• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thaçi: Tentime për panik dhe konfuzion, Haradinaj: Jo skenareve te rrezikshem!

August 31, 2018 by dgreca

-Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë.-

1 Thaci dekPRISHTINË, 31 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se, “thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”.Postimi i plotë në ‘facebook’:

Të gjitha shtetet perëndimore, aleatët tanë, garantuesit e paqes dhe sigurisë në Ballkan po bëjnë përpjekje dhe thirrje për paqe, stabilitet dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë. HTH

***

Mesazhi i Presidentit erdhi pas nje prononcimi te kryeministrit Haradinaj:

Kosovë-Haradinaj: Nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm

– Populli i Kosovës është falënderues për angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve tjera mike të bashkësisë ndërkombëtare në vendin tonë/

PRISHTINË, 31 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/  “Kemi paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s”, deklaroi sot Kryeministri i Kosovës,  Ramush Haradinaj.

Ai theksoi se, “diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan” dhe se, “si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”.

Postimi i plotë i Kryeministrit Haradinajt sot në ‘facebook’:Populli i Kosovës është falënderues për angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve tjera mike të bashkësisë ndërkombëtare në vendin tonë. Ne jemi gjithmonë mirënjohës për rolin, mbështetjen dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, forcimit të institucioneve tona dhe avancimit të paqes dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Për më shumë se dy dekada, populli i Kosovës është përkushtuar të përballet me trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës shkatërruese dhe të kaloi në frymën e pajtimit dhe faljes dhe është jetësisht i vendosur për mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e diversitetit në vendin tonë.

Të shtyrë nga objektivi ynë strategjik për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike, ne kontribuojmë në vazhdimësi për një pajtim të qëndrueshëm që lejon rajonin tonë të lëvizë përtej konflikteve të së kaluarës sonë dhe të krijojë lidhje të reja të bashkëpunimit rajonal.

Kemi qenë të vendosur dhe kemi punuar pandalshëm, në veçanti, për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, duke përfshirë Republikën e Serbisë. Kemi paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s.

Marrëveshja Përfundimtare Ligjërisht e Obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një hap vendimtar për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë. Njohja reciproke dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibil nga kjo marrëveshje.

Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes.

RH

Filed Under: Politike Tagged With: tentim per panik, Thaci

Presidenti kamikaz në dy kuptime i Kosovës!

August 16, 2018 by dgreca

Për herë të parë në historinë e shtetit nga Hamurabi e deri më sot presidenti i një vendi, përkatësisht presidenti i Kosovës, “vullnetarisht” i fal territor vendit që Kosovën e pushtoi, e masakroi, e dhunoi, e përdhunoi, e dogji në flakë dhe e shkatërroi!

1-enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka lëshuar dje një deklaratë, me të cilën u sulet kritikëve të idesë së tij për ndarjen e Kosovës dhe i cilëson ata “kamikazë politikë”! I gjendur në vetmi, por edhe i mbështetur fuqishëm nga Edi Rama dhe klanet serbo-ruse në iniciativën për ndarjen e Kosovës, presidenti i këtij vendi duket se nuk di çfarë thotë, as çfarë bën! Në huti e sipër, në panik për kundështitë e panumërta ndaj planeve e projekteve të tij ogurzeza, ai ka zgjedhur të sulmojë opozitën dhe gjithë kundërshtarët e këtij projekti me akuza ekstreme. Këto kohë Hashim Thaçi ka ndërruar model: – Ndërsa në fushatat zgjedhore kopjoi vazhdimisht Ibrahim Rugovën, në situatat kritike si këto po kopjon me mjeshtri Edi Ramën. Herë mashtron dhe luan me termat, konceptet dhe nocionet për kufijtë, për ndarje, për marrje, e kështu me radhë. Herë sulmon në stilin e Milosheviçit kundërshtarët e tij. Nicioni kamikaz ka të bëjë me metodat individuale vetmohuese si taktikë e sulmit ushtarak, kryesisht gueril. Kjo metodë është përdorur që në shekullin e 13-të në luftën midis mongolëve dhe japonezëve. Ndërsa japonezët nga ana e tyre e përdorën masivisht metodën kamikaze të sulmeve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në kohët moderne të sotme termi kamikaz përdoret për të identifikuar ata njerëz, të cilët për një ideal ose besim vetësakrifikohen. Ky lloj vetësakrifikimi është shfaqur në lëvizjen palestineze, por edhe në aktet terroriste në emër të islamit politik. Hashim Thaçi thjesht i mësuar me përdorimin e shpeshtë të këtij nocioni u shpreh dje se ne që e kritikojmë atë për aventurën e tij të tjetërsimit të territorit të Kosovës qenkemi “kamikazë politikë”. Po si qëndron e vërteta dhe si duhej të zhvillohej dinamika në këto situata dramatike në historinë e Kosovës? Presidentët, mbretërit, perandorët, të gjithë ata që nga koha e Hamurabit e deri më sot kanë ushtruar detyrën e kryetarit të një shteti kanë ndjekur të njëjtën linjë, të njëjtin qëndrim, me detyrë, mision e funksion themelor mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të shtetit, forcimin e sigurisë, angazhimin për paqe dhe garantimin e prosperitetit të vendit e kombit të tyre. Në këtë kuptim presidenti i vendit ka detyrë kushtetuese të mbrojë atdheun, territorin e vendit dhe institucionet e shtetit. Kjo do të thotë se presidentët, mbretërit, krerët e shteteve e të qeverive janë garantë dhe gardianë të ruajtjes së sovranitetit shtetëror. Ata kanë detyrë kushtetuese të “bëhen kamikazë politikë” në mbrojtje të kufijve dhe integritetit territorial. Por Hashim Thaçi zgjodhi të kundërtën. Ai në vend të garantit të tërësisë territoriale të Kosovës u bë tregtar i territoreve të saj. Në vend të ishte “kamikaz politik” në mbrojtje të Kosovës në bisedimet me Serbinë, u bë palë me Vuçiqin. E në këtë rast nuk ka më nevojë për bisedime, sepse bisedimet bëhen midis dy palëve e tash kemi vetëm një palë. Kemi Thaçin dhe Vuçiqin, përsëri Vuçiqin e përsi Thaçin në të njëjtin rol, në të njëjtën valë, koordinatorë të të njëjtit projekt, ndajen e Kosovës dhe shkatërrimin e shtetësisë së saj. Kurrë në historinë e shtetit e as në historinë e kombeve nuk ka ndodhur që një kryetar shteti, një president, të vihet “vullnetarisht” në anën e okupatorit. Ka ndodhur që nën kërcënim dikush të lëshojë diçka, ndoshta dhe të pranojë pushtimin në kushte të pamundësisë për të luftuar. Por jo këtë që po bën Hashim Thaçi. Pas çlirimit të vendit dhe dhjetë viteve pavarësi, pas ngritjes së institucioneve bazuar në kushtetutë e në ligje, presidenti del dhe flet për shkëmbim territoresh, për ndarje të Kosovës e së fundmi për “korrigjim kufijsh”! Luginën e Preshevës po e përdor si karem, ndërkohë që në Preshevë politika është skeptike. Nuk do të duhet të mendohesh gjatë për të dalluar qëllimet, mashtrimet dhe manipulimet politike të Hashim Thaçit. Presheva është karem dhe viktimë e presidentit të Kosovës, njësoj si edhe Kosova. Në të vërtetë të dyja janë karem dhe viktimë e tre personave: Edi Ramës, në Tiranë, Aleksandër Vuçiq në Beograd dhe Hashim Thaçit në Prishtinë. Kush nuk e kupton këtë, ose është si Hashimi, ose është qorr nga sytë e shurdhë nga veshët. Presidenti Thaçi prodhoi kamikazë mediatikë në mbrojtje të territorit dhe të shtetit të Kosovës. Fatmirësisht këta janë shumë e kur “kamikazët” bëhen shumë, atëherë ata nuk mund të jenë më të tillë. Kamikazi i vetëm në Kosovë në shërbimm të antishqiptarizmit është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Tiranë, më 16.08.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, presidenti Kamikaz, Thaci

DANAS- Thaçi: JO krijimit të Republikës Serbe në Kosovë

August 16, 2018 by dgreca

Hashim Thaçi: Nuk do të lejojmë krijimin e Republikës Serbe në Kosovë. Ky është titulli i gazetës serbe të Beogradit “Danas”, e cila boton sot intervistën me Presidentin e Kosovës. Mbititulli është: Presidenti Kosovar flet për Danas për fazën e ardhëshme të dialogut të Brukselit, Perëndimin, Rusinë, Aleksandar Vuçiçin…Ndërsa, nëntitujt janë: Unë flas me Vuçiçin dhe dëshiroj të gjejmë zgjidhje sepse dua ta shoh Kosovën në NATO dhe BE, sa më shpejtë që është e mundur; Ndodhemi në periudhë kritike dialogu midis dy shteteve tona.Gazeta DIELLI me korrespondentin në Kosovë këto i sjell (përkthyer në shqip) nga gazeta  e Beogradit “Danas”.

Ndërsa, në vijim intervista ashtu si e ka përkthyer e botuar media në Prishtunë:

***1-Thaci-300x169

Thaçi për Danas: Nuk do të lejojmë krijimin e ”Republika Srpska”-s në Kosovë/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas” ka folur për shumë tema, për marrëdhëniet me Serbinë, dialogun, perspektiven evropiane dhe FSK-në.

Në këtë intervistë, Thaçi po ashtu ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do ta lejojnë krijimin e “Republika Srpska”-s në Kosovë, përcjell “Zeri.info”.

Në vazhdim Intervista e plotë e Thaçit për “Danas”

Danas: Të dy presidentët, të Kosovës dhe të Serbisë, javët e fundit kanë filluar të flasin për një demarkacion apo korrigjim të kufirit. Të dy ju keni theksuar se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë e dhimbshme. Megjithatë, opinioni di fare pak për progresin në dialogun tuaj në Bruksel apo madje edhe për kornizën e ndonjë marrëveshjeje të tillë. A mund të na tregoni më shumë për pritjet që keni për marrëveshjen përfundimtare?

Thaçi: Kosova tashmë është një fituese morale dhe politike, sepse njerëzit tanë janë të lirë. Ata jetojnë në një shtet të lirë, të njohur nga pjesa dërrmuese e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Por, ne tani duhet të lëvizim me shpejtësi drejt anëtarësimit tonë në BE, NATO dhe në OKB. Dialogu me Serbinë, bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi janë kushte thelbësore për ta jetësuar këtë qëllim. Nuk po zhvilloj bisedime me Beogradin për shkak të ndonjë nostalgjie. Nuk vuaj nga Jugonostalgjia siç vuajnë disa. As nuk bisedoj me Beogradin se më pëlqen të shpenzoj kohë në korridoret e Brukselit, duke ngrënë sanduiçe të ftohtë deri në orët e vona të mbrëmjes. Jo – por bisedoj me Vuçiqin dhe jam i etur të gjej një zgjidhje, sepse dua ta shoh Kosovën tonë në NATO dhe BE, sa më parë. Do të jem shumë i sinqertë, nuk mendoj se do të anëtarësohemi në këto mekanizma derisa të mos kemi kufi të pazgjidhur mes dy shteteve. Ne duhet të arrijmë një pajtim të plotë për demarkacionin e kufirit, që të mos lejojmë që disa çështje të hapura të shndërrohen në çështje konflikti në të ardhmen. Synimi im nuk është ndonjë ndarje etnike, e as krijim i një “Republika Srpska” të dytë në territorin tonë. Zoti na ruajt! Qëllimi im është vendosja e kufirit prej rreth 400 kilometra, e ky proces kërkon zgjidhje kreative, të cilat do të sigurojnë paqen sot dhe në të ardhmen.

Danas: Kohët e fundit se doni t’u ndihmoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i bashkohen Kosovës si pjesë e këtij dialogu? Pse të hapet kjo çështje tani? A mendoni se Beogradi do të lejojë që të japë territor pa marrë diçka substanciale në këmbim?

Thaçi: Lugina e Preshevës, njerëzit e këtyre tri komunave qysh më 1992 kanë shprehur qëllimet e tyre politike. Është e qartë se çdo demarkim i kufirit mes dy shteteve do të ketë rëndësi për këto familje dhe këta qytetarë. Interesat e tyre duhet të respektohen dhe të merren parasysh. Një thënie e vjetër thotë se nëse ka vullnet ka edhe zgjidhje. Besoj se nëse ka vullnet nga lidershipi në Kosovë dhe ai në Serbi për të gjetur zgjidhje kreative, do të gjejmë një mënyrë për t’i akomoduar njerëzit në këto rajone kufitare që të ndihen të qetë, të sigurt dhe me të ardhme ekonomike dhe politike të sigurt. Si serbët në pjesën veriore të Kosovës ashtu edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës më së shumti janë të preokupuar me vendet e punës dhe ekonominë. Kush do të investojë në shtetet tona nëse kemi çështje të hapura të zgjatura për dekada të tëra? Si do t’i parandalojmë të rinjtë tanë të largohen nëse duhet të përballen me diskriminim apo frikë çdo 10 apo 20 vjet?

Danas: A po bisedoni ju dhe Vuçiq me duart tuaja mbi harta, me koordinata të fshatrave dhe kufijve si në Dejton, apo çfarë procesi po ndodh tani?

Thaçi: Pa asnjë dyshim, gjëja e fundit në mendjen time është Dejtoni. Kam shpallur pavarësinë e Kosovës si një republikë sovrane, laike dhe qytetare. Ajo do të mbetet qytetare. Hartat nuk do të përcaktojnë fatin e njerëzve. Njerëzit do të përcaktojnë fatin e hartave. Unë mendoj vetëm për hartat evropiane. Ish-Jugosllavia është shpërbërë dhe janë shtatë shtete që u krijuan nga ky proces i përgjakshëm i cili nisi vetëm në Beograd – kur njerëzit atje filluan të merreshin me harta dhe memorandume. Ky obsesion me harta ka sjellë kaos dhe gjenocid. Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë marrëveshje evropiane. Ajo do të mbështetet nga Brukseli dhe Uashingtoni. Dhe do të finalizohet me një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të KB-së, duke i hapur kështu perspektivë evropiane. Ose do të jetë një zgjidhje evropiane me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së ose nuk do të ketë marrëveshje.

Danas: Çfarë do të ndodhë nëse nuk do të ketë marrëveshje? Shumë njerëz si në Serbi, por edhe në Kosovë, janë shprehur se është më mirë të mbahet status quo-ja? A do të ketë dhunë?

Thaçi: Status quo-ja mund të shkaktojë telashe në planin afatgjatë.  Kriminelët, populistët, nacionalistët, “palët e treta” nga jashtë rajonit tonë – të gjitha ata po synojnë të mbajnë status quo-në për të vazhduar me “operacionet” e tyre dhe për ta minuar Evropën, NATO-n dhe mbarë establishmentin perëndimor. Ballkani sot është i sigurt, madje kemi shënuar progres të caktuar, si marrëveshja fantastike mes Greqisë dhe Maqedonisë, si dhe pranimi i Malit të Zi në NATO; por ne duhet t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura dypalëshe. Sot nuk kam frikë nga dhuna. Jam i shqetësuar për propagandën e Beogradit, sipas së cilës një lloj plani po përgatitet nga policia apo ushtria e Kosovës për të hyrë në luftë. Kjo është marrëzi dhe e rrezikshme. Policia e Kosovës dhe ushtria e Kosovës trajnohen nga NATO, nga BE-ja dhe u përmbahen vlerave euro-atlantike. Por nëse nuk i rregullojmë marrëdhëniet tani, atëherë po humbim mundësinë që një apo dy breza të tjerë të kenë jetë normale. Pse ta shtyjmë zgjidhjen nëse të dyja palët janë gati të mbyllin kapitullin e dhimbshëm të së kaluarës? Pse t’i lëmë fëmijët tanë pengje të ëndrrave mitike, historike? Është e qarte se Kosova dhe Serbia janë dy shtete. Por është gjithashtu e qartë se ata janë fqinj që duhet të bisedojnë dhe t’i zgjidhin çështjet e hapura.

Danas: A e mbështesin BE-ja dhe SHBA-të qëndrimin tuaj? Ka sinjale të përziera që vijnë nga kryeqytetet e BE-së. Londra dhe Berlini po tregohen të zëshme ndaj ndryshimeve të kufirit. Uashingtoni po qëndron i heshtur. Moska po vëzhgon me vëmendje. 

Thaçi: Në dialogun që po e zhvillojmë në Bruksel aty gjithmonë ka përfaqësues të qeverisë së SHBA-së, në të gjitha fazat e dialogut, prandaj BE-ja dhe SHBA-të mbështesin një marrëveshje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Mund të them se kemi pasur një mungesë fokusi – sidomos nga Brukseli – por bota është një gjendje të vështirë dhe po bëhet gjithnjë më e vështirë. Nuk kam iluzione siç kanë disa njerëz, të cilët mendojnë se ne jemi qendra e botës dhe se secili duhet të dëgjojë dëshirat dhe kërkesat tona. Jo, ne kemi një dritare shumë të ngushtë të mundësisë dhe shumë pak hapësirë manovrimi në kryeqytetet e mëdha për t’u marrë me Kosovën dhe Serbinë. Pra, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, derisa ka kohë dhe vullnet, që bashkë me aleatët tanë ta mbyllim marrëveshjen dhe ta mbështesim marrëveshjen përfundimtare.

Danas: Çfarë do të ndodhë me serbët e jugut në Kosovë nëse do të ketë korrigjim të kufirit? Njerëz të shumtë druajnë nga eksodi, si në rastin e “Oluja”-s në Kroaci?

Thaçi: Kjo është një propagandë e orkestruar. Askush nuk do t’i prekë serbët në jug, veri, perëndim apo në lindje të Kosovës. Kishte propagandë edhe kur shpallëm pavarësinë, më 2008, se serbët do të largohen me traktorët e tyre, por nuk e bënë këtë. Ata qëndruan në Kosovë dhe madje morën pjesë në krijimin e institucioneve të Kosovës, policisë, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese. Sot, serbët janë të integruar dhe nuk shoh ndonjë arsye për njerëzit në Shtërpcë ose Graçanicë apo kudo që të kenë frikë nga e ardhmja e tyre në Kosovë. Një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do t’u ndihmojë atyre, sepse do të ulë kërcënimet e nacionalistëve dhe ekstremistëve nga komuniteti i tyre serb që varen mbi kokat e tyre. Përfitoj nga kjo intervistë që sërish t’u bëj ftesë të gjithë serbëve, të gjitha komuniteteve jo-shumicë që të sigurohen se shteti i tyre është Kosova dhe se ata kanë një të ardhme të sigurt në këtë vend.

Danas: A do t’i marrë Kisha Ortodokse Serbe të njëjtat garanci?

Thaçi: Kisha Ortodokse Serbe është një kategori kushtetuese në Kosovë dhe gëzon mbrojtje kushtetuese. Fatkeqësisht, atë nganjëherë e politizojnë komunitete të organizuara fetare në Kosovë, meqë disa peshkopë, veçanërisht nga jashtë Kosovës, dërgojnë mesazhe shumë të mjera. Unë asnjëherë nuk u përgjigjem këtyre deklaratave, sepse nuk dua të vendos pozitën e klerit serb në Kosovë në një pejsazh politik. Përpiqem që t’i mbrojë ata nga vetja e tyre. Jam shumë krenar për shumëllojshmërinë e trashëgimisë në Kosovë dhe kam promovuar dialogun ndërfetar si një komponent thelbësor të pajtimit. Prizreni, Deçani, Rahoveci janë vende të bukura turistike edhe për shkak të larmisë së pasur etnike – shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë. Komunitetet kryesore në Kosovë, të tilla si myslimanët, ortodoksët, katolikët, hebrenjtë, sufijntë – ata ishin këtu gjatë kohës së Perandorisë Osmane, gjatë pushtimit serb, gjatë diktaturës jugosllave dhe ata do të jenë këtu edhe në të ardhmen.

Danas: Analistët në Kosovë thonë se jo vetëm me komunitetin serb keni probleme për ta shtyrë përpara marrëveshjen përfundimtare. Shumica e partive opozitare nuk e mbështesin dialogun tuaj me Vuçiqin.

Hashim Thaçi: Kosova është demokraci e vërtetë. Nuk kam “armë” për të kontrolluar opinionin publik dhe shpresoj se asnjë kryetar nuk do të ketë “armë” të tilla për të kontrolluar mediat, shërbimin e inteligjencës, ushtrinë, Kuvendin, siç i kanë disa në rajon. Kushtetuta e Kosovës kërkon nga Presidenti të përfaqësojë Kosovën jashtë dhe brenda vendit, prandaj unë jam i mandatuar nga vullneti i qytetarëve për të gjetur një zgjidhje me Serbinë. Unë gjithashtu do të ri-kërkoj vullnetin e qytetarëve për të konfirmuar marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe njohjen reciproke, duke organizuar një referendum. Ka zëra të shumtë në Prishtinë përkitazi me atë se si duhet Kosova të veprojë me Serbinë, por i refuzoj thirrjet për shtyrjen e marrëveshjes ose shantazhimin e komunitetit ndërkombëtar. Ide të tilla janë të rrezikshme. Kam gjithashtu përvojë personale kur partitë e Kosovës gjithmonë janë bashkuar në kohë nevoje, qoftë në Rambuje, qoftë në Vjenë apo gjetiu. Prandaj, jam i bindur se sërish do të bëhemi bashkë në fund për ta mbyllur këtë kapitull të dhimbshëm, që të mund ta vendosin flamurin para ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Danas: A mendoni se Rusia do të mbështesë korrigjimin e kufirit?

Hashim Thaçi: Kam zhvilluar një bisedë të shkurtër me kryeministrin rus, Medvedev dhe ndjek me kujdes deklaratat ruse. Mendoj se Rusia ishte e qartë se ata do të mbështesin një marrëveshje për të cilën bien dakord të dyja palët. Ata vazhdimisht pohojnë se nuk do të jenë “më serbë se vetë serbët”. Rusia gjithmonë ka qenë pjesë e Grupit të Kontaktit dhe ka ndihmuar për gjetjen e propozimeve nga Rambujeja dhe Planin e Ahtisaarit. Kosova nuk ka asnjë problem me Rusinë dhe është mirënjohëse që Federata Ruse në mënyre kreative ua mundësojë sportistëve tanë të vizitojnë Rusinë për ngjarjet sportive ndërkombëtare. Sportistja jonë, Majlinda Kelmendi, fitoi medaljen e artë në xhudo dhe presidenti Putin mundësoi që flamuri i Kosovës të ngrihet lartë, pak vite më parë. Mendoj se kjo simbolikë e bashkëpunimit në sport, ekonomi dhe kulturë është shumë e rëndësishme. Izolimi i Kosovës në të ardhmen do të thotë izolim i Serbisë dhe i mbarë rajonit. Jam i sigurt se kjo nuk është agjenda e Moskës.

Danas: Ju nuk jeni të shqetësuar për ndërhyrjen dhe ndikimin rus në media?

Hashim Thaçi: Nuk shqetësohem për ndërhyrjen ruse në Kosovë, sepse 92% e qytetarëve tanë e mbështesin BE-në dhe SHBA-në, por ne i mbajmë marrëdhëniet e mira me të gjithë. Kosova është republikë shumë e vogël me nevoja dhe ambicie modeste për të pretenduar se ka një rol të madh midis fuqive të mëdha.

Danas: Çfarë po ndodh me Asociacionin dhe marrëveshjet e deritashme? Pse nuk po zbatohen?

Hashim Thaçi: Kjo është një çështje tjetër që mbetet e hapur dhe përbën një arsye për të arritur drejt një zgjidhjeje përfundimtare sa më shpejt të jetë e mundur. Ne patëm një marrëveshje për rrjetet e energjisë, dhe Serbia për vite me radhë po vazhdon të refuzojë zbatimin e saj. Kjo po i shkakton Kosovës probleme dhe humbje reale financiare. Kemi pasur një marrëveshje për Asociacionin, ka pasur shumë vonesa dhe njerëzit nuk e dinë këtë, por shumë vonesa janë shkaktuar pikërisht nga Beogradi. Shpeshherë kur donim ta bënim një hap përpara drejt hartimit të statutit, që gjërat të lëvizin, pati ngurrim nga disa qarqe në Beograd që donin që ky Asociacion të mbetej si një pengesë. Nuk dua të them gjithçka këtu në gazeta, por Brukseli dhe Uashingtoni janë të vetëdijshëm për arsyen e vonesave dhe për gatishmërinë tonë për t’i kapërcyer ato. Pa dyshim, për sa kohë që respektohet Marrëveshja e Brukselit, dhe kjo marrëveshje mbështetet në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Kosovës, Asociacioni do të themelohet për t’i avancuar të drejtat dhe përgjegjësitë komunale.

Danas: Disa medie në Beograd pohojnë se Presidenti Vuçiq kohët e fundit ka kërcënuar se do të tërhiqet nga politika nëse qytetarët serbë nuk do ta mbështesin marrëveshjen e tij me ju. A do ta bëni të njëjtën gjë?

Hashim Thaçi: Thënë të drejtën, unë tashmë jam tërhequr nga politika ditore dhe nga shumë çështje të qeverisjes. Jam zgjedhur President me shumicën më të madhe të mundshme dhe tani kam përgjegjësi para Kushtetutës dhe qytetarëve të Kosovës për të kryer mandatin tim. Kam parë disa sondazhe nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara sipas të cilave kosovarët besojnë se presidenca duhet të udhëheqë bisedimet me Serbinë, prandaj mbetëm i bindur se ende kam misionin tim të tretë për të përmbushur – Kosovën në NATO dhe BE. Ne kurrë nuk kemi qenë më afër këtij qëllimi, por ende duhet të tregojmë durim dhe të punojmë së bashku për ta siguruar vendin tonë në familjen evropiane të kombeve. Besoj se e njëjta gjë vlen edhe për Serbinë dhe Vuçiqin.

Danas: Kryetari i Serbisë ka thënë se do të ngulmojë për çështjen e pronës serbe në Kosovë në fazën e radhës së dialogut në Bruksel. Çfarë mendoni për këtë nismë?

Hashim Thaçi: Çështja e pronës është e rëndësishme për të gjithë. Për shembull, ekziston një vëllim i madh i dokumenteve për pensionet e Kosovës të cilat Serbia i ka vjedhur më 1999, dhe ekzistojnë më shumë se një milion faqe të dëshmive të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të cilat vërtetojnë se shteti serb, policia dhe ushtria serbe qëllimisht i kanë shkatërruar pronat e qindra mijëra kosovarëve. Besoj se kur ta hapim këtë kapitull Beogradi do të jetë i pari që do të dëshirojë që ta mbyllim të njëjtin kapitull sa më parë. Por, nuk mund t’i mbyllim sytë para kërkesave legjitime të njerëzve për drejtësi dhe për pronat e tyre. Kjo është në përputhje me vlerat që duam t’i përqafojmë në BE.

Danas: A ka të reja për themelimin e ushtrisë së Kosovës?

Hashim Thaçi: Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ekziston, ato trajnohet nga NATO, kanë hierarki dhe strukturë. Procesi i transformimit të FSK-së në një forcë adekuate, bashkëkohore, dinamike dhe shumetnike është një proces që nuk mund të ndalet. Ky proces tashmë ka filluar dhe nuk mund të ndalet. Shpresojmë se kjo do të ndodhë me ndryshime Kushtetuese, por ekzistojnë disa formula të cilat mund të përdoren për jetësimin e këtij qëllimi. Askush nuk mund të vendos veto dhe pres që djemtë dhe vajzat tona në formë t’u kontribuojnë misioneve të NATO-s gjithandej botës, por ftoj edhe autoritetet në Serbi që të mos ushtrojnë trysni mbi serbët e Kosovës të cilët sinqerisht duan të jenë ushtarë të Kosovës. Këtë e kanë vërtetuar të gjitha partnerët tanë strategjikë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Danas, Jo, Kosove, Republikes Serbe, Thaci

KOSOVË-SERBI, MARRËVESHJA-VËSHTIRË

August 8, 2018 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Mundësitë e marrëveshjes me Serbinë jashtëzakonisht të vogla, gjasat janë minimale, por duhet bërë përpjekje maksimale/1 Thaci -Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve dhe jo autonomi për serbët, por korrigjim të kufirit, njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë/

1 vesh

-Mundësia për të legjitimuar kërkesat politike e historike të shqiptarëve të Preshevës, të Mevegjës e Bujanovcit për t’iu bashkuar Kosovës/

PRISHTINË, 8 Gusht 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot në një konferencë shtypi se mundësitë për të arritur një marrëveshje me Serbinë janë jashtëzakonisht të vogla, por duhet bërë përpjekje maksimale.“Gjasat janë minimale, mirëpo ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që të shfrytëzojmë çdo mundësi që ndoshta në fund të arrijmë një marrëveshje historike definitive në mënyrë paqësore përmes dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur plotësisht  nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh presidenti i Kosovës.

Presidenti Thaçi theksoi se, dialogu Kosovë-Serbi ka vetëm një qëllim thelbësor, arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore për normalizim, njohje reciproke dhe pajtim.

“Unë jam i përkushtuar për arritjen e marrëveshjes dhe në kuadër të këyre përpjekjeve kam propozuar, pas kërkesës të përfaqësuesëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, korrigjimin e kufirit me Serbinë”, tha presidenti Thaçi.

Ai shtoi se këtë e ka propozuar si mundësi e vetme për të legjitimuar kërkesat politike e historike të shqiptarëve të Preshevës, të Mevegjës e Bujanovcit për t’iu bashkuar Kosovës.

“Kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve dhe jo autonomi për serbët, por korrigjim të kufirit, njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë”, tha presidenti Thaçi dhe në vijim iu përgjigj edhe interesimeve të medias.

Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.

Propozuesi, që është një nga partitë opozitare,  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojmë dhe ta plotësojmë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.

Një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për në shtator, ndërsa në 18 Korrik 2018 në Bruksel u zhvillua takimi i dytë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i presidentëve HashimThaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky takim ishte më i shkurti në 6 vitet e fundit, por më i vështiri dhe më i rëndi”,  ka deklaruar presidenti kosovar Thaçi në një konferencë shtypi pas kthimit në Prishtinë.

Por, theskoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ishte ky takimi i shtatë presidencial, i pesti i presidentëve Thaçi e Vuçiç. Para takimit trilateral me dy presidentët përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka takuar ndaras fillimisht delegacionin e Kosovës e pastaj të Serbisë.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin  Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 18 korrikut 2018 është i pesti, pas të katërtit të dielën e 24 qershorit 2018, të dy këto të fazës finale.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.

Filed Under: Featured Tagged With: bisedimet me Serbine, te veshtira, Thaci

PËRSE HASHIM THACI E KA FRIKË SALI BERISHËN

August 8, 2018 by dgreca

1 Asllani 44Opinion nga Asllan BUSHATI/

Para disa kohësh kam lexuar një studim të një universitetit britanik,mbi dështimin e perendimit për multietnicitetin e shteteve  në Europë vecanërisht pas Luftës Dytë Botërorë (LDB). Sipas tyre ky dështim ndodhi me ish Bashkimin Sovjetik, ish Jugosllavinë, ish Cekosllavakinë etj. Në vazhdim studimi hedh idenë e  rishikimit të praktikës  së dështuar të multietnicitetit  dhe kthimit tek kufijt e kombeve (etnive).  Ky mendim hidhet në tavolinat e kancelarive si një  risi, si  ide e kohëve të pas LDB-së dhe vecanërisht  pas shembjes së murit të Berlinit, si një  strategji  e së ardhmes   për parimet bazë të rregullimit të mardhënive  ndërkombëtare.

Reminishenca të kësaj ideje kam parë shpesh herë në shtypin e përditshëm. Por  që para 242 vitesh e deri më sot , ka një eksperiencë unikale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës  ku multietnicitetit ka funksionuar e funksionon për mbrekulli duke qenë demokracia më e mirë në botë, e  shteti me ekonominë e fuqinë  ushtarake më të madhe në glob. Edhe Be-ja ka gati një shekull që ëndërron të mund të krijojë një multietni  eureopiane si ajo e SHBA-së. Pra ideja e  kthimit  tek shetet me etni të pastërt në kohën e një globazilimi gjithnjë e në rritje, duket si një kundër rrjedhë e kohës së sotme në marrdhëniet ndërkombëtare.

Kështu duket qartë se  Presidenti i Kosovës  Hashim Thaci, Presidenti Serbisë Vucic (dhe politikanë të këtij soji), janë rreshtuar në këtë  kundër-rrymë. Thaci kërkon:”një korigjim të kufijve midis Kosovës e Serbisë”, ndërsa Vucic thotë se” në raportet Serbi- Kosovë nuk duhet të dalë e humbur vetëm njera palë (Serbia). Të dyja palët duhet  të humbasin dicka duke shkëmbyer”. Pra të dy janë për shkëmbime duke marrë pamjen e të plotfuqishmëve (sikur ata  janë pronarët  e Kosovës e Serbisë). Në këtë rokopujë ballkanike, Be-ja, Natoja, e  kancelaritë perendimore heshtin. Ndërsa një kotmëkot i OKB-së thotë se:” këto diskutime duhet ti bëjnë palët”. Pra heshturazi ajo pranon një zgjidhje të problemit të Kosovës edhe me prekjen e kufijve të saj.

Tani kthehemi tek debate  ndërshqiptar, ku një grup përfaqësuesish të Preshevës takojnë ish Presidentin dhe ish Kryeministrin e Shqipërisë Zotin  Sali Berisha, të cilit i kërkojnë një mendim se a mundet që Lugina e tyre ti bashkangjitet Kosovës  në kuadrin e bisedimeve Kosovë- Serbi?. Berisha me shume elegancë  e mirsjellje shpreh mendimin e tij (duke mos përmendur asnjë emër a funksion), se ai e sheh të pa mundur një gjë të tillë, madje ai thotë se mund të bëhet një precedent i rrezikshëm. Ky mendim personal  i Sali Berishës  u vlerësu  nga Hashim Thaci si tërësisht armiqësor dhe për këtë  i vërsulet atij me  gjthë arsenalin gojor më të ulët e të pa përshtatshëm.  Fjalor i Thacit ishtë më i rëndi , më hipokriti e më meskini se i gjithë kundërshtarëve politik të Berishës. Po pyetja shtrohet  pse? Ku ishte Thaci deri  tani? Cilat kanë qenë raportet e tij me Berishën këto njëzet vite dhe pse nuk është thënë agjë për to? Le ta shikojmë problemin nga disa kënde shikimi.

Sali Berisha në gjykimin tim (por edhe të shumicës së shqiptarëve) pa as më të vogëlin dyshim, është politikani më i fuqishëm , më i zëshëm, më i zgjuar, më karizmatik, më vepruesi,më imponues ,më nuhatësi i  këtyre 28 viteve të fundit në trojet shqiptare. Opinionet e tij janë të pranueshme, tërheqëse e udhërrëfyese për  masat e gjëra  të  njerëzve por edhe për  politikanët. Pra kjo është “pema me kokrra në politikën shqiptare” dhe në pemën me kokrra qëllohet me gurë.

Kështu Hashim Thaci duke qëlluar Berishën  përpiqet të bëjë dy gjëra në të njejtën kohë: e  para e cvendos vemendjen e  rënduar të opinionit jashtë Kosovës dhe e dyta e nxjerrë atë jashtë  kontekstit  të kohës ( pra jashtë bisedimeve   me Serbinë).  Kjo bëhet sepse Berisha ka ndikim të madh edhe brenda Kosovës  gjë e cila ja vështirëson veprimet Thacit se kundërshtarët e tij politik mund të armatosen me idetë e mendimet e Berishës. Një rigrumbullim forcash  e deputetësh në parlament (praktikisht i mundëshëm), e vendos Thacin në cep të ringut e në prag të nokautit, dhe shtron mundësinë e daljes  tij me barela nga ringu politik. Në kushtet e sotme lufta e Thacit kundër Berishës (pa asnjë arsye të drejtpërdrejtë) i ngjan ose një avanturieri në politikë  ose  Sanco Pancos me mullinje e erës. Por duket se lepuri  flenë diku tjetër.

Thaci duket se ka bërë shumë gabime (ndoshta edhe krime sic disa e akuzojnë). Për këto gabime  mund të ketë dokumenta nga të cilat ai është në një trysni të dyanëshme, si nga Gjykata Speciale  e ndërkombëtarët ,por edhe nga  segmente të caktuara serbe. Në këto kushte,  ai do të jetë përfshirë  edhe në pazare paraprake  jo  të pastërta dhe me shashka tymuese  kundër Berishës kërkon rrugëdalje nga rrethimi  ose minimalja  kërkon kohë në dispozicion për të dalë nga carqet e ngritura për të. Pozitat e Thacit dukshëm janë të palakmueshme madje edhe qesharake, sepse ai  jo vetëm  ka frikë nga Berisha, por ai ka frikë edhe nga hijet e veprimeve të tij. Thaci është i kapur nga fodullëku, egoizmi, korrupsioni e ndoshta edhe krimi.

Së fundi, deklaratat e Thacit e të Vucicit a mund të bëhen vepruese për ndryshimin e kufijëve në Gadishullin Ilirik e më gjërë? A mundet që kancelaritë perendimore të bëhen sehirxhinj dhe të lejojnë hapjen e një konflikti të armatosur në këtë rajon e më gjërë? Sot a po punohet që në Europë  të shkohet në rrugën drejt integrimit apo drejt derivimit (disintegrimit)?  Unë besoj tek integrimi dhe shembulli i shkëlqyer amerikan.

Filed Under: Opinion Tagged With: ''susta'' e Thaçit dhe e Veselit!, asllan Bushati, Sali berisha, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 22
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT