• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY HARRESAT E 22 MARSIT

March 25, 2014 by dgreca

22 MARS 2014 – U FESTUA SULLTAN NOVRUZI – U LANË NË HARRIM RILINDASIT BEKTASHINJ DHE 22 MARSI 1992!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

22 Marsi sivjet në Shqipëri u festua me një shurdh-memecëri  të plotë. Në kalendarin zyrtar kjo datë nuk është e përfshirë. Ku do të duhej të kremtohej si festë zyrtare e Shqipërisë, me të gjitha detyrimet.Kjo datë përkon me festën e Sulltan Novruzit, një degë e fesë islame që ka si doktrinë përsosjen e shpirtit njerëzor. Por politika shqiptare nuk ka as shpirt dhe as ndërgjegje, është e pashpirt dhe me ndërgjegjeblozë. Në kalendarin e Shqipërisë kjo është një festë fetare zyrtare.

Më 22 Marsin e 2014, në ditën e fitores të përmbysjes të diktaturës, e cila do të duhej të ishte një festë kombëtare, për ta kremtuar të gjithë, nuk u fol gjë tjetër veç për hashure me rrush të thatë e arra, për kurbane dhe byrek me jeshillëqe, në ngjyrë të togës të kryebektashiut që ka zëvendësuar të ndjerin Haxhi Reshat Bardhi.Si ditë e bektashizmit që kudërmonte nga era e kanellës mbi hashure, ishte rasti që të frymëzoheshe e të kujtoje vëllezërit e Rilindjes Frashëri. A nuk do të shkonte shumë bukur sikur  tek porta kryesore e selisë të Kryeqyshatës botërore bektashiane të lexoje të fiksuar nga kamerat një nga amanetet e Naim Bej Frashërit për shqiptarët: “Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhën tuaj!” Politikanët shqiptarë e kanë kthyer përmbys në antitezë të plotë amanetin që nuk e tret as dheri, ata janë të liq, ndërgjegjexirë, nuk e duan as vendin, as gjuhën e as kulturën.

Nuk u kujtua as 22 marsi 1992 dhe as humanistët bektashianë të Rilindjes. Në memecërinë e surrealit shqiptar, më 22 mars 2014 askush nuk recitoi ndonjë poezi të Naimit, askush nuk deklamoi ndonjë varg nga Begati e Bujqësi apo “Fjalët e Qiririt”. Shikoni sa bukur tingëllojnë: Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar,/Që t’u ap pakëzë dritë,/Natënë t’ua bënj ditë. /Do të tretem, të kullohem,/Të digjem, të përvëlohem,/Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,/Njëri-tjatërin të njihni. /Për ju do të rri të tretem,/Asnjë çikë të mos mbetem,/Të digjem e të qanj me lot,../ /Unë zjarrit nuk i druhem /Dhe kurrë s’dua të shuhem,/ Po të digjem me dëshirë,/Sa të munt t’u ndrinj më mirë./Kur më shihni se jam tretur,/Mos pandehni se kam vdekur;/jam i gjall’ e jam ndë jetë /jam në dritët të vërtetë,/Unë jam në shpirtin tuaj,/Mos më kini për të huaj,/ M’është falurë durimi, /Andaj po digjem si trimi….” Në Tiranë nuk u mbajt asnjë takim përkujtues për Samiun dhe veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘eshtë dhe ç’do të bëhet”, që këtë vit mbush plot 105 vjet nga drita e botimit; askush nuk e kujtoi as Abdyl Frashërin, ideologun e Lidhjes së Prizrenit, edhe ai bektashi. Pa Vëllezërit Frashëri s’ka kuptim Sulltan Novruzi, sepse feja e shqiptarëve është shqiptaria!

Por tani kur themi Rilindje nënkuptojmë partinë dhe anasjelltas. Ndërsa kur themi 22 Mars e çfarë kujtojmë?

E para që do të duhej të kujtonte 22 marsin 1992 duhej të ishte PD- e cila nuk u ndie fare. Vetëm Berisha e nisi ditën e djeshme fejsbukiane, duke uruar në fillim Sulltan Novruzin e pastaj  22 Marsin 1992 duke sjellë fotografi që e çonin në një kohë që e bënte të psherëtijë e murmurijë: “O tempora e mores”.

Normalisht, si një vend sekular që është Shqipëria, dita duhet të niste duke i blatuar respekte lirisë dhe humanistëve të Rilindjes.

Unë isha atë 22 mars. Raportoja si gazetare e bëja pjesë në oqeanin mbarëpopullor, kur populli shqiptar ia dha votën lirisë. Në vesh më ushtojnë ende meloditë e çmendura nga gëzimi të klaksonëve të veturave, ardhur nga Kavaja që përshkonin Bulevardin Dëshmorët e Kombit me dritare të hapura nga ku era e ngrohtë e marsit dukej se do t’i merrte me vete flamujt e kuq shqiptarë, flamujt amerikanë me yje dhe vija, dhe flamujt blu të PD-së. Ishim të dehur nga aroma e lirisë dhe të mbushur me shpresa, të cilat tani 22 vjet pas 22 marsit 1992 janë kthyer në iluzione dhe deluzione. Populli shqiptar ka mbetur i kryqëzuar dhe i lidhur si Prometeu prej politikës të mbrapshtë për 22 vjet.

Por megjithatë, të gjitha zhgënjimet dhe pësimet së bashku nuk e cënojnë bukurinë dhe magjinë e ringjalljes të sovranit atë 22 mars 1992. 22 marsi 1992 është dita e kauzës të lirisë. 22 marsi 1992 është dita ku vullneti i popullit u shpreh për të rrëzuar sistemin e kalbur nga lufta e klasave, urrejtja, ndasitë, izolimi, Gulagët shqiptarë, burgjet dhe vrasjet politike me motivacion ideologjik përmes vëllavrasjes.

22 marsi 1992 është bekuar jo se i dha pushtetin një grushti njerëzish, të cilët u sollën si despotë të gjithëpushtetshëm, por sepse demonstroi pushtetin që ka oqeani i uraganit popullor.

Prandaj politika e mban jashtë kalendarëve zyrtarë këtë datë të historisë moderne shqiptare. Festohet 29 nëntori 1944 që njihet si dita e pushtimit të Shqipërisë nga diktatura, ndërsa 22 marsi 1992 ende jo.

Edhe Festa e Sulltan Novruzit festohet në mënyrë të tillë ku dekulturimi i zë plotësisht vendin vlerave të kulturës dhe traditës. Nga qielli shqiptar na vërejnë bektashinjtë më të famshëm të të gjitha kohërave, ata që përbëjnë kuintesencën e Rilindjes Kombëtare, ata që u dogjën e përvëluan për të na lënë ne shqiptarëve trashëgiminë e tyre filozofike, kulturore dhe kombëtare, që mjerisht tashmë duket se gjatë këtij tranzicioni makabër nën dirigjimin e politikës është çrrënjohur nga trolli jonë plotësisht.

Jam dëshmitare e fitores të 22 marsit 1992 që përkoi me ardhjen e pranverës, ringjalljen e natyrës e Festën e Bajramit, si për të thënë se edhe Zoti e Natyra ishte bashkë me votën e shqiptarëve, verdikti i së cilës u hapi Shqipërisë dhe shqiptarëve dyert për t’iu bashkuar Europës.

Po ku janë sot shqiptarët, 22 vjet pas asaj dite të bekuar? Diktatura i mbajti në bunker për gjysmë shekulli, tranzicioni po i mban prapë të margjinalizuar dhe të penalizuar për një çerek shekulli tjetër. Dinozaurët e diktaturës dhe tranzicionit ua kanë ngrënë kohën shqiptarëve. Prandaj klasa politike e ka hequr nga kalendari këtë ditë e datë të shenjtë, duke e futur në karantinë. Por 22 marsi 1992 është dhe do të jetë, edhe për të na kujtuar se jemi të vonuar, edhe për të na treguar rrugën e lirisë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, U LANË NË HARRIM RILINDASIT BEKTASHINJ

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT