• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AUTOBIOGRAFI E SHKRUAR ME VËRTETËSI DHE STIL LETRAR

May 3, 2016 by dgreca

Vlerësime për veprën Jetë në Diktaturë, të Hasan Kostrecit/
nga Thanas L. GJIKA/
Hasan Kostreci b
ën pjesë midis krijuesve të përvuajtur, të cilët e fituan të drejtën e përdorimit të penës si shkrimtarë mbas kapitullimit të diktaturës. Madje rasti i tij ndryshon disi dhe nga kolegët e këtij grupi, sepse ai e rifilloi krijimtarinë letrare jo menjëherë pas kapitullimit të diktaturës, por 15-17 vjet mbas shpërnguljes në SHBA, kur i kishte kryer detyrimet e domosdoshme familjare si përshtatja në atdheun e ri, rritja dhe edukimi i dy vajzave të vogla dhe dalja në pension. Ai filloi të botojë së pari disa tregime në gazetat shqiptaro-amerikane Illyria dhe Dielli, të cilat i mblodhi më 2009 në vëllimin Dimër në luginën e Drinit. Më 2011 botoi autobiografinë Jetë në Diktaturë, për të cilën dhanë vlerësime Astrit Lulushi, Kostaq Xoxa, Reshat Kripa, Iliaz Gogaj, etj. Ne po ndalemi në botimin e dytë (Shtypshkronja KLEAN, Tiranë2012, 248 f.) të pajisur me parathënie nga Skënder Shkupi. 
Talenti i lindur i këtij autori shfaqet në përshkrimet e goditura të ngjarjeve, në riprodhimin e prototipave dhe në krijimin e disa personazheve, dukuri të cilat e ngrejnë karakterin e veprës nga një vepër thjesht me kujtime në një vepërhibride që qëndron midis veprave memuaristike dhe romanit autobiografik.
Subjekti i veprës Jetë në Diktaturë shtjellohet në 33 kapituj në linjë kronologjike ku janë futur herë pas here dhe disa digresione. Aty tregohet jeta e familjes Kostreci në vitet e diktaturës komuniste. Kjo familje përbëhej nga pesë persona: dy prindrit, dy djemtë dhe halla, motra e babait e cila ishte një vajzë miope e pamartuar. Kryetari i familjes, Fuat Kostrecit, ishte formuar në Stamboll. Ai ishte nip i politikanit Mehdi Frashëri. Në Shqipëri kishte punuar drejtor i zyrës së doganës. Pa pasur ndonjë aktivitet politik kundër Partisë Komuniste u arrestua më 1946 dhe u dënua me burgim të përjetshëm kur bashkëshortja ishte shumë e re dhe me dy djemt 3 dhe 7 vjeç. Që nga kjo ngjarje familja u fut në listën e “armiqve të pushtetit” dhe si e tillë e kishte të vështirë të jetonte në Korçë ku e njihnin punonjësit e Sigurimit e të partisë. Për t’i shpëtuar përndjekjes nëna u detyrua të ndërronte vendbanimin nga Korça në Qafëzes të Kolonjës, ku ajo kishte disa prona e farefis. Më tej për të mos i lënë fëmijët vetëm me shkollimin 7-vjeçar të atij fshati, nëna e shpërnguli familjen në Tiranë, por pas një viti cfilitjesh u detyrua të rishpërngulej në Elbasan. Këtu, falë karakterit tolerant të popullit ndaj politikës së partisë, kjo familje gjeti një ambjent jo shumë armiqësor.
Kujtimet autori i fillon që në moshën e tij të njomë me një skenë tronditëse. Pesë muaj mbas arrestimit, pa e nxjerrë ende në gjyq, babain vijonin ta torturonin në birucat e hetusisë. Nëna me djalin e vogël shkuan ta takonin për t’i dhënë disa ushqime e ndërresa. Lanë të hynte brenda vetëm Hasanin 3-vjeç e gjysëm. Në qilarët e hetusisë ai pa një burrë gjysëm të zhveshur të shtrirë me duar e këmbë të lidhura që kishte rënë në kllapi e nuk përmendej. Ky burrë nuk kishte asgjë të ngjashme me babain bjond simpatik e simpatik, portretin e të cilit Hasani e mbante te komodina. Rrëfimi vijon:
–Babuç, i thirra me zë të ulët, por ai nuk m’u përgjigj.
Nga poshtë këmbëve ndjeva lagështirën e bodrumit si dhe një erë të keqe, të rëndë që më bllokoi frymën. Ktheva kokën, por qikllopi [polici] nuk ndodhej më aty. Një rrënqethje ndjeva në shpirt dhe lot të nxehtë më rrëshqitën faqeve. U orvata t’i flas, por nuk munda, goja m’u pre dhe isha gati të rrëzohesha. Iu ngjita me një frymë shkallëve, dola jashtë dhe iu hodha mamasë në krahë.
Përmes kësaj skene traumatike u ballafaqua Hasani fëmijë me tragjedinë e familjes së tij, skenë që e riprodhon plot ngjyra mbas 63 vjetësh si t’i kishte ndodhur dje. Prekëse dhe trondistëse janë dhe shumë ngjarje të tjera, midis të cilave vdekja e nënës, e kësaj heroine që i përballoi me nder gjithë persekutimet: arrestimin e burgimin e burrit, mundimet e rritjes së dy djemve, burgimet e djalit të madh, pleqërimin e kunatës e të burrit, sëmundjet e saj, etj.
Në vepër riprodhohen ngjarje, biseda, emocione, mendime e meditime për ngjarje që i ndodhën autorit e familjes së tij jashtë burgut, në atë që quhej “jetë e lirë”. Mirëpo familjet me biografi të keqe, ku bënin pjesë familje me njerëz të dënuar si ajo e autorit, jetonin në një gjendje gjysmëskllavërie, me mungesa të mëdha dhe varfëri poshtëruese. Egërsia e pushtetit ndaj kësaj shtrese jepet duke treguar momente nga përndjekja politike dhe shkatërrimi ekonomik. Në Tiranë familja u detyrua të mbijetonte duke ngënë gjatë gjithë ditës vetëm një vaft të pamjaftueshëm e një gotë çaji në darkë, duke u strehuar në një dhomë pa zjarr, pa banjë e pa ujë brenda. E me gjithë këto kushte të vështira ekonomike e politike, pjesëtarët e kësaj familjeje nuk u prishën nga morali, qëndruan të gjithë si pasardhës të denjë të klasës së tyre, të asaj klase që ishte formuar gjatë brezave përmes punës. Edhe pse bijtë e kësaj klase të përmbysur u shtypën keq për gjysëm shekulli, ata moralisht gjithnjë mbetën superiorë ndaj shtypësve të tyre, të cilët duke punuar me pasion si vegla qorre të atij sistemi, shkonin çdo ditë e më poshtë drejt humbjes së vetive morale e humane. 
Heronjtë kryesorë të veprës janë treshja heroike: nëna Nuko dhe dy djemtë Hasani e Urani. Natyrisht vendin qendror e zë autori, sepse ai shkruan për ato që ka parë e ka jetuar vetë, por nëna dhe vëllai janë gjithashtu protagonistë kryesorë, jeta e të cilëve ndihmon në shtjellimin e ngjarjeve. Duke zbërthyer karakterin zemërgjerë, të dhimbsur e shumë të durueshëm të nënës, kuptojmë dhe faktin pse Hasani që i ngjante asaj, i kaloi gjithë vuajtjet e presionet me durim e pa rënë në grackat e sistemit që përpiqej ta burgoste dhe atë si babain e vëllain e vet. Urani, duke qenë djali i madh e vuante më thellë dramën e familjes. Jeta e tij jepet ashtu si ishte, jetë e një njeriu impulsiv që revoltohej ndaj shtypjes e padrejtësive, njeriu që e vuajti dy herë burgun dhe pastaj dhe internimin.
Për të mbijetuar të dy vëllezërit, që të vegjël filluan të shërbenin si hamenj te stacioni i trenit në Tiranë. Hasani u ndërgjegjësua që 17 vjeç për rolin që ai duhej të luante për mbijetesën e familjes. Pa e mbaruar shkollën e mesme ai kërkoi të fillonte punë si mësues në fshatrat e largët të Gramshit dhe duke punuar studjoi e dha provimet e maturës së gjimnazit dhe të shkollës pedagogjike. Mbasi kreu shërbimin ushtarak në një brigadë pune, Hasani për t’u ndodhur pranë prindërve të mplakur, kërkoi të largohej nga arsimi, filloi punë si motorist, ndoqi shkollën mekanike pa shkëputje nga puna dhe si mekanik punoi poshtë e lart në një brigadë riparimi automjetesh. 
Urtësia e maturia të trashëguara prej prindërve dhe përgjegjësia që ai ndjente për t’ua lehtësuar prindërve sadopak vuajtjet e shkaktuara nga përmbysja politiko- ekonomike dhe shoqërore e familjes, i jepnin forcë këtij djaloshi të duronte mundimet dhe ngacmimet. I jepnin forcë që të ishte gjithnjë një person i shkueshëm me të gjithë. Kitara që ai mësoi gjatë moshës shkollore, bëri që Hasanin ta donin jo vetëm kolegët arsimtarë, por dhe shefat e logjikshëm. 
Ky shkrimtar i përvuajtur, shquhet dhe per humanizmin e tij, ashtu si At Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, etj. Ai e riprodhon jetën ashtu si e pati jetuar, pa e nxirrë atë. Hakmarrja për Kostrecin është e huaj. Me ngjarjet kryesore shkrimtari zbulon tragjedinë shqiptare: Lufta e PKSH-së / PPSH-së për sundimin dhe ndryshimin e Shqipërisë solli shkatërrimin e moralit të atyre shqiptarëve që iu bindën dhe i shkuan pas. Por krahas veprimeve e sjelljeve të ulta të shërbëtorëve të regjimit, ai tregon dhe mirësinë e drejtorit të ndërmarrjes, i cili i dha autorizimin për një apartament të ri banimi, kurse dhomën ku jetonte Hasani ia dha Uranit të sapodalë nga burgu. Në vitet e jetës si arsimtar në fshatra të thella të rrethit të Gramshit tregohet se arsimtarët, populli dhe nxënësit përpiqeshin ta jetonin jetën brenda mundësive me ndonjë mbrëmje tematike dëfrimi, me ndonjë darkë pas pune a ndonjë flirt dashurie. Jetë e cila u keqësua pas vitit 1973 me mbajtjen e Plenumi i IV i PPSH-së që thelloi luftën kundër shfaqjeve të huaja e liberalizmit borgjez.
Vepra shquhet për pasurinë e prototipave të jetës që sillen nga shumë sfera e shtresa të jetës. Aty përshkruhen marrëdhëniet e ngrohta e njerëzore me shokë, miq, kushërinj, komshinj, punëtorë e fshatarë, të cilët mbi politikën vinin sjelljen njerëzore. Midis këtyre prototipave ndritin dy femra kurajoze: halla Nurie dhe Flutura Toptani.
Halla jepet në shumë episode, mbasi ajo jetoi me familjen e autorit gjatë atyre viteve. Karakterizimi që ajo u bëri pushtetarëve komunistë që në fillim me epitetin sojsëzë, epitet të cilin ajo e përsërit herë pas here si refren, është një karakterizim i goditur për gjithë ata njerëz që përmes luftës së klasave shkatërruan mijëra familje me synimin që të ngjallnin në popull frikë e tmerr për të sunduar sa më lehtë.
Flutura Toptani, e cila nga ana e nënës ishte mbesa e Abaz Kupit, është vajza e re me të cilën e lidhi jeta autorin. Kjo lidhje nuk u krijua gjatë marrëdhënieve të punës dhe as nga ndonjë dashuri me një të parë. Shkak i njohjes u bëprezantimi me anën e një shoku të tij, i cili ishte kunati i vajzës, pra një njohës i mirë i dy të rinjve. Lidhja e tyre ndonëse përshkruhet me pak faqe, është një njohje që u forcua natyrshmëm midis dy njerëzve të pjekur, që kishin pasur fat të ngjashëm nën regjimin komunist. Flutura e manifestoi zgjuarësinë, karakterin dhe edukaten e saj fisnike shumë shpejt. Kur nëna e Hasanit u sëmur me eshemi cerebrale, kjo vajzë diti të përcaktonte se kishte arrdhur momenti kur njohja midis tyre duhej të kalonte në martesë, sepse shërbimi i saj ndaj të nënës se paralizuar ishte i domosdoshëm. Një vendim i tillë e preku heroin e veprës dhe ndonëse ai nuk e përshkruan, nënkuptohet se në zemrën e tij u ndez zjarri i një dashurie të fuqishme që nuk ushua më. Një dashuri që lindte në momente vuajtjesh e sakrificash të përbashkëta i fisnikëronte dhe i shenjtëronte njerëzit e përvuajtur. Këtë lloj dashurie të mbrujtur me sakrifica, që e përjetojnë këta të rinj nuk e përjetonin dot njerëzit e përkëdhelur të diktaturës, të cilët në lidhjet martesore, si në çdo hap të jetës, vinin mbi të gjitha karierën politike dhe fitimin material.
Karakterin letrar veprës ia përforcon krijimi i Kudretit, një personazh alterego e autorit. Në kapitujt e fundit të romanit, kur po ndjehej kapitullimi i diktaturës, autori shpreh shpresa se jeta do të ndryshonte pozitivisht, se ish-pushtetarët mund të evoluonin. Kudreti ia kundërshton të tilla mendime autorit me mosbesim. Mendimet e këtij personazhi shprehin mendimet e autorit 20 vjet mbas kapitullimit të diktaturës, kur entusiazmi romantik i lëvizjes demokratike ishte shuar, sepse ishte parë qartë së në Shqipëri e djathta e vërtetë ishte asfiksuar prej politikanëvemashtrues.
Mikhail Gorbachevi gjatë takimit me presidentin e SHBA-ve George Bush në Maltë më 2-3 dhjetor 1989 shpalli kapitullimin e sistemit diktatorial komunist. PPSH-ja, partia shtet e Shqipërisë gjatë vitit 1990 mori masa për ta pastruar Shqipërinë nga familjet e përndjekura, që ato të mos ndodheshin në atdhe kur të shpallej pluralizmi e të formonin një parti vërtet opozitare antikomuniste. Ajo, gjoja se po tregohej zemërgjerë ndaj familjeve Kupi, Gjonmakaj, Pervizi, Merlika, Kostreci, Korça, etj, u propozoi që të lidheshin me fisin e tyre jashtë shtetit dhe po t’i praninin, shteti do t’i pajiste me pasaporta e viza për të shkuar tek të afërmit. Mbas persekutimit gjysmëshekullor këto familje nuk mund të mos e shfrytëzonin një mundësi të tillë për të shpëtuar nga ferri ku ishin cfilitur aq gjatë. Kështu dhe familja e autorit ashtu si familjet e tjera të përndjekura e pranoi largimin, si rrugë shpëtimi. Ky largim nuk dëshmonte braktisje të atdheut, por gjetjen e një zgjidhjeje për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët.
Vlen të theksojmë se familja Kostreci bashkë me shumicën e familjeve të përndjekura, kur u larguan nga atdheu më 1990, u larguan si fitimtarë ndaj diktaturës së cilës nuk iu nënshtruan kurrë. Ato ishin përtërirë si përbërje, prindërit e vdekur i kishin zëvendësuar me fëmijë të bukur e të zgjuar…
Kapitulli i fundit i veprës është një sintezë e jetës shqiptare të viteve 1985-1990. Aty bëhet analizë e diktatorit të dytë shqiptar, Ramiz Alisë, i cili hiqej si liberal, por në fakt ishte po aq kriminal sa babai i tij shpirtëror. 
Mjeshtëria e përshkrimit artistik të ngjarjeve arrin kreshendon e vet në përshkrimin e ankthit dhe të emocioneve që përjetoi autori në realizimin e largimit të familjes nga atdheu. Pas shumë mundimesh Hasani arriti të siguronte vizat. Shiti gjithë katandinë e shtëpisë për të siguruar shumën prej dyqind dollarësh për të blerë biletat nga Tirana në Romë, ku do t’i priste fisi i Fluturës. Mirëpo biletat ishin shitur, viza skadonte, kështu ai u detyrua t’i besonte një punonjëseje bjonde të aeroportit e cila ia mori paret duke i premtuar se do t’i siguronte biletat për më 14 nëntor 1990. Në orën e caktuar pasagjerët hipën të gjithë dhe vajza bjonde nuk po dukej gjëkundi. Familja Kostrevci, sidomos Hasani po ngurosej. Po rrezikohej ëndrra e shpëtimit nga kalvari komunist, po dukej sikur Sigurimi që i kishte ndjekur e munduar gjithë jetën po ndërhynte përsëri. Si një somnambul ai u nis me dy valicat e rënda drejt shkallëve të avjonit. Ngjiti një… dy… tre… shkallë e vajza bjone nuk po dukej. Nuk dinte si të sqarohej me stuardesen te dera… Në këtë moment djersët po e mbulonin, zemra sikur po pushonte së rrahuri… Kur ja u shaq vajza bjonde. Familja hyri në avjon me gjak të ngrirë. Zemra e Hasanit filloi të rrihte normalisht kur pa poshtë avjonit ujrat e detit Adriatik, gjaku i shkriu dhe çehreja i erdhi në vend… 
Veprat dinjitoze që kanë shkruar e po shkruajnë në emigracion Lek Pervizi, Eugjen Merlika, Mërgim Korça, Makinsen Bungo, Gjon Markagjoni i Ri, Hasan Kostreci, etj, etj dëshmojnë se këta bij të denjë të popullit nuk e kanë braktisur atdheun, por po e ndihmojnë atë që ta njohë në të gjitha dimensionet krimin komunist dhe ta dënojë atë, sepse te dënimi i tij qëndron shpëlarja e ndërgjegjes së inkriminuar shqiptare.

Filed Under: Komente Tagged With: të Hasan Kostrecit, Thanas L Gjika, Vlerësime për veprën Jetë në Diktaturë

“MOSDENIMI I KRIMIT ESHTE KRIM I RI”

April 17, 2016 by dgreca

Si vatran dua te ve ne dijeni Federaten Panshqiptare te Amerikes”Vatra” dhe dashamiresit e saj se kam gati per shtyp nje veper te re me shkrime te ndryshme. Titulli i saj eshte “MOSDENIMI I KRIMIT ESHTE KRIM I RI”. Deri sot kam botuar shume prej ketyre shkrimeve, tani po botoj hyrjen e kesaj vepre./
Nga Thanas L. Gjika/
              H Y R J E/
Territoret e banuara prej shqiptarëve janë një vend me pasuri të mëdha natyrore dhe njerëzore. Mirëpo për shkak të sundimeve të huaja në të kaluarën e largët, pastaj për shkak të coptimit në disa shtete dhe tani së fundi për shkak të qeverisjes së keqe, këto territore dhe kjo popullsi nuk kanë arritur nivel zhvillimi që meritojnë. Deri më 1912 territoret shqiptare ishin kthyer në një minierë prej nga merreshin jenicerë dhe ushtarë, aty nuk investohej asgjë. Mirëpo edhe gjatë qeverisjes së keqe të këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit territoret tona po ashtu shërbejnë si minierë prej ku eksportohen emigrantë dhe nuk bëhen investime serioze për të shfrytëzuar pasuritë e vendit e për të punësuar shqiptarët. Territoret tona po zbrazen e dobësohen deri në shkretim për shkak të klasës politike të korruptuar. 
Për fatin tonë të mirë gjeopolitika e disa shteteve të fuqishme si SHBA-të, Gjermania dhe Italia përputhet me interesat e popullit tonë dhe të territoreve tona. Kjo përputhje interesash ka bërë që këto shtete na kanë ndihmuar për çlirimin dhe përparim tonë, por kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se këto shtete do ta zhvillojnë Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë ashtu si duam ne. Faktori kryesor dhe vendimtar për zhvillimin tonë jemi e duhet të jemi ne shqiptarët dhe kur themi faktori kryesor për zhvillimin tonë duhet të jemi ne, duhet të kuptojmë se këtë rol ne do ta luajmë jo thjesht duke punuar, por duke punuar rëndë me atdhedashuri e cila shpesh herë kërkon dhe sakrifica… 
Sot, pasi Kosova ka fituar pavarësinë kombëtare dhe shqiptarët e Maqedonisë e kanë forcuar luftën e tyre për më shumë të drejta politike, ndërsa Shqipëria është anëtarësuar në NATO; mundësitë për zhvillim të popullit tonë janë rritur. Përmirësimi dhe zhvillimi i shpejtë është i lidhur me ndërgjegjësimin e popullin për vlerën dhe forcën e votës. Sa më i ndërgjegjshëm të jetë populli që votën duhet t’ua japë vetëm njerëzve të ndershëm, aq më shpejt do të pastrohet klasa jonë politike nga njerëzit e korruptuar që po e qeverisin keq këtë popull. Vetëm deputetët dhe zyrtarët e ndershëm do të regullojnë legjislacionin demokratik dhe do të luftojnë korrupsionin dhe kriminalitetin në çdo hallkë e qelizë të shoqërisë.
Dihet se nga viti 1991 deri më 2015 në Shqipëri janë futur 140 miliaed dollarë në formë ndihmash e investimesh prej Komuniteti Europian, SHBA-ve, emigrantëve, etj. Me një kapital të tillë duhej që Shqipëria të kishte ndërtuar jo vetëm ato pallate e rrugë që ka ndërtuar, por ajo duhej të kishte krijuar një zhvillim të tillë industrial e bujqësor që të thithte fuqi punëtore prej jashtë dhe jo të vijonte emigracioni si rruga kryesore për përmirësimin e jetesës.
Pengesa themelore për mosecjen me sukses të Shqipërisë pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, ka qenë zbatimi në fshehtësi i planit Katovica. Ky plan, i hartuar prej Mikhail Gorbachev (Mihal Gorbaçovit), u zbatua dhe po vijon të zbatohet tek ne prej njerëzve të vënë prej Ramiz Alisë. Ky plan kishte dhe ka për qëllim mosdënimin e së keqes komuniste dhe trashëgimin e pasurive të vendit dhe të pushtetit ekonomiko-politik prej bijve të ish-pushtetarëve komunistë dhe shërbëtorëve të tyre. Pikërisht për të trashëguar pasuritë, të cilat ata i rrëmbyen me forcë në vitet 1945-1991 duke zbatuar politikën çnjerëzore të luftës së klasave dhe mbas vitit 1991 duke kultivuar korrupsionin dhe një luftë fiktive politike, u ndoq një politikë mashtruese për të thënë sikur në Shqipëri u krijua pluralizmi i vërtetë politik dhe ekonomia e tregut. Në partitë e majta si PS, PSD, LSI militojnë ish-deputetë të PPSH-së, ish-pushtetarë komunistë e shërbëtorët e tyre, të cilët pas dështimit të politikës së PKSH / PPSH-së nuk kanë të drejtë morale të qeverisin Shqipërinë. Kurse në partitë e quajtura opozitare si PD, PR, etj, militojnë shumë elementë të ish Sigurimit dhe ish-komunistë, të cilët duke luajtur rolin e antikomunistit, ndihmuan e ndihmojnë maskimin e korrupsionit dhe mbajtjen e pushtetit ekonomiko-politik prej bijve të kupolës së vjetër komuniste dhe shërbëtorëve të saj. Forcat e vërteta opozitare, si Shoqata e të Përndjekurve, Balli Kombëtare Legaliteti janë përçarë duke futur në to elementë të ish Sigurimit. Këtyre forcave pas vitit 1991 asnjëherë nuk iu dha hapësirë jetike në lojën politike shqiptare. Pronarët e vërtetë janë sjellë vërdallë dhe po sorollaten nëpër gjykata duke marrë vetëm letra e shumë pak nga pasuritë e tyre të grabitura. 
Kasta e sotme sunduese e Shqipërisë, pra klasa politike, përbëhet kryesisht prej Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Partisë Socila Demokrate dhe Partisë Republikane.
Plani Katovica duke mos i dënuar krimet e komunizmit është një krim i ri, i cili duhet dënuar rëndë dhe sa më shpejt. Duhet të dënohet rëndë, sepse shoqëria e inkriminuar nuk siguron zhvillim ekonomiko-politik e moral, por vetëm pasurimin e pakicës sunduese. Kjo pakicë për fitimeve të veta dhe ruajtjen e pushtetit bën aleanca me forca të brendshme e të jashtme antishqiptare turke, greke, sërbe, italiane, etj. 
Mbas hapjes së Shqipërisë, populli shqiptar pa nga afër popujt e Europës së Bashkuar, të SHBA-ve, Kanadasë, etj të cilët në sistemin pluralist me ekonomi të tregut të lirë, gëzojnë mundësi reale për të ecur përpara drejt mirëqenies. Prandaj populli ynë, të cilit nuk i mungon zgjuarësia, do të ndërgjegjësohet dhe do të krijojë një parti të re politike vërtet të djathtë të përbërë prej bijve të ndershëm. Këtë parti populli mund ta sjellë në qeverisje përmes mekanizmit të votës duke e mënjanuar kështu kastën e sotme sunduese, e cila po pengon rigjenerimin moral e shpirteror tëpopullit tonë.
Në përpjekjet për ndërgjegjësimin e popullit, për të mënjanuar këtë kastë nga pushteti deri sot po luajnë rol vetëm bijtë e shtresës së të përndjekurve dhe disa të rinj të formuar në botën Perëndimore. Mirëpo kasta politike është shumë e fortë, prandaj përmbysja e saj kërkon që të mobilizohen edhe intelektualë e krijues të ndershëm të së majtës. Ish-kuadrot e kohës së diktaturës duhet të pranojnë dhe dënojnë gabimet e krimet e asaj kohe, kurse shkrimtarët dhe artistët të dënojnë veprat e tyre të realizmit socialist, të cilat duke zbukuruar realitetin dhe duke lëvduar politikën e partisë, ishin gjithashtu krime sepse ndikuan drejtpërdrejt në shkatërrimin moral të popullit tonë.
Sot, kur hiqen si të ndershëm e të përndjekur të gjithë, madje dhe ish-pushtetarë komunistë e ish-sigurimsa, lind pyetja: si mund t’i njohë populli ata që janë vërtet të ndershëm që mund të krijojnë partinë e re politike, së cilës duhet t’i japë votën për të marrë frenat e qeverisjes? 
Mbas 25 vjet tranzicioni, populli mund t’i dallojë kollaj bijtë e tij të ndershëm nga të pandershmit. Bij të ndershëm janë ata që kanë dënuar krimet e komunizmit, ata që u janë futur shkollave dhe punëve dhe kanë arritur rezultate të lavdërueshme, të cilët kur janë pasuruar, janë pasuruar jo me mashtrime, po me rrugë të ndershme. Të tillë janë të përndjekurit dhe të lënët mënjanë gjatë kohës së diktaturës dhe gjatë tranzicionit. Midis tyre ka dhe bij të ish-komunistëve të ndershëm të cilët nuk bënë karierë po punuan kokulur gjatë kohës së diktaturës e më pas. Te këta shqiptarë shkërmoqja e diktaturës dha rezultate pozitive. Ata ecën përpara pa paterica baballarësh dhe larg korrupsionit. Të tillë bij ndjejnë dhimbje kur shikojnë se shpërngulja e popullit tonë vijon ende. Ata përbëjnë shumicën, ose pak më shumë se gjysmën e shoqërisë sonë dhe mund ta marrin pushtetin po të organizohen si duhet në një parti vërtet të djathtë.
Bijtë e pandershëm të popullit tonë dallohen nga fakti se ata janë bij të ish-pushtetarvekomunistë, të ish-sigurimsave të cilët nuk i dënojnë krimet e kohës së komunizmit, madje mburren me të tilla bëma të turpshme të tyre ose tëprindërve të tyre. Të tillë njerëz janë pasuruar me rrugë jo të ndershme, duke trashëguar prona të grabitura prej pushtetit diktatorial ose tranzicionit mashtrues. Ata nuk ndjejnë dhimbje për shpërnguljen masive të shqiptarëve.
Kthjellimi i popullit për rrugën e shpëtimit nga kasta që ka sunduar deri sot dhe për zëvendësimin e saj me njerëz të ndershëm është zgjidhja e problemit jetik të pushtetit. Vetëm njerëzit e ndershëm e kuptojnë se mosdënimi i krimit është një krim i ri që e mban shoqërinë shqiptare në krahun e të humburve, në krahun e shoqërive dhe shteteve pa të ardhme.
Për të ndikuar në njohjen dhe dënimim e krimeve të kohës së diktaturës komuniste dhe të atyre që i fshehin e nuk i dënojnë ato, si dhe të atyre që i kanë vuajtur dhe i dënojnë ato krime, i mblodha në këtë vëllim disa shkrime që u përkasin disa fushave, si kritika letrare, artikuj studimorë, ese, kujtime, biseda, etj. 

Filed Under: Vatra Tagged With: ESHTE KRIM I RI, MOSDENIMI I KRIMIT, Thanas L Gjika

U PUSHTUA NGA IDEALET KOMUNISTE,KUNDËSHTOI DIKTATURËN KOMUNISTE

April 16, 2016 by dgreca

(Ese kushtuar Thanas Ilo Qeleshit)/

Ne Foto:Thanas Ilo Qeleshi, tetor 1974, para arrestimit te dyte/

Shkruan: Thanas L. GJIKA/ 

Historia e popullit tonë që në kohët e vjetra është e mbushur me akte trimërie të njerëzve idealistë, të cilët nuk e kursyen jetën për të mirën e shoqërisë e të atdheut. Për hir të tyre populli ynë ka fituar lirinë nga zgjedhat e huaja dhe ka ecur drejt përparimit. Të tillë njerëz ka pasur edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste. Ata guxuan të shfaqnin mendimet e tyre ndryshe, madje të kundërshtonin vijën e partisë shtet, por kjo i arrestonte, i dënonte me gjyqet e saj pa avokat mbrojtës dhe i shpallte “armiq të popullit” dhe i degdiste nëpër burgje e kampe pune. Kur ata arrinin të delnin gjallë nga burgjet, propaganda shtetërore i mbulonte me epitete të tilla që populli t’i braktiste e t’i urrente derisa të shuheshin e të harroheshin si qenie pa vlerë.

Koha e sotme kërkon që të tillë njerëz të mos lihen në harresë, po të studjohen e të vlerësohen, sepse jeta dhe bëmat e tyre kanë vlera rigjeneruese për kombin. Edhe ne si cdo popull kemi nevojë për pishtarët te tille te lirisë e të demokracisë.

Një pishtar i tillë ka qenë edhe Thanas Ilo Qeleshi i cili në rininë e hershme u pushtua prej ideve komuniste dhe u lidh me Partinë Komuniste, por kur pa e jetoi disa veprime të padrejta të politikës së saj, guxoi të shfaqte mospajtimin e tij dhe të krijonte një celulë partie kundërshtare me PPSh-në.

Jetës dhe bëmave të këtij idealisti ia kushtojmë këtë ese të shkurtër, mbështetur në disa dokumente dhe kujtime që i ruan i biri i tij Mihallaq Th. Qeleshi, të cilin e njoha ketu në SHBA.

* * *

Thanas Ilo Qeleshi, u lind në Korçë më 17 mars 1929 në një familje zejtare, që e kishte provuar kurbetin e Amerikës për shumë vjet. Gjyshi i tij Thanasi, të cilit i kishte marrë emrin, kishte punuar në fillim të shekullit XX në Saint Louis MO. Kurse babai i tij, Ilo Thanas Qeleshi ishte këpucar që kishte një dyqan të vetin në pazarin e qytetit, ku prodhonte e shiste këpucë. Bashkëshortja e usta Ilos, Katerina, kishte ngritur veglën në shtëpi dhe bënte qylima, të cilët i shiste në pazari i qytetit.  Kjo familje para se të pushtohej Shqipëria prej Italisë Fashiste, me të ardhurat e të dy bashkëshortëve kishte siguruar një gjendje të mirë ekonomike dhe bënte pjesë në shtresën e mesme të shoqërisë së kohës. Ajo kishte ndërtuar një shtëpi të gurtë me dy kate, me oborr para e kopësht nga pas, kishte lindur e po rriste katër fëmijë të bukur e të shëndetshëm: dy djem e dy vajza, Gaqon, Thanasin, Dhorkën dhe Pavlinën. Djalin e madh e kishte dërguar për shkollim në Vlorë te Shkolla Tregëtare dhe vajzën e madhe në Tiranë të studjonte te Shkolla Femnore Nana Mbretneshë. Mirëpo dy fëmijët e mëdhenj vëlla e motër, shumë shpejt u pushtuan prej ideve komuniste. Gaqua dhe Dhorka ishin bërë anëtarë të Grupit Komunist të të Rinjve dhe pas formimit të PKSH-së u inkuadruan në radhët e kësaj partie. Gaqua e bindi babain e tij për të mirat që synonte Partia Komuniste  Shqiptare, e cila propagandonte liri, barazi e drejtësi midis njerëzve, bollëk ekonomik e një Shqipëri demokratike që nuk ishte parë në ëndërr gjatë sundimit të mbretit Zog dhe gjatë pushtimit italian. Kështu ai me lejën e babait e ktheu shtëpinë e tij në bazë të Luftës Antifashiste. Aty ai mblidhte municione lufte dhe ua shpinte forcave partizane, shkruante trakte e i ngjiste nëpër muret e qytetit, etj. Në atë shtëpi në vitin 1942 ai krijoi celulën e PKSH-së për mëhallën e Shën Triadhës (lagje jashtë qytetit), duke bërë anëtarë djemtë e mëhallës Dhori Panaritin, Rita Markon, Mikail Trebickën e Tasi Markon.

Fatkeqësisht Gaqon e kapën dhe e burgosën dy herë forcat e SIMIT (Sigurimi italian). Herën e dytë karabinierët e torturuan shumë keq, sa që ai u sëmur rëndë dhe vdiq më 1 mars 1943. Ai nuk arriti të shihte se si PKSH-ja eleminoi Anastas Lolon e Sadik Premten, ata që e bënë atë komunist dhe se si “u realizuan” premtimet e PKSH-së, për të cilat ai dha jetën e vet.

Vëllai i tij Thanasi, gjatë Luftës Antifashiste u aktivizua prej tij si guerilas në Korçë. Duke qenë serioz dhe me trup të gjatë ky djalosh jepte përshtypjen se ishte më i madh se mosha e tij e vërtetë. Nga fundi i vitit 1944, duke qenë vëlla dëshmori dhe veprimtar i luftës u aktivizua me rininë komuniste të qytetit të Korçës. Në mars-prill 1945, shokët e Gaqos, që u mblodhën në Tiranë e morën me vete Thanasin dhe atje e aktivizuan si veprimtar të Rinisë. Aty e regjistruan dhe në një kurs për infermjer.

Në prill të vitit 1045 Alqi Kondi u zgjodh prej Kongresit të Rinisë Komuniste të Shqipërisë Sekretar i Përgjithshëm i Rinisë. Duke qenë se ky kuadër e njohu dhe e pëlqeu djaloshin e shkathët Thanas Qeleshin, e mori në zyrën e tij si sekretar. Mirëpo mbas dy muajsh, Alqi Kondi u vra aksidentalisht duke u përplasur motorcikleta e tij me një veturë. Kjo ngjarje e tronditi Thanasin dhe pa u konsultuar me njeri kërkoi të largohej nga Tirana e të kthehej pranë prindërve në qytetin e lindjes, ku u regjistrua në gjimnazin e Korçë, të cilin e mbaroi në vitin 1948. Në maj 1948 atë e pranuan në PKSH. Me fillimin e vitit të ri shkollor 1948-1949 Thanasi nisi nga puna si mësues në fshatin kufitar Arrëzë. Drejtori ishte një djalë vendas, quhej Shaban Hysolli.

Në periferi të fshatit e kishte shtëpinë një familje, që i punonte shumë mirë tokat e veta dhe merrte prodhime më shumë se familjet e tjera. I zoti i shtëpisë gjatë kohës së luftës kishte futur ujin brenda në shtëpi nga një burim aty pranë. Thanasi kërkoi që të strehohej tek ajo familje, duke menduar se atje do të gjente qetësi dhe pastërti më të madhe se në ndonjë shtëpi brenda fshatit. Bashkëfshatarët e donin atë familje, madje dhe drejtori i shkollës, por atë nuk e donte Kryetari i Këshillit të fshatit dhe Nënkryetari i Degës së Punëve të Brendëshme të Korçës, të cilët ndikuan që të dërguarit e partisë nga qyteti i Korçës ta shpallnin kulak, pra t’i ngarkonin taksa më shumë edhe pse kjo familje kishte po aq toka sa familjet e tjera. Nënkuptimi ishte i qartë, ajo familje duhej të sulmohej me qëllim që edhe në atë fshat të zhvillohej si kudo lufta e klasave.

Nga fundi i muajit maj 1949 një mëngjez, fshati u gdhi i rrethuar nga forcat e kufirit dhe përforcimet që kishin ardhur nga policia e Korçës. Në shtëpi ku flinte mësuesi hyri Ferrit Sinica, Nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Korçës me disa policë. Mësuesit iu dha urdhëri që të vinte urgjent te zyra e Këshillit të fshatit. Atje ishin mbledhur anëtarët e celulës së partisë, drejtori i shkollës dhe kryetari i Këshillit. Filloi mbledhja. Fjalën e mori Ferrit Sinica:

–Celula e partisë dhe personeli i shkollës nuk e kanë kryer detyrën që u ka ngarkuar partia. Më tej ai e ashpërsoi zërin: Nën hundën tuaj armiku i klasës ka bërë qejf, ti Thanas Qeleshi, mbrëmë hëngre darkë me kulakun e fshatit dhe ai, pasi ti rre të flije, mori familjen dhe u arratis. Gabimi yt është shumë i rëndë. Na ke ngarkuar të gjithëve me përgjegjësi.

Më tej folën drejtori i shkollës dhe dy komunistë, të cilët thanë se anëtarët e asaj familjeje dhe fëmijët e saj ishin korrektë në sjellje dhe se askush nuk kishte dëgjuar ndonjë pakënaqësi prej tyre.

Thanasi u ngrit, e qetë qetë, tha:

–Shoku Ferit unë nuk e ndjej veten fajtor. Dhe asnjë nga ne nuk ka faj. Gjatë muajve që kam jetuar në atë familje asnjë prej anëtarëve të saj nuk më ka shprehur ndonjë pakënaqësi ndaj pushtetit.

Gabimin duhet ta gjeni te politika që keni ndjekur ju me organet e pushtetit. Ju e shpallët kulak familjen më të mirë të fshatit, familjen që punonte më shumë, që kishte arritur të jetonte më mirë duke punuar e jo duke shfrytëzuar punën e të tjerëve dhe as duke u servilosur. Ju e  armiqësuat atë familje me partinë e pushtetin dhe e detyruat të gjejë rrugën e shpëtimit duke u arratisur…

Ferriti, nuk e zgjati, por e mbylli mbledhjen duke thënë:

–Këtë do ta shqyrtojmë me organet përkatëse të Korçës.

Shkoi në qytet dhe filloi nga puna për të sajuar gjëra që do ta rëndonin biografinë e mësuesit dhe të drejtorit të shkollës. Pas dy javësh, kur drejtori dhe mësuesi i shkollës shkuan në Korçë u arrestuan si armiq të pushtetit, e bashkëpunëtorë të armikut.

U mbajtën në Hetuesinë e Korçës më shumë se një vit. U bënë presion të vazhdueshëm që të pranonin se kishin bashkëpunuar me familjen e kulakut dhe se e kishin ndihmuar që të arratisej, por ata nuk pranuan gënjeshtra të tilla. Shabani u lirua mbas një vit hetusie, pasi ndërhynë disa miq të vëllait të tij, i cili punonte në Degën e Punëve të Brendëshme të Vlorës, kurse Thanasi doli në gjyqin e montuar dhe u dënua me tetë vjet heqje lirie.

Usta Ilua shkoi në Tiranë për të kërkuar ndihmë tek Rita Marko e Dhori Panariti, shokër e djemve të tij, të cilët ishin emëruar në detyra të larta partie e pushteti. U përmendi vdekjen e djalit të madh prej tortuave, ndihmën që u kishte dhënë gjatë luftës, aktivitetin e djalit të vogël të cilin tani për disa fjalë po e dënonte partia… Por të tillë komunistëve u mungonte shpirti i sakrificës së dëshmorëve si Gaqo Qeleshi. Ata nuk pranuan të ndërhynin sepse fjalët kritike të Thanasit ishin të huaja për të tillë njerëz që po bënin karierë duke ecur në rrugën e servilizmit dhe të nënshtrimit të verbër.

Thanasi u lirua në korrik 1953. Vendimi për lirimin e tij nuk ishte shprehje e zemërgjerësisë së partisë, por e një ngjarjeje që lidhej me Ferrit Sinicën, ish nënkryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme të Korçës. Ferriti kishte shërbyer si kobure e mbushur që zbrazej sipas urdhërave të eprorëve të tij. Gjatë luftës ai vriste si atentator, pa pyetur se kush ishin ata që vriste. Pas luftës arrestonte, torturonte e vriste këdo për të cilin i vinte urdhëri nga shefat e tij. Mirëpo gjatë viteve 1950-1951, kur kishte dalë për të mbledhur detyrimet e fshatarëve, shumë kushërinj, miq e krushq të tij që e kishin strehuar gjatë luftës, i ishin ankuar se detyrimet që u kishte ngarkuar shteti ishin të larta dhe ata nuk kishin t’i paguanin. Ferriti, duke qenë se e shihte vetë gjendjen e tyre ekonomike, ishte pajtuar me këto ankesa dhe gjatë një darke pasi kishte pirë, kishte thënë: Fshatarët nuk kanë të japin detyrime kaq të larta, partia e ka tepruar. Një nga ata që e kishte dëgjuar, e kishte raportuar në organet e Sigurimit. Shefi i Degës së Punëve të Brenshme i trembur se ky kokëkrisur mos kryente ndonjë veprim revolte, a mos nxirrte në shesh maskarallëqe që kishin kryer bashkë, vendosi ta eliminonte dhe e eliminoi me ndihmën e dy sigurimsave, varrtës të tij e shokë të Ferritit. Pas vrasjes, sipas skemës së parapërgatitur, u hap fjala se Ferrit Sinica donte të arratisej, por e vranë punonjësit vigjilentë të Sigurimit para se t’i afrohej kufirit.

Pas kësaj ngjarjeje familjarët e Thanas Qelshit u interesuan dhe arritën të verifikonin shpifjet që Ferriti kishte sajuar kundër njeriut të tyre. Kështu ish mësuesit Qeleshi iu dha pafajësia dhe organet e partisë së Korçës i thanë se do t’i kthenin rrogën e viteve të burgimit si dhe teserën e Partisë duke ia njohur vjetërsinë që nga viti 1948 kur kishte hyrë në parti. Thanasi, për të mos e marrë teserën e partisë, nuk pranoi të merrte as rrogën e viteve të dënimit. Ai kërkoi vetëm të fillonte punën si mësues. Emërimi i doli  në fshatin Selcë të Lozhanit.

Në burgun e Korçës gjatë viteve të dënimit Thanas u njoh dhe me disa intelektualë si Tefik Selim Mborja, ish deputet i qeverisë së Zogut politikan e diplomat; Koci Shenjti, i diplomuar prej Liceut Frances dhe ish-bashkëpunëtor i Misionit Biblik Evangjelist, si dhe Osman Leskoviku, i mbiquajtur Osman Gazepi adjutant i mbretit Zog, ushtarak tepër popullor e shakatar i mprehtë, etj. Këta bashkëvuajtë, me bisedat e tyre të mbushura me “kripë antikomuniste” kishin ndikuar në botëkuptimin e Thanasit dhe ia kishin shuar entusiazmin e hershëm ndaj idealeve komuniste dhe PPSH-së. Mbas daljes nga burgu ai u mbyll në vetvete dhe filloi t’u qëndronte larg komunistëve.

Veprimi që e shtyu Thanasin për ta humbur edhe më tej respektin ndaj komunistëve, ishte ngjarja tragjike që i ndodhi në ditën e dasmës së tij.

Disa javë pas daljes nga burgu, njerëzit e familjes u interesuan të gjenin një nuse të përshtatshme dhe realizuan takime njohjeje midis Thanasit e Marikës, një vasjzë e urtë e simpatike. Këta e pëlqyen njëri tjetrin, por babai i vajzës dhe vëllezërit e saj, komunistë, thoshin se nuk mund t’ia jepnin Marikën një ish të burgosuri me kokën ende të qethur. Thanasi u tregoi dokumentin e lirimit nga burgu me pafajësi, atëhere u vendos për fejesë e pas nja dy muajsh u organizua dasma modeste.

Një pasdreke të vjeshtës 1953 u shtruan tavolinat e dasmës në oborrin e shtëpisë. Në mes ishte tavolina e dhëndërit me prindërit dhe nusen, nga njëra anë ishin tavolinat me njerëzit e fisit, shumica anëtarë partie: motra Dhorkë me burrin e saj, Pavlina, familjarët e nuses, kushërinj, etj. Në anën tjetër ishin dy tavolina të vogla me disa komshinj dhe dy shokë të dhëndërit: Tefik Mborja dhe Koci Shenjti, ish të burgosur.

Pa filluar nga të ngrënat e të pirat, u ngrit Petro Shallua, burri i motrës Dhorkë, pra  dhëndëri i madh i xha Ilos, e me zë të ashpër tha:

–Po me kë na ke ulur të hamë e të pimë, o Ilo, me armiqtë e popullit, me Tefik Mborjen e Koci Shenjtin? dhe nxori koburen.

U ngrit usta Ilua dhe sqaroi:

–Ju të atyre tavolinave jeni miqtë e mij dhe keni punë me mua. Këta të këtyre dy tavolinave janë komshinjtë tanë dhe dy shokë të djalit.

U ngrit dhëndëri e iu drejtua Petros:

–Këtu nuk është vendi të na tregosh koburen. Juve ju ka ftuar babai im, kurse këta të dy i kam ftuar unë. Me ta kam kaluar vuajtjet e burgut dhe dua ta shijoj këtë gëzim bashkë me ta. Shokët e burgut janë të dhemshur si shokët e luftës.

Kur dëgjuan komunistët se shokët e burgut u vlerësokan njësoj me shokët e luftës, u xhindosën e u turrën kundër Tefik Mborjes e Koci Shenjtit. Filluan t’i rrihnin me grushte e shkelma. Këta për të mos e prishur dasmën, nuk kundërshtuan, por u larguan.

Nuses i ra të fikët, dhëndëri ngriti nusen në krahë dhe e shpuri brenda. Ilua ndërhyri për pajtim, por krushqit nuk po e dëgjonin, sejcili filloi të largohej. Kështu u prish dasma e shumëpritur. Ca kohë vajza e madhe, Dhorka nën ndikimin e burrit të saj, nuk shkoi për vizitë te prindërit.

Të tillë ishin komunistët e asaj kohe, ta prishnin dasmën dhe nuk të flisnin as me gojë. Nuk dinin të kërkonin të falur. Ndoshta të tillë kanë mbetur ende disa prej tyre…

Më 31 gusht 1954 familja e re u shtua me një djalë, Mihallaqin.

Me rastin e 10-vjetorit të çlirimit, Thanasit iu dha Medalja e Trimërisë, dhe më 1964 iu dha Dekorata Skënderbeu.

Më 1960 familja u shtua dhe me një vajzë, së cilës iu dha emri Katerina, në kujtim tëgjyshes. Nusja Marika mbas lindjes së vajzës pati një dobësi dhe stenozë nitrale. Thanasi bëri kërkesë për ta transferuar në një fshat më afër familjes. Kërkesa iu muarr parasysh dhe ai u emërua mësues në fshatin Vashtëmi, ku vente e vinte me biçikletë çdo fundjave.

Gjatë viteve 1953-1963 Thanasi ishte një i pakënaqur i mbyllur në vetvete, që nuk guxonte t’i hapej kujt. Më 1963 bashkëshortes së tij iu rëndua sëmundja dhe doli në kemp. Thanasi, për t’iu ndodhur pranë gruas së sëmurë, kërkoi të largohej nga arsimi dhe pasi mori aprovimin e kërkesës u fut në punë në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve në Korçë si këpucar, zanat që ia kishte mësuar babai në rini. Duke punuar me këmbëngulje për realizimin e tejkalimin e normës arriti të krijonte dhe disa novacione në bashkëpunim me ustallarë të vjetër për krijimin e çantave të grave, për krijimin e psidhjeve të këpucëve, etj. Mirëpo pavarësisht nga puna këmbëngulëse të ardhurat nuk shtoheshin, sepse normat rriteshin vazhdimisht.

Kur kuptoi se dhe dy shokë të tij, këpucari Engjëll Fidani dhe mësuesi Dhimitër Zguro, ishin dhe ata të pakënaqur, Thanasi filloi nga diskutimet për të unifikuar mendimet dhe pakënaqësitë. Romantizmi i rinisë së parë, për t’u marrë me agjitacion e propagandë kundër padrejtësive të pushtuesit të huaj italo-gjerman, rilindi me shpejtësi te ky 34-vjeçar. Vëllai i tij, dëshmori Gaqo, rekrutoi në atë shtëpi si komunistë disa të rinj të lagjes, kurse Thanasi filloi agjitacionin me burra të pjekur për të krijuar një celulë  të një partie të re, opozitare ndaj PPSH-së. Gjatë bisedave me komunistë dhe jo komunistë ai dëgjonte dhe kuptonte se të pakënaqur kishte plot, por te të gjithë mbisundonte frika.

Në qytetin e Korçës Komiteti i Partisë në vitin 1972 krijoi një bërthamë me njerëz të besuar, të cilëve u jepeshin vepra të Marksizëm-Leninizmit për t’i diskutuar e për të përgatitur materiale që duhej të përdornin drejtuesit e formave të edukimit nëpër ndërmarrje e shkolla. Në atë grup bënin pjesë Dhimitër Zguro, mësues me shkollë të lartë për Histori-Gjeografi, Thanas Qeleshi, ish mësues i dalluar, Gaqo Peci (mësues i gjuhës e letërsisë), Kiço Venediku (drejtues i Bandës së qytetit) e Jani Gjino (mësues).

Gjatë diskutimeve të ndryshme me kolegët e këtij grupi, Thanasi vuri re se shoku i tij i vjetër Dhimitër Zgurua ishte i përgatitur, por dhe i pakënaqur dhe guximtar. Atëhere ai e forcoi më tej miqësinë me të. Dhimitri kishte lindur më 18 tetor 1939, ishte dhjetë vjet më i ri dhe njohës i mirë i teorisë Marksiste-Leniniste. Po ashtu në Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve ku punonte Thanasi, njohu një punëtor të dalluar, i cili shprehte nga një herë mendime kundër politikës së partisë. Ai quhej Engjëll Fidani, i cili ishte po ashtu i pakënaqur dhe trim. U mblodhën të tre te shtëpia e Thanasit dhe aty diskutuan hapur për gjendjen politike, për shtrembërime të ndryshme në vijën e partisë, për faktin se populli ishte i pakënaqur por nuk guxonte të hapte gojën, etj. Diskutimet ishin të thjeshta.

Thanasi mori pllakën e bukës dhe në sy të shokëve e peshoi në kapanën e shtëpisë (peshore prej bronxi) dhe ua tregoi shokëve. Peshorja tregonte 1 kilogram dhe 600 gram.

–E shikoni këtë pllakë buke, e paguajmë për dy kilogram, por ajo është 400 gram mangut. Pra shteti po na vjedh hapur. 

Dhimitër Zguro, si njohës i veprave të Leninit, tha:

-Lenini ka shkruar që gratë të mos punojnë në turnin e tretë, po tek ne gratë po raskapiten duke punuar natën në turnin e tretë. 

Thanasi vijoi:

-Kush punon me norma si unë e Engjëlli e sheh se sapo arrihet realizimi i një norme, atë na e ngrejnë e punëtori duhet të punojë gjithnjë e më shumë për të marrë po atë sasi lekësh. Edhe kësaj i thonë vjedhje…

Me të tillë shëmbuj e të tjerë nga jeta praktike këta idealistë thanë si përfundim se partia që drejtonte vendin nuk ishte parti e vërtetë komuniste, se duhej krijuar një parti tjetër për të zbatuar si duhej teorinë Marksiste-Leniniste. Ata nuk arrinin të kuptonin se vetë Marksizëm-Leninizmi ishte një teori që e kishte të keqen brenda tek mekanizmi i diktaturës komuniste, e cila nuk lejonte diskutimet ndryshe, kërkonte bindje të verbër dhe i jepte kryetarit të partisë pushtet absolut, etj.

Këta tre idealistë formuan celulën e parë të një partie të re, të cilën e pagëzuan me emrin Partia e Vërtetë Marksiste-Leniniste, për të treguar se partia në pushtet nuk ishte e tillë si quhej.

Kohë pas kohe në qytetin e Korçës kjo celulë shkroi nëpër mure disa parulla dhe ngjiti disa trakte. Traktet shpërndaheshin edhe dorazi. Thanasi i shpërndante në Minierën Mborje-Drenovë dhe në Komitetin Ekzekutiv të qytetit; Engjëll Fidani i shpërndante në Komitetin e Partisë; Dhimitër Zgurua në Ndërmarrjen e Trikotazhit.

Anëtarët e celulës bazë ishin njerëz me biografi të mirë, Thanasi ishte familje dëshmori, veprimtar i luftës, përgjegjës në Ndërmarjen e Riparim Shërbimeve, Dhimitër Zguro ishte mësues i Marksizëm-Leninizmit dhe Engjëll Fidani ishte një tapicier i dalluar. Ky ishte shok me policët e sigurimsat e qytetit sepse u krijonte atyre këllëfat e revolverëve dhe veshjet e brendshme të makinave. Dy të parët ishin persona të ngarkuar për diskutimin e literaturës teorike për të krijuar materialet e diskutimit për format e edukimit. Kjo ishte një nga arësyet pse këta persona nuk u zbuluan shpejt prej Sigurimit.

Një ndihmë e vërtetë për zgjerimin e tematikës së partisë së re u bë broshura “Të Drejtat dhe Liritë e Njeriut” të shpallura nga Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (International Helsinki Federation of Human Rights). Kjo broshurë ishte përkthyer dhe botuar shqip në Jugosllavi për shqiptarët e atjeshëm dhe në Shqipëri e solli një shofer kosovar që sillte tulla me kamjon. Rastësisht një mbrëmje Engjëll Fidani i doli përpara maunes jugosllave pa e kuptuar se ishte makinë e huaj dhe i kërkoi të hipte si pasagjer në të dalë të Pgradecit për të shkuar në Korçë. Shoferi kosovar e mori dhe filloi ta pyeste për gjendjen ekonomike, etj. Kur vuri re se pasagjeri kishte rezerva e nuk fliste me entusiazëm për gjendjen në vend, e vuri në dijeni për vendimet e Helsinkit lidhur me të drejtat e liritë e njeriut dhe i dha një kopje të broshurës që e kishte me vete. Engjëlli ua solli shokëve dhe pasi celula e tij e studjoi, e kopjoi me dorë në dy kopje dhe ua ndau dy celulave të tjera.

Përhapja e kësaj broshure dhe diskutimet për përmbajtjen e saj krijuan një atmosferë të ndezur në qytetin e Korçës. Organet e Sigurimit u vunë në gjurmim intensiv dhe arritën të kapnin treshen fillestare: Qeleshi-Zguro-Fidani. Këta i arrestuan në kohë e vende të ndryshme. Dhimitrin e arrestuan më 9 nëntor 1974 në Tiranë ku kishte shkuar me të motrën Teftën për vizitë. Thanasin e Engjëllin i arrestuan më 24 nëntor 1974 në vendet e tyre të punës për të ngjallur terror e panik në popull.

Kryehetuesi Reshat Leskaj i torturonte në Hetuesi duke i mbajtur varrur me kokën poshtë, si dhe me forma të tjera torturash çnjerëzore. Mihallaq Ziçishti u shkonte çdo ditë e u bënte presion që të tregonin bashkëpunëtorët, por asnjëri nga të arrestuarit nuk tregoi se me cilët kishte biseduar e bashkëpunuar. Sejcili e paraqiste veprimtarinë si punë të tij individuale. Ky qëndrim burrëror shpëtoi pjesëtarët e tjerë të këtij aktiviteti.

Më 23 prill 1975 u organizua gjyqi special, ku u dhanë vendimet e dënimeve për treshen e quajtur “Grupi që donte të pushtonte Radio Korçën”.

Thanas Qeleshi u dënua me 25 vjet heqje lirie dhe mohim të dekoratave e medaljeve të dhëna më parë.

Dhimitër Zguro me 25 vjet heqje lirie.

Engjëll Fidani me 22 vjet heqje lirie.

Para se të delte nga salla e gjyqit, prokurori i tha Thanasit:

–Turp për ty, je dhe familje dëshmori.

Thanasi ia preu:

–Ta dinin dëshmorët sesi do ta katandisnit ju partinë, nuk do të kishit asnjë dëshmor atje te vorrezat.

Tre të dënuarit u dërguan në burgje të ndryshme.

Pas arrestimit dhe dënimit të treshes themeluese, aktiviteti i partisë së re u pushua. Mirëpo edhe pse veprimtaria si organizatë partie pushoi, agjitacioni kundër politikës së partisë shtet vijoi në rrugë individuale, gjë që shkaktoi mbas ca kohe arrestimin dhe dënimin sipas nenit “Për agjitacion e propagandë” të Gaqo Pecit, Kiço Venedikut, Jani Gjinos, etj.

Thanasi kur kaloi nga hetuesia në gjyq ishte shumë i dobësuar nga torturat, rruazat e kuqe i kishin arritur në 1.200. I ndodhi dhe një emoragji cerebrale që i humbi kujtesën. Para se ta shpinin në burg e dërguan për kurrim në spitalin psikiatrik të Elbasanit, ku i bënë disa goditje elektrike. Kur e dërguan në burgun e Ballshit, Thanasi u miqësua me ingjinierin e naftës Minella Çani, i cili u kujdes për muaj me radhë për të derisa e mëkëmbi. Në Ballsh u dërgua dhe Jani Gjinua, kështu që Thanasi me këta dy miq dhe me Nuro Hotin, një jurist i dënuar, filloi të ndjehej mirë nga humori e shëndeti.

Pasojat shkatërimtare që solli arrestimi 

dhe dënimi në familjen Qeleshi

Pas arrestimit të Thanasit, bashkëshortja e tij Marika, pësoi një traumë psikike dhe e shtruan në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Vajzën Katerina 14-vjeçe e shpunë të jetonte tek gjyshërit nga e ëma. Djali Mihallaq, student në Fakultetin e Mjekësisë pas dënimit të babait u përjashtua nga shkolla dhe u bë punëtor krahu. Shtëpia u shtetëzua. Të tilla pasoja shkatërrimtare pësuan edhe familjet e Dhimitër Zguros e Engjël Fidanit. Gratë e tyre u bënë punëtore krahu, fëmijët e tyre u përjashtuan nga shkollat e larta ku studjonin, ose nuk u lejuan të vijonin studimet e larta. Si bij të armiqve të partisë e të shtetit këta fëmijë duhej të ishin gjithë jetën vetëm punëtorë krahu. Tefta Zguro, alpinistja e vetme shqiptare që kishte ngjitur majën e malit Everest, si motër e Dhimitrit, u pushua nga puna si pedagoge e Shkollës së Lartë të Partisë në Tiranë. E kthyen në Korçë ku i dhanë punë krahu të rëndomta.

Njerëzit e fisit, si komunistë që ishin “e sqaruan” Mihallaqin se dhe ai, si të gjithë duhej të pajtohej me dënimin që i dha partia Thanasit dhe se duhej të shkëpuste çdo lidhje me të, që të mos binte dënimi edhe mbi të. Kështu djaloshi 19-vjeçar, me vrarrje ndërgjegjeje shkëputi çdo lidhje me të atin.

–Mua, tregon Mihallaqi, i cili që nga viti 1998 ka gjetur strehim politik në Auburn MA. USA, më përjashtuan nga shkolla. Në fillim u bëra punëtor krahu në Ndërmarjen Shtetërore të Ndërtimit, pastaj më morën ushtar, ku e kreva shërbimin ushtarak në repatet e punës me lopatë në dorë. Mbasi kreva shërbimin ushtarak punova në minierën e Rëhovës, në fabrikën e pasurimit të bakrit në Rubik, në fabrikën e  Nikel-Silikatit në afërsi të Korçës, etj.

Vetë Thanasi mbas disa vjetësh dërgoi një mesazh me një të burgosur që u lirua: Mihallaq dhe Katerina jam mirë, por ju mos ajdeni kurë për të më takuar.

Kuptohet se këtë mesazh ai ua dërgoi fëmijëve për t’i mbrojtur, jo se nuk i donte.

Në burgun e Ballshit ish mësuesit Thanas dhe regjisorit Viktor Stratobërda nuk u shkonte kush në takim. Atëhere këta dy të dënuar i konsumonin së bashku takimet e radhës, një herë në dy javë takoheshin te dhoma e takimit dhe këmbenin nga ndonjë bisedë të shkurtër duke treguar shakara për ato që u kishin ndodhur gjatë jetës në burg, ose para burgimit.

Viktor Stratobërda, kishte qenë partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, por ishte zhgënjyer thellë nga diktatura. Ai përsëriste si thënie popullore një mendim të tijin:

–Ne partizanët luftuam me vetmohim kundër diktaturave nazi-fashiste, por krijuam një diktaturë më të keqe se të parat!1

Unë jam i dënuar i ndërgjegjes dhe nuk i kërkoj mëshirë partisë

Takimet e Mihallaqit me babain e dënuar në burg janë prekëse për emocionet që përjetuan at e bir dhe sidomos për papërkulshmërinë e Thanas Qeleshit.

Në shtator të vitit 1979 Mihallaqi u dërgua në aksion për të ndihmuar në fshatin Pulahë të Gorës për mbledhjen e misrit. Në po atë fshat ishte dërguar dhe vajza Femie Kulla me një grup të rinjsh të Ndërmarrjes Lëkurë-Këpuca. Femieja (më pas e pagëzuar, Eftimi shkurt Efi) kishte qenë shoqe klase me Katerinën, motrën e Mihallaqit. Ajo kishte hyrë e kishte dalë tek shtëpia e tyre dhe kishte simpati për këtë djalosh. Gjatë muajit të aksionit dy të rinjtë filluan të ndjenin për njëri tjetrin ndjenja më të forta se të një shoqërie të zakonshme. Rrinin bashkë në kohën e lirë dhe ia shprehën njëri tjetrit ndjenjat e dashurisë. Vendosën që kur të ktheheshin në Korçë të martoheshin. Mirëpo prindërit e vajzës ishin komunistë dhe nuk donin që bija e tyre të martohej me një djalë që e kishte babain në burg. Atëhere dy të rinjtë e zgjidhën punën vetë, u martuan me rrëmbim, pa ceremoni dasme.

Në vitin 1989 kur diktatura komuniste në Shqipëri dha disa shënja zbutjeje, Mihallaqi dhe nusja e tij vendosën të shkonin për ta takuar Thanasin në burg. U nisën së bashku e shkuan së pari në burgun e Burelit. Atje u thanë se emri i Thanas Qeleshit nuk figuronte në listat e të bugosurve. Shkuan në burgun e Qafë Barit e në atë të Spaçit, as atje nuk ishte. Zbritën në Durrës, ku të burgosurit kryenin punë ndërtuese te vilat e udhëheqjes te plazhi.

Kur roja thirri emrin e Thanas Qeleshit, në vend që të delte ky i dënuar, doli Ali Çenua, ish krytari i grupit të rojeve të Mehmet Shehut, ish kryeministrit të vrarë.

Ky shkoi dhe u tha: 

-Ju e kërkon Thanas Qeleshin?

Po, iu përgjigjën ata dhe pritën sqarimet pse nuk doli Thanasi.

-Thanas Qeleshi nuk e kryen dënimin këtu, po në burgun e Gjirokastrës.

Sqaroi Aliu dhe shtoi:

–Ta keni për nder që jeni bij të atij babai trim e të vendosur në idetë e tij. Të jeni krenarë për babanë tuaj, është burrë i rrallë!

Mihallaqi shton:

-Të them të drejtën më prekën fjalët e Ali Çenos, këtij njeriu që unë e kisha njohur vetëm përmes gazetave e televizorit si roje besnik të Enver Hoxhës e pastaj dhe të Mehmet Shehut. Aliu, pa më njohur, po ma lëvdonte babain tim të burgosur për qëndrimin e tij të vendosur antidiktaturë. Sot që kam lexuar në internet se si e kishin përpunuar e detyruar Aliun të shpifte për veprimtarinë agjenturore të Mehmet Shehut, e kuptoj se ai ishte penduar për nënshtrimin e turpshëm, ndaj e admironte tim atë, që nuk u nënshtrua poshtërsive të Sigurimit.  

U kthyem në hotel. Aty vendosëm të ktheheshim më parë në Korçë e pastaj të niseshim për Gjirokastër.

Në Korçë, burri i motrës së Mihallaqit, Agron Malollari, pasi dëgjoi peripecitë e udhëtimit, kërkoi që ta shoqëronte ai Mihallaqin. Kështu ata u nisën të dy. Kur arritën te burgu kërkuan takim me komandantin e burgut të cilin e sqaruan se ky ishte takimi i parë pas 13 vjetësh, prandaj iu lutën të kish kujdes. Drejtori shkoi dhe e porositi Thanasin të regullonte dhomën e takimeve speciale, pastaj i mori dy vizitorët dhe i shpuri te dhoma. Më parë ai futi aty dy policë roje me automatikë krahqafë. Komandanti i burgut i tha Thanasit:

–Ke dhe ti o xha Thanas dy njerëz të mirë që kanë ardhur të të takojnë, dhe duke i shoqëruar vizitorët e të burgosurin deri tek dera shtoi:

–Hyni dhe çmalluni.  

Më tej Mihallaqi tregon:

Brenda në dhomë nuk kishte karrike, dy policët rrinin si të ngrirë anash, ne ishim në mes. Shikova babanë dhe ai po më shikonte mua. Ndonëse ishte thinjur dhe dobësuar unë e njoha, kurse ai nuk dha asnjë shenjë se më njohu.

I thashë: baba, jam unë Mihallaqi, djali yt, përqëndrou. Ai ma preu:

Nuk të njoh. Iu afrova edhe më dhe i thashë: Baba jam unë Malakja (kështu më përkëdhelte kur isha i vogël), përqëndrou, ja shikomë në sy. Mu afrua e më tha: këtu në burg vijnë edhe provokatorë që hiqen si bij e bija. Po, tani të njoha.

U përqafuam, u shtrënguam fort dhe qamë për disa sekonda a minuta. Babai u shkëput i pari duke më thënë avash pranë veshit: nuk duhet të qajmë, lotët tanë i gëzojnë këta zgjebot.   

-Ky është Agroni, burri i Katerinës, ia prezantova kunatin. Herën tjetër do të vij me nusen time, herën tjetër me Katerinën, duan dhe ato të të njohin. Unë kam dy vajza, Katerina ka vajzë e djalë. Do të të vijmë rregullisht, mos u mërzit.

Ma mori dorën e djathtë dhe ma fërkoi. Kur i ngecën gishtat te kallot, i thashë:

-Atëhere më përjashtuan nga shkolla e nuk u bëra dot as infermjer, kam punuar gjithnjë me kazëm, po shyqyr që jam i fortë.

Pastaj dola te thelbi i bisedës: 

-Më kanë thënë se ju të dënuarit që keni kryer mbi gjysmën e dënimit mund të liroheni dhe ne kemi dëshirë të vish në shtëpi. Mamaja ka kriza, herë pas here bie në depresion, por kur të të ketë para syve besoj se do të forcohet e do të shërohet.

-Dëgjo mor bir, m’u përgjigj im atë duke m’u afruar dhe duke ulur zërin, këta të lirojnë, por duhet t’u dorëzosh një letër ku të shkruash se i kërkon të falur e mëshirë partisë e shtetit për fajet e krimet që ke bërë, etj. Po unë, nuk kam bërë asnjë faj e asnjë krim, nuk kam pse kërkoj falje. Unë jam i dënuar i ndërgjegjes dhe nuk dua ta humbas trimërinë time tani pas kaq vite vuajtjesh.

Në ke ardhur që të më mbushës mendjen për të kërkuar të falur e mëshirë, ik dhe mos u duk më.

Për të mos e acaruar më tej i kërkova të falur që i thashë ato fjalë. I thashë se dëshira për ta pasur në gji të familjes më shtyu të flas ashtu, po mos ma merr për keq.

-Për sot, tha im atë, minutat e takimit mbaruan dhe nëse pajtohesh me mua si i dënuar i ndërgjegjes, eja të takohemi, po për të më mbushur mendjen që të lirohem sa më parë si ata që e bënë veten leckë, mos ajde më.

-Mirë, mirë, i thashë duke e përqafuar përsëri. Pastaj u ndamë duke i premtuar se do të vija përsëri.

Herën tjetër shkova bashkë me Efin, nusen time. Pastaj dhe me time motër, Katerinën. Efi ka aftësinë që e shpreh respektin shpejt dhe me gjithë shpirt. Të dyve u ngjiti muhabeti që në fillim. Vijuam takimet në burgun e Gjirokastrës deri në nëntor 1990, kur babai u sëmur e u operua dhe u tranferua në spitalin burg të Tiranës…  

Lirimi nga burgu, pakënaqësitë e Thanas Qeleshit për pasdiktaturën

Në vitet 1989-1990 Ramiz Alia me një grup të ngushtë bashkëpunëtorësh përgatiti planin se si duhej zbatuar rruga e Katovicës shqiptare për kalimin nga sistemi diktatorial në sistemin e ekonomisë së tregut të lirë, nga sistemi politik njëpartiak në sistemin pluralist. Sipas këtij plani, pikësynimi kryesor ishte që pushtetin dhe pasuritë e Shqipërisë t’i trashëgonin besnikët e PPSH-së me bashkëpunëtorët e tyre sigurimsa. Për këtë asësye që në vitin 1990 u seleksionuan listat e familjeve të dënuara. Atyre që kishin dikë të arratisur jashtë shtetit, iu bë propozimi që të shkonin tek këta të afërm. Kështu, organet e policisë i pajisën me viza shumë ish të dënuar dhe i hoqën qafe nga Shqipëria. Atyre që nuk kishin njerëz të arratisur iu kërkua të firmosnin atë kërkesën për mëshirë e falje, ku shënohej dhe premtimi se do të ishin gjithnjë besnikë të partisë.

Sigurimi punoi në fshehtësi dhe ariti që pas një a dy vjetësh të vinte në kryesitë e partive opozitare dhe të shoqatave të të përndjekurve, ish të dënuarit që  kishin firmosur, para se të liroheshin nga burgu, atë kërkesën për mëshirë e falje, pra atë shkresën që i detyronte të vijonin shërbimin ndaj kupolës komuniste, që tashmë rrinte në hije.

Thanas Qeleshin Sigurimi e futi në një grup të të dënuarve të ndërgjegjes të cilin e mbajti më gjatë në burg. Në këtë grup prej 88 vetësh ishin dhe Spartak K. Ngjela, Fatos T. Lubonja, Thanas I. Qeleshi, shkodranët që u dënuan për përmbysjen e bustit të Stalinit, ing. Petraq Xhaçka me shokë të dënuar si grupi sabotator i naftës etj. Me qëllim që këta persona të mos bënin pjesë nëpër partitë opozitare e të mos futeshin në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet që u planifikuan për t’u bërë në 31 mars 1991.

Ky grup u lirua më 13 mars 1991 vetëm pasi kryeministri italian kërcënoi se Shqipërisë nuk do t’i dërgoheshin ndihmat ushqimore pa lirimin edhe të këtij grupi prej 88 vetësh, të cilët Ramiz Alia me paturpësi ia kishte paraqitur si të dënuar për krime kundër shtetit.

Për fat të keq aty nga nëntor-dhjetori 1990 Thanas Qeleshi, nga ushqimi i keq, ose ndonjë helmim i vijueshëm, pati një gangrenizim të zorrëve dhe pas opracionit që u krye në spitalin e Gjirokastrës, e dërguan për kujdesje në spitalin e burgut në Tiranë. Thanasi nuk e duronte dot modifikimin e jashtqitjes në qese plastike tek zona anësore e barkut. Ai nguli këmbë që mjekët e Tiranës ta rioperonin dhe t’ia korrigjonin jashtëqitjen me rrugën normale nga poshtë. Për shkak të këtij operacioni, ai nuk doli nga burgu sipas vendimit të lirimit më 13 mars 1991, por më 17 mars. U transferua nga spitali i burgut te reparti i kirurgjisë i spitalit Nr. 2. Deri më 15 prill 1991 krahas mjekëve në këtë spital i shërbeu edhe djali i tij, Mihallaqi, i cili jetoi me të në spital.

Kur shkoi në Korçë i shkoi për vizitë kunati, Petraq Shallua. Ky, në vend t’i kërkonte të falur për braktisjen që i bëri dhe qëndrimin burracak që mbajti ndaj tij, i tha:

–Thanas, kur të ka falur partia e të lëshoi nga burgu, të kam falur edhe unë.

As me fillimin e pluralizmit e as më vonë shumë komunistë nuk bënë përpjkje për evoluim, mbetën të pamoral duke mbrojtur bëmat e turpëshme të tyre e të partisë së tyre.

Thanasi filloi të aktivizohej dhe formoi në shtëpi të tij me disa të përndjekur të tjerë Shoqatën e të Përndjekurve Politikë për Rrethin e Korçës. Duke qenë nismëtar i kësaj shoqate dhe më i përndjekuri e më antikomunisti, anëtarët e saj e zgjodhën Thanasin kryetar.

Torturat e kohës së hetuesisë, jeta plot mungesa më se 21 vjet nëpër burgje dhe dy operacionet e fundit e kishin dobësuar jashtzakonisht këtë kolos të dikurshëm. Tani, në moshën 62 vjeçare ai vuante nga një bllok arterioventrikular, me puls të ulët deri në 30 rrahje në minutë. Si gjithë të përvuajturit edhe Thanasi u mbush me shpresa e romantizëm pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991. Duke dashur që të ishte në gjendje t’i shërbente proceseve demokratike i shkroi një letër Ministrit të Shëndetësisë, me anën e së cilës i kërkonte që ta ndihmonte për t’i bërë operacion në zemër për ta pajisur me një aparat për ndërhyrje elektrike (basemaker), të cilën ia kishin rekomanduar mjekët e Korçës si mjet shpëtimtar. Por përgjigje nuk mori2.

Bindjet e tij politike dhe përvoja, e ndihmuan Thanasin edhe pse i sëmurë, të nuhaste se proceset demokratike nuk e kishin vizionin e duhur, se u mungonte drita. Këtë ide ai e shprehu në mënyrë figurative te skica letrare Rrugët Kërkojnë Dritë, të cilën e fillonte me sqarimin:

Jo se dua të shkruaj për dritat e rrugëve… e më tej lëshonte thirrjen:

O Zot i Madh! Pse duhet të jemi si në burg? Me gjarpërinj, me minj, me merimaga… Drita e rrugës i duhet jetës, u duhet njerëzve halleshumë… dhe e mbyllte me nëntekst kritik:

Sot në demokraci, më shumë se kurrë kemi nevojë për dritën. Se drita është jeta3. (Botuar në gazetën Korça Demokratike viti I, 19 prill 1993, f. 2).

Thanasi e pranoi lënien e tij mënjanë dhe të të dënuarve të tjerë të ndërgjegjes, duke menduar se qeveria demokratike ishte e zënë me shumë punë e shqetësime. Por ai nuk mundi të duronte riemërimin e Reshat Leskajt dhe të Irakli Koçollarit, ish hetuesve të kohës së diktaturës, po në detyra hetuesie, në kohën kur po qeveriste Partia Demokratike. Shoqata e të Përndjekurve të Korçës u ngrit, me nxitjen e tij, në protestë dhe këta elementë të Sigurimit të vjetër u mënjanuan nga detyrat e hetuesve. Irakliu filloi të merrej me studime historike, kurse Reshati pa vrarje të ndërgjegjes doli jurist/avokat privat, punë që e ktheu në milioner. E atëhere Thanasi rrëmbeu penën…

Pa e njohur fjalimin që Mikhail Gorbachev (Mihal Gorbaçovi) mbajti në Katovicë të Polonisë dhe pa e ditur se edhe PPSH-ja kishte planifikuar rrugën shqiptare për të ecur në rrugën e vendimeve të Katovicës, Thanasi me intuitën e vet ndjeu se demokracia shqiptare po deformohej. Ai filloi të shkruante kujtimet e vuajtjeve të tij në hetuesi e burgje dhe disa artikuj të ngjeshur me idera dhe materiale nga jeta aktuale, për të treguar se dosjet e të përvuajturve ishin të gjalla dhe akuzonin veprimet jo demokratike të qeverisë “Demokratike”.

O Zot! 

Ç’ nuk të dëgjojnë veshët! Fillonte shkrimin Dosjet e gjalla akuzojnë, e më tej vijonte të shprehte pakënaqësinë ndaj realitetit zhgënjyes:

Persekutorët hiqen të persekutuar. Xhandarët e hetimeve janë bërë avokatë. Ne ish të dënuarit politikë, vuajmë shpirtërisht kur shohim se edhe sot në demokraci shumë nga ata që na dënuan janë nëpër poste drejtuese!…

Më poshtë përmendte emrat e disa milionerëve të rinj që shëtisnin me vetura, si prokurori Arqile Kamburi që e dënoi “Grupin e pushtimit të Radio Korçës” me 25 vjet, gjykatësi Kiço Treska që kishte firmosur sa e sa krime, Thanas Caca e Janaq Kapurani që i dolën dëshmitarë fallco grupit Qeleshi-Zguro-Fidani. Në fund ky i përvuajtur e mbyll shkrimin me zemërgjerësi:

Ata janë shumë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, nuk i fusim të gjithë në një thes, por për figurat kryesore të krimeve kërkojmë ndëshkimin e merituar. Se ata përbëjnë rrezik për demokracinë4.   ( Botuar në gazetën Korça Demokratike, viti i II Nr. 15 (31), 29 gusht 1993, f. 1.)

Ky ishte një paralajmërim serioz, që formuloi me intuitën e tij më 1993 ky i dënuar i ndërgjegjes. Ky paralajmërim ka vlera akruale edhe sot, sepse plani Katovica nuk lejonte dge nuk lejon dënimin e krimeve të sistemit komunist. Mirëpo mosdënimi i atyre krimeve nuk është gjë tjetër veçse një krim i ri që po kryhet në Shqipërinë paskomuniste, sepse klasa politike e sotme është pjellë e inkubatorit komunist…

Personalitete të rezistencës antikomuniste si Thanas Ilo Qeleshi, nuk u vunë në pushtet, nuk iu dha ndihma e nevojshme mjekësore, nuk iu dhanë e as u janë dhënë ende titujt e merituar QYTETAR NDERI I KORÇËS, dhe urdhëri NDERI I KOMBIT, por u lanë të shuhen larg vëmendjes së shoqërisë dhe qeverive të kohës.

Thanas Qeleshi u përpoq të hidhte në një fletore të madhe (libër llogarie) disa nga kujtimet e tij. Prej këtyre kujtimeve shkrimtari Sotir Andoni zgjodhi një fragment me titullin Kur më hodhën prangat të cilin e botoi në gazetën Korça Demokratike në rubrikën Këto nuk duhen harruar. Dobësia e shëndetit nuk e lejoi Thanas Qeleshin t’i shkruante të plota kujtimet e tij, të cilat do të ishin një material me vlera të mëdha për peripecitë që kaloi ai dhe shokët e tij gjatë diktaturës.

Thanas Ilo Qeleshi u nda nga jeta më 7 dhjetor 1994, në moshën 65 vjeçare. Ai la dy fëmijë: Mihallaqin të martuar me Efin (Eftiminë) medy vajza dhe Katerinën të martuar me Agron Malollarin me një djalë e një vajzë. Kjo gjendje familjare i krijoi kënaqësitë e fundit këtij babai të përvojtur.

Mirëpo këto dy familje u gjendën në kushte të papërshtatshme në Shqipëri gjatë ngjarjeve tragjike të vitit 1997, prandaj ato kërkuan strehim politik në SHBA si familje të përndjekura. Këtë status ato e fituan dhe u strehuan në vitin 1999 në shtetin Massachusetts, ku vijojnë jetën normale. Fëmijët e tyre tani janë martuar e shtuar dhe kanë arritur suksese të shënueshme, për të cilat mund të shkruhet tjetër herë.

Gazetat e Amerikane kanë shkruar disa herë për familjen e Mihallaq Qeleshit, për të kaluarën e saj dhe për sukseset e këtushëm. Kuse shtypi në Shqipëri nuk i ka kushtuar asnjë faqe vlerave të të pavdekshmit Thanas Ilo Qeleshi dhe as pasardhësve të tij…

Filed Under: ESSE Tagged With: KUNDËSHTOI DIKTATURËN KOMUNISTE, Thanas L Gjika, U PUSHTUA NGA IDEALET KOMUNISTE

EMIGRANTËT E AMERIKËS SILLNIN NË ATDHE KULTURË PUNE DHE RESPEKT NDAJ LIGJIT

April 7, 2016 by dgreca

(Kujtime për tim atë, të ndjerin Ligor Thanas Trebicka / Gjika)
NGA THANAS L. GJIKA/
Mbas viteve 80-të të shek. XIX-të, edhe për mërgimtarët shqiptarë, vendi më fitimprurës u bë Amerika. Këtu puna paguhej më mirë se kudo, kursimet ishin më të mëdha, prandaj shumë shpejt ky vend u bë, si për gjithë europianët edhe për shqiptarët, thithësi kryesor i krahëve të punës. Prej trojeve shqiptare shkonin në kurbet kryesisht shqiptarë toskë nga krahinat e jugut.
Jeta në vend të huaj i detyronte shqiptarët të njihnin e të respektonin rregulla e ligje të reja, më të mira se ato të sunduesit osman. Kështu, vitet e kurbetit shërbenin dhe si shkollë për zhvillimin shoqëror e psikologjik të emigrantëve. Amerika (SHBA), si vendi me i zhvilluar ekonomikisht dhe me ligje më demokratike, u bë shkolla më e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë; së pari, për shkak të kushteve ekonomike e politike më të mira, dhe së dyti, sepse këtu punuan në dhjetëvjetshat e parë të shek. XX-të disa intelektualë brilantë si Sotir Peci, Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, Mihal Grameno, etj, të cilët me punën e tyre i dhanë kolonisë shqiptare një organizim dhe frymëmarrje atdhetare të nivelit më të lartë. 
Shoqëria Panshqiptare VATRA bashkë me gazetën Dielli dhe Kishat Shqiptare luajtë një rol të madh për ndërgjegjësimin e emigrantëve shqiptarë për rolin që ata duhej të luanin lidhur me fatet e atdheut, të shoqërisë dhe të familjes së tyre. 
Im atë quhej Ligor, por në familje dhe në shoqëri i thërrisnin shkurt Goni. Ai u lind ne korrik të vitit 1894 në Trebickë, një fshat malor i Korçës. Në moshën 6-vjeçare ai mbeti jetim. Babai i tij gjatë punës si murator për ndërtim shtëpish në qytetin Kavallë (sot Greqia Veri-Lindore) mori plevit dhe vdiq. Në atë qytet e varrosën. Në prill të vitit 1910 pa i mbushur të 16 vjetët Goni u nis për kurbet bashkë me disa kushërinj të parë. Nga Trebicka deri te Lëndina e lotëve në Korçë e përcolli nëna e tij e cila e kishte djalë të vetëm. Rruga u bë me kuaj nga Korça në Manastir dhe prej atje me tren deri në Hamburg të Gjermanisë. Në Hamburgut këta emigrantë u sistemuan në “qilarët” e një vapori dhe në fund të muajit maj zbritën ne State Island ku, mbasi i kontrolluan mos kishin ndonjë sëmundje ngjitëse, i pajisvn me nga një dokument dhe dolën nga zyrat e doganës. U takuan me kushëririn që kishte dalë për t’i pritur dhe shkuan me tren së bashku në Boston. Goni me kushërinjtë pas disa ditësh shkuan në Concord N.H. ku filluan punë, por dimri i ashpër i detyroi të shkonin vitin tjeter në Seatle Wa. në breg të Oqeanit Paqësor, ku binte vetëm shi, por jo borë. Aty punoi në punë të ndryshme. Shumë vjet punoi në një fonderi çeliku. Në fillim të shatatorit të vitit 1920, kushërinjtë që ishin më të mëdhenj në moshë, e morrën me vete dhe filluan rrugën e kthimit. Në fillim shkuan në Boston, ku morën pasaportat shqiptare prej komisarit (konsullit) Kostë Cekrezi që ua dërgoi sipas porosisë që kishin bërë në Washington D. C. Me vapor shkuan deri në Napoli, prej aty në Bari e nga Bari me një anije më të vogël u hodhën në Vlorë. 
Nga Vlora shkaun me kamion në Leskovik, Ersekë dhe më 13 nëntor 1920 mbërritën në Korçë. Aty kishte shkuar për të banuar nëna e tij me gjithë fisin e saj sepse fshatrat e zonës së Vakëfeve, pra dhe Trebickën, i kishin djegur dy herë andartët grekë më 1914 dhe 1916. Në qytetin e Korçës ai u martua me një vajzë me origjinë nga Trebicka, e cila quhej Meropi, bija e Josif Dokos, edhe ai ish emigrant i Amerikës. Nga kjo martesë u lindën nëntë fëmijë, por jetuan vetëm dy djem e dy vajza: Pandora, Viktori, unë dhe motra e vogël Margarita.
Si bir i këtij emigranti kam përjetuar shumë fakte që dëshmojnë se emigrantët që ktheheshin nga SHBA, sillnin në atdhe kulturë të re jetese, qëndrim të ri ndaj punës, respekt më të madh ndaj ligjeve të shtetit dhe sjellje më të qytetëruar. 
Puna e ndershme nuk është turp
Shqiptari i padalë nga atdheu ka pasur dhe ende ka një psikologji provinciale, ka dëshirë të mburret se është dikushi, se është i rëndësishëm, se kryen punë jo të rëndomta, etj. Në Korçë mbas kthimit të shumë emigrantëve nga Amerika ra në sy se këta njerëz nuk gënjenin kur i pyesje për punët që kishin bërë në kubet, se ata nuk e konsideronin asnjë lloj pune të ulët, të papëlqyeshme, kur ajo ishte punë e ndershme. Për ta çdo lloj pune ishte nder, sado e rëndë ose e thjeshtë a e ulët të qe ajo. Edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste, për këta ish emigrantë ishte e huaj ajo shprehja që kishte lindur në Shkodër A e ndihmove dopak rrogën sot?, me të cilën shkodranët maskonin vjedhjen që i bënin pasurisë së shtetit. 
Kështu im atë, pasi kishte punuar në vitet 1910-1920 në SHBA në shumë lloj punësh si punëtor fabrikash, furnizues peshku, pastrues, shitës, llustraxhi këpucësh, etj, kur u kthye në Korçë nuk e kishte për turp që të kryente çdo lloj pune si punë private mbas orarit të punës shtetërore. Kjo ishte mënyra e tij për të ndihmuar sado pak rrogën e vogël që merrte nga puna shtetërore si murator për mirëmbajtjen e Parkut të Automjeteve. Kur nuk e kërkonte kush për të ndërruar ndonje çati, për të ndërtuar ndonjë avlli, ose për të bërë ndonjë riparim, që ai e quante meremetim, delte nëpër qytet dhe po të shikonte se tjegullat e ndonjë çatie kishin luajtur vendit, ose muri i avllisë së ndonjë shtëpie private kishte bërë bark, trokiste te porta dhe pasi takonte të zotin e shtëpisë i propozonte për ta ndërruar çatinë, për ta rindërtuar murrin, etj. 
Në Parkun e Automjeteve, bashkë me xha Gonin (kështu e quanim në familje baba Ligorin) punonte dhe një marangoz i cili me sharrën elektrike krijonte pluhur druri (tallash) gjatë çarrjes së dërrasave. Im atë me lejën e marangozit mbushte herë pas here nga një thes me tallash që e përdornim në shtëpi për të ngrohur bashkë me drutë që merrnim me triskë. Sasia e druve që na jepej me triskë nuk mjaftonte për të kaluar dimrin, ndërkohë familja jonë nuk kishte të ardhura që të blinte dru te fshatarët, të cilët i shisnin shtrenjt. E kishim bërë si regull që thesin me tallash, xha Goni ta shpinte nga puna e tij te shtëpia e një kushëriri në të hyrë të qytetit, karshi stadjumit të sotëm, kurse unë shkoja në mbrëmje e merrja thesin me një karrocë dore dhe duke ecur nëpër rrugët e Korçës e sillja në shtëpi.
Edhe pasi doli në pension im atë, për të ndihmuar pensionin e vogël, përpiqej të gjente punë të ndryshme private. Më kujtohetse një ditë fundgushti e vitit 1961, kur sa do filloja maturën, mamaja më dërgoi t’i shpija drekën babait tek një shtëpi afër qendrës së qytetit. Kur arrita atje pashë se babai nuk po punonte sipër çatisë si zakonisht, por jashtë shtëpisë, në rrugë. Kishte hapur kanalin e ujrave të zeza që ishte bllokuar nga shtypja e një kamjoni të rëndë. Unë e kisha vajzën e asaj familjeje shoqe klase. Më erdhi turp që xha Goni po punonte atë ditë një punë fare të rëndomtë, punë që kishte mbushur ambjentin me erë të keqe. Sa herë i shpija drekën, unë tregoja interes për punën që ai bënte, madje shpesh rrija dhe e ndihmoja. Ai shkoi te çezma e oborrit, lau duart dy tri herë me sapun deri lart te brryli u ul dhe hëngri bukë me orreks si zakonisht.
Atë ditë, gjatë kohës që ai hëngri drekën, unë nuk shkova te vendi i punës, ndënja kokulur pranë tij dhe sa mbaroi së ngrëni, futa në çantë enët, picetën e lugën dhe i a mbatha drejt e në shtëpi. 
Në mbrëmje babai më pyeti:
-Pate turp ti se unë punova për të pastruar kanalin?
Unë si i turpëruar ula kokën dhe nuk u përgjigja. Ai vijoi:
-Puna e ndershme nuk është turp. Turp është të vjedhësh, të lypësh, të mos punosh, të mos i sigurosh familjes të ardhurat e nevojshme.
Unë për t’u justifikuar shtova:
-Po tani nuk jemi aq keq, Viktori u kthye nga Moska dhe po punon në Kinostudjo. Për Margaritën (motra e vogël e cila ishte nxënëse në shkollën e mesme mjekësore me gjysëm burse) ti nuk do paguash gjë se e paguan Viktori 1000 lekë në muaj. Pandora është mësuese dhe i jep mamasë 3000-3500 lekë për muaj. Prandaj mos puno punë të tilla, merru vetëm me çatitë dhe avllitë.
–Çdo punë e ndershme është Nder mor bir. Puna e ndershme nuk turpëron asnjeri.
Kur po shkonim një herë bashkë për të punuar te një shtëpi, rrugës ai pa dy gozhdë të shtrembëra e të ndryshkura, u shkëput prej meje, shkoi i mori, i shkundi nga pluhuri dhe i futi në xhep. Kur erdhi tek unë, i thashë:
-Bota do thonë se ti mbledh plehra.
-Unë shikoj të bëj punën time dhe nuk më intereson ç’ mendojnë e ç’ thonë bota, më sqaroi babai. Një gozhdë për zanatin tim është mjet pune, nuk është plehrë. Vjen puna që mund të mbetem majë çatisë edhe për një gozhdë. Të mos ulem për tokë për ta marrë një gozhdër, për mua ështe kapadaillëk e unë nuk jam kapadai.
Mos gënje. Gënjeshtra është mëkat.
Jeta nën diktaturën e rëndë komuniste kultivoi tek ne një mbyllje goje edhe kur e shikonim se po shtrembërohej e vërteta. Mirëpo ish emigrantët e Amerikës e kishin të vështirë të mbyllnin gojën kur shikonin se po shkelej e vërteta. Janë të njohura rastet kur Sejfulla Malëshova e Skënder Luarasi, intelektualë të formuar në Amerikë e Gjermani, ngriheshin në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për të mbrojtur të vërtetën, demokracinë, gjë që u kushtoi atyre shumë shtrenjt. 
Këtu dua të përmend një rast se si im atë nguli këmbë për të mos gënjyer edhe pse e vërteta dëmtonte një mundësi fitimi për të.
Në tetor të vitit 1961, xha Goni kishte mbushur moshën 66 vjet dhe qendra e punës vendosi ta nxirrte në pension, ndonëse ai kishte pak vite në punë shtetërore. Ai kishte punuar gjithsej në punë shteti 16 vjet. Ai kërkoi ta mbanin dhe një vit në punë sepse mbas një viti unë mbaroja shkollën e mesme, por nuk ia morrën parasysh kërkesën. Atëhere shkoi te zyrat e Sigurimeve Shoqërore. Nëpunësi i zyrës ishte një i njohuri i tij, ia llogariti vitet e punës dhe i tha se pensioni do t’i delte vetëm 2.600 lekë të asaj kohe, pastaj shtoi: 
–Ti xha Goni ke gruan shtëpijake pa pension dhe dy fëmijë ende nxënës në shkolla të mesme, prandaj unë do të t’i shtoj disa vjet pune shtetërore nga koha e Mbretërisë dhe nga koha e pushtimit fashis. Do të ta regulloj që pensioni të arrijë të paktën 3.000 lekë.
–Jo, jo, iu përgjigj xha Goni, nuk mund ta vjedh governën. Ato katërqind lekë shtesë do t’i kem harram. Më jep pensionin që më përket, pa fëmijët kanë fatin e tyre.
Kështu doli në pension ky ish emigrant me pension të vogël dhe vijoi të përpiqej që të punonte nga pak privat, si pa rënë në sy, duke ndërruar çatitë e duke ndrequr avllitë e qytetit për të jetuar me hallall e nder. Gënjeshtra për të ishte mëkat i madh, sidomos gënjeshtra ndaj shtetit, të cilën e quante vjedhje. 
Emigrantët e pëlqenin punën vullnetare të papaguar
Në Korçë dhe disa fshatra përreth ka çezma, rrugë e objekte të tjera të ndërtuara me punë vullnetare të disa ish emigrantëve a bijve të tyre. Në Drenovë, Mborje, Boboshticë, Dardhë e deri në Treskë e Trebickën e largët janë edhe sot rrugë të shtruara me gurë dhe çezma të krijuara më shumë me punë vullnetare sesa me pagesë, prej ish-vatranëve të riatdhesuar. 
Në kodrat rreth e rrotull Korçës dhe në faqen e malit të Shëndëllisë kanë mbetur si kujtime të bukura disa çezma të bëra me punë vullnetare prej hidraulikut (çezmaxhiut) Mati Luke Stoja, biri i një vatrani nga Trebicka, kushëri i tim eti. 
Në mëhallën e Shën Triadhës më 1973, si kudo filloi puna vulnetare për ndërtimin e shtëpive me punë vullnetare të papaguar. U mblodhën ustallarët e mëhallës, burra pensionistë me në krye usta Lonin, djalin e Vasil Thanas Trebickës, nipi i babait tim, Pano Vodica, Guri Qirici, Rako Niçka dhe im atë, të gjithë ish emigrantë ose bij emigrantësh. Disa burra e djem të rinj bënin naze e mungonin shpesh herë, kurse këta pleq, pa bërë naze, pa u ankuar për moshat e tyre rreth të 80-tave, iu futën punës dhe ndërtuan dy pallate aty mbi rrugën Jorgji Shtika, pallate që janë dhe sot. 
Kur shkoj në Korçë, bëj nga një vizitë te komshinjtë e vjetër dhe kaloj posaçërisht anës atyre pallateve, i shoh me mall, më duket sikur shoh tim atë dhe nipin e tij, sikur llafosem me ta dhe me ustallarët e mëhallës që i njihja…
Kafshën mos e rrih, ajo të kupton, foli.
Një të djelë dimri të viteve 1961-1962, kur isha maturant, babai e unë zbritëm në qilarin e shtëpisë. E kishim zakon, që në dimër prisnim drutë me sharrë sepse ato i shiste shteti të gjata e soba nuk i merrte. Kur u lodhëm, gjatë pushimit desha t’i shprehja babait dashuri e respekt për të, për trajtimin e mirë që më kishte bërë, ndaj i thashë:
-Baba, disa shokë më kanë thënë se i rrahin baballarët kur gabojnë, kurse ti nuk më ke rrahur kurrë, ndonëse dhe unë kam gabuar. Për ty druri nuk ka dëlë nga xheneti?
-Kur isha atje qoftë (kështu i thoshte ai Amerikës), filloi të më sqaronte, shita dhe unë ca kohë banane me një karrocë që e tërhiqte kali. Mirëpo një ditë kali ishte lodhur dhe ndaloi. Donte të çlodhej, a të pinte ujë. Unë i rashë me kamzhik, që të ecte. Një polic, që u ndodh atje pranë, më pa dhe u sul drejt meje. Më gjobiti e më tha:
-Nuk lejohet të rrahësh kalin. Kafsha të kupton, foli dhe mos e godit.
-Kur në Amerikë, mor bir, më gjobitën se godita një kalë, si mund të godas unë pjellën time? Tha ai dhe shtoi: Ata që rrahin fëmijët duhen shpënë në Amerikë që të edukohen, se goditja e fëmijës atje dënohet jo me gjobë, po me burg.
Merru me punët e tua, mos u merr me punët e botës.
Ish emigrantët e kthyer nga Amerika binin në sy dhe për mungesën e një zakoni, prej të cilit vuanin shumë shqiptarët e padalë nga atdheu. Këta, sidomos gratë, merreshin shumë me thashetheme, gojosnin e komentonin punët e të tjerëve. Të tilla thashetheme për ta ishin si ushqim shpirtëror. Kurse ish emigrantët nuk tregonin asnjë interes se me se merrej ky ose ai, si e sa e kishte blerë këtë ose atë gjë, etj.
Një herë, erdhi e Vangjelit, komshia jonë, dhe si pa të keq, pasi i dha mamasë sime plackën që i kishte marrë hua, nuk u largua, po filloi të tregonte se kishte parë Andonin, komshiun përkarshi, me dy torba, njërën me mollë e tjetrën me zarzavate. Pas kësaj shtoi:
-Infermjerët kanë zanat të mirë. Ja Andoni u bën gjëlpëra të sëmurëve nëpër shtëpitë e tyre dhe merr shpërblim, herë lek, herë prodhime në natyrë. 
-Po mëso të bësh gjëlpëra dhe ti moj e Vangjelit që të fitosh si Andoni. Pse rri në shtëpi, kursi për infermjerë është i hapur, i tha im atë dhe si për t’i thënë mjaft, shtoi:
-Merru me punët e tua, mos u merr me punët e botës.Kështu na e nguli ai në kokë mesimin qe te mos merreshim me punet e te tjereve, po te merreshim me punet tona.
Nostalgji për Amerikën.
Ishte e natyrshme që ish vatranët, pasi kishin jetuar shumë vite të rinisë së tyre në SHBA, gjatë viteve të diktaturës, të manifestonin një nostalgji për vendin ku kishin kaluar vitet më të bukura të jetës së tyre, për atë vend ku kishin punuar rëndë por ishin paguar mirë, për atë vend ku kishin shijuar lirinë dhe bollekun. Këtë ata nuk përpiqeshin ta fshehnin. Të djelave, sidomos gjatë dimrit, kur nuk kishin punë, sejcili vishte rrobat që kishte sjellë nga Amerika dhe shkonte për vizitë te shokët, ose në ndonjë klub. Sejcili e kishte nga një pallto gube e disa kostume të leshta me ngjyra të ëmbla, kafe, blu, bezhë dhe me pantallona të ngushta. Vinin në xhepat e jelekut orët e florinjta të xhepit me qostek, ngjeshnin në kokë ato kapellat republikë dhe unazat e florinjta në gishta. Mbathnin këpucët me majë dhe delnin nëpër qytet, sikur donin të sfidonin diktaturën e politikën e partisë që kërkonte t’i vishte qytetarët me rroba e kapela doku. 
Kur fillonin të pinin kafet, më i moshuari fillonte urimin: 
–Hajde, e me një paqe dhe u hapshin udhët!
-Amin, përgjigjeshin të tjerët.
Një ditë e pyeta tim atë: more po ne jemi në paqe, çfarë paqe uroni ju?
-Paqe i themi asaj të kohës së Zogut, kur një kapter policie të jepte passaportën me të cilën mund të shkoje për vizitë në Jugosllavi, Greqi, Itali, dhe për në Amerikë mund të aplikoje llotarinë…
Me atë urim ata tregonin se nuk pajtoheshin me ndarjen e botës në dy kampe armiqësore, me izolimin e Shqipërisë…
Ndjesë paçin vatranët e vjetër, që i dhanë familjeve të tyre një mendësi të re e na edukuan me dashuri për punën, me respekt për ligjin. Me dashuri ndaj punës dhe respekt ndaj ligjit e edukuan popullin shqiptar të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Sërbisë gjithë ata shqiptarë që shkuan e u kthyen nga emigracioni në Gjermani, Zvicër, Belgikë, SHBA e kudo gjatë kohës së Jugosllavisë së Titos.
Sot, kur fenomeni i emigracionit është bërë dukuri mbarëkombëtare, kam shpresë se kudo ku ka emigrantë shqiptarë po zhvillohet ai procesi i ndërgjegjësimit më të madh ndaj punës dhe ligjit, si ndodhte dikur me emigrantët tanë, modelet e qytetarisë moderne.

Filed Under: ESSE Tagged With: EMIGRANTËT E AMERIKËS SILLNIN NË ATDHE, KULTURË PUNE DHE, NDAJ LIGJIT, respekt, Thanas L Gjika

ROLI I FAIK KONICËS NË GAZETARINË DHE LETËRSINË SHQIPTARE

March 31, 2016 by dgreca

NGA THANAS L. GJIKA/*
Faik Konica është një ndër figurat më të shquara të historisë, të letërsisë dhe të kulturës sonë kombetare. Me formimin e tij solid, me talentin e spikatur dhe me punën e palodhur dhe të shumanshme, ka kontribuar për formimin e kulturës sonë kombetare me fizionomi europiane që nga viti 1895, kur u diplomua në Dijon të Francës, deri më 1942, kur i mbylli sytë në Boston MA( SHBA).
Revista Albania shkollë e gazetarisë shqiptare
Revista Albania, të cilën Faik Konica e themeloi në nëntor të vitit 1896 dhe filloi ta botonte në mars të vitit 1897, doli nën kujdesin e tij në shqip, frëngjisht e turqisht deri në shkurt 1909 në Bruksel e Londër. Ky koleksion me rubrikat e shumta publicistike, letrare, historike, etnologjike, sociologjike, gjuhësore, etj, të shkruara kryesisht prej penës brilante të editorit, përbën kryeveprën ose veprën monumentale të Faik Konices. Asnjë studim shkencor me synime serioze nuk mund të bëhet për periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare në çdo fushë të saj pa shfrytezuar koleksionin e kësaj reviste. E themi këtë sepse kjo revistë në saje të aftësive të drejtorit luajti rolin e tribunës me të rëndësishme politike, kulturore e letrare të botës shqiptare. Në faqet e saj u afruan dhe botuan në të dy dialektet kryesore të shqipes shumica e talenteve të reja të kohës nga të gjitha trojet shqiptare dhe të gjitha kolonitë shqiptare. Ajo u bë urra më e rëndësishme për lidhjen e kulturës dhe të politikës shqiptare me atë evropiane bashkëkohore.
Revista Albania me problemet që trajtoi me llojet publicistike që lëvroi, me stilin letrar e gjuhën e përpunuar u bë një shkollë e vërtetë e gazetarisë shqiptare, kurse Faik Konica, mësuesi kryesor i saj. Aty debutuan së pari dhe u stërvitën Visar Dodani, Mit’hat Frashëri, Shahin Kolonja, Fan Noli, Gjergj Fishta, Filip Shiroka, Mihal Grameno, Hil Mosi, etj, etj, shumë prej të cilëve nxorën pastaj organet e tyre të shtypit, duke pasur per model pikërisht shkrimet e revistës Albania. Në faqet e kësaj reviste Konica, jo vetëm konsolidoi dhe e ngriti më tej nivelin e artikullit, lajmit, fejtonit, kryeartikullit, pamfletit, shënimit, që  kishin lëvruar para tij, Jeronim de Rada, Anastas Kullurioti, Nikollë Naçua, etj, por levroi i pari disa lloje të tjera të publicistikës si portretin, peisazhin, skicën, komentin, etj…
Në drejtim të poetikës dhe të etikë së gazetarisë Faik Konicën e ndihmuan talenti i
tij i lindur, shijet estetike, kultura e tij e gjerë e fituar në shkollat më të mira të kohës, leximet e shumta në disa giuhë të huaja, si dhe përvoja jetësore familjare, personale dhe shoqërore. Falë këtyre të dhënave, ai arrti të bëhej shumë shpejt një mjeshtër i përdorimit të figurave letrare dhe i zbulimit të karaktereve dhe situatave komike. Talenti i fuqishem, kultura poliedrike dhe e thellë, si dhe atdhedashuria e zjarrtë, bënë që nga pena e tij të delnin shkrime të fuqishme të qarta për nga idetë dhe të bukura për nga forma, të cilat lexoheshin e lexohen edhe sot me ëndje të veçantë.
Koleksioni 12-vjeçar i revistës Albania, me 126 numërat që u botuan gjatë viteve 1897-1909, nuk ka si të mos quhet një vepër e plotë dhe komplekse e Faik Konicës. Brenda këtij koleksioni ka me dhjetra vepra të plota, si poezi, skica, portrete, artikuj, etj, etj, të shkruara prej editorit të revistës. Për këtë arsye, thënia e Nolit: Faiku nuk na la asnjë vepër të përfunduar duhet quajtur e nxituar, ose thjesht shaka e papeshuar mirë. E quajmë thënie të nxituar ose shaka e papeshuar mirë, sepse Noli na ka vënë vetë në dijeni se kur ishte në Egjipt në vitin 1906 kishte lexuar te shtëpia e Spiro Dines gjithë koleksionin e deriatëhershëm të revistës Albania. Ai gjithashtu i kishte lexuar gjatë vitit 1922 dhe tregimet e gjata humoristike Katër përralla nga Zululandi, nuk ka pse të mos i konsideronte vepra të plota. Prandaj mendojmë se më 1962, kur Noli e formuloi atë shaka, ka pasur parasysh faktin që Konica, si autor i talentuar, nuk la vepra të gjata letrare të plota, si romane, poema dhe drama origjinale, ose të përkthyera.

Faik Konica themelues i prozës moderne sbqipe.
Që nga viti 1897 kur filloi të publikonte skicat, portretet, tregimet e shkurtra dhe deri në fund të viteve 20-të të shekullit të XX-të, kur botoi në gazetën Dielli tregimin Katër përralla nga Zululandi (1922), romanin Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit (1924), të cilin edhe pse e kishte përfunduar, nuk e botoi të gjithin, dhe reportazhin e gjatë Shqipëria si m’ u duk (1929), Faik Konica mund të
themi se u afirmua si shkrimtari ynë më i mirë i prozës së shkurtër dhe të gjatë shqipe të kohës. I krahasuar me lëvruesit e tjerë të prozës së shkurtër shqipe gjatë Rilindjes si Konstandin Kristoforidhi, Lumo Skendo, Asdreni, Mihal Grameno, Milo Duo, Hil Mosi, Nuçi Naçi, Papa Kristo Negovani, etj, si dhe me lëvruesit e prozës së gjatë letrare si Dom Ndoc Nikaj, Mihal Grameno, Foqion Postoli, Andon Frasheri, Sterio Spase, Mehdi Frasheri dhe romancierë të tjerë të tre dekadave të para të shekullit të XX-të, Faik Konica qëndron në një nivel më të lartë artistik, për nga ndërtimi kompozicional i veprës dhe për krijimin e personazheve, për gjuhën, figuracionin, etj. Konica u shqua jo vetëm për pastërtinë dhe pasurinë e gjuhës, por dhe për koncizitetin dhe elegancën e stilit, perdorimin mjeshteror të gjuhës si mjet për individualizmin e personazheve. Gjuha e prozës së Konicës duke qenë gjuhë e veprave realiste, rrjedh natyrshëm. Personazhet e tij shprehen dhe kuvendojnë si në jetën e perditshme dhe jo me një gjuhë të kërkuar letrareske si flasin personazhet në veprat e letërsisë romantike.
Përmes forcës së talentit të vet Faik Konica, ndonse ishte larguar prej atdheut që në rininë e hershme, mundi t’ia bëjë autopsinë shoqerisë shqiptare të viteve 20-të të shek XX-të më mirë se bashkëkohësit e tij që jetonin brenda vendit.
Mesazhi ideor i këtyre veprave konsiston në luftën për të demakuar mentalitetin
prapanik që sundonte në Shqipërinë e asaj kohe. Ky mesazh nuk transmentohet përmes lotëve, si bënin shkrimtarët sentimentalistë, as përmes patosit të ngritur emocional plot deklaratizëm, si bënin shkrimtarët romantikë, por përmes vënies së gishtit në plagët reale të shoqerisë shqiptare për të cilën prozatori Konica synonte një jetë më të mirë. Pikërisht duke treguar se dashuria ndaj atdheut dhe popullit mund të shfaqej jo vetëm duke ekzaltuar të kaluarën heroike, si kishin bërë shumica e rilindasve, por edhe duke zbuluar të vërtetën e hidhur, duke kritikuar gjendjen reale, me qëllim që të luftohej për përmirësimin e saj, Konica krijonte njëherazi mendësinë moderne të të menduarit dhe prozën letrare moderne shqipe. Kështu Konica shpinte përpara letërsinë tonë realiste të filluar para tij prej Andon Zako Çajupit me botimin e veprës Baba Tomori (1902), prej M. Gramenos me komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe (1905) dhe skicat e portretet e viteve 1908-1923, prej At Gjergj Fishtës me këngët e poemës Lahuta e Malësisë (1902-1909) dhe përmbledhjes satirike Gomari i Babatasit (1923), prej Dom Ndre Mjedës me vëllimin poetik Juvenilja (1917), prej Asdrenit me vëllimin poetik Endrra e Lotë (1912), etj, etj.
E veçanta e Konicës është se ai e konsolidoi realizmin si metodë krijuese në prozën letrare shqipe, metodë e cila do të bëhej shkolla sunduese e letërsisë sonë në vitet 30-të të shek. XX-të me tregimtarë të talentuar si Ernest Koliqi, Migjeni, Mitrush Kuteli, Nonda Bula, etj.
Nismëtar i kritikës letrare shqipe
Në fushën e kritikës letrare Faik Konica është ndër kritikët e parë letrarë tek ne. Penës së tij i takojnë panoramat e para për zhvillimin e letërsisë sonë dhe kritikat e
para për vepra të veçanta. Ai të çudit me njohjen e gjerë të procesit historik letrar shqiptar që nga autorët e vjetër deri te krijuesit bashkekohore, në një kohë kur ende nuk ekzistonte asnjë histori për letërsinë shqipe. Shënimet dhe esetë e tij në këtë fushë janë me shumë shije dhe bien në sy për formimin e tij teorik në aspektin estetik.
Si kritik letrar Konica të bën për vete me aftësinë dhe intuitën e tij për të kapur e venë në dukje të veçantën, tiparet individuale të çdo autori e vepre për të cilin shkruan.     Duke folur për veprën e Jeronim De Radës ai ngre lart poemën Këngët e Milosaos për figuracionin e saj.
Midis veprave të Naim Frashërit, poezitë e përmbledhjes Lulet e veres, i quan gracioze dhe të freskëta. Me rastin e vdekjes së Naimit (1900), Faiku shkroi portretin më të goditur, një himn të vërtetë për poetin, duke e vleresuar si njeri, si atdhetar dhe si poet të talentuar. Midis tjerash ai arsyeton: …detyra t’u hapij sytë botës e shtrëngojin të mos ngiitej më sipër se kuptimi i popullit të Shqiperise. Pra, sipas Konicës ky poet kishte forcë talenti për të hartuar vepra me nivel shumë më të lartë artistik, por që utilitariteti dhe atdhetaria nuk e lanë të ngrihej në nivelet që ai mund të ngrihej për nga forma artistike.
Konica e rendit At Gjergj Fishtën ndër poetët me vlera të njëmendëta artistike dhe si prijës intelektual.
Filip Shirokën e quan poet kombetar mbas shestjes së Naim Frasherit, autor të soneteve tingelluese.
A.Z. Cajupin e vlerëson për ngjashmërinë me poezinë popullore dhe përkthimin e frymëzuar të Përrllave të La Fontenit, etj.
Duke mos e ndjekur nga afër zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqipe që zhvillohej në atdhe, mendojmë se Konica i ka njohur pak, ose nuk i ka njohur fare veprat
e Lasgush Poradecit, Migjenit, Mitrush Kutelit, Ernest Koliqit, etj të cilët nuk i ka përmendur as në veprën Shqiperia: Kopshti shkembor i Evropes Jug-Lindore, të cilën e
hartoi më 1939. Nga shkrimtarët që ka dashur dhe ka vlerësuar më shumë Konica, është Fan Noli.
Për këtë autor, ai theksoi që më 1910: Fan Noli të kujton klerikët e Rilindjes italiane, kurse më 1939 e cilësoi shkrimtarin më të madh të kohës për veprën Historia e Skenderbeut dhe për perkthimet e goditura të veprave të William Shakespeare-it, të Rubaive të Omar Khajam-it, të romanit Don Kishoti të Miguel de Servantes-it dhe të disa poezive nga letërsia amerikane. Si njohës i mendimit teorik, por dhe i procesit praktik të krijimtarisë letrare, Faik Konica i përmblodhi si askush shkurt parimet themelore të hartimit të veprave letrare, publicistike she eseistike në shkrimin Lutje per shkrimtarët, ku nënvizon se duhet shkruar vetëm për gjëra me vlerë, mbasi të jetëe bërë një punë këmbëngulëse për njohjen e çështjes për të cilën do të shkruhet me paanësi (nënkupto: me objektivitet dhe larg politizimit- Th. Gj) dhe me giuhë të pastër e të bukur. Parime këto të vlefshme edhe për çdo krijues të ditëve tona.

I jemi borxh Faik Konicës
Me sjelljen e eshtrave të Faik Konicës në atdhe vihet në vend amaneti i tij, por ne ia kemi borxh vlerësimin sa më të plote të vlerave këtij talenti, i cili me aq sa njohim deri sot, është padiskutim krijuesi i mendësisë moderne shqiptare, i mendësisë europiane, ku duam të shkojmë. Mirëpo që të mund ta studjojmë dhe vlerësojmë në mënyrë të plotë këtë figurë poliedrike të Rilindjes e pas saj, na duhet së pari të mbledhim e të botojmë veprën e tij të plotë. Gjetja, grumbullimi dhe botimi i kësaj vepre kërkon punë të përkushtuar, dashuri e pasion ndaj atij që shkriu jetën dhe pasurinë e vet për të mirën e popullit dhe të atdheut. Kur ta kemi realizuar një botim sa më të plotë e sa më shkencor të veprës së Faik Konicës, atëhere kuvendimi i tij me popullin e vet do të jetë i giallë dhe përfitimi ynë do të jetë i madh…
(Botohet me disa korrigjime të pakta në krahasim me variantin e botuar në gazetën Rilindja Demokratike, Tiranë, 4 maj 1995, f. 2)

*Shënim: Federata atdhetare Vatra e shpalli vitn 2016 Viti Konica me rastin e 120 vjetorit të themelimit të revistës Albania. Ajo mori përsipër që gjatë këtij viti të ndihmojë financiarisht botimin në gjuhën shqipe të dy romaneve të panjohur të Faik Konicës, shkruar më 1908 frëngjisht. Këto dy vepra të plota letrare i zbuloi, i përktheu dhe i pajisi me një hyrje të gjerë studjuesi Fotaq Andrea. Gjetja e këtyre dy romaneve të hartuar frëngjisht prej Konicës është një tjetër fakt që tregon se Faik Konica e pati aftësinë dhe vullnetin të na linte vepra të plota letrare me dimensione të gjata si romani.

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE LETËRSINË SHQIPTARE, I FAIK KONICËS, NË GAZETARINË, ROLI, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT