Thanas L. Gjika/
Dallimet midis njeriut të qytetëruar dhe atij të paqytetëruar janë disa, por kësaj radhe po ndalem tek një, që është ndër kryesorët: qëndrimi ndaj gabimeve.
Njeriu edhe pse mund të jetë i ditur, i pasur, i pushtetshëm e i talentuar, është qenie prej mishi e gjaku, pra është qenie që mund të gabojë në rrethana të ndryshme.
Mirëpo njeriu i qytetëruar, kur e ballafaqojnë me faktet për gabimin/ gabimet, që ka kryer tërhiqet, e pranon gabimin dhe kërkon të falur publike. Kurse njeriu i paqytetëruar pasi gabon nuk tërhiqet, nuk pranon të ndryshojë edhe kur ia venë përpara provat e gabimit /gabimeve ai vijon të ngulë këmbë se është i pafajshëm.
Më kujtohet Zoti Bill Klinton kur ishte në apogjeun e tij si President i ShBA-ve, i verbuar prej pasionit kreu një akt të dënueshëm me zonjushen Levinski, kreu akt seksual gojor. Vajza e emancipuar nuk u tulat, por kërkoi ndëshkimin e këtij akti. Presidenti më i fuqishëm i botës u çekuilibrua dhe e mohoi gabimin. Levinski nuk u tërhoq, pa u trembur se mos pësonte hakmarrje iu drejtua Gjykatës. Gjykata e ndodhur para provave bindëse dha vendimin se Presidenti Bill Klinton ishte fajtor. Presidenti i ndodhur para provave bindëse dhe vendimit të Gjykatës e pranoi gabimin dhe i kërkoi të falur zonjushes Levinski.
Gjithashtu ai i kërkoi të falur edhe bashkëshortes së vet. Mirëpo bashkëshortja e tij, Zonja Hillari Klinton, Zonja e Parë e Amerikës, u trondit nga ky gabimi i rëndë i bashkëshortit. Edhe pse ai i kërkoi të falur, ajo nuk deshi ta falte dhe shpalli se do të kërkonte ndarjen prej tij.
Njerëz të mençur, midis cilëve dhe shkrimtari i talentuar e disident Haveli, Presidenti i Republikës Ceke, iu lut ta falte bashkëshortin, të reflektonte dhe ta gjykonte aktin e tij si një gabim njerëzor të kryer nën nxitjen e institkteve, të cilat e errësojnë logjikën njerëzore.
Zonja Klinton pranoi këshillën dhe tërhoqi padijën. Familja nuk u prish.
Thashethemnaja kaloi, jeta vijoi si më parë, por duke marrë një mësim: Edhe njerëzit e pushtetshëm, të pasur e me kulturë janë njerëz, mund të gabojnë, por duhet të pranojnë gabimet dhe t’i dënojnë ato, të tërhiqen dhe të kërkojnë të falur. Po ashtu, kur dikush u kërkon të falur, për një gabim që u ka bërë, njeriu i qytetëruar e fal, pranon të tërheqë kërkesën për ndëshkim…
Kjo ndodhi në Amerikë, por bota e paqytetëruar nuk deshi të merrte mësim.
Në Shqipëri, njerëz të shkolluar, të pushtetshëm e të talentuar bënë gabime gjatë regjimit diktatorial, bënë gabime e krime edhe gjatë tranzicionit, por kur vihen para provave për gabimet e krimet e tyre, ata nuk kërkojnë të falur.
Kështu po vdesin të papenduar shumë shqiptarë që kishin përfituar privilegje gjatë diktaurës dhe tranzicionit, që kishin kryer gabime e krime, kështu po vijojnë të mos pendohen e të ngulin këmbë se nuk kanë gabuar dhe shumë prej mëkatarëve, që janë ende gjallë.
Sy kanë, po nuk shikojnë; veshë kanë, po nuk dëgjojnë; mendje kanë, po nuk u funksionon, pse, sepse janë të paqytetëruar e nuk pranojnë të kërkojnë të falur…