• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A duhet të shëmbet Teatri Kombëtar?

March 28, 2018 by dgreca

Nga lir Levonja/

Të paktën për ne shqiptarët duhet të ishte pyetja më naive. Jemi një vend që nuk ka as më shumë e as më pak se njëqind vjet kulturë institucionale, memorie, a histori. Dhe ta mendosh se vendet përreth kanë mijëvjeçarë. Edhe pse nga ana tjetër jemi një rracë më e vjetër se ata, më të vjetër se çifutët e gadishullit të palestinës. Mirëpo nga ana tjetër jemi armiqtë më të mëdhenj të vetvetes. Armiqtë më të egër të historisë. Kaq naivë jemi, sa…, sa kujtojmë se përshembull një gradaçelë, është më e vlefshme se një teatër kombëtar. Jemi mizorë. Sepse mendojnë se po ndërtojmë demokracinë, kur jemi tërësisht duke notuar në diktat’ ! Këtë ma rikujtoi një aktivist i çështjes kombëtare, një djalë Gjakove me emrin Zekeria Cana. Dhe ja përshembull shihni sot Kosovën, apo Dardaninë me histori të madhe, një tufë të dehurish që qeverisin dhe rrahin gjoksin me ca arrestime show, thua se kanë kapur majat. Një tufë legenësh në Tiranën e drogës, rryfshetit, plagjiaturës, pangopjes me pushtet e vjedhje që diskuton ato pak vlera artistike. Dhe ankohet si kurvat se nuk ka fonde të bëj një teatër të ri, diku a dikund. Me demek duke përdorur tokën e xanun tashmë, për ca kulla e teatro xhamash modernë. Pika që nuk u bie… ca çape të Kadri Roshit aty, vërdallë, në ato rrugina, a trotuare, janë më shumë se sharmi i ndonjë zoge zeshkane, a ndonjë kotele prej pambuku nga ato që mbajnë erë Gucci e flenë kolltuqeve të qeveriut. Në përgjithësi ne jemi një soj legenësh, pasi në statute e fjalime, themi shpesh, ishim me fat që jetuam kohën tënde. Me fat që të kishim mes nesh. Por nga ana tjetër një lloj soji epidemi që vdes të shfarosi gjithçka. Por e vërteta ajo është mor të mjerë, me fat ishim që i kishim e jetuam kohën e atyre burrave a mbretëreshave të skenës tonë. Ndaj ruaji si sytë e ballit ato që sot i quani vende ku bluan mola, ku të mbyt lagështira. Nuk ka ironi më të madhe për ne shqiptarët, që u alarmuam kur bëhej fjalë për prishjen e piramidës së diktatorit, historisë së mënxyrave. Dhe sot jemi susuar, solidarizuar me heshtjen dhe rrimë e bëjmë sehire kur një ikonë e kishës sonë artistike si Robert Ndrenika, shëtit rrugëve i trishtuar. Kur një palo legen si Edi Rama i heq të drejtën e fjalës. Ne masturbohemi nga qejfi, hokatarë, teserista, qylaxhinj, taksidarë…, të gjithë të ”doktoruar”.

Vërjani kazmën. Jeni bijë të çnderuar të atyre që dogjën e shkatërruan kishat e xhamijat më 1967-tën. Jo pak, por mbi dymijë e ca objekte kulti. Tani hiqemi sikur bëjmë ca restaurime. kemi vrarë vetveten, kemi shkatërruar vetveten me duart tona. Aq sa është groteske kur bredhim botës dhe bëjmë foto me kishat e Romës e Athinës. Tonave u bëmë shurrën në kokë. Tani kthejuni teatrove, se, nuk keni lekë…

Dhe nuk e di, se si heshtin shumë e shumë artistë të tjerë, që sot janë gjallë. Soji i tyre. Se si heshtin kur shohin se si i varin në litar. Se si i varrosin për së gjalli ata dhe brezin që në krahasim me fushat e tjera, i dhanë atij vendi sharmin e domosdoshëm për të që në bashkëkohës me si vendet e tjera të rajonit. Me të gjithë pluset dhe minuset, krijuat një industri më të vlefshme se ajo e tekstileve, e metaleve etj…, që nuk ishin asgjë tjetër, por varkat e braktisura nga vendet e kampit komunist si BRSS-ja apo Kina e Maos. Zoti u ruajt, po është tmerr t’i vësh kazmën një portreti si Serafin Fanku përshembull. Mbajini ato zgiqe me histori të madhe, reparojeni e meremetojini se të prishësh është fare kollaj.

Nëse nuk e bëni dot si qeveri jepjani fundjavës ndryshe. Toka ku ka shkelur teto Ollga është mallkim të mbulohet.

Kthejeni në një akademi ku të rinjtë të dëgjojnë se si bubullinte përshembull Piro Mani. O mishëngrënës shqiptarë…, është një epokë që nuk përsëritet më. Por në sojin tonë ka nga ata që fjalët i nxjerrin nga gishtat, me theks të huaj, dhe nesër mbrëma ngrysen ministra e presidentë. Në fakt fjala del nga ashti i zemrës. Dhe kur del, dhëmb zemra, jo mollzat e gishtave. Dhëmbin tëmthat e kokës, jo thonjtë e ngjyer.

Këtu pranë meje, ka rënë një pemë…, është shumë e madhe. Shumë e vjetër. E rrëzoi stuhia ca muaj më parë. Ajo e tmerrshmja me emrin Irma që sot e kësaj dite ka lënë akoma pa energji e shërbime të tjera Porto Ricon. Ditë më ditë shoh rreth saj njerëz. I pastrojnë anët, rënien. Megjithatë nuk është tharë, por edhe e rrëzuar lëshoi lastarët e rinj të stinës. Dhe ata i shërbejnë, megjithëse i kanë aty sharrat dhe kosat. I shërbejnë dhe nuk mërziten pse ajo me përmasat e saj ngjason me një çadër gjigande si ajo e cirkut të Tiranës.

Kurse ne të mjerët, të pa ngopur mirë me krimet e baballarëve tanë, u jemi kthyer krimeve të reja. Nuk e di se, si ”besimtarë” të mëdhenj që jemi, a do na i fali ai, i madhi mëkatet e pashtershme.? A do na mundësoj futjen në normalitetin e një kombi të vjetër sa vetë njerëzimi.? Sinqerisht nuk e di…

Filed Under: Analiza Tagged With: A duhet të shëmbet, Ilir Levonja, Teatri Kombetar

Teatri Kombëtar, censura e djeshme zyrtare është zëvendësuar sot me një censurë të fshehtë

November 9, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Qysh i vogël kam patur dëshirën për të shkruar. Lexoja shumë, madje edhe libra që nuk ishin për moshën time, sidomos klasikët e letërsisë botërore, Homerin, Danten, Balzakun, Shekspirin, Servantesin, Tolstoin, Dikensin, Londonin, Drajzerin e plot te tjerë, librat e te cilëve mund t’i gjeja në libraritë e vendit. Adhuroja gjithashtu veprat e autorëve tanë, Naimit, Çajupit, Ali Asllanit, Asdrenit, Mjedës, Foqion Postolit, Migjenit, Nolit. Këto bënë që të shquhesha në lëndën e letërsisë në shkollë. Hartimet e mia, sipas mësuesve, ishin nga më të arrirat e klasës.
Ishte tetori i vitit 1957. Kisha disa muaj që isha liruar nga burgu. Ishte ora e korigjimit të hartimeve. Profesori i letërsisë, i nderuari Milo Duni, kishte shkruar me laps blu në fund të hartimt tim:
“Gjuhë dhe stil i sigurt. Vazhdo të shkruash tregime”
Ndërsa më poshtë vazhdonte me një laps të kuq shprehjen e vendosur në thonjëza:
“Po të kesh kohë të lirë”
Vrisja mendjen për të kuptuar se ç’donte të thoshte profesori me shprehjen me laps të kuq. Së fundi e kuptova qëllimin e tij. Megjithatë vendosa ta provoja. Shkrova një tregim ku personazhi i vetëm ishte një jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e Luftës. Fëmija kishte mbetur pa asnjë përkrahje. Së fundi gjendet i vdekur në hyrje të një pylli. Tregimi kishte si titull një fjalë të urtë popullore: “Njeriu pa nënë si nata pa hënë”.
E dërgova shkrimin në gazetën “Letrari i Ri” që botohej në atë kohë. Nuk vonoi dhe erdhi përgjigja:
“Shkrimi juaj nuk mund të botohet pasi ai nuk paraqet gjendjen reale të të rinjve në vendin tonë. Personazhi juaj nuk është i riu i sotëm socialist. Tregimi juaj u ngjan tregimeve dekadente të Perëndimit.”
Për të thënë të vërtetën përgjigjja më vuri në pozitë të vështirë. Prisja ditë-ditës rikthimin tim në ferrin, nga i cili kisha pak kohë që kisha dalë. Por kjo nuk ndodhi. Atëherë heshta. Qysh atë ditë nuk guxova të shkruaj më. I ruhesha një kontrolli në shtëpi. Një gjë e tillë vazhdoi deri sa ndodhi përmbysja e diktaturës. Atëherë u zgjova. Fillova përsëri të shkruaja. Tregimet i botoja në gazetat e kohës. Botova, gjithashtu, edhe dy romane dhe një libër me kujtime nga mosha e rinisë.
Ngjarjet e romaneve i kisha marrë nga realitetet që kisha jetuar vetë ose miqtë e mi. Një nga këto subjekte ishte edhe ai i romanit “Shkallët e Ferrit”. Subjekti i këtij romani, me pak fjalë është ky:
Agron Canaj, biri i një dëshmori të Luftës Nacionalçlirimtare, i kishte mbaruar studimet e larta për inxhinieri elektrike në Pragë të Çekosllovakisë, ishte kryeinxhinier i ndërmarrjes elektrike të qytetit, shoqërohej me dy inxhinierë të rinj, por me një prejardhje nga shtresa që kishte humbur luftën. Kjo bie në sy të Sigurimit të Shtetit që i kërkon me këmbëngulje bashkëpunimin për demaskimin e shokëve të tij. Agroni nuk pranon. Arrestohet dhe torturohet për të pranuar akuzën, por nuk përulet. Para syve të tij operativi i Sigurimit dhe hetuesi i nxjerrin gruan dhe vajzën 15 vjeçare. Tentojnë t’i përdhunojnë. Detyrohet të pranojë dhe të nënshkruaj. Shokët arresohen dhe dënohen. Njeri prej tyre ekzekutohet. Gjatë viteve të burgut provon braktisjen që i bënë shoqëria për shkak të tradhtisë që kishte bërë duke denoncuar shokët. Ndërkohë gruaja dhe vajza, pasi ai nënshkruan deklaratën, përdhunohen nga kriminelët. Vajza pëson çregullime mendore dhe hidhet nga ballkoni. Gruaja, kur kupton se ka mbetur shtatazanë,
helmon veten. E ëma, në çastin e vdekjes, i jep një letër që ia kishte shkruar e shoqja në çastin e fundit. Pas dy vitesh ndërron jetë edhe ai. Një tragjedi e trefishtë. Tragjedia personale, ajo e familjes dhe tragjedia e shoqërisë.
E kisha bërë zakon që për romanet e mia këshillohesha edhe me motrën time, një figurë e njohur në artin skenik. Ajo më sugjeroi që me motivet e këtij romani të shkruaja një monodramë. Iu vura punës. E përfundova. Motra e lexoi dhe më bëri vërejtjet e saj. E ripunova. Ia tregova një dramaturgu dhe dy aktorëve të njohur të Teatrit Kombëtar. Prita vlerësimin e tyre, por ai nuk erdhi. Ua dhashë edhe tre regjizorëve të tjerë. E njëjta gjë. Asnjë përgjigje. Ia dërgova ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar. Ai e dërgoi në konkursin kombëtar për 100 Vjetorin e Pavarësisë. Në përfundimet e konkursit monodrama ime nuk u përmend as për mirë dhe as për keq. Atëherë ia dërgova një të njohurit tim, një regjizori tjetër që jetonte jashtë Shqipërisë. Së fundi prej tij erdhi përgjigjja e mëposhtme:
“I dashur z. Reshat
Kjo vonese eshte vetem ne kthimin e pergjigjes, por nuk qe aspak ne leximin e vepres qe me derguat. E lexova qe ate mbremje. Se pari ju falenderoj qe me zgjodhet mua t’ju jap gjykim per të dhe, posibilisht, te merrem me fatin e metejshem te saj. Nuk njoh librin tuaj qe nga e keni nxjerre por me mjaftoi vete monodrama e cila kishte energji artistike te brendeshme, pathos ndjenje dhe kthjellesi goditje. Per nga ana e te ndjerit dhe te kuptuarit ju e dini qe une ndaj me ju te njejtet emocione. Nga pikepamja artistike me la nje pershtypje te bukur forma, permbajtja, ritmi skenik. Subjekti nuk eshte fare i virgjer, por thene me autoritet dhe besueshmeri. M’u duk se ju zoteroni dhe nje vizion mjaft te pelqyeshem skenik, pervec kultures qe rrezaton, fraza, shkrimi, gjuha dhe bukuria e logjikes. Pra ju pergezoj sinqerisht dhe jo formalisht, sic eshte bere zakon i peshtire ne rrethet tona. Persa i perket realizimit ne skene, une nuk pergjigjem dot me po aq entuziazem, sepse jam larg. E kam ne konsiderate ta inicioj projektin edhe ketu, packa se edhe ketu nuk jane lehtesirat qe mendohen. Per atje, flasim kur te vij nga tetori, nese nuk keni rene nderkohe ne kontakt me ndonje artist tjeter (qe une jua miratoj pa zili). Ne tetor do t’ju takoj pa tjeter. Dhe nderkohe ju uroj shendet dhe rinovoj edhe nje here pergezimet qe ju shfaqa. Te fala”
Së fundi mendova se kishte ardhur koha që monodrama ime mund të vihej në skenë. Por kjo nuk ndodhi. Regjizori në fjalë erdhi në Shqipëri, por me mua nuk mori kontakt. Arsyen e di ai vetë.
Motra ime bisedoi, madje ua dha edhe tekstin e monodramës, me një aktor dhe një regjizor të njohur. Ata e lexuan dhe u treguan të gatshëm për ta venë në skenë, por nevojiteshin fondet. Teatri Kombëtar nuk u tregua i gatshëm. Mendova të kërkoja një sponsorizim nga ndonjë biznesmen i përndjekur politik. I kërkova takim një të tilli, por ai as që denjoi të më priste. Atëherë u tërhoqa. M’u duk vetja sikur isha kthyer në një lipës.
Në muaji prill të këtij viti, papritmas, më vjen një ftesë:
“Teatri Kombëtar, për të sensibilizuar dhe promovuar dramaturgjinë shqipe, zhvillon debatin “Sfidat e dramaturgjisë shqiptare në kontekstin e zhvillimeve bashkohore”.
Takimi do të mbahet në Teatrin Kombëtar, në datë 15 Prill 2014, duke filluar me pritjen në orën orën 16:30.
Vlerësojmë se pjesëmarrja dhe përfshirja juaj në zhvillimin e këtij debati me rëndësi mbi dramaturgjinë tonë kombëtare do të kontribuonin në punimet e këtij takimi. Bashkëlidhur me ftesën do të gjeni dhe programin.”
Ishte një tubim mjaft i dobishëm. Shkova, madje edhe diskutova. Shpreha mendimet e mia për teatrin shqiptar. Mbështetur në vendimet e këtij tubimi dërgova në konkurim monodramën time, të cilën e ripunova edhe një herë më parë. Prisja rezultatin e këtij konkurimi. Dy regjizorët dhe tre aktorët e njohur të komisionit të vlerësimit i lexuan dhe i vlerësuan veprat. U zhvilluan tre faza vlerësimi. U lexuan shumë prej tyre në prani të një publiku. Çuditërisht monodrama ime përsëri as që u përmend fare. Unë, autori i saj, nuk mora asnjë përgjigje për vlerësimin e saj nga juria e mësipërme. Unë mendoj se një juri vlerësimi, e përbërë nga figura kompetente të njohura, duhet t’iu kthente një përgjigje secilit prej konkurentëve.
Do të doja të kisha një përgjigje nga të gjithë ata që u njohën me mondramën time. Do ta doja edhe në rast se ndonjë prej tyre do të kishte kurajon të më shkruante se monodrama nuk vlen fare. Kjo ishte prova ime e parë në dramaturgji dhe nuk çuditem fare nëse ndokush do të më shkruante se nuk jam për këtë profil. Por, duke marrë parasysh se kjo monodramë ka marrë vlerësim pozitiv nga një regjizor i njohur si ai që jeton jashtë Shqipërisë, se një vlerësim pozitiv ka dhënë edhe ime motër, specialiste e kësaj fushe, dhe aktori e regjizori që morën përsipër vënien e saj në skenë, si dhe dërgimin e saj në konkursin e 100 Vjetorit të Pavarësisë nga ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, pa kërkesën time, më bëjnë të mendoj se monodrama, po të kishin vullnetin e mirë dhe po të mos ishin arsye të tjera si druajtja nga ndonjë person i së kaluarës që ende është në pushtet, me një regjizor të aftë, do të ishte vënë në skenë dhe besoj do të kishte pasur sukses për vete subjektin që trajton.
Meqënëse përmenda subjektin, kam mendimin se është pikërisht ky shkaku i heshtjes së individëve të përmendur më sipër. Përse do të thoni ju? I shtyrë nga riciklimi i disa figurave të përlyera në krimet e kryera në kohën e diktaturës komuniste në jetën politike të sotme, vendosa të avancoja në sublektin e romanit. Monodramën e solla në ditët tona. Ku shihet ky avancim?
Në monodramë Agron Canajn e ftojnë të ngrihet nga varri dhe të tregojë krimet që kishte pësuar. Ai ngrihet dhe del në skenë por, çuditërisht, ndeshet me ish-operativin e Sigurimit dhe me ish-hetuesin e tij, duke mbajtur leksione rreth demokracisë perëndimore. Sheh miun e birucave tashmë kryetar shoqate të përndjekurish dhe thotë:
“Si thatë? Dy sigurimsat po flitkan për drejtësinë? Për cilën drejtësi? Mos vallë për atë që duhet t’i dënojë ata? Po miu i birucave? Kryetar i një shoqate të përndjekurish? Jo, jo nuk ka mundësi. Nuk mund të jenë ata. Ato janë vetëm hijet e tyre.”
Dhe, së fundi, largohet se nuk mund të jetonte më së bashku me hijet dhe u bënë thirrje bashkëqytetarëve të tij të mos harrojnë të kaluarën.
Monodrama mban pikërisht tirullin “Mos harroni!”
Mendoj se teatri shqiptar duhet të shkëputet me më shumë guxim nga ndikimet partiake që ndërrohen çdo katër apo tetë vjet dhe të ketë më shumë pavarësi për të arritur nivelin që kërkon koha dhe për rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e spektatorëve. Historia botërore ka treguar se dramaturgë të shquar kanë ngritur në veprat e krijuara zërin e protestës kundër padrejtësive shoqërore që sundonin në vendet e tyre, megjithatë ato vepra kanë gjetur rrugën e vënies në skenë në teatrot me zë të botës. Mund të japim vetëm një shembull, atë të dramaturgut të mirënjohur amerikan, Artur Miller që, megjithse i ndjekur nga i famshmi ligj i mbiquajtur “Mak Karti” , gjeti rrugët për shfaqjen e kryeveprave të tij “Pamje nga Ura”, “Shtrigat e Salemit” e të tjera. Unë mendoj se këtë rrugë duhet të ndjekin edhe teatrot shqiptare.
Rri edhe mendoj për të shkuarën dhe të tashmen time. Mirë në të shkuarën që për mua ishin të mbyllura të gjitha rrugët e të shkruarit dhe të botuarit, pasi isha shpallur person i padëshërueshëm për regjimin, po sot kush më pengon për të shkruar atë që mendoj? Kush e pengon monodramën time? Çensura zyrtare që zhvillohej dje është zëvendësuar me një çensurë të fshehtë që zbatohet sot. Unë e kam shprehur më lart mendimin tim për këtë. Po lexuesit? Ju drejtohem të gjithë atyre që e kanë lexuar të shfaqin një vlerësim për të, qoftë pozitiv ose negativ. Ju siguroj se, sido që të jetë, do t’ju jem mirënjohës pasi kështu ata do të kenë kurajon ta shprehin mendimin e tyre ashtu siç e mendojnë. A do të ketë në Shqipëri një individ që do të guxojë të shfaqë këtë monodramë në këto kushte? Unë jam në pritje.
Monodramën e kam ripunuar disa herë. E lexoj dhe rilexoj. Duke lexuar më dalin parasysh vargjet e mrekullueshme të Migjenit:

“O kangët që fleni, reliket e mia,
Q’ende s’keni prekun asnji zemën t’huej,
Vetëm unë me ju po knaqem si fëmija,,
Unë djepi juej, ndoshta vorri juej!”

Filed Under: Analiza Tagged With: censura, reshat kripa, Teatri Kombetar

Teatri Kombëtar Shqiptar nuk është vetëm ai i Tiranës

April 21, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Me termin “Teatër Kombëtar Shqiptar” nuk duhet të nënkuptojmë vetëm teatrin që ndodhet në Tiranë, por të gjitha ato teatro kombëtare që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në trevat ku banojnë shqiptarë, në Shkodër apo Prishtinë, në Vlorë apo Gjakovë, në Korçë apo Shkup, në Durrës apo Ulqin. Mendoj se fizionominë e tij teatri kombëtar shqiptar duhet ta mbështesë, në rradhë të parë, në krijimtarinë kombëtare. Duhet të ketë një barazpeshë midis pjesëve kombëtare me ato të huaja, në mënyrë që peshorja të anojë nga ajo kombëtare. Ka një diferencë ndërmjet teatrit kombëtar dhe teatrove private ku këta të fundit, për interesat e tyre komerciale, mund t’i kushtojnë epërsi pjesëve të huaja. Një shembull i tillë nuk duhet të ndiqet nga teatrot kombëtare.
Një vëmendje e veçantë mendoj se duhet t’i kushtohet dramaturgjisë së traditës. Me termin dramaturgji e traditës nuk duhen mohuar edhe disa drama ose komedi dinjitoze të krijuara gjatë periudhës totalitare. Natyrisht, ne duhet të mbështetemi më tepër në dramat e krijuara para asaj periudhe të errët, drama të lënë në harresë nga politika që buronte nga lufta vrastare e klasave. Më lejoni t’ju sjell një shembull:
Në vitin 1920, kur u vu në skenë, për herë të parë, në sallonin e shfaqjeve të Kolegjit Saverian në Shkodër, melodrama “Ora e Shqypnisë” e njërës prej figurave më të shquara të intelektualve të ekzekutuar nga diktatura, qysh ne ditët e para të regjimit, Dom Ndre Zadesë, kur protagonisti i shfaqjes këndonte:

Adrijes, m’thuej krenare,
Vlona asht tokë shqyptare.

Spektatorët shpërthyen në duartrokitje të stuhishme dhe, në këmbë, thërrisnin:

Rrnoftë Vlona shqyptare! Rrnoftë Vlona Jonë!

Më thoni, të nderuara zonja dhe zotërinj, a nuk do ta nderonte skenën shqiptare sot shfaqja e një melodrame të tillë, sidomos për të rinjtë e nxënësit? Pra, dalim te një ide, te vënia në skenë e pjesëve për kategori të caktuara spektatorësh, nga teatrot kombëtare Po tragjedia e kollosit të letërsisë shqipe, At Gjergj Fishta, “Juda Makabe, drama “Prej robnijet në liri” e Vinçenc Prenushit, tragjeditë e Etem Haxhiademit apo drama e Ernest Koliqit “Rajët lëvizin”, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Shkodër në vitet 70-të dhe që është një parashikim i shkëlqyer i rënies së perandorisë komuniste, ku rrëfen triumfin e ardhshëm të një shoqërie në të cilën nuk ka hakmarrje, por fisnikëri sipërane, a nuk mund të vihen në skenë?. Unë mendoj se ndonjëra prej tyre mund të mos i përgjigjet kritereve të dramaturgjisë së sotme, por jam, gjithashtu, i mendimit se një regjizor i mirë mund të nxjerrë prej tyre një shfaqje dinjitoze
Me të drejtë lind pyetja: A ka dramaturgji të vërtetë shqiptare? Unë jam i të njëjtit opinion me ata që mendojnë se ka, por nuk vlerësohen si duhet. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por kryesorja është se regjizorët, aktorët dhe punonjësit e tjerë të teatrove kombëtare ndoshta ngurojnë për shkak të koncepteve të krijuara si rezultat i presionit të politikës.
Disa kohë më parë, Gabriel Partosh, në një intervistë dhënë televizionit “Top Channel” deklaronte:

Në Gjermani dhe në Francë dënohe po deklarove se nuk është zhvilluar gjenocid gjatë
Luftës së Dytë Botërore.

Për fat të keq në Shqipëri nuk ekziston një opinion i tillë. Po të vëresh me vëmendje realitetin e Shqipërisë së sotme do të arrish në përfundimin se opinionin publik po mundohen ta orientojnë drejt tendencës së harrimit të periudhës totalitare. Nuk mund të ndërtohet e ardhshmja pa kujtuar të kaluarën, qoftë ajo e ndritur apo e errët. Një gjë e tillë është mjaft e gabuar. Ka 70 vjet që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore dhe veprat me subjekt nga holokausti nazist kundër hebrejve janë ende mjaft të kërkuara. Mjafton të sillja si shembull filmin e mrekullueshëm “La vita e bella” me Roberto Beninjin i cili në vitin 1997 fitoi tre çmime Oskar. Mendoj se dramaturgjia shqiptare i ka mbetur mjaft borxh pasqyrimit të holokaustit komunist kundër vetë shqiptarëve.
Kjo përsa i përket dramaturgjisë së traditës. Ndërsa për dramaturgjinë e ditëve tona, ku autorët janë vetë gjallë, mendoj se bashkëpunimi i tyre me regjizorin ose edhe protagonistin do të jetë çelësi i suksesit të pjesës çka, për fat të keq, ka munguar pothuajse fare. Më lejoni ta ilustrojë këtë me një shembull personal.
Në vitin 2008 botova romanin “Shkallët e Ferrit”, kushtuar depersonalizimit të intelektualit në sistemin totalitar. Këtë roman në vitin 2012 mendova ta shndërroj në një monodramë por, me të vetmin ndryshim nga romani, që ngjarjet e tij vazhdojnë deri në ditët tona, duke goditur një plagë të shoqërisë së sotme siç është ajo e riciklimit të disa prej figurave të përlyera gjatë periudhës totalitare në krye të organeve drejtuese të shtetit shqiptar, gjë që nuk ndodh në vendet e tjera të ish perandorisë socialiste. Mjafton t’ju sjell vetëm një shembull, në Hungari në muajin mars 2014 filloi gjyqi i ish ministrit të brendshëm të viteve 1957-1961, 92 vjeçarit Bela Biszku, i akuzuar si urdhërues për masakrat e kryera kundër pjesëmarrësve në revoltën e vitit 1956
Këtë monodramë ua dhashë për të më dhënë opinionin e tyre dy regjizorëve të dëgjuar, emrat e të cilëve nuk dëshëroj t’i përmend. por njeri prej regjizorëve nuk denjoi të më kthente përgjigje. Përse? Nuk vlente monodrama apo druheshin se mos i dogëndiste dikujt me detyrë të lartë? Mua nuk do të më vinte fare keq po të më kishin thënë se monodrama nuk vlente. Megjithatë përgjigja nuk erdhi.
Regjizori tjetër, që aktualisht banon jashtë shtetit, midis të tjerave më dërgoi përgjigjen e mëposhtme:

Nga pikepamja artistike me la nje pershtypje te bukur forma, permbajtja, ritmi skenik. Subjekti nuk eshte fare i virgjer, por thene me autoritet dhe besueshmeri. M’u duk se ju zoteroni dhe nje vizion mjaft te pelqyeshem skenik, pervec kultures qe rrezaton, fraza, shkrimi, gjuha dhe bukuria e logjikes. Pra ju pergezoj sinqerisht dhe jo formalisht, sic eshte bere zakon i peshtire ne rrethet tona.

Regjizori më premtoi se do të vinte në tetor dhe do të më takonte. Në fakt u kthye, por me mua nuk mori asnjë takim. Përse? Mos përmbajtja e monodramës cënonte dikë?
Atëherë ia dërgova ish-Drejtorit të Teatrit Kombëtar i cili, për të thënë të vërtetën, e dërgoi për konkurim në konkursin e organizuar me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ia dhashë edhe sime motre, e cila më këshilloi për disa ndryshime që i kreva, madje i ndërrova edhe titullin. Motra bisedoi me një regjizor dhe një aktor që do të interpretonte. U treguan të gatshëm për ta venë në skenë, por nevojiteshin fondet, në një kohë kur vetë teatri, që është shtetëror, i disponon regjizorët, aktorët dhe fondet e tjera të nevojshme për shfaqjen. Mendoj se është korrekte që kujtdo autori t’i jepeshin argumentet pse pjesa teatrore nuk është e përshtatshme për t’u vënë në skenë, ose kur ka vërejtje të pjesshme, t’i bëhen ato. Këto do të ishin përgjigje dinjitoze.
Si përfundim, mendoj se teatri kombëtar shqiptar, në rast se kërkon të quhet i tillë, duhet të shkëputet me më shumë guxim nga influencat partiake që ndërohen çdo katër apo tetë vjet dhe të ketë më shumë pavarësi për të arritur nivelin që kërkon koha dhe për rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e spektatorëve. Historia botërore ka treguar se dramaturgë të shquar kanë ngritur në veprat e krijuara zërin e protestës kundër padrejtësive shoqërore që sundonin në vendet e tyre, megjithatë ato vepra kanë gjetur rrugën e vënies në skenë në teatrot me zë të botës. Shembull për këtë mund të japim rastin e dramaturgut të mirënjohur amerikan, Artur Miller që, megjithse i ndjekur nga i famshmi ligj i mbiquajtur “Mac Carti” , gjeti rrugët për shfaqjen e kryeveprave të tij “Pamje nga Ura”, “Shtrigat e Salemit” e të tjera. Unë mendoj se këtë rrugë duhet të ndjekin edhe teatrot kombëtare shqiptare.
Mbajtur në takimin mbarëkombëtar për dramaturgjinë shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: reshat kripa, Teatri Kombetar

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT