• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akademik Vasil S. Tole: “Lasgush Poradeci si etnograf i muzikës, rasti i këngëve të Usta Isuf Myzyrit”

November 12, 2022 by s p

Dy botimet më të fundit me autor Lasgush Poradecin, “Vjersha (këngë) popullore grarishte Pogradec dhe të fshatit Dardhë, Korçë”- Vëllimi I dhe “Vjersha (këngë) popullore grarishte krahinash të ndryshme”- Vëllimi II, që të dyja me shënimin mbledhur prej gojës së popullit, të përgatitura nga Marie Gusho-Poradeci dhe të botuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, janë ngjarje e veçantë kulturore në vitin e 50-të jubilar të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të 35-vjetorit të ndarjes së Tij nga jeta.

#AShSh

#botimiiakademisësëshkencave

Nga akademik Vasil S. Tole

Përmbajtja e shkurtër:

Punimi “Lasgush Poradeci si etnograf i muzikës, rasti i këngëve të Usta Isuf Myzyrit” është një vështrim i hollësishëm mbi rolin e veçantë që Lasgush Poradeci ka pasur si mbledhës i folklorit muzikor e letrar shqiptar në vitet 1930-1940, rëndësinë e këtyre mbledhjeve për folkloristikën shqiptare, aftësitë në muzikë dhe formimin shkencor të Lasgush Poradecit në dokumentimin me saktësi të kësaj trashëgimie kulturore, e posaçërisht ndikimet që kjo trashëgimi mund dhe ka pasur në artin e tij të krijimit si poet unik i letrave shqipe. Punimi fokusohet në dinamikën dhe rastin e mbledhjeve të këngëve qytetare Elbasanase të krijuar nga usta Isuf Myzyri, direkt prej gojës së tij, se si Lasgushi çmon vlerat e kësaj trashëgimie të re muzikore të qytetit të Elbasanit, se si ai i qaset thelbit të kësaj krijimtarie si një krijimtari e gjallë, e cila ka nevojë për tu njohur dhe dokumentuar ashtu siç duhet. Pjesë e studimit janë tekstet e 14 këngëve të mbledhura prej tij nga Usta Isuf Myzyri.

***

Dy botimet më të fundit me autor Lasgush Poradecin, “Vjersha (këngë) popullore grarishte Pogradec dhe të fshatit Dardhë, Korçë”- Vëllimi I dhe “Vjersha (këngë) popullore grarishte krahinash të ndryshme”- Vëllimi II, që të dyja me shënimin mbledhur prej gojës së popullit, të përgatitura nga Marie Gusho-Poradeci dhe të botuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, janë ngjarje e veçantë kulturore në vitin e 50-të jubilar të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të 35-vjetorit të ndarjes së Tij nga jeta.

Rasti i mbledhjes së këngëve të Isuf Myzyrit (1881-1956) prej Lasgush Poradecit (1899-1987) është ndoshta procesi etnografik më i dokumentuar dhe më i strukturuar, që tregon se si Lasgush Poradeci, ky personalitet i jashtëzakonshëm i letërsisë shqiptare, ia doli të dokumentojë dhe të regjistrojë këtë trashëgimi muziko-letrare të mjeshtrit Isuf Myzyri, e cila sot bën pjesë në “Listën Kombëtare të Kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore”, shpallur nga Ministria e Kulturës. Lasgushi e konsideronte me të drejtë traditën si “fuqinë e një kombi”, e kësisoj edhe për veten e tij si krijues ai thoshte “unë jam tradicionalist”, pasi tradita për të ishte “fuqija shpirtërore dhe materiale e kombit” .

Këngët e Usta Isuf Myzyrit janë mbledhur drejtpërsëdrejti të kënduara nga goja e tij në 2 ditë shtatori të vitit 1940, përkatësisht në datat 26 dhe 29 shtator, kohë kur poeti Lasgush Poradeci qëndronte për kurim në “Banjat e Elbasanit”, ose siç njihen edhe si “Llixhat e Elbasanit”. Në shënimin hyrës, para paraqitjes së këtyre këngëve, gjendet teksti i mëposhtëm i bërë nga vetë Lasgushi: …. këngë të Isuf Myzyrit, vjershëtorit popullor elbasanas. Sot nj’a pesëdhjetë e tetëvjeçar, lindur në Elbasan. Të dëgjuara prej gojës së tij. Isufi ishte bektashi. Është bërë myhyp para 26 vjetësh në teqen e Elbasanit prej Baba Ahmet Elbasanit, në teqenë e madhe të Elbasanit. I vëllaj i Baba Ahmetit është Baba Mustafaj-I I teqesë së Elbasanit. Baba Mustafaj është gjysh .

Vitet 1930 dhe fillimi i viteve 1940, kohë kur Lasgushi u mor intensivisht me mbledhjen e folklorit, ishin vite të rizgjimit të interesit publik e shtetëror për trashëgiminë kulturore dhe për shkencën albanologjike në veçanti. Me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në vitin 1940, institut i cili kishte si synim edhe botimin e përmbledhjeve të punimeve për folklorin, Lasgushi u bë një nga pjesëtarët kryesorë themelues të tij, së bashku me personalitete të tjera të artit dhe shkencës si Aleksandër Xhuvani, Ekrem bej Vlora, Eqrem Çabej, Ernest Koliqi, Odhise Paskali, Zef Valentini etj.

Në këtë kohë, e cila kishte zgjuar interesimin për trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve, botohet i pari libër i quajtur “Udhëheqësi i vogël për mbledhjen e Thesarit Folkloristik” , nga folkloristi i shquar shqiptar i shek. XX Stavro Th. Frashëri (1900-1965), në të cilin një vend të veçantë zinte kujdesi që duhet treguar për mbledhjen e folklorit e posaçërisht të muzikës popullore shqiptare. Ky botim i parë në këtë fushë gërshetonte përvojën më të mirë të krijuar nga vetë autori në mbledhjen e folklorit, me atë të studiuesve të huaj. Në ndarjen XXVI-Muzika dhe vegla muzikore autori shkruante: … studimit të muzikës popullore, për fat të keq, nuk i është dhënë rëndësi aspak në vendin tonë. Dhe kjo nofta rjeth nga mendësija e gabuar të disa të rinjëve që kanë studjuar muzikën europiane, dhe të cilët pandejnë se kjo nuk vlen të studiohet me qenë se është orientale. Shpresoj se do të na dalë nonjë eksponent tjetër i ri i cili jo vetëm të përgënjeshtrojë këto thënie falco por edhe të lartësoje muzikën t`onë të bukur n`atë shkallën e merituar. Sikundër që kostumet ashtu edhe muzika popullore ka një ndryshim të math prej një vendi në tjetrin dhe natyrisht terminologjia përkatëse ka për të qëne interesant. Shkodranët xheç kanë bërë mi studimin e muzikës popullore të Shkodrës dhe Toskët do të bënin shumë mirë sikur të bënin një gjë të njësojshme për muzikën e tyre e cila, në shumë raste, është plot hir dhe bukuri. Përsa u përket veglavet muzikore është nevoja që, bashkë me emër edhe shpjegimet, të jepet edhe një vizatim.

Eksponenti tjetër, Ai që Stavro Frashëri kërkonte “të lartësonte muzikën tonë në shkallën e merituar”, ishte Lasgushi, i cili kishte vite që i kishte paraprirë reagimit shtetëror me mbledhjet e tij vetjake të folklorit, e që përmes personalitetit të tij tërhoqi vëmendjen e duhur ndaj trashëgimisë europiane të shqiptarëve pikërisht atëherë kur nuk bëhej fjalë për ekspedita të organizuara nga institucionet e specializuara ose ato arsimore të shtetit për ta mbledhur dhe dokumentuar atë.

Në thelb të tyre, dokumentimi i këngëve të Usta Isuf Myzyrit është një tekst etnografik, pasi etnografia nuk është gjë tjetër veçse të shkruash për njerëzit (nga greqishtja ethnos-popull dhe graphien-shkruaj). Dihet se etnografia, e posaçërisht ajo e muzikës, nuk përcaktohet përmes perspektivave apo linjave të tipit teorik. Më së shumti ajo lidhet me elementet përshkruese të muzikës, të cilat kalojnë nga shkrimi i thjeshtë i tingujve drejt mënyrës se si këta tinguj janë konceptuar, si janë realizuar, si janë kombinuar me fjalët, si janë vlerësuar dhe si ndikojnë mbi individë të tjerë, mbi grupet shoqërore, deri edhe te vetë proceset muzikore. Pra, etnografia e muzikës merret para së gjithash me mënyrën se si njerëzit bëjnë muzikë e për këtë arsye, shpesh, ajo mund të ngjasojë me analizimin e ngjarjeve, sesa thjesht me analizimin e tingujve muzikorë.

Për të kuptuar “etnografinë e muzikës” së Lasgush Poradecit, në ndihmë na vjen ditari i tij i cili është mjeti i analizimit të ngjarjeve etnografike. Ritheksojmë se këngët e Usta Isufit janë mbledhur që të gjitha gjatë kohës që Lasgushi qëndronte për pushime në “Banjat e Elbasanit”, te të cilat u nis nga Poradeci në datën 16 shtator 1940 . Në datat 17, 18, 19, 20, 21, 22, 23 dhe 24 shtator 1940, Lasgushi ndjek një procedurë standarde që përfshin kryerjen e banjave të squfurit disa herë në ditë, ngrënien e drekës që zakonisht e konsumonte në natyrë pranë krojeve (kroi i Lindjes ose i Juglindjes, ose në mal nën drurë, ngrënien e zemërherës etj.). Në shënimin e datës 25 shtator 1940, e mërkurë, Lasgushi shkruan: … ardhi në Lixhë vjershëtori-violinist popullor Isuf Myzyri nga Elbasani, u poq me mua (me qënë që siç më tha, nuk mundi të vijë vjet kur e thirra). Kish sjellë dhe violinë dhe i ra disa këngëve të tija .

Në këtë shënim dalin qartë dy elemente. Së pari, fakti që Usta Isufi i ka kënduar këngët të shoqëruara me violinë e në prezencë të Lasgushit e po ashtu, edhe interesi i Lasgushit për trashëgiminë muzikore të Usta Isufit, të paktën prej vitit 1939, kohë kur po në “Llixhat e Elbasanit”, Lasgushi kishte mbledhur nga goja e Kíma 😊 Jaqim) Bueadàn, nga Elbasani (aromën), dy nga këngët më të njohura të Usta Isufit: “Moj fullanxe moj mitare” dhe “Iku nata, agun malet”. Këngën e dytë e kishte mbledhur si motërzim edhe nga një tjetër bartëse, zonja Shaqe Zef Llupi, nga Shkodra, po në Llixhat e Elbasanit, më 26 shtator 1939.

Në lidhje me takimin e parë nga afër me Usta Isufin, kemi edhe një shënim tjetër të Lasgushit, i shkruar pasi ata ishin takuar, i cili i bën akoma më të qarta synimet e tij: :… Isuf Myzyrin nga Elbasani e kam takuar kur shkova njëherë në Llixhë. I dërgova të vinte të më takonte dhe më erdhi. Ishte veshur me brekushe të bardha, shumë të pastra. Ndenjmë e biseduam. Unë desha të di poezitë që bënte ai. Isuf Myzyri vetë i bënte fjalët e këngëve, vetë i këndonte dhe vetë i shoqëronte me violinë. Për atë kam shkrojtur dhe një artikull atëherë . Lasgushi e ndien dhe e di fare mirë se muziktarët si Myzyri kanë sjelljen dhe qasjen e tyre për atë që po ndodh gjatë takimit dhe interpretimit, i cili shoqërohet edhe me aspekte psikologjike e emotive, e për më tepër në kushtet kur ata, bartësit që intervistohen, nuk kanë dëshirë që të flasin për to.

E duke i ditur të gjitha këto, thelbi i interesimit të Lasgushit qartazi fokusohet në dy elemente të rëndësishme:

1. Nga buron aftësia krijuese muzikore e Usta Isufit?

2. Cili është roli i tij si pjesë dhe kontribues në traditën e madhe të muzikës popullore qytetare?

Në vitin 1940, Usta Isuf Myzyri ishte kryemjeshtri i muzikës qytetare të Elbasanit dhe një ndër mjeshtrit më të njohur të muzikës qytetare shqiptare. Ndikimi i muzikës së krijuar dhe interpretuar prej tij dhe orkestrinës së përbërë nga Mitat Stringa, Leksi Vini, Mustafa Bodini, Rustem Serica, Mahmut Ashiku, Arif Topalli, Met Balashi, Demir Shore, Ali Zena etj., i kishte kaluar kufijtë e qytetit të Elbasanit, për të shkuar në qytetet kryesore shqiptare e më tej, në Kosovë e Maqedoni. Ai kishte mundur që krijimtarinë e tij ta shndërronte në një gjuhë komunikimi mes njerëzve, pasi muzika popullore nuk mund të ekzistojë e ndarë nga krijuesi, interpretuesi dhe publiku i saj.

Dihet p.sh. se në vitet 1920-1930, një vend të posaçëm në formatimin e tipareve të këngës popullore qytetare të qytetit të Tiranës zunë lidhjet profesionale dhe miqësore të Usta Isuf Myzyrit me Tiranën dhe muziktarët popullorë të Tiranës , miqësi e cila ka ndikuar fort në tiparet e muzikës popullore të kryeqytetit të ri të Shqipërisë. Një këngë popullore e ahengut tiranas e ka përjetuar këtë miqësi në vargje e melodi:

Po kënoj nji kong të vjetër, për arshikët në Tiron,

i kujtojmë ne për gjith jetën, asiher s’do t’i harrojm.

Sa i bukur osht Uqini, lezetlliku osht m’Tiron,

e ka thon Mustafa Budini dhe Myzyri n’Elbason.

Nëpër kafe nër mihone, kongët tona tuj kenu,

Liu i Nushit me qemone, xhevahir që s’ka të ç’mu.

Vje Isufi prej Elbasoni, bon ahengun n’tabakhon ,

Me Bet Shyrben e Dull Dërhemin, arshikët jon m’Tiron.

Në fotot që njohim nga Usta Isuf Myzyri, ai mbante në kokë një qeleshe tiranase, të cilat ishin më të lartat që mbaheshin në Shqipëri , dhe se ai ishte vetë një zanatçi që punonte qeleshe. Zanatin e qeleshexhiut-qeleshepunuesit ai e mësoi në Tiranë nga miku i tij Rexhep Murthi dhe e ushtronte atë paralelisht me muzikën, të cilën e kishte filluar rreth vitit 1905. Nuk është e tepërt të pohojmë se, Tirana ishte një nga qendrat kryesore për punimin e qelesheve , ku ka dhe nji grumbull zejtarësh që kët zanat e ushtrojnë pothue den-babaden . Janë këto vitet të cilat e njohën atë në rrethet e artizanëve të Tiranës edhe si muzikant popullor . Me të drejtë është pohuar nga studimet tona muzikologjike se krijimtaria e tij, e mbështetur në trashëgiminë e këngëve tradicionale elbasanase si dhe më gjerë, të Shqipërisë së Mesme, edhe pse mjaft personale është e mbrujtur fort me këtë traditë .

***

Ditët kur Lasgushi ka dokumentuar këngët e Usta Isufit janë ato të 26 shtatorit 1940 (e enjte) dhe 29 shtatorit 1940 (e diel). Në ditarin e datës 26 shtator, Lasgushi shkruan: … hëngra drekë ne kroj i Jug-Perëndimit (krua në lloj pusi). Sot përpara dhe pas dreke shkrojta 9 këngë të Isuf Myzyrit prej gojës së tij (në Lixhë) ; dhe shënimi tjetër i datës 29 shtator, që thotë: … u fjalosa për herën e fundit me këngëtorin popullor Isuf Myzyri. Ardhi që në mëngjes (ora 7.30’) në hotel “Park”. Pasdreke shkoj në Elbasan .

Edhe pse nuk ka sqarime konkrete për këngët që ka mbledhur ditën e dytë, është e qartë se atë ditë janë mbledhur 5 këngët e tjera të tij. Pra, 14 këngët që gjithsej janë mbledhur drejtpërsëdrejti prej Usta Isuf Myzyrit, të cilat i gjejmë të publikuara në librat për të cilët po flasim, u përkasin 26 dhe 29 shtatorit të vitit 1940.

Dimë se Lasgushi ka shkuar edhe herë të tjera në Elbasan apo edhe te “Banjat e Elbasanit”, por ai nuk është takuar më me Usta Isuf Myzyrin. Për këtë na ndihmon një tjetër shënim i bërë prej Lasgushit, ku rikonfirmohet se takimi i tij i fundit me të ishte ai i datës 29 shtator i vitit 1940. Lasgushi shkruan: …. më vonë desha ta takoj përsëri. Shkova te kafeneja ku rrinte zakonisht. Pyeta – ishin ca pleq bektashinj. Ka kalue – më thanë. Shiko sa bukur! Nuk më thanë vdiq apo ka vdekur, por ka kalue d.m.th. ka kaluar në jetën tjetër. Isuf Myzyri ka kalue, por poezinë e tij e mbaj mend: Sevdaja në pleqëni S’asht memqym me u durue/ S’më besojn as miqt e mij/ Mjeri un si kam pësue .

14 këngët e mbledhura nga goja e Usta Isuf Myzyrit janë ato me titujt: “Ah më paç në qaf që më vrave mu”, “Iku nata, agun malet”, “Si bilbili në pranverë”, “Kënga e shokut t’im Ali Bilalit”, “Nji lulisht me trandafila”, “U dëshirush me të pa”, “E paskim pas fatn e zi”, “Kumrija bën gu-gu”, “S’paske pas moj pik mëshire”, “Dashënija si rrufe”, “Përse më rri kaq vranu”, “Errësin’ e pyllit”, “Ma mir në pyll se në qytet”, dhe “Harap u bash un’ i mjeri”.

Të mbledhura prej një këngëtari dhe instrumentisti të vetëm siç ishte Usta Isufi, referuar Kurt Sachsit (një studiues i kualifikuar si në historinë e artit, ashtu edhe në historinë e muzikës), pohojmë se tipari mbizotërues i natyrës së këtyre mbledhjeve prej Lasgushit është dokumentimi i «stilit patogjenik», me origjinë në “pasionin dhe impulset motorike”, që ndjek relaksimin e energjisë së këngëtarit i cili pason çdo shpërthim të emocionit të fortë. Për këtë arsye, të gjitha këngët shoqërohen me sqarime të natyrës shpjeguese të historisë së krijimit të tyre dhe kujt i kushtohet kënga, të fjalëve të përdorura në to, të vitit kur ato janë krijuar si dhe të mënyrës se si vargjet e këtyre këngëve janë mbledhur.

Dokumentimi i këngëve popullore mbledhur nga Lasgush Poradeci prej këndimit dhe interpretimit të Usta Isuf Myzyrit duket se do të shenjojë një precedent pozitiv në etnomuzikologjinë shqiptare. Edhe pse këto këngë janë mbledhur vetëm si vargje dhe jo si notizime, ky rast dëshmon se sa e rëndësishme është për vërtetësinë e procesit të dokumentimit që vargjet të mblidhen si të kënduara kur vijnë prej këngës, dhe si të folura kur vijnë prej rrëfimit. Duket se Lasgushi e ka pasur shumë të qartë këtë gjë, derisa thekson disa herë, duke filluar prej titullit të librit “Vjersha (këngë) popullore… mbledhur prej gojës së popullit”.

Para se Lasgushi të mblidhte trashëgiminë kulturore shpirtërore, mbledhje dhe botime të këngëve popullore duke filluar nga shek. XVIII kanë bërë Reinholdi, Hani, Pukëvili, Dozoni, Mitkoja, Hekardi, Basile, Camarda, Crispi, Staffa, Biondelli, Schiroi, De Rada etj. Gjithashtu, një lëndë të pasur do të gjejmë edhe në veprat e para të letërsisë së vjetër shqipe duke filluar me Buzukun, Budin, Bogdanin, Frang Bardhin, Marin Barletin etj. Pas tyre ishte Mitko e më pas françeskanët, që kishin hedhur hapat e parë edhe për botimin e mbledhjeve të folklorit. Ajo që ndryshon te Lasgushi në raport me ta është pikërisht informacioni plotësues-shtesë e i detajuar që ai sjell sa u përket rrethanave të mbledhjes së materialeve burimore folklorike, gjë të cilën e gjejmë akoma më të konkretizuar te mbledhjet me nota të folklorit muzikor mbarëshqiptar, si te “Lyra” e Pjetër Dungut-1940 dhe ato të folklorit muzikor shkodran që Gjon Kujxhia transkriptoi dhe botoi në Itali, në vitin 1943. Vdekja e parakohshme e Kujxhisë i ndërpreu:….:… planet guximtare me mbledhë e komentue folklorin muzikuer shqiptar dhe m’e shfrytëzue në krijesa origjinale ku të ndihej fryma autoktone , ndër to edhe punën e pambaruar “Hengu Shkodran”, të cilin autori e la në dorëshkrim.

Janë me shumë interes shënimet plotësuese të bëra prej Lasgushit për rrethanat se si këngët e Usta Isufit u krijuan, për shpjegimet e fjalëve, e sidomos për kohën e krijimit të këngëve. P.sh. për këngën shumë të njohur “Si bilbili në pranverë” shkruan se “kjo këngë ka nja 13 vjet që është bërë”; për këngën “Ah më paç më qaf që më vrave mu” shkruan se “Isuf Myzyri ia ka vënë edhe melodinë vetë dhe mund të ketë qenë nja 14-15 vjeç”; për “Kënga e shokut tim Ali Bilalit” shkruan se “ka nja pesë vjet që e ka bërë, në parëverë”; për “Nji lulisht me trëndafila” thotë “mund të ketë nja 4-5 vjet që e ka bërë”; për këngën “U dëshirush për me të pa” dhe “E paskim pas fatn e zi” shkruan se “nuk mban mend kur e ka bërë”; për këngën “Kumrija bën gu-gu” pohon se “e ka bërë para 4,5, ose 3 vjetësh”; për këngën “S’paske pas moj pik mëshire” nuk ka informacion për kohën e krijimit; për këngën “Dashënija si rrufe” pohon se “ka nja 7-8 vjet që e bëri”; për këngën “Përse më rri kaq vranu”- “mund të ketë nja 10-12 vjet që e ka bërë”; për këngën “Errësin’ e pyllit”- “krijuar para 5-6 vjetësh”; për kryekëngën “Ma mir në pyll se në qytet” shkruan “bërë para tre vjetësh” dhe për këngën “Harap u bash un’ i mjeri” bën shënimin “Këtë vjershë e ka bërë simvjet, 1940. Nuk e di asnjeri tjetër, vetë shoku Aliu e ka dëgjuar një herë. Vetëm një herë, por Aliu nuk e di me gojë”.

I theksuam sa më sipër pasi koha e krijimit të këngëve ka shumë rëndësi, sepse përmes njohjes së saj kuptojmë shpejtësinë e përhapjes si dhe zonën e përhapjes së tyre. Këtë fenomen e ka konstatuar edhe Eqrem bej Vlora kur shkruante:… del një këngë, poeti dhe kompozitori i saj në më të shumtën mbeten anonim, ndonjë nga këngëtaret e pëlqyera e benë të njohur dhe atëhere, këndohet e këndohet pa pushim .

Pasi njihesh me këto dy volume të mbledhjeve folklorike prej tij, bëhet shumë e qartë situata sa i përket vendit që zë krijimtaria popullore dhe ndikimi i saj në gjuhën e tij poetike. Në jetën e tij Lasgushi pati kontakte dhe bëri përpjekje të rëndësishme për të njohur e më pas studiuar trashëgiminë kulturore shpirtërore të popullit. Në dy botimet për të cilat po flasim, gjejmë trashëgimi shpirtërore nga e gjithë Shqipëria: nga Labëria, Toskëria e Gegëria, polifoni me iso e njëzërësh, këngë lahute e këngë çiftelie, folklor muzikor qytetar dhe folklor muzikor të fshatit etj. Ai, qysh fëmijë, u mëkua me këngët dhe vajet e vendlindjes, jo më kot një pjesë e bartësve të dokumentuar janë pjesëtarë të ngushtë të familjes së tij. Më pas, në periudhën e studimeve në Athinë, bie në kontakt me librin e A. Kulluriotit me vjersha, fabula e rrëfime të mbledhura nga goja e popullit, i botuar më 1882. Vite më pas, studimi i tij i doktoraturës “Mihal Eminesku, lidhja e tij me filozofinë popullore” (1933), ishte një qasje madhore e shkencore e Lasgushit mbi rëndësinë e folklorit te krijuesi, rasti i Emineskut, e jo vetëm për të.

I pari që theksoi rëndësinë e Lasgushit si poet ishte Eqrem Çabej, dhe këtë e bëri përmes një shkrimi që mbarte brenda një thirrje: “Djalëri shqiptare, lexo Lasgushin dhe vdis”! Po në këtë shkrim të botuar më 1929, disa vite përpara se Lasgushi të botonte vëllimet e tij poetike, Çabej bëri pohimin emblematik se stili i Lasgushit ndryshon nga shkrimi i një Naimi a Fishte si, bie fjala, një pjesë mozartiane nga një pjesë beethoveniane” . Më 1933 botohet VALLJA E YJEVE në Kostancë të Rumanisë dhe më 1937, “Ylli i zemrës” në Bukuresht. Këto dy vëllime kryesore të krijimtarisë së tij janë shkruar e botuar në dhjetëvjeçarin që përfshin vitet 1930-1940, kohë kur Lasgushi ishte tërësisht i fokusuar edhe si mbledhës folklori, gjë e cila është konstatuar edhe në studimet e tjera kushtuar veprës së tij, kur pohohet se: … arti i Lasgushit ushqehet nga disa burime. Imagjinata e lindur dhe pasioni i ndezur u fuqizuan nga kultura e gjerë dhe arti popullor. Arti popullor nuk erdhi në poezinë e tij si një material i përpunuar, por si element strukturor i rëndësishëm. Kështu poezia e tij nisi te tradita më e mirë e letërsisë sonë popullore, te folklori i Jugut , se … një numër i konsiderueshëm i poezive të Lasgushit ka një strukturë që përgjithësisht na kujton strukturën e këngëve popullore , etj.

Fjala në poezinë e Lasgush Poradecit, me mënyrën e veçantë të formimit dhe përdorimit, ka peshë të madhe e cilësi të rralla. Në të, ashtu si harmonizohet mendimi me bukurinë, harmonizohet edhe shqetësimi i brendshëm me qetësinë e jashtme, tingulli me ritmin. Muzikaliteti i saj është i pandarë nga atributet e tjera ; apo … aktivizimi melodik dhe muzikor i interpunkcionit” si dhe “…muzikaliteti i vargjeve të Lasgush Poradecit … nuk mund të jetë i pavarur nga fondi i poezisë, madje ai përbën një kusht parësor të vlerës poetike” .

Lasgushi, përveçse një poet i dorës së parë, një shkencëtar i historisë së gjuhës dhe letërsisë kishte një formim dhe afinitet të veçantë për muzikën. Në djalëri, në liceun rumun të Manastirit i binte flautit, ndërsa kur shkoi në liceun francez, në Athinë, mësoi të luante në klarinetë , duke qenë edhe pjesëtar i orkestrës së shkollës. Dimë se kur ishte në Bukuresht, pas vitit 1920, ndoqi për 6 muaj konservatorin e muzikës dhe se kishte formuar dije thelbësore për historinë e muzikës e për lëndët teknike të saj, si për solfezhin, harmoninë e polifoninë. Pas kthimit nga Graci, Austri në Shqipëri, dimë se solli me vete një klarinetë në sib me të cilën ushtrohej rregullisht në kopshtet e jeshiluara të Pogradecit. Një provë më shumë për formimin muzikor të :Asgushit është edhe një dorëshkrim muzikor i tij që përmban një këngë në notizim, me fjalë e muzikë të krijuar prej tij.

Nga ana tjetër, në vitet 1930 ai kishte shkruar vargjet më të bukura për disa këngë e romanca të cilat ishin muzikuar nga kompozitorët e kohës, miq të tij, si Kristo Kono (1907-1991), që shkroi muzikën e “Kur m’u rite vogëloshe” dhe “E mora shoqezën përkrah”; “Marshi i djalërisë” kompozuar nga Dhimitër Mihailesku-Toskani në Rumani; “Kroi i fshatit tonë”, “Të ritë e viteve të mi”, “Fryn veriu në Mal-të-thatë”, “Foli nëna me vajtim”, “Ku shtrohet vala përmi zall”, melodi të krijuara prej shokut të tij, Eftim (Miçe) Kovaçit etj. Sipas Lasgushit: … këto 5 poezi të muzikuara prej Miçe Kovaçit që ish një artist-baritor shumë idealist korçar dhe një atdhetar shumë idealist rilindas bukureshtjan, i pat kënduar gjithënjë në koncertet e saj personale që jipte në Tiranë, Korçë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe qytete të tjera të Shqipërisë, sopranoja lirike, e famëshmja Tefta Tashko, e akompanjuar në piano prej Lola Aleksit .

Duke u përpjekur të kuptojmë se përse Lasgushi mbetet një figurë ideale si etnograf i muzikës, na duhet të ritheksojmë talentin dhe formimin e tij të veçantë jo vetëm si poet, por dhe aftësinë e tij në kuptimin dhe zbërthimin e gjuhës muzikore, pasazhe të mrekullueshme të të cilave i gjejmë në korrespodencën e tij me këngëtaret tona të njohura dhe me kompozitorin Kristo Kono. P.sh., në letrën e vitit 1931 drejtuar sopranos Jorgjie Truja, ai i drejtohet asaj si “këngëtarja shqiptare gryk ergjëndi” dhe “zëri me vala të florinjta”, ndërkohë që me këngëtaren Tefta Tashko Koço kishte vendosur marrëdhënie profesionale të ngushta, kishte shkruar dhe përkthyer disa materiale sipas kërkesave të saj, ndër to tekstin e “Serenatës” së Franc Shubertit, “Pensee d’automne” të Jules Massenet etj. Në korrespodencën e vitit 1937 me Tefta Tashko Koçon, ajo ndër të tjera i kërkon Lasgushit “zgjatimin e këngës popullore shqiptare “Kur më vjen burri nga stani” , si dhe i pohon faktin se “do të jetë e para herë që do më epet rasti të këndoj fjalët e një poeti shqiptar që gjithë atdheu ynë e njeh dhe admiron talentin e tij” . Nga kjo pjesëz e shkëputur nga letra, kuptojmë shumë si për raportin e Lasgushit me këngët popullore e po ashtu procesin e ndikimit të saj në krijimtarinë e tij poetike të atyre viteve.

Në një tjetër letër, tashmë drejtuar kompozitorit Kristo Kono , Lasgushi përshfaqet si muzikolog i thekur në analizën që i bën romancës së Konos “E mora shoqezën përkrah”, mbi poezinë e tij. Ai shkruan:… i ke dhënë Kono muzikës shumë fond poetik dhe një stil të kulluar, të drejtuar me serenitet përmes kadencave të ndryshme dhe modulacioneve të variuara të saj. E kuptoj mendimin t’ënd, temën e përgjithëshme të ndarë trimëzaj, të përbërë prej tri idesh muzikale që konkordojnë me njëra tjetrën drejt efektit kryesor: melodija e përmallëshme me taktet e mbëdha të pjesës së parë – hovi i intesifikuar me shpejtimin ritmik të së dytës – ekspansioni i pasionit në të tretën që kulminon me atë akord largo të masës finale.

Më pas, në të njëjtën letër, shkruan raportin e artë që ekziston mes tingullit dhe fjalës, ky i konkretizuar në raportin mes Konos si kompozitor dhe Poradecit si poet: … kështu Kono, muzikant hije-rëndë, me tonet valonjëse dhe fluturonjëse nër qiej harmonish të pasosura. Kur se unë vargëtar fat-plumb, i lidhur prej materjes së fjalës, prej fjalës fizike, lëndore, së dheshme – lëndë e rëndë kjo, e shkrumbtë, e plumbtë o Kono – i lidhur unë kështu prej kësaj martirizonjëse për të shprehur atë përmjet saj, harmoninë e padëgjuarshme sepse vetëm të ndjerë të zemrës – luftoj me fjalën e lëndtë luftë mizore, mundohem, digjem, ndizem, piqem edhe përpiqem, zjej dhe brej, flas e buças, mëndem e çmëndem, vdes po prapë nuk vdes fare dyke rrojtur i vdekur i gjallë – gjer sa me kaq luftë dhe kaq kotësirë mund të nxjerr më në fund një harmoni të pakët: të cilën lavdi Zotit, ja se ku vjen muzikanti sepse ndryshe ajo mbetet e dergjur dhe e cekët, ja ku vjen muzikanti për t’a shumuar dhe fuqizuar, për t’a ngritur dhe vërsulur lart qiejve si me kraha të leta me fuqinë dhe magjinë e toneve fluturimtare.

Ndërkohë, Lasgushi nuk ka nguruar që afinitetin dhe lidhjen e tij me muzikën ta bëjë publik edhe në shtypin shqiptar, fillimisht me një artikull për historikun e krijimit të Himnin tonë Kombëtar, të titulluar “Himni kombëtar Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, botuar fillimisht në gazetën “Tomorri”, në vitin 1942. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi: … me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si “Himn Kombëtar”, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit. Kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë” .

Në një tjetër artikull të shkruar me titullin “Koncerti Konstantin Papajorgji”, i botuar në revistën “Bota e Re”, nr. 4, viti 1945, për të konstatohet se “nuk është thjesht një raportim gazetaresk për një koncert harqesh, por një tekst që i përmban të gjitha elementet e kritikës muzikore” . Aty, ndër të tjera, Lasgushi thekson se:… “Rapsodia shqiptare, për hirin e motivit popullor “Trandafil në Shkodër”, të zhvilluar më së miri në stilin e kompozicionit modern, gjë e cila vërteton mundësinë e rikrijimit të muzikës popullore shqiptare” etj.

Referuar botimeve me mbledhje folklori të Lasgushit, ripohojmë se vitet 1930-1940 ishin vitet më intensive kur ai iu përkushtua mbledhjes së folklorit drejtpërsëdrejti nga goja e popullit. Janë disa krijime që provojnë praninë e tij fizike gjatë mbledhjes së folklorit. Po sjell dy prej tyre. I pari, një krijim popullor që quhet “O Ky Lasgushi mor seç ri fshetur” dhe i dyti, një krijim letrar i Lasgushit me titullin “Kënga Pleqërishte”. Te krijimi i parë kuptojmë se sa familjar ishte Lasgushi me bartësit e folklorit, saqë prezenca e tij në ambientet ku këndohej dhe kërcehej është përjetuar tashmë edhe në krijimin popullor “O Ky Lasgushi mor seç ri fshetur” . Po e citoj:

O Ky Lasgushi mor seç ri fshetur

Po Ramadani mor ç’e ka gjetur

Po me një kupë mor me raki

O po më shumë mor dashuri

A këto kupa mor plot e plot

Ky Lasgushi mor, s’i pi dot

Pije more Lasgush pije

Pije se të paska hije

Pije se t’u paska kënda

Të mirënë ç’e paska brënda.

Kurse tek i dyti, kuptojmë jo vetëm atmosferën ku Lasgushi gjendet, pra në mes të një grupi polifonik, por edhe faktin se duke qenë mes tyre është frymëzuar për këtë poezi unike, e cila në thelb është përshkrimi poetik i këndimit polifonik popullor, nisur nga mënyra si zërat solistikë dhe iso e grupit komunikojnë mes tyre në kontekstin e peizazhit tipik malor shqiptar.

Këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vendit tem!

Ti fjalë që më dhimbsesh e që më bën ujem!

Tani jam dëshëruar së largu të më vish:

Dëgjoju, as dëgjoju! Moj këngë pleqërish!

……………………………………………

……………………………………………

Në hije të kasolles që nxin nj’atje mi mal,

Ja nis me zë të shtruar…ja merr me dal-nga-dal…;

Ja thua më të dhemshur… ja thua me të qarë….,

Ja dredh e përvëluar…ja zjen…e ja heq zvarrë…;

Pastaj fillon të ngrihesh, e nis e ja thërret:

Dh’aq lehtë-e ngreh së poshti… aq fort e shpje përpjet…,

Aq dyke mërmëruar me zë të parpalitur

Rënkimi-i zemrës sate ronitet me të ngjitur…,

Sa…. Që nga lartësira ku vate fluturoj…,

Me sulm e ulërimë këputet si përroj….

E rrjedh për tatëpjetë prej kulmit qielluar

Si breshër i thërrmuar…. Si lot i përvëluar;

-Pastaj të shuhet zëri… e rrihesh … edhe vdes;

Mjerimi-i vetevetes të thjevi dhembja jote,

Dëshir’ e varfëruar e këngës magjiplote!

……………………………………….

Këngë pleqërishte! O vjersh’ e Vendit tem!

O fjalë që më dhimsesh, e që më bën ujem!

O mall! O psherëtimë! O vaje! – O lot i zi!

O shpirt i përvëluar që qan nër syt’ e mi!

Si ngrihet që nga deti një valë-e dëshëruar:

Nga fund’ i zemres sate ti ngrihesh dyke vuar;

E prapë posi vala, që bje sërish në det:

Ti bje në fellësirën e zemërës së vet.

Pa u zgjatur më tej, dokumentimi i këngëve të Usta Isuf Myzyrit ka vlerë të shumëfishtë, pasi:

1. Për të parën herë, prej vetë Usta Isufit dëshmohet se cilat janë këngët e krijuara prej tij, këto në raport me një repertor më të gjerë këngësh që i atribuohen Atij si autor, si në muzikën qytetare të Elbasanit, ashtu edhe në atë të Tiranës.

2. Provohet katërçipërisht origjinaliteti i vargjeve të këngëve të krijuara prej Usta Isufit, kjo përmes vargjeve të kënduara, të dëgjuara në prezencë e më pas të dokumentuara prej Lasgush Poradecit, me kompetencë e korrektesë letrare si dhe me saktësi shkencore. Për këtë arsye, këto këngë duhen konsideruar si vullneti i Usta Isufit, dhe si të tilla ato duhen respektuar në këndimet e mëpastajme sipas variantit që Lasgush Poradeci mblodhi prej gojës së tij.

3. Mbledhja e këngëve të Tij nga Lasgush Poradeci dëshmon se procesi i krijimit të muzikës popullore qytetare të Elbasanit ishte aktiv në vitet 1939-1940 dhe se Usta Isuf Myzyri pranohej dhe konsiderohej nga të gjithë si emblema më e re e kësaj trashëgimie muzikore qytetare.

4. Këngët e Usta Isuf Myzyrit janë prova e qartë e rikrijimit të muzikës popullore të qytetit të Elbasanit pas një periudhe të gjatë shumëshekullore të ndikimit otoman, duke shënuar reformimin e praktikave të ahengut qytetar elbasanas. Në muzikën qytetare këto këngë shenjojnë një kthesë drejt veçorive muzikore paraosmane, drejt shkallëve modale hemitonike, me fare pak kromatizma, me përdorimin e metrave dhe të masave muzikore të lidhura me mendimin poetik e individual të krijuesit dhe jo me krijime të prejardhura, të ndikuara apo të mbishtresuara e të huazuara.

Përmes këtij botimi, Lasgush Poradeci e rendit veten në më të mëdhenjtë mbledhës të folklorit shqiptar të të gjitha kohëve, prej Frang Bardhit, Thimi Mitkos, Spiro Dines, Dozonit, Hahnit, Majerit, Pedersenit e deri te Jeronim de Rada e Ramadan Sokoli.

Njohja e kësaj pune kolosale të kryer nga Lasgush Poradeci në lëmin e mbledhjes së trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar do të sjellë një interesim të çdo kategorie lexuesi ndaj këtyre librave, për t’u njohur me pasurinë e folklorit tonë e, padyshim, një qasje të re të studiuesve të veprës së Tij, për të parë tanimë konkretisht marrëdhëniet e pandashme të Lasgushit me folklorin, ashtu siç ai shkruan te poezia “Përjetësia”:

Nër shteg-bashkimi, që ti s’di sesi,

Bashkohesh brenda me përjashtësi,

Bashkohesh jashta me përbrendësi,

Bashkohesh fellē me përjetësi!

Ju faleminderit për vëmendjen.

Këngët e plota të Usta Isuf Myzyrit të mbledhura nga Lasgush Poradeci në vitin 1940.

1. Ah më paç më qaf që më vrave mu

Ah më paç më qaf që më vrave mu

Më vrave edhe më plagose

Plagët e mija s’kan të shëru

Më vdiqe edhe më sose.

Në qoftë se vdes përpara meje

Ç’ka më duhet rrojtja mu

Der sa të vi afër teje

Me kët zemër të helmu.

Unë të dhashë besën që s’du tjetër

Përveç teje more xhanàn1

Dy pika t’i vuna nën vetull

Për kujtim t’i lash nishan.

________________________

1 I dashur, shpirt.

Në zabel1 të gjeta në muaj të Maj2

Ke po më rrije si zogu i hum

Pësho ashik mà mos qaj

Mëshi-i lott se të erdha un.

M’i ke derth leshrat si ar

Kur m’i ze bishtat gërshet

Bàni kapistër me më var

Un prej teje dor nuk hjek.

Më dridhet zemra si tërtëri3

Kur të shof me sy, more xhanan

Vjershë nga Isuf Myzyri

Krijum në Elbasan.

(ka dhe dy strofa, po me fjalë të huaja:

Àshku4 me xhazí5

Na nzur nt’ashkun hakikí6

Do njerës agjahí7

Se ky asht síri8 dhe ezelí9.

Rakija e ditës, veriu i vapës,

Koha e sabahut edhe ujt’e natës

Pëlqim për këci njerzish).

1 Pyll dyshku, po i rreshtur, e ka rresht i zoti dhe i ka vu kufí, garth. (rresht=I ve kufi)

2 Jo të “majit”.

3 Tel ari ose ërgjëndi, vërtitur: bëheshin më parë robet e ërgjënta. Në Tiranë: tartly”. Tërtëri, kur lot dridhet dhe bën drita.

4 Zjarr i brëndëshëm, ay që të djeg brenda.

5 “Abuzimet që bën mosha e re”.

6 Të vërtetë.

7 I dituri, i mënçuri, i nalti”.

8 “E mshefmja”.

9 E vjetër.

Kësaj vjershe Isuf Myzyri i-a ka vënë edhe melodinë vetë. Mund të ketë qënë nj’a 14-15 vjeç kur e ka bërë në Elbasan. Ka dashur, asi kohe, një grua publike, evgjitkë, u dashuruan pastaj u ndanë. Po Isufit, pas ndarjes, nuk i shuhej malli i dashurisë dhe prandaj, bëri këtë vjershë.

2.Iku nata, agun malet

Iku nata, agun malet,

Na gëdhini u ba sabah

Jani shok të më qani hallet,

Përsërí un vuna sevdà.

Sevdajà në pleqëní

S’asht memqyn me u duru

S’m’a qajn hallin shokët e mi

I mjeri un si kam mësu.

Trëdafili në Maís

Ç’m’i çel konxhet plot me ves

Floku yt më ka shastis

Desh të më lujti mëndja kres.

Shyqyr goc po na vjen vera,

Trëndafili u zbukuru

Unë kam desht edhe shumë të tjera,

Përveç tejet tjetër s’du.

Ah i-u bafsha ati syri

N’Elbasan asht kriju

Ashik i-u ba Isuf Myzyri

Jeri s’mujti me e kuptu.

3.Si bilbili në pranverë

Si bilbili në pranverë

Po kënon pa pushu

Ah moj zemër moj e mjerë

Qënke djeg e përvëlu.

Përse më dhé kaq mundime

Sa nuk munem t’i baj

Shum po hjek kjo zemra ime

Nat’ e dit me lot qaj.

Si bilbili bëj figan1

Edhe gjuha s’më pushoj

M’u dogj zemra si pervàn2

Gjet xhanànin që kërkoj.

Të gjith të shofin more xhanàn

Asnjeri nuk të njef

Je një lule në Elbasan

Vetëm kush ka sy të shef.

Zemrën t’eme ç’m’a ka pik

Gjuhëna tate ore xhanan

Myzyri tub a ashik

Ty moj lule n’Elbasan.

Edhe kjo këngë ka nj’a 13 vjet që kur është bërë, është bërë gjith për atë grua (jevgë) që më sipër.

1 Vajtoj.

2 Pervàn = I thonë asaj fluturës që digjet në llambë.

4.Kënga e shokut t’im Alí Bilalit

Aliu ka vdekur1 aty para nj’a 18 vjetve, i-a bëri këngën mbas nj’a 2-3 muaj.

Na u nda lulja na u nda

Mori udhën edhe shkoj

Të gjith shokun zun me qa

Po mu të mjerin më helmoj

Na iku nji shok me mënd

Ma i zoti atdhetari

U nis e mà nuk vjen

I shkreti Ali Bilali

I mir qe me të vërtet

Edhe shok s’i gjindet kund

Po dergjet në dhé të shkret

Jetës tij i dha fund.

Zemrën mu m’a helmoj

Edhe me lot më qan syri

Një shok të mir që paç më shkoj

Vjersh nga Isuf Myzyri.

1 Vdiq nj’a dyzetvjeçar: ka qënë kryesekretar në financë. Ka qënë myhyp.

Ka edhe nji strofë arabisht1

Zengjín-e2 sé qíran3

Prej mallit jan hutu

Fakír4-e hajràn5

Po vdesin të dëshirú.

(Ka nj’a pesë vjet që e ka bërë, në parëverë).

1 Isufi nuk di arabisht, po, thotë, kam ndenjur me njerëz të lartë (në teqe të bektashinjve) dhe e kam bërë strofën arabisht.

2 Zengjín-e (plural) = të pasur.

3 Sé qíran = janë të dehur.

4 Fukarenjtë.

5 Të shastisur, të hutuar.

5.Nji lulisht me trandafila

Nji lulisht me trandafila

Asht parajsa e vërtet

Ky asht ven që rijn bilbila

Ah u doq ashiku shkret.

Të gjith lulet jan lavdëru

Po trandafili asht me fam

Ashiku u përvëlu

U dogj flakë si pervàn.

Vet më the more xhanàn

Në lulisht ymrin t’a çojmë

Mos më le në kët zindan

Të gjithë jetën nuk do rrojmë.

Meraku àsht nji shkëndí

Porsi dilli në qershor

Kët sevda kush t’a di

Shpirtin t’em j-a ap në dor.

N’Elbasan àsht nji gur dyrri1

Të zest ashikët sí s’e panë?

Flak u dogj Isuf Myzyri

Si Mexhnúni për Lejlanë.

(Mund të ketë nj’a 4-5 vjet që e ka bërë)

1 Gur i çmuar si gjyrë beze.

6.U dëshirush për me të pa

U dëshirush për me të pa

Fytyrën t’ate mor xhanàn

U bà shum që jemi nda

Kaq koh e kaq zaman.

Un mas teje u bash harap

Fati t’em àsht gremis

Për ty qaj dit e nat

Trëndafil në marës.

Un do t’shkoj me kët shpres

Sa të jemi në kët jet

Sa të rroj gjer kur të vdes

Me këtë ashk të vërtet.

U bashkum në kët bot

Çë në krijim të kom dhon bes

Kjo sevda nuk àsht e kotë

E di aj që ka marr pjesë.

Àsht një drit në Elbasan

E ndriçoj gjith kët dhé

Myzyr mos u ban pishman

Dilber tjetër mà nuk ke.

(Nuk mban mënd kur e ka bërë).

7.E paskim pas fatn e zi

E paskim pas fatn e zi

A deri sa të jet jeta

Kur i shof shokt e mi

Me të dashurat e veta

U bà shum që jemi ndà

Sa fort jemi largu

Hiç me sy nuk të kam pà

Si s’u gjind derman për mu

Në mjedis vetllash më ke një pik

Un aty jam bà hajràn1

Qëndro pak të rijm edhe i çik

Të dy bashkë me xhanàn

Faqen posi shefteli

Buzën kuq si esheboj

Ku të ka lala, moj kumri2

Pse s’na flet nji her me goj.

Djali kur të vej merak

Edhe vajza me j-a dit

N’Elbasan àsht nji plak

Këto vjersha aj na-i qit.

(Nuk e mban mënd kur e ka bërë).

1 I shastisur, i hutuar.

2 Guguçe.

8.Kumrija bën gu-gu

Kumrija bën gu-gu

N’at mëjes kur zbardhon dita

Nuk ka tjetër mà për mu

Zemrën un ke ti e qita

Me dëshir këndon kumrija

Se pranvera u gjelbëru

Zjarr i madh à dashënia

Të gjithë ashikët jan përvëlu

Kumrija bàn figàn

Se pranvera u gjelbëru

Më ka njit zemra në Elbasan

Në vënd tjetër s’du me shku

Këndon kumrija edhe qoku1

E ndëgjon ti more flak-merxhan?

Më erth keq se m’ka humb shoku

E gjeta prap në Elbasan

Këndon kumrija kur bin fylli

Ato qajn brengat e veta

Kështu tha Isuf Myzyri

Cin kërkova atë gjeta.

(E ka bërë para 4, 5, ose 3 vjetësh).

1 Një zog që këndon natën.

9.S’paskë pas moj pik mëshirë

S’paske pas moj pik mëshire

Qysh mësova un kësi far soj

S’pres prej teje moj far të mire

Vetëm fol nji her me goj

Përse m’ke marr kaq mëní

S’shkohet jeta me inat

Fol me goj mor syu i zi

Mos ki frik se bon mëkat.

E paske pas mi zemrën hekur

Qysh durove more Qen-àn1

Ju kam betu që nuk du tjetër

Trandafilit n’Elbasan.

Kur më than t’u idhnu xhanàni

Shum mà mir të m’kishin vra

Sikur me m’qit prej Elbasani

Un se hjek mà kët sevda.

Me syt e tuj e ke pa

Myzyr mos u ban pishman

Sí Jusufi Likà2

Ke dilberin n”Elbasan.

1 Është një qytet në Arabi, shumë i bukur. “Çdo njeri që e ka emrin Isuf quhet edhe Qenàn”.

2 Jusuf Lika ka qenë bir mbreti në Arabi dhe ka qenë më i bukuri i botës.

10.Dashënija si rrufé

Dashënija si rrufé

Që m’goditi mu në kokë

Nuk kam gjuhë t’jau rrëfej

Çë m’ka gjetun mu more shokë.

Më gremisi sevdaja e shkret

Pleqënija s’mund t’a baj1

Rrojtja ime nuk àsht jet

Nat e dit me lot po qaj.

Ashiku e di sevdanë

Se e ka pas mik të vjetër

Si Mexhnúni kërkoj Lejlànë

Po nashti dul pun tjetër.

Ku qëlloj kjo dit’ e zez

Na bashkoj neve të dy

Unë kam jetën t’jesh pa shpres

S’kam me t’pa ma me sy.

Zemra m’u ka zemëru

Qaj me lot more Qen-àn2

Paska qën takdír3 për mu

T’a bëj terq4 kët Elbasan.

(Ka nj’a 7-8 vjet që e bëri).

1 Mbajë.

2 D.m.th. Isuf (është Isuf Myzyri vetë) “jam unë” më tha. Lasgush.

3 E thënë.

4 Dotëheqje (=të jap dorëheqjen [t’a le] prej Elbasanit [Elbasanin].

11.Përse më rri kaq vranú

Përse më rri kaq vranú

Sekur1 po bij shi

Lis më lis, dru më dru

Qaj për syn’e zi.

Me hakikat2 unë të desha

Pa no nji garàs3

Vetëm qava, kurr nuk qesha

Zemrën mos m’a plas.

Nuk të erth pak keq për mu

Ty more xhanàn?

Të kam dash edhe të du

Konxhe në findàn4.

E sevda jetën e shkova

Edhe e bàna figan5

Të gjeta kë të kërkova

Lule n’Elbasan.

Hatri ty ku të ka met6

Që nuk flet me mu

Kujtoje Myzyrin e shkretë

Mos e len të helmu.

1 Siç.

2 Me të vërtetë.

3 Qëllim.

4 “Findàn = I thonë asaj degës së re, dëgës së hollë”.

5 Ah.

6 Ose “jet”.

(Mund të ketë nj’a 10 ose 12 vjet që e ka bërë).

“Kemi [=kam] 30 e ca vjet që kemi [kam] hequr dorë nga ato (nga dashurija) gjana” thotë Isufi, “Po gjith ajo [=gruaja publike, jevga] e para ësht’ që më ka shty t’a baj këtë vjershë).

12. Errësin’ e pyllit

Errësin’ e pyllit

Dëfrim’ i njeriut

Porsi drit’ e yllit

E bij’ e bariut.

Pyllin tu’ kërku

Nji hije t’a pëlqejm

Ti qënke për mu

Bashk të dëfrejmë.

Na në pyll do të rrojm

Un edhe ti

Si e kemi zakon

Shokët na kanë zili.

Bota s’e kuptojnë

Se ç’është ky qëllim

Më të errët shkojnë

J-u ngjan si dëfrim.

U zemrën e njita

Me ty more xhanàn

Si ylli Afërdita

Më je në Elbasan.

(Krijuar para 5-6 vjetësh).

13. Mà mir në pyll se në qytet

Mà mir në pyll se në qytet

Na të dy atje do të rrojmë

Njeri atje s’na përket

Të àmbël jetën t’a çojm

Kapërxeva maln e Krastës1

Të mir meç mor Elbasan,

E vuna kàmbën në Mal të Vashës

Pash Sopotin2 dhe Vasnjàn3

Ç’i-u lutëm zotit na e dha

Nuk ka tjetër lumtërí

I4 kacolle me e bà

Të rrojn në mal si barí

Kur hum rrugën i5 njerí

Të gjith brengat i mendon

Shok i bàhet nji barí

Hajde sonte në kasollet t’on

Zoti ju dhant bujarí

Nuk e lat ushtarin jasht

Buk, ven edhe raki

Dhe kët kasolle me kasht

Bariu miken e dëfren

Edhe fyllit tuke i ràn

Zakone t’vjetra i rrëfen

Kështu gjyshnat na i kanë lanë

Sa ambël rënka fylli

Kush ka vesh për me e ndigju

Larg u ndoth Isuf Myzyri

Bariur afër i-u afru

(Bërë para tre vjetësh).

1 Më i pari mal pasi të kalosh Elbasanë kur vete në Korçë.

2 Është një mal i math karshi Elbasanit.

3 Mal karshi Sopotit.

4 Nji.

Nji.

14.Harap u bash un’i mjeri

Harap1 u bash un’i mjeri

Ogradisa2 me nji sy të jeshil

Më preu vetlla si neshteri3

Fol more buz trandafil.

Lanet qoftë mynafiku4

Do me të dam ty me mu

Ti më shtëpove nga reziku

Si në kohët tufanit Nu5.

Zemrën t’ime ti m’a shkule

S’të erth keq mër xhevair?

Ti je mret përmi çdo lule

Ti je mret or trandafil.

Sido që me m’mendu6,

Për mu asht një7 lumtëri

Pratë zot që m’ka kriju

Të kam njoft qyç8 n’ezelí9.

Kërkova gjith Elbasan

Nërshim10 tjetër nuk ka

Pije Myzyr pa pishman

Pi sharàbën11 tahurà12.

(Këtë vjershë e ka bërë simvjet (1940).

Nuk e di asnjeri tjetër, vetë shoku Aliu e ka dëgjuar një herë. (Vetëm një herë),

po Aliu nuk e di me gojë.

1 U dalldisa, u xhvesha (sikur me qenë nga robet).

2 Rashë keq, në shtrëngim.

3 Brisk i hollë që pret plagë.

4 Spiun, nërmjetës i keq.

5 Noja, Noe-ja.

6 Mundu.

7 Sic.

8 Qysh.

9 Që në kohën e vjetër (të kam njohur).

10 Ndryshim.

11 Venën (verën që pihet). Sherab e përdorin përsianët.

12 Të pastër. Tahura ë

www.akad.gov.al

Filed Under: LETERSI Tagged With: Vasil Tole

“Banda kombëtare “Vatra”, dhe roli i saj në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”

July 15, 2022 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

Historia unike e bandës kombëtare “Vatra”, e themeluar në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XX, nga dirigjenti dhe kompozitori Thoma Nasi me mbështetjen e plotë të federatës “Vatra”, na fton që përmes veprimtarisë së tyre të shohim nga një tjetër këndshikimi historinë e Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit XX. Janë disa dritare përmes të cilave duhet ta shohim rolin e saj: thjesht si formacion muzikor, si shenjë e qartë atdhedashurie, si miqësi shqiptaro-amerikane apo edhe si mekanizëm për të kuptuar vendin e muzikës në shoqërinë shqiptare.

Banda u krijua në Amerikë, vend për të cilin Noli thoshte se Amerika është nëna jonë kombëtare. Kjo pasi ajo i dha komunitetit shqiptar mënyrën amerikane të jetesës, demokracinë, lirinë në përgjithësi, lirinë e të mospasurit frikë, lirinë e fjalës dhe lirinë e besimit, të cilat shqiptarët nuk i gëzonin në atdheun e vjetër dhe që prej andej i sollën në mënyra të ndryshme në Shqipëri. Banda kombëtare “Vatra” ishte njëra prej tyre! Nevoja për krijimin e shoqërive dhe formacioneve muzikore tek shqiptarët e Amerikës lidhej drejtpërsëdrejti me ruajtjen e identitetit të tyre kulturor e që, sigurisht, motori lëvizës i këtij mekanizmi artistik më së pari kishte lidhje me mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, duke përcjellë përmes saj ide dhe qëllime kombëtare.

Shohim një lidhje të drejtpërdrejtë mes ngritjes së shoqërive dhe bandave muzikore në Shqipëri, me ato të diasporës shqiptare në Amerikë, Greqi, Rumani, Bullgari e kudo qoftë. Krijimit të tyre i parapriu një krijimtari muzikore e letrare e natyrës patriotike, ndër to përmendim krijimin në Amerikë në vitin 1906 nga Thanas Floqi (18841945) të melodisë dhe vargjeve të këngës “O trima luftëtarë” ; nga Kol Tromara të këngës “Sa të rrojë gjithësia”; në vitin 1909, nga Nikollë (Kolë) Rrodhe kemi krijimin e këngës “Marsh turje në luftë” sipas melodisë së “Yankee March”, SHBA, dhe të këngës “Zot i fuqive” (sipas melodisë së këngës amerikane “My country ‘Tis of Thee” e njohur si himn i SHBA-së deri në vitin 1931), e po ashtu ekzistencën e disa formacioneve muzikore të shqiptarëve, si mandolinata “Morava” e shqiptarëve në qytetin Akron, shteti Ohio, USA-1910, banda “Queen Sofia” u themelua nga shqiptarët e Amerikës në Xhejmstaun, Nju-Jork, SHBA, 1915, mandolinata “Dodona”-1915-1916 dhe “Albanian Choral Society”, e themeluar në vitin 1917 etj.

Vlen të theksohet se krijimi i bandës kombëtare”Vatra” ishte i veçantë, për shumë arsye. E para lidhet me faktin se në kohën e krijimit të saj në vitin 1916, pothuajse ishte përmbyllur procesi i strukturimit të komunitetit shqiptar të Amerikës. Nga shoqëri dhe struktura të mbyllura dhe të pakoordinuara me njëra-tjetrën, me krijimin e federatës “Vatra” ishte mundësuar më së pari kompaktësimi i faktorit shqiptar në SHBA. Kështu, që në momentin e parë të themelimit, banda kombëtare “Vatra” u krijua jo si përfaqësuese e një shoqërie të veçantë shqiptarësh të Amerikës, por si emblema e vetme e tyre muzikore, e cila do të funksiononte pranë federatës “Vatra”. Nga ana tjetër, vetë përdorimi i të njëjtit emër, atij të “Vatrës”, e përforcoi këtë unitet.

Dita e themelimit të Bandës kombëtare “Vatra” është dita e diel e 17 dhjetorit 1916, në qytetin Ustër të shtetit Massaçusetts të Amerikës. Mbledhja themeluese zgjodhi një komision dhe u lidh një kontratë për të sanksionuar këtë nismë, sa kulturore e po aq atdhetare. Në të ndër të tjera shkruhet: …ne të nënshkruarit … duke dëshiruar përparimin e atdheut tonë dhe duke marrë ndër sy se fillimi i një Bande është një nga mënyrat e përparimit , vendosmë të formojmë Bandën me emrin “Vatra”. Qëllimi i Bandës është për t’i shërbyer çështjes kombëtare, ashtu si në vatrën familjare në trupën e Bandës duhet të mbretërojë një dashuri vëllazërore dhe se kjo Bandë nuk do të shpërndahet gjersa të mos dëshirojë shumica e anëtarëvë të saj dhe jo këtu, por në Shqipëri. U aprovua Kanunorja ku secili, emër për emër, e firmosi atë. U blenë veglat muzikore nga më të mirat që ishin në tregun amerikan të veglave të asaj kohe.

Më 26 prill 1917, me rastin e festimit të Pashkëve në SHBA, banda “Vatra” interpretoi “Hymnin e Shqipërisë” dhe të Amerikës, kompozime origjinale të krijuara nga Thoma Nasi si dhe pjesë nga repertori i artë i muzikës botërore, me autorë si Mozarti, Bethoveni, Brahmsi etj. Dy vjet para ardhjes në Shqipëri, më 1918, drejtuesi i bandës Thoma Nassi botoi në Amerikë të parin version për zë dhe piano (me nota dhe me fjalë) të “Himnit të Flamurit”, të cilin e ribotoi përsëri në prill të vitit 1947. Në vitin 1918, himni kombëtar interpretohet dhe regjistrohet në Amerikë nga banda “Vatra”, si dhe publikohet në disqe nga shoqëria diskografike “Albanian Phonographs Records”, me qendër në Amerikë, me titullin “Marshi i Flamurit, Valo-valo”, i kënduar nga Spiridon Tasi Ilo. Ky mbetet i pari regjistrim muzikor i “Himnit Kombëtar” që njohim deri më tani.

Banda “Vatra” erdhi në Shqipëri kur atdheu kishte nevojë për të. Lufta e Vlorës më 1920 ishte thirrja për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër pushtuesve. Thënia e Nolit “Mbahu nëne, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, gjeti konkretizimin e saj përmes akteve sublime të 120 vullnetarëve shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federata “Vatra” – SHBA dhe te veprimtaria mbarëshqiptare e bandës kombëtare “Vatra” në atdhe. Më 2 prill 1920, banda kombëtare “Vatra” mbërriti në Shqipëri për të marrë pjesë në ngjarjet për çlirimin e Shqipërisë, së bashku me “Trupin vullnetar” të drejtuar nga Aqif pashë Përmeti (18841945). Para se të merrte pjesë në Luftën e Vlorës, banda kombëtare “Vatra” kreu disa udhëtime koncertore nëpër qytetet kryesore në vend. Nuk mund të përshkruhet optimizmi dhe gjallëria që përçoi ky rrugëtim artistik nëpër atdhe (në qytetet e Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Beratit, Durrësit, Tiranës etj.), në muajt prill-maj 1920, si për popullin, ashtu edhe për vetë pjesëtarët e bandës. Kjo mbështetje nga ana e federatës “Vatra” ishte krahas ndihmesës së vazhdueshme që ajo bënte për çështjen kombëtare përmes mbështetjeve të vazhdueshme financiare.

Ata morën pjesë në Luftën e Vlorës jo thjesht e vetëm me pushkë, por me një instrument muzikor në dorë, i cili provoi se u shndërrua në “armën” e tyre më efikase për të mbështetur çlirimin e Vlorës. Një nga çastet më të paharruara të veprimtarisë së “Vatrës” në front më 1920 ishte, siç e përshkruan Nasi , kur: …forcat luftuese të Vlorës na u lutën t’i vizitonim për të mbajtur lart moralin e tyre… dy, tri herë në ditë ne shkonim në front për të luajtur për luftëtarët shqiptarë. Fakt është që banda “Vatra”, siç dokumentohet edhe në fotografi të kohës, ishte në Vlorë ditën e çlirimit të saj, bashkë me 250 vullnetarë nga qarku i Korçës , në mes të të cilëve ndodheshin edhe 120 trupat e ardhura nga Amerika. Gazet’e Korçës e datës 4 shtator 1920, u kujtonte lexuesve të saj se: …triumfi panegjerik i kësaj bande u tregua në Drashovicë, ku me marshet e saj patriotike u dha fuqi të reja luanëve vlonjatë dhe të tjerëve vetëdashës, të cilët me hovet e tyre shtrënguan armikun e djeshëm dhe mikun e sotmë të lërë Vlorën . Ngritja simbolike e flamurit shenjoi fitoren e luftës. Për ato çaste, në shtypin e shkruar thuhet:…bandat po buçisnin për himnin e flamurit dhe z. Qazim Kokoshi po ngrinte flamurin sipas muzikës . Bëhet fjalë për bandën “Vatra” dhe bandën “Afërdita” të Elbasanit, prezenca e të cilave konfirmohet nga disa drejtime, ndër to edhe nga Syrja Vlora në kujtimet e tij.

Ardhja në Vlorë e bandës kombëtare “Vatra” ishte vetëm prologu i rrugëtimit të saj shumëvjeçar në Shqipëri. Banda kombëtare “Vatra” me vajtjen në Vlorë e sidomos me kompozimin prej Thoma Nasit me fjalët e Ali Asllanit të këngës himn Vlora-Vlora, i dha Luftës së Vlorës dhe luftëtarëve shqiptarë formën dhe përmbajtjen e një lufte kombëtare dhe ushtrie të vërtetë, e cila lufton për çdo pëllëmbë të territorit të vendit, me flamur në dorë e me himn në gojë. Vatranët nuk ishin thjesht muziktarë me vegla muzikore, por misionarë modernë të çështjes kombëtare. Me fitoren e kësaj lufte duket se u përmbush edhe amaneti i Fan S. Nolit, i shprehur qartë në artikullin “Për një Shqipëri Evropiane”, në të cilin shfaqte tri dëshirat e tërë shqiptarëve: lirimi i Shqipërisë; forcimi i saj dhe të zgjedhurit e kufijve të Shqipërisë nëpër tërë ato vende ku rron kombi shqiptar dhe flitet gjuha shqipe .

Me përfundimin e Luftës së Vlorës, me vendimin nr. 616, datё 14 shtator 1920 e qeverisё sё Sulejman Delvinёs, banda “Vatra” shpallet bandё kombёtare nё dispozicion tё qeverisё, me qendёr nё Korçё. Në vitet 1920, falë Thoma Nasit dhe bandës “Vatra”, roli i muzikës dhe në përgjithësi i artit u ridimensionua në shoqërinë shqiptare. P.sh., në Korçë kemi edhe krijimin e të parës orkestër simfonike në Shqipëri, koncerti premierë i së cilës u dha në prill të vitit 1924. Thoma Nasi, i parapriu ngritjes së orkestrës simfonike me disa veprime energjike, ndër to ajo e konceptimit të saj. Këtë vizion ai e përshfaqi në formën e një artikulli me titull “Përmi organizimin e një orkestre simfonike” , të cilin e botoi në dy numra të gazetës Shqiptari i Amerikës, në vitin 1923. Artikulli “Përmi organizimin e një orkestre simfonike” hodhi realisht hapin e parë publik drejt qëllimit final, ngritjes së të parës orkestër simfonike në Shqipëri, me qendër në Korçë. Pavarësisht se jeta e saj qe e shkurtër, ajo provoi se shqiptarët i kishin kapacitetet e duhura organizative dhe artistike për të krijuar orkestrën simfonike. Fjalët e Nasit: …dhe çfarë nisje më të bukur të bëjmë se fillimin e një orkestre simfonike, që do të jetë yshqim shpirti për të gjithë, lavdërimi i botës së qytetëruarë”, do të shkruhen një ditë me germa ari në historikun e orkestrave simfonike dhe të muzikës së kultivuar në Shqipëri.

Në fillim të viteve 1920, banda ishte pjesë aktive në dy ngjarje të shenjuara shqiptaro-amerikane. Në prill të vitit 1922 ata ishin në Tiranë në inaugurimin e “Shkollës teknike amerikane”, atë që njihet si shkolla e Fultzit. Ja se si shkruan ish-ambasadori Rajerson: …në 17 prill 1922, një ceremoni inauguruese u organizua për ndërtimin e shkollës Teknike Amerikane (e quajtur gjithashtu Shkolla Profesionale Amerikane), me muzikë nga banda muzikore e Shoqatës “Vatra” nga Bostoni ; dhe së dyti, në 28 korrik 1922, me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, banda “Vatra” merr pjesë në ceremonitë e nderimit për paraqitjen e letërkredencialeve të ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri etj.

Gjashtëvjetori i krijimi të bandës “Vatra” më dhjetor të vitit 1922, ishte një mundësi e mirë që Thoma Nasi të ritheksonte për të pranishmit e shumtë në aktivitetin e organizuar, se: …banda “Vatra” do të mbetet e paharruar në historinë e Rilindjes Shqiptare. Jemi të lumtur se sot u realizua plotësisht qëllimi për të cilin u fillua kjo bandë . Veprimtaria e bandës “Vatra” preku dy çështje thelbësore: patriotike dhe kulturore . Duket se Amerika i kishte dhënë Nasit dhe djemve të bandës kombëtare “Vatra” gjithë forcën e duhur për t’u përballur me këto sfida, të cilat, me sa duket, nuk ishin thjesht kulturore. Për ta bërë këtë, atij personalisht dhe bandës “Vatra” si institucion kulturor, iu desh të përballeshin me një realitet që linte shumë për të dëshiruar. Një pjesë të vështirësive ata e shfaqën në vitin 1923, kur përmes “Apelit” drejtuar popullit shqiptar ritheksuan rolin e tyre: …për të çporrur së këtejmi “havazet e daulleve dhe të taksave të çallgive”, “manetë e anadollakëve”, këngët e “ashikëve” dhe të “dylberëve”, “pizgat e gajdeve të evgjitëve” dhe “dairet e çingive të Tiranës”, “dam-dum-dumeret e saroshëve dhe sadomistëve” etj. Kontributin thelbësor të bandës kombëtare “Vatra” e pohon edhe At Gjergj Fishta, kur shkruante se: … muzika asht njeni ndër faktorët ma të parë të qytetënimit të popujve. E kështu “Vatra”, tue u interesue për zhdrivillimin e muzikës në Shqipni, ia shtron kombi rrugën ma të shkurtë, për me u kapë te qytetnia. Jo, po; muzika gjithmonë ka qenë mbajtë prej kombeve të qytetnueme për faktor përparimi e qytetnimi .

Kryeministra të atyrevioteve si Sulejman Delvina, At Fan S. Noli dhe më pas edhe mbreti Zog u angazhuan drejtpërsëdrejti për t’i dhënë shtetit shqiptar një dimension më kulturor, për ta vendosur kulturën dhe posaçërisht muzikën në themel të identitetit të tij. Në vitin 1925 banda kombëtare “Vatra” transferohet nga Korça në Tiranë dhe shpallet“Bandë Presidencale” e shtetit shqiptar, dhe më 1928 shpallet“Bandë Mbretërore” e Shqipërisë. Fara e bandës “Vatra” dhe pjesëtarët e saj ishin kudo në Shqipëri, aty ku krijohej një formacion i ri muzikor, një botim ose një shkollë e re. Me pak fjalë, roli i bandës “Vatra”, i gjithë pjesëtarëve të saj, ishte katalizator procesesh emancipimi kulturor, me rolin e jashtëzakonshëm të këtij formacioni muzikor që themeloi për të parën herë jetën muzikore në qytetet shqiptare, futi konceptin e edukimit muzikor në shkollat tona dhe që ideoi e realizoi botimet muzikore në vend.

Një kulminacion në marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve tona ishte ligjërimi i muzikës xhaz (jazz) në jetën e Shqipërisë së viteve 1930, kontribut i drejtpërdrejtë i vatranëve të muzikës. Viti 1917 mbahet si viti kur disku i parë i xhazit amerikan e përhapi këtë muzikë në gjithë botën. Duke llogaritur këtë datë si një datë të përhapjes ndërkombëtare të xhazit, mund të themi që Shqipëria përmes ligjit të vitit 1938, që legjitimonte ngritjen e orkestrës xhaz në formacionet muzikore të Mbretërisë Shqiptare, ishte ndër të parat që çmonte dhe popullarizonte vlerat e kësaj muzike e, njëherazi, lidhjet shpirtërore e kulturore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo miqësi shqiptare ndaj Amerikës dhe ndaj “jazz-it” si një kulturë tipike amerikane, shfaqej në atë kohë në rrugë të ndryshme, nisur si nga gjestet publike të institucioneve shqiptare, siç është rasti i ligjit “Për trupat muzikore të ushtrisë”, ku në nenin 14 sanksionohej ngritja e orkestrës së muzikës xhaz, vendosja e emrit të presidentit Wilson në vend të emrit Shëngjin në Lezhë, e deri te kontributet artistike të krijuesve shqiptarë për këtë kulturë muzikore unike si rasti i filmit dhe fotografive të Gjon Milit mbi xhazin. Sot, xhazi amerikan, fado-portugeze dhe isopolifonia shqiptare me saze janë tri kulturat muzikore moderne të krijuara në shekullin XX, si rezultat i kombinimit të kulturave etnike me veglat e temperuara muzikore, që të tria të regjistruara në “Listën përfaqësuese të dukurive shpirtërore”  UNESCO. Si përfundim, fjalët e profesorit Sederholm, pjesëtar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet 1920, se: … një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si banda “Vatra” dhe të donte muzikën aq sa njerëzit e shprehnin këtë me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që meritonte lirinë e tij. Trashëgimia artistike dhe atdhetare e bandës kombëtare “Vatra” është një ndër vlerat e qëndrueshme që kujtojmë në vitin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Vasil Tole

“Zadeja, fenomeni muzikor shqiptar”

June 3, 2022 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

Ky libër i kushtohet Ҫesk Zadejës, kompozitorit dhe personalitetit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, pa rolin, veprimtarinë dhe krijimtarinë e të cilit nuk mund të kuptohet muzika profesioniste shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, e më pas.

Deri më sot studimet e fushës i janë kushtuar kryesisht eksplorimit të muzikës shqiptare në qasjen historike, të etapave të saj, deri diku të analizave të ngushta të veprave muzikore të kompozitorëve, e fare pak përmes shqyrtimit dhe konsiderimit të rolit vendimtar që ka në krijimtarinë muzikore të një vendi, modeli krijues i një kompozitori të caktuar ose i një grupi syresh. Muzika shqiptare erdhi deri në zhvillimet profesioniste të saj të periudhës pas Luftës II Botërore në mënyrë jolineare. Me rrënjë që zënë fill në fund të shekullit XIX, menjëherë pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kohë kur Palok Kurti shkroi të parën pjesë të kultivuar të muzikës sonë, autorët pas tij, si: Martin Gjoka, Thoma Nasi, Lec Kurti, Fan S. Noli, Kristo Kono e ndonjë tjetër u përpoqën të mbillnin sadopak muzikë në terrenin deri diku djerrë të saj.

Rëndësia e rolit të kompozitorit në kulturën tonë muzikore është marrë në konsideratë, deri diku, kur janë theksuar rëndësia e veprave të para të mëdha të muzikës sonë profesioniste, si: “Simfonia” e Zadejës (1956), opera “Mrika” e Jakovës (1958) dhe baleti “Halili dhe Hajria” i Daisë (1963) etj., ku krahas veprës është folur edhe për krijuesin e saj, dhe vetëm kaq. Më pas, historia vazhdon rrugën e saj pa kthim. Në rend kronologjik, veprat dhe krijuesit i zënë vendin njëri-tjetrit dhe gradualisht zërat e përveçëm, ata që kanë bërë realisht dhe cilësisht ndryshimin, fillojnë e shuhen brenda sasisë së konsiderueshme të veprave muzikore që u shkruan në Shqipëri për gati 50 vite.

Në fakt, nuk është, dhe nuk duhet të jetë, vetëm kështu.

Muzika, ashtu si edhe artet e tjera, nuk mund të bëjë dot pa hierarkinë e autorëve. Edhe në muzikën botërore, nga dhjetëra e qindra emra kompozitorësh, janë disa që i japin frymën epokës së tyre, përmes veprave dhe gjenisë që mbartin. Të tillë ishin Bahu, Mozarti, Hajdeni, Bethoveni, Brahmsi, Wagneri, Ҫajkovski, Shopeni, Raveli, Skriabini, Stravinski, Bartoku, Prokofievi, Shostakoviçi etj. Një i tillë për muzikën tonë ishte Zadeja. Ai nuk ishte thjesht një ndër kompozitorët më të mirë shqiptarë të shek. XX, por figura qendrore e muzikës së kultivuar shqiptare për atë shekull, e jo vetëm. Duhet theksuar se kështu nuk minimizohen apo zhvendosen emrat e tjerë të rëndësishëm të muzikës sonë, përkundrazi. Ashtu si vargmalet që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, ashtu edhe Zadeja qëndron bashkë me ta si maja më e lartë e vargmalit tonë muzikor, i krahasueshëm me të tjera male të larta në peizazhin e kulturës evropiane e botërore. Zadeja ёshtё unik edhe sa i pёrket trashёgimisё qё la pas. Thuhet se fati i njё personaliteti krijues kalon nё tri faza: lavdia, mohimi dhe vlerësimi! Vepra e Zadejёs qëndron mes njё lavdie pa kohё dhe vlerёsimit tё vazhdueshёm tё saj, kjo, nisur prej kohёs kur ai jetoi e mё pas, nё brezat pasardhёs. Rrjedhimisht, menduam që ta trajtonim figurën dhe veprën e Tij të jashtëzakonshme në këtë libër, i cili duke u fokusuar te personaliteti dhe vepra që la pas, do të na bëjë të kuptojmë më mirë edhe muzikën shqiptare, para dhe pas kohës së Tij.

Në muzikë, ashtu si në traditën kishtare, ekziston një kod nderimi e bashkimi. Çdo student njeh mësuesin e çdo mësues njeh profesorin, dhe çdo profesor njeh të parin e tij e i pari i njeh të gjithë kompozitorët, në çdo vend e pa kohë. Ky është një unitet besimi dhe adhurimi, një unitet harmonik e polifonik tërësor. Çdo njëri nga ne merr pjesë për të ndihmuar forcimin e këtij uniteti. Ky është një kod mistik. Prandaj, më vjen natyrshëm të perifrazoj fjalët e Nolit, me një ndryshim, duke zëvendësuar emrin e Konicës, me atë të Zadejës: “…. të gjithë ata që vijnë pas Zadejës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve.”

Filed Under: Kronike Tagged With: Vasil Tole

U PROMOVUA NË AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË “BANDA KOMBËTARE VATRA – NJË HISTORI UNIKE SHQIPTARO-AMERIKANE”

November 6, 2021 by s p

Dielli/

U promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë “Banda Kombëtare Vatra – Një histori unike shqiptaro-amerikane” e Akademik Vasil Toles. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u shpreh: “I nderuar Akademik Skënder Gjinushi, i nderuar Akademik Vasil Tole, të nderuar Anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të nderuar pjesëmarrës, miq e të ftuar: Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të shqiptaro-amerikanëve dhe në emrin tim personal ju dërgoj urimet më të përzemërta e përgëzimet tona me rastin e promovimit të librit studimor të Akademik Vasil Tole: “BANDA KOMBËTARE VATRA- NJË HISTORI UNIKE SHQIPTARO-AMERIKANE ”. Ky është një kontribut i jashtëzakonshëm studimor që paraqet rolin e Vatrës në shërbim të çështjes kombëtare. Banda e Vatrës, e krijuar nga Profesor Thoma Nassi, është e njohur për misionin e saj në Shqipëri dhe kontributin e lartë që vjen e shpalosur më së miri nëpërmjet Profesor Toles. Për të parën herë, historia e Bandës Kombëtare Vatra e fragmentarizuar nëpër shkrime gazetash, dokumente arkivore, leterkëmbime etj botohet e dokumentuar në një libër studimor me vlera të larta shkencore. Ky studim na gëzon dhe na bën krenar të gjithëve ne. Përgëzime dhe faleminderit nga zemra Akademik Vasil Toles dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për këtë aktivitet të lartë shkencor e patriotik. Me konsideratë e respekt të veçantë për të gjithë JU” përfundoi fjalën e tij kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Akademik Vasil Tole u shpreh në promovim: “Besoj se u thanë të gjitha ato konsiderata që duheshin të thuheshin për vlerat dhe rëndësinë e Bandës Kombëtare Vatra dhe të themeluesit të saj Thoma Nassi, të cilat ky studim i kishte marrë përsipër ti trajtonte. Si autor i librit jam shumë falenderues, duke filluar me Akademinë e Shkencave që e çmoi e para këtë studim duke e botuar atë si dhe për të gjitha ata që më mundësuan me ndihmesën e tyre, sado modeste, shkrimin e këtij libri. Se cilët janë i gjeni tek pjesa e Falenderimeve në fillim të librit. Jam falenderues për të gjithë ju që sot bëtë të mundur promovimin e tij, duke filluar me kumtuesit: prof. dr. Zana Shuteriqi, muzikologia jonë e njohur e cila më ka qendruar afër prej kohës kur më drejtoi në studimet e doktoraturës në fillim të viteve 1990, e deri më sot; dirigjentin kapiten Altin Babameton dhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura që vazhdon traditën e Bandës Kombëtare Vatra duke mos e lënë të shuhet zjarrin që vatranët ndezën në vatrën e muzikës në Shqipëri; historianin ushtara prof.as dr. Zaho Golemi dhe Kristaq Ballin dhe dardharët për atdhedashurinë e tyre emblematike për vendin. Jam shumë falenderues në mënyrë të veçantë për përshëndetjet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo nga Federata VATRA prej kryetarit të saj z. Elmi Berisha dhe prej familjarëve të familjes Nassi dhe Tsika, përkatësisht z. Joy Bartlet dhe Pol Tsika, për të cilat ndihmoi familjari i tyre në Shqipëri z. Arian Cika, prezent në sallë. Faleminderit gjithashtu për dr. Mikaela Minga për drejtimin e këtij aktiviteti. Jam falenderues edhe për ju të dashur të pranishëm. Përfaqësues dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar, deputete të Kuvendit të Shqipërisë, të ministrive dhe institucioneve të tjera të rëndësishme. Për prezencën në sallë të ushtarakëve tanë. Se ishte ushtria shqiptare ajo që e bëri pjesë të saj Bandën Kombëtare Vatra dhe drejtuesin Thoma Nassi duke i trajtuar ata me dinjitet si ushtarakë artistë, me ligj të veçantë dhe që sot pranë saj zhvillon veprimtarinë e saj Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të RSH; Për përfaqësuesin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Hirësi Astin, se vatranët e Bandës Kombëtare ishin njëherazi edhe atdhetarë edhe besimtarë, të bekuar nga mësimet dhe drejtimi i Peshkop Fan S. Nolit. Për ju qytetarë amerikanë që jini sot këtu, duke na kujtuar se vatranët ishin dhe mbeten urë e patundur e marrëdhënieve të forta shqiptaro-amerikane dhe nxitës së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në vitin 1922 e deri më sot. Për ju kolegë akademikë dhe profesorë që më nderoni me pjesëmarrjen Tuaj dhe njëherazi më frymëzoni mua dhe dhjetra e qindra të tjerë me kontributin që jepni në fushat tuaja të ekspertizës përmes botimeve, studimeve, leksioneve dhe veprimtarisë suaj publike; Për gjithë ju të pranishëm të tjerë, familjarë të pjestarëve të Bandës Kombëtare Vatra, miq e shokë të mij të jetës e të punës, artistë e dashamirës të muzikës, qytetarë e studente që më kini nderuar pa masë me pjesëmarrjen Tuaj” përfundoi Akademik Vasil Tole.

Filed Under: Featured Tagged With: Vasil Tole

“Dritëroi dhe Migjeni”

October 13, 2021 by s p


Prof.Dr. Vasil S. TOLE


▪︎ Fjala e mbajtur sot në konferencën shkencore kushtuar 110 vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90 vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit në Akademinë e Shkencave


Të gjithë e kanë një pyetje se çfarë është dhe ç’përfaqëson ky libër i panjohur i Dritëroit, që Akademia e Shkencave e boton sot?Pesë vite më parë autori, shkrimtari dhe akademiku ynë, na dha pëlqimin për ta përkthyer për qëllime shkencore tezën e tij të diplomës, mbrojtur në Universitetin e Petersburgut, me rezultatin “shkëlqyeshëm”, me një oponente si zonja e albanologjisë ruse Desnickaja. Bëhet fjalë për vitin e largët 1957. Libri titullohet “Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni” dhe ja ku e kemi sot në duart tona. Botimi u përgatit nga kolegu akademik Shaban Sinani dhe ka një parathënie sintetike të kryetarit tonë prof. GjinushiPo pse e botojmë sot? Para së gjithash sepse kjo tezë diplome, duke hyrë në qarkullim në bibliotekat tona albanologjike, do të nxisë shqyrtime të reja, sepse idetë e saj jo vetëm nuk janë vjetëruar, por përmbajnë të pathëna me rëndësi si për Migjenin, ashtu dhe për Agollin vetë. Punimin ne e shohim të rëndësishëm në disa qasje:1. Sepse nga pikëpamja kronologjike, ky punim është i pari me karakter monografik. Në kohën kur e shkroi, Agolli e kaloi stadin e studimeve migjeniane dule e çuar atë nga niveli i parathënieve dhe recensioneve në nivelin e studimeve që kërkojnë standardet e kërkimit shkencor. 2. Qasja e dytë ka të bejë me përcaktimet që i bëri Dritëro Agolli veprës dhe personalitetit të Migjenit si shkrimtar revolucionar i realizmit kritik. Kjo ka shumë rëndësi kur sjellim ndër mend se më vonë Migjeni dhe krijimtaria e tij u çmua si pararendëse e realizmit socialist, madje Migjeni u parapa edhe si poet i “botës së re”. Pikërisht përcaktimi i Agollit për të ka një peshë dhe vlerë referenciale të tillë për të ndrequr çfarë më vonë u shkrua keq me zell ideologjik në historitë e letërsisë, duke e quajtur madje deri në “themelues të realizmit socialist”.3. Së treti, e shkruar në një periudhë ideologjikisht liberale, në një metropol europian si Shën Petersburgu, teza e Dritëro Agollit nuk i njohu tabutë e mëvonshme që ju imponuan si Migjenit ashtu edhe veprës së tij unike për letrat shqipe. Pa u zgjatur, sikur vetëm këto tri vlera t’i njohim tezës së diplomës së Dritëroit, kjo e shfaqur në botën e letrave shqipe me një vepër të plotë serioze para sfidës së poezisë, do të mjaftonin për ta bërë nismën tonë për botimin e saj një nismë akademike e bashkëkohore në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.Prandaj, mirë se erdhe, Migjeni i Dritëroit që qendroni kaq mirë e bukur krah njëri-tjetrit.Ju faleminderit për vëmendjen.

Filed Under: Kulture Tagged With: Vasil Tole

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT