-Kalendar: Dy vjet nga mbledhja e parë historike e dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, e zhvilluar në Prizren në 11 janar 2014/
-“Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’” e përshkruaja në një reportazh para 20 viteve kufirin e hekurt Kosovë-Shqipëri, që sot dhe në përditshmërinë e tashme është me porta të hapura plot fluks, e në 2016-tën do jetë edhe me “autostradën” energjetike/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Janar 2016/ Para dy vitesh, në 11 janarin e 2014-ës, u mbajt në qytetin e Prizrenit mbledhja e përbashkët e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e vlerësuar historike, e para pas më shumë se 100 vjetëve të shtetit të parë e pas 6 vjetëve të shtetit të dytë të shqiptarëve.
“Modestish mendoj se ajo që na ka bërë bashkë sot, në një tryezë të bashkëqeverisjes strategjike, Qeverinë e Shqipërisë dhe Qeverisë e Kosovës, është një nismë që ka të bëjë pikë së pari, me kontributin tonë për integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar, si shprehje e vendosmërisë sonë të përbashkuar për ta jetësuar këtë integrim si hapësirë evropiane të tejkufijve”, theksonte në mbledhje Kryeministri shqiptar Edi Rama.
“Është e vërtetë se ne jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje, sepse shumica dërrmuese e qytetarëve tanë i takojnë një kombi që megjithë diferencat e brendshme, kanë një gjuhë, një kulture dhe një traditë të përbashkët”, shtonte ai.
“Por, nëse mbledhja e përbashkët e dy qeverive, një kombi të shtrirë në dy shtete, bëhet arsye trembjeje, apo nga ana tjetër inkurajimi, për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua ta them kryekreje, kthjellët dhe fort, se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm, si një vijë që na kujton, qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë, apo përpjekjen heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër, dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre, pa të cilët Kosova e lirë dhe pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur, SHBA-ve dhe BE-së”, shprehej, mes tjerash, Kryeministri Rama.
Kryeministri i atëherëshëm i Kosovës, Hashim Thaçi theksonte se “qëllimi i këtij takimi mes dy qeverive, dhe i atyre të ardhshme, ka për të qenë pikërisht përshpejtimi apo përmirësimi i zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme dhe njëherazi zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit bilateral nëpërmjet hartimit të marrëveshjeve të reja”.
“Adoptimi i praktikës së mbledhjeve të përbashkëta nga dy qeveritë, nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë është relativisht e vonuar, duke patur parasysh se sa shumë herë janë organizuar këto mbledhje të përbashkëta qeveritare në rajon. Për këtë arsye lindë nevoja që mbledhjet ardhshme të përbashkëta duhet të jenë edhe më të ngjeshura e të ngarkuara me punë, për të kompensuar kohën e humbur dhe për të kapur ritmin e vendeve të tjera të rajonit”, shprehej Thaçi.
Ai deklaronte gjithashtu se, “nëpërmjet mbledhjes zotohemi jo vetëm që të bëjmë çmos për përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të shteteve respektive, por edhe që të marrim përsipër përgjegjësinë historike për t’u kujdesur për bashkombasit që gjenden pakicë në rajon si dhe për të forcuar lidhjet me mbarë diasporën”.
Në mbledhjen historike, të hapur me fjalimin e Kryeministrit (të atëhershëm) të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, janë shqyrtuar:
Dokumenti për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë; Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në Lehtësimin e Tregtisë; Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushat e Transportit dhe Infrastrukturës; Propozimi për Bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore të Maternitetit të Preshevës; Propozimi për përfaqësimin e përbashkët konsullor midis Republikës se Kosovës dhe Republikës se Shqipërisë; Marrëveshja për Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë; Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë; Themelimi i iniciativës për Fondin Zhvillimor për Luginën e Preshevës; Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor; Propozimi për bashkëfinancimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokufest në Prizren; Propozimi për heqjen e taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria; Dorëzimi i legjislacionit të BE-së të përkthyer në gjuhën shqipe nga Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë te Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës; Themelimi i Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.
Pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në 11 janar 2014, në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare në Prizren, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive.
Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës janë takuar sërish, në një mbledhje tjetër, të dytë, në 23 mars 2015 në Tiranë, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, ku u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare, ndërsa mbledhja e tretë pritet në 2016-tën.
Për Kosovën e Shqipërinë në vitin 2016, një nga ngjarjet e rëndësishme është paralajmëruar të jetë inaugurimi i “autostradës” energjetike – linjës interkonektive 400 kV, ndërtimi i së cilës në pjesën kosovare, me investim rreth 34 milionë euro, përfundoi para festës së Vitit të Ri, në 17 dhjetor 2015.
Viti 2015 në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve në hyrje-dalje gjithësej 26.75% – në hyrje 30.2% e në dalje 23.3%, si dhe të automjeteve 14.1% gjithësej në hyrje-dalje – 22.1% në hyrje e 6.2% në dalje, krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 hyrje-dalje të automjeteve, ka bërë të ditur për Gazetën Dielli Policia e Kosovës.
Në tre portat kufitare, Vërmicë-Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë, në 2015-tën kishte 2955026 hyrje dhe 2457212 dalje të personave, si dhe 961827 hyrje e 888160 dalje të automjeteve.
Mes Shqipërisë e Kosovës, më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave kishte vetëm gjatë tre muajve të verës 2015 – në qershor, korrik e gusht.
Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19.312 % dhe të automjeteve për 21.883 %, krahasuar me 2013-ën.
Ndërsa, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, në kufirin Kosovë-Shqipëri, në vendkalimin kryesor nëpër autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, në këto momente sot në fillimjavë në hyrje kalohet për 3-5 minuta e në dalje për 5-10 minuta. Në dy vendkalimet tjera, Qafë të Prushit dhe Qafë të Morinës, kalohet për më së shumti 3 minuta.
Kjo është sot e përditshmëria Kosovë-Shqipëri në kufirin me porta të hapura e plot fluks, e që para 20 viteve në një reportazh të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 mars 1996, e përshkruaja si ishte i ndarjes dhe i hekurt – “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”.
“Udhëtimi për në Prizren”, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren. Edhe ai reportazh është botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer e kaluar me shkrimet shqip kufirin e ndaluar.
NË MBROJTJE TË VLERAVE TË PËRBASHKËTA
Nga Frank Shkreli/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe David Cameron, në një artikull të botuar të ënjtën në gazetën e njohur të Londrës, Times of London, njoftuan planet e përbashkëta të dy vendeve për të bashkrenduar përpjekjet e tyre në disa fusha veprimi të politikës së mbrendshme dhe të jashtme.
Artikulli u botua në vigjiljen e vizitës së Kryeministrit britanik në Washington, ku do të takohet me Presidentin Obama për të biseduar mbi çështjet që ata nënvijojnë në këtë artikull, por edhe mbi çështje të tjera të interesit të përbashkët. “Ndërsa do të takohemi në Shtëpinë e Bardhë, ne rithkesojmë besimin tonë se mundësia jonë për të mbrojtur lirinë është e rrënjosur në fuqinë ekonomike dhe në vlerat në të cilat ne besojmë dhe të cilat na dallojnë si popuj — e që janë liria e fjalës, zbatimi i ligjit dhe institucionet e forta demokratike”, pohojnë ata në artikullin e tyre në gazetën Times of London.
Udhëheqsi amerikan dhe ai britanik — në komentin e tyre botuar në gazetën e famëshme londineze — angazhohen për një front të përbashkët, për të përballuar sfida të ndryshme, të mbrendshme dhe të jashtme, përfshirë edhe kërcënimin që paraqet ekstremizmi islamik” dhe ajo që ata quajtën “ideologjia e tij e shtrëmbëruar”.
Duke iu referuar sulmeve terroriste javën që kaloi kundër një gazete satirike në Paris të Francës, udhëheqsi amerikan dhe ai britanik u zotuan se ekstremistët nuk do të kenë sukses kundër lirisë së fjalës, si një vlerë universale dhe si e drejtë e njeriut. Zotërinjtë Obama dhe Cameron shkruajnë se ata nuk do të “frikësohen nga esktremistët, qofshin ata indidvidë fanatikë, ose organizata terroriste si al-Qaeda, Shteti Islamik, ose Boko Haram”. Ata vazhdojnë artikullin e tyre në Times of London duke shpreshur angazhimin e tyre se, “Ne do t’i mundim këta vrasës barbarë, të cilët justifikojnë vrasjen e njerëzve të pafajshëm”, theksuan zotërinjtë Obama dhe Cameron në komentin e botuar në gazetën e Londrës. Ndërsa në lidhje me luftën kundër terrorizmit, ata zotohen në emër të vendeve të tyre se, “Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të bashkpunojnë ngushtë me të gjithë ata që beosjnë në paqë dhe në tolerancë. Terroristët”, nënvijuan ata në komentin e tyre, “dinë vetëm të shkatërrojnë, por së bashku, ne mund të bëjmë diçka që është shumë më e fuqishme: të ndërtojmë sigurinë, të forcojmë drejtësinë dhe të promovojmë paqën”, shkruajnë Zotërinjtë Cameron dhe Obama.
Para takimit të tyre prej dy ditësh në Shtëpinë e Bardhë, në këtë shkrim ata nënvijuan parimet e aleancës amerikano-britanike, duke shkruar se, “Sot, ne angazhohemi rishtas ndaj misjonit tonë historik, në mbrojtje të popujve tonë, për ruajtjen e sistemit tonë ekonomik dhe në mbrojtje të vlerave tona”, të përbashkëta. Ata theksojnë se në këtë moment të historisë, “Përsëri, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe qëndrojnë së bashku. Edhe njëherë, ne kemi nevojë për udhëheqje të fortë dhe të vendosur, për tu përballur me sfidat e kohës sonë”, shkruajnë ata.
Zotërinjtë Obama dhe Cameron theksuan gjithashtu edhe rëndësinë e promovimit të politikave ekonomike për të nxitur ekonomitë e vendeve të tyre, me qëllim për të mënjanuar një tatpjetë tjetër të ekonomisë botërore. Në lidhje me këtë, ata shkruajnë se janë duke punuar, “drejtë përfundimit të një marrveshjeje të përgjithshme tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian”, marrvehsje kjo që sipas tyre, “do të zgjëronjë dukshëm tregëtinë midis dy vendeve tona dhe do të hapë mundësi të reja vend pune për miliona puntorë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Kryeminsitri i Britanisë së Madhe, në artikullin e tyre, tregohen të vendosur edhe në qëndrimin e tyre kundër atij, që ata cilësuan si “aggression i Rusisë në Ukrainë”, duke u zotuar se do të vazhdojnë presionin diplomatik ndaj Moskës. Në lidhje me këtë ata theksuan duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë se, “Nëqoftse ne lejojmë që të ndodhin shkelje të tilla të ligjit ndërkombëtar pa u ndëshkuar, ne të gjithë do vuajmë pasojat që vinë më pas”, nga shkelje të tilla ndërkombëtare. Ata theksuan njëkohsisht se, “Përgjigja jonë e fortë dhe e përbashkët i ka dërguar botës një mesazh të fortë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qendrojë duar-kryq, ndërsa Rusia vazhdon përpjekjet e saj për destabilizimin e Ukrainës.” Ndërkohë, ata shprehën gjithnjë gatishmërinë e tyre “për të vazhduar të mbështesin Ukrainën ndërkohë që ajo përpiqet të plotësojë aspiratat ekonomike dhe demokratike të popullit ukrainas”.
Presdienti Obama dhe Kryeminsitri Cameron përfundojnë artikullin e botuar nga Times of London, në vigjiljen e takimit dy ditësh të nivelit të lartë amerikano-britanik në Washington, duke shprehur besimin e tyre se, “Siguria dhe begatia janë të pandashme, nuk mund të ketë siguri pa begati. Dhe se ndërsa përballemi me me terroristët që na kërcënojnë, ndërsa mbajmë të njëjtin qëndrim kundër masave agresive të Rusisë dhe ndërsa vazhdojmë përpjekjet tona drejtë rritjes së përgjithëshme ekonomike, ne njëkohsisht do të vazhdojmë të çojmë përpara edhe sigurinë dhe begatinë, që meritojnë popujt tanë.”
Duket se lufta kundër terrorizmit, përpjekjet e përbashkëta kundër masave agresive të Rusisë dhe rritja ekonomike botërore, do të jenë subjektet kryesore të bisedimeve të nivelit të lartë amerikano-britanik në Shtëpinë e Bardhë gjatë dy ditëve të ardhëshme. Artikulli i shkruar nga Zotërinjtë Obama dhe Cameron sugjeron se kur bota përballet me terrorizëm, me konfliktet dhe kërcënime ndaj stabilitetit ndëkombëtar dhe kur vlerat universale janë në rrezik — janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ato që si gjithmonë më parë, mund të udhëheqin përsëri përpjekjet botërore drejtë një sigurie më të qëndrueshme ndërkombëtare dhe sigurimit të paqës në botë. Është ky një fakt që shqiptarët kudo duhet ta kujtojnë me rastin e përvjetorit të masakrës së civilëve shqiptarë në Reçak të Kosovës nga forcat terroriste serbe, masakër kjo që aso kohe tronditi botën e qytëruar dhe çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe, në mbrojtje të vlerave universale të njeriut.