Shënime të gazetarit në hapësirë të Seminarit të 10-të Mbarkombëtarë të Mësimit të Gjuhës Shqipe në Disaporë”, qe do te mbahet ne BERAT-29 KORRIK-1 GUSHT 2014/
Arsimtarët nga Greqia, në një numër fizikisht më të madh se sa kolegët e tyre kosovarë, numër që çdo vit rritet me hapjen e kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe tashmë që nga veriu në jug dhe që nga toka në det të Greqisë, ndjehen jetimë.
Mësuesit shqiptarë në Greqi punojnë ku mundin, në punë të zakonshme punëtori me mëditje, baza e jetesës së familjeve të tyre. Mësimin, të shtunave dhe të dielave, e bëjnë me shpirt, vullnetarisht, njëlloj siç bënin para më se një shekulli mësuesit në gjithë Shqipërinë në kushtet e pushtimit osman, si rilindës të vërtetë të gjuhës shqipe në Greqi.
Mësuesit mërgimtarë në Greqi janë e do të mbeten “RILINDËS TË KOHËS SONË” – si i ka quajtur Dritëro Agolli, patriarku i letrave shqipe dhe i fjalës së urtë.
***
Faleminderit MËSUESE, e para e mësueseve në Shkollën shqipe të Selanikut, për përgjigjen e shpejtë dhe korrekte. Veçanrisht mbyllja më mbolli mendime që nuk i shkul dot por edhe nuk i lë dot që të rriten e nxjerrin farë.
I përgjigjeshit pyetjes sime: Pse kërkoj senacë publike për mësuesit e Greqisë?…
… Siç kam shprehur dhe vite të tjera nuk më pëlqen sjellja prej viktime e grupit të Greqisë. Ne jemi një grup mësuesish që meritojmë dinjitet dhe jo lëmoshë. Bëjmë atë që dëshirojmë pa patur nevojë ndjenjat e qeverive. Bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë pa kërkuar mirënjohje nga askush. Janë miliona njerëz mbi tokë që bëjnë punë vullnetare pa bërë zhurmë.
Vitin e kaluar në Ulqin, seminarin e 9-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, kur një referuese nga Svicra përmendi shifrën 4 milojnë euro në dispozicion të shkollimit shqip të mërgimtarëve, u ndjeva ngushtë. Kaq ngushtë u ndjenë edhe të gjithë mësuesit shqiptarë nga Greqia. Për referuesen ishte legjitime që të fliste për “cilësi didaktike” të seminarit, cilësi që, siç theksoni ju, seminari “duhet ta ruaj këtë”. Jam i një mendje me ju kur thoni: “Unë e shoh çdo ditë sa i nevojshëm është seminari për mësuesit tanë.”
I nevojshë seminari por…ata “katër miljonët” më ngatërrojnë dhe nuk mundem ta çoj përpara mendimin tim, madje edhe të pranoj se “seminari është i nevojshëm” në kushtet e një diference midis dy pjesëmarrësve të seminarit, të atyre nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Teknoligjisë të Republikës së Kosovës dhe të atyre nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë.
Arsimtarët me të vërtetë të përkushtuar profesionalisht të Kosovës janë në kushte komode në seminar. Kanë pagë mësuesi të sigurt në shtetet ku japin mësim. Janë të siguruar në të gjithë drejtimet deri në daljen në pension si mësues. Janë të ligjëruar si mësues dhe janë pjesë në amzën e Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës. Në seminare vijnë në pushimet e verës, pushime të paguara nga shteti nga vijnë.
Arsimtarët nga Greqia, në një numër fizikisht më të madh se sa kolegët e tyre kosovarë, numër që çdo vit rritet me hapjen e kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe tashmë që nga veriu në jug dhe që nga toka në det të Greqisë, ndjehen jetimë.
Mësuesit shqiptarë në Greqi punojnë ku mundin, në punë të zakonshme punëtori me mëditje, baza e jetesës së familjeve të tyre. Mësimin, të shtunave dhe të dielave, e bëjnë me shpirt, vullnetarisht, njëlloj siç bënin para më se një shekulli mësuesit në gjithë Shqipërinë në kushtet e pushtimit osman, si rilindës të vërtetë të gjuhës shqipe në Greqi. Ka më se trembëdhjetë vjet nga 7 marsi 2001 kur u hap Shkolla Shqipe e Selanikut. Numrohen më se njëmijë nxënës që kanë mësuar të shkruajnë e lexojnë gjuhën shqipe në Selanik e Janica. Kanë dhënë mësim ndër vite 21 mësues.
Dua t’ju pyes ju që jeni e para e kësaj shkolle: Sa herë kanë ardhur në Selanik, kanë hyrë në një klasë ku jepet mësim shqip, kanë bërë vrejtjet e veta për anën metodike të dërguar të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë? Sa nga këta 21 mësues janë vlerësuar me thjesht një “Fletë nderi” për mos me thënë me tituj të tjerë deri në titullin “Mësues i merituar” etj. nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe e shtetit shqiptar? Sa nga mësuesit e Selanikut (dhe të gjithë Greqisë) janë në amzën e Ministrisë së Arsimit dhe kanë dosjen e tyre si mësues në këtë institucion përgjegjës me kushtetutë (Nei 8/3- “Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjen me trashigiminë kulturore kombëtare” dhe Neni 57/1 “Kushdo ka të drejtën për arsim”) ?
Dhe një pyetje tjetër rutinë:
Sa herë gjatë këtyre 13 vjetëve që jepni me përkushtim heroik mësim në Selanik ke marrë, në ditë të shënuara të Arsimit Shqiptar, 7 Mars dhe fillimin e vitit shkollor, ndonjë urim nga Ministri/a e Arsimit të Republikës së Shqipërisë?
Për të vazhduar më tej: Sa herë ke parë qoftë edhe një rresht të vetëm të përmenden mësuesit shqiptarë në mërgim në përshëndetjet me gojë e me shkrim të ministrit/es së Arsimit të Shqipërisë në fillimvitet shkollorë?
Dhe më tej: Sa herë në 7 seminaret që mësuesit shqiptarë në Greqi kanë zhvilluar gjatë 7 vjetëve ka ardhur ndonjë përfaqësues i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë që të dëgjojë e shikojë ecurinë e mësimit të gjuhës shqipe nga mësuesit dhe nxënësit shqiptarë në Greqi?
Dhe më e papranueshmja: Sa herë është përcjellë nga titullari i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë thjesht një përshëndetje me adresë Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi me urimin “Punë të mbarë seminarit…” ?
Ju e nderuar mësuese e parë e gjuhës shqipe në Greqi, thoni: “Nuk më pëlqen sjellja prej viktime e grupit të Greqisë”
Mësuesit mërgimtarë në Greqi nuk janë viktimë. Ata janë e do të mbeten “RILINDËS TË KOHËS SONË” – si i ka quajtur Dritëro Agolli, patriarku i letrave shqipe dhe i fjalës së urtë.
Dhe siç vazhdoni më tej… Ne jemi një grup mësuesish që meritojmë dinjitet dhe jo lëmoshë. Bëjmë atë që dëshirojmë pa patur nevojë ndjenjat e qeverive. Bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë pa kërkuar mirënjohje nga askush.
Unë kërkova zyrtarisht që në programin e seminarit të dhjetë mbarëkombëtar për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë (që këtë vit do të zhvillohet në Berat) të krijohet një hapësirë prej dy orësh për të paraqitur dëshminë historike “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe filmin dokumentar “Një mësuese e shqipes në dy ishuj të Egjeut”. Në libër dhe në dokumentar përcillen vlerat e mësuesve por edhe problemet e gjuhës shqipe në mërgimin grek. Një prezantim brenda karrikeve të seminarit, si edhe në rastet e tjera vëzhguar nga të gjithë pjesëmarrësit në seminare gjatë këtyre viteve, për mua mbetet i mbyllur në harresë. Një prezantim në publik, prezantim në qytetin e Beratit, do të ngjallte kërshërinë e medias dhe të shoqërisë shqiptare për fenomenin e jashtzakonshëm për kohën tonë: “Mësimin në mënyrë vullnetare, pa tekste mësimorë, pa ndihmë metodike zyrtare, pa shpërblim, madje nën kërcënimin e segmenteve atavikë të djegies në zjarr të gjuhës shqipe”.
Në kërkesën time theksoja se një gjë e tillë do të tërheqë vemendjen e bisnesmenëve të cilët mund të japin ndihmë.
Kjo nuk është lëmoshë…
Në librin “Shkolla shqipe e Selanikut”, një kapitull i tërë (faqe 195-209) ka si kryetitull “DHURO NJË ABETARE”, thirrje e mësueses Anila Jole, e përkrahur nga të gjithë mësuesit e Selanikut, thirrje që zgjoi interesin e shumë individëve e bisneseve në mbarë Shqipërinë dhe solli 300 libra dhuratë për fëmijët që mësojnë të shkruajnë e lexojnë gjuhën e nënës në Selanik dhe Janica.
Këtë duhet ta bënte Ministria e jonë e Arsimit. Nuk them se absolutisht nuk e ka bërë në këto 13 vite mësim të gjuhës shqipe në Greqi. E ka bërë në pak raste nëpërmjet dërgimit të abetareve me adresë të dy konsullatave (Janinë dhe Selanik) dhe Ambasadës në Athinë, por shumë me vonesë, me shumë përtesë, pas shumë thirrjesh publike.
Ju respektoj si jeri dhe si mësuese, madje më erdhi mirë kur të pashë të protestoje me bojkotim të seminarit të Beratit për arsyen (banale do ta quaja) pse Ministria e Arsimit nuk u pagoi mësuesve biletat e udhëtimit nga Greqia në Tiranë (rreth 50 euro secilit dhe në total më pak se 1500 euro) në kuadrin e seminarit të Ulqinit. Me ju u bashkuan edhe katër mësues nga Italia. U bashkova edhe unë në një shkrim publik në shtypin shqiptar përcjellë edhe në adresë të Ministres së Arsimit dhe të Sporteve të Republikës së Shqipërisë. Nuk vonoi që të konfirmohet nga ana e Kryetarit të Lidhjes së Mësuesve të Greqisë se paratë e biletave të udhëtimit do të paguhen.
Kjo nuk është lëmoshë, është të qëndrosh në këmbë në të drejtën tënde, me kokën lart.
E çfarë do të humbë një mësuese që punon me mish e me shpirt, sakrifikon pushimet e fundëjavës, le në harresë familjen, fëmijët e moshës foshnjore, humbet ditët e punës thjesht për tu mësuar fëmijëve të komunitetit ku jeton të shkruajnë e lexojnë shqip, përveçëse “prangat” që shteti, me harresën që i bën një komuniteti fëmijësh sa një e katërta e fëmijëve shqiptarë në Shqipëri, ua ka vënë në duar e shpirt?
Ju më shkruani…
Ne jemi një grup mësuesish që meritojmë dinjitet dhe jo lëmoshë. Bëjmë atë që dëshirojmë pa patur nevojë ndjenjat e qeverive. Bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë pa kërkuar mirënjohje nga askush. Janë miliona njerëz mbi tokë që bëjnë punë vullnetare pa bërë zhurmë.
Një shkenctar natyralist, rreth dy shekuj më parë, deklaronte…”Ne nuk duhet të presim lëmoshë nga natyra, t’ia rrëmbejmë asaj – kjo është detyra jonë”!
Në seminarin e Beratit mësuesit e Greqisë duhet të shkojnë të bashkuar jo për lëmoshë por për të marrë atë që u takon…
Shteti ynë nuk duhet të mësohet me atë që thoni ju me modestinë e emrit që mbani në mësimin e gjuhës shqipe në Selanik, “Shoqata Nëna Terezë” … Janë miliona njerëz mbi tokë që bëjnë punë vullnetare pa bërë zhurmë.
Nuk duhet të mësohet…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 1 korrik 2014