• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARRËDHËNIE ME ISH-PUSHTUESIT

August 8, 2018 by dgreca

1 SkenderNGA SKËNDER BUÇPAPAJ/

Sa për kujtesë: marrëdhëniet shqiptare me fqinjët dhe rajonin janë përgjithësisht marrëdhënie me ish-pushtuesit. Të tillë janë fqinjët e drejtpërdrejtë të shqiptarëve: serbët, malazezët, bullgarët, italianët dhe grekët. Të tillë janë edhe turqit. Vetëm kroatët, sllovenët dhe boshnjakët nuk janë ish-pushtues të shqiptarëve.

Marrëdhënie me ish-pushtuesit janë jo vetëm ato të vendeve të vogla, por edhe të shumë vendeve të mëdha. Shumë prej tyre, deri në kohët e vona, iu janë nënshtruar pushtimeve, revansheve, ripushtimeve mes tyre.

Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të pushtuar, asnjëherë pushtues të fqinjëve, vendeve të rajonit apo atyre të largët. Ky është i vetmi përjashtim në këtë histori.

Shqiptarët shkruajnë shumë në mediat sociale për marrëdhëniet e shteteve të tyre, Shqipërisë apo Kosovës, me ish-pushtuesit. Sipas disave, marrëdhëniet me ish-pushtues të caktuar, për shkaqe dhe arsye që ata i rendisin, duhet të jenë sa më zero.

Mirëpo marrëdhëniet me fqinjët janë marrëdhënie ndërkombëtare absolutisht të pashmangshme dhe absolutisht të domosdoshme.

Në marrëdhëniet me ish-pushtuesit janë parasysh, ndër të tjerë, këta faktorë kryesorë: 1. A kanë këta ish-pushtues pjesë të territoreve të vendit tënd në shtetet e tyre? Dhe a kanë pretendime territoriale apo ripushtuese ndaj vendit tënd? 2. A kanë probleme kufitare me vendin tënd? 3. A janë faktor pengues në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit tënd këto vende ish-pushtuese?

Nga fqinjët e drejtpërdrejtë të shqiptarëve vetëm një ish-pushtuese, Italia, përjashtohet nga këto grupime. Ekzistojnë të gjitha shkaqet, arsyet, mundësitë, perspektivat për marrëdhënie sa më të shkëlqyera dhe sa më të gjithanshme të shqiptarëve me Italinë.

Marrëdhëniet më të habitshme, për të përdorur këtu një fjalë sa më të butë, janë marrëdhëniet me Greqinë. Ky vend fqinj ka në fuqi, prej 78 vjetësh, ligjin e luftës me Shqipërinë. Greqia monarkike, në marrëdhënie armiqësore me shqiptarët, me të gjitha mjetet e saj, e pengoi Shqipërinë në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare dhe në funksionimin e saj shtetëror. Megjithatë, që nga koha e kolonelëve, u rivendosën dhe ekzistojnë marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Shqiptarët dhe grekët janë fqinj të drejtpërdrejtë prej mijëra vjetësh. Ata kanë bashkëjetuar në Perandorinë Romake, në Perandorinë Bizantine dhe në Perandorinë Otomane. Vetëm prej rreth 200 vjetësh ata nuk bashkëjetojnë në një shtet.

Në Greqi jetojnë me miliona arbërorë (arvanitë), të cilët janë shtyllë e fuqishme e historisë dhe kulturës greke, shtyllë e fuqishme e shtetit modern grek. Prej vitit 1990 në këtë vend jeton dhe punon edhe një emigracion i ri prej gati një milion shqiptarësh, me ndihmesë të veçantë në ekonominë dhe në jetën greke.

Shumë nga mendjet e larta sot në Greqi e kanë kuptuar se alternativa më e mirë fqinjësore e grekëve janë shqiptarët. Aktualisht Tirana dhe Athina po punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse pas së cilës shpresohet që Greqia të mos bëjë pjesë në asnjë nga grupimet e mësipërme. Kështu do të ishte një vend me të cilin të ndërtohen marrëdhënie sa më të mira dhe sa më të gjithanshme.

Njohja sa më e shpejtë e Kosovës nga Greqia do të ishte një faktor tjetër me ndikim shumë të madh pozitiv në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Me pranimin e Shqipërisë në BE, për çfarë është e interesuar edhe Greqia, përsëri shqiptarët dhe grekët do të gjenin veten në një bashkëjetesë të re vlerash dhe përfitimesh të pafundme.

Vendi që bën pjesë thellësisht dhe tërësisht në tri grupimet e përmendura më lart është Serbia. Kjo ish-pushtuese e ka pjesë të saj në Kushtetutë Kosovën, të cilën e konsideron krahinë të jugut. Serbia i përdor të gjitha mjetet për të mos lejuar funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës dhe integrimin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Megjithatë, pak vjet pas mbarimit të luftës, pra prej vitit 2013, shqiptarët e Kosovës përdorin rrugët e Serbisë për të dalë në Evropë dhe për t’u kthyer nga Evropa. Gjithashtu në marrëdhëniet ekonomike të Kosovës përparësinë kryesore ekonomike e ka Serbia.

Shënjimi i vijës kufitare ndërshtetërore (demarkacioni) midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, njohja e ndërsjellët e këtyre dy vendeve, heqja dorë e Serbisë nga pretendimet territoriale dhe qëllimet ripushtuese ndaj Kosovës, heqja dorë nga çdo lloj pengimi të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndëkombëtare do të hapnin një mundësi reale për marrëdhënie sa më normale fqinjësore midis shqiptarëve dhe serbëve.

Marrëdhëniet e shqiptarëve me Turqinë, ndërkohë, janë marrëdhënie me një ish-pushtues dhe sundues 500 vjeçar. Në këtë kategori, përveç shqiptarëve, bëjnë pjesë edhe dhjetëra vende të tjera.

Turqia është një ish-pushtues pa pjesë të territoreve shqiptare në shtetin e saj. Është një vend pa pretendime territoriale apo ripushtuese ndaj shqiptarëve. Është një vend pa probleme kufitare me shqiptarët. Është faktor përkrahës në marrëdhëniet ndërkombëtare të shqiptarëve dhe në të gjitha proceset e shqiptarëve.

Në Turqi jetojnë me miliona shqiptarë, të cilët janë atje kryesisht për shkak të shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga trojet e tyre në ish Jugosllavi dhe Greqi pas Luftës së Parë Botërore dhe deri në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Këta përbëjnë një faktor më shumë per marrëdhënie sa më të frytshme midis shqiptarëve dhe turqve, midis dy shteteve shqiptare dhe Turqisë.

Shqiptarët, në shkrimet e tyre të shumta në mediat sociale e në mediat e tjera për marrëdhëniet me ish pushtuesit, përpiqen që arsyetimet dhe argumentimet t’i mbështesin dhe t’i shpjegojnë nëpërmjet ndjenjave të tyre. Përtej ndjenjave të tyre negative ndaj marrëdhënieve me një vend të caktuar ish-pushtues është e lehtë të dallosh ndjenjat e tyre pozitive ndaj një apo disa ish-pushtuesve të tjerë.

Ata e paraqesin zhvillimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me një ish-pushtues si të dëmshëm ndaj zhvillimit të marrëdhënieve me një apo disa vende të tjera, të cilat marrëdhëniet tona me ish-pushtuesin e caktuar i shohin me një masë dyshimi.

Rregulli numër një, konstant, në marrëdhëniet ndërkombëtare është që marrëdhëniet mes dy vendeve të mos përdoren në dëm të një vendi të tretë. Një shtet, sado fillestar të jetë, i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë për të qenë i kujdeshëm dhe i vëmendshëm për të mos lejuar që marrëdhëniet e dy vendeve të mos shkojnë në dëm të një vendi të tretë, aq më tepër ato të mos shkojnë në dëm të miqve dhe aleatëve.

Ndërkohë, miqtë dhe aleatët, janë gjithmonë të interesuar dhe të prirur që miku i tyre, aleati i tyre, partneri i tyre, pra edhe Republika e Shqipërisë, edhe Republika e Kosovës të kenë marrëdhënie sa më të konsoliduara, sa më konstruktive, në të mirë të paqes, të integrimeve perëndimore dhe globale, me fqinjët, rajonin dhe më gjerë. Dhe po investojnë konkretisht prej kaq kohësh që këto marrëdhënie të vihen mbi shina sa më solide.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: aleatet, pushtuesit, Skender Bucpapaj, udheheqesit

ARVANITASIT – UDHËHEQËS TË KRYENGRITJES PËR PAVARËSINË DHE SHTETIN E GREQISË MODERNE

September 5, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA SHBA/

Ne Foto:Disa nga Kryeministrat e Greqise nga radhet e arvanitasve/

Shqiptarët në Perandorinë Osmane ishin kryengritës në çdo cep , në Selanik, Athinë, More, Epir, Kosovë, Nish, Shkodër, Manastir e kudo. Skënderbeu i Shqipërisë dhe në veçanti Shqiptarët e Moresë, u bënë promotorë të Rezistencës  dhe ishin baza për të mbajtur gjallë shpresën për Pavarësi nga Turqia edhe në territorin ku sot shtrihet Greqia.

Kryengritja për Pavarësinë e Greqisë e udhëhequr nga Arvanitasit u inicua edhe ndikimi i pushtimeve të Napolonit por do të ishte e pamundur pa ndihmën e Europës Perëndimore.

Lëvizja e parë erdhi nga Veriu. Philiqi Etaireia ishte shoqata që u themelua në Odesë më 1814 dhe shërbeu si forum për idetë që do të realizoheshin si primare për kryengritjen. Cari i Rusisë qe mbështetës i programit dhe aktiviteteve të saj.

Jani Kapodistria, me origjinë Gjirokastrite, politikani udhëheqës pro-Rus nuk u përfshi në të, ndërsa vëllezrit e tij ishin aktivë.

Në Mars të vitit 1821 princi Aleksandër Yplsilantis lider i Philiqi Etairea udhëhoqi kryengritjen prej zonave Danubjane të Moldavisë dhe Vallaçisë dhe kaloi lumin Pruth me trupat e tij. Mori mbështetje në Rumani por ekspedita e tij dështoi.

Në të njëjtën kohë më 25 Mars 1821 në Peloponez filloi kryengritja. Si kordinator shërbeu vëllai i princit Aleksandër, Dimitris. Liderë ishin fanarioti Aleksandër Mavrokordatos, Petrobey i Manit dhe Gjergj Kundurioti i Ishullit Hidra.

Drejtimi nga princi Ypsilantis ra dhe drejtimi i kryengritjes ra në dorë të udhëheqësve jo të rregullt, me origjinë Arvanite që i kishin shërbyer më parë Ali Pashë Tepelenës, udhëheqësi i parë që kërkonte shkëputjen në atë që sot është tokë e Greqisë nga Perandoria Turke.

Më të spikaturit  nga komandantët Arvanitë ishin Theodhor Kollokotroni në More, Odise Andruço në Malin Parnassus, Marko Boçari në Sul, Bubulina në Ishujt, Gogo në Epir, dhe Karaiskaqi në Mesolongji.

Në Prill 1821 u bënë luftime të ashpra në More. Filheleni Thomas Gordon e la kauzën. Që nga fillimi i Kryengritjes kishte një qeveri provizore me Asamble Kombëtare në Epidarius prej fundvitit 1821. Kishte një shpresë nga diplomati Jani Kapodistria për një shtet të Pavarur të garantuar nga shteti Ortodoks i Rusisë dhe tjetra nga Aleksandër Mavrokordatos me vështrim nga Perëndimi.

Kushtetuta e deklaruar më 1822 u përpilua nga Mavrokordatos. Fuqitë Europiane të përfshira në nivelin politik në Greqinë e asaj kohe donin dobësimin e Turqisë por shumë fonde financiare erdhën jo nga burime zyrtare por nga Filhelenët. Idealistët Britanikë dhe Gjermanë dhe nga vende të tjera u derdhën me heroizm dhe me para.

Lordi Byron, poet me famë, njeri imoral i detyruar të linte Anglinë më 1823 se do të ndëshkohej nga ligjet e kohës u bë agjent financiar dhe përfaqësues i Komitetit Grek që u formua në Londër për mbështetjen financiare për Kryengritjen më së shumti nga Lord Major i Londrës. Byron vdiq nga temperatura pa hedhur një pushkë kundër Turkut në shtëpinë e Aleksandër Mavrokordatos në Mesolongji dhe u thirr hero kombëtar!

Teatri i luftimeve përfshiu Morenë, Rumelinë dhe Mesolongjin. Popullsia e Athinës u shpërngul në Salamis. Më 23 prill  1821 Turqit morën Akropolin. Athinjotët të ndihmuar nga forcat shqiptare të fshatrave shqiptarë nën udhëheqjen e Odise Andruços bllokuan Turqit në Akropol. Nga Korriku në Nëntor 1821 Pashai  i Janinës Omer Vrioni ?

u përpoq ti çlironte forcat Turke të rrethuara gjer sa erdhi në komandën e Rumelisë Lindore. Pas luftimesh të ndihmuara nga Jani Koleti dhe Francezi Olivier Voutier ende nuk u arrit sukses. Turqit e neglizhuan furnizimin me ujë duke u bazuar vetëm tek mbrojtja e murit Serpentzi dhe kjo rezultoi në kapitullimin e  garnizonit Turk në Akropol  më 21 Qershor 1821.

Në Shtator 1822 në konferencën e Athinës delegatët kundërshtuan dhe shfuqizuan trupin e qeverisjes vendore të Rumelisë Lindore me Aerios Pagos. Odise Andruço u bë komandant i Akropolit, një lëvizje që mori më pas edhe fuqinë e Rumelisë Lindore.

Në fund të vitit 1822 Naplua ishte në duart e kryengritësve të udhëhequr nga Kollokotroni që mundën ekspeditën Turke të Dramali.

U vetëshpall shteti por ende luftoheshin forcat Turke për shpëtimin e fitoreve të kryengritjes pasi nuk kishte stabilizuar bazën kushtetuese.

Kollokotroni që luftonte për pozicionin e tij dhe për Greqinë nuk i njohu anëtarët e asamblesë së re kombëtare që u mblodhën në Astros në Dhjetor 1822.

Kjo Asamble zgjodhi Gjergj Kunduriotin President të Greqisë.

Në verë të 1823 Boçarin e vranë në Karpensis.

Lordi Byron, poet me famë, njeri imoral i detyruar të linte Anglinë më 1823 se do të ndëshkohej nga ligjet e kohës u bë agjent financiar dhe përfaqësues i Komitetit Grek që u formua në Londër për mbështetjen financiare për Kryengritjen më së shumti nga Lord Major i Londrës. Byron vdiq nga temperatura pa hedhur një pushkë kundër Turkut në shtëpinë e Aleksandër Mavrokordatos në Mesolongji dhe u thirr hero kombëtar!

Mbështetja financiare Angleze për Mavrokordatos u rrit që në Gusht 1822 kur George Caning u bë Sekretar i Jashtëm.

Vetëm Kundurioti si President ishte i autorizuar të shpenzonte kredinë Angleze ndaj Kollokotroni hoqi dorë dhe e pranoi atë në Nauplia. Greqia shkau në luftë civile dhe Turqit më 1824 me strategji të re ndërkohë vazhdonin luftën ndaj tyre në tre fronte.

Ibrahim Pasha prej Egjipti sulmoi Morenë. Flota Turke ishte në veprim në ishujt ku qëndronin Shqiptarët. Ishulli Psara u dogj me themel.

Ndërsa lord Byron ishte akoma në Mesolongji koloneli Leicester Stenhope mbërriti në Athinë më 2 Mars 1824. Ai nuk i besoi ambiciet e Mavrokordatos për Greqi demokratike dhe mendonte se lideri bandit Odise Andruço ishte burri i së ardhmes.

Odise si komandant i Greqisë Veriore ishte ligjvënës i Athinës me kryeqëndër në malin Paranassos. Stanhope hapi një muze,shtypshkronjë, gazetë që u dëmtuan sepse Greqia  ishte në anarki. Forcat kryengritëse treguan pak interesa në këto projekte dhe donin influencën e Odise Andruços ta bënin Athinën si kapitanlik të armatolëve. Tregëtarët formuan një garnizon dhe ftuan Dimitri Ypsilantes të merrte komandën e Akropolis . Forcat kryengritëse nuk e pranuan atë dhe Odise erdhi prapë në fuqi në Athinë mori në dorëzim gjithë pasuritë e saj më 2 Shtator 1824 kur themeloi edhe një asamble provinciale.

Komandimi i tij ishte brutal.

Në shkurt 1825 Odise Andruço po shihte se interesat e tij po kërcënoheshin nga qeveria e Gjergj Kunduriotit që nën influencën e ministrit Rumeliot Jani Koletitn po e nxirrnin atë në anë duke e sulmuar njëlloj si Turqit.

Sidoqoftë, organizimi i tij u tërhoq shpejt  dhe në prill 1825 Jani Gura (Gouras) mori kontrollin e Athinës. Odise Andruço u burgos në Kullën Frankish në Akropol.

Në mëngjesin e 17 Korrik 1825 trupi i Andruços u gjet i pajetë dhe u tha që ai ra në tentativë arratisje por gjithkush e dinte se atë e vranë autoritetet.

Në Greqi luftonin forca Franceze nën komandën e kolonel Fabvier dhe marina Angleze me komandant Lord Cochraine. Në verë të 1825 qeveria Greke ra, por më 1826 Asambleja e re kombëtare e mbledhur në Epidarius i dha aventurierit Richard Church komandën Supreme të ushtrisë Greke dhe komandën e Marinës ja dha lordit Cochraine.

Luftimet vazhdonin. Pas vrasjes së Jani Gura, Karaiskaqi ndihmoi të hapte rrugën për çlirimin e plotë të Athinës.

Në Shkurt 1827 Gjenerali Gjerman Heideck në Oropus u ndihmua nga deti edhe nga forcat e Miaulit.Ndërkohë Karaiskaqi komandonte drejt Pireut tre mijë forca sipas planit të  Asamblesë së Bashkuar në mars 1827.

Vrasja e më shumë se 200 trupave Shqiptare nën uniformën Turke që u dorëzuan në një Manastir  bëri që gjeneral Thomas Gordon të japë dorëheqjen. Karaiskaqi u përpoq të ndalte masakrën e Grekërve ndaj Shqiptarëve por pa sukses.

Më 4 Maj 1827 Karaiskaqi kishte marrë plagë për vdekje. Lufta vazhdonte në favor të Turqve. Ndihmat perëndimore u prenë sa në verë të 1827 Greqia tymoste. Traktati i Londrës më 6 Korrik 1827 i dha autonomi të kufizuar. Lufta mbaroi në Mars 1829 por Turqit nuk u tërhoqën deri në Shtator 1829 deri kur Rusia mori Adrianopolin që përfundoi me Traktatin e Adrianopolit. Sulltani njohu Mbretërinë e Greqisë në Korrik 1832. Kufiri ishte fiksuar me një vijë nga Arta në Volos.

Fuqitë Europiane në vitet e fundit të luftës ishin përfshirë me ushtri, para dhe diplomaci dhe më 1826 kur po konkludonin se çfarë kushtetueshmërisht ta bënin Greqinë – shtet të pavarur brenda Turqisë, me forcat Turke të larguar nga toka e tyre; republikë federale apo shtet presidencial dhanë pëlqimin të  gjenin një mbret për shtetin e ri.

Më 14 Prill 1827 Jani Kapodistria u zgjodh President i Greqisë me mandat për shtatë vjet në fillim në Trozen dhe pastaj në Nauplia që u bë kryeqytet. Kapodistria u kthye në tiran. Kështu Miauli rindezi kryengritje që u shtyp nga trupat qeveritare dhe klani i Manit  me Mavromihalin.

Më 9 Tetor 1931, ndërsa hynte në kishë dy anëtarë të familjes së Mavromihalit vranë Presidentin Kapodistria.  Pas kësaj u krijua një komitet qeverisës që mori kontrollin me në krye vëllanë e Kapodistrias, Agostinon dhe doktorin e Ali Pashë Tepelenës, Vllahun Jani Koleti. Anarkia u mbyll me mbretin kukull, 18 vjeçarin Otto, djalin e vogël të Mbretit të Bavarisë që miratuan Fuqitë Europiane  më 4 Tetor 1832 dhe e dërguan bashkë me 3500 trupa Bavareze më 1 Shkurt 1833 të merrte fuqinë si Mbet i Greqisë në Nauplia.

Për këtë material është përdorur burimi i Richard Stoneman në “A Traveller’s History of Athens”

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: artur vrekaj, Arvanitasit, e kryengritjes per pavaresi, te Greqise, udheheqesit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT