• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UDHËTIM I PAMBARUAR NË VENDLINDJEN E FIGURAVE HISTORIKE

October 24, 2017 by dgreca

1 aqif YmeriREPORTAZH NGA PËLLUMB GORICA/*
Ura e Vashës

Ura e Vashës në Klos, si një shtojcë e magjisë së natyrës/

Një udhëtim me sfond eksplorues, që nuk ngjan me frymën bajroniane të shtegtimit, por që riaktivizon energji të pashtershme ndaj natyrës dhe historisë, për të depërtuar nëpër labirintet, ku dora e njeriut ka ruajtur dritë-hijet e kohërave, kurioziteti e bën “ritualin” tepër pasionant e vizionin shpirtëror të prekshëm.

1 Guri i Bardhe ok

Ne Foto:Pamje nga Guri i Bardhe/

Relievi i Luginës së Matit me ngjyrën e kaltër të ujërave dhe faqet e thyera të brigjeve shkëmbore, si një tablo mbresëlënëse që ravijëzohet të shpërfaq malet, përjetimet s’i ka njësoj dhe as të pakrahasueshme me të mëparshmet. Ka veçanti në atë mozaik ngjyrash të natyrës, që bëhet frymëzim për piktorin, poetin, skulptorin, arkitektin, studiuesin, (për të gjithë ata, të cilët fshehin pak talent brenda vetes) dhe mund t’i nxjerrin në pah ato. Lumi i Matit me digat e dy hidrocentraleve të para shqiptare, të Shkopetit dhe Ulzës, me liqenet e krijuara prej tyre, të shndërruara në dritë, na rizgjon kujtesën e një kohe aksionesh të mëdha për ndërtimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, ku historia flet për muskuj e për burra, të cilët lanë pas këto vepra të mëdha, por edhe këtë peizazh pyjesh si tunel me klorofil. Janë pjesë të peizazhit që ndryshon kilometër pas kilometri, duke të krijuar ndjesi të mrekullueshme. Të shtojnë emocionet edhe vendbanimet me ndërtime të shpërndara, si dëshmi të origjinës shqiptare gjatë shekujve. Përmes tyre hyn thellësive historike të Matit, në rrënojat që fshehin gjurmët e Së Shkuarës, me këmbët e udhëtarëve të huaj, kronikanëve e studiuesve dhe dëshmitë e tyre.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA
Ne Foto:Liqeni i Shkopetit/

Mati është një tokë e banuar në të gjitha periudhat historike, me zanafillë nga qytetërimi prehistorik i Pellazgëve dhe i Kulturës Iliro-Piruste e më gjerë. Ato sot shpërfaqen, me shtrirje në tuma dhe varre ilire, vendbanime shpellash, objekte të epokës së Gurit, Bakrit, me mure fortifikimesh e qyteza antike, me ura e fragmente kalldrëmesh, etj, të cilat përbëjnë krenari edhe në legjenda, këngë, besime, veshje tradicionale të mrekullueshme dhe plot fantazi që, duke u thurur gjatë shekujve, kanë rrjedhur deri në ditët e sotme si pasuri e pashtershme kulturore apo edhe në epikën krijuese të poetëve të kësaj treve.

     Miq që afrojnë kohëra dhe figura historike

 Pas kthesave të shumta gjarpëruese, mbërrijmë në qytetin e Burrelit, ku po më priste me buzëqeshje miku im, Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” Mat. Pa u shtruar mirë në bisedë me njëri-tjetrin dhe duke këmbyer përshëndetjet e mirseardhjes të kapërcyeshme lehtë, vjen radha e kafesë në këtë pragmëngjesi tetori, si shenjë mirësie që ka rëndësi për pritjen e mikut, në sofrën matjane. Me Hamdiun, ndjehesh këndshëm edhe kur bisedon për historinë.

-Çdo vend ka historinë dhe mençurinë e tij, -thotë Hamdiu. – Ka pasur e ka burra të mençur e fisnikë. Kohërat me trajektore lëvizjesh që lindën me luftra, përplasje, kurthe, kërkuan edhe trimërinë e burrërinë e tyre, që as shekujt nuk i kanë tretur. Mati, si krahinë, i ka dhënë Kombit shumë figura historike: Gjergj Kastriotin, që bën krenar çdo shqiptar; të pakrahasueshmin Pjetër Budin, Rexhep Pashë Matin, Ahmet Zogun, Shahin Toçin e shumë të tjerë, që shkruan dhe ndritën historinë e ndritur arbërore.

Është pohuar se Kastriotët ishin matjanë dhe se në Mat kishin bazat e tyre më të fuqishme, si: kalatë e Stellushit, Petralbës, Xibrit, të cilat ishin fortesa, të të mposhtnin sulmet osmane, por që u shkatërruan pas vdekjes së Kryetrimit nga osmanët e tërbuar. Të tjerë pushtues do të nxitonin të nënshtronin shpirtin matjan, por gjaku i arbërit i thërriste ata, ndaj dhe bashkonin herë-herë armët në kryengritje e kuvende të ndryshme që të mbronin trojet e veta. Dhe si mund të ndodhte ndryshe në këtë vend të përcëlluar në histori, por edhe me patriotizëm për tokën, vendin dhe shtëpinë e tyre; me vuajtje, luftëra për mbijetesë, fitore, humbje, por dhe me fatalitete, shpresa, besim, etj. E kësisoj në atë ecje të Matit, hapi i tyre, herë kthehej në triumf, herë në ndëshkime kolektive.

Kafja, biseda, na prinë të kundrojmë mjediset e gjelbëruara e çlodhësë të Burrelit, që marrin të tjera vlera me statuja dhe buste. Në sheshin kryesor të qytetit përballesh me shtatoren e mbretit të shqiptarëve, Zogu I, birit të Matit, të kthyer këtu tashmë, në monument, në truallin e vet, ku i ra për hise epoka mbretërore shqiptare në fillimshekullin e kaluar. Dhe, pa e ndalur ecjen tonë vështrojmë bustin modest të Gjergj Kastriotit, disi në kontrast me madhështinë e tij e më tej te ambientet e gjimnazit të qytetit, atë të Pjetër Budit. Këta, kanë , aty historinë, që rrezaton për Matin dhe gjithë kombin tonë. Është paradoks që këto buste, të fshihen thuajse larg syrit të matjanëve (vizitorëve patjetër) e të duket sikur nuk u kanë dhënë vendin e duhur nëpër cepa lulishteje, apo oborre shkollash.

Cilido prej shqiptarëve tashmë po përjeton goditjen e dashurisë (madhështisë) për bëmat e figurave historike. Mos vallë jemi në krizë shpirtërore si pasojë e ca shqiptarëve antishqiptarë me qëllime antikombëtare, që po vrasin historinë e lashtë e vazhdojnë të tregojnë instiktet e tyre prej tradhëtari, duke mos lënë figurë historike (dhe jo) pa njollosur e përbaltosur, që të çojnë të ardhmen tonë pa krenari?!

Eh, Shqipërisë s’i ndahet mjegullnaja mbi kokë, edhe pse demokracia që erdhi premtoi se do të ndërtonte një shoqëri vlerash dhe jo “antivlerash” si ajo e Diktaturës. Por fizikisht kjo murtajë e ka lënë litarin jashtë, ku pengohemi, të ngatërruar sa nga një anë, në tjetrën, me ndasi partiake, duke humbur elemente të karakterit tonë tradicional, si: mençurinë, dinjitetin dhe hierarkinë e vlerave. Sepse shoqëria shqiptare dhe insitucionet nuk po gjejnë mënyrën për të pasur një relatë të përgjegjësisë mbi historinë tonë në këto zhvillime të reja, por jemi aty ku kemi qënë, duke ricikluar të njëjtat probleme me të njejtët protagonistë e ide. Por mbase erërat që po fryjnë do ta pastrojnë qiellin e bukur shqiptar nga retë që të shohin horizonte me dritë dhe të japin shpresë.

     Ftesë në vënde historike

U bë shkak një ftesë e Hamdiut që të vizitoja Klosin, i cili ndërshtrihet luginës së Matit, të cilin nuk mund ta kalosh pa përshtypjen e Së Bukurës mes malesh miqësore me pamje zanash e djepesh të lashtë, ku po na priste studiuesi i kësaj treve Aqif Ymeri. Është një njeri që meriton t’ja dëgjosh fjalët. Mjafton të dëgjosh emrin Klos dhe përfytyrimet të marrin udhën e historisë Së Largët, edhe këtu e pranishme dhe mbizotëruese së bashku, me këngën e zogjve, apo tringëllimat e zileve të bagëtive, (tek-tuk) me zërat e banorëve, ndërsa dielli lind e perëndon mbi këtë natyrë magjepëse, ku jetohet raliteti i sotëm, duke shpresuar për të nesërmen.

Ecim të nanurisur nga shushurima e lehtë e lumit të Matit, që gjarpëron në shtratin e tij të stërlashtë e sikur të përpin e të gllabëron së bashku me hijeshinë e tij, gjelbërimin e ngjyrosur, për të ngjallur në shpirt një ndjenjë kënaqësie. Nëpër horizontin e mjegullt vjeshtak, në ujin e kristaltë të lumit, me gjethet e verdha e në copëzimet e tokës, në faqet e rrëpirta, në hijet dhe dritën, të shfaqet dora e palodhur, kujdesi i pamunguar i mendjes së hollë të banorëve. Janë karakteristike vendbanimet këtu në ndërtime; secila me pamje të pangjashme, diku- diku të braktisura për shumë arsye, si ajo e infrastrukturë dhe kërkesës për më shumë dije e qytetërim. Kur njerëzit e larguar të jenë lodhur nga zhurma qytetare, ne do ta kërkojnë më shumë qetësinë e saj.

-Është bukur këtu, -thotë Hamdiu, -por pa investuar dhe krijuar ato që mungojnë, gjithëçka mbetet për t’u dëshiruar. Ne duhet t’i thërrasim ndërgjegjes shoqërore dhe politike që diçka të ndryshojë edhe për këto vende me bukuri natyrore.

Pasi përshkon rrugën mes një hapësire me gjelbërim të shoqëruar, me aromën e frutave të Vjeshtës, drejtimin e marrim për në Fshat (Fushat), Klos. S’di ç’të shohësh më parë në mirëqënien arkitekturore mes pemëve, kopshteve, avllive, oborreve të tij, shtrirë rrëzë një shpati shkëmbor. Në këto ndjesi të këndshme ardhjen tonë e përshëndet një tufë zogjsh dhe të lehura qensh. Është një idil i bukur fshati. Banorët, në një bashkëjetesë natyrale, japin e marrin me njëri-tjetrin reciprokisht me dashamirësi, respekt dhe atmosferë miqësore. Një model për gjithë shoqërinë njerëzore, që nga qeliza e saj (familja) e deri në organizma të tjera shoqërore, ekonomike e politike që të shton krenarinë. Ndaj edhe mikpritja për ne, (patjetër si e gjithë të tjerëve) në këtë trevë, ishte një privilegj.

   Gjurmë Lashtësie, në themelet e pazarit të Klosit

Të parin aty takuam Aqifin, një burrë i thjeshtë e i ndershëm, njohësi i mirë me frymë drite i zbulimit të kumteve shpirtërore e historike dhe vëzhgues i mprehtë i realitetit e problemeve shoqërore të trevës së tij. Përshëndetjet dhe pyetjet e pasuruan qëndrimin në shtëpinë e tij të fshehur mes gjelbërimit.

Rritet kurba emocionale e rrëfimit të tij kur filloi të bëjë gjeografinë e trevës dhe më tej historinë, duke ngritur lart vlerat, jo vetëm me nerv të hollë lirik, por dhe me argumente që i ka pikasur ato në kujtesën e të moshuarëve të zonës. Natyrisht biseda përzihet me shkëmbime mendimesh dhe (pse jo) me debat të kulturuar gjatë hulumtimit të vlerave historike. Ndaj ajo, e mbështetur në dashuri s’mund ta lejë Aqifin të rrijë duarkryq e me një zë mikpritës, të shëtit me sy e këmbë në pamjet e natyrës dhe aspektin arkeologjik me toponiminë (pëllëmb e vend histori), por edhe me zanafillë të shumë thesareve kulturore, të lëna në harresë si vend e kohë, por që vlerën e kanë të madhe.

Njerëz hulumtues me thellime të tilla vlerash ja shtojnë dinjitetin bisedës. Prandaj jemi me fat që i mësojmë dëshmitë të cilat ngrenë historinë tonë kombëtare në kohëra dhe përcjellin shumë opinione për të ardhmen. Jetojmë në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e njerëzve janë të pushtuar nga problematika të ditës dhe, kësisoj enigmat e misteret e depërtimit në histori e për të përceptuar ngjyrën, formën e natyrës, me përqasje në botën shpirtërore, i shohin si absurditet. Duke ngjitur shpatin të mbuluar aty-këtu me drurë, ku asfalti humbet për t’i lënë vendin rrugës me çakull, makina ecën lehtë duke u lëkundur nga gropat e shumta, që duket se nuk mungojnë në infrastrukturë, e cila bën apel për më shumë fonde nga shteti.

Vështrimin e kalon në tablotë e maleve, që ngrihen triumfatorë në formën e një verande gjatësore mbi luginën e Matit. Hedh shikimin mbi këto pamje madhështore dhe provon një ndjenjë krenarie prej bukurive natyrore. Hije resh rrinë pezull në një lartësi marramendëse dhe heshtja rreth e rrotull është sunduese. Dhe, si për të zgjuar heshtjen e Natyrës u hap biseda për këto gjurmë lashtësie, që i ndesh gjatë rrugës, të cilat sipas Aqifit, janë themelet e pazarit të Klosit, që dikur shpaloste profilin e një qyteti mesjetar autokton. Na bëjnë përshtypje fragmente muresh të kalasë së Petralbës, që ngrihen mbi një majë shkëmbore.

Historia e veçantë e saj (jo vetëm) në të gjithë trevën e Matit e bën një monument historiko-kulturor tërheqës dhe të madh për nga historia. Ajo, pat qënë jo vetëm fortesë ushtarake, por edhe vendverimi i Gjergj Kastriotit me Donikën, gruan e tij. Më tej, nën këmbët e Petralbës, në një grykë përroi (Lesendra), ku shtrihet lagjia e Llaveshëve, ujërat zbresin nga maja e malit dhe derdhen në lumin e Matit. Dëshmitë tregojnë se baroti i zi shqiptar është prodhuar për herë të parë këtu. Aqifi tregon diçka nga trashëgimia në breza e familjes së Llaveshëve, këtyre prodhuesëve të njohur prej pesë shekujsh të barotit, për të cilat ka shumë dokumente e fakte me vlerë, por edhe histori të dhimbshme të qëndresës së tyre e të masakrave që u janë bërë nga pushtuesit turq.

Historia e këtyre dingave (punishte baruti) duhej të vazhdonte ende, por Aqifi të thotë se ato u shkatërruan nga pushtuesi italian në vitin 1939. Nga përtej shpatit të kalasë së Petralbës, Guri i Bardhë, si një copëz Parajse bukurie të fton të ngresh kokën dhe, të shohësh malet. Sa shumë qetësi përcjell natyra e papërsëritshme e kodrave, brigjeve të gjelbëruara, përrenjve, pyjeve e shkurreve, por edhe e ngastrave të vogla, diku zallishte e diku kullota, me prodhime të pakta!

Ndaj, këtu Së Bukurës s’i thua dot E Shëmtuar, megjithëse peizazhi është i ashpër në shkëmbinj, ku, si krifë kali shkunden retë duke t’u shfaqur në ag të kaltër, si krijim i porsadalë nga energjia e Universit. E kush s’do t’i ketë zili këto peizazhe të qëndisura në ashpërsinë e Natyrës, të cilat u ngjajnë kaq shumë atyre të Zvicrës, por që, ashtu si shumë të tjera në Shqipëri, janë lënë në harresë dhe besoj se një ditë do të mbushen nga turistë kuriozë.

Por bukurinë e një vendi e bën dora dhe mendja e banorëve të mirë dhe punëtorë në kohëra; kështu edhe të këtij vendbanimi me tradita. Eh, Guri i Bardhë ka pasur kulturë dhe, kjo është trashëguar edhe ndër breza! Eh, këtu u lind poeti ynë i madh, Pjetër Budi!

Ura e Vashës në Klos, si një shtojcë e magjisë së natyrës

 Ura e gurtë shekullore e Vashës, një bukuri arkitekturore nën shenjtërinë e Natyrës si shumë të tjera, mban mbi vete ende gjurmët e brezave. Tatëpjetë rrugës, na duhet të zbresim në një shteg gjithë gjapërime dhe aty ku ajo ka ngulur këmbët e saj, të shfaqen madhështore e të thikëzuara shkëmbinj e kanione të njëanshme në gjatësi dhe lartësi qindra metra, me rrjedhje ujërash nazike në zbritjen e tyre të beftë. Ecja krijon lodhje, por në të njënjtën kohë  edhe të gëzon kur prek këtë mrekulli, që i ka mbijetuar shekujve, si dëshmi e rrallë gjithandej te ne pothuaj identike.

Ja dhe Ura e Vashës. Ajo është ndërtuar në fundshekullin XVIII në një grykë të ngushtë duke ndërlidhur dy brigjet e lumit Mat, ku ai gurgullon i rrëmbyer nëpër gurët e bardhë me një virtyozitet mahnitës. Kjo urë harkore, me gjatësi 11 m, 2.8 m e gjerë, e gjatë, 7 m e lartë, e gdhendur me gurë të bardhë, është e ndërtuar me themele mbi shkëmb  dhe reflekton më së miri mjeshtërinë e e duarve dhe mendjve të ndërtuesëve gollobordas.

Tek ura duket sikur kalon fryma e lumit me vibrime ndijesore në shpirt e tinguj të Natyrës dhe mërmërimës së saj. Emocionet që vijnë nga errësira e shekujve ta sundojnë vetëdijen, veçanërisht kur njohësi i mirë, jo vetëm i historive të trevës, studiusi Aqif Ymeri, me ligjërimin dhe ngjyrimin lakonik të mendimit, të çon natyrshëm në botën e rrëfimit të tij interesant.

-Këtu bashkë kanë udhëtuar, -thotë Aqifi, -luftëtari dhe tregtari, halli dhe malli për ‘‘të mirë” a për  ‘‘të keq”, nuse mbi kalë, krushq e gëzime, sihariqe për djalë e hidhërime, për punë; sigurisht edhe për t’u çmallur me të afërmit, a për të takuar miqtë; por janë shpërfaqur edhe xhinde, dreqër, djaj, maluketër, ëngjëj dhe meleqe.

Dhe, pasi ka mbaruar tregimet e tij, të dhjetra detajeve, fakteve, ngjarjeve nga kujtesa e të moshuarëve, Aqifi të fut në një botë të panjohur, që, nga rrethanat, koha dhe vendet ku kanë ndodhur, nuk e lenë të qetë kështjellën e shpirtit me imagjinatën e pakufijshme. Histori të tilla të marrin përdore dhe ka pasur gjithkund, në çdo krahinë, ku kalonin rrugë e ngriheshin ura, të cilat mbartin moralin, idenë dhe shijet e gjuhës së popullit tonë; veçanërisht duke nxjerrë në pah antitezat edhe kontrastet e Së Shkuarës. Por, përderisa koha evolon dhe shoqëria zhvillohet, ato të mbushin shpirtërisht me mesazhe të gjalla, të cilat përcillen aq qartë e që përfaqësojnë një epokë të artë e të prezantojnë breza e histori.

Kjo urë ishte dikur pjesë e një rrugë të rëndësishme, e cila emërtohej si “Rruga e Arbërit”, ose “Rruga e Karvaneve”, por dhe “Rruga e Detit për Dibër” e kaluar, me kuaj e mushka të ngarkuar me mall e kripë në kriporet e Durrësit, por edhe e mbushur me kalorës e këmbësorë nga fushat e Tiranës vijonte në Shkallën e Tujanit, drejt Qafë-Murrizës, Gurit të Bardhë e zbriste tek Ura e Vashës në lumin Mat për në Dibër e më tej drejt Shkupit e anasjelltas. Ajo kalonte mes pyjeve dhe shkëmbinjëve, me gurra e burime, me prita dhe rreziqe të shumta. Është e vërtetë që jetesa ishte e vështirë dhe rronin edhe me mercenarizëm, vasalitet, apo grabitje me armë, aty ku gjenin terren. Ndaj kjo rrugë dhe Ura e Vashës me vlera e interesa mbrohej me karakolle, por kishte edhe hane për strehim.

-E kthyer në një simbol, -thotë Aqifi, -Ura e Vashës në vetvete ka vlera të patjetërsueshme historike dhe tani mundohet të mbrohet nga vërshimi i lumit e myshqet. Ndaj u jemi mirënjohës të parëve për ato vlera që na lanë trashëgim, por që ato të mos zhduken, duhet ta mirëmbajmë me kujdes. Ndërtimi i Rrugës së Arbërit do ta kthejë në një vend të vizitueshëm. Klosi s’ka parë kurrë një investim kaq me prespektivë për Të Ardhmen, që të përmirësojë jetën e banorëve dhe njohjen e pasurive natyrore e historike të tij. Ndoshta një ditë do të bëhet më mirë, por duket disi e vështirë sa kohë që ata të cilët kanë mundësi të sjellin zhvillim, nuk po mendojnë të bëjnë më shumë.

Kemi nevojë për këto vlerësime të njerëzve të mirë; të shkundin shoqërinë që të mbrojë Natyrën dhe pasuritë historike.

Një udhëtim mes bukurisë natyrore dhe monumenteve arkitekturore të mbetet gjatë në kujtesë, sidomos kur je me miq, mes maja malesh, të përqafuara nga re e të copëtuara nga ujërat, me rrëfenja që kanë mbetur në origjinë, si simbol krenarie, të cilat i flasin bindshëm Të Sotmes për Të Shkuarën e Largët.

Gërshetimi i bukurisë natyrore, i miqësisë, harmonisë dhe artistikes në shoqërinë e njerëzve të fjalës së shkruar, me natyrën shpërthyese të Klosit, të fton të kthehesh përsëri këtu dhe, nëse nuk kthehesh, ajo është e gatshme të zeri një vend të veçantë në kujtimet e tua, prej eksploratori.

  • Ne foton ne krye te faqes: Autori i reportazhit Pellumb Guri(majtas) me studiuesin Aqif Ymeri duke ecur pergjate fragmented te Rruges se Arberit/

Filed Under: Reportazh Tagged With: ne vendlindjen e figurave historike, Pellumb Gorica, reportazh, UDHËTIM

Udhëtim në kryeqytetin e drogës

March 5, 2017 by dgreca

1IL Giornale-Gazeta italiane: Shqipëria, Kolumbia e Europës/

Nga Tirana: “Shqipëria po kthehet në Kolumbinë e Europës”: Deklarata është bërë në nëntor të vitit të shkuar nga ish kryeministri i vendit Sali Berisha, që ka qenë president nga viti 1992 deri në 1997 dhe kryeministër nga 2005-a deri në 2013-ën.

Edhe nëse Shqipëria nuk është e përfshirë në një trafik kokaine të krahasueshëm me atë të vendit amerikano-jugor, është e vërtetë se kanabisi ka arritur përmasa të pashoqa në Europë.

Ambasadori i OSBE-së në vend, Berndt Borchardt, së fundmi ka llogaritur se të paktën 2 milion euro janë gjeneruar nga prodhimi e eksporti i kësaj lënde narkotike, në një vend që në vitin 2015 kishte një GDP prej nën 11 miliardë.

Dhe bëhet fjalë për një biznes që po rritet shpejt, nëse llogaritet se, nxitur nga rritja e kërkesës, prodhimi i kanabisit është trefishuar gjatë vitit të shkuar, siç shpjegon ekspertja shqiptare e krimit dhe terrorizmit Aleksandra Bodgani.

Një shifër që gjen konfirmon indirekt në fjalët e kryeministrit aktual Edi Rama, i cili e vë theksin te rritja e sasisë së kanabisit e sekuestruar në një vit, që në fakt është trefishuar (edhe pse kryeministri harron ta përmendë).

“Kanabisi për vënien e fëmijëve në gjumë”

Por, historia e kësaj droge në Shqipëri është shumë më e vjetër, e daton në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Në gjysmën e dytë të viteve 70, pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, vendi e gjeti veten të izoluar në të njëjtin bllok komunist dhe me nevojën për të gjetur shpejt burime të reja.

Kështu lindën plantacionet e para të shtetit, të përqendruara kryesisht në rajonet jugore afër kufirit me Greqinë. Kanabisi u bë një produkt i konsumit të rregullt dhe disa banorë të Tiranës ende kujtojnë se si është përdorur në familje për të vënë në gjumë fëmijët më të shqetësuar.

Kultivimet mbijetuan të padëmtuara nga rënia e regjimit dhe për më tepër, jepnin më shumë prodhim pas krizës së viteve 90-të.

Malli, për më tepër, dërgohej në Itali dhe nga atje, me ndihmën e organizatave mafioze italiane, trafikohej në gjithë Europën. Me kalimin e kohës, në Shqipëri u krijuan disa zona të lira, ku kultivimi i kanabisit bëhej publikisht dhe forcat e rendit nuk guxonin të ndërhynin.

Bumerangu i Lazaratit

Një situatë për të ardhur keq, të cilën u përpoq ti jepte fund kryeministri Rama, me një aksion në qendër më të madhe: fshatin e Lazaratit, i pastruar tërësisht gjatë një operacioni të madh në vitin 2013.

Çuditërisht, kjo lëvizje e diktuar ndoshta edhe nga logjika zgjedhore rezultoi një bumerang i madh. Pasi u shkatërrua qendra e prodhimit në Lazarat, në katër vitet e fundit, plantacionet e kanabisit mbinë si kërpudha në gjithë vendin, fenomen që u zgjedhura edhe në rajone deri më tani pas të përfshira, të tilla si disa zona pranë Malit të Zi.

Në rritjen  marramendëse të qarkullimit, shpjegon gazetari investigativ Lavdrim Lita, ka kontribuuar edhe futja ë treg e një fare vietnameze kanabisi, që do shumë më pak kohë për të dhënë prodhim dhe me shpejtësi ka zëvendësuar varietetin vendas.

Kanabisi i prodhuar në këtë mënyrë, sipas llogaritjeve nga BBC, po tregtohet me dyqind euro në Shqipëri dhe pastaj rishitet në Itali me një çmim dysheme 7 herë më të lartë.

Një fitim i madh që je jep jetë një xhiroje që në të vërtetë është një copë e madhe e GDP-së, duke llogaritur se së bashku me drogën në gomone që lundrojë për në Puglia, ngarkohen megjithëse në masë më të vogël se në të shkuarën edhe armë, femra për prostitucion, e në disa raste edhe emigrantë.

Në të njëjtën rrugë, në sens të kudnërt, vjen kokaina e importuar në Europë përmes Italisë dhe Spanjës dhe më pas transportohet në pjesën lndore të kontinentit. Nuk është e rralë që trafikantët italianë dhe shqiptarë – ku është e përfshirë kryesisht Ndrageta  –  shkëmbejnë drogë me njeri-tjetrin.

Policia e paralizuar nga korrupsioni

Në një vend ku tërheqja e shtetit social bën që të ndihen efektet e ashpra, Kultivimi i kanabisit është kthyer në një instrument mbijetese edhe për shumë fermerë të vegjët, të cilët u japin me qira tokat e tyre oligarkëve lokale.

Korrupsioni pengon efektivitetin e thuajse çdo aksioni të policisë: Nuk është e rrallë, shpjegon Lita, që në këmbim të një ryshfeti prej 20% dhënë zyrtarëve lokalë të forcave të rendit, lajmërojnë në kohë fermerët për ardhjen e një kontrolli, duke iu lejuar në këtë mënyrë të fshehin pjesën më të madhe të drogës, ndërsa një pjesë e vogël shkatërrohet nga policia, dhe për të rifreskuar statistikat triumfuese të qeverisë.

Kryeministri Rama, duke folur me “Sytë e Luftës”, ka kërkuar dy vite për zhdukjen e shumë zonave të lira, në të cilat kultivuesit e kanabisit arrijnë ti shpëtojnë dorës së ligjit, por zgjedhjet e përgjithshme janë te porta (në qershor) dhe rreziku është që grupet kriminale të drogës mund të financojë parti politike. Dhe të ndikojnë në politikat e qeverisë së ardhshme.

/Marrë nga Il Giornale

Filed Under: Politike Tagged With: IL GIORNALE, në kryeqytetin e drogës, UDHËTIM

UDHETIM MBI VETETIMA POETIKE

April 10, 2015 by dgreca

nga MSC Albert HABAZAJ/
Emri i autorit Idajet Jahaj është i dëgjuar nëpërmjet botimeve, qysh nga vitet 1975 e në vijim, në mënyrë ritmike deri më sot, si punëtor i palodhur i penës. Idajeti jep kontributin e vetë në pesë fusha të dijes: në letërsi, në gjuhësi, në biografi, në arsim dhe në gazetari, dhe ky kontribut shfaqet në horizontin e botës sonë si pesë gishtat e dorës, që kur i hap më ngjajnë si konstelacion yjor, si yll me pesë cepe e kur i mbledh bëhen një grusht, një bosht i diturisë dhe i kulturës në tërësi. Mësues në profesion, një jetë mik i krijimit, ndryshe nga kolegët e tij të penës, Idajet Jahaj operon në raportin krahasimtar ndërdisiplinor, sidomos në masën e krijimt letrar me prodhimin historik.
Profili krijues i shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Idajet Jahaj dritëron edhe në punën kërkimore shkencore, ku harmonizohet fisnikërisht bukur fakti historik me rrafshin letrar. Ndër punimet historiko – letrare (me portrete, meditime etj.) të autorit Jahaj, sidomos me monografinë e veçantë historiko – kulturore “Flakadanët e historisë” për 15 figurat e ndritura të historisë së Lumit të Vlorës, me fokus gjeografik trekëndëshin Kuç – Velçë – Gjorm, në segmentin e stuhishëm kohor 1847 – 1920, kumbon qartë tingulli vetëtimtar i filozofisë historike (apo historisë filozofike), si thelb nga universi i emocionit historik. Trimat e kryengritjeve popullore nga Lumi i Vlorës me emër të rëndë në Historinë Shqiptare, me Gjolekën e Kuçit në ballë, me Lulo Habaz Mehmetin e Tërbaçit, me Cane Miftarin e Smokthinës, me Selam Hasanin e Velçës, me Mete Çobon, me Dule Zoton, me Shako Xhakën, me shtatë Leskodukajt e Bolenës, me Miro Tërbaçen legjendare, me Sali Vranishtin, Zigur Lelon, Selman Hysenin, Halim Xhelon e heronjtë e Luftës së Njëzetës me bijtë e tjerë të shpatës shqiptare të Lumit të Bardhë, pena e Idajet Jahos i shndërroi në monumente kombëtarë në lëvizje. Ata ploptësojnë portretin epik lab, himariot e vlonjat në rrjedhat e kohës, sikurse Çelo Picari Rrapo Hekali, Tafil Buzi, Sokrat Leka, Jani Rexho, Idriz Guri, Dervish Ali Dukati, Hodo Nivica, Maro (Mete) Kondi, Numan Bala, Kanan Maze, Sado Koshena, Avni Rustemi, Osman Haxhi Nuri, me ballin e yjeve Ismail Qemalin, që shkëlqejnë në qiellin e ndezur të lavdisë historike të kombit, krahas trimave dhe trimëreshave të tjera shqiptare, që kanë dalë e kanë bërë emër të lartë nga të gjitha krahinat e banuara me Shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë, që janë dhe e ndjejnë veten Shqiptarë, nga Çamëria në Kosovë, nga Ulqini në Shkup, nga Sazani në Dibër, nga Mitrovica në Prevezë, nga Janina në Tuz, nga Manastiri në Shkrel. Pena me firmën Idajet Jahaj i ka rrokur vezullueshëm këto treva shqiptare me kontribute për historinë, kulturën dhe arsimin kombëtar, ndërsa personazhet historikë, që lartpërmenda, qarkullojnë në trupin e tij me gjakun e tij, janë në palcën e tij kombëtare, janë musht i ndjenjës poetike dhe i forcojnë koherencën studimore.
Profili krijues i Idajetit shfaqet në katër drejtime. Së pari, si poet (me 8 libra poetikë të botuar plus 6 të tjera në proces) klasifikohet në poezinë e vargut të lirë, ku spikat simbolizmi metaforik. Në larminë tematike sundon motivi filozofik. Së dyti, në krijimtarinë e tij dallon mendimi letrar dhe tregimi i shkurtër, sidomos tek vëllimet “Në qiejt e këngëve”, “Kur çelin lulet e para” etj., ku larmia e motiveve, aspektet jetësore, dramat vetiake e sociale jepen të gjalla, me ngjyra artistike e lëng estetik. Së treti, punimet historiko – letrare (portrete, meditime etj.) vijnë për lexuesin në tingullin e historisë filozofike si universe të emocionit historik. Së katërti, proza e shkurtër “Loti i Diellit dhe hënëzat e limonit” lëvron një gjini të palëvruar gjer më sot, të paktën në Vlorë, me subsatncë liriko- filozofike – poetike (larg gjigandomanisë romaneske të sotme, që të gufos, sidomos nga shkëlqimi mediatik verbues, i ngritur mbi paterica tarafesh, miqësish të vogla në kurriz të shijes së qytetarit, që nuk i sjellin asnjë dobi lexuesit) krijimtaria e Idajet Jahos na jep mesazhin që të shikosh ylberin e lotit në qelizë, jo në paraqitjen e madhështisë e malicitetit, nga moli në mol.

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, MBI VETETIMA POETIKE, UDHËTIM

UDHËTIM, ME “DJALIN E TIGRIN”, NË ZOGAJ E GJAKOVË…

August 2, 2014 by dgreca

Nga: Ibrahim Hajdarmataj/
1.Po bisedoja me kolegët dhe miqtë e mi, Viron Kona e Murat Gecaj, shkrimtarë, publicistë e studiues të njohur. Ndër temat më të dashura për ta janë dhe ato për mbresat e përshtypjet e tyre, nga vizitat në Mbretërinë e Suedisë. Tashmë, kanë publikuar jo vetëm shkrime të bukur e mbresëlënës nga ato vizita të paharruara, por dhe libra të veçantë. Sigurisht, ata janë me mjaft vlera për t’i njohur lexuesit shqiptarë me jetën e atij vendi mik skandinav.
Në vazhdim, së bashku, ne u ndalëm edhe në një fakt interesant. Jo shumë kohë më parë, erdhi në Tiranë arsimtari, shkrimtari e publicisti i njohur, Sokol Demaku. Ai ka vite që jeton në qytetin Boras të Suedisë, por dhe është nismëtar i lidhjeve të ngushta shqiptare-suedeze. Kësaj here, kishte me vete 1.000 kopje të librit-përrallë për fëmijë, që e ka shqipëruar vetë, me autor shkrimtarin suedez, Lars Westman, “Djali dhe Tigri”. Nuk do të ndalem këtu për fillimin e punës së dhurimit të këtij libri, në disa shkolla të Tiranës e Durrësit, por dhe të Tetovës, pasi është dhënë njoftim më pare, për këtë gjë. Por do të tregoj se si u bëra dhe unë bashkëpuntor në plotësimin e kësaj nisme, me vlera të veçanta.
2.
Pasi mora me vete disa kopje të librit “Djali dhe Tigri”, së pari, shkova në Gjimnazin “Hoxhë Zogu” të fshatit Zogaj, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Aty më priti me dashamirësi drejtori, Bujar Hajdarmataj, i cili e shprehu falënderimin e tij, si për Sokol Demakun dhe autorin, Lars Westman. Pastaj, me këtë nismë u njohën edhe mësueset e gjuhës e letërsisë shqipe, Bukurie e Ajshe Hajdarmataj. Ato u shprehën: “Ky libër i ri, nga Suedia e largët, do ta pasurojë më tej bibliotekën e shkollës sonë. Sigurisht, pas leximit, me përmbajtjen e tij do të njihen nxënësit tanë, me të cilët do të organzojmë edhe diskutime të lira”.
Kur po largohesha, në emër të kolektivit mësues-nxënës të këtij Gjimnazi, Bujari më dorëzoi nga një “Mirënjohje”, si për përkthyesin dhe autorin e librit. Në njërën, shkruhen këto fjalë: “Falënderojmë prof.Sokol Demakun, shkrimtar, gazetar dhe përkthyes, që na dhuroi për bibliotekën e shkollës sonë librin me titull “Djali dhe Tigri”, të autorit Lars Westman.Gjithashtu, këtij shkrimtari të mirënjohur suedez i urojmë krijimtari të suksesshme!”
3.
Meqenëse fshati Zogaj ndodhet vetëm 9 km larg Gjakovës, me librin në fjalë, u ndodha edhe në shkollën e mesme të ulët, “Mazllum Këpuska”. Aty më priti drejtori, Islam Juniku. Ai më tregoi se edhe shkrimtarë të tjerë i kanë dhuruar libra bibliotekës së tyre. Duke shprehur falënderimin e tij për këtë dhuratë, ai përgatiti e më dorëzoi “Mirënjohje”, si për përkthyesin e autorin e librit. Në të shkruhet: “Shkolla e Mesme e Ulët “Mazllum Këpuska”-Gjakovë, jep këtë “Mirënjohje”, për shkrimtarin, gazetarin e përkthyesin Sokol Demaku: Për dhjetë libra të dhuruar, bibliotekës së shkollës sonë, “Djali dhe Tigri”, nga autorit suedez Lars Westman.-Drejtori: Islam Juniku”.
Këto ndjenja miqësore dhe shprehje mirënjohjeje, i gjeta edhe në Bibliotekën Ndërkomunale të Gjakovës, qytet me tradita të njohura: atdhetare, arsimore e kulturore. Pasi biseduam për nismën e dhurimit të këtyre librave, drejtori i këtij institucioni, Engjëll I.Berisha ma dorëzoi “Falënderimin”, me dëshirën që t’u jepet, si dhuruesit të librit dhe autorit. Ja, çfarë shkruhet aty: “Dhuratë shumë e çmuar dhe e qëlluar, për pasurimin e fondit bibliotekar. Falënderimi vjen nga lexuesi dhe nga institucioni, duke ruajtur bashkëpunimin me krijues, posaçërisht me vepra me interes për lexuesit besnikë. Pasurimi i fondit librar është një motiv më tepër për punëtorët bibliotekarë. Ndërsa, kur vjen nga autori, është një nder më tepër. Ky libër është shumë i veçantë për pasurimin e bibliotekës sonë”.
…Jam i bindur se lexuesi i këtyre radhëve do të më mirëkuptojë, pra kur në mbyllje po shënoj se ky udhëtim i imi, si në Zogaj e Gjakovë, ishte shumë i veçantë e mbresëlënës për mua. Prandaj dhe këtë detyrë miqësore e kreva me kënaqësi. Siç dihet nga të gjithë, kur shpërndan libra, ndihmon sadopak në misionin e dhuruesve të tyre për t’i pajisur të tjerët, me dituri dhe njohuri të reja për jetën.
2 gusht 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: E GJAKOVË…, Ibrahim Hajdarmataj, ME “DJALIN E TIGRIN”, NË ZOGAJ, UDHËTIM

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT