• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë: Nëntë persona dënohen për planifikim sulmesh terroriste

May 19, 2018 by dgreca

Nëntë personat e dënuar, në vitin 2016 planifikonin të sulmonin përfaqësuesen izraelite të futbollit në Shqipëri gjatë kualifikimeve për botërorin./

Nga Bekim SHEHU/

Në Kosovë Gjykata Themelore shpalli fajtor dhe dënoi nëntë persona të cilët në vitin 2016 kishin planifikuar të kryenin sulm ndaj përfaqësueses izraelite te futbollit gjatë një ndeshjeje që zhvillohej në Shqipëri. Ndeshja Izrael-Shqipëri zhvillohej në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të Futbollit, që zhvillohet sivjet në qershor.

Visar Ibishi, u dënua me 10 vjet burg, Lulzim Gashi me 6 vjet, Burim Istrefi me 3 vjet, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga 5 vjet, Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga një vit e gjysmë dhe Leotrim Musliu me 3 vjet e gjysmë. Ndërsa, Besart Peci u dënua me një gjobë prej 2500 eurosh.

Gjyqtari i rastit, që dënoi nëntë personat, Hamdi Ibrahimi, tha se vendimi për dënimin e këtyre personave ishte i duhur,

“Ne besojmë se vendimin që e kemi shpallur e kemi shpallur në emër të qytetarëve të Kosovës dhe besojmë se ata plotësisht na përkrahin në këtë vendim. E them këtë sepse, në këto troje, ekstremizmi fetar nuk mund të zerë vend. Dhe këto veprime që të akuzuarit kanë dashur t’i ndërmarrin, janë me qëllim që në këto troje, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë të shkaktohet një klimë e pasigurisë, të futet elementi i ekstremizmit dhe me vepra terroriste të destabilizohet vendi. Këto veprime për neve janë të papranueshme”, tha gjyqtari Hamdi Ibrahimi.

Operacioni për arrestimin e këtyre të dënuarve për terrorizëm ishte zhvilluar në vitin 2016, në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë. Në atë operacion u arrestuan 19 persona, të dyshuar për lidhje me grupin militant islamik ISIS, dhe planifikim sulmi terrorist në Shqipëri dhe Kosovë. Policia në atë kohë tha se “ka parandaluar sulme terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit”.

Disa nga të dënuarit sipas gjykatës kanë pasur lidhje me shqiptarin e Kosovës Lavdrim Muhaxheri, i vetëdeklaruar kohë më parë “udhëheqës i shqiptarëve në grupin e ashtuquajtur ISIS dhe nga ai kanë marrë instruksione për të sulmuar përfaqësuesen e shtetit të Izraelit në Shqipëri. Policia e Kosovës, vitin e shkuar njoftoi se ka informacione, që kosovari Lavdrim Muhaxheri, është vrarë në Siri vitin 2017.

Në aktakuzë thuhet se dy të pandehurit, që u dënuan (18.05) “gjatë muajit tetor të vitit 2016, sipas kërkesës së Lavdrim Muhaxherit, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe atentat ndaj ndërkombëtarëve ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë”.

“Ata kanë pasur qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, prandaj me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste”, thuhej në aktakuzë.

Mediet e ndryshme vendase dhe ndërkombëtare vazhdimisht kanë shkruar se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, mbi 300 iu janë bashkuar organizatave terroriste në luftërat në Siri dhe Irak. Një studim i bërë në vitin 2015 nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, (QKSS), thuhej se që nga fillimi i konfliktit në Siri e deri në muajin janar të vitit 2015, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. Ky numër u rrit në vitet e fundit. Deri tani sipas të dhënave zyrtare dhe jozyrtare, afro 60 kosovar kanë humbur jetën në këto luftëra. Deri tani sipas të dhënave të policisë, 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta nga ta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme dhe nxitje e rekrutim të luftëtarëve.

Kosova është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Parlamenti i Kosovës në fillim të vitit 2015 ka miratuar ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës për t’u bashkuar në luftëra jashtë vendit. Hapat konkret që janë ndërmarrë për luftën kundër terrorizmit, janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, si dhe hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që ҁon në terrorizëm.

Filed Under: Analiza Tagged With: 9 persona, Gjykata, Kosove, terrorizem

Ekeplozivi nga Beogradi në Prishtinë, aktakuzë për vepër penale që ndërlidhet me terrorizmin

July 10, 2015 by dgreca

-Në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale 12,219/kg, në Prishtinë në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit S.G. për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit.
Sipas aktakuzës i pandehuri S.G., me qëllim që seriozisht ta frikësojë popullatën dhe të destabilizojë dhe të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
I pandehuri S.G. gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale 12,219/kg, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm “Pentaerythritol Tetranitrate“ (PETN), i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimin sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale, të cilat pastaj me veturën e tij, më 25 dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi.
Me këtë i pandehuri S.G. ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par.3 lidhur me par.1 dhe nga neni 135 par.1, pika 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ekspertiza e eksplozivit është kryer nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Agjencia Kosovare e Forenzikës.
Për veprën penale me të cilën i pandehuri ngarkohet sipas aktakuzës, prokurorja e rastit, nga radhët e prokurorëve vendës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’ia vazhdojë masën e paraburgimit, si dhe pas shqyrtimit gjyqësor ta shpallë fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit.
Në 26 dhjetor 2014, bëhej e ditur se Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mbrëmjen e një dite më parë rreth orës 21:00 ka urdhëruar ndalimin policor për 48 orë ndaj personit S.G., shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ky person ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftonte se, në veturën e personit të dyshuar është gjetur sasi e madhe e eksplozivit, që dyshohet se ka qenë e planifikuar të përdoret për kryerjen e aktiviteteve terroriste.
“Rasti është në fazën fillestare të hetimeve nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale, i cili do t’i kërkoj gjykatës që ta caktoj masën e paraburgimit për të dyshuarin”, theksonte njoftimi.
Media kosovare sot zbulon edhe emrin, duke njoftuar se, “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit S.G. (Slobodan Gavriq) për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari ekspolozivi, Beograd-Prishtine, terrorizem

Dëshmitë e para kundër grupit të dyshuar për terrorizëm

February 12, 2014 by dgreca

Nga Zijadin GASHI/

Gjashtë të arrestuarit nga grupi prej shtatë personave të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë, kanë dalë të martën vonë para Gjykatës në Prishtinë, ku përmes një video lidhje janë dëgjuar dëshmitë e dy shtetaseve amerikane.
Ato pretendojnë se ishin rrahur në mënyrë brutale nga të arrestuarit. Dy shtetaset amerikane shërbenin si misionare të Kishës së Jezusit të Shenjtë të Ditës së Fundit dhe ishin pjesë e një misioni me seli në Tiranë në kuadër të Misionit të Adriatikut Jugor, i cili përfshin Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Prokurori i EULEX-it, Robert Kucharski është në krye të këtij hetimi.
Të dyshuarit, sipas hetimeve të para dyshohet se ishin duke u përgatitur për të kryer vepra të rënda të lidhura me terrorizëm e që ishin të nxitura nga motivet e urrejtjes racore, fetare apo etnike, përçarjes apo mosdurimit kombëtar.
Avokati Bajram Tmava, i cili mbron në këtë rast të dyshuarin, Nuredin Sylejmani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij, mes tjerash, po ngarkohet edhe për përgatitje për terrorizëm.
“Klienti im ngarkohet për përgatitje për terrorizëm, ngarkohet për sulm fizik dhe për përçarje, nacionale, fetare e tjera…janë gjetur disa armë, një sasi e armëve te klienti im, mirëpo ne e kemi tezën e mbrojtjes se për çka ato armë janë gjetur dhe për çka kanë qenë të dedikuara”, ka thënë Tmava.
Gjatë arrestimit dhe bastisjeve te këta persona, të cilët dyshohet si i takojnë një grupi të organizuar janë gjetur armë, municione e mjete tjera që janë klasifikuar si dyshime për terrorizëm.
Provat që janë siguruar, sipas pretendimeve të Prokurorisë tregojnë se të dyshuarit ishin duke u përgatitur për të kryer vepra të ndryshme penale me motiv doktrinën radikale fetare, tipike me xhihadin.
Avokati, Nikë Shala i cili mbron klientin e tij, Valon Shala ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ai dyshohet për përgatitjen e akteve terroriste kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Sa i përket kësaj veprës penale për të cilën dyshohet ai e ka mohuar në mënyrë kategorike se nuk ka të bëj fare me të. E vërteta është që në shtëpinë e tij me rastin e bastisjes është gjetur një armë ajrore dhe sasi municioni. Për këtë vepër penale, armëmbajtje pa leje, do të thotë klienti im e ka pranuar, por sa i përket veprës tjetër që dyshohet për përgatitje të veprës terroriste ai e mohon në mënyrë kategorike”, ka thënë avokati Shala.
Të arrestuarit nën dyshime për terrorizëm janë; Genc Selimi, Nuredin Sylejmani, Valon Shala, Ardian Mehmeti, Musli Hyseni, Bekim Mulolli dhe Fidan Demolli. Ky i fundit është ende në arrati.
Ata janë arrestuar më datën 5 nëntor 2013. Këta 6 persona janë përgjuar në telefon si të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë.
Ky grup në mesin e të cilëve njëri është i kthyer nga Siria, janë të rinj nga Prishtina dhe Gjilani.
Deri më tani, ndaj tyre ende nuk është ngritur aktakuzë dhe se ata janë nën veprime hetimore.
Një zëdhënës i EULEX-it në Prishtinë, Blerim Krasniqi ka prezantuar një pasqyrë të rasteve të dyshuara dhe hetuara për terrorizëm në Kosovë.
“Prokurorët e EULEX-it momentalisht janë duke u marrë me tetë raste të terrorizmit prej të cilave tri janë në fazën preliminare, ndërkaq deri më tash prokurorët e EULEX-it kanë ngritur dy aktakuza për rastet e terrorizmit”, ka thënë Krasniqi.
Krahas formave tjera të terrorizmit, në Kosovë po bëhen përpjekje të parandalohen dhe luftohen aktet që kanë të bëjnë me formën e karakterit fetar.
Një nga indikatorët që autoritetet kanë vlerësuar se mund të ndikoj tani në shtimin e akteve dhe veprimeve terroriste është fenomeni i pjesëmarrjes së shtetasve të Kosovës në luftën e Sirisë.
Së fundit, qeveria e Kosovës ka proceduar për miratim në Kuvend edhe
Projektligjin me të cilin u ndalohet qytetarëve të Kosovës që të përfshihen në konfliktet e armatosura jashtë territorit të shtetit.
Projektligji e përcakton si veprën të dënueshme penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Deshmite, kunder grupit, te dyshuar, terrorizem

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT