Amerikanët Rev. Phineas Kennedy dhe zonja e tij Violet Kennedy, engjëjt mbrojtës të shkollës së parë shqipe të vashave në Korçë
Nga Vepror Hasani/
Kur shkolla e parë shqipe e vashave në Korçë, 7 vjet pas çeljes së saj, (1891-1908), rrezikonte të mbyllej, motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi kërkuan mbrojtjen dhe përkrahjen financiare të misionit protestant anglo-amerikan. Nuk vonoi shumë dhe ata dërguan njerëzit e tyre. Më 26 mars 1908 mbërritën në Korçë bamirësit protestantë amerikanë Rev. Phineas Barbour (Barber) Kennedy dhe zonja e tij Violet R. (Bond) Kennedy, bijë e misionarit protestant Luis Bond. Sevastia nuk po u besonte syve: Bordi amerikan me qendër në Boston kishte dërguar në Korçë shoqen e saj të fëmijërisë Violet Bond.
Qiriazët ishin nga fshati Perasi i Kolonjës, por rrugët e emigrimi i çuan fillimisht në Tërnovë dhe më pas në qytetin e Manastirit. Aty u njoh me Violeta Bond (Kennedy). Vitet e fëmijërisë i kaluan bashkë. Kur ishte 4-5 vjeçe, Sevastia shkoi në një shkollë greke, por për shkak të shëndetit të keq që pati ato kohë, nuk qëndroi gjatë aty. U regjistrua në shkollën plotore amerikane të Manastirit që e kishte afër shtëpisë. Pas përfundimit të saj, vijoi studimet në kolegjin amerikan të vajzave në Stamboll. Ëndërronte të bëhej mësonjëse e vashave. Kjo ishte dhe ëndrra e vëllait të saj, Gjerasimit, edhe mëmëdhetarët prisnin të shihnin mësonjësen e parë shqiptare.
Që t’i përfundonte studimet sa më shpejt, u regjistrua në vitin e dytë. Provimet e vitit të parë i dha me sukses. Pas tre vjetësh, në qershor të vitit 1891, me diplomë në dorë, e veshur si djalë, shkoi në burgun Jedi Kule. Lajmin e parë që ishte bërë mësuese deshi t’ia jepte Koto Hoxhit, që mbahej në burg. Koto Hoxhi nuk donte ta besonte. Sevasti Qiriazi kishte hyrë në qelinë e tij. I tha që ishte bërë mësuese, që do t’u mësonte vashave shqiptare gjuhën shqipe, që vëllai i saj, Gjerasim Qiriazi kishte përgatitur çeljen e shkollës së parë shqipe të vashave në Korçë etj, etj. Thonë që në sytë e Koto Hoxhit pati lot.
Përgatitjet për nisjen e Sevastisë drejt Korçës u bënë pa vonesë. Naim Frashëri, që atë kohë punonte në Ministrinë e Arsimit, regjistroi diplomën saj. Leja për çeljen e mësonjëtores u dha me dekret perandorak. Shkolla u regjistrua në emër të Gjerasim Qiriazit, përfaqësues i “Shoqërisë Biblike” britanike në Stamboll për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Mësonjëtorja do të kishte mbrojtjen e “Shoqërisë Biblike” angleze. Ajo kishte lejen e Portës së Lartë për të ushtruar veprimtarinë e saj në Perandorinë Osmane. Mësonjëtorja u çel më 23 tetor 1891. Një vit më pas, Gjerasim Qiriazi themeloi shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore”. Edhe kjo shoqëri do të ishte në mbrojtje të shkollës. Megjithatë, që nga dita e parë e çeljes së mësonjëtores e deri më tani kur mbërriti çifti Kennedy (mars 1908), vështirësitë për të mbajtur mësonjëtoren hapur kishin qenë të shumta.
Sevastia e njohu z. Rev. Phineas Kennedy dhe shoqen e saj të fëmijërisë Violet Kennedy me vështirësitë që kishte kaluar shkolla shqipe e vashave. Intrigat dhe sulmet e klerikëve të kishës greke në Korçë nuk kishin patur kurrë të pushuar. Gjithçka gjendet e shkruar edhe në kronikat e kohës:
“U fol shumë se gjoja shkolla e re synonte t’u prishte fenë ortodokse shqiptarëve, se, duke frekuentuar atë shkollë, vajzat do të bëheshin protestante, se rruga e shkollës shqipe dhe gjuha e përdorur në të ishte në kundërshtim me parimet fetare dhe me mësimet e Krishtit etj, etj. Njkohësisht përhapën fjalë nëpër qytet se prindërit myslimanë që do të dërgonin fëmijët e tyre në këtë shkollë do të internoheshin menjëherë nga autoritetet qeveritare”.
(Hysni Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë 1973, f 101.)
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, dhespoti i Korçës kishte kërkuar vrasjen e Gjerasim Qiriazit. Në pragvjeshtën e parë u tentua atentati i parë, dy muaj më vonë u tentua për herë të dytë. Fatmirësisht vrasësit u zbuluan në kohë në të dy rastet. Patën frikë ta shkrehnin armën. Mësonjëtorja ishte nën mbrojtjen e misionit anglo-amerikan, dhe kjo gjë u shkaktonte frikë. Nuk mund të dilnin hapur. Megjithatë, Mitropolia e Korçës ia arriti qëllimit. Kur Gjerasimi pati një gjendje jo të mirë shëndetësore, njerëzit e kishës bashkëpunuan me mjekët. E helmuan më 4 janar 1894, kur ishte 32 vjeç.
Ndaj, kur Sevasti Qiriazi pa të vinte në Korçë shoqja e saj e fëminisë me bashkëshortin mori frymë e lehtësuar. Mësonjëtorja e vashave do të ishte më e sigurtë. Mbrojtja e shkollës nga amerikanët ishte vërejtuar edhe nga Edit Durham që nga viti 1904, kur vizitoi Korçën. Në librin e saj “Brenga e Ballkanit” shkruan:
“…Meqenëse Korça është një nga qytetet që Greqia kërkon ta aneksojë, dhespoti grek i Korçës është kundër mësimit të gjuhës amtare. Kurse shkolla e vajzave deri tani i ka bërë ballë çdo furtune, sepse është nën mbrojtjen e austriakëve dhe amerikanëve”.
Pas ardhjes së çiftit Kennedy mësonjëtorja e vashave u ndje më e qetë. Ata u bënë engjëjt mbrojtës të mësonjëtores nga sulmet e Mitropolisë greke dhe vrasësve të paguar prej saj: Në atë kohë Phineas B. Kennedy shkruante:
“Ata (klerikët grekë) mund të kërcënojnë prindërit dhe fëmijët , por ne do të vazhdojmë t’i mbajmë brenda shkollës në konvikt dhe e vetmja gjë që mund të bëjnë është që të më marrin mua nga shtëpia me forcë – sepse unë kurrë nuk do të lejoj të mbyllet kjo shkollë’’.
Rev. Phineas Kennedy dhe zonja e tij Violet Kennedy praktikuan metodën amerikane të studimit, sollën një mendësi tjetër, mbajtë ngjallë dëshirën e vashave për të mësuar gjuhën shqipe, ndihmuan familjet e varfëra të vajzave, jetimët dhe të vobektët e qytetit të Korçës dhe të fshatrave. Por me të mbërritur ushtria greke në Korçë, ata u vunë nën kërcënimin e armëve. I detyruan të largoheshin. Gjatë vitit 1914, Phineas dhe Violeta ofruan ndihmën e tyre për njerëzit që ishin vendosur te ullinjtë e Vlorës për shkak të maskrave të kryera në Shqipërinë e Jugut nga ushtria greke.
Rikthimi i çiftit Kennedy pas Luftës së Parë Botërore
Për rikthimin e Phineas dhe Violeta Kennedy-it në Korçë iu referuam kryesisht shtypit të kohës Ngritja e jetimores prej tyre ishte një vepër e lavdërueshme për banorët e qytetit. Ja çfarë shkruhet:
“…Me të filluar kjo jetimore prej Kryqit të Kuq amerikan u mblodhë mjaft fëmijë jetimë të cilët qenë hedhur rrugëve prej fatit të keq, ku u mveshën dhe u ngopnë me bukë. Kështu që sot ndodhen përmbi 20 fëmijë në jetimore. Përkujdestarë të jetimores me të filluarit u emërua zonja dhe zoti Thanas Mborja, të cilit kanë vënë një rregull kaq të mirë sa s’bëhet. Jetimët gjetën në këta, nënën dhe atin, të cilët bota e shkretë s’i la të shijojnë dhe ata dashurinë e prindit…”
“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 7 gusht 1920)
Me të ardhur në Korçë çifti Kennedy u vendos pranë Xhamisë së Madhe të qytetit. Në lagjet e Kasabasë ekzistonin kushtet dhe mundësitë që ofronte koha. Banesat e saj vijonin te jepeshin me qira edhe më vonë. Dy konviktet e vajzave të Liceut Kombëtar ishin: njëra shtëpia e Xhafer bej Luarasit dhe tjetra e Lutfi bej Zavalanit. Për vajzat e trikotazhit u mor si konvikt shtëpia e Ali efendi Qytetzës. Qeveria e Krahinës Autonome e Korcës u vendos në shtëpinë e Lutfi bej Mehmetit. Aty u akomoduan edhe murgeshtat katolike gjatë kohës së luftës. Në shtëpinë e tyre pranë xhamisë mblidheshin të rinj, të rritur, gra dhe fëmijë. Në një prej kronikave thuhet:
“Duke nisur që të dielën që vjen (25 të këtij muaji) do të bëhet lëçitje në gjuhën inglisht çdo të dielë mbrëma më ora 7.30 në shtëpi të zotit Kennedy, prapa Xhamisë së Madhe. Thema këtë të diel do të jetë: Të rinjtë dhe qëllimet e tyre”. Të tjera mbledhje që bëhen atje janë: të dielave, mësim i së dielës për fëmijë më ora 9-10 edhe lëçitje për njerëz të tjerë më ora 10.30-11.30. të premteve mbledhje pasdreke për gra me zonjën Kennedy më ora 3-4”
(“Gazeta e Korçës”, e mërkurë, 21 nëntor 1923)
Violeta Kennedy-in e gjejmë edhe si nënkryetare të grave të Korçës:
“Dje pasdreke, një shumicë gra të mbledhura në sallën e kinemasë “Majestik”, formuan degën e shoqërisë ‘Gruaja shqiptare” që është themeluar para ca kohe nën kujdesin dhe patronazhin e Nalt Madhërisë së Saj, Mëmës Mbretëreshë dhe nën kryesinë e Naltësisë së Saj, Princeshës Sanije Zogu… Kryetare e mbledhjes u zgjodh zonja Violet Kennedy dhe sekretare zonja Eftimia Loni Kristo. Zonja Kennedy mbajti një fjalë të shkurtër dyke shpjeguar rëndësinë e mbledhjes… Pasi u përndanë biletat filloi votimi, i cili u bë me vota të fshehta dhe rezultoi kështu: zonja Violet Kennedy, nënkryetare me vota të plota, zonja Eftimia Loni Kristo, sekretare me 30 vota, zonja Efigjeni Mëria, arkëtare me 24 vota. Këshilltare: Zonja Ismete Sali Zavalani me 31 vota, zonja Viktori Mosi me 23 vota, Zonja Balkëze Frashëri me 15 vota dhe zonja Fiqiret S. Mborja me 14 vota…”
(“Zëri i Korçës”, 9 korrik 1929)
Gjithashtu, në saj të kronikave mësojmë se Phineas dhe Violet Kennedy blejnë në Korçë një truall për shkollë dhe punë evangjelistike:
“Pardje, të diel, në bregun e njohur si bregu i Onço Kullës, i blerë prej Rev. B. Kennedy për shkollë dhe punë evangjelistike për mësim amerikan, u vu përpara një shumice njerëzish, guri i themelit për një ndërtesë të vogël, e cila do të përdoret si një pjesë e shkollës misionare. Toka e sipërpërmendur u ble me ndihmat e bashkënxënësve dhe miqve të Rev.Ph Kennedy dhe zonjës së tij nga Universiteti Princeton dhe nga Kolegji Mount Holyoke, për punë filantropike në misionin amerikan. Pas një fjale që mbajti Rev. Ph. Kennedy shtoi që toka dhe çdo tjatër ndërtesë që mund të ndërtohet dedikohet për shërbim te Perëndia dhe për të ruajtur principet e fjalës së Tij për të shpëtuar karakterin e këtij kombi”
(Gazeta e Korçës, e martë, 19 maj 1931)
Ardhja e Kennedëve në Korçë u prit me kënaqësi të veçantë. Këtë të vërtetë e gjejmë edhe te një artikull përmbledhës për ta, të cilin po e sjellim paksa të shkurtuar:
“…Zoti dhe zonja Kennedy në vendin tonë kanë një lidhje miqësie dhe dashurie që zë vëndin e parë në kronikën e lëvizjes shoqërore shqiptare të shekullit të njëzet.
Z. Kennedy, ky amerikan shpirtmirë, ka ardhur në shqipëri më 1908. Gjatë këtyre 29 vjetëve aktivitetin e tij, këshillat e tij i ka konsakruar për shqiptarët dhe për vendin tonë. Nuk ka dhënë kontributin e tij vetëm në edukime dhe ngushëllime morale, po ka shtrirë dorën dhe me të holla për fatkeqët. Si i ngarkuar nga Kryqi i Kuq e nga të tjerë mirëbërës amerikanë në kohërat më të kritikshme t’okupacionit të huaj në Shqipëri, ka shëtitur dhe nëpër fshatra për të shpërndarë ndihma në të mjeruarit. Për të mos hequr dorë nga qëllimi dhe nga parimet e tij të përcaktuara ka duruar me stoicizëm të gjitha peripecitë e vështirësitë. E kanë shtrënguar disa herë nevoja të lërë shqipërinë e të vejë në Amerikë që prej 1908, po asnjëherë nuk e harroi vazhdimin e misionit në këtë vend që i ka dashur aq fort, veçanërisht në Korçë e në qarkun e këtij qyteti. Z. Kennedy ka fituar një popullaritet me rrënjë. Në tërë kohën që veproi, shkolla e tij në edukatë e në methodha të ndjekura, u gjend një njeri i denj për barrën q’i qe besuar. Aktivitetin e tij e ka përdorur në të gjitha sheshet që kanë patur nevojë shqiptarët. Qytetarë dhe fshatarë kanë gjetuar pranë tij lehtësira e udhëzime për shumë çështje dhe korrespondenca që kanë patur të bëjnë me Shtetet e Bashkuara. Për njerëz më terë kuptimin e fjalës, altruistë si zoti Kennedy dhe Zonja Kendey bota shqiptare duhet të jetë mirënjohëse. Për njerëz që nuk lëvizin këmbë e duar për rroga, po bashkë me lodhjen tretin dhe pasuri për t’u fshirë lotët fakir-fukarasë, shoqëria duhet të jetë shumë detyronjëse…”
(Gazeta e Korçës, e martë 13 prill 1937)Rev. Phineas Kennedy dhe zonja e tij Violet Kennedy qëndruan deri në vitin 1939. Ata do te mbahen mend gjithashtu për shkollën e parë amerikane në vendin tonë.
“Arsimi dhe pedagogjia amerikane e kanë zanafillën e tyre në Shqipëri që në vitin 1908, atëherë kur erdhi në Korçë çifti amerikan Violeta e Fines Kenedi”.
(I. Gogaj: Shkolla teknike e Harri Fulci, f.7)