• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

13 MARS 1965-LAMTUMIRË KRYEZOT I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS!

March 13, 2020 by dgreca

– Vatra, Dielli dhe përcjellja e imzot Nolit 55 vite të shkuara

*Vatranët mbajtën 40 ditë zi për humbjen e atit shpirtëror, At Fan S. Noli…
-DIELLI: Shqiptarë, a e dëgjuat? IMZOT NOLI NUK ËSHTË MË MES NESH!

*Si e përcollën vatranët vdekjen e imzot Nolit

* Misioni shqiptar në New York u ndalua që të merrte pjesë në varrimin e Nolit në Boston.

* Telegrami i Mehmet Shehut dhe i Halim Budos, tendenca për përçarjen e shqiptarëve të Amerikës.

* Shteti komunist i kërkoi Amerikës trupin e Nolit

NGA DALIP GRECA/

Jeta e Imzot Nolit kishte marre goditje ne vjeshten e vitit 1964. Me 2 Nentor u operua. U hap dhe u pa se brenda ishte shfaqur e keqja, semundja kanceroze qe do t’i merrte jeten. E mbyllen sakaq. Pas 2 javesh doli nga spitali. Me 20 Dhjetor u nis drejt shtepise Dimrore qe ia kishte blere Vatra ne Florida. Atje, nen diellin e Florides do t’i shtynte castet e fundit te jetes. U shua me 13 mars, ne oren 11 te dites, kur Meri Xhons e kishte nxjerre te pershendetej me diellin e ngrohte. Por gjithcka mbaroi aty. Ai u shua.Lajmi tronditës është përcjellë në Gazetën Dielli të 17 Marsi 1965, e mërkurë me titullin: Shqiptarë a e dëgjuat? IMZOT NOLI NUK ËSHTË MË MES NESH!
Në komentin hyrës shkruhej me shkronja të zeza: Njeriu që përfaqësoi racën shqiptare si kryetar Fetar, si shkrimtar, si studiues, si poet, si udhëheqës, nuk është më.Ati i shqiptarëve, që kishte personifikuar të gjithë gjërat e shenjta të gjakut e të traditave shqiptare, vdiq me 13 Mars 1965 në momentin më të vështirë për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në tërë Botën e Lirë si dhe për shqiptarët në Shqipëri. Vatra e shqiptarëve të pastër përulet përpara trupit të kryetarit të saj të djeshëm dhe të sotshëm dhe i puth ato duar të bekuara, që lartësuan Kombin shqiptar dhe Vatrën tonë.
Komisioni i Vatrës urdhëroi 40 ditë zi për të gjithë vatranët për humbjen e prijësit shpirtëror. Përmes lotëve ata ngushëlluan njëri-tjetrin dhe pranë arkivolit të Atit të Kombit vajtuan: Pusho në Paqe, At i dashur! Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar. Vatra do të qajë me lot, por edhe do të mburret në çdo kohë, që pati fatin të ketë si Atë, si themelonjës, si prijës, TY- Atin Shqiptarëve!
Në kohëndarjen nga jeta të atij që editoi i pari Diellin, Gazeta e Vatrës kishte për editor Athanas Gegën, një diejtar i kohës, një nacionalist antikomunist ndër më të betuarit, ndërsa kryetar i Vatrës ishte James Thanas.
Në faqen e parë të Gazetës DIELLI publikohej shkrimi i Editorit Gegaj
VATRANË: VDIQ ATI YNË!, ndërsa kryetari i Vatrës në të njëjtën faqe botonte përcjelljen zyrtare të lajmit tronditës:VDIQ ATI I TË GJITHË SHQIPTARËVE. Po në faqen e parë të Diellit, botohej edhe shkrimi”VATRA NË ZI”, një shënim shpirtëror i Antoni Athanans në gjuhën angleze, një esse nga Peter D. Peterson, si dhe mesazhe nga personalitete të botës shqiptare dhe të huaj.

Si dhe kur e mori Vatra lajmin e hidhur

Drejtuesit e Vatrës e kishin marrë lajmin e hidhur, të nesërmen e vdekjes, me 14 mars, ndërkohë që ishin në mbledhjen e bordit. Nga rekordet e Vatrës sjellim reagimin: I hidhëruar thellsisht nga kjo humbje e madhe, Komisioni ndërpreu rendin e ditës, mbajti një minut heshtje dhe më pas filloi nga përgatitjet për përcjelljen e Atit shpirtëror. Vendimi: I gjithë numri i Diellit do t’i kushtohej Nolit!Numri u përgatit në një kohë rekord: U punua të dielën, të Hënën, të martën u dërgua në shtypshkronjë dhe u shpërnda të Mërkurën. Të gjitha degëve iu përcoll me telefon e telegrame lajmi i vdekjes dhe botimi i Diellit. Ky edicion, që pati dhe një ribotim, u dërgua në të gjitha kolonitë shqiptare edhe në Europë e Australi.

Lamtumirë kryezot!

Vdekja e imzot Nolit i pikëlloi thellë shqiptarët e Amerikës. Kryetari i Vatrës shkruante:”Ati i të gjithë shqiptarëve, kryetari ynë shpirtëror, u nda nga ne e na la të shkretë dhe të varfër. Me vdekjen e Tij mbyllet një kapitull i historisë shqiptare, sepse ne humbëm udhëheqësin tonë dhe themelonjësin e Kishës Kombëtare, Federatës Vatra, si dhe të parin prift shqiptar e të parin editor të Diellit. Kryezot dhe metropolit i Kishës sonë, burrë shteti, diplomat,shkrimtar i mbaruar, theolog, muzikant, orator i shquar, poet, studiues i çështjeve shqiptare.
Lamtumirë o Kryezot!
Lamtumirë Ati Ynë, vendin që leni bosh është e vështirë dhe e pamundur ta zërë ndonjë tjetër. Lamtumirë At, se po vete të shlodhesh nga puna e gjatë dhe nga zhurma e kësaj Bote duke u çliruar nga vargonjtë e kësaj jete dhe nga pamarrveshjet që ngjajnë në çdo shoqëri njerëzore. Po ndarja jote, na shqetësoi shumë e na la të shkretë. E të kërkojmë ndjesë se si bijtë e tu nuk e kemi bërë përherë detyrën tonë.
Veprat tuaja, At i dashur, do të çmohen më tepër paskëtaj. Është shumë zor që ta gëlltitim këtë hidhërim, se jemi në mes të valëve dhe s’ka kush të na dërgojë më, të na japë Këshilla për problemet e vështira që kemi përpara. Ju keni qenë shtylla e fortë ku mbështetej i tërë komuniteti ynë, ju keni qenë shtylla jonë, dhe e popullit shqiptar.
Lamtumirë, o Ati ynë, se ti e kreve punën si një nga njerëzit më të përsosur të racës dhe gjakut shqiptar: Well done! We Will miss You very much!
Çlodhu në qetësi!
“Fortesa e Shqiptarizmës u përmbys”-Kështu e qau ikjen e Noli, dishepulli i tij, editor për 18 vjet i gazetës Dielli,sekretari i Vatrës Qerim Panariti.

Arkivoli me trupin e Nolit, nga Florida në Boston

Noli u shua me 13 Mars. Trupi i Hirësisë së Tij udhëtoi nga Miami i Floridës drejt Bostonit më 15 Mars.Shoqeruesi i tij ne udhetimin mortor drejt Bostonit ishte Geri Riska.Po atë ditë, pra të Hënën e 15 Marsit, në orën 3 e 30 minuta arriti në aeroportine Bostonit. Vatra dërgoi në aeroport që ta prisnin arkivolin: anëtarin e Bordit të saj z. Anthony Athanas, Barny Kirka-arkëtar i Vatrës, dhe Peter Chikos, Mangar i Diellit. Arkivoli me trupin e e Imzot Noli nga aeroporti u dërgua në Funeral Home, ku e veshën me paramentet (rrobat) peshkopale. Me 16 Mars arkivoli u dërgua në Kryekishën e Shën Gjergjit. Trupi u ekspozua për vizitorët në mjedisët e KryeKishës së Shëngjergjit me 17, 18, 19 Mars 1965. Shqiptarët e shumtë që kishin ardhë edhe nga kontinete të largët, e përuleshin me nderim para arkivolit dhe qanin me lot të nxehtë ikjen e prijësit. Drejtuesit e Vatrës i shprehën ngushëllimet para arkivolit të kryetarit të tyre, të mërkurën e 17 Marsit.
“Dielli” e qau me lot të nxehtë editorin e vet të parë, duke kërkuar fjalët më të përzgjedhura për ta përcjellë.Editori Athanas Gegaj shkruante:”I veshur me rrobat e praruara episkopale, i mbuluar me Flamurin Kombëtar, …Ai dukej se po flinte gjumin e përjetshëm.Fytyra si në bronx, e zbehtë, pa shumë rudha.” Mbi arkivolin e Nolit u përulën mbi 5 mijë shqiptarë. Lamtumirën ia dhanë me lutje e fjalime të zjarrta Ikonom Sokrat Sotiri, i cili foli në gjuhën shqipe dhe Atë Sotir Dilogjika në gjuhën angleze.
Përcjellja nga krerët fetarë

Në Kishën e Shëngjergjit u organizuan ceremonitë e rastit. Shqiptarët e përcollën me fjalë zemre e lot të nxehtë udhëheqësin e tyre. Krerët fetarë nuk i kursyen vlerësimet dhe lutjet. Imam Vehbi Ismaili, e cilësoi ikjen e Nolit si një fatekqësi që goditi gjithë koloninë shqiptaro-amerikane, e mbarë popullin shqiptar, pse me këtë fatkeqësi shqiptarët humbën frymëzuesin e parë të ndjenjave kombëtare, udhëheqësin dhe Kryemësuesin e të gjitha Lëvizjeve Patriotike, fetare e kulturore në këtë vend të bekuar. Me këtë humbje, tha ai, shuhet një kandil që ndriçoi dhe udhëhoqi me sukses Lëvizjen e madhe kombëtare në SHBA. Me këtë goditje venitet lulja e Simbolit të Bashkimit dhe të mburrjes Kombëtare, si para Botës Shqiptare, ashtu dhe para Botës së Huaj, përfundonte Imam Vehbi Ismaili.
Dijetari tjetër fetar, Baba Rexhepi, e konsideroi Nolin si një pishtar që ndriçoi botën shqiptare për gjysëm shekulli, njeriu që krijoi Atdhe, aty ku s’pat, këtu në Amerikë. Me ikjen e Nolit,tha ai, fiket një pishtar i ndritun që për më se një gjysmë shekulli i dha dritë botërisht Atdheut të largët me pendën e tij fatlume në lami të ndryshme të diturisë. Emigracioni shqiptar, i hershëm dhe i ri, humbi pionierin që u mundua dhe ia doli më së miri për të krijuar Atdhe aty ku s’pat. Në Amerikë Imzoti, mbas përpjekjeve të tij politike, me suskes e pa sukses- të kohës së rinisë,e zhvilloi veprimtarinë e vet të shumëanshme në lëmin e diturisë, që spikati në tre drejtime kryesore: Histori, Liturgji dhe Muzikë. Po la dhe poezi, të cilat do ta radhojnë emrin e të Përndritshmit ndër poetët e mirë të Letërsisë Shqipe. Por ajo që do ta bëjë të pavdekshëm Imzot Nolin në Historinë e hershme dhe të vonë të Diasporës shqiptare, është krijimi mes vështirësive i Kishës Orthodokse Metropolitane Shqiptare në Amerikë: Luftë nga të Huajtë dhe moskuptim nga të vetët! Ai krijoi 13 Kisha famullitare Orthodokse Shqiptare në ShBA, me liturgjinë në gjuhën shqipe, duke i treguar edhe një herë botës shqiptare dhe asaj të huaj, se kur është puna për vepra të nalta, dijmë që edhe me sakrifica të bashkohemi për t’i dhënë Lavdi Zotit dhe për të naltësue emrin shqiptar, kudo që gjendet raca jonë etnike.
Monsinjor Zef Oroshi, shkruante në ngushëllimin përcjellës:” Me rastin e humbjes së pazëvendësueshme të Metropolitit të Madh, dëshiroj t’u parqes bashkëvllaznve Orthodoks të Amerikës, në emën të Grupit Katolik Shqiptar- teksa të formuem, dhe timin personal, përdhimtuninat ma të thellat e ma të ndieshmet, njëheri tue i lutë Zotit të gjithëpushtetshëm, që t’i ndrisi Për zgjedhjen e Pas-Ardhsit dhe vijimin e veprës së pavdekshme të Metropolitit Fan Stylian Nolit: Për Fe e Atdhe!-R.I.P
At. Dr. Zef Oroshi.

Varrimi u krye me 20 mars në Forest Hills

Varrimi u krye të premten me 20 Mars 1965. Lulet dhe lotët e shqiptarëve të Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit në një ditë të ftohtë, ditë me borë. Vatra ksihte porositur të gjitha degët të përfaqësoheshin në përcjelljen e Atit dhe të porositnin kurora me lule. Në krye të kortezhit mortor printe Governori i Shteti z.John Volpe me krerët fetarë. Bota shqiptare përfaqësohej jo vetëm nga të gjitha orgnanizata në SHBA, por edhe nga Kanadaja, Evropa e Australia. Kortezhi ishte tepër i madh dhe në rrugët e Bostonit ishte ndaluar qarkullimi rrugor nga policia në nder të përcjelljes së prjësit shpirtëror të Shqiptarve.Ishin mijëra qytetarë shqiptarë dhe amerikanë që e përcollën kryeprijësin e shqiptarëve të Amerikës. Nga Kisha e Shëngjergjit e deri në Forest Hills, banesa e fundit ku do të prehej Ati i shqiptarizmës, kortezhi dukej se nuk kishte të sosur.
Në varrezat e Forest Hills, të mbuluar nga dëbora, arkivoli u ndal. Imam Vehbi Ismaili dhe Baba Rexhepi do të mbanin fjalime lamtumire.
Bashkë me Nolin po mbyllej aty në Forest Hills epoka mëse 50 vjeçare Noliane.Sami Repishti në përcjelljen e imzot Nolit shkruante në Dielli: Tetëdhjet e sa vjetë ma parë, kur Shqipnia s’ishte zojë dhe shqiptarët s’ishin zotë, lindi Noli. Në gji të ngrohtë familjesh arbnore Ai mësoi Shqipen, kur shqipja s’shkruhej, desht Shqipninë kur ajo fyhej, desht shqiptarin, kur ai përbuzej, desh të vorfnin për ç’ka s’kishte, desh vëllaun pse s’pati vlla, desh njeriun si krijesë të Zotit….E kishte thanë Zoti që Noli të flasë gjuhën e shqiptarëve. Bariu kishte ardhë. Në kishë, në rrugë, në qytet e fshat, në Parlamentin e madh në kësollën e vogël, të malit, zani i tij kumboi i fuqishëm. Flet Noli! Vllazën:Ndigjojeni zanin e zemrës shqiptare! Profesor Repishti e mbyllte elegjinë kushtuar Nolit: Vdekja e mori Nolin, por Noli vetë, na la Nolin për jetë mes nesh!
Degët e Vatrës dhe vatranët nga të gjitha anët ngushëllonin për ikjen e kryetarit të tyre. Arkëtari i i asaj kohe i Vatrës, Barney Kirka vajtonte:” Imzot, shtjerrë sytë nga qielli e vështro dhe vizito këtë vreshtë që e ka mbjellë dora jote, dhe na ndriço që të plotësojmë porosinë tënde të çkëlqyer. Nga Ohio përcillej vaji i kryetarit të degës 54, ndërsa Ingj. Mahmut Cungu, e cilësonte imzot Nolin si “Ylli i fundit dhe më i shkëlqyshmi i Rilindjes Kombëtare, u shua sot, por aurora e pavdekshme e tij do të jetë drita udhërrëfyese drejt bashkimit kombëtar dhe çlirimit të Atdheut.
Nga Nju Jorku në emër të degës 29 ngushëllonin Kryetari Shazuvan Pashun dhe Sekretari Agim Karagjozi. Në telegramin ngushëllues shkruhej:” Thellsisht të hidhëruar nga humbja e burrit të madh shqiptar,Hirësisë së Tij, Fan S Noli, kryetar Nderi dhe Themelues i Vatrës, lusim Zotin ti japë prehje shpirtit të tij!
Degët e Vatrës nga Chikago, Detroit, Meriland, Pitsburgh, PA, Ontario-Canada, e shumë të tjrea ngushëllonin me telegrame.

Udhëheqësit e komunitetit sjellin në kujtesë testamentin shpirtëror të Nolit

Edhe organizatat e tjera u bënë pjesë e dhimbjes së kolonisë shqiptare për Ikjen e Imzot Nolit. Familja Mbretërore ngushëllonte me 17 Mars, që nga Madridi:” Lajmi i idhët i humbjes të patriotit të madh Imzot Nolit na shqetësoi së tepërmi. Shërbimet e mëdhaja që i ka sjellë Atdheut kanë qenë dhe mbeten gjithmonë të çmushme. Si unë dhe Mbertnesha bashkohemi me Vatrën në këtë zi të madhe. Shpirti i Tij u qetësoftë në Paqe e qetësi!
Leka I
Në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ngushëllonte Prof. Rexhep Krasniqi: I nderuar President i Vatrës
Thellësisht të prekur për humbjen e madhe që ka pësuar Kombësia e Shqiptarëve me vdekjen e Imzot Fan S. Nolit, udhëheqësit të ndritshëm shpirtëror, letrarit gjenial, mbrojtësit të shquar të shqiptarizmit në Botë,bashkëthemeluesit dhe Kryetar Nderi i Vateës famëmadhe, në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ju shpreh ngushëllimet më të ndjeshme.
Rexhep Krasniqi, Kryetar.
Në emër të Asmblesë së Kombeve të Robëruara ngushëllonte kryetarin e Vatrës Jammes Thanas, Z.Vasil Gërmenji-Kryetar dhe Brutus Coste, sekretar i përgjithshëm. Për Hasan Dostin, vdekja e Peshkop Nolit, patriot i madh, themelonjës i Kishës Autoqefale, Kryetar Nderi i Federatës Vatra, ishte një humbje e rëndë për të gjithë Kombin Shqiptar. Shoqërohem në zinë që goditi Vatrën dhe shfaq ndjenja të simpatisë së sinqertë. Populli Shqiptar është i sigurtë se Vatra do të vijojë mbushjen e Misionit të mbrojtjes së Lirisë, indipendencës së tërësisë toksore të Shqipërisë dhe mbajtjes së presitigjit të Kishës Autoqefale Orthodokse që përfaqësojnë Testamentin shpirtëror të Përjetshëm të Kryeprijësit të Madh që varroset sot jashtë Atdheut në tokën e Georgë Ëashngtonit.
Hasan Dosti Los Angeles.
Në emër të Ballit Kombëtar të Bashkuar ngushëlonin Theodor Papalilo dhe Halim Begeja, nga Blloku Independent Kol Çuni, në emër të Partiasë Katundare Organizata e Bashkimit Shqiptar dhe Heroizma Shqiptare, ngushëllonte Isa Elez Ndreu, në emër të Lidhjes së tretë të Prizrenit ngushëllonte Ismet Ukë Sadiku, nga Australia ngushëllimet e shqiptarve i përcillte Safet Aliaj, nga shqiptarët e Turqisë ngushëllonte kryetari i Kolonisë Shqiptare të Stambollit dr. Tare Libohova.
Për vdekjen e Nolit shkroi edhe shtypi amerikan: The New York Times, Boston Globe, The Evening Gaztte- Worcester, Boston Herald,The Boston Sunday Globg, Post Journal-Jamestown, Worcester Daily Telegraph, Miami Herlad etj.

Qeveria amerikane nuk e lejoi misionin shqiptar të shkonte në varrimin e Nolit

Misioni Shqiptar kërkoi leje tek Qeveria Amerikane që të shkonte në ceremoninë e varrimit ët Nolit në Kryekishën e Shën Gjergjit, që t’i bënte nderet në emër të Shtetit Shqiptar, por nuk u lejua. Shefi i misionit Shqiptar u ankua me anë të një proteste drejtuar sekretarit të përgjitshëm të Kombeve të Bashkuara. Përgjigjen e dha publikisht në media në emër të autoriteteve amerikane Mr. Stefenson, kryetar i misionit Amerikan në OKB. Ai shprehu nderim për Peshkop nolin në emër të qeverisë amerikane, por tha se nuk mund ta kuptonte se si mund të nderohej një fetar si Noli nga Kryetari i Misionit Shqiptar, që përfaqësonte një qeveri ateiste”! Ja si e komentoi gazeta e Vatrës këtë refuzim të amerikanëve: Përfaqësuesit e Misionit Permanent të Qeverisë Komuniste të Tiranës, për arsye diplomatike, nuk u lejuan të vinë në Boston. Kurora lulesh të dërguara nga autoritetet komuniste të Tiranë figuronin në Shën Gjergj. Gjesti i Qeverisë amerikane, komenton Dielli, nuk ka të bëjë me popullin shqiptar; ky është vetëm një akt diplomatik me Ëashingtonin, janë masa reciproke e asgëj tjetër.
Gjithësesi qeveria e Tiranës nuk e gëlltiti lehtazi masën ndaluese të amerikanëve, por shkoi më tej: Kërkoi trasportimine trupit të Kryepeshkop Nolit në Shqipëri. Këtë kërkesë të Qeverisë së Tiranës e konfirmon Dielli në kronikën e shkurtër me titull”Trupi i At Nolit Pushon në Amerikë”, publikuar me 24 Mars. Dielli shkruan: Sipas informatave që kemi, Qeveria Komunsite e Tiranës kërkoi transportimin e trupit të Kryepeshkopit tonë në Shqipëri. At Noli që nga viti 1932, kur mori pasaportën amerikane, jetoi vazhdimisht në Amerikë dhe qe një nështetas amerikan. Gazeta jonë nuk bën asnjë koment më shumë për këtë çështje.
Megjithatë, duket se editori dhe Vatra ndërrojnë mendje për të mos e komentuar faktin, aq më shumë kur Shefi i Misionit Permanent Shqiptar dhe Kryeministri Mehmet Shehu, dërgojnë telegrame ngushëllimi(Ia dërguan Kishës dhe Organizatës Shqipëria e Lirë), që tentojnë të përçajnë shqiptarët e Amerikës. Thënë më shqip, Qeveria e Tiranës bënë prova nëse mund ta shkëpusë Nolin nga Vatra pasvdekjes. Në numrin e Diellit të 7 prillit 1965, Vatra i rikthehet problemit të Mehmet Shehut dhe Halim Budos. Dielli merr shkas nga një telegram që kryeministri i atdhershëm i Shqipërisë Mehmet Shehu, i dërgonte Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë. Dielli korrekton Mehmet Shehun dhe Halim Budon, përfaqsuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, për formulimin gabim të emërtesë së Kishës shqiptare në Amerikë dhe për togfjalshin që përdor Mehmet Shehu, vëllezërve patriotë. Dielli shkruan” Gabon rëndë Mehmet Shehu kur na drejtohet me fjalët”Vëllezër patriotë”, ne nuk jemi vëllezër të atyre që shtypin popullin. Gabon rëndë edhe kur e kërkon trupin e Hirësisë Noli drejtëpërdrejtë nga Kisha kombëtare -amerikane. Ai harron se -Kisha, duke qenë një institucion amerikan nuk ka të drejtë të vendos në një çështje kaq delikate e që është kompetencë e autoriteteve amerikane, dhe vetëm i atyre, sepse At Noli është nënshtetas amerikan. Këto gjëra Mehmet Shehu i din, por nuk i dijnë”patriotët vëllezër”(këtu është fjala për anëtarët e Organizatës Shqipëria e Lirë, që bashkëpunonin ngushtësisht me regjimin e Tiranës), që duke qenë amerikanë, lipset që të mos çajnë fare kokën për shokun Mehmet Shehu, qesëndis Dielli. Shqiptaro-amerikanët kanë për Kryetar presidentin L. B.Johnson. Pra Mehmet Shehu na fyen rëndë duke kërkuar të na ndajë dhe të themelojë këtu në Amerikë një kollonë të pestë me’vëllezërit patriotë”.
Më pas Dielli merret gjatë me telegramin e Halim Budos, me tituj kilometrikë, si e ciëlson gazeta e Vatrës. Diplomati komunist, shfaq keqardhjen sepse Qeveria Amerikane nuk e lejoi të vinte në Boston”që të mirrja pjesë si përfaqësues i popullit shqiptar”.
Dielli komenton:Amerika bëri mirë sepse Halim Budo mbron Kinën, Vietnamin e Veriut, Kubën dhe atakon Amerikën. Kësaj i thonë përfaqësi e popullit shqiptar? Budo, shkruan Dielli, që është njeri me kulturë, por janë kanë larë trurin me doktrinën e Marksit, Englesit, Leninit, Stalinit e Maos, citon Nolin më së pari në”Kryetrimat që çliruan Shqipërinë” e harron se kjo shprehje ishet e mirë në atë kohë, por pastaj nuk pinë më ujë , sepse Amerika i konsideronte si aleatë ata që u mshihnin nën maskën e Frontit Nacionalçlirimtar, çpikje si ato të gjitha vendeve komuniste, që përmbysin një regjim e ngrinin nëj tjetër dhe më të zi.
Dielli komenton një shprehje të Budos në telegramin ngushëllues, ku shkruante:” Fronti Demokratik i Shqipërisë e Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë parë gjithëmonë te personi i Nolit patriotin e madh e të palodhur.”
“Akoma nuk janë mërzitur me këto shprehje?” shkruan Gazeta e Vatrës, e cila shkon në përfundimin se: Sa për At Nolin, po ta kishte pasur në dorë Qeveria e kuqe, Ati Ynë sigurisht do të kishte mbaruar në burg ose edhe në litar, ku ksihin shkuar shokët e tij. Një njeri siç ishte Peshkop Noli do të kishte protestuar me tërë afshin e zemrës së tij kundër gjaksirave që ngjanë nën regjimin komunist gjer në ditët e sotme. Tani kërkojnë të na e grabisin për së vdekuri,e të lavdërohen me emrin e tij. Noli, kur e kuptoi se kush ishin trimat komunistë, që e lanë me gjak të tërë trollin shqiptar(siç ua dedikonte ai Albumin e vet), i mbushën vendin me kampe përqëndrimi e burgje, varën e pushkatuan e zhdukën nag faqja e dheut patriotët shqiptarë. Dielli replikon gjatë me telegramin propagandistik të kryediploamtit komunist në New York, që përpiqej t’i hidhe benzinë zjarrit të përçarjes, duke i ndarë shqiptarët e Amerikës në armiq dhe vëllezër patriotë.
Sigurisht qëllimi i Qeverisë komuniste nuk u relaizua, Kryetari i Vatrës mbeti përjetë me Vatrën. I përjetshëm qoftë Kujtimi i Imzot Nolit!

Filed Under: Histori Tagged With: vdekja e Nolit

VATRA-50 VJET NGA VDEKJA E FAN S NOLIT

March 9, 2015 by dgreca

VATRA DO TA PËRKUJTOJE 50 VJETORIN E VDEKJES SË FAN S. NOLI ME NJË VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE/
Me 13 Mars 2015 mbushen 50 vjet nga vdekja e Imzot Nolit, ish kryetarit të Vatrës, editorit të parë të Diellit, themeluesit të Kishës Orthodokse Shqiptare në SHBA, diplomatit, përkthyesit, eruditit, Fan Stilian Noli.
Veprimtaria do të organizohet në Shtëpinë e Vatrës të Premte me 13 Mars 2015 në orën 6 pasdite.
Në këtë veprimtari do të shfaqet nje dokumentar nga TV Kultura Shqiptare dhe do të mbahen kumtesa nga zotërinjët: Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Anton Cefa, Sinan Kamberaj dhe Dalip Greca.
Ne mesazh pershendetes vjen me kete rast edhe nga At Arthur Liolin, Kryekancelar i Kishes e Shen Gjergjit.

Filed Under: Vatra Tagged With: 50 vjet, Vatra, vdekja e Nolit

KONFUZIONI I PESË ANARKIVE NDËR SHQIPTARËT

March 2, 2015 by dgreca

ME RASTIN E 50 VJETORIT TË VDEKJES SË FAN NOLIT/
Nga Frank Shkreli/
Ish kryeministri i Shqipërisë dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Peshkop Fan Noli ndërroi jetë me 13 Mars, 1965 në qytetin Fort Lauderdale të shtetit Florida në Shtetet e Bashkuara, nga një sëmundje e rëndë në moshën 83-vjeçare. Ai kishte jetuar atje gjatë disa viteve të fundit të jetës së tij pothuaj i izoluar nga jeta aktive politike dhe shoqërore.
I përndershmi Imzot Fan Noli konsiderohet si njëri prej më të dalluarve të politikës shqiptare të shekullit të kaluar, si një ndër më të njohurit udhëheqës fetarë shqiptarë si dhe ndër më të shquarit shkrimtarë, poetë e përkthyesë, ndër të tjera. Në moshë të re ai kishte emigruar në Boston të Shteteve të Bashkuara, ku më 1908 themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Fan Noli gëzon një vend të rëndësishëm në letërsinë shqiptare dhe si përkëthyes i veprav e letrare me fame botërore. Talentet e Nolit në fushën e letërsisë, përkëthimit dhe të poezisë njiheshin edhe jashtë botës shqiptare. Në Korrik të vitit 1964, me rastin e 400-vjetorit të Shekspirit, së bashku me disa personalitete të letërsisë botërore, Fan Noli ishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Lyndon Johnson për të marrë pjesë në përkujtimin e rastit.
Fan Noli diplomohet në njërin prej universiteteve më të dalluar të Amerikës dhe të botës, në Universitetin Harvard. Ai zhvilloi një aktivitet të ngjeshur politik dhe shoqëror në komunitetin e atëhershëm shqiptaro-amerikan në Boston të shtetit Masaçusets, ku shërbeu si President i Organizatës Pan-Shqiptare Vatra dhe organit të saj gazetës Dielli, duke e bërë atë de fakto udhëheqësin kryesor të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Si njëri prej arkitektëve të një partie politike shqiptare të tipit perëndimor, ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë në fillim të 1920-ave. Me përpjekjet e tija diplomatike në mbështetje të Shqipërisë dhe të sovranitetit të saj, ai mundi të siguronte përkrahjen e Presidentit amerikan të kohës së tij, Woodrow Wilsonit për shtetin e ri shqiptar dhe me zotësitë e tija politike dhe falë rolit të tij diplomatik, Fan Noli siguroi edhe antarësimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve — para-ardhësen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara – duke i siguruar vendit të tij njohjen ndërkombëtare mbrenda kufijve të sotëm, njohje që i mungonte deri atëherë shtetit të ri shqiptar.
Me ardhjen e Mbretit Zog në fuqi, Fan Noli detyrohet të arratiset në Europën Përendimore, duke i dhënë fund një eksperimenti politik shqiptar që konsiderohet nga disa si periudha e lirisë së vërtetë dhe e një parlamentarizmi të pashoqtë në jetën politike shqiptare gjatë viteve 1921-1924.
Gjëndja e kombit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar ishte e mjerueshme. Ndërkohë që popujt ballkanikë po i jepnin grushtin e fundit sundimit shekullorë të perandorisë otomane, shqiptarët të ndarë e të përçarë në krahina e besime të ndryshme dhe me paragjykime dhe inate ndaj njëri tjetrit, po kalonin nepër një konfuzion dhe njëkohsisht po përballeshin me një anarki politike, shoqërore dhe morale. Ndër shqiptarët, sundimi otoman kishte lënë gjurmë prapambeturie mjesjetare që nuk do të fshiheshin kollaj. Ishte kjo një periudhë kur populli shqiptar rrezikohej nga armiqtë shekullorë të kombit shqiptar, ndërsa vetë shqiptarët kërcënoheshin nga një anarki politike e mbrendshme, e cila rrezikonte jetën e përditshme dhe sado pak pasuri që posedonin shqiptarët e thjeshtë. Ishte kjo gjëndja e vërtetë me të cilën përballej Fan Noli në fillim të 1920-ave, një errësirë kombëtare dhe morale kjo e cila, për fat të keq, do të afektonte të ardhmen e kombit dhe fatet e tija për dekada me radhë.
Ishte ky një realitet që i tronditi shpirtin dhe zemrën Fan Nolit, një aktualitet i shoqërisë shqiptare që Noli ndjeu thellësisht për popullin e tij shumë të vuajtur, i lënë në mëshirë të Zotit nga të huajt dhe nga udhëheqsit e tij. Siç duket, i lodhur shpirtërisht dhe politikisht dhe i vetdishëm ndaj asaj që ai ka cilësuar si anarki politike dhe morale të asaj kohe, Fan Noli i bën një analizë — mund të thuhet një analizë të qëlluar të politikës shqiptare të afër një shekulli, ndërkohë që i mbetet lexuesit ta vlersojë se sa krahasuese është analiza e Nolit e shkruar me 27 shtator, 1923 me gjëndjen e sotëme të aktualitetit politik, jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan. Në analizën e tij, Fan Noli deklaronte në vitin 1923, me një ton dëshpërimi se:
“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.
E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, trathëtori bëhet patriot dhe patrioti trathëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkretuar anembanë Toskërinë; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu trathëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e ketyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i ç’qitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.”
Fan Noli, i diplomuar nga një prej universiteteve më me famë botërore, kishte mundësinë të jetonte shumë mirë në Amerikë dhe të mos çante kokën se ç’po ndodhte në Shqipëri. Ai mund ta bënte këtë ndoshta si një profesor në ndonjë universitet të njohur amerikan, apo në ndonjë fushë tjetër veprimtarie akademike, por jo. Ai, si edhe shumë bashkpuntorë të tij, si Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Bajram Curri e të tjerë, vendosi që t’i dedikonte kombit të vet të gjithë energjinë mendore dhe fizike si dhe talentet e shumëta që i kish falë Perëndia. Por megjithë trajtimin që mori dhe megjithë anarkinë që la pas në vendin e tij — Fan Noli zgjodhi Amerikën, vendin e lirisë dhe të demokracisë, ku u vendos përfundimisht, për të vazhduar t’i dedikonte të gjitha fuqitë e tija për të mirën e fatit të kombit shqiptar dhe të idealeve të atdheut – drejtë një realizimi ku shqiptarët, më në fund, të gjejnë një vatër të përbashkët lirie, demokracie, paqeje dhe mirëkuptimi për bashkjetesë — veprimtari të cilat ai nuk i ndërpreu deri në vdekjen e tij 50-vjetë më parë, në mars të vitit 1965, në qytetin Fort Lauderdale të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara. Për kontributet e mëdha historike dhe për rëndësinë e veprës së tij, Fan Noli duhet të kujtohet në këtë përvjetor dhe përgjithmonë, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan të cilin ai e udhëhoqi për shumë vite dhe me të cilin bashkpunoi ngusht tërë jetën për të mirën e kombit të vet – por nga të gjithë shqiptarët kudo.
Nga Frank Shkreli

FAN NOLI:
Jepni Për Nënën
Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.

Filed Under: ESSE Tagged With: 50 vjet, Frank shkreli, KONFUZIONI I PESË ANARKIVE, NDËR SHQIPTARËT, vdekja e Nolit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT