• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“VËSHTRIM SINTAKSOR NË POETIKËN E ASDRENIT”

January 23, 2023 by s p

(Me rastin e 150-vjetorit të lindjes)

  Prof.dr. Tefë Topalli

      (Profesor Emeritus)

150-vjetori i Asdrenit, poeti që nuk shkroi vetëm himnin, por edhe vargje  romantike – A2 CNN

A b s t r a k t

Asdreni, që zë një vend nderi në letërsinë e Rlindjes sonë Kombëtare, duke u shtrirë edhe gjatë periudhës së Pavarësinë, është ndër poetët më të kompletuar që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të traditës  dhe që radhitet me të drejtë përkrah Mjedës, Nolit, Zef Skiroit dhe Migjenit. Ai jetoi e shkroi në mërgim, Bukuresht të Rumanisë, dhe ishte pjesëmarrës e veprimtar aktiv i lëvizjeve për liri e pavarësi, përparim shoqëror dhe lulëzim të Shqipërisë. Pa u zgjeruar në jetëshkrimin e tij, themi se vjershëtari drenovar pati një fëmijëri të hidhur, rini të vështirë dhe pjekuri të palumtur, derisa u nda së gjallësh, në mjerim, më 1947.

Në këtë shkrim, autori ka bërë objekt të punës së tij gjuhën poetike të Asdrenit, përndryshe, vështrimin e sintaksës së vargjeve, në rrafshin stilistikor të disa vjershave që autori ynë i Rilindjes Kombëtare dhe i Pavarësisë, i ka hartuar në variantin e shkruar të Veriut, përfshirë edhe një paraqitje të vjershërisë së poetit për larminë e strukturave strofike, nga distikët, tercinat, strofat me katër dhe gjashtë e tetë vargje, ndërtimet kolonë, strofat safike, tingëllimat, si dhe rimemat e skemat e tyre brenda kësaj njësie poetike. Mendojmë se ky vështrim brenda nivelit sintaksor dhe stilistik, sillet për herë të parë në këtë masë, ka mjaft risi hulumtimi nga këndvështrimi i poetizimit të leksikut, sintagmave dhe ndërtimit të frazës me përbërësit e saj funksionalë, aq më tepër që autori i këtij kumti ka veçuar edhe vjershat e gjata, duke i quajtur poemtha, pasi kalojnë mbi njëqind e më tepër, deri 400 vargje. Për Asdrenin, na duket me vend ajo që, autori, në pjesën e parë të punimit sjell të dhëna e fakte vlerësimi e studime që janë bërë për artin e këtij poeti drenovar, si para Luftës II Botërore, kur ai bëri emër në letërsinë tonë, ashtu edhe pas saj, duke përfshirë sidomos, botimet e herëpashershme të krijimtarisë së tij dhe lartësimit të asaj që pruri të re në vjershërinë shqipe, prej personaliteteve, si: Konica, Fishta, Karl Gurakuqi, Dh. Shuteriqi, L.Poradeci, R. Qosja në veçanti,  S. Hamiti, K. Bihiku, J.Bulo, R.Elsie.

***

I. H Y R J E :    Çdo gjë për Asdrenin….V l e r ë s i m i

Në këtë hyrje të këtij shkrimi për Asdrenin, po sjellim në mënyrë kronologjike studimet që i takojnë krijimtarisë së poetit drenovar. I pari që e ka njohur dhe vlerësuar është Faik Konica, i cili ka shkruar tek revista  e tij, “Albania” një kritikë, ku, ndër të tjera lexojmë: “Duke qenë se këndonjësit e së Përkohëshmes e njohin zotin Asdreni  si vjershëtuar, nuk do t’i zgjat tepër fjalët: veç dua, aq shkurt sa më mundet, të shfaq këtu disa mendime: të parën, përmi karakterin e vjershësjës në “Rreze të Diellit”: të dytën, përmi metrikë a masërie: të tretën përmi gjuhë të “Rrezeve”. 

I.Që në fletë të para të librit, vjershësia e z. Asdren shfaqet e lehtë, e qetë: fjalët kullojnë jo si dropull a përrua, po si një lumë pa vala, i shtrihur në mes barërash: Ashtu në krye, dhe ashtu gjer në fund. Mund të thohet përmi vjershësie të z.Asdren, ato që thotë vetë te vjersha “Natyra”(f.12)…Po vjershëtori i luleve e i gjelbërimit gjen një zë të gjerë e të rëndë kur këndon atdhenë e të ngjarat e mbëdha të Shqipërisë. Palla e Skënderbeut, që dolli më parë te “Albania” (e mbajnë mend, besoj, të gjithë këndonjësit tanë), mund të tregohet si pasqyra e mënyrës së z. Asdren në vjershësi trimërie. Ç’mendim i bukur, e sa bukur i derdhur, mendimi i dy vijëve të fundit:

…Se s’pret palla q’është një hekur i dheut

  Po pret dor’e fuqishm’e Skënderbeut !

II. Kanunet e metrikës shqipe janë të shumta. Masa më klasike është ajo tetëkëmbëshe….

III….Tërësia e “Rrezeve” është plot me vlerë letrare, e ky libër është një nga fare të pakët që meritojnë të jenë në libërtore të çdo shqiptari a të huaji që punon gjuhën shqipe. Mënyra e shieshme me të cilën u shtyp libri, është sipër çdo lëvdate. (1904)

**

Pas tij, ka vlerë të njihemi me paraqitjen që i bën Gjergj Fishta kësaj vepre poetike të Asdrenit, botuar në revistën e njohur të urdhërit françeskan “Hylli i Dritës”, që duhet të jetë i dyti shkrim, lidhur me përmbledhjen “Ëndrra e lotë”.

Asdren – Endra e lotë

Vjerrsha- Bukuresht – Shtyp.”Gutenberg” 

Str. Doamnei 20. 1912.-

“Qe një libër sikush! Mundet me u thanë me gjithë arsye, se me këtë libër vjershash asht shtue fort pasunia e literaturës shqipe; pse fillim e mbarim këtij libri ndihet një fllad i ambël njomësie e hijeshie fort të kandshme. Për në qoftë e vërtetë çka thotë Bajroni, se poezia përbahet prej ndiesive të nalta e të ambla, e prej shqiptimit të mbarë e të ardhshëm, padyshim libri i z.Asdren, “Endra me Lotë” përmbledh në vetvete shumë poezi të thjeshta, tue qenë që ndër të pesë pjesët, ndër të cilat asht nda libri, vegojnë mendime të naltueshme, të shprehuna me gjuhë të pastër e të  hijshme. Mbas mendimit tim, ky libër tfaqë ma së miri çka ka të hijshëm në vetvete dialekti i Toskënisë. Do shqiptarë, kur shkruejnë shqip, e përziejnë gegnishten e toskënishten në një mënyrë kaq të vrazhdë, sa mos me t’u ba me e këndue. Ajo s’asht gjuhë: ajo asht si mushku, që s’asht kalë as gomar.  Për me u përba gjuha letrare, nuk asht nevoja, nuk asht nevoja me krijue një gjuhë të re: lypet vetëm me e njoftë gjuhën e me i ditë rregullat e saj mirë, e masandej me i rreshtue fjalët në shkrim me mjeshtri; e, atëherë koha e dija e estetika kanë me gjykue se cili dialekt do zgjedhë për gjuhë letrare në Shqipni. Për këtë arsye libri i Asdrenit asht një shembull, që do ndjekë prej shumëkujt. Unë shpresoj se autori ka me punue prap e prap, pa u lodhë, në Parnas të Shqipnisë, e se, me botime të tjera, ka me begatë ma tepër pasuninë e literaturës shqipe, tue u mundue mbas sotit me iu vu pak gja ma tepër teknikës së vjershave e trajtës së përjashtme të poezisë. “

                                                            (Gjergj Fishta, Vepra-9, Botimet “Fishta”, 

                                                     Lezhë, 2004, f. 155-156) (Hylli i Dritës, 1914/9, f. 264)

Njëri nga poetët në foton më lart, Lasgush Poradeci, i ka kushtuar një vjershë – portret me dy tercina, poetit drenovar:

                                                  A s d r e n i t

Burr’i urtë-e i veçuar,

 Shqipëtar me shpirt të qruar,

 Vjershëtor vjershëkënduar:

                                                             ***

Pate shkruar e punuar

Kombin për ta kombësuar,

Shqipen për ta shqipëzuar.

Studiuesi i tretë, i nivelit të lartë shkencor, që e ka pranuar Asdrenin si poet të shquar, madje edhe në një libër mësimi për shkollat e mesme, është E.Çabej, i cili e ka radhitur autorin mes shkrimtarëve shqiptarë që duhen studiuar nëpër shkollat shqiptare të kohës.Në faqet e para që shënuam Çabej jep pak të dhëna jetëshkrimi, tre vëllimet e botuara: Rreze Dielli, Ëndrra e Lotë e Psallme Murgu. Lidhur me artin e Asdenit, shkruhet: “Asdreni është poet lirik që rron në artin e për artin e tij. Ay është poet artist në kuptimin e plotë të fjalës. Vjershat e tij janë të punuara mirë dhe të përsosura në pikëpamje formale. Ay është mjeshtër i formës.Është për t’u vrejtur se gjithë veprat e Asdrenit kanë një njësi dhe kontinuitet organik midis tyre. Kjo njësi i përshkon të gjitha.Bashkë me këtë njësi shohim dhe zhvillimin e poetit nëpër veprat e tij: ky vjen gjithnjë duke u përsosur. Ideja e atdheut dhe ndjenja e natyrës gjejnë shprehje të gjallë te ky poet. Ky është këngëtar i jetës së katundit dhe i qyteteve të vjetra shqiptare. Gjuha shqipe…Por me rëndësi ka fakti që Asdreni formon kalimin nga brezi i kaluar në poezinë moderne shqiptare. Gjuha shqipe është duke u derdhur te ky poet në forma të ra…” Në lëndën antologjike autori ka zgjedhur 7 poezi, kryesisht prej përmbledhjes “Psallme Murgu”.                                                            ***

Edhe poeti e përkthyesi Petraq Kolevica, ka një të dhënë mjaft interesante, e cila lidhet me Asdrenin, nga L.Poradeci, botuar së voni, si kujtime për poetin e liqenit….

“…Siç thashë, poezia duhet të jetë koncize. Ja për shembull, pozia që kam bërë për Asdrenin. Tepër e shkurtë është, po unë i kam thënë të tëra ç’duhet thënë për të: Burr i urtë e i veçuar. Kështu ishte Asdreni. Shumë njeri i mirë, i urtë dhe gjithmonë i vetmuar: Shqipëtar me shpirt të qruar. Patriot i madh ishte. Erdhi edhe vullnetar në kohën e princ Vidit për të luftuar me armë. Dhe pastaj i përmend atributet e tjera: Pate shkruar e punuar-Shqipen për ta shqipëzuar-Kombin për ta kombësuar. Po ai Maloki thotë: Pse, ky është Asdreni? Po, ky është! Kaq mund të them unë për të. Për Naimin kam thënë më tepër, se për Naimin ke ç’të thuash më tepër.”

                                       ***

 “Mbledhja e parë e vjershave të tij me titullin “Rreze dielli” u botua në Bukuresht më 1904. Zef Skiroi e pret me këto fjalë lindjen e kësaj vepre….”Nuk kemi nevojë për shum fjalë për të lavdëruar veprën e Asdrenit, vetëm themi, me gëzim të math, se në këto vjersha, të cilat shpërndajnë me të vërtetë rreze dielli, ay ka fituar një vend me nder pranë poetëve kombëtarë më të famshëm.”Shkrimtaret Shqiptare 2-Adrion LTD

Revista “Albania”, nga ana e saj, shkruan: “…Gjuha e z. Asdren ësht e kulluar, elegante dhe e gjallë…” Duke u njohur me paraqitjen e poetit drenovar, në këtë tekst letërsie, mësojmë se te revista e mësipërme Faik Konica, shkruan se Asdreni “është një poet i cili në vargjet e tij është përpjekur që të përhapij midis djalërisë shqiptare ndienjën kombtare.”   

                                      ***                                        

                                  Botime e studime pas Luftës II Botërore
Asdreni – Rreze Dielli e book Part 1 - Libraria Ime

Asdreni i kushtoi shumë vëmendje dhe përpjekje formës poetike. Në krye gjuha e krijimeve të tij ishte e ngathët, shprehja e zbetë, krahasimet të zakonshme; në një varg krijimesh të para gjejmë mfigura të kërkuara, dikimi i leximeve romantike, si “rngjëllore”, “magjiplotë”, “verbim magjie” etj. Ndonëse kjo dukuri do të ndeshet edhe në disa krijime të periudhsë së mëvonshme të stërholluara, në përgjithësi prirja themelore e gjuhës së Asdrenit është qartësia dhe thjeshtësia. Duke punuar me dashuri të veçantë dhe me këmbëngulje, Asdreni arriti ta përsosë më tej gjuhën e vet dhe ta çlirojë nga të gjitha pengesat, që ia kufizonin forcën shprehëse. Krijimet e periudhës së pjekurisë shquhen nga rrjedhshmëria, muzikaliteti, thjeshtësia…Disa mjete stilistike të Asdrenit lidhen me poetizimin dhe idealizimin e jetës fshatare dhe sidomos me synimin e poetit për të shprehur dashurinë e vet për natyrës dhe ndjenjën e dashurisë së pastër….Në stilistikën e poetit gjejmë edhe ndonjë ndikim nga folklori. Kjo vihet re në krahasimet me të cilat jepet bukuria e vashës në poezinë “Ti me sytë e zinj” (“o moj ti me sy të zij , q’i ke buzët si qershi”) edhe në ndonjë krijim tjetër letrar…. 

                           ( Koço Bihiku, Asdreni- Vepra-1, Tiranë, 1976, f. 47-48)

Veçori tjetër e poezisë së Asdrenit është strofika e larme. Ai përpunoi një pasuri të madhe strofash. Gjejmë tek ai katrenin, strofat gjashtëshe, tetëshe, dhjetëshe e dymbëdhjetëshe; krahas distikut, poeti përdori edhe vjershën monokolare. Ndër strofat më të preferuara të Asdrenit ishte soneti; ai shkroi rreth 30 sonete, disa prej të cilave përfaëqojnë modele në llojin e tyre në poezinë tonë…(f. 48 – 49).Asdreni - Libraria Ime

Shkroi kryesisht në jamb katërkëmbësh dhe pesëkëmbësh; në sonetet e viteve të fundit përdori më shpesh vargun njëmbëdhjetërrokësh. Pas jambit vjen trokeu si forma që Asdreni e shfrytëzoi në shkallë të gjerë në krijimet e tij. Në varg trokaik janë shkruar poemi “Burri i dheut”, “Lulëkuqja”, “Ditë prenvere”, “Gjendja jonë”,  “Vlorës” etj. ..Në disa krijime, si në “Flamur të rrosh”,  “Apolloni”,“Vdekja e Byronit” etj. Zgjodhi amfibrakun si formë për të shprehur në mënyrë të plotë mendimet dhe ndjenjat e tij. E reja që solli Asdreni në lëmin e prosodisë është vargu i lirë, me të cilin ai e pasuroi poezinë shqipe…Vargu i lirë që solli Asdreni mori zhvillim të mëtejshëm në krijimtarinë e Migjenit, G.Palit etj., duke hyrë përfundimisht si arritje me vlerë në fondin e poezisë shqipe. 

                               (Koço Bihiku, Asdreni- Vepra-1, Tiranë, 1976, f. 47- 48 – 49)

***

Përmbledhja “Psallme Murgu” që sollëm këtu, është një botim postum, me komente të stiduesit Leka Ndoja,me 81 vjersha motivesh të ndryshme dhe ndarë në 5 pjesë, sipas E.Çabej: Flaga e vatrës, Vallja e jetës, Ngjyra ylberi, Lule dhe gjêmba. L.Ndoja shkruan: “Asdreni “murgu” i artit, përmbledh në “Psallmet” lutjet e mërgimtarit, që i ndarë nga familja e atdheu përjeton një gjendje të dyfishtë largësie fizike e shpirtërore, një “vjeshtë” lirike të idealizuar, për të theksuar shrehjen e izolimit, tëhuajsimit shpirtëror në vendin e huaj….Veçoria e madhe e Asdrenit është se ai përdor një gjuhë të pasuruar me trajta të gegënishtes, duke krijuar një ekuilibër të përsosur të formës shprehëse standarte për kohën, dhe tepër të stilizuar si gjuhë letrare duke e tejkaluar dhe Lasgushin që në këtë pikë nuk e ka ndjekur mjeshtrin pararendës, duke ruajtur ngjyrat lokale të Pogradec-Korçës…”…Jo më kot Konica i vishte Asdrenit si poet, kualitetin e futjes së frymës kombëtare tek të rinjtë e kohës, e të gjitha kohëve, por ky opinion i përhapur tashmë nuk mund të vërë në dyshim Asdrenin e hymneve triumfale kundrejt lirikës universale të tij…”

**

 “Kur më 1930 u botuan “Psallmet e murgut”, rinia nisi ta njohë për herë të parë Asdrenin në mënyrë pak a shumë të plotë. Ky rizbulim i vonë i ka ngjarë më se një poeti në të kaluarën, bie fjala Çajupit. Poezia e Asdrenit, e cila ishte ndër më populloret e kohës, ishte gati vetëm “antologjike” popullore. Libri i tij i fundit, më 1930, ka qenë, nga kjo anë, një revelacion. Pa dyshim, nuk ishte e lehtë atëherë të thelloheshe në kontradiktat që përmbështillte arti i Asdrenit dhe në disa dobësi. Po nuk ishte dhe e vështirë të kuptoje se fliste një zemër e gjakosur. Ne sot e shohim mirë se si ai zien kundër padrejtësive shoqërore (le të kujtojmë vjershën mbi Luftën e Vlorës), ai që pati shpresuar shumë më shumë nga çlirimi kombëtar. Poeti lëshonte psherëtima tragjike, sepse nuk mund të duronte fatin që e kishte pllakosur Shqipërinë e 12-ës. Po, së fundi, ai kërkoi të shkëputej  nga “kjo botë e pandrerqshme”, të ndrydhej në një si qeli, ku të mos depërtonte dhimbja e kohës, si një vjershërit “mjerush”, për të cilin e tashmja bëhej argëtim shpirtëror i mbyllur, – ngushëllim me vargjet vetë, – kurse e ardhmja, – e ardhmja çfarë do të sillte?

Këto lloj kontradiktash kanë shumë domethënie për veprën e Asdrenit e për kohën. Pati njerëz që koha i shpuri të thyejnë penën e ta jetojnë thuajse fatalisht batërdinë e Shqipërisë së tradhtuar nga bejlerët e agallarët me shokë. Mihal Gramenoja, vërsniku i Asdrenit, qe njëri ndër ta…Ne e përkujtojmë Asdrenin në çka ai i dha Shqipërisë më të bukur e me vlerë, në çka mbetet prej tij e pavdirë, dhe Asdreni la një trashëgim, që e rendit ndër poetët të cilët e ngritën lart vjershërinë shqipe. 

                                 (Dh.S.Shuteriqi, Autorë dhe tekste, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 

                              Kombinati poligrafik “Shtypshkronja e Re”, Tiranë, 1977, f. 419-420).

                    ***

 “Asdreni është nga ata shkrimtarë të paktë që jetoi dy epoka të zhvillimit historik të shoqërisë shqiptare dhe arriti të përshëndeste lindjen e “diellit të ri” për Shqipërinë, epokën që agoi me fitoren erevolucionit popullor.

Shqetësimet e mëdha të dy epokave, të Rilindjes dhe të epokës që nisi me fitoren e pavarësisë më 1912 dhe mbaroi me humbjen e saj më 7 prill, aspirata e një shoqërie të ndërtuar mbi baza të vërteta demokratike, të cilën nuk e pa të realizuar veçse kur ishte duke numëruar ditët e fundit, përbëjnë brendinë e tërë veprës së poetit, lëvrijnë në vargjet e tij, u japin atyre forcë dhe jetë…

Asdreni e pa kryesisht vegjëlinë si viktimë të pabesisë dhe të tradhtisë së shtresave të larta, në poemën realiste “Burri i dheut” (1920) ai e dha përfaqësuesin e vegjëlisë me tipare sociale konkrete, me vetëdijën e interesave të shtresës së vet. “Burri i dheut” është nga të paktat krijime që pasqyroi veprën e vegjëlisë në Luftën e Vlorës dhe gjendjen e saj të mjeruar sociale pas fitores…Kësaj teme poeti do t’i kthehet sërishmi me “Luftëtarin lypës” (1922) që është një rrëfim tronditës i luftëtarit të mbetur rrugëve pa asnjë ndihmë e përkrahje dhe një akuzë therëse për ata që “zhgryhen mbi fron” pa i vrarë ndërgjegja për tradhtinë dhe pabesinë e tyre…. 

                              (Jorgo Bulo, Tradita dhe risi letrare, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”,

                           Kombinati poligrafik “Shtypshkronja e Re”, Tiranë, 1981, f. 131,134, 135.)

                                                                         ***

Për Himnin shqiptar të Asdrenit:

   Karakterizime dhe krahasime

 “Himni është këngë solemne, këngë e lavdit, vjershë që hartohet në frymë kombëtare, duke përfshirë përhershmëritë kombëtare në trajtë të dendur e simbolike. Vetëm kur kjo i përmban këto esenca dhe njëherësh pranohet nga të gjithë si e tillë, mbërrin nivelin e këngës simbolike e përfaqësuese të kombit. ..Në shqip vjersha të tilla kanë shkruar Asdreni, Fishta, Noli e Lasgushi….Sipas dëshmisë së Lasgush Poradecit, Asdreni himnin kombëtar Rreth flamurit të përbashkuar (me 6 strofa) e shkroi rreth vitit 1907 në Bukuresht, me kërkesën e Korit Kishtar Shqiptar, kor që po bënte punë kulturore atdhetare. Kjo vjershë për herë të parë u botua në Liri e Shqipërisë në Sofje, më 1912. Në fillim ky u bë himni i kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit, u përhap në Shqipëri dhe u pranua si himn, edhe pa u përgatitur për këtë qëllim, por u pranua nga populli dhe nga kryengritësit dhe u këndua edhe me rastin e ngritjes në flamurit më 1912, në Vlorë….

Aty janë bashkimi, besa, shpëtimi dhe betimi, koncepte kombëtare, po edhe fryma kundërshtuese, kryengritëse që do të zhvillohet në pesë strofa të tjera. Në këtë nivel kënga e himnit hyn njëmend në sferën e lavdit, përkushtimit të tërësishëm deri në nivel identifikimi; po edhe në nivel të shenjtërimit, që është një shkallë sipërfaqësore e lavdimit. Në këtë mënyrë, kënga e Asdrenit nis udhën e ngritjes nga kënga tokësore në një këngë qiellore, të përjetshme, si lavdim i therorisë për atdhe. Krijimi i kultit të heroizmit, i cili është provuar më parë në nivelet jetësore. Atdhetare. ….

Poezinë Hymni i flamurit kombtar Gjergj Fishta (me 10 strofa) e shkroi më 1913, dhe kjo këngë u këndua për të parën herë nga nxënësit françeskanë nëpër rrugët e Shkodrës, ditën që Fishta me miq të vet kishte ngritur flamurin kombëtar në kumbonaren e Kishës së Gjuhadolit….Janë bërë këtu bashkë bekimi dhe mallkimi hyjnor, një prosede i provuar me denduri edhe në vjersha të tjera atdhetare të Fishtës. Është këtu figura e tokës së bekuar e dhënë nga vetë Zoti, garancë e një konvence hyjnore që shkon përtej bindjeve individuale. Tema tjetër e zhvilluar në himnin e Fishtës është kryengritja dhe qëndresa  shqiptare, që merr konotacione kohore, historike, tejhistorike, po që përfundon rëndom në figurën identifikuese të luftës së Kastriotit, si identitet i brendshëm kombëtar, po i njohur dhe i pranuar edhe nga të huajt….Hymni flamurit kombtar i Gjergj Fishtës është vërtetë një këngë kombëtare me të gjitha karakteristikat e poetit Fishta…

Noli e shkroi vjershën  Hymni i Flamurit (me 6 strofa) me 14 nëntor 1926 dhe u botua në një numër të Lirisë kombëtare të Gjenevës, numër që i kushtohej festës së 28 Nëntorit. Është kjo një thirrje e drejtpërdrejtë e identifikimit me simbolet nacionale, të cilat zbulohen në figura të dashurisë së dheut e të familjes, në figurat themelore të fashurisë njerëzore, duke gjetur kështu ngjyrimet e flamurit për të theksuar gjenezën dhe historinë e këtyre shenjave si produkte të jetës kombëtare. Në këtë vështrim himni i Nolit është i zotëruar nga retorika dhe ideologjia kombëtare…..

Lasgush Poradeci e shkroi Marshin e djalërisë me përcaktim zhanror (Himn Kombëtar) në vitet ’20 dhe e botoi në librin e poezisë Vallja e yjeve  në vitin 1933. Kjo në të vërtetë është një këngë për zemrën e djalërisë. Himni i Lasgushir është një himn, para së gjithash, poetik, duke ruajtur skemën e njohur lasgushiane të krijimit të figurave, të pamjeve e të vizioneve kombëtare, që përherë përfundojnë me atë artikulimin e kualitetit të veçantë të brendshëm: të dhembjes e të lavdit të vetvetes. Vjershat-himne të dy autorëve të fundit, janë pa përpunim muzikor….. 

(Sabri Hamiti, Vepra letrare-6, Shtëpia Botuese 

            Faik Konica, Prishtinë, 2002, f. 304-313)

I pari nga studiuesit e huaj, albanologë, që kanë njohur një pjesë të mirë të krijimtarisë së poetit drenovar, përndryshe, të përmbledhjes Rreze Djelli (Sonnenstrahlen), Bukarest, 1904 (Toskisch), ka qenë albanologu austriak Maximilian Lambertz (1882 – 1963). Autori ka vjelë nga poezitë e Asdrenit, shembuj e modele ndërtimi të frazës (periudhës), në monografinë gjuhësore Periudha hipotetike në gjuhën shqipe “Die hypothetische Periode im Albanischen”, botuar në revistën Hulumtime indogjermanike (“Indogermanische Forschungen”, 1914-1915, Vëllimi i 34-t.) 

Tetëdhjetë e tri vjet pas Lambertz-it, shkrimtari, përkthyesi, interpreti dhe specialisti në studimet shqiptare, kanadezi Robert Elsie (1950-2017), hartoi një Histori të letërsisë shqiptare (1997), në 13 krerë, plus Kronologjinë e letërsisë shqiptare, Bibliografinë dhe Indeksin e emrave. Autori, me dëshirën e tij,  është varrosur në kryeqendrën e Dukagjinit, Theth. Elsie është quajtur Bir shpirtëror i Shqipërisë. 

Nga ky studiues i botës shqiptare, për Asdrenin, s’kemi çfarë të shënojmë, përveçse një pohim, ndoshta jo aq të njohur, lidhur me qëndrimin që mori poeti ndaj pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Shkruan kanadezi: “ Asdreni në fillim përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia në Pashkët e vitit 1939 dhe shkroi Credere, obbedire, combattere, por rrëmuja e shkaktuar nga pushtimi dhe lufta ia bëri fare të qartë dhe me dhimbje se shpresat për pension qenë të kota. Për këtë të dhënë, Elsie nuk e jep burimin, që kërkon një vepër shkencore. 

Të fundit për këtë Hyrje po japim punimin më të shënuar shkencor, kushtuar artit poetik të Asdrenit, hartuar si tezë Doktorate nga prof. R.Qosja, me titull “Asdreni. Jeta dhe vepra e tij”, në vitin 1972, mbrojtur në Universitetin e Tiranës. Pa hyrë në përshkrimin shkurt të përbërësve që e formojnë këtë monografi, sjellim një vlerësim që ka bërë studiuesi fishtolog, Dr. Tonin Çobani për këtë libër, ditën e promovimit të ribotimit të saj në Drenovë të Korçës, ku merrte pjesë edhe autori i saj: “Monografia voluminoze e prof. Rexhep Qoses “Asdreni, jeta dhe vepra e tij” është shëmbull i një shkolle estetike shqiptare për metodologjinë që ka përpunuar ky autor në shtrimin dhe strukturimin e lendës së paraqitur. Si një ngrehinë e padukshme ndihet gjatë gjithë librit qartësia e koncepteve estetike që e kanë udhëhequr autorin me konseguencë nga konkluzioni në konkluzion, nga kapitulli në kapitull. Këtë cilësi, që lidhet me talentin prej studiuesi të autorit dhe me punën voluminoze dhe sistematike, mund ta krahasojmë pa frikë se gabojmë me punën e instituteve apo të institucioneve të specializuara dhe me tradita, që, shpesh herë ose na kanë munguar ose nuk kanë qenë eficente te ne.”

Pasazhin në vijim (me pak ndërhyrje tonat) e shkëputem nga libri Panteon i rralluar

i R.Qosjes, ku është botuar kreu XIX i monografisë. Në këto 17 faqe, autori ndalet në mënyrë të veçantë tek stili letrar dhe figuracioni në poezinë e Asdrenit, duke nisur nga:

Epitetet dhe krahasimet – Autori fillon me një kredo të punës që do të ndjekë gjatë studimit: “Karakteristika e stilit të një poeti është e arsyeshme të kërkohen në poezitë e tij më të mira, por kjo kurrsesi nuk do të thotë se edhe në vjershat e tjera, që nuk janë në nivel artistik të atyre më të mirave, nuk dallohen karakteristikat e stilit të atij poeti…Asdreni e fillon krijimtarinë poetike me vargje bombastike, retorike, të cilat e tregojnë natyrën e ndjenjës së tij në momentet e krijimit të tyre më të mirë se ç’e përmbajnë atë ndjenjë brenda strukturës së vet figurative dhe ritmike. Vjershat e tij të para ai i shkruan nën presionin e një temperature të lartë emocionale që nuk është shndërruar pra edhe në vlerë të tyre të brendshme artistike. Në këto vjersha duhet kërkuar me pishë ndonjë figurë e përshtatshme stilistike dhe nuk është e sigurt se mund të gjendet aq lehtë….Përkrah këtij përcaktimi të akademikut Qosja ka ecur edhe gjuha poetike e këtij poeti. Në konkretizimin vizual, figurativ, të botës poetike të Asdrenit rolin më të madh e luajnë epitetet dhe krahasimet, personifikimet dhe metaforat e simbolet, megjithëse toni retorik, i shfaqur në fillimet krijuese, mbetet një prej cilësive të përhershme të shprehjes së tij. …Kështu, për shembull, epitetet janë më të shpeshta në vjershat e tij lidhur me natyrën dhe dashurinë, sesa në vjershat patriotike, sociale dhe politike si dhe meditative, ashtu sikundër janë më të shpeshta në përmbledhjet Ëndrra e lot dhe Psallme murgu, si përmbledhje të pjekurisë krijuese, sesa në përmbledhjen Rreze dielli apo në vjershat e përmbledhjes së pabotuar Kambana e Krujës. Mund të vërehet, gjithashtu, se në dy përmbledhjet e tij më të mira epitetet janë më të shpeshta se ç’mund të jenë në krijimtarinë e poetëve tanë më të dalluar të Rilindjues: Jeronim de Radës, Zef Serembes dhe Naim Frashërit… Kjo nuk do të thotë se të gjitha epitetet e Asdrenit janë të reja, të freskëta, të panjohura në poezinë shqipe përpara tij; një numër i mirë i epiteteve që shfrytëzon ai në vjershat e përmbledhjes së parë dhe, madje edhe të dytë, janë aq të përdorura si në poezinë e Rilindjes, ashtu edhe në poezinë popullore, saqë lehtë mund të quhen epitete të banalizuara nga shfrytëzimi i tepërt…

Sikundër përdor epitete të shfrytëzuara dhe banale, por edhe të reja dhe befasuese, Asdreni përdor në poezinë e tij edhe karahsime të shfrytëzuara dhe bamale, por edhe të reja, origjinale, të panjohura në poezinë shqipe…..Në vijim të këtij kreu autori merr e përshkruan krahasimet, personifikimet, metaforat dhe simbolet, në të cilat është derdhur gjithë mjeshtëria e dija letrare e këtij shkrimtari e studiuesi, si Rexhep Qosja. (f. 519  – 536) 

***

Në udhën e Naimit

Le ta nisim nga versniku i Asdrenit, siç e quan Dh.Shuteriqi M.Gramenon, novelisti i këndshëm i viteve të para të shekullit të kaluar, i cili ka përdorur paskajoren gege që në strofën e parë të vjershës “Për mëmëdhenë”, ku dalin dy paskajore gege me vlerën e urdhërores (strofa I, III):

Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë,

Vraponi, burra, se s’ka me prit !

Të vdesim sot ne me besa besë

Pranë Flamurit të kuq q’u ngrit !

Tym edhe flakë, ujë të valë

Baba Tomorri nxjerr e buçet,

Të gjithë trimat atje me dalë,

Se dita erdhi, koha më s’pret !

Te një krijim tjetër i kohës, me titull “Uratë për Liri”, gjejmë vetëm një tregues të tillë: një leksemë – emri “krye”(SP “Për mbi krye”- në vend të “Për mbi kokë”). 

Nëse në tekstin e këngës, më sipër, shfaqen dy trajta foljore me paskajoren gege, tek kënga e Asdrenit, të gjitha strofat kanë gegizma: në leksik apo në vështrimin gramatikor të tri foljeve, siç i kemi nënvizuar më poshtë:

Kënga e Bashkimit   

………………………..

Eja gegë, këtu pranë,

Qasu, qasu porsi zanë,

Dorën zgjate me dëshirë

Si një burrë i pavdirë ! 

Gegë, toskë, vllazën jemi,

Të dy bashkë një emër kemi

Dhe një fat në këtë botë:

Shqyptar’jemi, fjala thotë.

Prej një nane jemi lerë

Mysliman’e të krishterë,

Me një diellë jemi rritur,

Si dy lisa pranë ngjitur.

Të dy kemi një dëshirë,

Se një sisë kemi pirë,

Një të qeshur, një të qame

E një zemër të pandame.

Prej Viose gjer te Drini

Mos na ndajë dot Shkumbini,

Porsi vllazën na të rrojmë,

Dhe Shqypninë ta forcojmë.

Se Shqypnia është besa,

Nderi i ynë, jeta, shpresa,

Besën tonë, pra ta mbajmë

Kurrë armiqtë mos na çajnë !

Veç si burra pa një drojë

Si ndë luftë edhe nevojë,

Tërë bota ka me ditur,

Se na s’jena për t’u shitur.

Po të fortë e të bashkuar,

Kryelartë e shpirtndritur,

Të gjithë kena m’u përpjekun:

Për Shqypninë sot me vdekun !

L e k s i k

Kângë-a, e – kur përdoret në tituj, siç e vë autori, duhet kuptuar “teksti i këngës”.

Zânë-a, figurë e besimeve popullore shqiptare, e përfytyruar si një vajzë e bukur luftëtare, 

që jetonte në male e pyje e ndihmonte trimat, por që kishte fuqi edhe të ndeshkonte duke të shituar. Fjalë e dy dialekteve me mbizotërim të trajtës gege. Trajtën toske zërë e ka Labëria dhe Bregdeti për “vashë e bukur”; sot, pothuajse e dalë nga përdorimi. Huazim nga lat. Diana-Perëndesha romake e pyjeve.

Pavdirë (i) mb. “që s’shuhet, që s’humbet”. Fjalë krahinore e dialektit gegë. Formim i 

     brendshëm nga vdjerr “humb”, prej foljes bjerr me të njëjtin kuptim…

Vllâzën, trajtë dialektore e dialektit gegë; toskërisht: vëllezër.

Shqyptar-i, e, mb. trajtë dialektore e gegërishtes; e vjetëruar prej kohësh: khs. Shqiptar.

Prej, prf.- parafjalë e rasës rrjedhore, më tepër e përdorur në variantin dialektor të 

Gegërishtes; në vend të saj del më së shpeshti, parafjala e rasës emërore “nga”.

Nânë-a, e. dialektore e veriut: leksiku standard: nënë.

Të qâme, emër prejfoljor asnjanës; leksiku standard: të qara.

Të pandâme, mb. formim nga pjesorja ndarë (-me), me paranyjëzim.

Çaj – f. fjalë e vjetër shqipe nga rrënja i.e., me kuptimin “pres”, “ndaj”.

Drojë-a, e. droe-ja, frikë, e trembur (Fj. i Bashkimit, 1908); fjalë e gegërishtes, e vjetëruar. 

Gramatikë:

Më vete duhen parë trajtat foljore, që përdoren vetëm në të folmet gege: 

        ka me ditur                  kena m’u përpjekun:   me vdekun

kohë e përtejardhme          kohë e përtejardhme             paskajore gege

 (me + pjesore tosk.)         (kam + paskajore gege)     (me pjesore të vjetëruar, 

khs. “vdekë”)

**

Vërejmë se, duke lexuar këtë  tekst poetik, në strofën VII, vargu II ,  lexojmë:  “Prej Viose te Drini/ Mos na ndajë dot Shkumbini”, menjëherë na shkon mendja tek  studimet dialektologjike, ku prej  kohsëh, specialistët tanë, lumin Shkumbin e kanë caktuar si kufi gjuhësor që i ndan dy kryedialeket e shqipes. Nuk e dimë nëse poeti drenovar e ka njohur këtë  të vërtetë shkencore, por mund të gjykojmë se ai del kundër ndarjes dialektore gjuhësore, sepse vargjet e tjera janë: “Porsi vllazën na të rrojmë,/Dhe Shqypninë ta forcojmë.” Lidhur me këtë,  R.Qosja, duke pohuar ndikimin e Naimit tek Asdreni, shkruan: “Ndikimi gjuhësor i Naimit mbi krijimtarinë e Asdrenit, gjithsesi, do të jetë shumë i frytshëm, megjithëse nxënësi do të bëjë më tepër përpjekje se sa mësuesi për afrimin e dy kryedialekteve.”

Nga kritika jonë është thënë e shkruar se Asdreni, hapat e tij të parë i bëri nën ndikimin e Naimit, nga i cili huazoi traditat progresive, si frymën e zjarrtë patriotike, shpresën në të ardhmën e bukur të Shqipërisë dhe besimin në forcën e dijes dhe të arsyes. Sepse vepra poetike e këtij rilindësi të madh ushtroi një ndikim të thellë në ata autorë që nisën punën e tyre letrare në kapërcyellin e shekullit të kaluar dhe të shekullit XX. Tek vjersha e gjatë kushtuar Naimit- si poem lirik dhe botuar në librin “Naim Frashëri-prej një grupi studentësh të Austrisë (Graz), 1925, Lasgush Poradeci shkruan: “Këtë vjershë e kam bërë në Poradec më 1921, kohë e mbushjes së 20 vjetëve pas vdekjes së Naim Frashërit. Një sëmund’e rëndë dyke më hedhur në spitale, j-a dorëzova vjershëtorit Asdren për çdo eventualitet…(Bukuresht, Qershor 1921). Sot po e botoj me rastine një të katërte shekulli pas vajtjes së Këngëtorit Kombëtar në të Vërtetën. – L.P.

Edhe te ky apostull i Shqiptarizmit, ka shembuj me ngjyrime leksiku e tregues gramatikorë, si tek poema e njohur dhe aq popullore e rilindësit të madh, “Bagëti e Bujqësija”, nëpër gjashtëmbëdhgjetërrokëshat e begatë të kësaj vepre:

Të munjam të fluturonja e të kisha krahë si ti !

  Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji !

  Për me marrë drejt Shkumbinë edh’Elbasan’e Tiranën,

  E me arth ke ti, o Shkodrë, të shoh Drinin e Bujanën.

  Kostur, Përlep, Fëllërinë,Dibrë, Ipek e Jakovën,

  Mat e Ysqyp e Prështinë, dhe Mirëdit’e Tetovën;

  Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhân ner Shqypnisë,

  Tue bam me trimat luftë, e me munt mren’ e Turqisë,…

Kjo “ngjyerje pene” në dialektin e të folmet e begata të gegërishtes, nuk ka asgjë të përbashkët me koncepsionin e paqëndrueshëm të F.Konocës, kaluar nëpër disa faza, njëra prej të cilave njëra ishte: “E mira e së mirave do të jetë të përdoreshin prej të gjithë Shqiptarëve toskërishtja për prozën, gegërishtja për poezinë”Më tej, ai shtonte se dialekti gegë ruan qindra trajta të humbura prej toskëve, e që janë thesarë të vërtetë të trashëguara nga stërgjyshët t’anë që në kohë të vjetër.” Sipas N.Resulit, Konica ishte “përkrahës i shkrirjes së dy dialekteve. 

Ngjyerja e penës, që shënuam më sipër me anë të metaforës, mund të jetë një aluzion i teorive të ndryshme linguistike që qarkullonin në fillim të shekullit XX për unifikimin e gjuhës letrare shqipe me anë të përzierjes armonike të të dy dialekteve. Termin “përzierje të gjuhës”e shpreh edhe Fishta në recensionin e shkurtë që i bën veprës së Asdrenit “Ëndrra e lotë”, para 109 vjetësh, duke u shprehur kundër një planifikimi të tillë për gjuhën e njësuar letrare.                                     

Është me vend të tregojmë këtu se krijimet në idiomën gege në poezi të Asdrenit, i ka vlerësuar me mjaft pëlqim edhe Faik Konica; në një letër të tij të vitit 1902, ku i drejtohet “I dhëmbshur atdhetar!, “I shtrënjtë atdhetar”: “Të përshëndosh për viershat që më çove. Shumë të bukura, edhe gegnishtet janë mirë të goditura.”     

***

II. Një shikim për strukturat 

     e vjershërisë së Asdrenit

Kur ke në dorë librat me poezi të Asdrenit dhe merr e lexon, duke shijuar artin e tij, gjëja e parë që bie në sy është larmia e strofave, struktura e tyre sipas numrit të vargjeve, nisur prej tingëllimave, si formë poetike e vjetër dhe asnjëherë e ndryshuar, vargjet monokolonë, poezi me distikë vargjesh, me tercina, vjersha me strofa katërshe, gjashtëshe, rrallë edhe me tetëshe. Grup më vete dalin te ky poet strofat safike, afërsisht aq sa janë sonete, në dy vëllimet “Rreze dielli” e “Ëndrra e lotë”. Shpesh ndërtimet me dy vargje e tercina, lidhen edhe nga ana sintaksore, si për shembull, te “Ardhi dita”,

Për trima, ju, trima jini,

Këtë dhe ju vet’e dini,

Po ç’dobi ësht’ për atdhenë

Kur s’ësht’si ka qenë”

                                                              ***

Në jini ju atdhetarë

Dhe të thjeshtë shqipëtarë,

Bënie ju atdhenë

Siç qe nënë Skënderbenë !”

Po një zë kështu më tha:

Mos u çirr e mos u vra, 

Se i lumtur këtu s’ka,

Se çdo grimë që po shkon

Jeta çduket, koha ndërron;

Askush botën s’trashëgon.

                                                              ***

Në strofa katërshe, më e zakonshmja është që fraza nis dhe mbyllet sintaksorisht nga vargu i parë deri tek i katërti, por sipas kuptimit, ngjet që në segmente të ndryshme, strofa vijuese është e lidhur semantikisht me atë pararendëse, si në vjershën “Në mërgim”:,ku katër strofat e fundit janë të lidhura edhe gjuhësisht:

Edhe ti, ylli i mëngjezit

Që sheh ditën kur mburon,

Që ke qenë bres pas brezit

Ylli i bukur që ndriton;

Si kandile e pashuar

Që ndë jetë s’ka shtërrim,

Dërgoi dritë të uruar

Atij vendit, dheut tim!

Shqipëri, i vent i bukur,

Fusha e male plot me ar,

Ku çdo burrë në të dukur

Është trim dhe luftëtar; 

Me sa mall e sa dëshirë

Atë ditë po e pres,

Që edhe unë atje i lirë

Pranë prindërve të vdes” 

***

Në dy strofat e para, autori i drejtohet “yllit të mëngjezit”, kurse në të tretën e të katërtën,  drejtimi i shkon thirrorit “Shqipëri”.

Në strofat pesëshe, që janë më të rralla për krijimtarinë e poetit, gjendet një lidhje e tillë bashkuese nga ana kuptimore, në atë masë sa më tepër se një strofë – një varg i tërë prej tyre – kanë varësi vetëm te një varg, përndryshe tek një gjymtyrë – kryefjalë – siç ngjet në strofën e 9-të (f.19), tek e cila marrin kuptim 7 stzrofa të tjera, deri në mbyllje të poezisë. Në 28 vargjet në vijim rimerret S “Ju male” me anë të përemrave në rasa të ndryshme, edhe të shoqëruar me parafjalë; ka edhe strofa pa subjekte: 

Ju male, jini ndjenja jonë

    Burim i çdo dëshirës gjallë,

    Tek ju e kemi shpresën tonë

    Se kur e keqja vjen, gjithmonë

    Me ju, ne do t’i bëjmë ballë.

                …………………………………………

nër ju, prej jush, ju, me ju, 

   me ju, nër gjinjt’tuaj, ju (fali), 

      nër brigjet e luginat tuaj, ju, 

         tek ju, s’ju (tundin), tek ju, 

Edhe në krijimet me strofa gjashtëshe, si ndër më të bukurat vjersha, “Balashit”,ndër tri strofat e para, vetëm njëra qëndron kuptimisht më vete, kurse II dhe III kanë varësi kuptimore me të parën, përndtyshe, me kalin balash e bukurosh e trim dragua:

O balash, o bukurosh,

Që je trim si një fatosh,

O dragua, kali im,

Që po pret me padurim;

Në ke mall për Shqipëri,

Ngjeshu, kalë, ji gati !

Shih sa vent plot bukuri

Ku del ar, ku del flori,

Ku ndrit dielli me shkëlqim

Dhe qesh hëna me pëlqim;

Si në vent të prrallave,

Trimave dhe pallave!

Ku një pyll, ku një mburim

Male e fusha pa mbarim,

Me lëndina plot magji,

Ku derth këngë trimi i ri ,

Ku del zana për mëmgjes

Lulethurur gjer në bres.

Te kjo strukturë strofike, me 6 vargje, R.Qosja vjen e gjen shfaqje të karakteristikave të poezisë së parnasizmit, që shpjeguam më sipër dhe që janë: depersonalizimi i krijuesit, pamja klasike, shprehja e ftohtë, e kristaltë dhe ndërtimi me 6 vargje – si skemë e kësaj rryme.                                                                                                                      

Kështu ngjet edhe në strofat 7-she, tepër të rralla në vjershërinë e Asdrenit, si te poezia “Lutje” (romantike),ku 35 vargjet e lira të autorit (nga metri, jo nga rimemat), kanë 

mbiemra dhe epitete, drejtuar thirrorit në v.I       “Vajzë e bukur”:

Vajz’ e bukur 

Më je dukur

Dritë jete plot shkëlqim; 

Pa lëvdatë

Ke dhuratë

Që prure gaz e dëshirim         

Me plot mall e ngushëllim! 

Në 4 strofat e vjershës në vijim, ka vetëm dy rimarrje përemërore (përemër pronor, v. II dhe një përemër vetor), të gjitha të tjerat kuptohen nga foljet-kallëzues në vetën II: tënd, (më) çel, shpall, kundërmon, shëron, dashuron, çile, ndriçon, eja, të (kërkon), teje, hapi, fal(mi), prit. 

Strofa tetëshe gjejmë edhe në vëllimet “Rreze Djelli”: Dua, f. 69, Frori, f. 129, Përfytyrime, f. 170, Djalëria, f. 198, Rreth mësallës, f. 206; tek vëllimi “Ëndrra e lotë: Betim mi flamur, f. 224, Shqiponja me dy krerë, f. 250, Të falura, f. 265, Zëri i kryengritësve, f. 274, Krujës, f. 279. Kurse, tri vjersha me strofa tetëshe përmban përmbledhja “Psallme Murgu”, poezitë: Vlorës (f. 37), Marshi i djalërisë shqiptare (f. 40), Mëkati i fshehur (f. 112). 

Edhe më interesante është arkitektura e poezisë me 10 strofa, kushtuar Vlorës ( 80 vargje), ku vetëm në vargun I të strofës së parë del thirrori i nënvizuar, ngjishet me epitete të qëlluara:

                                               “Vlorë, Vlorë, zall e det…”: 

Hyll prej qiellit je pikuar

Dorës Zotit e gatuar

Si rrallë shoqe ke mbi dhet.

Vlorë e bukur, lumja ti!

Dita, nata sy-kulluar

Ver’e dimër lule-shtruar

                                                            Je si nuse plot stoli.

Në 9 strofat e tjera, autori i drejtohet Vlorës me folje e përemra, si: ti je, ngjalle, të sjell nder, ta ka shkruar, ti trime, ke tjerrë; je kurore, t’i radhuan,, që lakmon, ti përballë, jashtë teje, por ti, hap, ti je, të vu Zoti, t’jesh, t’i mbash, ta tundësh, ta pat dhënë, dergje gjakun, të ta korrin, mban, ke, por ti, mos u dro, mbaj mburojën. Ndër 72 vargje, vetëm tri herë dalin thirrërët si në vargun e parë të poezisë. 

Strukturë të veçantë (përveç përmbajtjes së papritur për kohën kur u shkrua), ka edhe poezia “Mëkati i fsheur”, ku heroina shkon të rrëfejë mëkatin tek psallti dhe, duke mos e kallëzaur atë, ngrhet edhe kundër Perëndisë që e bëri ashtu një qenie “me shpirtin-shkëndijë”, sa të mëkatojë dhe deklarohet: “E di se ka pjesë djalli/Po zemrën kur ma ngjalli/ I tij le t’jem e tërë.” 

Tek ky syth duhet vënë në dukje se, përveç vargut të lirë, poeti drenovar, ka sjellë në letërsinë tonë (së bashku me Mjedën), edhe strofat safike ( 13 poezi, tek dy vëllimet e para “Rreze Djelli” dhe “Ëndrra e Lotë”), ai ka 31 sonete në veprat e tij të botuara, ka hartuar vjersha të gjata, në përmasat e një poemthi, si: Epogonët, me 234 vargje; Koshtutta…me 134 vargje; Drini, me 128 vargje; Prej katundit, me 140 vargje;  Një ëndërr, me 156 vargje;  Paradokse, me 216 vargje, Shqipëria më 1914, me 128 vargje; Shega, me 135 vargje, Hija e keqe, me 384 vargje; Burri i dheut, me  419 vargje; Durrësi, me 70 vargje (5 tingëllima radhazi); Vlorës, me 80 vargje. Nuk mungojnë tek ky poet edhe vjersha me distikë, tercina, monokolonë- si Dëshirë pagane, me 90 vargje;  me shumicë janë dhe strofat me nga 4 vargje. Por në strofikën gjithnduerëshe të Asdrenit gjen edhe strofa me 10 e 12 vargje, të organizuara mjaft saktë nga ana gjuhësore. Në vëllimin “Psallme Murgu” ka leksema gege përgjatë poezive; si te “Kanga e bashkimit” që sollëm më lart. Në mënyrë të pashjegueshme, gjenden shenja diaktirike, që përdor autori, sidomos për llojet e theksave e hundorësinë, por mungojnë provat që ka bërë poeti për të shkruar vjersha të plota në idiomën gegërishte. 

                                                                                II.                                                                                              

II. Krijime në vargje sipas idiomës gege

“I shtrënjtë atdhetar: “Të përshëndosh për viershat që më çove. Shumë të bukura, edhe gegnishtet janë mirë të goditura.” 

             ( “Albania”, Faik Konica- 1904)                     

“Veçoria e madhe e Asdrenit është se ai përdori një gjuhë të pasuruar me trajta të gegënishtes, duke krijuar një ekuilibër të prësosur të formës së shprehëse standarte për kohën, dhe tepër të stilizuar si gjuhë letrare, duke e tejkaluar dhe Lasgushin që në këtë pikë nuk e ka ndjekur mjeshtrin pararendës, duke ruajtur ngjyrat lokale të Podradec-Korçës….” 

(L.Ndoja-studiues dhe botues: Psallme Murgu-Hyrje, f. 4)                     

                                                                                          ***

Asdreni krijoi disa poezi sipas variantit të shkruar të gegërishtes, gjithsej 6 vjersha, të gjitha- 336 vargje: tri në përmbledhjen “Rreze Djelli” dhe 3 në “Lndrra e Lotë”. Duket se ai e ka ndjerë që ekzistonte ndërmjet shqiptarëve një kufi gjuhësor, si ndarje edhe në gjuhë, prandaj, siç shprehet vetë te Kënga e Bashkimit, kërkonte të mos na ndajë dot Shkumbini. Janë me interes edhe titujt e vjershave, si: Nata e mrame e Skanderbegut (me 108 vargje), Për Shqypninë (me 25 vargje), Për Atdhenë (me 60 vargje)Zani i Lahutës (me 32 vargje),Kosovës (me 90 vargje) dhe Të tanë janë gëzu (me 24 vargje). 

Vjersha e parë “Nata e mrame e Skanderbegut” thuret sipas motivit që lëvrohej më tepër gjatë Rilindjes sonë Kombëtare: evokimi i kohës heroike të Gj.Kastriotit. Përdorimi me shkrim i këtij varianti të shkruar të dialektit verior dëshmon se autori nuk e ka zotëruar në shkallën e duhur idiomën gege deri në shprehësinë e saj. Le të vërejmë me radhë disa tregues, nisur nga foljet dhe kategoritë e saj gramatikore: 

  1. Janë përdorur paskajore gege, përgjithësisht të rregullta, si: me dekë me u shue, pa i këshillue, me iu dhan’këshilla, kan’rrethu, mos m’e len, me ngordhë, mos m’e coptu, me iu falë, me e shtrëngue, me i thanë, m’e tunt, me i dëbue… 
  2. Autori anon më tepër nga format e vjetëruara të paskajores, një pjesë e mirë prej të cilave, nuk përdorej më as në kohën kur krijonte poeti “me + pjesore”, si:   m’e shejtnumun, me nerue, m}e çporr’, me hy, rrethue, me luftu, me i zbardh’, (ish) mulue, me ardh’ pran’, me nigjue zan’, ish bjerrun, m’e prit’, m’i qitë, m’u pamun, e mjerume, me i numurue, me rrnue, të shejtnumun, me lotu, me punu, me e pështu, me dalë, me u përment, me ia çduk’, me dek’, me i thanë, me iu çnderu, me e ba, me rrnu, m’e zhdrivilluje, m’e lirue, t’helmumun, etj. 
  3. Dalin trajta të gabuara të kohës së tashme, si: shofin, njofin, munim (nd), njen (ndjen), etj. 
  4. Dëshmohet paskajorja e dytë gege, si: për me mujt’ m’u folë, për me iu dhan’, për me ma shkurtu, për me i qit’, ka shu, për me i njekun, për m’e qitun, për m’e shunt, për t’lulëzumun, për me u kthye, për me ardhë,’ për m’e pshtumun, për me i çporrë, për me e përqafue, për me ia amëlcue (pleqninë), për të nuhmumun, për me e shkue, për m’e mpru, për me t’rrëzu, për me t’shkel’, për me t’ba, etj.
  5.  Koha e përtejardhme: s’ka ma me shënrit’, për me i dhanë, kini me vajt’, ka me ra, ka me qa, për me kqyrë, s’ka me arth, për me pa,  ke me hjekujn, kam me ranun, s’ka me shënrit’, etj.
  6. Përcjellore: tuj shenrit’, ishte tuj prit’, ish tuj thirr’, tuj luftumun, tuj qa, jan’tuj lotue, tuj përcjell’, tuj e bekuje,  tuj përpjekun, tuj hjekun, tuj luftumun, tuj lanun, tuj e prekun, tuj gatumun, tuj pritun, tuj pvetun, tuj luftumun, tuj e thirrë, tuj luftumun, tuj i nxjerrë, tuj këndu, tuj na thirrë, tij shku, tuj ta pamun, tuj këndu, tuj pushu, tuj u mposhtumun, tuj pa, tuj kërkumun, tuj ngja, tuj u qafu, tuj u përqasun, tuj xhixhillue…
  7. Krahas paskajores, del edhe trajta e lidhores: të më rrëmbejë, t’u flasë, t’i keni kujdes, t’jen bes’, mos m’lini (mos me m’lanë), t’u puth (me u puthun), t’u flasë, etj.
  1. Krijon mbiemra jashtë natyrës së shqipes, si dhe pjesore të vjetëruara:  të mretëreshme, të lotueshme,  t’mramen her’, të vlerëshmit, e mallku (-uar), i shejtnumun, m’ke shptumun, i lavdumun, asht vumun, asht marumun, e vorfnumun, robënin’, damun, robnu, dëbu, e dashtnumun, vumun, t’lulëzumun, i çmenue, t’tërbue, t’gazmumun, të dobtue, t’munun, t’therrun, hasun (jena), kalumun (me kalë), etj.
  2. Fjalor: kan e kan (kënd e kënd), shnet, prep, qiella, mrena, katuni, i tan’, met (mbet), vullnesë-a, kurrma, kryet, gjaksi, luana, atdhesi, ven-i, shelbue, nanë, men, prehen, hup, tane (jetën), të rana (rënda), vobesi-a, gjimon, e mallënjyshme, e hyjyshme, gazmend, djelmënisë, buri-a, dashtni-a, krye, kunorë-a, i lavdum, ke pas kjen (si shembëllim me vargun e Pashko Vasës: Ti pas’kenë nji zojë e randë…), Shqypnija, sakola, shoq, drojë (frikë), tetem, duhi, rrokin (armët), pa pra (pa pushue), dojë-a (dëshirë-a), ka le (ka lindur), e bekume, shkëlzen, nalt, kurm-i, çudë-a, të tana, të mramen (të fundmen) … gjinja  (gjindja- njerëzit)… burrnisht, me trimni, etj.
  3. Jo rrallë, poeti përzien leksema toske në vjershat shkruar gegërisht, dhe leksema gege (pa rotacizëm), shkruar toskërisht, si: toskizma: për mua, njenj, tutje, diq, lavdim, s’t’la me bjerrun, , t’kan’shue, , rrënjosun, në të dukur, ay, emri,  vonim (!) Emra pa rotacizëm: vorfni, dituni, e pritun, burrnisht, ernat, breshni, luftna,  urdhënon, etj.                                ***

Çka u rreshtua më sipër me shembuj të marrë nga vjershat e autorit, mund të shihen qartë në disa strofa në vijim, vjelë prej 6 poezive:

Kumonat tinglloin me trishtim,

Gjinia e padurueshme nxiton

Për me pa mretin, edhe pa vonim

Atje mlidhet, e po qan e vajton!

Njen se Shqypnia q’sot ka me ra n’zi

Dhe për jet’ ka me qa krahun e tij !  

Për Shqypnin’ e dashtnumun

       që ka met’n’vorfni,

Djelmt’ e saj n’ kam jan’ vumun

       Për me i dhan’dituni.

Atdheu prej anmiqsh ish rrethue,

Kur nana tuj përcjellë birin e vet

E përshënosh gjith’ tuj e bekue

Nga lufta për me u kthye me shnet;

I uron nga zemra prep për me ardh’,

Burrnisht me luftu, armët me i zbardh’.

    Si ndë luftë tek ushtari

    Me hov hidhet tuj këndu,

 Ashtu bujku dhe tregtari

    Gjith’ me kang’ven’ me punu.

Shqyptarë, mos kujtoni bes’e fe, 

Po nanën ju kujtoni që u ka le,

Që ka mbet’fill e vetum si gru e ve

Prej bijvet e harrume mi kët dhe !

Se asht turp i math për ju

           Të huejt me iu çnderu !

T’tana jan’ tuj u mposhtumun,

Syni jot sa q’asht tuj pa;

Dhe me çud jan’ tuj kërkumun

   Për punën q’asht tuj ngja.

Sapo lexon tubën e vjershave në dialektin e Veriut, bindesh se ato janë poezitë më të dobëta të autorit, se ai nuk e zotëron dot në shkallën e duhur idiomën gegërishte dhe se poeti ka jo pak toskizma fjalësh, çka dëshmon se bën një përzierje leksikore. Është një vjershërim ekzotik që Asdreni do ta bëjë si provë e mundësi, por pa e arritur poetizimin e vargut, as figuracionin e kërkuar, siç e ka në poezitë e endura në të folmen e tij të jugut. 

III. Struktura sintaksore e soneteve

Kushdo që merr përsipër të hulumtojë në sintaksën e vargjeve, duhet baza teorike që ka sjellë e trajtuar në veprën e njohur “Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika” prof.Xhevat Lloshi, ku poetizim i i fjalës, është një tregues aq i rëndësishëm, që, me shumë kërkesa të tjera, shtrihen brenda aritit të gjuhës.

Në llojin poetik, siç janë ndërtimet e vargjeve në tingëllima, ka vështirësi organizimi gjuhësor e sintaksor të 14 vargjeve, pasi vetë skema e rreptë në vendin e theksave,  masën metrike në 11-rrokësha, dhe skemën e rimemave, e caktuar e pa ndryshime. Pas Mjedës, që ka edhe poema të tëra sonetesh varg, Asdreni është lëvruesi më i njohur i këtij lloji poetik në Letërsinë e Pavarësisë. Të ndarë sipas përmbledhjeve që ka botuar, gjejmë: tek “Rreze Djelli” – 1 sonet; “Ëndrra e Lotë” – 9 tingëllima; kurse në  “Psallme Murgu” përfshihen 21 sonete. Gjithsej 31 poezi të kësaj gjinie. Me një lexim të vëmendshëm, nga soneti i parë në “Rreze Djelli”, deri në tingëllimat e përmbledhjes së fundit, duket se autori ka ngritje cilësore poetike, si në përzgjedhjen e fjalëve të poetizuara, ashtu edhe në klauzolat rimema, të cilat, tek 14 vargjet e para, dalin më tepër nga klasa e foljeve: 8 folje, 2 përemra dhe 4 emra. Skema që zgjedh poeti është: ABAB/ ABAB/ ABA/BAB; metri: me 12 rrokje. Vargjet e dy strofave të para – vargje katërshe –  kanë një sintaksë të veçantë, më së shumti: me varg e fjali (rrallë me dy folje brenda vargut); të ndryshme nga thurja kuptimore e dy tercinave (6 vargje), duke ruajtur lidhje sintaksore me bazë fjalie, megjithëse poeti (me shumë mundësi) redaktorët e veprës që kemi në dorë, kanë vendosur pikësim të gabuar, pasi më dendur vargu i 11-të vjen e plotësohet sintaksorisht me vargun e 12-të, ose edhe me gjithë tercinën që mbyll tingëllimën: 

Për faqet e syt’e tu zemra më rënkon a një fjali

Dhe nat’e dit’ jam duk’u menjtuar për to, b një fjali

Me mall t’i vështronj, moj çupë, udhës kur shkon, a dy fjali

Që kurrë nuk më vjen të ndahem nga ato. b një fjali

                                                                                                                          Rima të kryqëzuara

Përandaj unë gjendem ndë aq mundime; a një fjali

Ah! Shpirtit s’munt t’i gjenj asfare qetësi, b një fjali

Zemra, kur ty të shoh, më bëhet thërrime, a dy fjali

Vetën e ndjenj të dobët pa nonjë fuqi ! b një fjali

Ti me nënqeshjen tënde ëmbëlsomë, c një fjali

Shpirtit tem jepi një frymë të çelet d dy fjali

Edhe nga plagat që po vuanj shëromë ! c një fjali

                                                                                                                          Rimë me kombinime

Se veç nga gjiri yt dashuria vjelet; d  një fjali

Pra, edhe mua atje të vjel lëshomë, c dy fjali

Se me atë shpirt e zemër më përkëdhelet !   d një fjali

Nëse dy strofat katërshe kanë organizim sintaksor më vete me parataksë dhe hipotaksë, dy tercinat e kësaj tingëllime, përbëjnë një ndërtim fraze, e cila nuk mund të ndahet nga gjithë struktura e periudhës; kështu kemi të bëjmë me një ndërtim të drejtë (nis me një fjali kryesore, tek e cila nuk varet asnjëra njësi predikative), vijon me një njësi drejtuese, ku varet fjalia pasardhëse- pa mjete lidhëse sintaksore, por vetëm me pjesëzën “të” të lidhores; pas tyre vjen fjalia përcaktore lidhore e bashkuar me fjalën lidhëse-përemrin lidhor “që-të cilat”; në strofën e dytë del njësia me marrëdhënie shkaku e lidhëzn “se-sepse”, vazhdon fjalia tjetër drejtuese (vargu 13, ku janë dy njësi predikative (me ndërvendosje) dhe mbyllet fraza me një njësi kallëzuesore shkakore; ja dhe skema: 

              Fj.kryes.  Fj.drejtuese         +             Fj.drejtuese

                                 Fr.                   –         Fj.v.qëllimore                     Fj.v.qëllimore

                                                      Fj.v.përcaktore  Fj.v.shkakore       Fj.v.shkakore

Në sintaksën e vargjeve që po ndjekim rendi merr rëndësi të veçantë: në str.I foljet dalin pothuajse në fund, në str.II ato vendosen në mes të vargjeve, kurse në dy tercinat e sonetit foljet janë vënë në mbyllje të vargjeve; autori ka përdorur edhe dy leksema të idiomës gege: teme dhe vjelet. Tridhjetë vjet më vonë, Asdreni publikon përmbledhjen “Psallme Murgu”, ku përfshihen 21 sonete, prej të cilëve tërheq vëmednjen tuba prej 3 tingëllimash me titull “Adriatikut”. Katërmbëdhjetë vargjet e para dalin në trajtën e një kornize, po të vërejmë me kujdes foljen “pashë”, që del në vargun e parë dhe vjen e përsëritet në vargun e 14-të; brenda kësaj hapësire lëviz vështrimi i ligjëruesit-poet; duket sikur dy vargjet: 

             “Të pashë det Adriatik, të pashë

                Si Zanë je prej qiellit i pikuar……… Kujtime t’êmla, botë lumërije

  M’u duk se pashë vetë Perëndinë !”

Gjithë soneti për detin Adriatik ngjet me një tabllo pikture, para së cilës ndjen dhe reflekton autori, sikur ndodhet para një filmi që shfaqet ngadalë, duke gëzuar kënaqësinë e ujit të pamasë. Tingëllima ka edhe një veçori tjetër, që edhe e kemi zënë në gojë: vetëm një herë na del emri i detit dhe në të gjitha vargjet, drejtimi ndaj thirrorit realizohet nëpërmjet foljes: je (trazuar), përemrit pronor yt (gjiri), përemri vetor ty (të rashë), të (lashë), të shkreptijnë; kjo është njëfarë tabllo; tablloja tjetër nuk ka asnjë lidhje me detin, autori sjell para vetes: dritë ari, pallate përrallash, dhe menjëherë i shfaqet magjia: me vajza e djem që derdhen në lëndinë e atij i ngjallen kujtime të ëmbla lumturie…të perëndishme! Po nga ana sintaksore? Përgjigjemi se vetëm strofa e parë ka semantikë të plotë e të pavarur, kurse të gjitha të tjerat: strofa katërshe I dhe dy tercinat nuk japin të dhëna për të qëndruar më vete kuptimisht. Atëherë, poezia-kornizë ravijëzon një tabllo pranë një tjetre dhe kalimit e përceptimit që bën autori në këtë pamje të perëndishme.  

Le ta sjellim në vështrimin e përbërësve frazorë këtë gjashtëvargësh. Tercina e parë ka varg e fjali (me nga një folje në fund e në mes vargjeve):

Fj.kryesore          Fj. drejtuese   Fj.drejtuese

Fr. 

  •        Fj.v.kohore – Fj.v.kohore      Fj.v.kryefjalore   

Ndër vëllimet poetike të Asdrenit ka vjersha me sintaksë të natyrshme për shqipen, ndërtime sintaksore të thjeshta, të qarta dhe me mjete lidhjeje të pasura, njëherësh, edhe me njësi predikative asindete; shfaqjet e dukurisë l’enjambement, janë të rralla në teknikën e vargëzimit të këtij autori. Por, veç ndërtimeve lineare të njësive përbërëse frazore, nuk mungojnë tek Asdreni edhe strukturat me ndëvendosje, çka puqen me një sintzaksë mtë ndërlikuar poetike, si në dy strofat në vijim, vjelë prej vjershës “Lulja e këputur”:

E mjera lule, të këputa                   /__________/ /___________/

Pa pikë mëshire e dhembshuri,

As unë s’di //pse kaq u nguta//     /____________/

Që nuk t’u solla si njeri. –     /____________/

Nga shoqet// rrebtë kur të ndava//        /_________//_________//_________/

T’afrova plot fisnikëri,//

Të mora erën //e mënt qava                     /_________/       _           /_________/

Në ty //kur pashë aq bukuri.

(Vargu III dhe IV ndërtohen 

               me dukurinë e tejkalimit)    

***

IV. Sintaksa në strofat safike  

Asdreni, ashtu si dhe poeti i madh Nd.Mjeda, ka mjaft strofa safike, të cilat po i shohim nga pikëvështrimi i mësipërm. Për poetin e Drenovës, themi se praktikon formën e strofave safike jo pak në vjershërinë e tij, por edhe duke dalë jashtë skemës me të dhënat që jep teoria letrare. Poezi të tilla gjejmë që tek “Rreze Djelli”, në strofa pesëshe, 11 rrokëshe, plus vargun e shkurtuar, me 6 rrokje, në “Zërin e Flamurit”, në të cilin jepen përgjithësime e përcaktime sa i takon përmbajtjes së gjithë strofës së ndërtuar me kombinime të parataksës dhe hipotaksës, me njësi funksionale homogjene, si në shmebullin që vijon, ku vargu përmbyllës është njësi predikative:

“Oh, veç aher’ka vlerë trimëria,

Kur për atdhen’ajo derdhet pa kursim,

Kur armiqtë shuhen si mizëria                   

E flamuri është ndë nder’e lavdim!

Pra, përpara djem, se s’do Perëndia

T’vdesë Shqipëria !”

Mjaft vjersha të autorit, me strifa safike që mbyllen me varg të shkurtuar, dalin jashtë këtyre rregullave dhe ndërtohen me vargje 7-8 rrokëshe + 5-rrokësh, si në vijim, te vjersha “I burgosuri”, ku vargu final është vetëm një sintagmë stilemë e anasjellë:

I lidhur këmb’e duar

Shkon udhës me unjësi;

Jetën duke mallkuar, 

i mjeri njeri.

Në vëllimn e parë “Rreze Djelli”, gjejmë edhe ndërtime safike në tercina 9-rrokëshe +6 vargu mbyllës dhe me 5-rrokëshe + vargun 3 rrokësh, si tek “Malli i peshkatares”, “Bëj një të mirë” dhe “Mos kërko”: 

   Peshkatar, peshkatar, mos nxito,

   Mbaje lundrën e më vent qëndro,

  se më kënda të t’shoh !

                                                      *

   Gushën e bardhë      Kur foshnja ishim

   Falma një herë,              Dashuri kishim

   Faqet si dardhë              Si motr’e vëlla

         m’i bjerë.                                 të dy.

Edhe në këtë lloj poetik, autori ka mundur të krijojë skema aq të rralla, sa vetëm në vjershërinë e tij mund të gjenden thurje të tilla, si te “Mall nate”, ku rimemat e gjashtë e shtatërrokëshit dalin ABBCCA dhe vargu i fundit vendoset si në strofat safike, duke qenë i metruar si të tjerët:

Del hëna si ar

Lart bregut porsi korë,

Me rrezet rreth kurorë;

Çel buzët, qesh si zanë

Me kryet gjith’mënjanë

Dhe faqet plot me zjarr !

Po kështu vepron poeti edhe në skema, ku përshkruhet mërgimi i zogjve, si te vjersha “Shpesët udhëtare”:

Tok mbledhur si nga mot

Po shkojnë ndaj mërgimi,

Nga kulmi, nga largimi

Na lënë “lamtumirën”

Dhe çajnë hapësirën

I bien erës m’not.

Strofat safike, më së shumti përmbajnë vargje të shkurtuara pa folje (si në disa strofa të vjershës “Zëri i Flamurit”), por edhe të kombinuar me klasa të tjera fjalësh, shoqëruar me epitete, edhe vetëm me folje që përmbyllin kuptimin e frazës-strofë, duke qenë njësi predikative, si tek poezia e njohur “Lulkuqja…”, e cila përmban disa strofë-fraza me parataksë: 

    Lulëkuqeja, e mjera,   Ajo ngjyrë nd’ato fletë

   Asgjëkundi s’ka shtëpi,                   Është shpresa që tregon

   E shkon jetën nd’arrati                    Një të ardhme që ëndërron..

   Ajo s’është si të tjera                        Është Flamuri ynë vetë

           S’ka stoli                                            që valon !

Tek “Psallme Murgu”, ka një adaptim tek vjersha “Shi po bije!”, ku në një strofë safike del fugura morfosintaksore e enalagës, që shfaqet në ndërrimin e gjinisë për emrin “lulet”:

Shi bije! Le të bjerë!

Kopsht, lendinë zun’e thahen

Lulet epur sa po mbahen

Si të mjerë.

***

Përfundime 

  1. Asdreni është një prej poetëve m[ të njohur i Rilindjes sonë Kombëtare dhe i periudhës së Pavarësisë, i cili u njoh që në krijimet e para.
  2. Ai ka pasur vëmendjen e kritikës dhe u vlerësua gjatë gjysmë shekullit XX, duke nisur nga Faik Konica  dhe Gjergj Fishta.
  3. Poeti drenovar jetoi e krijoi jashtë Shqipërisë dhe formimi gjuhësor i tij i përket kohës së fëmijërisë dhe rinisë, që lidhet më gjatë me gjuhën rumune sesa me gjuhën amtare, kështu që nuk mund të quhej njohës i nivelit të lartë të pasurisë leksikore dhe shprehësisë së shqipes. Sidomos, kjo duket qartë në krijimet e pakëta që ka lënë në idiomën gegërishte.
  4. Asdreni ka sjellë jo pak risi në vjershërimin shqip, sidomos në pasurinë e larminë e strofikës, nga distikët, tercinat, strofat katërshe, pesëshe, gjashtëshe, tetëshe, strofat safike dhe sonetet e shumta që ka krijuar. 
  5. Ka mjaft të dhëna që ky poet lëvroi për herë të parë edhe vargjet e lira (kryesisht në metrikë), një udhë e re që vazhdoi gjatë, më pas, në letërsinë shqipe.
  6. Motivet e krijimtarisë së Asdrenit janë temat që u lëvruan gjatë Rilindjes Kombëtare, si dhe problemet shoqërore shqiptare, të gjysmës së parë të shek. XX.
  7. Për vjershat në tingëllima, për nga mjeshtëria, Asdreni, vjen pas Mjedës, i cili, me sonete krijoi poema të tëra në vargje.
  8. Ai është një ndër shkrimarët shqiptarë që u çmua dhe u përfshi në librat shkollorë para dhe pas Luftës II Botërore.  

Bibliografi

  • Faik Konica, Vepra I, Botimet Dudaj, Shtypshkronja “Guttenberg”, Tiranë, 2001.
  • Gjergj Fishta, Ëndrra e lotë, Hylli i Dritës, Shkodër, 1914/9.
  • Lasgush Poradeci, Ylli i zemrës, Tiranë, 1933. (Vepra letrare, Tiranë, 1990). 
  • Eqrem Çabej, Elemente të gjuhë[sisë e të literaturës shqipe, excupere 20, Shtypshkroja e Ministrisë s’Arsimit, Tiranë, 1936. 
  • Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…Shtypur Shtypshkr.Tirana”,Tiranë, 1992.
  • Karl Gurakuqi, Shkrimtarë shqiptarë – 2, Rilindja – Histori e Letërsisë shqipe, nën kujdesin e Ernest Koliqit, Tiranë, 1941; Botim II “Pakti”, Tiranë, 2008.. 
  • Asdreni, Psallme Murgu, Komentuar nga Leka Ndoja, Botimet “Pakti”, Tiranë, 2009 (me 208 faqe). Qendra e Studimeve Albanologjike, Maximilian Lambertz, Periudha hipotetike në gjuhën shqipe, përgatitur për botim: Prof..dr.Tefë Topalli & Dr. phil.MA Edmond Malaj, Botime Albanologjike, Tiranë, 2011. 
  • Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Tiranë – Pejë, 1997. 
  • Rexhep Qosja, Asdreni. Jeta dhe vepra e tij, Dukagjini, Prishtinë 1972 (Ribotuar nga TOENA, më 2002).
  • Tonin Çobani, Referuar në promovimin e librit “Asdreni, jeta dhe vepra e tij”, TOENA, 2002. ,  shkruar  nga akademiku Rexhep Qosja, promovim që u bë gjatë ditëve të sallonit të librit  në Korçë. Botuar te  gazeta “Koha jonë”…
  • Rexhep Qosja, Panteoni i rralluar- Studime, kritika dhe ese, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1988.
  • Karl Gurakuqi, Shkrimtarë shqiptarë – 2, Rilindja – Histori e Letërsisë shqipe, nën kujdesin e Ernest Koliqit. 
  • Asdreni – Vepra I, Tiranë, 1976. (Botuar për herë të parë në “Korça”, Korçë, v.I, 1909, nr. 17, 15 tetor, f. 2).
  • Rexhep Qosja, Asdreni- Jeta dhe vepra e tij, Botimet Toena; Tiranë, 2002.
  •  Koço Bihiku, në Asdreni-I, Kombinati Poligrafik, Shtypshkronja “Mihal Duri”- Tiranë 1976.
  • Lasgush Poradeci, Naim Frashërit- Poem lirik- Nxjerrë nga libra “Naim Frashëri” prej një grupi studentësh të Austrisë (Graz), 1925. Naim Frashëri, Vjersha lirike- Nën redaktimin e L.Poradecit. Shtëpija Botonjëse “Naim Frashëri”, Tiranë, 1950.
  • ASHAK, Drejtshkrimet e shqipes Përgatitur nga R. Ismajli, Prishtinë, 2005.
  • Faik Konica, Vepra-4, Botimet Dudaj, Shtypshkronja “Guttenberg”,  Tiranë, 2001.
  • Adreni, Psallme Murgu, Botimet “Pakti”, Tiranë, 2009, (Sipas botimit në Bukuresht, 1930).
  •  Rexhep Qosja, Asdreni, jeta dhe vepra e tij, Botimet Toena, Tiranë, 2002. 
  •  Xhevat Lloshi, Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika, Albas, Tiranë, 2012..
  • Ferdinand Leka, Fjalor i termave të letërsisë, Infobotues, Tiranë, 2013. 

   ***

Filed Under: LETERSI Tagged With: TEFE TOPALLI

Fjala e bukur në Epos dhe këngë të tjera, e vështruar nga një gjuhëtar

November 13, 2022 by s p

Prof. dr. Tefë Topalli

Në të gjitha këngët, si krijimtari popullore, fjala dhe shprehja shkojnë e vendosen pas një zgjedhjeje që nuk përfundon asnjëherë: brez pas brezash, derisa ato shkruhen e zënë vend në tekste të regjistruara e bëhen modele arti letrar dhe objekte melodish për kompozitorin popull. Këtë nektar të shndritshëm të folklorit tonë ka bërë objekt vështrimi e humtimi gjuhëtari ynë prof. Gj.Shkurtaj, akdemik në shkencat albanologjike, me botimin  e thuktë “Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes në shekuj”, Tiranë, 2022, 180 faqe. Janë si publikime festive librat gjuhësorë që dalin këto ditë, në vigjilje të 50-vjetorit të Drejtshkrimit të Shqipes  (1972-2022), prandaj dhe na tingëllon jehonë dhe himn për gjuhën amtare, ky botim i dialektologut, sociolinguistit dhe etnolinguistit Gj.Shkurtaj. Nga ana tjetër, ne që e kemi  ndjekur dhe e njohim mirë veprimtarinë shkencore të këtij gjuhëtari, themi se me tituj të tillë, që nga vitet 1980, kur dilte para nesh si ekplorues i jetës letrare, gjuhësore dhe kulturore të botës arbëreshe, me përmbledhjen e rrallë “Shpirti i arbërit rron”(1984), akademiku Shkurtaj, ka vijuar të thellohet në fushën kërkimore shkencore me “Ligjërimet arbëreshe”-Gjuha e bukës” dhe “gjuha e zemrës”-Shqyrtime dialektologjike dhe sociolinghistike në ngulimet arbëreshe të Italisë-(2006), e ribotim i pasuruar, në kolanën e Akademisë së Shkencave (2020), duke na zgjeruar rrethin e njohjes për vëllezërit tanë të gjuhës e të gjakut përtej Adriatikut, njëherësh pa u shkëputur nga kërkimet në lëmin ku ai u shfaq si gjuhëtar i formuar në studimet e dialektologjike të shqipes (me monografi të gjera për një numër të folmesh të shqipes veripërëndimore, pastaj dhe me bashkautorësi në teksetin përgjithësues për dialektet e shqipes (bashkë me prof.J.Gjinarin) e, në vijim, edhe me hartim e botim tekstesh e librash të tjerë moografikë të nevojshme për pasurimin e kurrikulës lëndore të Departamentit të gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës, duke sjellë për herë të parë studime disiplinare, si: Sociolinguistika (1996 e ribotime të zgjeruara e të pasurura (1999, 2003, 2012), Onomastikë dhe Etnolinguistikë (SHBLU, 2001) dhe ribotim i zgjeruar (Botime ALBAS, 2013) Enigma e emrave – Përzgjedhja e emrit, shkurtimet ledhatuese dhe nofkat, Fjalorë shkurtimesh dhe emrash të pëlqyeshëm-Botimet “Naimi”, 2017) etj. Ai është, ndërkohë, mbrojtës i standardit të shqipes, me vepra të shënuara: Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran-Instituti i Lartë i Arteve (1983) dhe ribotim i pasuruar (1988), “Kahe dhe dukuri të kulturëss ë gjuhës”(Kristalina-KH, 2003),”Kultura e gjuhës”(SHBLU, 2006); Si të shkruajmë shqip-Nga drejtshkrimi të shkrimet profesionale,Toena, 2008 (dhe ribotime të pasuruara,Toena, 2012, Morava,2013 ) apo me traktatin Urgjenca gjuhësore-Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe,Fjalorth – (ADA, 2015 dhe botim i dytë i përmirësuar, Naimi, 2017)’ Gjuha, ligjërimi dhe jeta-Përmbledhje leksionesh, krestomaci dhe ushtrime socioliguistike (me bashkutore: M.Shopi, Tiranë, 2018). Ka dorëzuar për botim e pritet të dalë  nga shypi edhe libri Kultura e gjuhës sot (Përmbledhje studimesh dhe pjesë tekstesh universitare), Botimet PEGI. 

Për pak gjuhëtarë të brezit të prof.Gj.Shkurtajt mund të shprehemi me bindje se punët e tyre në albanologji, jo rrallë na shfaqen si arritje institutesh shkencore. Krahas prurjeve me plot risi që kanë sjellë në studimet tona filologjike, sidomos këta 30 vjetët e fundit, kur mundësia e njohjes së shkollave dhe drejtimeve të huaja linguistike, prej tyre u  bë e mundur edhe për aplikime të pjesshme apo tërësore në lëvrimin e studimin e gjuhës sonë, qoftë edhe me ribotime veprash, me mbështetje e citime nga autorët bashkëkohorë apo të traditës europiane e më gjerë. Duke gjykuar kështu, na duken aq mbresëlënëse realizimet studimore të akademikut Gj.Shkurtaj, me të cilat pasurohet një bibliotekë e profolizuar e një lëmi të caktuar, ku studentë dhe pedagogë të rinj, dashamirës dhe kërkues të dijeve në lëvrimin e shqipes, gjejnë shumëçka që duhet për një formim më të ngritur e bashkëkohor të përdorimit shprehës dhe emocional të gjuhës amtare.

Shqipja e Sotme
KUNDRIMET GJUHESORE
KADAREJA DHE FJALA SHQIPE
Pesha e Fjales Shqipe
Libri: Dialektet e Shqipes
LIGJERIMET ARBERESHE
SI TE SHKRUAJME SHQIP
GJUHA SHQIPE (PER TE HUAJT)
KULTURA E GJUHES
Gjuha Ligjerimi Dhe Jeta-Adrion LTD
Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran by Gjovalin Shkurtaj
Si te shkurajme Shqip: Baza te shkrimit akademik
HYRJE NE METODIKEN E PUNES SHKENCORE
Gjovalin Shkurtaj (gjovalin) - Profile | Pinterest
Si të shkruajmë shqip by Gjovalin Shkurtaj
TADUAM DHE TA RUAJME GJUHEN TONE TE BUKUR
ONOMASTIKE DHE ETNOLINGUISTIKE
KAHE DHE DUKURI TE KULTURES SE GJUHES SHQIPE
SHPIRTI I ARBRIT RRON
ANKETIMI DHE EKSPEDITAT GJUHESORE
ETNOGRAFI E TË FOLURIT TË SHQIPES
SATIRA - F A SANTORI

                                                                             *            *            *

Në librin e ri që vumë në krye të këtij shkrimi, Gj.Shkurtaj vijon “të na godasë” nga një këndvështrim i tij, i paparë deri më sot. Nuk ka shumë kohë që morëm në duar Fjalorin dialektor të Malësisë së Madhe, me peshë aq të rëndë jo veç të lemave të rreshtuara brenda tij, por sidomos, me prurjet e rralla të etnografisë së të folurit, në mënyrë të veçantë, të frazemave shqipe që kanë lindur dhe kanë zbukuruar në shekuj idiomën e asaj krahine dhe që janë, pa dyshim, edhe sot mjete të gjuhës artistike edhe të letërsisë së kultivuar. Si folës i lindur dhe i rritur i asaj treve gjuhësore, prof.Shkurtaj nuk ka si të mos ishte i lidhur me njohjen e treguesve gjuhësorë dhe etnikë të krijimtarisë kryesore të popullit tonë, siç është Eposi madhështor i Kreshnikëve, eposi ynë i vlerësuar aq lart edhe nga albanologët e huaj dhe që ka qenë edhe model shkrimtarie për poetë të mëdhenj të kombit tonë, ndër të cilët shquhet poeti i madh, At Gjergj Fishta në “Lahutën e Malcis”. 

Kolegu e miku ynë, akademik Shkurtaj, ka trashëguar në genin e tij, që nga psikologjia e fëmijërisë jehonën e atyre këngëve kreshnike, ka njohur me emër lahutarë në zë që i kanë kënduar trimëritë dhe bëmat e heronjve të atyre maleve, ka mbledhur në të ritë e tij lëndë folklorike; ai është i bindur se Eposi ynë, edhe në mos pastë lindur atyre anëve, ka jetuar e ardhur deri në ditët tona përmes këngëve në gjuhën shqipe. Nuk ndalet autori në temën nevralgjike: e kemi të huazuar apo të lindur këtu Eposin legjendar, siç kanë bërë studime Lamberci e Kordinjano, mbledhësit e parë – fretërit e urtë e të pasionuar të tij: Palaj e Kurti tek Visaret e Kombit; as te mendimet që kanë dhënë Prendushi e Fishta, në kohë më të vona folkloristët tanë të shquar apo dijetarët aq të thelluar në studimin e tij, siç janë Stavri Skëndo, A.Desnickaja, Shaban Sinani etj.. E rëndësishme për gjuhëtarin-autor të këtij libri, është fakti se këngët e kreshnikëve tanë janë kënduar shqip, janë lëmuar gjuhësisht ndër breza nga të parët tanë dhe i kemi të regjistruar prej shqiptarësh. Prof.Shkurtaj i është qasur Eposit për fjalët e zgjedhura dhe shprehjet e mrekullueshme, frazeologjinë e spikatur dhe urimet, mallkimet dhe forcën e kumtit që përcjell krijimtaria artistike popullore  edhe sot, në kohët moderne. Kur e lexon këtë përmbledhje (miscelaneo) studimore, bindesh se ndër ato 70 faqe që i takojnë Eposit, endet një monografi e vërtetë shkencore, e ilustruar me lëndë shumë të pasur në vargje të përzgjedhura. Me siguri, autori, mund ta nxjerrë më vete, si studim ekzotik që na vjen për herë të parë në rrafshin e gjuhës e figuracionit, të shkëputur nga vështrimi me vlerë, që u ka bërë këngëve të mbrujtura me krijime të kultivuara e që këndohen prej këngëtarësh me emër.

Për gjuhën e Eposit, autori thekson se ajo është model i ligjërimit, i komportimit burrëror, i mënyrësjelljes (bihejviorizmit), si shfaqje e veçantë jo vetëm e individëve, por dhe e krejt mendësisë shoqërore përkatëse e një komuniteti. Heronjtë legjendarë të çetës së Jutbinës, që mbrojnë me shpatë trojet e të parëve të tyre, rrafshojnë kulla e qytete të krajlnive, por njëherësh, i karakterizon edhe kortezia gjuhësore në kuvende e biseda me kundërshtarët, qoftë edhe kur dalin në bejleg me ta. Këto modele, sipas Shkurtajt i kanë vënë re edhe studiues të huaj, edhe poetët  tanë, mjeshtër të fjalës, siç janë Mjeda e Fishta, të cilët i kanë thithur këto mënyra së thëni plot dinjitet shqiptari e fisnikëri malësori. Si një etnograf me përvojë, autori nuk lë pa përshkruar bisedat fjalëpaka të Eposit, rendin kur duhet marrë fjala, ndejshëm, dialogjet sy në sy e luftëtarëve si Halili e Muja me Krajle Kapedanin, kushtrimet nga bedenat e kullave; si dhe marrjen e respektimin e ndores, ngritjen në këmbë të burrit, të falmet mes burrave (si përshëndetje), dhënien e dorës, urimet e bukura dhe mikpritjen me zemër, kur miku e udhëtari u kërkon konak. Autori studiues sikur ngazëllehet kur merr e përshkruan ritin mirëseardhjes, urimet për udhë të mbarë, kur përcjellin njëri-tjetrin, kur ndeshin në t’Bukurat e malit  etj. Më vete na shfaqen edhe pritjet e përcjelljet për kryeshëndosh në shtëpitë e të vdekurve, me fjalë të peshuara e të matura, me lavde e tumirime për ata që ndërruan jetë, me urime për të gjallët dhe vazhdimin e jetës me djem e trashëgimtarë! Një etnografi ligjërimi e vërtetë….

Mjeshtër i kësaj fushe hulumtimi e kërkimi gjuhësor, prof.Shkurtaj dëshmon me këtë studim se Eposi ynë, si dhe gjithë eposet e popujve të tjerë europianë, kanë një bosht, rreth të cilit sillen vlerat dhe virtytet e atyre që i kanë ruajtur në shekuj; edhe Eposi shqiptar ka një të tillë: është Besa, si një kult i paprekur, i shenjtë, aq sa ky nocion është lidhur përherë me Perëndinë- Besa e Zotit! Nuk kishte si të lartësohej më tepër një virtyt mes njerëzve dhe që i mban ata të bashkuar, një cilësi karakteri që nuk duhet shkelur. Besa në Epos nuk jepet e as nuk merret vetëm mes dy njerëzve, por ajo rregullon marrëdhëniet në mes komuniteteve të tana, edhe mes krajlnive, sepse, në betime e përbetime, ajo lidhet gjithnjë me Krijuesin! Madje, kështu, si sintagmë e vetme: Besa e Zotit, për Besë të Zotit, ka hyrë në gjuhën e folur të folklorit shqiptar. Prandaj dhe gjejmë një varg shprehjesh të pafund me këtë fjalë, si: kam besë, a ke besë, jap besën, besa-besë, pret në besë, meriton besë, jam në besë, kërkon besë, t’mbaron besa (afati i besës), nxjerr besë, ruaju edhe në besë (prej besëthyerëve), a ke besë n’Zotin, a e din çka asht besa, mos ban be  n’rrenë, të vret besa, mos i xen besë, shtëpi bese djalë mbas djali etj. Në fjalën e tij, kur u përurua midis miqve, jo veç autori, por edhe pjesëmarrës e studiues, kolegë gjuhëtarë të tij si prof.Shezai Rrokaj e prof.Mimoza Gjokutaj, prof.Evalda Paci, kulturologë e gazetarë si Ed Andoni apo kineastë si Eduart Makri etj., nuk lanë pa thënë se Eposi dhe gjithë krijimi letrar folklorik i Veriut apo edhe i trevave të Jugut, nuk paraqesin vështirësi kuptimore as në fjalësin e pasur, as në shprehje e frazeologji dhe as në mënyrat e të thënit; ato janë shqipe dhe u drejtohen gjithë shqipfolësve. 

Autori i këtij libri, i njohur për “gjuetinë” e fjalëve të bukura, shtegtimin e tyre dhe shprehjeve popullore përgjatë gjithë jetës, nxjerr në pah brenda këtij libri edhe figurshmërinë dhe hijeshinë e leksemave dhe frazemave të Eposit, pasi, duke qenë në vargje, fjalët vijnë e poetizohen, fitojnë  bukuri e peshë të jashtëzakonshme, prandaj dhe ndalet në mënyrë të veçantë tek kjo cilësi e leksikut dhe e shprehjes; vë në dukje onomastikën dhe jep mendime si ka ndryshuar ajo në kohë, zbulon zbunime emrash për luftëtarët, dallon qeniet mitologjike shqiptare, ndryshorët sipas gjinive, na sjell mallkimet dhe rolin e tyre në ligjërimin poetik të këngëve kreshnike, automallkimet që bëjnë njerëzit për ngjarje e pasoja të rënda që kalojnë në jetë, pa lënë jashtë edhe ato shprehje që gjuhëtari ynë i quan “përshëndetje të deleguara”, fjalë tumiruese që jepen si porosi t’u thuhen të tjerëve, pa qenë të pranishëm. Kur bisedon me prof.Shkurtajn për këtë përmbledhje, sa vë në dukje vështrimet linguistike që i ka bërë Eposit, shprehet se edhe më duhej zgjatur për këtë krijesë madhështore të shqiptarëve, ruajtur nëpër shekuj, sepse pasuri si kjo, e vërtetë, që nuk mund të përshkruhen sa duam dhe sa duhet brenda një librushi, si e quan me modesti veprën e tij autori.

Gjithë pjesa tjetër e kësaj përmbledhjeje kaq ekzotike, i mëshon idesë se këngët mbruhen me fjalët e zgjedhura për t’iu gjegjur melodive të zgjedhura nga muza e tingujve të kompozitorëve; si për këngët popullore, ashtu edhe për ato me tekste letrare të poetëve që i krijojnë. Për një albanolog (dialektolog dhe etnolog), si Gj.Shkurtaj, të merresh me vështrimin gjuhësor të këtij gjerdani nga visari ynë kombëtar, siç është arti folklorik dhe ai i kultivuar nëpërmjet këngëve të muzikuara, do të thotë si të studiosh mes luleve erëmira të një kopshti të kultivuar prej mjeshtrit të paarritshëm popull, prandaj dhe ai e ka çmuar nismën e tij e ka ngulmuar të përceptojë sa më thellë për të arritur në përfundimet që ka bërë edhe për këngët majekrahu, për tekstet e këngëve të festivaleve, fjalës së gjetur të këngëve të këngëtarëve të sotëm, për të cilët ai (edhe ne) dëshirojmë t’i dëgjojmë të na tingëllojnë sa më shqip e të kuptuara brenda vendit e deri tek bota arbëreshe, që autori ynë ka pasur fatin ta njohë aq mirë e drejtpërdrejt e të na njohë edhe ne me tingëllimën e gjuhës amtare që vëllezërit tanë e patën marrë me vete shekuj më parë dhe po përpiqen ta ruajnë edhe në ditët tona, me aq dashuri sa dhe ne.

Nuk ndodh shpesh që, kur je duke përgatitur dy fjalë urimi për një gjuhëtar, bash për një libër të kësaj jave,  si ai që nis këtë shkrim, “të trokasë” në derë, përsëri prej këtij, një tjetër botim që u shkon për shtat këtyre ditëve festive të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të shqipes, pagëzuar me një titull shumë domethënës “Kultura e gjuhës sot”. Është një përmbledhje studimesh dhe pjesë tekstesh universitare, që na vjen prej prof. Shkurtajt, i cili ka vite që publikon dhe sjell për shkollat tona, universitetin dhe mbarë lexuesit që duan ta ngrenë veten kiulturalisht në përdorimin e gjuhës, tema të tilla, deri edhe tek traktati “Urgjenca gjuhësore” – një përmbledhje – kambanë shqetësimi në mbrojtje të standardit dhe kulturës së gjuhës. 

Libri, i shtypur nga enti botues ”Pegi”, Tiranë, 2022 (me 270) faqe, është përgatitur nga prof.as.dr. Meleq Shopi – pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Elbasanit, ka një përmbajtje të pasur me çështje e probleme të lëvrimit dhe statusit të shqipes në ditët tona, zhvillimet e saj në kuadrin e globalizmit. Janë edhe një tubë shkrimesh të njohura të autorit, të cilat duhen kujtuar, mbajtur në vëmendje dhe zbatuar në gjuhë të shkrimit, apo edhe në gjuhën e folur. Gjuhëtari ynë është i bindur se, ashtu si gjuhët e tjera europiane e ballkanike, edhe shqipja nuk është e pandjeshme ndaj trysnisë shoqërore e kulturore të kohës së sotme. Ruajtjen e mbrojtjen e gjuhës sonë, autori nuk e quan censurë, por detyrim, si tipar themelor i kombit, si peng nderi për çdo shqiptar, etj. Ai thekson se ka edhe sot politika gjuhësore që e mbrojnë standardin, duke ruajtur e çmuar dialektet e të folurat e tyre, njëherësh, pa nënçmuar a përçmuar idiomat e pakicave etnike; ngre zërin për shkelësit dhe shumëshkelësit e normës gjuhësore, u mëshon dallimeve të varianteve të shkruara e të folura të gjuhës, ndryshimet e ndërgjegjshme të gjuhës, variantet funksionale shoqërore e kontekstuale; një grup shkrimesh në këtë përmbldhje synon të nënvizojë mirësjelljen gjuhësore (kortezinë e të folurit), probleme të etnografisë së komunikimit në ligjërimin publik, etikën, ekologjinë dhe kulturën e gjuhës në kohën tonë; shprehet kundër gojështhurjes dhe mungesës së kujdesit për gjuhën, si dukuri e tranzicionit….sidomos, ngre zërin e bën thirrje që edhe shqiptarët të hyjnë në kulturën europiane të veshur me kulturën shqiptare dhe bukurinë e shqipes.

I urojmë autorit, kolegut të nderuar e mikut të dashur, akademikut Gjovalin Shkurta, që edhe pse po shkon afër të 80-ave, të mos e ndalë hovin e tij krijues e studimor dhe të na japë edhe vepra të tjera si këtë që sapo morëm e të tjerat, aq të shumta, disa prej të cilave (por jo të gjitha) i përmendëm më lart.  

***

Filed Under: ESSE Tagged With: TEFE TOPALLI

Një monument për Kristoforidhin dhe gjuhën shqipe

November 8, 2022 by s p

       Prof..Xhevat Lloshi

    “UDHËKRYQET E KRISTOFORIT 

    DHE AVENTURA E LIBRIT SHQIP”

   (UEGEN, Shtëpia e Librit dhe e Filmit, Tiranë, me 676 faqe)

                                               ***                                           

“Përkthyesi, një djalë shqiptar besimtar e i arsimuar mirë, 

duket se është rritur nga vetë Providenca hyjnore në një 

 mënyrë të veçantë pikërisht për këtë punë.” (C.Hamlini) –

                                                                                                    “Unë e bëj këtë punë 

                                                                                                            nga dëshira 

                                                                                                   për të qenë i  dobishëm

                                                                                                 për bashkatdhetarët e mi. “ 

                                                                                                            (Kristofori)

“Ai nuk është një librashitës i thjeshtë, ai ka një mison 

të ndryshëm. Nevoja për shkolla shqipe është një element 

i rëndësishëm..Ndërkohë Kristofori udhëtonte nëpër Shqipëri, 

duke folur e punuar si misionar i lëvizjes kombëtare mes një 

populli që e priste krahëhapur. “Futjen e librave shqip ai po

e kthen në punën e vet të madhe.” Vijonte mbledhjen 

e shprehjeve dhe të fjalëve dialektore, “të cilat 

po i mban shënim për t’u dhënë dorën e fundit 

përkthimeve të veta të Dhiatës së Re dhe të Psalmeve”, 

por unë besoj se po mblidhte fjalët për Fjalorin.” (f.281)

    “Kristofori kishte hapur një rrugë të re,

  sepse e lidhte punën për gjuhën dhe arsimin

      me idenë parësore për lirinë e vendit,

      për bashkimin kombëtar. Bashkësisë

        kombëtare duhej t’i përgjigjej edhe

                     njësia e gjuhës.”

“Momerandumi i gjuhës shqipe” (1857) është punimi i parë 

i Kristoforit kushtuar gjuhës shqipe, me të cilin ai hyn 

në trashëgiminë tonë kulturore e Rilindjes drejtpërdrejt

si gjuhëtar, me vetëdije të plotë për misionin e tij. 

Dhe ky mision mbeti për të Ylli i Karvanit, sa herë 

do të dilte në ndonjë udhëkryq mes shkretërirave, 

që jeta i ka më të mëdha se oazat.” (f.112) 

***

Nuk ka si të ndodh më mirë, sesa, kur je duke shkruar për një gjuhëtar, nga këta të një libri që kemi në dorë, merr vesh se, bash kësaj jave, publikohet edhe një vepër tjetër e tij, si më ngjau me librin «Udhëkryqet e Kristoforit dhe aventura e librit shqip », të prof. Xhevat Lloshit. Kam nga ky autor, një nga një, të gjitha veprat e publikuara dhe përherë kam parë në sytë e studiuesit gëzimin e njëjtë për një realizim shkencor e kulturor, por, për Konstandinin e Madh të jetës së tij studimore, dhe të gjuhës shqipe, ishte një kulm suksesi në rrugën e kërkimit gjysmëshekullor për Babain e Shqipes. Pas përgëzimit e falënderimit të veçantë, më thotë të lexoja paragrafin e mëposhtëm ku shkruhej te Kreu I, f. 9: « Kristofori është një fenomen në kulturën shqiptare. Ai bën pjesë në atë brez njerëzish, të cilët të parët e panë se po vinin kohë të tjera dhe Shqipërisë së pushtuar prej katër shekujsh i duhej zëri i saj i plotë, i përpunuar si shprehës i njësisë kombëtare, për ta zgjuar popullin për liri. Çdo dukurie të rëndësishme brezat e mëpastajmë përpiqen t’i gjejnë rrënjët dhe për njerëzit rrënjët  janë: kur dhe ku ka lindur ? Si u mbrujt dhe çfarë e nxiti për të marrë rrugën deri atje lart, ku i bëri vend vetes dhe ku e mbajnë me nderim ? I pari që e ka shtruar pyetjen se kur dhe ku lindi  Kristofori, ka qenë « Kalendari i Maleve » për vitin 1900. Aty (f. 49) përmenden disa nga « emrat e artë të kombit shqiptar » dhe revista ka vendosur ta hapë shekullin e ri me « apostullin e gjuhës kombëtare, me Kristoforidhin ». Është artikulli i një autori shkodran (me gjasë, sipas autorit- i Luigj Gurakquit), i cili mbi gjithçka e vlerëson si nismëtarin e përpjekjeve për një gjuhë të shkruar të përbashkët…. » (f.9) Pastaj, biseda u mbyll me pohimin se qëllimi i librit është ta ngrejë gjuhën tonë në piedestal, me një monument, që lidhet përjetësisht me Kristoforin…. » 

    ***

Profesor Xh.Lloshi të flet për veprimtarinë e elbasanasit e shqiptarit të madh, si të ishte dëshmitar i jetës së tij, që e ka ndjekur hap pas hapi në udhën e vështirë të naltimit të shqipes: është e vërtetë se dëshmitë e dokumenteve që ai zotëron, prej 50 vjetësh, ngjasin dhe ia kalojnë dëshmitarit të gjallë; me pak fjalë por edhe me një ligjëratë të tërë, ai ta sjell përpara Kristoforin e tij si ka qenë dhe si ka dashur të jetë, Babai i shqipes, brenda gjuhës dhe popullit të vet….

Askush s’duhet të habitet : për Kristoforin është folur e shkruar, por ka ende për të folur e shkruar, prandaj dhe prof.Xhevat Lloshi i kthehet kësaj figure, këtij fenomeni të kulturës sonë, se është i bindur që jeta e këtij rilindësi lidhet pazgjidhshmërisht me historinë e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e  saj, edhe pse puna e tij kryesore (për të jetuar) ishin përkthimet, me porosi të Shoqërisë Biblike të Londrës. Përkthimet e porositura nga Shoqëria do të ishin shqip, madje edhe në dy dialektet dhe këto do të bëheshin prej një njeriu që ishte gjuhëtar i lindur, por, kryesorja : prej një shqiptari që kishte ëndërruar të bënte libra shqip e të mësonte nxënësit shqiptarë, të udhëtonte nëpër trojet amëtare për gjuhën shqipe…(f.139). Ai do të prirej në mënyrën më të natyrshme drejt Biblës si mjeti më ideal, shkruan autori, për të arritur qëllimet e tij pikërisht atëherë, kur çështja e kombit shqiptar, e jetës, e kulturës dhe e gjuhës së tij ishte shtruar si në çastin « në krye të herës ».(f. 58)

Prof.Xh.Lloshi e shkruan prerë se botimi i përkthimit të Biblës në një gjuhë ka qenë kurdoherë edhe një ngjarje kulturore, letrare e gjuhësore, ai shënohet në historinë e gjuhës së shkruar. Dhe ky pohim nuk ka nevojë të mbështetet e të kujtojmë historinë e gjuhës së shkruar gjermane që zë fill me përkthimin e Dhiatës së Re nga peshkopi Vulfila (311-383), mjafton të sjellim ndër mend se përpjekjet e shqipërimit të Vulgatës, në vendin tonë kanë zgjatur plot katër shekuj e gjysmë : nga libri i parë shqip, 1555, deri kur u botua Bibla e plotë, më 2004. Marrë që nga Formula e Pagëzimit, shkruan autori, me të është pagëzuar vetë gjuha shqipe e shkruar. 

                                                                     **

Pa u larguar nga argumenti, në këtë paraqitje të librit më të fundit të autorit, duhet vënë në dukje se, me vite, prej gjysmë shekulli, prof.Xhevat Lloshi, në trajtimet e temave historike për njerëz e ngjarje kulturore, sidomos për shqipen e shkruar, ecën gjithnjë duke shfaqur teza të mbështetura mbi të vërtetat e dokumentuara. Kjo ka bërë që mjaft të dhëna që kemi, të mos mbeten pa u lëkundur: për data, njerëz, fakte, qëllime, rrethana, pasoja, renditje ngjarjesh, lidhja e tyre dhe arsyetime që janë kontradiktore, të padëshmuara me fakte që, ose kanë ekzistuar nëpër shkrime e arkiva brenda e jashtë vendit, por që tani ka ardhur koha të njihen e të dalin në dritë. Ky qëndrim i prerë i autorit, domosdo që lind e sjell sfida, siç e quan prof.F.Dado, por që kanë anën e tyre pozitive, se krijojnë atë që ka munguar në letrat tona : kritikën shkencore, e cila del haptas në shumë studime të stilistit tonë. Prandaj dhe ky libër vjen e shfaqet si botimet e tjera para tij  dhe shtrohet mbi tri vija : a). në risitë dhe prurjet e panjohura deri më sot, b). divijimet që kanë ndodhur në albanologji (brenda historisë së shkrimit shqip), c). mbrojtja e së vërtetës me dokumente të zbuluara dhe me arsyetime që sjellin sfida ! Faqe pas faqeje, me këtë libër në dorë, të formohet ideja se tash që vepra e madhe origjinale dhe e përkthyer e K.Kristoforidhit, po sheh dritën e botimit, duhet ndriçuar vetë Kristofori, madje duke e zhveshur nga legjenda që jo rrallë, e mjegulloi; e gjithë kjo të sjell ndër mend artikullin programatik të Gj.Fishtes, 92 vjet më parë, me emrin domethënës « Tash, që asht ba Shqipnia, duhen përba shqiptarët ! » 

Vetë titulli intrigues mbi dy fjalë emra « udhëkryeqet » dhe « aventurë » na bëjnë ta hapim menjëherë për të zbuluar cili është Kristofori, i njohur në librat tanë shkollorë në trajtën Kristoforidhi, kur nevojiten krahasime me biografi të hershme për qytetarin elbasanas : ajo e S.Shuteriqit, por nuk mjafton, duhet parë Gjimnazi i famshëm « Zozimea » dhe regjistrimet e nxënësit Konstandin. E dyta, arsyetimi i hollë dhe në suazë stilistike e çon autorin te sqarimi i dokumentit të Perikopesë së Ungjillit të Pashkëve, të cilin ai e quan tekst apo « vepër të plotë », për ta zbërthyer në elemente përbërëse, ndonëse është vetëm një segment i përkthyer, por me probleme gjuhësore (f. 65-69). Edhe këtu duhen kapërcyer konkluzionet e mëparshme të autorëve të tjerë, të cilët kërkojnë vlerësim për çka është e drejtë dhe duhen përqasur me pjesë që nuk mund të pranohen ! Por herë- herë, arsyetime të tilla çojnë në fluturime pindarike (në devijime nga argumenti kryesor) dhe kështu, për të vendosur Heroin Kristofor në zanafillën e ndërmarrjes së tij jetike – për të shpjeguar barrën e rëndë që do të merrte në kurriz Kristofori, duke u përfshirë në mekanizmin gjigant botëror të shumëzimit të Biblës (f.56) – autori duhet të shtjellojë temën legjendare dhe historike për « Faqe të Krishterimit në Shqipëri », një fill i vështirë për t’u zhdrivilluar, një proces ku gjen jo aq të vërteta sa shtrembërime e pasaktësi, thënie e kundërthënie, në planin intelektual vendës, por edhe nga vetë historianët e huaj. Këtu na vjen shpjegimi më i bindshëm që, kur dy kishat e mëdha (ajo Lindore dhe Përendimore) iu shmangën fushës që kultivon kulturë, nëpërmjet përkthimit të Biblës, atë e zunë protestantët, të cilët ditën ta lëronin me mjeshtërinë e përvojës botërore, edhe duke iu mbështetur konceptimit kulturor të punës. Kësaj radhe, të vërtetat që shpall autori i Kristoforit, i kërkon dhe i vë mbi bazën e shtjellimeve që ka bërë dhjetë vite më parë, te Përkthimi i V.Meksit dhe redaktimi i G.Gjirokastritit. Asnjë ngjarje nuk ngjet pa pasur lidhje shkaku a pasoje me një tjetër, qoftë edhe për rastësi. Kështu ndodhi kur, në fillim të shek.XIX filologu slloven Jernej Bartolomeu Kopitari hodhi idenë që Dhjata e Re të përkthehej edhe në gjuhën shqip, krahas serbishtes, bullgarishtes e vllahishtes. Edhe në këtë segment të paraqitjes, duhej vënë dorë në mjaft prej gjërave të thëna e të shkruara nëpër librat tanë të historisë së gjuhës së shkruar: nga hulumtues të ndryshëm, deri tek gjuhëtari K.Ashta në vëll. VII të veprës madhore Leksiku historik i gjuhës shqipe ! Në këtë pikë, ndeshim shpjegimin pse autori paska të drejtë të flasë për aventurën e një libri  shqip, pasi përkthimi në shqip i librave të Biblës nuk ishte nismë e vetmuar e shqiptarëve të shkolluar, por ai zu fill e përparoi në rrethanat europiane, të krijuara nga iluminizmi, romantizmi dhe ndikimi i Revolucionti Francez, etj. 

Veprimtaria e Shoqërisë Biblike në Shqipëri, jo vetëm lidhej me Kritoforin, por zë fill me emrin e tij, vazhdoi sa ishte ai në krye të përkthimeve dhe shpërndarjes së librave dhe mbyllet përfundimisht, kur ai u (e) largua (larguan) prej kësaj detyre që e kreu si asnjë tjetër deri atëherë. E kjo ndodhte, sipas vështrimit të të huajve kur në Shqipëri nuk kishte shkolla, ku të mësohej gjuha shqipe ! Drejtuesit biblistë e quanin mrekulli të Zotit zbulimin e këtij shqiptari, i cili ishte jo vetëm i aftë e bënte shqipërime të shkëlqyera, por punonte aq shpejt, sa ata u entuziasmuan prej tij bash në atë periudhë, kur, për herë të parë në historinë e shqipes së shkruar, lindi problemi i paraqitjes së të njëjtit tekst në dy variante të ndryshme ! Ishte koha që në shekullin XIX, shqipja e shkruar kalonte në një fazë ndryshimesh intensive. Amerikani C.Hamlini shkruante për Kristoforin se përkthyesi, një shqiptar besimtar dhe i arsimuar mirë, duket se është rritur nga vetë providenca hyjnore në një mënyrë të veçantë pikërisht për këtë punë. (f.107).

**

Ashtu si nuk mund të ndahet çështja e shqipes në përkthimet e Kristoforit, as ndriçimi e ravijëzimi i figurës së tij, në libër, nuk mund të ndahen nga puna e sakrifica, zelli e dëshiri i autorit tonë, jo si kërshëri, por detyrë kulturore dhe peng i disa viteve, kur përshkruan udhëtimet dhe kërkimet e tij në Maltë e Tunizi – në muranat e lashta të Kartagjenës (Kreu IX), më vonë në Stamboll, së bashku me Dr. Hosafflook-un ; siç do të veprojë më vonë, në Manastir e Shkup, në kërkim të veprimtarisë së atdhetarit të madh, Gjergj Qirjazi…..apo si në Vjenë, nëpër gjurmët e një shkolle shqipe në kryeqytetin e Perandorisë Absburge….Pas dokumeteve që gjen, prof.Xh.Lloshi takon shumë të vërteta për jetën e Kristoforit : se përkthyesi ynë i shquar i Biblës, nuk ka studiuar gjuhësi e teologji në Londër, siç janë thurur legjenda, por ka ndjekur mësime kualifikimi teologjik në Maltë; se një mbledhje e rilindësve në Stamboll nuk ishte bërë kurrë; për veprimtarë të asaj kohe, të cilët gjendeshin në qytete europiane, ndërkohë që është shkruar për ta se jetonin në Stamboll ; kështu, autori shtron teza e kundërteza për ardhjen e krishterimit të parë ndër shqiptarë, myslimanizimin e popullatës në prag dhe gjatë pushtimit osman, merr e shkruan për çështje të Reformacionit dhe Kundëreformës, Koncilet e Kishës Romane, Bizantin dhe udhën e Shën Palit, brenda apo jashtë Ilirisë, duke sjellë mendime të reja edhe për autorësinë e letrave të tij, përkthimet e Biblës në popujt ballkanikë dhe ata europianë, luterizmin e kalvinizmin dhe Sinodet fetare. Me rëndësi historike të gjuhës së  shkruar janë edhe përpjekjet për alfabetizimin unik të shqipes, përpjekje që lindën pikërisht kur duheshin shtypur librat e Biblës. Kjo kërkesë vjen në libër si pozita më e vështirë e rilindësit tonë të madh dhe vetë Tomsonit : me cilin alfabet do të shtypeshin librat e përkthyer, kur ende shqipja nuk kishte një abece të unifikuar ! Ky ishte një nga udhëkryqet më të mëdha e të vështira të Konstandinit tonë. Kryesore për librin e prof.Xh.Lloshit është edhe e vërteta e panjohur deri më sot se Kristofori i përfundoi përkthimet e para me nismën e vet, pasi i ishte çelur një rreze shprese nga misionarët amerikanë më 1957. Këta e kishin braktisur shpejt idenë e parë, kurse për shqiptarin tonë ajo ishte kthyer në mision të jetës. Pesë vjet pasi Kristofori i kishte nisur përkthimet, Shoqëria Biblike e pa të nevojshme të bënte një hap të ri për shqipen, – shkruan autori. (f. 153) 

Sa ka për të folur e shkruar për Kristoforin e dëshmojnë edhe letërkëmbimet e këtij rilindësi, jo vetëm me atdhetarë të kohës së tij, si me Vreton, Mitkon, Naçon, por, në mënyrë të veçantë me drejtuesit e SHB : anglezë, skocezë, apo amerikanë, të cilët, aq sa e deshen për punën e pastër linguistike, të sigurtë e të shpejtë, si asnjë tjetër, po aq dyshonin tek personi i tij, sidomos në vështrimin e besimtarit e fetarit, dhe e ndiqnin nëpër vizitat e tij në krahinat ku shkonte, për librat e përkthyer, veçmas – për mbledhjen e fjalës e shprehjes shqipe. Korrespondenca e Kristoforit me Laundzin, Hahnin, Tomsonin, nuk përmbante vetëm punë përkthimi, por letrat e tyre pasqyrojnë në masë të mirë edhe gjendjen sociale e kulturore të popujve ballkanikë, mënyrën e jetesës, arsimin dhe shkollat nën perandorinë osmane, shkollat e huaja ; mbi të gjitha : konkluzioni që arrin autori i librit se qëllimi i gjithë veprimtarisë së Kristoforit mund të përmblidhet me këto dy fjalë : t’i bënte shqiptarët komb me libra !  

Me shqetësimin e një gjujhëtari shkencëtar, prof.Xh.Lloshi vihet të shkruajë Kreun XXII, që e ka titulluar me maximën latine Eppur si muove, e cila pohon dhe mohon njëherësh në një çast historik, kur në mes laun jeta e njeriut ! Ata që e kanë ngritur në qiell për kontributin e shquar në përkthimet e SHB, e ndanë punën ta hetonin ; ishte apo nuk ishte besimtar ! Si në Gjyqin e mbramë, nisën t’i numërojnë të mirat dhe fajet që e rëndonin, sepse Kristofori herë-herë e kapërcente detyrën për të shitur vetëm libra dhe, sepse gjatë shitjeve, nuk merrte përsipër të ishte edhe misionar ungjilli ! Po vërtetohej ideja e Shën Thomait- Laundzit – se njeriu i Providencës (sipas tyre), nuk paskësh ide të përcaktuar teologjike ! Prandaj dhe Tomsoni vendosi ta hetonte beniaminin e tij dhe vetë ai e gjykoi dhe u bind se, si shqiptar – shkruan autori ynë – Kristofori edhe ka besuar, edhe nuk ka besuar !(f. 331- 346). Këtu lexuesi do të shohë dhe të prekë së afërmi udhëkryqet e mëdha të jetës së Konstandin Kristoforidhit, deri sa ndërroi jetë.

Meritat e hartimit dhe përmbajtjes së këtij libri, duhen njohur në 4 drejtime :

  1. Në risitë dhe ridimensionet që sjell autori për veprimin gjuhësor të Kristoforit ;
  2. Në informacionet e shumta për kohën dhe rrethanat shqiptare kur jetoi ky rilindës ;
  3. Në të dhënat e hollësishme për gjithë veprat origjinale dhe përkthimet e Kristoforit,
  4. Në ndërhyrjet dhe gjykimet  nga pozitat e dokumentit që bën ai për devijime, mungesa e pasaktësi, që janë bërë në historinë e mendimit tonë akademik për Kristoforin e shquar.

I bindur se ka prapë për të zbuluar e për të sjellë të dhëna të panjohura rreth figurës madhore të gjuhës e kulturës sonë, që lidhen me emrin e K.Kristoforit shqiptar, presim prej gjuhëtarit tonë, shpesh herë sfidues, t’u drejtohet tashmë veprave origjinale të këtij albanologu të parë të shqipes. 

Ndërsa lexuesit i ftoj të ndjekin ngjarjet e kohës dhe veprimtarinë e Kristoforit deri në Kreun XXXIV e më pas, në mbyllje, Kronologjinë e jetës së Heroit të tij të dashur !

***

Filed Under: Kulture Tagged With: TEFE TOPALLI

Pas 5 vëllimesh me vargje…

July 5, 2022 by s p

(Njohja me një poete)

Prof.dr.Tefë Topalli

(Profesor Emeritus)                                                                                     

Kështu ndodhi vërtet, ndërsa po bisedoja me mikun tim, prof.dr.Bardhosh Gaçen, para Universitetit të Vlorës, në fllim të qershorit, kur na afrohet një vajzë, që linte përshtypjen se ishte ndër studentet e degës së gjuhës e letërsisë.. Ajo njihej me kolegun tim, ndërkohë u prezantua me thjeshtësi me mua, duke shprehur kënaqësinë për fjalët që shqiptoi profesor Gaçe në drejtimin tim. Quhej Armenida Qyqja. U ul në tavolinë dhe porositi një kafe, pothuaj në të njëjtën kohë Bardhoshi e pyet për botimin e fundit që kishte në shtyp. Kokulur, ajo tha se sapo e kishte marrë, na tregoi dhe ne e uruam. Pasi folëm rreth krijimeve në vargje, mora leje të largohem, kur ajo, me modesti, m’u drejtua se kishte dëshirë të më dhuronte gjithë krijimtarinë e saj, që, pa vonesë, e mori nga makina aty pranë. Ishin pesë përmbledhje me vargje, titulluar me dy e tri fjalë të zgjedhura, siç duan e dinë vetëm poetët. Duke e falënderuar, e pyeta nëse ishte shkruar ndonjë paraqitje e saj në shtypin letrar të sotëm, m’u përgjigj se nuk kishte dijeni, pasi banonte prej vitesh në Kanada. I premtova një shkrim prezantues si krijuese e kësaj prodhimtarie.

Kur e pyet poeten e re Armenida si shpjegohet që brenda tre vjetëve (2018-2021) ka një fluks të tillë botimesh, prej 5 përmbledhjesh me poezi, një publikim që do të krenonte çdo shkrimtar, nuk përgjigjet se ka akumuluar prej shumë kohësh, pasi frymëzimi nuk mbyllet brenda kullës së fildishtë, mendon me bindje se jeta e saj nuk merr kuptim, pa krijimtari, ajo është e shpërndarë në vargje e motive të gjera, që ravijëzojnë portretin e saj artistik. Çështje e shtypit të veprave letrare, sigurisht, lidhet me Kanadanë e largët, ku ajo punon e banon prej vbitesh. Por, në ngjarje të tilla letrare, në mënyrë të veçantë për krijuesit e rinj, nuk duhen pritur 5 vëllime, për të reaguar kritika ndaj artit të saj….Shkruajnë shqiptarët emigrantë, kudo që janë në botë, hartojnë vargje e radhë në prozë për bashkëvëllezërit e tyre dhe, nëpërmjet mallit, shquajnë shpirtin e psikën e një populli, botojnë libra në vendin e tyre, pandaj dhe nuk duhen shmangur nga mbarë krijuesit e tjerë që jetojnë këtu….

***

Vëllimi i parë, me titullin metaforik “Përtej kangjellva të shiut”, ndoshta, nuk është takimi parë i saj me vargun, pasi vjershat e kësaj përmbledhjeje dëshmojnë jo një fillestare, por një autore që jep prova pjekurie në procesin krijues. Kur je në mbyllje të leximit të këtyre 97 poezive të saj, ke bindjen se ato kanë mbirë pas shumë e shumë provave në krijime të tjera, para tyre dhe…mund të jenë zhdukur, siç bëjnë shkollarët, pakënaqurit nga vetvetja, në hapat e parë të krijimit! Në këtë tubë vjershash të Armenidës duket prirja për hermetizëm, një dukuri fare e zakonshme për vargun e lirë, që lëvron përgjithësisht, por jo pa mundësi “hyrjeje” në semantikën e tërë të tekstit poetik. Në një çast shpirtëror dëshpërimi asaj “i treten” fjalët, i përhumbin nëpër fjalorë të mbyllur dhe, papritmas i vjen në ndihmë interteksti migjenian: 

                “Oh, ta kisha një grusht fjalë,

                   Dhimbjen ta çliroj

                   Nga dhomat e fsehta të zemrës”

Poetja e re arrin të transformojë vargjet e zymta, në vargje të jetës, t’i dëbojë ato, madje, edhe t’i dënojë, siç del në poezinë 58, e cila nis me tercinën:

                                                                  “Pra, ju nuk i doni vargjet e mia të errëta!

                                                                          E zezë është boja,

                                                                          E bardhë vetëm letra.”

dhe, pas tabllove natyrore me bukuri të rrallë, përfundon me strofën:

      “O vargje të zymta,

      Dënuar jeni rrugën mos ta gjeni në letër,

                                                                        Aty ku zanafillën e patët,

                                                                        Vdekjen do prisni në vetmi harruar.”

Jo veç për për prodhimin letrar të Armenidës, por në mjaft botime, nuk ka dorë redaktimi gjuhësor: ky vëllim është me aq shumë devijansa norme gjuhësore, sa kanë edhe pasoja semantike, që dëmtojnë kuptimin për lexuesin e zakonshëm. 

***

Përmbledhja “Letra pa zarf…”, që po sjellim këtu, ka si temë qëndrore përjetimet intime të individit të dashuruar, që harton njëmbasnjë letra në vargje, duke mbetur i përhumbur në kujtimet e bukura të një marrëdhënieje idili, që s’është më, që nuk nuk i përgjigjet dashurisë me të njëjtën ndjenjë. Prandaj dhe letrat-vargje nuk rreshtin në asnjë nga nga ato ndarje poetike që bën autorja: Letra të shkruara në vargje, Kam nevojë për ty, Dallgët e shpirtit rebel, Tretem mes pritjesh, Thirrje shpirti, Ëndrra me vështrime të bardha dhe Brenda teje dua të rritem. Vetë titujt e vjershave, me fjalë e sintagma të zgjedhura e të poetizuara, me stilema të papritura, nga thesariusi që zotëron autorja jonë, si: zemër, shpirt, endem, shpirtzbrazur, merrmë, je kudo, të pres, dallgë, shtrëngomë, kraharor, Atlantida, mëngjes i fjetur, dallgë malli, pritmë, më harrove, ylber, si një zog, shtretër jargavanësh, Itaka, Shalom, theva mallin, flë mbi buzë, heshta ikjesh, humnerë harrese, yje ëndrrash, kthime të zbrazta, sytha shpirti, kuajt e erës, diell i ditëve të mia, lule ëndrrash, derë e shpirtit, ëndërr që rreshket, ëndërr e shprishur, engjëll i rrëzuar, përhumbje, tretmi retë, në krahët e dritës…etj.  

E dashuruara e e poezive të Armenidës nuk ka qetësi, është përherë në thirrje e pritje të asaj ndjenje të përjetuar shpirtërisht, prandaj dhe jo rrallë, shihet me lot në sy, me lot shndërrimi të jetës së saj, si në dy strofat më poshtë:

    Lotët në sy…, sikur sytha të çelnin                       Trokit në portën time, këtë natë të shurdhër,

    Lastarë të rinj jete të mbinin në shpirt,                 Të thyhet heshtja, të kriset me zhurmë,

    Degëzat t’i çonin drejt diellit të shpresës              Në kthinat e zemrës të ringjallen ëndrrat,

    Dhe jeta të ringjallej nga hiçi sërisht…               Udhën të marrin, mes syve si lumë…

Megjithëse vjershat e këtij vëllimi kanë një motiv të përafërt, përmbledhja ruan karakteristika të veçanta, më së pari, duke shënuar hop cilësor në mjeshtërinë e vargut, njëherësh, edhe në gjetjen e përzgjedhjen e figurave krejt të natyrshme përgjatë shfaqjes së gjendjes emocionale që përshkon tërë vjershat e kësaj tube të frymëzuar, në përjetim të botës dhe artikulim i saj me gjuhë poetike, si shprehet në parathënie prof.B.Gaçe.  

***

Poetët, jo rrallë, ex commodo, kërkojnë të eksplorojnë botë të tjera, përtej planetit Tokë, në hapësira eterike, drejt frymëzimit të pastër, prandaj dhe në librat e tyre gjejmë tituj të tillë, si “Puthje në eter”, një botim me 162 faqei ndarë në gjashtë rubrika: Puthje në eter, Si dallgë në kërkim të bregut, Hieroglifet  e kohës mbi gurë, Largohu trishtim, Ngjyrat e mallit, Atdheu im mes udhëkryqesh. Janë ndarje tematike, ku autorja ka arritur në eterin e lartë, sipër reve dhe shijon në imagjinatë lumturinë, por, përsëri mbetet një Odise në kërkim e mes dallgëve, pasi ende nuk e ka gjetur lumturinë! Sjell papritmas, autorja, disa pasazhe nga vendlindja, ku duket se ka shkelur tokën e dashur, që po zien nga shqetësimet, amullia e kaosi, vuan për Tiranën, që nuk është më Tirana që do ajo, por një miscellaneo dykëmbëshash (!) dhe e gjen veten tek muret e lashta të Rozafës, të dënojë ashpër tradhtinë legjendare mes besës midis vëllezërve: “Tradhti që në gurët e parë, në themele,/Ashtu si në mëngjesin biblik, vëllai ndaj vëllait!” Heroina do të dalë nga gjendja që e pllakos përsëri dhe të heqë rrobën e trishtimit që i është qepur prej kohësh; e sheh veten të mbyllur në guackën e heshtjes, pret një zë dhe trokitjen e mallit mbi të…Mbi të gjitha, dëshiron me shpirt e me këmbëngulje nga koha, dhe është e bindur se nëpërmjet poezisë, do t’i kthehet lumturia, e ndjen në fëshfërimet e hapave të saj:

“Fëshfërimë e largët le të bëhen,

                                        Refrenet e këngëve,

Himnet e lashta në buzët e valëve…”

Një shkrimtar apo poet shqiptar, sado larg Atdheut shkon dhe vazhdon të jetë, i kthen sytë nga vendi ku ka lerë dhe thërret se nuk mund ta fshehë zhgënjimin që pëson sapo zbret në tokën e vendlindjes, të cilën nuk e gjen si e ka dëshiruar:

  Atdhe!                                                                           Atdhe!

Përse ta fsheh në fund të shpirtit, përse,                  Përse ta fsheh në fund të shpirtit, përse?! 

Mallin që nga skaji tjetër i botës më sjell tek ti?!     Je dashuri dhe vuajtje e hidhur njëherësh,

Sytë e Migjenit më shohin në çdo rrugë,                  Mall që bluan shpirtin tim që nga larg,

Në heshtje më vrasin, me sytë e njerëzve të mi.      E sërish udhën e mërgimit më nder si prag…  

        ***

Me tetë rubrika tematike na vjen vëllimi i 4-t i poeteshës Armenida, me titullin intim “Mes rrahjeve të zemrës”, të cilin autorja e ka segmentuar si vijon: Dëshirë për të rilindur, Mes dilemash, Dashuri në ikje dhe kthime, Dy zemra në një rrahje, Endje nëpër hapat e kohës, Në syrin tim dua puthjen tënde, Pikat e mallit në sy, Toka e gjakut tim. 

Ndoshta vonuam ta pohojmë (mund të ishim bindur që në vargjet e para të kësaj krijueseje tërheqëse) se kjo autore është një muzë shqiptare e dashurisë, në përngjasim me  atributin e Safo-së greke, që tragjikët e mëdhenj të antikiktetit helen e patën quajtur “Muza e Dhjetë”! Kemi parë deri këtu se, sido që t’i grupojë në klasa me emërtime gjithnduerësh, Armenida nuk u largohet vargjeve për dashurinë, ajo do të bëhet “zëdhënëse” e dashurisë universale mes njerëzve, në përmbledhjet e saja me vjersha nuk gjen urrejtje e mëllefe, xhelozi e mallkime, nuk gjen hakmarrje e zili, por vetëm besim e bindje se poezia, arti e mundin të keqen, e shëndoshin shoqërinë e sëmurë….! Dhe ndalet tek ajo që përkund jetën dhe dashurinë, ndalet tek  qenia më e magjishme e botës, te  G r u a j a:

“Flijohesh çdo ditë, në çdo kala ëndrrash

Se muret e tyre kërkojnë gjithnjë një fli,

Dhe prapë ngrihesh, e përkund ti jetën

Në djepin e zemrës plot dashuri…! ”

Sa e sheh, në vështrim të parë, thua se ky vëllim i poeteshës Armenida Qyqja sjellë ndryshe, që nga tipografia: me strofa dhe në monokolonë, nuk duket si përmbledhjet e para, jo vetëm në motivet e zgjedhura prej saj, por as në organizimin poetik e gjuhësor: gjen kalime nga vargu i lirë, në vargjet strofike, nga masa të ruajtura rregullisht në strukturën e tekstit, në shfaqje variacione ndërtimi, në të rrallë, edhe me ndonjë varg safik; gjen gjithashtu strofa varg e fjali, por edhe strofa-fraza, aty-këtu, edhe organizime sintaksore gjithë teksti me një frazë. Takimet  me rimën, përgjatë poetikës së Armenidës, të duken stacione të rralla pushimi për lexuesin, si tek vjersha “Deri kur?”, f. 112, apo “Vargje të thyera”, f. 110, ku dhe asonancat na sjellin mallin e humbur të autores për vargun e matur tradicional:

    “Luftë pa fronte, llogore e krisma                          “Sa vargje na thyen miqtë që na shitën,

      Një Hiroshimë pa tym, veç britma,                        Rrugës së jetës plot prita e Juda,

      Me mushkëritë e shqyera njerëzimi lëngon,           U thyen si bukë e më nuk u ngjitën,

      Ajër! Ajër! Anembanë globit gulçon…”                 Në shpirt na mbeten vetëm thermija…”

Poetët janë luftëtarë për drejtësi sociale, për liri fjale dhe përherë kundër diktaturave, që u mëkojnë popujve parulla lufte, pa u dhënë shpata, as parzmore; këtu rreshtohet edhe Armenida: kundër atyre që i bëjnë djemtë të mos u ndodhen prindërve t’u hedhin një grusht dhe – të përlotur nga larg; ajo thërreth e ka besim se këto kasta sunduese do të ben e tavolina ka për t’u përmbysur ! Me shqetësimin e pandarë prej gjendjes që përjeton, ajo del në breg oqeani dhe zgjatet të shohë Bukuroshën e Durrësit, Amantian, Aplloninë, Tiranën e saj, ku po vanitet zjarri në vatrën e mendimeve; kërkon të shohë Atdheun në harresë, në trojet e të cilit nuk po lind asnjë Promete e dhei i atit të saj po humb nën hi harrese…! Ç’është më e keqja, ajo mundohet të lexojë prognozën e Atdheut të vuajtur, të cilin “E shqyen bajlozët, ulkonjat e grinë,/Por sot bishë tjetër, për së gjalli e ha brenda…!” Dhe, për fatin e zi, përmbrenda, janë vetë shqiptarët, që e bëjnë të vuajë! E shkaku, thotë poetja, vjen se qenka “Popull i vdekur !” ***

Vëllimi më i ri, i pesti, që kemi në dorë prej  poetës sonë “Dyzet plus”, ndoshta aludon për vite moshe, por vështirë ta përcjellë dëshpërimi këtë përvjetor pjekurie e me shkallë të tillë frymëzimi dhe duarplot: me 150 poezi !

Autorja e ka vënë këtë tregues vitlindjeje, ashtu kalimthi, thuajse pa e vënë re as vetë; madje nuk e rendit tek vjershat e fillimit, por nga mezi i përmbledhjes  poetike me këtë titull, duke i kushtuar vetëm një distik të lidhur kuptimisht: “Dyzet plus….po ç’punë ka mosha / Kur zemra mbi kohën galopon kështu?!” Le të mos jetë mosha shënuese e shkrimtarisë në vargje për këtë krijuese – një fakt që lexuesit mund t’i kujtojë Anakreontin plak që ende i kushtonte lirika dashurisë – por është rasti të pohojmë për Armenidën se, me këtë tufë poetike, ka bërë një hap mjaft cilësor në thurjet e vargjeve e në tërë strukturën e tekstit poetik, edhe pse është prapë ajo, këngëtare e dashurisë. Receptimet e kësaj krijueseje nuk duhen kuptuar të gjitha si anë personale, si pjesë e jetës së saj: ajo u këndon gjithë shpirtrave të dashuruar, ashtu si dënon, pa i mallkuar, tradhëtitë në dashuri: ikjet, largimet pa kthim, heshtjen e thirrjes për t’iu ndhodhur pranë…qoftë edhe për “dyzet plus”! Njëqind e pesëdhjetë poezitë e këtij vëllimi, shënojnë një rrugë në ngritje që ka bërë poetja, një përkujdesje për gjuhën, përzgjedhjen leksikore, poetizimin e fjalëve në varg dhe, në mënyrë të veçantë, kjo përmbledhja na takon dendur me rimën, ndonëse ajo vjen e shfaqet në masën e një strofe e rrallë në tërësinë e gjithë tekstit. Por lexuesi duhet të hetojë se kjo mungesë melodike siç dhe quhet shpesh rima, në vargjet armenidiane, nuk ndjehet, edhe kur krahasojmë strofa krejt të ndryshme, siç del në vijim, ku strofa e parë nuk ka fare vargje të rimuara, kurse e dyta vjen me rimema të rregullta:

    “Dhe ditët e netët trazohen në pritje,                    “Në sytë që si dritën më duan,

      Njëra-tjetrën tek përcjellin në dallgë,                    Koha kthehet andej nga ka shkarë,

      Me mallin e kripur për velat e bardha,                  Nuk di ç’lodra zemra luan,

      Që rrathët detit në zemër ia shtojnë?!               Diku në Eden, nis puthja e parë….!”

Për prodhime të tilla letrare, si këto 5 vëllime me vjersha brenda një kohe jo të gjatë, me të cilat paraqitet Armenida Qyqja, nuk duhet pritur kaq kohë; ajo ka merituar vëmendjen e redaksive e kritikës që në publikimet e para; jo se autorja nuk është orientuar drejt në shinat pa mbarim të krijimit, sepse dhuntitë e artit janë të lindura e zhvillohen me punë dhe punë quhet vjershëria, gjithë shkrimtaria e një krijuesi. Nga ana tjetër, me një shkrim si ky, me një paraqitje portreti për këtë vajzë të talentuar, nuk arrijmë të japim gjithë ravijëzimin artistik dhe prurjet e veçanta që ka ajo në artin e saj. …

Le të “ngushëllohemi”me thënien e një shkrimtari të shquar që shkruante se artin e nisin mijëra, e vazhdojnë qindra dhe e ndjekin dhjetëra…herë-herë, edhe më pak: këtu ka mbërritur dhe në këtë numër përfshihet Armenida Qyqja….

Tiranë, 2 korrik 2022

Filed Under: LETERSI Tagged With: ARMENIDA QYQJA, TEFE TOPALLI

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT