• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NUK IU NËNSHTRUA DIKTATURËS SË EGËR, LUFTOI SI ASKUSH TRANZICIONIN MASHTRUES

March 25, 2016 by dgreca

(Ese kushtuar të përndjekurit dhe analistit Eugjen P. Merlika)/

Nga Thanas L. GJIKA/
Eugjen Merlika, midis të përvuajturve të diktaturës komuniste është një shembull i qëndresës burrërore ndaj përvuajtjeve të saj, kurse midis analistëve të pas vitit 1991 është një shembull i mprehtësisë që zbuloi dhe luftoi tranzicionin mashtrues.
Jeta e tij deri më 1990 është e ndryshme prej të përvuajturve të tjerë. Ai shkoi në internim që foshnjë 2 vjeç dhe në vitin 1991, kur ishte 47 vjeç u aktivizua me penë për demokratizimin e jetës e të politikës shqiptare me një mprehtësi të veçantë. Pa pasur arsimin e lartë si shumica e atyre që u aktivizuan në median e kësaj kohe, ai luftoi si forcë e pavarrur për ecurinë e Shqipërisë drejt demokracisë së vërtetë. Ky intelektual e kishte marrë formimin e tij në kushte shumë të ndryshme dhe shumë të vështira në krahasim me të tjerët. Ai është bashkëmoshatar i diktaturës shqiptare, deri në vitin 1991, jetoi nëpër kampet e dëbim-internimit dhe provoi burgjet e Spaçit e të Zejmenit. Ai mundi të kryente me disa ndërprerje shkollën 7-vjeçare e atë të mesme, duke lexuar e shkruar detyrat shkollore mbi krevat dhe mbi gjunjët e tij pranë një llampe me vajguri, pa pasur kurrë një tavolinë shkrimi, një abazhur, radio, makinë shkrimi, kompiuter, televizor, etj. Formimin e tij ai e mori me punën këmbëngulëse autodidakte përmes leximeve dhe dëgjimit me vëmendje të bisedave të gjyshes, nënës, babait, xhaxhait dhe të të dënuarve të tjerë, klerikë e profesorë. Bisedat me të tillë njerëz i vlejtën atij më shumë se leksionet që patëm marrë ne në universitete.
Deri në qershor 1991, kur i kishte kaluar të 47-at, atij nuk i ishte lejuar të shkruante ndonjë artikull, analizë, kujtime nga jeta, etj. Mirëpo kapitullimi i diktaturës i dha Eugjenit të drejtën e të qenit qytetar i lirë, të cilën ai po e shfrytëzon me përkushtim të lartë qytetar. Në situatën e re ai përveç punës për të mbijetuar iu përvesh punës intelektuale për të kontribuar në emancipimin e shoqërisë shqiptare me gojë dhe me shkrim. Shkrimet e viteve 1991-2004, të botuara në organe të ndryshme, ai i mbodhi në librin e parë Elegji për brezin tim SEJKO, 2005, 285 f.; kurse shkrimet e hartuara më vonë dhe disa të zgjedhura prej vëllimit të parë i botoi në librin e dytë Përsiatje… OMSCA-1 2011, 388 f. Këto dy përmbledhje bashkë me shkrimet që ai vijon të hartojë e botojë deri sot, të cilat do t’i botojë së shpejti në një përmbledhje të re, janë vepra me vlera të shumanshme ku bie në sy lirizmi në rrëfime e përshkrime ngjarjesh dhe analiza e thellë në shkrime problemore. Aty lexuesi njihet nga afër me jetën dhe punën e rëndë të të dënuarve në kampet e dëbim-internimit, ku orari i ditës së punës fillonte në tre të mëngjezit me apelin e stërzgjatur dhe mbaronte në gjashtë të mbrëmjes, gjithnjë në prani të policëve të armatosur.
Në fillim kampet e dëbimit u konceptuan nga partia shtet si kampe të shfarrosjes së armikut të klasës, prandaj sot kur të dënuarit, që kanë mbetur gjallë, kërkojnë shpërblim për vitet e vuajtjes në kampin e Tepelenës për vitet 1949-54, u thuhet se nuk ka dokumenta për ekzistencën e atij kampi…
Si të ishte penë e një shkrimtari të stërvitur, pena e Eugjenit jep përshkrime emocionuese për punën dhe jetën e mundimshme plot fyerje të të dënuarve në kampet e internimit dhe në ato të punës së detyruar, ku nënat i linin fëmijët të lidhur në djepe tërë ditën dhe kur ktheheshin në mbrëmje, disa i gjenin të vdekur. Skena që të kujtojnë tregimin e Migjenit Bukuria që vret. Fëmijët që i shpëtonin vdekjes rriteshin si qënie pa ëndërra, pa të ardhme, sa që shumë prej tyre nuk dinin, a duhej t’i falenderonin prindërit që i patën sjellë në jetë, apo t’i qortonin për faktin se i kishin sjellë në një jetë aq të mundimshme.
Ushqimi për gjithë ditën ishte shumë i pakët: bukë misri me gramaturë që nuk të ngopte, një tas me çaj e pak sheqer për mëngjez, një tas me supë bollguri plot krimba për drekë dhe pak gjizë e çaj për darkë. Për të plotësuar disi ushqimin njerëzit detyroheshin të mblidhnin në pyll lende lisi e barëra të ngrënshme. Në përbërjen e gjakut të popullit shqiptar deri më 1991 mungonin shumë vitamina e proteina, por këtyre njerëzve përveç mungesës akoma më të theksuar të vitaminave e proteinave në gjak, u mungonin edhe lëngjet në trup. Ata dalloheshin prej së largu për dobësinë fizike, prej së cilës disa vijojnë të vuajnë ende sot, si viktima të asaj jete.
Të dënuarit u mësuan me mungesat dhe kushtet e rënda të jetës, por, tregon autori, më torturues ishte presioni psikologjik për t’i mbajtur ata nën presionin se do t’i arrestonin e burgosnin, jeta nën frikën e spiunllëkut prej bashkëvuajtësve a bashkëfshatarëve. Ai përmend arrestimin, gjyqin dhe burgun që pësoi ai si pasojë e spiunimit të një bashkëvuajtësi, më tej tregon për mbledhjet e detyruara të fshatarëve, ku i nxirrnin para sallës dhe duke i pështyrë, i demaskonin me shpifje si armiq që donin të përmbysnin pushtetin e popullit, që donin të sabotonin prodhimin, etj, etj. Të tilla poshtërsira i ndërpriste më në fund i deleguari i partisë, i cili për të treguar “zemërgjerësinë” e partisë, thoshte se nëna parti i falte, por ata duhej të punonin kokulur. Të tilla shfaqje poshtëruese skenoheshin me qëllime djallëzore: nga njëra anë ato trembnin fshatarët për të jetuar si pula të lagura; nga ana tjetër fyenin kundërshtarët politikë të rregjimit.
Mirëpo drejtuesit e diktaturës së proletariatit, shton Eugjeni, nuk kuptonin se sa miopë po tregoheshin me këtë politikë poshtërimi. Ata po shkatërronin tiparet e karakterit të shqiptarit, tipare si mikpritja, mbrojtja e të dobtit, ruajtja e fjalës së dhënë, besimi tek Zoti, etj, etj. Duhej të vinte shëmbja e diktaturës që të zbuloheshin dëmet e mëdha që i pati shkaktuar sistemi diktatorial karakterit të popullit shqiptar:
Shqiptari, që nuk e kishte braktisur kurrë me dëshirën e vet atdheun, por kishte praktikuar vetëm kurbetin sezonal ose atë disavjeçar, tani mori nga sytë këmbët, u shpërngul me kuç e me maç dhe u turr drejt botës së lirë si qeni i lëshuar nga zinxhiri.
Shumë shqiptarë, si ata që mbetën në atdhe dhe ata që u shpërngulën përvehtësuan si zanat vjedhjen, për të kapërcyer gjendjen shumë të varfër në të cilën ishin katandisur gjatë shpronësimeve të pafund të diktaturës. Shumë të tjerë filluan të merren me ushtrimin e blerje-shitjes së drogës, të prostitucionit, të kalimit klandestin të njerëzve, pa menduar për dëmin që u shkaktonin viktimave.
Analizat që u bën autori shumë ngjarjeve të mbas 1991-it dëshmojnë për pjekurinë e tij, për shpirtin human, për superioritetin që ka njeriu i edukuar me besimin tek Zoti, me idenë se një ditë do të japë llogari për gjithçka bën e thotë.
Eugjen Merlika jeton me shqetësimet dhe problemet e brendshme dhe të jashtme të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, në Shqipëri, Kosovë e gjetkë. Atë e bën të vuajë çdo lajm i keq për popullin e tij dhe e gëzon çdo lajm i mirë. Po aq i ndjeshëm është ky autor edhe për problemet madhore të njerëzimit. Ai vuan dhe e dënon terrorizmin e terroristët që shkatërruan kullat binjake më 11 shtatorit 2001 e shkaktuan masakra të tjera më vonë, deri në ditët tona.
Analizat e thella të fenomeneve shqiptare, përshkrimet plot dhimbsuri për njerëzit, hymnet që u thurr ai dy gjyshërve të tij dhe nënës së vet, përvujtneshës së madhe Helena, pa kërkuar hakmarrje e shpagim, por vetëm duke kërkuar drejtësi e ndreqje të karakterit të shqiptarit, janë dëshmi e superioritetit të formimit mendor e moral të tij. Tematika e trajtuar prej këtij analisti është shumë e gjerë. Leximi i veprave të tij të mbush mendjen se një njeri i përvuajtur si Eugjen Merlika ka kaluar një shkollë të lartë të persosjes shpirtërore, se ai është shenjtëruar gjatë atij kalvari dhe mund të mësohet shumë prej shkrimeve të tij dhe bisedave me të.
Kurajua civile është një tipar dallues i këtij autori. Ai i drejtohet me letër presidentit Mojsiu për padrejtësinë e shpërblimit të pabarabartë për vitet e dënimit të Fatos Nanos dhe të dënuarve të diktaturës. Ai demaskon z-njën Nexhmie Hoxha për intervistën që i dha gazetarit italian A. Purgatori në gazetën Corriere della Sera ku me paturpësi ajo theksonte se në kohën e saj nuk kishte skafistë. Merlika i përgjigjet se ajo nuk duhet të harrojë se në kohën e saj pasuria e popullit u shkri për ndërtimin e 600.000 bunkerëve, për rrethimin e vendit me tela me gjemba, për të paguar brenda e jashtë vendit puthadorët që propagandonin se Shqipëria ishte një eldorado, etj, etj.

E vërteta e tranzicionit shqiptar
Kulmin e vet aspekti analitik dhe kurrajoja qytetare e autorit Merlika e arrin në artikullin e gjatë Mashtrimi i Madh, botuar në të dy përmbledhjet e para. Ky shkrim është kryevepra analitike e tij, ku ai sulmon guximshëm mashtrimin që na qorrollepsi gjatë viteve të quajtura tranzicion. Autori padit me të madhe dhe ia çjerr maskën projektuesit të Katovicës shqiptare, Ramiz Alisë, i cili në vitin 1989 parashtroi para plenumit të KQ të PPSh projektin e tij për kapërcimin e Shqipërisë nga sistemi njëpartiak diktatorial në sistemin shumëpartiak, nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut. Me citate konkrete autori tregon se Ramiz Alia pranoi humbjen dhe sugjeroi tërheqjen, por thuri e vuri për zbatim një plan mashtrues për zbatimin e një loje politike djallëzore duke futur njerëzit e ish-diktaturës në të gjitha partitë politike dhe shoqatat me qëllim që Shqipërinë e nesërme ta gëzonin, si po e gëzojnë, bijtë e nomenklaturës komuniste me besnikët e saj.
Ky shkrim zbulon faktin se dhe partitë opozitare e kanë pasur të kufizuar ecurinë e tyre drej së djathtës. Zbulon shkakun pse prona nuk ka shkuar ende tek i zoti, pse sot dekorohen me medalje të larta ish sigurimsa e shërbëtorë të diktaturës së djeshme, pse nuk emërohen në poste drejtuese të përndjekurit politikë, pse nuk u dënua krimi komunist, pse nukshpërblehen për vitet e burgut të dënuarit e kohës së diktaturës si u shperblye Fatos Nanoja për vitet e burgut që bëri në vitet e tranzicionit në kushte komode dhe pa kryer punë të detyruar, pse nuk gjejnë punë në atdhe të rinjtë shqiptarë që kualifikohen jashtë shtetit, pse nuk u krijua kuadri ligjor për thithjen e kapitaleve të huaja, pse nuk funksion shteti i së drejtës, pse nuk u krijuan modelet e institucioneve të pavarur, etj, etj.
Shkrime të Eugjenit janë botuar në gazeta të shumta si Bota Shqiptare, Illyria, Dielli, Bota Sot, Java Gazeta 55, Tema, Shekulli, Gazeta Shqiptare (shtojca Milosao), Shkodra, Pishtari, Shqiptari i Italisë, Metropol, Mapo, Standart, etj.
Për të dhënë shembullin e vet si politikan i veprimit, ai shkoi në atdhe ku nga dhjetori 1995 deri në qershor 1996 u përpoq për krijimin e një force alternative politike ndaj dyshes zotëruese PD – PS që përfaqësonin keq ose nuk e përfaqësonin fare pjesën e shoqërisë së përndjekur. Përpjekjet e bëra nëpërmjet projekit E Djathta e Bashkuar, nuk dhanë rezultate, sepse përfaqësuesit e së djathtës së vërtetë ishin lënë pa përkrahje, pa asnjë pushtet dhe nuk u jepej hapësirë jetike prej asnjë partie politike, por edhe për faktin se ata u instrumentalizuan nga pushteti e nuk arritën të kuptonin se duhej të ishin të bashkuar edhe në luftën politike për demokracinë shqiptare, ashtu si kishin qenë në burgjet dhe kampet e interrnimit gjatë diktaturës. Për fat të keq në median shqiptare është konsoliduar mendimi se Partia Demokratike dhe Partia Republikane e përfaqësojnë të djathtën dhe luftojnë për idealet e saj, kur në fakt ato nuk u japin poste drejtuese bijve të së djathtës dhe ndjekin një politikë të djathtë të kufizuar. Mjafton të kujtohet mbrojtja që i bëhet edhe sot ligjit 7501, pa mbajtur parasysh pronësinë e vjetër.
Autori në disa shkrime sqaron se shoqëria shqiptare e humbi rastin historik për të ecur si duhej mbas shkërmoqjes së diktaturës, sepse idealistët e vërtetë nuk mundën ta kapnin skenën politike. Me kurajë ai shton se brezi i tij, pra dhe i yni, pavarësisht nga bindjet politike duhet të pranojë me ndershmëri se i përket një brezi të humbur, i cili duhet të tërhiqet nga skena politike sepse roli i këtij brezi mbaroi, Në skenë duhet të vijë brezi i ri, i cili nuk duhet të përsërisë gabimet tona, të luftojë me tiraninë dhe mashtrimin edhe sikur t’i duhet sakrifica supreme.
Sot mbas 16 vjetësh nga hartimi i shkrimit “Dy shpirtrat – bisedë e përfytyruar me Atdheun tim, ku autori e quante si të vetmen shpresë të ringjalljes së Shqipërisë ndërrimin e brezave, besojmë se nuk është i bindur se shpresa e tij u sendërtua. Çështja mendojmë se nuk qëndron thjesht në ndërrimin e brezave, por në ndërrimin e pushtetarëve të korruptuar me njerëz të ndershëm dhe që nuk kanë lidhje me ish pushtetarët komunistë, pavarësisht se cilit brez i përkasin.
Eugjen Merlika është aktivizuar dhe si kritik letrar. Ai ka nxjerrë përmes analizave kritike me profesionalizëm vlerat e shumë veprave si memuaret e At Zef Pëllumbit, veprave publicistike të Don Lazër Shantojës, romaneve të Makensen Bungos, Visar Zhitit, Pëllumb Kullës, Lekë Tasit, Agim Hamitit, librit të Aldo Maria Terrusit, Fatbardha Mulleti Saraçit, Alfred Lelës, e veçanerisht me shumë dashuri e vlerësim të lartë për veprën e djaloshit filozof, të ndjerit Atjon Visar Zhiti. Tani vonë ai ka përgatitur për botim librin me poezi Fluturës, të së ndjerës Elena Mirakaj Luli, e cila frymezimin e saj e derdhi në letër duke e lënë si trashëgim të vlerave të saj. Në këtë drejtim bën përshtypje fakti që ky studjues, me pak perjashtime, trajton në shkrimet e tij kritike, jo emrat e njohur të letërsisë zyrtare shqiptare të 70 viteve të fundit, por ata të letërsise së lënë në hije. Kam pershtypjen se autori tërthoraz do të thotë se duhet bërë ende shumë për të ndriçuar plotësisht vlerat letrare e artistike të shoqërisë shqiptare.

Mirënjohja ndaj gjyshes dhe nënës
Në jetën e tij fëminore plot vuajtje nëpër kampe rrethuar me tela me gjëmba e policë të armatosur Eugjeni kishte dy engjëj mbrojtës. Gjyshen nga babai, një burneshë krutane dhe nënën Elena një shenjtore që e mbronte me lutjet e saj drejtuar Zotit. Të dyja këto figura zenë vend në disa shkrime mbushur me mirënjohje pa kufi për bëmat e tyre në mbrojtjen dhe edukimin e kësaj foshnje të papërkrahje e të kërcënuar herë pas hare prej tytës e kondakut të pushkës së policit të pamëshirshëm dhe burgut të mëvonshëm. Mbas vdekjes së nënës Elena, djali i saj i vetëm, tashmë baba e burrë i pjekur, mediton për jetën e sakrificat e saj të pafund. Ajo ishte bijë e një atdhetari shqiptar martuar me një italiane, por që e vogël, kjo vajzë hibride mbeti jetime, pa baba dhe mbasi mbaroi shkollën e lartë për letersi ne Universitetin e Napolit, u martua me djalin e madh të Mustafa Merlika Krujës, me ing. Petrit Merlikën dhe me të erdhi t’i shërbente atdheut të babait e të burrit, por mbasi u bë nënë i filloi kalvari i mundimeve. Iu dha rasti të zgjidhte: të kthehej në Itali ku të jetonte e lirë e të vijonte karierën shkencore pranë nënës e vëllait; ose të qëndronte në Shqipëri për t’u kujdesur për burrin e burgosur, djalin e mitur dhe vjehrrën plakë. Dhe ajo vendosi t’i binte pash më pash ferrit shqiptar.
Ti zgjodhe ferrin, sqaron Eugjeni, sepse parimet me të cilat u rrite dhe u formove si njeri, e quanin atë udhën e nderit, të besnikërisë ndaj burrit e ndaj fjalës së dhënë. Brishtësia e zemrës nuk ta lejonte braktisjen e krijesës sate. E rritur jetime, pa përkëdhelitë e babait, mbetur nuse e re pa përkëdhelitë e burrit, nuk mund ta përfytyroje tët bir jetim rrugëve, pa dashurinë e nënës, pa përkëdhelitë e tua. Nuk ishin në natyrën tënde braktisja, shmangia nga përgjegjësitë…
Dhe ia numëron vuajtjet e kalvarit nëpër kampe pune e vende internimi, me foshnjën në krah e vjerrën e moshuar, herë me burrin pranë e herë me burrin në burg, ku ra dhe djali, derisa përfundoi nata e errët plot makthe e vuajtje, ajo jetë ku pjesëtarët e familjes ishin skllevër që pillnin skllevër. Familja me shumë mundime e përpjekje mundi të vendosej në Itali, ku u kurua mbesa e vogel edhe u sistemuan nëpër punëra e shkolla të gjithë. Aty filloi një jetë e re, natyrisht plot luftë, por pa nënvlerësime dhe pa përbuzje. Të edukuar prej kësaj nëne virtutmadhe, pjesëtarët e kësaj familjeje i janë mirënjohës edukatës humane dhe kristiane që ajo u dha për të qenë sejcili i ndershëm dhe gjithmonë në paqe me ndërgjegjen e vet.
Egjeni është dhe një bashkëshort e prind shembullor. Si në Shqipëri dhe në Itali atij nuk iu nda lopata prej dore. Kallot e ashpra ia ndjen edhe sot kur ia shtrëngon duart. Ai nuk u dekurajua kurrë, me guxim e përkushtim mundi t’i rriste tre fëmijët me nder dhe t’i edukonte si duhej, derisa përfunduan një nga shkollat e larta më me emër në Itali, Universitetin Bocconi të Milanos, shkollë private me pagesë. Dy vajzat, Edira dhe Elena, u diplomuan për Ekonomi biznes, ndërsa djali, Besandri, për Ekonomi të Administratave publike dhe Institucioneve Ndërkombëtare. Sot punojnë të tre : Edira në fushën e modës, tek Valentino, Ralph Lauren dhe Agnona, Elena në Genworth, Siguracion Bankar, ndërsa Besandri në Komisionin evropian. Shpenzimet e jetesës dhe të shkollimit të fëmijëve Eugjeni me bashkëshorten Teuta i mbulonin duke punuar nga dy e tre punë që zgjatnin prej orës tre të mëngjezit deri në tetë të mbrëmjes.
Eugjeni dhe Teuta do të realizojnë dhe dëshirën e fundit të prindërve të tyre, Elenës dhe Petritit, të cilët u ndanë nga jeta në vitet 2002 dhe 2003 duke lënë amanet që varrimi i tyre në qytetin Latina pranë Romës të jetë i përkohshëm dhe së shpejti ata të varrosen në varrin e madh të familjes MERLIKA në Krujën Historike, ku do të mblidhen gjithë bijtë e nuset bashkë me eshtrat e Mustafa Merlika Krujës.

Mirënjohja ndaj gjyshërve
Eugjen Merlika vuajti internimeve dhe burgjeve për shkak se ishte nipi i Mustafa Merlika Krujës (1887 – 1958), të cilin nuk e kishte njohur sepse u nda prej tij kur ishte disa muajsh. Dëshira për të njohur të vërtetën se kush ishte ky gjysh i mbuluar me një mal akuzash, i dënuar me pushkatim në mungesë nga “gjyqi i popullit” në vitin 1945, e shtyu Eugjenin mbas vitit 1995, të shpenzonte kohë dhe energji për t’u njohur me jetën dhe bëmat e këtij gjyshi.
Mbas vitit 1991, shumë gjyshër shqiptarë, që kishin qenë pushtetarë komunistë dhe sigurimsa, të cilët gjatë kryerjes së detyrës kishin lyer duart me gjak, filluan të çvleftësohen, të mos duhen si më parë prej bijve e nipërve për shkak të bëmave të tyre në shërbim të diktatorit dhe diktaturës. Ata duke mos bërë asgjë tjetër vërveç shërbimeve si shëbëtorë të verbër ndaj diktatorit e diktaturës nuk lanë vepra për të cilat mund të kujtohen me respekt në të ardhmen. Kurse gjyshi i Eugjen Merlikës, ish-kryeministër i Shqipërisë nën pushtimin fashist italian për 13 muaj, i dënuar si bashkëpunëtor i fashizmit italian, njëherazi kishte qenë dhe një personalitet i historisë sonë kombëtare, studjues, shkrimtar, publicist e politikan, veprat e të cilit kanë pasur dhe kanë shumë vlera atdhetare. Eugjeni bashkë me specialistë, duke shfrytëzuar mundësitë e reja, filloi t’i mblidhte, interpretonte dhe botonte veprat e gjyshit të vet. Kështu ai nxori në dritë vlera të hedhura në harresë, vlera që janë të lidhura me fatin e atdheut, ku Mustafa Merlika ka luajtur rolin e vet pozitiv që nga viti 1908, gjatë vitit historik 1912 si pjesëmarrës në lëvizjen e armatosur antiosmane në Shqipërirë e Mesme gjatë vitit 1912, nënshkrues i aktit të Shpalljes së Pavarësisë, dhe pas këtij viti, si nëpunës i Qeverisë së Vlorës, i asaj të Durrësit (1918-1919), pjesëtar në delegacionin e qeverisë së Durrsit në Konferencën e Paqes në Paris për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar, prefekt i Shkodres në Qeverinë Noli. Emigrant politik pas dhjetorit 1924. Me kthimin në Shqipëri ai u emërua një nga katër senatorët shqiptarë në Senatin italian, më vonë Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Kryetar i komisionit për rivendikimin e dëmeve të shkaktuar nga pushtimet greke e jugosllave mbi popullsitë shqiptare të bashkuara me Shtetin shqiptar në 1941. Kryeministër i Shqipërisë nga 4 dhjetori 1941 – 12 janar 1943. Më 1 shtator 1944 u largua nga Shqipëria për arsye familjare, për të qenë pranë djalit të vogël që vdiq në Vjenë në moshën 19 vjeçare, nuk mori pjesë në asnjë formacion politik të Mërgatës shqiptare, por bashkëpunoi me ish-kundërshtarin e tij politik, Mbretin Zogu i I në Egjypt, dhe së fundi vdiq në emigracion, në Niagara Fall N. Y. më 1958.    Eugjeni ka shkruar dhe disa artikuj ku vë në dukje vlerat e gjyshit të vet, Mustafa Merlika, botoi disa vepra të shkruara prej këtij, si kujtime, letërkëmbime dhe përmbledhjen Mustafa Kruja në historinë shqiptare (1908-1941) OMSCA-1 2012, me shkrime, kopje dokumentesh, foto të ndryshme, shoqëruar dhe me studimin Nacionalizmi, Shqipëria Etnike dhe Lufta Nacional – Çlirimtare, ku Eugjeni shtjellon idetë e veta mbi këto nocione e probleme.
Ky studjues, lidhur me qëndrimin që mbajtën forcat politike e shqiptarët si individë ndaj pushtimit fashist jep që në krye këtë përkufizim të pakundërshtueshëm: Asnjë shqiptar i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu nuk ka pasur mundësi ta shmangë (f. 480). Një nga këta ishte dhe Mustafa Merlika Kruja. Mirëpo, kur qeveria italiane, mbas humbjes së Luftës Italo-Greke, duke parë se autoriteti i saj në popullin shqiptar ra për tokë, u detyrua të ndërronte qeverinë shqiptare. Ajo shkarkoi qeverinë e Shfqet Vërlacit dhe i kërkoi Mustafa Merlikës të krijonte një qeveri të re, me që ky ishte një veprimtar i njohur për ndjenjat e tij atdhetare. Mustafa Merlika i vuri disa kushte qeverisë italiane për të marrë përsipër krjimin e qeverisë së tij:
1. Rikthimi në fuqi i vendimeve të Asamblesë Kushtetuese të 12 prillit 1939, që do të thonte kthim tek e vetmja lidhje kushtetuese me Italinë që përbëhej nga bashkimi personal i dy kurorave.
2. Formimi i menjëhershëm i një force milicije shqiptare, deri në 20 bataljone prej 500 vetësh, nën urdhërat direkte të Ministrit të Brendshëm.
3. Kthimi i menjëhershëm i flamurit kombëtar shqiptar në formën e tij origjinale.
Qevetia italiane ia pranoi me fjalë kushtet Mustafa Merlikës, por realizoi vetëm kërkesën e tretë, të tjerat mbetën vetëm premtime. Ai zgjodhi në qeverinë e tij njerëz atdhetarë të njohur për shqiptarizmin e tyre, të cilët ashtu si ai, pranuan të vinin nderin e tyre në rrezik për të shpëtuar ç’ mund të shpëtohej, për të bërë sa të ishte e mundur më shumë në të mirë të Shqipërisë së pushtuar. Me elementë atdhetarë e të ndershëm Mustafa Merlika e forcoi ekonominë dhe financat e vendit, shtriu arsimin shqip në gjithë territoret e shtetit të bashkuar shqiptar, i dha hov zhvillimit të shkencave albanologjike me anën e Institutit të Studimeve Shqiptare, shpëtoi hebrenjtë nga thonjtë e gestapos gjermane, duke i sjellë nga Kosova në Shqipëri të pajisur me pasaporta si shqiptarë muhamedanë, etj. Gjatë qeverisjes së tij, ky kryeministër në luftën kundër Partisë Komuniste nuk arriti atje ku duhej, për shkak të mospasjes në dispozicion të forcave të mjaftueshme, për shkak se qeverisi vetëm 13 muaj dhe se ai dhe kolegët e tij i nënvlerësuan forcat komuniste si të rinj e të papjekur. Kur i ndërhynin miqtë e tij për ndonjë komunist të kapur nga milicia, ai e lironte duke i besuar premtimit se komunisti do të pendohej. Kështu ai dha urdhër për lirimin e komunistit Gaqo Qeleshi, etj, dhe për ndërrimin e dënimit të komunistes Selfixhe Ciu (Broja) nga dënim shëmbullor në transferim në një fshat internimi e më tej e fali, etj.
Nipi Eugjen mendon se bashkëpunimi  me pushtuesin në interes të shqiptarëve, n’atë periudhë tepër të vështirë, meriton një analizë shumë më të thellë e më të paanëshme, se sa ajo që ka bërë historiografia komuniste deri sot, e njëkohësisht kërkon që kjo figurë të vlerësohet në kompleks, ashtu si ka qenë në historinë tonë kombëtare me vlera dhe të meta përzierë, por duke theksuar se nuk u pri kurrë nga interesi vetiak por ai i Atdheut. Sot, kur është bërë e qartë dhe është pranuar se Partia Komuniste Shqiptare, i solli popullit tonë më shumë prapësira se mirësira, figurat politike antikomuniste si Mustafa Merlika duhen parë nën një dritë të re. Për këto vlera shkruan dhe z. Ilir Konomi në parathënien që paraprin vëllimin e ri me shkrime të Mustafa Merlikës “Gjysëm shekulli me pendë në dorë” OMSCA-12015, 684 f. Në vlerësimin e tij ky studjues thekson me të drejtë:
Deri atë ditë të mbrame ai nuk rreshti së shkruari, shkëmbeu letra të panumërta me miqtë dhe solli prova të tjera se komunizmi nuk mund të ishte e ardhmja e Shqipërisë, as e ardhmja e botës, por thjesht një sistem që nuk funksionon.
Me përkushtim Eugjeni shkroi dhe për gjyshin tjetër, gazetarin Sotir Gjika, babain e nënës së tij. Për këtë gazetar atdhetar, i cili bashkëpunoi për vite me radhë në gazetat italiane dhe shqiptare nga viti 1911, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj, studjuesit shqiptarë gjatë diktaturës dhe mbas saj kanë heshtur. Eugjeni është i pari që tërheq vëmendjen ndaj shkrimeve të tij me përmbajtje atdhetare në vitet e vështira të shtetit shqiptar. Madje tani ai është duke përgatitur një vëllim të bollshëm me shkrime të Sotir Gjikës që ka mundur të grumbullojë në shtypin shqiptar dhe italian e së bashku me to edhe letërkembimet me shumë veprimtarë të jetës politike e kulturore shqiptare të çerekut të parë të shekullit të shkuar si Luigj Gurakuqi, Asdreni, Cajupi, Terenc Toçi, Jani Vruho etj.

* * *
Gjithë këto vlera të shkrimeve të këtij autori, si dhe shumë të tjera që nuk kemi mundësi t’i shtjellojmë këtu, tregojnë se Eugjen Merlika midis intelektualëve të sotëm shqiptarë zotëron një nivel të lartë atdhetarizmi, intelekti dhe karakteri. Për njerëz të tillë ka nevojë shoqëria jonë për të kryer procesin e domosdoshëm të shkëputjes tërësore nga komunizmi dhe mendësia e tij që ende vijon të frenojë ecjen përpara të shoqërisë shqiptare.    Për vlerat e mëdha që kanë shkrimet e këtij autori, Ministria e Arsimit duhet të krijojë një përmbledhje me shkrimet më të mira të tij dhe ta ribotojë me fondet e veta në mijra kopje pët ta shpërndajë anë e kend atdheut, si dhe në Kosovë, Maqedoni e kudo ku jetojnë shqiptarët. Një përmbledhje e tillë do të ndihmojë për formimin e rinisë me norma morale, politike e shoqërore të shëndosha, për të shërbyer nesër si militantë shoqërorë e politikë të përgatitur në nivelin e kohës.
Një personaliteti të tillë si Eugjen Merlika, atdheu ia ka borxh urdhërin Nderi i Kombit.

Filed Under: ESSE Tagged With: (Ese kushtuar të përndjekurit dhe analistit, Eugjen P. Merlika, Thanas L Gjika

MBI TË GJITHA POLITIKANËT DHE HISTORIANËT DUHET TË JENË ATDHETARË DHE TË MORALSHËM

March 3, 2016 by dgreca

(Ese për analistin ing. MËRGIM KORÇA)/
Nga Thanas L. GJIKA/
Ing. Mërgim Korça, në letrat shqipe, është një nga analistët vërtet të lirë të periudhës paskomuniste, i cili me veprat e tij ka zgjeruar dhe zgjeron horizontin e lexuesve, ka hapur dhe hap rrugë të reja për zgjidhje problemesh të mbetura pezull para shoqerisë sonë të djeshme e të sotme. Ai ka shkruar shumë artikuj nëpër forume e gazeta të ndryshme, shumicën e të cilave i ka botuar dhe në tri përmbledhjet e mirëpritura Histori të Pashkruara (268 f, 2005), Hedhje Drite Rreth Shtrembërimesh Historike (247 f, 2008) dhe Çështja Kolaboracionizëm e të tjera, t’i Gjykojmë (515 f, 2014). Po ashtu ai ka mbajtur në TV Miçigan biseda dhe intervista të ndryshme, kumtesa në sesione shkencore, si dhe disa DVD me intervista të kryera prej tij me z. Seit Demneri, ish shok klase i Ramiz Alisë në gjimnazin e Tiranës, etj. Në këto vepra bëhen përpjekje këmbëngulëse për të sqaruar faktin se cili ka qenë morali dhe atdhetaria e figurave kryesore të Luftës Antifashiste Shqiptare dhe e drejtuesve të regjimit komunist shqiptar në vitet 1944 – 1992. Mësimi themelor që transmetojnë shkrimet e këtij analisti, moto e tyre, është: Politikanët dhe historianët e pamoralshëm kanë qenë dhe janë të dëmshëm.
Për vlerat e Mërgimit si analist kanë shkruar pena të spikatura si profesor Ardian Ndreca, shkrimtari i shquar Visar Zhiti, etj.
Ingjinieri i talentuar Mëgim Korça, është djali i vogël i Dr. Xhevat Korçës (1893 – 1959), një intelektual e atdhetar i pavlerësuar ende. Xhevati, mbasi mbaroi gjimnazin në Janinë, më 1911 doli malit si komit me çetat e Rilindjes sonë Kombëtare të Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit. Më 1917 u dërgua për studime në Austri, ku më 1922 doktoroi me një studim për jetën dhe vlerat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërtuar si përgjigje ndaj tri pyetjeve. Mbas kthimit në atdhe, disa muaj më vonë u dërgua prej qeverisë shqiptare të themelonte Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës, punë të cilën e kreu me sukses. Në vitin 1925 u largua prej Shqipërisë si antizogist, dhe po atë vit, prof. Barich e emëroi lektor në Universitetin e Beogradit. Më 1928, mbasi Ahmet Zogu dërgoi atje dy herë njerëz për t’i bërë atentat, u largua prej Beogradit dhe shkoi në Austri, ku jetoi si emigrant deri më 1936, vit kur kaloi me gjithë familje në Fiume të Italisë. Në gusht 1939 u kthye në atdhe, dhe kur miku i tij Mustafa Merlika Kruja e ftoi të bëhej Minister i Arsimit, Xhevati pranoi pasi u aprovua kerkesa e tij për heqjen e italishtes nga të gjitha shkollat fillore të Shqipërisë, si dhe për lirimin nga burgu dhe nga internimi në Itali i të gjithë arsimtarëve të dënuar si kundëritalianë.
Më 17 nëntor 1944 atë bashkë me djalin e madh, forcat komuniste e arrestuan duke e cilësuar “profashist, armik të popullit”. Në prill 1945 bashkë me shumë të dënuar të tjerë, e nxorrën para Gjyqit Special me kryetar të trupit gjykues Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun, i cili në pretencën e tij kërkoi dënimin me vdekje me pushkatim të Xhevat Korçës si fashist. Në fjalën e tij të fundit Xhevat Korça, duke iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues, tha : “Zoti kryetar mos i dëgjoni se ç’thotë prokurori. Unë ju them : Gjemani një fjalë të thënë publikisht në favorin e fashizmit, ose një fjalí të shkruar kësisoji dhe pushkatomëni !”. Mbrojtja burrërore që Xhevar Korça i bëri vetes, e detyroi trupin gjykues ta ndërronte dënimin në dënim me burgim të përjetshëm. Në gusht të vitit 1959, për të shprehur protestën e vet ndaj dënimit që i ishte dhënë pa të drejtë dhe ndaj gjendjes së mjerueshme të të burgosurve të Burelit, Xhevat Korça i dha fund jetës me grevë uríje, rast i rrallë, në mos i vetëm deri atëhere në burgjet e kampit komunist.
Ndihmesa e tij në fushën e letrave është e panjohur ende. Fillimet e shkrimeve të tij dokumentohen në revistën Djalëria që botonin studentët shqiptarë në Austri. Por këto shkrime si dhe të tjera të botuara në organe të tjera shtypi nuk janë mbledhur. Rëndësí të madhe padyshim paraqet i gjithë dokumentacioni i marrë në arkiva të ndryshëme europiane, i përkthyer prej tij dhe i titulluar Akte dhe dokumenta Austro – Hungare lidhur me Shqipërinë. Gjithashtu Xhevat Korça përktheu nga gjermanishtja veprën e amerikanit John Reed 10 Ditë që tronditën Botën (gjermanisht: 10 Tage DieDie Welt Erschutterten).
Djali i madh, Genci u lind në Shkodër më 1924 dhe u detyrua që foshnjë të merrte rrugën e mërgimit bashkë me babain dhe nënën. Ky djalë emigranti filloi të merrte formim në shkolla austriake dhe italiane deri më 1943, ku mbaroi edhe vitin e parë të mjekësisë, u kthye për pushimet verore dhe mbeti në Shqipëri. Endërra e Gencit ishte të mbaronte studimet për mjekësi, por nuk mundi ta realizonte për shkak të rrethanave. Më 17 nëntor 1944 ai u arrestua bashkë me babain dhe u lirua, për mungesë faktesh mbas 13 muajsh, pa qenë i dënuar nga asnjë proces gjyqësor. Ai punoi për të mbajtur familjen si ndihmësmjek në Shkodër, por pas ndonjë viti e dërguan me punë në zonën malore të Dukagjinit, ku ai u lidh me disa atdhetarë antikomunistë, me të cilët pas peripecish të ndryshme mundi të arratisej në Jugosllavi në tetor të vitit 1952. Mbas disa muajsh ai mundi të arratisej edhe prej Jugosllavisë në Austri e prej andej shkoi në Greqi, prej ku më 1955 shkoi në SHBA. Këtu vijoi formimin e tij në Wayne State University, Detroit MI në degën Kimi Industriale në profilin Higjenë Industriale. Për rezultatet e larta studentore iu dha një simbol i Universitetit si studenti më i shkëlqyer i vitit. Aty dha leksione për disa vjet. Më tej punoi si ingjinier në kolosin amerikan të industisë, në General Motors Detroit MI, ku për 13 vitet e fundit, derisa doli në pension, ishte Drejtor i Higjenës Industriale për të gjithë Korporatën e General Motors.
Në vitin 2009 Genci botoi në anglisht vëllimin me kujtime One Man’s Journey to Freedom (Rruga e një burri drejt Lirisë), të cilën e vlerësoi po në anglisht në gazetën Dielli Dr. Gjon Buçaj, kryetari i Shoqërisë Vatra. Kjo vepër të tërheq për rrëfimin e thjeshtë të peripecive që kaloi djaloshi dhe burri Genc në mërgim e në atdhe dhe sërisht në mërgim. Ai u martua më 1958 me z-njushen Margaret dhe ka sot dy djem e një vajzë dhe tetë nipër e mbesa, një bletë e plotë, si themi në Shqipëri. Genci është një nga shqiptaro-amerikanët e pakët që është pritur prej Papë Vojtila, John Paul II.
Nga treshja e familjes elitare Korça, djali i vogël i familjes, Mërgimi, të cilit ia kushtoj këtë ese të shkurtër, shkëlqen për veprën e tij analitike. Ai, që në rininë e hershme u detyrua të punonte e të shkollohej për të mbijetuar me nder e për të pleqëruar nënën, të përvuajturën e madhe të familjes. Kjo zonjë ishte një nga kurajozet e pakta që votoi kundër rregjimit në zgjedhjet e vitit 1945, duke e lëshuar sferën (votën) në kutinë e “armikut”, kuti e pashtruar me kadife gjë që shkaktoi zhurmë dhe zbuloi sekretin e votimit kundër…
Mërgimi e piu të plotë gotën e hidhërimeve gjatë kohës së diktaturës dhe mbas shkërmoqjes së saj u përshtat për bukuri në atdheun e ri, në ShBA, ku krahas punës së paguar për të siguruar jetesën e tij e të familjes, filloi luftën si intelektual me ndjenja të spikatura qytetare për sqarimin e karakterit negativ të diktaturës shqiptare dhe të personaliteteve politikë e shkencorë të saj.
Mërgimi, si e tregon vetë emri, u lind jashtë shtetit, në 30 dhjetor 1932, kur familja e tij ndodhej në mërgim, në Grac të Austrisë. Në vitet e diktaturës, si bir i një të dënuari me damkën “armik i popullit”, dhe vëlla i një të arratisuri, pra për shkak të biografisë, Mërgimit nuk iu dha e drejta për të ndjekur studimet e larta. Por duke përfituar nga një “zbaticë” në luftën e klasave si edhe nga mbështetja që i dha Ndërmarrja Rruga-Ura ku shquhej si punëtor i mirë, ai mundi të ndjekë studimet për Ingjineri Mekanike në kurset pa shkëputje nga puna, (kurset e mbrëmjes), nëntë vite mbasi e kishte mbaruar shkollën e mesme. Mërgimi arriti jo vetëm të mbijetonte, por edhe t’i imponohej qeverisë diktatoriale e cila ishte shumë e varrur nga mekanika bujqësore. Këto suksese ai i arriti përmes punës së tij intensive e këmbëngulëse për të projektuar e zbatuar projekte origjinale për makineri bujqësore, ku spikati talenti i tij prej projektuesi e konstruktori mekanik.
U bënë shumë të njohura makineritë e projektuara dhe krijuara prej ing. Korçës, si makina për rrallimin e pambukut, (për të cilën i kishte urdhëruar vetë Enver Hoxha drejtuesit e rretheve Lushnjë edhe Fier që patjetër ta zgidhnin atë problem duke ngarkuar ingjinierët më të aftë për atë punë, sepse industria tekstile detyrohej të importonte sasira të mëdha pambuku nga që rendimenti i prodhimit të pambukut ishte shumë i ulët).
Ing. Korça e idéoi, e projektoi dhe e ndërtoi agregatin për drenazhimin e tokës me hapje të mekanizuar tuneli me diametër 10 cm. në thellësí 70 cm. nga sipërfaqja e tokës dhe të mbushur automatikisht me zhavor të larë e të fraksionuar në vend të tubave qeramike. Vënja në zbatim e kësaj metode drenazhimi e ulte koston e drenazhimit dhjetë herë krahasuar me vendosjen e tubave qeramike. Gjithashtu ajo e shpejtonte këtë proces nga një hektar që drenazhonte një brigadë prej 10 vetash gjatë një muaji, në katër hektarë në ditë.
Gjithashtu ing. Mërgim Korça projektoi dhe ndërtoi një tjetër makineri për hapjen e vijave kulluese, të cilën vetë Kryeministri Mehmet Shehu kishte vite që ua kërkonte uzinave të Mekanikës Bujqësore. Kjo, sepse makineritë e sjella nga importi dhe që dispononin S.M.T.-të dhe Fermat Bujqësore, e hapnin vijën kulluese me gjerësi në sipërfaqe mbi një metër. Nisur nga ky fakt Kryeministri i kishte dhënë Sekretares së Parë të Lushnjës, Lenka Çukos, një skicë me porosí që t’ia jepte ing. Korçës ku përmasat e vijës kulluese ai kërkonte të ishin në sipërfaqen e arës 45 cm., në thellësí 45 cm. si dhe gjerësí të bazës së vijës 10 cm. Vënja në punë e kësaj makinerije i kurseu ekonomisë bujqësore dhjetra mijëra hektarë toke krahasuar me vijat që hapeshin deri atëherë me makineri të importuara.
Doemos projektimi si edhe ndërtimi i këtyre makinerive në rrethin e Lushnjes bënte të rritej konsiderata e drejtuesve të këtij rrethi nga ana e udhëheqjes së partisë. Por, nga ana tjetër, edhe Dikasteri i Bujqësisë nderohej nga të tillë rezultate. E për pasojë, rritej edhe konsiderata e drejtuesve të vëndit ndaj ing. Korçës. Nuk mund të mos vihet në dukje se si vetë Kryeministri Mehmet Shehu vajti për t’i parë si rralluesen e pambukut edhe agregatin e hapjes së vijave kulluese, (me ç’rast qëndroi mbi pesë orë dhe kryesisht duke diskutuar me ing. Mërgimin). Po kështu, të ngarkuar nga Kryeministri, agregatin e drenazhimit me zhavor, të shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, shkuan dhe e ndoqën në punë e sipër dy nga zv/Kryeministrat.
Megjithatë, pavarësisht nga arritjet si projektues e krijues makinerish, atë kurrë nuk e afruan të punonte në institucionet qendrore të mekanikës në Tiranë, as i dhanë tituj e grada shkencore. Por për rezultatet shumë dobiprurëse të punës së tij, Mërgimit iu akordua titulli i lartë shkencor Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, i cili në këtë rast e shkeli parimin e luftës së klasave i detyruar nga nevojat e mëdha që kishte bujqësia për mekanikën bujqësore, por doemos edhe i prirë nga informacionet që merrte rreth rëndësísë së agregateve të ndërtuar prej këtij ingjinieri. Ky titull nuk shoqërohej me rritje rroge a privilegje të tjera.
Jetën nën diktaturë, pavarësisht nga sukseset, Mërgimi e jetoi nën shpatën e Demokleut, si shumica e bijve të familjeve të dënuara prej regjimit komunist. Ai fillimisht u muar me punën e tij si punëtor krahu, më tej si teknik e ingjinier mekanik, duke treguar me punë të ndershme aftësitë e veta, pa lajka e servilizëm. Mërgimi punoi me gjithë forcat e veta mendore e fizike, natyrisht jo për forcimin e diktaturës, por sepse ishte edukuar në familje të punonte me përgjegjësi e ndershmëri dhe sepse e ndjente se vetëm duke arritur që të ishte shumë i nevojshëm, mund të mbijetonte, si dhe mbijetoi pa pasojat shkatërrimtare të biografisë së keqe.
Në vitin 1990, Mërgimi, ashtu si babai i tij dikur, mori rrugën e mërgimit, po kësaj radhe për shkaqe të tjera: bijtë e familjeve me biografi antikomuniste, udhëheqja komuniste në fuqi, për të zbatuar planin Katovica për Shqipërinë, nuk i donte t’i kishte në Shqipëri këta bij të ish opozitës së vërtetë të PKSh/PPSh-së, me synimin që proceset e pluralizmit t’i kryenin shërbëtorë besnikë të PPSh-së, ish sigurimsa e ish komunistë të fshehur si antikomunistë… Kështu, familjes Korça, bashkë me shumë familje të përndjekura, në vitin 1990 “iu krijuan kushtet” për të shkuar jashtë shtetit pranë të afërmve të tyre. Mërgimi me familjen e vet shkoi tek vëllai i tij, që jetonte prej vitesh në Detroit MI, USA. Kur mbërriti në Amerikë iu fut studimit të anglishtes, të cilën e përvetësoi shpejt dhe mirë ndonëse ishte 59 vjeçar. Përvetësimi i anglishtes, kësaj gjuhe të vështirë për moshën e tij, u bë i mundur në saje të kujtesës së fuqishme dhe zotërimit në nivele të lartë të gjermanishtes dhe italishtes. Njëherazi ai punoi për përvetësimin dhe përdorimin e kompjuterit, për t’u përshtatur me psikologjinë dhe mënyrën amerikane të të menduarit, hapa këto që e ndihmuan të punësohej fillimisht si nëpunës në një zinxhir restorantesh McDonald ku pronari Z. Ekrem Bardha e punësoi se ishin njohur duke qenë ushtarë në Repartin e Punës para se Z. Bardha të arratisej nga Shqipëria, e në vazhdim pastaj si përkthyes për tri gjuhët që ai zotëron, punë të cilën e vijon dhe sot.
Me të tilla arritje Mërgimi me familjen e tij filloi të bënte një jetë modeste, por komode, në ardheun e ri. Mirëpo brumi atdhetar e intelektual i trashëguar prej familjes së tij Korça nga babai e Angoni nga nëna gjirokastrite, nuk e lejonte që ai të bënte jetën e një njeriu të vetëkënaqur. Ai ia nisi punës shtesë për të ndihmuar zhvillimin e mendësisë së popullit shqiptar duke shkruar artikuj e kumtesa, duke mbajtur biseda e intervista, duke botuar libra. Deri në moshën 59 vjeçare, edhe pse dinte mirë disa gjuhë të huaja, Mërgimi nuk kishte shkruar asnjë artikull në Shqipëri, nuk i ishte dhënë mikrofoni të fliste para dëgjuesve, por ai i kapërceu me sukses të tilla pengesa psikologjike në saje të aftësive të tija të lindura.
Ashtu si në vitet e Rilindjes sonë Kombëtare, arbëreshët e Italisë e të Greqisë, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Pashko Vasa, etj, etj edhe Mërgim Korça bashkë me veprimtarë që punojnë sot në diasporë, janë dëshmi e gjallë e faktit se njeriu mund ta ndihmojë atdheun pavarësisht se ku jeton e punon, se largësia nuk e pengon askënd që të japë ndihmesën e vet në të mirë të popullit të cilit i përket. Njësoj sikur të jetonte në atdhe, Mërgimi jeton me hallet e popullit të tij, shpenzon kohë, energji, shkurton orët e gjumit, lexon materiale të ndryshme në internet dhe me kurajon e vet, pa pyetur se kush janë ata që përpiqen ta mbajnë në vendnumëro mendësinë e popullit shqiptar, sulet me shpatën e tij, me “penën” e intelektualit të pakompromis.
Ish pushtetarë të regjimit komunist, si Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia, Liri Gega, Liri Belishova, Rahman Parllaku, etj. i vuri në shënjestër për bëmat e tyre të turpshme e kriminale, duke zbuluar mendësínë e tyre çnjerëzore të shfytyruar prej ideologjisë komuniste. Në anë të kundërt me të tillë politikanë, ai portretizon dhe ish kryetarin e grupit komunist të Shkodrës, Zef Malën, me të cilin pati rast të njihej më 1954, pasi ai kishte dalë prej burgut. Komunisti Malaj kishte njohur në burg kundërshtarë të ideve të tij politike, klerikë dhe antikomunistë si Xhevat Korça. Mbas bisedave me ta, ky ish komunisti i hershëm u kthjellua dhe kuptoi thelbin antinjerëzor të doktrinës komuniste, gjë që nuk mundën ta bënin shumica e ish komunistëve të dënuar prej diktatorit, si Koço Tashko, Liri Belishova, Todi e Liri Lubonja, Fadil Paçrami, etj, etj.
Dëmi më i madh i ideologjisë komuniste që zbatoi diktatori Hoxha, sqaron analisti, ishte krijimi i njeriut të ri socialist, një qenie e pamoralshme, e paskrupull, që ta bën të keqen dhe nuk kërkon kurrë të falur, qënie që ka marrë pushtetin në Shqipëri dhe nuk pyet për hallet e popullit, por si e si të pasurohet për vete. Edhe Dritëro Agolli, poeti i talentuar e shumë i lëvduar në kohën e diktaturës dhe të tranzicionit, i mbiquajturi “Patriarku i Letrave Shqipe”, kritikohet për mungesën e zgjerimit të këndvështrimit të mendësisë së tij, për mungesën e moralit. Në kongresin e X-të të PPSh ky deputet kritikoi ashpër “katër fajet e rënda” dhe disa bëma të partisë së tij, por si anëtar i K.Q. të saj, ku kishte milituar me vite, ai nuk kërkoi të falur për ato që kishte bërë vetë gjatë diktaturës dhe për më keq u kthye në vitet e tranzicionit në një mbrojtës i politikës së PS-së bijës së PPSh-së, pra mbeti një penë që punoi për lëvdimin e politikës së gabuar të partive PKSh / PPSh / PSSh. Në të njëjtën kohë Mërgimi nuk ka lënë pa kritikuar dhe gabime të pushtetarëve të paskomunizmit, si Presidentët Alfred Mojsiu e Bamir Topi, Zv/Kryeminist-rin e Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, etj.
Vlerat e Mërgimit analist nuk qëndrojnë vetëm në analizat kritike. Ai është po aq i mprehtë dhe tërheqës edhe kur vlerëson shkrimtarë të shquar si Gjergj Fishta, Visar Zhiti, shkencëtarë si Dr. Edor Kabashi, këngëtaren Ermonela Jaho, burra shteti e atdhetarë të përkryer si Luigj Gurakuqi, dhe të mëvonshëm si Safet Butka, Prenk Cali, etj, etj. Shkrimet e Mërgimit të ngjallin respekt e simpati për bijtë e familjes princore të Mirditës, si Gjon Markagjoni dhe djemtë e tij, dhe për më të vuajturin midis tyre, Gjon Markagjonin e Ri, të cilët ai i vlerëson me shumë respekt për ndershmërinë, moralin e pastër shqiptar, burrërinë e tyre. Respekt e dashuri ngjallin te lexuesi edhe shkrimet ku ai vlerëson klerikë martirë si Pater Anton Harapi, Pjetër Mëshkalla, Patër Fausti, etj. Në këtë vazhdë është edhe shkrimi recensional i publikuar këto javë në media prej Mërgimit për vëllimin me kujtime, shkruar më 1966 prej Xhelal Staraveckës “Përpara Gjyqit të Historisë”, botuar më 2015 prej djalit të tij Naim Staravecka. Mprehtësia e artikullshkruesit shfaqet këtu përmes zbulimit të kundërvlerave të vëllimit ku ai tregon mungesën e vlerave të të droguarit prej ideologjisë komuniste, ish komunistit Xh. Staravecka, i cili ngre lart figurën e Enver Hoxhës për vlera të paqena, sikur të ishte një ideolog e strateg i madh dhe jo siç ishte në të vërtetë, shërbëtor i Josif Broz Titos e Stalinit.
Një nga figurat më të dashura e më të respektuara për Mërgim Korçën është ajo e Baba Rexhebit (1901 – 1995), klerik mysliman i arratisur prej Shqipërisë diktatoriale, themelues dhe drejtues i Teqesë Bektashiane në Taylor, MI, USA. Ai e vizitonte rregullisht familjarisht dy herë në javë Babanë e nderuar. Intelektuali Mërgim nuk druhet të tregojë se në botëkuptimin e vet ka ndikim të ndjeshëm prej predikimeve të këtij Babai, sidomos prej mësimit themelor, sipas të cilit egoizmi është burimi i gjithë të këqiave njerëzore. Baba Rexhebi ishte një nga të përndjekurit e diktaturës komuniste shqiptare, i cili duke vijuar jetën e një kleriku të ndershëm në USA kishte arritur dhe në disa mendime të vetat për të dëshmuar thelbin e së keqes që i erdhi Shqipërisë. Së pari, thoshte ai, prej krimeve të përbindëshme që filluan që gjatë Luftës Antifashiste, pastaj prej luftës së paprincip kundër besimeve fetare dhe më tej prej ngritjes në kult e bindje të verbër ndaj udhëheqjes personale të diktatorit. Kur humbet ndjenja e moralit, theksonte Baba Rexhebi, u hapet rruga gjithë të këqiave të kësaj bote.
Si një moto për mentalitetin e sejcilit, i vlerëson Mërgimi fjalët e këtij predikuesi: “I ndershëm ësht’ ai që i ndryshon mendimet e tij për t’i njësuar me të vërtetat. Kurse i pandershëm ësht’ ai që i ndryshon të vërtetat për t’i njësuar ato me mendimet e tij… Mua nuk më takon gjë tjetër veçse të mëshiroj dhe të fal, kurse shoqërisë i takon të gjykojë në bazë të së vërtetës e të vendosë duke u bazuar në drejtësi.”
Fusha ku shkëlqen me dritë verbuese mprehtësia analitike e Mërgim Korçës është fusha e historisë së Shqipërisë e periudhës së L2B dhe pas saj, përmes një vargu polemikash me profesorë e akademikë, pra me përfaqësuesit e niveleve të larta të shkencave historike shqiptare. Pa pasur formimin shkollor të një historiani, por duke ecur në rrugën e tij autodidakte përmes leximesh të shumta në gjuhët që zotëron, ndihmuar prej logjikës së tij të fortë, ndershmërisë dhe bindjeve solide demokratike, Mërgimi hartoi një varg analizash polemike me akademikët Kristo Frashëri e Arben Puto, me profesorin Paskal Milo, etj. Ai vë në dukje se vlerësimet që këta personalitete dhe të tjerë kishin dhënë gjatë kohës së diktaturës për ngjarjet e ndryshme të popullit shqiptar, ishin të gabuara për shkak të politizimit. Kurse vlerësimet që po këta persona vijonin t’u jepnin atyre ngjarjeve edhe mbas vitit 1992 njësoj si në kohën e diktaturës, për Mërgimin dëshmonin se ata kishin mbetur skllevër të mendësisë komuniste, se u mungonte kurajua për të pranuar se dikur kishin gabuar. Kur fakte të rinj ishin bërë të njohur dhe kur ishin botuar interpretime ndryshe, qëndrimi i njëjtë i këtyre akademikëve dhe kolegëve të tyre, në radhë të parë buronte nga mungesa e karakterit, nga prishja e ndërgjegjes, që këta studjues e kishin pësuar gjatë regjimit komunist.
Variantet e Kolaboracionizmit dhe qëndrimi që duhet mbajtur ndaj tyre.
Një nga temat më të rrahura në shkrimet e analistit Korça është çështja e kolaboracionizmit, interpretimi i të cilit e ndan atë prej gjithë atyre që e kanë përdorur dhe interpretuar para tij. Sqarimi i tij për kolaboracionizmin shqiptar përbën një nga sfidat më të mëdha që ky analist u ka bërë studjuesve tanë të historisë së Shqipërisë. Kurse studjuesve të etnologjisë shqiptare, ky analist i ka bërë të skuqen me analizën e hollësishme që i ka bërë kapitullit “VRASA” të Kanunit të Maleve.
Liderët e PKSh-së / PPSh-së, literatura politike dhe ajo shkencore e kohës së diktaturës komuniste dhe pas saj e shpallën dhe e luftuan dukurinë kolaboracionizëm, bashkëpunim me pushtuesin, si të keqen më të madhe të kohës së Luftës së Dytë Botërore, si gogol për të manipuluar popullin dhe për të fshehur bëmat e tyre të ulta.
Veprimtarë të spikatur të çështjes kombëtare, të cilët shumë e shumë vjet që nga Rilindja punuan për të mirën e atdheut duke rrezikuar jetën dhe duke shkrirë pasurinë e tyre, gjatë L2B për të shpëtuar ç’ mund të shpëtohej nën pushtimin italian, ose atë gjerman, pranuan të bashkëpunonin me pushtuesin duke marrë detyra të larta qeveritare të cilat i ushtruan për një vit, ose dishka më gjatë, por si rregull vetëm në interes të vëndit.
T’i fusësh në një thes qeveritë që u krijuan gjatë pushtimit, si qeverinë e Shevqet Vërlacit (prill 1939 – dhjetor 1941) me qeverinë e Mustafa Merlika Krujës (dhjetor 1941 – janar 1943), apo me Këshillin e Regjencës që krijoi parlamenti shqiptar gjatë pushtimit gjerman (tetor 1943 – tetor 1944) me përfaqësues Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Pater Andon Harapin dhe Fuat Dibrën, është miopí shkencore dhe poshtërsi politike. Eshtë miopí shkencore dhe poshtërsi politike, sepse qeveritë e vërteta kolaboracioniste si ajo e Vërlacit e pranuan bashkëpunimin thjesht për interesa kolltuku, kurse Qeveria Merlika dhe Këshilli i Regjencës e pranuan bashkëpunimin me pushtuesin për të mirën e atdheut dhe jo për interesa kolltuku. Anëtarët e këtyre qeverive, biografinë atdhetare të të cilëve, Mërgimi e shpalos me fakte, dëshmon qartë se ata vunë peng nderin dhe atdhetarinë e tyre për të mirën e kombit dhe jo për përfitime personale.
Mbështetur në fjalorë të ndryshëm dhe në të dhëna historike nga historia e shteteve të ndryshme të Europës si Franca, Danimarka, Norvegjia, etj, që përjetuan pushtimin e huaj gjatë L2B, Mërgimi shtjellon termat kolaboracionizëm dhe kuisling, si koncepte dhe duke u mbështetur në të dhëna konkrete historike arrin të sqarojë se në Shqipëri nuk kemi pasur asgjë të ngjashme me Kislingun e Norvegjisë dhe se në jetën shqiptare duhet të dallojmë dy lloje kryesore kolaboracionizmi:
a. Kolaboracionizëm për të mirën e atdheut dhe
b. Kolaboracionizëm për interesa egoiste personale pushtetdashëse.
Dhe këtu analisti ynë nuk ka fare parasysh një kolaboracionist të caktuar por, duke u mbështetur në materiale arkivore, në artikuj e fjalime të liderit kryesor të PKSh-së, shpalos qartë e bindshëm se Enver Hoxha me kërkesat e tij për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë shprehur në plenume të PKSh-së dhe me nënshtrimin total ndaj Bashkimit Sovjetik të diktatorit Stalin dhe ndaj Kinës së Mao Ce Dunit, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një kolaboracionist për interesa egoiste personale për mbajtjen e pushtetit me çdo kusht e në çdo rrethanë.
Përfundimi i Mërgim Korçës është i kuptueshëm nga të gjithë: historianët duhet t’i dënojnë parimisht të dy palët e kolaboracionistëve, si Mustafa Merlikën, Pater Anton Harapin, Lef Nosin, të cilet rregjimi komunist i dënoi me pushkatim sepse bashkëpunuan me pushtuesit fashistë ose nazistë për të mirën e atdheut, si edhe Enver Hoxën, që bashkëpunoi për 40 vjet thjesht për interesat e tij egoiste pushtetdashëse me Josif Broz Titon, Stalinin dhe Mao Ce Dunin duke e vënë Shqipërinë nën diktatin e tyre komunist antishqiptar. Por, e gjithënjë ka një “por”, në analizë të fundit, të nxirren përfundime se kush bashkëpunoi për t’i shërbyer vëndit e kush për interesa fillimisht grupi e në vazhdim për interesa thjeshtë personale !
Disa përfundime
Ing. Mërgim Korça është një përfaqësues i intelektualit shqiptar atdhetar e modern. Dje, me veprat e tij ingjinerike ai i zgjidhi shumë probleme mekanikës bujqësore shqiptare në kohën e vështirë të diktaturës. Sot, duke shfrytëzuar mundësitë që i jep jeta e lirë në ShBA, ai ka krijuar një tërësi veprash me vlerë, rezultatet e të cilave duhet të merren parsysh prej atyre që po rishikojnë dhe do të rishkruajnë historinë e Shqipërisë.
Ky analist bie në sy për njohuri enciklopedike, punë prej studiuesi sistematik, kujtesë te veçantë, guxim, etj; veti që i ka vënë shumë mirë në dukje dhe hartuesi i parathënies së librit të dytë, profesor Ardian Ndreca.
Mërgim Korça, si e ka karakterizuar Visar Zhiti, në parathënien e librit të tretë, “u fut fuqishëm dhe i sigurtë në fushën e shkrimeve analitike me bagazh të plotë dijesh dhe përvojë të njëmendët, jo si një trill i vonë i tij, që ia siguronin kushtet e lirisë, por u ndje i thirrur nga koha për të thënë të vërtetën, aty ku ajo nuk dihej, ishte e mbuluar apo ishte e harruar me qëllim ose jo, të zbulonte të panjohura me rëndësi kombëtare, që i japin dinjitet historisë sonë, atje ku ajo ishte bjerrur.”
Vlerësimi i vëllezërve Genc dhe Mërgim Korça me titullin NDER I KOMBIT, të cilin e kanë merituar prej kohe, do të ishte thjesht një nder që qeveria e sotme shqiptare i bën vetes dhe jo vetëm këtyre bijve të shquar të diasporës sonë.
Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë këto 25 vjet tranzicioni, ka kryer krahas disa punëve të mira edhe një krim kombëtar, një punë antikulturë duke mos treguar asnjë interes për veprat që shkruajnë e botojnë bijtë e shquar të diasporës së re shqiptare, si Prof. Sami Repishti, Mërgim Korça, Eugjen Merlika, Pëllumb Kulla, Lek Pervizi, Ruben Avxhiu, Roland Gjoza, Idriz Lamaj, Andon Dede, Dalip Greca, etj, etj. Sipas meje, ajo duhet të krijojë sa më parë një grup pune për të realizuar një kolanë me vepra të zgjedhura prej penave të spikatura që janë shquar gjatë këtyre 25 vjetëve duke sjellë mendime të rinj për evoluimin e mendësisë shqiptare paskomuniste dhe për të korrigjuar gabime të ndryshme që i janë bërë historisë sonë kombëtare nga të huajt dhe nga historianët tanë të politizuar. Botimi i kësaj kolane në disa mijëra kopje dhe shpërndarja e saj në mbarë vendin do të ndihmnte lexuesin e gjerë, sidomos studentët e degëve të shkencave humanitare për t’i shfrytëzuar si literaturë plotësuese për një formim më të shëndoshë shkencor.

Filed Under: ESSE Tagged With: esse per Mergim Korca, Thanas L Gjika

Kujtime për profesor Eqrem Çabeun

March 1, 2016 by dgreca

Shkruan: Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika/

Nga koha sudentore: Ora e fundit e leksioneve.

Këto kujtime desha t’i shkruaja e botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por atëhere mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë se unë si profesorët Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Jani Thomai, Gjovalin Shkurtaj etj, mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë. Mirëpo tani vonë, mbas disa komunikimesh me bijën e tij, z-njën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrojta e i botova kujtimet e mia më 2011, Duke parë se kujtimet për këtë pedagog, studiues dhe njeri të madh vijojnë të lexohen me interes prej shumë kolegësh të mij, sivjet i ripunove dhe i pasurova më tej.

* * *

Profesor Eqrem Çabeu jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet e ralla kur përputhen tek një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, dëshmi e vlerave të tij.

Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Pëshëndetja e tij binte në sy: të shikonte në sy dhe me dorën e djathtë e çonte pak kapelën. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë në këmbë tek katedra duke folur, ai lexonte vetëm fragmente nga stujuesit e tjerë sa për ilustrim. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështorer që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë.

Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë. Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare, por botëkuptimi dhe sjellja e tij të brumosura që në rini gjatë jetës në Austrinë katolike, e kishin ndihmuar të ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një të krishteri të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e përkushtuar.

Ora e fundit e mësimit me të, aty nga fundi i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhëshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndjehem fajtor. Ndjehem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej…

Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi:

-Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë.

Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekesh njeriun.

Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e pushimit me atë të punës. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.

Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja.

Gjithçka shikojeni me sy kritik.

Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime.

Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.

Mos bëni asnjë punë shkel e shko.

Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.

Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.

Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.

Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kyreysore….

 

Profesor Çabeu nuk i pëlqente djallëzitë dhe jetonte thjesht

Mbasi mbarova fakultetin, në verë të vitit 1966 u emërova redaktor në Radio Tirana. Në vitet 1967-1969 punova në redaksinë e kulturës dhe përgatisja emisionet Enciklopedia e Radios, Në Botën e Shkencës dhe Teknikës, Universiteti Popullor i Radios, Përkujtim Datash të Shënuara Historike, etj. Midis bashkëpunëtorëve që më ndihmonin për materiale të ndryshme kisha aktivizuar edhe agronom Ilia Mitrushin, specialist i dendroflorës shqiptare. Ai kishte studjuar në Grac të Austrisë. Aty për më se një vit, ai, Eqremi e Lazgush Poradeci, kishin qenë studentë në degë të ndryshme e jetonin në shtëpi të ndryshme nëpër familje vendase.

Një herë ing. Mitrushi (ky nuk e quante veten agronom, por ingjinier) e solli materialin në fund të orarit zyrtar dhe iu luta të shkonim bashkë. Po ecnim drejt lumit Lana. Ilia më tregoi se prof. Norbert Jokli, albanologu më i shquar i kohës, i ftonte këta tre studentë shqiptarë një herë në dy javë të djelave për vizitë në shtëpi të tij. Aty ai hapte diskutime për probleme të gjuhës shqipe. Eqremi ndonjëherë mungonte.

–Unë me Lazgushin, shtoi Ilia, mendonim se Eqremi mungonte sepse si student i regullt i Joklit i kishte dëgjuar ato diskutime në leksione. Mirëpo Jokli një të djelë tha:

–Çabeu është i ri, për të ka më shumë rëndësi një shëtitje me një vajzë të bukur sesa diskutimet e mia që i ka dëgjuar në auditor.

Ing. Mitrushi desh të më tregonte me këtë thënie të prof. Joklit, se Eqremi i ri nuk kishte qenë një student i mbyllur, nga ata që ne i quanim “peshkop”, por dhe qejfli e modern, që dinta ta vlerësonte shoqërinë me vajzat e bukura. Unë kisha idenë se prof. Çabeu kishte qenë gjithnjë si tani, njeri i përkorë dhe i përkushtuar pas studimeve. Për ta ngacmuar z.-in Mirtushi thashë:

–Profesor Eqremi më duket pak naiv dhe njeri i padjallëzuar.

–Eqremi dhe ne të tjerët që kemi studiuar në Austri dukemi naivë, por nuk jemi të tillë. Ne i kuptojmë fare mirë djallëzitë e të tjerëve, por nuk bëjmë vetë djallëzira. Ne u rrijmë larg djallëzive, sepse e kemi të qartë ku të shpien ato…

Kjo përgjigje ma qartësoi më tepër karakterin e profesorit dhe ma shtoi dashurinë e respektin për të. Një gjë e ngjashme më ndodhi edhe në një nga takimet me z. Nush Shllaku, i cili kishte qenë nxënës i gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1935. Padër Gjergj Fishta i ftuar prej pedagogut Eqrem në një nga orët e mësimit të letërsisë shqiptare u kishte thënë nxënësve:

–Eqrem Çabeu ka le me u ba klerik, por i asht kushtue shkencës.

Si redaktor i Radjos, për të përgatitur emisionet shfrytëzoja përveç bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe nja dy revista të huaja që vinin në bibliotekën e atij institucioni. Një ditë shtatori të vitit 1969, duke shfletuar revistën franceze Science et Vie (Shkenca dhe Jeta), pashë brenda saj një disk me inçizime. Mësova se në Francë kishte filluar krijimi i enciklopedive zanore, me inçizime të personaliteteve të artit, shkencës, kulturës, politikës, etj. Më shkoi mendja se mund ta filloja dhe unë një punë të tillë sado modeste me disa njerëz të shquar të botës shqiptare. Disa ishin inçizuar prej kolegëve të mij, ose prej meje në emisione të ndryshme, por shiritat nuk i ruanim. I sugjerova shefit të redaksisë, z. Ruzhdi Pulaha që t’i ruanim disa disqe me inçizime me këtë synim, por ai më tha se shiritat ishin mall importi dhe sot për sot ruhen vetëm inçizimet e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë të partisë. Në Shqipëri nuk ka filluar hartimi i enciklopedisë së shkruar me fjalë, enciklopedisë zanore kushedi kur i vjen radha…

Atëhere mendova të bëja diçka vetë, së pari me profesorin më të dashur, prof. Çabeun. E takova dhe i thashë se doja të inçizoja një leksion përmbledhës të tij, me synimin që ta ruante ai e familja për kohën kur mund të krijohej një enciklopedi zanore. Ai më tha se i kishte të inçizuar disa leksione të Historisë së Gjuhës Shqipe. Më ftoi për t’i dëgjuar dhe pastaj të vendosnim ç’duhej bërë. Vend takimi ai la shtëpinë e tij, mbi Unazë, në lagjen Varri i Bamit.

Aty, gjatë tetor-nëntorit ‘69, të djelave njoha familjen e profesorit. Zonja Shyhret, nikoqirja e shtëpisë, në minutat e para të pritjes vinte rrotull me lëvizje të shpejta, na qiraste regullisht me ëmbëlsira të bëra vetë e ndonjë shurup frutash, pastaj ulej për të dëgjuar dhe ajo. Ishte elegante dhe shumë e kujdesëshme. Ishte një dibrane e vërtetë, shtëpinë e mbante shumë pastër, në biseda ishte e shpejtë, hazër xhevap si i thonë fjalës; gjykimet i formulonte shpejt e saktë. Kuzhina dhe dhoma e pritjes ku pata rast te rrija, ishin mobiluar thjesht, me disa kolltuqe, divane e karrike të bëra dikur nga marangozët privatë, që ndryshonin prej mobiljeve uniforme që prodhonte kombinati Misto Mame, të cilat i gjeje në apartamentet tona.

Djali, Artani 16 vjeçar, i gjatë, i ngjante babait. Kishte qejf të konsultonte herë pas here fjalorin francez Petit Larousse. Ndjehej se kishte lexuar shumë për moshën e tij. Mori pjesë vetëm në dëgjimin e leksionit të parë, herët e tjera, pas përshëndetjeve, shkonte te dhoma e vet, ku lexonte e studionte.

Vajza, Brikena 12 vjeçe, ngjante nga të dy prindërit. Ishte elegante dhe e shkathët si mamaja, por vështrimin e kishte të qetë e meditativ si të babait. Ajo kishte qejf të lexonte në dhomën e vet, ose të luante jashtë me shoqet. Nuk erdhi kurrë për të dëgjuar leksionet.

Pata rast të njihja dhe tre nga nipat e profesorit, Tanushin, Hysenin dhe Fatosin, djem të gjatë, seriozë dhe të pashëm, nuk ngjanin midis tyre. Hyseni kishte diçka të ngjashme me profesorin në qëndrim dhe buzëqeshje. Ata erdhën herë njëri herë tjetri, herë dy bashkë. Një të djelë rastisi të vinte për vizitë në atë orë dhe mjeku Flamur Topi, i cili ishte mik i familjes. Unë e njihja, sepse ai ishte gazetar i jashtëm i Radio Tiranës.

Për disa të djela me radhë dëgjuam nga një leksion, një orë e gjysëm. Prej z-njës Shyhret mësova se ditët e djela profesori i shfrytëzonte zakonisht për të shkruar letra, për të bërë ndonjë vizitë a shëtitje. Ai mbante korrespondencë të rregullt me shumë studiues e miq austriakë, gjermanë, francezë, rumunë, italianë, etj. Nuk dij a i shkruante lertat duke përdorur letër kopiativ për të ruajtur një kopje për vete, apo jo. Mësova gjithashtu se profesori pëlqente të lexonte shpesh herë duke qëndruar në shtrat gjysëm shtrirë e duke vendosur librin në një copë kartoni, të cilën e mbante me dorën e majtë mbështetur mbi gjoks. Kurse për të shkruar, më shpesh ai ulej te tavolina e punës.

Shyhreti e qortoi veten se tani që kishin ardhur në këtë apartament larg pazarit nuk gjente kohë për të shkuar shpesh për të blerë peshk të freskët, ushqimin e nevojshëm për bashkëshortin e saj.

Të djelën e parë të dhjetorit ’69 dëgjuam leksionin e fundit. U thashë se inçizimet kishin cilësi të mirë dhe duheshin ruajtur me kujdes. Prej tyre mund të riprodhohej një material më i shkurtër, duke e hedhur në një bobinë të re, etj.

Para se të ngrihesha për të ikur, profesori tha se kishte dëgjuar që zyra e kuadrit të Universitetit po kërkonte të merrte disa kuadro të rinj, midis të cilëve ishte përmendur dhe emri im, që mund të transferohesha nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (në atë kohë ky institut varrej nga Universiteti i Tiranës). Pastaj më pyeti nëse kisha kërkuar unë që të transferohesha, apo drejtoria e Institutit po më kërkonte me që kisha mbaruar fakultetin me nota të larta. I thashë se puna në Radio ishte shumë robotike, aspak shpirtërore dhe nuk më pëlqente. Unë kisha kërkuar disa herë të vija me punë në institut, sepse më pëlqente të merresha me studimin e jetës dhe krijimtarisë letërare e gazetareske të rilindasve tanë, të cilët i admiroja.

–Gëzohem, që ke kërkuar vetë të vish aty. Nuk ka më mirë sesa ta zgjedhësh punën vetë. Kur ta zgjedhin punën të tjerët, shpesh herë bëhen gabime, tha ai dhe shtoi: Unë fëmijët e mij i nxis të mësojnë, të lexojnë dhe të luajnë me shokët, por nuk iu imponoj asnjë lloj drejtimi, atë duhet ta gjejnë vetë…

 

Gjatë viteve kur punova në Institut: prof. Çabeun e admironim të gjithë.

Në janar të vitit 1970, u realizua transferimi im nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Në Radio punën e fillova me qejf, por shumë shpejt e ndjeva se nuk ishte e ardhmja ime në atë punë. Mezi i shtyva tre vjet e gjysëm. Natyrisht përfitimi ishte i madh, u njoha nga afër me gazetarë të aftë e të talentuar, si Fuat Bozgo, Ruzhdi Pulaha, Kiço Blushi, Nasi Lera, me spikerë të talentuar si Haki Bejleri, Kiço Fotiadhi, Vera Zhei, Meropi Xhai, Luiza Papavangjeli, etj. Aty mësova proceset e inçizimit e të daktilografimit; u njoha me intelektualë të formuar jashtë shtetit që punonin si përkthyes si Viktor Kraja, Abaz Xhomo, etj. Puna e atjeshme ma shkundi ngathtësinë. Në institut fillova punë në sektorin e letërsisë shqiptare, ku ishin punësuar para meje Klara Kodra, Jorgo Bulua, Luan Kokona, Floresha Haxhia (Dado), etj me shef Koço Bihikun.

Profesor Çabeu, për të më uruar mirë se erdhe në Institut, më ftoi një ditë për kafe. Shkuam bashkë tek një ëmbëltore në rrugën e Kavajës karshi kishës katolike, të cilën në atë kohë e kishin transformuar në pallat sporti dhe nga jashtë i kishin bërë disa maskime që të kujtonte kamjonët që parakalonin për festën e 1 Majit veshur me kompesato e beze. Eqremi mori një tas të vogël me hashure, unë një kafe, të dyja kushtonin nga 7 lekë të asaj kohe. Më sqaroi se hashurja i kujtonte fëmijërinë, familjen e Gjirokastrës. Pastaj më uroi për punën e re:

–Bëre mirë që kërkove të vish në Institut, këtu është vendi më i mirë për të vijuar formimin tënd shkencor. Tani je në moshën më të mirë për të mësuar gjuhë të huaja…

Unë i thashë se ndoshta do të ishte më mirë të kisha ardhur menjëherë nga bangat e shkollës, tani jam gati 26 vjeç dhe më duket se jam vonë për të mësuar gjuhët e huaja, të cilat i dij jo mirë.

-Jo, ma preu ai, ti ke ardhur në moshën më të mirë. Vitet e punës në Radio Tirana të bënë mirë, ke njohje më të gjerë për jetën, ke tjetër horizont. Kujtesën e ke akoma të freskët, pastaj tani je më i pjekur. Pjekuria të bën më të ndërgjegjshëm dhe ta shton vullnetin për studim.

Unë, pas pak, për t’u treguar i zgjuar, formulova një ankesë ndaj mbreti Zog i cili duhej të kishte bërë më shumë për ekonominë, arsimin dhe shkencën.

–Mbreti Zog nuk duhet fajësuar shumë, tha profesori, në atë kohë ishte zor të bëhej më tepër. Ai u përpoq t’ia kthente fytyrën Shqipërisë nga Europa, por shqiptarët nuk ishin të gatshëm. Mbaj mend se mbreti kishte dhënë urdhër që të punësoheshin vajzat dhe gratë. Mirëpo në tërë Tiranën mezi pranoi një grua, a vajzë e moshuar, që të punësohej tek zyra e postës. Kur u ktheva nga Shkodra në Tiranë, pashë se shumica e meshkujve bënin xhiro duke kaluar nga ajo rrugë për ta parë atë femër tek dritarja e punës. Për ta ishte diçka dëfryse, ose e çuditshme.

Dihet se pasanikët i kishin qypat plot me florinj, por asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë investim në bujqësi ose industri. Çdo gjë do kohën e vet…

Herën tjetër e ftova unë profesorin për kafe. Gjatë atyre minutave u hap biseda për punën e tij lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes. U çudita kur tha se edhe gjuhëtarë të tjerë mund të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, po puna e vazhdueshme e me pasion. Pastaj shtoi:

-Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…

Në sjelljet, veprimet, bisedat e tij binte në sy karakteri burrnor. Ndryshe nga ne të tjerët, profesor Çabeu në biseda e shkrime nuk i përmendte emrat parti dhe Enver. Koha kur u shfaq edhe më dukshëm karakteri i tij i fortë ishte koha mbas vdekjes së djalit të tij. Vdekje tepër tronditëse, por që ai nuk e lëshoi veten, ruajti po atë temperament, po atë dashuri për punën, po atë sjellje me njerëzit.

Mirëpo fakti që ne, ish studentët e tij ndjenim për të një admirim të hapur, nuk durohej prej drejtorisë dhe instancave partiake. Në vitin 1973-74, kur udhëheqja e partisë rimori luftën kundër shfaqjeve të huaja, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një mbledhje, për të luftuar shfaqje të tilla. Në fakt, punonjësit e Institutit ishin njerëz të thjeshtë, pa pretendime, shikonin punën, mirëpo dhe midis tyre duheshin gjetur ndikimet e huaja, dhe organizata bazë e partisë, sipas orientimeve, i kishte gjetur. U kritikua së pari zonjusha Beatriçe Keta për mbajtje të fundeve të shkurta. Beatriçja ishte vajzë e gjatë e pamartuar, fundet deri tek gjunjët i shkonin për bukuri. Të gjithë e pëlqenim atë pikërisht për ato fundet që i sajonte vetë me gusto, por ja që duhej kritikuar. Kritika vijoi, jo më kundër ndonjë punonjësi, po me sulm ndaj fëmijës së vetme të profesor Çabeut. U kritikua vajza e tij, atëhere 16-17 vjeçe, se mbante minifunde.

Për herë të parë e pashë profesorin të reagonte i revoltëuar e nervoz. U ngrit me furi dhe tha me zë të lartë:

–Këto janë shpifje, ime bijë hodhi shtat shpejt këto dy vjet dhe fundet e fustanet i rijnë tek gjuri, këtë nuk e bën për ndjekje mode.

Nja tre vjet më vonë, kur Brikena, vajza e tij, tashmë studente, shkoi në aksion ku i mblodhi gjuri ujë, në fakultet i varrën një fletë-rrufe, ku e kritikonin se mbante flokët e gjata, si ndikim i modës perëndimore…

Për të tilla sulme ndaj vajzës, fëmijës së vetme, që i kishte mbetur profesorit pas vdekjes tragjike të djalit, ne na vinte turp, por nuk guxonim të flisnim. Përmes terorrit partia shtet na kishte kallur frikën në mendjet e në zemrat tona dhe ne ishim pajtuar me të si të ishte një ndjenjë e qëndrim i moralshëm. Kuptohej se të tilla sulme synonin që të na e shkulnin atë nga zemrat tona.

Për turpin e politikës së partisë, Eqrem Çabeu nuk u sulmua vetëm si person e si familje, por edhe në plan shkencor. Kështu, në fund të viteve 50-të Eqremi mbaroi transkiptimin dhe transliterimin shkencor të veprës monumentale Meshari të Don Gjon Buzukut. Kjo vepër e tij mban datë botimi vitin 1962, sepse u dërgua e u botua atë vit në Rumani, por në fakt atë e dërgoi amabasada jonë nga Bukureshti pas disa vjetësh, kur kishte filluar lufta kundër fesë. Ballkanologët rumunë u shprehën me superlativa.

Për t’i treguar botës së huaj se partia e vlerësonte shkencën, kësaj vepre iu dha Çmimi i Republikës i klasit të parë, por ajo nuk u nxorr kurrë në shitje. Preteksti ishte se kjo vepër mund të përdorej si vepër liturgjike nga besimtarët e krishterë…

Vepra, së cilës Eqrem Çabeu i kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe me të cilën dëshmoi aftësitë e ralla, formimin e lartë si komparativist dhe talentin e vet, është puna për shpjegimin e origjinës së fjalëve të shqipes. Mbas botimit të shumë artikujve me karakter etimologjik në revistën shkencore Studime Filologjike dhe në revista të huaja, ai ndërmori ripunimin, zgjerimin dhe përgatitjen për botim të veprës madhore Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes në disa vëllime. Në vitin 1975 dorëzoi për botim dy vëllimet e para, prej të cilëve, më 1976 u botua vetëm vëllimi i dytë. Vëllimi i parë nuk u lejua të botohej me preteksin se autori përmendëte aty me respekt Faik Konicën dhe Mustafa Merlika Krujën, si eruditë shqiptarë që kishin dhënë ndihmesë në fushën e etiomologjisë së gjuhës shqipe. Ky fakt u quajt gabim ideologjik, mbivlerësim i dy figurave reaksionare, por profesori nuk pranoi t’i hiqte emrat e tyre dhe vlerësimet për ta. Kështu vëllimi i parë u pezullua dhe u botua vetëm mbas vdekjes së tij, kur nxënësit e tij ia redaktuan (hoqën) ato fjalë e shprehje. Vëllimet e tjera, ndonëse ishin pothuaj gati, u botuan pak nga pak por jo të gjitha deri më 1990 e më vonë…

Ata që donin ta përulnin Himalajën e shkencave albanologjike, përpiqeshin si e si të mos ia botonin veprat, sidomos kryeveprën, ose kur detyroheshin t’ia botonin, të mos ia nxjirrnin në qarkullim.

Profesor Çabeun, sa qe gjallë, e respektuan dhe e gëzuan si e meritonte intelektualët dhe zyrtarët shqiptarë të Kosovës, sidomos punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Shtëpia botuese Rilindja botoi një përmbledhje të veprës së tij në gjashtë vëllime, botim lluksoz, me format të madh, lidhur me kapakë të fortë ngjyrë çokollatë. Punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik, pedagogët e Fakultetit Filozofik dhe studentët e Kosovës me pritjet shumë të përzemërta plot respekt, që i bënin prof. Çabeut gjatë vajtjeve të tij për leksione në Prishtinë, i krjijuan atij emocione dhe gëzime të mëdha, të cilat na i tregonte me një ngazëllim të përmbajtur.

Në vitin 1975 mua më komunikuan qarkullimin, meqënëse kisha qenë martuar me vajzën e zv. ministrit të tregëtisë, Vasil Katit, i cili u arrestua atë vit me grupin e shpallur armiq në ekonomi. Unë, si shumica e atyre që u ndodhi kjo fatkeqësi, u ndava nga bashkëshortja, por ky veprim i imi nuk i kënaqi anëtarët e partisë së Institutit. Ata vendosën të më qarkullonin. Shokët filluan të më rrinin pak ftohtë…

Një ditë, mbas punës, kur po ecja vetëm në rrugën e Kavajës drejt qendrës, m’u afrua profesor Çabeu dhe e bëmë rrugën bashkë. Zakonisht ai punonte nga ora 8:00 deri 13:00, atë ditë ndoshta kishte pasur ndonjë mbledhje që po shkonte në shtëpi me vonesë. Duke ecur e pyeta pse nuk e merrte autobuzin e Unazës për të mos u lodhur.

–Më pëlqen të eci në këmbë, e konsideroj si fiskulturë. Pastaj kam mendimin se ne që na bie rruga të kalojmë nga Qendra e Tiranës, kemi një favor, njihemi të parët me ndryshimet që mund të ndodhin në qendër. Këtë favor nuk e kanë ata që kalojnë rrugëve anësore.

Për të më dhënë kurajë, hapi bisedën rreth qarkullimit. U çudita kur tha pa drojtje:

–Qarkullimi, për kuadrot e rinj është i dëmshëm, sepse i shkëput nga procesi i kualifikimit. Qarkullimi për ty është çkualifikim.

Ndoshta këtë mendim ai e kishte thënë edhe gjetkë… Im vëlla, kur dëgjoi prej meje mendimin e profesor Çabeut, mori kurajë dhe shkoi e u ankua tek një punonjës i Komitetit të Partisë së Tiranës, te z. Bujar Kolaneci, i cili kishte punuar më parë në Kinostudio si ekonomist filmi. Ky duket se ndërhyri dhe organizata bazë e partisë së Institutit nuk nguli këmbë për të realizuar qarkullimin tim. Mbasi disa rrethe u përgjigjën se nuk kishin vende pune, qarkullimi im u la në qetësi. Pra profesori me idenë e çkualifikimit dhe Bujar Kolaneci me ndërhyrjen e tij, më shpëtuan nga qarkullimi, se kushedi si do më kishte shkuar filli, po të kisha shkuar diku mësues fshati.

Figura e profesor Çabeut ishte shumë autoritare. Me personalitetin e tij, pa qenë kurrë shef, pa pasur asnjë pushtet administrativ, ai ndikonte tek punonjësit më tepër se drejtori, sekretari i partisë dhe shefat e sektorëve. Mbi të gjitha ai na bënte për vete me praninë e tij, me sjelljen korekte, me kulturën profesionale dhe thellësinë e analizave shkencore. Ai rezatonte kulturë në çdo lëvizje, në çdo fjalë. Rezatimi i kësaj kulture ndjehej tek të gjithë punonjësit e Institutit, madje nuk e teproj të them se kultura e autoriteti i tij ndikonin edhe tek komunistët e sigurimsat. Nuk ishte e rastit që valët e qarkullimit në vitet 1967-68 dhe 1973-74 në Institutin tonë u kaluan më lehtë se në institutet e tjera shkencore. Sejcili prej punonjësve përpiqej të ishte sado pak më zotni, sado pak më Eqrem. Kjo përpjekje deri diku i kishte fisnikëruar ata. Në atë institut, mendoj se jo rastësisht, nuk realizohej plani i arrestimeve, asnjë punonjës i tij nuk u arrestua gjatë mëse 30 vjetëve…

Në lagjen Ali Demi, mjaft afër me pallatin ku banoja unë, ishte dhe shtëpia e poetit Lazgush Poradeci. Shkoja tek ai bashkë me Julian, gruan time poete. Një ditë Lazgushi, duke qeshur, tha:

-Unë jap karakterizime shumë të shkurtra për njerëzit. Ja dëgjoni si e karakterizoj Skënder Luarasin: Shumë patriot, shumë demokrat, shumë nevrik.

–Të lumtë se e paske qëlluar, i thashë, po për profesor Eqremin a mund të japësh ndonjë karakterizim?

–Pa tjetër, tha Lazgushi dhe duke u drejtuar sikur do të recitonte, deklaroi: Njeri shumë zotni, shkencëtar shumë i zoti. E duartrokitëm ne dhe vajza e tij, Maria, që ndodhej aty.

 

Profesor Çabeu e jepte opinionin e tij për dikë me fjalë jo fyese.

Në mbledhjet e sektorit dhe në mbledhjet e Këshillit Shkencor të Institutit, sa herë bëheshin diskutime artikujsh ose veprash të punonjësve shkencorë, binte në sy ndryshimi midis diskutimeve të profesor Çabeut dhe profesorëve të formuar në shkollën sovjetike, ose në atë të vendit që ishte një shkollë në formim e sipër. Profesori, së pari përpiqej të vinte në dukje vlerat e punimit dhe vështirësitë që kishte kaluar studiuesi, pastaj ndalej për të vënë në dukje dhe dobësi e mangësi, pa hyrë në hollësira, më jepta dhe ndonjë rrugë për kapërcimin e tyre. Raporti midis pjesës vlerësuese dhe asaj kritike ishte gati në proporcion të barabartë. Kurse profesorët dhe shefat e sektorëve që ishin formuar në shkollën sovjetike ose që po formoheshin gjatë punës në Institut, shquheshin për vëmendjen e madhe që i kushtonin diskutimit të dobësive, për të cilat ndaleshin në shumë hollësira, kurse vlerat e punimeve i përmendnin me një a dy fjali. Kjo frymë diskutimi duke i dhënë rëndësi të dorës së parë kritikave, mendoj se ishte krijuar nën presionin e ideologjisë sunduese të luftës së klasave, ose ndoshta fshehte egoizmin e diskutantëve dhe dëshirën për të treguar se ata ishin shumë të aftë…

Kultura europiane sipërore manifestohej tek profesori në çdo veprim e bisedë. Ai nuk merrej kurrë me thashetheme dhe nuk komentonte punën ose karakterin e dikujt në mungesë të tij. Nervozizmi, hakmarrja, mosmirënjohja, ishin të huaja për të.

Në ato vite drejtor i institutit ishte profesor Androkli Kostallari, studiues i formuar në shkollës ruse, në Universitetin Lomonosov. Në moshë të re kishte mbetur jetim, shkollën e mesme e kishte kryer në gjimnazin e Shkodrës. Kishte qenë partizan, mbas L2B u dërgua për studime në Moskë, ku përvetësoi arritjet e shkencës gjuhësore sovjetike. Mbas kthimit në atdhe udhëheqja e partisë e emëroi në Institutin e Shkencave, pastaj drejtor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Këtu mori dhe detyrën e shefit të sektorit të leksikologjisë, atë të kryeredaktorit të revistës Studime Filologjike dhe të kryetarit të Këshillit Shkencor të institutit. Ky studjues shquhej për ambiciet shkencore, për formim solid në fushën e leksikologjisë, aftësi organizative, etj, por si karakter njerëzor linte për të dëshiruar… Gjatë bisedave tona private me të, ndjeheshim shpesh herë ngushtë, por si frikamanë që ishim, nuk e kundërshtonim për pasionin me të cilin ai shprehte kritikat e tij ndaj kolegëve, sidomos ndaj profesorëve Çabej e Domi, në mungesë të tyre. Kurse gjatë bisedave tona private me këta dy profesorë ne ndjeheshim komodë, sepse nuk dëgjuam kurrë pakënaqësi e kritika personale ndaj Androkli Kostallarit, apo dikujt tjetër.

Drejtori, sa herë hynte në institut, hynte me zhurmë duke u mëshuar takave të këpucëve të cilat i kishte prej sholli, ose të veshura me pafta hekuri. Donte pa tjetër të tërhiqte vëmendjen e atyre që ndodheshin në korrdor, salutonte me zë të lartë dhe për t’u treguar masovik ndalonte e takohej me ata që gjente aty. Kurse profesor Eqremi hynte në institut pa zhurmë me ecjen e tij të shpejtë, salutonte duke ngritur kapelën dhe mund të ndalej vetëm po të kishte ndonjë porosi për dikë që ndodhej në korridor.

Kur u kthye profesor Dhimitër Shuteriqi prej Italie, ku kishte bërë një ekspeditë kërkimore nëpër fshatrat arbëreshe, mbajti në Lidhje të Shkrimtarëve dhe Artistëve një takim ku tregoi për rezultatet e kësaj ekspedite. Midis tjerash ai tregoi se kishte gjetur, pra se i kishin dhënë për të dorëzuar në Arkivin e Shtetit, mjaft dorëshkrime poezish dhe veprash të poetëve arbëreshë. Profesor Shuteriqi e mbylli bisedën duke thënë:

–E shikoni këtë çibuk, dhe tregoi çibukun me të cilin pinte vetë duhan, ky është çibuku i Jeronim De Radës, ma dhanë bashkë me penën e poetit, të cilën e dorëzova në Arkivin e Shtetit bashkë me dorëshkrimet…

Ne që e dëgjuam ulëm kokat. Nuk na erdhi mirë që ky personalitet i letërsisë dhe i shkencës shqiptare kishte mbajtur për vete një relike me vlerë muzeale të potit Jeronim De Rada. Të nesërmen rastisi që të pinim kafe me profesor Çabeun dhe ia treguam ato që dëgjuam prej Dhimitër Shuteriqit. Po prisnim që dhe ai ta quante atë hajdut, si e kishim quajtur ne në bisedat tona. Mirëpo profesori e formuloi mendimin e tij krejt ndryshe, pa asnjë fjalë fyese:

–Nuk është mirë që njeriu të mos dijë ç’është e tija dhe ç’është e shtetit.

 

Vizitat e fundit: Kujtimet për jetën e profesorit duhen shkruar

Në nëntor të vitit 1979 profesor Çabeu u sëmur rëndë. Sapo ishte kthyer nga Vjena, ku ishte dërguar për të mbajtur leksione, i shoqëruar prej leksikologut Jani Thomai. Apartamenti ku i kishte strehuar ambasada jonë nuk kishte ngrohje. Mushkëritë i kishin mbledhur ujë. Doktorët e përcaktuan sëmundjen: kamcer në mushkëri, sëmundje që në atë kohë ishte e pashërueshme dhe përparonte shumë shpejt.

U pikëlluam të gjithë kur mësuam se ai nuk e kishte të gjatë. Filluam t’i bënim vizita për t’i dhënë kurajo. Jani Thomai, Minella Totoni, Gjovalin Shkurtaj dhe unë, që jetonim bashkë në një pallat të bërë me punë vullnetare anës lumit Lana, shkuam për vizitë. Profesori rrinte i qetë, nuk ankohej, tregonte ndonjë përshtypje nga Vjena, ndonjë plan për punën e ardhëshme. Ishte periudhë dimri, ndaj ai rrinte në kuzhinë, i vetmi ambjent me ngrohje. Aty na priti z-nja Shyhret sipas zakonit të saj.

Mbas disa ditësh a javësh, profesorin e dërgoi shteti në Romë, ku e operuan. Kur u kthye, shkova për vizitë sërisht, kësaj radhe me bashkëshorten time. Shyhreti po lante disa tufa me spinaq te çezma, i kishte duart akull të ftohta.

–Doktorët këshilluan që Eqremi të hajë sa më shumë zarzavate, tha Shyhreti. Atij dhe neve na pëlqejnë zarzavatet, por ti Julia e di sa punë do spinaqi, dhe tregoi duart e skuqura prej ujit te ftohtë.

Kësaj radhe, profesori rrinte dhe më i qetë. Shyhreti e kishte shoqëruar në Romë dhe thoshte se mjekët italianë, me sjelljen e tyre shumë xhentile, me të folurën e qetë me zë të ulët, me ato rrobat e tyre shumë të bardha, i ishin dukur si engjëj.

Unë dhe Julia nuk ngopeshim së pari engjëllin që kishim para syve tanë, të cilin nuk kishim për ta parë më…

Ceremonia e varrimit të tij u zhvillua me një pjesëmarrje njerëzish shumë herë më të madhe se ceremonia e varrimit të djalit të tij. Gjithçka u zhvillua si atëhere me seriozitet, askush nuk qau me zë, lotët rrëshqisnin nëpër faqe, ose gëlltiteshin me ngashërim. Disa njerëz rrinin brenda në apartament, shumë të tjerë tek shkalla e pallatit, akoma më shumë rreth pallatit dhe të tjerë në rrugë. Kortezhi u bë shumë i gjatë, pikëllimi ishte shumë i madh. Ndjehej se Tirana dhe gjithë Shqipëria kishin humbur një personalitet vërtet të madh, që e donte pa ndërhyrjen e organeve të shetit…

Profesor Çabeu u nda nga jeta më 13 gusht 1980, në moshën 72 vjeçare, kur ishte ende shumë i gjallë e me kapacitet të plotë mendor. Ai u largua nga kjo jetë pa e humbur bukurinë fizike e shpirtërore, duke na lënë në kujtesë figurën e një njeriu madhështor dhe ndikues.

Me rastin e dyvjetorit të vdekjes, më 13 gusht 1982, në institut nuk po ndjehej se do të shkonte kush tek familja e profesorit, si një vit më parë. Atëhere vendosa të shkoja me Palok Dakën, mikun më të mirë të profesorit dhe timin. Paloka kishte punuar me profesorin që nga viti 1949, që kur ishte krijuar Instituti i Shkencave. Ai ruante shumë kujtime për të, madje dhe shumë intimitete. Ai më kishte treguar se si e kishin sulmuar profesorin në vitet e mbrapta 1967-1968. Në mbledhjen e organizuar në institut për të dënuar shfaqjet e huaja, në prani të Manush Myftiut, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Fadil Paçramit, sekretar i parë i K. P. të Tiranës, drejtori i institutit, Androkli Kostallari e sulmoi profesor Çabeun. E quajti kuadër që i nënshtrohej shkencës borgjeze. Si argument ai përmendi se profesor Çabeu në studimet e tij nuk citonte rezultatet e arritura të shkencës shqiptare që po zhvillohej nën kujdesin e partisë; dhe se me rastin e vdekjes së albanologut gjerman Maksimilian Lamberc, ai kishte shprehur në shkrimin nekrologjik vetëm lavdërime, kur dihej se ky studjues borgjez kishte përkthyer në gjermanisht poemën Lahuta e Malsisë të poetit reaksionar Gjergj Fishta.

Profesori e kishte mbrojtur veten me pak fjalë:

-Për citimet në veprat e mia shkencore unë ndjek parimin ndërkombëtar, sipas të cilit citohen vetëm veprat e botuara në shtypin e lartë, pra në libra dhe revista shkencore. Unë nuk kam cituar e nuk mund t’i citoj rezultatet e studjuesve tanë që janë botuar nëpër dispenca, sepse artikujt e botuar në to konsiderohen jo përfundimtare, mbasi janë në përpunim e sipër. Botime të tilla nuk i ruan as Biblioteka Kombëtare.

Për studjuesin Maksimilian Lamberc dhashë vlerësime pozitive, sepse në shkrime nekrologjike nuk shprehen kritika e rezerva.

I ndodhur ngushtë Manush Myftiu e mbylli diskutimin duke thënë se partia e ka vlerësuar Lambercin me titull të lartë dhe në nekrologji vërtet shprehen vetëm vlera dhe jo kritika…

Duke kujtuar të tilla momente gjatë ecjes në këmbë i thashë Palokës se duhej t’i shkruante kujtimet e tij për profesorin dhe t’i thoshte z-njës Shyhret, se ajo dhe njerëz të tjerë të afërt, të shkruanin kujtimet për profesorin. Kur arritëm në shtëpi nuk gjetëm njerëz të tjerë përveç zonjës së shtëpisë dhe një vëlla të profesorit, avokatin Ferid, një burrë që i ngjante atij, por ishte më i shëndoshë. Ai jetonte në Lushnjë bashkë me vëllain tjetër Ihsanin, mjek.

Paloka e gjeti rastin dhe tha se mbledhja e kujtimeve për jetën e profesor Çabeut është punë me vlerë dhe duhet bërë sa më parë. Z-nja Shyhret nënqeshi, dhe tha: po, po, duke na lënë të kuptonim se ajo e vlerësonte këtë mendim dhe se një ditë do të ulej për të shkruar kujtimet e saj…

 

Profesor Çabeu më ndihmoi edhe i vdekur.

Kur erdha në Amerikë më 1996, 52-vjeçar kisha gradën Doktor dhe titullin Profesor i Asocuar. Duke mos ditur anglishten u detyrova të punoja pjatalarës, ndihmës kuzhinier, pastrues, roje, punëtor fabrike në turnin e tretë, etj. Shkova në shkollë nate dhe munda të mësoj anglisht në nivelin që mund ta flisja dhe ta shfrytëzoja këtë gjuhë. Atëhere thashë me vete: ky është ai qarkullimi që më mbeti pa bërë në rini. Tani nuk jam më fillestar, ky qarkullim nuk do të më çkualifikojë, prandaj duhet të filloj të merrem dhe me punë shkencore. Dhe fillova nga leximet, studimet dhe grumbullimi i matrialit për sqarimin e problemit se a kishte punuar apo jo shën Pali gjatë udhëtimeve të tij në trojet ilire, gjë që ai vetë e kishte pohuar në letrën drejtuar besimtarëve të Romës.

Pas gati tetë vjet pune me përqendrim të lartë arrita të provoja e ta shpija përpara traditën gojore shqiptare e cila thoshte se shën Pali kishte punuar në territore shqiptare (atë kohë ilire). Këtë mendim para meje e kishin formuluar me disa të dhëna, por pa sjellë prova bindëse disa historianë, si italiani Daniele Farlati (1817), amerikani E. Jacques (1995) dhe shqiptarët Marin Barleti (1520) e Kristo Frashëri (2001). Unë e shpura këtë rezultat më tej, duke provuar se shën Pali jo vetëm kishte punuar për krijimin e kishave të para të krishtere në troje ilire, por dhe kishte shkruar dy letra në Durrës (Dyrrach) dhe një letër në Nikopol të Epirit.

Duke ditur se në mbarë mbarë Mesdheun, pra dhe në gadishullin Italik deri në shekullin e IV përdorej greqishtja si gjuhë predikimi midis besimtarëve dhe se latinishtja u bë gjuhë fetare, gjuhë e kishës, vetëm mbasi u përkthye Bibla prej shën Jeronimit në fund të shek IV fillim i shek V, më lindi një mendim. Përhapja e Krishtërimit në qytete ilire prej vetë shën Palit e nxënësve të tij që në shek I e pastaj në shek II-IV duhej të ishte kryer në gjuhën greke, gjuha e predikimeve fetare të atyre shekujve, herë herë duke përdorur dhe përkthyes nga greqishtja nv ilirisht. Në këtë proces predikimi terminologjia fetare në ilirisht duhej të kishte hyrë fillimisht prej greqishtes duke u përshtatur në gjuhën vendase. Pra duhej që të vërtetoja se disa fjalë nga kjo terminologji, gjuha ilire (dhe pasardhësja e saj, shqipja) i kishte marrë, ashtu si latinishtja, drejtpërdrejt nga greqishtja e lashtë që në shekujt I-IV dhe jo nga latinishtja, ndikim i së cilës në këtë fushë kishte ndodhur vetëm mbas shek V.

Mendimin se shqipja i kishte marrë fjalët e terminologjisë fetare prej latinishtes ishte formuluar prej disa studjuesve gjermanë në kohën kur sundonte mendimi se krishtërimin në popullin ilir e kishin sjellë misionarë të ardhur prej kishës së Romës. Këtë mendim e kishte pranuar dhe profesor Çabeu. Me një fjalë më duhej që për origjinën e disa fjalëve kishëtare të jepja një shpjegim ndryshe nga ai që kishte dhënë idhulli im. Mendo e stërmendo. Herë pas here sillja në mend fjalët e tij:

-Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen.

Shkova në Shqipëri dy herë, bleva gjashtë vëllime të fjalorit etimologjik të Çabeut dhe lexova e rilexova vëllimin e parë (hyrja teorike) mbajta shënime, lexova me kujdes shpjegimet për shumë fjalë. Lexo e vra mendjen, kujto profesorin e prapë lexo, prapë vra mendjen dhe më në fund dhashë shpjegimet e mia se disa fjalë si apostull-i, ungjill-i, engjëll-i, kish,ë-a, etj e terma të tjera të Krishtërimit, të cilat latinishtja i kishte marrë vetë prej greqishtes, edhe ilirishtja (nëna e shqipes) i kishte marrë drejtpërdrejt prej greqishtes dhe jo prej latinishtes.

Më 2007 e botova librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re dhe shkova në Tiranë ku organizova promovimin e tij në Muzeu Kombëtar. Aty kisha trajtuar dhe këtë problem. Mirëpo punonjësit e institutit, pikërisht ata që merreshin me studime gjuhësore, vlerësuan aspekte të ndryshme të veprës, por u stepën, nguruan të jepnin gjykime për nënkapitullin ku jepja sqarimet e mia etimologjike për këto fjalë. Dukej se ata vuanin nga mendimi se brezi ynë ishte i papërgatitur për të dhënë ndihmesë në fushën e etimologjisë. Ata e kishin kthyer Çabeun në një tabu, gjë që ai vetë nuk e kishte dashur, madje e kishte luftuar.

Me këshillat e punën e tij, profesor Çabeu më ndihmoi edhe mbas vdekjes, këtu në Amerikën e largët, duke më dhënë kurajon e nevojshme për të punuar edhe në fushën e tij, aq të vështirë…

Tani vonë mësova se profesor Kolec Topalli ka hartuar e botuar një fjalor etimologjik të shqipes në tre vëllime. E përgëzoj z. Topalli se po ecën në rrugën e porositur prej vetë mësuesit tonë profesor Çabeut.

(Shkrimi u ripunua e plotesuan në shkurt 2016).

Filed Under: ESSE Tagged With: Eqrem Çabeun, kujtime, për profesor, Thanas L Gjika

E FALENDEROJ Z-njën NEXHMIE HOXHA PËR INTERVISTEN HAXHIQAMILISTE

February 16, 2016 by dgreca

Shkruar nga Thanas L. GJIKA/
Në këto ditë të ftohta të shkurtit 2016, z-nja Nexhmie Hoxha, e veja e ish diktatorit tonë dha një intevistë, të cilën e quajti të fundit. Pas saj nuk duhet të presim më prej saj intervista e biseda, për të bërë ndonjë korrigjim a evoluim mendimesh. Kjo intervistë e saj duhet konsideruar si testamenti i saj. E pikërisht për faktin se ajo e la testamentin e saj duhet ta falenderojmë, mbasi ish pushtetarët që nuk lenë testament bëjnë një gabim fatal ndaj pasuesve puthadorë të tyre. I lenë këta në një gjendje të turbullt lidhur me qëndrimet që duhet të mbajnë ndaj dukurive të ndryshme politike e shoqërore në të ardhmen dhe kundërshtarëve nuk u japin material për t’i diskredituar.
Z-nja Nexhmie u tha pasuesve të PPSH-së, dhe simpatizantëve të saj, të cilët për fat të keq përbëjnë gjysmën e popullit shqiptar që jeton në atdhe, se Enver Hoxha si burrë shteti kreu vetëm trimërira e bëma të mira, duke jetuar me një rrogë me të cilën e mbyllte muajin me vështirësi. Se rroga e tij prej 16.000 lekësh, ishte në përputhje me porosinë e Leninit, vetëm dy herë e gjysëm më e lartë se ajo e punëtorit, etj. Ajo nuk tha asgjë lidhur me faktin se sistemi socialist dështoi me turp, sepse ishte i ngjizur që në embrion me kërkesa e porosi që ishin kundër natyrës njerëzore. Ajo nuk përmendi asnjë nga krimet e kohës së diktaturës komuniste, madje as nga ato të cilat i gatuante ajo me bashkëshortin e saj. Ajo bëri sikur nuk e dinte se fshatari që punonte në kooperativë merrte rreth 40 lekë për ditë pune, pra 16 herë më pak se diktatori, etj.
Demokratët duhet ta falenderojnë z-njën Nexhmie sepse ajo i la pasuesit e PPSH-së dhe besnikët e saj të çoroditur, mbasi mospranimi i asnjë kritike ndaj diktatorit e diktaturës, është përpjekje për ta kthyer Enver Hoxhën në një tabu të paprekshëm. Kurse sipas Katovicës, që ndiqte Ramiz Alia, diktatura e diktatori duheshin sharë, shaheshin e kritikoheshin gabime e krime të kryera. Pra autorja e testamentit bën hapa prapa në krahasim me rrugën që kishin ndjekur deri sot pasuesit e besnikët e PPSH-së. Me intervistën testament ajo, duke mos kërkuar të falur për krimet e kryera dhe duke mos u bërë thirrje pasuesve të saj për largim nga skena historike edhe mbas 25 vjet nga humbja e betejës, ajo po u le një trashëgim moral shumë të ulët pasuesve të hapur e të fshehur të PPSH-së, . Ajo po ngul këmbë në ruajtjen e mendësisë së vjetër tiranike dhe po kërkon ta maskojë të vërtetën me gënjeshtra, ashtu si kishte bërë në kohën e sundimit diktatorial.
Intervista e saj nuk është gjë tjetër veçse një kushtrim haxhiqamilist Dum Babën, Dum Babën! kur perandoria komuniste është përmbysur pa kthim dhe Enver Hoxha është mbuluar me një mal me krime tashmë të zbuluara e njohura botërisht. Kjo intervistë testament është një vulë turpi në ndërgjegjen e saj dhe të çdo shqiptari që do ta ndjekë atë…

Filed Under: Opinion Tagged With: interviste Haxhiqamiliste, nexhmije Hoxha, Thanas L Gjika

VEPRA E KADARESË E SHKRUAR GJATË DIKTATURËS KA QENË VEPËR ME TIPARE DISIDENTE

January 25, 2016 by dgreca

Në kuadrin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit/
Nga Thanas L. Gjika- Massachusetts/
Ismail Kadareja ka qenë shkrimtari ynë më i talentuar, më prodhimtar dhe më i lexuar i kohës së diktaturës. Madje ai vijon të jetë shkrimtari më prodhimtar dhe më i lexuar edhe sot, njëzet e pese vjet mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur kanë dalë dhe shkrimtarë të tjerë shumë të talentuar si Visar Zhiti, me problematikë, tematikë e stil krejt të ndryshëm prej tij. Mbas përkthimit të veprave të Kadaresë krahas frëngjishtes dhe në gjuhë të tjera të huaja, ai ka marrë disa çmime të rëndësishme ndërkombëtarë dhe po bëhet një nga autorët më të kërkuar e më të vlerësuar në plan botëror.
E madhërishmja e këtij shkrimtari gjatë periudhës së diktaturës është se, ai krijoi vepra me tipare disidente në një kohë, kur disidenca si dukuri nuk lejohej dhe dënohej shumë rëndë deri në zhdukje fizike.
Në shtetet diktatoriale komuniste, partitë-shtet luftuan që të planifikonin ashtu si për prodhimin bujqësor, blegtoral e industrial edhe për atë letrar e artistik. Këto parti sipas porosive të V. I. Leninit i kthyen krijuesit në punëtorë për krijimin e kulturës, letërsisë dhe artit socialist. Partia shtet planifikonte zhvillimin e letërsisë e të artit zyrtar me krijues të paguar prej saj, të cilëve ua mbulonte shpenzimet e botimit, të përkthimit e të botimit në gjuhë të huaja. Në këtë proces, këto parti, për të maskuar shtypjen e vërtetë, zbatonin dhe një farë plani për një politikë gjoja tolerance.
Si është shprehur Visar Zhiti në veprën studimore “Panteoni i Nëndheshëm, ose Letërsia e Dënuar”, dikujt i jepej më shumë racione lirie, si racionet e bukës, djathit, mishit, etj. E dinte partia se kujt t’i jepte një, dy, ose tre racione lirie. E nëse ky krijues e tejkalonte racionin e tij të lirisë, ndëshkohej. Disave, që ishin jashtë kësaj liste, u merrej dhe racioni bazë i lirisë që u takonte. Ata ndëshkoheshin, jo rrallë dhe me marrje të jetës, për t’u përdorur si gogol për trëmbjen e krijuesve të tjerë e të mbarë popullit.
Kështu po ta shohim procesin letrar të krijuar gjatë diktaturës shqiptare mund të bëjmë një farë ndarjeje për shumë prej krijuese, por Ismail Kadareja, si do ta shohim më poshtë, është një fenomen letrar që i doli partisë shtet nga skemat e saj.
Zakonisht quhen krijues disidentë ata krijues, të cilët u kundërvihen hapur me vepra artistike, ose me fjalime politikës e bëmave të qeverive jodemokratike ose diktatoriale, ku ata jetojnë dhe si pasojë janë dënuar me pushkatim, varrje, burgim, internim dhe mohim të së drejtës së botimit. Në letërsinë tonë të kohës së diktaturës, për nder të letrave shqipe, kemi pasur krijues disidentë që u pushkatuan si Genc Leka e Vilson Blloshmi, që u varrën si Havzi Nelaj, që u dënuan me burgim si Astrit Delvina, Kasem Trebeshina, Pjeter Arbnori, Jorgo Bllaci, Visar Zhiti, Maks Velo, Zydi Morava, etj, etj dhe shkrimtarë disidentë që e zhvilluan krijimtarinë e tyre pasi u larguan prej Shqipërisë para nëntorit 1944 si Ernest Koliqi, Vasil Alarupi e Isuf Luzaj dhe shkrimtarë që lulëzuan si krijues disidentë pasi u arratisën prej Shqipërisë komuniste si Martin Camaj, Arshi Pipa, Sami Repishti, Bilal Xhaferi, etj.
* * *
Kadareja shkroi në rininë e tij mjaft poezi e ndonjë roman si Dasma, etj me lavdërime ndaj rregjimit komunist, më vonë disa poema si Shqiponjat Fluturojne Lart dhe Vitet 60-të, ku glorifikoi partinë. Kjo shpjegohet nga fakti se ai vinte nga radhët e shtresave të ulta të shoqërisë, të cilat në dekadat e para të rregjimit komunist përfituan prej reformave të tij ndaj e përjetuan instalimin e këtij regjimi si fitore dhe nuk ushqyen mendim kritik ndaj asaj që po ndodhte në të vërtetë.
Kadareja bëri një hap të lavdërueshëm kur hartoi e botoi tregimin Gjenerali i Ushtërisë së Vdekur më 1963, e pastaj të romanit me po këtë emër më 1964. Këtu ai vuri si figura qendrore të veprës një gjeneral e një prift italian dhe jo heronj pozitivë, komunistë a ndonjë sekretar partie. Kjo dëshmoi se artistikisht ai kishte rezerva dhe po rebelohej ndaj metodës së realizmit socialist. Kjo ishte një shprehje artistike e frymës të tij kundërshtuese ndaj regullave të realizmit socialist.
PPSH-ja mbas ndarjes nga Moska, pra nga vendet e kampit socialist, ndodhej në një gjendje krize dhe izolimi. Veprat letrare të shkrimtarëve shqiptarë që kishte përkthyer në gjuhë të huaja nuk pëlqeheshin askund. Në të tilla kushte ajo pranoi që përkthimin në frëngjisht të romanit Gjenerali i ushtërisë së vdekur bërë prej Isuf Vrionit, ta botonte e ta dërgonte në Francë. Këtë veprim ajo e bëri sipas psikologjisë së vet, jo për të popullarizuar autorin në botën Perëndimore, por për t’i treguar kampit socialist dhe botës Perëndimore, se arti dhe letërsia në Shqipërinë e shkëputur nga Moska po lulëzonte me nivel edhe më të lartë artistik.
Më tej, pasi ky roman u ribotua frëngjisht në Francë dhe autori u lejua të shkonte atje disa herë, ku pa nga afër një botë krejt tjetër nga ajo që kritikohej në shtypin shqiptar, Kadareja bëri hapa të rinj drejt pjekurisë ideore. Kjo pjekuri u manifestua në novelat Urra me tri harqe, Pallati i Endrrave, Pashalleqet e Medha, Qorrfermani, dhe në romanin Koncert në fund të Dimrit, etj, ku ai u shpreh kuptueshëm kundër deformimit shpirtëror që i bëhej njeriut nga sistemi diktatorial.
Duhet të pranojmë se ky autor me këto vepra i kishte tejkaluar racionet e tij të lirisë, dhe ky tejkalim ishte meritë e tij. Duan apo nuk duan ata që shkrujnë kundër Kadaresë, e vërteta është se ai iu imponua politikës së PPSH-së përsa i përket politikës së saj djallëzore të përdorimit të racioneve të lirisë.
Ky imponim ishte i ndryshëm nga imponimi që arritën disa persona si ingjinieri i mekanikës bujqësore Mërgim Korça, përkthyesi Isuf Vrioni, etj. Këta arritën ta detyronin diktatorin që të ndërhynte për t’i vlerësuar ai personalisht, vetëm në saje të aftësive të tyre dhe nevojave të vendit. Për ing. Mërgim Korçën, me baba të vdekur në burg dhe vëlla të arratisur në SHBA, Enver Hoxha ndërhyri t’i jepej titulli i lartë Punonjës i shquar i Shkencës, për shkak se zhvillimi i bujqësisë kishte shumë nevojë për aparaturat që projektonte dhe zbatonte ky ingjinier. Kurse Isuf Vrionit të dalë nga burgu i besoi përkthimin e veprave të veta në frëngjisht. për shkak se donte që veprat e tij të përktheheshin e botoheshin në frëngjisht në nivel sa më të lartë gjuhësor.
Ismail Kadareja; përveç aftësive personale si krijues me nivelin më të lartë artistik, përveç nevojave të mëdha që kishte partia shtet për të përmirësuar imazhin e saj përpara botës (sikur ajo u kishte dhënë liri krijuesve të talentuar të shpreheshin lirishtit); pati dhe një avantazh që nuk e patën shkrimtarë të tjerë. Ai pati paguar një haraç të madh me romanin Dimri i Madh, ku glorifikoi figurën e Enver Hoxhës. Dënimi i Kadaresë do të sillte si pasojë edhe dënimin, djegien e kësaj vepre, e për të mos ndodhur kjo, diktatori i vdekur për lavdi, u detyrua të vinte veton për të mbrojtur Kadarenë nga sulmet e Sigurimit e të përgjuesve vullnetarë, që kapnin e raportonin gabimet e tij.
Kur Anastas Kondoja i shkoi me ankesa kundër Kadaresë, diktatori ia preu shkurt: Më lodhët më këtë djalë. Kjo përgjigje donte të thoshte ta linin rehat e të mos e shqetësonin më për Kadarenë, sepse ai i duhej partisë…
Natyrisht ky imponim i Kadaresë ndaj diktatorit e diktaturës, duke fituar më shumë racione lirie se krijuest e tjerë, nuk përbën disidencë të mirëfilltë, mbasi lufta e tij ishte e kufizuar vetëm kundër krijimit të çnjeriut, Lajfenit shqiptar. Një dalje e hapur e shumëplanëshe kundër politikës së partisë shtet, patjetër do të sillte edhe dënimin e Kadaresë si disident, sepse disidenca e mirëfilltë ishte e palejueshme për partitë shtet të botës komuniste e aq më tepër për diktaturën shqiptare që shquhej për egërsinë e saj.
Hartimi dhe botimi I veprave me tipare disidente, duhet pranuar se ishte maksimalja e mundshme që mund të arrihej në Shqipvrinë e asaj kohe, më tej vinte shkatërrimi. Faktin që vepra e Kadaresë e krijuar gjatë regjimit komunist nuk është vepër disidente e ka pranuar dhe shpallur disa herë vetë ky autor. Vepra Nga një Dhjetor në Tjetrin, ku autori i kërkonte Ramiz Alisë diktatorit pasardhës, që të përmirësonte disa aspekte të jetës pa mohuar socializmin si sistem të gabuar, tregon se Kadareja deri në tetor të vitit 1990 nuk kishte pasur bindje politike kundërsocialiste, pra nuk kishte bindje disidente ndaj regjimit komunist, ai kishte vetëm pakënaqësi të pjesëshme.
Kjo ngecje e autorit tonë më të talentuar e më të guximshëm vetëm në kuadrin e tipareve disidente, vetëm në shprehjen e disa pakënaqësive të pjesëshme, është njëherazi edhe shprehje e gjendjes shumë të trembur, të izoluar e të nënshtruar të mbarë shoqërisë sonë. Goditjet e njëpanjëshme shfarrosëse ndaj elitës intelektuale klerikale e laike kundërkomuniste që nga nëntori i vitit 1944 e në vijim, dënimet e herëpashrëshme për një fjalë goje me burgime, bashkë me propagandën e fuqishme të shtetit diktatorial, kishin krijuar një atmosferë mbytëse dhe frikë të madhe. Brezi i ri i formuar nëpër shkollat e vendit, për më keq akoma dhe ata që ishin krijuar në botën Lindore, ku kishin shijuar disa liri më të mëdha se në Shqipëri, ishin pajtuar me këtë gjendje mbytëse. Madje ishte bërë sundues mendimi se ishte e moralshme të nënshtroheshe e të mbyllje gojën, sepse nuk mund t’i bihej murit me kokë, se një dallëndyshe nuk e sillte dot pranverën. Shkrimtarët e formuar paraluftës në botën Perëndimore dhe që kishin mendime disidente ishin mjaft të moshuar jetonin disi të mënjanuar. Ata nuk krijuan shoqëri të afërt me Ismail Kadarenë, nuk i shprehën atij rezervat e tyre ndaj sistemit socialist, pa le mendimet kundër. Përjashtim bën këtu vetëm Lazgush Poradeci, i cili gjatë një takimi i tha me të qeshur, por natyrisht dhe me qortim: Si je o nimfa e përkëdhelur e Partisë! Por një shaka qortuese ishte vetëm një shaka qortuese dhe nuk mund ta ndihmonte Kadarenë për një formim kundër regjimit. Për më tepër ajo nuk u përsërit me qortime të tjera e biseda kritika ndaj socializmit si sistem politik shoqëror.
Pra një disidencë, si fenomen politiko-shoqëror dhe artistik, që shfaqet me kundërshtim të hapur ndaj politikës së regjimit në fuqi, ka munguar në veprën e këtij autori dhe ata që bëjnë përpjekje për ta gjetur atë gabojnë. Këtë gabim e kam bërë edhe unë në kumtesën që mbajta me rastin e festimit të 65-vjetorit të këtij shkrimtari, organizuar prej të paharrueshmit Anthony Athanas në Pier Four Restorant, Boston MA, (botuar në Illyria N.Y, 2001, 30 janar, faqe e mesit).
Në kushtet e diktaturës tepër të egër shqiptare, krijuesit u detyruan të ishin shumë të përmbajtur e të kujdesshëm. Në këtë rrugë, që duhet quajtur rruga e pajtimit me politikën zyrtare, ecën shumica e krijuesve shqiptarë, sidomos ata që ishin pjellë e shkollës socialiste. Këtë fakt e ka pranuar me guxim qytetar vetë Kadareja te skica Prometeu ribotim i vitit 1992 ku ai i shtoi kësaj skice nënkapitullin Prometeu i Pajtuar, të cilën e kemi quajtur katarsa e Kadaresë (Gazeta Rilindja, Tiranë 1994, 25 maj, f.9 dhe “Illyria, N.Y. 2001, 30 Janar, faqe e mesit).
Natyrisht duhet të vemë në dukje se mjaft krijues u përpoqën t’i largoheshin pajtimit të plotë me politikën shtypëse të regjimit komunist. Dhe në këtë aspekt vepra e Kadaresë ka merita të mëdha, mbasi kjo vepër, më shumë se veprat e botuara të autorëve të tjerë, luftoi disa aspekte të politikës çnjerëzore të partisë shtet.
Në veprat e Kadaresë gjeje më shumë se kudo kritikë e zbulim të të metave të njerëzve të pushtetit. Edhe pse temën e ndaluar, atë të pasqyrimit të jetës në gulaget dhe në burgjet shqiptare, ky autor nuk e trajtoi, duhet pranuar se në veprat e tij u është dhënë vend më shumë se në veprat e autorëve të tjerë, klasave të përmbysura, të cilat janë trajtuar pa përbuzje, dhe jo pa dinjitet.
Ishte Kadareja ai që e formuloi socializmin luftë midis të aftëve e të paaftëve, ku të aftët lodhen të parët (Dimri i Vetmisë së Madhe). Pra, tërthorazi ai e shpalli socializmin një sistem shoqëror pa të ardhme, mbasi nuk stimulonte të aftët.
Ai krijoi universin e tij letrar me temë nga koha e Perandorisë Osmane për të trajtuar probleme të jetës aktuale shqiptare me nëntekst në pasqyrimin e jetës shqiptare nën sundimin obskurantist osman. Kështu ai, nga njëra anë sfidoi thirrjen e partisë për të pasqyruar në letërsi dhe arte realitetin socialist, nga ana tjetër i jepte tingëllim aktual shtypjes së personalitetit njerëzor që ishte kryer në shekujt e sundimit të rëndë osman, por që ishte aktual në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të.
Autorët që krijonin brenda burgjeve dhe ata që krijonin letërsi sirtari jashtë burgjeve, edhe pse kishin brenda tyre trajtim disident të jetës shqiptare, nuk luajtën e nuk mund të luanin rol për edukimin e popullit, sepse veprat e tyre nuk u botuan e nuk qarkulluan midis lexuesve. Kurse vepra e Kadaresë, megjithëse nuk ishte vepër disidente e mirëfilltë, por vetëm me tiparet disidente duke luftuar kundër krijimit të njeriut të Ri të socializmit, kundër çnjeriut (Koncert në Fund të Dimrit), kundër ndërhyrjes së partisë në jetën personale të shqiptarit (novela Nata me Hënë ), etj, luajti rol të ndjeshëm në trimërimin e karakterit të shqiptarit. Pjesë të këtyre veprave mësoheshin përmendësh prej të rinjve.
Veprat më të mira të Kadaresë shërbyen si ushqim shpirtëror e artistik për shumë krijues të kohës të cilët të mbushur me guxim prej leximit të tyre, u përpoqën ta shpinin më tej cakun e racionit të lirisë që jepte partia shtet. Të tillë ishin Visar Zhiti, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nelaj, etj, të cilët e paguan guximin e tyre aq rëndë.
Faji kryesor që shkrimtarët dhe krijuesit tanë më të talentuar të kohës së diktaturës, nuk e kundërshtuan hapur regjimin, nuk duhet parë thjesht dhe vetëm si dobësi e karakterit të tyre, por edhe si pasojë e egërsisë së diktaturës shqiptare, e cila si askund në Evropën Lindore, jepte dënime kapitale edhe për shfaqje të vogla disidence.
Gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri ndiqej politika e ndotjes së përgjithshme. Sejcili detyrohej prej regjimit të kryente veprime ose të thoshte gjëra të tilla, që edhe në kohën kur ky regjim mund të përmbysej, askush të mos kishte sy e faqe ta shante atë. Sa më të talentuar të ishin krijuesit, aq më të rafinuara merreshin masat për t’i njollosur edhe ata. Këtë politikë të ulët e kishte zbatuar partia shtet edhe ndaj Kadaresë. Edhe atë e kishte porositur të shkruante reportazhe e vepra lavdëruese për partinë e politikën e saj, me qëllim që po të përmbysej situata, t’ia përmendnin, si ia përmendin me të madhe shpesh herë kalemxhinjtë ishkomunistë e sigurimsa.
Për ta vijuar politikën e njollosjes ndaj Kadaresë e zgjodhën nënkryetar të Frontit Demokratik, organizatë pa asnjë pushtet. Po për këtë qëllim hafijet e Sigurimit pëshpëritën sikur ai i quajti Jashteqitja e kombit ata që u futën nëpër ambasadat në korrik të vitit 1990. Kjo shprehje nuk u botua prej vetë Kadaresë në asnjë artikull të asaj kohe, nuk u dëgjua në asnjë intervistë radiofonike a televizive të tij, madje autorësinë kadarejane të saj e ka mohuar dhe Dritero Agolli në një intervistë të tij para disa vitesh.
Kadareja, ndonëse gjatë viteve të diktaturës tha e shkroi dhe vepra haraci, ku lavdëroi partinë dhe diktatorin, pas vitit 1990, ndryshe nga shumica e krijuesve shqiptarë, pati kurajon qytetare që t’i njihte e t’i hidhte poshtë gabimet që kishte bërë nën trysninë e pushtetit diktatorial.
Kadareja, me arratisjen e tetorit 1990 fitoi pavarësinë dhe filloi të jetojë epokën e evoluimit të tij. Ky evoluim ideor e nderon qytetarinë dhe letërsinë shqiptare. Vlerësimi i ri që ai u dha mbas vitit 1991 figurave të shquara të kombit si Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Bilal Xhaferit, etj, të cilët në kohën e diktaturës, nën presionin e propagandës së kohës, i kishte kritikuar, ose sulmuar, janë dëshmi e pjekurisë së tij qytetare, prej së cilës duhet të mësojmë të gjithë.
Si përfundim mund të themi se vepra më e mirë e Kadaresë e shkruar dhe botuar gjatë regjimit komunist nuk ishte një vepër disidente në kuptimin klasik të fjalës, por ishte një vepër me tipare disidente. Ajo nuk ishte një vepër antikomuniste, mbasi si e tillë nuk mund të botohej, por ajo e orientonte drejt lexuesin për të parë e vlerësuar si duhej shumë aspekte antinjerëzore të politikës së regjimit komunis. Ajo trimëroi mjaft krijues të rinj që kaluan në radhët e disidencës shqiptare.
Për këto merita që ka vepra e këtij shkrimtari aq të talentuar, sulmet që i janë bërë dhe i bëhen duke e quajtur poet oborri, shërbëtor i regjimit komunist, njeri me karakter të dobët, etj, nuk janë të drejta.
Kur vlerësojmë krijimtarinë e një shkrimtari duhet të marrim në konsideratë jo veprat e zakonshme, por kryeveprat e tij, kurse dobësitë e karakterit nuk duhen pasur parasysh dhe nuk duhen përmendur.
Po të shohim se kush e ka sulmuar shkrimtarin Kadare dhe veprën e tij këto njëzet e pesë vjet, mund të bëjmë këtë grupim:
Disa ish sigurimsa e ish komunistë, të cilët përfituan prej diktaturës e diktatorit poste e detyra të pamerituara. Këta duke mbetur nostalgjikë ndaj rregjimit komunist, urrejnë çdo njeri që shau e shan atë sistem shoqëror, pra urrejnë edhe shkrimtarin që e kritikon atë rregjim.
Disa shqiptarë të pakët, të cilët, po tregohen më osmanë se vetë turqit dhe po përpiqen të ngjallin dashuri për sulltanët e Perandorinë Osmane, njerëz të cilët i shqetëson kritika që Kadareja i ka bërë politikës antinjerëzore e antishqiptare të kësaj perandorie…
Disa shqiptarë të pakët që mendojnë se gjuha letrare shqipe me bazë toskërishten duhet mënjanuar e duhet zëvendësuar me një gjuhë te re letrare me bazë gegërishten. Duke qenë se Kadareja simbolizon shkrimtarin që i dha nivelet më të larta artistike gjuhës letrare mbi bazë toskerishten, ata nuk mund ta lenë pa e sulmuar ashpër për shkak të gjuhës së tij…
Ndonjë shqiptar mysliman fanatik, që nuk ia fal Kadaresë thirrjen për t’u kthyer te feja e të parëve, te feja e krishtere…
Me pak fjalë mund të themi se ata pak shqiptarë që sulmojnë Ismail Kadarenë duke u kapur pas dobësive të disa veprave ose të karakterit të tij bëjnë pjesë në radhën e krijuesve mediokër e ziliqarë, ose janë të lidhur e paguhen prej qarqeve të huaja antishqiptare…

Filed Under: LETERSI Tagged With: E SHKRUAR GJATË DIKTATURËS KA QENË VEPËR, ME TIPARE DISIDENTE, Thanas L Gjika, VEPRA E KADARESË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT