me bujarinë e saj, kur Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnëjs, i kërkoi ndihmë për të mbushur arkën bosh të shtetit dhe për të shpëtuar nga falimentimi financiar. Qeveria dërgoi në SHBA Mithat Frashërin që u shëtit nëpër koloni të shqiptarëe, dhe ai pa me sytë e tij, dëgjoi me veshët e tij, shqiptarët e Amerikës, që ishin gati të jepnin gjithçka për shpëtimin dhe forcimin e Shqipërisë.”Huaja Kombëtare”, e organizuar me shqiptarët e Amerikës, e shpëtoi shtetin shqiptar. Plot 197 mijë dollarë u mblodhën nga ajo hua Kombëtare.

Ndër punët e Vatrës duhet llogaritur edhe kontributi kulturor e arsimor që dha ajo. Shumë prej vatranëve shkuan në Shqipëri dhe dhanë kontribut në adminsitratën shtetërore,një pjesë edhe pse ishin antizogistë nuk e kursyen veten për t’i shërbyer shtetit. Vatra dërgoi në Shqipëri për nevojat e shkollave shqipe më shumë se 200 mijë tekste që i shtypi me harxhet e veta në shtypshkronjën e gazettes Diellit.

  Fatkeqësisht, vatranët që kishin shpëtuar Shqipërinë, u trajtuan si armiq nga sistemi komunist dhe një pjesë e tyre u shkuan në plumb, si ish editori i Diellit për tetë vjet, Bahri Omari, Aqif Përmeti, komandanti që përgatiti, stërviti dhe udhëhoqi vullnetarët që shkuan në Shqipëri në vitet ’20 të shekullit të shkuar, burgosi e torturoi pa mëshirë vatranët mëmëdhetarë.Dy nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës VATRA; Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Editori i Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar fajësia, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij. Kristo Kirka, kryetar i “Besa – Besën”,krahu i djathtë i Nolit në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, delegate i krijimit të Vatrës, kryetar i degës së Vatrës në Boston, nënkryetar i Federatës më 1915, manager i Diellit më 1912, deputet në Parlamentin shqiptar për katër vite, nënprefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i bashkisë së Korçës, ironikisht shpërblehet duke e dërguar në qelitë e ferrit të Burrelit, ku shpirti atdhetar iu shua pa nxjerrë një shenjë pendimi për ç’kishte bërë për kombin. Tek do ta vajtonte atdhetarin e orëve të para, bashkëvuajtsi i tij, poeti Arshi Pipa,ish kryetar i Vatres, do të klithte dhimbshëm: Vdiq flamurtari i moçëm!
Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetar i “Vatrës” më 1916,  kryetari i Vatrës më  1918, kryeministri i Shqipërisë, që i kishte dhënë  Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë? Po Andon Frashëri , editor i Diellit, Aqif  Përmeti, menaxher i Diellit, Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit: “Jepni për Nënën”? Edhe shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të dhunës. Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të  madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare.

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Kombetare, punet e medha, te Federates Vatra

Enigma e Hymnit të Federatës “VATRA”

August 7, 2013 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Federata Panshqiptare e Amerikës ka Hymnin e saj, që në vitet ’20 të shekullit të shkuar. Por saktësisht; kur dhe në ç’rrethana u krijua ky Hymn, nuk gjejmë të dhëna të plota. Në dy historitë e Vatrës, të botuara deri tani, mungojnë këto të dhëna. Nuk ruhet as ndonjë interpretim i incizuari këtij Hymni, edhe pse kompozitori i tij, ka vdekur relativisht vonë, në vitin ’76 të shekullit të shkuar dhe ai i ka pasur mundësitë e ruajtjes së incizimit. Vetë Kompozitori gjatë të gjithë jetës u mor me muzikë dhe tregëtimin e pllakave muzikore, kishte dhe kompaninë e tij të prodhimit dhe tregëtimit të incizimeve muzikore; ai nuk na ka lënë ndonjë shënim se ne cfare rrethanash e kompozoi Hymnin dhe kur e kompozoi atë. Ne kohethemelimin e Vatres kompozitori ndodhej ne Rumani. Duhet të jetë një bashkëpunim i viteve ’20 i kompozitorit me autorin e vargjeve, i cili ka jetuar ne SHBA deri aty nga viti 1931. Dimë vetëm faktin se kompozitori iu bashkua Bandës së Vatrës, kur ajo shkoi në Shqipëri pikërisht në vitin 1920.

Është i njohur fakti qe Banda e Vatrës, në vitin 1920, shkoi në Shqipëri dhe i shërbeu shtetit shqiptar, madje shoqëroi dhe Komisionin Ndërkombëtar të Kufijëve në fillimin e mbërritjes së tij në Shqipëri. Bashkë me Bandën e Vatrës shkuan në Shqipëri edhe djemtë e shqiptaro-Amerikanëve për të mbrojtë Atdheun.Trupat mbrojtëse ishin stërvitur në SHBA.Fillimisht Vatra kishte marrë me qera një sallë të madhe në Boston dhe atje mblidheshin vullnetarë nga qytete dhe katunde të ndryshme të Neë Englandit për t’u stërvitur ushtarakisht. Komandanti i trupave vullnetare ishte Aqif Përmeti, i cili shkoi në Shqipëri së bashku me vullnetarët në kohën e Luftës së Vlorës. Sipas Petro Ktonës, ishin 200 vullnetarë që u nisën drejt Shqipërisë. (P. Ktona ”Misioni i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA dje dhe sot”, New York 1978).Aqif Përmeti nuk u kthye më në SHBA, ai hyri në shërbim të ushtrisë shqiptare si oficer i larte dhe i shërbeu Kombit.U gradua gjeneral dhe më 1945 u egzekutua nga Qeveria Komuniste e Tiranës.

Autori i tekstit te Hymnit ishte prefekti i parë i Vlorës

Le të kthehemi tek Hymni; per t’iu pergjigjur pyetjes se cilët janë autorët e tij, duke shpresuar se së shpejti do të saktësojmë edhe kohën kur u kompozua e kur u egzekutua për të parën herë ai.Teksti i Hymnit të Vatrës është shkruar nga Refo Çapari, një figurë e njohur për kohën.

Historiani i njohur çam Ibrahim D Hoxha dëshmon se Refo Çapari vinte nga familja shumë e njohur Çapari e Çamërisë.Tashmë,që nga viti 2006 kemi një monografi që i kushtohet familjes dhe fisit Çapari, një nga katër dyert më të mëdha e më të rëndësishme në Çamëri. Gjatë 150 vjetëve të vazhdimësisë së saj të pandërprerë, kjo familje lëshoi mjaft rrënjë, duke krijuar kështu një pemë madhështore shumëdegëshe. Prej saj dolën plot prijës luftarakë, politikanë, diplomatë dhe burra të tjerë të zotë, ku ndër brezat e fundit u dallua Refo Çapari, i cili u shqua në përdorimin e penës.(IH)

Sjellim këto të dhëna informuse për autorin e vargjeve të Hymnit të Vatrës, Refo Çaparin (1884-1944); ishte një politikan i njohur shqiptar për kohën dhe njëkohësisht udhëheqës po aq i njohur fetar. Çapari kishte krijuar personalitetin e tij duke shërbyer si i pari prefekt i Qarkut të Vlorës dhe biograf i parë i Ismail Qemalit. Ai konsiderohet të jetë i pari përfaqësues i Besimit Bahá’í në Shqipëri.
Refo Çapari ka lindur në veriperëndim të Greqisë, Çamëri. Në fund të viteve 1900 Çapari ishte diplomuar nga shkolla e ligjit të Stambollit. Pas Deklaratës së Pavarësisë shqiptare me 28 Nënëtor 1912, Çapari u bë i pari prefekt i Qarkut Vlorë. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai kishte emigruar në SHBA, ku ishte konvertuar në Besimin Bahá’í, ç’ka sipas arkivit Bahá’í, i takon vitit 1928. Mësojmë po ashtu se në vitin 1931 ai u kthye në Korçë, ku ka përkthyer tekstet Bahá’í në gjuhën shqipe. Në 1938 Çapari filloi botimin në Korçë dhe Tiranë të revistës Bahá’í “Pendë supreme” (shqip: pena siprore).
Përkthimi i parë i publikuar i letërsisë Bahá’í në gjuhën shqipe “Fjalët e Fshehura”,është përkthyer nga Refo Çapari (Arkivi i Qendrës Botërore Bahá’í).
Në një letër të dat 19 gusht 1933, Refo Çapari shpall botimin në shqip të librit të Esslemont “Bahá’u’lláh-u dhe një epokë të re”. Refo ishte martuar me Fiqrije Çapari, nënë e dy vajzave, e cila u gjet ne Prizren shumë vite pas vdekjes së Refos.

Mendohet se Çapari ka ardhur në SHBA në vitet 1914-15 dhe është kthyer më 1931, ndërkohë që kompozitori i Hymnit, pasi kishte shkuar në Shqipëri me Bandën e Vatrës kishte ardhur në SHBA më 1926.Se kur dhe nëç’rrethana lindi bashkëpunimi për Hymnin e Vatrës ende nuk mund ta themi me saktësi, veçse njihet bashkëpunimi i tij me Vatrën.Nëse Hymni i Vatrës është egzekutuar për të parën herë pas kthimit të kompozitorit Asllani nga Shqipëria në SHBA, do të jetë më lehtë që të përcaktohet koha e bashkëpunimit.

Kompozitori , muzikant i shquar nga Leskoviku, i diplomuar në Stamboll dhe Bukuresht

Kompozitori i Hymnit është një muzikant që kanë lënë gjurmë pas, jo vetëm në pentagramin ku janë vendosur notat, që kanë muzikuar Hymnin e Vatrës, por diçka më shumë. Kompozitori që muzikoi vargjet e Hymnit të Vatrës quhej Ajdin Asllan.Në shënimet e lëna në një album festiv, në ato që Vatra botonte me urime dhe me fotografi të vatranëve dhe në tërësi të shqiptarëve të Amerikës,gjejmë gjurmët e jetshkrimit të tij. Pikërisht në Albumin festiv të vitit 1953-54, kompozitori i Hymnit ka lënë disa shënime biografike që hedhin dritë në jetën e tij. Përmes atyre shënimeve informohemi se Ajdin Asllan, kishte lindur në rrethinat e Leskovikut me 12 mars 1895. Studimet i pat kryer në shkollën turke dhe greke të vendlindjes, pasi shkollë shqipe nuk kishte përreth. Mësimet shqip dhe ndjenjat atdhetare, siç shprehet në shënimet e veta biografike, Ajdini i mori prej prindërve, të cilët i përcollën ndjenjat kombëtare dhe dashurinë për gjuhën shqipe.Ndërkohë që mësimet e gjuhës shqipe ai i mori privatisht prej patriotit Stefan K. Postenani, që ishte nga Postenani, Katundi i krahinës së Leskovikut(shënim i tij).

Pas luftës Ballkanike, Ajdin Asllani dhe familja e tij u gjendën në një kolonë të gjatë refugjatësh, që u detyruan të linin trojet dhe vatrat e të parëve pas sulmeve të grekëve, që dogjën dhe shkatërruan fshatra të tërë.Familja u vendos në Stamboll të Turqisë. Prindërit pasi u sistemuan në Stamboll, vendosën që ta shkollonin të birin.Dëshira e tij ishte muzika, prandaj prindërit e regjistruan në shkollën e muzikës, e cila i jepte përveç njohurive teorike edhe mundësi praktikimi.Djali kishte talent dhe prindërit e mbështetën. Më 1915 Ajdini, që tashmë ishte 20 vjeçar e la Turqinë dhe shkoi në Bukuresht të Rumanisë, ku emigracioni shqiptar ishte i më i madh në numër, tepër i organizuar dhe vendimtar për formësimin e çështjes kombëtare së bashku me komunitetin shqiptar në Turqi dhe Egjypt. Ajdini edhe në Bukuresht vijoi studimet për muzikë. Në shënimete veta ai shkruan se në Bukuresht “punoja në varjete për të nxjerrë harxhet dhe për të plotësuar praktikën për të cilën kisha aq shumë nevojë.”

Nga Rumania, instrumentist në Bandën”Vatra” në Shqipëri

Në Bukuresht Ajdinit i dhanë kurajo dhe e ndihmuan shumë shqiptarët, por ai veçon ndihmën që i dhanë “Vëllazëria korcare”, Peço Korça dhe Themistokli Bozhani.Tashmë ai ishte plotësuar me njohuri muzikore dhe fryma kombëtare ishte bërë pjesë e shpirtit dhe ndërgjegjes së tij.

Ndërkohë emri i Federatës Panshqiptare të Amerikës kishte pushtuar zemrat e djalërisë shqiptare.Ajdini dëgjon se Banda Kombëtare që kishte krijuar Vatra në SHBA së bashku me vullnetarët e stërvitur në Amerikë, po shkonin në Shqipëri.Edhe atij i rrahu zemra nga krenaria dhe devocioni kombëtar. Mori rrugën dhe shkoi në Shqipëri dhe iu bashkëngjit bandës. Këtë moment, vetë Ajdini e përshkruan kështu:” Më 1920, kur Banda “Vatra” shkoi në Shqipëri bashkë me vullnetarët, me zjarrësinë që kisha për kombësinë t’onë dhe për vendlindjen time vajta në Shqipëri, ku pa humbur kohë mora pjesë në Bandën Vatra, që në atë kohë u emrua Banda Presidenciale.”

Ajdin Asllani qëndroi në radhët e Bandës së Vatrës deri në vitin 1926, moment kur merr rugën e gjatë për këndej Atlantikut.Pra u vendos në Amerikë.Nuk hoqi dorë nga pasioni i tij, muzika, ajo përbënte profesionin e tij. Përë gjatë të gjithë kohës e ushtroi profesionine muzikantit duke u bërë pjesë e orkestrave të ndryshme ose duke i drejtuar ato. Pa kaluar shumë vite ai krijoi orkestrën e vet.Madje për më shumë se 25 vjet ai arriti që të ketë kompaninë e vet, me të cilën prodhonte dhe tregtonte pllaka muzikore. Kompaninë e tij e kishte pagëzuar me emrin”Balkan Phonograph Record Co.”, ku prodhonte pllaka në gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit.

Në shënimet e shkurtra biografike, ai ndjehet krenar që është shqiptar dhe e thekson me dorën e shkrimin e tij se: ”Jam danga nga Postenani i Leskovikut”. Kypohim ka shumë rëndësi pasi janë bërë përpjekje që krijimtarinë e tij t’ia atribojnë tjetërkujt kombesie, vecanerisht asaj greke.

Trashëgimia në SHBA: Rekorde Shqiptare, regjisor “Leskoviku”

Gjenden CD që vërtetojnë autorsinë e Ajdin Asllanit me pseudonimin ”Leskoviku” .Në to shkruhet:”Muzikë shqiptare-Regjisor Ajdin Asllan-Leskoviku”. Ka shumë mundësi që ai përdorte pseudonimin muzikor”Leskoviku”. Gjate kerkimeve të mia kam gjetur dhe kam shijuar krijime të tij si “Valle me Klarinetë dhe llautë “si dhe “Valle devollitçe me gërnetë”.Sipas shënimeve shoqëruse në klarinetë luan vetë instrumentisti virtuozë, që lunate në disa instrumente, Ajdin Asllan.

Kompozitori i Hymnit të Vatrës kishte lindur me 1895 dhe ndërroi jetë në SHBA më 1976. Ai ishte një multi instrumentist që kishtë lënë gjurmë në jetën muzikore të emigrantëve nga shumë vende të Ballkanit.Është e vërtetuar se ai ishte mjeshtër në shumë instrumente si: Klarinetë, Oud, llautë, lauto, ishte njëkohësisht instruktor dhe pronar i pavarur. Orekstra e tij ishte pjesë e skenave të klubeve të natës dhe ishte shumë i kërkuar nga komunitetet shqiptare, turke, greke, madje dhe armene në Avenunë e 8-tënë Neë York City nga mesi i shekullit 20-të deri në vitet ’60.

Ka të dhëna se Ajdin Asllan në vitet ’30 dhe ’40 të shekullit të shkuar ka bërë disa incizime që i dhanë famë. Dikur, ai ka pasë dhe një dyqan të njohur, që tregtonte pllaka me muzikë ballkanike. Dyqani ishte në 42 Rivington në anën e ulët dhe me pas, përfundimisht u vendos në 27 street, mes avenusë 7 dhe 8. Prodhimet e tij shënoheshin me inicialet me etiketën “Me-Re-Rekorde Shqiptare.”

Le të kthehemi tek Hymni i Vatrës. Vargjet shprehin shpresën se lindja e Vatrës do të shkallmojë errësirën dhe skllavërinë, do të sjell një diell plot shkëlqim. Hymni bën thirrje për bashkim rreth Vatrës.

Ja vargjet e plota:

HYMNI I VATRËS

Vëllezër u dërmua

Errësir’ e Skllavërisë.

Lindi me dirsë nderi,

Një djellë plot gëzim

Vatra kështjell’ e dashur,

E mëmë Shqipërisë

Me dashuri na mblodhi,

Rreth Shkabës në mërgim.

Për dashuri dhe për bashkim,

Rreth Vatrës të pa ndarë!

Bashkohuni me një mejtim,

Si burra shqiptarë!

(Autor:Dalip Greca- Arkivi i Diellit, 2011)

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: dalip greca, enigma e Hymnit, te Federates Vatra

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT