Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar nga Pentagoni për të planifikuar një paradë të madhe ushtarake në Uashington, gjatë vitit 2018, për ta treguar fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Për këtë plan është raportuar së pari dje nga e përditshmja Washington Post dhe menjëherë pas kësaj është konfirmuar nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.
Këtë kërkesë zoti Trump e ka bërë gjatë takimit të 18 janarit me zyrtarët e lartë ushtarakë, pasi raportohej se ishte i impresionuar me paradën franceze për Ditën e Bastilës në Paris, në vitin 2017.
Washington Post ka raportuar se Trump dëshironte një paradë të përgatitur mirë gjatë vitit 2018, por asnjë datë nuk është shpallur.
“Presidenti Trump është mbështetës i fuqishëm i anëtarëve të shërbimit të madh të Amerikës, të cilët e rrzikojnë jetën e tyre çdo ditë për ta siguruar vendin tonë”, tha Sarah Sanders.