-Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i udhëhequr nga kryesuesi Petrit Gashi, mori vendim që të formojë Komisionin për analizën preliminare të kërkesave kreditore si dhe Komisionin për përgatitjen e termave të referencës për studimin e fizibilitetit për Trepçën me orientime strategjike për zhvillimin e kësaj ndërmarrje/
-Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja në 30 dhjetor 2008: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Shkurt 2016/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i udhëhequr nga kryesuesi Petrit Gashi, në dinamikën e vazhdueshme të punës, diskutoi për një numër çështjesh të përcaktuara me axhendë. Sot bëhet e ditur se, me konsensus zgjodhi Bajram Zejnullahun zëvendës kryesues Bordi, ndërsa diskutoi lidhur me pozitat vakante në menaxhmentin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe me këtë rast aprovoi komisionin, rregulloren dhe procedurat e rekrutimit të menaxhmentit, si dhe përshkrimet e vendit të punës dhe mori vendim për shpalljen dhe publikimin e konkursit për pozitat vakante të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit menaxhues.
Bordi u informua edhe për zhvillimet lidhur me ndërmarrjen Trepça dhe kërkesat ligjore rreth riorganizimit dhe afatit ligjor për dorëzimin e Planit të riorganizimit. Bordi mori vendim që të formojë Komisionin për analizën preliminare të kërkesave kreditore si dhe Komisionin për përgatitjen e termave të referencës për studimin e fizibilitetit për Trepçën me orientime strategjike për zhvillimin e kësaj ndërmarrje.
Më tutje, në mbledhje, Bordi diskutoi për zhvillimet lidhur me punën e aktivitetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe shqyrtoi Raportin Vjetor të Punës për vitin 2014. Vendosi që ky raport t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas kërkesave të Ligjit mbi Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Poashtu, Bordi shqyrtoi raportet e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për periudhën deri në 31 nëntor 2015.
Bordi diskutoi edhe për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, sfidat dhe nevojat e Agjencisë dhe me këtë rast emëroi disa komisionie. Bordi diskutoi dhe miratoi emërimin e anëtarëve të Komitetit të Auditimit dhe zgjati mandatin e Komisionit për Shitjen e Banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore tek palët me të drejtë të shfrytëzimit.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nisi vitin 2016 me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-tën. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit emërimi i Bordit të Drejtorëve të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës dhe konstituimi i këtij Bordi në ditën e fundit të vitit 2015 është një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë.
“Gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve”, ka theksuar në konferencën vjetore për shtyp Avni Jashari, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues të kësaj Agjencie, e cila në mungesë Bordi kishte mbetur pa drejtor menaxhues.
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në 31 dhjetor, pak orë para ardhjes së Vitit të Ri 2016, ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, të udhëhequr nga Petrit Gashi, kryesues i Bordit, ku u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të Agjencisë.
Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat ka paralajmëruar se do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Kosovë -Strategji dhe Ligj për Trepçën
-Qeveria e Kosovës miraton themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për Sektorin Minerar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Gusht 2015/ Qeveria e Kosovës ka miratur vendimin për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për Sektorin Minerar, i cili përfshinë ministritë e caktuara, por edhe subjektet e tjera që merren me këtë fushë, që të japin një orientim strategjik lidhur me zhvillimin e këtij sektori në të ardhmen.
“Në fushën e zhvillimit të sektorëve të minierave dhe minerareve, në fokusim të veçantë do të jetë çështja e Trepçës”, ka bërë të ditur kryeministri Isa Mustafa.
Në konferencën e djeshme për shtyp ai paralajmëroi Strategjinë dhe Ligjin për Trepçën, që do bëhen.
“Do të fillojmë në vjeshtën e këtij viti, edhe njërën edhe tjetrën, me rastin e kompletimit të Bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Poashtu, do të punojmë tani në Programin për hartimin e Strategjisë minerare dhe përmes saj do të detajizojmë orientimet tona në të ardhmen”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Në fushën e minierave, vijoi Mustafa, kryesisht kemi të bëjmë me ligje të cilat krijojnë kushte për siguri në punë, ndërsa theksoi se, tek Trepça tani në mënyrë konkrete po punohet në dy projekte në minerën në Stantërg.
“Projekti i parë është hapja e vendpunishteve të reja në horizontin e dhjetë dhe në horizontin e njëmbëdhjetë, dhe projekti i dytë është riaftësimi i vendpunishteve në horizontin e tetë dhe të nëntë. Është një investim diku rreth 1 milion e 400 mijë euro”, tha kryeministri kosovar.
Ai bëri të ditur edhe se, është arritur poashtu Marrëveshja lidhur me shfrytëzimin e subvencioneve për Trepçën.
“Por, edhe njëra edhe tjetra ka të bëjë vetëm me pjesën jugore të Trepçës, jo edhe me pjesën veriore, sepse në pjesën veriore akoma nuk është arritur marrëveshja me të”, u shpreh kryeministri i Kosovës.
Çështje të zhvillimit ekonomik, pritet të jenë ndër temat e bisedës gjatë vizitës së sotme të kryeministrit Mustafa në komunën jugore të Mitrovicës, në të cilën është edhe miniera e Trepçës në Stantërg.
Në prill të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, pas të cilit u paralajmërua edhe një ligj i veçantë për Trepçën.
Drejtuesit e institucioneve të Kosovës gjatë vizitave në minierën në Stantërg kanë theksuar se institucionet kosovare do të angazhohen konkretisht që e ardhmja ekonomike e Trepçës të jetë e sigurt.
“Trepça ka nevojë që t’i përshtatet kushteve dhe rrethanave të ekonomisë së të tregut lirë, si e vetmja mënyrë që kapacitetet e saj prodhuese të rivitalizohen, të zgjerohen edhe më shumë, të rritet fuqia e saj eksportuese, që të gjenerojë zhvillim për vete, Kosovën dhe qytetarët e saj”, kanë theksuar ata.
Pasuria minerare e nëntokës së Trepçës arrin vlerën së paku 13 miliardë euro, sipas një studimi të fizibilitetit të kryer nga ekpertë vendorë dhe ndërkombëtarë, vite më parë, por mendohet se është edhe shumë më e madhe e në vlerë më të lartë.
Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para mëse 16 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial.
Sipas historikut të Trepçës, hulumtimet gjeologjike kanë filluar në vitin 1924 nga gjeologët anglezë, ndërsa dy vite më vonë (në 1924) në Londër formohet një shoqëri aksionare e njohur me emrin Trepça Mines Limited, e cila merr në koncesion shfrytëzimin e këtij vendburimi minerar për 50 vjet, e në vitin 1930 fillon prodhimi provues i minirealizimeve të sulfurit dhe plumbit.
Trepça nuk mbrohet nga ata që e shkatërrojnë Prishtinën
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi sot në mbledhjen e qeverisë se Trepça nuk mbrohet nga ata që e shkatërrojnë Prishtinën dhe kanë marrë mandatin për ta ndërtuar atë.
Duke shprehur keqardhjen për dhunën e djeshme të shkaktuar nga protestuesit, Mustafa tha se “qytetarët po keqpërdoren nga partitë politike për të ardhur në pushtet me forcë dhe për të shkaktuar trazira në Kosovë”, nënvizoi Mustafa.
“Trepça nuk mbrohet me dhunë ndaj policisë dhe shkatërrim të pasurisë shtetërore. Trepça tashmë është mbrojtur me Ligjin që pamundëson likuidimin e saj dhe do të mbrohet përfundimisht me Ligjin e veçantë, për të cilin kanë rënë dakord qeveria, minatorët dhe menaxhuesit e kompanisë”.
“Qeveria po ashtu kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos bien pre e partive politike, të cilat prapa kërkesave të tyre, fshehin dëshirën për pushtet. Qeveria kërkon nga opozita që kërkesat e tyre t’i ushtrojnë dhe t’i zgjidhin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku kanë hapësirën ligjore dhe kushtetuese”, nënvizoi Mustafa.
Kreu i qeverisë kosovare u shpreh se “qeveria zotohet se do të përkrahë të gjitha institucionet shtetërore, për të garantuar një jetë normale për të gjithë qytetarët dhe prioriteti i saj nuk është demagogjia politike, por prioritet është zhvillimi ekonomik, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, sundimi i ligjit në gjithë territorin e vendit, zhvillimi i gjithëmbarshëm i vendit”.
Ai tha se qeveria shpreh keqardhje për të lënduarit dhe përkrah policinë në garantimin e pronës publike dhe pronës private, si dhe për të lënduarit nga radhët e policisë, ashtu edhe nga ana e protestuesve, në protestën e ditës së martë në Prishtinë, në kryeqytetin tonë, në protestën e organizuar e cila kishte qëllime kryekëput politike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por tendenca e përdorimit të protestave për të dëmtuar pronat publike dhe private, për të sulmuar Policinë dhe Shtetin, është e papranueshme në një shoqëri demokratike. Policia e Kosovës, si një institucion i pavarur kushtetues, e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë, për të mbrojtur objektet shtetërore dhe pronat publike nga partitë politike, të cilat po keqpërdorin qytetarët për përfitime politike, me qëllim që të krijojnë trazira dhe të vijnë në pushtet me forcë”, nënvizoi Mustafa.
Kreu i qeverisë tha se “në një vend ku sundon ligji, ultimatumet ndaj institucioneve të pavarura janë të patolerueshme. Sulmi i opozitës ndaj Policisë së Kosovës, është sulm kundër shtetit të së drejtës, është sulm kundër vlerave më të larta të demokracisë dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura”.
“Në protestën e të shtunës qytetarët ishin thirrur që të protestojnë për Trepçën dhe shkarkimin e një ministri për shkak të një deklarate të pamatur, për të cilën ka kërkuar falje dhe me të cilën ne nuk jemi pajtuar. Protesta e së shtunës ishte dëshmia e qartë se synimi i tyre ishte dhuna, ardhja në pushtet nëpërmes trazirave dhe kishte për qëllim provokimin e situatës. Prandaj në protestën e djeshme, opozitës nuk iu bashkuan nënat e të pagjeturve, veteranët e luftës, minatorët e Trepçës dhe asnjë organizatë civile, për shkak se ato nuk përfaqësonin interesin qytetar, por vetëm atë politik të subjekteve që e organizuan protestën”, tha Mustafa.
Mustafa theksoi se qeveria i garanton të gjithë qytetarët e Kosovës, se situata e sigurisë është nën kontroll të plotë, nga ana e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, dhe nuk do të tolerojnë anarkinë dhe destabilizimin, që ju shkon në interes minuesve të shtetit ligjor.
“Qeveria ka një partneritet të fuqishëm ndërkombëtar me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet tjera mike, për të forcuar sovranitetin tonë të brendshëm dhe për të prodhuar paqe në rajon dhe për të qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për luftimin e kërcënimeve globale të sigurisë. Shteti ynë, Republika e Kosovës, dhe populli ynë i shumëvuajtur, ka nevojë për paqe, qetësi, dhe ka nevojë për zhvillim që ofron jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit”, përfundoi Mustafa.
“ Trepça” ngriti një sistem të tërë objektesh pune e studimi
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Gjiganti kosovar “ “Trepça” ishte eksportuesi më i madh në ish- Jugosllavi dhe në llogaritë e saj derdheshin mjete të mëdha devizore. Sado që prej tij mbetej pak në Kosovë ai ishte, megjithatë, boshti qendror i zhvillimit të përgjithshëm dhe sidomos të atij ekonomik të Kosovës. “ Trepça” me 21 mijë e 500 punëtorë ngriti një sistem të tërë objektesh pune dhe studimi. Objektet më të rëndësishme të saj në Kosovë, pos minierave në Stantërg, Kishnicë, Hajvali dhe Novobërdë, kishte arritur të ngriste edhe këto objekte: fabrikën e baterive industriale në Pejë, , “ Metalikun” në Gjakovë, “ Famipën” në Prizren, fabrikën NI CD të baterive në Gjilan, fabrikën e akumulatorëve në Mitrovicë, fabrikën e municionit të gjuetisë në Skenderaj, fabrikën e llamarinës së zinkuar në Vushtrri, fabrkën e bojërave dhe llaqeve në Vushtrri, , fabrikën e paisjeve për procesin e prodhimit në Mitrovicë, shkritoren dhe rafinerinë në Zveçan, Metalurgjinë e plumbit dhe të zinkut në Mitrovicë. Po ashtu, Trepça ka pasur institutin e vetë për zhvillim, Qendrën elektronike, Organizatën për furnizim të materialeve dhe shitjen e mallrave, laboratorë modern, Qendrën mjekësore dhe sistemin e transportit. Po ashtu pasuria e saj shtrihej edhe në pjesët tjera federale të ish- Jugosllavisë, si në Mal të Zi, Vojvodinë, Bosnje Hercegovinë e më së shumti në Serbi.
Në kulmin e prodhimtarisë serbët pushtuan “ Trepçën”
Siç mësuam unë dhe kolegu im Ymer Avdiu nga bashkëbiseduesit tanë Azizi Abrashi, Nysret Magjera dhe Dr. Safet Merovcinë nëntor të vitit 1999, gjatë vitit 1988, do të thotë në vitin e fundit kur punuan shqiptarët, ky gjigant shënoi kulmin e prodhimtarisë më të suksesshme, rrugë kjo që u ndërpre nga pushtimi klasik serb. Atë vit në Trepçë u arritë që të prodhohen dy milion e 100 mijë tonë xehe, koncentrat zinku 80 mijë, koncentrat plumbi 120 mijë tonë dhe pirit 120 mijë tonë. Plumb të rafinuar u prodhuan 103 mijë tonë, argjend 126 mijë kilogram, ari 242 kilogram, legura të plumbit 30 mijë tonë, bizmut 115 mijë kilogram dhe acid sulfurik 30 mijë tonë.
Metarlugjia e zinkut kishte realizuar 49 mijë e 500 tonë zink elektrolit, 6 mijë tonë legura të zinkut dhe 2 mijë tonë zink oksid, tre mijë tonë zink pluhur,145 mijë tonë acid sulfurik dhe 180 mijë kilogram kadmium. Kështu ishte në të gjithë kolektivat tjerë punues të këtij gjiganti që ia kishin lakmi edhe shumë partner të jashtëm me të cilët kishte kontakte afariste dhe bashkëpunim tjetër me interes. U bënë përpjekje të shumta që edhe në kushte okupimi kjo shtyllë e rëndësishme disi të shpëtohet. Kësisoj, në kuadër të mbrojtjes së kësaj pasurie të madhe që rrezikohej të gllabërohej, punëtorët e “ Trepçës”, sipas dispozitave të atëhershme në fuqi, këtë gjigant asokohe e shndërruan në shoqëri aksionare. Mirëpo, as kjo e as grevat nuk bënë punë, Sepse Serbia mu për shkak të pasurisë e pushtoi ushtarakisht dhe me akte arbitrare e shpalli pronë të Serbisë. Shqiptarët i largoi nga puna dhe pasi vetë nuk mund të prodhonte filloi eksploatimin e vrazhdë dhe krijoj situata të mjegulluara duke i futur kompanitë multinacionale në lojë.
Gjatë kohës së pushtimit serb prodhimi ishte katastrofik
Në të gjitha ndërmarrjet e Trepçës, deri në pushtimin përfundimtar serb më 1989, prodhimtaria dhe kapacitetet e saj përpunuese ecnin me hapa të sigurt drejt një të ardhme më të mirë të banorëve të Kosovës. Me kapacitet disponuese deri në vitin 1989 bruto- produkti vjetor ishte rreth v250 milionë dollarë, ndërkaq eksporti në pesë vitet e fundit ishte 140 milionë dollarë. Çmimi i metaleve të ngjyrosura ka qenë drejtpërsëdrejti i varur nga Bursa, mirëpo për shkak se Trepça kishte arritur të ngrisë kapacitetet përpunuese kjo dukuri jo e favorshme ishte eliminuar në masë të dukshme. Deri në këtë vit është arritur, bie fjala, që të prodhohen mbi 2 milionë e 100 mijë tonë xehe. Mirëpo këtë tempo të afarizmit të suksesshëm nuk arriti ta mbaj udhëheqja serbe, sepse ajo dëboi me dhunë të gjithë punëtorët shqiptarë. Thënë me gjuhën e ekspertëve shfrytëzimi i minierave pa punëtorë shqiptarë nuk ishte i mindur në masë çfarë janë frikësuar të gjithë, por ai eksploatim ka qenë shumë i vrazhdë.
Për dhjetë vjet kapacitet në Trepçë janë shfrytëzuar10- 18 për qind dhe ky ishte prodhim më karastrofik në gjithë historinë e saj. Është punuar vetëm me koncentrate të importuara ngaqë minierat kosovare nuk kanë qenë në veprim, por atje janë shfrytëzuar vetëm shtyllat mbajtëse që shërbenin për sigurimin e horizonteve, duke e rrezikuar në këtë mënyrë tërë xeheroren nga një shëmbje e përgjithshme që do të kishte pasur probleme të mëdha në riaktivizimin e sërishëm të saj. Prodhimi i dhjetë vjetëve mund të krahasohet me një vit prodhimi kur punonin shqiptarët.
Aventura që dëmtonin edhe shëndetin e banorëve
Më tej mësuam se duke mos pasur mundësi që pa punëtorë shqiptarë të aktivizojnë ndërmarrjet e Trepçës, udhëheqja e dhunshme serbe e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga regjimi në Beograd, u hyri disa aventurave që ishin jo vetëm në dëm të këtij gjiganti, por edhe të shëndetit të banorëve të Kosovës. Sipas Dr. Safet Merovcit, kjo udhëheqje fantome ka lejuar firmën greke Militeanosit që të përpunojë koncentrat në rafinerinë dhe shkritoren e Zveçanit, dyshohet, me sasi jashtëzakonisht të lartë të zhivës dhe arsenit. Pos në Trepçë askund tjetër në botë nuk kishte mundur të ndodhte një gjë e tillë për të rrezikuar në masë aq të madhe banorët e një vendi e më së shumti shqiptarët që përbënin 95 për qind të numrit të përgjithshëm. Dyshohet që koncentrati që është përpunuar në Zveçan është importuar nga Kolumbia, të cilin askush në botë nuk e përpunon për shkak të sasisë së madhe të zhivës dhe arsenit.
Shkatërrimet e objekteve të ndërmarrjeve të Trepçës pas luftës u dukën kudo. Serbia plaçkiti më të madhe makineritë dhe paisjet më moderne. Ndërkaq edhe ato që mbetën ashtu siç i la okupatori shumica prej tyre u shitën dhe fatkeqësisht asnjera prej tyre nuk e pati fatin që të vazhdoi me prodhimtari për çfarë ishte e ndërtuar dhe e planifikuar. Dhe tash shtrohet pyetja se si do të funksionoj gjiganti ynë pa ato objekte të domosdoshme përcjellëse për t’i sjell dobi dhe zhvillim më të hovshëm vendit tonë. Edhe pas 15 vjetësh të përfundimit të luftës gjendja e Trepçës mbeti pezull, ndoshta bukur shumë me fajin e faktorit ndërkombëtar, mirëpo edhe institucionet tona nuk ishin të vendosura për ta kthyer këtë gjigant në gjirin e saj dhe kështu përfundimisht të përfundoi kjo odisejadë e panevojshme që u zhvillua deri me tash. Është e kuptueshme se çdo nguti mund të sjellë pasoja të paparashikueshme, mirëpo, a nuk mjaftuan 15 vite që i gjithë materiali i nevojshëm të përgatitet dhe prona që i takon me të gjitha dispozitat ligjore edhe të atëhershme edhe të tashme të kthehet në qeverisje të plotë të institucioneve kosovare. Dialog nuk mund të këtë në asnjë mënyrë me Serbinë për pasuritë e saj, por duhet të këtë bisedime për të kthyer gjithë atë që ka plaçkit dhe që ka investuar Trepça në këtë shtet fqinjë.