• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tërbaçi i Vlorës dhe kënga labe

December 24, 2012 by dgreca

-fragment nga studimi etnofolklorik- maket-/

Nga  Albert HABAZAJ/studiues/

 

–         Janë mbi 400 këngë të kënduara nga grupi i Madh i Tërbaçit, ku përveç teksteve të Dragoit të këngës Kujtim Mici- Mjeshtër i Madh, këndohen këngët e bardëve të traditës edhe të autorëve të njohur jotërbaçiotë.

-Grupi i parë që bëri emër doli në skenë në vitin 1967, si vijim i grupit të vjetër të Riza Beqirit, Sefer Bilbilit, Tahir Lilos me shokë

-Grupi i valleve qe një meteor që shndriti me Mujo Gjondedën, Mejdi Skëndon, Kujtim Micin, Rexhep Abazin, Abaz Abazin, Qazim Çelon, Ago Rustemin (Beqiri), Qazim Abazin, Asllan Nikën dhe Izet Skëndon e Rrapush Mehmetin që mbyllin Harkun e Vetëtimave me 11 valltarë sa 11 male, që mbetën të paharrueshëm, të papërsëritshëm, të paarritshëm!

-Kur flasim për këngën polifonike, në qoftë se është një Tërbaç (për këngën), gjysma është një Nebi Xhakë.

-Syrja Hodo është pasuri kombëtare.

-Sinan Hoxha është themeli i këngës së re të Tërbaçit.

-Endri S.Hodo duket si filiz i gjelbër i këngës labe.

***

E di që këto rreshta që po shkruaj për Tërbaçin dhe këngën e tij janë më të thjeshta se sa e ndiej unë brenda shpirtit polifoninë labe të vendlindjes time.

Nisa një ndërmarrje të vështirë, por duke qenë i bindur se një punim sado modest për këngën e madhe Tërbaçiote është kurdoherë më i dobishëm se heshtja nuk ngurrova  t’i përvishem një diskutimi të tillë nëpërmjet këtij studimi në maket, i cili shpresoj të ngjallë interesim.

Kënga si transmetuese gojore, zanore e traditave, zakoneve, e vlerave njerëzore, e mënyrës së jetesës bëhet zëdhënëse në breza, duke realizuar një mision të lartë fisnik sa që mund të përdoret seriozisht si një dëshmi historike me ngjarje, data, personazhe, periudha e bëma të të parëve tanë. Vini re sa qartë, në pak fjalë na kthjellon origjinën tonë kënga e Tërbaçit të Kujtim Micit (është fjala për këngën “Lindi luania luanë” kënduar në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës më 1973, me tekst të Kujtim Micit, kënduar nga grupi i burrave me marrës Sinan Hoxhën e papërsëritshëm, kthyes Rexhep Abazin me famë, sepse futi për herë të parë të kthyerit me grykë në Tërbaç, me hedhës Bilbil Xhakën e mrekullueshëm, që çeli një periudhë të artë të hedhjes së këngës së Tërbaçit sikurse Sinan Hoxha, duke kujtuar e ngritur në një stad të ri hedhjen hyjnore himarjote të incizuar në pllakat disqet “Pathe” të Parisit, qysh në vitet 1929 dhe 1930 me Koço Çakallin, Neço Muko (H.Marjoti), Tula Paleologu, Tefta Tashko, Llambi Turtulli, Kleo Georga, Dhimitri Rumbo, P. Kokaveshi, A. Bala*, që u dritëroftë shpirti atje ku prehen të qetë si fisnikë të trëndafiltë të këngës së shkëlqyeshme lirike që bënë!

Të rikthehemi tek kënga e Tërbaçit të Kujtim Micit që thotë:

Nëna shqipëtare,

Mbes’e ilireshës,

Ke lind’ e ke rritur

Trima dhe të besës.

Ja si bëhet kënga e popullit e respektuar dhe e vlerësuar jo vetëm nga komuniteti qytetar, por e përfillur, edhe nga elita intelektuale, studiues, historianë e gjuhëtarë, sepse ka peshën e vërtetë të një burimi autentik. Nëna shqiptare është mbesë e ilireshës. E thotë qartë, saktë dhe e sigurt kënga faktin historik, prejardhjen tonë ilirjane.

Gjuha u mbrujt bashkë me këngën dhe të dyja mbajtën njëra-tjetrën. Kur plagosej gjuha luftonte kënga, dhe, atje ku kënga mundohej të vritej, gjuha lëshonte ilaçin e shërimit e të mbijetesës. Për fat kënga “Lindi luania luanë” është e regjistruar edhe nga Instituti i Kulturës Popullore: Bob. 982/6. Po e japim për lexuesin tonë dhe dashamirësit e polifonisë si buqetë këtë këngë të transkriptuar nga specialistët e folklorit shqiptar:

  • Shih: Neço Muko (H)Marjoti: Zemra kërkon miqësinë: Vepra letrare, përgatitur prej Andrea Varfit;Tiranë:Toena.1996

 

Në guidën folklorike “Vlora nëpër festivale” –Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër, 2004 bëhet edhe një paraqitje e shkurtër e grupeve pjesëmarrëse të qarkut të Vlorës. Në këtë festival, gjë që plotëson historikun e këngës popullore të trevës. Ndër të tjerë, patjetër që jep profilin edhe të grupit tonë. Në këtë manual shkruhet “Grupi i Tërbaçit është një nga grupet më të hershme të polifonisë labe të trevës së Vlorës. Kënga për ta ka qenë si ushqim i shpirtit. Rapsodët e mirënjohur të këtij grupi që nga Xhebro Gjika, Arshi Xhelili, Hyso Salati, Sinan Mullahu, Izet Skëndo e deri tek i mirënjohuri Kujtim Mici kanë qenë furnizuesit kryesorë me tekste po në këtë grup. Grupi është pjesëmarrës pothuajse në të gjithë Festivalet Folklorike Kombëtare dhe në disa prej tyre dhe është vlerësuar me çmime e medalje. Vlen të përmendet marrësi kryesor i këtij grupi Syrja Hodo, i cili me zërin e tij kumbues dhe mjaft melodioz di të transmetojë emocionet e këtij repertori të shumtë që ruan ky grup” (Shih”Vlora nëpër festivale”, Vlorë: Triptik; 2004, f.18)

Kuptohet që ndryshimet e sistemit pas viteve ’90 shkaktuan edhe çorientime deri në prishjen e traditës së organizimit të Festivaleve që bëheshin në kalanë e Gjirokastrës një herë në pesë vjet, ku tundej kalaja e gjëmonte Mali i Gjerë. Përveç një harrese të plote 7 vjeçare për visaret e folklorit, edhe sofra e festivalit u zhvendos nga kalaja e Gjirokastrës në atë të Beratit. Edhe pse Vlora nuk u vlerësua (nuk po merremi me arsyet e ditura apo të paditura) por Vlora polifonike e shfaqi përsëri gjallërinë, freskinë dhe origjinalitetin e folklorit të trevave të saj, saqë në koncertin përfundimtar në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, nga grupi i Vlorës u muarën shtatë materiale muzikore, nga më të mirat kur rrethet e tjera kishin vetëm nga një apo fare asnjë.

Viti 2000 na gjen përsëri në kalanë e Gjirokastrës, por në bazë Prefekture këtë radhë, ku Vlorës i shtohen Saranda, Delvina dhe rrethinat e tyre. Në guidën që cituam përmendet një fakt interesant, që të bën të ndihesh mirë e krenar për vlerat e pashtershme të gurrës sonë popullore. “Nëse Vlora çoi në festivalin Folklorik të Gjirokastrës një sasi vlerash të spikatura, shkruhet në këtë historik –në Vlorë mbetën po aq vlera të tjera”.

(Shih: vepër e cituar më lart, f.13). Ky fakt na kujton një thënie lapidare të enciklopedistit Sami Frashëri:…”Banorët e Labërisë, kanë prirje dhe aftësi natyrore për poezi dhe këngë…” Grupit polifonik të Tërbaçit i ra shorti të hap tiparin për grupin e prefekturës së Vlorës. Kënga “O shokë do zëmë një këngë” vjen si një oshtimë nga malet e Labërisë si një shpalosje e fustanellës labe, me zërin plot kumbim të këngëtarit të mirënjohur e poetit Syrja Hodo” shkruhet në këtë historik të Vlorës së Festivaleve Kombëtare të Folklorit. (Shih, po aty, f.13)

Janë kuptim plotë vargjet e kësaj kënge që ka bërë Sinan Mullahu:

O shokë, do zëmë një këngë

Do ma mbani a ta lëmë!

Medet ne për mëndjen tënë

Mbetëm shamata e grënjë.

 

Nga e gjithë puna që bëjmë

Një metër vend do zëmë

Dhe ajo gur e shkëmbënjë

O baltë e kuqe këlkënjë

Këngët-o, dertet-o

Këngë e derte pambarim…

Kjo është bëra para një gjysmë shekulli e më shumë, që më 1945, pra 65 vjet më parë. E këndoi grupi polifonik i Tërbaçit në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Sa aktuale, ç’mesazhe të qarta që na përcjell. As ke ç’u shton, as ke ç’tu heqësh edhe pse 65 vjet s’janë pak. Lum kush ka fat të gdhendë vargje të tilla. Faleminderit, xha Sinan! (Shih: gazeta “Labëria”. Albert Habazaj: “Një tufë me lule”, data 15 gusht 2002 f.7, 11)

Edhe në FFK Gjirokastër 2004, së bashku me grupet e tjera pjesëmarrëse të Qarkut të Vlorës, Tërbaçi u paraqit siç i ka hije. Ja çfarë shkruan studiuesi e poeti Kozma Billa: “Me mjeshtëri të pazakontë vjen tema e atdhetarisë, e cila përcillet bukur me vargjet e Çajupit të madh “Mëmëdheu”, nga grupi i mirënjohur i Tërbaçit. Ajo ka një vlerë të madhe dhe aktuale edhe sot ku një pjesë e madhe e popullsisë ka emigruar. Dihet që historia përsëritet dhe si e tillë kjo këngë është një grishje, një thirrje e fortë popullore, ku në refren të çdo strofe ajo të ngjeth dhe të krijon një emocion të thellë për ta dashur dhe për të mos e harruar mëmëdheun” (Shih:guida e situar, f.21).

Sipas prof. dr. Bardhosh Gaçes- Mjeshtër i Madh: “Vlora dhe Shkodra janë dy qytete shqiptare të kënduara më shumë nga bardët popullorë dhe kjo edhe nga ndikimi i vjershërimit të Ali Asllanit e të Gjergj Fishtës….Në vitet 1990-2000, vargjet poetike të Ali Asllanit kanë marrë një përhapje edhe më të gjerë në jetën folklorike labe…Edhe kënga: “Më lejon ta puth njëherë” është kënduar nga grupi polifonik i Tërbaçit, sipas vargjeve të poezisë me të njëjtin titull…Shih B.Gaçe: “Përkime poetike midis poezisë popullore dhe poezisë së shkruar shqipe; Vlorë: Triptik, 2010.

Përveç teksteve të Pelivan Bajramit, që është tërbaçiot me rrënjë, grupi i Tërbaçit ndër vite ka kënduar tekste të autorëve të njohur, por jo tërbaçiotë.

Fjala vjen kënga “O ju nëna tërbaçiote” është e Lefter Çipës-Mjeshtë I Madh dhe e këndon si shenjë mirënjohjeje grupi i Tërbaçit. Kjo tregon që përveçse këto këngë janë futur natyrshëm në Tërbaç dhe kanë fituar autoktonicitet në të tëra përmasat, Kujtim Mici si udhëheqës vizionar i grupit e si autor i fuqishëm e i pazëvendësueshëm për këngën e madhe të grupit të tij tekstet mbresëlënëse që i kanë dhuruar miqtë e mëdhenj të këngës si Lefteri etj. Kjo tregon botën e begatë shpirtërore, frymën e hapur përfshirëse që ka tërbaçioti dhe Tërbaçi ynë. Kënga “Dy vajza, të dyja labe” kushtuar heroinave Persefoni Kokëdhima e Bule Naipi është tekst i Kujtim Micit, që e mirëpriti dhe e këndoi me grupin e Himarës bilbili Dhimitër Varfi  në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1973, vit kur Vlora fitoi çmimin e parë për folklorin. Shumë këngë të tij janë interpretuar nëpër skena lokale e kombëtare edhe nga grupi i Bratit, Bolenës e janë transmetuar mbarë Labërisë…

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Kenga labe, Terbaci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT