Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se do të kërkoj “hetim madhor” lidhur me pretendimet e tij për vjedhje të votave gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të vitit të kaluar, përkundër konsenzusit të përgjithshëm se kjo gjë nuk ishte gjërësisht e përhapur.Në një postim të sotëm në rrjetin Twitter, zoti Trump tha se hetimet duhet të fokusohen në personat “e regjistruar për votim në dy shtete, ata të cilët janë ilegalë dhe ata që janë të regjistruar, por kanë vdekur”.Sipas tij, “varësisht nga rezultatet, ne do t’i forcojmë procedurat votuese”.Zoti Trump ka fituar me votat e Kolegjit Elektoral për çdo shtet, që ia mundësuan atij triumfin me dallim solid kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton.Por, zonja Clinton e ka fituar të ashtuquajturën votë popullore, pasi i ka pasur 2.9 milionë vota më tepër se Donald Trump.Zoti Trump pat sugjeruar se humbja e tij në votën popullore kishte ndodhur për shkak të mashtrimit votues, por ai nuk e ka arsyetuar pretndimin e tij.Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, anëtar i Partisë Republikane, tha dje se ai nuk ka parë dëshmi që e mbështesin pretendimin e zotit Trump.Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, po ashtu, dje tha se Donald Trump mendon se kanë votuar miliona imigrantë ilegalë.
Prof. Nikolla Pano: Nuk do të ketë ndryshime të mëdha të politikës së Trump në Ballkan
Njohësi i çështjeve të Ballkanit dhe profesori i historisë, Nikolla Pano vlerëson se zgjedhja e Donald Trumpit president nuk do të sjellë ndryshime dramatike në politikën e SHBA-ve në Ballkan. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Pano thotë se Shtetet e Bashkuara kanë si tipar themelor të politikës së jashtme, që Ballkani të jetë një zonë stabiliteti.
“Nëse do të ketë ndryshime, në rast se SHBA-të do të përqafonin një qasje më të ashpër apo më të butë ndaj Ballkanit, atëherë natyrisht që do të kishte pasoja. Për shembull, nëse Shtetet e Bashkuara do të mendonin se Rusisë i duhet lënë një dorë më e lirë në Ballkan, kjo mund të inkurajonte serbët të jenë më agresivë ndaj Kosovës, në kërkesat e tyre për disa lëshime në negociatat ndërmjet dy vendeve. Por sërish, unë nuk e shoh për momentin të ndodhë një gjë e tillë. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, e cila do të ndikohej nga disa zhvillime në vende të tjera të Ballkanit. Por, marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje kanë qenë përgjithësisht të mira dhe problemet që kanë lindur janë sheshuar. Sërish nuk parashikoj ndryshime të menjëhershme, por sigurisht e ardhmja afatgjatë është një çështje tjetër”, tha Nikolla Pano, njohës i çështjeve të Ballkanit.
Duke u ndalur te zhvillimet e brendshme në Shqipëri, ai vë theksin te kërkesa e komunitetit ndërkombëtar për zbatimin e Reformës në Drejtësi.
“Është bërë progres, por qëndrojnë pikëpyetjet për zbatimin e mëtejshëm të saj nëpërmjet akteve të tjera ligjore që duhet të miratojë Parlamenti. Ka pasur zvarritje, por komuniteti ndërkombëtar; jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por komuniteti ndërkombëtar si i tërë, vendet e BE-së; nxisin me forcë disa nga këto ndryshime që janë miratuar nga Parlamenti dhe që kërkojnë akte mbështetëse për t’i bërë të zbatueshme”, tha më tej historiani.
Sipas Panos, në Shqipëri ka pasur një tranzicion ekonomik, por edhe pse është bërë progres, përsa i përket shoqërisë ekziton pabarazia sociale dhe ekonomike.
Senatorët republikanë e sfidojnë Trump, verifikojnë ndërhyrjet e Rusisë
Ky është një qëndrim i kundërt i partisë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump i cili i fitoi zgjedhjet si i nominuar i republikanëve.
Trump ka hedhur poshtë dyshimet se Rusia ka pasur ndonjë rol në zgjedhjet e nëntorit, ndërsa është shprehur se ka dëshirë “t’ia kalojë më mirë” me Rusinë.
Udhëheqësi i Komitetit për Shërbimet Ushtarake të Senatit, John McCain, është duke e përgatitur një hetim rreth ndërhyrjeve kibernetike ruse në sistemin e armatimit amerikan.
Udhëheqësi i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker, të cilin Trump e ka pasur si kandidat për Sekretar të Shtetit, gjithashtu ka qëllim që të mbajë seanca dëgjimore gjatë vitit të ardhshëm rreth dyshimeve për ndërhyrjet kibernetike ruse.
McCain dhe Senatori Lindsey Graham janë dy republikanët që po mbajnë qëndrimet më të ashpra ndaj Rusisë, ndërsa kanë qenë shumë kritik edhe ndaj Trump për lëvdatat që i ka thënë për presidentin rus, Vladimir Putin.
Pas Hillarit në Sarandë, Trump në qytetin e emigrantëve vendas-Kamëz
Shqiptarët nuk kanë të sosur me paradokset e tyre. Pas Sarandës kohë më parë. Kur shpalli Hillari Klinton-in qytetare nderi, rendi i erdhi Kamzës. Qytezës së krijuar nga migrimet. Pra lëvizjet e popullatës brenda vendit. Një lloj i sojit të emigrimit. Kështu edhe Kamza. Qyteti i minierave dhe instituteve bujqësore të planeve pesë vjeçare në Shqipërinë socialiste. Atë demokratike etj. Do mblidhte në gjirin e saj popullatë heterogjene mes malsisë së Martaneshit, pra Burrelit. Dhe asaj rreth Korabit e Tomorit. Duke e bërë sot një qytet të madh. Aty në brinjë të kryeqytetit të shqiptarëve. Shkurt e saktë, është një qytet migrantësh. Të cilët sot janë ashti i saj. Mirëpo, ashtu si përciptas që jemi. Ashtu fluturaksa. I detyrohemi një medalje kallpe të porsazgjedhurit presdient i shteteve të bashkuara, Donald Trump. Megjithëse në politikat e fushatës së tij elektorale. Ai doli dhe deklaroi se gardhin prej hekuri midis Amerikës dhe Meksikës, do ta bënte mur të lart betoni. Si e si të ndali ardhjet e meksikanëve në tokën e premtuar. Sot ky është një mur ekzistent, i papërfunduar. Që presidencë pas presidencë shton miljet. Ose kilometrat…, Nga Kalifornia drejt lindjes nga gjiri i Meksikës. Madje ai përdori një shprehje vulgare të tillë si, do jenë pikërisht vetë meksikanët ata që do mbulojnë shpenzimet e betonit.
Kjo deklaratë është një nga hitet e botes së internetit edhe sot e kësaj dite. Shumë meksikanë gazmorë nga ana tjetër e kangjellave prej hekuri. Qeshin nën hijet sombrerove dhe thonë se do hapin më shumë pika shitje ambulantësh. Do shtojnë shkallët dhe padyshim që fitimi nga dhënia me qera e tyre, do jetë më i madh. Pra pa iu futur më thellë historikut të shëmtuar të murit. Të mureve në përgjithësi. Apo të gjerdheve me tela ku Europa është kampione e dasimeve. Që nga koha e blloqeve dhe e Gjermanive, deri sot tek rrjetat e Hungarisë, Bullgarisë etj…, me emigrantët sirianë. Pa përmendur shifrat e të vdekurve. Të atyre martirëve kacavirur kangjellave. Terur hekurave për të qënë të lirë. Dhe ku Shqipëria e ka më zi akoma këtë plagë njerëzore. Ne shkojmë e dekorojmë, bash aty në vendin e migrantëve. Atë më anti emigrantin. Kjo për të plasur syrin e keq. Të absurdeve me ok, tonat. Si një ironi e hidhur e vetvetes. Edhe pse kemi me dhjetra heronjë të heshtur. Njerëz nga e përditshmja jonë, që do zbukuronin më fort ashtin e sojit tonë. Prapë ne shkojmë përtej. Përciptas. Të bindur se po bëjmë më të mirën për vendin tonë. Kjo është një marrëzi që vetëm sojit shqiptar i përket. Dheut ku heronjtë e së përditshmes shesin sallatë jeshile. Mbijetojnë… në provincat si ato të El Dorados. Nën hijet e statujave në ajër. Gjoja të lavdishme për bindjet politike. Pikërisht pse janë kundër ekzistencës së tyre. Asaj së sotshmes. Mbledhur, gëzuar, dashuruar e trashëguar me njëri-tjetrin. Bërë fqinjë. Nga malësitë e Martaneshit, Korabit e Gramshit.
U qofshin ditët e marrëzive sa më të shkurtra bashkiakë provincash.
Ndryshe nuk ka se si i shpëton vithisjes ai dhe i bekuar.
RREZIK PËR MARRËDHËNIET SHQIPTARO-AMERIKANE?
Nga Frank Shkreli/Ishte kjo një deklaratë sa bombastike aq edhe e papërgjegjëshme nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga udhëheqsi i një vendi siç është Shqipëria e cila historikisht, por sidomos në këto 25 vitet e fundit, ka gëzuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara. Dhe për çka? Duket se Zoti Rama është futur në “pyllë pa kmesë” ndërsa iu përgjigj pyetjeve hipotetike mbi mundësinë e fitores së kandidatit republikan amerikan, Donald Trump gjatë një interviste në televizionin Klan- Kosova. Fitorja e kandidatit republikan për president Trump, deklaroi Kryeministri shqiptar, do të ishte një kërcënim ndaj vendit të tij dhe ndaj marrëdhënieve bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Sipas agjencive të lajmeve Rama u citua të jetë deklaruar jo vetëm si Edi Rama, por si Kryeministër i Shqipërisë dhe si i tillë ai u shpreh në emër të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve se sipas tij, “Donald Trump do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe pa dyshim është një kërcënim real edhe për marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”. Megjith peshën e rëndë të këtij prononcimi, Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim dhe asnjë fakt për të jutsifikuar deklaratën e tij se pse zgjedhja e mundëshme e Donald Trump do të kërcënonte marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Edhe unë si shumë amerikanë i kam mendimet dhe rezervimet e mia serioze për Donald Trump. Prandaj për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet e Edi Ramës për Donald Trumpin, por ka rëndësi fakti që ai e lidhë Trumpin me marrëdhënjet shqiptaro-amerikane dhe me pasojat që mund të ketë fitorja e tij mbi marrëdhënjet dy-palëshe.
Janë shumë gjëra që mund të thuhen e të shkruhen për këtë deklaratë të papërgjegjshme nga një udhëheqës qeveritar sa që njeriu nuk di se ku t’ia fillojë. Por si fillim: Le ta marrim me mendë për një minutë, se Donald Trump zgjidhet president i Amerikës, çdo bëjë Kryeministri Rama me 20 janar, 2017, ditën e inuagurimit të presidentit të ri? A do të njoftojë ai prerjen e menjëhershme të marrëdhënieve midis Tiranës dhe Washingtonit, në mënyrë të njëanshme? Çfarë do bëjë? A do të mbyllë menjëherë ambasadën amerikane në Tiranë dhe të përjashtojë gjithë personelin diplomatik amerikan nga Shqipëria? Janë pyetje për të cilat shoqëria dhe media shqiptare duhet të kërkojnë përgjigje prej kryeqeveritarit të zgjedhur me vota e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendin që sot konsiderohet si kryealeati dhe mbështetsi kryesor i të drejtave të shqiptarëve.Për ndryshe duhet bërë pyetja se pse bën një kërcënim të tillë publik Edi Rama? Është e pabesueshme që të merret me mendë që ai të dëshirojë me të vërtetë prishjen e marrëdhënieve, por nga ana tjetër është një deklaratë aq e papërgjegjshme sa të bën të mendosh. Me sa kam ndjekur fushatën për zgjedhjet paraprake këtu në Amerikë, mua nuk më kujtohet ndonjë rast që Donald Trump të ketë përmendur ndonjë herë Shqipërinë ose shqiptarët — as për mirë as për keq – prandaj lindë pyetja se çka e shtyri, çka e motivoi Edi Ramën të bënte një deklaratë të tillë, madje me vendosmëri, “e kam thënë e do ta them” nënvijoi ai, deklaratën e cila është shumë vështirë të tërhiqet tani.
Deklarata e Zotit Rama ishte krejtësisht a paprovokur. Reagimet ndaj deklaratës së tij duket se nuk ia çajnë fort kokën. Në çdo vend tjetër normal të botës, sidomos në vigjiljen e vizitës së Kryeministrit në Shtetet e Bashkuara, diplomatët dhe eskpertët shqiptarë do kalonin këtë fund jave duke u përpjekur të bënin atë që njihet si “damage control” ndaj kësaj deklarate të papërgjegjëshme të kryeministrit të tyre, si masë të parë dhe ndër të tjera masa, duke ftuar ambasadorin amerikan në Tiranë për t’i shpjeguar se në të vërtetë, “ajo që donte të thonte Kryeministri mbi marrëdhëniet amerikano-shqiptare është kjo dhe jo ajo..…se marrëdhënjet tona janë të forta pa marrë parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë….” e të tjera. Sepse ndryshe nga ambasadat shqiptare nepër botë, ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk përfaqson asnjë individ të veçantë ose një parti politike, por mbarë popullin dhe qeverinë amerikane, (përfshirë edhe Donald Trump) pa marrë parasyshë dallimet politike dhe partiake.
Është në rregull, por a pakëshillueshme për një Kryeministër shqiptar që me komentet e tija si individ i lirë që është, falë kryesisht rolit amerikan në rrëximin e komunizmit në Europë përfshirë Shqipërinë që të përzihet drejtë për drejtë në fushatën politike amerikane, në mbështetje ose kundër një kandidati të cilës do qoftë parti, kjo është e drejtë e tij siç është edhe e të gjithë neve. Por ajo që tërhoqi vëmendjen dhe pyetja që i duhet drejtuar Zotit Rama është: është e drejta e jote të kritikosh Trumpin ose këdo tjetër, po me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ç’pate, Zoti Kryeministër? Çfarë kanë të bëjnë ato me Donald Trump?
Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, i nderuar Zoti Kryeministër, nuk varen nga një person as nuk prishen prej një personi, as nuk kultivohen e as nuk përparojnë nga një parti dhe as duke u bazuar në ideologji ose në pikëpamjet e një udhëheqsi të caktuar ose të një partie. Sa për dijeni, Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe lidhjet me çdo vend tjetër, si marrëdhënie popull me popull — midis dy popujve të lirë, jo midis udhëheqsish në kohë të caktuara as midis partishë politike, bazuar në interesat e tyre ideologjike afat shkurtë e sy qorrë. Në të vërtetë, deklarata e Kryeminsitrit Rama mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në Kosovë është edhe një shuplakë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin pritet ta vizitojë këtë javë. Them shuplakë ndaj këtij komuniteti, i cili për një shekull punoi rëndë dhe me gjithë zemër për ruajtjen dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve midis dy popujve, të cilat kohët e fundit shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së tyre. Sepse historia e komunitetit shqiptaro-amerikan është në të vërtetë historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej kohës së Fan Nolit dhe Faik Konicës. Atëherë, si edhe sot – diaspora shqiptare në Amerikë madje edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri — ka luajtur dhe vazhdon të luaj edhe sot rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan. Diaspora shqiptare në Amerikë, të cilët mund të jenë demokratë ose republikanë për nga antarësia partiake, historikisht janë përpjekur të sigurojnë së bashku mbështetjen e përfaqsuesve të këtyre dy partive në mbështetje të kauzave të shqiptarëve. Megjithë ndasitë që ekzistojnë në çdo komunitet, në këtë pikëpamje komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë i bashkuar. Ka ditur të krijojë mbështetje për Shqipërinë dhe për Kosovën dduke kultivuar përkrahjen për shqiptarët nga presdientë amerikanë, republikanë dhe demokratë, si dhe nga anëtarët e Kongresit amerikan të të dy partive. Deklarata e Ramës mund të prishë këtë ekuilibër midis dy partive politike amerikane kur vjen puna për mbështetjen e intersave të shqiptarëve për të cilën ka punuar për shumë dekada komuniteti shqiptaro-amerikan. Përballë deklaratës së Z. Rama, lindë pyetja nëse udhëheqsi i sotëm i Shqipërisë i konsideron këto marrëdhënje si të tilla — të rëndësishme dhe të patjetërsueshme — me ose pa Trumpin — ose cilindo tjetër kandidat në Shtëpinë e Bardhë? A po ndoshta preferon të lobojë për një parti amerikane kundrejtë një tjetre. Jo se do të ketë ndonjë influencë në këtë përpjekje, por gabim më të madh nuk do të kishte për mirëvajtjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare kur kryeministri i një vendi si Shqipëria të shpallet publikisht pro ose kundër një kandidati në fushatën amerikane për president. Kjo nuk hecë në Amerikë dhe nuk pranohet as nga njëra as nga tjetëra palë politike amerikane. Është kjo një përpjekje që do përçante jo vetëm mbështetsit amerikanë të kauzave shqiptare, por do të shkaktonte ndasi të ngjashme si në kohën e komunizmit edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, gjë që do të kishte pasoja serioze për dy vendet. Prandaj duhet të ketë vëmendje ndaj deklaratave të tilla, nga një udhëheqës shteti.
Edi Rama nuk është as i pari as i mbrami, i cili si një individ ose si udhëheqës të qeverive të ndryshme që kritikon Donald Trump, pasi Trump duhet të kritikohet për shumë qëndrime të tia. Por deri më tani nuk kam parë ndonjë kërcënim nga ndonjë president ose kryeministër i ndonjë vendi që të ketë kërcënuar prishjen e marrëdhënieve bilaterale siç bëri Edi Rama në rast se fiton Donald Trump. Madje as udhëheqsit meksikanë, të cilët ndër të tjerë kanë kritikuar më ashpër se askush kandidatin republikan duke hedhur poshtë politikat dhe qëndrimet e kandidatit Trump karshi vendit të tyre, sidomos në lidhje me propozimin e tij për ndërtimin e një muri midis dy vendeve për të ndaluar imigracionin illegal. Madje as Meksika nuk ka kërcënuar prishjen e marrëdhënieve me Amerikën në rast të fitores së Trump, që tani duket si një alternative gjithnjë e më e pamundur, megjithëse këtyre gjërave nuk u dihet.
Prandaj, Kryeministri Rama do bënte mirë të mësonte diçka nga reagimet e më të mirëve udhëheqës botërorë në lidhje me këtë bisedë. Në një intervistë me gazetën Huffington Post, Kryeministri i ri i Kanadasë, Justin Trudeau u shpreh se megjithë ndryshimet e mëdha politike që ai ka me Donald Trump, nëqoftse është e nevojshme ai do të gjëjë mënyrat për të punuar me të, nëqoftse zgjidhet. Nuk është kjo hera e parë, shtoi ai, që ideologjia e presidentëve amerikanë dhe kryeministrave kanadezë, në të kaluarën, të mos ketë qenë gjithmonë në përputhje me njëra tjetrën. Por megjith këtë, midis dy vendeve janë zhvilluar marrëdhënje konstruktive dhe positive, theksoi kryeministri kanadez. Megjithë kundërshtimet e tija me politikat e Trumpit, udhëheqsi kanadez gjatë intervistës me Huffington Post as nuk e kritikoi as nuk e mbështeti kandidatin Trump dhe as nuk kërcënoi prishjen e marrëdhënieve midis Otavasë dhe Washingtonit, nëqoftse fiton Donald Trump. Kryeministri i Kanadasë shtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë tepër të rëndësishme për tu marrë me individ, por se njëkohsisht ai është duke ndjekur nga afër këtë moment tepër të rëndësishëm, “në demokracinë më të madhe të botës”, u shpreh udhëheqsi kanadez.
Edhe ti Zoti Rama mos u shqetso aspak, por të keshë besim dhe bindje se populli amerikan, siç nënvijoi ndër të tjera edhe Trudeau, ashtu si gjithmonë gjatë historisë, në fund të këtij procesi politik, do të dijë se cilin kandidat të zgjedhë për ta udhëhequr atë për katër vitet e ardhëshëm. Dhe njëkohsisht uroj që gjatë vizitës këtë javë në Shtetet e Bashkuara të bindeni dhe të zotoheni Zoti Rama – pa marrë parasyshë se cili nga kandidatët nga cilado parti politike qoftë, do të votohet me shumicë nga populli amerikan nëntorin që vjen – se marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan do të konsiderohen nga ju dhe qeveria juaj si tepër të rëndësishme për tu marrë me paragjykime ndaj kandidatëve të veçantë për president. Uroj gjithashtu që në fund të vizitës tuaj në Shtetet e Bashkuara të largoheni nga ky vend, i bindur se marrëdhëniet e kombit shqiptar me Washingtonin, sidomos në këtë periudhë kritike, mbeten të pazëvëndsueshme dhe në interesin afat shkurtë dhe afat gjatë për shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan. Uroj Zoti Kryeministër që në fund të vizitës në Amerikë, të largoheni gjithashtu – me besimin tek votuesit amerikanë, se më në fund, ata do të jenë të aftë të votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe se kur të këthehesh në Shqipëri të sigurosh bashkombasit tu se vendimi i votës së lirë të amerikanëve këtë vit, nuk do të ketë kurrfarë pasojash në marrëdhëniet amerikano-shqiptare megjithë deklaratën tuaj të papërgjegjëshme në Prishtinë, për të kundërtën. Këtë ua ke borxh shqiptarëve. Kjo është përgjegjësia jote.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- Next Page »