Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari/
Prishtinë, 6 mars 2017- Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.Për të përkujtuar luftën e lavdishme dhe rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, në këtë akademi ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, familjarë dhe bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, deputetë, dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale.
Para të pranishmëve të shumtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli përkujtoi luftën dhe heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari.Ndërkaq, në emër të familjes Jashari, të pranishmit i përshëndeti Lulzim Jashari, djali i Komandantit Legjendar Adem Jashari.
***
Fjala e ministrit Haki Demolli në Akademinë Përkujtimore:
Ne sot, 19 vjet pas, po përkujtojmë ngjarjet heroike të marsit të vitit 1998, ngjarjet e një marsi të zymtë, kur Kosovën dhe popullin e saj e kishte kapluar pushtimi i egër i okupatorit serb, e që njëherë njihet edhe si marsi i lavdisë kombëtare.
E bëri këtë periudhën më të lavdishme të vendit tonë, vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili kishte vlerësuar se liria e vendit është më e shtrenjtë se jeta e tij, se jeta e familjarëve të tij dhe më të dashurve të tij, duke ia bërë me dije popullit, se tani e tutje do të kishte ushtrinë e cila përfundimisht do ta çlironte Kosovën nga okupimi shekullor.
Lufta, rezistenca dhe rënia heroike e familjes Jashari, ishte një ngjarje, respektivisht një sakrificë dhe flijim i pashembullt për lirinë e kombit dhe të atdheut, çfarë historia jonë kombëtare por as ajo botërore, as nuk kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë.Kjo luftë, shërbeu si një frymëzim i jashtëzakonshëm për mobilizimin e tërë popullit të Kosovës dhe të diasporës tonë, në angazhimin përfundimtar për çlirimin e vendit. Si rezultat i këtij mobilizimi gjithëpopullor, pas Epopesë së marsit ‘98, ushtria e Komandantit Adem Jashari me shpejtësi të meteorit, u rrit dhe u strukturuar në formacione ushtarake, duke çliruar dhe vënë nën kontroll zona të tëra të vendit tonë.Sukseset e shumta në fushëbeteja, të ushtrisë së komandantit legjendar dhe formacioneve të tjera ushtarake në Kosovë, ndikuan që të aktivizohet edhe diplomacia ndërkombëtare, e cila duke e vlerësuar si të drejtë luftën për çlirimin e Kosovës, fillojë të gjykonte dhe dënonte krimin dhe gjenocidin shtetërorë serb të kryer ndaj popullit tonë liridashës.Të gjitha këto zhvillime, rezultuan me organizimin e Konferencës së Rambujesë, e cila u pasua me bombardimin e caqeve policore-ushtarake të Serbisë nga forcat aleate të NATO-së, e që për epilog përfundimtar, pati kapitullimin e Serbisë dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.Andaj, në këtë akademi përkujtimore, duhet thënë se shteti ynë dhe kombi ynë përjetësisht do të jenë mirënjohës për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë të cilën është duke e gëzuar populli ynë.Jemi dëshmitarë se para tri ditëve, një gjykatë franceze ia shtyu edhe për një muaj ndalimin në shtetin e Francës, njërit prej komandantëve më të lavdishëm të UÇK-së, ish kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj.Reagimi i organeve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës, ndaj një vendimi të tillë të gjykatës franceze ka qenë i menjëhershëm dhe i zëshëm.Kjo dëshmon se, populli dhe shteti ynë i çmojnë jashtëzakonisht shumë, luftën çlirimtare dhe sakrificën për liri, dëshmon se i çmojnë çlirimtarët dhe luftën e tyre çlirimtare të UÇK-së.Respektin dhe nderimin e popullit për luftën e UÇK-së, për lavdinë e luftëtarëve të lirisë, nuk mund ta zbehin as Gjykatat Ndërkombëtare e as Gjykatat Speciale, sepse UÇK-ja dhe luftëtarët e saj, kanë zhvilluar në përgjithësi një luftë të drejtë çlirimtare kundër makinerisë ushtarako-policore e vrastare të pushtuesit shumëshekullor, pra të Serbisë.Pasur parasysh situatat e këtilla si dhe sfidat politike me të cilat është duke u ballafaquar vendi ynë, në këtë periudhë të tranzicionit dhe të integrimeve, kërkojmë nga të gjithë akterët politikë, që të lënë anash interesat parciale politike, interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, ashtu siç e kishte edhe Komandanti Legjendar me bashkëveprimtarët e tij, dhe të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes së çështjeve politike të cilat janë tejet të rëndësishme për jetën e popullatës tonë dhe funksionalitetin e shtetit tonë të ri.Në shkurt të viti 2008 mbi sakrificën e dëshmorëve, mbi gjakun e derdhur për liri, mbi mundin dhe angazhimin shumë shekullor të gjithë popullit tonë, Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur dhe sovran, i cili duhej të krijonte edhe organet dhe institucionet e saj. Në kuadër të krijimit të institucioneve të reja të shtetit tonë, u themelua edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, , që sot paraqet Forcën e Sigurisë të Kosovës së pavarur. Tash në përvjetorin e 19-të të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, shteti i Kosovës, pra Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në vazhdën e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë.Që ky transformim është detyrë mbi detyrat e klasës tonë politike e dëshmon edhe votimi unanim kohë më parë, i Rezolutës për FSK-në, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili votim u bë pas debatit disa orësh lidhur me mandatin e ri të FSK-së.Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm të Evropës, por edhe më gjerë.
Ngritja e shtyllës kryesore të shtetësisë së Kosovës, pra themelimi i Forcave të Armatosura, paraqet plotësimin e një dëshire tjetër të popullit të Kosovës, dëshire të Komandantit Legjendar Adem Jashari si dhe të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.Shteti dhe Qeveria e Kosovës, përmes krijimit të Forcave të Armatosura dhe akterëve tjerë të sigurisë, do të ngritin shkallën e sigurisë së vendit, në nivel të tillë, ku të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen të lirë dhe të barabartë, pa dallim të përkatësisë etnike, religjionit, racës apo bindjeve politike, sepse ne jemi duke ndërtuar një shtet demokratik, me vlera civilizuese perëndimore. Pra thjesht Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë të të gjithëve dhe për të mirën e të gjithëve.Mirëpo, Qeveria e Kosovës dhe klasa e saj politike do të përmbush edhe obligime të tjera për popullin dhe shtetin e Kosovës.Konkretisht do të angazhohemi për ndërtimin dhe sforcimin e shtetit bashkëkohor të Kosovës, pra për ndërtimin e një shteti ku sundon ligji, shtet i cili iu ofron të gjithë qytetarëve, e në veçanti të rinjve, një perspektivë të ndritshme ekonomike, sociale, arsimore, kulturore si dhe mirëqenie të tërësishme.Pra do të punojmë për të ndërtuar shtetin që do të plotësojë kriteret dhe standardet për anëtarësim në NATO dhe integrime të tjera euroatlantike, ku do të bashkëveprojë me SHBA-të dhe aleatët tjerë që përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.Në fund duhet thënë, se ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, paraqet realizimin më të mirë të ëndrrës së Komandantit tonë Legjendar Adem Jashari, të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë.Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Lavdi familjes së madhe Jashari.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit.
Ju faleminderit.