Nga Uk Lushi/New York/
“Të gjithë sa ishim të ulur në karriget e teatrit të Banja Llukës- boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë- brofëm në këmbë dhe filluam të duartrokasim të ngazëllyer. Sikur të kishe qenë me ne, do ta kishe provuar atmosferën e mrekullueshme vetë miku im i dashur. Një sukses i madh i Nënë Terezës!”— po më thoshte ambasadori shqiptar në Bosnjë e Hercegovinë, Flamur Gashi, përmes Viber-it; unë në New York, e, ai në Sarajevë.
Ambasadori Gashi, një diplomat yni i klasit të parë, e kishte fjalën për shfaqjen “Majka Tereza- Svetica Tame” (Nënë Tereza- Shenjtëresha e Errësirës), e cila pas një premiere të jashtëzakonshme në Teatrin Popullor të Sarajevës me 19 qershor, ishte ftuar të paraqitej edhe para publikut të kryeqytetit të Republika Srpska me 15 korrik 2014. Drama e frymëzuar nga jeta e bamirëses me famë është një produksion i Shoqërisë Kulturore “Napredak” me regji të kroatit nga Bosnja Gradimir Gojer, bazohet në tekstin e maqedonasit Venko Andonovski dhe në të interpretojnë aktorë nga Bosnja-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova. Rolin e Nënë Terezës e luan Kostadinka Velkovska, artiste e njohur e teatrit Kerempuh në Zagreb, ndërkaq ekipi realizues një rol i ka dhënë edhe aktorit shqiptar nga Prishtina Ilir Tafa. Projekti multinacional, multikonfesional dhe multikulturor prej nisjes së tij është mbështetur nga ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë në Bosnje- Hercegovinë. Të dyja premierat, si në Sarajevë ashtu edhe në Banja Llukë, janë parë nga personalitete kulturore, diplomatike dhe intelektuale. Pritet që pjesa teatrore për fituesen shqiptare të Nobelit për Paqe do të nisë së shpejti një turne ballkanik dhe mbase do të inskenohet edhenë Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës.
Në tetor të vitit 2011 në teatrin beogradas Bitef u dha performansa postmoderne “Patriotic Hypermarket”, një pjesë teatrale e përbashkët e artistëve ballkanas nga Beogradi, Prishtina, Shkupi dhe Tirana. Brenda dhe jashtë ndërtesës ishin të pranishme forca të shumta policore të cilat u desh të siguronin trupën teatrore nga sulme të mundshme prej radikalëve nacionalistë serb. Në fakt, në dy raste — me 2008, gjatë ekspozitës së veprave të artistit shqiptar Dren Maliqi, dhe— me 2013, gjatë ekspozitës së dëshmive të vrasjeve të familjes Bogujevci nga paramilitarët serb “Škorpioni”në Podujevë me 1999, policia u detyrua të ndërhynte për të zbythur egërshanët dhe vandalët. Në ekspozitën e Maliqit ata shqyen një punim ku portretizohej Adem Jashari, kurse në ekspozitën që rrëfen vizualisht masakrimin e 14anëtarëve të familjes Bogujevci nga perspektiva e përjetimeve të pesë të mbijetuarve, shovinistët provuan ta digjnin godinën.
Fatmirësisht shfaqjet apo prurjet kulturore serbe apo tjera ballkanike që janë paraqitur para publikut shqiptar, (kudo në trojet tona), nuk janë pritur me kanosje dhune. Shumica e tyre kanë arritur dhe vajtur pa marrë vëmendjen e merituar dhe tek-tuk iu është hedhur ndonjë sharje nacionaliste primitive. Duke e pas përjetuar pushtimin serb dhe diskriminimin e disa popujve sllav që na kanë bërë shqiptarëve me dekada, e kuptoj shumë mirë hezitimin dhe zemëratën e bashkëkombësve tonë kur vjen puna te shkëmbimet dhe qarkullimet e vlerave me popujt joshqiptar në gadishullin tonë, e posaçërisht me serbët. Kjo u pa sidomos me rastin e paraqitjes së një muzikanti serb në një televizion të Tiranës para ca muajsh, paraqitje kjo redaktoriale e dështuar ndërsa u vendos që serbi të këndonte në një emision dedikuar melosit shqiptar, mirëpo, në anën tjetër, prezantimi i artistit serb është plotësisht i arsyetueshëm nga aspekti i njohjes kulturore të tjetrit. Si shpesh herë, disa hamulitës shqiptarë nuk elanë pa e shfrytëzuar precedentin dhe bile tentuan të nxisnin urrejtje duke përhapur gënjeshtra mbi gjoja dallimet e shkallës së patriotizmit midis Tiranës dhe Prishtinës. Padrejtësitë që na janë bërë shumicës dërmuese nga ne duhet të dritësohen duke ndjekur rrugët legale dhe duke kërkuar shpagim financiar për dëmet materiale dhe humbjet e dhimbshme njerëzore, ama ndërshkëmbimet me kombet tjera nuk duhet të ndalen.
Ka mjaft radikalë edhe në popullin tonë të cilët dëshirojnë dhe barabar punojnë që të mbyllemi nga marrje- dhënia me popujt tjerë. Veçimin ata e arsyetojnë zakonisht ose me argumentin e ruajtjes së “pastërtisë” së kulturës dhe civilizimit shqiptar, ose me argumentin se popujt tjerë ballkanik nuk na i duan vlerat tona sa ne të tyret dhe së këndejmi, sy për sy e dhëmb për dhëmb, edhe ne duhet t’i refuzojmë të tyret.
Kjo mënyrë e të rezonuarit është edhe e paleverdishme edhe shenjë inferioriteti pikësëpari për kombin i cili vendos ta praktikoj atë. Pjesëtaret e një kombi të ditur duhet të orvaten të jenë prodhues të sa më shumë vlerave, siç duhet të jenë kërkimtarë të jenë edhe konsumues të vlerave të veta dhe të të tjerëve. Duke qenë edhe krijues edhe nevojtarë të vlerave, kombet e zgjuara e dinë që vlera fisnikërohet kur vihet në ballafaqim me vlerat më inferiore apo superiore të të tjerëve. Kombet moderne bashkëpunojnë me të tjerët sepse ashtu e ngritin cilësinë e vlerave të tyre ndërsa konsumojnë madje edhe vlerat, që, për arsye të përparësive krahasuese apo çfarë do qofshin arsyet, nuk i kanë apo nuk mundi krijojnë. Dikush mund të thotë, po, ja filan kombit ballkanik nuk i interesojnë vlerat tona. Mirëpo humbja është e atyre që nuk interesohen, ngase ti ja njeh avantazhet dhe disavantazhet tjetrit dhe gjithsesi do të përfitosh nga kjo njohje, kurse ai nuk i njeh tuat. Nuk duhet ndier i frikësuar e as inferior për t’u hedhur në logun e vlerave dhe dallimeve rajonale dhe globale. Secili komb ka diçka të shkëlqyeshme për të ofruar dhe secili komb ka nevojë për të marrë diçka të shkëlqyeshme nga të tjerët. Dallimi se ku gjendet një komb në rangimin e arritjes përcaktohet shumë nga pranimi i këtij ligji të pashkruar lidhur me dobinë e shkëmbimeve kulturore, shkencore, sportive…, e deri gjenetike.
Para 86 vitesh, që të kthehemi te fillimi, me 1928, një vajzë e ndruajtur 18 vjeçare e quajtur Agnes Gonxhe Bojaxhiu vendos të lëshojë Shkupin e saj, të lë prapa nënën e ve dhe të niset për Irlandë në Misionin e Motrave Loretto për të mësuar mbi jetën. Një vit më vonë ajo shkon për herë të parë për të shërbyer në Darjeeling të Indisë ku nis përkushtimin e saj të devotshëm për t’i ndihmuar të varfrit e botës dhe fillon të njihet si Nëna Tereze. Brenda 68 vitesh, bija e brishtë shqiptare e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut shndërrohet në simbol planetar i të tashmes dhe ardhmes njerëzore. Ndonëse tërë jetën përballë errësirës, Nënë Tereza kishte hapur shpirtin dhe mendjen kundrejt njerëzve tjerë dhe duke shkëmbyer vlerat e saj me të tjerëve, ajo mbërriti t’i jepte kombit shqiptar një vlerë universale të përhershme. Prandaj, “Majka Tereza- Svetica Tame”, me 15 korrik natyrisht që do të ngriste në këmbë së bashku boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë midis Republika Srpska, ku deri para disa vitesh boshnjakët, serbët dhe kroatët priteshin e vriteshin me njëri- tjetrin thua se fati i universit varej nga lufta, e jo paqja mes tyre. Urat janë më të dobishme dhe rëndësishme se sa kufijtë dhe kudo ka njerëz mendjehapur dhe zemërgjerë është e mundshme të hiqet një copë kufi dhe të ndërtohet një urë, derisa, ndoshta,një ditë, jo fort të largët, të mos ketë kufij fare.
Qeveria e re e Kosovës
Nga Uk LUSHI/
Zgjedhjet e Përgjithshme të 8 qershorit në Republikën e Kosovës proceduralisht u zhvilluan shkëlqyeshëm. Qytetarët (si ata që votuan si ata që nuk votuan) qëllimshëm prodhuan një rezultat i cili nuk përcakton fitues të pastër. Me deklarimin shatra-patra të vullnetit të tij populli i Kosovës u ka dërguar skalioneve politike vërejtje serioze se nuk janë duke punuar mirë dhe nëse nuk përmirësohen, shumë shpejt dhe pa paralajmërim, mund të hidhen në koshin e të kaluarës dhe turpit politik.
Mirëpo kastat politike të Kosovës, në vend se të reflektojnë për metoniminë e pakënaqësisë popullore, akoma pa u bërë certifikimi i numërimit të votave, nisën një lojë politike prozaike dhe të paskrupullt. Tash për tash, kundruall qëndrojnë dy taborë xhindosja e të cilëve me njëri-tjetrin është brengosëse. Në njërën anë janë rreshtuar PDK me një grumbull partiçkash, kurse në tjetrën janë fortifikuar LDK, AAK dhe Nisma, me Lëvizjen Vetëvendosje në prapavijë.
Partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje demokratike natyrisht që e kanë të drejtën e patjetërsueshme të afrohen dhe lidhen me cilëndo organizatë politike që duan, por çdo subjekt politik është i obliguar të marrë parasysh edhe pasojat për vendin të çdo veprimi që bën e, bile, edhe që nuk bën. Pasojat e lëvizjeve politike bëhen jashtëzakonisht të rëndësishme veçanërisht kur ka ngërç në sistemin politik. Përfaqësuesit e zgjedhur në një shoqëri demokratike nuk duhet kurrë të bëjnë pushtetin prioritet mbi shtetin. Lojërat taktike për fuqi pushtetare mund t’i kushtojnë Kosovës shumë dhe duhet të ndalohen përnjëherësh. Patriotët e vërtetë kontribuojnë jo vetëm kur kanë pushtet, por edhe në opozitë.
Vendi ynë ka probleme të rënda që mund të na eksplodojnë në duar çdo çast. Nuk kemi kohë për byrytje ambiciesh të papërmbajtura dhe intriga të poshtra. Republika e Kosovës nuk e ka përfunduar përpjekjen e madhe të shtet-ndërtimit. Fqinja jonë në veri-lindje, Serbia, ende mundohet t’i realizojë ëndrrat e saj hegjemoniste, paksëpaku pjesërisht, dhe, nëse i krijohet rasti dhe nëse lejohet, mund të tentojë të ndërhyjë në territorin tonë si Rusia në Ukrainë. Ekonomia është e lodhur dhe në nevojë për reformim formal dhe përmbajtjesor. Papunësia, varfëria dhe boshllëku i mosekzistencës së klasës së mesme rrezikojnë shpërthime sociale fatale. Bota dhe bashkësia ndërkombëtare, që ne e kemi për qejf t’i quajmë miqtë tonë— duke harruar se në marrëdhëniet e shteteve nuk ka dashuri por vetëm interesa— kanë probleme më urgjente se gjendja dhe meskinitetet e pjesës së madhe të pjellës politike të Kosovës dhe nuk na kanë në qendërvëmendje siç gabimisht beson një pjesë e popullit tonë. Në fund të fundit ne vetë duhet të arrijmë në stadin ku ndërkombëtarët duhet t’i mbajmë në distancë partnershipi për çështjet dhe aspiratat tona. Gjithashtu na duhet edhe një grimë kohë derisa vërtetë të kemi elita dhe politikanët nuk guxojnë që me veprime të papërgjegjshme të shtyjnë fillimin e punës së madhe që na pret të gjithëve. Shumë njerëz kanë dhënë mund, djersë dhe gjak që Republika e Kosovës të bëhet. Porse bërja nuk është e mjaftueshme. Republika duhet të forcohet dhe çimentohet si mekanizëm i përhershëm i popullit të Kosovës.
Sido që do të ndodhë, Kosova assesi nuk do të mbetet pa qeveri. Mirëpo kjo kohë e kërkon një qeveri të re ndryshe. Momenti dhe zhvillimet politike, pavarësisht cili grupim e merr mandatin zyrtar ta formojë ekzekutivin, kushtëzojnë një qeveri mikse— gjysma me politikanë dhe gjysma me ekspertë dhe teknokratë. Politikanët kanë nevojë për ekspertët sepse tashmë është e qartë që nuk e kanë kapacitetin të zgjidhin problemet që janë bërë stivë, ndërkaq ekspertët i nevojisin politikanët sepse nuk posedojnë legjitimitetin zgjedhor dhe mbështetjen e infrastrukturës partiako-politike. Qeveria e re me këtë kombinacion do të ketë pushtetin për një periudhë kalimtare ndërsa do të prishë klientelizmin dhe status quo-në që e ka përfshirë Kosovën në vitet e fundit dhe njëkohësisht do të godasë vatrat e korrupsionit dhe istikamet e forcave që kanë shfrytëzuar shtetin për interesa të ngushta. Dihet që qytetarët e Republikës së Kosovës janë më të izoluarit në Europë dhe kjo katastrofë duhet kthyer në vendosmëri që agjenda e integrimeve kombëtare dhe europiane të përshpejtohet. Së fundmi, angazhimi kryesor i këtij ekzekutivi të ri me politikanë me autoritet dhe profesionistë të ditur duhet të përqendrohet në përgatitjen e Republikës për zgjedhjet e ardhshme dhe transfuzionin e klasës politike me kuadro të afta dhe përgjegjshme.
Kosova ka personalitete me zotësi si brenda shtetit ashtu edhe në Diasporë. Populli ynë ka pasur suksese të mëdha në luftën për lirinë e Kosovës pikërisht pse arritëm të mobilizojmë krejt kapacitetet njerëzore dhe materiale si popull. Kosova demokratike dhe vend i mundësive për të gjithë ka qenë ëndrra e heronjve dhe martirëve të saj që flijuan jetët e tyre dhe ajo është edhe ëndrra e shumicës sonë absolute.
Në çdo shtet me demokraci të mirëfilltë zgjedhjet parlamentare janë një ngjarje e gëzueshme. Qytetarët shkojnë në vendvotime për të kryer detyrimin dhe të drejtën e tyre më të rëndësishme. Populli i mrekullueshëm i Kosovës nuk do t’i falë më ata që u ka besuar me përfaqësim dhe pushtet. Është rasti i fundit që këtyre qytetarëve që kanë sakrifikuar përgjatë një jete njeriu t’u jepet një qeveri që do të krijojë bazën që qeveritë pasardhëse dhe të reja gjithmonë të gjejnë vendin më mirë se sa kur e kishin marrë nën kujdes atë qeveritë në ikje. Qeveria e vetme që mund ta ndryshojë kursin e deritanishëm të keq do të jetë një qeveri e re, e cila doemos duhet të jetë mikse.
Tifozat më të mirë në botë
Nga Uk Lushi/New York/
Çdo katër vjet kur fillon dhe derisa mbaron Kampionati Botëror i FIFA-s në Futboll planetin tonë e përfshijnë ethe të këndshme gare dhe vapa e verës bëhet disi më e durueshme se zakonisht. Botërori 2014, që po mbahet në atdheun e pyllnajës më të madhe në botë Amazon, është në udhë të mirë të jetë ndër më të bukurit e të gjitha kohërave. Si asnjëherë më parë në konkurrimin për kupën më të dëshirueshme në futbollin e shteteve marrin pjesë nëntë shqiptarë ose 81.82 për qind e një ekipi në fushën e blertë. Bashkëkombësit tonë përfaqësojnë Zvicrën, Belgjikën, Gjermaninë dhe Greqinë, ndërkaq që Kombëtarja jonë nuk ka arritur të kualifikohet. Prania e kaq shumë shqiptarëve dhe mungesa e skuadrës sonë kombëtare në turneun më me prestigj është një lloj ndjenje ku përplasen fuqishëm shija e ëmbëlsisë dhe hidhësisë. Por, pavarësisht kësaj dhe faktit që djemtë tanë në Brazil nuk kanë mundur apo dashur të luajnë për ne, ata duhet të përkrahen pa rezervë, sepse në Brazil ata megjithatë përfaqësojnë edhe shqiptarët.
Sigurisht që cilësia e lojtarëve luan rol parësor në sukseset e një skuadre, mirëpo, siç po dëshmon edhe ky Botëror, lojtari i 12-të apo tifozët e kombëtareve kanë një rëndësi gati aq të madhe sa futbollistët. Simpatizuesit brazilianë të “Seleção”, italianë të “Azzurri”, gjermanë të “Die Mannschaft”, argjentinas të “La Albiceleste”, francezë të “Les Bleues”, kolumbianë të “Los Cafeteros”, koreanë të “Tageuk”, amerikanë të “The Yanks”, meksikanë të “El Tri”… apo holandezë të “Oranje” këto ditë të nxehta në stadiumet e Brazilit janë duke mbështetur klubet e tyre nacionale në mënyrë madhështore. Por unë mendoj që ne shqiptarët në realitet kemi tifozë më të mirë se çdo kombëtare e kampionatit Brazili 2014, e bile edhe në botë. Pse?
Nuk besoj që ka shqiptar(e) që nuk i kujtohen momentet emocionale ndërsa në ndeshjen me Ukrainën me 9 shkurt 2005 në Tiranë simpatizuesit e Kombëtares të njohur si Tifozat Kuq e Zi (TKZ) shpalosin flamurin kombëtar më gjigant në një stadium ndonjëherë. Flamuri pas takimit u transportua me aeroplan në Prishtinë dhe iu dhurua familjes së heroit Adem Jashari. Ishte një rast i paparë. Fansat kuqezi të Shqipërisë ka më shumë se një dhjetëvjeçar që tregojnë përkrahjen e pakompromis për Kombëtaren, qoftë në fitore qoftë në momente ligështimi. Në fillim ishin një grusht— Antoni, Artori, Burimi, Faruku, Valentini, Dardani, Fatosi, Fitimi, Luani, Fisniku dhe dy-tri toga çunash dhe çupash entuziastë. Sot janë me mijëra e mijëra.
Tifozat Kuq e Zi funksionojnë si orë zvicerane, edhe pse nuk kanë kryetar apo kryesi, por vetëm grupe punuese. Ekonomikisht janë të qëndrueshëm dhe të pavarur sepse vetëfinancohen. Globalisht shtrihen në krejt planetin sepse, përveç hapësirës shqiptare në Ballkan, kanë përfaqësues në secilin kontinent. Vështirë mund të gjesh simpatizantë të një kombëtareje tjetër ku dashamirët e saj të flaktë kanë ndihmuar Federatat e tyre të Futbollit duke përcjellur dhe kontaktuar futbollistë me potencial nëpër botë për t’ ja rekomanduar Zyrës së Talenteve e cila i ka lutur të luajnë për mëmëdheun. Si rezultat Kombëtarja ka zinxhirin U17, U19 dhe U21 më të fortë se kurrë dhe me lojtarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe Diaspora. Tifozët e Shqipërisë kanë ditur të jenë edhe kritikues si p.sh. kur kanë arritur që të ndikojnë largimin nga posti për rezultate të dobëta të trajnerit të U21, Artan Bushati, dhe vendosjen e Skënder Gegës në vend të tij. Në këtë aspekt ata duhet të vazhdojnë të jenë kërkues edhe ndaj patronizimit të FSHF-së prej disa personave që janë ulur aty dhe klloçitin pa bërë asnjë ve.
Vizionariteti dhe mençuria e djemve dhe çikave të TKZ-së është vënë re edhe kur ata nuk kanë kundërshtuar anëtarësimin e shtetit të Kosovës në FIFA dhe UEFA si strategji për krijimin e një Kampionati dhe Lige Mbarëshqiptare të Futbollit, e cila do të forcojë konkurrencën, ngrit kualitetin dhe përgatitë lojtarë kulminantë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe Përfaqësuesen e Kosovës. Tash, pasi që Republika e Kosovës është lejuar të luajë miqësore në arenën botërore, Tifozat Kuq e Zi duhet masivisht të pushtojnë stadiumet ku loz ekipi ynë i dytë dhe aty të valëvisin flamurin tonë kombëtar krahas atij shtetëror të Kosovës.
Futbolli është sporti më popullor në botë me rreth 3.5 miliardë fansa, një miliard më shumë se sa kriketi dhe një e gjysmë se sa hokeji. Në dy kampionatet e fundit të FIFA-s, në Gjermani me 2006 dhe Afrikë të Jugut 2010, vetëm audienca televizive ishte 30 dhe 40 miliardë shikues respektivisht. Ndeshjet e kampionatit në Brazil pritet që deri pas finales me 13 korrik të shikohen nga afër 50 miliardë njerëz. Nuk duhet shumë të menduar për të realizuar se sa signifikante janë futbolli dhe pjesëmarrja e një kombi në një Botëror.
Tifozat Kuq e Zi kanë treguar që janë legjislatorët sportiv të popullit shqiptar dhe një dimension i dalluar i kulturës sonë. Futbolli shqiptar pa këta tifozë shembullorë nuk do të ishte dhe nuk do të jetë i suksesshëm maksimalisht. Siç e thonë tifozët vetë: të jesh anëtar i TKZ-ve nuk ke nevojë për rezervim hoteli sepse kudo që do të udhëtosh, sidomos në vendet shqiptare, do të kesh shokë apo shoqe që do të të ofrojnë kulm mbi krye, bukë e kryp, e shumë zemër. Kombi ynë duhet të sheh të shkëlqyeshmit në mesin tonë, pranoj të arriturat dhe t’u bashkohet atyre që tregojnë sukses. Të gjithë, dikush direkt e dikush indirekt, duhet të bëhemi pjesëtarë të Tifozava Kuq e Zi, këtij grupi të shqiptarëve të mrekullueshëm, dhe të përkrahim Kombëtaren tonë që të kualifikohet për Kampionatin e ardhshëm Botëror të Futbollit me 2018. Atëherë, në vend të animit herë për një komb e herë për një tjetër, do të mund të bëjmë tifo për kombin tonë dhe Tifozat Kuq e Zi do të mund të demonstrojnë se janë tifozët më të mirë në botë ndërsa stadiumet e Rusisë do të mbushen me jehonën e thënies inspiruese: “O sa mirë me qenë Shqiptar, o hej!”
ulushi@msn.com
“Ky djalë ka talent!”…
Nga Uk Lushi/
“Ky djalë ka talent!”- tha Ali Podrimja dhe ngriti gotën e tij të verës për ta cakërruar me gotat tona. Valët zanore të tringëllimës së qelqeve u davaritën në muzikën e tingujve natyror të kopshtit të pijetores gjermane në qytezën e Gerlingenit. Komplimenti për Beqë Cufajn, autor i një libri me vjersha (“Balada budallaqe”, Rilindja, Prishtinë, 1994),shkaktoi në fytyrën e shkrimtarit të ri një skuqje të përzier me modesti dhe druajtje. Ishte mesi i 1990-tave. Podrimja kishte mbërritur nga Prishtina për një seri leximesh dhe unë së bashku me Cufajn, i ardhur rishtas si emigrant në Gjermani, dhe një mik tjetër, e kishim ftuar bardin e shquar për një drekë.
Që nga atëherë kanë kaluar gati njëzet vjet dhe në ndërkohë Cufaj ka botuar një përmbledhje mikse me proza të shkurtra dhe poezi (“205”, Dukagjini, Pejë, 1996), një libër me shkrime gazetareske dhe ese (vetëm) në gjermanisht (“Kosova- Rückkehr in ein verwüstestes Land”, Paul Zsolnay, Wien, 2000), romanin e parë (“Shkëlqimi i huaj”, në shqip Dukagjini me 2003 dhe në gjermanisht Paul Zsolnay me 2005), një libër me kolumne dhe opinione (“Laboratori i lirisë”, PA, Prishtinë, 2011) dhe para pak kohësh romanin e dytë (“project@party” në shqip Zëri, Prishtinë, 2011, dhe në gjermanisht Seccesion, Zürich & Berlin, 2012). Për to Cufaj ka marrë disa vlerësime nderuese dhe monetare, si fjala vije shpërblimin Bruno Kreisky Förderpreis nga Republika e Austrisë me 2001, çmimin Hivzi Sulejmani nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës me 2004 dhe çmimin Preisdes Wirtschaftsklubs im Literaturhaus in Stuttgart në Gjermani me 2013. Librat dhe punimet e Cufajt, përpos gjermanishtes, kanë parë dritën e botimit në disa gjuhë dhe për krijimtarinë e tij kanë shkruar me dhjeta autoritete kompetente të skenës letrare europiane.
Djaloshi i ri që nga koha e takimit me Podrimjen është dalluar edhe në gazetari. Ende e mbaj mend shumë kthjellët kursi korrespondent nga vendet gjermanofone- në fund të 1990-tave dhe deri kah fundi i dekadës së parë të këtij shekulli- ai ishte njëra nga shtyllat e rritjes dhe pjekjes së gazetës Koha Ditore dhe së fundmi- deri para një viti- një ndër motorët e ripërtëritjes së të përditshmes Zëri. Por, kontribute po aq të mëdha për kulturën dhe popullin tonë, Beqë Cufaj ka dhënë posaçërisht me shkrimet, reportazhet dhe trajtesat gazetareske për mediet dhe revistat europiane më më prestigj, si p.sh. Frankfurter Allgemeine, Neue Zürcher, Süddeutscher, Die Zeit, Courrier International etj. Seria e reportazheve të tij nga salla e gjykimit të kasapit serb të Ballkanit, Slobodan Milošević, në Tribunalin e Hagës, është një fejtonistikë dokumentaro-letrare e niveleve të nalta, e denjë të jetë pjesë e lektyrës shkollore në çdo vend ballkanik dhe europian. Përveç këtyre, polemikat dhe përgjigjet intelektuale që Cufaj i ka shkëmbyer me disa personalitete lidhur me qëndrimet e tyre kontraversiale, ndër të cilët e vlen të përmenden shkrimtari proserb Peter Handke dhe Franziska Augstein, vajza e Rudolf Augstein, themeluesit të revistës gjermane mbase më me influencë Der Spiegel, janë testamente brilante të fuqisë dhe mprehtësisë intelektuale.
Beqë Cufaj nuk është i vetmuar në Europë. Ai bën pjesë në orkestrën e disa duzinave me shqiptarë të suksesshëm në fushën e letrave dhe shkrimtarisë në kontinentin e vjetër- prej Italisë, Zvicrës,Gjermanisë, Holandës, e deri në Francë. Këta zëra kreativ kanë bërë goxha shumë për vlerat, imazhin dhe prezantimin e letërsisë dhe artit shqiptar në botë, porse, çuditërisht, roli dhe kontributi i tyre është dhe vazhdon të mbahet jashtë radarit të interesit, njohjes dhe trajtimit (kritik) të elitave apo, mbase, më mirë thënë, kastave të letrave dhe kulturës shqiptare në Ballkan.
Ç’ është e vërteta me e thellë, shkrimtari dhe publicisti Cufaj, që prej se këmba e tij ka shkelur në tokat gjermane, pandërprerë, ka bërë punën e një de facto ambasadori duke u angazhuar edhe politikisht dhe diplomatikisht me qeveritë dhe rrethet me ndikim në vendet gjermane. Herë atje, herë në trojet shqiptare, Cufajn e ke hasur si një kronist dhe murg të dedikuar për të shënuar dhe avokuar të drejtat dhe interesat e shqiptarëve dhe shteteve tona prej Rambujeë e deri në Vjenë ku u përmbyll korniza formale e pavarësisë së Republikës së Kosovës, prej panairit më të madh të librit në botë në Frankfurt am Main e deri në panairin e Lepzigut ku disa herë ka qenë instrumental në paraqitjen e talenteve të reja para syve të botuesve dhe patronëve të fuqishëm të literaturës botërore. Kudo e kurdo ka qenë dhe është nevoja.
Beqë Cufaj dhe një pjesë e madhe e kolegëve të tij shqiptarë të shpërndarë nëpër Europë janë ende në moshën e artë të krijimtarisë dhe veprimtarisë së tyre multidimensionale. Ndër këta ambasadorë jozyrtarë ka burra dhe gra të cilët nuk janë pikasur nga verbëria jonë vullnetare sepse viteve të fundit në mediet dhe institucionet shqiptare ka një zhvendosje të habitshme të balancës në favor të triviales dhe bulevardeskes dhe në disfavor të sensibiles dhe rëndësishmes. Shoqëritë shqiptare dhe diaspora jonë duhet ta kuptojmë që vlerat dhe personalitetet janë si bimët e rralla dhe delikate që kërkojnë përkujdesje dhe vëmendje kur mbillen dhe derisa japin edhe frytin e fundit.
Nuk e pranoj që ne shqiptarët, përgjithësisht, e kemi zakon të falënderojmë njerëzit tonë ose kur na i nderojnë të tjerët ose kur na lënë për amshim sikur poeti Ali Podrimja. Dhe kështu, me këtë kolumne sot, unë dua të shpreh mirënjohjen time më të veçantë për Beqë Cufajn, shkrimtarin dhe ambasadorin tonë pa dekret në Europë, ngase e njoh atë dhe punën e tij më së miri. Përmes emrit të tij besoj që çmoj edhe veprën dhe përpjekjet e secilit personalitet tjetër tonit në Europë, i njohur apo panjohur për publikun. Shpresoj dhe ftoj që ky shqiptim i imi i falënderimeve të sinqerta të shtyjë njerëzit e medieve dhe institucioneve shqiptare kudo në botë t’u thonë ju faleminderit të gjithë bashkëkombësve tonë që e meritojnë vlerësimin siç po i them unë Beqë Cufajt ndërsa i dëshiroj suksese të reja dhe arritje të majave edhe më të larta. Pra, edhe një herë: FALEMINDERIT BEQË CUFAJ!
Vetëurrejtësit
Nga Uk Lushi/
Është viti 1994. Jam duke shkuar në një diskotekë në Stuttgart bashkë me një djalë as të bukur as të shëmtuar nga Gjilani. Para se të na vije radha të paguajmë biletat hyrëse, ai më flet me zë të ulët: “Mos thuaj që jemi shqiptarë brenda! Kur të pyesin nga jemi, thuaj që jemi italianë! Vetëm kështu mund të zëmë femra të bukura! Gjermanet nuk i duan shqiptarët!”
Është viti 2006. Jemi mbledhur në një restorant në Boston rreth njëzet punëtorë të dy firmave globale. Mësoj që në mesin e përfaqësuesve të kompanisë që kishte shtruar darkën ishte një shqiptare nga Tirana. I gëzuar filloj e bisedoj shqip me të. E trazuar, ajo më pëshpëritë: ”Unë u kam thënë kolegëve që jam nga Greqia. Ju lutem flisni anglisht dhe vetëm për tema profesionale!” Dy latino-amerikanë, njëri nga Argjentina dhe tjetri nga Venezuela, e kaluan gati tërë kohën duke folur në spanjisht.
Është viti 2008. Jam duke vizituar një shqiptaro-amerikan të lindur dhe rritur në Ulqin, menaxher i një rrokaqielli madhështor, në zyrën e tij në New York.Mbi tavolinën e punës vërej flamujt e Malit të Zi dhe Amerikës. I çuditur i drejtohem: “ Ti nuk ka ngjarje në komunitet që nuk luan patriotin e përunjur! Ku e ke flamurin shqiptar?!” Ma kthen në një anglishte të rëndë: “Nuk kam dëshirë që banorët e ndërtesës ta dinë që jam shqiptar! Ne shqiptarët nuk kemi nam të mirë!”
Është viti 2011. Jemi me pushime me nusen time në Pragë. Ditën e dytë futemi në një dyqan stolish që vizëllonte nga shndritja e smeraldeve, qelibarëve dhe garnetëve. Bisedojmë me pronarin që tregon që kishte 12 vite që prej se kishte ardhur në kryeqytetin çek. E pyesim prej nga. “Jam kroat.”— na kthen ai dhe vazhdon të provojë të na shesë gurët dhe kristalet e tij. Dy-tre minuta më vonë, nga mbrapa tezgave, shfaqet një fëmijë rreth dhjetë vjeçar, që thërret:“U ktheva! O bab’, u ktheva!” I shokuar e pyes zotin e dyqanit: “Ne jemi shqiptarë. Ju thatë që jeni kroat. Fëmija juaj foli shqip. A jeni shqiptar?!” Burri pa ju dridhur qerpiku u përgjigj: “Jemi nga Shkupi, por para se të vinim në Pragë kemi jetuar në Zagreb përmbi 30 vite. Të thuash je kroat është më mirë për biznesin!”
Këto anekdota të vërteta kanë vetëm qëllim ilustrues. Jam i bindur që ka edhe shqiptarë apo shqiptare tjera që kanë përjetuar raste të ngjashme si përvojat e mia më lartë kur bashkëkombës tonët projektojnë frustrimet, mungesat,inferioritetin apo mosplotësimin e ambicieve vetjake në kombin shqiptar. Sigurisht që shumica e madhe e shqiptarëve nuk i kanë këto komplekse dhe e duan me gjithë zemër popullin tonë, mirëpo athtësia e disave nga ne është aq acidike, sa nganjëherë është gati e pabesueshme. Anëtarët e një populli të cilët ndihen keq dhe e fshehin përkatësinë e tyre, që shprehin indinjatë, aversion dhe urrejtje ndaj kombit të tyre, gjenden edhe ndër popuj tjerë.Këta njerëz profesionistët e psikologjisë dhe psikiatrisë i quajnë vetëurrejtës.
I pari autor që përdori termin “vetëurrejtës” ishte filozofi hebrenjo-gjerman Theodore Lessing në librin e tij “Jüdischer Selbsthass” (“Vetëurrejtja hebrenje”), botuar në vitin 1930. Lessingu i kualifikoi si vetëurrejtës hebrenjtë të cilët zgjidhnin asimilimin dhe përpiqeshin të largoheshin nga rrënjët e tyre hebrenje. Nocioni i vetëurrejtjes hebrenje u popullarizua në Amerikë në vitet 1940 nga psikologu Kurt Lewin dhe sidomos në mesin e viteve1980 nga profesori Sander Gilman, sipas të cilit vetëurrejtja hebrenje haset në hapësirat mes asaj se si hebrenjtë kujtojnë që grupet tjera dominuese i shohin ata dhe si ata e projektojnë frikën e tyre se do të shikohen nga hebrenjtë tjerë si mishërim i statutit të ankthit të tyre kundrejt këtij shikimi.
Në përgjithësi vetëurrejtja konstatohet në të gjitha grupet njerëzore. P.sh. në Gjermani ajo shënoi një rritje sidomos para ribashkimit të popullit gjerman me 3 tetor 1990. Vetëurrejtësit gjermanë nuk donin t’ ja dinin që populli gjerman kishte vlera, kapacitete dhe aftësi të bënte vepra të mëdha. Vetëurrejtësit ndiejnë antipati të fortë për çdo gjë të popullit të tyre.Njëjtë sillen edhe vetëurrejtësit shqiptarë të cilët nuk duan të pranojnë asgjë të mirë, por vetëm të këqijat e kombit. Vetërrejtësit tonë përqendrohen vetëm në të metat dhe me logjikën e tyre edhe të mirat janë arritje të vogla dhe nuk ka rëndësi se sa i madh ka qenë disavantazhi para realizimit të së mirës. Sipas tyre popujt e tjerë janë superiorë dhe t’u takosh popujve tjerë, pavarësisht karakterit, aftësive dhe punës personale, automatikisht je më i mirë apo më e mirë. Sidoqoftë, vetëurrejtësit shqiptarë kanë një dallim kardinal nga vetëurrejtësit e popujve tjerë: k’ta urrejtësit e vetes shqiptare nuk urrejnë përfitimet që u vijnë në emër të popullit shqiptar dhe kur u jepet rasti për donacione, ndihma apo asistencë, i pranojnë ato duarhapur, paçka që, sapo t’ik enë ato në posedim, harrojnë popullin shqiptar dhe rinisin urrejtjen menjëherë dhe përsëri.
Populli shqiptar është një popull i vuajtur dhe i cili është goditur nga çdo anë. Ne padyshim kemi të bëjmë shumë dhe, ndërsa tjerët ndoshta kanë komoditetin të ecin, ne duhet të vrapojmë. Secili shqiptar apo shqiptare duhet të ndihet rehatshëm si pjesë e popullit shqiptar sepse nuk ka popuj më të mirë apo më të këqij, por ka individë që zgjedhin të jenë shqiptarofobë ose shqiptarofilë. Për pjesëtarët e popullit shqiptar ka një gjë që duhet bërë medoemos kur kryqëzohet rruga me vetëurrejtësit— ata dhe/ose ato duhet quajtur me emrin e vet. Vetëurrejtësit duhet ta dinë që dashuria gjithmonë fiton mbi urrejtjen sepse dashuria është lule e cila ujitet nga shpresa. Dashuria si ndjenja më e bukur dhe bujare njerëzore natyrisht që është e mbushur me rrezik për zhgënjim, por gjithsesi që është diçka që i jep kuptim të thellë dhe fisnik jetës. Prandaj nuk është mirë të urrehen as të tjerët, e as vetvetja.