• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Turp e faqja zezë shoqëri shqiptare

April 5, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/Dielli

Sinqerisht është e neveritshme kur televizionet a webet shqiptare hapen me lajme rreth Amerikës, apo mbi gjoja konfliktin federal që është Trumpi dhe shtetet e tjera. Nga ana tjetër kur marrin si model të keq një rast varrimi në Shkodër si e si për të justifikuar qejfet perverse partiake. Kurse ata që përtypen përpara televizorit pohojnë se ne jemi popull që vetëm druri na bën esull. Akoma më keq kur themi se jemi në luftë dhe bëjmë sehir faktin se si akoma vazhdojnë e grumbullohen qytetarë të tjerë në trojet neutrale të Kapshticës, Kakavijës a Muriqanit. Lajmi i grumbullimit të qytetarëve shqiptarë në zonën neutrale të Kapshticës ishte edhe sot, por i fundit nga radha. Thjesht një kronikë lajmesh dhe kaq. Shkruajta edhe para disa ditëve për këtë problem. Dhe e di që shteti i babait as që do t’ia di, por mua më shqetëson regresi social intelektual që ka ndalur në dy fronte, atë të Edi Ramës dhe opozitarizmit që bën politikë në kohën e murtajës. Madje është e turpshme të transmetohen kalkulime me sondazhe se kush i fiton zgjedhjet e ardhshme. Ndërgjegjes a inteligjencës shqiptare dua t’i drejtohem. Ndërgjegjes profesionale qoftë edhe të atyre gazetarëve të rretheve kur transmetojnë lehtësisht se si një grup shqiptarësh, emigrantë kanë mbetur të izoluar në Kapshticë për shkak të urdhëresave qeveritare të izolimit. Mos u mjaftoni vetëm tek lajmi se puna quhet e kryer kur përfundon në të mirë të qytetarit dhe të drejtave civile si shtetar, si votues. Ndërgjegjes a inteligjencës për të demonstruar vitalitet ashtu siç tregoni duke bërë bravo Edi kur ai demonstron foto e mburret se dërgoi 30 mjekë në Itali. Kur shet Lasgushin për të transportuar 10 qytetarë amerikan deri në Romë a Stamboll, se nga aty i merr vet Amerika, si kujdes të tijin. Dhe me që ra fjala, Amerika i merr shtetasit e saj, sepse e ka detyrim kushtetues. Kurse ju aty dëgjoni disa gazetarë që dalin me vrap dhe thonë se Trump nuk mbyll qarkullimin etj., nuk u përgjigjet amerikanëve. Mbylja apo mos qarkullimi i shteteve të Amerikës nuk funksionin këtu si në Tiranën e Edit apo Teheranin e Hassan Rouhanit. Janë tjetër gjë ligjet federale dhe ato që ka në dorë një guvernator shteti. 

Ashtu sikur është sublim angazhimi qytetar. Të paktën merrni mundimin e informohuni, se ngaqë u flisni njerëzve aty për gjendje të jashtëzakonshme, por duket sheshit që nuk e dini se çfarë përmbajtje ka një vendim i tillë në një vend si Amerika. Por qëndrojini modelit të paktën tek inisiativat mbi individin. Eshtë e shëmtuar të dëgjosh nga vendi amë se përse kthehen emigrantët? Shqipëria është e mbyllur, të rrinë në Greqi. Atëherë lëri të vdesin aty, pastaj solidarizohuni me meme fejsbuku siç bëni me emigrantët sirianë që humbin jetën në brigjet e Egjeut. E fundit fare, jemi vend anëtar i Natos sa festuam përvjetorin e 11-të, nxorrëm makinat e ushtrisë nëpër rrugët e Tiranës. A nuk kemi forca të tilla që t’u vinë në ndihmë shqiptarëve tanë aty. Keni frikë se mos janë të infektuar? E çfarë domethënie ka kjo, lërini të vdesin. Absurditet! Nuk paskemi ne vendi anëtar i Natos t’u ngrejmë disa çadra fushimi, një staf ushtarak mjekësor, në fund të fundit ta bëjnë karantinën në çadër. Eshtë çnjerëzore t’i lësh në qiell të hapur. Apo është traditë shqiptare? Unë nuk e besoj. Megjithëse më trishton pa masë që një grup shqiptarësh teren në një tokë që s’është e askujt. Turp e faqja zezë shoqëri shqiptare. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Turp

Reagim nga ulqinaket e Çikagos, e patolerushme dhuna ndaj shqiptareve

June 27, 2017 by dgreca

Absurde apo jo shteti më i ri i NATO-s, shteti malazias po hesht ndaj dhunes dhe sjelljeve jo njerzore që u bënë ndaj të rinjve Shqiptarë në Ulqin./

Shoqata-ulqini-cikago

Ngjarjet e 17, Qershorit ngjallen habitje, shqetësim dhe pa knaqësi te mërgimtaret Shqiptarë nga Komuna e Ulqinit që jetojnë në Çikago! Aksioni dhe sjelljet brutale të njësive policorë nga qyteti i Tivarit që rezultuan në maltretime dhe rrahje fizike në disa lokalet e Ulqinit me ç’rast u lënduan një numër i madh i të rinjve u dënua ashpër nga të gjithë antarët e Shoqatës Ulqini në Çikago.  Me vemëndje i kemi përcjellur deklaratat e Cungut, Nimanbegut dhe Zenkes: Që kërkuan dorëheqje apo shkarkime të policëve, por në vendet demokratike personat që kalojnë kompetencat zyrtare denohen sipas ligjit. Absurde apo jo shteti më i ri i NATO-s, shteti malazias po hesht ndaj dhunes dhe sjelljeve jo njerzore që u bënë ndaj të rinjve Shqiptarë në Ulqin.  Besohet që qeverisë së Shtetit të Malit të Zi i intereson vetem ndihma e Shqiptarve kur në pytje është antarsimi në Nato apo ngritja e renomes të përgjithshme ndërkombtare.  Falenderimi i shtetit Malazias po shpërblehet me arrestime dhe rrahje fizike si sot dhe dje! Këto ngjarje ngjallin mosbesim dhe shqetësim tek ne dhe fëmijët tanë kur në pyetje është siguria e tyre kur vizitojnë vendlindjen e tyre. Andaj apelojmë te udhëheqësit e Partive Shqiptare, te Kryetari i Komunës së Ulqinit, Këshilli Nacional i Shqiptarve në Malë të Zi dhe të gjitha subjektet tjera që të marrin masa adekuate në preventimin e ndodhjeve dhe ngjarjeve të tilla! Në mënyrë që situata e 17, Qeshorit mos të përsëritet.

Kryesia e Shoqatës Ulqini Në Çikago

Filed Under: Mergata Tagged With: per shtetin e Malit te Zi, Turp, Ulqinaket e Cikagos

TURP

July 29, 2015 by dgreca

Shkruan:Ilir Levonja-Florida/
Ne nuk e njohim turpin ambasador. Pse flet kot më kot. Çfarë është turpi? E kemi humorin e qejfit shqiptar. Le të flasim një çikë me tone të larta. Nuk e di? Ta them unë. Tek ne nuk njihet turpi. Pasi zgjat fare pak. Tri ditë. Turpin e hamë me bukë ne. I këpusim edhe një gotë verë. Për qejf.
Po deshe inat, po. Atë e njohim. E kemi me shumicë aq sa na nevrikosen edhe vetullat. Sytë na flakërojnë. Nuk e kemi për gjë të vrasim vëllain. Qoftë edhe për një gjerdhishte. A e di se çfarë është gjerdhishtja. Një lloj muri më i fortë se muri kinez. Bëhet me kallama luledielli të tharë. Me thupra. Ose rakita. Ose kallama gardhi i themi ne. I kemi edhe ato me shumicë. I hoven rrugëve nëpër lagje. Jo baçeve. Rrugëve ore rrugëve. Rrugës ku kalojmë. Ato dhe ferrat. Dhe garrupet e zhavoreve. Gurëve.
Se nga ana e brendshme, ua presim këmbët. Nuk kanë se si të vinë nga baçja. Vetëm nga rruga. Mundësisht t’ia marrin shpirtin asaj, rrugës ku kalon vëllai apo fqinji.
Dhe e di, kur shkon në rrethinë, tek ndonjë mik a ndonjë shokë. Nga ata që banojnë në periferi. Kur kanë hovur kallamat qiellit. Kallamat dhe ferrat. Sidomos në pranverë. Të duket sikur po u futesh pyjeve me fidanë kaçubash të reja. Gjarpërojnë për qejfin e më të fortit. Jo të ligjit. Si ato në pyjet tropikale. Plot djersë e gjinkalla të bëjnë.
Ja më këto bëhen gjerdhishtet. Më kësi lloj kallamash. Me kësi lloj rakitash. Kanë në mes edhe nga një hu. Na duhet kur na nxehet gjaku. E shkulim fët e fët dhe varda, vëllait. Por tani ç’është e drejta i ka ikur koha. E kam fjalën për hurin. E kemi zevëndësuar me kallashnikovin e socialrevizionistëve. Nuk e di këtë? Reforma e madhe agraro-bujare e zotit shqiptar, ajo e vitit 1997. Na ra për rrisk. Shkurt nga dhjetë të tillë për frymë.
Lëre më pastaj edhe tritolin. Atë e kemi si llokumet. Ta qerasim me qejf. Sidomos kur je veti i shtatë në makinë. Qoftë me nënën, me gruan, kalamajt. Nuk duam t’ia dimë. Kemi gjak ne. Jo për gjë.
Por le t’i lëmë gjerdhishtet. Se ato janë pjesë e njerëzimit të madh. Popullit. Turmës. Le të flasim pak mes nesh. Mes veti. Ne shtresat e larta. Balli i këtij vendi. Balli i kuq, i gjelbër. Gjaku blu. Baballarët i kemi me nga një dhomë e kuzhinë. Nuk e di?. I ndërtuam me orë punë. Në bazë ndërrmarrjesh. Boll e kanë. Ata për vete janë të kënaqur. Ne bijtë e tyre kemi nga tri a katër vila. I bëm me të ardhura rrufe. Me zgjuarsi. Me zotësi. Sepse ne, nuk jemi si prindërit tanë. Ata e zjejnë kafen në bombla gazi Elka. Nga ato të Zamira Kitës. Mirë tu bëhet se nuk ditën për veten e tyre. Ngelën duke u ankuar për pensionet e ulta. U vret gojën buka. E kanë gojën akoma me amalgan. Dhe tela protezash. Ne flasim e qeshim me porcelan. Kafen e pimë me ttatuazhe qumështi. Vdesim për shqiponjën.
Ne jo vetëm që kemi kapur bollëkun. Modernitetin. Por edhe tangallëkun. Ne kemi edhe qenusha. Të japim leksione. Të tregojnë se sa e rëndësishme është jeta kur shëtit një qen. Kurse prindërit tanë i mbanin përjashta. Herë të lidhur e herë të zgjidhur. Nuk ditën. Injorantët. Kafsha është shpirti i butë. ne tani, ndaj ulemi studiove ndryshe, shpinë drejt, këmbë mbi këmbë. Dhe kur jemi me minifund, rrimë pak menjëanë. Me qenushin. Të veshur me Armani. Ne, fëmijët e parafabrikateve.
Turp. Po çfarë turpi. Po ec aty se tri ditë zgjat. Ndaje shtatë herë një qytet. Jepu kush të jep një dorë para. Jepi çfarë të dojë. Do tokë? Jepi. Do shtëpinë e atij tjetrit? Jepja? Punë e madhe se kush jeton aty. Do tender? Jepi. Do të dalë nga burgu? Nxirre. Mjaft që të marrësh një dorë leku. Çfarë do fol? Do televizion? Do gazetë? Do çmime? Do të bëhesh vip? Të rregullosh jetën? Kollaj. Bëhu LSI-ist. Gdhihesh doktor, profesor, inxhinjer…., madje edhe amerikan. Madje edhe personel i Ambasadës tënde ambasador. Çfarë të keqe ka. Nuk di anglisht? Kollaj. Të japim brenda orës edhe gjuhën angleze. Çfarë do vetëm fol. Krimin më monstruoz të kesh bërë, lirohesh për i çikë. Si djal i mirë lagjeje. Çfarë do. Do të bëhesh familje dëshmori. Pa problem fare. Gjej një kushuri të shtatëmbëdhjetë. Mjafton të jetë vrarë në kohën e luftës. Le të ketë qënë në banjo. Të bëjmë dëshmor. Do të bëhesh kulak? Pa problem. Gjej një nga kushurinjtë që ka thënë, nuk bëjnë specat e fushës. Në kohën e Enverit. Dhe kaq. Nuk ka gajle sepse ti je zëmëruar me atë, kushuririn. Ku di gjë ai. Ai le të hajë trahana. Çfarë do tjetër?
Turp?! Po çfarë turpi. Ec mos e vrit mendjen. Le të jesh betuar shtaqind herë si demokrat. Gdhihesh që nesër socialist. Po qe se ke dhe ca lekë nga trotuaret e Italisë së natës. Apo nga dritat e kuqe të Hollandës. Aq më mirë. Jepu gjysmat fshatit. Se ia marrim prapë me një tender sa për shtatë rrugë. Që do u bëjmë budallenjëve kur të vi fushata tjetër. Aq duan ata. Sa t’u lyesh buzën përsipër. Lekët futi në xhep ti. Janë të tuat. Ta dimë ne. A, kemi burrni për këtë. Dhe po u ndave nga ne sivjet. Nuk ka gjë, se do e sjelli puna që të bashkohemi prapë. Ja kështu. Dhe gdhihesh deputet. Çfarë? Do të shajnë gazetarët? U japim nga një çmim? Pikërisht pse të kanë sharë. U japim dhe ca fonde për ndonjë a dy vjetë. Dhe aq. Ja turp është ky? Eshtë zotësi. Se kot nuk themi ne, bëj mirë sa ke në dorë. Lëre çfarë flasin për ligj shqiptarët. Ligji i tyre, është ky çfarë thashë. Bëj mirë sa ke në dorë. Kaq. Unë ty e ti mua etj.
Turp? Jo, inat. Me inat po. Ndaj mbaje mend mirë, mister ambasador. Turpi është pjesë e një faqe njerëzore. Ku e drejta është universale. Po aty nuk ekziston një e tillë. Aty është e universalizuar në emra konkret. Dhe kjo traditë, vjen nga një traditë e vjetër pagane e jona, mbi perënditë. Pavarsisht se sot jemi më myslimanë apo më katolikë se popujt nga kanë ardhur këto besime. Dhe pavarsisht se ata pionerë të besimeve në Shqipëri, ata nuslimanë të mirë, apo katolikë të mirë, apo ortodoksë të mirë…, që i kujtojmë sa për tu mburrur. I kemi varrosur me kohë. Po të na japi Kina lekë, ne bëhemi edhe si të dojë ajo, budistë apo kinezë komunistë. Kështu që ato të lutura në sheshe, apo qirinjtë e mesnatës janë pjesë e shout të sojit shqiptar. Me baballarë tmerrësisht të varfër dhe djem tmerrësisht të pasur.
Pastaj, duket sikur e ke me shaka. Kur thua…, kur deklaroni që ka (një) deputet të inkriminuar. Me sa duket nuk e di (dini) historinë tonë. Atë që është i yni, është me ne. Ja kështu. Ashtu si puna e çmimit me gazetarin. Të quajmë kriminel kur nuk je me ne. Po, po pasi bëhesh me ne, je i kulluar. Je kristal, qelibar. Dhe ne të tjerët, ne meleonat…, turma kujton se nuk e besojmë që kështu është? Njëqind përqind. Dorën në zjarr e fusim, deri në rrëzë të sqetullës. Për atë qelbësirën vritemi e bëhemi copa. Pra nëse gazetarit i japim çmimin. Qelbësirës i japim lavdinë. Ndaj shkoqur…, me gjithë mend qënka vetëm një aty brenda? Sikur nuk vete. Kaq. Dhe nuk është aspak turp.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Turp

O SA TURP ME QENË SHQIPTAR!

July 5, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Anton Çeta kur ka marrë në analizë Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe ka dashtë me i karakterizu shqiptarët si gen e komb, ka ardhur në konkluzionin se përcaktorët themelorë të fondamentit kombëtar për mbijetesë kanë qenë burrnia, ndera, besa dhe mikpritja.
Sot është zor të gjesh shqiptarë që t’i kenë këto veti. Ka humbur burrnia, ndera dhe prej saj shqiptaria po rrezikon themelin që i siguroi milenarët. Shqiptari ka humbur vlerat kombëtare dhe është bërë një sharllatan i pacipë që rend pas fitimeve duke e shitur burrninë, besën, mikun dhe mikpritjen për para.
Ndërsa krenohemi se gjatë Holokaustit ishim të vetmit që ia ruajtëm nderin Europës sepse i mikritëm me besë hebrejtë, sot për turpin tonë kombëtar, do të kishte maskarenj që do t’i kishte shitur.
Dhe prandaj na vjen turp me qenë shqiptar.
Sepse i shkelëm në besë dhe i vramë çiftin e të rinjve çekë, që kishin zgjedhur vendin tonë me bukuri përrallore për të kaluar pushimet.
Ata kur do të ktheheshin në shtëpinë e tyre në Çeki, do të tregonin për detin e bukur në plazhin e Rrjollit, për Malsinë e Shkodrës, Vermoshin e Dukagjinin epik, por sidomos do t’u flisnin për mikpritjen legjendare shqiptare, që nga legjendë është kthyer në farsë . Michael dhe Anna do t’u tregonin miqve për magjinë e natyrës shqiptare dhe sidmos për bujarinë shqiptare që i pret miqtë me bukë e kripë por me zemër në dorë. Ndërsa tani lajmi i vrasjes së tyre e ka kthyer gjithçka përmbys. Shqipëria nuk është më e bukur derisa miqtë i vret me bukë në gojë. Ku ka ma keq se kaq. Ku ka degradim ma të madh se kaq.
Ah sa turp me qenë shqiptar!
Çifti çek, Michael dhe Anna i kishte thyer tabutë që thuhen për shqiptarët dhe shtetin e tyre. Ata e kishin idealizuar Shqipërinë, e cila në fakt i ka të gjitha të mirat e botës. Shqipëria është një vend me burime të pashterëshme parajsore, ka liqej, ka lumenj, ka Alpe, ka dete, ka 300 ditë diellore në vit, dikur ka patur edhe shqiptarë !– E për këtë do të duhej të ishte destinacioni i parë për Europën. Në fakt është një destinacion i hequr nga harta e turizmit për europianët. Shtetet e tyre u thonë qytetarëve europianë, kujdes mos shkoni në Shqipëri, sepse atje jeta që e ka krijuar Zoti s’ka vlerë, e koka të ikën për një grusht eurosh.
Sipas World Tourism Organization, Italinë e vizitojnë në vit rreth 50 milionë turistë, Turqinë rreth 40 milionë, ndërsa Greqinë 22 milionë. Shqipëria s’ka statistika, sepse s’ka turizëm. Në Shqipëri mund të bujtnin të paktën 11 milionë turistë, me një kosto të paktën prej 7 miliardësh Euro në vit, sepse të ardhurat nga turizmi elitar e me kosto të ulët për Turqinë janë 40 miliardë Euro. Europa nuk e pranon Turqinë në BE, por Turqinë e ka si detinacion turistik për shtetasit e Europës. Ndërsa Shqipëria s’është askund ! Vetëm në statistikat për korrupsion arrin vendin e parë. Dhe për qytetarët e saj më të palumturit e Europës, të cilët rrinë indiferentë përpara kësaj katrahure!
Tani që Greqia është në krizë dhe kur me qindra mijra turistë në ditë anullojnë pushimet e tyre në Greqi, Shqipëria do të duhej të ishte destinacioni i tyre i ri dhe më i bukur. Sepse Shqipëria ka mirëpritur dhe mikpritur në prejhistori, ndërsa tani është kthyer në një destinacion të frikshëm, ku miqtë dhe dashamirët i vret.
Ah sa turp me qenë shqiptar.
Nëse del ndonjë kriziter të më bëjë moral, ose të më kërcënojë, sepse këtu ka degraduar burrnia shqiptare, unë s’do të ndalem dhe do të them prapë ah sa turp me qenë shqiptar !
Dhe kështu do të jetë deri kur shqiptarët dhe shteti amë t’i kthehet gjenezës, thelbit, ashtu si e ka krijuar Zoti, sepse vetëm duke iu rikthyer atyre vetive të ndritura që shkruhen në Kanunin e Lekë Dukagjinit, Kushtetutës të parë të kombit, veti që i nxjerr në pah një burrë i pashoq si Anton Çeta, ne do të na kthehet krenaria kombëtare. Sepse ne dikur jemi krenuar ! Jemi krenuar për burrni e nder, për fjalë, për besë e mikpritje, kur shqiptari e jepte edhe jetën e vet për të mbrojtur Mikun. Ndërsa tani krenaria jonë është vrarë kur shqiptari e vret Mikun, kur shqiptari i vret dy miq të shqiptarëve, siç ishin çifti i dashuruar Michal Svatos dhe Anna Kosinova, që si dy idealistë të marrë besonin se shqiptarët e kanë të shenjtë kultin e Mikut, të besës e të mikpritjes!
Oh sa turp me qenë shqiptar!
Ndërsa sa për shtetin shqiptar, as që bëhet fjalë, ai është cinik dhe mjeran dhe për pushtet vazhdon e shet nder e vlerë ! Prej këtu ka nisur degradimi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, me qene shqiptar?, Turp

ISMAIL KADARE: DOSJET, TURP QE NUK JANE HAPUR

February 16, 2015 by dgreca

Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka folur në emisioni Shqip me Rudina Xhungën për çmimin e madh të Jeruzalemit, por edhe për atë që po ndodh në vendin tonë. Per Dosjet dhe per ikjen e kosovareve. Rrëfimi i shkrimtarit për atë që ka ndodhur në vitet ’90 dhe pse mosbesimi vijon edhe sot tek shqiptarët.
Rudina Xhunga: Ishte një ceremoni e jashtëzakonshme ceremonia e çmimit, ne YMCA, Jeruzalem. Çfarë lloj çmimi është ky në kategorinë e çmimeve tjera që ju keni marrë?
Ismail Kadare: Është e vërtetë që dimensionet e kremtimit të tij janë shumë të ndjeshme, shumë të fuqishme. Ishte presidenti i vendit, i cili foli relativisht gjatë, gjë e rrallë, dhe foli si profesionist, duke analizuar veprën në mënyrë konkrete. Presidenti paraardhës, ishte gjithashtu njohës dhe mik i letërsisë, unë e kam takuar disa herë, madje një herë ka bërë diçka të çuditshme. Me rastin e daljes së librit tim “Piramida” u bë një promovim për botimin në gjuhën hebraishte. U habita kur më thanë do ta kryesoj vet Shimon Perez. E kryesoi takimin si profesionist, me librin përpara, me nënvizime, duke theksuar anë të ndryshme. Dmth në këtë vend ka një traditë shumë të bukur që çmohet letërsia në nivelin më të lartë. Ky vend ka një status për t’u pasur zili në botë
Presidenti në fakt më bëri përshtypje kur fliste për librin tuaj “Aksidenti”. Menjëherë shkova më pas ta gjeja librin në hebraisht. Kishte shumë libra të tjerë tuaj, të botuar. Këtu, ju keni shumë lexues .
Kadare: Libri “Aksidenti”, është një libër i imi, i zakonshëm, nuk është as ndër të shquarit, as ndër ata më të paktët, si të thuash. Për çudi këtu ka pasur përhapje dhe sukses të ndjeshëm. Ky është fakt. Edhe unë u çudita kur përmendi disa herë këtë roman, siduket i ka pëlqyer mjaft.
Më ka bërë përshtypje, kur kam intervistuar dy shkrimtarë izraelitë Amos Oz dhe David Grossman dhe të dy flisnin për ju. Madje nuk harroj fjalën e Amos Oz: “Ka hapur një dritare për mua për të njohur Shqipërinë, e kam njohur nëpërmjet tij”. Çfarë bisede bën një shkrimtar me një shkrimtar tjetër?
Kadare: Është shumë e lehtë kur niveli i shkrimtarëve është pak a shumë i njëjtë, psikologjia e tyre është pak a shumë e ngjashme. Tjetër gjë është kur një shkrimtar është tepër i njohur, tjetri më pak i njohur e që dëshiron të njihet dhe bëjë karrierë por ska arritur ende.
R.Xh: Jeni ju i pavëmendshëm ndaj çmimeve? I keni marrë të gjithë çmimet që keni dashur?
Ismail Kadare: Në botë ka shumë çmime, por njeriu nuk mund të dalldiset pas çdo çmimi që merr. Çmimet kryesore dihen kush janë, unë kam marr disa ndoshta shumicën e çmimeve kryesore, që është Man Booker Prize, i cili jepet nga Britania e Madhe. Është çmimi që jep Spanja , çmimi Princi Asturias, ka disa ditë që është bërë Princesha Asturias ngaqë Princi u bë Mbret. Çmimi tretë më i rëndësishëm është ky i Jerusalemit megjithëse nuk mund të thuash se është aq i njohur sa këta në planin e përditshëm, por është shumë i fuqishëm, i theksueshëm nga ana morale, edhe temën e ka të bukur, jepet për lirinë në letërsi. Një çmim që e çmojnë shumë sidomos shkrimtarë që vijnë nga një botë problematike, nga një botë ende e pasqaruar mirë, siç është bota ish komuniste, ende me arkiva të mbyllura. Unë e thashë dje edhe në fjalim, që Shqipëria është shteti i fundit në hapjen e dosjeve sekrete. Liria është gjëja më sublime që ka krijuar njerëzimi, madje qëndron mbi njerëzimin vet. Nëse mund të mburret njerëzimi me diçka është se ka krijuar paradigmën e lirisë, por që ai ende nuk e arrin dot. Njerëzimi është nën nivelin e lirisë.
Ka një debat të madh për hapjen e dosjeve. Gjithmonë përsëritet ky debat, duket sikur je afër dhe asnjëherë nuk ndodh.
Kadare: Eshtë një turp që kjo nuk po ndodh. Nuk ka asnjë arsye objektive që mos të ndodhë. Ka shumë avokatë të moshapjes së dosjeve që gjejnë nga mënyrat më meskine për ta përligjur. Disa fillojnë nga një frazë që duhet ta keni dëgjuar shpesh; ata që bërtasin më shumë për hapjen e dosjeve e kanë mizën nën kësulë. Kjo është një mënyrë shumë dinake, vulgare dhe meskine për ta bllokuar procesin. Njerëzit thonë se prit se unë nuk po flas, mos kujtojnë të tjerët se kam ndonjë dosje. Janë mënyra të ulëta, dekurajuese. Ç’ti hapësh? Ato janë prishur të gjitha, janë vjedhur; thonë të tjerë. Asnjëherë nuk ka hapje dosjesh dhe arkivash, pa nxjerrë të vërteta të mëdha, pa nxjerrë të vërteta të hidhura për një shoqëri. Mirëpo bllokimi që i ka bërë Shqipëria vite me rradhë, justifikimet që kanë bërë pseudoanalistët , ndonjëherë mediat, akademikët, kanë një marrëveshje dinake të përgjithshme që kjo gjë mos të ndodhë. Kjo gjë na turpëron, sepse vendet e tjera sidoqoftë, mirë apo keq i kanë hapur, ne jemi në gradën më të fundit në Europë dhe nuk vazhdohet me arsyetime boshe për të kryer një gjë që duhet kryer. Shqyrtimi i ndërgjegjes njerëzore është absolut. Nuk është një luks, është një domosdoshmëri, nuk është një trill a kapriço, jo është i detyrueshëm.
Hapja e dosjeve nuk është kuriozitet. Çdo vend që ka shkuar përpara, falë kësaj ka shkuar.
Pse ju mendoni që mund ta çoj përpara Shqipërinë hapja e dosjeve?
Kadare: Vetvetiu e çon përpara. E nuk është siç thonë disa se do ndodhë tragjedi, do të ndodhë armiqësi, do të ndodhë ftohja e madhe. Jo, nuk është e vërtetë. E vërteta sado e hidhur të jetë ka logjikën e saj, ka një gjë pozitive brenda.
Ju folët për dosjet ashtu siç pranuat edhe faktin se vepra juaj ka një problem me lirinë për shkak se është vepër e shkruar në robëri. I ktheheni shpesh shpjegimit të veprës suaj, e ndjeni ju të nevojshme ta shpjegoni veprën, veten, Ismailin, Kadarenë?
Kadare: Ke disa detyrime kur je person publik. Unë mund të them mos më çani kryet, merruni ju, bëni ç’të doni, unë jam shkrimtar e nuk merrem, por herë pas here duhet të merresh, kur mashtrimi bëhet kaq publik, kur kalon çdo kufi, saqë është mëkat ta lësh të përhapet akoma më shumë. Më vjen turp ta përmend si shembull se është fare vulgar, por është hapur një legjendë sikur unë paskam sharë refugjatët shqiptarë. U bë gati gjë zyrtare, u detyrova të ndërhyj dhe nuk ia dola. Mashtrimi ishtë aq i fortë, saqë e mundi të vërtetën. Kohët e fundit ndodhi një ngatërresë me një revistë të huaj, i doli emri dikujt, e ky mashtrim u vu në revistë ndërkombëtare. Revista më pas kërkoi ndjesë. Është mirë, kur ka raste të tilla, të ndërhysh. Rasti i shkrimtarëve që kanë krijuar në joliri, në robëri, kjo është gjithashtu një nga rastet e mashtrimeve, që kanë prirje të bëhen zotëruese. Thuhet se ne që kemi shkruar në atë kohë vetvetiu kemi bërë letërsi të keqe, ose letërsi që s’ka pse të jetojë më. Ky problem duhet sqaruar. Letërsia është absolutisht shpërfillëse nga regjimi shoqëror, regjimi mund t’i bjerë në qafë, mund ta fusë në burg, ta pushkatojë shkrimtarin, ta torturojë por s’ka ç’i bën letërsisë, nuk e ndryshon dot letërsinë. Fakt që në kohën e Stalinit, në ish Bashkimin Sovjetik janë bërë tmerret më të mëdha dhe prapë shkrimtarët më të shquar të shekullit janë ata që kanë jetuar nën presionin stalinist. Letërsia është kundërshtim i tiranisë. Nëse është letërsi normale është antitiranike. Vetëm letërisa e keqe nuk është as antitiranike, nuk është asgjë në të vërtetë.
Në fakt nuk kanë dashur të thonë se letërsia juaj ishtë e keqe, kanë dashur të thonë se letërsia juaj, ju bën juve përfaqësues të realizmit socialist.
Kadare: Kjo s’ka asnjë kuptim. Çfarë kuptimi ka realizëm socialist? Realizëm i kohës së socializmit, është fare normale. Letërsi e kohës së komunizmit. Letërsi e realizmit socialist është letërsia që u krijua në atë kohë. Kjo fjalë as e dëmton, as e justifikon, as e lavdëron, nuk bën asgjë, është thjesht një term që e tregon, asgjë tjetër. Këtu janë thjesht spekullime të pafundme që bëhen. Disa thonë se na mbytën këto shkrimtarët e realzimit socialist, disa thonë se këta kanë mbetur po këta korifej edhe sot. Po kush i cakton këta si korifej? Letërsia ka ligjet e saj, s’ke ç’i bën ti si shtet. Letërsinë nuk e prish dot regjimi, letërsinë e prishin vet shkrimtarët. Pra nqs një regjim fabrikon shkrimtarë të pandërgjegjshëm, vetëm ata mund ta prishin letërsinë. Ashtu si një mur nuk ke nevojë ta rrëzosh duke e goditur me top, me artileri, por i vë tulla të këqija, që kur të kalojë pak kohë, të rrëzohet vetë. Pra po ne mund ta prishim letërsinë, po ne mund ta ndreqim. Ne jemi përgjegjës për të këqijat e saj, ne kemi meritën për të mirat e saj, ne shkrimtarët. Askush tjetër.
Po demokracia çfarë ndikimi ka te letërsia?
Kadare: Për çudi as demokracia, as liria që është gjëja më sublime në botë nuk e përmirëson dot letërsinë, ky është vërtetimi i kumit të pavarsisë së saj.
Dua t’i rikthehem edhe njëherë momentit që është folur për njerëzit që ikin, për njerëzit që lanë Shqipërinë. Është shkruar shprehimisht, Ismail Kadare tha se ata janë jashtëqitja e kombit.
Kadare: Kur ndodhi ikja e refugjatëve, akuza ishte e tmerrshme sepse doli që shkrimtari më i shquar shqiptarë i quajti brezin e ri që lë Shqipërinë atë që thatë juve, s’dua as ta përmend. Kjo ka ndodhur në fund të verës së 90, për 2- 3 javë unë do të ikja vetë. Kur kam ikur, unë kam bërë një hymn për këtë, për djemtë e vajzat që lanë Shqipërinë në atë mënyrë tragjike, e botova në shqip dhe në frëngjisht. Thashethemi u përhap, në fillim për të ekuilibruar këtë gjë, pas kësaj thashethemi u shumëfishua në formë hakmarrjeje kundër shkrimtarit. Unë shkrova diçka vërtet tronditëse, e kam botuar disa herë, kam përshkruar tablonë më dramatike që kam në letërsinë time, natën e ikjes së refugjatëve shqiptarë. Mashtrimi ka fituar mbi këtë fakt. Dhjetë herë mund të kem ndërhyrë unë për të korrigjuar këtë trillim, e pamundur, trillimi triumfonte gjithmonë. Kur u përsërit edhe në një revistë ndërkombëtare, u bë një skandal ende i pasqaruar plotësisht. Diktatura është jashtëzakonisht hakmarrëse, edhe e rrëzuar është hakmarrëse, ka mekanizmat e saj që veprojnë, është një frymë që ka mjete konkrete për të vepruar.
Çfarë e mban akoma gjallë këtë frymë?
Kadare: Këtë e mban një mllef i madh, një dëshpërim i madh që Shqipëria s’është më e tyre. Ka shumë njerëz që nuk e duan këtë lloj Shqipërie, njerëz që thonë; Shqipëria mos qoftë. Nuk e duan për disa arsye, se kanë humbur privilegjet e tyre, kanë humbur pushtetin që kishin, kanë humbur arrogancën e tyre, kanë humbur gjithçka, gëzohen, kur këtij vendi i shkojnë keq punët, shpirti ua do, që meqë nuk e gëzuan ata, Shqipërine, mos ta gëzojë askush. Kjo është gjëja më e keqe që po ndodh në Shqipëri, një frymë mosbesuese, një frymë e theksuar kultivimi dëshpërimi, e mungesës së shpresës. Po të shikosh njerëz krejt normalë, ndonjëherë, kur i pyet, pse ikni nga Shqipëria, thonë: Se kemi humbur shpresën. Ç’shpresë? Ai nuk di ç’është shpresa, koncepti shpresë. Çfarë shprese humbi ai njeri i thjeshtë, që lë shtëpinë e vet, lë tokën dhe ia mbath të arrijë në Vlorë, sepse u hapën fjalë se ka dy anije. Si shkon me gra dhe fëmijë, ky njeri?

Filed Under: Interviste Tagged With: ISMAIL KADARE: DOSJET, JANE HAPUR, QE NUK, Turp

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT