Situata e rënduar e sigurisë dhe rastet e frikshme të atentateve me tritol, në disa raste në përmasat e akteve terroriste, kanë detyruar Kreun e Shtetit që të thërrasë pas shumë kohësh pushimi Këshillin e Sigurise Kombëtare.
Lidhur me këtë takim që do të mbahet ditën e nesërme ne oren 10:30 ne ambjentet e Presidences, ka pasur dhe një takim mes Presidentit Bujar Nishani dhe kryeministrit Edi Rama.
Edhe pse nuk ka kaluar pa debate ideja e Kreut të Shtetit, sipas burimeve të afërta me dy krerët e lartë të vendit, mësohet se një tjetër argument që lidhet me mbledhjen ka sjellë debate të forta mes Presidentit dhe Kryeministrit në mardhënie sigurisht të acarta që prej 23 qershorit.
Sipas burimeve të sigurta, krahas atyre që përbëjnë edhe bërthamën e Këshillit të Sigurise Kombëtare, Nishani ka lëshuar një ftesë edhe për kreun e opozitës Lulzim Basha, ftesë e cila nuk është mirëpritur aspak nga zoti.Rama.
Sipas burimeve, Kryeministri është dakorduar me Kreun e Shtetit për mbledhjen, por ka kundërshtuar fort pjesmarrjen në mbledhje të rivalit të tij politik që në këtë rast përfaqëson edhe Bashkinë e Tiranës si qytetar i parë i kryeqytetit.
Rama dhe maxhoranca e konsiderojnë si absurde dhe të papreçedentë pjesmarrjen e Kreut të opozitës në një mbledhje të tillë, ndërsa për Presidentin kjo konsiderohet si normale pasi edhe opozita ka rolin e vet në sigurinë kombëtare.
Sipas nenit 13 të ligjit themeltar të shtetit shqiptar, pika 5, “Anëtarë të Këshillit të Sigurise Kombëtare janë: Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Rendit Publik, Ministri i Pushtetit Lokal, Ministri i Financave, Ministri i Transportit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror”.
Një inisiativë e tillë e Nishanit është një tjetër pikë e fortë ku tashmë do të ndërtohet marrëdhënia në krizë mes shumicës dhe Presidentit, e cila hyn në një akt të vështirë pasi bëhet fjalë për një çeshtje të mprehtë siç është siguria kombëtare e vënë seriozisht në pikëpyetje nga seriali vdekjeprurës i tritoleve.
Gjithsesi, Rama e Nishani tashmë janë në një betejë, ku këtë herë në mes është lideri i opozitës, Lulzim Basha.