• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një “lodër” në kohë të shkuar

September 23, 2015 by dgreca

 Tregim nga   Përparim  Hysi   /

 Ndodh, nganjëherë, që futesh në një “lodër” ku nuk ke dashur të luash. Futesh dhe, mandej, zë e luan si lojtar titullar. Siç thuhet  me gojën e popullit: jep një grosh dhe hyn në valle dhe jep pesëqindë e nuk del dot. Kështu ndodhi  dhe me  mua.
      *   *   *  
Këtë histori ma tregoi Behari, një kolegu im. Unë do mundohem që ta sjellë,sadopak, ashtu siç ma ke treguar ai.” Qeshë emëruar në fshatin N…  Aq larg qe nga vendbanimi im,sa, po ta bëja rrugën të gjithë në këmbë (atëherë makinat  qenë të rralla fare), do të doja, pa frikë, një ditë të tërë. Sado që më kishin emëruar larg ( në fshatin tim kish mësues jabanxhinj), do të paraqiteshe në punë, me domosdo. Ndryshe, po mos zbatoje vendimin e komitetit ekzekutiv, pushoheshe menjëherë. Dhe unë si prifti që zuri e kërceu nga belaja, u praqita në punë. Atë natë, përkohësisht, këshilli i fshatit më caktoi të flija tek një fshatar. Qenë vitet ’60-të dhe fshati qe kooperativë. Atje ku bujta atë natë, s’kam se si mos vë në dukje pritjen babaxhanëshe ( me këto që na ndodhen…) dhe,pa dyshim, varfërinë që binte mirë në sy. Sidoqoftë, që të nesërmen m’u caktua  si godinë për të fjetur, një banesë që dikur kish shërbyer për një ushtarak që kish shërbyer aty, në vijën kufitare-detare. Pak kish qëndruar ushtaraku aty dhe,meqë ndërtesa qe bosh, më  strehuan mua. Nga shkolla ku jepja mësim, nuk qe fort afër, por kush po ta qante hallin, në ishte afër apo larg. Majfton që të futje kokën,se, sa për ushqim, ishte mensa e kooperativës që qe, pothuaj, ngjitur me shkollën.
Meqë dhoma e fjetjes ishte goxha larg, unë, dhe pasi haja drekën, kthehesha në shkollë dhe,aty, ose lexoja për qejf tim, o shkoja tek “Vatra e kulturës” që,edhe kjo, ishte po ngjitur me shkollën. Parë me një sy të kthjellët, kohën e kisha me pashë. Po si riosh që isha,e jetoja “këtë kohë me pashë”,si ta kisha me tepricë. Më kish gjetur si me atë personazhin gazmor të rrëfenjave popullore që e shpotitin me” ku leh qen e ku del tym/ ku ia bën daullja bym!. Them tani që po  rrëfehem, i tillë do të ketë qenë dhe ai si unë. Kur them kështu, nuk flas kot. Më gjeje o tek fusha e sportit, o tek vatra e kulturës dhe, pa tjetër, në gjithë veprimtaritë artistike që zhvilloheshin në fshat. Dhe mos kujtoni se bëheshin pak të tilla. Mjafton që  dikush nga rrethi të vinte për “inspektim” dhe ky, dikushi, do kalonte mbrëmjen në fshat, atëherë “për nder” të tij, binin daullet. Daulle vërtet nuk kishte, po kishte orkestër fshatçe dhe luante qeni i  kallajxhiut. – Kemi “ballo”, ndajnate,- dëgjoja që i thoshin njëra-tjetrës ato, kooperativistet. Ndajnate apo në mbrëmje, po kur t’i shihje si ato “modistet” e sotme që nisen për sfilatë, me të vetmin ndryshim: pa tualet fare. Ashtu siç vinin nga puna dhe, ndonjëherë, edhe me rrobat e punës. As që u bënte përshtypje fare që në  një “ballo” do ndryshuar pak garderoba! Po për ç’garderobë flas dhe unë, ku nuk skuqem fare tek rrëfej  për një të vërtetë që sot duket si e përçudur. Kishte prej tyre që vinin dhe zbathur. Dëfrenin për shtatë qejfe (sikur gjithë punët i  kishin në terezi) dhe, në ndodhej aty kryetari i kooperativës (qejfli i  madhe dhe për këto “ballot”) dhe t’u bënte thirrje që,ashtu siç  ishin në “ballo”, të niseshin për aksion (ta zëmë për thyerje misri). pa ngurrim do niseshin drejt dhe  atje. Ç’të tregoj, i kam parë me sytë e mi. Por mos harroj vetëm një gjë: vërtet fshati ku më emëruan mua qe larg e larg, mërguar/ tri male kaptuar (mbi 30 km larg nga Fieri dhe, po t’i shtosh faktin që unë shtëpinë time e kam diku në kufi me rrethin e Beratit), por një gjë duhet ta theksoj: tek ky fshat i largët ( mes shokësh, thosha:-Më kanë caktuar në një fshat ku ndajnë paratë hajdutët!), të gjitha femrat qenë të bukura,sa të binte syri kllap përdhe. Aq më tepër, në sytë e mi, ato  tek shkonin në punë apo dhe në punën e tyre, seç kishin një rrezatim si pak magjik. Epo i riu, si veriu. Mandej, për të qenë  pak më i drejtpërdrejtë, sa të bukura qenë,aq intimitet të jepnin. Ndonjëherë, tek i bëja qejfin vetes, thosha:- Ato  vdesin për mua!!! Epo kjo këndellja ime prej axhamiu vërtet tani ta çon gojën vesh më vesh, por unë flas për një kohë kur merrja fluturim.
                                    *    *    *
-Ka ” ballo” ndajnate,- më tha Zariku.  Kaq qe mjaft për mua. Duke pritur për “ballo”, organizova një  ndeshje futbolli me nxënësit e shkollës dhe,aty, afër mbrëmjes, shkova në “ballo”. “Balloja” bëhej tek lëmi i fshatit, ku në mungesë të korentit, kishin vënë dy “petrogazë” dhe, sa orkestra kurdisej, Zariku, njoftonte:- I thonë “tango”, kësajta! Dy çapa para dhe një më mbrapa! 
Oho,- dalldisi kryetari qejfli,- qo “laço” qenka si ajo vepra e Leninit.  -Tunde,Zarik!  Se Zariku qe violinisti i orkestrës dhe  hiqej dhe si dirigjent. Epo dirigjent,- i thënçin. Unë në ato “ballo” qeshë si ai djali i njerkës që hante dy vezë. Sa lija njërën nga ato valltaret, kapja tjetrën dhe u nxirja ujtë e zi ballove. Po jo vetëm “ballove”. Si pak djall që isha, pothuajëse secilës prej tyre, i bëja propozim. Me demek, jam dashuruar me ty dhe bjerë e vdis. Se,helbete, isha i “sërës” së lartë unë  dhe kisha parë botë me sy. Ato, pse do ta bëj hasha,asnjëherë  nuk ma prishën ajkën duke më zënë besë. Kjo nodhte jo se unë bëja vezën e kuqe apo se isha ndonjë bukurosh që nuk kishte shokun, por duke më parë me një profesion të lakmueshëm për kohën, mendonin se mund të shpëtonin nga zgjedha e fshatit. Qe pak lojë me zarar kjo imja. Ishe si të luaje me zjarrin. Po mua,aso kohe, më rrinte sahati tetë dhe as  e vrisja mendjen për pasojat. Vërtet kështu qe, por jo gjithmonë të shkon kungulli mbi ujë. Se më ndodhi  si me atë historinë e katruves: vete çdo ditë  me të për ujë dhe, një ditë, të mbetet bishti në dorë.
                                      *       *      *
Kështu ndodhi dhe me mua. Pas “ballos”, një natë, tek po shkoja tek dhoma e fjetjes, më kish zënë rrugën Ura! Kur them Ura,e kam fjalën për Uraninë. E bukur qe si ruspë dhe unë në një nga “ballot”, i paskam propozuar. Ajo, pa vënë re, në  e kisha seriozisht atë “propozimin”, më kish zënë pritë dhe donte të ndante fjalën:-Po apo jo?
Sado natë, u befasova nga një “pritë” e tillë dhe rruga m’u duk si me gropa. Më duket se po korrja  atë që mbolla. Doja ta largoja, si pak me politesë Urën, po nuk largohej lehtë ajo. Tani jo vetëm nuk po kërceja “ballo”, po ndjeja sikur po më shkelte dikush në kallo. Mbaj mend që i thashë:- Urë, unë të dua, por ç’e do: unë jam mysliman dhe ti je e krishtere. Po Ura nuk qe dhe aq e pagojë dhe ma këputi si me sëpatë dardhari:-Pse atje, në “ballo”, nuk ishe mysliman ti? Nuk kisha se nga mbaja. Ngeci, karkaleci! Atëherë si për ta bërë pak më të lehtë atë “dhëmbjen mbi kallo”, i premtova Urës se, pas pak kohe, do ndërhyja tek prindërit e saj për ta marrë për grua. Natyrisht, kjo qe vetëm një “lodër” imja,sa për të fituar pak kohë. Dhe në gjithë këtë histori ku “sherrin” e kërkova vet, ja se si ndodhi më vonë.
                                      *    *    *
Kur i premtova Urës, shkollës, për atë vit, po i vinte fundi. Unë  kisha tri vjet aty, tek fshati i “ballove”, dhe kisha kërkuar transferim. Për fatin tim të mirë  dhe të keq për Urën, gushtin e atij viti , kur fillonte viti i ri shkollor, mua më transferuan në fshatin tim. Po atë vit dhe u martova me një mësuese, të njohur prej kohësh. Me fshatin e “ballove” nuk më lidhte më gjë dhe,siç kuptohet,as me Uraninë që e “mashtrova”. As që do ta tregoja këtë histori, po të shkonte deri këtu. 
                                     *     *     *  
Kur takoja ndonjë të njohur,ashtu si me terezi pyesja dhe për Uraninë. Nuk e di pse më mori dreqi  mendtë dhe e mashtrova, kur fare bukur mund të qe bashkëshortja ime. Epo thashë se mos do ta shoh më.  Kur shtrova timeshoqe për lindjen e dytë, në maternitetin e Fierit, po prisja të më  njoftonin për lindjen. Jam befasur dhe gati u hodha përpjetë, kur një mami kërkoi, të shoqin e Teutës (Teutë quhet imeshoqe).- Kush është i shoqi i Teutës?- pyeti mamia.
-Jam unë,- u përjgigja flakë për flakë.
Ndërsa ajo zgjati kokën përmjet sportelit, unë nuk e doja veten më. Mamia që më jepte lajmin e gëzueshëm që imeshoqe kish lindur djalë, ishte Ura! Ajo, sa më pa, u bë  e kuqe flakë dhe mua sa nuk më  ra materniteti mbi kokë.
-Jotshoqe ka lindur djalë,-tha. Dhe iku sikur të kishte bërë faj. Mua më doli gëzimi nga hundët dhe, sa herë  e kujtoj atë”lodër” të kohës së shkuar, pezmatohem dhe mrolem nga një faj që nuk ia fal vetes kurrë.
 
 
                                 Tiranë, 23 shtator 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: Një "lodër" në kohë, perparim Hysi, të shkuar

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT