• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËSIME NGA STUDIMI SHKENCOR I Dr. NUÇI KOTTA “SHQIPËRIA DHE ÇËSHTJA E KUFIJVE SHQIPTARO-GREKË”1 [1]

September 13, 2016 by dgreca

 

1-uran-butka1                                                                                       NGA URAN BUTKA/

Libri “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë” i Dr.Nuçi Kottës u botua në vitin 1946 në Paris në gjuhën frënge dhe pas 60-vjetësh u ribotua në vendlindjen e tij, i shqipëruar nga Viktor Bakillari.

Për mendimin tim, është  punimi më i mirë i këtij zhanri në literaturën shqiptare, ndoshta edhe europiane. Ai i përmbahet rigorozisht një parashtrimi shkencor, mbështetur tërësisht në dokumente dhe dëshmi autentike me origjinë ndërkombëtare e shqiptare të garantuara, si dhe në autorë tejet të njohur, kryesisht të huaj; ai të befason me argumentet historike, juridike dhe llogjike të pakundërshtueshme, që të çojnë tek e vërteta; të bind me ndershmërinë, paanshmërinë, objektivitetin, saktësinë, përballjen dhe debatin konstruktiv;  të bën krenar me  atdhetarizmin e kombtarizmin  e  kulluar, por edhe me respektin e thellë për popujt dhe kombet e tjerë, si edhe për personalitetet e kohës që kanë ndihmësuar në zgjidhjen  drejtë të çështjes shqiptare.

Këtë përkushtim autori e shpreh qysh në krye të punës  së tij dhe  i mbetet besnik gjatë gjithë trajtimit të temës, por edhe e përsiat në përfundim të saj: “E pamë të nevojshme që të përpiqemi  ta studiojmë këtë çështje ndershmërisht dhe me ojektivitet… Ne nuk e fshehëm qysh në fillim se do të mbronim kauzën kombëtare, por, gjithashtu, jemi përpjekur të tregojmë se ajo përkon  me të vërtetën dhe me drejtësinë, si dhe jemi përpjekur që veprën ta bëjmë të dobishme, të paanshme dhe, nisur nga këto, shkencore. Ne nuk besojmë se i jemi shmangur përkushtimit të imponuar vullnetarisht për të mos u rrëmbyer nga pasioni, i cili rrezikon të çojë në shtrëmbërim dhe në përbuzje ndaj së vërtetës”.

Autori ia ka arritur plotësisht qëllimit, që i kishte vënë vetës në këtë përballje të rëndësishme dhe të vështirë historiko-juridike, duke ndjekur një metodë rigorozisht shkencore për dhënien me vërtetësi të marrëdhënieve brendakombëtare, ndërkombëtare , por edhe të marrëdhënieve  shqiptaro-greke dhe shqiptaro-serbe, në veçanti. Kështu studimi merr peshë kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare, jo vetëm për nga historia e këtyre marrëdhënieve gjatë periudhës që merret në shqyrim, por edhe, çka është më e rëndësishme, për dobinë e njohjes së tyre nga popujt përkatës, për nxjerrjen e mësimeve e të përgjegjësive nga politikat e atëherëshme dhe të sotme të shteteve, qeverive dhe personaliteteve, pra, merr një vlerë sa historike, ashtu edhe aktuale.

Autori, ky njohës dhe analist i mirëfilltë  i  marrëdhënieve ndërkombëtare, i së drejtës juridike ndërkombëtare dhe kombëtare, i konventave dhe marrëveshjeve të fshehta e të hapura europiane, i vendimeve të forumeve më të larta si Konferenca e Paqes në Paris, Konferenca e Ambasadorëve, Lidhja e Kombeve, Gjykata e Përherëshme e Drejtësisë Ndërkombëtare, i skenave dhe prapaskenave kundrejt Shqipërisë etj, shtron, analizon dhe vërteton teza në themel, i ballafaqon ato me tezat e hipotezat kundërshtare, i rrëzon ato me argumente juridike e faktike dhe nxjerr konkluzione të papërballueshme, që i rezistojnë çdo kohe. Një sfidues dhe një vizionar shqiptar i kalibrit europian, por jo i vetmi.

Dhe këtë punë e bën me shumë aftësi, elokuencë dhe kulturë, madje me një thjeshtësi e finesë të admirueshme sjelljeje dhe bisedimi intelektual, që na bën të ndihemi mirë ne si shqiptarë, të akuzuar shpesh si të rrëmbyer, të paditur dhe të pakulturuar.

Në pjesën e parë të studimit “Përcaktimi i kufijve shqiptaro-grekë më 1913 dhe më 1921 dhe pasojat e marrëdhënieve mes dy vendeve”,  autori, së pari, bën një trajtesë historike  të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës kombëtare shqiptare, duke nisur qysh nga Traktati i Berlinit ( 13 korrik 1878), që i jepte një pjesë të Shqipërisë Serbisë dhe Malit të Zi, duke vijuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që mbrojti kombëtarisht  territoret shqiptare, e duke përfunduar me vendimet e Konferencës së Paqes në Paris për Shqipërinë në vitin 1913 dhe reagimin shqiptar kundrejt coptimit. Ndonëse fare konçiz në këtë parashtresë historike, autori nxjerr disa konkluzione të rëndësishme, që vlejnë të theksohen:

-“Porta e Lartë e kishte përkrahur Lidhjen Shqiptare në fillesat e saj, duke menduar të përfitonte nga protestat shqiptare  për të mos përmbushur detyrimet e caktuara në Berlin, edhe pse ishte, siç dihet, e detyruar të luftonte  nën urdhrat e Fuqive ndëshkuese të Berlinit. Por qëndrimi i saj ndryshoi krejtësisht , kur Lidhja vendosi të ndërpriste lidhjet e vasalitetit të Shqipërisë dhe t’i kthente vendit pavarësinë”.

-“Kryengritja e përgjithshme shpërtheu më 1912 në provincën e Kosovës. Kryengritësit morën Shkupin dhe kërcënuan Manastirin., por nuk ditën ta shfrytëzonin plotësisht suksesin e tyre dhe, duke hyrë para kohe në kontakt me qeverinë turke, u mjaftuan me një autonomi të gjerë në vend që të shpallnin në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Ky gabim solli si rezultat lënien jashtë të pothuajse gjysmës së territorit të Shqipërisë”…

-“Për të ruajtur paqen mes Fuqive të Mëdha, Shqipëria paguante  një haraç të madh dhe e shihte veten të gjymtuar pa krahinat e pasura të Kosovës dhe të Çamërisë. Rreth një milion shqiptarë gjendeshin të ndarë nga mëmëdheu”…

-“Sigurisht, ne mendojmë që Kosova, herët a vonë duhet t’i kthehet Dheut Amë”.

Pas këtyre konsideratave dhe parashikimeve, autori trajton me themel marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe veçanërisht problemin e kufijve mes tyre, çështje që vështirësoheshin nga pretendimet absurde të palës greke dhe mbështetjes së tezës së saj të pabazuar nga disa Fuqi të Mëdha. Përpara Konferencës së Ambasadorëve në Londër  1913, qeveria greke kërkonte aneksimin e të gjitha territoreve të pushtuara nga ushtritë greke gjatë Luftës ballkanike, përfshirë vilajetin e Janinës dhe kazatë e Korçës e të Gjirokastrës! Kërkesat greke mbështeteshin mbi argumente të stisura si : karakteri grek i këtyre krahinave me një prani të konsiderueshme të popullsisë me besim ortodoks, duke njësuar besimin ortodoks me kombsinë greke dhe duke i konsideruar ortodoksët shqiptarë grekë; së dyti, me ekzistencën e shkollave greke dhe së treti, nisur nga arsyetimi  që ushtritë greke  gjatë Luftës Ballkanike i kishin çliruar këto krahina nga zgjedha otomane.

Kërkesat e palës shqiptare qëndronin në përfshirjen në teritorin e Shqipërisë të katër vilajeteve të dikurshme shqiptare : Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, bazuar mbi kriteret historike dhe etnike.

Autori, me paanësi të admirueshme,  i gjen të dyja pretendimet greke dhe shqiptare mbi baza të paqëndrueshme. Ai mendon se kriteri i vetëm i përcaktimit të territoreve dhe të kufijve, duhet të ishte ai etnik dhe  kombëtar i popullsisë.

Sipas tij, kërkesat e palës greke  në vitin 1913 dhe vijimisht më pas, ishin të komprometuara, sepse karakteri i lashtë dhe i pandërprerë shqiptar i popullsisë së i këtyre krahinave të Shqipërisë së Jugut ishte vërtetuar nga dokumente historike dhe autorë të huaj, të vjetër e bashkëkohorë, grekë dhe europianë, të cilët autori i citon; së dyti,  është gënjeshtër që Greqia e ka çliruar Shqipërinë e Jugut  në vitin 1912. Në çastin kur shpërtheu Lufta Balkanike, Shqiptarët e kishin fituar autonominë e tyre, më pas edhe pavarësinë, ndërsa ushtritë greke erdhën në krahinat tona për t’i robëruar e masakruar, siç ndodhi në të vërtetë,  dhe jo për t’i çliruar; nga pikpamja historike janë shqiptarët  e Greqisë Xhavella, Boçari etj që kontribuan fuqimisht në pavarësinë e Greqisë; së treti, të njësosh ortodoksët me grekët, do të thotë të shpërfillësh kriteret e vërteta të kombësisë. Rumunët, serbët, bullgarët, madje edhe rusët janë ortodoksë, por nuk janë grekë. Kriteri fetar nuk vlen fare; së katërti, shkollat greke ekzistonin me lejën e Patrikanës Greke të Stambollit, sepse shkollat shqipe ishin të ndaluara. Për më tepër, shkollat greke u shndërruan në vatra të helenizmit dhe iu kundërvunë të nxënit shqip, kulturës dhe qënies shqiptare. Lufta e ndërmarrë kundër gjuhës sonë është një provë e dukshme e karakterit shqiptar të këtyre krahinave, polemizon autori.

Edhe ndaj kërkesave shqiptare autori ka rezerva lidhur me përfshirjen e katër vilajeteve te kohës së Turqisë në territorin e Shqipërisë së pavarur, sepse përfshirja e krejt viseve natyrore të këtyre vilajeteve, do të krijonte shumë minoritete dhe probleme me ta, edhe me fqinjët.

Autori është i prirë për një Shqipëri etnike, që të përfshinte krahinat me popullsi tërësisht shqiptare apo me shumicë shqiptare, tezë e nacionalizmit rilindës shqiptar, por edhe një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme.

Në fakt, edhe Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve jug-lindorë, e nisi punën në shtator 1913, duke marrë parasysh kombësinë e popullsive kufitare. Mirëpo hyri menjeherë në lojë dredhija greke e manipulimit dhe e mashtrimit. Autori e trajton gjerësisht këtë farsë, që u mor shpesh si e vërtetë. Kjo lojë e rrezikshme vijoi edhe pas protokollit të Firences 17 Dhjetorit 1913. Ushtritë greke detyroheshin të tërhiqeshin brenda muajit mars 1914 nga krahinat e pushtuara të prefekturës së Korçës, Gjirokostrës, nga Delvina dhe ishulli i Sazanit. Autori i Librit rrëfen me dokumente dhe fakte për masakrat  greke mbi popullsinë shqiptare të këtyre krahinave, jo vetëm nëpërmjet ushtrisë së rregullt, por edhe nëpërmjet “batalioneve të shenjta” të rekrutuara nga ortodoksë grekomanë dhe  të destinuara për të luftuar krahas ushtrisë greke. Nga ana tjetër, banda kriminelësh dhe andartësh, kryesisht të sjellë nga Kreta, depëruan nëpër ato krahina, duke bërë presione dhe krime të përbindshme. “Pikërisht më 28 shkurt, në vigjilje të datës së evakuimit, të caktuar nga Fuqitë e Mëdha, ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Z.Kristaqos Zografos, krijoi, nën mbrojtjen e kretasve, një qeveri kryengritëse  të “Epirit autonom”, të përbërë nga personalitete  të huaja me të ashtuquajturën origjinë nga “Epiri i Veriut”- shkruan autori Kotta. Kjo ishte një manovër tjetër greke, për ta marrë kalanë nga brenda. Më 27 mars Gjirokastra u lirua nga trupat e ushtrisë greke, por u sulmua nga kretasit dhe përkrahësit e të ashtuquajturës qeveri e “Vorio Epirit”,. Formalisht edhe qyteti i Korçës ishte zbrazur nga ushtria e rregullt greke, por ky evakuim ishte vetëm në parim- konstaton autori, sepse një numër i madh ushtarësh kishin qëndruar aty si të sëmurë dhe, më 2 prill 1914 shpërtheu një kryengritje e organizuar nga peshkopi grek Germanos. Ushtarët grekë “të sëmurë” dhe “patriotët vorio-epirotë”, të pajisur me armë automatike , pushtuan ndërtesat publike të qytetit, por sakaq ndërhyri gjithë popullsia, që u reshtua në krah të xhandërmarisë shqiptare”.

Dr.Kotta sjell për këto ngjarje dëshmi të oficerëve hollandezë, në mënyrë të veçantë të gjeneralit De Veer, që  ndodhej me detyrë në Korçë, të Justin Godart, që vizitoi Shqipërinë, si edhe opinionet e Z.Albert Musei dhe Profesor Simonardit për kompromisin e turpshëm të Korfuzit dhe përgjegjësinë e qeverisë greke, “Ngjarjet që do të pasojnë  dhe që janë rrjedhojë e këtyre dredhive, në të vërtetë duhet të konsiderohen si kryengritje të rreme. Por Grekët ditën ta vërtisnin mirë versionin e rezistencës spontane, sa problemi u kthye përmbys”- shkruante  Simonardi.

Analisti politik N.Kotta, jep një tabllo të zhvillimeve politike gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që përqëndrohet tek shpallja e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës dhe e qenies së saj shqiptare, apo siç e quan autori “Revolucioni  i 10 dhjetorit 1916”, një bashkëpunim i shkëlqyer franko-shqiptar. Ai zbulon se ishte kryesisht vullneti dhe përpjekja e popullsia shqiptare e qarkut të Korçës, që vendosi për këtë vepër madhore në mes të vorbullës së luftës. E dëshmon edhe protokolli i nënshkruar mes përfaqësuesve të popullit dhe autoriteteve ushtarake franceze. “Në përputhje të plotë me vullnetin e popullsisë shqiptare të shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të saj, kazaja e Korçës me krahinat e Bilishtit, Kolonjës, Oparit dhe Gorës, u shndërrua në një rreth autonom i administruar nga autoritetet shqiptare nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze”.( Protokolli i 10 dhjetorit 1916)

Komandanti i trupave frënge,  kolonel Deskuën, shkruante: “Gjë unike në historinë e bërë nga vullneti i lirë i një populli, energjitë e të cilit bashkoheshin në të njëjtin ideal lirie. Revolucioni u krye pa dhunë. Ky popull i vogël po i  jepte botës  një mësim të madh”.

Autori i librit zbulon gjithashtu, se shkaku i shpalljes së vetëqeverimit shqiptar të Kazasë së Korçës, ishte rreziku i aneksimit grek të Korçës, siç e provuan katërcipërisht ngjarjet gjatë dhe pas luftës, Traktati i fshehtë i Londrës 1915, marrëveshja e fshehtë Titoni-Venizellos,1919 etj për aneksimin nga Greqia të Shqipërisë së Jugut. Përpjekjet e qeverisë greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, të ashtuquajtur “Vorio-Epir”, vijuan edhe në vitet e mëpastajmë në Konferencën e Paqes në Paris, po ashtu edhe në Lidhjen e Kombeve, madje edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në Konferencën e Paqes më 1946 e më tutje.

Nuçi Kotta, në cilësinë e juristit të shquar dhe njohësit të mirë të së drejtës Ndërkombëtare, ndalet tek reflektimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe e kufijve mes tyre edhe në Lidhjen e Kombeve. Më 2 tetor, me kërkesë të qeverisë shqiptare, Asambleja e Lidhjes së Kombeve ftoi Këshillin të nginte një komision hetimor, i cili duhej të shkonte në Shqipëri për të bërë investigime të thella lidhur me mosmarrëveshjen shqiptaro-greke dhe turbullirat që po ndodhnin në kufi. Komisioni i kryesuar fillimisht nga Ralf Teslefi dhe mandej nga profesor Sederholm, bëri një punë të gjithanëshme dhe të paanshme.

“Dërgimi nga Lidhja e Kombeve  e një komisioni hetimor në Shqipëri ka qenë shumë i dobishëm nga një këndvështrim i dyfishtë. Fillimisht kontriuboi, falë pranisë së tij përkrah Komisionit të përcaktimit të Kufijve, për të shmangur konfliktet midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj dhe për t’i sheshuar këto probleme. Pastaj, nga ana tjetër e këndvështrimit, ky komision përcaktoi me saktësi dhe paanësi karakterin etnik dhe kombëtar të popullsive të Shqipërisë së Jugut. Leximi i punimeve të këtij  komisioni është i domosdoshëm për cilindo që kërkon të njohë një herë e mirë çështjen e mprehtë të kufijve shqiptaro-grekë”- analizon doktori i shkencave juridike të Francës, Nuçi Kotta. Ai evidenton konkluzionet e Komisionit Ndërkombëtar, të vlefshme për në atë kohë, por edhe për sot: “Fillimisht duhet thënë se në Korçë popullsia është krejtësisht shqiptare dhe se atje gjendet nje numër krejt i papërfillshëm elementësh grekë. Është krejt e natyrshme që kjo i kundërvihet në përgjithësi çdo ndërhyrjeje të huaj në punët fetare apo politike të brendshme”( Raporti i prof.Sederholm)

Me këtë rast, studiuesi Kotta trajton edhe problemin e minoritetteve. “Minoriteti grek në Shqipëri, thekson ai, jeton në krahinën e Gjirokastrës dhe në zonën e Çamërisë, përballë pjesës veriore të ishullit të Korfuzit deri në gjirin e Prevezës. Minoriteti grek në Shqipëri, i cili, sipas statistikave të përgjithshme shqiptare të vitit 1930, arrin në 37.270 vetë, shifër kjo që përputhet me të dhënët ë Komisionit të hetimit të Profesor Sederholmit (1922-1923), gëzon të gjitha të drejtat që u njihen minoriteteve nga traktatet ndërkombëtare, si edhe sipas deklaratës të përfaqësuesit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan Nolit, më 2 tetor 1921. Madje edhe në regjimin e E.Hoxhës, minoriteti grek gëzonte gjithë të drejtat, bile prova më e mire, z.Manol Konomi, minoritar grek, është ministër i Drejtësisë në Shqipëri.

Ndërsa pakica shqiptare që jeton në greqi, kryesisht popullsia autoktone çame, nuk gëzon asnjë të drejtë, që u njihen minoriteteve nga traktatet”. Kotta denoncon shkeljen e konventës së Lozanës nga qeveria greke, e cila shkëmbeu (dëboi) padrejtesisht popullsinë shqipare në Turqi gjoja si popullsi turke, në vitet 1923-1925, duke realizuar një spastrim të gjerë etnik. Po ashtu, ai denoncon masakrat ndaj popullsisë çame në vitet e Luftës së Dytë botërore, si edhe përzënien e tyre nga trojet etnike. “Kështu, për shkak të dobësisë së Lidhjes së Kombeve, pakica shqiptare në Greqi, vazhdon të mos gëzojë anjë nga garancitë që u njihen minoriteteve, nën mëshirën e arbitraritetit të qeverisë së Athinës” – konkludon N.Kotta.

Ai nxjerr në pah konstatimet e Komisionit Hetimor me ekspertë të huaj të paanshëm, se krahas politikës greke, “ndihej edhe ndërhyrja e klerit dhe sidomos e Mitropolive greke, të cilët punojnë hapur për shkëputjen e Shqipërisë Jugore  dhe bashkimin e saj me Greqinë”. Më tej, ekspertët, major Menihu dhe profesor Sederholmi, tregojnë sesi më i zellshmi i këtyre mitropolitëve, peshkopi i Korçës Jakov, – një grek për nga kombësia dhe zëdhënës i helenizmit në Shqipëri, i cili duket tejet i zënë me çështje sa politike aq edhe fetare, ushtronte ndikimin e vet mbi pjesën tradicionaliste, për të organizuar një fushatë propagandistike në dobi të Greqisë.

Autori  nënvizon se ëndrra dhe depërtimi  i helenizmit  ishte nxitur  e realizuar nëpërmjet propagandës, arsimimit në shkollat  greke dhe kishës ortodokse greke, mbështetur prej rolit të Patriarkut grek të Stambollit. Pikërisht kjo trinitri, e shndërruar nga qeveria greke në mjet politik, bëri ços për të penguar dhe ndëshkuar shkollat dhe mësuesit e shqipes, si edhe për të penguar ngritjen e kishës shqiptare në SHBA, veçanërisht të themelimit të Kishës Autoqefale Shqiptare në Shqipëri me përpjekjen e Fan Nolit, Vasil Markos, Kristo Kirkës, Visarion Xhuvanit  etj dhe të besimtarëve  atdhetarë ortodoksë, por edhe ndihmesën e shtetit shqiptar.

Kjo veprimtari e ethshme dhe e vazhduar e politikës greke, i ka ndërlikuar dhe vështirësuar marrëdhëniet shqiptaro-greke. Filozofi Kotte nxjerr konkluzione shkaksie: “Nëse neve na u duk me vend t’i shtonim në punimin tonë edhe marrëdhëniet e fesë, e bëmë ngaqë mendojmë se shërbejmë për të sqaruar shkakun e vërtetë  të marrëdhënieve të vështira shqiptaro-greke. Populli grek,  më besimtar se populli shqiptar, qysh nga e shkuara e vet e ka ruajtur me besnikëri besimin, ndoshta edhe më shumë sesa ndjenjën kombëtare dhe ai mund ta kuptojë me vështirësi që një shqiptar i krishterë ndihet shqiptar, ashtu si myslimani shqiptar dhe shumë pranë këtij të fundit sesa vetvetes”.

Këto përfundime, N.Kotta i përqas edhe me konstatime dhe konkluzione të studiuesve apo personaliteteve europiane, veçanërisht të Komisionit ndërkombëtar Hetimor, c cili arriti në përfundimin se jo vetëm që ekziston një komb shqiptar, por edhe ekzistenca e tij është një domosdoshmëri. Komisioni shpaloste arsyet mtë cilat ishtë bazuar ky konkluzion:

1.Arsye teknike: Komisioni vlerësonte se raca shqiptare “me shumë gjasa  e vetmja racë krejtësisht autoktone, që gjallonte në ballkan, ka ditur të ruante në malet e saj pastërtinë e gjakut, të gjuhës dhe të dokeve”.

2.Arsye kombëtare, domethënë e karakterit psikologjik dhe ndjesor: me gjithë sundimet, të cilat e kanë penguar të formojë një unitet politik, shqiptarët, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut e quanin veten me krenari  që formonin një kombësi të dallueshme dhe e shihnin njëri-tjetrin si bashkatdhetarë. Duke studiuar në teren akuzën sipas së cilës ekzistenca e tri feve të ndryshme e bënte të pamundur çdo qeveri të Shqipërisë nga shqiptarët, komisioni vuri re një tolerancë të shkëlqyer fetare falë dokeve të njëjta, traditave  dhe lidhjeve të ngushta familjare, që bashkojnë shumë shqiptarë të tri feve”( Përfundime të Komisionit Hetimor ndërkombëtar)

Justin Godart, shkruante pas udhëtimit të tij të parë nëpër Shqipëri: “Bindja jonë është se nuk ka asnjë fanatizëm në Shqipëri, se çdo shqiptar është para së gjithash shqiptar. Në Shqipëri partiotizmi qëndron mbi fenë. Shqiptari, edhe kur është fetar, e ndan besimin nga kombësia, e vë atë në vartësi të kombësisë”.

Polemisti Kotta nënvizon:  Akoma më e vlefshme është dëshmia e një greku, z.Lefkoparidi, drejtor i revistës “Les Balkans”, i cili shënonte, pasi studjoi historinë shqiptare: ”Shumëllojshmëria e kulteve , nganjëherë e ka komprometuar bashkimin kombëtar, por shqiptarët kanë ditur të japin mëse një herë shembullin e një ndërgjegjeje kombëtare, kur janë gjendur përpara konfliktesh fetare. Historia e luftrave  të tyre për fitoren e pavarësisë e ilustron mahnitshëm këtë pohim. Sa herë që atyre u është dashur të luftojnë për liri, çështjet fetare  i kanë kaluar në plan të dytë”.

Zoti Lefkoparidis konkludonte: “Shqipëria është fort e vendosur për të mbrojtur të drejtën e saj për të jetuar dhe se tashmë ka ardhur koha t’i shikojmë problemet e shqiptare në vetvete, duke pyetur veten, jo cili do të jetë qëndrimi i Fuqive ndaj Shqipërisë , por krejt ndryshe, cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë ndaj Fuqive”. Një vlerësim, që ka brenda edhe pofetësinë.

Nuçi Kotta mendon  se populli shqiptar, të cilit të tjerët i kanë rënë në qafë, është treguar gjithsesi paqësor, tolerant dhe thellësisht përëndimor. Shqiptarët dhe grekët as nuk e përbuzin dhe as nuk e urrejnë njëri-tjetrin. Nëse marrëdheniet  shqiptaro-greke kanë qenë të këqia, kjo ka ndodhur vetëm për shkak të imperializmit politik të ndjekur nga qeveritë e Athinës kundrejt Shqipërisë. Ne, thotë vizionari Kotta, nuk dyshojmë se një erë e re marrëveshjeje dhe mirëkuptimi i ndërsjellë do të nisë midis dy popujve dhe do të kontriubojë për të vendosur paqen dhe qetësinë në këtë pjesë të Europës.

[1] Nuçi Kotta, doktor i shkencave juridike në Francë, zv.sekretar I Organizates “Asambleja e Kombeve te Bashkuara të Europës”. Anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, autor i botimeve “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, “Njeriu me 40 eku” etj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Libri i Nuci Kota, opinion, Uran Butka

Më 28 korrik 1912 u miratua buxheti i parë i Federatës “Vatra”*

July 28, 2016 by dgreca

Më 28 korrik 1912, u mbajt një mbledhje e posaçme e Kuvendit të “Vatrës”, e drejtuar nga Kristo Kirka, për problemet e buxhetit të saj. Në atë kuvend u miratua buxheti i parë i Federatës “Vatra”. Sigurimi i një buxheti të mirë, i dha mundësi “Vatrës” të përballonte gjithë ato veprimtari që lidheshin me mëvehtësimin e Shqipërisë, delegimin e parfaqësuesve të saj në Shqipëri dhe në Europë, dërgimin e vullnetarëve të lirisë, organizimin e konferencave dhe mitingjeve e të tjera.

Vatra e përkrahu kryengritjen e përgjithshme shqiptare të motit 1912.  Por, kur u krijua Aleanca  Ballkanike dhe nisi lufta e saj kundër Turqisë, situata e Shqipërisë u ndërlikua, po ashtu  edhe  qëndrimet e “Vatrës” u tronditën. Luftën Ballkanike, vatranët e denoncuan si një luftë të pansllavizmit kundër Turqisë dhe një luftë grabitqare kundrejt Shqipërisë. Madje, ata e konsideronin rrezikun sllavo-grek si rrezikun kryesor për Shqipërinë. Nën këtë vështrim, liderë të “Vatrës” si Konica, anuan nga një aleancë e mundshme me Turqinë, që  të shpëtohej copëtimi i Shqipërisë nga vendet ballkanike. Konica e shihte si një rrezik aleancën e Shqipërisë me shtetet ballkanike, duke sjellë në vëmendje synimet e tyre, madje edhe shembullin e aleancës me Malin e Zi në kryengritjen e vitit 1911, në të cilën luftuan shqiptarët  kundër pushtuesve osmanë, ndërsa Mali i Zi u përpoq t’i merrte Shqipërisë disa territore.

Kristo Kirka nuk ishte as për një aleancë me Turqinë, që synonte ta mbante Shqipërinë nën rrënojat e saj, as për një aleancë me vendet ballkanike, që synonin ta copëtonin e ta fshinin atë nga harta e Ballkanit. Kirka ishte për një qëndrim asnjanës të Shqipërisë në konfliktin ballkanik, ndërkohë që shqiptarët duhet të luftonin brenda vendit për lirinë e pavarësinë e tyre, që të bëheshin  faktor i ekzistencës.

“Vatra” fillimisht anoi nga përcaktimi i Konicës, madje edhe mitingu i 7 tetorit 1912 u shpreh për mbështetje të Turqisë, por në nëntor të vitit 1912 ndryshoi qëndrim dhe përkrahu luftën çlirimtare për pavarësi, duke shpehur mospajtimin e saj me politikën xhonturke. Në prag të shpalljes së Pavarësisë, dega e “Vatrës” në Boston, me nismën e Kristo Kirkës, organizoi më 17 nëntor 1912 një tubim të madh në mbështetje të luftës për mëvehtësi. Nga ky miting, ku ligjëruan oratorët Konica, Noli dhe Cere, iu dërguan telegrame Presidentit amerikan Taft dhe kryetarëve të shteteve të Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë dhe Papës së Romës, që të mbronin të drejtat e shqiptarëve dhe të mos lejonin coptimin e Shqipërisë. [1]

“Vatra” e priti me entusiazëm patriotik ngritjen e flamurit kombëtar  dhe shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Madje, në këtë akt madhor të kombit shqiptar, ishte e pranishme dhe çeta e vullnetarëve shqiptarë të ardhur nga Amerika.[2]

Sipas Qamil Panaritit, editor i gazetës “Dielli”, flamuri që u ngrit në Vlorë, ishte sjellë nga Bostoni në Korfuz nga vullnetarët e shoqërisë “Besa-Besën”, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për t’iu bashkuar kryengritësve shqiptarë. Marigo Pozio, që vizitonte Korfuzin në atë kohë bashkë më të shoqin tregtar, e mori flamurin nga bashkëkombasit e saj, të cilët e kishin të vështirë ta sillnin atë në Shqipëri pa u diktuar dhe e pruri në Vlorë, ku dora e Ismail Qemalit e ngriti ditën e Pavarësisë.       Federata “Vatra” nëpërmjet kryetarit të saj, Faik Konicës, i dërgoi një telegram urimi Qeverisë së Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë. Ai i lutej Mbledhjes së kombit që të mos pranonte kandidaturën e një princi muhamedan. “Mos e bëni Shqipërinë një mbretëri orientale si Afganistani, Tunizia etj. Ideali ynë është një Shqipëri Europiane, si Norvegjia, Danimarka dhe Belgjika. Prandaj duam më mirë një mbret nga një derë europiane, i cili do të sjellë në Shqipëri traditën e Perëndimit. U lutem veças deputetëve myslimanë që të tregojnë atdhetarinë e tyre duke zgjedhur  një princ të krishterë. Po të veprojnë ndryshe, do të bëjnë një lajthitje të pandreqshme”[3]

Nga një letër e Faik Konicës drejtuar Kristo Kirkës,  më 3 dhjetor 1912, e rikonfirmojmë këtë mendim të tij  për një çështje kaq të rëndësishme:

“Me qenë se një part i fortë në Shqipëri përpiqet për të zgjedhur si mbret të Shqipërisë një princ muhamedan dhe po të bëhet e tyrja, Shqipëria do të shohë shumë dëm si nga qytetaria e përparimi ( se ahere do të jemi një mbretëri gjysm’anadollake), si nga simpathit’ e Europës që do t’i humbasim, komisioni është i mendjes që në këtë rasë “Vatra” ka detyrë, si organi më i fortë i interesave kombëtare, të punojë për të vënë në fron një princ të krishterë nga një derë mbretërore t’Europës”[4]

Disa ditë pas shpalljes së Pavarësisë, u mbajt në Boston, më 8 dhjetor 1912, kuvendi i jashtëzakonshëm i kryetarëve të “Vatrës”, nën drejtimin e At Naum Ceres. U vendos që sekretari i përgjithshëm i federatës , Faik Konica të shkonte në në Europë dhe në Shqipëri, që të përçonte  mendimin  për të caktuar në fronin e Shqipërisë një princ nga një derë mbretërore europiane si edhe për të themeluar një kushtetutë të shtetit shqiptar.

Edhe Kristo Kirka, që ka firmosur këtë vendim si kryetar i degës së Bostonit, ishte i mendimit që për shtetin e brishtë shqiptar, të rrethuar me armiq dhe të panjohur ende nga Europa dhe Amerika, duhej një princ i huaj i krishterë, që Shqipëria të kishte mbështetjen dhe mbrojtjen europiane. Noli dhe, më pas, Konica u vendosën në Londër, ku lobuan me personalitetet britanike për njohjen e pavarësisë dhe të shtetit shqiptar.

Kirka ishte i gëzuar që, më më fund, u shpall pavarësia dhe u ngrit shteti shqiptar, por ishte edhe i brengosur që ky shtet ishte i cunguar dhe i rrezikuar nga brenda e nga jashtë.

“Më në funt, u krijua shteti  shqiptar i pavarur, – shkruante ai, – por me kufinj tepër të ngushtë, me kufinj as gjeografikë, as ethnikë, as edhe ekonomikë” [5]

“Vatra”, që e përshëndeti shpalljen e Pavarësisë, mbajti një qëndrim kritik ndaj qeverisë së Ismail Qemalit dhe nuk i dha mbështetjen e duhur, ndikuar nga Faik Konica .  Konica, që kishte ardhur në  Shqipëri  të parashtronte platformën politike të “Vatrës”, nuk e kreu si duhet këtë detyrë, kështu nuk u realizua ai bashkëpunim i dëshiruar midis emigracionit shqiptar në Amerikë dhe qeverisë së Vlorës. [6]

Madje, ai përkrahu për disa kohë Esat Pashë Toptanin në intrigat për rrëzimin e qeverisë së Ismail Qemalit, gjë që e dëmtoi pozitën e qeverisë së përkohshme, e cila ishte në vështirësi të mëdha dhe presione politike të brendshme dhe të jashtme. Shembullin e Konicës e ndoqën edhe disa patriotë të tjerë, që, të mashtruar nga demagogjia dhe loja e fshehtë antikombëtare e Esat Toptanit, u larguan nga Vlora për në Durrës, në mbështetje të këtij të fundit, i vetëshpallur princ i Shqipërisë së Mesme. Në nëntor të vitit 1913, Faik Konica u nda me Esat Toptanin, pasi e kuptoi nga afër rrezikun që paraqiste politika e tij antikombëtare.[7]  Edhe “Vatra” e ndryshoi qëndrimin ndaj Esatit, duke vlerësuar realisht veprën madhore të Ismail Qemalit dhe të burrave të mëdhenj të Pavarësisë.

Qeveria e Vlorës  kontrollonte një pjesë të vogël të territorit shqiptar. Pjesa më e madhe mbahej e pushtuar nga vendet fqinje: Shkodra – nga ushtritë malazeze, Shqipëria verilindore – nga sebët dhe ajo e jugut, përfshirë Korçën e Gjirokastrën – nga ushtritë greke.

Ja sesi e analizon Kristoja këtë situatë kritike në Shqipëri e më gjerë: “Grekët, jo vetëm Çamërinë, që e gllabëruan, por donin të merrnin edhe Korçën e Gjirokastrën. Sa për serbët, ata ishin fare intransigjentë. Me qenë se Shkodra mbetej nën Mal të Zi, dhe me qenë se Serbisë i lipsej një çfryrje në bregdet, përveç Kosovës  e luginës së Drinit, kërkonte edhe luginën e Shkumbinit dhe skelën e Durrësit. Sipas marrëveshjes së tyre, Shqipëria do të përbëhej prej luginës së Matit dhe Erzenit. Kur thonë ballkanasit për Shqipëri, kuptojnë një Shqipëri në miniaturë dhe këtë e quajnë një koncension. Aleanca trefishore Gjermani, Austri dhe Itali, që interesohej për  brigjet e Adriatikut Lindor që të mos binin në duart armike, doli në fushën diplomatike dhe tha se, në është që Turqia Ballkanike do të ndahej mes popujve ballkanikë në emër të nacionaliteteve, ka edhe një nacionalizmë tjetër, që është nacionalizma shqiptare. Vendet ballkanike fqinj edhe përkrahësit e tyre, Rusia e Franca, në një shkallë të lehtë dhe Inglitera, pretendonin  se shqiptarët nuk janë të zot të formojnë shtet, grinden mes tyre, kanë fe e besime të ndryshme, nuk kanë kulturë, prandaj është e kotë të krijohet një shtet shqiptar. Kjo politikë e kjo propagandë antishqiptare kishte marrë aq zhvillim, sa kur dërgata shqiptare vajti në Londër dhe desh të bisedonte apo të botonte diçka në gazetat e atij qyteti, nuk mundi të gjente vend. Vetëm kur Austria  nuk u kufizua vetëm me fjalë diplomatike, por ngriti një million ushtarë dhe doli në shesh edhe Gjermania, atëhere, që të mos shkaktohej luftë botërore, nga ana e Konferencës së Londrës u pranua pranimi i një shteti shqiptar. Por vendet ballkanike ishin vazhdimisht kundër Shqipërisë, duke përsëritur po ato qëndrime”[8]

Në trevën e Korçës, ushtria e rregullt greke dhe andartët  bënë masakra të parrëfyera, që tronditën botën. Kristo Kirka , që merrte lajme prej andej, inicioi  një protestë të madhe, më 2 shkurt 1913, organizuar nga shoqëria “Arsimi”  dhe  e mbështetur nga “Vatra”, për të dënuar pushtimin grek të Korçës dhe masakrat e saj e të andartëve ndaj popullsisë shqiptare.  Në këtë miting u miratua një telegram drejtuar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në të cilin theksohej se Korça ishte një qytet shqiptar dhe kërkohej largimi i ushtrive greke prej andej.

Nuk vonoi edhe përgjigjja e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe të “Vatrës” nga Europa:

Telegram. Londër.[9]

Kristo Kirkës,

14, Ferdinant Street, Boston, Mass.

“Telegrami u mor. Ju përgëzojmë për patriotizmën. Jeni duke luftuar për të drejtën. Prisni letër”

Dino, Konica, Noga

Pak  më vonë, më 27 prill 1913, u organizua nga “Vatra” mitingu më i madh i shqiptarëve në atë kohë në Boston, nga ku iu dërgua Konferencës së Ambasadorëve  një rezolutë e firmosur prej  30.000 vetësh, në mbrojtje të çështjes shqiptare të nëpërkëmbur. [10]

Mitingun e drejtoi  atdhetari Kristo Dako, ndërsa Kristo Kirka, në krye të degës së Boston-it,  bëri një punë të palodhur për mbledhjen e këtij tubimi, hedhjen  mijëra nënshkrimeve dhe organizimin madhështor, që s’ishte parë gjer atëherë.

   Ndërkohë, Kristoja ndiqte punët e Kishës shqiptare në Boston, e cila, me largimin e Nolit për në Angli, ku zhvillonte punimet  Konferenca e Ambasadorëve, nuk po funksiononte siç duhej për përparimin e saj dhe të çështjes shqiptare. Atëherë, ai  dha  publikisht dorëheqjen si kontrollor i komisionit kishëtar, duke kërkuar edhe mirësimin e gjendjes anarkike.

“Demicie

Botërisht po u bëj të njohur gjithë degëve kishëtare dhe anëtarëve të kishës “Shën Gjergji”, demicien time si kontrollor i komisionit kishëtar në Boston. Shkaku i demicies është anarkia që mbretëron te komisioni kishëtar dhe te prifti. Nuk merren parasysh as praktikat që janë lidhur ndër mbledhjet e komisionit dhe të kontrollorëve, as marrëveshjet që janë bërë në mes të komisionit të Bostonit dhe degëve me komisionin e Kishës “Shën Kolli” në Southbridge, Mass. Pas atyre që ngjanë këto ditët e fundit, shtrëngohem të jap botërisht demicien, se, sipas mendjes time, njerëzit që formojnë komisionin, s’janë të zotë të kuptojnë vendin dhe barrën q’u kanë besuar anëtarët në gjithë degët. Sa për priftin, mund të them, sa për tani, vetëm këto: është i zoti për çfarëdo tjetër pune, por jo edhe për përparimin e çështjeve kombëtare dhe kishëtare”

Kristo Kirka [11]

 

 

[1] The Albanian struggle in old World  and New, Boston, 1939

[2] Po aty

[3] V.Duka, Shqiptarët në rrjedhat e sh.XX

[4] Arkivi i Federatës “Vatra”.

[5] Gazeta Fjala e Korçës, e cituar.

[6] B.Meta, Federata panshqiptare “Vatra”

[7] Kalendari i Vatrës, v. 1918

[8] Gazeta Fajala e Korçës, Konferenca e K.Kirkës.

[9] Gazeta “Dielli” 13 shkurt 1913

[10] Gazeta “Dielli” 29.04.1913

[11] Gazeta ”Dielli” 25 prill 1913

*Marre nga Libri”KRISTO KIRKA” i Uran Butkes, fitues i Pendes se Argjendet

Filed Under: Featured Tagged With: 28 korrik 1912, Kristo Kirka, Uran Butka

URAN BUTKA MIDIS MISIONIT DHE PASIONIT

June 24, 2016 by dgreca

( Një lexim i vëllimit me tregime dhe novella “Vetëm një natë” të Uran Butkës)/

Shkruan: Halit  Shamata/

Ndryshe do të thonim: Uran Butka midis historisë dhe letërsisë. Në kufirin ndarës dhe në osmozën natyrale që i bashkon të dyja, Uran Butka riskon suksesin e tij të dyfishtë.

Puna e historianit për të është një mision, si rrallë herë i paautorizuar nga askush. Ndërsa shkrimtaria letrare, deri më tash e hijezuar nga politikani dhe historiani Butka, po rreket të ndryshojë rendin e përparësisë së vlerave. Krijimtaria letrare është pasioni i përditëshmërisë së tij. Por Uran Butka ka bërë me pasion edhe deputetin dhe vazhdon të bëjë me një pasion natyral, punën e historianit.

Euxhenio Montale, poeti nobelist dhe, në të gjallë edhe senator i përjetshëm italian, në përmbledhjen me ese “Në kohën tonë” shkruan se raporti mes ideales dhe reales krijoi letërsinë klasike, ndërsa raporti mes reales dhe ireales, krijoi letërsinë moderne. Përtej dy blloqeve kryesore të letërsisë, te Uran Butka përndryshe, shfaqet një qasje tjetër, raporti mes historisë dhe realizmit si drejtim letrar. Një qasje deri diku niçeane. Në veprën “ Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën”, Niçe shkruan “ Ajo që është histori dhe ajo që nuk është histori janë në mënyrë të barabartë të domosdoshme për shëndetin e një individi, të një populli dhe të një qytetërimi. përkth. im). Duket sikur në këtë pamëdyshje të dyshuesit të paepur Niçe, Uran Butka end thurimën e teksteve të tija historike dhe letrare. Historiani Butka i ofron Butkës shkrimtar, dokumenta, fakte, dëshmi, në të shumtën e rasteve tronditëse, që abstragohen estetikisht në tekst letrar, duke ruajtur herë drejtpërdrejtë, herë të mjegulluar kontekstin dhe dëshminë historike. Nga ana tjetër shkrimtari i ofron historianit, gjuhën dhe stilin letrar, vitalizimin e shkrimeve historike, me një qasje të vetvetishme letrare duke ruajtur entitetin e tekstit historik.

Një gjë vlen të thuhet lidhur me atë që Niçe e quan “ dëmi i historisë”. Veprat historike të Butkës kanë mënjanuar deri diku nga vëmendja e lexuesit, veprën e tij letrare. Kjo ka edhe një arsye më shumë, veprat historike të Butkës, i përkasin historisë politike moderne. Është i njohur konstatimi i Edit Durhamit, se shqiptarët prodhojnë më shumë histori se sa konsumojnë. Me ç’duket pas njëqind vjetësh, mund të themi të kundërtën…

Duket vërtetë e çuditshme që, megjithë kontekstin e jetës dhe përjetimeve politike, proza e shkurtër e Uran Butkës, dallohet lehtas për lirizmin e sinqertë dhe poetikën ngrohtë. Mund të thuhet se ai është në vazhdën e rrëfimit poetik në prozë, të brazduar herët nga mjeshtra si Mitrush Kuteli, por edhe Sotir Andoni etj.

Uran Butka është në përputhje me veten, përsa i përket natyrës së njeriut dhe natyrës së stilit të tij letrar. Ai është i kuptueshëm, me një lexim të parë, por gjërat duket sikur ndërlikohen pasi ke mbaruar se lexuari tregimtarinë e tij.

Aktualiteti shqiptar , që hera-herë shmanget në të shkuarën e afërt, është ajo me të cilën lidhen shqetësimet dhe përjetimet krijuese të Uran Butkës.

Më poshtë po përpiqem të ofroj disa lexime të vëllimit “ Vetëm një natë” që sapo ka dalë nga shtypi:

Tregimi “Vetëm një natë”, që ka pagëzuar librin me proza, na rrëfen kalvarin e mundimshëm gjer në pamundësi, nëpër të cilin kalon procesi i kthimit të pronës. Për autorin, rikthimi i pronës nuk është malli në vetvete, por është rikthim te liria, e cila ka kuptim, qoftë edhe vetëm për një natë.

Tregimi “Zëri”, në një kontekst social, na thotë se gjëra fare të vogla, siç është ngritja e pavetëdijshme e tonit të zërit, mund të prishë statukonë e një familjeje. Në kontekstin psikologjik, zbrazëtia e zërit, prish ekuilibrat shpirtërorë.

Uran Butka në pjesën më të madhe të tregimeve të tij, shfaq një mentalitet që e ka kapërcyer prej kohësh tranzicionin e stërzgjatur shqiptar. Në tregimin “ Viti ‘92” pasqyrohet model i një nëpunësi arsimor, që pasi ka provuar torturat dhe burgjet e komunizmit, duke qenë i ndershëm me veten, i vlerëson njerëzit nga meritat dhe jo nga biografia, gjë nga e cila ne shqiptarët ndjehemi të trysnuar ende edhe sot.

Tirana ze një vend të veçantë në librin e Butkës. Tregimi me titullin sugjestionues “Pamje nga ura” nga idili i Urës së Tabakëve, gjer tek gërrhima çehoviane në shfaqjen e dramës së Milerit, ngre problemin e vlerave të dyshimta që mpleksin të ardhmen e një njeriu apo një qyteti.

Karrierizmin e mbështetur mbi shëmtimin moral trajton novella “Arrivisti”. Dhe po në këtë frymë, është edhe përpjekja për të blerë me para, lavdinë e

parardhësve, jo për t’i bërë nder qytetit, por në emër të pushtetit, tek tregimi “Shtatorja”. Ceremonia për përurimin e shtatores që bëhet në prag të zgjedhjeve ka një mbyllje groteske. “Në orën e caktuar kryetari i bashkisë mbajti një fjalim të ndjerë dhe, në mes të një entusiazmi të paparë, nisi të zbulonte shtatoren. Por gjithçka u fashit rrufeshëm: shtatorja ishte pa kokë”.

Në libër ka një numër tregimesh ku përjetimet dhe përvoja personale, kondensohen në situatë artistike, përmes dramacitetit tek tregimi “Nëna”, përmes së papriturës tek tregimi “Prangat” si dhe përmes lirizmit tek “ Dy pensionistët”, apo përmes aksionit tek tregimi “Pishat e buta”. Sikurse ndodh që përjetimi personal nuk arrin gjendjen e masës artistike si në skicën ‘Përfaqësuesi i popullit” etj.

Uran Butka ka njohur dy anët e madaljes së pushtetit. Ai është ndër të paktit njerëz që kanë provuar dhunën e egër të shtetit dhe qënien në pushtet. Nga kjo buron dramaciteti dhe thelbi i qenies së tij. Por unë besoj se ai i përket atyre që mendojnë se pushteti nuk është as i natyrshëm, as i domosdoshëm.

Më në fund do të them se Uran Butka është vital në gjithë qenien dhe krijimtarinë e tij. Nga viti ’96, në harkun e njëzet viteve, ai ka shkruar më shumë se njëzet vepra në fushën e historisë, monografi, libra me tregime, një roman etj. Një model se si mund të përballohet koha fizike me punë të përditshme. Në takimin e radhës ai është gati të dhurojë një libër të ri. Kjo të sjell ndër mend Sartrin që besonte se Prusti punonte me dy duar.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Halit Shamata, Uran Butka, vetem nje Nate

Kristo KIRKA, Kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”

May 14, 2016 by dgreca

Nga URAN BUTKA/*

Në vitin 1908  Kristo Kirka u zgjodh kryetar i shoqërisë “Besa-Besën” dhe punoi me vetmohim për ta bërë atë vatrën kryesore ku të mblidheshin dhe të bashkëvepronin gjithë shqiptarët. Shoqëria “Besa-Besën” u shndërrua në shoqërinë më të fuqishme të shqiptarëve të Amerikës dhe u bë faktori kryesor i bashkimit të të gjitha shoqërive të tjera në një federatë gjithëshqiptare.

Në këto kushte lindi nevoja për një gazetë, zëdhënëse e shqiptarëve të Amerikës, por edhe tribunë e mendimit të çështjes sonë kombëtare. Më 15 shkurt të vitit 1909, shoqëria “Besa-Besën” nisi botimin e gazetës së mirënjohur “Dielli”. Vetë titulli i saj “Dielli”, i qëmtuar nga Fan Noli, ishte kuptimplotë: Dielli, që do të ndriçonte mendjen dhe rrugën e shqiptarëve. Numri i parë i saj doli në Boston më 15 shkurt 1909, si gazetë e përjavshme, mandej  dy herë në javë, ndërsa në kohën e Çekrezit u bë e përditshme, shqip dhe anglisht. Në krye të numrit të parë, shpallej diviza: “Dielli është organ i shqiptarëve kombëtarë, që kërkojnë vetëqeverimin për Shqipërinë”.

Gjatë gjithë ekzistencës së saj, ka qenë një nga faqet më të rëndësishme të shtypit shqiptar. Qysh në krye, ajo ka përkrahur lëvizjet për autonomi në kuadrin e katër vilajeteve, mandej lëvizjet për ndergjegjësim kombëtar, për liri dhe pavarësi, luftën kundër politikave shoviniste e pushtuese të shteteve fqinje, si: Greqia, Serbia dhe Italia, kundër planeve të disa Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, si edhe ka propaganduar vijimisht idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet kombëtar e demokratik, sipas modelit të demokracive perëndimore.  Ndërkohë, ka pasqyruar jetën, veprimtaritë kombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ndihmën e tyre në dobi të atdheut e të  çështjes kombëtare.

Redaktori dhe editori i parë i gazetës “Dielli” ishte Fan Noli, i cili me editorialet e tij të thukta, i dha drejtimin dhe peshën e duhur kësaj gazete kombëtare.

Në mbledhjen e përgjithshshme të shoqërisë “Besa-Besën” në Boston, më 14 mars 1909, për të zgjedhur Pleqësinë e shoqërisë dhe për të këqyrur ecurinë e gazetës “Dielli”, folën Fan Noli, Kristo Kirka, Nikolla Poçi e të tjerë. Pleqësia e zgjedhur i bëri thirrje Faik Konicës , drejtor i gazetës “Albania” në Londër, që të pranonte drejtimin e gazetës “Dielli”, ftesë që  ai e pranoi.

Në këtë mbledhje u zgjodh edhe redaksia e gazetës: G.Gjoleka menaxher, Kristo Kirka  gazetar dhe K.Kristofor arkëtar.

Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë, më 9 tetor 1909 dhe vendosjen e këtij personaliteti të shquar për të drejtuar gazetën “Dielli”, u rrit dukshëm cilësia dhe fama e gazetës, por edhe veprimtaria kombëtare e shqiptarëve të Amerikës.

Gjatë vitit 1909 u rishtrua çështja e bashkimit të të gjitha shoqërive në një të vetme. Pleqësia e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut”, përmes një letre botuar te gazeta “Dielli”, argumentonte domosdoshmërinë  e shoqërive të krijuara an’e kënd Amerikës. Shoqëria “Besa-Besën” mori nismën që të organizonte një sërë mitingjesh në qendrat kryesore ku banonin shqiptarët, për të propaganduar bashkimin. Mitingu i parë u organizua  më 1 nëntor 1909 në Phoenix Hall, ku erdhën shqiptarë nga Bostoni, por edhe nga Natick, Hudson, Buffalo, New Bedford, Worcester etj. Mitingun e hapi Kristo Kirka, kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”.  Në emër të kësaj shoqërie, ai bëri thirrje për bashkim, si një aspiratë  kombëtare. Oratorët  Faik Konica, Fan Noli,Themistokli Millona dhe Kol Kristofori folën për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë dhe për organizimin e shqiptarëve tëAmerikës.

Mitingje  masive u organizuan edhe në Hudson, më 12 nëntor 1909, në Bedford, më 18 nëntor, në Natick, më 25 nëntor, në Worcester, më 1 dhjetor, në  Southbridge,  më 14  dhjetor.  Këto tubime luajtën një rol të rëndësishëm për fuqizimin dhe rritjen e shoqërisë “Besa-Besën”, por edhe në rrugëtimin drejt bashkimit. Thuajse një miting në javë, një gjë e pazakontë, por edhe një punë e palodhur, veçanërisht e organizatorit  Kristo Kirka, që kishte një energji të pashtershme dhe një vullnet  të pathyer.

Gazeta “Dielli” e datës 28  janar 1910, shkruante: “Pleqësia e Besa-Besës mbajti një mbledhje të dielën e shkuar në zyrë të “Diellit”. Ishin në mbledhje Z.Kristo Kirka, kryetari; z. Tromara, sekretari dhe z.Andea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir nga pleqësia” [1]   Kryetari i shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka,  luajti një rol të rëndësishëm  bashkues. Por, krahas zgjerimit të shoqërisë “Besa-Besën” me anëtarë të rinj dhe mirëkuptimit gjithnjë e më të madh për bashkimin e gjithë shoqërive në një organizatë të vetme, u shfaqën edhe mosmarrëveshje të brendshme.

“Kulmin këto mosmarrëveshje e arritën në mbledhjen e 20 shkurtit 1910  të kësaj shoqërie, që u mbajt në Boston.  Kryetari Kristo Kirka, i cili e drejtoi këtë mbledhje, theksoi domosdoshmërinë dhe nevojën e një lidhjeje apo federimi në mes të shoqërive shqiptare të krijuara në Amerikë… Nga diskutimet që u bënë në këtë mbledhje, u dukën qartë kontradiktat midis kryetarit të shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka dhe drejtorit të “Diellit” Faik Konica, kryesisht për disa artikuj të botuar në gazetën “Dielli”. Kryetari i shoqërisë kërkoi me këmbëngulje që drejtimi i gazetës “Dielli” të kalonte në duart e kryesisë së shoqërisë, gjë që nuk u pranua  prej Faik Konicës, i cili theksoi se “përsa kohë do të ishte drejtor i këtij organi, nuk do të lejonte kërkënd të fuste hundët në punët e tij”.[2]         Mosmarrëveshjet u thelluan edhe për një problem tjetër që u ngrit në këtë mbledhje: botimi i një gazete tjetër në Boston të titulluar “Flamuri” dhe që drejtohej po prej Faik Konicës. “Flamuri” ndryshonte nga “Dielli”, sepse e kërkonte vetëqeverimin e Shqipërisë vetëm në rrugë kushtetuese. Konica theksoi se e kishte botuar me qëllim këtë gazetë, që ajo të hynte në Shqipëri, sepse gazeta “Dielli” nuk lejohej prej xhonturqve”.[3]

Faik Konica dha dorëheqjen si drejtor i gazetës “Dielli”, ndërkohë që vazhdoi të botonte “Flamurin”. Shoqëria “Besa-Besën” zgjodhi një komision me Kristo Kirkën në krye, për të drejtuar shoqërinë dhe organin e saj, “Diellin”.

Gjithsesi, kjo mosmarrëveshje ishte në dëm të shoqërisë e të gazetës “Dielli”, por edhe të projektit të bashkimit, ndaj të dyja palët bënë një marrëveshje, u ulën në bisedime, zgjodhën një komision të përbashkët dhe shkuan në votime demokratike, me votë të fshehtë. Kryetar i shoqërisë u zgjodh Josif  Pani. Kryesia e re  ia dorëzoi sërish gazetën “Dielli” Faik Konicës, maj 1910. Të dyja gazetat, për një kohë,  u bashkuan në një emër të përbashkët “Dielli dhe Flamuri”.

Pavarësisht nga mospërputhja e mendimeve për probleme apo qëndrime të caktuara, midis Kirkës dhe Konicës vazhdoi bashkëpunimi në dobi të çështjes kombëtare.

Në përvjetorin e parë të  “Diellit”,  më 11 shkurt 1910, editori i gazetës, Faik Konica, tek përshkruante rrugën njëvjeçare, do të vlerësonte në mënyrë të veçantë veprimtarinë e shoqërisë  “Besa-Besën” dhe  të kryetarit të saj, Kristo Kirka:

“Me këtë numër, “Dielli” mbush motin e parë të botimit të tij.  Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjë herë, rri mbi një gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje  dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh sesa eci dhe ç’mbaroi gjer atje. Ashtu, edhe ne do të marrim forcë të re, duke shikuar punët që bëmë gjer sot…Shoqërisë  “Besa-Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur  të saj, Kristo Kirka, pleqësisë së nxehtë , kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra”[4]

Pas shoqërisë “Besa-Besën”,  në SHBA u themeluan edhe mjaft shoqëri të tjera të rëndësishme, që ndikuan në bashkimin, ndërgjegjësimin dhe arsimimin e emigrantëve shqiptarë atje, por edhe ndihmuan bashkëkombasit e tyre në Shqipëri.

Një nga këto, shoqëria korçare ”Arsimi”, e themeluar në vitin 1909 në Hudson, por e zhvendosur më pas në Boston, dha një ndihmesë të çmuar në arsimimin e emigrantëve shqiptarë  në Hudson e Boston, por edhe në zhvillimin e arsimit në qytetin e Korçës. Në krye të kësaj shoqërie ishte Kristo Kirka.

Po ashtu, u formuan edhe shoqëritë “Shpresa” në Bideford, shoqëria “Dallandyshe” dhe “Mbarësia” në Marlboro, shoqëria ndihmëtare ”Bashkimi”, “Flamuri i Krujës” e të tjera.

Të gjitha këto shoqëri dhe organet e tyre të shtypit e kishin kthyer shikimin  nga Shqipëria që lëngonte nën sundimin osman, por edhe që përpiqej të dilte nga kjo gjendje. Shoqëritë patriotike të Amerikës inkurajonin çeljen e shkollave shqipe, arsimimin në gjuhën shqipe, ngritjen e çetave të para të lirisë, luftën kundër shovinizmit dhe kishës greke,  përkrahjen e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1911, si edhe mbrojten e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA.

Ja ç’shkruan gazeta “Dielli”, 18 nëntor 1910:

“Ende pa marrë kryesinë Z. Kirka, anëtarët e Shoqërisë  korçare “Arsimi” qenë shumë të pakë, por që kur u zgjodh kryetar Z.Kirka, i cili kurdoherë  është rrëfyer atdhetar, anëtarët u shtuan shumë dhe është shpresë  që të vejë më përpara  shoqëria “Arsimi” për të përmbushur qëllimin e saj. Kryetari Kirka foli me hollësi për qëllimin e shoqërisë dhe u dha kurajo gjithë dëgjonjësve  që të mos dëshpërohen për mbylljen e shkollave shqipe në Shqipëri, se do të vijë  koha  që do të hapen prapë dhe atëherë shoqëria jonë ka për detyrë t’u ndihë shkollave shqip, për të cilat është ngritur”.[5]

Kristoja ishte i mendimit që shqiptarët duhet të përfitonin nga liritë e shpallura nga xhonturqit, për të përhapur abecenë e njësuar , për të ngritur shkolla, klube kulturorë, shtyp të lirë dhe veprimtari të tjera, që të vetëdijësoheshin e të bashkoheshin shpirtërisht.

“Gjuha dhe letërsia shqiptare bënë udhën e tyre, por me mundime. Armiqtë filluan luftën e rregullt kundra shqiptarizmës… Më 1908, kur u shpall lirija konstitucionale, në të gjithë anët ku ndodheshin shqiptarë, u hapnë klube, u botuan fletore, edhe u shtypnë e u përhapnë libra edhe u krijua Normaleja e Elbasanit për të pregatitur  mësonjës të aftë. Mirëpo , faktorët ngatërrestarë të huaj, duke u mbështetur n’elementët fanatikë të vendit, dëndësuan luftën në të katër anët. Lufta për shkronjat dhe gjuhën doli në krye. Xhonturqit kërkuan që shqipja të shkruhej me germa arabishte dhe të përhapej kultura osmane. Me qenë se shkronjat arabishte, përveç që nuk kanë zënore, por edhe si një gjuhë semitike, nuk përfshijnë as bashkëtingëllore, me një fjalë ishte një mjet  mashtronjës për t’i ndaluar shqiptarët në fushën e kulturës. Në tërë Shqipërinë bota u nda më dysh: partizanët e shkronjave latine dhe partizanët e shkronjave arabe. E para përfaqësonte kulturën evropiane edhe e dyta kulturën orientale, e para përfaqësonte nacionalizmën shqiptare, edhe e dyta fanatizmën fetare, e para gjallëri në jetë, e dyta vdekjen. Në këtë luftë, grekët dhe serbët ndihmonin propagandën e xhonturqve…Nacionalistët u detyruan  të formojnë çeta dhe t’organizojnë kryengritje. Me rëndësi ishte ajo e Kosovës, e cila përfundoi me zbritjen e kryengritësve në Shkup” – shkruante  Kristo Kirka.[6]

Ai përpiqej që shqiptarët e Amerikës të mbanin gjallë gjuhën shqipe, të shkruanin e të lexonin në gjuhën e mëmës, të merrnin dituri dhe të kulturoheshin. Nga shoqëria  “Arsimi” organizoheshin kurse dhe shkolla sezonale për të mësuar gjuhën shqipe të shkruar.  Madje, Kristo Kirka, bënte thirrje për themelimin e një shoqërie theatrale, që të zbukuronte jetën e emigrantëve shqiptarë dhe të edukonte atdhetarizmin e tyre:

“Thërriten gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në dramat “Besa” të Sami Frashërit, “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos etj. dhe çdo atdhetar që dëshiron të marrë pjesë në një shoqëri theatrale, të ndodhen në mbledhjen që do të mbahet më 29 të vjeshtës së dytë 1911, për të rregulluar një shoqëri theatrale”[7]

Kështu, me nismën e Kristos,  u themelua shoqëria teatrale “Lahuta”, me qendër në Boston.

[1] Gazeta “Dielli” 28 janar 1910

[2] Po aty

[3] V. Duka, Shqiptarët në rrjedhat e shek.xx

[4] Gazeta “Dielli” , 11 shkurt 1910

[5] Gazeta “Dielli” 18 nëntot 1910

[6] Gazeta Fjala e Korçës, qershor 1944

[7] K.Kirka, thirrje për një shoqëri theatrale, Dielli, 19 vjesht’e dytë.

*Marre nga Libri”Kristo Kirka” i Uran Butkes

Ne Foto: Kristo Kirka ne te majte te Fan S Nolit

Filed Under: ESSE Tagged With: Besa-Besen, Kristo Kirka, Kryetar i shoqërisë, Uran Butka

KADAREJA I RREZIKUAR

May 12, 2016 by dgreca

Refleksione mbi ditarin sekret të E.Hoxhes për poezinë “Pashallarët e kuq”/

NGA URAN BUTKA/

Kur lexova shënimet e E.Hoxhës për poezinë “Pashallarët e kuq” në ditarin e tij të fshehtë , u befasova dhe u trondita njëherësh, gjë që s’duhet të më kishte ndodhur.

Unë si studiues e njoh mirë figurën e Enver Hoxhës, zbuluar nëpërmes dokumenteve arkivore, e kam të qartë thelbin e mendimit  dhe të veprimit kriminal e terrorist të E.Hoxhës, por edhe dyfytyrësinë e tij, hipokrizinë dhe shtirjen për t’u rrëfyer ndryshe nga ç’ishte në të vërtetë, djalli me fytyrë  engjëlli, që të vriste natën dhe të qante ditën; megjithatë u befasova, sepse nuk e kisha besuar plotësisht që ai e kishte futur Ismail Kadarenë në rrethin e kuq të armiqve të partisë e të shtetit komunist dhe që kishte për shkrimtarin Kadare një urrejtje aq të madhe, qe cila shkonte deri në tmerr. Nuk e besoja edhe për faktin që Kadareja e kishte paraqitur artistikisht figurën e Enver Hoxhës në romanin “Dimri i Madh”, si asnjë shkrimtar tjetër, sipas meje jo si një udhëheqës komunist, por në planin kombëtar  të mosnënshtrimit të një vendi të vogël ndaj diktatit komunist rusomadh dhe të shkëputjes së guximshme nga traktati ushtarak i Varshavës.

Mund të them me saktësi arkivore se E.Hoxha në kohën e Luftës por edhe të pasluftës, i ka urdhëruar, miratuar dhe firmosur si komandant i Përgjithshëm të gjitha ekzekutimet me vdekje të personaliteteve të shquara, pa iu dridhur qerpiku, duke vrarë kështu trurin e kombit. Mes tyre edhe shkrimtarë e poetë të njohur, si bie fjala: heshtja vrastare ndaj Lasgush Poradecit,  ndalimi i veprës  të Gjergj Fishtës dhe të Mid’hat Frashërit,   burgosja e Musine Kokalarit, Mirtrush Kutelit, Visar Zhitit, Pano Taçit, Trifon Xhagjikës, Mirush Jeros (që Mehmet Shehu i dorëzoi flamurin e festivalit teatror për  dramën “Hijet e murrme”, ndërsa E.Hoxha të nesësmen e quajti dramë reaksionare dhe e futi në burg autorin) etj. dhe deri tek pushkatimi i paimagjinushëm i Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës për disa vargje lirikë.

Diktatori E.Hoxha e kishte përqëndruar në duart e tij gjithçka, edhe fatet njerëzore e kombëtare, i ngërthyer në delirin e tij të madhështisë e të pushtetit totalitar. Ai qëndroi i tillë për gjysmë shekulli i lidhur ngushtë dhe i shërbyer  herë tek jugosllavët, herë tek sovjetikët e herë tek kinezët, mandej i mbetur vetëm, pezull dhe i bunkerizuar në mes të luftës së Ftohtë midis Perëndimit e Lindjes, duke u ushqyer me gjakun e paktë të popullit të vet.

Ky njeri i gjithëpushtetshëm, që ia siguronte këtë gjë diktatura,  ishte njëherësh antenangritur edhe frikacak, si çdo diktator, që trembej edhe nga lëvizja e perdes. Më shumë prej gjithçkaje ai druhej nga inteligjencia, që e quante rrezikun më të madh, veçanërisht i druhej  fjalës së  lirë, por të ndaluar, që herë pas here, edhe nën terror, shpërthente, siç ishte revolta e Spaçit dhe fjala e lirë e tyre në vitin 1973, që e tronditi pa masë pushtetin e tij, pikerisht dy vite përpara nisjes për botim së poemës së Ismali Kadaresë “Pashallarëet e kuq”(1975). Mendoj që Kadareja është ndikuar edhe nga kjo revoltë e përgjakur, tek shkruan për pushtetarët se i kanë të lyera duart me gjak deri në bërryl. Më shumë sesa nga revolta e të burgosurve politike, që gjithsesi i kishte nën kontroll ushtarak, Enveri kishte frikë nga personalitete të fuqishme të letrave, si Kadareja, të cilin mundohej ta kishte nën kontroll si shërbëtor të regjimit.

Ai përpiqej të kishte gjithçka nën kontroll të rreptë, por, çdo dalje nga ky kontroll që këqyrej rreptësisht nga partia dhe organet e Sigurimit të shtetit, i sillte atij turbullime frike dhe reagim represiv, terrorizëm dhe viktima të pafajshme të herëpasherëshme.

Unë isha i bindur se  Hoxha  nuk e ka dashur kurrë dhe e ka luftuar tinëzisht shkrimtarin Ismail Kadare, por edhe e ka mbrojtur nga vetë Enveri, siç thotë  shkrimtari, natyrisht për interesat e tij e të sistemit  komunist. Nuk do mohuar edhe fakti i vetëmbrojtjes, kujdesit dhe vetëkritikës së shkrimtarit në momentet kur sulmohej për t’u shqyer nga knerët e kuq. Kjo është  universalisht njerëzore, pavarësisht sesi është përfolur nga liliputët e letrave. Ata e akuzonin Kadarenë  se kishte ndërtuar figurën e Enver Hoxhës, qëllimisht të shkëputur nga Partia, për të mbrojtur veten  dhe veprën e tij. Mbrojtja e jetës është një nga instiktet më të forta njerëzore, madje edhe qeveritë kudo në botë këtë duhet të kenë qëllim kryesor të tyre, ndonëse  ndodhte ndryshe në regjimin e E.Hoxhës. Nëse Kadareja donte të mbronte thjesht jetën e tij dhe të familjes, do të ulte kokën, do të dëgjonte porositë e partisë, do të ishte i “qetë”, por askushi, ndërsa ai vendosi të rrezikonte edhe jetën, për të shkruar një letërsi të madhe dhe për të mbrojtur veprën e tij tashmë të mirënjohur e të vlerësuar botërisht.

Më kujtohen vargjet e Dantes, kur ishte i sulmuar politikisht dhe i internuar, kushtuar vetvetes dhe përpjekjes për të mbrojtur natyrshëm jetën dhe veprën e tij:

 

Ashtu si gjethi që përkul majën,

në kalimin e erës,

për virtutin e vet, që e lartëson.

 

Kjo e lartëson edhe Kadarenë. Edhe qëndresën e tij.

Isha plotësisht i vetëdishëm, madje disponoj edhe dokumente,  se sistemi socialist, veçanërisht Sigurimi i Shtetit e kishim   luftuar dhe e luftonin Kadarenë, sepse ai nuk u thye, sepse ai kishte dalë nga vatha, kishte shkelur rregullat e realizmit socialist dhe, në mjaft vepra realiste, përfshirë edhe romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, aludonte kundër qeverisjes dhe mënyrës së jetesës së vetmuar, të mbyllur dhe njëngjyrëshe socialiste ( kujto shprehjen e një personzhi: ”Socializmi është si Saturni që ha këlyshët e vet”). Kush mund ta shkruante këtë veç Ismail Kadaresë.? Apo te romani “Kronikë në gur”, pjesa e fundit e librit përshkruan luftën civile në Gjirokastrër, terrorin e kuq të komunistëve dhëmbë për dhëmbë më terrorin e bardhë të kundërshtarëve të tyre. Skena të luftës civile në qytetin e gurtë, ishte si në gjithë Shqipërinë, një mynxyrë. Dhe shkrimtari shkon edhe më tutje, përtej çdo kufiri e rreziku. Në bisedën e plakave  gjirokastrite, flitet për atë që po ndodhte në Gjirokastër, për luftën vëllavrasëse mes shqiptarëve.  Xhezoja i thotë Kako Pinos: “Tani ka dalë një luftë e re, sesi e quajnë s’e them dot, luftë me kllasa apo luftë e kllasës( me shkronjën “ll” siç e shqiptonte  Enver Hoxha). Kjo është ndryshe nga të tjerat. Në këtë luftë vëllai vret vëllanë dhe i biri babanë.. Thonë se djali i Hoxhatëve, Enveri, e ka shpikur atë luftën e re, që të thashë…”

Letërsia  e vërtetë  shpesh dhe jep kohën më mirë se historia.

Kur hynë partizanët në qytetin e Gjirokastrës, një partizan vret përpara portës babanë bashkë më të birin, sipas listës së pushkatimeve të dhëna nga Partia, por vret nëkohësisht edhe vajzën, që nuk ishte në listë e vdekjes, por që u përpoq t’i mbronte babanë dhe vëllanë.

E kush kishte kurajën t’i shkruante këto pasazhe terroriste të luftës civile, përveçse Ismail Kadaresë? Unë kam shkruar një libër  për Luftën civile ne Shqipëri 1943-1945, të cilën Ismail Kadareja e ka quajtur një vepër monumentale, por ama e kam shkruar në liri, në këto vitet e demokracisë, ndërsa Kadareja i përshkruan këto skena të luftës civile dhe të terrorizmit komunist në kulmin  e regjimit Hoxhist, kur të ikte koka për një shënjë, për një gjest, për një fjalë e jo më për imazhe të tilla tejet të guximshme, por të vërteta, e të gdhëndura në gur.

Ismail Kadareja bënte letërsi të madhe, të shkruar brenda lirisë së brendshme të tij dhe në sajë të talentit letrar të vetvetishëm, të lindur, të madhërishëm.

Mirëpo kjo letërsi  është, sipas meje, edhe  edhe akt qytetar, që kundërshton mungesën e lirisë  të njerëzve, të lirisë së munguar të popullit të vet, pra një art disident në kuptimin e drejtpërdrejt të fjalës.

Ky ka qenë përceptimi im për veprën e Ismalil Kadaresë, mendim i cili  u përforcua dhe u plotësua nga botimet e tjera si”Ura me tri harqe”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Prilli i thyer” etj dhe sidomos kryevepra “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave,  një nga veprat letrare më disidente të kohës sonë.

Mirëpo, kur lexova botimin e nxjerrë nga arkivi i shtetit prej studiuesit  Shaban Sinani “Pashallarët e kuq” dhe sidomos, kur lexova edhe ditarin e fshehtë të Enver Hoxhës, të botuar nga D.Kaloçi për këtë poemë, kuptova që Ismail Kadareja dhe vepra e tij ishin më shumë të arrezikuara se ç’kisha menduar,  në atë sistem çnjerëzor. Unë i kam provuar vetë vuajtjet mizore të atij sistemi, por nuk mendoja se edhe Kadareja ka qenë njëlloj i rrezikuar, ndoshta edhe më shumë se unë, që e quaj vuajtjen fatkeqësi, apo se mjaft të tjerë që rrahin mburrshëm gjoksin.

Personi që e ka rrezikuar më tepër, por edhe e ka mbrojtur  Kadarenë, është vetë Enver Hoxha. Në analizën prej 11 faqesh, që Enver Hoxha i bën poezisë “Pashallarët e kuq”, ai shfaqet i pamëshirshëm ndaj shkrimtarit Ismail Kadare dhe poezisë së tij. U befasova për analizën e thellë e të hollësishme, që  bën ai poezisë në fjalë, me depërtimin e tij perfid  në të fshehtat e artit dhe të mendimit, në këtë rast të “Pashallarëve të kuq”, ku ai zhbiron me një gjakftohtësi rrëqethëse  të vërtetat e kobshme të thëna në atë poezi, si edhe rreziqet që mund t’i sillnin ato regjimit, ndërkohë që as Ramiz Alia, nuk i kapte dot. Dua të them, që E.Hoxha na del në këtë analizë idesh sa pervers, perfid dhe vulgar, kur i quan vargjet e poezisë mutra, aq edhe një gjeni i së keqes në zbulimin e të vërtetave të hidhura, të kobshme dhe disidente të artit kadarejan. Enveri e sheh poezinë në fjalë si një herezi “në kundërshtim me veprën e Partisë dhe që shpreh të kundërtën e asaj që thotë Partia”. Sipas tij, Ismaili është  një poet borgjez, reaksionar, kundërrevolucionar, antisocialist.

A ka ku të shkojë më keq dhe më mirë se kaq për Kadarenë? Rreziku është i lishur ngushtësisht me lavdinë.

E.Hoxha zhbiron dhe zbulon ato dukuri të vërteta që i bëjnë nder veprës së Kadaresë, në thelb kundërshtare e regjimit komunist dhe e çdo sistemi antinjerëzor.

“Për këtë poet reaksionar vendi ynë socialist është një vend burokratësh dhe burokratët i kanë duart të lyera deri në bërryl me gjak” -shkruante në ditarin e tij të fshehtë E.Hoxha. – “Kadareja është kundër diktaturës së proletariatit, kundër dhunës dhe shtypjes së armiqve të klasës, kundër socializmit në përgjithësi, dhe në vendin tonë në veçanti”

 

Jo me bojë pelikan përjargur,

Si tuafë të këndshëm , ho,ho,ho,

Por të kobshëm, me duar të përgjakura

Gjer në bërryle unë ata i shoh.

 

Enveri  po përgatitej për një ndëshkim të madh, port ë përmbajtur, jo vetëm ndaj jetës, por kryesisht ndaj veprës së Kadaresë, si në kohën e Inkuizicionit, nëse shkrimtari nuk do të bëhej shkrimtar i oborrit dhe  shërbëtor i sistemit, siç i quante ai intelektualët dhe shkrimtarët. Nuk e kishte për gjë ta bënte këtë apo të kundërtën e saj, nuk druhej nga asnjë gjë, as nga bota e brendshme dhe as nga bota e jashtme, veçse druhej nga vetja e tij, sepse e ndiente veten , sa të fuqishëm, aq  edhe të dobët, frikës, dyshues. Tek çdo të dyshuar, ai shikonte një kundërshtar, një armik, që duhej ta shkelte me këmbë ose ta asgjësonte.

Fakti që Kadarenë egoditën egërsisht me forcën e luftës së klasave në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë,  drejtuar nga Ramiz Alia, pas të cilit qëndronte vetë Enver Hoxha dhe porositë e tij, dhe që,  sipas Ditarit, e kishte kritikuar Ramizin si miop e naiv, që nuk e kishte kuptuar thelbin armiqësor të poezisë së Kadaresë,  fakti tjetër  që Kadarenë e larguan nga Tirana në rrethin e Fierit, që të punonte si punëtor dhe të “riedukohej”, etj,  ishin masa paraprake për ta nënshtruar, frikësuar, përkulur dhe dorëzuar. Fakti që poema nuk u botua, u zhduk apo u fsheh, bashkë me autokritikën e Kadaresë, rrëfen për shpresën e E,Hoxhës se mund ta bënte për vete Kadarenë, pa e bërë publike botërisht ndëshkimin e tij të bërë gati.

Mirëpo  në atë çast kritik  psikologjik dhe krijues, Kadareja qendroi fort dhe siç e pohon edhe vetë në një intervistë,  krijimtaria e tij nuk pësoi ndonjë ndryshim, përkundrazi u zymtua dhe u ashpërsua edhe më tepër, po të marrësh parasysh romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, që u shkrua pikërisht pas kësaj ngjarjeje tronditëse.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: KADAREJA I RREZIKUAR, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT