• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova përjetësisht mirënjohëse NATO-s

January 31, 2019 by dgreca

1 Thaci ushtarak-Presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj takime me admiralin e Marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III/1 haradinaj Usht-Viti 2019 është shpallur vit i NATO-s në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar përkushtimin dhe sakrificën e ushtarëve të shteteve të NATO-s për Kosovën/

 -Admirali Foggo tha se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË, 31 Janar 2019/ Admirali i Marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III, i cili shërben si Komandant i Forcave të Marinës së SHBA-së për Evropë, sot në Prishtië është pritur në takime të ndara nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ku është theksuar se, Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj KFOR-it dhe NATO-s.Presidenti Thaçi i ka thënë admiralit amerikan se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.“Po punojmë që të krijohen kushtet për të vazhduar dialogu, si mënyrë e vetme për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. U jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe rajon”, u shpreh presidenti Thaçi.

 Presidenti Thaçi dhe admirali James Foggo kanë folur edhe për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili është proces i koordinuar me KFOR-in dhe NATO-n.Në anën tjetër, admirali i marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III, theksoi se dialogu është rruga e vetme që çon përpara.

“KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë paqe e siguri”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se viti 2019 është shpallur vit i NATO-s në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar përkushtimin dhe sakrificën e ushtarëve të shteteve të NATO-s për Kosovën.Kryeministri Haradinaj në takim me admiralin James Foggo III, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario, ka biseduar për gjendjen e tanishme të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke e falënderuar atë dhe NATO-n për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset dhe për misionin e tyre në krijimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë.“U jemi mirënjohës përjetësisht për angazhimin dhe rolin tuaj dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për të krijuar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, duke e siguruar atë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim me KFOR-in në forcimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Duke konfirmuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të sigurisë të Kosovës me KFOR-in, kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n.  “Ne jemi popull që i takojmë popujve të lirë, të udhëhequr nga ShBA-të, në shërbim të paqes në vend, rajon dhe botë”, ka thënë kryeministri Haradinaj në takim, duke shtuar se Kosova është e gatshme t’i bashkohet NATO-së në misionet paqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për periudhën e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke thënë se kjo forcë do të jetë multietnike, profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, në të cilën do të jenë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

 Nga ana e tij, admirali Foggo tha se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

NJOFTIMI I DËRGUAR NGA KFOR:

Pristina, 31st January 2019

 Foggo meets with Thaçi, Haradinaj and Jevtić

Admiral James Foggo met with Mr. Hashim Thaçi, Mr. Ramush Haradinaj and Mr. Dalibor Jevtić today. The leaders discussed the current state of security in Kosovo, in the context of KFOR’s mission to provide a safe and secure environment plus freedom of movement for all people in Kosovo, under UN Security Council Resolution 1244.

During the visit, Foggo discussed the issue of Kosovo’s plan to transition the Kosovo Security Force. 

Foggo reminded Mr. Thaci and Mr. Haradinaj that the Secretary General and the North Atlantic Council have consistently said that any change to the mandate of the KSF will mean that NATO will have to re-examine its level of engagement with the KSF.  This work is under way now in Brussels.

Foggo stated that he expects the transition of the KSF to be a progressive, transparent and inclusive effort that is closely coordinated with NATO and the international community. He reinforced the need for KSF activities to adhere to the limits set out in Mr. Thaçi’s 2013 letter in which he stated the KSF would not operate in northern Kosovo without prior concurrence by KFOR.

Foggo underlined that all interested parties understand that the Kosovo Police Special Units is not part of KSF, and that Institutions in Kosovo must demonstrate the difference.

Lastly, as KFOR nears its 20-year anniversary, Foggo said that KFOR intends to honour those NATO personnel who gave their lives in support of a safe and secure environment.

Foggo commands NATO’s Allied Joint Force Command Naples, which oversees KFOR.  NATO remains committed through KFOR to a safe and secure environment in Kosovo and to the stability in the wider Western Balkans.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bell Jashari, Haradinaj, kosovo, NATO, Thaci

PRESIDENTI THAÇI NE FAMILJEN RUGOVA

December 28, 2018 by dgreca

Presidenti Thaçi viziton familjen e Presidentit historik Rugova/

1 Thaci te Rugova-Uron për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit/

PRISHTINË, 28 Dhjetor 2018- Gazeta DIELLI/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot familjen e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Rezidencën në Velani – Prishtinë.

Duke njoftuar për këtë vizitë, ku ka uruar për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit, Presidenti Thaçi shkruan:

Sot vizitova familjen e presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilën e urova për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit. Trashëgimia shtetformuese e presidentit Rugova dhe vlerat që ka përfaqësuar ai do të jenë udhërrëfyes edhe në fazën përfundimtare të konsolidimit të shtetit tonë.

Mesazhet e përhershme për dialog, bashkëpunim e unitet të brendshëm duhet të jenë parimet bazë të veprimit të gjithë spektrit politik, bashkë me partneritetin dhe besimin tek SHBA-ja dhe partnerët evropianë.

Besoj që këto vlera e parime do të respektohen nga të gjithë edhe në këtë fazë përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi, që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bell Jashari, e Dr. Rugoves, ne Familjen, Thaci

Si degjeneroi “Dialogu” me Serbinë

December 26, 2018 by dgreca

1 Skender

Nga Skënder Buçpapaj/

Në praktikën ndërkombëtare, të paktën në tre shekujt e fundit, nuk ka asnjë rast të tillë ku bisedimet për njohje mes një pale ish-koloniale dhe një pale që ka fituar pavarësinë, të kenë zgjatur kaq shumë dhe të kenë marrë një kahje kaq të kundërt me qëllimin e tyre të kryehershëm.

“Dialogu” Kosovë-Serbi, ku Kosova është pala që ka fituar pavarësinë, ndërsa Serbia është pala ish koloniale, e ka burimin nga Rezoluta e 9 shtatorit të vitit 2010  e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara qenë paraqitur dy versione: njëri ishte versioni i Beogradit, ku kërkohej që statusi i ardhshëm i Kosovës të vendosej gjatë dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, tjetri ishte versioni i Bashkimit Evropian ku përcaktohej se statusi ishte përufndimtar dhe nuk do të diskutohej.

Kjo rezolutë, atë ditë dhe në vijim, u konsiderua një fitore për Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, së cilës iu deshën dy ditë presion ndaj presidentit serb Boris Tadiç për të pranuar formulën e sugjeruar nga Bashkimi Europian. “The Guardian” shkruante se Tadiçi ishte paralajmëruar nga zonja Ashton se refuzimi i kësaj formule do të nënkuptonte mbylljen e derës për Serbinë në BE, ku ajo ka dëshirë të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithashtu, nga ana tjetër, edhe Washingtoni, më konkretisht, zevendespresidenti Joe Biden, e kishte përforcuar këtë mesazh.  Kështu Beogradi e njihte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth Kosoves dhe mirëpriste ndërmjetësimin e BE-së në një proces dialogues mes Serbisë dhe Kosovës. Në artikullin me titull “Serbia heq dorë nga sfidimi i pavarësisë së Kosovës”, Guardian shkruante se Serbia u gjunjëzua pas presionit intensiv nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, duke hequr dorë nga sfidimi i pavarësisë së Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe se kjo tani iu hap rrugën bisedimeve mes Beogradit dhe udhëheqjes shqiptare të Kosovës.

Rezoluta e 9 shtatorit 2010 (ditë e enjte), që bënte thirrje për dialog mes Serbisë dhe Kosovës, miratohej disa javë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhënë më 22 korrik të atij viti, ku shpallja e pavarësisë së Kosovës konsiderohej një veprim në pajtim të plotë me ligjet ndërkombëtare. Projekt-rezoluta e Beogradit përfshinte mosnjohjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ndërsa teksti përfundimtar i rezolutës njihte gjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, që thotë se shpallja unilaterale e pavarësisë së Kosovës është e ligjshme. Rezoluta gjithashtu përshëndeste ofertën e Bashkimit Evropian për të mundësuar dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, si rrugë për anëtarësimin e Kosovës në të ardhmen në këtë organizatë. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç përsëriti papushim që Beogradi nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ato ditë kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, garantoi në Prishtinë se bisedimet mes palëve nuk duhet të çojnë në ndarjen e veriut të Kosovës e as në rinegociimin e statusit: “Si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar dua të jem shumë i qartë se këto bisedime nuk duhet të jenë për statusin, sepse statusi është zgjidhur dhe këto bisedime në asnjë mënyrë nuk duhet të çojnë në ndarjen e veriut. Çështjet që mund të diskutohen mes palëve duhet të jenë në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve dhe në funksion të qëndrueshmërisë rajonale dhe perspektivës evropiane të Kosovës dhe të Serbisë.”

Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, i pyetur nga mediat, përjashtoi mundësinë që për veriun e Kosovës me shumicë serbe të ketë një zgjidhje tjetër, jashtë asaj që parashikon plani Ahtisaari. Për shkak të dështimit të zbatimit të planit gjithëpërfshirës për statusin në veri të Kosovës, Grupi Ndërkombëtar i Krizave pak ditë më parë kishte rekomanduar dhënien e një autonomie për veriun apo shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, zgjidhje që përjashtoheshin tashmë nga Rezoluta e 9 shtatorit 2010 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Rezoluta e 9 shtatorit 2010 ishte e detyrueshme dhe mbyllte një praktikë të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e kishte filluar më 9 tetor të vitit 2008, kur ajo kishte miratuar një rezolutë të Serbisë ku OKB-ja i kërkonte Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përgjigje ndaj pyetjes:  A është shpallja e njënashme e pavarësisë së Kosovës në pajtim me ligjet ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244? Është hera e parë dhe deri tash e vetme që GJND-së i kërkohet mendim për një deklaratë pavarësie.

Parahistoria e “dialogut” Kosovë-Serbi kalon deri këtu nëpër tri data: 9 tetori 2008, kur Serbia miraton në OKB rezolutën ku i kërkoj mendim GJND për pavarësinë e Kosovës; 22 korrik 2010, kur GJND përgjigjej se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me ligjet ndërkombëtare; 9 shtator 2010, kur miratohet Rezoluta që bën thirrje për dialogun Kosovë-Serbi mbi bazën e vendimit të GJND-së, dialog në të mirën e “paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, formulë që u shqiptua fort ato ditë dhe vazhdon të ndihet edhe sot.

“Dialogu teknik”

“Dialogu” paralajmërohej të fillonte nga fundi i vitit 2010. Por, ndërsa pritej tronditje e madhe në Beograd pas humbjes së bujshme diplomatike të Tadiçit, Daçiçit dhe Jeremiçit, kjo ndodhi në Prishtinë. Largohej nga skena, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Fatmir Sejdiu, krahu i djathtë i Thaçit në koalicionin që shpalli pavarësinë dhe udhëhoqi deri aty proceset e shtetit më të ri të botës, largohej edhe Skënder Hyseni, ministri i Jashtëm, që e kishte ndjekur edhe zhvillimin në GJND dhe javët e diskutimeve në OKB pas këtij vendimi deri në miratimin e Rezolutës së 9 shtatorit. Thaçi improvizonte qeveri të re pa LDK-në, presidentë të tjerë pas Sejdiut, dhe “dialogu” i quajtur “teknik” filloi vitin e ardhshëm, pas zgjedhjeve të reja parlamentare të Kosovës.

Deri më 9 shtator 2010 ishte bërë sa ishte bërë presion mbi Beogradin. Nga kjo datë është Beogradi ai që bën presion, tashmë duke shpërfillur Rezolutën e hartuar me 27 vendet e BE-së dhe të miratuar njëzëri nga OKB-ja, por duke zbatuar Projekt-rezolutën që paraqiti Beogradi në OKB dhe që nuk u miratua. Nga kjo datë filloi vrullshëm sfidimi i statusit të Kosovës, sfidimi i vendimit të GJND-së, sfidimi i të gjitha realiteteve të konfirmuara deri atëherë.

Përkundër njohjes së vendimit të GJND-së, Serbia nuk pranon që Kosova të përfaqësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo kërcënon me bojkotimin e çdo veprimtarie ku ftohej Kosova për pjesëmarrje. Pothuaj gjithë vitin 2011 dhe muajt e parë të vitit 2012 u shpenzuan për arritjen e marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. U hodh propozimi që Kosova në këto takime të paraqitej me një fusnotë të shoqëruar me asteriks (*). Marrëveshja parashikonte që “Kosovo*” të jetë denominimi i vetëm që do të përdoret dhe që fusnota ta ketë këtë tekst: “Ky emërtim është pa paragjykimin për statusin, dhe në linjë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 si dhe Opinionit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

Propozimi për fusnotën shkaktoi reaksion dhe zemërim në Kosovë, duke e parë si paragjykim ndaj statusit të saj të shtetit të pavarur dhe sovran. Edhe ekspertët perëndimorë, përfshirë James Hooper dhe Janusz Bugajski e tjerë e quajtën të dëmshme fusnotën. Thaçi i quajti antiamerikanë dhe antievropianë të gjithë ata që e kundërshtonin fusnotën. Pas muajsh e muajsh ecejakësh të ndërmjetësuesit të Brukselit Robert Cooper, Beogradi pranoi që pranë rezolutës 12 44 të përmendej këshilldhënia e GJND-së.  Më 24 shkurt 2012 u nënshkrua marrëveshja nga Daçiçi dhe Thaçi në praninë e Ashtonit. Kështu Kosova do të përfaqësohej në takimet rajonale, me kusht që fusnota të ishte kudo e dukshme dhe në dokumentet e mbledhjeve të ishte shënimi i plotë sqarues dhe, përveç kësaj, ai të lexohej paraprakisht. Beogradi tha se fusnota do të ishte afagjatë, ndërsa Prishtina këmbënguli se fusnota do të ishte fjollë bore. Në fakt, fusnota është gjallë e shëndosh edhe kësaj dite. Konkretisht, Brukseli i propozon Prishtinës që, për të mos figuruar si UNMIK, Kosova të figurojë me fusnotë, pra Kosovo*.

Kjo marrëveshje, ndërkaq, nuk e lejonte Kosovën të përfaqësohej në veprimtaritë ndërkombëtare. Kryeministri Thaçi e trumbetoi marrëveshjen si sukses të madh që do të shpërblehej nga Bashkimi Evropian me dhënien e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Pas rreth dy vjetësh “dialog”, më 19 prill 2013, u arrit marrëveshja e parë e ashtuquajtur e “normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë” e nënshkruar nga kryeministrat Thaçi e Daçiç. Marrëveshja thuhej se “si bazë ka vendosjen e parimeve të para të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Kjo marrëveshje u trumbetua kaq shumë sa u mëtua që këta të dy të merrnin Nobelin e Paqes të atij viti. Thaçi deklaronte se kishte bërë 30 takime me Daçiçin. Ndërsa Petrit Selimi i tij do të shpërndante në internet foto familjare me Daçiçin dhe me djalin e tij foshnjë. Një vit më vonë, Enver Hoxhaj, i vetmi diplomat i formatit të lartë në Kosovë, përcaktonte se normalizimi do të duhet të kalojë nëpër pesë etapa deri te vendosja e marrëdhënieve normale ndër-fqinjësore:

“Së pari, Serbia të implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun me Kosovën.

Së dyti, Serbia duhet të shpërbëjë të gjitha strukturat ilegale paralele në Republikën e Kosovës.

Së treti, të lejojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Së katërti, mosbllokimi i Kosovës nga ana e Serbisë në organizata të ndryshime evropiane duke përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Së fundi, duhet të pasojë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Vetëm pas plotësimit të këtyre pesë kushteve, ne mund të flasim për normalizim të marrëdhënieve.”

Në fakt, Marrëveshja e 19 prillit 2013 duhej të ishte marrëveshje e njohjes zyrtare paraprake të Kosovës nga ana e Serbisë, ku të përvijoheshin parimet bazë mbi të cilat do të hartohej marrëveshja përfundimtare “gjithpërshirëse dhe obligative”. Nga këtu, Kosova dhe Serbia do të duhej bënin dialog të vërtetë dhe jo “dialog” në thonjëza, ku shteti ish kolonial është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe pothuaj i të gjitha organizmave ndërkombëtare. Kryeministri Thaçi e quante “marrëveshje historike” që i jepte fund së kaluarës dhe hapte perspektiva evropiane për të dyja vendet.

Prishtina e hante këtë karrem duke besuar se, nën presionin e Brukselit dhe Uashingtonit, Serbia nuk do ta pengonte Kosovën në integrimin e saj në të gjitha organizmat ndërkombëtare dhe se, në shkëmbim të rolit të saj në “dialog”, Kosova do të shpërblehej me integrime të shpejta sa më të njëkohshme dhe të barabarta me Serbinë.

Duke i marrë me radhë pesë pikat e Hoxhajt, mund të themi se:

1. Serbia nuk ka implementuar asgjë nga marrëveshjet e arritura. Ekspertët kanë vlerësuar se, po të vazhdojë me ritmet e deritashme, Serbia as pas disa shekujsh nuk do t’i implementojë këto marrëveshje.

2. Serbia nuk i ka shpërbërë strukturat e saj paralele. Ndonëse Prishtina i ka integruar disa segmente të këtyre strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës, ato paguhen shumë mirë nga Prishtinë dhe njëkohësisht shumë majmë nga Beogradi, nga i cili i marrin urdhërat dhe të cilit i shërbejnë.

3. Komunitetit serb të Kosovës Beogradi vazhdon t’i thotë se Serbia është shteti i tyre dhe jo Kosova. Serbia vazhdon ta mbajë komunitetin serb në Kosovë në pritshmëri të rikthimit të plotë të Serbisë “në krahinë”.

4. Serbia e bllokon gjithnjë e më fuqishëm Kosovën në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, duke lobuar fuqishëm kundër njohjeve të reja të Kosovës dhe njëkohësisht tek vendet që e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që këto vende t’i tërheqin njohjet e tyre, pasi, sipas Beogradit, statusi i Kosovës nuk është i përcaktuar.

Duke u përqëndruar tek veprimtaria lobuese vetëm e Vuk Jeremiçit, kur ai ishte ministër i Jashtëm i Serbisë, unë në atë kohë kam shkruar se Jeremiç “ka lobuar kundër njohjes së Kosovës duke udhëtuar personalisht në Argjentinë, Brazil, Kil, Kubë, Xhamajkë, Venezuelë, Meksikë, Egjipt, Libi, Gabon, RD Kongo, Afrikën e Jugut, Ganë, Marok, Algjeri, Lesoto, Namibi, Nigeri, Kinë, Indi, Indonezi, Malajzi, Singapor, Vietnam, Kuvajt, Azerbajxhan, Tailandë, Filipine, Pakistan, Siri, Oman dhe Iran. Gjithashtu ka lobuar në takimet e larta të Lëvizjes së të Paangazhuarve në Teheran, në Unionin Afrikan në Sharm-el-Sheik dhe në Malabo, në Sesionin e 38të dhe të 40të të rregullt të Organizatës së Shteteve Amerikane , në Forumin Ekonomik Rajonal të Meksikës, në Forumin 2010 të Aleancës së Qytetërimeve në Rio De Zhaneiro, në takimin e Lidhjes Arabe në Egjipt, në Teheran ka takuar ministrat e Jashtëm të Mongolisë, Sri Lankës, Algjerisë, Bruneit, Kenias, Kubës, Iranit, Pakistanit, Butanit, Laosit, Bangladeshit, Singaporit, Venezuelës, Panamasë, Kilit, Kolombisë, Marokut, Sirisë, Tunizisë dhe Bolivisë. Në Meksikë ka pasur takime me Felipe Kalderón, Daniel Ortega, Antonio Saka, Álvaro Kolom Kaballeros, Manuel Zelaya dhe Fernando Araújo Perdomo. Në vitin 2009, ai u takua me prelatin e Vatikanit Pietro Parolin që të ketë konfirmimin dhe miratimin e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë. Kjo madje përbën edhe krenarinë e Jeremiçit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ministër i Jashtëm i Serbisë.”

Ky lobim ballor i gjithanshëm i Serbisë kundër Kosovës është sot më agresiv se kurrë. Kryeministrja e Serbisë kohët e fundit i dërgonte deri edhe Kryeministrit të Shqipërisë letër ku i kërkohej që Shqipëria ta tërheqë njohjen ndaj Kosovës. Kjo tregon se të gjithë zyrtarët e lartë të Serbisë iu dërgojnë letra të tilla sistematikisht homologëve të tyre ndërkombëtarë për ta tërhequr njohjen e Kosovës. Ndërsa vendet që nuk e kanë njohur i falënderon për mbështetje të integritetit territorial të Serbisë.

5. Serbia, sa më shumë që ka vazhduar “dialogu”, aq më shumë e ka përforcuar vendosmërinë për të mos e njohur Kosovën.

Ashtu siç pritej, “dialogun” në Bruksel Serbia e ka shfrytëzuar për të nxjerrë përfitime sa më maksimale prej tij, për ta sabotuar sa më shumë të ardhmen e Kosovës nëpërmjet tij, dhe për ta përdorur si mjet diplomatik që, nëpërmjet tij, të përfitonte sa më shumë kohë në pritje të koniunkturave ndërkombëtare të favorshme për Serbinë dhe të pafavorshme për Kosovën.

“Dialogu politik”

“Dialogu politik” shënon periudhën pas Marrëveshjes së 19 prillit 2013, kur objekt i tij është arritja e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo periudhë karakterizohet nga forcimi i madh i pozitës ndërkombëtare të Serbisë. Pas marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale, arritur më 24 shkurt 2012, pa pritur fare zbatimin e saj, menjëherë, në janar 2012 Serbia pranohet kandidate për anëtare të Bashkimit Evropian. Pas marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, fare pa pritur zbatimin e marrëveshjes, Serbisë i hapen negociatat për pranim në Bashkimin Evropian.

I njëjti nxitim pati karakterizuar ri-integrimin e Serbisë në bashkësinë ndërkombëtare, menjëherë pas rrëzimit të Millosheviçit nga pushteti dhe dërgimit të tij në Hagë. Pa pritur që Serbia të kishte një bashkëpunim konstruktiv me Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, ajo shpërblehet me kryesim të OSBE-së, me zgjedhjen e Vuk Jeremiçit në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me ftesë për partneritet me NATO-n e tjerë. Tribunali i Hagës vazhdimisht akuzoi Beogradin për mosbashkëpunim në kapjen dhe dërgimin e të akuzuarve serbë për krime lufte. Një numër shumë i vogël i kriminelëve të luftës u dërgua në Hagë apo u nxor para drejtësisë në Serbi. Dhe, sapo u kthyen, nga dënimet në Hagë, të dënuarit për krime lufte po marrin poste të larta në krye të ushtrisë serbe dhe të shtetit serb.

Kjo periudhë përkon me ardhjen e Vuçiçit në krye të Serbisë, me zgjedhjen e Thaçit president i Kosovës, me zgjedhjen e Edi Ramës në krye të qeverisë në Shqipëri dhe me ardhjen e Federica Mogherinit në krye të diplomacisë së Bashkimit Evropian, pas largimit të Ashton nga kjo detyrë.

Kjo periudhë karakterizohet nga dobësimi i madh i pozitës së brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës. Njohjet e reja rrallohen dhe pastaj ndalen. Thaçi shpall se përparësi e tij ishte anëtarësimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtare. Por Kosova, edhe falë lobimit ekstrem të Serbisë, në të gjitha përpjekjet e saj dështon të pranohet në Këshillin e Evropës, UNESCO, INTERPOL dhe mezi pranohet në disa organizata sportive. Kosova edhe pas gjashtë vjetësh nga marrja e udhërrëfyesit, nuk e ka fituar liberalizimin e vizave. Diplomatët perëndimore në Prishtinë fare haptas dhe pa asnjë ngurim ua bëjnë të qartë të gjithë bashkëbiseduesve të tyre se Serbia ka arritur të paralizojë këto vite, më shumë se kurrë, jetën e brendshme të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, duke krijuar një situatë të rëndë, veç të tjerash psikologjike tek qytetarët, para së gjithash tek rinia.

Sa më shumë që shpërblehet nga Evropa dhe nga bashkësia ndërkombëtare, aq më shumë Serbia bën pozat e viktimës. Humbësja e katër luftërave në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, autorja e gjenocideve të tmerrëshme në zemër të Evropës, shtiret se e përjeton rëndë dërgimin e kryekasapëve Millosheviç, Sheshel, Mlladiç, Karaxhiç e tjerë në Hagë.

Vuçiçi para serbëve në Kosovë arrin të rehabilitojë Millosheviçin publikisht, duke shpallur se ai luftoi për një çështje të drejtë, por me mjete të gabuara. Milosheviçi përdorin ushtrinë për të realizuar Serbinë e Madhe. Bashkëpunëtorët dhe pasuesit e tij nuk kanë hequr dorë nga qëllimi i shefit, përkohësisht kanë hequr dorë nga mjetet e tij.

Nga njëra anë duke u shtrirur si viktimë e padrejtësive ndërkombëtare, nga ana tjetër duke shantazhuar me destabilizim të Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës e tjerë me anë të pranive serbe atje, si dhe për rritje të bashkëpunimit të gjithanshëm me Rusinë motër, Serbia ka arritur të imponojë pothuaj gjithçka në këto vite pas rezolutës së 9 shtatorit 2010.

Teksa flitet për marrëveshjen përfundimtare gjithpërfshirëse Kosovë-Serbi, Vuçiçi del me tezën se Serbia nuk mund të dalë përsëri humbëse, ajo patjetër duhet të fitojë diçka. Dhe kjo “diçka” është, ndër të tjera, ndarja e Kosovës. Kreu serb qartësisht kërkon të marrë veriun e Kosovës. Tezës së tij i bën jehonë Hashim Thaçi, kur flet për “korrigjim të kufijve”, për “marrëveshje të dhimbshme” të Kosovës me Serbinë, duke e kamufluar ndarjen e Kosovës me gjoja bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Ndërsa Vuçiçi e shpall ndarjen e Kosovës ide serbe, Thaçi e shpall atë ide kryehere të Prishtinës, madje duke e argumentuar atë.

Pas tetë vitesh “dialog”, Kosova dhe Serbia janë gjithnjë e më shumë dy palë jo të barabarta. Kjo e vërtetë mund të bëhet fatale për Kosovën dhe rajonin si dhe për të gjitha zhvillimet ndërkombëtare të ndërlidhura me to, nëse vazhdohet me të njëjtën logjikë.

Ekspertët amerikanë kanë këmbëngulur këto kohë se “dialogu” mund të përmbyllet me sukses vetëm kur palët të jenë të barabarta. Pozita e barbartë krijohet vetëm nëse paraprakisht Serbia njeh, në mënyrë zyrtare, Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran unitar me kufijtë e saj kushtetues shtetërorë, si dhe nëse Serbia lejon anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara. Nëse ndodh vetëm e para, argumenton David Phillips, kjo nuk përbën asnjë garanci për Kosovën, sepse Serbia është një partnere e pabesueshme. Vetëm pasi Serbia të ketë njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës dhe kjo, Republika e Kosovës të jetë bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara, atëherë mund të hartohet e të miratohet marrëveshja gjithpërshirëse ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërfqinjësore Kosovë-Serbi. Këtë e përsërit tash edhe Daniel Serwer, kur kritikon librin e marrëveshjes Kosovë-Serbi të kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Dialogu Vuçiç-Thaçi”

Kryeministri Haradinaj edhe në një intervistë të gjatë tek “Zëri i Amerikës” para pak ditëve, me të drejtë theksonte se idetë e Vuçiçit dhe të Thaçit për “korrigjim të kufijve”, “ndryshim të kufijve”, “shkëmbim të territoreve” e tjerë çojnë në vënien në diskutim të statusit të Kosovës.

Në shkresat që dërgojnë vendet që kanë pezulluar njohjen e Kosovës, të cilat thuhet se janë nja 15, thuhet se e pezullojnë këtë njohje deri në marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, ku do të përcaktohet edhe statusi i Kosovës. Serbia, pra, i ka bindur disa nga partnerët e saj ndërkombëtarë se statusi i Kosovës është ende i papërcaktuar. Idetë për ndryshim, korrigjim të kufijve apo shkëmbime të territoreve janë thjesht mosnjohje e tyre, dhe kur kjo mosnjohje vjen edhe nga kreu i Kosovës, kuptohet që çon në rihapje të kapitujve të Kosovës nga e para, pra duke filluar nga statusi.

Faza përmbyllëse e “dialogut”, siç shihet, mund të quhet tashmë “dialogu Vuçiç-Thaçi”, i personalizuar kështu në emrat e Presidentit të Serbisë dhe të Kosovës. Kuptohet, siç e kam theksuar, se ka qenë dhe është imponim i Beogradit ndaj Brukselit dhe bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të përfaqësohet ekskluzivisht patjetër nga Thaçi. Janë të gjitha gjasat që Beogradi të imponojë që marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi ta nënshkruajë vetëm me Thaçin.

***

“Dialogu” me Serbinë në Bruksel gjithë këto vite është një kohë e humbur për Kosovën dhe një kohë e fituar për fqinjen e saj veriore. Në këto kushte çdo vazhdim i tij sjell rreziqe fatale për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, në kuptimin e mprehtë që marrin këto dy terma në aktualitetin e sotëm botëror. Dialog mund të ketë vetëm në kushte të barabarta, kur Kosova të ketë njohjen zyrtare nga Serbia fqinje dhe të jetë anëtare e OKB-së. Vetëm kështu procesi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, shtete të pavarura dhe sovrane, anëtare të Kombeve të Bashkuara, mund të jetë i pakthyeshëm. Përndryshe, kahja që ka marrë “dialogu” e kthen pashmangshëm Kosovën dhe rajonin përsëri në vitet 1990 dhe me pasoja shumë më fatale për të gjithë.

 

 

 

 

Fjalë kyçe: Skënder Buçpapaj,

Filed Under: Politike Tagged With: Dialogu me Serbine, Skender Bucpapaj, Thaci, Vucic

Kosova, ditë zie për ish-Presidentit George H.W. Bush, Thaci në ceremoninë e varrimit

December 4, 2018 by dgreca

-Presidenti Thaçi shpall të mërkurën ditë zie në nderim të ish-presidentit George H.W. Bush/

PRISHTINË, 4 Dhjetor 2018- Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas vdekjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush, në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për kontributin e tij të dhënë për lirinë e Kosovës, ditën e mërkurë (5 dhjetor 2018), e ka shpallur ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës.

Në ditën e zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Dita e mërkurë është shpallur ditë zie kombëtare edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./b.j/

***

Presidenti Thaçi merr pjesë në varrimin e ish-presidentit amerikan  George H. W. Bush në Teksas

PRISHTINË, 4 Dhjetor-2018-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në ceremonitë mortore dhe në varrimin e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush.Ish-presidenti i ndjerë amerikan, George H. W. Bush, do të varroset në College Station të Teksasit.

Njoftimi i sapodërguar thekson edhe se, në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës të Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush, presidenti Thaçi e ka shpallur ditën e mërkurë ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: George H.W Bush, Kosova Zi, ne varrim, Thaci

TAKIMI NË BRUKSEL-THACI & VUCIC, MOGHERINI NE MES

November 8, 2018 by dgreca

-Në Bruksel sot takimi i 8-të presidencial, i 6-ti Thaçi-Vuçiç, i 3-ti i fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi. Pritet të konfirmojnë gatishmërinë për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane/
1 mogherini thac e Vuco

-Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 8 Nëntor 2018/ Është paralajmëruar të zhvillohet sot me fillim pasdite në  Bruksel një takim tjetër, i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian.

“Në takim, dy liderët pritet të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane”, thekson njoftimi nga zyra e ndërmjetësueses, Shefes së  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 qershor, ndërsa i dyti në 18 korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur para më shumë se 10 viteve, në 17 shkurt 2008.

Takimi i sotëm do jetë i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i  sotëm do jetë i gjashti, pas të pestit në 18 korrik e të katërtit në 24 qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para më shumë se pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor

Raundi 20 – në 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 shkurt

Raundi 25 – në 21 prill

Raundi 26 – në 23 qershor

Raundi 27 – në 29 qershor

Raundi 28 –  në 25 gusht

Raundi 29 – në 13 tetor 

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi – Nikoliç -2 takime

-1 shkurt

-24 janar

Thaçi – Vuçiç 

-3 korrik

-31 gusht

Viti 2018:

–23 mars

-24 qershor

-18 korrik 

-7 shtator  (vetëm takime të ndara me Mogherinin)

-8 nëntor (pritet takimi i 6-të Thaçi-Vuçiç)

Filed Under: Politike Tagged With: 8 nentor, Behlul Jashari, Mogherini ne mes, Takimi ne Buksel, Thaci, Vucic

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 22
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Mesazh ngushëllimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj për ndarjen nga jeta të At Arthur Liolin
  • KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN MBAN ZI – NDËRROI JETË KANCELARI I KISHËS ORTHODOKSE AUTOQEFALE SHQIPTARE, AT ARTHUR LIOLIN
  • SHKOLLA SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË
  • SUKSES I MADH I SHAHUT SHQIPTAR
  • Fantazi e çuditshme
  • Kuvendi miratoi Rezolutën nëpërmjet së cilës dënon sulmin terrorist të organizuar nga Serbia në veri të Kosovës
  • Njohja njerëzore, ky proces që fillon nga vetja
  • Për të gjithë të interesuarit…(Reklamë)
  • Evropë apo Europë?
  • SHUHET ATË ARTHUR LIOLIN
  • SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES
  • Lamtumirë At Arthur Liolin
  • Lamtumirë i Përndershmi At’Arthur Liolin
  • FJETI MË ZOTIN ATË ARTUR LIOLINI
  • Shuhet At Arthur Liolin, Vatra telegram ngushëllimi

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT