• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOKUMENTE TË REJA MBI VDEKJEN E MID’HAT FRASHËRIT

October 4, 2018 by dgreca

– Më 3 tetor 1949, ora 9.25 në hotelin Winthrop të New Yorkut, Mid’hat Frashëri vdiq papritur. Sipas të dhënave të shoqëruesit që i rrinte pranë në atë çaste dhe sipas ekspertizës mjekoligjore, rezultoi që vdekja iu shkaktua nga një infarkt i miokardit.Por nuk iu bë ekspertiza mjeko-ligjore./

1-Uran-Butka-300x225Nga Uran Butka/
Mithat Frasheri

Arritja politike më kulmore e Mid’hat Frashërit në emigracion ishte krijimi në Paris, më 26 gusht 1949, i Komitetit “Shqipëria e lirë”, me ndërmjetësinë e anglo-amerikanëve, me këtë përbërje: Mid’hat Frashëri, kryetar, Abaz Kupi, Said Kryeziu, Zef Pali dhe Nuçi Kota – anëtarë dhe me një përfaqësi të gjerë të grupimeve e të personaliteteve të ndryshme politkë të emigracionit antikomunist (Këshilli Kombëtar) me njëmbëdhjetë anëtarë: Halil Maçi, Abaz Ermenji, Vasil Andoni, Ihsan Toptani, Muharrem Bajraktari, Gaqo Gogo, Gani Tafili, Asllan Zeneli, Hysni Mulleti, Ekrem Talhaj. Krijimi i një komiteti që do t’i bashkonte shqiptarët e emigracionit në Itali, Greqi, Turqi, Francë, Amerikë, etj, dhe që do ta kishte mbështetjen te Perëndimi, një qeveri shqiptare në mërgim me kryeministër në hije, Mid’hat Frashërin . Ishte një kërkesë e kohës.

Mid’hati parashtronte disa kritere të rëndësishme, të cilave duhej t’i nënshtrohej bashkimi në një komitet nacional. “Një komitet i përbashkët do të ishte një vegël e çmueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni ju, – i shkruante nga Stambolli Abaz Kupit, më 1948 – se kondita e parë e një organi që të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë formuar prej njerëzish, mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër atdheut”.

“E dini fort mirë se Shqipëria  pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër Atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqive okupuese… Është e tepër të përsërit se i vetmi qëllim i ndjekur në këtë përpjekje ka qenë fitimi për çështjen shqiptare dhe jo interesi i personave ose i grupeve”-  shkruante po aty Mid’hati.

Sipas tij, nuk mund të merrnin pjesë në këtë komitet kombëtar ata që ishin komprometuar si bashkëpunëtorë me okupatorët, si edhe ata mbi supet e të cilëve rrëndonin njolla dhe faje ndaj atdheut. Kësaj vije demarkacioni ai i mbeti besnik edhe në politikë, edhe në jetë, gjë që tregonte qartë moralin politik, pastërtinë dhe patriotizmin e tij të kulluar. Gjithashtu, ky kriter, rrëzonte sërish hipotezën komuniste se M. Frashëri ishte kriminel lufte dhe kolaboracionist, përndryshe nuk do të zgjidhej nga aleatët anglo-amerikanë për të kryesuar qeverinë në mërgim,  si edhe ai vetë nuk do të vendoste ato kritere përjashtimi për ata që kishin bërë krime, apo që kishin bashkëpunuar me fashistët, ndonëse ishin antikomunistë të vendosur  Mid’hat Frashëri,  zgjodhi në Komitetin “Shqipëria e Lirë” elementët më të vlefshëm dhe më të pastërt, me pëlqimin e Aleatëve Perëndimorë, dhe si përfaqësues të Kosovës zgjodhi  Said Kryeziun, luftëtar i lirisë në lëvizjen “Kryeziu” Vetë fakti që aleatët perëndimorë përzgjodhën Mid’hat Frashërin në krye të Komitetit “Shqipëria e lirë”, ishte tejet kuptimplotë.

Qëllimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ishte lirimi i Shqipërisë nga diktatura komuniste dhe vendosja atje e një sistemi demokratik sipas modeleve më të përparuara perëndimore. Në programin e Komitetit theksohej se liria e Shqipërisë duhej të plotësohej me lirinë e shqiptarëve. Prandaj, as lirim për të përgatitur diktatura personash a partish, as demokraci për t’u tallur me vullnetin e popullit e për të përfituar nga vota e tij! Liria dhe demokracia, sipas programit të Komitetit “Shqipëri e Lirë” do të arriheshin e do të bëheshin të plota kur populli shqiptar i çliruar nga shtypja e mjerimi, do të zgjidhte me votën e lirë regjimin dhe përfaqësuesit e tij legjitimë, një qeveri demokratike që do t’i garantonte konkretisht liritë politike e të drejtat njerëzore, pa pranuar  më diktate e aventura”.

Në Francë, opinioni zyrtar dhe shumica e shtypit e përshëndetën komitetin “Shqipëria e Lirë”.

Gazeta“The Christian Science Monitor”, shkruante:“Sipas lajmeve të besueshme në Paris u themelua Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë, i cili do të ketë selinë në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i tij do të jetë përfaqësimi i të gjitha shtresave shqiptare, të cilat dëshirojnë vendosjen e një qeverie, e cila respekton të drejtat dhe liritë e shtetasve të vet. Në këtë Komitet përfshihen personalitete të shquara shqiptare, në sferën shoqërore dhe politike dhe do të ketë selinë e vet në New York. Fakti që selia e këtij Komiteti të porsaformuar të jetë në Shtetet e Bashkuara, lë të kuptohet se Ministria Jashtme Amerikane e mbështet këtë përpjekje. Mit’hat Frashëri udhëheqësi i këtij grupi pritet të arrijë së shpejti në Amerikë.

Mandej, anëtarët e Komitetit u nisën për në Londër. Sir Robert Hodgson, shkruante: “…Porsa hyri në luftë Rusia, puna e Ballit Kombëtar u bë edhe më e vështirë, nënshtrimin e Shqipërisë nën influencën komuniste nuk mund ta ndalonte dhe mënyra më e mirë për t’i bërë ballë gjendjes ishte të futej në punë plani i Mid’hat Frashërit për krijimin e komitetit “Shqipëria e Lirë”.

Nga Radio Londra presidenti i pare i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, ai u drejtoi më 6.9.1949 të gjithë shqiptarëve një mesazh historik, me të cilin zbulonte dramën e popullit shqiptar nën sundimin tiranik të qeverisë komuniste të Tiranës, satelite e Rusisë staliniste, si edhe shpaloste programin e komitetit “Shqipëria e Lirë”.

“Raca shqiptare, ajo racë që vuan, por që edhe ndjen, që ofshan, por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi zuri të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun dhe fatkeqësinë në të cilën e hodhën matrapazët komunistë, po i çelte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj. Bash për të ndihmuar këtë zgjim të popullit dhe për të shpejtuar forcimin e ndërgjegjes së tij, është formuar Komiteti “Shqipnija e Lirë”. Vija e jonë do të jetë kurdoherë vijë e drejtë. Programi i ynë është të fitojmë indipendencën dhe të sigurojmë integritetin e vendit tonë…”.

Siç dihet tanimë, pushteti komunist i Enver Hoxhës urdhëroi të fikeshin dritat në të gjithë Shqipërinë, që të mos dëgjohej fjalimi i Mid’hat Frashërit, i transmetuar nga BBC.

Nga  Anglia ai shkoi në SHBA, në Nju Jork, ku komiteti do të kishte selinë e përhershme, si edhe një mbështetje më të madhe të qeverisë amerikane dhe të lobit shqiptar atje. Kryetari i Komitetit, M. Frashëri dhe anëtarët e tij, A. Kupi, S. Kryeziu, Z. Pali dhe N. Kota, u pritën nga Kryetari i Komitetit “Europa e Lirë”, (themeluar më 1 qershor 1949), Joseph Grew dhe më pas edhe nga zëvendësndihmës i sek.Shtetit Amerikan, Levling Thomson. “Ishte një nder i madh dhe ne ishim shumë të kënaqur, meqenëse askush nuk na kishte ftuar në Foreign Office, kur ishim në Londër, – shkruante Said Kryeziu – duhet ta kuptonit gjendjen tonë. Ishim njerëz të humbur dhe të braktisur, disa prej nesh të sapodalë nga kampet e refugjatëve. E ngriti shumë moralin tonë pritja prej një përfaqësuesi të Qeverisë Amerikane. Kjo na jepte të kuptonin se do të bëhej diçka për të çliruar vendin tonë”.

Në një pritje në Washington për nder të Komitetit “Shqipëria e lirë”, ku ndodheshin personalitete të larta amerikane dhe të organizatës “Evropa e lirë”, Mid’hat Frashëri, në fjalën e tij, ndër të tjera, tha: “Shpresojmë që t’i japim zemër popullit shqiptar në rezistencën e tij kundër tiranisë së egër komuniste dhe të ndihmojmë për të organizuar shqiptarët jashtë Shqipërisë, që ajo të ketë ndihmën e tyre të plotë në këtë luftë. Populli në Shqipëri, duhet ta dijë se kundërshtimi i shtypjes komuniste është i përbotshëm dhe se fuqia e kombeve të lirë, si dhe forca e institucioneve ndërkombëtare po shtohet dita-ditës”.

Mirëpo ndodhi fatkeqësia e papritur.

. Më 3 tetor 1949, ora 9.25 në hotelin Winthrop të New Yorkut, Mid’hat Frashëri vdiq papritur. Sipas të dhënave të shoqëruesit që i rrinte pranë në atë çaste dhe sipas ekspertizës mjekoligjore, rezultoi që vdekja iu shkaktua nga një infarkt i miokardit.Por nuk iu bë ekspertiza mjeko-ligjore.

Ekziston edhe një variant i vrasjes (shkaktimit të infarktit nëpërmjet ilaçeve apo gazit nëpërmjet agjentëve të KGB-së). Kim Philbi, agjent i dyfishtë, i cili kishte qenë në Londër në shtator të vitit 1949, kur ishte shpallur Komiteti “Shqipëria e lirë”, ndërkohë që ishte nisur në atë kohë për në SHBA, mendohet se mund të ketë vepruar bashkë me agjentët e fshehtë të KGB-së, mbi Mid’hat Frashërin për ta asgjësuar, ashtu siç kishin vepruar edhe mbi disa personalitete të tjera antikomuniste të Lindjes si Stefan Bandera, Lev Rebet, Georg Markov.

Në mbështetje të këtij varianti të vrasjes është edhe shqetësimi i madh i qeverisë komuniste të Tiranës për themelimin e veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e lirë” dhe të Mid’hat Frashërit. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, shkruhet:

“Në Amerikë është kolonia jonë më e madhe dhe qëllimi imediat i organizatorëve të këtij komiteti, veç zhurmës me radio e shtyp kundër qeverisë sonë, është që të shkëputë koloninë shqiptare të Amerikës dhe ta lidhë me reaksionin… Të merret në shqyrtim dhe të caktohet me hollësi një politikë e jona aktive ndaj kolonisë së Amerikës. Të studiohet një e nga një çdo person dhe të bëhet diferencimi. Midhat Frashëri nuk e fut dot këmbën kollaj në koloni. Po kështu edhe të tjerët. Po këto veprime duhen bërë sa më parë”.( dokumenti i Arkivit të Ministrise se Jashtme nr 13-199, Rezervate, viti 1949)

Pra, vendimi i qeverisë shqiptare ishte qe Mid’hat Frashëri të mos e fuste këmben në koloninë shqiptare në SHBA, pra tek Panfederata atdhetare “Vatra”  Ky veprim asgjësimi ndaj Mid’hat Frasherit duhej bërë sa më parë, thuhet në këtë dokument të Ministrisë se Jashtme, e cila kishte marrë urdhrin.

Masat që mori Sigurimi i shtetit Shqiptar ishte në radhë të parë bashkëpunimi me KGB sovjetike, qe kishte forcë të vepronte edhe ne SHBA. Mendohet se me ndërmjetësinë  e Kim Filbin qe ishte emëruar titullar  në Ambasadën britanike ne SHBA dhe të agjentëve rusë në SHBA, u bë e mundur zhdukja fizike e M.Frashërit, qe ishte shpallur person i rëndësishëm nën mbrojtjen e shtetit amerikan ( Kohët e fundit ka nisur edhe një hetim i shtetit amerikan për vdekjen e dyshuar të Mid’at Frashërit)

Trupi i Mid’hat Frashërit u varros me nderime në varrezat Ferchff në New York, ku e ka edhe sot varrin. Një varr i thjeshtë, i sheshtë e në mes të barit, me mbishkrimin e vetëm: “Mid’hat Abdyl Frashëri- 1880-1949”. Fjalën e lamtumirës e mbajti Nuçi Kotta në emër të Komitetit “Shqipëria e lirë”. Bënë homazhe personalitete te SHBA dhe të organizatës “Evropa e Lirë”.

Vdekja e Mid’hatit ishte një goditje e rëndë për kombin dhe kulturën shqiptare. Një nga njerëzit e shquar kulturës, që e përjetoi më dhimbje, ishte edhe albanologu Zef Valentini. Në letrën që i dërgonte studiuesit dhe publicistit të njohur, Tajar Zavalani, më 30 tetor 1949, i shkruante se Mid’hati qëndronte me lart se kushdo tjetër për nga kultura historike, ndjesia e traditave, drejtpeshimi filozofik.

 

Është e habitshme, që lajmi i vdekjes së Mid’hat Frashërit, arriti së pari, ndofta në mënyrë të nëndheshme, në burgun e Burrelit, ku ishin mbyllur mjaft nga bashkëpunëtorët dhe ithtarët e tij. Një ndër ta, poeti Kudret Kokoshi, krijoi me mend dhe ua kumtoi të burgosurve politikë një sonet, jo me tingëllime elegjiake apo mortore, por  me nota optimiste dhe përjetësie:

 

Në dhé të huaj larg Shqipes me gjak lagur,

Që Ti me ankth kaq shum’ e dashurove,

Në dhé të largët prej fatit i përflakur,

Atdheut të vuajtur jetën i dhurove.

 

Baba i kombit, ndër beteja plakur,

Ti zemrat tona me ideal i ngrohe

Rrugës së jetës sonë të përgjakur,

Në terr, Promethe, ti na ndriçove!

 

Ndër male e fusha nga veriu në lindje,

Gjëmon jehona e thirrjes shpëtimtare:

Vrapo, vrapo Shqipëri për në Rilindje,

Vrapo nën dhé, se na prin Mid’hati!

 

Falanga e kombit po vërshon me bindje,

me idet’e Lumos, pa u trembur fare.[1]

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dokumente te reja, E MID’HAT FRASHËRIT, MBI VDEKJEN, Uran Butka

HISTORIANI XHUFI DHE KAMPI I PËRQËNDRIMIT I TEPELENËS.

April 11, 2018 by dgreca

1 uran Butka

NGA URAN BUTKA/30007693_10215891633113918_371624479_n Me deklaratat e tij në media, historiani Pëllumb Xhufi tjetërson të vërtetën historike dhe lëndon të gjithë të përndjekurit politikë të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë ish-të internuarit në kampin e Tepelenës, por provokon e lëndon edhe gjithë shoqërinë e shëndoshë shqiptare.

kampi-i-tepelenesFillimisht dua të theksoj se përveç dënimeve politike pa gjyq dhe me gjyqe të montuar ndaj kundërshtarëve politikë, duke i dënuar me varje, pushkatime e burgime të renda, regjimi komunist dënoi edhe familjet e tyre, pra pleqtë, gratë e fëmijët duke i mbyllur në kampe përqëndrimi apo kampe internimi, ku u dhunuan dhe vdiqën me mijra të pafajshëm, sidomos fëmijë, gjë e përbën një krim kundër njerëzimit.auto_1367500218-skica1522827045Në vitet e para të diktaturës, u ngritën kampet e përqëndrimit për familjet “reaksionare”, kampe të rrethuar me tela me gjëmba dhe të ruajtura nga ushtria, si kampi i Krujës (1945) ku vuajti çnjerëzisht edhe familja Butka, më pas edhe kampi i përqëndrimit në Kamëz, Berat dhe në Tepelenë. Mandej, u hapën në mjaft rrethe si Lushnjë, Fier, Vlorë, Cërrik, Kuç etj edhe kampet e internimit të punës së detyruar, edhe këto kampe të izoluara, ku të internuarit punuan si skllevër për gjysmë shekulli me radhë.kampi-tepelene-640x552

Kampi i Tepelenës ishte një kamp përqëndrimi i tipit Stalinist, i ngjashëm me ata të nazizmit. Përgjegjës i kampit ishte Xhaferr Pogace, deri në vitin 1952. Përvec privimit të lirisë ( që Xhufin nuk e shqetëson fare, sepse nuk ka thënë asgjë për krimin e privimit të lirisë ndaj njerëzve të pafajzëm, grave dhe fëmijve dhe robërimit të tyre të paligjshëm), u ushtrua një dhunë e tmerrshme morale, fizike, psikogjike, por edhe forma te tjera te torturës si mungesa e ushqimit, epidemitë e pa mjekuara, çnderimi i vajzave dhe grave të internuara, mungesat e veshjeve, fjetja në çimento apo dërrasa, vdekjet për shkak të kushteve jonjerëzore etj( ndërkohë që historiani Xhufi flet për një jetë jo aq te keqe në kampin e Tepelenës, gjë që përbën një fshehje të së vërtetës dhe lustrimin e krimit komunist).

Në një dokument për kampin e Tepelenës, thuhet: “Në kampin e internimit të Tepelenës kemi një sasi njerëzish që janë pothuaj krejt të zhveshur pse janë nga veriu dhe se kanë një kohë të gjatë që rrinë në kampe, u duken mishrat” shkruhet në raportin e datësë 30 korrik 1951 të degës së kampeve dhe burgjeve. (Arkivi i MPB, F.50,v.1951,D.420).

Nuk janë rastësore, siç mund të mendojë kush, deklarimet publike të Xhufit për Kampin e përqëndrimit të Tepelenës. Ai e ka shprehur dhe mbajtur këtë qëndrim negativ përgjatë gjithë këtyre 25 vjetëve, duke glorifikuar kriminelët komunistë dhe duke përbaltur viktimat e atij regjimi, duke i mbetur besnik të shkuarës komuniste,  formimit të tij gjenetik dhe ideologjik, ashtu edhe historiografisë komuniste.

Si historian, Pëllumb Xhufi, e ka të ngulur në ndërgjegjen e formimin e tij konceptin komunist për historinë, politizimin e skajshëm të saj, metodën e përjashtimit e damkosjes të rivalit politik dhe të urrejtjes klasore. Edhe në debatet që po zhvillohen këto ditë në shtyp,  Xhufi i sulmon ata qe e kritikojnë apo ata që kanë mendim ndryshe me etiketime që s’janë të denja për një historian, apo në etikën e një intelektuali,  i etiketon neofashistë, revanshistë etj. Bie fjala, studiuesit Agron Tufa, i cili me të drejtë e kritikon me argumente sjelljen enveriste të Xhufit, ky e akuzon sikur Tufa i referohet burimeve nga Beogradi!?  duke aluduar djallëzisht se diçka e lidhka A.Tufen me Beogradin!? Teoritë komuniste të konspiracionit.. Kjo është sa perfide aq edhe e paturpshme. Të nxjerrësh dhe të përdorësh dokumente historike arkivat e Beogradit, Stambollit, Athines etj, nuk ka asgjë të keqe për një studiues. Aq me tepër akuza e Xhufit: “A thua të jetë thjesht afiniteti me gjuhët dhe kulturën sllave?”

Historiani Xhufi ngatërron me qëllim politikën me kulturën e popujve, qoftë edhe të popujve sllavë (rusë, kroatë sllovenë, serbë, bullgarë etj) Kulturat  lidhin, forcojnë dhe fisnikërojnë kombet, paqen, miqesine dhe bashkëpunimin ndermjet tyre.  Elitat politike dhe shtetërore janë gjë tjetër.

Të parët e Agron Tufës, patriotë, kanë luftuar kundër pushtuesve serbë për të mbrojtur Dibrën nga vandalizmat e ushtrisë e te politikes serbe, por kanë luftuar edhe kundër nazifashizmit (gjyshi i tij ishte partizan) , ndërkohë që babai i tij, Isuf Tufa, antikomunist është dënuar dhe burgosur në burgun e Spacit, sepse nuk i ka shërbyer regjimit Komunist, si të parët e Pëllumb Xhufit.

Në mungesë të kundërshtimit me argumentre historikë, P.Xhufi e sulmon Agron  Tufën“Se ai gënjen si derri” (argument vulgar). Apo fyerjet ndaj studiuesit Kastriot Dervishi, të cilin e quan fshatar etj.  K.Dervishi punon vetem me dokumentin arkivor, nuk flet ai, por flasin dokumentet, që boton K.Dervishi dhe që i djegin Pëllumb Xhufit.

Ai thotë se ka konsultuar dokumentet amerikane të CIA-s per kampin e Tepelenes të datës  të 29 majit 1953 dhe pohon publikisht:

“Kampi i Tepelenës ishte ndoshta kampi më i mirë ndër kampet e tjera, kampi i Maliqit ka qenë shumë më i keq, e thonë dokumentet, ato që kam parë unë, amerikane. ..”

Së pari, historian Xhufi nuk e njeh fare historinë e kampeve dhe burgjeve te regjimit komunist. Fakti që ai ngatërron kampim e internimit të Tepelenës me burgun e Maliqit, është sinjifikativ. Në Maliq ishte një burg me të burgosur politikë, që punonin per tharrjen e kënetës, ashtu si burgu i Spaçit, apo i Batrës, ku të burgosurit punonin për te nxjerrë bakër apo krom.

Së dyti, detyra e historianit është të konsultojë e ballafaqojë disa burime. Xhufi ka zgjedhur vetëm një burim, atë që i intereson, ndonëse thotë se ka lexuar disa dokuente amerikane, mirëpo vetëm mbi një dokument abuzon për të nxjerrë dhe publikuar të pavërteta. Ka dokumente të tjerë, por ka edhe dhjetra dëshmitarë, që kanë vuajtuar dhe i kanë shpëtuar vdekjes, që kanë dëshmuar për ferrin e kampit të Tepelenës.( Lexo dëshmitë e ish te internuarit në Kampin e Tepelenës, Aziz Ndreu, botuar tek “Zërat e Kujtesës”, apo “Kalvari tragjik i grave të internuara dhe të burgosura”, shkruar nga e internuara në kampin e Tepelenës, Fatbardha Saraçi, apo albumin “Në rrathët e Ferrit” (Botime ë Institutit të studimeve të Krimeve të Komunizmit për kampin e Tepelenës) etj, midis të cilave rrëfime tragjike per  gratë e internuara në Tepelenë: Vera Dema, Kadrie Cami, Vashe Kola, Hyrie Dosti, Gjyste Ndoci, Tefta Mesini,(Çapo), Mrika Gjikola, Gjela Gjikola dhe qindra grave e vajzave  të tjera , që humbën prindërit dhe fëmijët në kampin famëkeq të Tepelenës. Edhe varret nuk i kanë gjëkundi. Vetëm eshtrat e dy vajzave të vogla: Prena dhe Dila Gjikola, tw varrosura para 55 vjetësh në kampin e Tepelenës, u gjetën nga nënat e tyre Mrika dhe Gjela Gjikola, u nxorën prej andej dhe u varrosën në tokën e tyre, në Selitë të Mirditës.

Së treti, Xhufi thotë se në kampin e Tepelenës ishin internuarit e familjeve te diversantëve dhe kriminelëve te Veriut, ndërkohë që në atë kamp ishin të internuar edhe nga Jugu, një grup familjesh të deklasuara nga Dukati i Vlorës  apo nga Konispoli etj.  Xhufi justifikon internimin e familjeve për shkak të të  arratisurve politikë, kundërshtarëve të regjimit, pra justifikon ndëshkimin e të pafajshmëve, fëmijve dhe grave, një krim makabër i regjimit komunist që është në kundërshtim flagrant me të drejtat dhe liritë e njeriut;  por Xhufi  mohon edhe nje te vertetë që në kampin e Tepelenes u internuan edhe familje që s’ishin lidhje me të të arratisurit apo “diversantët”, si familja Vasija ( Gjosho Vasijas) nga Shkodra, familja Mulleti nga Tirana ( si nëpunëse e Mbretërisë, e të tjera familje të quajtura  “reaksionare”, pra,  gra pleq e fëmijë të pafajshëm, për të cilët historiani  Xhufi nuk ndjen asnjë keqardhje humaniste dhe nuk thotë asnjë fjalë për vuajten e tyre absurde, apo per pushtetin totalitar komunist, që i torturoi mizorisht.

Historianin Xhufi e shqetëson pa masë perpjekja per evidentimin  e krimeve te komunizmit, sic rekomandon edhe Asambleja e Këshilit të Europes, e tërbon edhe projekti per ngritjen e nje muzeu ne vend te kampit te Tepelenës, projekt që e quan “antikombetar, që demonizon qëndresën antifashiste, reabiliton kolaboracionizmin dhe fashizmin, barazon Enverin me Hitlerin!?” Vetëm nje i sëmurë mendor dhe psiqik mund t’i thotë keto!

Së katërti, po të lexosh raportet e tjera të CIA-s por edhe dokumentet e tjerë të arkivave shqiptare e të huaja, rezulton se në kampin e Tepelenës janë përdorur metoda barbare dhe tortura çnjerëzore, të projektuara nga E.Hoxha dhe klika e tij kriminale.

Për dokumentin e CIA-s të vitit 1951, që jep zbuluar krimet e regjimit komunist në kampin e Tepelenës, Xhufi pretendon se ky dokument është përpiluar nga jugosllavët dhe e akuzon A.Tufën si prosllav!? dhe që përçan veriun me jugun ( z. Xhufi, ishte regjimi komunist që i ndante dhe i përçante shqiptarët, apo jane nostalgjikët e Enver Hoxhës, ata që i përçajnë dhe lëndojnë edhe sot dhe jo Agron Tufa)

Po japim për ilustrim një dokument tjetër për P.Xhufin dhe lexuesit, Raportin  e Qeverisë Amerikane, paraqitur në OKB në shkurt 1955, ku ndër të tjera thuhej për kampin e Tepelenës:

“Gjon Pjetri, një djalë 12 vjeç nga Oroshi i Mirditës, i cili kaloi në Jugosllavi më 13 gusht 1951, është një prej banorëve të kampit të përqëndrimit në Tepelenë, i cili ka dhënë një dëshmi grafike mbi jetën në kamp, ku ai qe internuar me gjithë familjen e tij…Megjithëse fëmijë, ai i provoi në kamp të gjitha vështirësitë e një të rrituri. Ai tha se në kamp kish një mijë njerëz, shumica pleq, gra dhe fëmijë, gjithashtu merrnin si ushqim “një copë të vogël bukë misri dhe një lloj supe në të cilën rastësisht gjeje ndonjë fasule”. Ai tha se shumë njerëz flinin mbi çimento, mbi policët nuk i lejonin të merrnin batanije kur arrestoheshin. Uria, papastërtia dhe keqpërdorimi në kamp shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve , njoftoi fëmija. Ai mbante mend me hollësi një dhomë të errët dhe të ngushtë që mbante disa qindra fëmijë dhe të rritur, të cilët ishin të prekur nga turbekulozi, sëmundjet e lëkurës dhe sëmundje të tjera. Djali tha se policia i torturonte shumë nga bashkëjetuesit që ishin të pazotë për punë dhe se njerëzit e sëmurë nuk vinin të vizitoheshin te doktori i kampit, mbasi si zakonisht ai u thoshte se nuk kish shpresa përmirësimi. Edhe të sëmurëve u duhej të shpinin dru në kamp dhe kjo qe një punë e lodhshme edhe për të rriturit e shëndoshë, se pylli ishte 12 km larg kampit. Asnjë nuk guxonte të mos vinte në punë – tha fëmija; të afërmve e prindërve të tij nuk u lejuan të mungojnë një ditë nga puna për tu kujdesur për të bijën e tyre të sëmurë dhe vajza e vogël vdiq pa nënën e vet , që nuk mund të bënte diçka për atë.

Një nga deklarimet e shumta të dhëna nga ish-banorët e kampit të përqëmdrimit të Tepelenës, është dhënë nga Mustafa Hoxha, një klerik mysliman, i cili qe internuar në këtë kamp më 1949 dhe që iku në Jugosllavi në fillim të vitit 1953. Në fillim Hoxha u internua në kampin e Turanit në Tepelenë, ku kishte 2.800 burra, gra dhe fëmijë. Jeta e kampit ishte e padurueshme, banorët merrnin nga 550 gramë bukë misri të papjekur mirë dhe asgjë tjetër. Ata hanin bar dhe kafshë të ngordhura. Kjo solli si rezultat përhapjen e një epidemie në kampe 7-8 vdekje të përditshme, shumica fëmijë. Një nënë nga Elbasani tha Hoxha, humbi 5 nga 6 fëmijët e vet brenda 6 muajve. Kur u çua kampi në Tepelenë gjendja u bë më e keqe. Hoxha mori pjesë në funeralin e 318 myslimanëve dhe gjatë 20 muajve të internimit të tij në kamp, vdiqën 1.200. nëpunësit e kampit një ditë vendosën të heqin varrezat nga një fushë afër kampit për tek ura e Bençës. Sipas kësaj banorët, burra e gra u detyruan të gërmojnë varret e atyre që sapo ishin varrosur dhe t’i rivarrosnin në vendin e ri. Ky veprim i dha shkas hapjes së një epidemie të re dhe shkalla e vdekjes në kamp u rrit. Kushtet e punës në kamp ishin tmerruese, njofton Hoxha. Shumë banorë pavarësisht nga kushtet ndërmjet tyre, duhet të mbanin në kurriz gjysëm metër kub dru nga një pyll 5-6 kilometra larg nga kampi. Të tjerët po nga ajo distancë mbanin material për 70 shtylla për tek ura e Bençës. Nëpunësit e kampit ishin të pamëshirshëm në detyrimin e banorëve, të përballonin punën prej skllavi. Dënimi kundër të pabindurve ishte i egër. Dënimi më i zakonshëm ishte lidhje e individit me tel të fortë, derisa ti takonte kockat dhe pastaj mbyllej në një qeli për një kohë të pacaktuar.

Praktikisht nuk kishte parashikime për kujdesin mjekësor në kamp, një doktor vizitonte kampin vetëm me intervale të largëta dhe banorët nuk guxonin të kërkonin kujdes mjekësor, nga frika e reprezaljeve.

Ata që dërgoheshin në spitalin e Gjirokastrës kurrë nuk ktheheshin, zhdukeshin, një dëshmi tjetër mbi kushtet në kampin e Tepelenës qe dhënë nga Gjyste Ndoci, një grua e re shqiptare. Sipas saj, ajo së bashku me fëmijët, Zefi 9 vjeç, Deda 6 dhe Lulja 5 vjeç, ishin arrestuar pas dezertimit nga ushtria të burrit të saj. Në kundërshtim me faktin se ajo ishte shtatzënë, policia e trajtoi brutalisht në zyrën e Sigurimit të Koplikut. Më vonë ajo dhe fëmijët e saj u çuan në kampit e përqëndrimit në Tepelenë. Atje, ajo dhe fëmijët e saj, u mbyllën në një barakë të madhe dhe të pisët, ku shumë banorë vuanin nga sëmundje të ndryshme. Ajo qe e detyruar të punonte pa marrë parasysh kushtet e saj fizike. Pas tre muajsh lindi një djalë në barakë, fëmijë  i cili vdiq pas 6 muajsh për shkak të pakujdeshmërisë dhe sëmundjeve. 3 ditë pas vdekjes së fëmijës, ajo dhe fëmijët e saj, u urdhëruan të shkojnë në këmbë në një kamp tjetër në Gjirokastër. Rrugës djali i saj Dedë vdiq dhe vetë asaj i duhej të hapte varrin në anë të rrugës , ndërsa policët që e shoqëronin, e çnderuan. 4 ditë pas arritjes së saj në kampin e ri, djali më i madh Zefi vdiq gjithashtu nga sëmundja. Abedin Zeqiri që ishte një banues i kampit të përqëndrimit, para se të arratise në Jugosllavi më 1952, njoftonte se Xhafer Pogaçe, drejtor i këtij kampi, kapte me zor çdo ditë një nga femrat e bukura që banonin aty. Policët që shërbenin në kamp kanë përdorur keq çdo vajzë të bukur në kamp.

Regjimi i sotëm shqiptar, krijoi sistemin e kampeve të përqëndrimit menjëherë sa mori pushtetin në fund të 1944-s…Si rregull, njerëzit nga veriu dërgohen në kampe në jug, sidomos në Tepelenë, Himarë (Porto Palermo), Fier, Berat etj. Ndërsa njerëzit e jugut internohen në Krujë, Burrel, Kamëz, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në veri. Aty nga 15 shtatori 1947, ish kryeministri Enver Hoxha pranoi qenien e kampeve të përqëndrimit. Në një fjalim të madh të mbajtur në Shkodër ai deklaroi se elementët kundërshtarë ishin të internuar në kampe të tilla. Nga fundi i 1949-s pas vrasjes së Bardhok Bibës, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, ndërmori një varg të madh internimesh. Në një ekspeditë ndëshkimore, në këtë krahinë ai hoqi rreth 400 veta nga krahina për në kampet e jugut” (AQSh,Fondi 14, Dosja 176 Strukturë, viti 1955).

Po e mbyllim me fjalët e profesorit Sami Repishti nga ShBA: “Në lidhje me Pëllumb Xhufin dhe deklaratat e tij, unë mendoj se ai asht nji figurë tragjike, simbol i mendjeve te mbylluna, i paaftë me dalë jashtë rrethit vicioz, ku e ka hedhë fanatizmi i tij, rezultat i indokrinimit në shoqëni dhe në familje”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: dhe Pellumb Xhufi, Kampi i Tepeltjes, Uran Butka

RRUGËTIMI FILOZOFIK I PROF.DR.ISUF LUZAJT

December 1, 2017 by dgreca

maxresdefaultPËRURIMI I STUDIMIT “RRUGËTIMI FILOZOFIK I PROF.DR.ISUF LUZAJT”  I  AUTORES VILHELME VRANARI HAXHIRAJ “MJESHTRE E MADHE”. /

1 Haxhiraj-Isuf-Luzaj

Nga Uran Butka-studiues, historian, drejtor i Institutit të studimeve “Lumo Skëndo”/1 Vilhelme-Vranari-Haxhiraj1

Instituti i Studimeve Historike“Lumo Skëndo” përuron sot studimin “Rrugëtimi filozofik i Isuf Luzajt”, i shkrimtares  Vilhelme Vranari ” Mjeshtre e Madhe e Penës”botim i Shtëpisë Botuese Nacional, 2017. Kjo është një ditë e shënuar, sepse: 1-Kjo vepër përurohet në institutin, që mban emrin e Mid’hat Frashërit, gjeniut dhe shërbestarit të kombit.

2- Prof.Dr.Isuf Luzaj ishte bashkëluftëtari i ngushtë i Mid’hat Frashërit  në luftën për një Shqipëri të lirë, demoktatike dhe etnike.

3-Kujtoj se, Prof. Luzaj arriti të bëhej një personalitet i shquar i kulturës dhe shkencës me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, “Profesor i Merituar i Amerikës”, titull i dhënë nga Presidenti i SHBA Ronald Regan, “Mjeshtër i Madh”, si dhe “Nder i Kombit Shqiptar”.

4- Luzaj është autor i 120 veprave në fushën e filozofisë, letërsisë, historio-grafisë dhe artit, këto të vlerësuara ndërkombëtarisht.

5- Sepse ky studim për rrugëtimin filozofik të Prof.Dr.Isuf Luzajt është i denjë dhe i vlefshëm, është një vlerë e munguar për kulturën shqiptare.

6-Së fundi, sepse, personalisht, kam nderim, vlerësim dhe ndjesi të veçanta për Profesor Isuf Luzajn,  i cili ka qenë dhe miku e bashkëluftëtari i tim eti, Safet Butkës, të dy nacinalistë të shkolluar në Perëndim, profesorë në Liceun francez të Korçës dhe në Shkollën Tregtare të Vlorës, liderë nacionalistë të Ballit Kombëtar, luftëtarë antifashistë por edhe kundërshtarë të komunizmit, të internuar nga italianët në Ventotene, ku edhe Isuf Luzaj krijoi epopene e qëndresës me titull “Prozepopea”, kushtuar Safet Butkës.

 Kopertina e studimit “Rrugëtimi Fiilozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj”

Studimi  “Rrugëtimi filozofik të Prof. Dr. Isuf Luzajt” dhe në mënyrë të veçantë analiza e thellë e librit filozofik “Ekzistenca dhe Boshësia”, përbën një risi dhe njëherësh një vlerë në studimet shqiptare, ndaj Vilhelma meriton një falënderim të madh për kurajon, përpjekjen për t’u lartësuar edhe vetë në filozofi, zhbirimin e mendimit dhe të analizës shkencore të saj. Për të arritur deri këtu,edhe asaj, ashtu si kundër edhe Isuf Luzajt, i është dashur një rrugëtin i gjatë dhe i mundimshëm jo vetëm në udhën e krijimtarisë letrare, por edhe të studimit dhe të dijes filozofike, pa të cilat s’mund të hynte dot në botën e mistershme Luziane.

  Le a ndjekim me pak fjalë rrugëtimin e Vilhelme Vranarit në udhëtimin filozofik të Profesorit me famë botërore:

Kaniniote, nga  familja e shquar shqiptare e Gjergj Aranitit, ajo trashëgoi genet e të parëve të saj, ndonëse koha e goditi pamëshirshëm. E damkosur dhe e përndjekur si familje e deklasuar nga regjimi komunist,  duke ngrënë bukën e  hidhur të botës, duke i mohuar si profesionin, dhe diplominin, por edhe punësimin. Megjithatë ajo arriti të kompletohej me arsim të lartë për histori-gjeografi, pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Vetëm pas vitit 1990, ajo rigjeti vetveten e mohuar. Pjesëmarrëse aktive në lëvizjen demokratike, kryetare e gruas demokratike të Vlorës për të mbrojtur dhe promovuar te drejtat dhe liritë e gruas dhe të fëmijëve. Vilhelma, një nacionaliste dhe demokrate, është në udhën e Midhat Frashërit, Hysni Lepenicës, Isuf Luzajt, por duke qenë edhe vetvetja në jetë, në veprimtari dhe në botimet.

Vilhelme Vranari është një shkrimtare tanimë e mirënjohur, një penë e fuqishme dhe shumë prodhuese e letërsisë shqiptare, në mjaft gjini : prozë, poezi, ese, publicistikë, studime, fabula, letërsi për fëmijë etj…, me mbi 40 vëllime të botuara.  Ajo është nderuar me çmime prestigjioze brenda dhe jashtë  vendit, si Mjeshtër e madhe , çmimi “ Skënderbeg”  prej Ministrisë së Kulturës Italiane , “Pena e kristaltë” Suedi, çmimi i parë për poezi në Firence, çmimi i parë në Mal të zi, medalje ari, argjendi dhe mirënjohje në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Rumani, tre çmime karriere në Shqipëri, si edhe Nderi i Kaninës, e cila i shkaktoi dhimbjet e mëdha dikur, por edhe vlerësimet e mëdha sot, Kanina e saj, por edhe Vlora. Si autore shqiptare është përkthyer në Rumani dhe Greqi. Është e përfshirë në disa antologji në Shqipëri, në Angli, Itali, Suedi, Greqi, Rumani etj.

Sot ajo paraqitet me  studimin filozofik “Rrugëtimi filozofik  i Prof Dr. Isuf Luzaj”, ku përqëndrohet sidomos në esenë filozofike “ Ekzistenca dhe boshësia”  , ku autori trajton marrëdhenien mes ekzistencës  dhe inekzistencës, mendimit racionalist dhe teozofisë, shkencës dhe besimit.

Veprat shkencore filozofike, letrare  dhe memoriale të Isuf Luzajt, por edhe kontributi i shquar si pedagog në universitetet më të rëndësishme të Vatikanit, Argjentinës dhe SHBA, e kanë bërë të njohur në tërë botën. Mjafton të përmendim vlerësimin e Luis Borgesit: “Lexova Ditarët tuaj dhe jam i gëzuar që një poet i huaj ka arritur lartësi akademike. Ju kini lindur poet!”

Vlerësimi  i Fan Nolit është tejet impresionues: “I dashur Lap! Do të vish këtu si delegat i filozofisë nga universiteti i Buones Airesit; kishën e Shëngjergjit e ke si shtëpinë tënde dhe të pres vëllazërisht”

Studimin filozofik të veprës së Isuf Luzajt në Shqipëri e ka nisur studiuesja Vilhelme Vranari, e cila u pergjiget pyetjeve : Ç’është ekzistenca? Ç’është boshësia? A është ekzistenca një objekt i vërtetë? Raporti mes unit dhe botës që na rrethon? Evolucioni i formave, i mendimit dhe i ndërgjegjes. Doktrinat teiste dhe ateiste. Komunizmi një doktrine antinjerëzore etj.

Ja sesi e përcakton Luzaj sistemindoktrinar  komunist:”Komunizmi është një doktrinë antinatyrore e jetës, kundër ligjeve të natyrës, e dënuar të falimentojë, pasi është false dhe i mungon arsyetimi logjik, është një trill i imagjinatës së sëmurë të utopistëve. Si i tillë është i gabuar, pa themel në arkitekturën e ndërtimit të ideve të asaj ngrehine, që quhet jetë”.

Mendoj që vepra filozofike e Isuf Luzajt do të jetë objekt i studiuesve të filozofisë , por edhe i shkencave te tjera. Intelektualët, studiuesit, shkencëtarët, studentet do të gjejnë në veprat e tij një nga filozofët më të mëdhej të shekullit XX.

Ndërkohë Instituri Histotik “Lumo Skëndo” merr përsipër botimin e plotë të veprës së  Prof. Dr.Isuf Luzaj në një kolanë disavëllimshe.

Vlerësoj botuesin e veprës “Rugëtimi filozofik i Prof. Dr.Isuf Luzajt”, z. Mujo Buçpapa , poet i mirënjohur,  i vlerësuar dhe i përkthyer në disa gjuhë, botues i njohur i gazetës Nacional, ku shqiptarët nga tërë hapësira shqiptare  gjejnë veten me krijimet, kritikat, publicistikën  dhe  studimet e tyre.

Filed Under: LETERSI Tagged With: I PROF.DR.ISUF LUZAJT, RRUGËTIMI FILOZOFIK, Uran Butka, Vilhelme Vranari

E VRANË PA GJYQ SHKENCËTAREN SABIHA KASIMATI

September 15, 2017 by dgreca

kasimati

( Homazh në 105-vjetorin e pushkatimit)

1-ok-uran-butka-300x225

NGA URAN BUTKA*/

Sabiha Kasimati, një nga gratë e shquara intelektuale, shkencëtarja e parë shqiptare, u pushkatua vetëm pse ishte e tillë. Ajo vjen jo rastësisht nga një familje e njohur intelektuale  libohovite. I ati i saj, Abdurrahman Kasimati, i kishte kryer studimet universitare për mjekësi në Turqi, ku punoi si mjek dhe jetoi me gjithë familje deri në vitin 1927. Në këtë vit u kthye në Shqipëri, ku fillimisht u vendos në Korçë, mandej në Elbasan, tek shërbeu si mjek dhe gëzoi respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, por edhe vlerësimin e miqësinë e  personaliteteve të këtij qyteti: Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Ethem Haxhiademit, Sotir Paparistos, Aleksandër Xhuvanit e të tjerë.

Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15.09.1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindërit me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën evropiane. Kur u kthye familja në atdhe, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korçës, ku filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse, ajo zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.

Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë  e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.

Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, ajo punoi disa kohë në si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët e Edukatës morale dhe të gjuhës frënge. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte biologji.

Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e zjarrtë për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses  me notat 30’/30’, me lavdërim ( trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoraturën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe.

Në Shqipëri punoi me entusiazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje të re që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror “ Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vjetësh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kurë shëndetsore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u kthye në atdhe. Tek kthehej nga Italia, në aeroport takoi Ali Koprenckën, që ikte nga Shqipëria. Ai i tha:

– Si vete në Shqipëri? Nuk e di se ç’po bëhet atje, hataja po bëhet ! Ne, andaj po ikim. Po vendoset diktatura e kuqe.”

Sabihaja iu përgjigj: “ Atje janë gjithë shokët e shoqet dhe bashkërisht do të përpiqemi që ajo gjë të mos ndodhë dhe Shqipëria të përparojë.”

Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto, i cili më pas u pushkatua nga regjimi.

Sabihaja punoi me zell dhe përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë ( disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për studimin e peshqve në ujrat e vendit tonë si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike  të tyre, ajo punoi 10 vjet me radhë.

Dr. Namik Kasimati, nipi i Sabihasë, kujton: “Sabihaja si ihtiologe përfundoi në vitin 1948 një studim shkencor mbi peshqit në ujrat shqiptare. E entusiazmuar, shkoi në Durrës dhe i tha shoqes së saj, Durie Hulusi: “ Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve  të tjerë që janë në kufi me Shqipërinë”.

Dr.Sabiha Kasimati ishte emëruar shefe e sektorit të zoologjisë, por u mor vetëm me ihtologji. Atë fushë e kishte hulumtuar që nga koha e studimeve universitare, ndaj kur u kthye, hulumtoi, gjurmoi e studioi gjithë faunën ihtiologjike detare dhe liqenore të ujrave shqiptare dhe përfundoi monografinë ”Peshqit e Shqipërisë”.

Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin  intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare.  Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi,  Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës.

Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja  nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Dr. Namik Kasimati, rrëfen: “Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim.

Sabihaja: Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?

Enveri: Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin.

Pas dy ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë për një kafe  dhe në bisedë e sipër i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”.

Këto biseda Sabihaja ia kallëzoi të vëllait, Dr. Hivzi Kasimatit, babait tim, që banonte në Korçë dhe me të cilin Sabihaja takohej shpesh.”( Dr.Namik Kasimati, kujtime)

Sabihaja ishte e çiltër, e shkujdesur dhe nuk mendonte se i ishte qepur pas vdekja. Ajo kishte kurajon t’ia përplaste të vërtetën në sy Enver Hoxhës, por, nga ana tjetër,  të takonte pa droje edhe shoqet, shokët e miqtë që ishin goditur pa të drejtë nga diktatura. Një herë ajo shkoi në kampin e internimit në Jubë, ku punonin si të burgosur shokët e saj Tika Tezha, Felatun Vila etj. Mirëpo Tika i tha: “Sabi, mos shkel më këtu, sepse je në rrezik. Ne e dimë se ç’ka hequr kurrizi ynë që të detyroheshim të depononim kundër teje, në mënyrë që edhe ti  të hyje në burg”.

Ing. Viktor Kasimati, i biri i Refiut, kujton: “Një ditë, aty nga fund i vitit 1948, Sabihaja ndodhej në shtëpinë tonë. Im atë u vonua pak atë ditë se kishin pasur një mbledhje me rëndësi në shkollën Politeknike, ku punonte si pedagog. Ishte koha kur PKSH kishte dënuar Koci Xoxen dhe grupin e tij, duke ia ngarkuar atij të gjitha kimet që kishte bërë pushteti komunist mbi shqiptarët, sidomos mbi elitën intelektuale.

Im atë i tregoi Sabihasë kur po hanim drekën: “Na foli një personalitet komunist, Tuk Jakova, i cili na tha që janë kryer shumë shkelje të ligjeve dhe janë dënuar shumë njerës pa faj. Por në të ardhmen  nuk do të ndodhin më gjëra të tilla”

Sabihaja e dëgjoi me vëmendje dhe ia kthey aty për aty:

“Refi, mos i beso këto! Kjo është taktika e tyre, shtrëngo, liro pak dhe prapë shtrëngo më fort se më parë për të mbajtur pushtetin. Mbaje mend që pas pak kohe, do të rifillojnë përsëri terrorin.”

Në fakt, rifillimi i terrorit masiv në vitin 1951 mori edhe kokën e Sabihasë.

Vendimi për të realizuar këtë masakër, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike e PPSH, saktësisht në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes të një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951, ora 19.15. Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”.(Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E. Hoxhën : Jemi dakord me këto masa. ( Proces verbali i mbledhjes së Byrosë Politike, 20 shkurt 1951)

Shfaqet lakuriq një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. “Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Listat i kemi gati. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq.

Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhén në krye, që shkelnin ligjet dhe urdhëronin  një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një genocid shtetëror me përmasa të mëdha, për motive politike e pushtetore. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.

Shqipëria komuniste ishte në një kapërcyell kohësh, po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike, ndaj duheshin kurbanë të tjerë për të mbajtur pushtetin si edhe kurbanë të rinj në themelet e miqësisë me BS dhe në vijën staliniste të PPSH. “Duhen vrarë njerëz të tjerë për të mbajtur pushtetin” -thoshte Mehmet Shehu.

Arrestimet që u bënë menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951, ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër-arresti té prokurorit dhe  pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan urdhër-reshtimet dhe procesverbalet e “gjykimit”)

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.( Arkivi i Ministrisë së Brendshme)

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951 me pretekstin e “bombës” nw Ambasadwn Sovjetike.

Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpilues  i listave të zeza, rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me  zëvendësministrin e tij – Kadri Hazbiu, që mbulonte Sigurimin e Shtetit”.

Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe  byroja ia miratoi njëzëri, bashkë me komandantin (E. Hoxhën), pra, i kishte duart e lira. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha i miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave, që ishin përzgjedhur, duke iu vwnw nga njw kryq pwrpwra. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit,  Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Bie fjala, emri i Reiz Selfos nuk ishte në asnjë  nga listat. Dikur Reiz Selfo kishte pasur kurajon t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë E. Hoxhës, i cili u hakmor ndaj tij, ashtu siç u hakmor ndaj Sabiha Kasimatit, e cila i kishte thënë ish-shokut të klasës: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?”

Kryqet i kishin vënë udhëheqësit e lartë të partisë e shtetit. Për pushkatimin e saj dhe njëzet e dy intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike e Partisë, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Akuza e Prokurorit ushtarak Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor  dhe kanë hedhur parrulla  pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve  amerikano – anglezë e satelitëve të tyre”. (Arkivi  MB, dosja e bombes ne Ambasaden Sovjetike)

Është një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa mbështetur në asnjë provë.

Të akuzuarit, nuk kishin asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri tjetrin; nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organizate politike apo terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e    bombës në Ambasadën  Sovjetike – për shkak të së cilës ata u arrestuan! Siç dihet botërisht, ata persona që hodhën dinamitin, si Qazim Laçi, Hysen Lulla  etj, anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, u arrestuan po ato ditë, u mbajtën fshehtas në hetuesi për tetë muaj dhe u dënuan për hedhjen e dinamitit në Ambasadën Sovjetike me vdekje dhe burgime të rënda. Pra ishin të tjerë ata që e hodhën dinamitin si një akt antisovjetik, antistalinist.

Siri Çarçani dëshmon: “Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.” Po ashtu, drejtori i Sigurimit té Shtetit, Rasim Dedja, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit” (Proces-verbal i mbajtur nga Prokuroria e Përgjithshme, v.1992)

Me qenë se ekzekutimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, atéhere Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat përpilimit  të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 26.2.1951:

“Gjykata Ushtarake me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar  në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky  vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.” Në fund ka firmosur  kryetari i gjykatës së Lartë Ushtarake Shuaip Panariti  dhe anëtari Vangjel Kocani; nuk është firmosur nga anëtari tjetër Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo. ( Procesverbali i datës 26.02.1941)

Anëtari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nënkryetar i saj, Vangjel Kocani, dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar  dhe një pjesë  nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal , pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj  kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme. Shuaipi  më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar  dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur , Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore , nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.( Procesverbal i mbajtur në Prokurorinë e Përgjithshsme, v.1992)

Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hydai Bejo, dëshmon: “Nuk e firmosa kur ma sollën vendimin, sepse nuk mora vesh, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë, pa qenë në gjykim Po ashtu, refuzoi të firmoste edhe Nonda Papuli, S’kishim si të bënim ndryshe.” (Dëshmi e Hydai Bejos, sipas proc.verbalit)

Por nuk mungojnë vetëm firmat e anëtarëve të trupit gjykues, mungojnë edhe të dhënat e tjera që shënohen zakonisht në procesverbalet, gjithashtu datat janë ngatërruar, pra, gjithçka është kundërthënëse, hartuar në nxitim e sipër. Njëri procesverbal i falsifikuar mban datën  27.2.51, kur të akuzuarit  nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.1951 dhe ishin varrosur. Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli ishte vrarë nga torturat  në birucat e Sigurimit të Shtetit dhe e kishin hedhur nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetëvrasje!

Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike, nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar.

Sabihaja nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste:

“ Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët edhe ata kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”

Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë evropiane.

Zonja Didi Biçaku, nga familja e Aqif pashë Elbasanit, e cila u arrestua në një kohë me Sabihanë dhe qëndroi në një birucë me të në burg, ka dëshmuar: “Më kujtohet çasti kur Sabihaja u kthye nga hetuesia. Ishte e qetë. Hë? – e pyeta shkurt. – Më akuzuan si terroriste, m’u përgjigj ajo. U thashë: Unë kam studiuar për biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci ; shkohet drejt shkatërrimit.»

E vranë pa gjyq intelektualen, pedagogen, shkencëtaren, demokraten e shquar, martiren Sabiha Kasimati! Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, deri sa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në varrezat e dëshmorëve të kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.

Xha Kadriu nga Mëniku, që zbuloi varrin, rëfen: “Më vonë , kur ai vend, ku u pushkatuan, filloi të shpyllëzohej,  një traktoristi që po punonte aty, i ra të fikët tek pa që traktori tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuluan përsëri. Ishte trupi i patretur ende i Sabiha Kasimatit!”

  • Derguar per Diellin nga autori

Filed Under: Featured Tagged With: E VRANË PA GJYQ SHKENCËTAREN, Sabiha Kasimati, Uran Butka

MID’HAT FRASHËRI- VEPRA TË ZGJEDHURA

June 14, 2017 by dgreca

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”, nisi botimin e veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit në 12 vëllime përgatitur nga studiuesi dhe historiani Uran Butka. Nje botim i jashtëzakonshëm për nga përmbajtja, bashkëkohor për nga aktualiteti dhe luksoz për nga bibliofilia.

2 Mithat okNë veprën 1 përfshihet një studim i plotë shkencor për jetën dhe vepren madhore të Mid;hat Frasherit (Lumo Skëndo)  shkruar nga Uran Butka, si edhe publicistika e zgjedhur e Mid’hatit, diplomacia elitare e tij dhe dokumente autentike, me vlera te mëdha per historinë dhe kulturën shqiptare;  në veprën 2 janë esetë dhe studimet historike, filozofike, pedagogjike, gjuhesore, gjeo-politike; etnike, sociologjike, kulturore; në vepren 3 -krijimtaria letrare (“Hi dhe shpuzë”) dhe kujtimet, duke filluar nga Frashëri, Janina, Stambolli, vëllezërit Frasheri, kongresi i Manastirit, kuvendi i Vlorës, Lufta e Parë Botërore, Zvicra, Parisi, ku Mid’hati ishte kryetar i delegacionit shqiptar ne Konferencen re Paqes, Athina, ku ishte ambassador i Shqiperisë, Londra, Bostoni e Neë Yorku, ku beri vizitën e paharruesme për të sensibilizuar politikën amerikane në mbështetje të çështjes shqiptare (kujto promemorien drejtuar presidentit Wilson); ne librin 5-6 letërkëmbimi me personalitetet e shquara shqiptare dhe të huaja; ne vellimin 7 pershtypjet e tij të udhëtimit nëpër gjithë hapësirën shqiptare por edhe në Europë; ne vol. 8 vlerësime dhe kritika per librat shqip dhe të huaj; në vëllimin 9- udhëtarë të huaj në Shqipëri,; në vëllimin 10-11 ditaret; në vëllimin 12  bibliofgarafia.1 Uran

Nje pasuri e madhe kulturore ende e panjohur apo e varrosur, që i kthehet kombit dhe kultures shqiptare. Bashkë me të edhe Mid’hat Frashëri. Pra, mund ta quajmë kthimi i mbramë i Midhat Frashërit.1 Uran butka lib

Natyrisht ka qenë një punë tejet e vështirë dhe e mundimshme, që nuk mund të kryhej pa hulumtimin dhe njohjen e thellë të kesaj vepre te jashtezakonshme përgjatë këtyre 25 vjetëve. Teksti është kthyer në alfabetin dhe drejshkrimin e sotmë., për t’u bërë sa më i rrokshëm nga lexuesit, sidomos nga rinia dhe nxënësit, duke ruajtur ngjyrimin dhe veçotitë gjuhësore të autorit.1 Mithat Frasheri

Janë shfrytëzuar arkivat e Shqipërisë, veçanërisht Arkivi i Shtetit, ku ruhet një pjesë e mirë e veprës së M.Frashërit. Mandej arkivat e Stambollit, Londrës, Romës, Parisit, Bukureshtit, Sofies, Gjenevës dhe Lozanës si edhe shtypi shqiptar dhe i huaj, gazetat e revistat prestiioze europiane dhe ato amerikane, ku Mid’hat Frasheri ka botuar artikujt, promemoriet, fjalimet, analizat , panfletet politike e diplomatike, etj.

Për lexuesit e gazettes “Dielli” po botojmë promemorien e Mid’hat Frashërit drejtuar Presidentit Wilson në vitin 1919, si delegat i Shoqërisë Panshqiptare “Vatra” të SHBA në Konferencën e Paqes në Paris.

*

ANEKS I MEMORIES PËR PRESIDENTIN WILSON[1]

I – Rikrijimi këtë radhë i një Shqipërie të qëndrueshme, duke riparuar padrejtësitë dhe dyshimet e shfaqura ndaj saj në Konferencën e Berlinit 1880 dhe asaj të Londrës 1913, është i nevojshëm për paqen e Ballkanit dhe ësht’ i imponuar nga parimet e lirisë.

Në vitin 1880 Goschen në letrën e tij nr.82 drejtuar kontit Granville (me datë 26 korrik – madje Blue Book nr.15, 1880, Pjesa Il, faqe 184) insistonte në njohjen e një province të gjerë shqiptare, që do të përfshinte të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët.

2- Nëse çështja shqiptare nuk përfitoi deri tani nga çdo lloj mbështetje diplomatike, arsyeja qëndron në vetë dy drejtimet politike të ushtruara nga Rusia cariste dhe nga Monarkia austro-hungareze.

Carizmi përpiqej të mbështeste pretendimet, po aq të padrejta sesa fyese, të sllavëve të jugut dhe të Greqisë; Austria, përkundrazi, ishte e detyruar të merrte pozicion në favor të Shqipërisë, megjithëse nisur nga një qëllim egoist dhe jo pa insistuar në prapamendimet e saj. Çdo lëvizje kombëtare shqiptare akuzohej, pra, nga armiqtë tanë si një makinacion austriak dhe si një lëvizje e rreme, e drejtuar kundër sllavizmit dhe helenizmit.

Disa prej fuqive të mëdha u nxitën nga ky fakt dhe mbajtën një qëndrim pak të favorshëm – po aq haptas armiqësor – në lidhje me Shqipërinë. Kështu aspiratat kombëtare të shqiptarëve nuk u morën parasysh.

3 – Aktualisht, kur Austro-Hungaria dhe politika e saj nuk përbëjnë veçse kujtime politike dhe kur revolucioni rus varrosi perandorizmin moskovit, çështja shqiptare duhet të gjejë rrugën e saj të vërtetë, d.m.th. që duhet të përfitojë nga mirësia e fuqive të mbledhura në Konferencën e tanishme të Paqes, sipas shembullit të çdo evolucioni tjetër të drejtë dhe të paanshëm.

4 – Pretendimet serbe mbi Shqipërinë dhe pushtimi i vilajetit plotësisht shqiptar të Kosovës më 1913 ishin vdekjeprurëse për të. Serbia që realizoi unitetin e saj kombëtar nëpërmjet krijimit të një Jugosllavie të madhe, duhet të heqë dorë përgjithmonë nga krahinat shqiptare, të cilat janë dhe kanë qenë përherë toka shqiptare. (Shiko kufijtë etnografikë të Shqipërisë, të cilat duhet të jenë gjithashtu edhe kufij politikë).

5 – Greqia përfiton pjesë të pasura nga aneksimi i ishujve dhe nga privilegjet në Azinë e Vogël dhe për asnjë shkak nuk duhet të ushqejë synime imperialiste mbi Epirin (Shqipëri e Jugut).

6 – Italia nuk mundet më t’i drejtohet ekuilibrit të Adriatikut në momentin, kur ajo nuk ka më frikë nga fuqia e Austro-Hungarisë së vjetër.

Eshtë një pikë evidente – dhe Konferenca e madhe e tanishme duhet ta marrë parasysh – që pushtimi i Vlorës nga Italia është e barabartë me copëtimin dhe fshirjen e Shqipërisë përfundimisht nga lista e kombeve dhe e shteteve. Asnjë ndërhyrje nga një shtet i huaj nuk duhet toleruar në Shqipëri, kjo në interes edhe të vitalitetit të Shqipërisë vetë, e cila përpiqet në qëllimin e shmangies së fërkimeve të mëvonshme, fakt i rrezikshëm për Fuqitë e Mëdha.

7 – Shqipëria në kufijtë e saj etnografikë, që ne do t’i shënojmë më poshtë, duhet të krijojë një shtet plotësisht të pavarur.

Megjithatë Shqipëria, nëse ajo nuk do ndërhyrje nga të huajt, ajo ka nevojë për një ndihmë pa interes dhe mirëdashëse me qëllim, që të mbështetet në fillimin e jetës së saj politike. Kjo ndihmë duhet t’i jepet Shqipërisë nga një fuqi jo direkt e interesuar në Ballkan, për një periudhë disa vjeçare (p.sh. 5 vjet), dhe ne mendojmë se Republika e madhe Amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin duke realizuar këtë mision.

8 – Kufijtë etnografikë të Shqipërisë, që duhet të ndihmojnë kufijtë politikë, janë si më poshtë:

Në jug: Kufiri i vjetër greko-turk i kohës para luftës ballkanike të 1913, d.m.th. Gjiri i Artës, lumi i Artës dhe Pindi.

Në lindje: Mali i Gramozit, matanë Kosturit, vargjet e kodrave në lindje të Manastirit si dhe kodrat midis Prilepit dhe Veleshit, liqeni i Kaplan (në lindje të qytetit të Shkupit) dhe një linjë e zgjatur e këtij liqeni në Zibefteka ( pjesa më jugore e kufirit të vjetër serbo-turk përpara 1913).

Në veri dhe veri-lindje: kufiri i vjetër (përpara 1913) serbo-turk deri në fshatin Belotekiza (në veri-lindje të qytetit të Mitrovicës); nga Belotekiza kjo linjë demarkacioni duhet të arrijë deri në kufirin e vjetër – Turqi- ­Mali i Zi, duke vazhduar me vargmalet e quajtura të Rrojit (Tergovishta) – Guci, Plavë, gjithë Malësia si dhe Ulqini dhe Tivari (dy qytete që iu dhanë Malit të Zi pas luftës ruso-turke të 1878), duhet t’i mbeten Shqipërisë, si dhe Podgorica e Shpuza. Në Perëndim: bregu i Adriatikut nga Tivari në veri, deri në Prevezë në jug.

Për t’u konsultuar mbi Shqipërinë:

Blue Book, 1880, numër 15, pjesa I dhe II, sidomos korrespondencat e Lordit Titz Maurice dhe Goschenit drejtuar Kontit Granville. “Shqipëria dhe shqiptarët” nga Koloneli Berker, Paris 1990. “Macedonia its races and their future” by Brailsford, London 1906, kapitulli mbi Shqipërinë.

Bradas, “Die Ausdehnung der Slaven”, Gotha 1869.

  1. von Hahn: “Udhëtimi prej Beogradit në Selanik”, Vjenë 1862, Gabriel Louis Jaray: “Mbreteria e re e Shqipërisë”, Paris 1914, chez Hachette.

Hartat etnografike:

Lejean: hartë etnografike e Turqisë së Evropës, 1862.

Hartë etnografike e Sllavëve, Moskë 1867.

Krepert: Hartë etnografike e Turqisë së Evropës 1876, Berlin.

  1. Sax: Hartë e Evropës, Vjenë 1877

Maqedonia, etnografia dhe statistika (në gjuhën bullgare) nga Vassil Kentschoff, Sofia 1900,  harta me ngjyrë.

Harta etnografike të vilajeteve të Selanikut, Kosovës dhe Manastirit, nga Instituti i Etnografik në Sofje (1907), me një shënim statistikor shumë të detajuar 250 faqe.

Shënim: Dy punimet e fundit të botuara nga bullgarët asgjësojnë pretendimet bullgaro-sllave mbi pjesën perëndimore të Maqedonisë, d.m.th. mbi krahinat lindore të Shqipërisë.

Për t’u lexuar: broshurat dhe fletë-volantet e W. Hovard de Philadelphie, i cili ka qenë tri herë në Shqipëri dhe ka konstatuar me sy egërsitë e papara e të pakufishme të kryera nga serbët dhe grekët në veri-lindje dhe në jug të Shqipërisë.

Mid’hat Frashëri

Delegat i Shoqërisë Panshqiptare “Vatra” në SHBA

[1] 1. M.Frashëri i ka drejtuar Presidentit Wilson të SHBA-së, mbrojtësit të çështjes shqiptare, një përkujtesë, të cilën nuk e kemi gjetur ende, me gjithë kërkimet tona. Aneksi i memories, që po botojmë, është hartuar nga M. Frashëri në frëngjisht dhe gjendet në Arkivin e Shtetit (dorëshkrim). Përktheu nga frëngjishtja: Rudina Shiroka

Filed Under: Kulture Tagged With: Uran Butka, Vera te zgjedhura-Mithat Frasheri

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT