• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A RREZIKON DELTA RI-DIZENJIM TË VAKSINËS?

July 10, 2021 by dgreca

VARIANTI DELTA I SARS-COV-2, A RREZIKON RI-DIZENJIM TË VAKSINËS NDAJ CORONAVIRUSIT/

Xhoela Bame, kërkuese shkencore në një nga institutet Ivy Leage në SHBA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, dëmtimet neurologjike te njerëzve të prekur nga covid, situatën aktuale të covid në SHBA dhe globalisht, rëndësinë e zbulimit të origjinës së virusit, mbrojtjën nga varianti delta dhe variante të tjera më problematike, sfidat e neuroshkencës dhe teknologjitë më të fundit të imazherisë intravitale. Me Xhoela Bame bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SFIDAT E NEUROSHKENCËS

Së pari, neuroshkenca ndan me shkencat e tjera sfidat e të kryerit punë kërkimore. T’i përgjigjesh një pyetjeje të cilës deri tani askush nuk i ka dhënë përgjigje është në vetvete tejet sfiduese. Për të arritur deri tek përgjigjja, një studiuesi/e shkencor/e i duhet të sjellë ide inovative, mësojë dhe dizenjojë teknika të reja, modelojë metoda për të testuar idetë e tij/saj dhe interpretojë korrektësisht rezultatet. E gjitha kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe vullnet të fortë për të mos u dorëzuar gjatë përballjes me të panjohurën. Parë nga këndi i neuroshkencës, sfidat lindin nga misteret mbi bazat e veprimtarisë intelektuale, si ne mësojmë, si formojmë memorien, si marrim vendime apo si ndërveprojmë me të tjerët. Truri është një organ kompleks dhe ashtu si fizikani Emerson Pugh ka thënë, nëse truri ynë do ishte aq i thjeshtë për tu kuptuar, ne do të ishim aq të thjeshtë sa nuk do mund ta kuptonim atë. Ky kompleksitet shtrihet edhe tek sëmundjet neurodegjenerative. Janë të shumtë faktorët ndërveprues që i shkaktojnë ato për të cilat ne ende nuk kemi informacion të mjaftueshëm, dhe pa ditur të gjitha shkaqet, e kemi edhe më të vështirë t’i trajtojmë ato. 

 DËMTIMET NEUROLOGJIKE TE NJERËZVE TË PREKUR NGA COVID

Të dhënat studimore mbështesin idenë se me shumë gjasa ky virus nuk infekton trurin në mënyrë direkte, por si rezultat i inflamacionit, mungesës së oksigjenit dhe pasojave të tjera të infektimit, janë raportuar një sërë dëmtimesh neurologjike tek të infektuarit që variojnë nga stadet e lehta deri tek ato më të rëndat. Pasojat e hasura më shpesh janë dhimbja e kokës, humbja e shijes dhe e nuhatjes, lodhje, dobësim i muskujve, marrje mendsh dhe mungesa e vëmendjes. Të pranishme kanë qenë dhe gjendjet e delirit (çrregullim akut i aktivitetit mendor që rezulton në fragmente konfuzioni dhe çorientimi) veçanërisht në pacientët e infektuar rëndë. Në raste më të rralla, infektimi me SARS-CoV-2 ka qenë faktor risku për goditjen cerebrale, encefalitin (inflamacion i trurit ) apo sindromën Guillain-Barré.

 SITUATA E COVID NË USA DHE GLOBALISHT

Në SHBA duket të ketë një përpjekje për t’iu rikthyer normalitetit me 67% të popullsisë të vaksinuar edhe pse pritshmëritë e shifrave të vaksinimit kanë qenë më të larta. Shfaqja e variantit Delta, që është dhe varianti dominant në SHBA, ka bërë që shifrat e të infektuarve që deri tani kishin qenë në ulje, të fillojnë të rriten veçanërisht në komunitetet me shkallë vaksinimi më të ulët. Pabarazia në shpërndarjen e vaksinës e cila ka qenë e përqëndruar më së shumti në vendet perëndimore e ka rënduar situatën në vende të tjera në botë që vuajnë nga shifrat e larta të shtrimeve në spital dhe humbjeve të jetës. Kjo e rrit më shumë nevojën për të vazhduar të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë ndaj këtij virusi derisa të kemi arritur synimet e vaksinimeve në botë.

MBROJTJA NGA VAKSINA DHE KOHËZGJATJA

Deri tani kemi parë se vaksina është efektive për të na mbrojtur nga hospitalizimet dhe mortalitetet por ende nuk dihet shkalla e mbrojtjes ndaj infektimeve të lehta ose asimptomatike. Ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për kohëzgjatjen e efektit mbrojtës të vaksinave, por sipas konstatimeve të Pfizer dhe Modernës dhe së fundmi të Johnson & Johnson, përgjigjja imunitare pas vaksinimit duket të zgjasë për të paktën 6-8 muaj. Kjo nuk përjashton faktin që mund të zgjasë edhe më shumë se kaq, madje pritet të zgjasë më shumë, por për këtë duhet të kemi prova klinike të grumbulluara në kohë, pra na duhet të presim. Për më tepër, kohëzgjatja e mbrojtjes nga vaksina mund të variojë nga një person tek tjetri.

 MBROJTJA NGA VARIANTI DELTA DHE VARIANTE TË TJERA MË PROBLEMATIKE

Varianti Delta ka patur një shkallë të lartë infektiviteti, por megjithatë vaksinat kanë rezultuar të kenë efekt mbrojtës ndaj tij edhe pse me një efektivitet pak më të ulët se ndaj varianteve të tjera. Antitrupat e prodhuar prej vaksinës Johnson&Johnson janë raportuar në një studim të lançuar së fundmi të kenë një aktivitet të fortë neutralizues ndaj variantit Delta. Ky studim i bashkangjitet studimeve të tjera që raportojnë efektin mbrojtës të vaksinës së Phizer-it and Modern-ës ndaj këtij varianti. Në varësi të ecurisë dhe rrezikshmërisë të varianteve, mund të lindë nevoja e ri-dizenjimit të vaksinës për ta bërë më specifike ndaj variantit më ”kërcënues”, proçes i cili është bërë më pak kompleks falë teknologjisë së re të ARN-së mesazhere. Megjithatë, për momentin, prioritet duhet të jetë rritja e numrit të të vaksinuarve me vaksinat që janë në qarkullim, të cilat kanë qenë të suksesshme për të na mbrojtur nga fatalitet e çdo lloj varianti të deritanishëm.

 RËNDËSIA E ZBULIMIT TË ORIGJINËS SË VIRUSIT

Raportet e OBSH-së favorizojnë faktin se ky virus është transmetuar në mënyrë zoogjenike, pra nga kafshët, që shërbejnë si gjallesa të ndërmjetmje, tek njerëzit. Duke ditur origjinën e virusit, arrijmë të njohim versionin origjinal të tij, pra cilat kanë qenë karakteristikat e tij para se të kalonte tek njerëzit. Gjithashtu, kuptojmë më shume mbi marrëdhënien evolucionare midis virusit dhe gjallesës së ndermjetmje, çfarë adaptimesh kanë fituar ndaj njëri-tjetrit. Ky informacion na ndihmon të kuptojmë se si ta trajtojmë dhe mbrohemi më mirë nga ky virus. Për më tepër, na përgatit më mirë për të parandaluar situata të tilla emergjente të shkaktuara nga koronavirusi ose viruse të tjera në të ardhmen.

TEKNOLOGJITË MË TË FUNDIT TË IMAZHERISË INTRAVITALE

Në laboratorin e Dr. Hill,ku po kryej doktoraturën, studiojmë bazat molekulare dhe qelizore të sistemit nervor qendror, me fokus rigjenerimin e trurit në situatat e vdekjes qelizore. Përmes një metode inovative, kemi arritur të replikojmë vdekjen qelizore që ndodh në sëmundjet neurodegjenerative si skleroza multiple ose gjatë proçesit të plakjes në një model para-klinik. Duke përdorur teknologjitë më të fundit të imazherisë intravitale për të vizualizuar trurin, kemi mundur të ndjekim në kohë proçesin e ndërveprimeve qelizore të sistemit nervor dhe jemi nga të paktët laboratorë në botë që kryejnë këto studime kronike. Kjo na ka bërë të kuptojmë më shumë mbi neuroplasticitetin dhe fuqinë regjeneruese të qelizave mbështetëse të njohura si qelizat gliale dhe momentalisht jemi duke testuar efektin e një medikamenti mbi aktivitetin e këtyre qelizave. 

KUSH ËSHTË XHOELA BAME

Unë e kam nisur rrugetimin tim në fushën e shkencës prej gjimnazit Preka në Shqipëri dhe më tej në Universitetin Teknik të Stambollit, Turqi, ku jam diplomuar në degën e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikë,me një minor në Ekonomik, si e para e fakultetit të shkencave dhe literaturës. Gjatë studimeve universitare më është akorduar Bursa e Ekselencës dhe Bursa e Suksesit respektivisht nga qeveria shqiptare dhe ajo turke si dhe dy bursa të njëpasnjëshme për praktikën profesionale nga programi Erasmus+. Në laboratorët e biologjisë molekulare në Stamboll kam investiguar mbi rolin mbrojtës të hormonit të estrogjenit në sëmundjet neurodegjenarative, vecanërisht në sindromën e rrallë të njohur si Kufor-Rakeb. Më tej, gjatë praktikës profesionale në departamentin e neuropsikofarmakologjisë në Spanjë kam studiuar mbi bazat molekulare të epilepsisë në modelet para-klinike që shfaqin kriza audiogjenike. Gjithashtu, gjatë një vizite kërkimore në një nga institutet prestigjoze Max Planck në Gjermani, jam marrë me studimin e mënyrave se si metabolizmi ndihmon në mbrojtjen nga infeksioni i toksoplasmozës. Këto eksperienca më shërbyen për të fituar bursën doktoratoriale në një nga institutet Ivy Leage në SHBA. Në Dartmouth, kam eksploruar departamentet e biokimisë dhe gjenetikës ku respektivisht jam marrë me studimin e ndarjes qelizore dhe trashëgiminë e sjelljeve biologjike dhe më tej ju bashkova laboratorit të neuroshkencës. 

Filed Under: Featured Tagged With: Delta, Ridizajnim, Sokol Paja, Vaksina, Xhoela Bame

KILI, VAKSINA KINEZE KA EFEKTSHMËRI TË PAKËT: ËSHTË VËNDI I FUSHATËS – REKORD TANI KTHEHET NË LOCKDOWN

April 16, 2021 by dgreca

Nga Sara GANDOLFI/

Përktheu Eugjen Merlika/

E quajnë “paradoksi kilian”. Vëndi amerikanojugor ka habitur botën me shpejtësinë e fushatës së tij të vaksinimit në masë kundër Kovidit – 19 : 4,6 milionë njerëz ndër 18 milion banorë kanë marrë dy doza, 7,2 milionë së paku të parën; vetëm Izraeli, Emiratet Arabe dhe Seychelles kanë bërë më shumë.

Megjithatë infektimi vazhdon të përhapet me ritme rekordi, veçanërisht ndërmjet të rinjve, dhe terapitë intensive të spitaleve janë të zëna mesatarisht në 95 %. “Buletini” i fundit flet për 1.076.499 raste të përgjithëshme të vërtetuara dhe 24.346 të vdekur. Kështu, nga fundi I marsit, një pjesë e mirë e Vëndit është kthyer në lockdown pothuajse të plotë.

Çfarë po ndodh në Kili?

“Paradoksi” ka më shumë se një shpjegim. I pari, më i drejtpërdrejti e për të cilin kishim folur këtu, është që me lehtësimin e kufizimeve për zhvendosjet dhe rihapjen e shkollave e dyqaneve popullsia ishte gënjyer se pandemia ishte vetëm një kujtim. Siç ka nënvizuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) imunizimi nuk zëvendëson parandalimin. “Ka nga ata që pushojnë së binduri masave si hapësira fizike, higjena vetiake, ajrimi i hapësirave dhe ndalimi i grumbullimeve” ka thënë Maria Van Kerkhove, përgjegjëse e bashkësisë teknike kundër – Kovid të OBSH. “Por vaksinat janë vetëm njëri nga mjetet për të ndaluar infektimet dhe nuk mund të flemë mbi dafina vetëm sepse jemi të vaksinuar”.

Efektshmëria e pakët e vaksinës kineze Sinovac

Një tjetër shpjegim më shqetësues i “paradoksit kilian” është efektshmëria e pakët e vaksinave të përdorura. Një studim i drejtuar nga kërkuesit e Universitetit të Kilit mbi rezultatet e fushatës së vaksinimeve, ka dalë në përfundimin se mbrojtja është mesatarisht në masën 56,5 % mbas dy javësh të injektimit të dy dozave të parashikuara dhe vetëm 3 % mbas dozës së parë. Duke mbajtur parasysh se në Kili përdoret kryesisht vaksina kineze Sinovac (93 %) e 7 % tjetër është Pfizer Bio NTech, që n’Izrael ka treguar një efektshmëri prej 94 %, kërkuesit përfundojnë se efektshmëria e vaksinës kineze është e ndalur në 54 %. Një vlerë pak më e lartë se ajo e regjistruar në Brazil ku, për të ndërlikuar kuadrin, është edhe qarkullimi i një varianti që duket se është në gjëndje t’i bishtnojë mbrojtjeve imunitare, natyrore e të panjohura: studimi i efektshmërisë nga Instituti Butantan regjistronte një të tillë prej 50,4 %.

Befas vërtetimi erdhi edhe nga Kina. Gao Fu, drejtori i Qendrës kineze për sëmundjet, Kontrollin e parandalimin, ka pranuar në një konferencë shtypi të shtunën e shkuar se vaksinat kineze që përdoren tani “nuk kanë tregues mbrojtjeje shumë të larta”. Në vazhdim, ka pohuar se komentet e tij ishin “keqkuptuar plotësisht”, por të dhënat e njoftuara tregojnë që në fakt vaksinat kineze janë më pak të efektëshme se sa Pfizer e Moderna, edhe se janë më të thjeshta për t’u ruajtur.

Jemi në rrugë të drejtë

Kili ka paguar 3,5 milion dollarë për të “strehuar” eksperimentimin klinik të vaksinës kineze dhe ka porositur më pas 60 milionë doza për të mbrojtur popullsinë e saj prej 18 milion banorë në tre vjet. Rëndësia e krizës shëndetësore në Kili është vërtetuar në fakt nga presidenti Sebastian Pinera dhe nga Kongresi që kanë vendosur të shtyjnë gjashtë javë zgjedhjet e Asamblesë kushtetuese që duhet të shkruajë një Kushtetutë të re. “Përparësia e jonë është të mbrojmë shëndetin e bashkëqytetarëve tanë” ka thënë kryetari I Shtetit.

Megjithatë, autoritetet kiliane të djelën mbrojtën përdorimin e vaksinës Sinovac dhe I hapën rrugën përdorimit të Corona Vac. Heriberto Garcia, drejtori I shëndetësisë publike kiliane ka thënë se njerëzit nuk duhet t’I kushtojnë shumë vëmëndje titujve të gazetave: “Numëri i njerëzve që sëmuren dhe shtrohen në spital është pakësuar, kjo do të thotë se jemi në rrugën e drejtë”, ka pohuar në një intervistë të së përditëshmes vendore La Tercera. Kili ka firmosur marrëveshje për furnizimin me vaksina Johnson & Johnson dhe AstraZeneca që nuk kanë arritur ende.

Ndërkaq shumë Vënde të zonës latinoamerikane shohin me shpresë tek vaksinat kubane Soberana II dhe Abdala, të hyra në fazën 3 të eksperimentimit dhe gjërësisht në përdorim mbi ishull (të tjera janë në faza më të prapambetura sprove). Havana ka premtuar se do t’u a shpërndajë Vëndeve “vëllezër” me çmime shumë më të ulta sa ato amerikane.

“Corriere della Sera”, 13 prill 2021      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Anti COVID, Eugjen Merlika, Kili, Vaksina

Cila është vaksina për dezinformata?

April 11, 2021 by dgreca

Nga Krenare Cubolli/ Evropa e Lire/

S’ka virus, maskat nuk të mbrojnë nga koronavirusi, masat e izolimit janë të kota dhe vaksinat janë të rrezikshme.

Këto janë vetëm disa nga dezinformatat, që kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale, prej kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

Pretendime të tilla për pandeminë janë raportuar në shumicën e vendeve të botës, edhe për faktin se koronavirusi ka qenë problematikë e re për të gjithë.

Megjithatë, njohësit e fushës së mediave dhe politikave globale shëndetësore vlerësojnë se vazhdimësia e përsëritjes së supozimeve të tilla, edhe pas më shumë se 13 muajve të përballjes me pandeminë, flet për mungesë të informimit të saktë për pandeminë në Kosovë.

Ata shprehen të shqetësuar nga mungesa e vetëdijes për rreziqet që ngërthen brenda vetes pandemia dhe mendojnë se ide të tilla mund ta vonojnë procesin e ecjes përpara sikurse vendet tjera, në disa prej të cilave, shkalla e vaksinimit kundër koronavirusit po rritet relativisht shpejt.

Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka përcjellë përhapjen e informacioneve të rreme për pandeminë prej shpërthimit të saj.

Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se si në fillim është diskutuar shumë për zanafillën e koronavirusit, dhe janë përhapur informacione të rreme se ky virus është krijuar në laborator nga shtete e fuqishme.

“Pastaj me kalimin e ditëve, javëve, dezinformatat filluan të kalonin nga zanafilla e virusit, gjoja se te këshillat mjekësore, se si të mbrohen njerëzit nga koronavirusi”, thotë Gërguri.

Në një hulumtim që ka kryer Gërguri rreth kësaj çështjeje, në qershor të vitit të kaluar, ka rezultuar se limoni ka qenë produkti i dytë më i shitur në Kosovë.

“Arsyeja është sepse gjatë atyre muajve paraprakë kishte dezinformata se limoni të mbron nga virusi dhe përdorimi i limonit me ujë të nxehtë është diçka që duhet ta bëjë secili. Prandaj pas miellit, doli që limoni ishte produkti më i blerë nga qytetarët”.

Përgjatë analizimit të dezinformatave që kanë qarkulluar më së shumti në rrjetet sociale në mesin e shqipfolësve, Gërguri ka treguar se cilat janë reditur si pesë të parat në listë:

  • Doktori amerikan shkund botën, tregon të vërtetën për koronavirusin.
  • Diçka po ndodh! 40.000 trupa speciale amerikane kanë zbarkuar në vendet e Bashkimit Evropian përreth Ballkanit
  • Një mjek japonez tregon si ta kuptoni nëse jeni infektuar me COVID-19
  • Koronavirusi është mashtrim, masonët duan ta kontrollojnë botën
  • Ilaçi për koronavirus dhe mënyra si ta eliminojmë atë

Ai tregon se disa prej këtyre dezinformatave i ka pranuar edhe vetë në llogaritë e tij në rrjete sociale.

“Këtë me mjekun japonez e kam pranuar në Viber nga një shok i imi, i cili më shkroi dhe tha, ‘provoje sepse një mjek japonez po e thotë’. Unë pastaj e pyeta se ku hasi në këtë informacion dhe ai më tregoi se e ka parë në një faqe në Facebook. Pra, çfarë ka ndodhur është se këto dezinformata, prej Facebookut janë shpërndarë gjithmonë edhe në Viber dhe Whatspp, pasi nëse kthehemi një vit mbrapa ishte ajo ndjenja e panikut, frikës dhe në situata të tilla, njerëzit edhe nga dëshira për ta ndihmuar tjetrin, kanë shpërndarë dezinformata”, ka thënë Gërguri.

Hana Xhemajli, eksperte për hulumtime të politikave globale shëndetësore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ende vazhdon të dëgjojë dezinformata të tipit se virusi nuk ekziston.

Mirëpo tani për të përbën më shumë shqetësim kur njerëzit janë gjysmë të informuar dhe se aktualisht, sipas saj, dezinformata më e madhe lidhet me vaksinim.

“Ka mungesë të informatave rreth vaksinës dhe në atë hapësirë krijohen dezinformata të ndryshme. Nëse një herë kemi thënë se s’ka virus, atëherë shumë thjeshtë mund të themi se vaksinat janë të dëmshme. Në momentin që nuk flasin profesionistët, atëherë lindin konspiracione të ndryshme”.

Pas rritjes së dilemave për këtë vaksinë, më 8 prill ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.

Ai ka thënë para mediave se vaksina kundër koronavirusit është e sigurt dhe asnjë person që ka marrë vaksinën deri më tani në Kosovë, nuk ka pasur efekte anësore nga ajo.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit më 29 mars, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Vaksina e kompanisë AstraZeneca ka qenë temë diskutimi edhe në shumë vende tjera të botës, pasi disa vende përkohësisht patën pezulluar vaksinimin, meqë raportoheshin raste me trashje gjaku.

Megjithatë, në rishikimin e fundit të kësaj vaksine të kryer nga rregullatorët e Bashkimit Evropian dhe ata të Mbretërisë së Bashkuar, është thënë se përfitimet e kësaj vaksine i tejkalojnë rreziqet.

“Rastet e raportuara të trashjeve jo të zakonshme të gjakut, pas vaksinimit me vaksinën e AstraZenecas, duhet të renditen si efekte të mundshme anësore të vaksinës”, ka thënë shefja ekzekutive e agjencisë, Emer Cooke më 7 prill.

Çfarë shkoi keq?

Hana Xhemajli, eksperte për hulumtime të politikave globale shëndetësore, beson se hapësirë për dezinformata kanë lënë edhe institucionet që janë të thirrura për menaxhim të pandemisë.

“Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka një staf prej rreth 150 personave, qe një vit e pak, ende nuk e kam parë ndonjë hulumtim të mirëfilltë rreth pandemisë. Puna e tyre e vetme është ajo. Ky institucion duhet të merret me hulumtime të numrave rreth pandemisë, të vijë me statistika, të na tregojë informata aktuale, dhe të informojë popullatën tash rreth vaksinimit”.

Edhe Arian Lumezi, gazetar me profesion, beson se shkalla e dezinformatave mund të jetë më rrezikshme tani, sepse tani ka kaluar kohë që jetojmë me këtë virus dhe pak a shumë dihet se cilat masa mbrojtëse funksionojnë.

Ai ka reaguar edhe përmes llogarisë së tij në Facebook lidhur me këtë çështje, duke thënë se shpërndarja e lajmeve të rreme duhet të ndëshkohet si vepër penale.

Lumezi ka folur me tone kritike edhe ndaj disa emisioneve televizive ku tregon se ka dëgjuar informacion të pavërtetë.

“Diskursi i përgjithshëm, debati publik ka degraduar shumë dhe është i bazuar kryesisht në dezinformata. Diçka që dëgjova në një emision ishte se maska nuk mbron nga koronavirusi. Me një kërkim të thjeshtë në internet mund ta kuptojmë se kjo gjë nuk është fare e vërtetë. Unë e konsideroj përhapjen e këtyre dezinformatave, dembeli intelektuale në rastin më të mirë, në rastin më të keq dezinformim dehumanizues, që burimin e ka më shumë te padituria”.

“Kriza institucionale e shtroi rrugën për më shumë dezinformata”

Si Xhemajli, ashtu edhe Lumezi besojnë se krizat institucionale kanë ndikuar që vëmendja e qytetarëve të bartet diku tjetër dhe jo në rreziqet e pandemisë.

Lumezi beson se pikërisht për këtë gjë, bindja e përgjithshme e qytetarëve tani është më e ulët.

“Prej argumenteve kryesore që mund t’i dëgjosh nga njerëzit, të cilët e kundërshtojnë vendimin e qeverisë për mbyllje, është që politikanët vetë kanë marrë pjesë nëpër fushata. Ata duhet të japin shembuj praktikë, të udhëheqin sipas shembullit”.

Xhemajli ka thënë se ndryshimet e mëdha të zyrtarëve të krye të institucioneve, ka nënkuptuar se nuk ka pasur stabilitet as në shpërndarje të informatave siç duhet.

“Kosova, gjatë këtyre 13 muajve të pandemisë, në shumicën e rasteve, nuk e ka menaxhuar pandeminë, por ka reaguar ndaj pandemisë. Kemi pasur shumë peripeci me rrëzim të qeverive, zgjedhje, me rregulla të ndryshme varësisht prej qeverive, prandaj gjithë këtë periudhë unë kam parë përzierje të politikave shëndetësore, të cilat në shumicën e kohës nuk janë artikuluar në mënyrën më të duhur”, ka thënë ajo.

Çfarë duhet bërë?

Me qëllim të luftimit të këtyre informacioneve të rreme, Hana Xhemajli beson se Qeveria e re e Kosovës duhet të nisë sa më parë një fushatë sensibilizuese rreth vaksinimit në Kosovë.

“Çfarë pres konkretisht nga IKSHKP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë është një fushatë solide rreth pyetjeve dhe përgjigjjeve që i ka popullata, e cila mund të plasohet në secilin rrjet social, në secilin televizion, që nëse nuk e marrin vaksinën, e cila është e testuar dhe është e sigurt, atëherë ne do të kemi probleme që të dalim prej këtyre masave kufizuese”.

Arian Lumezi beson se edhe mediat duhet ta luajnë rolin e tyre në këtë mes.

“Përveç qeverisë, edhe mediat kanë jashtëzakonisht shumë përgjegjësi në vetëdijesim. Nuk po them që mediat të kthehen në mjet të ndërgjegjësimit të njerëzve, por së paku të mos bëhen mjet në dezinformim”.

Dren Gërguri vlerëson se secili qytetar duhet të përpiqet të verifikojë edhe vetë çdo informacion.

“Në epokën në të cilën ne jetojmë, secili qytetar duhet ta ketë sensin e gazetarit. Pra, që çdo informacion që e merr ta verifikojë së pari”.

Për verifikim, ai propozon ngritjen e tri pyetjeve:

  • A është i besueshëm burimi i informacionit?
  • A është raportuar ky lajm edhe në ndonjë media tjetër?
  • A mbështetet në burime zyrtare?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë bashkë 132 vende anëtare në nënshkrimin e deklaratës rreth rreziqeve të infodemisë për koronavirusin.

Në të thuhet se prej shpërthimit të koronavirusit dhe shpallës së pandemisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, zyrtarë të lartë në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e saj, kanë tërhequr vërejtjen për sfidën e infodemisë apo keqinformimit dhe dezinformimit për pandeminë.

Guterres madje ka thënë se “me përhapjen të COVID-19, është nisur një cunami i keqinformimit, urrejtjes, skandaleve dhe frikësimit”.

Filed Under: Analiza Tagged With: dezinformimi, Krenare Cubolli, Vaksina

VAKSINA COVID, PËRSE FUSHATAT E HUNGARISË DHE SËRBISË SHKOJNË MIRË

April 4, 2021 by dgreca

-E NUK JANË TË PËRSËRITËSHME N’EVROPË–

Nga FEDERICO FUBINI/Përktheu Eugjen Merlika nga Corriere della Sera/

Një nga vështrimet më të habitëshme të kësaj vale të tretë të pandemisë n’Evropë është ai që regjimet më iliberale, shtypës e të korruptuar  tregojnë  – për çastin – përfundimet më të mira të vaksinimeve. Hungaria e kryeministrit Viktor Orban paraqet mbulesën më të lartë të Bashkimit evropian, 27 % të popullsisë  simbas Our World  në Data. Sërbia e presidentit Aleksander Vuçiç mund të lëvdohet me më të lartën e Evropës kontinentale, 34,1%. Sisteme të errët e autoritarë  mund të përpunojnë gjithmonë informacionin për t’u dukur më të mirë, por me gjasë në këtë rast nuk ka shkuar kështu. Të dhënat duken të vërteta. Fushata vaksinore e dy sistemeve të sunduar nga drejtues autokratë dhe nga një grup I vogël të shumëbesuarish e hajdutësh të natyrave të ndryshme, me të vërtetë po shkojnë përpara më shpejt. Në përpjestim, Italia, Franca ose Gjermania kanë mbuluar pak më shumë se sa gjysma e popullsisë në krahasim me Hungarinë e më pak se gjysma në ballafaqim me Sërbinë.

Vaksinimi falas për turistët në Sërbi

Qeveria e Beogradit duket aq e sigurtë në vetvete sa që në fundjavën tjetër, ka njoftuar një veprim relatash publike të menduar për të nxitur turizmin: jep vaksinime të menjëherëshme e falas për cilindo të huaj që paraqitet në qëndrat shëndetësore të Sërbisë. Në kufijtë e Bosnje – Hercegovinës, të Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut janë krijuar rradhë të gjata me familje të tëra, të gatëshme për të kaluar një pushim në Sërbi mjaft që të jenë të siguruar nga Covid-19. Albawings , një shoqëri e vogël ajrore low cost e Tiranës që fluturon për n’Itali, papritmas në fundjavën e fundit ka organizuar charter të përsëritur për fluturime të shpejta vajtje ardhje nga Beogradi.

Nuk është natyra e sistemit politik që siguron këtë efektshmëri të dukshme të autokratëve. Janë disa zgjedhje që Vendet e tjera të kontinentit e pjesa m’e madhe e popullsive të tyre, pothuajse gjithkund nuk do t’a pranonin: Orban e Vuçiç kanë blerë dhe përdorur Sputnik V e Sinopharm para se të kishin çfarëdo njofturije mbi efektëshmërinë e tyre e mbi sigurinë e tyre. Dy drejtuesit i tregojnë popullsive të tyre, të varfëruara e të traumatizuara nga pandemia, që nënështrimi ndaj mbrojtjes së Moskës e të Pekinit ka qënë i dobishëm. Megjithatë ende sot vaksina ruse nuk është autorizuar nga asnjë agjensi barnash perëndimore, ndërsa mbi vaksinën kryesore kineze mungojnë madje edhe studime paraprake të këshillueshme në pjesën tjetër të botës. Ndërkaq Orbani e ka vënë në përdorim. E Vuçiçi ka puthur flamurin kinez, duke pritur në Beograd një ekip të vogël mjekësh të dërguar nga Pekini.

Problemi i dozave

Bëhet fjalë për një model pamundësisht të përsëritshëm në pjesën tjetër t’Evropës. Do t’ishte edhe nëse në t’ardhmen Agjensia evropiane e barnave do të porosiste përdorimin e Sputnik V e do të kishte zbuluar diçka më shumë mbi Sinopharm-in që, deri tani nuk ka paraqitur kërkesë autorizimi n’Evropë. Vaksina ruse në fakt është në gjëndje të ketë një farë ndikimi në Vende relativisht të vegjël si Hungaria (më pak se dhjetë milion banorë) ose Sërbia (më pak se shtatë milionë), jo në Bashkimin evropian në tërësinë e tij, ose në Vëndet e tij të mëdha. Thjesht nuk ka një numur të mjaftueshëm dozash të Sputnik V për të bërë ndryshimin.

Përça e sundo

Siç vërente Fabrizio Dragosei në Corriere, Rusia nuk ka bioreaktorët dhe aftësitë industriale për të prodhuar vaksinën e saj; një pjesë e rëndësishme e përpunimit është shpërngulur në Hindi, e cila, së fundi, ka mbyllur kufijtë e eksportimit të dozave deri kur të ketë mbuluar së paku një të pestën e popullsisë së saj prej 1,4 miliard banorë. Sa i përket Sinopharm-it dhe vaksinave të tjera kineze,  bëhet i pamundur përdorimi në Vendet demokratike pa patur asnjë siguri mbi pasojat e tij. Pra Sërbia dhe Hungaria nuk janë një model. As për vaksinat. Megjithatë veprimi i marrëdhënieve publike të vëna në shenjë nga Pekini e Moska mbetet i fuqishëm. Është loja e lashtë e “përça e sundo”, e luajtur mbi truallin e kufijtë e Bashkimit evropian. Lajmërim – për atë që don t’i besojë – se nënështrimi Rusisë dhe Kinës sjell mbrojtje dhe siguri, veçanërisht për regjimet iliberale dhe drejtuesit e tyre.

Corriere della Sera, 31 mars 2021              

Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Hungaria, Serbia, Vaksina

Vaksina – fillimi i fundit të Pandemisë Covid-19

November 25, 2020 by dgreca

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Përkundër asaj që ka bërë shkenca, për të zbutur dhe shpjeguar botën tonë biologjike, ka akoma shumë gjëra që mbeten jashtë sferës së njohurive dhe të kuptuarit tonë. Përhapja e korona-virusit që u shfaq në Kinë, gjatë muajve të fundit të vitit 2019, ishte një kujtesë alarmuese, në një farë mënyre, se sa gjëra janë ende të pashpjegueshme për ne dhe për shkencën. Virusi i ri pushtoi nikoqirin e padashur – trupin e njeriut – për t’u përhapur më pas si një zjarr, në të gjithë globin. Edhe kur shkenca filloi të zbulojë shumë prej mistereve të virusit, se si përhapet, si mashtron hyrjen a vetë në qeliza, dhe si vret, një pyetje themelore, se si ta ndalojmë këtë virus, u bë britmë në çdo cep të botës. Gara kundër kohës filloi, ndërsa fati ynë njerëzor varej nga përgjigja në një pyetje kolektive: a mund të krijojmë një vaksinë që do të ndalojë korona-virusin? Më pak se një vit më vonë, ne kemi një përgjigje – një PO të bindshme! Lajmet nga Pfizer dhe Moderna, në Shtetet e Bashkuara, se ata kanë lëshuar veçmas të dhëna paraprake që tregojnë se vaksinat e tyre janë 90-95 për qind efektive, që është shumë më tepër sesa shumë shkencëtarë prisnin, siguroi një arsye për një psherëtimë kolektive lehtësimi, që bota ka pritur.  Ditëve të fundit, AstraZeneca në Britaninë e Madhe ka raportuar se vaksina e tyre mund të jetë efektive deri në 90 për qind. Këtu në Shtetet e Bashkuara, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ka filluar të vëzhgojë vaksinat, pasi shpresojmë për rishikim të shpejtë dhe miratim për autorizimin e përdorimit emergjent. Nëse gjithçka shkon sipas planit, miliona doza do të jenë në dispozicion në fillim të dhjetorit.

Mrekulli shkencore e vaksinave të mARN-së

Shpikja e vaksinave kundër një virusi të identifikuar vetëm 10 muaj më parë është një arritje e jashtëzakonshme shkencore. Këto janë vaksinat më të shpejta të zhvilluara ndonjëherë, me një diferencë prej shumë vitesh. Nga praktikisht ditën kur sekuenca gjenetike e një korona-virusi të ri u vu në dispozicion, studiuesit filluan të hartonin vaksina që mund të trajnonin sistemin imunitar, për të njohur virusin dhe për ta shkatërruar atë para se ai të na dëmtojë. Fillimisht, studiuesit kishin nevojë për të identifikuar një pjesë të përshtatshme të virusit për t’u kthyer në një vaksinë, dhe një objektiv premtues ishin proteinat në formë gjembash që dekorojnë lëvozhgën e jashtme të virusit. Të dy, vaksinat, e Pfizer dhe e Moderna, mbështeten në proteinën gjembash, ashtu si edhe disa kandidatë për vaksina që janë ende në zhvillim. Një teknologji e re që përdor lajmëtarin Acid-Ribonukleik (mARN), në vaksinat e tyre ofron një udhë më të që vaksinat konvencionale nuk e kanë. Këto suksese fillestare sugjerojnë që kjo strategji ishte një sukses i madh dhe disa vaksina të tjera Covid-19, së shpejti mund të vihen në disponim.

Këto nuk janë vaksinat konvencionale

Sistemi imunitar i njeriut është i jashtëzakonshëm në fuqinë e tij, por ka nevojë për një ‘trajnim’ për të përgatitur ‘ushtarët’ (antitrupat) tanë, për të na mbrojtur kundër mikroorganizmave pushtuese dhe, shpeshherë, të dëmshëm. Atë detyrë e bëjnë vaksinat. Ato paraqesin një fotografi të armikut (patogjenit) që ia tregon sistemit imunitar, ashtu që ai të njohë virusin e vërtetë, kur jemi të ekspozuar ndaj tij. Tradicionalisht, vaksinat konvencionale e siguruan këtë fotografi në formën e një virusi të dobësuar ose të një pa-aktivizuar ose të një pjese (molekule) të veçantë nga virusi. Por për këto qasje kërkohej që hulumtuesit e vaksinave të prodhonin dhe të rritnin viruse ose molekula të tyre, gjë që merr shumë kohë, shpeshherë shumë vite. Siç e dimë, kur korona-virusi na infekton, ai rrëmben makineritë tona qelizore, duke i kthyer qelizat tona në fabrika që prodhojnë miliona dhe miliarda viruse infektive. Vaksina mARN e kthen këtë dobësi në një avantazh. Në fakt, ato “mashtrojnë” qelizat tona duke e bërë vetëm një pjesë të padëmshme, edhe pse shumë të njohur, të një proteine ​​virale, e cila gjendet në gjembat e korona-virusit. Bazuar në udhëzimet e koduara që mARN dërgon, qelizat tona fillojnë të bëjnë atë proteinë të saktë, duke imituar hapat e infeksionit më mirë se disa vaksina konvencionale. Proteinat gjemba të sapo prodhuara tani do të qarkullojnë në sistemin tonë dhe do të kenë përgatit trupin tonë për të prodhuar antitrupa, veçanërisht kundër asaj proteine. Kurë expozohemi, dhe një virus po me ato gjemba, i bërë nga e njëjta proteinë të na pushtojë, trupi ynë do të jetë gati për të një përgjigje imune që do të ndalojë virusin të vdekur në gjurmët e tij!

Dritë në fund të tunelit

Lajmi i shkëlqyeshëm për vaksinën në vetvete nuk mund të ngadalësojë trajektoren e rrezikshme të shtrimeve në spital nga Covid-19, që pritet të vazhdojnë këtë vjeshtë dhe në muajt e ftohtë të dimrit, ose shpëtojmë shumë njerëz që mund të vdesin. Por kjo na jep shpresë se pandemia do të marrë fund. Çdo infeksion që ne parandalojmë tani – përmes përdorimit të maskave dhe distancës sociale – është një infeksion që, përfundimisht, mund të parandalohet përgjithmonë, përmes vaksinave të sigurta dhe efektive. Qëllimi tani nuk është më që të mësojmë të jetojmë me virusin. Qëllimi është që sa më pak njerëz të bëhen të sëmurë dhe mbajtja e niveleve sa më të ulët, të mundshëm,  të infeksioneve, sepse, pasi të kemi vaksinën në dorë, kjo do të na lejojë të kontrollojmë përfundimisht virusin. Planet janë që gjatë muajit dhjetor të fillohet me fazën e pare të vaksinimit të miliona njerëzve, duke përfshirë ata që janë në vijat e para të pandemisë, në spitale dhe institucione të mbrojtjes të shëndetit, dhe më pas, ata që janë në kategori me rrezik më të lartë. Në fazën e dytë, do bëhet vaksinimi i popullsisë më të gjerë, dhe deri në pranverë, ne do të prodhojmë imunitetin e ‘tufës’ që na nevojitet, kështu që në fillim të verës ne do të fillojmë të shohim fundin e kësaj pandemie globale, njëherë e përgjithmonë!

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Opinion Tagged With: - fillimi i fundit, dr. Pashko Camaj, të Pandemisë, Vaksina

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT