• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARRESTMI I HARADINAJ, TRENI RUS DHE POLITIKA LUFTËNXITËSE E SERBISË

January 16, 2017 by dgreca

  Nga  Xhelal Zejneli/Pas kërkesës për arrestimin e Ramush Haradinajt, Serbia ndërmori një akt tjetër provokues ndaj Kosovës – e nisi në Mitrovicë trenin rus, me mbishkrime çetnikësh. Midis tyre, edhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi“.Lidhur me rastin e sipërthënë, kryeministri serb Aleksandër Vuçiq përdori fjalë militante, si: tank, armë, luftë, vrasje, do t’i mbrojmë serbët…

Serbia ndaj Kosovës ndjek luftë speciale, luftë psikologjike, politikë luftënxitëse, politikën e forcës, të kanosjes, politikë agresive, destruktive dhe destabilizuese. Krerët serbë përdorin diskurs luftarak.

Beogradi është kundër bisedimeve në Bruksel me Prishtinën. Serbët marrin pjesë në bisedime vetëm formalisht. Ata kanë për qëllim të simulojnë se janë kooperues dhe konstruktiv. Me pjesëmarrjen në bisedimet e Brukselit, serbët në të vërtetë e maskojnë politikën e tyre destruktive.

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes i mbyllën sytë para kërkesës së Beogradit që të krijohet në Kosovë bashkësia e komunave me shumicë serbe. Në fillim, kjo bashkësi do të ishte pa organe legjislative dhe ekzekutive. Por, shpejt pas themelimit të saj, serbët do të kërkonin edhe krijimin e organeve të sipërthëna. Menjëherë pas kësaj, serbët do të tentonin që këtë bashkësi, tanimë me organe legjislative dhe ekzekutive, ta shndërrojnë në entitet serb. Pasi ta krijonin entitetin serb, atëherë s’do ta kishin vështirë ta shkëpusin dhe t’ia bashkëngjesin Serbisë.

Nuk duhet harruar se Uashingtoni dhe Brukseli, sa kanë interesa strategjikë te shqiptarët, po aq kanë edhe te serbët. Një Serbi jashtë ndikimit rus, është interes i jashtëzakonshëm i Perëndimit.

Duket sikur midis Brukselit, në një anë dhe Beogradit, në anën tjetër, ekziston një marrëveshje e mjegullt për publikun: Të krijohet në Kosovë një bashkësi komunash me shumicë serbe, ndërsa Serbia, ushtarakisht të jetë neutrale ndaj NATO-së dhe Rusisë.

Me fjalë të tjera, Serbia të mos lidhet ushtarakisht me Rusinë, apo të mos lejojë vendosjen e ndonjë baze ushtarake ruse në territor të vet. Si kundërshpërblim, të krijohej në Kosovë një bashkësi komunash me shumicë serbe.

Beogradi i kanoset Perëndimit me rusët: Po qe se nuk i merrni parasysh interesat serbe në Kosovë, atëherë Serbia do të anojë nga Moska dhe do ta sjellë Rusinë në Ballkan.

Mbase edhe në çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është implikuar faktori politik ndërkombëtar influent. Si duket, qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes i thonë Podgoricës: Le të bëhet Mali i Zi anëtar i NATO-së, si kundërshpërblim, kufiri midis tij dhe Kosovës do të përcaktohej në dobi të malazezëve.

Hyrja e Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike është edhe interes i shqiptarëve, por jo në dëm të tokave shqiptare. Uashingtoni dhe Berlini duhet ta kenë parasysh faktin se një pjesë e trojeve etnike shqiptare, që nga Kongresi i Berlinit (1878) deri në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-13) i është falur Malit të Zi, si: Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Tuzi, Ulqini, Tivari, zona e Malësisë etj.

Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që paqja në Ballkan të ruhet në dëm të territoreve të tyre, si dikur gjatë historisë. Sot Serbia dhe Mali i Zi nuk duhet të shpërblehen me toka shqiptare, si dikur në Berlin, në Londër dhe në Paris.

Shqiptarët në rajon duhet të kenë parasysh dy gjëra:

– e para, mbështetjen e miqve ndërkombëtarë që e kanë pasur që nga viti 1991 e këndej, sot e kanë më pak;

– e dyta, Rusia, për dallim nga viti 1991 apo 1999, sot tregohet më e konsoliduar.

Mbështetja e miqve ndërkombëtarë të shqiptarëve është zbehur për arsye të caktuara, si për shembull:

– gjatë periudhës së pluralizmit politik, klasa politike shqiptare dhe shoqëria civile, nuk kanë treguar kapacitet të duhur për të ndërtuar shtet ligjor dhe demokratik:

– segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare, me pikëpamjet e tyre orientale, paraqiten si antiperëndimorë apo edhe si antiamerikanë;

– individë apo grupe të caktuara shqiptare nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga Maqedonia, në kuadër të shtetit islamik, kanë marrë pjesë në luftëra të huaja, në Siri apo në Irak.

Kleri islamik shqiptar duhet ta ketë parasysh faktin se çështja shqiptare në Ballkan nuk është çështje fetare, por është një kauzë kombëtare, e cila nuk mund të zgjidhet pa ShBA-në.

Qëndrimet proturke, proarabe apo edhe proiraniane të një pjese të klerit islamik shqiptar si dhe të segmenteve të caktuara të shoqërisë shqiptare, shkojnë në favor të faktorit antishqiptar në Ballkan, sidomos të Serbisë, Greqisë dhe të Moskës, të cilat, para perëndimorëve i denigrojnë shqiptarët si mbetje turke në gadishull, si përçues të interesit turk në rajon dhe si popull që funksionon me sistem oriental vlerash, në Evropën demokratike.

Nuk mbrohet kombi shqiptar, aq më pak interesat strategjikë të tij, duke sharrë dhe duke mohuar figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, duke sharrë dhe duke mohuar Nënë Terezën.

Interes strategjik i kombit shqiptar nuk është lidhja me Turqinë, me botën arabe apo me Teheranin. Shqiptarët në Ballkan, të rrethuar nga grabitqarët sllavo-bizantinë siç janë Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe sllavo-maqedonasit, nuk mund të mbrohen e as të zhvillohen pa ndihmën dhe pa mbështetjen e ShBA-së dhe të Gjermanisë.

Pa ndihmën dhe pa mbështetjen e Uashingtonit, Kosova nuk e ka lehtë të mbrohet nga agresioni serb, nga synimet ekspansioniste, hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë proruse.

Për ta zhvendosur vëmendjen e Uashingtonit dhe të Berlinit nga kriza e Ukrainës dhe e Sirisë, Moska është e interesuar që të hapen vatra të reja krize, sidomos një e tillë në Ballkan.

Në Kosovë janë të pranishëm edhe faktorët ndërkombëtarë. Provokimet e Beogradit në kufi paraqesin sfidë edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

Shqiptarët ndjekin politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese në rajon. Serbia ndërkaq, e udhëhequr nga Nikoliqi, Vuçiqi dhe Daçiqi ndjekin politikë luftënxitëse. Beogradi fajëson Prishtinën për serbët e Kosovës. Ujku i thotë qengjit: Mos ma turbullo ujin!  

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ARRESTMI I HARADINAJ, TRENI RUS, Xhelal Zenjeli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT