• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FALENDERIM ZONJES MERKEL, KANCELARES SE REPUBLIKES GJERMANE

October 27, 2020 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika-

Para disa ditësh Zonja Merkel deklaroi botërisht se Europa i ka një borxh shtetit shqiptar të cilin e krijoi te cunguar. Ky është i vetmi shtet në Europë që rrethohet nga të gjitha anët me banorë që flasin të njëjtën gjuhë. Duhet krijuar shteti kombëtar shqiptar, ku të bashkohen territoret shqipfolëse…

Kjo deklaratë e Zonjës Merkel tërthorazi i thotë Z. Putin se diplomacia rusomadhe ka qenë shkaktarja qe nuk u krijua shteti kombëtar shqiptar më 1912-1913 kur presionet e Rusisë Cariste detyruan Fuqitë e Mëdha të Europës të krijonin një shtet të cunguar shqiptar duke i dhënë Serbisë territore që nuk banoheshin prej serbesh, por prej shqiptarësh e maqedonobullgarësh. Pra, Z. Putin duhet të kuptojë se dhe Rusia i ka borxh Shqipërisë mosrealizimin e shtetit kombëtar shqiptar që 110 vjet më parë. Dhe si udhëheqës i Rusisë, shkaktares së kësaj vonese, ai duhet ta këshillojë deri në detyrim qeverinë e Serbisë që të mos bëjë më përpjekje për ta shtyrë shlyerjen e këtij borxhi ndaj popullit dhe shtetit shqiptar, fqinjit të tij.

Ndërkohë, deklarata e Zonjës Merkel kuptohet se u tërheq vëmendjen pushtetarëve të Shqipërisë e të Kosovës dhe drejtuesve të partive politike shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi që të krijojnë një strategji të përbashkët për të ecur drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, ku të përfshihen gjithë territoret ku flitet gjuha shqipe.

Mjaft humbët kohë zotërinj politikanë e partiakë me luftë interesash personale duke e maskuar me luftën partiake, se në Shqipëri nuk ka parti vërtet atdhetare që t’ju luftojnë juve. Punoni për realizimin e këtij plani strategjik, sepse e nesërmja e afërt nuk do t’ju falë e do t’ju dënojë si tradhëtarë.

Edhe për krijuesit shqiptarë kjo deklaratë nënkuptohet se është një thirrje për t’u larguar nga nostalgjia komuniste dhe nga shërbimi i maskuar ndaj partisë politike në pushtet. Qartësohuni se komunizmi dhe enverizmi ishin armiq të nacionalizmit dhe u përpoqën ta përjetësonin coptimin e popullit shqiptar në disa shtete.

Filed Under: Komente Tagged With: falenderim, Kancelares Merkel, Thanas L Gjika

ZILIA DHE URREJTJA – TIPARE TË SHQIPTARËVE TË POLITIZUAR

October 12, 2020 by dgreca

ZILIA DHE URREJTJA – TIPARE TË SHQIPTARËVETË POLITIZUAR, DUHEN SHËRUAR SA MË SHPEJT-

Ese nga Thanas L. Gjika-Ne shqiptarët midis popujve europianë jemi dalluar për disa veti të mira të ngjizura gjatë shekujve si trimëria, guximi, mikpritja, mbajtja e fjalës së dhënë, mëshirimi i të dobëtit, dhënia e ndihmës ndaj atij që ka nevojë, dashuria për dije dhe liri, etj. Mishërimi i të tilla vetive bëri që gjatë shekujve të delnin prej popullit tonë burra trima si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Mic Sokoli, Çerçiz Topulli, dijetarë si Pjetër Bogdani, Sami Frashëri, Hoxhe Tahsini, shenjtorë si Shën Jeronimi, Papa Albani (Papa Clement i XI), Shën Nënë Tereza, etj. 

          Ndërkohë nuk duhet të lemë pa përmendur se këtyre vetive të mira gjatë shekujve XVIII-XX pushtuesit e huaj turq, qarqet shoviniste fqinjë dhe sundimi komunist u përpoqën dhe ia dolën të ngulitnin në ndërgjegjen e shumë shqiptarëve dhe disa karakteristika të këqia si zilia ndaj më të aftit e më të pasurit dhe urrejtja ndaj atij që nuk mendon si ne.

          Pushtuesit turq, për ta sunduar më kollaj popullin tonë, pasi e konvertuan gati 60-70 % në mysliman, u përpoqën të mbillnin urrejtjen midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Propagandës për ngjallje të urrejtjes midis shqiptarëve me besime të ndryshme i shërbyen edhe propagandat shoviniste greke, serbe e malazaze pasi u krijuan këto shtete të pavarur para nesh. Rilindasit tanë iu kundërvunë këtyre propagandave antishqiptare dhe arritën të krijonin një farë mirëkuptimi midis shqiptarëve të të dy besimeve. Si pasojë u arrit në një shkallë të nevojshme uniteti i popullit, u kryen kryengritjet e mëdha të përbashkëta kundër pushtuesit aziatik derisa u shpall pavarësia e shtetit shqiptar. 

          Në Shqipërinë e cunguar, Shqipërinë Londineze, gjatë viteve të Mbretërisë martesa e Mbretit Zogu i I me princeshën e krishtere Geraldina Ponti ndikoi për fillimin e martesave midis shqiptarëve të rinj nga besime të ndryshme fetare dhe emërimin e fëmijëve të familjeve me origjinë myslimane me emra të ndryshëm me kuptim shqip dhe jo me emra tipikë myslimanë. Kjo prirje u forcua gjatë viteve pasardhës 1939-1990 dhe vijon edhe sot. 

          Mirëpo, ndërsa urrejtja fetare midis shqiptarëve të Shqipërisë Londineze gjatë sundimit të Partisë Komuniste / Partisë së Punës, u zbut dhe po kalonte drejt shuarjes, një tjetër urrejtje u ushqye prej partisë shtet, urrejtja klasore. Gjatë 47 viteve të sundimit të diktaturës komuniste partia shtet ushtroi në popullin shqiptar një dhunë e terror të ashpër për ta kthyer atë në popull plotësisht të nënshtruar dhe pa frymë kritike. Të tillë u bënë pjesa dërmuese e anëtarëve të Partisë Komuniste, që më vonë u quajt Partia e Punës dhe punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, bashkë me ata informatorë të Sigurimit, që hynin me dëshirën e tyre në atë shërbim. 

          Këta njerëz zakonisht ishin nga shtresat e varfra të popullit dhe e morën me qejf indoktrinimin që u serviri partia shtet përmes programeve mësimore në shkolla dhe propagandës me anën e shtypit, radio-televizionit, letërsisë, artit, etj. Këta shqiptarë të edukuar me mësimet e partisë mendonin se njerëzit e pasur e kishin vënë pasurinë jo me punë po thjesht duke shfrytëzuar populli, dhe se për interesat e tyre ekonomike e pasanikët e shisnin dhe atdheun. Kështu ngulitën në ndërgjegjen e tyre urrejtjen ndaj borgjezisë e mikroborgjezisë shqiptare. Ata harruan se këto shtresa kishin luajtur rolin kryesor për zgjimin dhe çlirimin kombëtar, për ngritjen kulturore dhe ekonomike të vendit, etj.

          Përmes luftës së klasave, urrejtjes ndaj të pasurve iu shtua dhe urrejtja ndaj atyre që mendonin ndryshe, të cilët partia shtet i shpallte “armiq të atdheut e të partisë” dhe i burgoste, ose i izolonte në fshatra internimi dhe e detyronte popullin të mos mbate lidhje me ta. Kështu te pjesa besnike e partisë shtet u mboll urrejtja ndaj atyre që partia i konsideronte kundërshtarë. Kjo urrejtje u bë pjesë e karakterit të këtyre njerëzve që nuk mendonin me kokën e vet, por ishin kthyer në robotë. 

          Shoqëria shqiptare u transformua në një shoqëri të sëmurë. Shqiptarët e atdheut mëmë vuanin si gjithë shqiptarët e tjerë dhe gjithë popujt e botës nga ndjenja e zilisë, e cila është një dobësi njerëzore që ka njeriu ndaj më të aftit e më të pasurit, por besnikëve dhe shërbëtorëve të partisë shtet iu shtua edhe ndjenja e urrejtjes klasore ndaj të pasurve dhe ndaj atyre që i shpallte partia shtet “armiq e tradhëtarë”. Ariti puna sa këta njerëz pa kërkuar sqarime e dokumente e urrenin një person ose familje menjëherë pasi e shpallte pushteti (diktatori, ose organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme) “armik e tradhëtar” edhe pse deri dje e kishin respektuar si qytetar e pushtetar të nderuar si e kishte respektuar vetë partia e pushteti. Nga frika pas kësaj psikologjie ecte dhe shumica e popullit.

          Fatkeqësisht bindja e verbër ndaj vendimeve të pushtetarëve, kjo mendësi e sëmurë nuk po luftohet as sot, sepse partitë kryesore politike PS-ja, PD-ja, LSI-ja PR-ja janë pjella të drejtpërdrejta të PPSh-së, që e kultivoi këtë sëmundje për ta përçarë e sunduar popullin më lehtë. Kjo mendësi e sëmurë që ka karakterizuar e karakterizon popullin tonë këto 76 vjet, ka dhe aspektin tjetër të saj, pasionin e tepruar të politikanëve për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Këto dy aspekte përbëjnë atë që mund ta quajmë enverizëm, sëmundje prej së cilës duhet të shërohemi sepse ndyshe nuk mund të ecim drejt Europës..

          Po të lexosh me vëmendje shtypin e Shqipërisë Londineze të bie në sy, sidomos te komentet e shkrimeve, një tifozllëk i sëmurë midis shkruesve ku manifestohen me partishmëri të zjarrtë urrejtja ndaj artikullshkruesve ose komentatorëve që mbështesin ide dhe mendime kundërshtare. Kjo partishmëri e zjarrtë është e zhvilluar te shumica e atyre shqiptarëve që kanë qenë aktivizuar me dëshirën e tyre si informatorë të Sigurimit, ose kanë qenë anëtarë besnikë të Partisë Komuniste / PPSh-së, e tani janë anëtarë ose simpatizantë të PS-së, PD-së, LSI-së, PR-së, etj. Këtë tipar negativ e manifestojnë edhe shumë bij të këtyre shqiptarëve, të cilët e kanë marrë drogën e enverizmit prej prindërve të tyre, ose ua ushqejnë interesat e sotme politike dhe ekonomike.

          Zgjedhjet e prillit 2021 po afrojnë. Populli shqiptar duhet të zgjohet nga droga komuniste. Ai e pa konkretisht gjatë viteve 1992-2020 se duke pasur në krye një klasë politike ku shumica kanë qenë komunistë e ish-sigurimsa si Skënder Gjinushi, Sali Berisha, Kastriot Islami, Gramoz Ruçi, etj, ose bij besnikë të baballarëve të tyre si Edi Rama me shokë, nuk e ndertoi dot demokracinë si estonezët, lituanezët, polakët, cekët, hungarezët, rumunët etj. Populli shqiptar i Shqipërisë nuk duhet të votojë më të tillë kandidatë për deputetë e pushtetarë. Edhe brenda partive politike duhet të kryhet një luftë për mënjanimin nga kryesitë e partive PS, LSI, PD, PR të elementëve të lidhur me PPSh-në dhe Sigurimin e vjetër të kohës së diktaturës. 

          Fatmirësisht shqiptarët e përtej kufirit shtetëror që jetojnë në Ballkanin Perëndimor nuk manifestojnë njësoj si ne zilinë ndaj më të diturit e më të pasurit dhe nuk urrejnë aq shumë ata që mendojnë ndryshe. Lufta për çlirimin nga këto vese të shqiptarëve të sëmurë nga droga komuniste, të cilët përbëjnë mbi 50 % të popullit shqiptar brenda Shqipërisë, duhet marrë seriozisht, sepse vetëm largimi nga ndërgjegja jonë e zilisë dhe urrejtjes për njëri tjetrin do të na forcojë si komb, do të na ndihmojë të shkojmë drejt Europës së Bashkuar dhe krijimit të shtetit kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shqiptaret e Politizuar, Thanas L Gjika, urrejtja, Zilija

DYZIMI I SHQIPTARËVE GJATË DIKTATURËS KOMUNISTE

September 19, 2020 by dgreca

Ese nga Thanas L.Gjika-

Regjimi diktatorial komunist arriti ta shtypte mendimin ndryshe më fort se çdo regjim që kishte sunduar në Shqipëri gjatë shekujve XIX-XX dhe t’i kthente shumicën e banorëve të Shqipërisë në njerëz të dyzuar, që ndryshe mendonin e ndryshe shpreheshin.

Qeveria turke i ndoqi dhe i luftoi rilindësit tanë, të cilët përhapnin idenë e lirisë kombëtare, pra mendimin dryshe, por nuk arriti ta shuante lëvizjen e tyre që u kthye shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare. Kjo lëvizje kundër zgjedhës turke ndërgjegjësoi një pjesë të madhe të popullit dhe më tej shpuri në organizimin e kryengritjeve të armatosura dhe së fundi tek akti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Fatkeqësisht, nën trysninë e politikës sllavomadhe të Rusisë cariste, Fuqitë e Mëdha të asaj kohe krijuan një Shqipëri të lirë në gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët.

Qeveritë shqiptare që u krijuan në vitet 1912-1913 dhe 1920-1939 e lejuan shprehjen e mendimit ndryshe nëpër gazeta, revista, libra dhe në debatet parlamentare. Në saje të lirisë së shprehjes së mendimit ndryshe lulëzoi në Shqipërinë e atyre viteve gazetaria dhe letërsia përparimtare që iu kundërvu politikës së qeverive të kohës si dhe monarkisë Zogiste.

Respektimi i shprehjes së mendimit ndryshe vijoi edhe gjatë viteve 1939-1944, kur sunduan qeveri të ndryshme shqiptare bashkëpunëtore të pushtuesve italo-gjermanë. Në ato vite u botuan krahas organeve qeveritare që propagandonin politikën e pushtuesve të huaj edhe gazeta, revista, libra që shprehnin mendime kundër kësaj propagande. U krijuan organizata patriotike “Balli Kombëtar”, “Partia Komuniste Shqiptare”, “Partia e Legalitetit”, “Partia Social Demokrate” të cilat botonin buletinet e tyre, ku propagandonin lirinë kombëtare.

Mmbas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare mendimi ndryshe, pra mendimi që nuk përputhej me propagandën e qeverisë në pushtet, u luftua ashpër . Në fillim kjo luftë u krye pa pasur ligje të shkruar, por shumë shpejt u sajuan dhe nene e ligje që e dënonin mendimin ndryshe. Këtyre dënimeve iu dha emri “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”, kurse të dënuarit shpalleshin “Armiq të Partisë e të atdheut”. Këtyre u jepej një dinim nga 3 deri 10 vjet burg, dënim që shoqërohej krahas burgimit të personit dhe me internimin e falijarëve. Shumë nga të dënuarit pasi kryenin vitet e burgimit dërgoheshin në kampe internimi për disa vjet, ose për gjithë jetën. Me të tilla dënime u shfarros pjesa më e madhe e intelektuatëve të formuar në shkollat perëndimore. Në popull u krijua një gjendje frike e terrori.

Njerëzit që kishin një farë formimi demokratik, për të mbijetuar u detyruan të mbyllnin gojën. Edhe pse në mendje mendonin ndryshe, kur flisnin në ambjente shoqërore ata aprovonin vendimet e partisë shtet, madje dhe i duartrokisnin fjalimet e udhëheqësve të partisë. Frika stimuloi dyzimin mendor te shumë njerëz, madje dhe te shumë krijues të letërsisë dhe artit. Shumë pak krijues që mendonin ndryshe nuk vijuan të krijonin vepra të reja pas vitit 1944. Këtë rrugë ndoqën Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Mustafa Grëblleshi e ndonjë tjetër.

Krijues që kishin filluar të krijonin para vitit 1944, si Dhimitër Shuteriqi, Andrea Varfi, Aleks Çaci, Foto Stamo, Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata, etj, të cilët morën pjesë në Luftën Antifashiste në krahun e Nacional Çirimtares, pas vitit 1944 u bënë flamurtarë të metodës së re letrare, metodës së realizmit socialist. Kjo metodë e re u importua prej Bashkimit Sovjetik bashkë me thënien e Leninit “Shkrimtarët dhe artistët janë vidë dhe burmë e propagandës së partisë”.

Trysnia për nënshtrimin dhe kthimin e gjithë popullit në popull servil e të nënshtruar ushtrohej në dy dretjtime: nga njëra anë përmes ushtrimit të terrorit policor me burgime e internime që kryenin Ministria e Punëve të Brendshme me organet e veta dhe Komisioni i Dëbim-Internimeve; dhe nga ana tjetër përmes propagandës me gazeta, revista, radio (më pas u shtua dhe televizioni), me botime veprash letrare, prodhim filmash, organizim festivalesh të këngës, ekspozita pikturash e skulpturash, etj.

Kuptohet se trysnia që kryhej me anën e propagandës artistike ka qenë forma që e ndihmonte partinë shtet më shumë në misionin e saj shtypës, prandaj shpërblehej me lejë krijuese, honorare, dërgime jashtë shtetit, tituj e grada shkencore për fushat e shkancave shoqërore, etj. Kjo ndodhte sepse arti e pushton lexuesin, spektatorin, dëgjuesin me figuracionin artistik të krijuar bukur me imagjinatën krijuese. Dhe kur njeriut i pushton mendjen e zemrën e kthen atë në simpatizant e rrob. Këtu qëndron dëmi i madh i helmit të sofistikuar që përhapnin këngët, poezitë, poemat, romanet, dramat, filmat, tablotë murale e komplekset monumentale që realizoheshin me nivel të lartë artistik, por me brendi ideore të gabuar, sepse përmes tyre propagandohej Partia Komuniste si e vetmja forcë përparimtare që po e shpinte popullin nga fitorja në fitore, kur dihej tatëpjeta ekonomike, politike dhe morale që kishte marrë realisht Shqipëria. Po kaq të dëmshëm ishin dhe studimet në fushën e shkencave shoqërore, ku shtrembërohej realiteti dhe e vërteta historike për ta përputhur atë me vijën politike të partisë shtet.

Fakti që vepra letrare e artistike krijoheshin me një frymëzim të lartë dhe me imagjinatë të fuqishme krijuese dëshmon se ato ishin krijuar jo nga zori e frika, se ashtu e kërkonte partia shtet, por sepse të tilla ishin bindjet artistike të krijuesve. Niveli i tyre i lartë artistik dëshmonte dhe dëshmon se partia shtet duke e përdorur politikën e kulaçit e kërbaçit, i pati bërë ushtarë besnikë të propagandës së vet si ish-partizanët edhe krijuesit që nuk ishin lidhur me Luftën Antifashiste. Më vonë këtij grupi iu bashkuan edhe krijuesit e rinj që filluan krijimtarinë pas viteti 1950.

Ndërkohë kontakti me vepra të letërsisë përparimtare botërore, kontakti me njerëz si Lasgush Poradeci, Ali Asllani, vepra e Mirtush Kutelit që nuk shkruhej sipas normave të realizmit socialist, etj, i nxitën disa romancierë, regjisorë, etj, të kalonin në trajtimin e tematikës historike të para krijimit të Partisë Komuniste. Kjo lloj tematike i shpëtonte ata nga detyrimi për të krijuar në veprat e tyre një hero pozitiv komunist ose sekretar partie.

Në Bashkimin Sovjetik pasi u dënua kultit të Stalinit prej N. Hrushovit, filluan të delnin shkrimtarë dhe artistë disidentë që e kundërshtonin parimin e realizmit socialist dhe politikën e partisë shtet. Në këtë kohë edhe në Shqipëri filloi të shihej me simpati ideja se disidenca ishte një mendësi pozitive, që ndihmonte ecjen drejt lirisë. Mirëpo, pikërisht në këtë kohë partia shtet e forcoi edhe më tepër ndjekjen dhe shtypjen e çdo shfaqjeje të mendimit ndryshe në shtyp dhe në shoqëri. U arrestuan krijues si Pjetër Arbnori, Trifon Xhagjika (këtë pas pak vitesh e pushkatuan në burg). Vala e përndjekjes u shtuan pas pleniumit të IV të PPSh-së (1973). U arrestuan Frederik Reshpja, Luk Kaçaj, Vangjush Tushi, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Maks Velo, Visar Zhiti, etj. Terrori arriti kulmin me pushkatimin e poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi më 1987 dhe me varjen në litar të poetit Havzi Nela më 1988 (një vit para shembjes së murit të Berlinit).

Shqiptarët brenda atdheut ishin ndarë në disa grupe: Njëri grup përbëhej nga të dënuarit politikë, të cilët formonin grupin e disidentëve të vërtetë, kundërshtarëve të regjimit. Një grup tjetër përbëhej nga gojëmbyllurit, të cilët hiqeshin si neutralë, por kur vinte puna duarktokisnin bëmat e partisë edhe pse në thellësi të tyre vlonin mendime kritike ndaj regjimit. Ky ishte grupi më i madh shoqëror. Një grup tjetër përbëhej nga krijues aktivë të cilët përmes veprave të tyre mbështesnin vijën e partisë, gjë që helmonte masat e popullit. Kurse disa më të pakët përpiqeshin të luanin një farë roli disident në ato kushte të vështira. Këta krijonin herë pas here krahas veprave socrealiste dhe vepra me nëntekst kritik ndaj disa aspekteve të jetës e të propagandës së partisë. Kritka e tyre godiste disa aspekte të jetës e të propagandës komuniste, por nuk kritikonte thelbin e regjimit komunist, pra këta krijues nuk arrinin të ishin kundërkomunistë. Në krye të tyre ishte shkrimtari më i talentuar shqiptar Isamil Kadare, deputet në disa legjislatura dhe nënkryetar i Fronit Demokratik. Veprën e tij partia shtet filloi ta përkthente frëngjisht e botonte në Francë për të treguar se ishte parti liberale dhe jo diktatoriale. Bota perëndimore e pëlqeu dhe e përkrahu veprën e I. Kadaresë sepse ai ishte shkrimtar shumë i talentuar dhe që shkruante me tone kritike ndaj jetës nën diktaturën komuniste.

Në vitet 1990-1991 u pranua dhe në Shqipëri dështimi i regjimit diktatorial. Të burgosurit e ndërgjegjes u luruan dhe u krye ndërrimi i sistemit socialist me sistemin pluralist dhe ekonominë e tregut. Ish-të përndjekurit e ndërgjegjes botuan veprat e tyre, metoda e realizmit socialist u hodh poshtë si metodë e gabuar. Disa krijues dhe studiues të shkencave shoqërore, që kishin krijuar në përputhje me vijën e partisë shtet në mbështetje të propagandës së partisë, të çliruar nga frika, u kthjelluan dhe filluan të evoluonin drejt së djathtës. Këta filluan të hartonin vepra letrare artistike realiste dhe të kritikonin krimet e komunizmit, kurse studjuesit e shkencave shoqërore filluan të hartonin studime ku respektonin me objektivitet ligjet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore.

Një shumicë e madhe e krijuesve të veprave të realizmit socialist, edhe pse e braktisi këtë metodë krijuese dhe filloi të shkruante ndryshe, nuk mundi të evoluonte sa e si duhej. Këta nuk i kritikuan veprat e tyre të shkruara para vitit 1990, nuk i dënuan krimet e komunizmit dhe nuk deshën t’i vlerësonin veprat e të përndjekurve politikë. Në krye të tyre qëndroi poeti e shkrimtari i talentuar Dritëro Agolli, ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve.

Për fat të keq mosevoluimin e D. Agollit nuk e kritikoi mbas vitit 1992, por e vlerësoi si tipar të shëndetshëm studjuesi i talentuar i Kosovës, Prof. Rexhep Qosja. Me rastin e largimit nga jeta të D. Agollit ai shkroi: “Për jetëshkruesit e tij Dritëro Agolli do të mbetet i çmuar, shumë i çmuar edhe për një arsye: do të mbetet i çmuar përgjithmonë për qëndrimin e tij vertikal, të dinjitetshëm pas rënies së komunizmit. Ai nuk do të provojë asnjëherë, me asnjë fjalë të arsyetohet për farë veprimesh a për farë shkrimesh që në kohën e shkuar mund të ketë bërë, siç iu ka ndodhur, më në fund, të bëjnë jo pak të tjerëve”.

Në rrugë tjetër eci I. Kadareja pas largimit nga Shqipëria, pra pas tetorit 1990. Duke jetuar në Paris ai pati mundësi të kuptonte se regjimi diktatorial komunist ishte i gabuar në thelbin e vet. U shpreh shpesh herë kundër terroit komunist, kërkoi hapjen e dosjeve të Sigurimit dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Shkroi vepra të reja ku thelloi kritikën ndaj regjimit diktatorial, etj. Natyrisht ata që mbetën në vorbullën e shërbëtorëve të partisë socialiste (si u quajt PPSh-ja pas vitit 1991), iu turrën Kadaresë nëpër faqe gazetash e interneti si sambistët e dikurshëm, tashmë jo me shkopinj, por me penat e tyre të fëlliqura gjithë sharje e shpifje.

Rrugën e evoluimit e ndoqën edhe shumë krijues si Peç Zogaj, Koçi Petriti, etj, studjues të shkencave shoqërore si Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, etj. Numëri i krijuesve dhe studiuesve që evoluojnë drejt së djathtës, që i bashkohen grupit të krijuesve dhe shtudiuesve të përndjekur, vjen duke u shtuar. Shqiptarët e këtij grupi nuk vuajnë nga dyzimi.

Kurse krijuesit dhe studjuesit që mbetën besnikë të vijës politike të PS-së, vijueses së PPSh-së, mbetën të dyzuar. Përpiqen të tregojnë se nën diktaturë kanë qenë në pozita të shëndosha, se patën krijuar vepra me tipare disidente, se u janë hequr nga shtypi një apo më shumë poezi e vepra, etj. Po ashtu dhe studjuesit e shkencave shoqërore pretendojnë se studimet e tyre i patën hartuar në përputhje me ligjet e shoqërisë njerëzore dhe jo në përputhje me vijën politike të partisë shtet. Këta bënë shumë pak ndryshime në studimet e tyre pas vitit 1992. E ripunuan dhe e ribotuan “Historinë e Shqipërisë” së periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” duke përsëritur shumë gabime të botimeve të mëparshme…

Filed Under: Politike Tagged With: DYZIMI I SHQIPTARËVE, GJATË DIKTATURËS, Thanas L Gjika

Evoluimi drejt së djathtës si domosdoshmëri morale

August 29, 2020 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika-

Pjesë nga shkrimi portret-biografi kushtuar shkrimtarit Luan Rama)- Letërsia dhe artet shqiptare pas kapitullimit të regjimit diktatorial u ndodh në udhëkryq. Metoda e realizmit socialist për krijimin e veprave letrare dhe artistike doli nga moda si metodë e pavlefshme. Shkrimtarë, poetë, piktorë të dalë nga burgjet dhe kampet e internimit filluan të botonin krijimet e tyre nëpër gazetat e opozitës si “Rilindja Demokratike”, “Republika”, “Liria”, etj dhe në libra më vete, ku shpalosnin përmasat e krimit komunist. Urrejtja ndaj regjimit diktatorial u shtua dhe u bë më e ndërgjegjshme.

Shumë intelektualë të ndershëm e ndjenë për detyrë morale të përkrahnin të përndjekurit e ndërgjegjes, të cilët ishin dënuar padrejtësisht për bindjet e tyre ndryshe nga ato të regjimit komunist. Mirëpo shumica e krijuesve të veprave letrare e artistike të realizmit socialist të trembur se mos pësonin burgje dhe dënime si pësuan dikur kundërshtarët e partisë komuniste, u lidhën me Partinë Socialiste, vijuesen e PPSh-së, filluan të shanin me shkak e pa shkak çdo veprim të udhëheqjes së Partisë Demokratike, madje dhe të anëtarëve të thjeshtë të saj, u vunë gurë në rrota proceseve demokratike.

Mirëpo megjithëse u pranua se sistemi komunist dështoi dhe metoda e realizmit socialist ishte e pavlefshme, kur vinte puna që krijuesit e veprave socrealiste të pranonin faktin se me veprat e tyre i kishin shërbyer ideologjisë së gabuar të partisë shtet, se kishin deformuar të vërtetën historike, se kishin vrarë moralin e shëndoshë, pra se kishin bërë gabime dhe krime artistike, ata nuk e pranonin dhe nuk i kërkuan popullit të falur. Ngulën këmbë se i kishin shërbyer artit, se veprat e tyre pavarësisht nga disa gabime ideore kishin vlera artistike të përhershme. Të ngujuar në një pozicion të tillë ata nuk donin të vlerësonin krijimtarinë e të dënuarve të ndërgjegjes të krijuar në kushte ferri brenda burgjeve e kampeve të internimit. Ata e nënvlerësonin edhe krijimtarinë e re të tyre të pas ndërrimit të regjimit.

Ndryshe ndodhi me krijuesin Luan Rama, i cili këtë kthesë epokale të botës sonë e jetoi në Francë ku kryente detyrën e amabasadorit të Shqipërisë. Romani “Epistolari i Zaratës” dhe përmbledhja poetike “Porto-Palermo” janë dëshmi të forta artistike të evoluimit të tij ideor dhe artistik në të mirë të letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Të përkthesh “Ferrin” e Dantes për t’i mbijetuar ferrit të Zvërnecit

Në vitin 1998 u botuan letrat që Mark Ndoja, një intelektual i formuar para luftës në një universitet italian, i kishte dërguar bashkëshortes së tij nga kampi burg i Zvërnecit në vitet 1957-1958. Duke lexuar atë tufë letrash Rama shtoi njohuritë e tij mbi vuajtjet e të dënuarve politikë në burgjet e diktaturës komuniste. Iu ngacmua fantazia krijuese, sidomos nga fakti se ky i dënuar i kishte mbijetuar gjendjes së rëndë duke gjetur mbështetje e ngushëllim te puna krijuese, te përpjekjet për të përkthyer “Ferrin” e Dante Aligerit. Bashkëvuajtësit e tij ishin Kasëm Trebeshina, Tuk Jakova, Sallaku, Spiro Gjoka, Gjin Marku komandant Brigade, Xhavit Qesja komisar brigade, etj.

Në roman këta persona historikë rikrijohen si personazhë me emra të tjerë si Fredi, Xhafo ish-komandant i një brigade partizane, poeti Kamber, Sotiri, Aleksandri, etj. Krijohen ngjarje dhe një atmosferê e veçantë, meditime, dialogje, përshkrime dhe emocione nga fantazia e autorit, ngjeshur me metafora, kontraste, krahasime e një mori figurash letrare e sintaksore. Në formë letrash ai ngjizi romanin me titull “Epistolari i Zaratës”, ku trajtoi jetën e disa intelektualëve shqiptarë të dënuar politikë prej regjimit komunist. Për shkak të sëmundjeve ose paaftësive fizike këta të burgosur e kryenin dënimin e tyre jo në kampet e punës së detyruar, por në barakat e manastirit mesjetar të ishullit të vetmuar Zvërnec pranë Vlorës, që ishte kthyer në burg. Ishullit ia ndërroi emrin në Zarata. Romani u prit mirë, u përkthye dhe në gjuhë të huaja. Për të kanë shkruar kritikë të huaj për versionet në frëngjisht, anglisht e italisht, midis të cilëve po përmend recensionin profesional të studiueses Blerina Suta për botimin në italisht.

Do të përpiqem të sjell këtu një pjesë të pasurisë së madhe ideo-artistike që ngërthen kjo vepër, në dukje e vogël me 104 faqe, por që L. Rama me mjeshtërinë e tij krijuese ka ngjeshur ngjarje dhe emocione, me të cilët ka dënuar në shumë aspekte krimet e komunizmit dhe ka përgjithësuar formimin e lartë kulturor, talentin krijues dhe botëkuptimin human të të përndjekurve të ndërgjegjes.

Kompozicioni i veprës është i thjeshtë. Ai ndërtohet përmes riprodhimit të 13 letrave që personazhi kryesor, Fredi, një ish-mësus letërsie, ia dërgon Brunës, së dashurës së tij, e cila jetonte në Shkodër bashkë me nënën e tij të moshuar. Në këto letra jeta është riprodhuar në përputhje me të vërtetën historike, të cilën autori e pati përvetësuar përmes njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, leximit të letrave konkrete të Mark Ndojës dhe të shumë materialeve të tjerë që pati fatin t’i lexonte gjatë jetës në Paris, në metropolin e kulturës europiane demokratike.

Subjektin e romanit autori e thurr përmes rrëfimit të ngjarjeve që u ndodhin të burgosurve në kampin burg, ngjarje që ai i riprodhon në letrat dhe intermexot e tyre. Secila letër mund të konsiderohet si kapitull i veprës, i cili përbëhet nga një hyrje me disa vargje nga poema “Ferri” e Dantes, nga teksti i vetë letrës dhe nga një shprehje latinisht që jepet në fund si mbyllje. Jashtë këtij subjekti janë parathënia, ku autori jep përshkrimin gjeografik të ishullit ku jetuan të dënuarit; dhe pasthënia ku autori jep disa sqarime rreth krijimit të veprës dhe fakte pas botimit të saj.

Në letrën e parë letërshkruesi, Fredi, prezanton bashkëvuajtësit e tij. Shumica e tyre kishin qenë luftëtarë kundër zgjedhave të huaja, ose partizanë komunistë, a intelektualë që ishin dënuar për ndonjë mendim ndryshe ndaj vijës politike të partisë. Përmes prezantimit të jetës dhe dënimit të secilit bashkëvuajtës shpaloset ideja: “Diktatura komuniste hante jo vetëm ata që mendonin ndryshe, por dhe bijtë e vet”. Në letrën e dytë tregohet se kampi burg kishte qenë manastir i vjetër kushtuar Shën Janit (Shën Gjonit të katolikëve), mirëpo në ditën e festës së këtij shenjti (ngjarjet ndodhin në vitet 1957-1958, pra para prishjes së institucioneve fetare dhe ndalimit të riteve fetare) oficeri roje lejoi të hynte në sallën e kishës vetëm priftin, por jo fshatarët dhe as të dënuarit. Fredi me shokët qëndruan te dera e sallës. Këta dëgjuan klithmën e priftit “Fali o Zot se s’ dijnë ç ‘ bëjnë!”, kur pa se fleta e rregullores ishte varur pranë derës së sallës e mbërthyer me një gozhdë që kishte shpuar syrin e shenjtit të pikturuar aty. Më tej të dënuarit, njerëz me besime të ndryshme fetare, dëgjuan me vëmendje predikimin: “Kush urren vëllain e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di nga shkon sepse terri ia ka verbuar sytë”. Pas këtij psallm-mesazhi, tregohet se Fredit iu kujtua vepra e Rodenit “Porta e Ferrit”, frymëzuar prej “Ferrit” të Dantes. Këtë vepër madhështore të derdhur në hekur ai e kishte parë në Paris gjatë një vizite që kishte kryer kur ishte student universiteti. Portrete, krahë, gjymtyrë, sy që të trondisin kur i shikon, gojë të hapura që klithin, ngërç shpirtrash dhe trupash njerëzorë. Si Dante dhe Rodeni kishin treguar gjendjen tronditëse të shoqërisë njerëzore, ku dobësia e shpirtit të shtyn drejt krimit. Me të tilla rrëfime e meditime shpaloset ideja: “Diktatura komuniste me luftën kundër besimeve fetare po e vriste moralin tradicional dhe po e zhyste popullin në rrugën e errësrës”. Në letrën e tretë, Fredi i shkruan Brunës se ai e filloi përkthimin e veprës së Dantes me poemën “Parajsa” sepse ëndërronte që të bënin së bashku një jetë të bukur. Në kontrast me këtë ëndërr, rrëfimi kalon me digresion te procesi gjyqësor, kur gjykatësi injorant ia tundi Fredit fletët e daktilografura të përkthimit duke i thirrur: “Parajsën ke shtypur këtu, parajsën e borgjezisë, parajsa e vërtetë është parajsa që ndërton shteti ynë i diktaturës së proletariatit.”. Më tej sillen gjykime e meditime të heroit për poemën “Ferri” me përkthimin e së cilës po merrej në kushtet e rënda të burgut. Kalohet në kontrast me këto kushte te përshkrimi i vizitës që kishte bërë Fredi te shtëpia e Dantes në Firence, ku mësoi disa hollësi për dashurinë e tij me Beatriçen. Dashuria u kishte lindur që kur ai ishte 9 vjeç e ajo 8, por që nuk mundën të bashkoheshin kurrë sepse pushtetarët e dënuan atë me dëbim nga Firencja, ku s’mund të kthehej që të shihte të dashurën e tij. Fredi gjen rast t’i shprehë Brunës edhe një herë ndjenjat e tij të thella për të duke i shkruar se e donte po aq sa e donte Dantja Beatriçen, të cilën e përjetësoi në veprën e tij dhe sa e donte piktori Sandro Botiçeli Simonetën, fytyrën e së cilës e përjetësoi në një mori kryeveprash. Dashuria për Beatriçen dhe Firencen e fisnikëroi Danten dhe i dha fuqi të duronte vuajtjet e ekzilit, kurse imagjinatës së tij i dha forcë për të krijuar “Ferrin” me nëntë rrathët e tij ku vendosi njerëzit e pamoralshëm, kriminelët, kopracët e mëdhenj, tradhëtarët, heretikët, njerëzit e dhunës, fallxhorët, hajdutët dhe në rrethin e fundit vendosi Luçferrin që po hante Brutin dhe Kasin dy tradhëtarët e Jul Qezarit. Kurse Fredit dashuria për Brunën dhe Shkodrën i kishte dhënë forcë të duronte torturat në hetuesi dhe po i jepte forcë të kalonte vuajtjet fizike dhe mungesat e shumta në kampin-burg të errët e plot lagështi. Këto vuajtje përjetohen në ferrin real dhe jo në ferrin imagjinar të Dantes. Përmes të tilla përqasjeve transmetohet ideja: “Dashuria është ndjenja më e fortë njerëzore, ajo i fisnikëroi, i forcoi për të duruar vuajtjet dhe i frymëzoi intelektualët shqiptarë të dënuar prej regjimit diktatorial për të krijuar vepra letrare artistike, ashtu si fisnikëroi, forcoi e frymëzoi të internuarin Dante Aligeri”.

Shkrimtari L. Rama është i pajisur me një botë të pasur ndjenjash dhe aftësinë e shprehjes së tyre. Në roman ka shpesh shpërthime ndjenjash lirike edhe pse jeta e burgut është plot vuajtje: “E dashur Bruna, shkruaj emrin tënd dhe ndalem për disa çaste, sepse njëqind gjëra që dua të t’i them më vinë në mendje njëherësh. Atëherë mbyll sytë dhe nga errësira e plotë më vjen drita tënde, më vjen ti, ashtu siç nxitoje dikur kur vije drejt shtëpisë, me atë hapin tënd të lehtë si një flutur dhe me fustanin që të tundej në erë. Ngjisje shkallët me vrap dhe vije të më pushtoje. Nganjëherë, në ëndërr, edhe unë nxitoj kështu, duke ardhur me vrap, i lirë, drejt teje, por nuk arrij ta gjej figurën tënde, sytë e tu dhe nga kjo përplasje me errësirën zgjohem i trembur dhe pres kështu mëngjesin, pa mundur të flë sërrish. Dhe atëherë marr ‘Ferrin’ në duar dhe rilexoj…”- Me këto rreshta fillon letra e katër. Më tej Fredi i shkruan nuses se pas leximit e rileximit të kësaj vepre në kushtet e burgut, kuptoi se Dantja e vepra e tij qënkeshin tjetër, se kishin dimensione marramendëse, jo ashtu si i kishte menduar jashtë burgut. Pastaj kalohet te jeta brenda në burg ku tregon për fatin e dy bashkëvuajtësve të tij, Sotirit dhe Kamberit.

Sotiri ishte një djalosh që kishte studiuar në Itali për regjisurë, por që për shkak të luftës nuk mundi ta vinte në skenë punën e diplomës, një dramë të Pirandelos të cilën e kishte interpretuar dikur Aleksandër Moisi, e që pas lufte e kishin dënuar sepse tentoi të arratisej. Torturat pas dënimit e kishin tronditur mendërisht dhe në Zaratë ai niste të recitonte në italisht poezi të Leopardit apo ndonjë nga pjesët e dramës së diplomës së tij. Ushtarët nuk e duronin, në fillim talleshin dhe e përqeshnin, pastaj nisnin ta shkelmonin gjersa ai më në fund pushonte. Kurse Kamberi ishte një poet, me të cilin autori ka tipizuar Kasëm Trebeshinën e krijues të tjerë). Ky një ditë, i pushtuar nga frymëzimi u fsheh në një skaj të ishullit, por kur e gjetën e rrahën aq keq me shqelma fytyrës sa që i thyen nofullën dhe Fredi me shokët mezi e ushqenin me lëngje. Të tilla trajtime të të dënuarve i dhanë të kuptonte Fredit se jeta në burg nuk ishte ashtu si e kishte menduar kur ishte jashtë tij. Jeta e burgut e bëri Fredin të kuptonte dimensionet e vërteta të veprës së Dantes dhe dimensionet e vërteta të diktaturës së pamëshirshme komuniste. Ideja është e qartë: “Jeta plot vuajtje në burgjet e diktaturës shqiptare i mënçuroi të dënuarit politikë dhe i ndërgjegjësoi të kuptonin dimensionet e vërteta të kryeveprave botërore dhe të vetë jetës nën diktaturë”. Eshtë pikërisht ky ndërgjegjësim që e ndihmoi Fredin të sqaronte në letrën e pestë se përse vijonte punën cfilitëse për përkthimin e “Ferrit” kur i mungonte një fjalor i pasur i gjuhës shqipe, kur shokun pranë e mbyste kolla e i zihej fryma sa dukej se po vdiste, kur një nga shokët e tjerë mezi merrte frymë nga azma, kur shpesh i mungonin fletoret ku të shkruante dhe qirinjtë për ndricim dhe kur Bruna i lutej ta linte këtë punë: “E dashur Bruna! Përse më shkruaje që ta lë “Ferrin” dhe të mos merrem më me të? Ke frikë, apo do që mos të futem akoma më thellë në trishtimet dhe dhimbjet e kësaj bote? Jo, kjo vepër i duhet popullit tim. Ai duhet ta lexojë në gjuhën e tij që të njohë më mirë botën, vetveten, që të kërkojë gjithnjë dritën në udhën e tij, pa të cilën nuk mund të ringrihet…”. Po në letrën e pestë mësojmë gjendjen e rëndë financiare të Brunës, e cila, për të blerë ushqimet që do t’i dërgonte Fredit, kishte shitur fustanin e saj më të bukur, etj. Fredi i kalon ditët duke punuar e duke jetuar me kujtimet e Brunës; ai e nxjerr shpesh nga xhepi fotografinë e saj që ajo i pati dërguar, ngrihet e bën sikur po vallzon duke e mbajtur atë në krahët e tij, e lexon letrën e saj shumë herë sa ajo vjetërohet, etj. Me të tilla rrëfime nuk ka si të mos kuptosh se autori ka ngjizur idenë tjetër: “Intelektualët shqiptarë të dënuar nëpër burgje e kampe internimi gjatë diktaturës, pavarësisht nga kushtet e rënda, i ishin përkushtuar përkthimit të kryeveprave botërore si mision për të ndihmuar në ringritjen morale e shpirtërore të popullit shqiptar”.

Romancieri Rama është krijues me botëkuptim të gjerë shoqëror. Gjatë jetës së tij i ra rasti të njohë e të ketë shokë, miq e të afërt të familjes nga të dy krahët, komunistë të përkrahur të regjimit dhe të dënuar të atij regjimi. Edhe fakti që ai ka jetuar në Paris që nga marsi i vitit 1991 e në vijim, bashkë me leximet e shumta, kanë ndikuar që ai të njohë në thellësi botën mendore të të përndjekurve të ndërdërgjegjes dhe ta vlerësojë horizontin e tyre të gjerë kulturor dhe botëkuptimin e tyre human. Pikërisht këtij aspekti ai i ka kushtuar letrën e gjashtë, ku Fredi i shkruan Brunës për ndryshimet e jetës që po ndodhnin në Shqipëri, si tharrja e kënetave, shtrirja e arsimit nëpër fshatra, ngritja e fabrikave të reja, në njërën prej të cilave ishte punësuar dhe Bruna, etj. Ai shpreh gëzim për këto arritje dhe uron që edhe lufta e klasave të zbutej e të mos ndodhnin më arrestime e burgime për një fjalë goje, për gjendjen e pasur ekonomike, ose prejardhjen shoqërore. Ai nuk beson se ndryshimet ideore midis tij e Lazrit mund ta shpinin këtë në armiqësi e keqbërje, prandaj i lutet Brunës që të mbajë lidhjet me këtë shok edhe pse ai ishte familjarisht i lidhur me njerëz të pushtetit. Me këtë letër autori ka dashur të shprehë idenë socialpolitike: “Të përndjekurit e ndërgjegjes ishin njerëz të kulturuar e humanë, të çliruar nga ndenjat e urrejtjes e të hakmarrjes. Ata nuk i urrenin kundërshtarët e tyre ideorë dhe nuk i mohonin punët e mira të tyre”. Këtë ide e vërtetoi dhe jeta shqiptare pasi u ndërrua sistemi politik më 1991, kur të dënuarit e ndërgjegjes të liruar nga burgjet e kampet e internimit nuk u shprehën ndonjë kërkesë për revansh e hakmarrje. Secili u përpoq të sistemohej e të mbijetonte duke punuar e jo duke rëmbyer gjënë e pasurinë e të tjerëve. Fatkeqësisht ishin përsëri disa komunistë e sigurimsa që u vunë në shërbim të klanit Hoxha-Alia për realizimin e planit Katovica, të cilët u mobilizuan për të rimarrë pushtetin politik dhe ekonomik e pasi e rimorën vijuan të gjallëronin në kushtet e reja enverizmin, duke penguar krijimin e shtetit ligjor e duke krijuar oligarkinë me të cilën po përjetësojnë mbajtjen e pushtetit.

Problemi i botëkuptimit të të dënuarve vijon edhe në letrën e shtatë, ku Fredi tregon se gjatë ndihmës që filloi t’i jepte Stavrit në ditët e fundit të jetës së tij, këtij ish-komunisti idealist i dënuar, intelektual i formuar në Athinë me idetë e Platonit e të Sokratit. Ai respektonte Marksin, por shante stalinizmin. Fredi kuptoi se mendimet e tyre për lirinë e njeriut, të drejtën, pushtetin, për vlerësimin e popullit, për të ardhmen e Shqipërisë, etj ishin të afërta dhe tha me vete: “Po dhe unë si Stavri jam, si Stavri mendoj”. Kurse Stavri përmes një krahasimi të goditur formuloi mendimin e tij: “Ne të dy, më duket sikur jemi si dy krahët e një pëllumbi… Pëllumbi s’mund të fluturojë vetëm me një krah. Ne duhet t’i bashkojmë idealet tona për këtë tokë që ka shumë etje dhe uri.” Pikërisht ky mendim zbulon idenë e autorit: “Të përndjekurit e ndërgjegjes kishin bindje të ndryshme politike, por ata e donin njësoj popullin dhe nuk e përjashtonin njëri-tjetrin. Bashkëpunimi midis tyre do të ishte i mundshëm kur të vinte liria”. Luan Rama e vlerëson lart inteligjencën superiore të intelektualëve të dënuar prej diktaturës komuniste. Në letrën e tetë ai tregon se togeri e gjen Fredin duke shkruar letër, ia rrëmben atë dhe pa e lexuar, midis tyre zhvillohet dialogu: – “Shan qeverinë, hë?! Qeverinë që u dha tokat të varfërve! Qeverinë që ju mori florinjtë! Mirë ua bëmë”! – “Ç’ florinj”? – i thashë. – “Jeta jonë është aq e thjeshtë… Unë jam mësues zotëri”! – “Mos më thuaj zotëri”! – u nxeh ai, – “madje as shok mos më thuaj, sepse nuk mund të jesh shoku im. Unë jam armiku yt”! Togeri e grisi letrën, por Fredi e riprodhoi pa mundim sepse e kishte të shkruar në mendje. Ai i sqaron Brunës vuajtjet e Dantes që e kaloi gjithë jetën në mërgim i përndjekur dhe i dënuar me vdekje, që nuk u lejua të kthehej në atdheun e tij, në Firencen e lirisë e të gjenisë krijuese, Firencen e Beatriçes së tij. Dhe Fredi (pra L. Rama) sqaron: “Por atdheu i Dantes në të vërtetë u bë arti, letërsia, humanizmi”. E pikërisht këtu zbulohet dhe ideja e kësaj letre: “Intelektualët shqiptarë që u dënuan prej diktaturës komuniste, jeta e burgut (unë do të shtoja, ose jeta në arrati) u privoi atdheun, por ata me punën e tyre intelektuale e kapërcyen këtë mungesë duke bërë atdhe artin, letërsinë, humanizmin”.

Midis dëmeve morale që shkaktoi diktatura komuniste shqiptare ishte dhe shkatërrimi i shumë traditave të lashta të popullit tonë, tradita për të cilat atë e kishin vlerësuar popujt fqinjë dhe udhëtarë, konsuj e ambasadorë të huaj. Luan Rama ndalet te letra e nëntë për të treguar shkatërrimin e respektit të popullit tonë ndaj të vdekurit. Zonja Zeli, bashkëshortja e Stavrit nuk u njoftua të vinte për ta parë burrin e saj në ditët e fundit të jetës, madje organet e Sigurimit, si në gjithë burgjet shqiptare, nuk e njoftuan atë as për ta marrë e varrosur pranë familjes, por e hodhën dhe e mbuluan në një gropë pa vendosur asnjë shënjë. Sipas radhës së vizitës, Zeli mbërriti dy ditë mbas varrimit. Bashkëvuajtësit nuk mund t’ia thoshin drejtpërdrejt të vërtetën… Kur ajo e mësoi se ku ishte vendvarrimi shkoi u shtri mbi të dhe vajtoi derisa u mek si e vdekur. Në vijim Fredi shpërtheu: “… këta i varrosin të vdekurit në burgje dhe nuk ua kthejnë familjeve as t’i qajnë e t’i përcjellin për herë të fundit. Me ç’të drejtë kjo? A mund të mbahet i burgosur dhe një i vdekur? Kjo është çmenduri”! Ky shpërthim i Fredit shpreh idenë revoltuese të autorit: “Diktatura komuniste shqiptare ishte çnjerëzore me të gjallët dhe me të vdekurit”.

Karakteri çnjerëzor i rojeve të burgut zbërthehet edhe në letrën pasardhëse, tek e dhjeta, ku Fredi i shkruan së dashurës se të burgosurit ishin bërë miq me Gulin, një qen që u rrinte pranë dhe ua lehtësonte dhimbjet e vuajtjet. Mirëpo Guli u zhduk për ca kohë dhe kur u kthye solli me vete dhe një konkë, qenushe me të cilin luante dhe gëzonte veten dhe të burgosurit. Kur e pa këtë skenë gëzimi gardiani u pezmatua. U turr dhe e goditi Gulin fort. Gëzimi u prish, kafshët ikën të tmerruara dhe nuk u kthyen më. Autori për ta forcuar efektin e kësaj skene shtazarake, shfrytëzon kontrastin dhe tregon se Bruna pasi i lante e i thante rrobat e Fredit, kur i hekurroste, i vendoste mbi veshje të veta që të merrnin aromën e saj. Kjo gjë e vogël e bënte të lumtur Fredin në atë jetë ferri, i cili pasi e falenderon për këtë kujdesje, e mbyll letrën me fjalët “lumturia është çështje shpirtërore”. Ideja kuptohet pa vështirësi: “Diktatura komuniste nuk lejonte të gjallonte ndër burgje asgjë qoftë dhe një qen që mund t’u krijonte gjendje të gëzuar shpirtërore të burgosurve të ndërgjegjes”.

Jo pak gra e burra, pasi dënohej njëri prej tyre, tjetri/tjetra e frikësuar nga ndjekjet pas shpine të informatorëve të Sigurimit se mos pësonin internim a burgim, ngrinin padijën për divorc. Ky problem psiqik shoqëror me pasojat e tij trajtohet në letrën njëmbëdhjetë. Poeti Kamber, shkruan Fredi, ishte tronditur e bërë si i luajtur menç. I kishte ardhur njoftimi se gruaja, nuk mund të duronte më dhe kishte bërë ndarjen, kuptohet me gjyq fallco, ku nuk paraqitej pala tjetër. Fredi u trondit kur pa Kamberin të klithte e të dridhej, pastaj të përpëlitej për tokë nga epilepsia, sëmundje që e kishte pasur në fëmijëri. Fredit iu kujtuan katakombet e burgut Porto Palermo, ku kishte qenë më parë bashkë me 200 të dënuar në atë katakomb errësire si në shpellën e Dionisit të Sirakuzës. Letra vijon me rrëfimin e Aleksandrit, një të dënuari që e kishin sjellë në burgun e Zaratës nga kampi i punës së detyruar të Maliqit. Dukej si plak 70-vjeçar ndonëse ishte i ri. Kishte vuajtur shumë gjatë punës për tharrjen e kënetës së Maliqit. Ky u tregoi të burgosurve për groposjen e një të dënuari në baltë, i cili për pak do të kishte vdekur. Ndonëse Aleksandri nuk përmend emrin e të dënuarit, lexuesit e romanit e dijnë tashmë se kjo groposje i pati ndodhur shkrimtarit Mitrush Kuteli. Gjendja e rëndë e të burgosurve bëhet më e kuptueshme, kur Fredi i shkruan gruas se të dënuarit e Zaratës ishin të ngjashëm me njerëzit-personazhe të Dantes. Ai shton se në fillimin e këngës së tridhjetekatër, këngës së fundit të poemës, ku kishte arritur me përkthimin, Dantja shkruante: “Unë nuk vdiqa dhe nuk mbeta i gjallë: gjykoje vetë nëse ke nuhatje dhe inteligjencë se si jam bërë kështu pa vdekur dhe i pajetë”. Kështu ishin dhe Fredi me bashkëvuajtësit, të gjallë e të vdekur njëkohësisht. Ata i pret vdekja, por mbijetojnë sepse nga shpirti u del një forcë e brendshme, e cila i kthen në jetë. Më tej tregohet episodi më i rëndësishëm i kësaj letre, ngjarja tragjike e Seferit, një ish-partizani që ishte plagosur në luftë, madje ishte dhe vëlla dëshmori. Gruas së tij ia kishin refuzuar për të satën herë kërkesën për takim. Filloi të shante e të thërriste, doli jashtë manastirit në mes të shiut si i xhindosur, zhveshi rrobat dhe po i klithte toger “Bulldogut”: “Thomëni, çfarë ju kam bërë? Përse nuk e lejoni gruan time? Përse më mbani këtu? Apo se i dhashë luftës aq shumë? A nuk ju mjafton kjo plagë që kam marrë në luftë dhe gjaku i tim vëllai”? Dhe priste që “Bulldogu” ta gjuante me automatikun që po bënte gati për ta shkrepur. Fredi me shokët vrapuan dhe filluan ta tërhiqnin, po Seferi bërtiste: “Le të më vrasin, aq më bën! E ç’e dua këtë jetë në robëri?…” Mezi e futën brenda. Mosrespektimi i së drejtës për takim me familjen për një ish-partizan, vëlla dëshmori, dhe që vetë ishte plagosur në luftë, ka lidhje me shpërdorimin e idealeve të kohës partizane pas marrjes së pushtetit prej Partisë Komuniste. Këtu transmetohet ideja: “Partia me anën e shërbëtorëve të verbër që kishte në Ministrinë e Brendshme kishte krijuar një shtet diktatorial çnjerëzor që shkelte idealet e luftës dhe gjakun e dëshmorëve”.

Kurse në letrën e dymbëdhjetë autori trajton problemin e dhunës fizike dhe lirisë së brendshme shpirtërore. Fredi njofoti Brunën se e mbaroi përkthimin edhe të këngës së fundit e “Ferrit”, ku jepet dalja e Dantes dhe e Virgjilit mbi tokë dhe gëzimi që ndjenë prej dritës së bardhë të diellit dhe natyrës plot bukuri. Për ta ngushëlluar bashkëshorten që të mos mërzitej se ferri i tij nuk po mbaronte, i riprodhon këshillën që i kishte dhënë shoku i tij Xhafo: “jeta është thjesht një lojë dhe s’duhet parë me trisht, por duhet gëzuar çdo çast sa jemi gjallë, qoftë dhe në ferr, pasi ajo që ka rëndësi nuk është izolimi, mungesa e lirisë së përgjithshme, por është të jesh i lirë në vetvete, ta ndjesh veten të lirë edhe kur të mbyllin në qeli, edhe kur të mbyllin gojën, të mendosh në liri dhe ku askush të mos mundë të të dhunojë mendimin. Askush, asnjë fuqi, nuk mund të ta prangosë atë”.

Për të mos e lënë Brunën në dëshpërim, Fredi si zakonisht, pas këtij episodi të hidhur riprodhon një ngjarje të gëzuar. Në ishull, pranë burgut erdhën dy pelikanë të bukur të cilët për disa ditë me radhë po mblidhnin degëza pemësh për të ndërtuar folenë e tyre. Do të krijonin familje. Letra mbyllet me optimizëm: “Ishte diçka që na bëri të harrojmë një çast se ishim të burgosur. Ato shkonin e vinin, rrihnin krahët e mëdha dhe ne na kujtonte atë që quhet gjenezë. Një fole po ngrihej. Dhe kjo na lumturoi të gjithëve”.

Këshilla e Xhafos për ta ruajtur mendimin të paprangosur, bashkë me antitezën që krijohet midis gjendjes së rëndë të të burgosurve dhe gëzimit që shkakton fundi i poemës me daljen e Virgjilit dhe Dantes nga ferri, si dhe gëzimi që u krijuan të burgosurve dy pelikanët që po krijonin folenë e re, shpalosin idenë: “Të burgosurit e kapërcenin hidhërimin që u shkaktonte dhuna shtetërore me arritjet e tyre krijuese dhe me gëzimet që u sillte vetë natyra”.

Në letrën e fundit, të cilën autori e quan “Epilog apo letra e trembëdhjetë”, arrihet pika kulminante e romanit. Bruna më në fund mbërriti te burgu, ku do të realizonte takimin e shumëpritur me të dashurin e saj. Mirëpo takimi nuk u realizua, Fredin e kishin shpënë në degën e Punëve të Brendëshme në Tiranë, për ta marrë në pyetje lidhur me ish-nxënësin e tij Beson, një punonjës i gjykatës që e kishte ndihmuar për ta dënuar më lehtë. Sigurimi donte ta dënonte Beson, ndoshta të ridënonte dhe Fredin. Lexuesi ishte paralajmëruar disi për një gjë të tillë dy letra më parë përmes rrefimit të një ëndrre që kishte parë Fredi. Në ëndërr Beson e vrau roja gjatë arratisjes me barkë nga burgu. Pas rrëfimit të ëndrrës, Fredi i shqetësuar i shkruante Brunës: “Kam frikë për Beson”. Bruna ua la miqve të Fredit çantën me ushqime që kishte sjellë. Seferi i dha asaj fshehurazi letrën që Fredi ia kishte lënë amanet për t’ia dorëzuar Brunës. Kjo ishte letra e trembëdhjetë të cilën Bruna e lexoi pasi u largua nga ishulli kur ishte hipur mbi një kamion gjithë pluhur. Për ta kuptuar idenë e kësaj letre dhe fundin tragjik të Fredit, që nuk u kthye më, as në burg e as në shtëpi, vlen të riprodhoj disa rreshta të kësaj letre: “E dashur Bruna, tani që kam mbaruar Ferrin, jetën e shoh ndryshe. Tani jam dikush tjetër dhe lus Zotin që Danten e takova përsëri, këtu, në këtë ishull të humbur. Kush mund ta mendonte se një ditë do të gjendesha këtu dhe të përktheja Ferrin… se do të jetoja çdo ditë me këtë vepër gjigante të letërsisë botërore? Thuamë! Dante më mësoi si ta kuptoj këtë jetë efemere. Eshtë e habitshme të të them, por Dante me mbajti në këmbë, më mbajti gjallë, më dha frymë. Netë të tëra, në përgjumje, në zgjandër… unë gjeta një forcë tjetër që e kisha këtu, në këtë libër, në këto faqe që përktheja, në ato që shkruante Dante, poeti fatkeq që megjithatë i mbijetoi vdekjes, pasi ai e tejkaloi atë, sepse Dante erdhi deri tek ne, madje dhe në këtë kamp ku lirinë e kanë prangosur. Dante t’i largon këto pranga, ai të bën të kuptosh se ka tragjedi akoma më të mëdha në jetën e njeriut dhe të kombit dhe se mbi gjithë tragjeditë e mëdha jeta rilind më e fortë, më e bukur… Shpesh pyes veten: vallë kjo ka qenë natyra njerëzore që në mugëtirën e kohërave? Vallë, kështu është krijuar ky njeri për të rrënuar qytete, qytetërime, të cilat janë ndërtuar me aq mund kohë më parë nga të tjerët; të vrasë biri të atin, fqinji-fqinjin, që njeriu të gëzohet për krimin? … E megjithatë, unë dua të besoj se e keqja nuk është totale. Në fund të fundit, Dante kishte besim tek njeriu dhe dashuria. Dhe unë, kam besim tek të dyja. Njeriu mund të mbruhet ndryshe, të ndërtohet ndryshe përmes kulturës, poezisë, muzikës, artit. Ndër të tjera, në këngën e fundit, Dante shkruante: “Kapu fort më tha mjeshtri im, me frymën që i merrej si ajo e një njeriu të përndjekur: në shkallë të tilla ne do të ngjitemi për ta lënë këtë vend të kaq shumë të këqiave…. Dante kishte besim në të ardhmen. Unë kam besim tek pranvera. Ne do ta shijojmë jetën tonë edhe pse vonë. Furia do të kalojë”. Me këto rreshta Fredi i jep kurajë gruas së tij, kurse L. Rama i trasmeton lexuesit idenë kryesore të krejt romanit: “Intelektualët e dënuar nëpër burgjet e egra të diktaturës komuniste shqiptare e gjetën mbështetjen e tyre te arti, filozofia, dhe kështu e mbijetuan ferrin real”.

Kjo ide, ky mesazh përgjithëson fatin e gjithë atyre intelektualëve të dënuar që u morën me përkthime si Mark Ndoja, Pashko Gjeçi, me krijim pikturash si Lek e Leonard Pervizi, Maks Velo, me krijime poezish e shkrime në prozë si Lazër e Jozef Radi, Kasëm Trebeshina, Trifon Xhagjika, Visar Zhiti, Frederik Reshpja, Havzi Nela dhe dhjetra e qindra të tjerëve.

Konkluzione

Dita e përkujtimit të diktaturave naziste e komuniste. 23 gushti, vjen e shkon, por në Shqipërinë që u dogj prej ushtrive nazifashiste, që u cfilit prej diktaturës komuniste, kjo datë nuk përkujtohet zyrtarisht edhe pse shumë krijues i kanë p dëuar në veprat e tyre letrare e artistike.

Mendoj se skulptorët shqiptarë mmund të realizojnë një vepër monumentale ku të përgjithësojnë vuajtjet e popullit tonë të viteve 1939-1991 të ngjashme me veprën “Porta e Ferrit” të Rodenit. Kjo vepër mund të titullohet “Porta e diktaturave”. Materialin dhe frymëzimin ata mund ta marrin duke studjuar me vëmendje veprat e Visar Zhitit, Arshi Pipës, Sami Repishtit, Lek Pervizit, Lazër e Jozef Radit, Uran Butkës e Pjetër Pepës, At Zef Pllumbit, Maks Velos, Frederik Reshpjes, Trifon Xhagjikës, Luan Ramës, memorialet kushtuar poetëve të pushkatuar Vilson Blloshmi e Genc Leka, esetë e Mërgim Korçës, Jozef Radit, Eugjen Merlikës, Edison Ypit e shumë vepra të tjera.

Një monument i tillë do ta ndihmojë shoqërinë shqiptare të çlirohet nga krimet e bashkëpunëtorëve të nazifashizmit dhe komunizmit dhe ta përgatisë moralisht për të hyrë në Bashkimin Europian.

Filed Under: Analiza Tagged With: domsodoshmeri, evoluimi, Thanas L Gjika

KRIJUESIT E MORALSHËM NDËSHKOJNË KRIMET E KOMUNIZMIT

August 15, 2020 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika-Disa ditë më parë, më 10 gusht, e nderuara Zonja Lavdie Nela, me rastin e 32-vjetorit të varjes së bashkëshortit të saj, poetit disident Havzi Nela, bëri një thirrje të re për hapjen e dosjeve dhe dënimin e atyre që e dënuan poetin, pra dënimin e kriminelëve që janë ende me detyra në pushtet. Fakti që kjo thirrje e përsëritur nuk ka marrë përgjigje, tregon se shoqëria jonë ka mbetur ende e inkriminuar dhe nuk ka ndërmend të dënojë krimet e kohës së diktaturës komuniste.

Kokëfortësia e qeverisë shqiptare në mbrojtje të bëmave të diktaturës komuniste u shfaq hapur dhe në deklaratën që dha Kryeministri, Z. Edi Rama pak muaj më parë: “Shqipëria komuniste ishte në krahun e duhur të historisë”. Po ashtu kjo kokëfortësi është shfaqur dhe në përpjekjet që bëhen për mbushjen e SPAK-ut me bijtë e njerëzve të inkriminuar të kohës së diktaturës, bij të cilët nuk kanë shprehur në shtyp qëndrimin e tyre kritik ndaj krimeve të etërve të tyre.

Gazetrari i mirënjohur Frank Gj, Shkreli me artikullin “Poeti Havzi Nela si zgjim i ndërgjegjes morale kombëtare dhe ndërkombëtare në Shqipëri” kritikoi ashpër si Kryeministrin për deklaratën e tij dhe ndërkombëtarët që po e zvarrisin plotësimin e SPAK-ut me elementë të denjë për të filluar sa më parë nga puna. Shkreli solli dhe pjesë nga poezia e Nelës dhe nga një artikull i Ismail Kadaresë shkruar vitin e kaluar për këtë poet të martirizuar. Ajo që u dhemb artikullshkruesve është fakti se shoqëria jonë noton në plogështi, asaj i mungon ndërgjegja dhe morali demokratik. Ndërkohë poeti Visar Zhiti ripublikoi në faqen e tij “Miqtë e Visarit” poezinë kushtuar bashkëvuajtsit Nela…

Në Shqipërinë e sotme ka shumë krijues, të cilët përpiqen t’u japin veprave të tyre artistike një formë moderne me figura tërheqse, por me një përmbajtje ideore larg zbulimit dhe vlerësimit të Njeriut të viktimizuar prej regjimit diktatorial, larg prej dënimit të sistemit komunist si sistem kriminal, që deformoi të vërtetën historike për hir të propagandës së tij.

Havzi Nela ishte një Njeri, një Poet që u viktimizua prej regjimit komunist sepse dënoi në poezinë e tij propagandën e shtetit diktarorial për durim e shpresës për një jetë më të mirë që do të vinte mbas ndërtimit të komunizmit. Durim e shpresë për një shoqëri imagjinare, që nuk do të vinte kurrë:

“Pse t’ më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?

Veç me përtyp bukën, me u rropatë si kalë?

Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie.

Unë skllav i bindun, tash kur s’jam as djalë?

“Deri kur durim, deri kur me shpresa?

Jo, jo, mos më thoni, këto fjalë nuk i due.

Me durim e shpresë nuk due të vdes.

Si jeta dhe vdekja duhen meritue!”

(“O liri, o vdekje!”)

Kjo poezi ishte dhe mbetet kushtrim për zgjimin e ndërgjegjeve tona, të cilin qeveria e Ramiz Alisë e ndëshkoi me varje. Më 9 gusht 1988 u lajmërua populli i qytetit dhe i fshatrave të Kuksit që të mblidhej të nesërmen në ora 10:00 e mëngjezit te sheshi kryesor i qytetit për të marrë pjesë në dënimin shembullor që do t’i jepej “armikut të popullit Havzi Nela”. Populli u mblodh në orën e caktuar te sheshi i qytetit, por dënimi i poetit, varja e tij ishte kryer që në orën 2:00 të natës. Në prani të popullit, ekzekutorët e prenë litarin dhe e lidhën pas karrocerisë së një kamioni, të cilin filluan ta shëtisnin nëpër qytet duke hequr zvarrë kufomën e poetit për të ngjallur frikë e tmerr në prag të kapitullimit të sistemit diktatorial.

Që atëhere deri sot asnjë nga ish-kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nuk e ngriti zërin kundër këtij krimi të shëmtuar, asnjë prej tyre nuk mori një tufë me lule e të shkonte te varri i poetit për të kërkuar të falur ndaj gojëkyçjes së atëhershme…

Në Shqipëri më 2019 u rikrijuar Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, organizatë së cilës qeveria nuk i ka dhënë ende asnjë fond, asnjë zyrë e asnjë ambjent ku mund të kryejë aktivitete për promovim librash, përkujtim shkrimtarësh dhe artistësh, në një kohë që parti inegzistente me katër a pesë anëtarë vijojnë të kenë zyra e të marrin fonde prej qeverisë Rama.

Shpresoj që Lidhja e re e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë të organizojë ceremoni homazhesh te busti i Havzi Neslës në Kukës dhe te memoriali i poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka në Librazhd, ku të flasin anëtarë të kësaj lidhjeje për të kritikuar krimet makabre të regjimit komunist ndaj këtyre “Pishtarëve të Demokracisë”. Me të tilla veprimtari që do të ngrenë moralin e shqiptarëve kjo organizatë krijuesish do të justifikojë ekzistencën e saj dhe do t’i imponohet qeverisë dhe mbarë opinionit shqiptar në krejt Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë që të njihet dhe përkrahet.

Filed Under: Komente Tagged With: kriemt e komunizmit, Krijusit e moralshem, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT