• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUTEMI PER URAN KOSTRECIN!

August 17, 2020 by dgreca

Ditën e Dielë, 16 Gusht, Uran Kostreci, shkrimtari disident, mjeshtri i soneteve, simboli i qendresës antikomuniste, pësoi një goditje cerebrale. Gazeta Dielli e mori lajmin përmes mikut të Vatrës , anëtar Nderi i saj, Prof. Dr. Beqir Meta. Dielli u informua se miqtë e Uranit, Nebil Çika, Neritan Sejamini dhe shumë të tjerë, u interesuan maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë dhe për ta transportuar nga Spitali i Pogradecit në Tiranë.

Kryetari i Shoqatës të Përndjekurve Politik të Shqipërisë, gazetari Nebil Çika, shkroi në fb: Gjithë jetën ftoi në duel vdekjen, duke sfiduar komunizmin në një Shqipëri me anemi të theksuar të Lirisë e në këmbë qëndroi…

Kësaj radhe ish vdekja që e ftoi në duel Uranin!
Urani e fitoi betejën me të edhe kësaj radhe.
E fitoi në emër të djalit që nuk e pati kurrë.
E fitoi në emër të sakrificës, tek tradhëtoi vehten e trupin e tij për ideal t’atdheut!
E fitoi, për të na mësuar se arbër është ai që lufton e fiton beteja deri në frymën e fundit, edhe në luftra të humbura!
Për t’u thënë pushtuesve se Shqipërisë i vodhët lirinë, kohën, por nuk e shuat e nuk do ta shuani kurrë rracën e pastër të Arbërit!
Virtytet e Arbërit i gëzon vërtet, Uran!!

Lutemi për shëndetin e Uranit! 

Më pas në një mesazh tjetër Çika informoi se Urani ndodhej në spitalin 5 të Qendrës Nënë Tereza.

Dielli u lidh me të vëllanë Hasan Kostreci, i cili kishte komunikuar pak para goditjes cerebrale më Uranin.

Gjatë ditës së sotme Dielli komunikoi edhe me mikun e Uranit Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, i cili përcolli lajme të mira për Uranin,- ai ka reaguar gjatë ditës së sotme.

Urani, miku i shtrenjtë i Vatrës ndodhet i shtruar në Spitalin 5 në Tiranë. Lutemi për shëndetin e Tij!

   ***

Një ditë para goditjes, Urani, mjeshtri i Soneteve, Uran Kostreci, përcolli sonetin më të ri në fb:

BREZI I RI I TRULLOSUR

Siç ndodh mbjell fidan shtrëmbër, në postat,
A pylli duke e ngjeshur e shtrënguar,
Bën që, filizi, pjerrtas shkon, anuar
E nuk drejtohet kurrë, nuk hedh shtat;

Ashtu nga kuqua brezi i ri dēm pat:
Rrena e komunistve i ka deformuar…
Kuqot thanë… Aleatve u qen’ bashkuar…
Po me sërb qenë e zbuan Aleatë!

Në Kosov, kuqot shkuan… vran kosovarë…
Që shtet tok me sërb… deshën… pse s’ thon vallë ?
S’ thon… Shqiprin dogjnë, atdhetar s’ lan gjallë !

Veç thon drejtimnë e duhur patën marrë !
E t’ rinjtë ende besojn kta gënjeshtarë,
Aq kokën, pesdhjet vjet, ua kan bër dhallë.

———————————————————————————–
Shënim: postat =lehe (pjesë toke e ndarë)

Filed Under: Featured Tagged With: Goditje cerebrale, spital, Uran Kostreci

Dosjet e Sigurimit trazojnë ndjenjat e të dënuarve politikë

August 20, 2018 by dgreca

– URAN KOSTRECI: “Atje janë vrarë fëmijë, e nëse quhet Aushvic apo Buchenvald, apo kamp komunist, që ishte më i tmerrshëm se i gjermanëve, kjo nuk ka rëndësi. Por puna është këtu: po bëhet një propagandë nga komunistët për të amortizuar dhe për fashitur atë dëm, atë krim që ata kanë bërë atëherë. Ky institucion për hapjen e dosjeve po bën aq sa mundet dhe me ato dosje që kanë ngelur”…/

14269807_10209027548998633_66667938_n

Zeri i Amerikes- Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit hapi sot në Tiranë ekspozitën dokumentare “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”.

FAFFBDD4-0242-4DE8-9663-243D7BBA1842_w1023_r1_s

Në të u shfaqën për herë të parë dhjetëra dosje e dokumenta që provojnë përndjekjen e ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit ndaj asaj krahine, ashtu si edhe në gjithë vendin. Uran Kostreci, një nga të dënuarit politikë më të vjetër, shprehu protestën e tij se si edhe sot komunistët shqiptarë propagandojnë shpifjet e tyre dhe mohojnë e fshehin krimet e diktaturës.

“Atje janë vrarë fëmijë, e nëse quhet Aushvic apo Buchenvald, apo kamp komunist, që ishte më i tmerrshëm se i gjermanëve, kjo nuk ka rëndësi. Por puna është këtu: po bëhet një propagandë nga komunistët për të amortizuar dhe për fashitur atë dëm, atë krim që ata kanë bërë atëherë. Ky institucion për hapjen e dosjeve po bën aq sa mundet dhe me ato dosje që kanë ngelur” – tha zoti Kostreci.

Ekspozita përmban dokumentet mbi përndjekjen e drejtuesve fetarë të krahinës, shkrimarë dhe figura të tjera të njohura të krahinës si Trifon Xhagjika, Selahudin Toto, Zenel Shehu, Naim Pasha e dhjetëra të tjerë, që morën pjesë në kryengritjen e Zhapokikës, apo që vuajtën nga Sigurimi i shtetit në kampin e internimit të Bënçës.

“Këto veprimtari janë shumë të rëndësishme për të zbardhur të shkuarën, por janë shumë më të rëndësishme për të ardhmen. Kjo është një mënyrë që brezat e rinj, e që nuk dinë ngjarjet, të shohin të keqen, të distancohen nga ajo dhe të mos e lejojnë të përsëritet” – tha Nebil Çika, përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë.

Nga ana tjetër, zoti Kostreci theksoi me dëshpërim se mos-hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në afro 3 dekada e vonoi drejtësinë dhe e vështirësoi më shumë ndricimin e krimeve të panumërta të komunistëve gjatë diktaturës.

“Dosjet u duheshin hapur një herë atyre që i vranë njerëzit, atyre që masakruan fëmijët në Tepelenë, atyre që dënuan me gjyqe apo gjyqe. Ne kemi qenë të burgosur e nuk kemi dhënë asnjë shenjë në 27 vjet se jemi hakmarrës. Ky është ndryshimi mes nacionalistëve me komunistët. Por nevojitej një demaskim publik i këtyre autorëve, që të merrte vesh populli krimet e tyre, e të mos na bëjnë më llam llam llam nëpër gazeta” – tha zoti Kostreci.

Përfaqësuesi i shoqatave të përndjekurve politikë, Nebil Çika tha se propaganda e sotme e komunistëve po mundohet të fajësojë edhe tepelenasit si bashkautorë të krimeve të diktaturës, por kjo u provua me dokumenta, që nuk është aspak e vërtetë.

“Tepelena ka aq përgjegjësi për kampin aq sa matjanët për Burrelin, mirditorët për Spaçin. Dokumentat e dala sot tregojnë se tepelenasit janë poa q të ndëshkuar gjatë diktaturës sa edhe gjithë krahinat e tjera. Njerëzit e Tepelenës ishin internuar larg vendlindjes si bëhej edhe në krahinat e tjera” – tha zoti Çika.

Në tubimin kushtuar përkujtimit të viktimave dhe personave të mbijetuar nga regjimi totalitar komunist morën pjesë familjarë, studiues, përfaqësues të shoqatave të ish-të përndjekurve, të cilët po këmbëngulin te rehabilitimi me dinjitet i viktimave të diktaturës komuniste.(Kortezi- Ilirian Agolli-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: dosjet e sigurimit, Uran Kostreci, zeri i amerikes

SONETE NGA URAN KOSTRECI

August 11, 2018 by dgreca

NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT/

1 Uran Kostreci1

MONOLOGU I SOKRATIT PARA VDEKJES/

-Pi helmin ! – më tha gjyqi në Athinë;/
Nuk pritën sa të vdisja e po më vdesin ;/
Te verbër qenë, u hapa sytë e s’dinë/
Se me të ikur un’ prap qorra mbesin./

Zbath unë u enda e mantel pata thesin;/
Të rinjtë i nxita t’marrin diturinë/
E të përftojnë ide. Tash :–Vdis!– thërresnin/
Se gjoja … mohoj zota e prish rininë,/

Virtyt , un predikova , më cdo rast ;
Thash , ligji i keq më mir’ se anarshia;
Për cmir , tani , më bëjn’ kurban me kast ,

Vec po t’ja mbath , mohoj bindjet e mia,
Ndaj më mirë un’ pi helmin këtë çast 
Dhe shpëton nderi e filozofia .

***

OFELIA

E hijshme, e dlirë e me një princ e vluar ,
Papritur iu shëmb ëndrra , e mbuloi zia…
Iu vra pa çelur gonxhe dashuria ,
E çarti jeta e vrazhdë e fati i truar .

Në shpirt kaos , gjith lule zbukuruar 
E vdekjen pa përfillur si fëmija , 
Me këngë u mbyt në lumë Ofelia :
Si mjellma n’ujë , vdiq duke kënduar !…

Me lulet për qefin e lumin varr,
N’reflekse uji , imazhi i saj mbeti 
Si një zambak i bardh , si nimfë deti…

Ndaj po pe buzë lumi uj ‘ llagar
Zambak fillkat kokë-ul si duke qarë,
Është Ofelia që desh princ Hamleti.

***

JAGUA

Me sy kallkan qesh Jago e kqyr tërthori…
Mynxyra ysht e kobe ndjell si shtrigë,
Sa herë sajon kurth , ndjen afsh gjaksori,
Drithron nga nepsi i gjahut … vepra e ligë.

Tinzar e shpifarak Jago mizori,
Për zonjën e Otellos thur intrigë,
E ky gruan e veten mbyt i gjori;
Me shpifje i vrau , të dy , Jagua , si shlligë.

Haré ndjen pasi i vret ! Bëhet me fletë…
Prej erës gjakut t’atyre , që çarti!
Kufomat shtrirë , e ngazëllejn vërtet

Dhe qesh kur vjen kortezhi ato t’i mbarti;
Gajaset me viktimat që vrau vetë;
E shijon krimin si një… vepër arti.

***

AVNI BEJKOVA

Një miku im, shok burgu i tim eti,
Një dit’ në kafene’ , më tha gazplotë:
–Sa rrashë e fjeta mbrëmë, u bë kiameti,
Më sulen komunistët goxha skotë,

Më lidhin me zinxhir, në bimcë, o Zot,
Prap’ më kllaposën -thashë-oh ç’më gjeti!
Nga ankthi u dirsa, frymë s’merrja dot…
U zgjova at çast… Shyqyr s’qe pe vërteti ! —

Buzqeshi , at’here , Avniu që tash nuk rron…
Sa her fliste për burgje e vojtje e tmerr,
Për dëshmor’ Balli e për Mit’hatin tonë, 

Sikur t’a dija , e lusja Avninë e ndjerë:
– Ti, që i Ballit je e gjallë ikonë ,
Për Ballin fol, na bën të gjithve nder.

***

 

 

Djaloshi i Trakteve Zalo Xhomaqi

 

Me laps në dorë isha n’tavolinë,
Kur m’u faneps i veshur me savan
Një djal’ meit i zbeht , shajni , shafran
E m’tha : – Për zogj bën vargje e për lëndinë?

“Oh , pena , ty , t’u thaft’ , mos gjetsh derman !
“Po mua pse s’ma thure elegjinë
“Që trakte hodha , e nxiva robërinë
“Dhe për atë me plumb kuqot më vranë?…

“Kur hymne , atbot , i thurnin tiranisë
“E komunizmit që bënte kërdi ,
“Un’ vetëm fillikat , bonjak , i ri,

“Tek pashë i hapej varri Shqipërisë,
“E ngrita zërin kundra mizorisë
“E për Atdheun tim u bëra fli…”

__________________________________

Shënim : -savan – qefin
-shajni – fantazmë
-bonjak – jetim

 

 

 

DASHURIA PER DETIN

 

O det që ngjyra ylberi llaps e shndrit
E sytë m’i lëbyr me vezullim ,
Shkëlqimi llamburitës më mahnit 
E sa her’ të sodit , ndjej drithërim…

Kur bregun puth , o det , me shushurimë
E si pasqyrë farfurin, dremit ,
Më gufon zëmra me aq përmallim,
Sa faqen… të t’lëmoj unë ëndërrit.

Po dhe kur shfryn , o det , nxin e gjëmon ,
Tërhuzesh lart e zbret për t’u vithisur;
Kur grryen veten thellë… bëhesh hon

A dallgët shtyn… si kalë i azdisur,
Ti, prapë, nostalgji , o det , më zgjon,
Se jam si ty dhe unë i çakërdisur .

***

PËRSIATJE

Njeriu në botë mysafir qëndron;
Një ditë… ikën ; thon’ për të : ndrroi jetë!
Ku vete ?.. S’di kush gjë ; as ay vetë! 
Ky ankth , për shekuj , njerzit i mundon.

Disa mbajn’ shpres’… mos vdekja i harron!
Disa me gjallje ndërtojn’ varrë e shkretë…
Ca trëmben , ca bëjn’ çmos të ngjajn ‘ të qetë;
Më lehtë e ka ay që Zot beson;

Ky ndjen që trupi e shpirti jan ‘ të ndarë; 
Ka bindje se bën pjesë shpirti i tija
Te shpirti , lart , i madh — Gjithvetëdija!

Beson që vdekja trupin do t’ia marrë,
Po shpirti vete, atje, ku qe më parë,
Më par’ se rob ta stiste Perëndia.

***

SHTËRNGATË VERE

Kjo stuhi sot , sjell ankth e drithërima.
Papritur qielli sterrë ndizet flakë
Dhe shndritja, fill në terr kthehet mbas pak
Nga gjarpërinjtë e zjarrtë shkrepëtima.

Si fshikull godet breshri, si dajak ;
Të trumbull prrenj plot trungje e rrapëllima
Si qen zinxhir këputur me ul’rima
Rrëzojn’ gardh e mullar e plep kavak.

Po shpejt furtuna stepet sapo agon
Ashtu siç ik fantazma kur sheh dritë,
Një çast , natyra e lodhur shtang , dremit,

Pikëlojn’ drizat , dheu avullon,
Sheh diellin , bari , e …shtriqet mugullon ,
Del bagëtia , zogu çuçurit.

***

MEDITIM

 

Në kafene jam ul e m’kap trishtimi…
Këtu mbas njëqind vjetësh përsëri 
Do vijn ‘ klientë plot në koh’ pushimi,
Po nuk jenë ata që shoh tani.

Dhe vajza që tash erdhi e kam përbri
Dhe vetëtin ajo si yll agimi ,
Asaj , mbas njëqind vjet oh , kushedi !
Harruar do t’i jetë edhe kujtimi…

Vizionë e zymtë un’ zboj i lemerisur :
Bjondinën kqyr … ajo buzqesh e shndrit !
E ëmbla çehre e saj më le shastisur,

Ndaj penën mbaj në dorë e sodit,
Në vargje hijeshin për t’ia skalisur 
Që gjall’ të ngelë ajo si perënditë.

***

Akt-akuzë për dashurinë

 

O magjiplote ndjenjë , fol , dëshmo ! 
Helm a ballsam je që lëmon e rreh ,
Që shëmb e ngjall e zgjedh’ në qafë mbreh? 
A nuk je ti , që kur manare do

Vë si karem një idhull…apo jo ?
Ti , josh me idhull ; zëmrën kap trofe’…
Rrëshqanthi e heq , me hashash mjaltë e deh…
Mizore dashuri , mos e moho ,

Ti , zëmrën herë e zhyt , herë e ngjit lart;
Ajo me idhull pran , ndjen lumturi , 
Kur nuk e sheh , ofshan… ka xhelozi,

Dyshon për cilido e flet përçart , 
Zëmr’ e plagosur shend e brengë mbart ;
Kush dashuron fatlum është e fatzi –

***

Nëna dhe Kuçka

 

Nëna dhe kuçka bëjnë berihaj,
Me gjyq luftojn’ për një fëmij’ të shkretë,
Secila thotë atë e polli vetë,
Be e rrufe… që bebi është i saj,

Po kur gjykatsi u shpreh… beben ta ndajë
Dhe gjysmë trupi secila të ketë,
-Dakord ! – tha kuçka. Po nëna e vërtetë ,
– Mos e vrit ! – klithi – lerja asaj ta mbajë;

Ashtu dhe komunistët kryen tradhtinë;
Me gjasme luft’ gjermanve.. urra-urra,
Vran’ djem shqiptarë, dogjnë, bën’ hata.

Kur Balli u lut bashkim për Shqipërinë,
Mukja dështoi, se kuqot prishnë ujdinë
Dysh kombin ndanë… u bënë ortak me shkjah.

 

***

 

VETËTIMA

Një natë u gjenda në një shkretëtirë
Ku rëra avuj ngrinte e shkrumb në erë,
Gjyryk gjoksi më shfrynte nxehtësirë
E djersa m’ digjte , nëpër trup , si serë.

Po , befas , filloi duke vetëtirë
E ndonjë pikë shi zuri të bjerë ,
Fryu fllad e ç’gaz kur llapsi qielli i nxirë
E llamburitja m’zgjoi në shpirt , pranverë!

Nga tërë ai vezullim ngela mahnitur ,
Magjinë e përshkënditjes admirova , 
E kqyrja vetëtimën sy-ngulitur

E nga përflakja e qiellit fërgëllova ,
M’i lbyri sytë një e shkrepëtitur
E ment më vrau … se e dashurova.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Jagua..., Monologu i Sokratit, Ofelia, Sonete, Uran Kostreci

ABAZ KUPI-SONET NGA URAN KOSTRECI

April 7, 2018 by dgreca

KUJTESE/1 uran Kostreci

ABAZ KUPI/61 okAbaz-Kupi-concentrate-1Sonet nga Uran Kostreci/

Kur mbledhja n’Mukje u prish prej t’kuqve djaj,/
Ajo tradhti nga Bazi u dënua;/
Të kuq e shkjah Atdhenë …e mbytën vaj,/
Shqiptarët vranë e u fryn.. si pallua!/
Nga kuqot dhe Kosova u tradhtua:/
Te serbi u shit me festë e berihaj!/
Që, n’Durres , luftoi Bazi u harrua…/
U përmënd luft, jo kush i priu asaj!
Po. n’Durrës, trimat që ran për lirinë,
Në varre, jetim, ngelën si mjeranë…
Ata me gjeneralin kan lavdinë
Siç ka dhe ky me ta, që pas i vanë.
Abazi më 7 prill nderoi Shqiprinë,
Heronjve u priu, plumb derdhi mbi dushmanë

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 7 Prill, abaz kupi, Uran Kostreci

JETA, PABESI DHE MASHTRIM

April 17, 2016 by dgreca

Jeta e Uran Kostrecit  dhe thuajse e të gjithë shqiptarëve ishte mashtrim dhe pabesi/

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj*/

Falenderoj z. Uran Kostreci që zgjodhi Vlorën, menjëherë pas Tiranës, për të paraqitur librin e tij në prozë, novelën “Pabesia”.Para se të flas për librin dua të hap një parantezë, që mendoj se vlen për këtë auditor. Pas viteve 90 në vendin tonë ka vërshuar një krijimtari e bollshme, ku më e shumta janë poezi, kujtime, përkushtime të të afërmëve apo njerëzve që kanë dhënë ndonjë vlerë gjatë luftës çlirimtare apo gjatë diktaturës së egër komuniste gjysmë shekullore. Asnjëherë nuk duhet ndaluar iniciativa, madje do ta quaja më shumë se gabim, faj apo më keq akoma, krim, që t’i ndalosh kujtdo të drejtën dhe lirinë për të shprehur lirisht mendimet e tij, gjë që na u mohua për gjysmë shekulli.

   Por theksoj se, liria e mendimit dhe shprehjes nuk duhet shpërdoruar. Jo të gjitha botimet janë cilësore dhe përciellin atë mesazh për të cilin ka nevojë shoqëria shqiptare sot. Për këtë unë tërheq vëmendjen e çdo krijuesi, që vetshpallet, studiues apo historian, pa i njohur analet e historisë, pa u diplomuar në këtë fushë, pa u afirmuar si i tillë apo më keq akoma pa botuar një libër. Si mund të vetquhet profesor ai që nuk e ka një titull të tillë? Si mund të vetquhet poet një bejtexhi? Si mund të vetquhet romancier një që s’ka shkruar romane, por vetëm kujtime, apo kronike ngjarjesh, me një gjuhë dhe leksik shqip tejet të çalë?  Krijuesve të mirfilltë u vjen turp t’i kenë libra të tillë nëpër bibliotekat e tyre, sepse nuk fitojnë gjë. Flas për ata njerëz  që janë të shtresës së mohuar dhe shkruajnë. Të mos ia lejojnë vetes një gjë të tillë, sepse është paradoks, cinizëm, s’është aspak profesionale dhe aq më tepër letrare. Sepse autorë të tillë do të jenë ironia e vetvetes. Mbi të gjitha dëmtojnë letërsinë e cila ka nevojë për një seleksionim të këtyre prurjeve që i ngjasin xhunglës.

Më falni z. Kostreci që ndërhyra, por mendoj se është sugjerim i domosdoshëm, me njerëzit e duhur, në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Të riparojmë ndërgjegjen tonë ne si shtresë në kohë, sa nuk është vonë. Kujtoj se asnjëherë nuk është vonë për t’u riparuar si individ apo më gjerë si shoqëri dhe për të bërë gjënë e duhur.

  Dy fjalë për librin “Pabesia”:

Novela e z. Kostreci me titull “Pabesia”, si të parin botim në prozë, do t’i uroja sukesese autorit brilant të sonetit edhe në këtë gjini të vështirë, në prozë, e cila kërkon kohë dhe vullnet për t’u realizuar. Mund të them me plot gojën se Uran Kostreci ndoshta është i vetmi autor që lëvron sonetin 13 rroksh, tashmë i lënë në hije nga  krijuesit, ashtu siç janë lenë në harresë edhe disa gjini të tjera si skica letrare dhe letërsia për fëmijë. Pra janë tri gjini, plus romanin, se shkruhen pak romane të mirëfillta, për të cilat mendoj se letërsia shqiptare është në krizë. Novela, që nga titulli flet vet. Në pamje të parë duket si autobiografik, por jetët shqiptare janë aq të ngjashme sa , kur lexon diçka shprehesh me habi: “Kjo qenka jeta ime!”

Ngjarjet zhvillohen në dy etapa kohore: në luftë dhe në diktaturë. Etapa e luftës është në sfond si shkaktarja e gjithë të këqijave,vëllavrasjes, pabesisë ndaj vëllait të një gjaku si dhe kosovarit të cilin ia dorëzuan bishave serbe. Ishte komunizmi sllav-serbo-rus, ajo ideologji e mallkuar që solli përçarjen mes shqiptarëve duke i futur në një hasmëri shekullore. Janë pikërisht ato litarë dhe pabesia ndaj vëllait, mikut, të afërmit dhe shokut, që na i kanë lënë si trashëgimi edhe sot të pafetë.  Shumë bukur e paraqet autori mes antagonizmash, diverse mendimesh, me metafora të goditura qëndrimin e Radomit, personazhit kryesor dhe djalit të hallës, Agronit. Ky i fundit del në mal me dëshirën e atdhetarit, mori pjesë në luftë për çlirimin e vendit. Por shumë shpejt zhgënjehet krahas idealit që i injektuan dhe njohjes të së vërtetës së hidhur që përjetoi. Njohja e së vërtetës e çoi atë drejt vdekjes. Edhe pse në plan të dytë, Agroni me qëndrimet e tij si luftëtar lirie dhe si njohës i ideve komuniste, qëndron shumë lart.

Libri nis me një peizazh disa vite pas mbarimit të luftës. Agroni kthehet nga Ferri ku kaloi vitet e rinisë, me mendimin se gjithçka do të kishte ndryshuar, por përsëri pësoi zhgënjim. Radomi, zbret aty ku kaloi fëmijërinë, rininë, ku njohu vajzën e ëndrrave dhe ku u bë baba. U kthye me dëshirën,  me mallin për atë kohë të pakthyeshme, pasi gjithë kohën kishte jetuar me  ëndrrën se do t’i gjente të gjithë në shtëpinë e tij. Por për fat të keq ajo tashmë s’ekzistonte më. Buzë lumit vurin re se ende qëndronte  gorrica e përzhitur nga flakët e luftës, mure të rrëzuar si pa zot, varfëri e tejskajshme kishte mbuluar vendin si në kohë zije makabre. Me dyshimin në gjithçka të zymtë që i përfshiu syri, por edhe për kalimtarin kurioz gëlonte mendimi i trishtë, që e rrëqethi trup e shpirt “Mos vallë kjo ishte bota e re për të cilën luftuam?”! Hedh sytë nga vetja  dhe ligështohet ; ka ngelur një invalid me një sy e dhe me një dorë. Kjo tablo plotëson gjithë domethënien e novelës. Kujt i hyn në punë vallë një qorr-sakat? E megjithatë jeta qenka e dhembshur. Ai do që të jetojë ashtu, gjysmak për të birin, ndoshta për ta nisur jetën pikërisht  aty ku e kishte lënë.  Zotërinj a nuk është jeta jonë e gjymtuar? Kjo ishte teoria e idealit marksist apo socialisto-komunist për ta shkatërruar njeriun dhe fisnikërinë. Tek ky njeri i gjymtuar ,diku në shpirtin e tij të zbrazët, jetonte dashuria e tij e parë dhe mendimi i të qenit “baba”.

Ishin pikërisht këto dy ndjenja sublime, të pazëvendësueshme që e mbajtën Radomin gjallë për vite të tëra. Kjo novelë përciell tek lexuesi se tre breza vuajtën dhe ende vuajnë materialisht, shpirtërisht dhe mendërisht, madje edhe fëmijët e tyre kanë fatin e paraardhësve . Oh, ç’mëkat që na la trashëgim një sistem pa themele. Cilido në vend të tij do të mendonte : « Kur ke një shpirt të zbrazur, ke vdekur…Trupi pa shpirtin është inekezistent. » Dhe novela e lë lexuesin me një pikëpytje enigmatike . Në fund ti, unë e të gjithë pyesim: “Si u vajti filli vallëkëtyre njereëzve që shpresuan dhe jo vetëm nuk fituan, por pësuan zhgënjimin më të madh të jetës? »Novela është trajtuar bukur, rrjesdhshëm , me fjalor e frazologji të pasuraqë të bëjnë të mos e lëshosh nga dora deri në fjalën e fundit

Z.Uran ju uroj suksese, ashtu si në sonete, edhe në prozë, sepse e meritoni!

* Paraqitja e novelës “ Pabesia”- në Vlorë më  3-7-2010- Vilhelme Vrana

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: mashtrimi dhe pabesia, Novela Pabesia, Uran Kostreci, Vilhelme Vrana Haxhiraj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT