• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI NISHANI:POLITIKA TË BASHKOHET PËR HAPJEN E DOSJEVE TE SIGURIMIT TE SHTETIT

February 23, 2015 by dgreca

*Presidenti kërkoi gjykim penal për Diktaturën dhe Diktatorin
Kreu i Shtetit shpalli dje vitin e kremtimeve për 25 vjetorin e rrëzimit të diktaturës, duke kërkuar që të miratohet sa më shpejt një ligj i plotë për hapjen e dosjeve si dhe një ligj i posaçëm për lustracionin. Presidenti Nishani deklaroi se Lëvizja e Dhjetorit meriton të kujtohet me një monument, në një nga sheshet e kryeqytetit/
Në 25 vjetorin e rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka kërkuar që aktivitetet që do të organizohen në përkujtim të ngjarjeve që shënuan ndryshimet politike në vend të marrin një profil shtetëror. Miratimi i një ligji të plotë nga ana e parlamentit për hapjen e dosjeve dhe lustracionit, sipas kreut të shtetit, do t’i qetësonte shpirtrat e shqiptarëve. Kreu i shtetit ka sugjeruar gjithashtu se krimet e atij sistemi duhen kujtuar në një datë të veçantë. Sipas tij, në këtë 25 – vjetor edhe lëvizja e dhjetorit meriton të kujtohet me një monument. “Do t’i sugjeroja Parlamentit shqiptar që me ligj të veçantë të kishim një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Kjo datë mund të ishte në diskutim, padyshim, në Parlament, por dhe me grupe të tjera të interesit. Mund të ishte fare mirë dita e ekzekutimit të 22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Por, mund të jenë dhe data të tjera në kalvarin e gjatë të krimeve të komunizmit: mund të jetë dita e varjes së poetit Havzi Nela, por kjo do të jetë një çështje, e cila duhet të diskutohet nga Parlamenti dhe nga grupet e interesit, të ish-të përndjekurve politikë, të shoqatave të ndryshme të Shoqërisë Civile”, u shpreh Presidenti Nishani. “E kam thirrur këtë takim sot me ju për t’ju njohur ju, por edhe përmes jush për t’i përcjell opinionit publik angazhimin tim personal dhe institucional në celebrimin që meriton ky vit, pra 2015-ta, si viti i 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Është një përvjetor, i cili vitin e shkruar u celebrua me të gjithë dimensionin e merituar në mjaft vende të ish-kampit komunist duke filluar me Poloninë, i cili ishte edhe vendi simboli i nisjes së erës së ndryshimeve, me Gjermaninë që gjithashtu ishte një simbol i fortë me rënien e Murit të Berlinit dhe të gjithë transformimeve të mëdha që më pas pasuan këtë proces. Celebrime patëm në Hungari dhe në Poloni. Diktatura komuniste në Shqipëri ka qenë e shtrirë për një periudhë të gjatë dhe e përhapur në të gjithë fazat dhe etapat në të cilat kaloi”. Ai theksoi se proceset e rezistencës erdhën gjithmonë në rritje deri sa kulmuan në përmbysjen përfundimtare të këtë regjimi në 8 dhjetorin e ‘90-tës. “Por janë disa momente, të cilat lidhen me rezistencën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të grupimeve të ndryshme shoqërore: kam parasysh këtu jo vetëm rezistencën që i bëri inteligjenca, por edhe ajo që mund ta quajmë rezistenca e mendimit, e cila u përball në forma nga më të ndryshme me ideologjinë komuniste. Kemi rezistencën që i bëri kleri mysliman, katolik dhe ortodoks pavarësisht represionit dhe krimeve të mëdha që regjimi bëri ndaj klerit jo vetëm me prishjen, shkatërrimin e objekteve të kultit, por edhe me ekzekutime masive të klerit. Procesi i përmbysjes së komunizmit në Shqipëri njohu disa momente kulmore siç kanë qenë organizimet dhe demonstratat e ndryshme në Shkodër, Kavajë, Tiranën të cilat kulmuan me momente të rëndësishme, edhe të rrëzimit të monumentit të diktatorit, i cili ishte momenti i vrasjes së një të frike masive nga ana e qytetarëve. Një moment, i cili meriton një vëmendje të rëndësishme ka të bëjë me vrasjet makabre në kufi. Janë mbi 80 të rinj të reja shqiptarë të ekzekutuara në kufi madje pas ndryshimeve ligjore. Pas ndryshimit të ligjit që regjimi i kohës i bëri duke mos e konsideruar kalimin e paligjshëm të kufirit si një akt kriminal, pavarësisht kësaj periudha u pasua me vrasje makabre në kufi vetëm për arsyen dhe faktin që këta të rinj kërkonin lirinë, kërkonin perëndimin kërkonin të shkonin dhe të integroheshin në botën e kulturuar, në botën e qytetëruar, në botën e civilizimit dhe zhvillimit. Është një moment që kërkon një refleksion të madh jo vetëm në identifikimin e këtyre akteve kriminale, jo vetëm të përgjegjësve të këtyre akteve kriminale dhe në kundërshtim të plotë më ligjin e kohës por edhe të simbolikës së madhe që reflektonte akti i këtyre shqiptarëve, të cilët kërkonin orientimin në tërësi të shoqërisë drejt botës së lirë drejt perëndimit”. Presidenti Nishani kërkoi vendosjen e një date përkujtimore për rrëzimin e komunizmit dhe ngritjen e një monumenti për Lëvizjen e Dhjetorit. “Lëvizja e Dhjetorit e Studentëve mbetet padyshim lëvizja lider në tërë këtë proces të përmbysjes përfundimtare të regjimi komunist në Shqipëri. Janë një sërë personalitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare që iu gjendën pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve jo vetëm për t’i inkurajuar, jo vetëm për t’ju bashkuar, jo vetëm për të gjeneruar ide dhe një aksion të përbashkët për t’i dhënë goditjen përfundimtare regjimit komunist, por njëkohësisht edhe për ta orientuar shoqërinë shqiptare drejt standardeve që ajo meriton, të cilët njëkohësisht mendoj se duhen vlerësuar dhe duhen nderuar. Është një vit, i cili kërkon angazhimin serioz për të kujtuar dhe celebruar 25-vjetorin e rënies së komunizmit nga të gjitha institucionet e shtetit. Ndaj, kam marrë iniciativë për të organizuar dhe drejtuar disa evenimente me profil shtetëror. I bëj ftesë t’i bashkohet qeveria shqiptare, Kryetari i saj, Parlamenti shqiptar, opozita shqiptare në mënyrë të tillë që të koordinohen dhe realizohen aktivitete dhe evenimente, të cilat meritojnë të sjellin në vëmendje pasojat e tmerrshme që pati krimi komunist në Shqipëri, regjimi stalinist në Shqipëri, pasojat që la dhe reflektimi për të ndërtuar një qasje më dinamike drejt standardeve të lirisë dhe demokracisë që meritojnë Shqipëria dhe shqiptarët. Në këtë vit të 25-vjetorit të rënies së komunizmit besoj që është periudha më e mirë që Parlamenti shqiptar të miratojë një ligj të gjerë dhe të thellë për hapjen e dosjeve jo vetëm të drejtuesve të Sigurimit të Shtetit, por dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, duke qetësuar njëherë e përgjithmonë shpirtrat e gjithë shqiptarëve. Njëkohësisht Lëvizja e Dhjetorit meriton të jetësohet me një monument të caktuar në Tiranë, që duhet të jetë një angazhim i Bashkisë së kryeqytetit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në bashkëpunim me shoqatat e ish-të përndjekurve politikë. Si President i Republikës do të ofroja të gjithë angazhimin maksimal për t’u dhënë ceremonive të ndryshme, përgjatë këtij 25-vjetori, profilin e merituar shtetëror, nderimin e të gjithë atyre që i rezistuan, të gjithë atyre që kontribuuan në përshpejtimin e rënies së këtij modeli, i cili ishte modeli më i tmerrshëm në gjithë hapësirën e ish-vendeve komuniste të Evropës”, theksoi Nishani. Gjithashtu, kreu i shtetit kërkoi edhe hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Në këtë drejtim, Nishani propozoi miratimin e një ligji të plotë, duke kërkuar edhe hetim e gjykim penal për Sigurimin e Shtetit, për ata që e ndërtuan, e udhëhoqën dhe kryen krime, madje edhe në kundërshtim me ligjet e kohës.
“Ky vit është viti më i përshtatshëm që Parlamenti shqiptar të bëjë një ligj të plotë të lustracionit të bazuar mbi ekspertizën dhe asistencën më të mirë ndërkombëtare dhe të atyre vendeve, të cilët e kanë aplikuar ligjin e lustracionit në vendet e tyre”.

Zoti President, një tjetër çështje – Ju folët për hartimin e një ligji për hapjen e dosjeve, ndërkohë ka një tjetër diskutim në Kuvend; është propozimi i Ministrit Naço për komisionin e reformës në drejtësi dhe një ndër propozimet është përjashtimi i Presidentit të Republikës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ndryshimi i procedurës për zgjedhjen e Kreut të Shtetit. Ju personalisht ç’mendim keni?
Unë do të mbështes çdo vendim që ligjvënësi, legjislativi, i cili është pushteti i vetëm që përfaqëson vullnetin e sovranit për të hartuar legjislacionin, për të bërë ndryshime kushtetuese, për të bërë ndryshime ligjore, dhe unë si një qytetar i këtij vendi do të mbështes dhe do të respektoj maksimalisht të gjitha ndryshimet që mund t’i bëhen Kushtetutës, që mund t’i bëhen ligjit dhe natyrisht ajo që unë inkurajoj, ka të bëjë me faktin që çdo ndryshim të jetë në përputhje me standardet dhe me lartësinë që meriton një shtet i së drejtës, një shtet i lirë dhe një demokraci funksionale ku Shqipëria pretendon të jetë e kyçur.

Zoti President, ju folët për ligjin për hapjen e dosjeve. A nuk është e vonuar Shqipëria për miratimin e një ligji të tillë? Cili është apeli juaj për klasën politike shqiptare?
Po, besoj që është e vonuar dhe nuk ka dilemë që është e vonuar. Por, unë jam i bindur që sado të zgjatet në kohë, sado që të vonohet më tej, Shqipëria do t’i hapë një ditë dosjet, jam i bindur për këtë, por ky është momenti më i mirë dhe më i përshtatshëm edhe për reflektim nga të gjithë për të kompensuar kohën e humbur dhe për të krijuar mundësitë e një relaksimi dhe paqtimi shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.

Duke mbetur tek ligji i dosjeve – Aktualisht madje gjatë kësaj jave pritet që në Kuvendin e Shqipërisë të vijë zyrtarisht propozimi i qeverisë shqiptare që nuk parashikon lustracion. Kjo do të thotë në fjalën tuaj ju përmendët ‘hapje të dosjeve’ dhe ‘lustracion’. Në rast se nuk do të përfshihet dhe lustracioni në ligjin që do të vijë nga qeveria, nga Parlamenti, do të thotë që Ju mund të mos e dekretoni këtë ligj? Dhe pyetja e dytë, folët për një seri aktivitetesh, kërkuat mbështetjen e qeverisë shqiptare. Keni pasur zyrtarisht, në mënyrë institucionale konsulta paraprake për këto aktivitete? Përmendët edhe çështjen e mbështetjes financiare…
Në lidhje me pyetjen e parë, natyrisht pa marrë përsipër për të gjykuar një vendim të Presidentit, apo një dekret pa parë përmbajtjen, përputhshmërinë me Kushtetutën e vendit të një akti që vjen në Presidencë, mund t’ju them me siguri se pavarësisht dimensionit që do të përmbajë një ligj që ka të bëjë me hapjen e dosjeve, apo me lustracionin do të ketë mbështetjen gjithmonë të Presidentit të Republikës dhe do të firmoset. Por, ajo që unë kërkoj dhe sugjeroj është që, të kemi një ligj të plotë në të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e merituar të hapjes së dosjeve jo vetëm të atyre që e ndërtuan, e udhëhoqën atë mekanizëm kriminal për të cilin unë mendoj që është koha që Shqipëria edhe me asistencën ndërkombëtare të kërkojë hetim dhe gjykim penal për mekanizmin e Sigurimit të Shtetit, për krimet që ka bërë në kundërshtim dhe me ligjet e kohës. Por, kjo mbetet në vullnetin e ligjvënësit. Ajo që Presidenti ka qëndrim të palëkundur është që, do të mbështesë çdo iniciativë pavarësisht se ajo sado ta ketë në thellësi dhe gjerësi dimensionin e saj. Përsa u takon çështjeve të tjera, unë jam padyshim i hapur për çdo lloj bashkëpunimi. Kur kam kërkuar buxhetin në fillim të vitit, një nga pikat që i jam adresuar qeverisë ka qenë pikërisht buxheti për të celebruar 25-vjetorin e rënies së komunizmit në Shqipëri dhe kjo ka qenë publike, zyrtare ashtu siç do të vijojë të ofrojë ftesa institucionale për t’u konsultuar dhe bashkëpunuar me qeverinë, Parlamentin dhe opozitën për këtë çështje.

Filed Under: Analiza Tagged With: :POLITIKA TË BASHKOHET, PËR HAPJEN E DOSJEVE TE SIGURIMIT, presidenti Nishani, të shtetit

Reagim i vakët i institucioneve të shtetit

February 23, 2015 by dgreca

Të thuhet se qytetarët e Kosovës po hanë krunde në vend të bukës dhe të mos aktivizohet i tërë aparati kompetent për të hetuar këtë shqetësim, kjo vetëm sa e forcon dyshimin për përzierje të njerëzve të profilit të lartë në këtë “ krim” të papresedan/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nga java e shkuar mediat aktivizuan alarmin për një ngjarje që pak kush e ka pritur se do të mund të ndodhte dhe që në asnjë mënyrë nuk do të guxonte të ndodh në një shtet normal. U dha alarmi se qytetarët e Kosovës një kohë të gjatë në vend të bukës po hanë krunde dhe merre me mend deri me tash kemi vetëm një deklaratë të të parit të qeverisë se kërkon një informacion lidhur me këtë dukuri si dhe të ministrit për financa që, po ashtu, kërkon të njëjtën gjë. Ky reagim i vakët i institucioneve të shtetit vetëm sa e forcon edhe më fuqishëm dyshimin së në këtë “ krim” janë të përzier edhe profile të larta të shtetit të Kosovës. Po e them këtë se po të ndodhte në ndonjë shtet tjetër një dukuri e tillë jam i sigurt se do të aktivizoheshin e gjithë aparatura kompetente për të hetuar në detaje prejardhjen e grurit dhe përbërjen substanciale të këtij ushqimi që, në rend të parë, e përdorin qytetarët e vendit tonë. Ndoshta ka filluar të punohet diçka në këtë drejtim, mirëpo kjo nuk është transparente karshi qytetarëve të cilët tash e disa ditë jetojnë e presin në panik se çfarë mund të ndodh me ta për shkak të përdorimit të këtij lloji gruri për ushqimin e familjeve të tyre. Pavarësisht se këto mund të jenë supozime, megjithatë, kjo nuk është shaka dhe institucionet e shtetit duhet që për çdo ditë të japin informacione se çfarë është duke u punuar dhe deri në çfarë shkalle kanë arritur hetimet e para në këtë drejtim.
Pse shukat prokuroria?!…
Pos inspektoratit përkatës që duhet të punojë natë e ditë për të hedhur në dritë të vërtetën e hidhur për këtë dukuri të papresedan, për mua është e pakuptimtë se përse deri me tash nuk është aktivizuar edhe prokuroria, policia dhe organet tjera kompetente. Të thuhet se qytetarët në vend të qumështit të lopës po përdorin qumësht pluhur dhe në vend të bukës po hajnë krunde, ndërsa në anën tjetër këto organe nuk e ndërmarrin asnjë hap, kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme. Prokurori i ri i shtetit pas zgjedhjes së tij në këtë post ët lartë, bukur shumë i dha “ zjarr” se do të punoj shumë në çrrënjosjen e shumë dukurive negative që janë prezente pothuajse në të gjitha poret e jetës dhe të punës, mirëpo mos aktivizimi i tij, përkatësisht qëndrimi i tij inferior karshi kësaj dukurie mjaft serioze, lë shumë për të dëshiruar se ai do të jap kontribut të rëndësishëm në këtë fushë . Puna dhe aktiviteti i Prokurorisë së shtetit në këtë moment do të duhej të përqendrohej edhe në punën, përkatësisht lëshimet që janë duke u bërë në doganë nga kuadro të larta, të cilët nuk e bëjnë pa u shpagua nga firmat e mëdha, sidomos nga ato që kanë monopol në shumë fusha të veprimtarisë ekonomike. Një fjalë popullore thotë se të keqes duhet me i ra në kokë për ta zhbë, ndërsa institucionet dhe organet kompetente të shtetit të Kosovës duhet merren me njerëzit e “ fort” që vendin e kanë sjell buzë greminës. Kjo mund të ndodh vetëm nëse ka guxim e vullnet. Ndryshe perspektiva për një jetë më të mirë e më të shëndetshme për qytetarët tanë dukët mjaft e zymtë.
Sa paguajnë devollët tatim për dhjetë mijë të punësuar?
Në një reagim të vëllezërve Devolli, të cilët mirëpresin një hetim për këtë alarm të ngritur, e thanë edhe këtë se më këtë “fushat” që po bëhet po rrezikohen të ardhurat e dhjet mijë familjeve në Kosovë. Kjo mund të kuptohet se në kuadër të kësaj kompanie janë të punësuar dhjet mijë punëtorë. Edhe këtu ka hapësirë për të hetuar se a kanë të gjithë këta të punësuar kontrata të punës dhe apo e paguajnë të gjithë tatimin e obliguar në të ardhura personale. Apo ndoshta shumë prej tyre punojnë në të “zezë” duke iu shmangur obligimit që kanë ndaj shtetit.
Dhe krejt në fund: Qytetarët e vendit tonë nga fillimi i këtij viti u ballafaquan me dy dukuri mjaft të rënda dhe të papërballueshme. E para ishte braktisja e mijëra familjeve në vendet e perëndimit , ndërsa e dyta “afera” e grurit dhe qumështit. Inshalla nuk ndodh edhe ndonjë ngjarje tjetër që do të fut panik e pasiguri tek qytetarët tanë. E mira e së mirës do të ishte që qeveria dhe organet e saj të jenë më transparente, sepse tek e fundit ata janë të obliguar edhe me aktin më të lartë të vendit- Kushtetutës që të punojnë për të mirën e vendit dhe prosperitetin e qytetarëve të saj. Përkundër këtij obligimi reagimi ishte mjaft i vakët. Të shohim se çfarë mund të ndodh në ditët në vijim…

Filed Under: Analiza Tagged With: i institucioneve, Reagim i vakët, të shtetit, Xhavit Citaku

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT