• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR DISKUTIMIN E KUFIJVE KOSOVË – SËRBI

September 3, 2018 by dgreca

1-Thanas

Shkruan: Thanas L. GJIKA/

Këto ditë po diskutohet problemi i korrigjimit të kufijve midis shtetit të Kosovës dhe shtetit të Sërbisë. Po marr guximin edhe unë të shpreh shkurt mendimin tim:

Ideja e krijimit të shteteve kombëtarë në Gadishullin e Ballkanit ku të përfshihen gati gjithë territoret ku flitet gjuha e popullit të tyre, më duket ide e drejtë. E them këtë sepse popujt e Ballkanit janë larg nga mendësia e tolerancës europiane. Ideja e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan shpie tek krijimi i një shteti kombëtar Shqiptar në Ballkanin Perëndimor, një shteti Sërb në Ballkanin Qendror, një shteti Bullgar në Ballkanin Perëndimor. Pra nuk ka pse të krijohen dy shtete shqiptare dhe një Maqedoni ku shumicën e përbëjnë Bullgarët e Shqiptarët.

Nëqoftëse shtrimin dhe zgjidhjen e problemit të krijimit në Ballkan të shteteve kombëtare e marrin përsipër ShBA-të dhe BE-ja, atëhere nuk ka pse të shqetësohemi dhe nuk ka pse ta kundërshtojmë.

Bashkimi me shtetin e Kosovës i Luginës së Preshevës ku shqiptarët përbëjnë shumicën dhe bashkimi me shtetin e Sërbisë i Mitrovicës së Veriut ku sërbët përbëjnë shumicën, siguron paqen midis këtyre dy shteteve dhe nuk e dëmton Kosovën. Puna është që ky proces të shpihet deri në fund, pra deri tek krijimi i shtetit kombëtar Shqiptar, shtetit kombëtar Sërb dhe shtetit kombëtar Bullgar.

Fjalët se Mirovica e Veriut përbën “zemrën e Kosovës”, ose pasurinë e saj më të madhe, etj, nuk duhet të na shqetësojnë, ato janë fjalë e asgjë tjetër.

Begatinë e një shteti dhe të banorëve të tij nuk e sjellin pasuritë nëntokësore, e mbitokësore, as fushat e gjera dhe as brigjet e bukura të deteve. Begatinë e një shteti dhe të banorëve të tij e krijojnë njerëzit, sidomos qeveritarët me punën e tyre. Nëse një shtet e drejtojnë njerëz të ndershëm dhe atdhetarë, ai shtet dhe populli i tij jetojnë në begati e paqe. Nëse një shtet e drejtojnë njerëz të pandershëm dhe jo atdhetarë, ai shtet dhe populli i tij jeton në varfëri. Shëmbujt janë të shumtë, por unë po ju sjell vetëm një:

Populli i Zvicrës, popull i një shteti të vogël me shumë male me pak fusha e pak minerale, dhe pa bregdet, jeton në begati; kurse populli i Rusisë, popull i një shteti të madh me fusha të gjera, plot pasuri minerale e brigje të shumta detare, jeton në varfëri. Për të njëjtat arsye jetojnë në begati si populli i Zvicrës edhe populli i Belgjikës, Hollandës, Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, etj. Dhe po për këto arsye jetojnë në varfëri si populli i Rusisë dhe populli i Indisë, Meksikës, Kongos, etj.

Pra dhe populli i Kosovës në ditët tona dhe ai i Shqipërisë së bashkuar nesër, si dhe ai i Sërbisë së sotme dhe ai i Sërbisë së bashkuar nesër, do të jetojnë në begati e paqe nëqoftëse do të drejtohen nga burra shteti atdhetarë e të ndershëm dhe jo se do të kenë nën qeverisje edhe këto ose ato krahina.

Popullit shqiptar nuk i duhen disa shtete, por një shtet i vetëm kombëtar ku të përmblidhen sa më shume territore ku shqiptarët përbëjnë shumicën. Ekzistenca e shtetit të Kosovës si shtet shqiptar i pavarur, ishte një zgjidhje e përkohëshme derisa t’i mbushej mendja klasës politike të shtetit Sërb se Kosova nuk ishte pjesë e Sërbisë. E tani që u kuptua se për shtetin Sërb është më mirë të bashkojë teritoret ku populli Sërb përbën shumicën dhe të mos pretendojë më për Kosovën dhe Luginën e Preshevës, problemi i bashkimit në një shtet shqiptar i trojeve ku populli shqiptar përbën shumicës merr rrugën e zgjidhjes.

Në rast se Kosova pasi të lëshojë Mitrovicën e Veriut dhe të marrë Luginën e Preshevës, do të vijojë të jetë shtet i pavarur, lind problemi: shqiptarët e Maqedonisë do të jenë minoritet i shtetit Shqiptar të Shqipërisë apo minotitet i shtetit Shqiptar të Kosovës?

Zgjidhje më e mirë dhe paqesjellëse është bashkimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës në një shtet dhe shkrirja e shtetit të Maqedonisë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë së bashkuar. Përderisa shqiptarët e ballkanit Perëndimor, që sot jetojnë të ndarë në disa shtete luftuan kundër pushtuesit osman dhe shtetit Sërb me një flamur të përbashkët, flamurin e Gjergj Kastriotit, do të thotë se ky popull duhet të krijojë një shtet kombëtar nën këtë flamur. Zgjidhjet e tjera janë afatshkurta… 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Kosove-Serbi, PËR DISKUTIMIN E KUFIJVE, Thanas L Gjika

Shqipërimet e poemave Iliada dhe Odisea të Homerit prej Ilia V. Ballaurit

August 20, 2018 by dgreca

1 Thanas GjikaNga Thanas L. Gjika*/

1 iliadaAnalizë mbi shqipërimet e poemave Iliadadhe Odiseatë Homerit prejIlia V. Ballaurit./1 Ilia Ballauri  Shqipërimi i plotë i veprave homerike Iliadadhe Odiseame sfondin e tyre enciklopedik prej Dr. Ilia Vasil Ballaurit, përbën një ngjarje të rëndësishme për letërsinë, artin, kulturën dhe shkencat shqiptare. Kësaj arritjeje cilësore në të ardhmen do t’i kushtohen studime të shumanshme prej specialistëve të fushave të ndryshme, por unë do të sjell disa vlerësime për të pa pretendim shterrues.

Ilia V. Ballauri, Doktor i Shkencave Gjenetike dhe pedagog, sot 68 vjeç u lind në qytetin e Korçës në gjirin e një familjeje të pasur e të kulturuar me origjinë nga qyteti elitar i Voskopojës. Ai ka kohë që ka rënë në sy si intelektual i përkushtuar jo vetëm në profilin e tij, por edhe pas letrave, sidomos përkthimeve e përshtatjeve në gjuhën shqipe të shumë kryeveprave të letërsisë europiane. Ai ka rreth njëzet e tetë vjet që jeton në Greqi dhe udhëton shpesh në Shqipëri, Gjermani dhe Austri ku ka fëmijët dhe të afërmit e vet. Eshtë njohës i thellë i një sërë gjuhësh të huaja si greqishtja, anglishtja, frëngjishtja, italishtja (me diplomë), është studiues i pasionuar i greqishtes së vjetër, latinishtes dhe sanskritishtes (për këtë të fundit ka pasuruar bibliotekën e vet, me një sërë botimesh të porositura në New Delhi). Ka studiuar për shumë vite rusishten prej nga edhe ka përkthyer disa vepra. Po ashtu ai ka përkthyer sipas rastit prej gjermanishtes, spanjishtes, portugalishtes dhe rumanishtes.

Krahas punës për të sjellë në shqipen letrare vepra të letërsisë moderne europiane, ai shquhet edhe si njohës i thellë i botës së lashtë greke, veçanërisht i Homerit, Safos, Anakreontit (të cilët i ka shqipëruar të plotë), Platonit, Aristotelit, Hipokratit, Eskilit, Euripidit, Sofokliut, njohës i miteve, i historisë, gjeografisë dhe sidomos i shkencave të Greqisë së lashtë, për të cilat ka botuar disa libra, etj. Me punën e tij të këtyre 30 vjetëve të fundit, Ilia Ballauri është shqipëruesi më voluminoz i trashëgimisë së letërsisë e kulturës së Greqisë së lashtë. Veprat e sjella prej tij në shqip prej kësaj bote antike arrijnë në mijra faqe.

Trashëgimia homerike e sjellë shqip prej Ilia V. Ballaurit me përshtatjen shumë cilësore të materialit poetik dhe me shënimet, komentet, analizat, esetë dhe ilustrimet e shumta artistike, është befasuese në shumë aspekte. Ia vlen të pëmendim këtu se ky shqipërues vjen në fushën e artit të përkthimit nga bota e shkencave të sakta, ku njohuritë e tij për matematikën dhe fizikën janë për tu admiruar, si thonë ish-pedagogët e kolegët e tij.

Thjeshtësia e këtij njeriu të ditur dhe punëtori të madh të bën për vete që në faqet e para të parathënieve të veprave homerike. Kur ai fillon të tregojë për madhështinë e Iliadës, bën këtë apologji:… tek rreshtat që vijojnë në këtë parathënie për veprën e Homeritasgjë nuk është e imja, veçse puna për të krijuar mozaikun që do të lexoni, që siç do ta shihni, është një kolazh mendimesh dhe vlerësimesh në shekuj, për veprën e poetit të madh. Këto i zgjodha mes shumë të tjerash duke i konsideruar si më të veçanta. Ndërkaq, pranohet se çfarëdo që të thuash për Homerin, së pari, është gjithmonë e pamjaftueshme, së dyti, po të hulumtosh, do të konstatosh se është thënë më parë prej mëndjeve të ndritura, dhe së treti, për të është thënë dhe shkrojtur aq shumë, sa një jetë njeriu nuk mjafton për t’i njohur të gjitha.“(IliadaI.V.B. Parathënie, f. v).

Urtësia e I. Ballaurit po ashtu bie në sy që në faqet e para kur jep mesazhin e tij:

‘Iliada’ është eposi i luftës, i grindjeve, i mërisë mes njervzve, popujve.

         Ia kushtoj këtë shqipërim, mirëkuptimit, paqes, qetësisë mes tyre– Duke na kujtuar ne pupujve ballkanikë të ecim përpara drejt mirëkuptimit, paqes e qetësisë midis nesh.

Të shumtë janë mendimet dhe vlerësimet për Homerin nga shkrimtarë të mëdhenj, kritikë, specialistë, filozofë, filologë, personalitete, etj, të një harku kohor shumë të gjërë. Ballauri sjell mendimet e M. Arnold (kritiku më i njohur i Homerit për të gjitha kohët deri sot), E. Hamilton (një prej helenisteve më të njohura po ashtu për të gjitha kohët), të J. Griffin, M. Adler, W. Gladstone, G. Flobert, Spiro Çomorës tonë, R. Graves, G. Leopardi, etj. Prej thënieve elegante të këtyre mendimtarëve që vlerësojnë veprën e Homerit, të sjella në parathënien e Ballaurit, po ndalemi në dy prej tyre:

– Gjatë jetës, sa më tepër kalojnë vitet dhe rritemi e moshohemi, interesat për një larmi në të lexuar, bien njëra pas tjetrës dhe kam frikë se do të mbetemi vetëm me Homerin dhe Virgjilin, apo ndoshta vetëm me Homerin (Tomas Jefferson, IliadaI.V.B Parathenie, f. vi).

– Dua të lexoj Iliadën e Homerit në tre ditë, ndaj mbylle derën mirë me lloz(!), më dëgjon, mbylle(!), dua që askush të mos ma largojë vëmëndjen, asgjë të mos më shqetësojë. Në të kundërt, të siguroj, të betohem, se atëhere ke për të parë, sesa rëndë, sa ashpër do të zemërohem“(Pierre de Ronsard, ose i quajturi prej francezëve “princi i poetëve” – drejtuar mëkëmbësit të vet, para se të lexonte Homerin (IliadaI.V.B. Parathënie, f. vii).

Poemat e Homerit konsiderohen krahas Biblëssi veprat më të përhapurat dhe më të lexuarat në mbarë botën, që kanë luajtur një rol shumë të madh për orientimin e njerëzimit drejt qytetërimit dhe humanizmit. Iliadaderi në vitin 2009 në anglisht, shkruan Ballauri, ishte përkthyer 78 herë, në frëngjisht 43 herë, shumë herë në gjermanisht, italisht, portugalisht, spanjisht, rusisht, etj. Madje disa herë edhe në disa gjuhë të Ballkanit, si në rumanisht, bullgarisht, sërbokroatisht, etj (IliadaI.V.B. Vol.1 f. 169 – 173). E njëjta gjë, shton ai, duhet thënë edhe për Odisenë, në anglisht është përkthyer 66 herë deri në vitin 2014, në frëngjisht 26 herë, dhe shumë herë në gjermanisht, rusisht, italisht, spanjisht, portugalisht, etj, si dhe në gjuhët e Ballkanit (OdiseaI.V.B. Vol.1 f. 190 – 195). Tek përkthimet e mësipërme për të dy eposet, gjejmë të gjitha format e vargëzimit si: hekzametrik, jambik pentametrik, kuplete heroike, vargje të thyer, vargje të bardhë, prozë, soneta, me rimë, pa rimë, etj.

Shqipja është ndër gjuhët e fundit të kulturës europiane, ku u përkthye Homeri i plotë. Në shqip Homeri i plotë u përkthye në vitet ‘60-’70, të shekullit të kaluar, pra më se gjysëm shekulli më parë.

Ballauri jep i pari një historik të shkurtër mbi përkthimin e Iliadësnë shqip:

Përkthimin në gjuhën shqipe të Iliadës së Homerit e ndeshim për herë të parë dhe vetëm për rapsodinë e 1-rë, në vitin 1896. Autori i përkthimit ishte Naim Frashëri. Botimi i saj u krye në Bukuresht prej shtypshkronjës së shoqërisë “Dituria” në formën e një fashikulli. Më pas kjo rapsodi u ribotua më 1912 në Korçë, nga shtypshkronja “Korça”, titulluar: “Iliadhë e Omirit, kthyerë Naim Be Frashëri”. Po Naimi, më 1886, pra dhjetë vjet përpara se të kryente botimin e vet në shqip, pat botuar në turqisht, veç veprave të tij të tjera në këtë gjuhë edhe përkthimin e kësaj rapsodie të Iliadës…

         Pas Naimit,At’ Gjergj Fishta, i dyti pas Naimit, përktheu rapsodinë e 5-të, (fragment) të Iliadës së Homerit… Në vitin 1938, shtypshkronja françeskane botoi rapsodinë e 22-të, të Iliadës së Homerit përkthyer prej Prof. Frano Alkaj. Botimi në fjalë në gegërisht, shoqërohej nga një përshkrim mbi poezinë epike greke të lashtë, të shkrojtur po nga përkthyesi. Më pas më 1941, F. Alkaj botoi tek, “Hylli i Dritës”, përkthimin e rapsodisë së 24-të të Iliadës, po ashtu në gegërisht… Në një botim të viteve të fundit postmortum të veprës së Nikollë Dakaj me titull: “Antologjia e poezisë së madhe botërore”, përfshihen edhe përkthime të bëra qysh në vitet ’40 në gegërisht të disa fragmenteve, nga ku një fragment i rapsodisë së 1-rë edhe me rimë të Iliadës. Përkthimi i plotë i Iliadës së Homerit, u krye prej Profesor Gjon Shllakut (1923 – 2003) rreth viteve ’60 dhe u botua më 1965. Grupi i redaktimit të përkthimit, përbëhej prej gjashtë vetësh midis të cilëve edhe përkthyesi i njohur Spiro Çomora, i cili e shoqëroi botimin me studimin e tij: “Iliada dhe bota homerike”. Përkthimi i vitit 1965 ishte në gegërisht. Më pas shtëpia botuese “Naim Frashëri” realizoi një botim të dytë i cili u përcaktua, i ripunuar. Ripunimi pati si qëllim kthimin nga gegërishtja në variantin e gjuhës letrare zyrtare, të vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972. Ky përkthim e futi edhe vendin tonë, ndonëse me vonesë kundrejt vëndeve të tjera evropiane, në një vënd ku tashmë Iliada, kjo kryevepër e letërsisë botërore, është e përkthyer e plotë. Përkthimi i Iliadës prej Gj. Shllakut, përveç një sërë meritash të padiskutueshme të cilat analizohen gjithandej tek shkrimet e ndryshme lidhur me këtë përkthim, mendoj se ka të bëjë me këto vlera, që më mirë se kushdo mund t’i ndjente dhe t’i thesh, një tjetër përkthyes i Iliadës, shkruan Ballauri dhe thekson konkretisht:

         1– Në një vend evropian letrat dhe arti janë ndryshe, kur në të ekziston edhe një përkthim i Iliadës në gjuhën e vet. Gjon Shllaku duke përkthyer Iliadën e plotë në shqip, jo vetëm që i solli vëndit këtë kryevepër të pakrahasueshme të letërsisë botërore por, ai me këtë punë, e mbuloi me një vello ndriçuese gjithë zhvillimin e letrave tek ne. Pa Homerin në shqip, nuk do të mund të thoshim: ‘Fishta është Homer’. Një populli që nuk e njeh Homerin, edhe Kadareja nuk do të mund t’i thoshte: ‘Eskili ky humbës i madh”, sepse një popull që nuk e njeh Homerin, është një humbës edhe më i madh.

         2-Iliadën siç shihet më sipër, e zunë me dorë edhe penat më të mëdha të letrave shqipe por ata e lanë atë. Përsëri, ishte Gjon Shllaku i vetmi, ai i cili ia doli mbanë një pune të tillë, aq kolosale, aq të lodhëshme dhe aq voluminoze.

         3– I përndjekur, nëpër burgje që në moshën të re, ai e përktheu Iliadën në atë kohë, kur ngado, imponohej dhe inkurajohej me forcë prej diktaturës së asaj kohe, të lexoheshin vetëm citatet e Mao Ce Dunit dhe veprat e Enver Hoxhës. Ai e përktheu Iliadën duke qënë në një izolim të plotë politik, shpirtëror, intelektual, burimor, ekonomik, etj, duke patur në dorë vetëm një armë, vullnetin dhe duke mos patur ndoshta as edhe letër, për të shkrojtur. Për mua që përkthimin e Iliadës së tij e kam ndjekur deri në qelizë, Gjon Shllaku mbi të gjitha, ishte një hero i letrave shqipe. (IliadaI.V. B. Vol. 1 f. 174 – 175)

         Mbas këtyre vlerësimeve për përkthyesin para tij të Iliadës, Ballauri sjell dhe historikun e përkthimit të poemës Odisea:Në bibliografinë e vendit tonë përmëndet se, prej Odisesë së Homerit ka patur përpjekje të hershme për të përkthyer pjesë të ndryshme, madje nënvizohet se i pari që mundi të përkthejë, të tre rapsoditë e para, të kësaj vepre madhore ka qënë poeti, publicisti dhe patrioti, Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni. Me keqardhje pastaj shtohet se këto përkthime, mbetën si dorëshkrime të pa botuara. Ndërkaq i pari që mundi të nxjerrë në dritë një libër të botuar me Odisenë e Homerit, ka qënë Spiro Çomora por edhe ky jo të plotë por, vetëm me dymbëdhjetë rapsoditë e para, botuar më 1973, disa vite më pas pra se botimi i Iliadës së përkthyer prej Gj. Shllakut. Odisea e Çomorës pat qënë redaktuar prej Adrea Varfit dhe qarkulloi në atë kohë, me një tirazh tepër të madh 18 mijë kopje, vitin që ai vdiq!  Spiro Çomora folklorist, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf, me origjinë nga Vunoi, ishte njëkohësisht edhe një helenist i shquar madje për mua edhe elegant. Ai përktheu një sërë veprash të Antikitetit, prej Ezopit, Aristofanit, Juvenalit, etj. Çomora punoi gjithashtu edhe në redaktimin e shqipërimit të Iliadës së Gj. Shllakut…

         Përkthimi i plotë i Odisesë së Homerit, në Shqipëri është realizuar prej Profesor Pashko Gjeçit dhe u botua më 1976, pra rreth 10 vjet pas botimit të Iliadës… Pashko Gjeçi, poet, mësues, përkthyes, i njohur dhe i vlerësuar i solli vëndit, përveç Odisesë së Homerit edhe shqipërimin e Komedisë Hyjnore të Dante Aligherit, si dhe një gamë të pasur shqipërimesh të tjera, mes të cilave edhe Faustin e Gëtes, Traviatën e Verdit, tragjedi tëJean Racine, etj.

         Së fundi në vitin 2009, një tjetër përkthyes i sprovuar Llambro Ruci nga Dhërmiu, solli një përkthim të dytë të plotë, të Odisesë së Homerit. Puna e kryer prej Ll. Rucit është e kujdesshme. Kuptohet, e kryer në një tjetër kohë, me të tjera mundësi dhe për rrjedhojë dhe me cilësi. Me shtimin e përkthimeve të Homerit, tashmë lexuesit i jepen mundësi të njohë më mirë poetin e lashtë dhe madhështinë e tij, i jepet mundësia për krahasime, thellime, studime, etj. (OdiseaI.V.B. Vol. 1 f. 194 – 195)

Ndërkohë kur përkthyesit e mësipërm, sollën secili vetëm njërin prej të dy eposeve të Homerit, Gj. Shllaku – Iliadën, P. Gjeçi  – Odisenëdhe LL. Ruci po Odisenë, vlen të theksojmë se Ilia V. Ballauri është i pari dhe i vetmi deri sot që shqipëroi gjithë veprën e Homerit me rreth 28 mijë vargje, që përbejnë korpusin e plotë të poemave Iliadadhe Odisea.

Iliada(2013) e Ballaurit është një shqipërim në dy volume me gjithsej 959 faqe në format të madh A4, ose me rreth 1.900 faqe të librave me format mesatar; kurse Odisea(2017) në dy volume me gjithsej 753 faqe në format të madh A4, ose me rreth 1.500 faqe të librave me format mesatar. Kurse libri Mburoja e Akilit dhe kulmime të tjera të Iliadës së Homeritpërbëhet nga 230 faqe botuar më 2013 me format mesatar. Së fundi një studim special tepër interesant, i realizuar dhe botuar vetëm në anglisht prej Ballurit sivjet (2018) me titull A mathematical mirror to reflect on Homer’s Iliad and Odyssey vocabulary” (Studime matematike nën prizmin e linguistikës kuantitave për fjalorin Homerik) me 201 faqe A4 ose me rreth 400 faqe të formatit mesatar. Pra puna madhore e I. Ballaurit mbi Homerin i kalon 4.000 faqet.

Të dy eposet e Homerit janë shoqëruar me një plotësi shënimesh dhe riprodhim ilustrimesh fotografike, pra me një sfond të pasur dhe voluminoz enciklopedik, gjë që siç thotë vetë ky shqipërues, pa të, është e pa mundur që poeti i madh të kuptohet e të shijohet si duhet. Mungesa e këtij sfondi do të ishte një gjë e ngjashme me dikë që hyn në një muze të panjohur, pa një guidë, pa një shpjegim për të kuptuar përmbajtjen e ekspozimeve; ose sikur të ngjallej sot dikush prej kohëve homerike e të jetonte midis nesh pa e sqaruar atë për smartphonet, fekondimin extrasomatik, klonizimin, për wi-fi, microsoftword, etj.

Ky shqipërues i talentuar dhe i mirëformuar në shumë aspekte shkencore e pati kuptuar që në fillim të punës se, pa u sjellë lexuesve sa më të gjallë botën e kohëve homerike, veprat e poetit gjenial nuk mund të shijoheshin, nuk mund të kuptoheshin dhe mbi të gjitha nuk mund të vletësohej fakti pse Homeri mbetet për të gjitha kohët babai i poezisë dhe poeti më i madh që jetoi e krijoi në tokën tonë.

Në hyrjen e Iliadës, studiuesi Ballauri ka hartuar një ese për jetën e Homerit, mbështetur në biografitë më të rëndësishme të shkruara për këtë poet prej Herodotit, Plutarkut dhe Proklitit, si dhe në gojëdhëna e traktate të ndryshme.

Lidhur me kohën se kur jetoi poeti i madh, Ballauri shkruan se studimet e sotme shkencore filologjike mbështesin, përcaktimin e Herodotit, sipas të cilit autori i eposit të lashtë grek, jetoi rreth vitit 800 para Kr. Ai pranon dhe mendimin e Eratosthenit, i cili ka llogaritur se poeti jetoi 100 vjet pas Luftës së Trojës, kohë kur ishin konsoliduar shumë këngë trimërie për bëmat e luftëtarëve të Trojës, disa prej të cilave Homeri vetë i përmend me gojën e rapsodit Dimodok gjatë gostisë që dha mbreti Alkino (Odisearapsodia 8).

Përsa i përket origjinës së Homerit, Ballauri përmend dhe një epigram të lashtë ku shkruhet:

         Shtatë vënde hahen mes tyre, kush të njihet si rrënja nga ku rrjedh Homeri: Smirni, Hio, Kolofoni, Itaka, Pilosi, Argosi, Athina.

Helenistët e sotëm grekë janë pajtuar me mendimin se Homeri lindi në Smirni dhe pasi shëtiti në shumë qytete vijoi jetën në ishullin Hio, ku sipas Pavsanisë ndodhej edhe varri i Homerit. Në këtë ishull u zhvillua dhe tradita e Homeridëve (rapsodë që këndonin si Homeri) traditë e cila mbërriti e gjallë deri në kohën e Pindarit në shek. V-të para Kr.

Pavarësisht nga këto konkluzione, të cilat askush nuk mund t’i përmbysë, unë (Th. L. Gj.) mendoj se qyteti i origjinës së Homerit mbetet ende një problem i hapur dhe dua të sjell këtu mendimin e Prof. Dhimitër Pilikës, një tjetër helenist korçar. Ky studiues në një intervistë dhënë Prof. Muzafer Xhaxhiut rreth viteve 1991 – ’92, dha disa mendime interesante lidhur me origjinën dhe vendlindjen e Homerit. Ai shprehu mendimin se Homeri ka shumë mundësi të ketë lindur dhe të ketë kaluar rininë në ishullin e Itakës, ishullin e Odiseut, ku u rrit me gojëdhënat, rrëfenjat e legjendat mbi Odisenë. Këtë mendim ai e arsyetonte me idenë se poetët në përgjithësi vendit ku janë lindur e rritur dhe njerëzve të shquar të tij u kushtojnë pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tyre. Pra Homeri duke thurrur një poemë të tërë për Odisenë, duke i kënduar dashurisë së këtij heroi për vendlindjen, i ka kënduar dhe dashurisë së tij për vendlindjen e vet, pra ka zbuluar origjinën e tij të njëjtë me atë të Odisesë.

Edhe këtë hipotezë të Dh. Pilikës nuk duhet ta hedhim poshtë, përderisa nuk ka fakte konkrete ku të jetë shënuar vendlindja e Homerit të madh…

Iliadadhe Odiseatë sjella në shqip prej I. Ballaurit, janë të mbushura me shpjegimin dhe zbërthimin e nevojshëm kuptimor të vargjeve, të miteve, ngjarjeve, heronjve, historisë, gjeografisë, arkeologjisë, etj të botës homerike; me ilustrime të saj nga pikturat, skulpturat, gravurat, skenat teatrale e kinematografike nga më të njohurat deri sot, të cilat për të dy veprat së bashku arrijnë në rreth një mijë ilustrime, një pjesë e të cilave madje edhe me ngjyra. Aty-këtu jepen edhe statistika të lidhura me botën e veprave homerike apo edhe shtjellime për stilin e poetit të madh, etj. Veprat janë të pasuruara me një indeks shpjegues dhe të numërtuar të emrave që gjenden në vargjet e Homerit, si dhe me një bibliografi të pasur prej qindra referimesh.

Te ky korpus rapsodish shqipëruar prej Ballaurit gjenden dhe analiza të tragjedive e komedive të lashtësisë, ku flitet se çfarë kanë huazuar prej Homerit në veprat e tyre dramatike Eskili, Sofokliu, Euripidi, Aristofani, etj. Jepen po ashtu trajtime të shkencave dhe sidomos të astronomisë, astrofizikës, matematikës, fizikës, bujqësisë, lundrimit, etj, ku thuhet sesi bazuar tek Homeri çfarë elementë përllogaritën pastaj shkencëtarët e lashtë si p.sh. Arkimedi, Eratosteni, etj. Veprat janë të mbushura me sqarime rreth filozofisë, psikologjisë, moralit, të drejtës, etnografisë, zakoneve, traditës të ligjërimit rapsodik, etj, ku jepen pjesë nga Platoni, Aristoteli, Plutarku, Ovidi, Herodoti, Tuqididi, etj, që lidhen me vargjet homerike; flitet sesi Homerit i detyrohen poetët lirikë Pindari, Safo, Anakreonti, Theokriti apo edhe historiani Ksenofont, etj, madje edhe sesi Aleksandri i Madh gjatë fushatave të tij, admironte Homerin dhe zgjohej e binte të flinte me Iliadëne kopjuar prej Aristotelit, që e mbante nën kokë.

Krahas këtyre sqarimeve që jep I. Ballauri për Homerin që lidhen me ndikimin e poetit të madh në lashtësi, ky shqipërues nëpër faqet e Iliadësdhe Odisesëjep gjërësisht dhe me hollësi, ndikimin e Homerit te krijuesit e kohëve të reja, si tek Danteja, Petrarka, Bokaçio, dhe te figura të tjera të Rilindjes europiane si Galileo Galilei, Feneloni, J. Racine, te burri anglez i shtetit Lordi Granville i shek. 18-të, tek Alfred Lord Tennyson, madje dhe në ditët e sotme te G. Klimt (piktor simbolist), J. Borges, J. Joyce, K. Kavafi, M. Atwood, arkitekti i madh Th. Hansen, etj. Të dhëna këto që shpalosin njohuritë enciklopedike të këtij shqipëruesit.

Gjithashtu, në botimet homerike të I. Ballaurit, trajtohen dhe tema të tjera që lidhen me historikun e mbërritjes së vargjeve Homerike nga ditët e Homerit deri sot, temë kjo shumë e gjërë që ai e trajton gjërësisht dhe me hollësi, duke nisur prej kohës së papiruseve, të pergameneve, manuskripteve e deri sot në tekstet homerike elektronike Ai jep në një sërë kapitujsh edhe temën e madhe të debatit homerik, ku mpleksen mendimtarë që prej lashtësisë e deri në kohët e reja si F. A. Wolf e F. W. Nietzsche. Po ashtu ai paraqet trajtimet mbizotëruese për mënyrën sesi përkthehet Homeri dhe për këtë sillen mendimet e koncentruara por edhe të zgjeruara të M. Arnold, J. Borges, J. Shepphard, etj. Jep historikun e përkthimeve të Homerit në latinisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht ku kuptohet rëndësia edukative dhe admirimi sublim për poetin e madh prej kulturës dhe botës europiane. Shtron statistikisht çështjen e fjalorit homerik bazë, duke sjellë të dhëna nga studiues akademikë; trajton temën e vargëzimit homerik, bazuar gjërësisht dhe me hollësi në një sërë studimesh shkencore, filologjike, matematike, muzikologjike etj. Trajtimi i vargut homerik prej Ballaurit, të mrekullon sesi një çështje kaq të thellë ai e sjell kuptueshëm dhe bukur. Gjithashtu ai trajton temën e shtresëzimit arkeologjik të Trojës sipas studimeve më të fundit, kronologjinë e luftërave të Trojës, jep analiza të armatimeve të përdorura, të numrit të mundëshëm të luftëtarëve që mendohet të kenë marrë pjesë aty, të strukturave navale, etj. Sjell studimet dhe hipotezat si dhe planimetritë e mundshme të arkitekturës së ndërtimit të pallatit të Odisesë ku zhvillohet pjesa kryesore dhe më tragjike e ngjarjes së eposit; sjell studimet e disa universiteteve dhe NASA-s rreth përllogaritjeve të mundëshme të kohës së ngjarjes së luftërave të Trojës bazuar mbi eklipset e një periudhe disa mijëravjeçare, etj. Pra, me pak fjalë shqipëruesi ynë i sotëm sjell një enciklopedi homerke të vërtetë, gjë që dhe ndër publikimet rreth Homerit në botë, mesa kemi parë, është e rrallë.

Por si janë organizuar të gjitha këto tek botimet e I. Ballaurit?

Për çdo rapsodi ka sqarime, komente, analiza, shënime, etj, të cilat jepen krahas vargjeve homerike, me poshtë-shënime ose anash-shënime dhe pastaj në fund të çdo rapsodie në disa faqe, jepen thellime për temat e ndryshme që treguam pjesërisht më sipër. Lexuesi i këtij korpusi poetik enciklopedik, ku teksti hoemrik është shqipëruar mjeshtërisht dhe shënimet, sqarimet, esetë, ilustrimet dhe konkluzionet janë ndërtuar në nivel të lartë shkencor, nuk do të ndjejë ngopje e lodhje duke përthithur vlerat e shumanshme artistike e shkencore të tij.

Ia vlen të sjellim shembuj konkretë për ta bërë më të kapshme këtë arritje të Ballaurit.

Në një pjesë të shkurtër tek Iliada, rapsodia e 18-të, vargjet origjinale 483 – 489, ku flitet sesi perëndia Hefest, që jepet prej Homerit njëkohësisht edhe si artist, mjeshtër dhe farkëtar, përgatiti mburojën e re të Akilit, sepse mburojën e parë ia mori si trofe Hektori mbasi vrau Patroklin që kishte veshur armët e Akilit. Kështu, Homeri tregon pra sesi perëndia Hefest e zbukuroi gjithë art mburojën e re të Akilit në sipërfaqe, me një sërë pasqyrimesh të veçanta.

Po i riprodhojmë të dy variantet e shqipërimit prej I. Ballaurit dhe Gj. Shllakut:

….

E pra, mbi mburojë farkëtoi tokën dhe qiellin, 

detin dhe sipër tij, diellin. 

Diellin që – u lodha, – kurrë nuk thotë, 

si dhe hënëzën dyllë të verdhë, të plotë.

Gdhendi pastaj, gjithë yllësitë, me të cilat qielli kurorëzohet, 

Pleadet, Hyjadet, Orionin që për forcë dallohet, 

si dhe Arushën e Madhe, yllësinë qiellore, 

që e quajnë me një emër të dytë edhe ‘Karrocë Hyjnore’.

Kjo, vjen në kupë sipër rreth e qark, 

në një vend, në një pikë, 

si roje, i rri Orionit të fortë,

ndërsa vetë ajo nuk mund të ikë, 

të perëndojë, të zhduket, 

prapa tek ujërat e Oqeanit, të lahet, të futet.

(shqipëroi: I.V. Ballauri, Iliada Vol. 2, f. 226)

 

…

 Skaliti, Tokën, Qiellin edhe detin,

hënëzën e plotë dhe diellin e palodhshëm,

të gjitha yllsitë që i bëhen kurorë qiellit,

Jadet e Shenjëzat dhe fuqinë e Orionit

t’Madhen Harushë që edhe ‘Qerre’ e quajnë,

e rreth një pike përgjithmonë vërtitet

drejt nga Orioni dhe ndër gjithë yjet

veç se ajo s’bie në ujra t’Oqeanit.

(shqipëroi: Gj. Shllaku,Iliadarapsodia 18-të, vargjet 611 – 618)

 

Vetëm në këto pak vargje Homeri jep një kartografim të kupës qiellore për gjërësitë tona gjeografike, që pa një sqarim të tyre ato duken si të pakapëshme, si fjalë të një devijimi poetik dhe ndoshta për një lexim jo fort të përqëndruar edhe si një befasi pa lidhje që ndoshta duhet kapërxyer.

Në fund të këtyre vargjeve me një poshtë-shënimtë gjërë, I. Ballauri sqaron domethënien e tyre. Së pari, mënyrën se si konceptohej fizikisht bota në kohët Homerike, madhësia, forma, shtrirja e saj, etj, dhe si imagjinohej në ato kohë kupa qiellore, cilët janë konstelacionet e Pleadeve dhe Hyjadeve si dhe Orioni, pse ky quhet i fortë, cili është pozicioni reciprok mes këtyre konstelacioneve, Arusha e Madhe, pse ajo quhet ‘Karrocë Hyjnore’, pse ajo vjen përqark Orionit, pra i ri si roje, pse nuk perëndon në gjërësitë tona gjeografike. Sqarohet gjithashtu se si perëndimin e diellit në kohët homerike e imagjinonin sikur ky shkonte e binte në Oqean, Oqean ky që rrethonte tokën pjatë të sheshtë dhe aty pasi dielli lahej gjithë natën dilte pastaj nga ana tjetër i pastër dhe fillonte përsëri punën e vet të ndriçimit të përditshëm të jetës mbi dhè.

Poshtë-shënimet janë një formë e zbërthimit që u bën ky shqipvrues vargjeve homerike.

Një formë tjetër sqarimesh e përdorur prej I. Ballaurit, janë dhe ansh-shënimet, të cilat renditen anash tekstit poetik mbasi faqja A4 është shumë e gjerë dhe i mban për bukuri.

Po marrim si shëmbëll përsëri një pjesë të shkurtër nga Odisea, rapsodia 10, vargjet origjinale 508 – 514, ku flitet sesi Kirki (ose Circea) e udhëzon dhe i tregon Odisesë rrugën, si ky të futet në botën e shpirtërave, të të vdekurve, pra të perëndisë Adi dhe të bashkëshortes së tij Persefonit, ku pastaj aty do t’i duhet të takojë shpirtin e mandit (profetit) Tiresia, i cili ishte i vetmi që mund t’i parathosh drejtimin, gjatësinë e rrugës dhe të udhëtimit, fatin pra që i rruhej, për të mbërritur në Itakë.

Po i riprodhojmë të dy variantet e shqipërimit prej I. Ballaurit dhe P. Gjeçit:

…

Ndërkaq, 

kur të kapërxeni Oqeanin, në një breg të ulët ndaloni, 

ku është pylli i dendur i Persefonit, 

me plepa të gjatë, të bardhë 

dhe shelgjishte që varen, që frutat i rrëzojnë, i prishin, 

aty pra ankoro anijen, në anë të Oqeanit 

me shtjella të forta, të thella që ujin e vërtitin, 

prej nga ku pastaj, më këmbë ke për tu futur, 

në të Adit vendbanim të vjetër, me lagështirë, të mykur.

Aty në Shkëmbi, 

përziehen dhe rrëzohen, duke buçitur prej oshëtimave, 

tek lumi Akeron, i lëngimeve, i psherëtimave: 

si lumi tjetër Piriflegjethon, i zjarreve të pashuara, 

ashtu edhe lumi Kokito i ftohtë, i vajtimeve me të rënkuara, 

që del si degë, e lumit Stiks.

(shqiproi: I. V. Ballauri, Odisea vol. 1 f. 279)

 

….

Me varkë më parë kalo oqeanin,

e kur t’arrini ju te Kepi i Vogël,

te pylli i Persefonës me akacie

plot pemë pa jetë dhe me plepa t’lartë,

n’atë breg ndaloni anijen, ku përplasen rrymat

e detit t’thellë. Atëhere ti

merr rrugën drejt e te banesa e Hades.

Nëpër moçal kalo gjer n’ato vise,

ku Piriflegjetonin Akeronti

e pret e ujrat që nga Stigjia derdhen në Koçit

brenda. Këta dy lumenj me shugullimë së

bashku rrjedhin para Shkëmbit të Madh.

(shqipëroi: P. Gjeçi, Odisea rapsd. 10-të, vargjet 613- 624)

 

Në fund të këtyre vargjeve, I.Ballauri tek botimi i tij, në anash-shënimjep sqarimet e hollësishme rreth topografisë së lashtë të botës së të vdekurve, sqaron gjeografinë dhe toponimitë që përmënd Homeri më lart, ç’janë lumenjtë Akeron, Piriflegjeton, Kokito, Stiks, madje sjell këtu edhe një hartë të studiuesve të ndryshëm të kësaj pjese, por sidomos, sjell të përkthyer prej veprës së Platonit Fedhopërshkrimet mbresëlënëse të kësaj bote prej Sokratit (113a – 113c) para se ky të pinte helmin dhe të vdiste.

Ndërkaq lidhur me trajtimin e temave të ndryshme që përmëndëm më lart në çdo fund rapsodie të Iliadësdhe Odisesë, duke lënë mënjanë larminë e tyre trajtuar prej I. Ballaurit, po përmendim vetëm njërën prej tyre, atë që përse vargëzimi homerik është unik dhe nuk mund kurkush ta përsëritë atë, por përkthehet ose më mirë siç thuhet në shekuj perifrazohet, në shumë lloj forma vargjesh si hekzametrik, jambik pentametrik, kuplete heroike, vargje të thyer, vargje të bardhë, prozë, soneta, me rimë, pa rimë, fjalë për fjalë, etj. Ballauri sjell tekIliada(I.V.B. Vol. 2, f. 321-328) të dhënat e studimeve më të fundit të shumë autorëve, mendimet dhe konlkuzionet e tyre. Ky punim është një ndërthurrje, siç e thamë, e shumë njohurive dhe ndërkaq është e pamundur që të sjellim këtu dhe të trajtojmë atë që trajtohet aty, por për të krijuar sado pak një ide, po shkëputim disa rreshta prej këtij punimi interesant:

… Përpjekjet rreth sqarimit të vargut homerik, pra të mënyrës sesi Homeri e ka strukturuar vargëzimin e eposeve të tij, janë një ‘luftë Troje’ më vete. Në një anë qëndron kështjella, pra vargëzimi homerik dhe në anën tjetër heronjtë: kërkuesit, shkencëtarët, teoricienët, që përpiqen ta marrin këtë kështjellë. Sqarimi i mënyrës së vargëzimit të eposeve të Homerit, kërkon një sërë dijesh: së pari, njohjen e veprës së Homerit në thellësi, njohjen e vargjeve të tij në origjinal deri në gërmë dhe në ton, njohjen e thellë të greqishtes homerike…, njohjen e thellë të metrikës, të metrikës së lashtë dhe të krahasuar, njohjen e thellë të çështjes homerike dhe pastaj njohje edhe të teorisë së muzikës në tërësi dhe të muzikalitetit të gjuhëve të ndryshme, të lashta dhe të reja në veçanti, njohjen e statistikës matematike dhe sot të informatikës. Mbi të gjitha, duhet pastaj edhe imagjinata për të fantazuar sesi mundet gjithë këto njohuri të ndërthuren…Në vargun homerik që quhet edhe heksametri homerik, që është i ashtuquajturi heksametri daktilik, studiohen dy metrika, metrika e jashtme dhe e brëndëshme… Një varg homerik përbëhet prej gjashtë këmbësh, gjashtë masash, të cilat numërtohen prej 1 deri më 6. Secila prej masave mund të jetë ose daktilike ose spondike. Daktilik quhet ai metër që ka tre rrokje, mes të cilave, rrokja e parë është e gjatë dhe dy të tjerat janë të shkurtra, njësoj pra si edhe të tre kockat e gishtit tregues të dorës (grq. vjet.daktilos). Një metër daktilik (D) shënohet simbolikisht:–uu (rrokja e parë e gjatë, dy të tjerat të shkurtra). Muzikalisht shënohet: ♪♪. Këtu rrokja e gjatë ka 1/4 e kohës, rrokja e shkurtër ka gjysmën e kohës së saj, pra 1/8, dhe gjithë daktili ka 2/4 e kohës. Në formën e ritmit, ose të melodiozitetit, një metër daktilik do të tingëllonte, ose do të dëgjohej, ose do të rrihte kështu: bum – pa – pa(pra rrokja, bume zgjatur, kurse rrokjet pa, pa, janëtëshkurtra). Spondike (S) quhet ajo masë që ka dy rrokje, që të dyja të gjata e cila simbolikisht shënohet: – –, muzikalisht dhe melodikisht a ritmikisht, bum– bum. Edhe këtu, njëra rrokje ka 1/4 e kohës, rrokja tjetër po ashtu 1/4, pra edhe metri spondik ka gjithsej 2/4 e kohës… Vargjet homerike, në masën rreth 72% të tyre, si tek Iliada ashtu dhe tek Odisea, janë:

  1. A) 3 daktile [9 rrokje] + 3 spondike [6 rrokje] = 15 = SSDDDS, DDSDSS, etj; ose
  2. B) 4 daktile [12 rrokje] + 2 spondike [4 rrokje] = 16 = SDDDDS, DDSDDS, etj; madje së bashku me rastin
  3. 5 daktile [15 rrokje] + 1 spondike [2 rrokje] = 17 = DDDDDS.

         Të tre këto lloj vargjesh, zenë tek vepra e Homerit rreth 91% të gjithë vargjeve të tij.

Nuk ka deri sot asnjë përkthim që të përsërisë koncentrimin e përmbajtjes së eposeve në një vargëzim homerik në gjuhën që përkthehet, pra të veprojë siç ligjëronte poeti i madh, ose që të paktën t’i përafrohet atij. Kjo gjë, sqaron Ballauri, vërtetohet sot edhe matematikisht.

Mënyrën sesi ky shqipërues e ka sjellë në shqip Homerin, e përshkruan me hollësi që në fillim si tek Iliada(f. xvi) dhe tek Odisea(f. xii). Punën e vet ai e ka realizuar duke kryer studimin paralel dhe të krahasuar të tekstit origjinal, duke patur përpara të hapura tekstin në greqishten e vjetër, pastaj në atë të re në disa varjante akademike, në anglisht në disa variante nga më të vlerësuarit, në frëngjisht në disa variante po të tillë, në italisht e njëjta gjë, si dhe përkthimin ekzistues në shqip. Për Iliadënka patur përpara 13 Iliadanë gjuhët që thamë, ndërsa për Odisenëka përdorur 15 Odisenë gjuhët e mësipërme. Ndërkaq sipas të dhënave që jepen prej tij, tek bibliografia, krahas qindra titujve të paraqitur aty, ai ka shfrytëzuar 16 lloje botimesh të Iliadësdhe 21 botime të Odisesë, nga më të vlerësuarit, në gjuhë nga më të ndryshmet. Gjithashtu, ka shfrytëzuar bibliotekën e vet të pasur me disa mijra volume. Edhe më, si na tregoi gjatë diskutimeve me të, ai ka shfrytëzuar edhe internetin, për të konsultuar fjalorët më të pasur të gjuhës së vjetër greke, fjalorët homerikë, fjalorët mitologjikë, historikë, gjeografikë, etnografikë, enciklopedi të ndryshme, etj. Ka shfrytëzuar po nëpërmjet internetit, bibliotekat më kryesore të botës, punime shkencore, publikime, simpoziume, etj dhe ka raste thotë ai, që për shëmbëll, për një fjalë ndaj të cilës përkthyesit kanë marrë qëndrime të ndryshme i është dashur të studiojë dhe të lundrojë në internet me ditë, për të vendosur edhe ai se ç’qëndrim duhej të merrte.

Duke e pyetur për rrethanat dhe konditat që e ndihmuan tek arritjet e tij, krahasuar me shqipëruesit shqiptarë të mëparshëm, Ilia tregon pa mburrje se, krahas ndihmës së palodhur dhe nxitjeve të bashkëshortes, zonjës Elisabeta, ai ka pasur dhe tre përparësi të tjera:

Së pari, shqipërimet e veprave të Homerit, Gj. Shllaku dhe P. Gjeçi i bënë shumë a pak rreth moshës 40 vjeçare, ndërsa unë, sqaron ai, i fillova pas kësaj moshe dhe i përfundova kur isha rreth 67 vjeç. Specialistët e botës së lashtë greke, bien dakort se korpusi homerik kuptohet, ndjehet dhe shijohet më tepër në gjysmën e dytë të jetës së njeriut, gjë që e pati kuptuar edhe Jefferson-i, të cilin e përmëndëm më lart.

Së dyti, ndryshe nga Gj. Shllaku dhe P. Gjeçi, Ilia vë në dukje se pati fat, mbasi gjysmën e dytë të jetës, e jetoi në botën e lirë, në epokën e zhvillimit galopant të teknologjisë, të bumit të informacionit, të shkrimeve, të komunikimit, të imazhit, etj, të cilën ai e shfrytëzoi për bukuri si përdorues i shkathët i teknologjisë kompjuterike.

Së treti, ndryshe nga përkthyesit para tij, të cilët punuan shumë vjet në kushte të burgjeve mizerabël të kohës së diktaturës, I. Ballauri ka pasur fatin që prej tre dekadash po jeton në Greqi, ku ka vizituar shumë  muze, disa herë Akropolin, ka shkuar në Itakë në atdheun e Odisesë, në Olimp, në vëndbanime të lashta, tempuj, në gërmadha antike, ka parë mure ciklopike, mbishkrime, mozaikë, kollona, arkada, skulptura e buste, ka ndjekur në amfitetra të lashtë, që ende dhe sot funksionojnë, interpretime të tragjedive të antikitet, pra ka thithur aq sa ka mundur atë çka mbetur sot prej Greqisë së lashtë.

Ndërkohë, këto përparësi, thotë ai, kanë pasur dhe anët negative të tyre. Gj. Shllaku dhe P. Gjeçi jetuan në një kohë, kur jeta e njerëzve, nuk kish televizor, internet, kompjuter, celular, facebook, makina, lëvizje, etj dhe kur libri ishte gati gjithçka, sidomos në vëndin tonë. Në këtë aspekt koha kur I. Ballauri solli punët e tij nuk e favorizoi atë, madje ai e di dhe është i ndërgjegjshëm se sot pak kohë kanë njerëzit e përkulur mbi smartphone e facebook, që të lexojnë ato çka ai ka punuar në gjysmën e dytë të jetës së tij.

Gjithashtu Ballauri, duke qënë i larguar dhe i harruar për shumë kohë prej vëndit, është i panjohur për qarqet promovuese në Tiranë, i pafuqishëm në arenën e brylleve aty. Eshtë një outsiderdhe për rrjedhojë jashtë loje. Siç e ka thënë edhe vetë diku në një shkrim, as edhe vëndlindja e tij (Korça) nuk ka kohë të merret me volumet e tij për Homerin, mbasi kanë problemet për festat e lakrorit e të birrës.

Së fundi, për të krijuar edhe një ide sa më të qartë rreth vargjeve homerike të shqipëruara prej Iia V. Ballaurit, po sjell këtu një ndër pjesët më kulmore të Iliadës, rapsodia 24  (Vol. 2 vargjet origjinalë 477 – 487; 493 – 505), takimin e Priamit me Akilin. Mbreti Priam, natën në errësirë i larguar fshehtas prej Trojës së rrethuar, i shoqëruar vetëm prej mëkëmbësit të vet, mbërrin tek fushimi i Akejve dhe futet fshehurazi në shatorren e Akilit. Jemi pra në  çastin kur plaku i lutet heroit, që t’i japë kufomën e përdhunuar të të birit, Hektorit.

Le t’i këndojmë këto vargje në të dy variantet Ballauri – Shllaku. Themi t’i këndojmë, sepse vargjet homerike nuk duhen lexuar si vargje poezish të thjeshta, ato duhen kënduar si vargje këngësh:

Priami i madh, hyri në shatorre dhe ata nuk kuptuan gjë,

pasi i qëndroi përpara Akilit, pa bërë zë,

u ul, e kapi atë me duar tek gjunjët e forta,

i puthi duart,

ah, ato duart të tmerrshme lyer gjak, që u trembej gjithë bota,

duar njerëzvrasëse,

me të cilat ai, kaq e kaq djem plakut, i vrau, i mbaroi,

e pra këto duar, ai i puthi, i shtrëngoi.

Dhe njësoj siç ndodh,

me një njeri,

që s’është në vete dhe në vëndin e vet, vret komshinë

dhe për të shpëtuar, ikën, merr arratinë,

ikën, ikën dhe mbërrin, në një vënd të huaj, largohet

dhe hyn në një shtëpi të pasur të strehoet,

ku të gjithë me të habiten,

ç’bëhet, syhapur pyesin, ç’është ky lloj mik,

e pra kështu dhe Akili, u habit.

U habit tek shihte aty Priamin,

mbretin e nderuar plak, përpara të gjunjëzuar,

u habitën edhe të tjerët, njëri tjetrin shihnin të hutuar.

Dhe ja, plaku iu lut:

‘Akil, ti që me hyjnitë përngjason,

kujto atin tënd,

që njësoj si dhe mua, mosha e pleqërisë e mundon,

shkallët e vështira të viteve që ngjitim,

derisa të ikim.

……………..

Dikur linda djem trima, të fortë që s’i kish njeri,

këtu,

këtu në Trojën me rrugë të gjëra madhështore,

dhe më të shumtit prej tyre, m’i rrëmbeu vdekja mizore.

Kisha plot pesëdhjet djem,

kur erdhi ushtria me Akej.

Nëntëmbëdhjetë, m’i kish lindur e njëjta grua,

ndërsa të tjerët, gratë e pallatit që fjetën me mua.

Shumicës prej tyre, Ari luftëshpërthyes gjunjët u preu,

ndërsa atë që ish,

i veçantë për mua, që mbronte qytetin, që me ju e mprehu,

e pra atë, ti para pak ditësh ma vrave,

tek luftonte për atdheun e vet, Hektorin dhe vatrën më thave.

E pra, për këtë po vij tani këtu, tek anijet e Akejve të paguaj,

të lutem për kufomën e tij, të stërpaguaj,

ty të të jap, të të dhuroj,

aq shumë dhurata sa edhe unë, dot s’i numëroj.

Akil, respektoi perënditë,

ki mëshirë dhe për mua, tek më sheh në këtë ditë,

atin tënd e kujto,

madje unë jam edhe më fatkeq, ja shih, mendo,

u përkula,

dhe u përula aq shumë, sa asnjë njeri tjetër në këtë botë,

duke puthur me gojë, me buzë, dorën e atij njeriu të fortë,

që më vrau fëmijët.’

Këto ishin fjalët e Priamit,

të shprehura gjithë dhimbje, aty i gjunjëzuar

dhe ja,

prej shpirtit të Akilit tashmë të prekur thellë, të trazuar,

u ndez, shpërtheu dhemshuria,

dhe kështu, u shkreh në vaj, në të qarë.

E kapi, plakun për duarsh dhe lehtë-lehtë, ato nga gjunjët ia largoi,

pastaj të dy, sekush plagët e veta të zemrës kujtoi,

Hektorin trim njëri dhe qante, e derdhte lotët ujë,

përpara vrasësit të tij, shpërtheu me kujë,

mbledhur kruspull, aty tek këmbët e Akilit.

Ndërsa tjetri,

ky herë qante, derdhte lotë për atin e vet,

herë-herë për Patroklin, që më nuk ishte në këtë jetë.

Kështu pra vajet, dënesat e tyre aty brenda në shatore,

u ndezën, morën qiellin gjith’ brenga e klithma mortore,

por kur Akili hyjnor u ngop, me lotë së qari,

u ngrit prej fronit ku ish ulur dhe më këmbë atypari,

përpiqej që edhe plakun ta ngrinte,

duke treguar bashkëdhimbje,

me atë kokë dhe mjekër të bardhë, të thinjur

dhe kështu pra, teksa përpiqej për ta ngritur,

i tha këto fjalë:

‘Eh, o at fatkeq që shpirti kaq fort të vuan,

vetëm një forcë e madhe të ka shtyrë,

të vish i vetëm këtu,

tek anijet e Akejve që me rreptësi, një ushtri e tërë i ruan,

të vish këtu përpara meje, ballë për ballë, me mua sy ndër sy,

me atë burrë që kaq djem të vrau, që të nxiu jetën ty.

E pra duket se ke zemër të fortë, të hekurt.

Ulu! Hidhërimin për njerëzit e vdekur,

le ta gëlltitim thellë,

thellë, në të shpirtit shpellë.

Nuk del gjë prej dhimbjes së helmuar,

sepse perëndia e amëshuar,

fatin e njeriut, kështu e ka caktuar,

në dhimbje dhe helm të jetojë,

të qajë, të vuajë, të drithërojë.

Dy qypa ndodhen, në prag të pallatit të Zeusit,

prej të cilëve dhurata, nxjerr dhe jep ky zot,

njëri qyp me vuatje, fatkeqësi,

dhe tjetri, me të mira plot.

E pra, Zeusi që argëton me shkrepëtima,

të cilat, i hedh nga qiejt e lartë,

dikujt ia jep të përziera këto dhurata

dhe këtij pastaj, si t’i vijnë këto, ashtu edhe i ndodh,

herë e gjen e keqja,

dhe herë e gjen e mira, i shkon jeta mbroth.

Por kujt i jep dhimbje, vuajtje, fatkeqësi,

e bën të poshtërohet si njeri,

të cilin mjerimi shkatërrues,

e ndjek, i shkon pas ngado që të vejë,

qetësi mbi dheun e shenjtë, të mos gjejë,

pa vlerë dhe pa nder, si ndaj perëndisë,

por edhe i përbuzur prej njerëzisë.’

(shqipëroi: I. V. Ballauri, IliadaVol. 2 f. 432-433)

 

 

Askush prej tyre s’vuri re kur hyri

Priami i madh që u hodh në këmbët t’Akilit,

e me krahë gjunjët ia shtrëngoi e i puthi

ato duar t’tmershme dhe gjakatare,

që i vranë aq djem edhe i lënduan shpirtin.

Porsi një burrë që e ndjek kobi i shëmtuar,

kur vret ndonjërin në atdhe e mërgohet

në dhe të huaj, dhe n’shtëpi i futet

një pasaniku ku të gjithë habiten;

ashtu u çudit kur pa Akil Pelidi

Priamin hyjnor, dhe u çuditën tjerët,

dhe shoku-shokun me habi vështronin.

Duke iu lutur, kështu Priami i foli:

“Babë ke dhe ti, o Akil, pinjoll i Zeusit,

plak siç jam unë në buzë të zezë të varrit.

………

Por unë i mjeri që në Trojë vigane

bëra sa djem të gjithë të pikatur,

s’di a më ngeli ndonjë gjallë prej tyre.

Pesëdhjetë i pata kur ia behën danajt,

nëntëmbëdhjetë prej tyre një barku i kisha,

shumë gra të tjera në saraj m’i lindën,

e shumë prej tyre mi vrau mizori Ares.

Por vetë njëri i dilte zot qytetit

dhe të gjithë të tjerëve: trimi i dheut Hektori,

që u vra prej teje, duke mbrojtur Trojën.

Dhe ja për këtë vij te galetë e akejve,

duke t’u lutur me t’çmuara.

Pra ndero zotat, o Akil Pelidi;

babë ke dhe ti, mëshirë të kesh për mua,

meqë unë jam më i mjerë se ai, pse bëra

një gjë që s’bëri rob i gjallë mbi dhe:

t’afroj te buzët dorën gjakatare

që më vrau djemtë” – Kështu tha plaku, e Akili

u shkreh në vaj, iu çua mall për t’atin:

duke i zënë dorën ëmbël, e shtyu plakun,

që kishte rënë ndër këmbët e Pelidit,

e i shkuan rrëke lotët për Hektor kryetrimin.

Ndërkohë Akili herë për t’anë vjatonte,

herë për Patroklin, dhe gjëmonte çadra

nga vaji i tyre. E kur Akil hyjnori

shfreu mire me lot, e prej gjymtyrëve e zemre

e nxori brengën, vrik u çua prej fronit,

plakun për dore duke e zënë, e ngriti

sakaq prej toke, u prek në shpirt për flokët

e tij si bora e për të bardhën mjekër.

E, duke i thirur fjalë fluturuese, i foli:

‘O i shkreti ti! Vërtet që shumë të zeza

t’i hoq kjo zemër. Po ti qysh guxove

të vish fill në galetë e akejve,

dhe e more n’sy të dalësh para burrit

që u shoi jetën e bijve tu fatosa!

Vërtet që paske zemër prej çeliku.

Por eja e ulu mbi këtë fron, prej shpirtit

brengat t’i zbojmë, sado që zemërplasur,

me vaj të shkretë asgjë në dritë nuk nxjerrim,

pse kështu zotat që nuk kanë kujdese,

rrojtje të zezë njerëzve të mjerë u prenë.

Dy buta dheu te pragu i Zeusit ndodhen:

njëri i mbushur me të liga e tjetri

plot me të mira: e kur rrufeflakëruesi

tok i përzien, na gjuan herë me të liga,

herë me të mira, e atë, që i jep të ligat,

e mbush me dhunë: e përgjithmonë mjerimi

në tokë hyjnore e ndjek këmba-këmbës:

e bredh pa cak, përçmuar prej njerëzve dhe zotave.’

(shqipëroi: Gj. Shllaku,Iliada rapsodia 24, vargjet 574 – 588  & 595 – 644)

 

Nuk kemi dyshim se kjo punë cilësore e Ilia Ballaurit si shqipërues, hartues i shënimeve sqaruese, i komenteve, analizave, eseve, paisja me ilistrime arti për ngjarjet dhe heronjtë e veprave homerike, ka për të shërbyer së shpejti si një shkollë për të realizuar në gjuhën shqipe edhe përshtatje të këtij lloji të kryeveprave të tjera të letërsisë botëtore si Eneidae Virgjilit, Komedia Hyjnoree Dantes,  Don Kishoti i Mancesi Servantesit, Faustii Goethes, etj.

Botimi i Iliadës dhe Odisesëshqipëruar prej I.V. Ballaurit, është një monument kulturor që vlen ta ketë çdo familje shqiptare që ka synime kulturore e intelektuale. Ky korpus me vlera enciklopedike është një dhuratë që nuk vjetërohet, si vjetërohen dhuratat elektronike, ose objektet argëtues.

Korpusi homerik është botuar në një masë të kufizuar (print on demand = publikim kur ka kërkesa) në një formë luksoze, jashtë Shqipërisë, me shpenzimet e vetë shqipëruesit.

         Iliada,(Vol. 1 bashkë me Vol. 2) koston 60 euro po të porositet jashtë Shqipërisë, ose 6.000 lekë të rinj brenda Shqipërisë. Ndërsa Odisea,(Vol. 1 bashkë me Vol. 2) koston 52 euro jashtë Shqipërisë, ose 5.200 lek brenda Shqipërisë.

Mburoja e Akilit dhe kulmime të tjera nga Iliada e Homerit, koston10 euro jashtë Shqipërisë, ose 1.000 lekë brenda Shqipërisë. Kurse A mathematical mirror to reflect on Homer’s Iliad and Odyssey vocabulary(vetëm në anglisht) koston 35 euro.

Këto vepra mund të porositen duke komunikuar me shqipëruesin në facebook: Ilia Ballauri.

Ndërkaq vëmë në dijeni se për t’i lexuar, mund t’i gjeni në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, në bibliotekën “Marin Barleti” Shkodër dhe në bibliotekën Jezuite në Shkodër. Në këto institucione veprat janë dhuruar prej shqipëruesit. Prej bibliotekave të Shkodrës ai ka marrë edhe letra falenderimi. Zoti Ilia V. Ballauri nuk ka pasur mundësi t’ia dhurojë këto vepra bibliotekës “Thimi Mitko” të Korçës, mbasi në qytetin e tij të lindjes, biblioteka ka kohë që është mbyllur. Biblioteka e bukur e funksionale e projektuar prej arkitektit Petraq Kolevica, u caktua të transformohej në godinë zyrtare, mirëpo përpara se të ndërtohej biblioteka e re, u boshatis biblioteka ekzistuese dhe librat janë depozituar diku pa adresë…

Ky korpus veprash është dhuruar prej shqipëruesit edhe në disa biblioteka të mëdha të Europës dhe Amerikës, si në bibliotekën qendrore të Athinës, Selenikut, Bostonit, Oslos, Berlinit, Vienës, Firences dhe Londrës. Kjo e fundit, që konsiderohet si biblioteka më e madhe në botë, i ka dërguar Zotit Ilia Ballauri dhe dy letra vlerësimi dhe falenderimi, gjë që e kanë bërë edhe disa biblioteka të tjera të huaja, të përmendura më sipër.

 

*(e renditur ne vepra e re 2018-’19)

Filed Under: Analiza, LETERSI Tagged With: Ilia Ballauri, ILiada dhe Odisea, Shqiperimi i pomade, Thanas L Gjika

KUJTIME PËR PROFESORIN EQREM ÇABEJ

June 1, 2018 by dgreca

1 Thanas GjikaNga Thanas L. Gjika/(Plotësuar me rastin e 110-vjetorit të lindjes së tij)/eqrem ÇabejNga koha sudentore: Ora e fundit e leksioneve./

Ndjehem fatlumtur që kam pasur rastin të njihja nga afër profesorin Eqrem Çabej, personin tek i cili shprehjet Shkencëtar i Madh dhe Njeri i Madh ishin në harmoni të plotë. Sa herë sillja në mendje kujtime të ndryshme për të, ndjeja kënaqësi.

Këto kujtime desha t’i shkruaja e botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por u stepa, sepse mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë se unë si profesorët Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Jani Thomai, Gjovalin Shkurtaj etj, mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë. Mirëpo në vitin 2011, mbas disa komunikimesh me bijën e tij, z-njën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrojta e i botova kujtimet e mia. Duke parë se këto kujtime vijojnë të lexohen me interes, në shkurt-mars të vitit 2016 i ripunove dhe i pasurova më tej. Por kujtimet të ndryshme për Profesor  Çabejn vijojnë të më vijnë herë pas here dhe ja tani, në fund të majit 2018 po shtoj dhe disa kujtime të tjera…

* * *

Nga koha sudentore: Ora e fundit e leksioneve.

Në vitet 1962 – 1966, isha student në “Fakultetin Histori dhe Filologji” të UT. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine, kurse në katin e tretë kishin zyrat e tyre “Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë” dhe “Instituti i Folklorit”. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn, të shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani, ose Itali. Ashtu si Profesor Çabej edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe në gazeta dhe libra të ndryshëm.

Profesor Eqrem Çabej jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet kur përputhen tek një person i vetëm gjithë të mirat: pamja fizike madhështore, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, dëshmi e vlerave të tij.

Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Pëshëndetja e tij na bënte përshtypje: të shikonte në sy dhe pasi perulte kokën, e çonte pak kapelën me dorën e djathtë. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë duke folur në këmbë tek katedra, kurse fragmentet që sillte për ilustrim mendimesh prej stujuesve të tjerë i lexonte. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështorer që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë.

Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë. Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare. Botëkuptimi dhe sjellja e tij ishin brumosur që në rini gjatë jetës në Austrinë e qytetëruar, prandaj ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një europiani të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e muhamedanët e përkorë.

Ora e fundit e mësimit me të, aty nga fundi i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhëshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndjehem fajtor. Ndjehem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej…

Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi:

-Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë.

Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekesh njeriun.

Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me biseda gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e  pushimit me atë të punës. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.  

Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja.

Gjithçka shikojeni me sy kritik.

Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime.

Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.

Mos bëni asnjë punë shkel e shko.

Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.

Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.

Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.

Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kyreysore….

Profesor Çabej nuk i pëlqente djallëzitë dhe jetonte thjesht

Mbasi mbarova fakultetin, në verë të vitit 1966 u emërova redaktor në Radio Tirana. Në vitet 1967-1969 punova në redaksinë e kulturës  dhe përgatisja emisionet Enciklopedia e Radios, Në Botën e Shkencës dhe Teknikës, Universiteti Popullor i Radios, Përkujtim Datash Historike, etj. Midis bashkëpunëtorëve që më ndihmonin për materiale të ndryshme kisha aktivizuar edhe agronom Ilia Mitrushin, specialist i dendroflorës shqiptare. Ai kishte studjuar në Grac të Austrisë. Aty për më se një vit, ai, Eqremi e Lasgush Poradeci, kishin qenë studentë në degë të ndryshme e jetonin në shtëpi të ndryshme nëpër familjet e vendasve.

Një herë ing. Mitrushi (ky nuk e quante veten agronom, por ingjinier) e solli materialin në fund të orarit zyrtar dhe iu luta të shkonim bashkë. Po ecnim drejt lumit Lana. Ilia më tregoi se prof. Norbert Jokli, albanologu më i shquar i kohës, i ftonte këta tre studentë shqiptarë një herë në dy javë të djelave për vizitë në shtëpi të tij. Aty ai hapte diskutime për probleme të gjuhës shqipe. Eqremi ndonjëherë mungonte.

–Unë me Lasgushin, shtoi Ilia, mendonim se Eqremi mungonte sepse si student i regullt i Joklit i kishte dëgjuar ato diskutime në leksione. Mirëpo Jokli një të djelë tha:

–Çabeu është i ri, për të ka më shumë rëndësi një shëtitje me një vajzë të bukur sesa diskutimet e mia që i ka dëgjuar në auditor. (Ing. Mitrushi, profesor Aleks Buda dhe Lasgush Poradeci, e përdornin formën e shquar te mbiemrit: Çabeu /  Çabeut / Çabeun, njësoj si Skënderbeu / Skënderbeut / Skenderbeun dhe jo si e përdorim ne aot: Çabej / Çabejt / Çabejn).

Ing. Mitrushi desh të më tregonte me këtë thënie të prof. Joklit, se Eqremi i ri nuk kishte qenë një student i mbyllur, nga ata që ne i quanim “peshkop”, por dhe qejfli e modern, që dinte ta vlerësonte shoqërinë me vajzat e bukura. Unë kisha idenë se Çabej kishte qenë gjithnjë si tani, njeri i përkorë dhe i përkushtuar pas studimeve. Për ta ngacmuar z.-in Mirtushi thashë:

–Profesor Eqremi më duket pak naiv dhe njeri i padjallëzuar.

–Eqremi dhe ne të tjerët që kemi studiuar në Austri dukemi naivë, por nuk jemi të tillë. Ne i kuptojmë fare mirë djallëzitë e të tjerëve, por nuk bëjmë vetë djallëzira. Ne u rrijmë larg djallëzive, sepse e kemi të qartë ku të shpien ato…

Kjo përgjigje ma qartësoi më tepër karakterin e profesorit dhe ma shtoi dashurinë e respektin për të. Një gjë e ngjashme më ndodhi edhe në një nga takimet me z. Nush Shllaku, i cili kishte qenë nxënës i gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1935. Padër Gjergj Fishta i ftuar prej pedagogut Eqrem në një nga orët e mësimit të letërsisë shqiptare, u kishte thënë nxënësve:

–Eqremi ka le me u ba klerik, por i asht kushtue shkencës.

Si redaktor i Radjos, për të përgatitur emisionet shfrytëzoja përveç bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe nja dy revista të huaja që vinin në bibliotekën e atij institucioni. Një ditë shtatori të vitit 1969, duke shfletuar revistën franceze Science et Vie (Shkenca dhe Jeta), pashë brenda saj një disk me inçizime. Mësova se në Francë kishte filluar krijimi i enciklopedive zanore, me inçizime të personaliteteve të artit, shkencës, kulturës, politikës, etj.  Më shkoi mendja se mund ta filloja dhe unë një punë të tillë sado modeste me disa njerëz të shquar të botës shqiptare. Disa ishin inçizuar prej kolegëve të mij, ose prej meje në emisione të ndryshme, por shiritat nuk i ruanim. I sugjerova shefit të redaksisë, z. Ruzhdi Pulaha që t’i ruanim disa disqe me inçizime me këtë synim, por ai më tha se shiritat ishin mall importi dhe sot për sot ruhen vetëm inçizimet e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë të partisë. Në Shqipëri nuk ka filluar hartimi i enciklopedisë së shkruar me fjalë, enciklopedisë zanore kushedi kur i vjen radha…

Atëhere mendova të bëja diçka vetë, së pari me profesorin më të dashur, prof. Çabejn. E takova dhe i thashë se doja të inçizoja një leksion përmbledhës të tij, me synimin që ta ruante ai e familja për kohën kur mund të krijohej një enciklopedi zanore. Ai më tha se i kishte të inçizuar disa leksione të Historisë së Gjuhës Shqipe. Më ftoi për t’i dëgjuar dhe pastaj të vendosnim ç’duhej bërë. Vend takimi ai la shtëpinë e tij, mbi Unazë, në lagjen Varri i Bamit.

Aty, gjatë diteve te djela ne tetor-nëntorit ‘69, të djelave njoha familjen e profesorit. Zonja Shyhret, nikoqirja e shtëpisë, në minutat e para të pritjes vinte rrotull me lëvizje të shpejta, na qiraste regullisht me ëmbëlsira të bëra vetë e ndonjë shurup frutash, pastaj ulej për të dëgjuar dhe ajo. Ishte elegante dhe shumë e kujdesëshme. Ishte një dibrane e vërtetë, shtëpinë e mbante shumë pastër, në biseda ishte e shpejtë, hazër xhevap, si i thonë fjalës; gjykimet i formulonte shpejt e saktë. Kuzhina dhe dhoma e pritjes ku pata rast te rrija, ishin mobiluar thjesht, me disa kolltuqe, divane e karrike të bëra dikur nga marangozët privatë, që ndryshonin prej mobiljeve uniforme që prodhonte kombinati Misto Mame, të cilat i gjeje në apartamentet tona.

Djali, Artani 16 vjeçar, i gjatë, i ngjante babait. Kishte qejf të konsultonte herë pas here fjalorin francez Petit Larousse. Ndjehej se kishte lexuar shumë për moshën e tij. Mori pjesë vetëm në dëgjimin e leksionit të parë, herët e tjera, pas përshëndetjeve, shkonte te dhoma e vet, ku lexonte e studionte.

Vajza, Brikena 12 vjeçe, ngjante nga të dy prindërit. Ishte elegante dhe e shkathët si mamaja, por vështrimin e kishte të qetë e meditativ si të babait. Ajo kishte qejf të lexonte në dhomën e vet, ose të luante jashtë me shoqet. Nuk erdhi kurrë për të dëgjuar leksionet.

Pata rast të njihja dhe tre nga nipat e profesorit, Tanushin, Hysenin dhe Fatosin, djem të gjatë, seriozë dhe të pashëm, nuk ngjanin midis tyre. Hyseni kishte diçka të ngjashme me profesorin në qëndrim dhe buzëqeshje. Ata erdhën herë njëri herë tjetri, herë dy bashkë. Një të djelë rastisi të vinte për vizitë në atë orë dhe mjeku Flamur Topi, i cili ishte mik i familjes. Unë e njihja, sepse ai ishte gazetar i jashtëm në Radio Tirana.

Për disa të djela me radhë dëgjuam nga një leksion, një orë e gjysëm. Prej z-njës Shyhret mësova se ditët e djela profesori i shfrytëzonte zakonisht për të shkruar letra, për të bërë ndonjë vizitë a shëtitje. Ai mbante korrespondencë të rregullt me shumë studiues e miq austriakë, gjermanë, francezë, rumunë, italianë, etj. Nuk dij a i shkruante lertat duke përdorur letër kopiativ për të ruajtur një kopje për vete, apo jo. Mësova gjithashtu se profesori pëlqente të lexonte shpesh herë duke qëndruar në shtrat gjysëm shtrirë e duke vendosur librin në një copë kartoni, të cilën e mbante me dorën e majtë mbështetur mbi gjoks. Kurse për të shkruar, më shpesh ai ulej te tavolina e punës.

Shyhreti e qortoi veten se tani që kishin ardhur në këtë apartament larg pazarit nuk gjente kohë për të shkuar shpesh për të blerë peshk të freskët, ushqimin e nevojshëm për bashkëshortin e saj.

Të djelën e parë të dhjetorit ’69 dëgjuam leksionin e fundit. U thashë se inçizimet kishin cilësi të mirë dhe duheshin ruajtur me kujdes. Prej tyre mund të riprodhohej një material më i shkurtër, duke e hedhur në një bobinë të re, etj.

Para se të ngrihesha për të ikur, profesori tha se kishte dëgjuar që zyra e kuadrit të Universitetit po kërkonte të merrte disa kuadro të rinj, midis të cilëve ishte përmendur dhe emri im, pra unë mund të transferohesha nga Radio Tirana tek Instituti i Historisë e i Gjuhësisë (në atë kohë ky institut varrej nga Universiteti i Tiranës). Pastaj më pyeti nëse kisha kërkuar unë që të transferohesha, apo drejtoria e Institutit po më kërkonte me që kisha mbaruar fakultetin me nota të larta. I thashë se puna në Radio ishte shumë robotike, aspak shpirtërore dhe nuk më pëlqente. Unë kisha kërkuar disa herë të vija me punë në institut, sepse më pëlqente të merresha me studimin e jetës dhe krijimtarisë të rilindasve tanë, të cilët i admiroja.

–Gëzohem, që ke kërkuar vetë të vish aty. Nuk ka më mirë sesa ta zgjedhësh punën vetë. Kur ta zgjedhin punën të tjerët, shpesh herë bëhen gabime, tha ai dhe shtoi: Unë fëmijët e mij i nxis të mësojnë, të lexojnë dhe të luajnë me shokët, por nuk iu imponoj asnjë lloj drejtimi, atë duhet ta gjejnë vetë…

Gjatë viteve kur punova në Institut: prof. Çabejn e admironim të gjithë.

Në janar të vitit 1970, u realizua transferimi im nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Në Radio punën e fillova me qejf, por shumë shpejt e ndjeva se nuk ishte e ardhmja ime në atë punë. Mezi i shtyva tre vjet e gjysëm. Natyrisht përfitimi ishte i madh, u njoha nga afër me gazetarë të aftë e të talentuar, si Fuat Bozgo, Ruzhdi Pulaha, Kiço Blushi, Nasi Lera, me spikerë të talentuar si Haki Bejleri, Kiço Fotiadhi, Vera Zhei, Meropi Xhai, Luiza Papavangjeli, etj. Aty mësova proceset e inçizimit e të daktilografimit; u njoha me intelektualë të formuar jashtë shtetit që punonin si përkthyes  si Viktor Kraja, Abaz Xhomo, etj. Puna e atjeshme ma shkundi ngathtësinë. Në institut fillova punë në sektorin e letërsisë shqiptare, ku ishin punësuar para meje Klara Kodra, Jorgo Bulua, Luan Kokona, Floresha Haxhia (Dado) me shef Koço Bihikun.

Profesor Çabej, për të më uruar mirë se erdhe në Institut, më ftoi një ditë për kafe. Shkuam bashkë tek një ëmbëltore në rrugën e Kavajës karshi kishës katolike, të cilën në atë kohë e kishin transformuar në pallat sporti dhe nga jashtë i kishin bërë disa maskime që të kujtonte kamjonët që parakalonin për festën e 1 Majit. Eqremi mori një tas të vogël me hashure, unë një kafe, të dyja kushtonin nga 7 lekë të asaj kohe. Më sqaroi se hashurja i kujtonte fëmijërinë, familjen e Gjirokastrës. Pastaj më uroi për punën e re:

–Bëre mirë që kërkove të vish në Institut, këtu është vendi më i mirë për të vijuar formimin tënd shkencor. Tani je në moshën më të mirë për të mësuar gjuhë të huaja…

Unë i thashë se ndoshta do të ishte më mirë të kisha ardhur menjëherë nga bangat e shkollës, tani jam gati 26 vjeç dhe më duket se jam vonë për të mësuar gjuhët e huaja, të cilat i dij jo mirë.

-Jo, ma preu ai, ti ke ardhur në moshën më të mirë. Vitet e punës në Radio Tirana të bënë mirë, ke njohje më të gjerë për jetën, ke tjetër horizont. Kujtesën e ke akoma të freskët, pastaj tani je më i pjekur. Pjekuria të bën më të ndërgjegjshëm dhe ta shton vullnetin për studim.

Unë, pas pak, për t’u treguar i zgjuar, formulova një ankesë ndaj mbreti Zog, se ai duhej të kishte bërë më shumë për ekonominë, arsimin dhe shkencën.

–Mbreti Zog nuk duhet fajësuar shumë, tha profesori, në atë kohë ishte zor të bëhej më tepër. Ai u përpoq t’ia kthente fytyrën Shqipërisë nga Europa, por shqiptarët nuk ishin të gatshëm. Mbaj mend se mbreti kishte dhënë urdhër që të punësoheshin vajzat dhe gratë. Mirëpo në tërë Tiranën mezi pranoi një grua, a vajzë e moshuar, që të punësohej tek zyra e postës. Kur u ktheva nga Shkodra në Tiranë, pashë se shumica e meshkujve bënin xhiro duke kaluar nga ajo rrugë për ta parë fytyrën e asaj femre te dritarja e punës. Për ta ishte diçka dëfryse, ose e çuditshme.

Ne shqiptarët gjejmë gjithnjë shkaqe jashtë vetes sonë për prapambetjen tonë. Në kohën e Mbretit Zog e dëgjoja shpesh thënien “fajin na e ka Turqia që na la shumë prapa”, pas Luftës (ai nuk e përdorte togfjalshin Luftës Nacional Çlirimtare), kemi shtuar dhe thënien “fajin na e ka Ahmet Zogu që na la prapa”. Ne duhet t’i shohim shkakqet e prapambetjes sonë së pari te vetja jonë, duhet të punojmë më shumë.

Pasanikët shqiptarë, në kohën e Turqisë dhe të Mbretërisë i kishin qypat plot me florinj, por asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë investim në bujqësi ose industri.

Çdo gjë do kohën e vet…

Herën tjetër e ftova unë profesorin për kafe. Ia kujtova me respekt treshen shkodrane Pashko Gecin, Anton Krajën dhe Filip Fishtën.

-“Ata u nxorrën në pension për arsye moshe, por aftësitë e tyre nuk u shfrytëzuan si duhej, tha profesori. Njeriun e kualifikuar, vijoi ai, po ta vësh të bëjë punë të thjeshta, e shkualifikon. Kështu ndodhi dhe me ta. Pashko Geci dhe Filip Fishta mund të hartonin fjalorë të pasur gjermanisht – shqip dhe latinisht – shqip, ose mund të hartonin dhe artikuj shkencorë në fushën e leksikografisë. Kurse Anton Krajni ishte një enciklopedist i vërtetë, njohës i thellë i historisë së disa vendeve europiane. Ai na mahniste me kujtesën e tij dhe histori të ndryshme, që i tregonte bukur. Bisedat e mia me ta mund t’i quaj biseda pune. Shpesh diskutonim bashkë edhe për origjinën e fjalëve të shqipes...”

Me fjalë të tjera profesori dhesh të thoshte se shteti i diktaturës së proletariatit duke vënë politikën në plan të parë, zgjodhi bij e bija punëtorësh e fshatarësh të varfër për t’i kualifikuar si punonjës shkencorë, kurse bijtë e borgjezisë që ishin kuadro të gatshëm shkencorë të formuar në vendet e Europës Perëndimore, nuk i shfrytëzoi, por i shkualifikoi, ose më keq akoma i burgosi dhe i internoi.

Gjatë atyre minutave u hap biseda për punën e tij lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes. U çudita kur tha se edhe gjuhëtarë të tjerë mund të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, po puna e vazhdueshme e me pasion. Pastaj shtoi:

-Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…

Në vitin 1974 u hartua regullorja e kualifikimit shkencor, u dhanë orjentime se si do të kandidonim për të mbrojtur gradat shkencore Kandidat i Shencave Filologjike dhe Doktor i Shkencave Filologjike.  Ne që do kandidonim në fushën e letërsisë për gradën e parë na u caktuan katër provime dhe hartimi i një vepre studimore si disertacion. Për provimin e zgjeruar të historisë së letërsisë na u dha një listë shumë e gjatë veprash letrare, ku pëfshiheshin edhe veprat e disa autorëve të ndaluar si Ernest Koliqi, Pader Gjergj Fishta, Faik Konica, etj. Mirëpo midis veprave me studime nuk na u dha asnjëra prej veprave studimore të profesor Çabeut ku trajtoheshin probleme të letërsisë si Për gjenezën e literaturës shqipe, Studime italo-shqiptare dhe Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe. Kur ia hapa bisedën rreth këtij problemi, profesori nuk shprehu asnjë shqetësim dhe nuk dha asnjë sqarim mbi arritjet e tij në fushën e studimeve letrare. Ai nuk donte të më impononte mendimet e tij. Unë duhej t’i lexoja e gjykoja vetë ato vepra.

Në sjelljet, veprimet, bisedat e tij binte në sy karakteri burrnor. Ndryshe nga ne të tjerët, profesor Çabej në biseda e shkrime nuk i përmendte emrat parti dhe Enver. Koha kur u shfaq edhe më dukshëm karakteri i tij i fortë ishte koha mbas vdekjes së djalit të tij. Vdekje tepër tronditëse, por që ai nuk e lëshoi veten, ruajti po atë temperament, po atë dashuri për punën, po atë sjellje me njerëzit.

Mirëpo fakti që ne, ish studentët e tij ndjenim për të një admirim të hapur, nuk durohej prej drejtorisë dhe instancave partiake. Në vitin 1973-74, kur udhëheqja e partisë rimori luftën kundër shfaqjeve të huaja, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një mbledhje, për të luftuar shfaqje të tilla. Në fakt, punonjësit e Institutit ishin njerëz të thjeshtë, pa pretendime, shikonin punën, mirëpo dhe midis tyre duheshin gjetur ndikimet e huaja, dhe organizata bazë e partisë, sipas orientimeve, i kishte gjetur. U kritikua së pari zonjusha Beatriçe Keta për mbajtje të fundeve të shkurta. Beatriçja ishte vajzë e gjatë e pamartuar, fundet deri tek gjunjët i shkonin për bukuri. Të gjithë e pëlqenim atë pikërisht për ato fundet që i sajonte vetë me gusto, por ja që duhej kritikuar. Kritika vijoi, jo më kundër ndonjë punonjësi, po me sulm ndaj fëmijës së vetme të profesor Çabejt. U kritikua vajza e tij, atëhere 16-17 vjeçe, se mbante minifunde.

Për herë të parë e pashë profesorin të reagonte i revoltëuar e nervoz. U ngrit me furi dhe tha me zë të lartë:

–Këto janë shpifje, ime bijë hodhi shtat shpejt këto dy vjet dhe fundet e fustanet i rijnë tek gjuri, këtë nuk e bën për ndjekje mode.

Nja tre vjet më vonë, kur Brikena, vajza e tij, që ishte studente, shkoi në aksion ku i mblodhi gjuri ujë, në fakultet i varrën një fletë-rrufe, ku e kritikonin se mbante flokët e gjata, si ndikim i modës perëndimore…

Për të tilla sulme ndaj vajzës, fëmijës së vetme, që i kishte mbetur profesorit pas vdekjes tragjike të djalit, ne na vinte turp, por nuk guxonim të flisnim. Përmes terorrit partia shtet na kishte kallur frikën në mendjet e në zemrat tona dhe ne ishim pajtuar me të si të ishte një ndjenjë e qëndrim i moralshëm. Kuptohej se të tilla sulme synonin që të na e shkulnin atë nga zemrat tona.

Për turpin e politikës së partisë, Eqrem Çabej nuk u sulmua vetëm si person e si familje, por edhe në plan shkencor. Kështu, në fund të viteve 50-të Eqremi mbaroi transkiptimin dhe transliterimin shkencor të veprës monumentale Meshari të Don Gjon Buzukut. Kjo vepër e tij mban datë botimi vitin 1962, sepse u dërgua e u botua atë vit në Rumani, por në fakt atë e dërgoi amabasada jonë nga Bukureshti pas disa vjetësh, kur kishte filluar lufta kundër fesë. Ballkanologët rumunë u shprehën me superlativa.

Për t’i treguar botës së huaj se partia e vlerësonte shkencën, kësaj vepre iu dha Çmimi i Republikës i klasit të parë, por ajo nuk u nxorr kurrë në shitje. Preteksti ishte se kjo vepër mund të përdorej si vepër liturgjike nga besimtarët e krishterë…

Vepra, së cilës ky studjues i kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe me të cilën dëshmoi aftësitë e ralla, formimin e lartë si komparativist dhe talentin e vet, është puna për shpjegimin e origjinës së fjalëve të shqipes. Mbas botimit të shumë artikujve me karakter etimologjik në revistën shkencore Studime Filologjike dhe në revista të huaja, ai ndërmori ripunimin, zgjerimin dhe përgatitjen për botim të veprës madhore Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes në disa vëllime. Në vitin 1975 dorëzoi për botim dy vëllimet e para, prej të cilëve, më 1976 u botua vetëm vëllimi i dytë. Vëllimi i parë nuk u lejua të botohej me preteksin se autori përmendëte aty me respekt Faik Konicën dhe Mustafa Merlika Krujën, si eruditë shqiptarë që kishin dhënë ndihmesë në fushën e etiomologjisë së gjuhës shqipe. Ky fakt u quajt gabim ideologjik, mbivlerësim i dy figurave reaksionare, por profesori nuk pranoi t’i hiqte emrat e tyre dhe vlerësimet për ta. Kështu vëllimi i parë u pezullua dhe u botua vetëm mbas vdekjes së tij, kur nxënësit e tij ia redaktuan (hoqën) ato fjalë e shprehje. Vëllimet e tjera, ndonëse ishin pothuaj gati, u botuan pak nga pak por jo të gjitha deri më 1990 e më vonë…

Ata që donin ta përulnin Himalajën e shkencave albanologjike, përpiqeshin si e si të mos ia botonin veprat, sidomos kryeveprën, ose kur detyroheshin t’ia botonin, të mos ia nxirrnin në qarkullim.

Profesor Çabejn, sa qe gjallë, e respektuan dhe e gëzuan si e meritonte intelektualët dhe zyrtarët shqiptarë të Kosovës, sidomos punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Shtëpia botuese Rilindja botoi një përmbledhje të veprës së tij në gjashtë vëllime, botim lluksoz, me format të madh, lidhur me kapakë të fortë ngjyrë çokollatë. Punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik, pedagogët e Fakultetit Filozofik dhe studentët e Kosovës me pritjet shumë të përzemërta plot respekt, që i bënin prof. Çabejt gjatë vajtjeve të tij për leksione në Prishtinë, i krjijuan atij emocione dhe gëzime të mëdha, të cilat na i tregonte me një ngazëllim të përmbajtur.

Në vitin 1975 mua më komunikuan qarkullimin, meqënëse kisha qenë martuar me vajzën e zv. ministrit të tregëtisë, Vasil Katit, i cili u arrestua atë vit me grupin e shpallur armiq në ekonomi. Unë, si shumica e atyre që u ndodhi kjo fatkeqësi, u ndava nga bashkëshortja, por ky veprim i imi nuk i kënaqi anëtarët e partisë së Institutit. Ata vendosën të më qarkullonin. Shokët filluan të më rrinin pak ftohtë…

Një ditë, mbas punës, kur po ecja vetëm në rrugën e Kavajës drejt qendrës, m’u afrua profesor Çabej dhe e bëmë rrugën bashkë. Zakonisht ai punonte nga ora 8:00 deri 13:00, atë ditë ndoshta kishte pasur ndonjë mbledhje që po shkonte në shtëpi me vonesë. Duke ecur e pyeta pse nuk e merrte autobuzin e Unazës për të mos u lodhur.

–Më pëlqen të eci në këmbë, e konsideroj si fiskulturë. Pastaj kam mendimin se ne që na bie rruga të kalojmë nga Qendra e Tiranës, kemi një favor, njihemi të parët me ndryshimet që mund të ndodhin në qendër. Këtë favor nuk e kanë ata që kalojnë rrugëve anësore.

Për të më dhënë kurajë, hapi bisedën rreth qarkullimit. U çudita kur tha pa drojtje:

–Qarkullimi, për kuadrot e rinj është i dëmshëm, sepse i shkëput nga procesi i kualifikimit. Qarkullimi për ty është çkualifikim.

Ndoshta këtë mendim ai e kishte thënë edhe gjetkë… Im vëlla, kur dëgjoi prej meje mendimin e profesorit, mori kurajë dhe shkoi e u ankua tek një punonjës i Komitetit të Partisë së Tiranës, te z. Bujar Kolaneci, i cili kishte punuar më parë në Kinostudio si ekonomist filmi. Ky duket se ndërhyri dhe organizata bazë e partisë së Institutit nuk nguli këmbë për të realizuar qarkullimin tim. Mbasi disa rrethe u përgjigjën se nuk kishin vende pune, qarkullimi im u la në qetësi. Pra profesori me idenë e çkualifikimit dhe Bujar Kolaneci me ndërhyrjen e tij, më shpëtuan nga qarkullimi, se kushedi si do më kishte shkuar filli, po të kisha shkuar diku mësues fshati.

Figura e profesor Çabejt ishte shumë autoritare. Me personalitetin e tij, pa qenë kurrë shef, pa pasur asnjë pushtet administrativ, ai ndikonte tek punonjësit më tepër se drejtori, sekretari i partisë dhe shefat e sektorëve. Mbi të gjitha ai na bënte për vete me praninë e tij, me sjelljen korekte, me kulturën profesionale dhe thellësinë e analizave shkencore. Ai rezatonte kulturë në çdo lëvizje, në çdo fjalë. Rezatimi i kësaj kulture ndjehej tek të gjithë punonjësit e Institutit, madje nuk e teproj të them se kultura e autoriteti i tij ndikonin edhe tek komunistët e sigurimsat. Nuk ishte e rastit që valët e qarkullimit në vitet 1967-68 dhe 1973-74 në Institutin tonë u kaluan më lehtë se në institutet e tjera shkencore. Sejcili prej punonjësve përpiqej të ishte sado pak më zotni, sado pak më Eqrem. Kjo përpjekje deri diku i kishte fisnikëruar ata. Në atë institut, mendoj se jo rastësisht, nuk realizohej plani i arrestimeve, asnjë punonjës i tij nuk u arrestua gjatë mëse 30 vjetëve…  

Në lagjen Ali Demi, mjaft afër me pallatin ku banoja unë, ishte dhe shtëpia e poetit Lasgush Poradeci. Shkoja tek ai bashkë me Julian, gruan time poete. Një ditë Lasgushi, duke qeshur, tha:

-Unë jap karakterizime shumë të shkurtra për njerëzit. Ja dëgjoni si e karakterizoj Skënder Luarasin: Shumë patriot, shumë demokrat, shumë nevrik.

–Të lumtë se e paske qëlluar, i thashë unë që e njihja karakterin e Skënderit, po për profesor Eqremin a mund të japësh ndonjë karakterizim?

–Pa tjetër, tha Lasgushi dhe duke u drejtuar sikur do të recitonte, deklaroi: Njeri shumë zotni, shkencëtar shumë i zoti. E duartrokitëm ne dhe vajza e tij, Maria, që ndodhej aty.

Lasgushi për të treguar se kuadrot e formuar në Austri kishin marrë krahas formomit profesional dhe formim të lartë kulturor, tha:

–Sot Shqiperia është mbushur me shkolla, shkollim merret nga të gjithë, ama kulturë, shqiptari nuk ka hic fare.

Vite më vonë, kur profesor Çabej kishte vdekur, erdhi në Shqipëri z. Henrik Genscher, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë Federale dhe tha se Gjermania është gati t’i japë Shqipërisë vit për vit nga 4.000 (katërmijë) byrsa studimi për shkolla të mesme profesionale, për shkolla të larta dhe studime pasuniversitare. Unë, si simpatizant i kuadrove me kulturë gjermane, e pyeta profesor Kostallarin kur u ndodhëm bashkë:

–Pse nuk e pranoi udhëheqja e partisë sonë propozimin e z. Genscher? Të studjojnë katërmijë shqiptarë në Gjermani do të thotë të rigjenerohet inteligjenca shqiptare.

–Po në Shqipëri kishte vetëm disa kuadro me kulturë gjermane dhe ne nuk i mposhtëm dot, ma ktheu ai. Të formohen 4.000 kuadro në Gjermani vit për vit, do të thotë që fëmijët e udhëheqjes që janë formuar e po formohen në Francë të mos kenë më vlerë dhe drejtimin e Shqipërisë ta marrin njerëzit me kulturë gjermane.

Eqrem Çabej e jepte opinionin e tij për të tjerët me fjalë jo fyese.

Në mbledhjet e sektorit dhe në mbledhjet e Këshillit Shkencor të Institutit, sa herë bëheshin diskutime artikujsh ose veprash të punonjësve shkencorë, binte në sy ndryshimi midis diskutimeve të profesor Çabejt dhe profesorëve të formuar në shkollën sovjetike, ose në atë të vendit që ishte një shkollë në formim e sipër. Profesori, së pari përpiqej të vinte në dukje vlerat e punimit dhe vështirësitë që kishte kaluar studiuesi, pastaj ndalej për të vënë në dukje dhe dobësi e mangësi, pa hyrë në hollësira, jepte dhe ndonjë rrugë për kapërcimin e tyre. Raporti midis pjesës vlerësuese dhe asaj kritike ishte gati në proporcion të barabartë. Kurse profesorët dhe shefat e sektorëve që ishin formuar në shkollën sovjetike ose që po formoheshin gjatë punës në Institut, shquheshin për vëmendjen e madhe që i kushtonin diskutimit të dobësive, për të cilat ndaleshin në shumë hollësira, kurse vlerat e punimeve i përmendnin me një a dy fjali. Kjo frymë diskutimi duke i dhënë rëndësi të dorës së parë kritikave, mendoj se ishte krijuar nën presionin e ideologjisë sunduese të luftës së klasave, ose ndoshta fshehte egoizmin e diskutantëve dhe dëshirën për të treguar se ata ishin shumë të aftë…

Kultura europiane sipërore manifestohej tek profesori në çdo veprim e bisedë. Ai nuk merrej kurrë me thashetheme dhe nuk komentonte punën ose karakterin e dikujt në mungesë të tij. Nervozizmi, hakmarrja, mosmirënjohja, ishin të huaja për të.

Në ato vite drejtor i institutit ishte profesor Androkli Kostallari, studiues i formuar në shkollën ruse, në Universitetin Lomonosov. Në moshë të re kishte mbetur jetim, shkollën e mesme e kishte kryer në gjimnazin e Shkodrës. Kishte qenë partizan, mbas L2B u dërgua për studime në Moskë, ku përvetësoi arritjet e shkencës gjuhësore sovjetike. Mbas kthimit në atdhe udhëheqja e partisë e emëroi në Institutin e Shkencave, pastaj drejtor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Këtu mori dhe detyrën e shefit të sektorit të leksikologjisë, atë të kryeredaktorit të revistës Studime Filologjike dhe të kryetarit të Këshillit Shkencor të institutit. Ky studjues shquhej për ambiciet shkencore, për formim solid në fushën e leksikologjisë, aftësi organizative, etj, por si karakter njerëzor linte për të dëshiruar… Gjatë bisedave tona private me të, ndjeheshim shpesh herë ngushtë, por si frikamanë që ishim, nuk e kundërshtonim për pasionin me të cilin ai shprehte kritikat e tij ndaj kolegëve, sidomos ndaj profesorëve Çabej e Domi, në mungesë të tyre. Duke kritikuar këta profesorë, ai synonte të krijonte idenë se ai ishte më i zoti se ata. Për fat të keq këtë ves të tij e morën dhe disa punonjës shkencorë, sidomos shefa sektorësh. Kurse gjatë bisedave tona private me këta dy profesorë ne nuk dëgjuam kurrë pakënaqësi e kritika personale ndaj Androkli Kostallarit, apo dikujt tjetër.

Drejtori, sa herë hynte në institut, hynte me zhurmë duke u mëshuar takave të këpucëve, të cilat i kishte prej sholli, ose të veshura me pafta hekuri. Donte pa tjetër të tërhiqte vëmendjen e atyre që ndodheshin në korridor, salutonte me zë të lartë dhe për t’u treguar masovik ndalonte e takohej me ata që gjente aty. Kurse profesor Eqremi hynte në institut pa zhurmë me ecjen e tij të shpejtë, salutonte duke ngritur kapelën dhe mund të ndalej vetëm po të kishte ndonjë porosi për dikë që ndodhej në korridor.

Kur u kthye profesor Dhimitër Shuteriqi prej Italie, ku kishte bërë një ekspeditë kërkimore nëpër fshatrat arbëreshe, mbajti në Lidhja e Shkrimtarëve një takim ku tregoi për rezultatet e kësaj ekspedite. Midis tjerash ai tregoi se kishte gjetur, pra se i kishin dhënë për të dorëzuar në Arkivin e Shtetit, mjaft dorëshkrime poezish dhe veprash të poetëve arbëreshë. Profesor Shuteriqi e mbylli bisedën duke thënë:

–E shikoni këtë çibuk, dhe tregoi çibukun me të cilin pinte vetë duhan, ky është çibuku i Jeronim De Radës, ma dhanë bashkë me penën e poetit, të cilën e dorëzova në Arkivin e Shtetit bashkë me dorëshkrimet…

Ne që e dëgjuam ulëm kokat. Nuk na erdhi mirë që ky personalitet i letërsisë dhe i shkencës shqiptare kishte mbajtur për vete një relike me vlerë muzeale të De Radës. Të nesërmen rastisi që të pinim kafe me Eqremin dhe ia treguam ato që dëgjuam prej Dhimitër Shuteriqit. Po prisnim që dhe ai ta quante atë hajdut, si e kishim quajtur ne në bisedat tona. Mirëpo profesori e formuloi mendimin e tij pa asnjë fjalë fyese:

–Nuk është mirë që njeriu të mos dijë ç’është e tija dhe ç’është e shtetit.

Vizitat e fundit: Kujtimet për jetën e profesorit duhen shkruar

Në nëntor të vitit 1979 profesor Çabej u sëmur rëndë. Sapo ishte kthyer nga Vjena, ku ishte dërguar për të mbajtur leksione, i shoqëruar prej leksikologut Jani Thomai. Apartamenti ku i kishte strehuar ambasada jonë nuk kishte ngrohje. Mushkëritë i kishin mbledhur ujë. Doktorët e përcaktuan sëmundjen: kamcer në mushkëri, sëmundje që në atë kohë ishte e pashërueshme dhe përparonte shumë shpejt.

U pikëlluam të gjithë kur mësuam se ai nuk e kishte të gjatë. Filluam t’i bënim vizita për t’i dhënë kurajo. Jani Thomai, Minella Totoni, Gjovalin Shkurtaj dhe unë, që jetonim bashkë në një pallat të bërë me punë vullnetare anës lumit Lana, shkuam për vizitë. Profesori rrinte i qetë, nuk ankohej, tregonte ndonjë përshtypje nga Vjena, ndonjë plan për punën e ardhëshme. Ishte periudhë dimri, ndaj ai rrinte në kuzhinë, i vetmi ambjent me ngrohje. Aty na priti z-nja Shyhret sipas zakonit të saj.

Mbas disa ditësh a javësh, profesorin e dërgoi shteti në Romë, ku e operuan. Kur u kthye, shkova për vizitë sërisht, kësaj radhe me bashkëshorten time. Shyhreti po lante disa tufa me spinaq te çezma, i kishte duart akull të ftohta.

–Doktorët këshilluan që Eqremi të hajë sa më shumë zarzavate, tha Shyhreti. Atij dhe neve na pëlqejnë zarzavatet, por ti Julia e di sa punë do spinaqi, dhe tregoi duart e skuqura prej ujit te ftohtë.

Kësaj radhe, profesori rrinte dhe më i qetë. Shyhreti e kishte shoqëruar në Romë dhe thoshte se mjekët italianë, me sjelljen e tyre shumë xhentile, me të folurën e qetë me zë të ulët, me ato rrobat e tyre shumë të bardha, i ishin dukur si engjëj.

Unë dhe Julia nuk ngopeshim së pari engjëllin që kishim para syve tanë, të cilin nuk kishim për ta parë më…

Ceremonia e varrimit të tij u zhvillua me një pjesëmarrje njerëzish shumë më të madhe se ceremonia e varrimit të djalit të tij. Gjithçka u zhvillua si atëhere me seriozitet, askush nuk qau me zë, lotët rrëshqisnin nëpër faqe, ose gëlltiteshin me ngashërim. Disa njerëz rrinin brenda në apartament, shumë të tjerë tek shkalla e pallatit, akoma më shumë rreth pallatit dhe të tjerë në rrugë. Kortezhi u bë shumë i gjatë, pikëllimi ishte shumë i madh. Ndjehej se Tirana dhe gjithë Shqipëria kishin humbur një personalitet vërtet të madh, që e donte pa ndërhyrjen e organeve të shetit…

Profesor Çabej u nda nga jeta më 13 gusht 1980, në moshën 72 vjeçare, kur ishte ende shumë i gjallë e me kapacitet të plotë mendor. Ai u largua nga kjo jetë pa e humbur bukurinë fizike e shpirtërore, duke na lënë në kujtesë figurën e një njeriu madhështor dhe ndikues.

Me rastin e dyvjetorit të vdekjes, më 13 gusht 1982, në institut nuk po ndjehej se do të shkonte kush tek familja e profesorit, si një vit më parë. Atëhere vendosa të shkoja me Palok Dakën, mikun më të mirë të profesorit dhe timin. Paloka kishte punuar me profesorin që nga viti 1949, që kur ishte krijuar Instituti i Shkencave. Ai ruante shumë kujtime për të, madje dhe shumë intimitete. Ai më kishte treguar se si e kishin sulmuar profesorin në vitet e mbrapta 1967-1968. Në mbledhjen e organizuar në institut për të dënuar shfaqjet e huaja, në prani të Manush Myftiut, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Fadil Paçramit, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Tiranës, drejtori i institutit, Androkli Kostallari e sulmoi profesor Çabejn. E quajti kuadër që i nënshtrohej shkencës borgjeze. Si argument ai përmendi se Çabej në studimet e tij nuk citonte rezultatet e arritura të shkencës shqiptare që po zhvillohej nën kujdesin e partisë; dhe se me rastin e vdekjes së albanologut gjerman Maximilian Lambertz, ai kishte shprehur në shkrimin nekrologjik vetëm lavdërime, kur dihej se ky studjues borgjez kishte përkthyer në gjermanisht poemën Lahuta e Malsisë të poetit reaksionar Gjergj Fishta.

Profesori e kishte mbrojtur veten me pak fjalë:

-Për citimet në veprat e mia shkencore unë ndjek parimin ndërkombëtar, sipas të cilit citohen vetëm veprat e botuara në shtypin e lartë, pra në libra dhe revista shkencore. Unë nuk kam cituar e nuk mund t’i citoj rezultatet e studjuesve tanë që janë botuar nëpër dispenca, sepse artikujt e botuar në to konsiderohen jo përfundimtare, mbasi janë në përpunim e sipër. Botime të tilla nuk i ruan as Biblioteka Kombëtare.

Për studjuesin Maximilian Lambertz dhashë vlerësime pozitive, sepse në shkrime nekrologjike nuk shprehen kritika e rezerva.

I ndodhur ngushtë Manush Myftiu e mbylli diskutimin duke thënë se partia e ka vlerësuar Lambertz-in me titull të lartë dhe në nekrologji vërtet shprehen vetëm vlera dhe jo kritika…

Duke kujtuar të tilla momente gjatë ecjes në këmbë i thashë Palokës se duhej t’i shkruante kujtimet e tij për profesorin dhe t’i thoshte z-njës Shyhret, se ajo dhe njerëz të tjerë të afërt duhej të shkruanin kujtimet për profesorin. Kur arritëm në shtëpi nuk gjetëm njerëz të tjerë përveç zonjës së shtëpisë dhe një vëlla të profesorit, avokatin Ferid, një burrë që i ngjante atij, por ishte më i shëndoshë. Ai jetonte në Lushnjë bashkë me vëllain tjetër Ihsanin, mjek.

Paloka e gjeti rastin dhe tha se mbledhja e kujtimeve për jetën e profesor Çabeut është punë me vlerë dhe duhet bërë sa më parë. Z-nja Shyhret nënqeshi, dhe tha: po, po, duke na lënë të kuptonim se ajo e vlerësonte këtë mendim dhe se një ditë do të ulej për të shkruar kujtimet e saj…

Profesor Çabej më ndihmoi edhe i vdekur.

Kur erdha në Amerikë më 1996, 52-vjeçar kisha gradën Doktor i Shencave Filologjike dhe titullin Profesor i Asocuar. Duke mos ditur anglishten u detyrova të punoja pjatalarës, ndihmës kuzhinier, pastrues, roje, punëtor fabrike në turnin e tretë, etj. Shkova në shkollë nate dhe munda të mësoja anglisht në nivelin që ta flisja dhe ta shfrytëzoja për studime. Atëhere thashë me vete: ky është ai qarkullimi që më mbeti pa bërë në rini. Tani nuk jam më fillestar, ky qarkullim nuk do të më çkualifikojë, prandaj duhet të filloj të merrem dhe me punë shkencore. Dhe fillova të lexoja e të grumbulloja matriale për sqarimin e problemit se a kishte punuar apo jo shën Pali gjatë udhëtimeve të tij në trojet ilire, gjë që ai vetë e kishte pohuar në letrën drejtuar besimtarëve të Romës.

Pas gati tetë vjet pune me përqendrim të lartë arrita të provoja e ta shpija përpara traditën gojore shqiptare e cila thoshte se shën Pali kishte punuar në territore shqiptare (atë kohë ilire). Këtë mendim para meje e kishin formuluar me disa të dhëna, por pa sjellë prova bindëse disa historianë, si italiani Daniele Farlato (1817), amerikani E. Jacques (1995) dhe shqiptarët Marin Barleti (1520) e Kristo Frashëri (2001). Unë e shpura këtë rezultat më tej, duke provuar me shumë argumente se shën Pali jo vetëm kishte punuar për krijimin e kishave të para të krishtere në troje ilire, por dhe kishte shkruar dy letra në Durrës (Dyrrach) dhe një letër në Nikopol të Epirit.

Duke ditur se në mbarë Mesdheun, pra dhe në gadishullin Italik deri në shekullin e IV përdorej greqishtja si gjuhë predikimi midis besimtarëve dhe se latinishtja u bë gjuhë fetare, gjuhë e kishës, vetëm mbasi u përkthye Bibla prej shën Jeronimit në fund të shek IV fillim i shek V, më lindi një mendim. Përhapja e Krishtërimit në qytete ilire prej vetë shën Palit e nxënësve të tij që në shek I dhe pastaj në shek II-IV duhej të ishte kryer në gjuhën greke, gjuha e predikimeve fetare të atyre shekujve, herë herë duke përdorur dhe përkthyes nga greqishtja në ilirisht. Në këtë proces predikimi, terminologjia fetare në ilirisht duhej të kishte hyrë fillimisht prej greqishtes duke u përshtatur në gjuhën vendase. Pra duhej që të vërtetoja se disa fjalë nga kjo terminologji, gjuha ilire (prej së cilës u trashëguan te pasardhësja e saj, shqipja) i kishte marrë, ashtu si latinishtja, drejtpërdrejt nga greqishtja e lashtë që në shekujt I-IV dhe jo nga latinishtja, ndikim i së cilës në këtë fushë kishte filluar vetëm gjatë shek V e këtej.

Mirëpo, hipoteza se shqipja i kishte marrë fjalët e terminologjisë fetare prej latinishtes ishte formuluar prej disa studjuesve gjermanë në kohën kur sundonte mendimi se krishtërimin në popullin ilir e kishin sjellë misionarë të ardhur prej kishës së Romës. Këtë mendim e kishte pranuar dhe profesor Çabej. Me një fjalë më duhej që për origjinën e disa fjalëve kishëtare të jepja një shpjegim ndryshe nga ai që kishte dhënë idhulli im. Mendo e stërmendo. Herë pas here sillja në mend fjalët e tij:

-Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen.

Shkova në Shqipëri dy herë, bleva gjashtë vëllime të fjalorit etimologjik të Çabejt dhe lexova e rilexova vëllimin e parë (hyrja teorike) mbajta shënime, lexova me kujdes shpjegimet për shumë fjalë. Lexo e vra mendjen, kujto profesorin e prapë lexo, prapë vra mendjen dhe më në fund dhashë shpjegimet e mia se disa fjalë si apostull-i, ungjill-i, engjëll-i, kish,ë-a, e disa fjalë të tjera të Krishtërimit, të cilat latinishtja i kishte marrë vetë prej greqishtes, edhe ilirishtja (nëna e shqipes) i kishte marrë drejtpërdrejt prej greqishtes dhe jo prej latinishtes.

Më 2007 e botova librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re dhe shkova në Tiranë ku organizova promovimin e tij në Muzeu Kombëtar. Aty kisha trajtuar dhe këtë problem. Mirëpo punonjësit e institutit, pikërisht ata që merreshin me studime gjuhësore, si Seit Mancaku, etj, vlerësuan aspekte të ndryshme të veprës, por u stepën, nguruan të jepnin gjykime për nënkapitullin ku jepja sqarimet e mia etimologjike për këto fjalë. Dukej se ata vuanin nga mendimi se brezi ynë ishte i papërgatitur për të dhënë ndihmesë në fushën e etimologjisë. Ata e kishin kthyer Çabejn në një tabu, gjë që ai vetë nuk e kishte dashur, madje e kishte luftuar. Ai vetë kishte thënë në praninë time dhe të kolegëve të tjerë se edhe gjuhëtarë të tjerë mund dhe duhet të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, por puna e vazhdueshme e me pasion.

-Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, na thoshte ai, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…

Me të tilla këshilla dhe me punën e tij, profesor Çabej më ndihmoi edhe mbas vdekjes, këtu në Amerikën e largët, duke më dhënë kurajon e nevojshme për të punuar edhe në fushën e tij, aq të vështirë…

Dhe ja studiuesit Prof. Bardhyl Demiraj dhe Prof. Kolec Topalli ka vite që po kontribuojnë me sukses në fushën studimit të origjinës së fjalëve të gjuhës shqipe. I ndjeri Akademik Kolec Topalli që u nda nga jeta këto, botoi dy vjet më parë “Fjalor Etimologjik i Shqipes” përmbledhur tre vëllime në një.

Ky studjues gjatë diktaturës kishte pasur fat të ndryshëm nga ai i shumë gjuhëtarëve që punuan në të njëjtin institut me profesor Çabejn. Ai, për shkak të “biografisë së keqe” kishte punuar si mësues fshati në rrethet Kukës, Gramsh e Krujë. Mirëpo pasioni për gjuhën shqipe e shtynte, që edhe në atë kohë të vështirë, të merrej me përkushtim me studime në fushën e gjuhës shqipe, sidomos të fonetikës e gramatikës së saj. Dorëzonte artikuj shkencorë për t’i botuar në revistën Studime Filologjike, por redaksia ia vononte me vite botimin e tyre.

Shkërmoqja e diktaturës solli dhe për këtë studjues mundësi të reja. Duke punuar me pasion për kualifikim të mëtejshëm dhe rezultate të rinj, ai i shpuri përpara studimet në fushën e historisë së gjuhës sonë dhe në fushën e etimologjisë së fjalëve të saj. Po të ishte gjallë profesor Çabej do të ndjehej i lumtur që një nxënës i tij, Akademiku Kolec Topalli, e shpuri përpara veprën e tij duke ndjekur porositë e tij…

(Botohet me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Prof. Eqrem Çabejt me disa shtesa dhe korrigjime nga varianti i botuar në vitin 2016)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Eqrem Cabej, KUJTIME PËR PROFESORIN, Thanas L Gjika

Portret biografi kushtuar gazetarit Frank Shkreli

March 30, 2018 by dgreca

TRASHËGIMIA DHE NOSTALGJIA ENVERISTE – PENGESA KRYESORE PËR ECJEN E NGADALSHME TË SHQIPËRISË/

1 ok Frank shkreli13-2 Prinderit e Frank.JPG13-3 Frank fam

Foto:1- Frank Shkreli                            2- Prinderit e z. Shkreli                            3- Familja e z. Frank Shkreli/

Nga Thanas L. Gjika/Radio Zëri i Amerikës, në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, luante rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar duke transmetuar lajme, komente dhe artikuj mbi ngjarjet kryesore të politikës amerikane, botërore dhe asaj shqiptare, duke i treguar ato ashtu si kishin ndodhur. Në këtë mision kanë shërbyer një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi e Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit’hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, etj.
Puna në këtë institucion, ku shumica e materialeve lexoheshin e transmetoheshin drejtpërdrejt nga mikrofoni, kërkonte një përqendrim të lartë për të mos bërë gabime, sepse nuk kishte mundësi korrigjimi, si me materialet që incizoheshin. Kjo lloj pune me përqendrim të lartë mendor e nervor, ua temperoi këtyre gazetarëve aftësitë e punës radiofonike, saktësinë e formulimeve, guximin e marrjes shpejt të vendimeve, leximin me ton të prerë, etj, tipare shumë të nevojshme për një gazetar të radios.
Pasi kisha lexuar disa artikuj e shkrime të ndryshme të gazetarit Frank Shkreli të botuar në gazetat “Dielli”, Illyria”, “Telegraf”, “Bota sot”, etj më ra në sy ky tipar i gazetarisë së folur në shkrimet e tij. Për ta njohur më nga afër jetën dhe krijimtarinë e tij i kërkova të më dërgonte disa të dhëna për jetën dhe librin “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA, Tiranë 2016, 476 f.), ku ai ka përmbledhur 80 artikuj të viteve 2014-2015. Në këto shkrime më ranë në sy disa tipare të përbashkët të shkrimeve të tij: stili vetiak radiofonik i të shprehurit me rritëm të shpejtë, përgjigja flakë për flakë ndaj problemeve e ngjarjeve, mospërdorimi i shkurtimeve, përsëritja e disa fjalëve që lidhen me thelbin e problemit dhe me emrat e titujt që kanë lidhje me të, etj.
Puna e gjatë si gazetar në Radio Zëri i Amerikës, ka ndikuar që ai të ketë formuar dhe një stil vetiak në të shkruar. Ai shkruan sikur i drejtohet dëgjuesit në proces transmetimi dhe jo sikur po i drejtohet lexuesit që do ta ketë shkrimin para syve. Kjo ndodh në të gjitha llojet e shkrimeve të tij, qofshin artikuj, komente, ese, recensione veprash, shkrime përkujtimorë për jetën e personaliteteve të ndryshëm, etj.
I nxitur nga vlerat e spikatura të përmbajtjes ideore, nga gjuha letrare e perbashket qe ai perdor dhe nga tipari i veçantë i stilit radiofonik, iu futa punës për të hartuar këtë portret biografi për të edhe pse para meje kishin dhënë për të vlerësime të spikatura personalitete si Prof. Sami Repishti, Dr. Elez Biberaj dhe Simon Miraka. Ky i fundit kishte qenë dhe një dëgjues i rregullt i Radios Zëri i Amerikës, prandaj ia kujton Frankut në shkrimin e vet edhe zërin e tij kur ky fliste si gazetar në radio.
* * *
Franku u lind në fshatin Ambull të Ulqinit më 1950 në familjen e Gjeto L. Shkrelit (1917-2003). Ky fshat banohej prej malësorëve të Malësisë së Madhe (Alpet Shqiptare). Këta banorë muajt e verës i kalonin me bagëtitë e tyre në bjeshkët e Shkrelit, kurse muajt e dimrit i kalonin si bujq poshtë në rrethinat e Ulqinit, ku kishte klimë të butë Mesdhetare. Më 1913 me shkatërrimin e Perandorisë Osmane, Mbretësisë së Malit të Zi, përveç qyteteve Tivar dhe Ulqin dhe fshatrave rreth tyre që i ishin dhënë më 1880, iu dhanë edhe shumë fshatra të tjerë të rrethinave të Ulqinit, si dhe qytezat Podgoricë, Plavë e Guci dhe fshatrat e tyre. Kështu, të parët e familjes së Frankut, si dhe ky vetë bashkë me banorët e trojeve shqiptare Veri-Perëndimore, Veriore, Veri-Lindore e atyre Jugore që u shkëputën padrejtësisht nga trungu mëmë pas vitit 1913, përjetuan tragjedinë e vijimit të jetës nën zgjedhën e re sërbo-malazeze-maqedone dhe greke, plagë që edhe pas çlirimit të Kosovës, vijon ende të shkaktojë dhimbje për më shumë se një milion shqiptarë.
Mbas vitit 1948, me prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, u ndërprenë plotëshisht marrëdhëniet midis shqiptarëve të të dy anëve të kufirit Shqipëri – Jugosllavi. Nëna e Frankut, e ndjera Mrikë Palokja Martini e lindur në Vermosh më 1920, e martuar me Gjeto Shkrelin më 1940 nuk pati mundësi t’i takonte më prindrit dhe vëllezërit e vet derisa vdiq më 1987 në New York.
Jeta e vështirë në zonat malore ku familja dhe vetë Franku merrej që në vogëli me punë blegtorale e bujqësore dhe njëherazi ndiqte procesin e shkollimit në shkolla larg shtëpisë, kalitën te ky djalosh karakterin këmbëngulës, tipar që bie në sy në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij.
Në Amull (Ambull), fshati i tij i lindjes, nuk kishte shkollë fillore e për të mos mbetur i pashkollë, prindërit e regjistruan në shkollën fillore të fshatit Shtodër (Shën Todër) një orë larg. Aty mësimet kryheshin sërbisht, prandaj ky fëmijë u detyrua të mësonte gjuhën sërbe. Kurse shkollën 8-vjeçare ai e ndoqi në fshatin Katërkoll, dy orë larg fshatit të tij. Në këtë shkollë mësimet kryehshin në gjuhën shqipe, kurse sërbishtja ishte gjuhë e dytë. Gjatë udhëtimeve në këmbë për të shkuar e për t’u kthyer nga shkolla, ai me shokët e tij, kur nuk binte shi, i lexonin e i mësonin disa lëndë në ecje e sipër.
Shkollën e mesme e kreu te Seminari Katolik i Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni, ku mori disa njohuri dhe për anglishten. Kurse përvetësimi i gjuhës shqipe, e sidomos përvetësimi i gjuhës letrare të përbashkët është meritë e punës studimore autodidakte që Franku e kreu në vitet e pjekurisë, disa vjet mbas ardhjes në SHBA.
Viti 1969 ka qenë viti i kthesës së madhe për Frankun dhe gjithë familjen e tij. Në atë vit qeveria jugosllave, duke marrë shkas nga demostratat e organizuara në Prishtinë një vit më parë, i shtoi përndjekjet e shqiptaëve anë e mbanë Jugosllavisë. Familjet malësore shqiptare të Malit të Zi, deri në atë kohë nuk e njihnin largimin nga vendlindja as në formën e kurbetit dhe as si arratisje. Familja Shkreli e përbërë nga prindërit, dy vajzat, Drania dhe Tereza dhe dy djemtë Franku dhe Toma, për të shpëtuar nga këto përndjekje, vendosi ndër të parat familje të atyre anëve, të arratisej në Itali. Mbas disa përpjekjesh u realizua ky akt. Qëndrimi në një kamp refugjatësh politikë në Itali zgjati një vit. Aty u bë njohja me punonjësit e ambasadës amerikanë dhe u mbushën dokumentet. Kjo familje bashkë me disa refugjatë të tjerë, në vitin 1970 u lejua të shkonte në SHBA, aty ku kishte kërkuar.
Familja Shkreli u vendos në lagjën Bronks të shtetit New York, për të qenë pranë kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”. Franku 19-vjeçar filloi të punonte që javën e parë çdo punë që mund të gjente. Më tej ai u regjistrua në një kurs mbrëmjeje për mësimin e anglishtes, kurse ditën vijonte të punonte. Më tej ai u regjistrua në disa kurse mbrëmjeje në “Lehman College” në Bronx, ku u përqendrua në disa kurse për shkencat politike dhe historike.
Në verë të vitit 1974, i sapodiplomuar, Franku 24-vjeçar u largua prej familjes dhe u vendos në Washington DC, ku filloi punën te “Radio Vois of America” (VOA) / “Zëri i Amerikës” në seksionin e gjuhës shqipe. Largimi i Frankut nuk e tronditi familjen, pjesëtarët e saj ishin mësuar me qenien e tij larg që në vitet e shkollës së mesme. Në kryeqytet Franku, edhe pse kryente një punë që e pëlqente dhe merrte një pagë shumë të mirë, nuk i ndërpreu përpjekjet për studime të mëtejshme. Krahas punës me orar të plotë si gazetar, ai u regjistrua në “George Washington University” dega Shkenca Politike. Ai pëlqeu të sakrifikonte në rini për kualifikimin e tij sa më të plotë, për të punuar më tej pa shumë mundime e sakrifica.
Në Washington DC nuk kishte familje emigrantësh shqiptarë me përjashtim të disa punonjësve shqiptarë të “Radios Zëri i Amerikës”. Këta edhe pse ishin në moshë të madhe e afruan djaloshin dhe u bënë si mësues për përvetësimin e shprehive radiofonike dhe për përshtatjen me jetën amerikane të kryeqytetit.
“Xhevat Kallajxhiut, këtij dekani të gazetarisë shqiptare dhe Ilia Louis Priftit, Xho Paskalit, Ruzhdi Dacës, Talat Karagjozit e Gaspër Kiçit, u jam mirënjohës për jetë”, shprehet Franku, duke kujtuar miqtë që e ndihmuan nga ana profesionale dhe shoqërore gjatë viteve të para të punë në radio, dhe vijon:
“Prej tyre mësova shumë hollësira për jetën e Mit’hat Frashërit, dhe shumë mendime të tij. Ata e kishin pasur djalin e Abdylit, baba shpirtëror dhe e kujtonin po thuaj çdo ditë”.
Gjatë viteve të para të punës në Washington DC, Franku shkonte disa herë në vit në fundjave tek prindërit në New York. Në një nga këto vizita në vitin 1976, ai mori pjesë në një festë që organizoi kisha katolike shqiptare, ku u njoh me vajzën simpatike Victoria, vajza e Pashk Markgjonajt (1925-2008) nga Mërturi që kishte luftuar me çetën e tij kundër forcave komuniste gjatë viteve 1947-1950 në zonën e Pukës dhe të Nikaj – Mërturit. Zoti Pashk me bashkëshorten e tij (File Dedaj (1929 –) u arratis në Itali në vitin 1955. Victoria u lind më 1956 pikërisht në Itali gjatë pritjes për të ardhur në Amerikë, ku mbërriti dy vjet më vonë. Ajo u shkollua në New York.
Pas martesës çifti i ri u vendos në Virginia jo larg Washingtonit. Victoria u punësua si llogaritare në një bankë. Nga kjo martesë u lindën tre fëmijë, një djalë Pjetri, dhe dy vajzat Kristina dhe Katrina. Prindërit i rritën me përkushtim derisa mbaruan shkollat e larta. Sot si djali dhe vajzat janë martuar dhe punojnë në degët e tyre të përzgjedhura. Si të rinjtë amerikanë dhe ata jetojnë më vete.
Si i thonë fjalës, Zoti (disa e quajnë Fati) ndihmon ata që punojnë me ndershmëri e këmbëngulje për të arritur atje ku synojnë. Kështu edhe Franku, krahas arritjeve në krijimin dhe rritjen e familjes së tij, ka pasur arritje të njëpasnjëshme edhe në karierën gazetareske, punë së cilës ai i kushtoi dhe vijon t’i kushtojë energjitë kryesore të jetës.
Në këtë fushë ai filloi së pari si një bashkëpunëtor diletant në gazetën e “Lehman College” dhe si anëtar i këshillit redaktues të revistës “Jeta Katolike” në Nju York me kryeredaktorin Monsinjor Zef Oroshi. Në vitin 1974 ai u emërua gazetar dhe redaktor në “Radio Zëri i Amerikës” (VOA), seksioni shqip, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1984. Më pas, po tek kjo radio, Shkreli ka shërbyer si shef i seksionit shqip (1984-1985).
Punësimi i tij në “Radio Zëri i Amerikës” dhe jeta në Washington, i dhanë atij mundësi të reja rritjeje dhe ndryshimesh të mëdha: Në vitet 1985 – 1990 ai shërbeu si këshilltar i lartë i programacionit në Drejtorinë Europiane të “Zërit të Amerikës”, për programet në18 gjuhë të ndryshme drejtuar vendeve komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore. Kurse në vitet 1990 – 1994 ai u emërua Zëvendës Drejtor në këtë radio për ish-Bashkimin Sovjetik, vend ky ku përfshiheshin përveç rusishtes dhe gjuhë të tjera të atij shteti, që ndërkohë u shpërbë. Së fundi, në vitet 1994 – 2003, Shkreli punoi me detyrën Drejtor i Drejtorisë Europiane (më vonë Euro – Aziatike) të “Zërit të Amerikës”. Nga kjo drejtori varej dhe seksioni i gjuhës shqipe krahas 18-gjuhëve të ndryshme europiane.
Theksojmë se puna gazetareske te “Zëri i Amerikës” në kushtet e Luftës së Ftohtë ka qenë e ndryshme nga ajo e ditëve tona. Në ato vite menaxhimi i punës gazetareske dhe qëndrimi emocional i gazetarit duhej të shprehej në mënyrë shumë të maskuar, pra me një nëntekst të nënkuptuar. Gjë që kërkonte një vëzhgim intensiv të gjithë atyre transmetimeve ndërkombëtare radiofonike dhe televizive përfshirë edhe internetin, pra punën që kryhej prej qindra gazetarëve dhe korrespondentëve të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme drejtuar botës komuniste. Kjo punë vijoi edhe gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë.
Në postin e tij si Këshilltar Programacioni dhe Shef i Drejtorisë Europiane të Radios “Zëri i Amerikës”, Shkreli ka luajtur një rol kyç në zgjerimin e programeve gjatë viteve 80-të dhe 90-të të shek. XX. Ai themeloi programe të reja që deri atëherë nuk ekzistonin në atë radio, si gjuhën boshnjake dhe maqedone, ndërkohë që nën drejtimin e tij, VOA u bë transmetuesi i parë ndërkombëtar edhe në TV, duke transmetuar në këto programe dhe në gjuhën serbe dhe boshnjake gjatë luftës në atë territor, përfshirë më vonë edhe programin shqip dhe gjuhë të tjera europiane. Nën mbikqyrjen e tij, VOA u bë gjithashtu transmetuesi i parë ndërkombëtar që krijoi një degë “multimedia”, brenda entit europian të VOA-s.
Gjatë viteve 1980 – 1994, kulmi i Luftës së Ftohtë dhe i luftërave në ish-Jugosllavi, shef Shkreli mori pjesë pothuaj në çdo vendim që lidhej me transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të asaj kohe, drejtuar vendeve ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendërore, si dhe të ish Bashkimit Sovjetik. Pikësynimi kryesor ishte informimi sa më i saktë i popujve të atij rajoni, me qëllim që të përshpejtohej shëmbja e regjimeve komuniste dhe vendosja e lirisë dhe demokracisë në ato vende. Këtë detyrë, të cilën, ne që e dëgjonim atëhere “Zërin e Amerikës”, e kemi të qartë sesa mirë u krye dhe sa shumë na ndihmoi për zgjimin tonë. Prandaj i jemi mirënjohës kësaj radioje dhe shefit dhe gazetarëve të saj…
Frank Shkreli ka qenë anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në Mars – Prill të vitit 1991, me ç’ rast u hap për herë të parë ambasada amerikane, pas pothuaj 50-vjetësh, duke hedhur hapat e parë të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ai së bashku me delegacionin diplomatik amerikan të Departamentit të Shtetit, mori pjesë edhe si vëzhgues në zgjedhjet e para pluraliste të atij viti.
“Gjatë vizitës së parë në atdheun e ëndërruar, rrëfen Franku, përjetova gëzimin më të madh gjatë udhëtimit për atje, por edhe hidhërimin më të thellë gjatë vizitës. Shqipëria, e ëndërruar aq shumë prej meje më shgënjeu. Ne shqiptarët e Jugosllavisë ishim pjesa më e varfër e popujve të atij shteti, por niveli i varfërisë së shqiptarëve të atdheut mëmë më tronditi. Popull i paushqyer, i veshur e i mbathur shumë keq, jetonte në apartamente të vogla të pasuvatuara nga jashtë, të mobiluara keq. Shtëpitë private po ashtu. Transporti me autobuza ku shtyheshin e shtypeshin njerëzit si sardele…”
Më pastaj, ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Gjatë këtyre vizitave ai ka parë dhe vlerësuar ndryshimet e kryera, që dëshmojnë punën e qeverive dhe vitalitetin e popullit shqiptar në ekonominë e tregut të lirë. Pakënaqësia e tij kryesore për vitet e tranzicionit lidhet me enverizmin dhe nostalgjinë ndaj diktatorit prej së cilës vuajnë një pjesë e madhe e popullit dhe e qeveritarëve të majtë, të cilat përbëjnë pengesën kryesore për mosecjen e Shqipërisë me hapat e duhur drejt Bashkimit Europian.
Pas daljes në pension më 2003 nga detyra qeveritare, pas 30 vjet shërbimi federal, Frank Shkreli me bashkëshorten u largua nga Washingtoni dhe u vendos me banim pranë familjeve në New York. Këtu atë e zgjodhën drejtor të “Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan” (NAAC), një organizatë joqeveritare që ka punuar për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik e politik në trojet shqiptare në Ballkan. Kjo është e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prani në Washington DC.
Bashkë me shoqërinë “Vatra”, NAAC ka luajtur rol të ndjeshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ishte kulmi i përpjekjeve për të bindur administratën e Presidentit George W. Bush dhe ndonjë skeptik në Kongresin Amerikan se më në fund kishte ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të njihnin pavarësinë e Kosovës, përpjekje këto që më në fund u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.
Gjatë karierës së tij, ky veprimtar i shquar ka marrë shpërblime dhe mirënjohje për punën e tij gjatë shërbimit në detyra federale, disa prej tyre mjaft të rëndësishme, si “Thomas Jefferson Fellowship Award”, “Career Achievement Award”, “Lifetime Achievement Award” , “Superior Performance Award”, por mbi të gjitha dhe më të rëndësishme janë titujt : “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, dhënë më 15 shtator 2016 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij Z. Bujar Nishani dhe “Qytetar Nderi”, i akorduar më 2011 nga Komuna Shkrel e Malësisë së Madhe.
Për më se 50 vjet Frank Shkreli, si gjatë punës dhe tani në pension, vijon të jetë gjithnjë aktiv duke shkruar mbi çështje të interesit kombëtar shqiptar dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe mbi subjekte të politikës amerikane, për çështjet rajonale të Ballkanit, që drejtpërdrejt ose terthorazi, mund të ndikojnë ose kanë interes të veçantë për botën shqiptare. Shkrimet e tij botohen në shumë gazeta dhe websites (uebsajtesh) anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Perëndim.

* * *
Vepër me vlera të spikatura politike, kulturore e shkencore
Libri i Frank Gjeto Shkrelit “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA Tiranë, 2016, 476 f.), sponsorisuar nga gazeta Telegraf, është një përmbledhje me artikuj, ese, analiza, recensione veprash, përkujtim datash historike për ngjarje dhe personalitete, etj. Dalja e këtij libri përbën një hap përpara në përpunimin e mendimit politik, shoqëror e shkencor shqiptar lidhur me të djeshmen komuniste dhe të sotmen tranzicionale për demokratizimin dhe ecurinë e Shqipërisë dhe të Kosovës drejt Bashkimit Europian. Shumë shkrime të këtij libri trajtojnë probleme që kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë e të Kosovës dhe me politikën e SHBA-ve dhe BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nuk lihet jashtë vëmendjes as politika e jashtme e Rusisë dhe e Turqisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe as politika e brendshme e shteteve fqinjë që vijojnë t’i shkelin të drejtat e shqiptarëve që jetojnë brenda tyre.
Po ashtu ka dhe shumë shkrime të tjerë që trajtojnë probleme të ndryshme të traditave kulturore, letrare e shkencore të popullit shqiptar, si dhe me vlerësimin e figurave të sotme të letërsisë dhe të shkencës shqiptare që jetojnë e punojnë brenda ose jashtë atdheut.

Shpresa do ta mundë dëshpërimin
Udhëheqja e PPSH-së në vitin 1990-1991, ashtu si kishte pranuar Mikail Gorbaçovi më 1989, pranoi dhe ajo dështimin e sistemit të diktaturës së proletariatit. Mirëpo, ashtu si ustai i Moskës edhe kupola e PPSH-së, u tregua djallëzore. Për të mos e humbur pushtetin përgjithmonë dhe për të siguruar trashëgiminë e pasurive të Shqipërisë, ajo hartoi një plan, zbatimi i të cilit filloi me hapjen e “valvulës së shkarkimit”. Ky plan parashikonte largimin nga Shqipëria të kundërshtarëve të vërtetë politikë dhe të të pakënaqurve, për të mos i pasur nëpër këmbë gjatë viteve të ardhëshme kur do të pranohej e zbatohej pluralizmi politik. Me rrugë e forma të ndryshme filloi nxitja për largimin nga Shqipëria të shumë të burgosurve dhe të internuarve. Para se të liroheshin, këta u këshilluan që të kërkonin largimin nga Shqipëria për t’u bashkuar me njerëzit e tyre që ishin arratisur në Europën Perëndimore dhe Amerikë. Më 2 korrik 1990 u hapën portat e ambasadave në Tiranë, kurse gjatë viteve 1991 e 1992 u organizuan eksode me vaporë për në Itali dhe hapja e kufirit me Greqinë.
Me anë të agjentëve të fshehtë u organizuan shumë shkatërrime dhe plaçkitje të pasurisë kombëtare. Krahas kësaj pune të mbrapshtë, për t’ua lënë vendin “tokë të djegur” forcave demokratike që po i sillte në pushtet pakënaqësia dhe revolta popullore, kjo kupolë formuloi dhe propagandoi shprehjet “Shqipëria u shkatërrua, Shqipëria s’ bëhet më”. Të tilla shprehje filluan t’i përsëritnin edhe ata që nuk ishin pjesë e kupolës komuniste dhe as forca në shërbim të saj, por njerëz pa formim të shëndoshë. Të tillë të gënjyer vijojnë t’ i riprodhojnë këto shprehje edhe sot, kur janë kryer shumë ndryshime gjatë këtyre 26 vjetëve të tranzicionit dhe Shqipëria e ndihmuar prej diasporës së re, SHBA-ve dhe BE-së, ka bërë shumë ndryshime materiale, politike dhe ligjore.
Frank Shkreli, gazetar i kualifikuar dhe i talentuar, me përvojë të gjatë pune, është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por pa i munguar orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin” (“Demokracia nuk pret” f. 30). Optimizmin e vet objektiv, Shkreli e lidh dhe me ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në këto 27 vjet, si shkërmoqja e diktaturës komuniste në Europë dhe Shqipëri, çlirimi i Kosovës nga zgjedha sërbe dhe rritja e përpjekjeve të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Sërbi për të fituar më shumë të drejta politike dhe qytetare. Ai ka të drejtë kur thekson: “Eshtë në dorë të shqiptarëve si asnjëherë më parë, që Shqipëria dhe shqiptarët ta ndjejnë sot veten mirë në mbarë trojet e tyre autoktone” (f. 144).

Ku shkelet e drejta e shtypit, do të shkelen dhe të drejtat e tjera
Temë e pëlqyer për këtë gazetar është lufta për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë. Për keqësimin e gjendjes së gazetarëve në Turqi, ai sjell të dhënat e një takimi ndërkombëtar që kryen nëntë organizata botërore në Stamboll disa ditë para se në Shqipëri Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, të kryente shkeljen e tij ndaj lirisë së shtypit shqiptar.
Pasi sqaron sesi organizmat ndërkombëtare e kritikuan qeverinë turke për gjendjen e rëndë të krijuar për gazetarët e atij vendi, autori në shkrimin “Shtypi nën presion në Turqi dhe në Shqipëri” (f. 16-21), kalon te rasti konkret i sulmit që z. Gjiknuri i bëri gazetës së pavarur “Telegraf” të Tiranës. Kjo gazetë kishte kritikuar një ditë më parë Ministrinë që ai drejton dhe ky Ministër të nesërmen e paditi këtë gazetë të përditshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me akuzën se ka cënuar rëndë nderin dhe personalitetin e tij dhe ka përhapur në publik informacione të pavërteta. Ai i kërkoi Gjykatës që ta detyrojë gazetën “Telegraf” t’i paguajë atij si dëmshpërblim shumën prej 10 milion lekësh ose 100 mijë dollarësh. Mirëpo një ditë më pas, Komisioni i Lartë i Shtetit (KLSH) njoftoi padinë e vet në Prokurori ndaj z. Gjiknuri për shpërdorim detyre. Edhe të dhëna të ndryshme të analistëve shqiptarë dëshmojnë se zyrtarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ushtrojnë presion ndaj lirisë së medias duke hedhur në gjyqe gazeta, televizione, website të cilat guxojnë të jenë kritike ndaj punës së tyre. Më tej ai citon pjesë nga fjalimi që mbajti në Ditën Ndërkombëtare të lirisë së shtypit Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki Moon, ku ai theksoi nevojën e mbrojtjes së gazetarëve nga presionet e qeveritarëve.
Veprimi i z. Gjiknuri, sipas autorit, paralajmëron rrezikun se në Shqipëri do të ndodhin edhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, ku demokracia është e brishtë…
Frank Shkreli, si bir i komunitetit të krishter katolik shqiptar mbi të cilin përndjekja e Kishës dhe e klerit katolik gjatë regjimit komunist solli pasoja shkatërrimtare, gjen rast herë pas here të kujtojë plagën e shkaktuar gjatë diktaturës komuniste në fushën e besimit fetar dhe pasoja të saj. Kështu ai vë re se edhe në Shqipërinë pasdiktatoriale ka një nënvlerësim ndaj kolosit At’ Gjergj Fishta. Poema “Lahuta e Malsisë” e këtij poeti, sqaron autori, midis shqiptarëve të Jugosllavisë ka qenë kënduar në çdo vatër familjare gjatë gostive e festave familjare. Gjergj Fishta për mbarë shqiptarët gegë, sidomos për pjesën e popullit shqiptar që jetonte në Jugosllavi, ka luajtur rolin e “Poetit Kombëtar”, ashtu si Naim Frashëri për shqiptarët toskë. Prandaj lënia e shtëpisë së Gjergj Fishtës në gjendje të rënuar edhe pas 25 vjet tranzicioni dhe mospërgjigja e Ministrisë së Kulturës ndaj ofertës së zotit Sabri Maxhuni, biznesmenit nga Kosova, për të riparuar e kthyer në Muze shtëpinë e poetit me shpenzimet e veta, e revolton gazetarin Shkreli. Në fund të shkrimit autori pasi i shpreh mirënjohje z. Sabri Maxhuni, e mbyll shkrimin duke e vlerësuar dhe uruar: “Kjo është atdhetari e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!”, urim që nënkupton se Ministrisë së Kulturës i mbetet mungesa e atdhedashurisë dhe turpi.
Mbeturina të mendësisë komuniste sheh ky autor edhe në vlerësimet e gabuar ndaj Ernest Koliqit, kësaj figure shumëdimensionale që u shqua si shkrimtar realist, Ministër i Arësimit gjatë pushtimit italian kur ai hapi shkolla shqipe në tokat shqiptare që iu kthyen Shqipërisë më 1941, botues i revistës kulturore dhe shkencore “Shejzat” në Itali, mbledhës dhe studiues i traditave kulturore dhe folklorike të popullit tonë, njeriu që nuk u ligështua dhe nuk e humbi besimin për ditë më të mira, parashikues i rihapjes së kishave dhe luftëtar për një Shqipëri të lirë dhe të virtutshme, etj. Për vlerat e mëdha që ka vepra e Ernest Koliqit, thekson ky autor, duhet studiuar sa më parë dhe duhet bërë pjesë e programeve mësimore në të gjitha shkollat e mesme e të larta të Shqipërisë e Kosovës dhe shkollat shqipe të Maqedonisë (f. 107).
Ajo që e shqetëson edhe më shumë analistin Shkreli është mbajtja gjallë e nostalgjisë ndaj Enver Hoxhës. Me rastin e festimit të 5 majit 2014, u panë tek vorrezat e dëshmorëve foto të diktatorit në prani të fëmijëve të shkollave që kishin shkuar atje. Këtë veprim autori e quan “të shëmtuar dhe të pafalshëm”, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon të hyjë në Bashkimin Europian. Shqetësimi i autorit ka lidhje me faktin se në Shqipëri këto veprime kanë lidhje me persona që janë në pozita kyçe partiake dhe qeveritare, përfshirë dhe tempullin e popullit, Kuvendin e Shqipërisë. Të tillë njerëz që nderojnë fotografinë e diktatorit me grushtin lart dëshmon se: “Ata… jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar… se janë të paaftë për t’i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ai përballet,.. se ata i thanë botës se gjithnjë janë krenarë që kanë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur” (f. 459 – 460).
Si zgjidhje ai sjell fjalët e Presidentit amerikan Ronald Regan të vitit 1983: “Të keqen duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona… Krenaria e këtij vendi është aftësia e tij për të kapërcyer të këqiat morale të historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotuar se nuk do të ndodhin kurrë më” (f. 458 – 459).

Të hapen Dosjet!
Disa institucione dhe fondacione gjermane ndihmuan për të hapur gjatë dhjetorit 2014 në Tiranë dhe pastaj gjatë prillit 2015 në Berat një ekspozitë kushtuar historisë së Europës gjatë shekullit të XX-të për të nxjerrë mësime nga jeta që kaluan popujt e këtij kontinenti nën diktaturat dhe si po jetojnë tani në demokraci. Shëmblli i popullit gjerman pas daljes nga diktaturat naziste e komuniste nuk u ndoq prej popullit shqiptar. Në Gjermaninë Perëndimore pas 9 majit 1945 u dënuan krimet e nazizmit dhe kriminelët nazistë, kurse në pushtet erdhën njerëz të ndershëm që nuk kishin lidhje me nazizmin. Pas bashkimit të dy Gjermanive mbas vitit 1990 populli i Gjermanisë Lindore nëpërmjet hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit duke u ballafaquar me të kaluarën e tmerrshme arriti të siguronte paqen shoqërore dhe sejcili të gjente vendin që i përkiste. Kështu Gjermania e bashkuar (Republika Gjermane) ndërtoi shpejt shtetin e përbashkët demokratik, i cili eci shumë përpara si fuqi botërore politike dhe ekonomike.
Në Shqipëri pas ndërrimit të sistemit nuk u vendos asnjë masë që të mënjanonte ish komunistët dhe ish sigurimsat nga pjesëmarrja në pushtet. Ish Partia Komuniste e quajtur Parti e Punës nuk u shpërbë me shpalljen e pluralizmit, por ndërroi vetëm emrin në Parti Socialiste. Kjo parti me të njëjtët deputetë që trashëgoi prej Partisë së Punës vijoi të ishte parti parlamentare në sistemin pluralist dhe shumë shpejt rimori pushtetin politik e atë ekonomik. Eshtë e kuptueshme se në Shqipëri kuadrot ish komunistë dhe ish sigurimsa që vijojnë të sundojnë politikën e vendit, nuk janë të interesuar të hapet asnjë debat mbi krimet e kohës së diktaturës komuniste. Mirëpo pikërisht mosdënimi i krimeve të kohës së diktaturës përbën ngërçin e politikës shqiptare.
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë duke e kuptuar fatkeqësinë tonë, pasi vizitoi ekspozitën në Berat, dha një këshillë: “ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj shumë që ky proces të përmbyllet në mënyrë të suksesshme” (f.148). Mirëpo autori i shkrimit, i cili e di se për 25 vjet është folur e përfolur për këtë problem, janë krijuar komisione, janë përpiluar edhe projektligje, shton se ky proces “nuk ka gjasë të përfundojë askund, ai do të mbetet në hava, as me sukses as pa sukses” (f. 148).

Ballkani Perëndimor, SHBA-të Rusia dhe Turqia
Shqipëria dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në qendër të vëmendjes si të SHBA-ve, të Rusisë dhe të Turqisë. SHBA-të përpiqen që popujt e këtyre vendeve të ndërgjegjësohen dhe të ecin në mënyrë të pavarur drejt demokracisë dhe të vendosin vetë se në cilat organizata do të hyjnë. Kurse Rusia dhe Turqia me rrugë të ndryshme janë përpjekur që të ndalin procesin e demokratizimit të këtyre vendeve dhe të ndalojnë hyrjen e tyre në organizatat ndërkombëtare si NATO dhe BE. Rusia dhe Turqia përpiqen që të shtrijnë influencën e tyre në këto vende duke ëndërruar rikrijimin e perandorive të vjetra në forma të reja si perandori ekonomike me pushtet autokratik.
Në fund të prillit 2015 u mbajt seanca e Nënkomisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan që merret me Europën dhe Azinë. Midis tjerëve atje ishte ftuar dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, z. Hoyt Yee (Huajt Ji) përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Gazetari Shkreli pasqyron mendimet kryesore që tha ky diplomat i lartë dhe i mbështet ato. Duke karakterizuar situatën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor ai theksoi se misioni amerikan për krijimin e një Europe të tërë të lirë dhe në paqe, është kërcënuar më shumë se kurrë mbas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe terrorit që po ushtrojnë forcat e ISIS në Siri dhe Irak. Për këtë arsye, vijoi ai, puna jonë për krijimin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë, me tregëti të lirë dhe pa korrupsion, duhet forcuar “për të ndihmuar këto shtete që të marrin vetë vendimin e pavarur për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike… e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupsionit që është duke brejtur nga brenda këto shoqëri” (f.135). Shqipëria, vijoi ai, ka bërë shumë përparime, prandaj iu dha statusi i vendit kandidat për të hyrë në BE, por ende duhet të përballet me sfida të mëdha në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për të filluar bisedimet për anëtarësimin në BE. Shqipërisë i duhet të intensifikojë përpjekjet drejt përforcimit të institucioneve demokratike dhe zbutjes së politikës konfliktuale midis partive, të bëjë reformat në drejtësi dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar” (f. 136).
Po ashtu ky diplomat i lartë theksoi se Kosova duhet të krijojë Gjykatën Speciale. Më tej ai u ndal te problemet e Malit të Zi, ku qeveria duhet të luftojë korrupsionin, i cili ka lidhje me pushtetarët dhe të sigurojë të drejtat e gazetarëve. Kurse për Maqedoninë theksoi nevojën për përmirësimin e marëdhënieve pozitë – opozitë dhe marëdhëniet midis shumicës maqedone dhe pakicës shqiptare.
Në një kohë të tillë, pikërisht në prill 2015, kur bota po përkujtonte me keqardhje 100-vjetorin e genocidit turk ndaj popullsisë armene, agjentura turke në Maqedoni arriti të nxiste shumë shqiptarë myslimanë dhe pakicën turke e atë bosnjake që të delnin në një demonstratë në Shkup para xhamisë së Murat Pashës për ta kundërshtuar të vërtetën historike, vrasjen e njëmilion armenëve që kërkuan bashkimin me shtetin amë. Shkreli revoltohet nga ky fakt dhe pasi e kritikon, sjell dhe fakte të tjera si kërkesa për rishikimin dhe ndryshimin e historisë së popullit shqiptar që kërkojnë qeveritarët turq, grekë dhe sërbë, me synim që të ndryshohet dhe së fundi të zhduket identiteti shqiptar në trojet ku populli shqiptar ka qenë gjithnjë autokton. E këtu autori i shkrimit ngul këmbë se fajtorë kryesorë në këtë problem janë qeveritarët shqiptarë që nuk kundërshtojnë hapur, por iu nënshtrohen këtyre kërkesave absurde antikombëtare. Kjo heshtje e shtyn Shkrelin të sjellë një citat të Faik Konicës: “armiku më i madh i shqipërve kanë qenë dhe janë vetë shqipëtarët” (f.146).
Politika e jashtme e shtetit grek kritikohet rëndë te shkrimi “Papulias dhe shqiptarët”, ku vihet theksi tek kontrasti midis politikës së jashtme të shtetit shqiptar dhe atij grek. Shqipëria bën çmos që të ndërtojë marrëdhënie moderne dypalëshe dhe rajonale, të denja për shekullin e XXI-të, kurse shtetet fqinjë nuk druhen të shprehin ndjenjat e tyre antishqiptare. Kështu ai sjell rastin e Presidentit të Greqisë, z. Karolios Papulias, i cili pas takimit ndërkombëtar në Zvicrën asnjanëse, gjatë intervistës për shtyp, kur u pyet për Kosovën, tha: “Athina nuk e njeh Kosovën, sepse vepron duke u bazuar në interesat e saj kombëtare… pa u ndikuar nga askush” (f. 462). Analisti Shkreli ironizon me këtë gjoja pavarësi të politikës së jashtme të shtetit grek: “në qoftë se qëndrimi i zotit Papulias ndaj Kosovës nuk është i njëjtë me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, duket se është në përputhje të plotë me qëndrimin e Sërbisë dhe të Rusisë, dy vende historikisht aleatë të Greqisë, kundër të drejtave të shqiptarëve në rajon në përgjithësi dhe ndaj Republikës së Kosovës në veçanti” (f. 463). Dhe kur presidenti grek për ta paraqitur Greqinë si shtet që ndihmon rajonin për paqe, tha: “Greqia strehon mbi një milion punëtorë shqiptarë”, Shkreli sqaron se shifra është shumë e zmadhuar dhe se marrëdhëniet midis emigrantëve shqiptarë dhe Greqisë janë marrëdhënie pune: “ata kanë nevojë për punë dhe Greqia ka nevojë për ta, ashtu si ndodh në shumë vende të Europës” (f. 465).

Vlerësim veprash shkencore
Frank Shkreli e njeh mirë historinë e popullit shqiptar, prandaj ai di të vlerësojë si duhet vepra shkencore me temë historike. Kështu ai ndalet dhe analizon veprën e Kol Bib Mirakajt “Vetëvrasja e një kombi”, ku jep fakte të jetuara për jetën politike të Shqipërisë në vitet 1939 – 1950. Parathënien e librit e ka shkruar Fritz Radovani i cili, pasi tregon se familja Mirakaj ka kaluar 950 vjet burg gjatë diktaturës komuniste, e vlerëson librin si material dokumentar të dorës së parë për historianët tanë.
Kol Bib Mirakaj nuk mohon që ka qenë në funksione shtetërore gjatë pushtimit fashist, por përmes faktesh ai tregon se forcat e Ballit Kombëtar dhe ato të Legalitetit, si dhe intelektualët e pavarur me formim Perëndimor, kanë përgjegjësinë kryesore për kalimin e pushtetit në duart e Partisë Komuniste në nëntor 1944. Sipas tij forcat e djathta në Shqipëri bënë gabim që bashkëpunuan me forcat komuniste gjatë viteve 1942 – 1943 (Konferenca e Pezës dhe Mbledhja e Mukjes, f. 158). Sipas tij edhe vetë Aleatët Perëndimorë nuk e vlerësuan lëvizjen komuniste ashtu si ishte ajo në të vërtetë, “lëvizje e imperializmit pansllav (f.157) dhe kështu ajo u rrit e fitoi terren në Europën Qendrore dhe Jug-Lindore.
Vepër tjetër që vlerësohet në këtë libër është “Luigj Gurakuqi në një optikë të re” i Kolec Çefës, botuar me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së Gurakuqit, atdhetarit që e mbrojti popullin dhe Shqipërinë me mençuri, energji dhe dinjitet, i cili, thekson studiuesi Çefa “ishte kundër politikës orientale nga brenda dhe kundër politikës kolonizuese nga jashtë” (f. 59). ai e ngre zërin për një vlerësim më dinjitoz të kësaj figure kombëtare, që duket sikur po harrohej me rastin e 90-vjetorit të vrasjes. Edhe autori i recensionit z. Shkreli ngul këmbë në domosdoshmërinë e përkujtimit të jetës dhe veprës së Luigj Gurakuqit, sepse mospërmendja e tyre shpie në varfërimin e vlerave tona kombëtare, intelektuale dhe shpirtërore, kurse përkujtimi është në dobi të interesave tona të brendshme dhe të jashtme (f. 60).
“Krijimi i Kosovës”, vepër e studiuesit të ri Prof. Elton Skendaj pedagog i Shkencave Politike në “Miami University” Shkreli ia përmend kualifikimin dhe faktin se ky autor ka botuar shumë artikuj prestigjozë politikë në shtypin amerikan, se ai e përgatiti këtë libër pas 10 muajsh pune në Kosovë dhe se kjo vepër është vlerësuar prej disa studiuesve amerikanë.
Me rëndësi të veçantë për historinë dhe kulturën kombëtare shqiptare është dhe vepra e re e Ndiçim Kullës “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807 – 1957 vol. 1-3”. Kjo vepër e rëndësishme përfshin pjesë nga shkrime të 75 intelektualëve shqiptaë të atyre viteve. Mendimet e tyre i përkasin botëkuptimit të djathtë. Duke qenë të spikatura, Shkreli i vlerëson duke bërë një pyetje retorike: “Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre properëndimore?” (f. 409). Si studiues dhe sociolog optimist që është, Frank Shkreli sqaron se idetë demokratike të intelektualëve të shquar, të cilët u mundën prej Partisë Komuniste, humbën një betejë por jo vlerat e ideve dhe të ideologjisë së tyre.
Ai sjell mendimin e Ernest Koliqit të cilin e takoi në Romë më 1968 në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Mendimtari Koliqi i pati thënë djaloshit Frank se Shqipëria pas vdekjes së Heroit Kombëtar u pushtua prej osmanëve, por drita e veprës së tij e ringjalli kombin tonë dhe e drejtoi drejt lirisë. Duke qenë se Frank Shkreli beson në forcën e ideve përparimtare, është i një mendjeje me z. Ndriçim Kulla, autorin e kësaj enciklopedie, se edhe mendimet e ndritura të intelektualëve shqiptarë properëndimorë të shekullit të XX-të, të cilët e humbën luftën, do ta ndihmojnë popullin tonë të gjejë rrugën e vet të rigjenerimit dhe “do të ecë drejt krijimit të një Shqipërie tjetër… të dijes e të përparimit” (f. 410).
Me interes është dhe recensioni i librit anglisht të Albert Lulushit “Operacion Valuable Fiend” (“Operacioni, kundërshtar i dobishëm”, ku sqarohen nën një interpretim të ri sakrificat dhe dështimi i aksioneve të diversantëve shqiptarë të cilët nën drejtimin e CIA-s amerikane u hodhën në Shqipëri gjatë viteve 1948 –1953 me synimin qëllimmirë për të përmbysur regjimin brutal komunist të Enver Hoxhës. Deri sot është thënë se shkaktar në dështimin e këtij operacioni, ka qenë agjenti i dyfishtë Kim Filbi. Albert Lulushi e pranon këtë fakt, por ai bën shkaktar të dështimit edhe grupet politike shqiptare që vepronin në emigracion. Këto grupe i bashkonte urrejtja ndaj regjimit komunist, por i përçante politika e tyre e ndryshme dhe lakmia për të qenë sejcili forca kryesore me qëllim që nesër të qeveriste Shqipërinë. Kjo pëçarje e grupeve politike reflektohej edhe te vetë diversantët, të cilët shpesh herë grindeshin midis tyre, gjë që ndikoi negativisht në zbatimin e operacionit edhe mbas largimit të Kim Filbit nga detyra në vitet 1951 – 1953…
Shumë të dashur janë për Frank Shkrelin edhe veprimtarë të tjerë të shquar të kulturës dhe historisë shqiptare, si At’ Shtjefën Gjeçovi mbledhës dhe studiues i Kanunit të Lek Duakgjinit; Dedë GjoLuli një nga kryetrimat e luftrave për liri nga zgjedha osmane; Luigj Gurakuqi krahu i djathtë i Ismail Qemalit; Isa Boletini luftëtari i pashok i Kosovës; trimëresha Tringa Ismajli dhe të dijshmit Fan Noli, Mit’hat Frashëri; Baba Rexhebi, Dom Simon Filipaj përkthyes i “Biblës” shqip, etj. Për sejcilin prej tyre ai jep ngjarje pak të njohura dhe vlerësime origjinale.
Si njohës i mirë i veprimtarisë atdhetare të diasporës shqiptare në Amerikë, ky autor vlerëson me artikuj përkujtimorë, ose me recensione veprash figura të shquara si Xhevat Kallajxhiun, të cilin e quan dekan i gazetarisë shqiptare demokratike, Profesorët Arshi Pipa shkrimtar, studiues, kritik letrar dhe pedagog i Letërsisë Italiane në Universitetin e Minesotës; Sami Repishti një nga krerët e intelektualëve shqiptarë të diasporës sonë në SHBA si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; Dr. Elez Biberaj shef i departamentit të Euro – Azisë në Radio Zëri i Amerikës dhe autor i librave “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit” dhe “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes” përmbledhje me artikuj të rëndësishëm; Idriz Lamaj gazetar në Zëri i Amerikës dhe autor i shumë studimeve dhe i veprës “Vatra dhe vatranët”, etj.
Guximi dhe qartësia e shprehjes së mendimeve si tipar dallues i këtij gazetari bie në sy në të gjitha shkrimet e tij edhe në ato që po shkruan sot. Ai ka kritikuar veprimet jo demokratike të shtetarëve të Ballkanit, por edhe të SHBA-ve. I tillë është rasti i këtyre ditëve, kur ai u bashkua me ata senatorë e kongresmenë që kritikuan presidentin Donald Trump për urimin që i bëri me telefon Vladimir Putinit për zgjedhjen e tij shef i Kremlinit. Edhe Frank Shkreli e kritikoi këtë veprim si një urim i panevojshëm për zgjedhje jo demokratike.
* * *
Si përfundim mund të themi se Ministria e Kulturës dhe ajo e Arësimit e Republikës së Shqipërisë dhe ministirtë korresponduese të Kosovës duhet të përgatisin të paktën një vëllim me shkrime të zgjedhura të këtij gazetari dhe ta botojnë në shumë kopje, sepse leximi i të tillë shkrimeve ndihmon në formimin e masave të gjera me një botëkuptim demokratik të vërtetë. Kurse studentët e degës gazetari pranë universiteteve shqiptare do të ndihmoheshin dhe në plan praktik për të përvetësuar modele shkrimesh me ise të guximshme, me gjuhë të matur e të argumentuar, larg sharjeve e fyerjeve, që hasen në gazetarinë shqiptare që prodhohet në Shqipëri e Kosovë.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Portret biografi, Thanas L Gjika

LAMTUMIRË I DASHURI YNË FIQRI PROGRI

March 11, 2018 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/
1 ProgriFiqri Progri (7. VI. 1938 – 3. III. 2018)/1 Fiqiri Progri

Fiqiri Progri:Bie Borë/

Me 3 Mars 2018, në UMass Hospital, në Worcester MA, pas një sëmundjeje të gjatë, u nda nga jeta piktori i talentuar korçar Fiqri Xhevdet Progri. Takimet për të folur u kryen më 7 mars në “Marcadante Funeral Home & Chapel” (370 Plantation Srteet) në një sallë, ku anash arkivolit ishin vendosur lule dhe disa piktura shumë të bukura të të ndjerit. Të nesërmen, po në ambjentet e kësaj godine, para nisjes për në vorrezat “Hoppe Cimetery”, erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij biri të shquar të Korçës shumë shokë, miq e të afërm. Familjarët e tij falenderuan të pranishmit dhe treguan disa nga momentet interesante të jetës së Fiqriut.

1 Fiqiri tablo 2

* * *

Fiqiriu u lind më 7 Qershor 1938 në qytetin e Korçës në familjen e Xhevdet Demir Progrit, një familje e lidhur me Luftën Antifashiste. Xhevdeti, pas luftës i rriti katër fëmijët duke punuar rëndë si traktorist. Në vitin 1951 Fiqiriu mbaroi shkollën 7-vjeçare dhe nuk u regjistrua në gjimnaz, por në një kurs njëvjeçar pikture të cilin e drejtonte në ambjentet e Kishës Katolike të Korçës piktori i talentuar Vangjush Mio. Vitin tjetër ai shkoi në Tiranë ku konkuroi në Liceun Artistik për pikturë dhe e fitoi konkursin. Liceu Artistik në atë kohë ishte shkollë e mesme 6-7-vjeçare, katër vjet shkollë e rregullt dhe 2-3 vjet specializim. Fiqiriu, edhe pse mbaroi shkollën me rezultate të larta, nuk kërkoi të shkonte jashtë shtetit për të vijuar studimet, por u kthye në qytetin e lindjes për të filluar punën si mësues viztimi, me qëllim që të ndihmonte familjen e tij. Kështu në vitin 1958 ai u emërua mësues vizatimi në gjimnazin e Pogradecit. Një vit më vonë u thirr për të kryer shërbimin ushtarak, të cilin e kreu në Kukës si daktilografist, hartues parullash, hartash, etj.

Pasi përfundoi shërbimin ushtarak 2-vjeçar, më 1961 Fiqiriu u kthye në Korçë, ku u sistemua në Uzinën Mekanike si teknik për të mësuar e kualifikuar mekanikët si të lyenin me bojra makineritë dhe pjesët e ndryshme të makinave.  Mbas disa muajsh u emërua në Pallatin e Kulturës si piktor.Në vitin 1966 Fiqiriu u martua me vajzën kolonjare Lumturi Aliçka. Lumturia (shkurt Lumja) ishte pasardhëse e një familjeje të madhe me origjinë nga Frashëri.Në vitin 1973, kur filloi organizimi i festivalit folklorik kombetar në Gjirokastër, Fiqriu shkoi gati në gjithë fshatrat e rrethit të Korçës, ku mblodhi jo vetëm kostume popullore të plota, por edhe pjesë të ndryshme të dëmtuara. Nga kostumet dhe copat e jelekëve, xhamadanëve, tirqeve, fustaneve të grave, shamive, çorrapeve, kësulave, që ai mblodhi, arriti të paraqiste 36 lloje kostumesh për gra, burra e fëmijë të zonës së Korçës në një album kostumografik. Kjo pasuri e panjohur deri atëhere i dha Fiqriut emrin e mirë dhe kënaqësinë e punës krijuese. Grupi folklotik i rrethit të Korçës në Festivalet Folklotike të viteve 1978, 1983, 1988 zuri vendin e parë, kurse rrethit të Gjirokastrës, rrethit organizues, i jepej flamuri.Fiqiriu u aktivizua dhe si bashkëpunëtor gazetash. Ai botoi disa shkrime për arritje dhe probleme të kulturës në Rrethin e Korçës. Në vitet 1985-1987 e transferuan për të punuar  në prodhim në Ndërmarrjen Artistike. Pastaj e emëruan mësues vizatimi në shkollën 8-vjeçare “Sotir Gura”, prej ku më 1990 doli në pension.Në shtator të vitit 2000, ai me bashkëshorten erdhën me lotari në SHBA ku ishin sistemuar më parë, Iliri si asistent pedagog në WPI dhe Adriana me bashkëshortin Nesti dhe vajzën Rafaelia. Për arsye moshe dhe shëndeti ai nuk kërkoi punë, por shërbeu si taksist i Lumes, e cila u punësua në një piceri dhe si kujdestar për mbesat Rafaelia dhe Alexia.

Ai luftoi gjatë me sëmundjen, të cilën nuk mundi ta mposhtte…

Djali i tij, ing. elektrik PH.D. Ilir Progri, foli në anglisht dhe në shqip. Ai ka ndjekur krahas studimeve inginerike dhe disa kurse fetare dhe e njeh mirë “Biblën”. Prandaj ai tregoi disa nga karakteristikat dalluese të edukatës së shëndoshë që u dha ky baba dy fëmijëve të tij, si vullnetin, korrektësinë dhe dashurinë ndaj punës, ndaj familjes dhe shoqërisë. Edukata që ai u dha fëmijëve, theksoi Iliri, ishte një edukatë me moral të shëndoshë, në përputhje me mësimet e profetëve të lashtë dhe të nxënësve të Jezusit, prej të cilëve ai solli dhe disa citate. Iliri e kishte shpënë babain e vet të dëgjonte dhe disa predikime fetare të disa pastorëve të pregatitur mirë. Edhe pse Fiqriu nuk arriti të besonte, ai pati një përmirësim në jetën e tij: e la duahnin dhe e rralloi pijen e rakisë. Shumë të krishterë dhe disa kisha, e mbylli fjalën e tij Iliri, do të luten për shpëtimin e shpirtit të tij.

Fjalimi i Ilirit në anglisht ishte printur si fletëpalosje në katër faqe dhe u shpërnda midis pjesëmarrësve…

Lumturia, bashkëshjortja e të ndjerit, tregoi si u realizua njohja dhe martesa e saj me Fiqriun. “Në fillim, tha ajo, nuk më pëlqeu emri i tij Fiqo, si e thërrisnin shkurt, por logjika e tij, bisedat me kripë dhe karakteri i pastër, më bënë ta dashuroja gjithnjë e më shumë. 52 vjet martese na kaluan si 52 javë. Vështirësitë e jetës me Fiqriun i kaluam  me optimizëm, sepse i tillë ishte ai. Porosinë që më dha: “Të bëhesh e fortë e mos u dorëzo!” do ta mbaj si amanet.

Piktori Dhimitër Çika, i cili kishte kaluar shumë vjet në shoqëri me Fiqriun në qytetin e Korçës dhe këtu në Worcester, solli kujtime nga veprimtaria krijuese e kolegut të tij:

“Fiqriu ka qenë një nga piktorët më prodhues të rrethit të Korçës. Ai na mbante shumë afër ne të rinjve. Të punoje e të bisedoje me të, nuk mërziteshe kurrë.

Ai kishte kulturë të gjerë si në fushën e artit dhe në historinë tonë kombëtare e atë botërore. Dinte të na këshillonte për procese të ndryshme të punës dhe për mënyrën si t’i motivonim kërkesat për lëndët e para, pa ngutje e pa inat.

Punët e tij janë vlerësuar në shkallë rrethi dhe në shkallë kombëtare. Ai ka marrë shumë çmime lokale në ekspozita të organizuara në rrethin e Korçës dhe më 1974 peisazh-kompozimi i tij “Dita e Çlirimit të Korçës” u vlerësua me çmim të dytë në konkursin kombëtar.

Puna e tij me albumin kostumografik është një punë që ka zënv vend si një nga thesaret tona më të çmuara.

Me këmbënguljen e tij u realizua blerja e veprave të artit prej ndërmarrjeve të ndryshme pasi ato vlerësoheshin në konkurset e rrethit.

Fiqri Progri, për mendimin tim, do të mbetet në trashëgiminë artistike të Korçës si një nga piktorët më të talentuar bashkë me piktorët Spiro Xega, Todi Dallta, Vangjush Mio, Kristaq dhe Vangjush Tushi, Rafael Dembo, etj.

Gjithashtu ai do të kujtohet dhe si një shahist i zoti dhe shok i muhabetit e i rakisë që mblidhej me shokët e tij për të kaluar orë gazmore mbas punës…”

Mbesat Rafaelia dhe Alexia, shprehën dashurinë e respektin e tyre për gjyshin e rrallë, përkushtimin e tij për rritjen dhe edukimin e tyre, punë të cilën nuk mund ta bënte asnjë bebysiter amerikane. Falë kësaj pune sot këto dy mbesa flasin shqip.Të përlotura ato mbyllën fjalën e tyre duke thënë: “ Gjyshi ynë çdo ditë na tregonte barcoleta e shakara, sa që na duket se ai do të ngrihet tani e do na thotë: “Ua hodha, kjo ishte një shaka, unë nuk kam vdekur.”

Pas kësaj, kortezhi u nis për te vorrezat “Hoppe Cimetery” ku u krye varrimi, i cili u parapri nga një shërbim liturgjik që e kreu Iliri.

Anesti Dine, dhëndri i të ndjerit Fiqri, porositi gjithë pjesëmarrësit të shkonin së bashku për drekën e lamtumirës tek restoranti në adresa 1394 Main Street, ku sejcili vijoi të tregonte kujtimet e veta për të paharrueshmin Fiqri.

I përjetshëm qoftë kujtimi i piktorit dhe shokut tonë Fiqri Progri!

Filed Under: Opinion Tagged With: FIQRI PROGRI, I DASHURI YNË, Lamtumire, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT