PDIU reagon pas takimeve të Venizellos në Tiranë: Mospërmendja e çështjes çame, e papranueshme/
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar pas takimeve të zëvendëskryeministrit grek Venizellos në Tiranë.
Me anë të një deklarate PDIU thekson faktin se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e kanë të vështirë të gjejnë konsensusin për të mirën e kombit, si reformat e nëpunësit civil dhe reformën administrative, por, e gjejnë konsensusin e heshtur në dëm të së mirës kombëtare për të mos diskutuar çështjen çame.
“Mospërmendja e çështjeve tona kombëtare, si çështja çame, është e papranueshme”, thuhet në deklaratën e PDIU.
“Ne duam të besojmë se në togfjalëshin « mirëpërdorim të Traktatit të fqinjësisë së mirë dhe aktivizim të komisioneve për çështjet që na shqetësojnë », dy palët kanë folur për çështjen çame. PS në qeverisje e ka detyrim të respektojë Rezolutën e riaktualizuar në parlament, zotimet e veta sipas projektrezolutës që inicioi, dhe programin e saj në lidhje me çështjen çame”, vazhdon deklarata.
PDIU reagon gjithashtu edhe për çështjen e toponimeve, ku po humbet shumë kohë.
“Praktika ndërkombëtare të cilës i janë referuar dy ministrat e jashtëm ka shumë modele, por ne duam atë që nuk i krijon probleme,kosto shtesë qytetarëve tanë”.
Deklarata e plotë
“Ndoqëm me vëmendje njoftimet dhe deklarimet e bëra nga politikanët kryesorë të vendit pas takimeve me zëvendëskryeministrin grek Venizelos. Është krejt e qartë se për shkak të krizës ekonomike dhe mbajtjes së presidencës së radhës së BE-së, Greqia është e interesuar të mbajë qëndrime konstruktive ndaj vendeve të rajonit, në veçanti Shqipërisë. Kështu ngjanë disa prej qëndrimeve që u shfaqën prej numrit dy të qeverisë greke. Por për ne si parti që ka në programin e vet mbrojtjen e interesit kombëtar, në veçanti zgjidhjen institucionale të çështjes çame mbeten disa pikëpyetje prej këtyre takimeve.
A është biseduar për çështjen çame, që nuk u përmend specifikisht në publik nga drejtuesit e institucioneve të përfshirë në bisedime ? Ne e dimë se përmendja publike e kësaj çështje krijon ndjeshmëri tek pala tjetër, por ama e dimë se përmendja tregon vendosmëri në mbajtjen gjithmonë në axhendë të kësaj çështjeje.
Shpresojmë që në takimet kokë-më-kokë të ketë pasur një dosje të dhënë në duart e zëvendëskryeminsitrit grek për të mos u dukur një “larje goje” detyrimi shtetëror i politikës shqiptare nga të dyja peshores politike, që e kanë të sanksionuar me një rezolutë të miratuar në Kuvend. Nëse ky është serioziteti i shtetarëve të sotshëm, të djeshëm e të ardhshëm, atëherë shoqëria do të kërkoj zgjidhje të reja, ndoshta edhe radikale.
Përmendja e togfjalëshit « mirëpërdorim i Traktatit të miqësisë, dhe riaktivizim i komisioneve dypalëshe », të krijon idenë e një kornize të mirë juridike për ballafaqimin me çështjen çame apo dhe çështje të tjera si ajo e pronave të shqiptarëve, të drejtat e minoritetit shqiptar në Greqi, etj. Por a janë diskutuar të gjithë këto çështje në takimet me zotin Venizellos ?
Na duket e çuditshme ndërkohë sesi kreu i partisë kryesore të opozitës, zoti Basha nuk ka përfshirë në njoftimin zyrtarpërmendjen e kësaj çështjeje, gjithmonë nëse ajo është përmendur ne takim. Opozita duhet te jete me ezeshme per keto ceshtje.
PS dhe PD e kanë të vështirë të gjejnë konsensusin për të mirën e kombit, si reformat e ligjit të nëpunësit civil dhe reformën administrative, por, e gjejnë konsensusin e heshtur në dëm të së mirës kombëtare për të mos diskutuar çështjen çame. Mospërmendja e çështjeve tona kombëtare, si çështja çame, është e papranueshme.
Çështja e toponimeve për të cilën PDIU gjithmonë ka qenë aktive, propozuese, e angazhuar, u përmend gjithashtu, por mbetet e paqartë se cila është praktika ndërkombëtare të cilës palët duhet t’i referohen. Pse kjo praktikë na ofroka zgjidhje kaq të vonuara dhe të shtyra në kohë, e që krijojnë kosto tek qytetarët tanë ?
Të mos harrojmë se kjo është një çështje të stisur nga pala greke, thjesht dhe vetëm për tu hakmarrë nga rizgjimi i shqiptarëve të Çamërisë dhe i çështjes çame. Ndaj, kjo është çështje po aq politike, sa janë politike dhe shpalljet non grata në kufi të gazetarëve, gjyqtarëve, nëpunësve shtetërore, përfaqësuesve politikë, e kategorive të tjera të respektueshme të shtetit shqiptar, për të cilat z. Venizelos deklaroi se “nuk dinte gjë”. Nëse ai dinte dhe gënjeu, është problem i madh në marrëdhëniet dypalëshe. Nëse ai nuk dinte realisht, atëherë pyetja retorike që lind është përse i paguajmë, ne taksapaguesit, punonjësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga ministri e deri te punonjësi më i thjeshtë? Si nuk e paskan informuar ministrin grek për këto padrejtësi, që helmojnë çdo ditë e më shumë marrëdhëniet shqiptaro-greke?”