• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prokurorët dhe gjykatësit nga veriu pritet të dekretohen nga presidenti Thaçi

October 16, 2017 by dgreca

*Në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb. *Aktualisht, Gjykata Themelore e Mitrovicës është duke funksionuar në Vushtrri, ndërkohë që në Mitrovicën veriore është duke funksionuar gjykata në kuadër të sistemit të drejtësisë së Serbisë/
1 Prokuroret e Veriut
Ne Foto: Gjykata në Mitrovicë veriore, foto nga arkivi/
Nga Arton KONUSHEVCI/Gjyqtarët të cilët pritet të punojnë për sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës, pritet që të martën të dekretohen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, i tha Radios Evropa e Lirë se sipas Marrëveshjes së Brukselit, brenda këtij muaji do të nisë puna e gjykatave në veri të Kosovës.”Të martën është paraparë dekretimi, kurse më 28 tetor duhet të fillojë puna praktikisht. Janë edhe disa përgatitje që duhet të përfundojnë. Mund t’ ju them se janë 42 gjyqtarë që do të punojnë në gjykata. Ne po shpresojmë se gjithçka do të shkoj sipas dinamikës që është paraparë me marrëveshje“, tha Idrizi.Ai tha se nga kontaktet që janë zhvilluar me autoritet në Bruksel, edhe pala serbe ka kryer të gjitha obligimet në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në veri.“Ndërmjetësuesit nga ana e Brukselit kanë thënë se ata do t’i përmbushin të gjitha obligimet, pasi që ne nuk kemi kontakte direkt me ta,[kontaktet] i bëjmë përmes Brukselit. Po shpresojmë që më në fund do të ndodh implementimi i marrëveshjes“, tha Idrizi.Edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe planet sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, që prokurorët të nisin punën në veri të Kosovës.Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk e dinë kohën se kur do të nisë puna por, janë të gatshëm për punë.”Ne po shpresojmë se do të fillojë [puna], por se a do të fillojë punën sistemi i drejtësisë edhe në atë pjesë apo jo, unë këtë aktualisht nuk mund ta them. Për atë që është kërkuar nga ne i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, përfshirë rekrutimin e prokurorëve, personelit, sigurimin e objekteve, pajisjeve për punë. Gjithçka është gati për fillim“, tha Isufaj. Në Këshillin Prokurorial presin që të martën, Presidenti i Kosovës t’i dekretojë prokurorët e rinj, përfshirë edhe ata serbë që do të punojnë në veri.”Prokurorë, gjithsej janë 14, nëntë do të jenë serbë që do të punojnë në pjesën veriore të Kosovës, kurse pjesa tjetër do të shpërndahet në të gjitha instancat e sistemit prokurorial në tërë territorin e Kosovës“, tha Isufaj.Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me integrimin në sistemin e Kosovës të gjykatësve dhe prokurorëve serbë nga veriu i vendit, ishte arritur në shkurt të vitit 2015.Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, pas një takimi në fund të muajit gusht ishin dakorduar me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini që zbatimi i Marrëveshjes për drejtësinë e arritur brenda dialogut të fillojë të zbatohet që nga 17 tetor, 2017.Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Maja Kociançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini ka thënë se Marrëveshja për drejtësinë në të vërtetë pritet që të hyjë në fuqi nesër.”Ashtu siç ishin pajtuar presidentët e Serbisë dhe Kosovës më 31 gusht 2017, në marrëveshjen bazë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Marrëveshja për drejtësinë në të vërtetë pritet që të hyjë në fuqi nesër. Të gjitha veprimet kanë përfunduar për integrimin e personelit serb të drejtësisë në sistemin juridik të Kosovës dhe të dyja palët kanë përmbushur obligimet e tyre në këtë aspekt“, thuhet në një përgjigje me shkrim të Kociançiq.Ndërkaq, Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Qendra për përfaqësim të kulturës demokratike”, tha për Radion Evropa e Lirë se të martën pritet të ndodhë betimi dhe nënshkrimi i kontratave, në mënyrë që të nisin punën gjyqtarët dhe prokurorët.“Sipas informatave që kemi, nesër, gjykatësit dhe prokurorët do të kenë transport të organizuar për të udhëtuar për në Prishtinë, ku duhet të nënshkruajnë kontratat dhe një lloj betimi, për të cilin është arritur pajtimi në Bruksel dhe që është neutral ndaj statusit. Personeli administrativ, i cili gjithashtu do të punojë në gjyqësinë e Kosovës, kontratat do t’i nënshkruajnë në gjykatën e EULEX-it, këtu te ne, në veri”, tha Radakoviq.Me zbatimin e Marrëveshjes për drejtësinë, është paraparë që të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë dhe në Serbi, të cilat deri më tash janë marrë me lëndët nga territori i Kosovës.Për rajonin e Mitrovicës është paraparë një Gjykatë Themelore, e cila do të funksionojë në dy objekte. Prokuroria do të funksionojë në një objekt në veri. Gjykatësit dhe prokurorët do të punojnë së bashku dhe nuk do të ndahen mbi baza etnike. Në veri do të vendoset edhe reparti i Gjykatës së Apelit.Në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb. Aktualisht, Gjykata Themelore e Mitrovicës është duke funksionuar në Vushtrri, ndërkohë që në Mitrovicën veriore është duke funksionuar gjykata në kuadër të sistemit të drejtësisë së Serbisë.Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjykatesit, Mitrovice, ne veri, Prokuroret, Thaci

“Takimet e Gjeçovit”, në emblemën e Lirisë dhe Pavarësisë

October 14, 2017 by dgreca

-Në Zym të Hasit, zonë e kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri, mbahen “Takimet e Gjeçovit”, manifestim tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare/zym_4-Presidenti Thaçi: Hasi dhe Zymi, emblema të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. At Shtjefën Gjeçovi ishte në kontakt të vazhdueshëm me ideatorin e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën, me Dedë Gjo Lulin, Bajram Currin, Azem Bejtën dhe patriotë tjerë të kohës/zym_5

1 Takimet-e-Gjecovit-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 Thaci Ditet e Gjecovit ZYM, 14 Tetor 2017/ Në Zym të Hasit, zonë kufitare me Shqipërinë në rajonin e Prizrenit, u përmbyllën sot veprimtaritë treditore “Takimet e Gjeçovit”,  në edicionin e 46-të  të këtij manifestimi tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare. Sot, pjesëmarrës në maniifestim ishte edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.“Hasi dhe Zymi janë emblema të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, vlerësoi ai.Presidenti i Kosovës tha se është i nderuar që merr pjesë në manifestimin kulturor tradicional “Takimet e Gjeçovit” këtu në Zymin legjendar, në këtë vendbanim emblematik të Hasit.“Jam në Hasin e besës, bujarisë dhe sakrificës në të gjitha periudhat e historisë së Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.Ai tha se Zymi ka një histori të veçantë, ngase ky emër lidhet me punën e palodhshme të patriotit të shquar të fazës së vonë të  Rilindjes Kombëtare, me emrin e Shtjefën Gjeçovit.“Një intelektual me mendje të rrallë, At Shjefën Gjeçovi ishte figurë poliedrike: arkeolog, etnograf, mbledhës i folklorit, autor i disa librave e mbi të gjitha mbledhës dhe sistemues i ‘Kanunit të Lekë Dukagjinit’, i kësaj kryevepre, që njihet si kod juridik dhe zakonor i shqiptarëve për  një kohë të gjatë”, u shpreh Thaçi.

Presidenti  i Kosovës shtoi se At Shtjefën Gjeçovi i përket plejadës së patriotëve më të shquar të tre dekadave të fillimit të shekullit njëzet.“At Shtjefën Gjeçovi ishte në kontakt të vazhdueshëm me ideatorin e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën, me Dedë Gjo Lulin, Bajram Currin, Azem Bejtën dhe patriotë tjerë të kohës. Prandaj idetë e tij përparimtare për unitetin kombëtar pavarësisht bindjeve fetare, përhapja e librit shqip, lidhjet me intelektualët dhe patriotët e kohës, bënë që ai një ditë vritet në pritë nga qarqet antishqiptare, në vitin 1929”, theksoi presidenti kosovar.Thaçi tha se Zymi i Hasit njihet si vend me natyrë të egër, por edhe si vend nga ku dolën figura të mëdha kombëtare si Pjetër Bogdani, Katarina Josipi, Anton Pashku dhe shumë intelektualë që me veprën e tyre ndikuan në emancipimin e këtyre viseve.“Hasi i figurave madhore historike, kulturore e kombëtare hapi një kapitull të ndritur në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hasjanët nuk hezituan asnjë çast t’i bashkohen luftës çlirimtare”, theksoi presidenti Thaçi, duke shtuar faktin se Hasi ishte arteria kryesore për sjelljen e armatimit në Kosovë, por edhe të luftëtarëve të lirisë.“Hasi ishte fushëbeteja e luftërave të mëdha. Hasi ishte kjo arenë e fushëbetejave që nxiti edhe komunitetin ndërkombëtarë të mendoj seriozisht për Kosovën”, shtoi  Thaçi, ndërsa theksoi se, “sot, përballë bjeshkëve të Pashtrikut legjendar, kujtojmë me respekt  dhe përkulemi para të gjithë dëshmorëve të Hasit të rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit”.Ai falënderoi të gjithë banorët e Hasit për kujdesin dhe përkrahjen e treguar për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.“Dëshiroj që edhe në rrafshin personal, edhe në atë institucional, t’ju falënderoj secilin prej jush, çdo familje këtu, që jeni kujdesur për të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i hapët shtëpitë, u treguat bujarë, u treguat trima”, u shpreh  presidenti Thaçi. “Jam vet dëshmitar i përpjekjeve tuaja në fshatin tuaj, në kohë me shi, me borë… ditën, natën… por vullneti, shpresa, optimizmi, guximi juaj në fund fituan mbi represionin e ushtrisë dhe policisë serbe”, theksoi presidenti Thaçi.Presidenti i Kosovës shprehi konsideratë për të gjithë ata intelektualë e veprimtarë që mbajtën të gjallë manifestimin letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”.Në mesditën e sotme zhvillohet defileu i shoqërive kulturore-artistike nga Hasi: “Katarina Josipi” e Zymit, “Malësori” e Gjonajt, “Muharrem e Xhevat Qenaj” e Romajës, dhe “Pjetër Bogdani” e Krumës, të cilat do shfaqin edhe një program të përbashkët.Manifestimi vijon me shënimin e 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Anton Pashku, me orën letrare që mban emrin e tij, ku lexojnë 15 poetë nga viset etnike shqiptare. Anton Pashku  lindi në 8 janar të vitit vitin 1937 në fshatin Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit. Vdiq në Prishtinë dhe u varros në vendlindje, në 31 tetor 1995.

Para se të përmbyllen “Takimet e Gjeçovit” me Mikpritjen Zymjane bëhet ndarja e katër çmimeve tradicionale: Plaketa “Pena e Pjetër Bogdanit”, Plaketa “Pena e Shtjefën Gjeçovit”, Plaketa “Pena e Anton Pashkut” dhe “Unaza e Katarina Josipit”.Gjatë dy ditëve të kaluara në “Takimet e Gjeçovit 2017” poashtu ishte Mikpritja Zymjane  dhe u bënë vizita monumenteve të kulturës në Zym të Hasit. Sipas axhendës së organizatorëve, 12 tetori ishte “Dita e bukës zymjane” me tribunën shkencore “Furrëtaria dje e sot”, me Panairin e ushqimeve dhe veshjeve tradicionale, me ekspozitë artistësh shqiptarë nga trevat etnike e diaspora, me promovimin e tre librave – “Veshjet në Zym të Hasit”  e autorit Frrok Kristaj, “Copëza jete”  e Arbnora Kolgjerajt  dhe “Fjala e mekur” e Nikollë Kërhanajt, me dhënien e çmimeve “Amfora ilire”, ndërsa 13 tetori ishte dita e tryezës së rrumbullakët me temën “Trashëgimia kanunore te shqiptarët” dhe me promovimin e veprës së Ramazan Bogdanit “Folklori koreografik i Hasit”.

“Takimet e Gjeçovit” mbahen çdo tetor.  Në Zym të Hasit të Thatë, më 14 tetor të vitit 1929, nga okupatorët serbë u vra prifti i devotshem, arkeologu, etnografi, shkrimtari, dramaturgu, speleologu, përkthyesi, pedagogu e atdhetari i spikatur Atë Shtjefën Konstantin Gjeçovi – Kryeziu, të cilin zymjanët e varrosën në oborrin e Kishës së Shën Prenës në fshatin Shëngjergj të Hasit. Kjo figurë poliedrike la mbi 75 vepra, duke filluar nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (e mblodhi dhe e kodifikoi Gjeçovi), “Agimi i Gjydetnis”, “Trashegime thrrako-ilirijane” e shumë të tjera, prej të cilave deri më tash i janë botuar rreth 25. Në një nga “Takimet e Gjeçovit”, akademik Mark Krasniqi theksonte se “Zymi dhe në përgjithësi Hasi i  kanë dhënë njerëz të mëdhenj kombit, kurse Gjeçovi, pas Ungjillit, në rend të ditës kishte çështjen kombëtare, duke marrë pjesë edhe vetë si luftëtar me armë në dorë në luftën e Vlorës më 1920”.

Filed Under: Featured Tagged With: ne Ditet e Gjecovit, ne Has, Thaci

Thaçi:Lufta e UÇK, e drejtë dhe legjitime

October 10, 2017 by dgreca

1 Thaç-Presidenti Thaçi mori pjesë në debatin me temën: “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”/

2 ok Thaci

PRISHTINË, 9 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë sot pjesë në debatin me temën: “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, organizuar nga OJQ-të, Integra, CPT, PAX.Me këtë rast, presidenti Thaçi  ka thënë se siç tregojnë edhe të gjeturat e hulumtimit, ekzistojnë keqinformata, pritje joreale, dezinformata të qëllimshme për atë se çfarë është dhe çfarë do të sjellë Gjykata Speciale. “Në rrethana të tilla vështirë se Gjykata Speciale do të mund të arrijë të bëjë atë që synon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës, por edhe për të gjithë ata që janë të angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë”, ka shtuar ai.Presidenti në këtë debat ka thënë se janë bërë gati dy dekada që ka përfunduar lufta në Kosovë, por shumë plagë nga lufta mbesin të hapura. Ai ka kujtuar brengat e familjeve me personat e pagjetur, që ende nuk  kanë gjetur prehje, ka kujtuar viktimat e dhunës seksuale që vetëm tani kanë pranuar të njihen si viktima dhe të kuptohen vuajtjet e tyre. Sipas tij,  kjo vlen edhe për familjet e viktimave që ende nuk kanë marrë drejtësi për vuajtjet që u janë shkaktuar. Presidenti ka thënë se janë pesë mekanizma që kanë vepruar në Kosovë tashmë dy dekada me mandat ekzekutiv ndërkombëtar, pesë mekanizma të drejtësisë.

“Drejtësia e UNMIK-ut apo gjyqet e UNMIK-ut, atë të EULEX-it, Tribunali i Hagës, EULEX-i dhe tani Gjykata Speciale. Diçka që Kosovën e bënë të veçantë në Ballkanin Perëndimor, nga vendet që kanë qenë të përfshira në luftë, nga Kroacia, Bosnja, dhe nga nxitësi, inspiruesi dhe kryerësi i të gjitha këtyre veprimeve shteti i Serbisë”, ka thënë ai.Presidenti ka theksuar e përkundër tërë përpjekjeve ende ka ndjenjë se nuk është bërë mjaftë drejtësi. Sipas tij, pritjet joreale për Gjykatën Speciale mund të zbehin përpjekjet e saj siç e theksoni edhe ju në të gjeturat tuaja. “Rrjedhimisht, kjo do të zbehë besimin në tërë sistemin e drejtësisë kosovare e atë ndërkombëtare”, ka thënë ai. Megjithëkëtë, presidenti Thaçi ka thënë se Gjykata Speciale nuk është disavantazh, por është një avantazh për Kosovën. “Shpesh thuhet se mbi Kosovën qëndron një re e zezë të cilën duhet ta largojmë. Të jemi të qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia, dhe askush më mirë se kosovarët nuk mund ta largojnë atë re të zezë. Pra, Gjykata Speciale është një mundësi për të forcuar ndjenjën e drejtësisë në Kosovë, e ritheksoj ndjenjën e drejtësisë”, ka thënë ai.Presidenti ka thënë lufta e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës ka qenë e drejtë dhe legjitime. Ai ka thënë se synimi i institucioneve të Kosovës duhet të jetë që të punojmë të gjithë bashkërisht, shqiptarë, serbë, të gjitha institucionet, shoqëria civile, media etj.T’i japim mbështetje të gjithë drejtësisë, të punojmë që kjo çështje të ndihmojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të ndikoj që sa më shpejt të ndodhë ngadhënjimi i procesit të Komisionit që kemi iniciuar për të Vërtetën dhe Pajtimin Ndëretnik në Republikën e Kosovës, ka shtuar ai./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Thaci, uck, Vlere Kombetare

THAÇI: SHBA I THOTË “PO” PËRFSHIRJES SË SAJ NË DIALOGUN KOSOVË- SERBI

October 3, 2017 by dgreca

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfshihen drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi./

3 Thaci

Ky ka qenë premtimi që presidenti Thaçi ka marrë nga zv.presidenti amerikan Mike Pence.Në një intervistë dhënë për RTK-në, Thaçi tha se temë e takimit ishte edhe formimi i ushtrisë, që sipas tij, do të ndodhë këtë vit.Po ashtu Thaçi tha se ishin tri çështje të cilat i kanë diskutuar me zv.presidentin amerikan Pence.Çështja e parë, sipas Thaçit, është vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhenieve mes Kosovës dhe Serbisë në këtë fazë të re për përmbylljen e këtij procesi  me një marrëveshje historike të normalizimit dhe pajtimit me rolin udhëheqës te Bashkimit Evropian.

“Ka ardhur koha që përfundimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës të involvohen direkt në dialogun Kosovë – Serbi. Zv.presidenti Pence, e ka konfirmuar përkushtimin dhe përfshirjen e tij personale dhe të Shtëpisë së Bardhë në këtë proces të rëndësishëm , që na jep më tepër siguri”, deklaroi ai në RTK.Presidenti tha se përfshirja direkte e SHBA-së  ne procesin e dialogut do të japë një kuptim të ri, do t’i japë  një dinamikë të re dhe siguri për sukses përmbyllës të kësaj rrethane të re.

“Zv.presidenti Pence, edhe një herë e ka rikonfirmuar qëndrimin e SHBA-së, se Kosova si vend sovran ka të drejtë të themelojë Forcat e Armatosura, gjithashtu ka konfirmuar se Forca e Re Kosovës do jetë një forcë moderne e standardeve të NATOS dhe multietnike. Do të kryhen të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë dhe brenda vitit do të themelohen forcat e Armatosura të Kosovë”, shtoi Thaçi.

Ai tha sedministrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon që Kosova ta përmbyllë sa më shpejt çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje që tani më është nënshkruar në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe është ratifikuar nga Mali i Zi.

“Për SHBA-të kjo çështje është e përmbyllur dhe kërkojnë prej nesh, prej parlamentit të Kosovës që ta përmbyllim sa më shpejt në mënyrë që të lëvizim drejt progresit evropian, në veçanti drejt liberalizimit të vizave”, theksoi Thaçi.

Filed Under: Interviste Tagged With: e perfshire, Kosove-Serbi, ne bisedimet, SHBA, Thaci

THACI NE UASHINGTON-MARRËVESHJE 49-MILIONËSHE ME MCC-në

September 13, 2017 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nënshkroi marrëveshjen 49-milionëshe me MCC-në: Është një ditë që ne e festojmë këtë bashkëpunim mes shumë institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë por gjithashtu në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

1 Thaci nenshkru

-Ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të MCC-së,  Jonathan Nash:  Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet MCC-së, do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zbatuar reformat politike dhe institucionale që rrisin transparencën dhe forcojnë sektorin energjetik të vendit/

1 Thaci flet

-Kongresmeni i SHBA-së, Eliot Engel: Kosova po ecën në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ky partneritet i ri do të ndihmojë shtyrjen e vendit drejt këtij qëllimi/

1 Thaci1

-“Kosova kalon pragun e vlerësimit të MCC-së”, njoftonte Presidenca kosovare në 6 nëntor 2015/

UASHINGTON, 13 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkroi në emër të Kosovës marrëveshjen me  Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për mbështetje me mbi 49 milionë dollarë, bëhet e ditur sot në njoftimin e dërguar.Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se kjo është një ditë e madhe në Uashington DC për Kosovën.

“Ne gjithmonë kemi ditë të mira në Uashington për shkak se Kosova dhe SHBA-të, kanë një miqësi të gjatë dhe të fortë, por sot është një ditë e veçantë, sepse ne po shtojmë edhe një mik në listën e gjatë të miqve në këtë kryeqytet. Ne po nënshkruajmë këtë marrëveshje me MCC-në, dhe po hapim një faqe të re të marrëdhënieve, të fokusuara në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit”, theksoi presidenti Thaçi.

 

Ai më tej tha se kjo marrëveshje është një mjet i ri shumë i fuqishëm i mbështetjes për qytetarët e Kosovës, dhe se do të ndihmojë Kosovën në zbatimin e projekteve me MCC-në.

 

“Kjo do të ndihmojë Kosovën të themelojë një fondacion i cili do të investojë gati 50 milionë dollarë në një mënyrë shumë të fokusuar. Këto investime do ta ndihmojnë qeverinë e Kosovës dhe bizneset kosovare të merren me furnizimin me energji elektrike, me kursimin e energjisë dhe me forcimin e transparencës qeveritare për qytetarët”, pohoi presidenti Thaçi.

 

Presidenti i Kosovës tha se që nga dita e parë e presidencës ka ndjekur procesin e MCC-së, duke shtuar se kjo marrëveshje dhe kjo ditë janë bërë të mundura vetëm me ndihmën e madhe të kongresmenit Engel dhe kongresmenëve tjerë. “Faleminderit kongresmen për përkushtimin tuaj ndaj Kosovës dhe për sjelljen e MCC-së në Kosovë. Falënderojmë anëtarët e nderuar të Kongresit dhe Senatit që kanë ndihmuar Kosovën në këtë proces. Gjithashtu falënderojmë ekipet tona, të udhëhequra nga Sarah Olmstad dhe Petrit Selimi të cilët kanë punuar shumë, dhe shumë shpejt për të krijuar projektet dhe për të sjellë këtë marrëveshje deri në këtë ditë”, shtoi presidenti Thaçi.

 

Ai më tej tha se jemi të përkushtuar që të sigurohemi që projektet të zbatohen. “Tani ne e kemi qeverinë e re, por si President i Republikës unë mund të konfirmoj që projektet e MCC-së, mbështeten nga të gjitha partitë politike dhe nga të gjitha institucionet. Shoqëria civile e Kosovës dhe sektori privat i Kosovës gjithashtu do të jenë elemente të rëndësishme të mbështetjes”, u shpreh Presidenti Kosovar.

 

Me këtë rast, Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij për ish Presidenten Jahjaga dhe ish Kryeministrin Mustafa, për mbështetjen e tyre për MCC-në.

 

Duke e vlerësuar si një ditë feste, Presidenti Thaçi tha se është një ditë që ne e festojmë këtë bashkëpunim mes shumë institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë por gjithashtu në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

 

“Kjo Marrëveshje të cilën unë po e nënshkruaj sot me udhëheqësin në detyrë të MCC-së, z. Nash, është një instrument, por unë shpresoj që shumë më shumë instrumente mund të zhvillohen me mbështetjen e MCC-së, dhe do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë në Kosovë. Kështu, sot ne festojmë këtu në Kongresin e SHBA-ve, me miq  të Kosovës, por ne gjithashtu premtojmë se do të fillojmë të punojmë që nga nesër për ta bërë këtë Marrëveshje një arsye për festim edhe për mijëra njerëz në Kosovë”, theksoi Presidenti Thaçi.

 

Nga ana tjetër ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të MCC-së,  Jonathan Nash tha se MCC-ja u ndihmon qeverive të lidhin disa nga njerëzit më të varfër në botë me vende pune, tregje dhe mundësi.

 

“Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet MCC-së, do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zbatuar reformat politike dhe institucionale që rrisin transparencën dhe forcojnë sektorin energjetik të vendit”, tha ai.

 

Ndërsa kongresmeni i SHBA-së, Eliot Engel tha se, “Kosova po ecën në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ky partneritet i ri do të ndihmojë shtyrjen e vendit drejt këtij qëllimi”.

 

Kurse, Petrit Selimi  koordinator nacional për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, tha se nënshkrimi i Marrëveshjes “Threshold” është fundi i procesit të zhvillimit të projekteve, por gjithashtu shënon fillimin e një mundësie të re emocionuese për institucionet e Kosovës, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të bashkëpunuar në rregullimin e disa prej kufizimeve më të rëndësishme drejt rritjes në Kosovë. “Ne me padurim presim të shohim fillimim e projekteve në terren dhe të sjellin rezultate që do të ndihmojnë Kosovën në trajtimin e efikasitetit energjetik, korrupsionit dhe qeverisjes së mirë, si dhe ndotjes së ajrit”, theksoi ai.

 

Programi “Threshold” i MCC-së është përqendruar në fushat kritike për të ardhmen e Kosovës, dhe ai do të shpejtojë investimet në efikasitetin e energjisë dhe do të mbështesë përpjekjet për të promovuar një qeverisje efektive dhe llogaridhënëse, përfundon njoftimi dërguar nga Uashingtoni.

 

“Kosova kalon pragun e vlerësimit të MCC-së”, njoftonte Presidenca kosovare në 6 nëntor 2015.

 

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mirëpret njoftimin e agjencisë amerikane Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millenium Challenge Corporation – MCC) se Kosova ka kaluar pragun për t’u kualifikuar për asistencë nga kjo agjenci. Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën, që demonstron progres të theksuar në performancën e politikave si liritë ekonomike, qeverisja e drejtë dhe demokratike dhe investimi në qytetarët e saj”, theksonte Presidenca.

 

6 NËNTOR 2015: KOSOVA KALON PRAGUN E VLERËSIMIT TË MCC-së

 

Njoftimi nga Presidenca e Kosovës i datës 6 nëntor 2015:

 

 

Kosova kalon pragun e vlerësimit të MCC-së

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mirëpret njoftimin e agjencisë amerikane Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millenium Challenge Corporation – MCC) se Kosova ka kaluar pragun për t’u kualifikuar për asistencë nga kjo agjenci. Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën, që demonstron progres të theksuar në performancën e politikave si liritë ekonomike, qeverisja e drejtë dhe demokratike dhe investimi në qytetarët e saj.

 

Presidentja Jahjaga theksoi se rezultatet e MCC-së njohin angazhimin e Kosovës për të përmirësuar politikat në shumë fusha, veçanërisht në adresimin e korrupsionit. Sipas ‘Treguesve Botëror të Qeverisjes’ të Bankës Botërore, Kosova këtë vit ka përmirësuar kontrollin e korrupsionit për 16% krahasuar me vitin e kaluar.

 

Rezultatet e publikuara sot vijnë pas një pune intensive të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, që ka udhëhequr përpjekjet që nga muaji shkurt për të përmirësuar performancën në indikatorë, në bashkëpunim me një numër ministrive, institucioneve të Kosovës dhe agjencive të specializuara të OKB-së që veprojnë në Kosovë.

 

Kalimi i pragut të indikatorëve është komponenti më i rëndësishme në procesin e përzgjedhjes se cilat shtete marrin fonde për zhvillim nga MCC. Zyra e Presidentes do të vazhdojë përpjekjet për kualifikimin e Kosovës për programin e asistencës, deri në vendimin përfundimtar i cili do të merret në dhjetor të këtij viti në takimin e Bordit të MCC-së, që udhëhiqet nga sekretari amerikan i Shtetit John Kerry.

 

MCC është një agjenci qeveritare amerikane e asistencës së jashtme e themeluar nga Kongresi në vitin 2004. Përzgjedhja e shteteve që përfitojnë nga asistenca e MCC-së bazohet në një proces rigoroz që mat progresin e arritur në 20 indikatorë të pavarur dhe objektivë, në fushat si liritë ekonomike, të drejtat demokratike, kontrolli i korrupsionit, sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe investimit në njerëz.

 

Shumica e të dhënave që merren në përpilimin e indikatorëve janë të siguruara nga agjencitë e specializuara të OKB-së dhe organizatat e pavarura. Në disa indikatorë, siç rasti me të dhënat e mbledhura nga UNESCO, nuk është matur performanca e indikatorëve për arsye se Kosova nuk është anëtare.

 

 

31 GUSHT 2017: QEVERIA PARALAJMËRONTE NËNSHKRIMIN E MARRËVESHJES PËR PROGRAMIN E KORPORATËS SË SFIDAVE TË MIJËVJEÇARIT (MCC)

 

 

Ndërsa, në 31 gusht 2017 nga Zyra e shtypit e Qeverisë paralajmërohej se, “kryeministri i Republikës se Kosovës, Isa Mustafa, më 12 shtator në Uashington, do të nënshkruaj Marrëveshjen për programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), program ky prej të cilit Kosova përfiton 50 milionë dollarë”.

Por, ndërkohë, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në 9 shtator u zgjedh Qevria e re me kryeministër Ramush Haradinajn, afër 3 muaj pas zgjedhjeve të parakoshme të 11 qershorit.

 

Në njoftimin nga Zyra e shtypit e Qeverisë theksohej se, “Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me partnerët e SHBA-së kanë bërë të gjitha përgatitjet për finalizimin e kësaj marrëveshje, që në të ardhmen do të realizohet në bashkëpunim me organet qeveritare, bizneset dhe shoqërinë civile”. /b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: $49 milione, nenshkruan, Thaci, Uashington

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 22
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT