• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KARTOLINA

February 7, 2016 by dgreca

NGA SOTIR ATHANASI/
(tregim u jetuar)
Motrën time gjithmonë e kishte ndihmuar rastësia se, që në lindje dhe vijueshmërisht, ajo do të ndodhej përherë në vëmëndjen e të tjerëve. Këtyre sikur iu diktohej me forcën e një autoriteti jashtëvullnetor të rre-thanave që, jo vetëm t’a përfillnin, por edhe të përkujdeseshin për ‘të.
Kur lindi ime motër, unë kisha mbushur pesë vjeç. Babai, do të na për-shkruante me ngjyra tejet të ndezura dhe po kaq të ndritur një ndodhi teksa po festonim dhjetë vjetorin e ditëlindjes sime. Do të kalonte edhe një dekadë që t’a kuptoja të patreguarën dhe mbase, të hamendësuarën që kishte të bënte me acarimin por edhe zbutjen e Luftës së Klasave. Se duhej që qe kjo e dyta që, e kishte ndrequr disi e rivendosur në një farë mënyre, kinse mekanizmin e harmonisë midis njerëzve. Dhe im atë, i qe përfshirë e pse jo, përshtatur hijshëm asaj, gjithashtu.
Shkurt, vajti në maternitetin e vetëm të Tiranës në ato vite dhe kishte në dorë, përveç një buqete me lule edhe një kartolinë. ( E nënvizova miqt e mi, se kartolina për atë kohë ishte tepër e rrallë, për të mos thënë si një (stoli krejt e panevojshme ). Por, im atë mendonte ndryshe:
Kartolina do të vihej në komedinën e mamasë sime – lehonë dhe që duhej, patjetër të zëvëndësonte dorën përkëdhelëse të tim eti. Ose, të paktën të përcillte një mesazh dashurie.
Kartolina ishte e thjeshtë:
Një pendë pranë një shishe – boje që, gjithsesi e shprehte, veçantinë e dërguesit dhe sidomos gëzimin e tij të jashtzakonshëm. Në ‘të, jo pa frymëzim, im atë do të shkruante. Çfarë? Le t’a lexoj -më atë.
“E dashur, të na rrojë vajza!
Vallë, a do të krenohet vëllai me bukurinë e vogëlushes që sapo ka ardhur në jetë? Unë shpresoj se po. Se ajo, patjetër që do të të ngjajë ty.
Të lutem puthe, por me kujdes.
I yti për jetë…
(Dhe, në vënd të emrit të tij, ai kishte shkruar me gërma të mëdha:)
FATMADHI )

Ajo ditë do të qe e mbushur me peripeci.
‘Aventura’ do të niste që te ajo portë me shufra hekuri, kur një infermjere tiranase, me veshje të bardhë dhe thuajse tejet të ngrirë, kur pa tim atë me orkide në dorë dhe kartolinën sipër saj, u zbardh nga befasia dhe i ndritën sytë:
– Ej! Me lule vëllai jonë !?!
Dhe pa pritur përgjigjen e tij, shtoi:
– Më pëlqen pa masë. T’a dish. Boll ma me kavanoza reçeli që sillen për me fo barkun. Për kësi lulesh i bi të hollët shpirtit. Të lumtë, vllajo!
– Faleminderit!
– Çfarë ka pjellë, gruaja juaj?
– Nuk ka pjellur. Ka lindur, moj fisnike e palodhur që, shpie lart ngarkesën më të rëndë: dashurinë njerzore. Dhe zbret poshtë shportën më të bukur spërkatur me buzëqeshjen tuaj trëndafil. . .
Pason një heshtje tejet këndellëse. Nga ato që jo rrallë na vënë në një pozicion të tillë ku, vrasja e ndërgjegjes vjen kaq natyrshëm, kaq butë, sa njerëzorja kthehet në qiellore.
Afrohen edhe të tjerë.
Infermjerja ndodhet ende në atë proçes ku vëndin e zë përshtatja me një bashkëbisedues pak të çuditshëm. Aspak i vështirë për t’u kuptuar. Dhe po kaq i lehtë për të pranuar ballasi… rrëshqitjen e…, gjuhës.
– Më fal, o burrë! Por. . .
Im atë që s’e lë të vazhdojë ndërgjegjësimin. Edhe sepse qe I panevojshëm tashmë.
– Ty të ka falur bujaria jote.
Tek ajo kishte triumfuar më e mira e saj. U çel si trëndafil. Buzëqeshi:
– Dhe çfarë ka lindur bashkëshortja juaj?
– Vajzë!
– Vajzë?!?
– Po.
– Dy çudina brënda ditës së sotme, – tha ajo.
Ende nuk po kuptonte që edhe për veten e saj, përpara tim eti, përbënte, të paktën, një çudi më vete. Por i ra shkurt, se e ndjente që i duhej me patjetër një shkëputje. Mbase, për të…, medituar. A për t’u ftilluar.
– Dhoma dhe kati, a është shkru në rregull? – tha me një të folur instiktive dhe një rihutim të pazakontë.
– Po.
Dhe nuk duhej më shumë që infermjerja me ngjyrë të purpurt në fytyrë, të largohej me nxitimin e fluturës, por edhe në ‘misionin’ e pëllumbeshës së dikurshme të postës. Me ndryshimin e vetëm se nuk e kishte të lidhur në këmbë porosinë e dërguesit, por e mbante në dorë atë. (Domethënë kartolinën).
Dhe s’kishte aspak faj. E gjithë biseda me tim atë i ngjiste lojës sonë të fëmijërisë: ngriva-shkriva.
Veç kësai, Ishte më se llogjike që ajo t’a lexonte e para kartolinën. Prandaj me një gjallëri dukshëm harlisse, e mori atë nga buqeta (edhe sepse ajo përbënte një karton të palosur si libër dhe të grishtte për të. . ., “mëkatuar”) Sigurisht që e lexoi me një frymë. Ktheu kryet nga kangjellat, ku im atë ende qëndronte aty, paksa i tërhequr që t’u linte vënd edhe të tjerëve, kur dëgjoi atë të thotë me zë të lartë:
– Çudia e tretë!
Kaq tha dhe u ngjit për t’i shpënë mamasë sime: dashurinë, gëzimin dhe lumturinë e tim eti, për lindjen e sime motre.
Por, ai do t’a kuptonte vetëm pas disa ditësh se çdo të thoshte ajo fisnike tiranase me përcaktorin:
“Çudia e tretë ! ”
Qe çasti kur doli mamaja ime nga shtëpia e lindjes shumë e gëzuar.
Tejet e përfillur dhe nën vështrimin e kujdesin e gjithë personelit mjeko- sanitar.
Veç së tjerash, dhoma e saj qe bërë si vënd peligrinazhi.
Çkishte ndodhur?
Infermjerja tiranase lulet ia kishte shpënë mamasë në çast, sapo qe ngjit-ur në katin dhe posa qe futur në dhomën e saj. Por nuk kishte ndodhur kështu edhe me kartolinpn e cila mbërrijti të nesërmen në darkë.
Kartolinën e kishin marë për t’a lexuar së pari infermjeret e të gjitha pavio-neve në shenjë solidariteti. Pastaj zbriti poshtë te laboratorët e analizave. Natyrisht, jo për t’a zbërthyer e përimtuar mikrobiologjikisht. Dhe, as për ndonjë shqyrtim ideologjik. Thjesht për të shuar kureshtjen e atij mesazhi urimi.
Si kudo, edhe këtu, u respektua parimi i shkallëshkallëshmërisë.
Në krye iu dha sekretares së organizatës së partisë e cila punonte në lavanterinë e maternitetit. Ajo, sapo u njoh me ‘materialin’, tha:
– Më shpini te fëmija e kësaj nëne. Do t’ia çoj unë në orarin më të afërt të gjirit. Se ndjehem mjaft e kënaqur për të tillë bashkëshortë të emancipuar edukuar nga PARTIA. ( Se ajo nuk e dinte që im atë ishte i deklasuar) .
Kur shkuan te Drejtori i këtij Institucioni, që ishte njëherësh edhe një kirurg i zoti dhe me emër në fushën e tij, ai sapo kishte dalë nga një lindje vërtet e vështirë e po lante duart. Tekstin e mesazhit ia lexoi me ton radiofonik një infermjere që shkëlqente, veçanërisht, kur vinte orari i punës politike. E sidomos, leximi të veprave të shokut Enver. Doktori si buzëqeshi ëmbëlsisht, nga që i doli në shteg porosia e vazhdueshme e tij, tha:
– Këshillat e mia në mënyrë të përsëritur për rolin që luan te lehona veçanërisht, ana psikologjike, ju nuk duhet t’i merrni si . .si t’ua them. Si larje, a dizinfektim duarsh. Jo.. Dhe këtu ‘JOJA’ duhet të jetë me gërma të mëdha, si të themi: kapitale.
Ndryshe u shpreh Shefja e Financës. Për të kursimet në shpenzime, sidomos për materialet që siguroheshin te kapitalistët me volutë, përbënin alfën dhe omegën e gjërave. Ky tekst, vlen vërtet, se edhe fjalët janë mjaft, po deri në qindarkën e fundit, domethënë deri në gërmën e pasme, të shpenzuara me nikoqirllëk. Bravo autorit të tekstit! Domethënë bashkëshortit të vëmëndshëm të kësaj nëne, i cili si t’i kishte mbështjellë me një bandazh steril, ka dhënë esencën , jashtë ndikimeve mikroborgjeze. I lumtë!
Kështu, me këto përshtypje u kthye mamaja ime bashkë me babanë atë mbasdite të lumtur e me duar plot. Ata mbanin në duar motrën time të porsa lindur.
Por këto çaste të lumtura, përfshi edhe mua, që u bëra me një motër, do të prisheshin disi, sapo korjeri solli gazetën ‘Drita’. I vetmi organ ku ishte abonuar im atë. Ai e shfletoi nxitimthi atë dhe u thartua në fytyrë, kur lexoi njoftimin e pakëndshëm që një poeti i hiqej e drejta e botimit, vetëm e vetëm se në poezinë e tij, ai kishte përdorur si metaforë “Kullën Eifel”. Kaq duhej që të akuzohej për dekadentzëm. .
E vërteta është se ai kishte shkuar në një bazë blektorale dhe aty, i detyruar që të shkruante për një brigadjere, pasi s’kishte parë asgjë poetike, përveç qumështit, kish hedhur, pa e vrarë mëndjen këto vargje:
Dhe në qumësht, sërish brigada,
Me rezultate të larta, ajo del,
Se udhëhiqet nga e bëjshmja, kryelarta,
Me gjoksin si maja e Kullës Eifel.
Për të u tha se autori dekadent pse nuk e krahasoi gjoksin e mjelses me bajonetat të cilat i kemi të ngrijtura për armiqtë e brëndshëm e të jashtëm, të vëndit tonë, por me një objekt borgjez, ndërtuar me gjakun e klasës puntore, shfrytëzuar deri në palcë nga borgjezia. Prandajë le të përfundojë si ai tjetri i festivalit në tekstin e një kënge ku, thoshte se “nga buzët e saj, pikonte era limoni. Kur dihet se pikonte era barut.
Nuk e hodhën nga Kulla Eifel. Por i hoqën të drejtën e botimit për gjithë jetën. Llaf goje.
Pas kësaj, im atë i kërkoi time mëje kartolinën për t’a fshehur diku në morinë e librave. Arsyeja? Mund të dilte dikush dhe të thoshte:
Kush është shkruesi i sajë? Pse s’ka vënë emrin e vërtetë, por fshihet pas një pseudonimi FATMADHI? !?
Ishte koha e të tilla arsyetimeve dhe jo e KARTOLINAVE.

Athinë, 7 Shkurt,2016!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kartolina, Sotir Thanasi, tregim i jetuar

SE NE TË GJITHË VUANIM NJËSOJ…

October 4, 2014 by dgreca

Tregim i jetuar/Memisha GJONZENELI–Tragjasi;Tregim, Ne te gjithe je I burgosur politik/
Të burgosurit sapo ishin ngritur, kur dëgjuan një zhurmë që u përhap në të gjithe burgun, nga llozet e dyerve gjysëm metalike që hapeshin e mbylleshin. Edhe dera e dhomës sonë u hap me zhurmë rrënqethse. Oficeri i rojes, bërtiti me një zë të çjerrë dhe me egërsi: – Ata që do të dëgjojn emërat, përjashta me gjithë plaçka.
Të burgosurit e vjetër na than se do të na çonin në kampe, se partia kishte nevojë për punë. Kur dola në koridor me plaçat në krah, pashë se edhe të burgosurit e tjerë ishin në një moshë të re si unë. Na nxorrën në oborrin e burgut, na kontrolluan dhe na lidhën dy e nga dy, na hipën në autoburg dhe prap na lidhën të gjithve me një zinzhir të gjatë. Dhe kështu të lidhur në darkë mbritëm në Thumane. Unë isha lidhur me një djal të ri, pak më të madh në mosh, që siç mora vesh më von e quanin Faik edhe në kapanon gjetëm dy vende pran njeri tjetrit. Te nesërmen që pa gdhirë, na nisën në punë. Mua, që ende nuk kishja mbushur 16 vjeç, më dhanë një lopatë, ndërsa Faikut një bel mbasi qe më i madh dhe me shëndet. Kështu vazhdonte jeta në kampin e punës, duke menduar çdo ditë se kur do të kalonin ato vite vuajtje: une isha denuar 6 vjete si i mitur, ndërsa Faiku 18 vjet. Një ditë dëgjova tellallin e burgut që thërriste emërin e Faikut.
– O vëlla, më tha ai, mos ke nja dy trasta se më kanë ardhur nga shtëpia.
Mblodha shpejt e shpejt, nëpër shok, ca enë dhe nja dy trasta dhe ia dhash. Faiku u kthye i përlotur nga takimi, i verdh dyll e i dobët. E kapa për krahu, e ula në një ndënjëse druri ku vendosëm edhe ushqimet. Ai s`po e merte veten nga ai takim. Më pas fshiu sytë dhe për çudi filloi të buzëqesh. – Beson, më tha, më erdhi nëna. Fliste me një zë të çuditshëm që se kisha dëgjuar më parë, edhe syte i shndrisnin. – Sa mirë, i thash, dhe e perqafova forte.
– Nëna më shau, tha ai.
– Po pse? – e pyeta unë.
– – – Ti e di, më tha, që ne na lejohet t`i dërgojm familjes vetëm një letër në muaj dhe vetëm një faqe fletorje. E ç`të shkruash më par në atë faqe? Kështu që unë letrën e mbyll gjithëmon me fjalet: U perqafoj të gjithëve me shumë mall.
– Po, i thash, edhe unë kështu e bëj.
– Por a e di ti se ç`më tha nëna? Të kam rritur me halle, që unë dhe Zoti e dimë, dhe ti asnjë rrjesht nuk shkruan për mua dhe iku e zemëruar, prandaj po qaja. Brengën e Faikut e ndieva thelle, dhe mendova të bisedoja me një të burgosur që kishte talent në fushën e letërsisë, për t`i shkruar një letër nënës së Faikut. * * *
Unë i tregova Faikut, se vëllai im Qamili, nga bregu Sarandës ishte hedhur në det dhe me not kishte dalë në Korfuz. Mbas tre muaj më futën edhe mua brenda dhe më dhanë 12 vjet privim lirije, mirëpo si i mitur, akoma nuk kishja mbushur 16 vjeç, më ulej gjysma e dënimit, e kështu që jam dënuar 6 vjet. – Po tyj, e pyeta Faikun, pse të kanë sjellë këtu ?
Faiku, ra përsëri në mendime dhe filloi të flasë ngadalë. Në fshat, kisha një shok si vëlla, me të kullosnim çdo ditë delet. Nuk ndaheshim nga njeri tjetri. Edhe kur e thirrën ushtar, se ishte më i madh se unë, vajta e takva. Por për çudinë time, ai u mërzit me mua, se përse kisha vajtur ta takoja me pantallona me handra. Ne, më tha ai, na ka thënë komisari se në Shqipëri nuk ka varfëri dhe njerëzit rrojnë të lumtur dhe në bollëk, jo si në vendet kapitaliste. E pash me kujdes dhe mu duk se e kishte harruar fshatin. Kur u lirua nga ushtria, nuk ishte më ai i pari e me gjith atë unë i besoja dhe qëndroja pranë tij. Një natë, që mos ardht kurrë, pash një ëndërr. M`u bë sikur ishja duke kullotur dhëntë dhe në xhade m`u duk se po vinte një kollonë me vetura dhe sapo u afruan, une mora pushkën dhe qëllova në një nga veturat, kur një zë më tha, që në atë veturë ishte shoku Mehmet Shehu. Në mëngjes sapo e takova shokun tim i tregova ëndërrën. Ai e dëgjoi me vëmëndje dhe nuk foli fare. Pas dy ditësh më folën në këshillin e fshatit. Kur po afrohesha, pash një makinë te dera e këshillit edhe nja dy civila. Sapo hyra brenda, hynë edhe ata civilat. Më kapën me forcë nga krahët dhe më thanë: – Në emër të popullit, je arrestuar, ti kulish ballisti! Më hodhën hekurat, më futën në makin dhe më plasën në një qeli, duke më goditur me shqelma dhe grushta. Fillimisht mendova se më arrestuan për punën e babait sepse ai gjatë kohës së luftës kishte qënë me Ballin, ashtu më t6hanë edhe ata që më arrestuan: “Kulish Ballisti!”. Pas tetë muaj tortura, më nxorrën në gjyq. Prokurori kërkoi dënim me vdekje, si bir ballisti që ëndërron të bëjë terrorizëm kundër udhëheqësve të Partisë dhe për agjitacion e propogandë. Gjykata, “mëshiroj” duke më dhënë vetëm 18 vjet, kështu që tani jemi të dy armiq të popullit!? Pra nuk duhet të shikosh ëndërra të tilla, por dhe po pe, qepe gojën dhe mos ia trego asnjeriu. * * *
Një ditë na erdhi shkrimtari, siç i thoshin ne, për t`i shkruar Faikut një letër për nënën dhe për letrën ai kërkoi një baqetë. Në burg, në vend të monedhës përdorej baqeta, ne vend te 1000 lekëve përdorej një kilogram sheqer etj. Te nesërmen shkrimtari erdhi me letrën në dorë, të cilën unë ia lexova Faikut, pasi ai nuk dinte shkrim e këndim: “E dashur dhe e shtrenjta nëna ime e rrall! I dashuri baba, e dashur motër e vëllait!
Para se t`u pyes për shëndetin, ju lutem, gjithëmon ju lutem, të më falni për atë që unë u shkaktova të gjith juve edhe vetes. Por, i lutem Zotit e ndofta më jep mundësin të ua shlyej sado pak atë që u shkaktova. Në vend që t`i vija shpatullat shtëpis unë jam në burg…
Nëna ime sa shumë te dua… Më kujtohet kur isha i vogel, ulesha në prehërin tënd të dashur, lozja me flokët e bukur të tu, mbuloja fytyrën me kaçurelat e tua, sa i lumtur isha dhe kur ti ngriheshe, unë të kapja pas fustanit, nuk doja të ndaheshim. O Zot, sikur e dija që një ditë do të vinte ndarja. Kur bëja gabime më kapje për veshi, pastaj më mbuloje me të puthura dhe përqafime… Si sot më kujtohet kur më shpure në shkollë. Unë nuk doja të ndahesha nga ty, por ti më the që do rrije pas derës dhe do më prisje… Kur u rrita dhe shkoja zbathur pas bagëtive, kthehesha shpesh me këmbë të fryra nga gjembat. Ti merrje gjilpërën dhe më hiqje gjëmbat me ato duart e buta të tua, shpesh me mblithte këmba, ti ma çpoje me gjilpër dhe ma lidhje me një rrobë të pastër…
Kur ti punoje me kosor që prisje ferra të mbushej dora me gjëmba, unë kisha dorë të leht dhe t`i pastroja dhe kur mbaroja ta mbuloja me të puthura… Po ja, nënë e dashur, kur u rrita doja edhe të martohsha që t`u gëzoja edhe juve po edhe tu ndihmoja, po e sheh ç`far u bëra… Ti, motër të lutem bëne shpirtin dhe zemrën të madhe mase më fal. E di që të kam prishur edhe fatin se të thonë: motra e armikut të popullit, por të lutem falëm… Do ju lutem të mos më vini më në burg, e të mos harxhohi, mbasi unë këtu e kam të siguruar supën dhe bukën, ndërsa ju vuani, e duhet të punoni shumë të siguroni kafshatën e gojës, mos e hiqeni nga goja juaj dhe të ma sillni mua. Më vret shum kjo sakrific që bëni për mua. Nëna ime të puth sytë e bukur, të puth duart e buta dhe ballin si argjent. Ty baba i dashur të puth dhe te përqafoj me mall. Motër shumë e dashur të përqafon vëllai me mall dhe me një fat si e do ti… Gjithëmonë, juaj për jetë Faiku”. Ndërsa i lexoja letrën Faiku qante, pastaj ngriti kokën, fshiu lotët, hapi trastën, nxori prej saj baqetën dhe ia dha shkrimtarit, duke i thënë: – Faleminderit! Sa çudi, më duket sikur ti ke jetuar bashkë me mua në fshatin tim, kaq bukur e ke shkruar. – – Po, tha shkrimtari, se ne të gjithë vuanim njësoj. * * *
Nëna, e gëzuar dhe e kënaqur nga ajo letër, iu përgjigj të birit: “Po të presim krah hapur deri sa të lirohesh. Nëna të ka gjetur edhe një nuse të bukur’’. Dëshira e nënës nuk u plotësua. Gjashtë muaj mbasi Mehmet Shehu vrau veten, Faiku ndërroj jetë në spitalin e burgut të Tiranës, nga një sëmundje e rëndë dhe varri tij humbi përgjithmonë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ish i burgosur, Mimisha Gjonzeneli, tregim i jetuar, vuanim njesoj

MALLKIMI

March 25, 2014 by dgreca

Nga Avdulla Kenaci/

-Tregim i jetuar-/

Zakonisht kur udhëtoj me avion përpiqem të mos hap biseda me bashkëudhëtarët. Qëllon që ndonjeri mund të jetë aq shumë llafazan sa nuk të lë të ulësh as qepallat. Trajektorja përmbi oqean, kur shkon apo kur vjen nga Amerika, është shumë e gjatë, tetë apo dhjetë orë. Nuk janë pak, sidomos kur udhëton natën. Zakonisht unë zgjedh anën e dritares, por pasagjeri që ulet në të djathtë apo në të majtën time, nuk varet prej meje. Këtë radhë pashë se ishte ulur një grua e re, topolake, pak bionde, fytyrë hequr, por për çudi me një qafë të gjatë që nuk kishte lidhje me tërësinë e saj, rreth gushës si pjeshkë nuk i dallohej asnjë lloj zbukurimi. Rrumbullakësia e trupit të saj bënte kontrast me fytyrën e ëmbël, sytë e ndritshëm- gështenjë dhe gishtërinjtë  e gjatë të duarve. Dukej se ajo as kishte dëshirë të prezantohej, apo të niste ndonjë bisedë. Edhe unë po ashtu.Aeroplani u ngrit mbi qytetin e Torontos dhe kuadratet e ndërtesave sapo vinin e zvogëloheshin. Më në fund u zhduk edhe kulla e famëshme CN. Nga dyshemeja e  avionit u dëgjua një  zhurmë e fortë; gyyyp. Ata që udhëtojnë shpesh e dijnë se kjo është zhurma e rrotave që mblidhen pas barkut të avionit. Ndërkohë bashkëudhëtarja në krahun tim, pa ia ndarë vështrimin peisazhit që po tretej në një tis mjergulle, tha nëpër dhëmbë, plot mllef: “Fuck Kanada!”.  Nuk u besova veshëve, pse e urrente aq shumë Kanadanë?! Mos vallë ishte nga ato emigrantet ilegale dhe policia e kishte dëbuar forcërisht?! Mirëpo nuk kujtoja të kisha parë policë  shoqerimi në bordingpass. Çudi si një grua aq simpatike mund të fliste me atë lloj urrejtje dhe me atë lloj gjuhe?! Njeriu i gjallë është i tëri një labirinth, ku ta dish se çfarë e mundon, ku ta dish seçfarë  arësye e shtyjnë të sillet në atë mënyrë apo në atë tjetrën?! Nga xhepi i çantës nxorra një libër bestseller  për ta lexuar, mirëpo nuk mund të përqendrohesha. Më dukej sikur gruaja e bukur në krah pëshpëriste të njëjtën shprehje, me të njëjtën gjuhë, por jo. Ishte mbështetur fort pas kolltukut dhe kishte mbyllur sytë. Kështu unë munda ta vëzhgoja më me nge duke u përpjekur të marr me mend pse ishte aq e mllefosur. Në fytyrë nuk kishte asnjë  gjurmë tualeti, flokët ngjyrë gruri i mbulonin gjysmën e fytyrës. Vihej re se nuk e çante kokën për pamjen; rrënjët e flokëve ishin ngjyrë gështenjë dhe ajo as kishte marrë mundimin t’i ngjyente përsëri. Sipas pamjes nuk duhet të  ishte më shume se dyzet vjeç.

Po servirej ushqim dhe i vura dorën në sup për ta përmendur. Nuk më tha as faleminderit, por zgjati duart për të rrëmbyer pakot. Ishte e uritur, kuptohej nga shpejtësia se si hante. Arriti tek frutat e grira. I erdhi rrotull kutisë plastike, por nuk ia gjente dot këndin se nga mund ta hapte. Dhe unë u habita kur i foli kutisë:

-Po si hapesh, mor dreq!?- Qënka shqiptare, mendova.

-Ma jep mua ta hap!

-Uaa, uaaa, ti qënke shqiptar?! As ma priste mëndja, të mora për italian. Nga je?

-Nga Laberia…

-Uaaa, uaaa, edhe unë jam nga Vlora, po rri në Tiranë.

-Edhe unë në Tiranë….

-Ke kohë në Kanada?

-Unë? Vetëm tre muaj…

-Ke hyrë ilegalisht?

-Jo, me dokumente të rregullta, sa kam marrë lendin.

-Po si, për tre muaj e more lendin?

-Jo, kam burrin këtu, ka ardhur më  parë, kemi bërë bashkim familjar. Kemi edhe dy fëmijë.

– Shpejt po kthehesh, të ka ndodhur ndonjë fatkeqësi?

-Jo, ç’është ajo fjalë, shyqyr, o zot jemi të gjithë mirë me shëndet. Po Kanadaja nuk më  pëlqen fare, ama fare….Nëntë vjet pa burrë, nëntë vjet duke bërë  letra e gjyqe. Arritëm të bashkohemi, por ç’e do? Lëre fare, mos ma gërvish plagën…

Ajo nuk po kuptonte që kishte ngritur zërin dhe të tjerët rrotull po e shikonin me një lloj qortimi se përse po fliste aq fort. Sigurisht që nuk dinin shqip dhe mund ta merrnin si një pakënaqësi ndaj meje. Kjo situatë më vuri në siklet. Nuk i vazhdova më pyetjet, ama isha shumë kureshtar të dija se çfarë arësye kishte që nuk dëshironte të rrinte në Kanada kur kishte nëntë vjet e ndarë nga bashkëshorti, nëntë vjet, si në legjenda. Dhe ja, tani qe ëndërra bëhet realitet, ajo ikën, lë burrin, dy fëmijët dhe nuk dëshiron të kthehet më.

Nëpër mend sillja lloj-lloj ngjarjesh  e situata,  por nuk isha i sigurtë për asnjerën. Çfarë i kishte ndodhur kësaj gruaje të bukur? Thua të ketë bërë ndonjë skandal? Po si mundet, për tre muaj ajo nuk ka mësuar as ku bie tregu, rrugët, rrugicat. Le më që di shumë pak anglisht, madje më pyeste mua se çfarë flitej në altoparlant. Nuk e ngacmova më, por as ajo nuk ishte kurjoze të dinte për jetën time. Ishte e tëra e përqëndruar tek vehjtja e saj. Pas katër orësh udhëtim u fikën dritat, secili nga pasagjerët mundohej të merrte nga një sy gjumë. Mbajta vesh, në të majtën time po dëgjoja një kuisje të lehtë. Gruaja e bukur po dëneste. I pëshpërita lehtë tek veshi:

-Çfarë të mundon? Të lutem, pak durim, si mund të të ndihmoj?

– Ore, nuk jam kurvë, nuk jam kurvë po të them…

– Unë nuk dyshoj aspak dhe as e thashë një gjë të tillë. Më duket se u solla shumë njerëzisht, aq më tepër që jemi edhe patriotë.

-Ja dhe ky, nuk them për ty ore, por për ata të shtëpisë sime, të  gjithë  më thërresin kurvë.

-Si, edhe femijët?

-Po kur më therresin ata më dhemb shpirti se sa për burrin…

-Sa janë fëmijët?

-Djali 13 vjeç dhe vajza 11…

-Si kështu?

-I ka bërë burri për vehte, m’i shkëputi fëmijët nga gjoksi..

Ajo fliste aq ngadal sa mua më duhej të përqendrohesha i tëri vetëm tek pëshpërima, dukej se ajo përpiqej të nxirrte jashtë shpirtit një mllef, një hidhërim të mbledhur lëmsh. Të vazhdoja pyetjet apo ta lija të mbytej në brengën e saj?  Një mungesë takti, një pyetje imja e pamatur mund të prishte magjinë e të treguarit. Vertetë njeriu i dëshpëruar ka nevojë të shkarkohet diku, por mund të mos isha unë njeriu i duhur. Heshta. Pas pak ajo vazhdoi:

-Tre muaj sikur kisha mbi kokë atë kullën e Torontos, hynte e dilte burri nga shtëpia dhe nuk thoshte mirëdita apo si u gdhive, por gjithënjë  më drejtohej; po hë, ç ’bëre moj kurvë?

-Te rrahu, të goditi ndonjëherë?

-Do ishte më mirë të më godiste se sa të më thërriste ashtu, por nuk më goditi asnjëherë. Djali që e bëra 13 vjeç as më fliste fare, kur mundohesha t’i thoshja diçka, ma kthente me tërbim: Largohu kurvë se bie erë malok. Fjalët e tij më nguleshin në mish sikur të ishin mijëra gjilpëra. Shpesh më ka shkuar mendja të hidhesha nga kati i 17-të ku ishte apartamenti, po nuk doja të  më prishej fytyra, nuk doja të më shihnin të vdekur aq të përçmuar. Pastaj me sy kërkoja liqenin, doja të mbytesha aty, por mund të mos më  gjenin kurrë, ose dhe po të më gjente policia, nuk do më merrte burri nga morgu, nuk e njoh do të thoshte.

-Ma bëre kokën tym, të lutem spjegohu më qartë, trego nga fillimi. Të kanë kapur me ndonjë dashnor?

-Nuk më ka kapur asnjeri, më ka denoncuar djali, ka parë që në dhomën time në Tiranë hynte një oficer policie.

-Dhe ti e pranove?

-Nuk kisha nga ia mbaja, u detyrova. Te nesërmen, sa mbrritëm në Kanada burri na mbodhi të treve dhe pyeti djalin: “Trego, bir i babit ato që më ke thënë  në telefon!”. Pa m’i hedhur sytë, ai tha:

-Nuk e dua për nënë, ajo na ka fëlliqur, na ka turpëruar, çuditem si ka sy e faqe të rrijë përpara ty kur në dhomën e saj ka futur një polic. Ne e kemi parë në mëngjes herët si ai polic dilte nga dhoma e mamit. E kemi parë me motrën nga vrima e çelësit duke ecur në majë të gishtërinjëve.

-Si, të paska shtirë në dorë një polic? Dhe atë e pranoje në shtëpi?!

-Histori e gjatë, nuk është polic i thjeshtë, por shefi i qarkullimit rrugor, është oficer policie. Kanadaja më hodhi në prehër të atij polici, mor vëlla, Kanadaja që mallkuar qoftë, më prishi me burrin, më prishi me fëmijët… burri më kërkonte shumë dokumenta, ia dërgoja të gjitha çfarë donte, por tek pashaporta e tij ngeca. Paguaj, me thoshte burri, por asnjeri nuk m’i merrte lekët. “Që të lëshojmë pasaportë, duhet të jetë vetë personi prezent..”, më thoshnin. U luta, u përgjërova, futa miq, por ishte gjë që nuk bëhej. U bëra si pare e kuqe përpara komisariatit. Të ishte në Vlorë e kisha rregulluar, por në Tiranë ishte e vështirë. Ishim transferuar dhe nuk figuronim të regjistruar në gjëndjen civile të Tiranës. Mirpo burri kishte deklaruar se banonim në Tiranë, ashtu siç ishte e vërteta.

– Po si u ndodh burri yt në Kanada?

– Burri im ka qenë kolonel, ishte për trajnim në Amerikë, ishte dërguar nga komanda e tij, por dezertoi vetë i dytë, kaloi në Kanada se Amerika nuk i jepte azil nga që kishte shkuar aty me shërbim, me vizë të rregullt.

-Dhe e fitoi azilin në Kanada?

-E fitoi, por me mundim të madh. Uuu, ç ’kam hequr unë për të mbushur ato dokumente, e paraqita si kundërshtar të regjimit. Durim, grua, më thoshte vulëhumburi në telefon, është përpara jeta e fëmijëve tanë. Në krahasim me çfarë bëhet aty, është parajsë. Dhe unë e besoja se çdo muaj na dërgonte rreth njëmijë dollarë, dilnin e tepronin për tre vetë. Po  unë kurseja, kurseja aq sa shleva edhe kredinë e shtëpisë.

-Çfarë pune ka bërë burri yt në Kanada?

-Në ndërtim, pllakaxhi, i jepet, i zënë duart.

-Po ti sikur më the se ka qenë kolonel…

-Ashtu ka qenë, por nuk gjeti punë më të mirë. Erdhëm, po si erdhëm?  Fitore si ajo e Pirros, thuaj.

-E kishim fjalën tek polici…

-Po, ai oficeri i policisë, kur një ditë më pa që po qaja para komisariatit, më pyeti se çfarë halli kisha. Ia tregova. Mirë, me tha, eja të pijmë një kafe e më trego shtruar. I shkoqita  fije për peçfarë kisha bërë e çfarë përgjigje kisha marrë.

-Nesër, më tha, në të njëjtën orë, me çertifikatat e lindjes dhe atë familjare, bashkë me nga dy copë fotografi, takohemi përsëri këtu. Unë nuk di të  gënjej apo mashtroj, jam malësor, më tha. Dhe  vërtetë nuk më gënjeu. Ia dhashë menjëherë. I kisha lënë numurin e telefonit, kur ai më merr pas një jave e më njofton “Ajo punë u kry..”. Qava nga gëzimi, bëra gjithe ato lutje, si ma nxorri zoti si me dorë të tij këtë njeri?! Kisha tre muaj që u telendisa me ato dokumente, tre muaj që m’u dukën si  tre vjet. E lamë takimin në një kafe tjetër. Vendosa t’i jap dhuratë 300 dollarë, megjithëse ai nuk më kishte vënë asnjë kusht. Nuk doja të mbetesha në borxh. M’u duk burrë i drejtë dhe i ndershëm. E kisha bluzën pak të hapur në gjoks, por ai asnjëherë nuk m’i  nguli sytë aty siç  bëjnë ata meshkujt e uritur. Nuk m’i pranoi dollarët. Vetëm shpenzimet që kërkon shteti do të paguash, ja ku është fatura, më tha duke ma vënë përpara. Ishte i vendosur. Jo, i thashë, jam vlonjate, nuk e hamë thatë ne, dua të të heq një drekë së bashku me gruan. E lemë për nesër, tha ai, sot jam i veshur ushtarak. Nesër e kam pushim. Të nesërmen erdhi pa gruan, i veshur civil, se si m’u duk ashtu, më i vogël në trup, më i qeshur, i veshur me kostum të shtrenjtë. E admiroja, e shikoja si shpëtimtar, më kishte hequr një barrë të rëndë nga kurrizi. Burri fluturonte nga gëzimi, dukej nga zëri kur fliste në telefon. Jepi paratë më tha, se për atë e bëjnë. Ama që kisha pirë kafe me të, nuk i tregova dhe as që e kisha ftuar për drekë.

-Gruaja ishte pak pa qejf, më tha, në se dëshiron, mund të shkojmë së bashku në një lokal “maloku” andej nga Sauku, ditë tjetër  jam shumë i zënë…

Mendova se ishte mirë të mos na shihte ndonjë vlonjat, kështu pranova kur tha “lokal maloku”. Edhe desha edhe nuk desha. Ama doja me çdo kusht t’ia shpërbleja mirësinë.  Po çudi, kisha krijuar besim të madh tek ky njeri dhe ndjehesha e mbrojur. Në fund të fundit çfarë mund të ndodhë  kur je  me kamarierë, guzhinierë  e  pronar lokali nëpër këmbë?  Sauku është pjesë e Tiranës.

U ulem në katin e dytë. Askush tjetër veç nesh. Pata një si ngjethësirë, por nuk e dhashë vehten. Porositëm drekën. Nuk marr vesh shumë nga restorantet, por e vura gishtin tek ato asortimentet më të shtrenjta. Unë do të marr një gotë verë, ti merr një pije çfarë të duash, më tha ai. Dhe unë mora një birrë, si më e lehtë si pije, nuk desha ta lë vetëm. Më shumë desha t’i bëja shoqëri. Fjalë pas fjale, nuk di se si  ajo pije më ra në kokë. Më kishte marrë malli për mashkull. Por edhe ai se si më shihte,  tjetersoj, sikur do më përpinte me sy. Pa dashur, nën tavolinë, m’u përzien këmbët e mia me të tijat. U bëra flakë nga trupi e nga turpi, por ama këmbët nuk i hoqa, sikur më qenë ngjitur me zamkë. “Të mbyllim derën!” – tha ai. U ngrit, e mbylli vetë me çelës nga brenda. Më sa e hape ti gojën që nuk ishe atje, aq e hapa unë. Lëre, dhe aty u bë e pabëra…Do ti që më hyri shumë për zemër?! Ishte e para herë që ia dridhja  burrit tim. Nuk rrija dot pa të, as ai pa mua. E trashëm shumë muhabetin, se mos vetem njëherë. Femijët e kishin parë…Megjithëse i kisha thënë të mos më vinte në shtëpi, ai justifikohej: ”Jam ushtarak, nuk mund të telendisemi hoteleve e moteleve…”, më thoshte.

Pastaj gruaja e bukur heshti pak, unë nuk e ngacmova më tej. Më preku me sinqeritetin e saj, ndoshta lartësitë në qiell të bëjnë aq të çiltër. Nuk di si ta spjegoj gjithë këtë tregim. Por digjesha nga dëshira që rrëfimin e saj ta çonte deri në fund. Bëra ç’bëra dhe e ktheva bisedën në Toronto:

-Sikur the se doje të mbyteshe në Liqenin e Ontarios.

-Pikërisht këtu në Kanada kur kisha vendosur t’i jepja fund jetës, ndodhi diçka e papritur, dhe thuaj që nuk ka zot, burri solli në shtëpi një vajzë polake. Ishte më e re se sa unë. Thoshte se ishte me profesion juriste, por në Kanada nuk i njihej diploma. Punonte si kashiere, si i themi ne, arkëtare, por burri e kishte njohur më parë, kur ajo punonte në një lavanteri. U tregua dobiç burri im, e prezantoi me parë me fëmijët, u tha se me mua nuk mund të bëhej më burrë e grua, por për hatër të tyre do më lejonte  të jetoja me ta. Me polaken kishte bërë një lloj kontrate që unë nuk e di se si, por ajo dinte gjithëçka për familjen tonë.

-Si, ajo ishte më e mirë se sa ti?

-Më e mirë? Po si të them ajo ishte më e re, bionde bio, por e shpëlarë.

-E durove dot?

-Ia di për nder sepse e hoqa nga mendja vetëtvrasjen, uu, thashë, ky të bëjë qejf me polaken dhe unë të kalbem nën dhe?! Më marrtë të keqen. Ama zieja nga inati, përvëlohesha nga brenda kur u dëgjoja rënkimet në dhomën ngjitur…Në mëngjes më  vinte t’i çirrja fytyrën me thonj. Po çfarë të beja, në vend të huaj, le që  isha fajtore, e kisha menderosur unë e para. Dhe burri im më dukej ndryshe; si nuk më hoqi njëherë një pëllëmbë, fjala e, e kurvë, ishte si të qëllonte me plumb. Polakes i sillte lule,  i blente parfume të shtrenjta, e puthte dhe e përkëdhelte në syrin tim, e çonte në koncerte, mua kurrë nuk m’i kishte bërë këto pekule.

-Ndryshoi sjellja e fëmijeve pas ardhjes së polakes?

– Vajza, po, më afrohej fshehurazi, shpesh ajo qante me mua, por djali jo. Polakja sillej aq mirë me fëmijët sa nuk ta merr mëndja. Ishte kodoshe. Dhe me mua shumë korrekte. Ç’është e vërteta janë më me kulturë se sa ne. Por unë vendosa të iki në Shqipëri. Aty kam prindërit. Në Kanada  kam lënë pjellat e mia, si do të duroj pa i parë, pa i përkëdhelur? Ia kam frikën asaj polakes. Ndoshta fëmijët do të më kuptojnë një ditë dhe do më falin. Nuk di çfarë do bëhet më tej, jam tym, jam turbull, jam lumë e përrua…..

Ndërkohë boingu  preku në pistën e Fjumiçinos. Ca mërmërima falënderimi për pilotin që e uli gjithë atë bina aq butë.  Duartrokitje. Po i afroheshim Shqipërisë.

Në Romë, gjithë pasagjerët e Tiranës presin ulur në stola nja dy orë transit sa të ndërrohen bagazhet e të  shkojë koha për t’u rinisur. Vlonjatja, nga sa pashë tek bileta e saj, quhej Drita, por diku më  humbi nga sytë, u zhduk nëpër dyqanë. Si nuk e pyeta për emrin e burrit, por më duket se më tha se ai ishte me origjinë nga Tepelena. Kur po hapej porta për të shkuar tek aeroplani i linjës së Tiranës, e vura re që po afrohej me një hap të pasigurtë, kishte rregulluar flokët, kishte bërë grim dhe në duar mbante një këmishë të shtrenjtë burrash, të sapoblerë. I qeshnin sytë.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Avdulla Kenaci, MALLKIMI, tregim i jetuar

A R M I K U

August 4, 2013 by dgreca

Tregim i jetuar nga Memisha Gjonzeneli – Tragjasi/

Ne Foto: Memisha Gjonzeneli-Tragjasi, burgosur politik, dekoruar  me  Medaljen   e  ARTE  ”Naim   Frasheri”/

Kishin  kaluar  shumë  vite,  që kishja dalë nga burgu, ku vuajta dënimin si “armik i popullit”.  Ishja vetëm 16 vjeç kur më arrestuan… Nje pasdite  po shëtisja buzë detit. Ishte verë, kembet i fusja në ujë për t`u freskuar dhe këpucët i kishja lënë në anë të detit.   Kishja humbur në kujtimet e mia, por  me pruri ne vete  nje klithmë gruaje:- Po mbytet,  ndihmë , ndihmë,  më  shpëtoni djalin, amani ndihimë  dhe donte të futej  në  det ashtu siç ishte e veshur.

Ktheva kokën nga vinin klithmat dhe pashë  gruan që bertiste me të madhe.  Në det përpara saj, mezi  dallova  një kokë  njeriu që herë  zhdukej  herë  dilte mbi ujë. S`mendova më gjatë  u leshova me  shpejtësi drejt djalit që po mbyetj.   Ndofta ishin  lëvizjet e fundit të  tij.  Kur u afrova  djali  u fundos dhe më humbi nga shikimi. U zhyta thellë pa menduar se ç`po bëja   e kërkova me sy në thellësinë e detit dhe mezi e pikasa, që  po e tërhiqte tutje rryma detare.  Ca flluska  ajri  po i dilnin  nga goja.  E kapa, pa menduar se ai mund të më merrte me vete edhe mua dhe fatmirësisht  e nxorra në sipërfaqe.   Ishte një fëmijë rreth 15 vjeç. E tërhoqa me mundim deri në breg, ku ishin grumbulluar edhe njerëz të tjerë.

E  ktheva  përmbys  me kokën  posht. Uji  filloi  ti dalë nga  goja . Nëna e tij lebetiste dhe   s`të  linte të punoje . E hipëm në një makinë,  dhe drejt e në spital. Sa e futem brenda,  une doja  te  ikja,  ishja zbathur se kepucet   i  pata  lënë  te  ana e detit dhe i  lagur, por nuk më lanë deri sa doli infermjerja dhe më  tha:

– Bravo! Ke shpëtuar një jetë njeriu.  Ky fëmijë ta  ka borxh  jeten. Ejani ta shihni.

Ishte dyll  i verdhe,  por po  e merrte veten. Doktori  kërkoi të afërmit e fëmijës, dy  qytetarë që më shoqëruan mua  ë thanë se ne  nuk e njohim  fare, e pamë  që kishte  nevojë  për  ndihmë,  e ndimuam, detyra jonë mbaron këtu.  Ashtu bëra edhe unë.

– Jo tha mjeku, ti do rrish këtu deri sa të vijë ndonjë  i afërm.

Pas pak u dëgjuan  të bërtitura  tek dera, ishte e ëma e fëmijës që ne nga nxitimi nuk e kishim marrë në makinë.

-Amani,    amani,  më shpëtoni  djalin se vetem  atë kam,  dhe hyri  brenda, ishte katandisur në ditë të  hallit.  Doktor,  të lutem më  shpëto  djalin, por nuk priti përgjigje shkoj  me shpejtësi në dhomën e të birit. Ai i hapi syte. Ajo  filloi  ta  puth dhe ta përqafoi duke falnderuar për  mrekullinë që  bëri  Zoti, pastaj  u kthye nga  unë  më përqafoj fort dhe më  puthi në të dy faqet.

-Te faleminderit,  te faleminderit , më   thoshte mua pa pushim.

Ndërkaq po mbrinte edhe i ati i  fëmijës që ishte oficer i Sigurimit. Unë i kërkova leje doktorit dhe u largova me shpejtësi, që babai i djalit të mos më gjente aty.  Dola jashtë, po ku do  shkoja ashtu i lagur dhe zbathur?  Me vite  shumë  turp  e ndërsa ecja ashtu i menduar  më kaloi pranë  me shpejtësi  nje  makine  police.  Ktheva kokën dhe e pashë. Në këtë makinë thash do të jetë edhe babai i fëmijës që unë i shpëtova jetën.

Pa s ca ditësh, rastësisht takova doktorin.   Sa më pa filloi  të qesh.

Ç`fare ke?  i them.

–  Atë  ditë, më tha doktori, që  ti solle fëmijën e mbytur,  erdhi i ati  i djalit.  Kur e mori  vesh  qe të birin e kishje  shpetuar  ti,  ju kthye  djalit i nervozuar:

– E shikon  ç`farë  na  ke bërë  mor  palaço. Djali  mbuloj  koken  me çarçaf. Edhe këtë kishim  mangut të na shpëtoj  jetën  një armik i popullit, një  i burgosur  politik !   Ata i njeh gjithë Vlora.

Ua  tha e shoqja e habitur dhe e trembur po unë e putha  edhe në  faqe!  Si?  bërtiti ai,  te  pa njeri?  Jo  tha  gruaja  vetëm  doktori.  Epo  doktori  është  yni.

Po ku   e dija unë  more   burrë se cili ishte ai,  po ta   shikoje  si  notonte në det, ai  sikur ecte me  këmbë në ujë.   Sa bertita unë e ai  u gjend te  te djali.

-Ah  moj  grua, tha ai i merzitur,  ti  nuk i njeh  ata se ç`farë armiqsh janë. Dosjet  e tyre  u vem  gjurin  kur  i shtërngojm kaq shumë  krime  kanë,  por harroje atë njeri!

–  Te  faleminderit  doktor,  i thash i menduar.

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Armiku, Memisha gjonzeneli, tregim i jetuar

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT