Tirana do të ketë një monument që simbolizon burgosjen politike dhe izolimin 50-vjeçar të popullit shqiptar.
Për këtë qëllim, bashkia e Tiranës organizoi një konkurs dhe në fund është zgjedhur projekti i Ilirian Shimës “Zinxhirët”, i cili do të jetë edhe monumenti që përkujton viktimat e komunizimit në Tiranë.
Në konkurs u paraqitën 20 vepra dhe nga këto u përzgjodhën 11 me autorë Emanuel Koko, Ilirian Shima, Rubin Mandia, Olend Çopani, Idriz Balani, Miço Mone, Joana Dhiamandi, Vasil Rakaj, Petraq Prifti, Adrian Pepa, Gentian, Mitat e Artan Peqini.
Zinxhirët janë simbol burgosje dhe izolimi i popullit tonë në 5 dekada, thotë Shima.
Ndjesia e metaltë të lejon menjëherë të ndjesh peshën, shtrëngimin prangor si dhe ftohtësinë e tyre.
Vepra do të vendoset në lulishten përballë Muzeut Historik Kombëtar.( G.M)