***
Trokitje drite/
Kjo asht dhoma/
Ku u fute nji ditë në jetën time/
Me do trokitje drite./
M’qe ngri mendimi n’ballë
E fjala n’buzë.
Emni yt
Dritë qi troket
Deri në të sosun të stinëve.
***
Etja për nji delir të blertë
Kur në qiell të andrrës sime prekë
Me duer të brishta,
Zgjohen vegime të ylberta mallesh.
Engjuj me brerore drite zbresin
Mbi meloditë e dhimbjes
Qi s’ ka të sosun.
E duer akordesh të çuditshme
Ndalojnë flutrim’n e kohës.
Etja më merr për nji delir të blertë.
I tejdukshëm/
I tejdukshëm shikimi yt
Kah rrëzon nji kand ndriçimi
Të dhimbjes sonë
Përskaj nji kohe që kaluem dikur.
I tejdukshëm dishiri im
E duert e tua të zbehta
Qi dridhen si flakëz qiri.
E tejdukshme kjo dhomë e zbrazët
E fjala
E fryma
E shpirtnat tonë të tejdukshëm
Brymë e borë
A je brymë, moj, a je borë ?
Mall i brishtë e brengë e bardhë
Brishtësi me pah prej bryme
Bardhësi me zdritje bore
Brymë e borë,
ti bukuria!
Ti . . .
Ti që në dekorin e dhimbjes sime,
me duer të brishta,
vizaton fytyrën tande
si padashtë,
ti që në brigjet e andrrës sime
hedh nji klithmë pulbardhe,
si pa u kujtue,
ti që me kurmin tand t’përflakun
përndez delire në damarët e mi,
si pa u mendue,
je vetë dashtnija
e unë jehonë e saj.
Dashunija jote
Dashunija jote ,
Fytyrë dhimbjeje në gurin e zemres ,
profil gëzimi në valët e lumit.
Sa ma shum qi gurin e lan vala ,
aq ma tepër dhimbja po shkëlqen.
Je nji drandofille
Je nji drandofille
Qi ke mbi në zagnat e gjakut tim
Si nji varg i Sadiut.
Me gojën e të etshmit pij ujë
Në blerimin e gjethnajës tande
E kurr s’e shuej etjen.
Zogjt e fjalës sime
Të dejun aromash
Melodinë e dhimbjes
Çurlikojnë ndër gemat tuej
Pa iu lodhun gushat njiherë.
Përjetësisht e përndezun
Rrezëllima e ninëzave të jermit tim
Pahitet mbi petlat ngjyralle
Të gonxheve tua n’shpërthim.
Të preku me dorën e mallit
E më duket se deri në palcin e brengës
Më therin gjembat tuej.
Prehje
Po prehem në kolltukun e zvërdhamë
Të mungesës sate.
Hije e dridhshme lamtumire
E varun diku në gjysmë errësinën e dhomës,
Ikja jote.
Aroma e trupit tand erë mersine,
Riti i lashtë i puthjeve qi s’e tret koha,
Moria e fjalëve pa mbarim
E gjurmët e kambëve lakuriqe
Mbi qylymin e blertë të kujtesës
Prehen me mue
Në kolltukun e zvërdhamë të mungesës sate.
Ma e dhimbshme ikja jote
Në pohimin e vështirë:
Çdo gja në këtë jetë asht ikje.