Deklaratat e Kryeministrit Gruevski i hedhin benzinë zjarrit dhe nuk e zgjidhin problemin shqiptar./
DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS” VATRA”/
Federata PanShqiptare e Amerikës shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjet që ndodhën në Kumanovë të Republikës së Maqedonisë dhe qëndrimin e qeverisë Maqedonase. Nga kronikat,shkrimet dhe pamjet televizive nga Kumanova, tabloja është tragjike: Informohet për 22 të vrarë, dhjetra të plagosur dhe 40 të arrestuar. Shtëpi e biznese të rrënuara, njerëz të traumatizuar nga përdorimi i armëve që në orën 4 të mengjesit, brenda një lagjeje të populluar dendur me gati 20 mijë banorë, pothuajse qindpërqind shqiptarë. Operacion i shkallës lartë ushtarako-policore me përdorim masiv të helikopterëve, tankeve, autoblindave e mjetevetë tjera të rënda të luftës kundër të ashtu quajturit “grup i armatosur armiqësor”, përcjell imazhin e një shteti në krizë. Profesionalizmi i ushtrisë dhe policisë maqedonase ishte amatoresk në një lagje të banuar me civilë.
Vatra konstaton se pas gjithë kësaj tablloje ka terr informativ, mungesë transparence,mos spiegim të arsyeve reale të ngjarjeve, brutalitet qeveritar, përgjim të çdo kujt, megalomani tipike sllavo-maqedonase e deri ne cinizëm të theksuar. Skenari policor ngjason me rastin”Monstra” të Shkupit, ku u thanë shumë gjëra, por mungoi transparenca, as autopsi nuk iu bë kufomave!
Deklaratat e qeverisë nuk e zgjidhin problemin, heshtja e faktorit politik shqiptar, pozitës së Ahmetit apo dhe opozitës së Thaçit, i bënë ata përgjegjës para shqiptarëve të vrarë dhe të plagosur, si dhe për shtëpitë e e djegura e bizneset e humbura.
Vatra mendon se Partia qeverisëse e Ali Ahmetit është përgjegjëse për gjakun e derdhur shqiptar, për bashkëqeverisje servile me Gruevskin, ndërsa Opozita e Thaçit, duhet të bëjë kujdes nga skenarët e opozitës maqedonase të Zaevit,demonstrimet e së cilës çuditërisht i prinë konfliktit në Kumanovë!
Politikanë shqiptarë të Maqedonisë, kujdes:- Gjaku i shqiptarëve nuk duhet të derdhet kot! Ju e keni për detyrë t’u hapni sytë shqiptarëve, që të mos bien pre e skenarëve të shërbimeve sekrete ruso-sllave! Jeni përgjegjës për jetët e shqiptarëve!
Bashkatdhetarë: Ruajuni, kurtheve, ruajuni edhe penetrimit të terrorizmit! Ne jemi Komb paqedashës, që respektojmë ligjin, që kurrë nuk kemi sulmuar të tjerët, vetëm jemi mbrojtë! Ndërsa, Kryeministri maqedonas Gruevski, pergjegjësi kryesor i kësaj situate, duket se i ka hipur kalit etnik duke vërtitur në erë shpatën shtetërore për tu mbrojtur nga skandalet që jane publikuar për të dhe po u ngul thikën pas shpine shqiptarëve, duke i futur ata në kurthe e çarqe të përgatitura nga sherbimet e fshehta maqedonase,ruse e serbe. Kujt nuk i intereson stabiliteti në rajonet shqiptare të Ballkanit?
Sllavëve po, Shqiptarëve, JO!
Politikanët shqiptar të BDI-se me në krye Ali Ahmetin dhe ato të PDSH-se se Mendu Thaçit, janë kthyer në sejmenë të oborrit të Gruevskit apo skenarëve të Zaevit. Ndoshat dhe atyre ua kanë zënë gojën me korrupsionin dhe ndjehen të kompromentuar, pa guxuar të denoncojnë gjendjen e rëndë të shqiptarëve, mbi të cilët ushtrohet terror, pa kërkuar plotësimin e të drejtave elementare njerëzore.Marrëveshja e Ohrit ka mbetur sirtareve si një dokument propagandistik, por pa u implementuar në praktikë.
Vatra mendon se ngjarjet ne Kumanovë nga çdo këndvështrim, nuk jane rastësore ,por kane arsye madhor, nuk mund të fshihen pas akuzave dhe kurtheve. Duket qartë se objektivat e UÇK-së të vitit 2001 nuk janë arritur nga trysnia e nderkombëtarëve.Marrveshja e Ohrit nuk është realizuar sepse lufta është ndaluar, por përfaqësimi i shqiptarëve në drejtimin e shtetit, në ushtri, në polici, është fare e paktë ose diku edhe zero, si dhe mirëbesimi midis shqiptarëve dhe maqedonasve është pothuaj i pa realizuar. Gjuha shqipe ndjehet e ndaluar! Sipas këndshikimit të Vatrës, këto dhe të tjera fakte, tregojnë se ndërkombëtarët më parë kanë gabuar në strategjinë për Maqedoninë dhe ata duhet të korrigjojnë gabimet që kanë bërë. Por si hap i parë lypset që t’i kërkojnë me force Gruevskit transparencë, hetime ndërkorkombëtare të pa anshme, objektivitet dhe prerë t’i kërkojnë që të mos i provokojë më shqiptarët,të mos luaj me zjarrin e nacionalizmit,të bëjë dëmshpërblimet e qytetarëve deri në një, e të mos bëhet lodër në duart e rusve, të cilët përpiqen ta trasferojnë konfliktin e Krimesë dhe Ukrahinës në Maqedoni.
New York, 12 Maj 2015
SOT, DITELINDJA E 103-te e VATRES
Sot eshte Ditelindja e Vatres Historike. Vatra e Shqiptareve te Amerikes behet 103 Vjece! Gezuar Ditelindjen VATER!Pikerisht sont, ne oren 6 te mbremejs, VATRA DO TË PËRKUJTOJË 103 VJETORIN E THEMELIMIT TË SAJ SI DHE 60 VJETORIN E SHUARJES NË BURGUN E BURRELIT TË BASHKËTHEMUESIT KRISTO KIRKA, si dhe do te perkujtoje te gjithe martiret, qe lane Ameriken dhe shkuan te benin Shqiperine,fatkeqsisht Diktatura i shperbleu me burgje, plumba dhe internime.
SONTE, e Martë, më 28 PRILL 2015, në orën 6 .00 të mbrëmjes, në Shtëpinë e Vatrës, në adresën :
2437 Southern BLVD
Bronx, NY 10458
do të organizohet një veprimtari përkujtimore, kushtuar 103 vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA si dhe do të përkujtohen vatranët e martirizuar nga Diktatura Komuniste. Me 28 Prill 1955 është shuar në Burgun e Burrelit vatrani i orëve të para, bashkëthemeluesi i Federatë VATRËS, KRISTO KIRKA.
Bashkëvuajtësi , shkrimtari dhe poeti disident Arshi Pipa, e portretizon më së miri portretin e këtij vatrani në vargjet e poezisë së pasvdekjes:
Vdiq flamurtari i moçëm!
Si rrojti vdiq me nder,
I pastër, i devoçëm
E pa u përkulë njëherë
Nder qela u sos t’Burrelit
me dhunën e tradhëtarit,
me njolln’ e kriminelit
mbi ballin e atdhetarit
Nuk foli, nuk mallkoi.
Por kur ra, fjala ju pre,
Ndigjuem qysh lehtë ankoi:
“Për flamur!… Për atdhe!”…
Në këtë veprimtari përkujtimore studiuesi dhe gazetari Idriz Lamaj do ta përkujtoi vatranin themelues me një ligjëratë.
Në këtë veprimtari do të paraqitet nga editori i Diellit librit I studiuesit Idriz Lamaj”Për Vatrën dhe vatranët”.
Janë të lutur vatranët dhe të interesuarit të bëhen pjesë e kësaj veprimtarie.
DARKË MADHËSHTORE E VATRËS NË MICHIGAN PAS KUVENDIT
Nga Dalip GRECA/*
Pas Kuvendit, dega e Vatrës organizoi një darkë madhështore në Kishën e Shën Palit në Detroit. Në një mjedis festiv, darkën e ka drejtur vatrani Novruz Nazarko.
Këngëtari Frederik Ndoci, me zërin e mrekullueshëm dhe me humorin karakteristik shkodran i ka dhënë gjallëri darkës. Në argëtimin e pjesmarrësve kontribuan edhe këngëtarët Mark Margega, Valentino Mitaj dhe Përparim Mefaja.
Pas një kuvendi të suksesshëm në darkë u vu re një përkrahje e madhe nga komuniteti i degës së Vatrës në Michigan. Shumë shoqata ishin të pranishme dhe përshëndetën Vatrën, c’ka tregon vlerësimin që i bëri komuniteti shqiptar vatranëve të Michiganit, vazhdues të Vatrës historike, që ka vepruar atje, dega 33, që ka shënuar rekorde në historinë e Federatës, e cila me 28 prill mbush 103 vite.
Në darkë ka përshëndetë konsulli i nderit i Republikës së Shqipërisë z. Ekrem Bardha, i cili i dha mbështetje degës dhe e përgëzoi atë për veprimtarinë e saj kombëtare. Z, Bardha vlerësoi kontributin historik të Vatrës 103 vjecare dhe garantoi përkrahje të mëtejshme. Konsulli i Nderit përcolli urime edhe për gazetën Dielli, gazeta më e vjetër të shqiptarëve, e cila ka 106 vite që vazhdon të ndricojë mendjet e shqiptarëve të Amerikës. Ai premtoi 5 mijë dollar për Diellin.
Z. Agim Rexhaj, zv/kryetari i Vatrës, në përshëndetjen e tij, falenderoi pjesmarrësit për mbështetjen që i japin Vatrës, për praninë e tyre në darkë, falenderoi z. Bardha, dy meshtarët e pranishëm dom Fran Kolën dhe dom Ndue Gjergjin, të gjithë përfaqësuesit e shoqatave të pranishëm, degën e Vatrës në Michigan me kryetarin Alfons Grishaj për punën e mirë dhe Kuvendin e suksesshëm.
Duke folur për Vatrën, historinë e saj të pasur Kombëtare, z. Rexhaj tha se është krenari që të bëhesh pjesë e Vatrës, prandaj, tha ai, ju ftoj që t’i bashkohen vatranëve. Zv/kryetari i vatrës foli edhe për Kuvendin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, që do të zhvilojë punimet me 2 Maj në Jacksonville në Florida.
Me duartrokitje u prit dorëzimi nga zv/kryetari i Vatrës i dekorimit me medalionin dhe Hartën e Kosovës akorduar Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Michigan z. Ekrem Bardha nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryetari Haradinaj ka vlerësuar kontributin e jashtzakonshëm që Konsulli i Nderit Bardha ka dhënë për cështjen Kombëtare në përgjithësi dhe vecanërisht për Kosovën.
Duke ia doërzuar dekoratën, zv/kryetari i Vatrës, z. Rexhaj, tha se z. Bardha, ka më shumë se 50 vite që punon për Kosovën dhe cështjen kombëtare në tërësi.
Dom Fran Kolaj, famullitari i Kishës së Shën Pjetrit , ka përshëndetur pjesmarrësit, ka përgëzuar degën e Vatrës për Kuvendin e suksesshëm dhe punën e palodhur për cështjen kombëtare.
Darkën e ka bekuar dom Ndue Gjergji, famullitar i Kishës Zoja Pajtore.
Në emër të dëgës së Vatrës, të pranishmit i ka përshëndetur sekretarja e sapo zgjedhur zonja Enita Hajdari. Në fjalën e saj, pasi falenderoi pjesmarrësit dhe mysafirët, sekretarja e Vatrës u përqëndrua në rritjen e rolit të grave në Vatër. Ndër të tjera ajo tha se Vatra ka luajtur një rol të rendësishem në historinë e Shqipërisë dhe diasporë. Vatra është pjesë e shpirtit dhe mëndjes shqiptare e cila la atdheun në kushtet dhe rrethanat të veshtira por pa e harruar kurrë atë. Në fakt kjo ndarje e dhimbshme e atyre që e frymëzuan dhe e ndërtuan Vatrën vazhdon të coptojë zemrën e shumë të tjerëve ,të cilët edhe sot e kesaj dite vazhdojnë ta lëshojnë atdheun, në një eksod të dhimbshëm, jo sepse nuk e duan atë por sepse kushtet dhe rrethanat ua diktojnë .
Pra, kjo organizate atdhetare inkurajon bashkimin e të gjithë shqipetareve kudo qofshin dhe ngado qofshin, atyre të Maqedonise, Malit të Zi, Kosoves dhe Shqiperisë. Sepse, sikurse te gjithë jemi bijtë e një nëne ateherë të gjithë bashkë duhet të ulemi në një sofer, dhe të jemi një krah i ngrohtë dhe inkurajus për njëri-tjetrin. Ti lëmë mbrapa inatet e vjetra, shpifjet, përcmimet, intrigat dhe t’i bashkohemi një ideali, atij më të shtrenjtit: “Të përkrahim dhe duajme njeri-tjetrin në tokë të huaj”, qe është imperative për mbijetesen e zakoneve dhe traditave në diaspore, që është jetike për të siguruar trashegimine e shqiptarizmit nga një brez ne tjetrin. Mendoni që të njëjtat shqetësime dhe dëshira kanë patur parardhesit tanë, të cilat në ketë moment të jetës tonë po i pranojmë edhe nderojmë. Tani është detyra jonë të kultivojmë edhe dorëzojmë virtytet e gjuhes tonë të bukur shqipe, zakonet dhe traditat tona shekullore brezave të ardhshëm, shqipeve të vogla.
Në ketë kontekst, nuk mund të mos njohim dhe shtyjmë më përpara rolin e familjes shqiptare , në marëdheniet e saj brenda komunitetit dhe rolin e këtij komuniteti në shtetin e Michiganit. Kush mund ta mohoj rolin jetik të gruas dhe nënes në familje? E pra është kjo, familja jonë e madhe shqipetare që ka më shumë se kurrë nevoje për pjesemarjen aktive të gruas në vater dhe komunitet. Mendoni se pa rolin e gruas, komuniteti jonë do jetonte dhe zhvillohej perkrah komuniteteve të tjera pa patur balance përfekte ndermjet asimilimit dhe intergrimit? Mendoni se ka ardhur koha për një përfshirje të gruas në vater?
Mendoni se Vatra ka nevojë për largpamesin, intelektin dhe zhvilimin qe gruaja shqiptare implementon në familjes e saj? Kush mund të dalloje dhe krenohet me rolin e grave shqiptare dhe mijera historive të sukseshme të tyre qe nga busineset e vogla familjare deri tek korporatat. Ka ardhur koha qe gratë të dalin nga hija e familjes edhe e punes dhe të mbeshtesin njera-tjetren. Nena, vajza dhe motra, perfytyroni shkembime experiencash, iderash, aktivitetesh dhe mbi të gjitha ndarje shqetesimesh, mbeshtetje emocionale dhe inkurajim ndaj njera-tjetres? A nuk do behej jeta jonë më e lehtë, komuniteti ynë me i zhvilluar nga aktivitetet tona në Vater?
Ju bejmë thirrje, burrave, baballarëve dhe vëllezërve tanë të pranojnë dhe suportojnë rolin tonë të pashmangshem në shoqeri, familje dhe komunitet. Ashtu si ata burra në familje kanë nevojë për kujdesje, ushqim, frymëzim dhe mëshirim, ashtu edhe komuniteti ka nevojë për të njëjten forcë dhe vetmmohim që gruaja e ka në deje dhe sidomos gruaja shqipetare.
Ju falenderoj dhe shpresoj që në takimin e vitit të ardhshem të festojmë 10-fishin e anëtareve në organizaten e re: “Gruaja e Vatres Shqipetare”.
Më pas kanë përshëndetur z. Lekë Gjonaj-kryetar i Shoqatës “Malësia e Madhe”, drejtoresha e financave pranë zyrës së senatorit Gary Piters- Elisa Malile, drejtori i Qendrës Ballkanike, Taulant Kadiu, Kryetari i Shoqatës “Kastrati’ Petrit Doda, Sekretari i shoqatës Luvigj Stërbyci, Ish zv/ Kryetari i Shoqatës të ish të burgosurve politikë Gjon Kacaj, Sotir Laco, i biri i vatranit të mocëm Vangjel Laco, kampioni i Kickboxing për Michiganin vatrani Adrian Hadriberajther dhe të tjerë.
Për më shumë se 5 orë vatarnët dhe komuniteti kanë festuar së bashku.
*Fotografite shihini ne facebook
VATRA- Vështrim i shkurtër historik
Ne Prag te 103 vjetorit te themelimit te Federates Panshqiptare te Amerikes VATRA 28 Prill 1912-28 Prill 2015/
Shkruan: Naum Prifti*/
Federata Panshqiptare Vatra mbushi 100 vjet këtë vit, çka na bën të ndihemi krenarë jo vetëm për jetëgjatësinë e saj, por sidomos për veprimtarinë patriotike në shërbim të Atdheut, ndaj përulemi me nderim përpara atyre që e krijuan, gjithë veprimtarëve e aktivistëve dhe njëherësh u shprehim mirënjohje gjithë Vatranëve të sotëm që vazhdojnë t’ia kushtojnë energjitë e tyre kësaj embleme të çmuar të mëmëdheut tone e në mënyrë të veçantë kryetarit Dr. Gjon Buçaj.
Sot VATRA gëzon respektin dhe dashurinë e shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut dhe në mbarë botën ku ka shqiptarë, për shërbimet e mëdha që kreu ndaj kombit në çastet më kritike, ndaj lavdia e saj u rrit tok me vitet dhe s’ka të krahasuar me asnjë shoqatë tjetër. Dy ishin faktorët kryesorë për ngjizjen e saj, atdhedashuria e shqiptarëve dhe ndikimi i demokracisë Amerikane. Do paraqes shkurtimisht si u trupëzua kjo ide duke e ilustruar me kujtimet e patriotit Kristo Floqit, një nga personazhet kryesorë të themelimit të saj dhe i vetmi që ka shkruar kujtimet e tij rreth këtij evenimenti. Kujtimet e tij u botuan më 1937 në revistën LEKA me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë.
Sipas tij, shoqëria BESA-BESË e Bostonit pas mosmarrëveshjeve që pati me Faik Konicën, redaktorin e gazetës së tyre DIELLI, vendosi t’ia besonin drejtimin e saj Avokatit Kristo Floqit. Ai e nisi punën duke mbajtur një sërë takimesh me kolonitë shqiptare, ku nisi të propagandonte bashkimin e shoqërive me një program patriotik. Delegatët e shoqërive u mblodhën në Boston më 11 dhjetor 1911. Midis tyre ishte edhe Fan Noli, i cili sapo kishte ardhur, kurse Faik Konica nuk pranoi të vinte, por u mjaftua t’i dërgonte nismëtarit një letër, ku i shkruante “se nuk kishte dijeni për mbledhjen dhe asaj së djele qe i oukupuar me një punë tjetër.” Dhe letra vazhdonte: “Ato që thoni për bashkimin janë të pëlqyera dhe pa dyshim duhet të bëhet në gjetshim një formullë të drejtë që ta mbarojmë pa prishur punët që kemi trajtuar deri tani me shumë mundime. Kemi komitetin tonë këtu (Flamurin e Krujës) dhe nuk shohim ndonjë arsye që ta prishim. Është e udhës të prishen punëra pa rregull e pa program, por jo punëra të ndërtuara me kujdes. Besoj këto t’i peshoni dhe të më jepni të drejtë. Mbetem juaji me besë, Faik Komitza d.v.” Autori i kujtimeve shpreh qëndrimin e vet kritik ndaj Faik Konicës.
Sidoqoftë nga mbledhja doli propozimi të ngrihej një komision i përbërë nga Faik Konitza, Kristo Floqi, At Fan Noli dhe Paskal Aleksi. Komisioni nismëtar u dërgoi letra të gjitha shoqatave duke i pyetur si e dëshirojnë bashkimin, në formë të centralizuar apo si Federatë. Propozimi për Federatë ishte shpëtimtar mbasi shoqatat shqiptare pa përjashtim donin të ruanin pavarësinë e tyre dhe kryetarët përkatës parësinë e tyre, ndaj dhe u miratua prej të gjithëve. Në mbledhjen e radhës komisioni mori vendim të hartohej kanunorja dhe të gjendej një emër për federatën. Dikush propozoi emërtimin PLUGU, dikush KASTRIOTI, PËRLINDJA, PARMENDA, dhe së fundi Fan Noli shqiptoi VATRA, që u prit me rrudhje buzësh nga të pranishmit. Vetëm pasi Noli shpjegoi kuptimin metaforik të saj, propozimi i tij u miratua. Ishte data 28 Prill i vitit 1912, dita historike e krijimit të Vatrës. [1]
Veprimtaria e Vatrës shkëlqeu gjatë dhjetë viteve të parë të krijimit të saj. Pas dorëheqjes së detyruar të Ismail Qemalit nga posti i kryeministrit më 1913, atdheu mbeti pa qeveri. Një vit më vonë shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe vendi u pushtua nga forcat ndërluftuese. Funksionet e një qeverie shqiptare në mërgim i mori Vatra. Ajo kreu aktivitet diplomatik me përfaqësues të shteteve të Europës dhe në Amerikë, ku veçojmë takimin me Presidentin e ShBA Wilson dhe deklaratën e tij se do ta mbronte shtetin e ri shqiptar me votën e tij. Dhe e mbajti fjalën. Wilsoni e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi, ndërsa komunistët shqiptarë ia vishnin meritat Leninit, një profesori liceu që në atë kohë ishte emigrant në Zvicër të cilin nuk e njihte askush. Vatra nisi delegacione pas delegacionesh në Shqipëri, luftëtarë për çlirimin e Vlorës më 1920 dhe më pas një kontigjent mësuesish për shkollat shqipe. Mbresa të forta la banda muzikore e Vatrës, e drejtuar nga Thoma Nashi, e cila në çdo qytet që shkeli, ngjalli shpirtin e krenarisë kombëtare me marshet patriotike.
Pas kryengritjes së Qershorit 1924, kryeministër u zgjodh Fan Noli, një nga krerët e Vatrës. Në sferën diplomatike fitorja më e madhe e qeverisë së Nolit ishte hyrja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Kjo është e vetmja meritë që Fan Noli ia njeh vetes si kryeministër. Noli idealist donte një shtet demokratik sipas modelit amerikan në një vend të prapambetur gjysmëfeudal, ndaj dhe nuk pati sukses. Gjithsesi Shqipëria ishte i pari shtet që futi sistemin republikan midis monarkive të Ballkanit. Edhe pse pati jetë të shkurtër, qeveria e Nolit la gjurmë të thella në historinë shqiptare.
Fitorja e Zogut me ndihmën e bandave të huajtura nga kryeministri serb Pashiç, solli tronditje të thella te Federatën Vatra. Fan Noli dhe Faik Konica u ndanë në dy kampe kundërshtare. Dashuria për atdheun i bashkoi, politika i ndau. Fan Noli u shfronëzua nga Zogu, ndërsa Konica u emërua prej Zogut ambasador në Amerikë. Polemika midis tyre shpesh ka tone të ashpra, po ndërkohë ata vazhdonin ta ruanin respektin reciprok. Kur Noli u sëmur në mesin e viteve ’30 dhe mbeti ngushtë ekonomikisht, iu drejtua Konicës ta ndihmonte nëpërmjet qeverisë shqiptare. Zogu i dërgoi menjëherë 3000 franga ar, me të cilat ai pagoi mjekun dhe ilaçet. Pranimin e të hollave nga Zogu komunistët e cilësuan mëkat të pafalshëm, kapitullim, tradhëti, por Noli mbrohet duke pohuar me sinqeritet: “Po të kisha marrë ndihmë nga ndonjë i huaj, fjala vjen nga Petrua i Sërbisë ose Jorgua i Greqisë, kishit të drejtë të më thoshit që ’na tradhëtove’ – po unë mora ndihmë nga Zogu i Shqipërisë, ay dhe unë të dy shqiptarë, mbase sot politikisht nuk jemi të bashkuar, por të dy mendojmë dhe punojmë për Shqipërinë.” (Dielli, 28/2/1974).
Le të kujtojmë edhe testamentin e Konicës ku ai shkruan: “I nderuari zoti Noli, (po) ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më qartë në këtë dhé. Nuk do të më tretë dheu nëse ti dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë dhe harxhet e rrugës për trupin tim pa jetë dhe shumën për 2 metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuari Noli dhe të nderuar shqiptarë, do të kryeni këtë amanet.” Konica vdiq më 1942 në spitalin e Bostonit dhe trupi i tij u mbajt në morg për katër vjet. U varros më 1946, pas dy letrave që Noli i shkroi Enver Hoxhës ku e vinte në dijeni për amanetin e Faikut. Kur erdhi përgjigja nga zoti Hoxha, se në Shqipëri nuk ka as dy metra vend për Faik Konicën, Noli do të deklaronte : “ka qenë përgjigja që më ka djegur dorën tërë jetën, një përgjigje që i mbylli dyert tërë diasporës dhe na ndau nga dheu mëmë. Është përgjigja që më bëri të heq dorë nga një vendim që kisha marrë dhe për veten time, që kur të vdisja, 2 metra vend t’i kisha në Shqipëri.” Ja pse eshtrat e Nolit nuk kanë shkuar në atdhe.
Përçarja e madhe e Vatrës ndodhi në vitet 1930, ku ndikoi edhe periudha e depresionit në Amerikë. Dolën në sipërfaqe mosmarrëveshjet e vjetra. Vatra bie ngushtë nga ana financiare. “Dielli” del mesatarisht 2-3 herë në muaj. Mbyllet zyra e Vatrës, mbyllet shtypshkronja dhe konfiskohet arkivi i saj, se nuk u pagua morgiçi. Acarohen marrëdhëniet midis pronarit, konsullit shqiptar George Prifti dhe Refat Gurazezit, redaktorit të Diellit. George kërkon paratë që i ka huajtur Vatrës. Në këtë atmosferë thirret Kuvendi XXI i Vatrës. Shumica e delegatëve vijnë nga Middle West dhe kërkojnë transferimin e Vatrës në Detroit. Ata të Bostonit e kundërshtojnë me arsyetimin se atje mungojnë intelektualët. Pasi një vatran ortodoks e fyejti Gurazezin në sedrën fetare, Fazlli Panariti largohet nga Kuvendi me shumicën e delegatëve. Kuvendi u prish. Pak më vonë, më 13 tetor 1936 del numri i parë i gazetës “Dielli” në Detroit nën drejtimin e Refat Gurazezit. Tashmë ndarja u bë fakt. Dy gazeta, të dyja me emrin “Dielli”, një në Boston, një në Detroit vazhdojnë polemikat për disa vite me radhë. Tirana e shqetësuar dërgon më 1938 një delegacion për t’i pajtuar dy Vatrat, por bashkimi i dëshiruar nuk u arrit. Debatet vazhdojnë deri në prillin e vitit 1939, kur erdhi lajmi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Në këto rrethana, lufta brenda gjirit të Vatrës ishte e pakuptimtë prandaj delegatët e të dy palëvet u mblodhën më 8 maj 1939 në Detroit dhe hartuan deklaratën për bashkimin e tyre.
Ndërkohë vihet re ftohja midis qeverrisë së Tiranës dhe Konicës. Flitej se Zogu do ta transferonte në Londër, por kjo ide nuk i pëlqen aspak Konicës. Do të ishte gabim të mendohej se Konica ishte shërbëtor besnik i Zogut. E vërteta është se ai donte më shumë pavarësinë e mendimeve të tij sesa mbretin August. Ja disa konsiderata të shfaqura në letrën dërguar Abdurrahman Matit më 14 korrik 1938. “Mbreti ka shumë zotësira të larta, por si çdo njeri ka dhe disa mungesa. Një nga mungesat e tij është se ato që thotë sot, i harron nesër.” [2] Ja dhe pasazhi i vitit 1939, ku ai portretizon Zogun: “E përbuz mbretin për këto arsye, e kam parë qëkur ishte 18 vjeç, por që nga ajo kohë nuk e kam dëgjuar asnjëherë të thotë të vërtetën. Nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. Nuk ka kurrfarë ndjenje përgjegjësie. Është i pangopur, egoist, zemërgur i pandershëm. Ai urren të gjithë ata që kanë diçka-qoftë kulturore, origjinë familjare, pasuri, ndonjë aftësi në çfarëdo fushe ose vetëm pse janë patriotë e të ndershëm.”[3] Vjen pyetja, po atëherë si është e mundur që Zogu e dërgoi Faik Konicën ambasador? Për të njëjtat arsye që emëroi edhe Vrionin ambasador në Francë, për t’i hequr qafe dhe për të mos i patur nëpër këmbë.
Periudhën më kritike të jetës së saj Vatra e pati menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur qeveria komuniste e ndërpreu në mënyrë kategorike emigrimin e shqiptarëve. Kësisoj osmoza jetike e diasporës shqiptare me atdheun u ndërpre. Shqiptaro-amerikanët që ktheheshin pranë familjeve të tyre në Shqipëri u konfiskohej pasaporta amerikane dhe ishin detyruar t’i ngrysnin ditët atje. Kjo ndërprerje solli dëmtime të dyanshme. Diaspora u rrëgjua, nga mungesa e gjakut të ri. Ndërkohë një faktor tjetër doli në skenë. Në Amerikë filluan të vinin shumë nga të arratisurit politikë që ndodheshin kryesisht në Itali, si dhe ata që me rrezik jete kalonin kufirin grek ose jugosllav. Këta e përtërinë mërgatën e paraluftës në Amerikë. Faktori tjetër po aq vendimtar ishte fluksi i emigrantëve nga trojet etnike: Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni. Shqiptarët ishin të detyruar t’i përvidheshin repsresionit serbo-sllav, të evitonin arrestimet, burgjet dhe internimet. Në fillim Vatra u tregua shumë e rezervuar t’i pranonte në gjirin e saj të mërguarit politikë të etiketuar “bashkëpunëtorë të fashizmit dhe nazizmit”. Paradoksi ishte se shumë prej emigrantëve besonin se pengesa vinte mga Qerim Panariti, editor i Diellit, i akuzuar pa të drejtë si komunist. Kjo gjendje vazhdoi pothuaj deri në fund të viteve ’50. Së fundi Fan Noli e gjeti të arsyeshme t’i pranonte të arratisurit politikë në gjirin e Vatrës, duke pohuar se edhe ata ishin shqiptarë, ndaj nuk mund t’u mohohej kjo e drejtë. Radhët e rralluara të Vatrës u mbushën dhe ajo u forcua nga përbërja numerike dhe intelektuale. Ia vlen të shënojmë se emigrantët që vinin nga Jugosllavia nuk kishin njohuri për Vatrën dhe iu desh kohë të njiheshin me aktivitetin e saj dhe të anëtarësoheshin në të.
Në mesin e viteve ‘50 ish-mbreti Zog erdhi më Amerikë. Ai bleu një vilë madhështore në qytezën Mutton Town, në Long Island, Nju Jork. Zogu kërkoi të sillte me vete një shpurë prej 200 vetash, ndërsa qeveria amerikane i lejoi një enturazh prej 20 a 30 vetësh. Zogu kishte synimin politik të siguronte mbështetjen e qeverisë Amerikane për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri dhe mundësisht për tu kthyer sërish vetë në fron. Qëllimi tjetër ishte afrimi me diasporën shqiptare për të shtuar ithtarët dhe për të mbledhur ndihma financiare. Qeveria amerikane nuk kishte kurrfarë simpatie për nbretin dhe u tregua e ftohtë ndaj tij. Edhe diaspora i qëndroi larg. Kryetar nderi i Federatës Vatra ishte Noli dhe as ai vetë, as ndonjë nga kryesia e Vatrës nuk deshën ta takonin. Sipas rregullave të shtetit Bashkia e Nju Jorkut e tatoi me taksë të pronës në bazë të vlerës së shtëpisë. Kundërshtimi i Zogut se ai ishte mbret dhe nuk i takonte të paguante taksa, u hodh poshtë si i pabazuar. Një vit më pas taksa ishte më e rëndë dhe Zogu pasi e kuptoi se nuk kishte gjasa të siguronte përkrahje politike e ndihma materiale, mblodhi plaçkat dhe u largua sërish drejt Europës. Pasi iku familja mbretërore, naivët dhe aventurierët u sulën në pallatin e braktisur dhe nuk lanë gur e dërrasë pa lëvizur të gjenin florinjtë e fshehur nga mbreti i shqiptarëve. Kështu përfundoi aventura e Zogut në Amerikë.
Në fillim të viteve ’90 selia e Vatrës u shpërngul nga Bostoni në Nju Jork. Thashethemet se kjo u bë qëllim që t’i zihej vendi kryetarit të saj legjitim janë pavend. Praktikisht dega e Bostonit nuk funksiononte, për shkak se kryetari ishte i ngathët dhe inaktiv. Kështu ajo shteroi si një përrua kur i mehet ujët. Ndërkohë Nju Jorku ishte qyteti ku kishte më shumë shqiptarë ndaj dhe transferimi ishte me vend. Ia vlen të vërejmë se nuk pati kurrfarë reagimi nga ish kryetari i saj dhe nga vatranët e paktë të Bostonit. Në Nju Jork Vatra ishte pa shtëpi, pa zyrë, dhe në fillim e pati vështirë. Për shumë vite me radhë Vatra përdorte për adresë postare godinën e anëtarit të kryesisë së saj, Marjan Cubit, në Manhattan ku ai shërbente si superindendent. Më 1993, me përkujdesjen e Zydi Karagjozit u ble Shtëpia e Vatrës në Bronx, aty ku ndodhet sot. Më 1995 Vatra mori në dorëzim edhe arkivin që deri atë kohë ruhej në papafingon e biznesmenit të mirënjohur Anthony Athanas, të cilin e përkujtojmë me nderim të thellë për ndihmën e pakursyer që i dha Vatrës gjatë shumë e shumë viteve. Me ndihmën e tij u krijua dhe u ruajt fondi i paprekshëm prej 100.000 dollarësh për blerjen e shtëpisë së Vatrës dhe po ashtu fondi për bursat e studentëve po me këtë shumë, nga e cila mund të përdoren vetëm interesat vjetore për të ndihmuar shkollimin e 6-8 studentëve shqiptarë. Kryetari i Vatrës, zoti Agim Karagjozi iu përkushtua drejtimit të Vatrës, me punë të vyer dhe mirëdashje gjatë shumë viteve, prandaj i shfaqim mirënjohjen tonë.
Dy dhjetë vjeçarët e fundit të Vatrës njihen nga komuniteti shqiptar, prandaj nuk do të flas për to. Ndjejmë gëzim për rigjallërimin e Vatrës, me ngritjen e degëve në Washington D.C., në Detroit, në Florida dhe në upstate Nju Jork, me ndihmat materiale dërguar në Kosovë dhe në Shqipëri dhe aktivitetin patriotik e kulturor në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë. Gazeta “Dielli” me redaktor Dalip Grecën tani botohet rregullisht.
[1] Të dhënat janë vjelë nga artikulli “Kujtime Historike – Formimi i Federatës Panshqiptare “Vatra” prej Dr. Kristo Floqit. Revista LEKA, viti 1937.
[2] Janë vjelë të dhëna nga kumtesa e z. Idriz Lamaj mbajtur në Fordham Un. në 90 vjetorin e Vatrës, 12 tetor, 2002.
[3] Kristo Frashëri, -Nëntori Nr. 1, 1991.
*Shkrimtari Naum Prifti, ish sekretar i Vatres. Kumtese e mbajtur ne Detroit me rastin e 100 vjetorit te Vatres
“Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni
NGA ANTON CEFA/*
Lufta e Parë Botërore përbënte një rrezik evident për pavarësinë e Shqipërisë. Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e “Vatrës” erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që “predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare”
Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi “14 Pikat” e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet.
“14 Pikat”, ndër të tjera, kërkonin që politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale, zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve. Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për ndalimin e traktateve të fshehta.
Deklaratat e Wilsonit për të drejtën e vetëvendosjes së kombeve u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta ushtarëve shqiptaro-amerikanë, për t’i bindur që vetëm Amerika mund ta shpëtojë dhe do ta shpëtojë Shqipërinë. Ja si shkruan Qerim Panariti: “Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s’i zinin këmbët dhe. Detyrat kishëtare s’mund t’i neglexhonte, Vatrën s’mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n’Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale.”
Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan. Wilsoni thonte: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për gjithë popujt dhe shtetet, dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të barabarta të lirisë dhe sigurisë me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”.
Më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku është varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .”
Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.”
Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës.”Veç titullit ‘Amerikan’, Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.”
Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh, amerikan Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”
“Në janar 1920, tha Noli në fjalimin e tij, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson.”
Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për Wlsonin, duke e quajtur atë: “profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923, shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”.
Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: ‘Regere parvos, debellare superbas’ (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.”
Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhët e pavarur.” Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.
* * *
Dy fjalë për vokacionin fetar dhe atë atdhetar të Nolit
Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin. Janë quajtur ato kundërthenie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse. Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar i bindur apo skeptik ndaj besimit, a u bë prift se ishte ideali i tij apo thjesht se kështu kishte mundësi t’i shërbente më mirë atdheut? Dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qenë revolucionar a kundërrevolucionar”.
Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës: Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”. Bile – bile, edhe sot e kësaj dite ka studiues që i qëndrojnë besnnikë këtij trajtimi tejet të gabuar.
Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”. Është një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.
Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj. Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).
Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig”. Si mund të shpjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror? Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i flaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.
Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.
Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.
Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”.
Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve fetare: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?
Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha”; ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” .
Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!”. Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !
I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.
***
Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashembullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.
Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian. Noli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti. Ai ia arriti ta drejtojë atë në tokën e dëshiruar të kulturës e të qytetërimit.
* Kumtesë e mbajtur në Seminarin përkujtimor kushtuar Fan S. Nolit me rastin e 50 Vjetorit të ndarjes nga jeta, Organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA (Variant i shkurtuar dhe pa referenca)
- « Previous Page
- 1
- …
- 47
- 48
- 49
- 50
- 51
- …
- 62
- Next Page »