

Thanas L. Gjika/
Thesari modern filmik është pasuri kolosale për të sotmen dhe të ardhmen e komunitetit e mbarë diasporës shqiptare në Amerikë.
Z. Nazim Salihu, Këshilltar i Federatës Panshqiptare Vatra për Kulturën dhe Artin, pronar i stacionit NOLI-TV, është një shqiptar I ardhur prej Kosove mbas luftës së vitit 1999. Ai është lexues dhe vëzhgues i kujdesshëm i gazetës “Dielli”. Pasi lexon shkrimet që botohen tek kjo gazetë e Federates Vatra, ai krijon plane pune për studion e tij televizive e cila transmetohet në Kanalin 39 TV-ALB, kanal i cili shihet jo vetëm në Amerikë por edhe në mbarë botën shqiptare dhe në diasporën tonë anë e mbanë botës.
Pasi kishte lexuar disa shkrime të mia në “Dielli” ai kishte vendosur që të më merrte një intervistë mbi jetën dhe punën time studimore. Gjatë ceremonisë së zgjedhjeve të degës së re të Federatës Vatra, Boston MA, ai më propozoi për të më marrë në intervistë, mirëpo unë nuk e njihja mirë si person dhe si kanal televiziv, prandaj i thashë se mund të priste ca kohë.
Kaloi më shumë se një vit dhe ai ma përsëriti kërkesën në telefon. Mirëpo kësaj radhe unë kisha problem me dhëmbët e poshtëm dhe i thashë se pasi te mbaroj se rregulluari dhëmbët do të të njoftoj. Kaloi gati dhe një vit dhe ai, këmbëngulës si ai, më mori përsëri në telefon. Kësaj here i thashë se jam gati, sepse dhëmbët i kisha mbaruar. Kështu e lamë takimin për datën 7 prill.
Ai kishte shkruar disa pyetje, i lexuam së bashku dhe më pëlqyen. Për të mos pasur emocione, më tha: ti trego jetën tende që nga fëmijëria. Unë do të ndërpres me pyetje, kurse ti vijo deri në fund.
Më bëri përshtypje aparatura e tij tepër moderne, kamera digjital e vogel ($5,000.oo) e vendosur mbi një shtativ (trekëndësh mbajtës), si dhe një prozhektor në formë katërkëndshi të vendosur mbi një shtativ tjetër afër të parit.
Pasi bëri një provë për të korrigjuar nivelin e zërit dhe tonet e ngjyrave, ai më drejtoi pyetjen e parë… Kështu intervista filloi. Pyetjet m’i bënte me një ton të ngrohtë vllazëror.
Kur dëgjoi se bashkëshortja ime e sotme, Julia, ishte poete dhe kishte botuar pesë përmbledhje me poezi e prozë dhe një me poezi të përkthyera anglisht, kërkoi që ta intervistonte dhe atë për ecurinë e saj. Për ta pasuruar intervistën ai kërkoi të shihte arkivin e fotografive që ruajmë në apartament. Fotografoi shumë foto që do t’i fusë në intervistë për ta bërë më figurative e më artistike punën e vet.
Për ta pasuruar intervistën lidhur me veprimtarinë time si sekretar i degës së Federatës Vatra, Worcester MA, kërkoi që të shkonim tek z-nja Effi Qeleshi, Kryetare e deges se Vatres Worcester, MA. Effi na priti tek restoranti i saj i vogel dhe iu pergjigj pyetjes se tij duke vënë në dukje punën time si veprimtar shoqëror, e si vatran.
Në fund të punës e pyeta Nazimin sesa duhej ta paguaja, por ai më tha se këtë punë e bën falas. Dhe shtoi, “populli ynë ka pasur dhe ka idealistë, njerëz që punojnë për forcimin e ëeshtjes shqiptare, për kulturën, artin dhe shkencën falas, ashtu si dhe ju që keni hartuar e botuar 12 libra me studime pa marrë ndonjë rrogë e pa fituar pare, ashtu si dhe shumë të tjerë këtu në ShBA, dhe të tjerë në mbarë diasporën shqiptare. Shembullin tuaj e ndjek dhe unë. Për ekonomine shtepiake punoj 5 ditë të javës si stilist në floktoren familjare, kurse punën e gazetarit televiziv e kryej pa kërkuar shpërblim. Kam krijuar një arkiv të mirë, të cilin po e pasuroj vazhdimisht me intervista atdhetaresh, ngjarje të rëndësishme, etj. Keshtu Historia e diasporës sonë do të jetë e dokumentuar krahas shkrimeve të botuara tek gazetat “Dielli”, “Illyria”, revistës “Kuvendi”, serisë poetike “Pena”, etj, edhe me filma digjitalë.
M’u kujtua se sa e varfër është trashëgimia e komunitetit tonë, që ka një histori 140- vjeçare, që nga viti i largët 1884, kur erdhi këtu shqiptari i parë, Kole Kristofori, prej fshatit Katund të Korçës. Kemi vetëm një broshurë të shkruar nga N. Demo dhe disa foto te pakta. Edhe nga jeta e puna e Fan Nolit dhe e Faik Konicës kemi vetëm fotografi e botimet e tyre në gazeta e libra dhe disa doreshkrime, kurse xhirime filmike, ku të dëgjojmë zërin e tyre e të shohim portretin fizik të tyre, kemi vetem disa minuta të xhiruara me kamerat e asaj koje që sot janë të vjetëruara.
Sot më 10 prill, pra pas tri ditësh, z. Noli, si e quajnë shkurt Nazim Saliun, ma dërgoi intervistën të plotë në telefonin tim. Xhirimet ishin tepër cilësore për nga ngjyrat, dritë-hijet dhe me zë të qartë si në asnjë bisedë të mëparshme.
E falenderojmë këtë punëtor të palodhur e bujar me gjithë zemër, si une dhe bashkëshortja ime Julia, për shërbimin e çmuar që na bëri STUDIO Noli-TV, e cila drejtohet nga një punonjës i vetëm, nga pronari Nazim Saliu Noli, babai i gjashtë fëmijëve, dy djemve e katër vajzave.
Ai meriton falenderime prej mbarë komunitetit shqiptar të ShBA-ve për faktin se po krijon një thesar modern filmik, pasuri kolosale për të sotmen dhe të ardhmen e komunitetit tonë e të mbarë diasporës shqiptare.