• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prisni Zonja Vjosa,se ka dava Janina!

September 18, 2020 by dgreca

Shkruan:Prof.dr. Eshref Ymeri–

Në faqen e internetit “Radio Evropa e Lirë”, të datës 11 shtator, u njoha me intervistën e Zonjës Vjosa Osmani, me titull “Rrezik nga një Republika Srpska në veri të Kosovës”. 

Në atë intervistë shtroheshin shumë probleme serioze për ekzistencën e Kosovës, si një shtet sovran dhe funksional. Zonja Vjosa, si një politikane, e brumosur me vetëdije të lartë kombëtare, ka folur me autoritetin e një intelektualeje të kultivuar, për të cilën mbrojtja e interesave jetike të Republikës së Kosovës përballë epsheve të pashuara shoviniste serbosllave, edhe më shumë se 20 vjet pas përfundimit të luftës, është detyrë mbi të gjitha detyrat, është shenjtëri mbi të gjitha shenjtëritë.

Për Marrëveshjen e Vashingtonit janë shprehur analistë, opinionistë, publicistë, qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë në atdheun amë. Mendoj se peshorja e vlerësimit të asaj marrëveshjeje ka anuar nga negativizmi. Por vlerësimi që  bën Zonja Vjosa Osmani, është i një rëndësie të veçantë, sepse ajo është një politikane me emër të nderuar në skenën politike kosovare. 

Nga intervista e saj rezulton se Marrëveshja e Vashingtonit është një dështim i plotë i delegacionit kosovar që drejtonte kryeministri Hoti.

Në atë intervistë, Zonja Vjosa ka nxjerrë në pah disa qëndrime skandaloze të atij kryeministri.

Së pari, delegacioni kosovar paska pranuar që Republikës së Kosovës “t’i referohet vetëm si Kosovo”, çka do të thotë se Prishtina zyrtare pranon tërësisht qëndrimin e Beogradit se Kosova u dashka që të mbajë jo emrin “Republika e Kosovës”, sipas Kushtetutës, po emrin serbosllav “Kosovo”. Në këtë mënyrë, kryeministri Hoti dhe delegacioni i tij respektojnë plotësisht kushtetutën serbe, sipas së cilës Republika e Kosovës është pjesë e Serbisë. Një qëndrim i tillë i kryeministrit Hoti nuk mund të vlerësohet ndryshe, përveçse si tradhti e kulluar.

Së dyti, kryeministri Hoti, sipas zonjës Vjosa Osmani, “është i vetmi zyrtar publik i Kosovës, që ka pranuar deri më sot që të rihapet tema e Asociacionit të komunave (me shumicë) serbe”. Dhe, çuditërisht, kryeministrit Hoti s’ia bën syri tërr, që, me këtë deklaratë, po aq skandaloze, është ngritur kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, e cila nuk e pati pranuar krjimin e atij asociacioni. Përsëri kryeministri Hoti ka kryer një akt tradhtie të kulluar. Aq më tepër kur më 10 shtator, siç rezulton nga intervista e Zonjës Vjosa Osmani, kryeministri Hoti paska deklaruar publikisht në Parlamentin Evropian se “do ta zbatojë plotësisht Marrëveshjen për Asociacionin të vitit 2015”, çka është katërcipërisht në kundërshtim flagrant me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë, kryeministri Hoti ka shkelur rëndë rendin kushtetues në Republikën e Kosovës, sepse, siç e thekson zonja Vjosa, ai, harbutërisht, paska deklaruar “unë nuk flas kurrë për Kushtetutën”. Normalisht, në një shtet me dinjtet kombëtar, në një shtet ligjor, ku mbi ligjin themeltar nuk mund të ngrihet kurrkush, kryemistrin e vendit, pas deklaratave të tilla antikombëtare, organi më i lartë ligjvënës e shkarkon menjëherë nga posti i tij dhe e padit në organet e drejtësisë për tradhti të pastër. Fakti që Kuvendi luan rolin e soditësit të paanshëm para qëndrimeve antikushtetuese të kryeministrit Hoti, dëshmon më së miri se në Republikën e Kosovës nuk ekziston absolutisht shteti sovran dhe funksional, se vendi nuk është i pavarur, se atje ekziston një republikë bananesh, ku ligjin e bën pakica serbe dhe Beogradi. Prandaj, siç theksohet në faqen e internetit “Syri” të datës 04 shtator, “në një fjalim para zgjedhjeve presidenciale, kandidati demokrat për president të SHBA-së Joe Biden, tha se Kosova duhet të jetë një shtet i pavarur, e jo pjesë e Serbisë”. Pra, Kosova pavarësinë e ka formale, jo faktike, siç rezultoi nga Marrëveshja e Vashingtonit. Kjo është një fatkeqësi e rëndë, ky është një mjerim i madh politik jo vetëm për popullin shqiptar të Republikës së Kosovës, por edhe për mbarë kombin shqiptar.

Me qëndrimet e veta tradhtare ndaj krijimit të Asociacionit të komunave serbe, kryeministri Hoti ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë me besnikëri hullinë e tradhtisë së Thaçit gjatë periudhës së bisedimeve me përfaqësuesit serb në Bruksel, qoftë kur ishte kryeministër, qoftë si president. Sepse krijimi i asociacionit në fjalë nuk është gjë tjetër, veçse një strukturë me kompetenca ekzekutive, e cila nuk e njeh autoritetin e Prishtinës dhe funksionon si një shtet brenda shtetit. 

Kryeministri Hoti le ta shtrojë në Parlamentin Evropian çështjen e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe, se atje do të gjejë mbështetjen e fuqishme të brukselizmit, i cili, si trashëgimtar i zellshëm i kasapëve të Konferencës së Londrës që copëtuan trojet tona etnike në vitin 1913, nuk është ngopur ende me rrudhosjen e tyre tragjike deri në ditët tona. Kujtoni këmbënguljen e brukselizmit për kalimin nën juridiksionin e Malit të Zi të 8200 ha tokë shqiptare, me premtimin për heqjen e vizave për Republikën e Kosovës, premtim që nuk e mbajti absolutisht, duke mashtruar në mënyrën më të pahijshme.

Në intervistën e vet, Zonja Osmani ka prekur edhe çështjen e kishave serbe. Dihet që Beogradi ka kërkuar me kohë dhe vazhdon të kërkojë me ngulm një status të veçantë për kishat, manastiret dhe “pronat e tyre”, të grabitura në trojet e Dardanisë. Etnia shqiptare, që kryeherazi, ka qenë, është dhe gjasat janë se do të vazhdojë të jetë pa zot edhe në të ardhmen. Se po të  kishte pasur zot, ardhacakët serbë nuk duhet t’i kishte lejuar të grabitnin objektet e kultit katolik që filluan të ngriheshin në Dardani në shekujt që pasuan pas Ediktit të Milanos të perandorit Konstantin të vitit 313, kur ilirët, të parët në gadishullin tonë, përqafuan krishterimin perëndimor. Por iliroshqiptarët, si etnia tragjikisht më e përçarë në Gadishullin Ilirik, nuk ua vunë veshin kërkesave të Papa Benediktit XI dhe Papa Klementit V, dërguar mbretit Milutin dhe Stefan Dushanit më 1346, duke urdhëruar që të lirojnë kishat katolike, të uzurpuara në Graçanicë,  Artane, Janjevë, Pejë, Deçan dhe Prizren. Sikur Republika e Kosovës të kishte zot, kërkesave të Beogradit për një status të veçantë të të ashtuquajturave kisha dhe manastire serbe, duhej t’u përgjigjej me një kundërkërkesë për lirimin e tyre, se ato janë kisha dhe manastire katolike, të cilat pushtuesit serbë i shndërruan në ortodokse. Statusi i veçantë i kishave serbe që kërkon Beogradi, është një objektiv me qitje të largët, për çka do të bëhet fjalë më poshtë.

Siç rezulton nga intervista, Zonja Vjosa Osmani ka një meritë të jashtëzakonshme në këmbënguljen e saj për rivendosjen në vend të dinjitetit kombëtar të Republikës së Kosovës në qëndrimin ndaj Serbisë. Në këndvështrimin tim, ajo është e para politikane e formatit nacionalist, e cila ka bërë publike një të vërtetë tragjike për vetëposhtërimin e kastës politike kosovare me lëshimet skandaloze që ajo i ka bërë shovinizmit kriminal serb. Ajo ka deklaruar:

“…lista e koncesioneve të Kosovës do t’ju marrë ditë të tëra që ta lexoni, kurse listën e Serbisë do ta lexoni për dy sekonda, sepse janë të vogla dhe, për më shumë, nuk i ka zbatuar as ato pak që i ka bërë. Pra, Serbia nuk është duke bërë fare, asnjë kompromis”.

Së dyti, ajo është e vetmja politikane që ka deklaruar se “Kosova bën kompromis me vetë faktin që ulet përballë një agresori, i cili ka kryer gjenocid në Kosovë”. 

Vetë fakti i pranimit nga kasta politike kosovare të kompromisit për t’u ulur në bisedime me një shtet agresor, armik të betuar jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të mbarë kombit shqiptar, është lëshim vetëposhtërues, përderisa ai shtet armik nuk e di se çdo të thotë institucion i pendesës publike për krimet e kryera. Këtë lëshim kaq të rëndë, kasta politike kosovare e ka bërë, sepse, faktikisht, ka pasur dhe vazhdon të ketë në krye mercenarë të regjur të Beogradit dhe servilë të pështirë të brukselizmit, si Thaçi me bandën e tij.

Problemi më shqetësues, sipas meje, që shtron Zonja Vjosa Osmani në intervistën e vet, ka të bëjë me Veriun e Mitrovicës. shqetësim që bie në sy edhe në titullin e intervistës “Rrezik nga një Republika Srpska në veri të Kosovës”. Nga një gjykim gjakftohtë dhe objektiv, del vetvetiu përfundimi se Republika Srpska në veri të Kosovës, faktikisht, është krijuar me kohë e me vakt, paçka se ajo nuk figuron e pranuar publikisht dhe e zyrtarizuar. Themelet e krijimit të asaj republike i hodhi tradhtari Thaçi, i cili, siç deklaron Prof.dr. Enver Bytyçi, njohës i mirë i problemeve të Republikës së Kosovës dhe i realiteteve kosovare në tërësi, ka deklaruar:

“Askush nuk i tha atij (Hashim Thaçit – E.Y.) pse në qershor 1999 e ndaloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të çlironte veriun e Mitrovicës dhe në vend që rojet serbe, urën ta kontrollonte UÇK! A ishte ky akt i tij preludi i projektit të ndarjes së Kosovës, të cilin e propagandon sot?!” (Citohet sipas: Prof.dr. Enver Bytyçi.  “Hashim Thaçi në rolin e çakallit sipas skenarit serb të Beogradit!”. Faqja e internetit “xhafershatri.info”. 24 maj 2019).

Pra, që prej qershorit të vitit 1999, veriu i Kosovës nuk u vu kurrë nën juridiksionin e Prishtinës, qoftë para shpalljes, qoftë pas shpalljes së pavarërisë. Prandaj edhe sot e kësaj dite, atje qeverisin sebët në qejfin e vet. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i besuan verbërisht shtabit të saj drejtues dhe, siç e kanë pasur traditë brez pas brezi shqiptarët, atyre u mungoi aftësia vetorganizuese për të zbuluar tradhtinë e Thaçit dhe të bandës rreth tij. Për pasojë të mungesës së vetorganizimit, populli i Mitrovicës së Jugut dhe banorët përreth, nuk u ngritën më këmbë me armë në dorë dhe të turreshin drejt Mitrovicës së Veriut, për t’u vënë drunë serbëve, si bashkëpunëtorë të ngushtë të bandave të Arkanit dhe të Sheshelit që kryen masakra të tmerrshme në mbarë Kosovën. Por atë që s’e bëri Hashim Thaçi për çlirimin e Veriut të Mitrovicës, e bënë serbët, të cilët e çliruan Veriun e Mitrovicës nga shqiptarët, banorët rrënjës të asaj treve, duke i dëbuar mijëra syresh nga vatrat e tyre amtare. Si troje pa zot që kanë qenë mbarë trojet tona etnike që prej lashtësisë, edhe në rastin e Mitrovicës së Veriut, nuk mund t’u dilte kush zot në qershorin e vitit 1999, kur Thaçi kreu aktin e tradhtisë lartë ndaj Kosovës, akt që shpjegohet me rekrutimin e tij në vitet ’90  nga një oficer francez, siç e ka denoncuar nacionalisti i diasporës në Gjermani Xhafer Leci, në një analizë me titull “Thaçi nën hijen e Millosheviçit”, të botuar në faqen e internetit “Zemra Shqiptare”, 22 prill 2014. Për shkak të tradhtisë së Thaçit, jo rastësisht trupat franceze të KFOR-it u vendosën në Mitrovcën e Veriut. Për pasojë, – thekson Xhafer Leci, – “përpjekjet e UÇK-së për të marrë kontrollin e minierave të Trepçës, u penguan nga trupat franceze më 3 korrik 1999”. Nuk mund të ndodhte ndryshe, nuk mund të ndodhte si në Kroaci, në një vend me zot, siç ishte presidenti i nderuar Franjo Tuxhman (Franjo Tudjman  1922-1999), i cili, si një udhëheqës, i kalitur me ndjenja nacionalizmi të jashtëzakonshëm, bëri që ushtria kroate, Republikën e Krajinës Serbe brenda territorit kroat, ta zhdukte nga faqja e dheut midis 4 dhe 7 gushtit të vitit 1995.

Dhe çfarë ndodhi në vitet në vazhdim pas tradhtisë së Thaçit? Publicistja Kimete Berisha, në një analizë që pati botuar në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të datës 04 maj 2020, sqaron se si, pa një marrëveshje me Kosovën, “Serbia po i kthen në Kosovë serbët që kurrë s’kanë qenë në Kosovë, u ka ndërtuar shtëpia në veriun e vendit, shumica e pronave të shqiptarëve në Veri janë blerë nga qeveria serbe, kurse nga Lugina ikin shqiptarët”. 

Për tradhtinë e lartë që kreu Thaçi ndaj Mitrovicës së Veriut dhe mbarë Kosovës, për krimet e tij të rënda, ka dëshmuar zotëria i nderuar me bindje nacionaliste Naim Miftari, ish shefi i ZKZ dhe që ishte prezent në sigurimin e Thaçit atë ditë kur ky i fundit shkoi në Mitrovicë. Ai, ndër të tjera, ka shkruar, duke iu drejtuar Thaçit publikisht:

“Nuk shpjeguat rolin tuaj në 2 dhe 3 shkurt 2000 kur e pastruat veriun e Kosovës nga shqiptarët, në koordinim me shefin tuaj francez, Denjear Arnaud dhe me republikën e Serbisë që kishte sjellë me autobusë paramilitarë, mercenarë dhe MUP-ovca (ishin vendosë si pacientë kinse në spitalin e Mitrovicës) disa ditë më herët, kur edhe ishte bërë plani për dëbimin, vrasjen, plaçkitjen, rrahjen e mbi 14.500 shqiptarëve që jetonin në Mitrovicën e Veriut”.

Lexuesit atdhetarë, me bindje nacionaliste, mund ta gjejnë të plotë reagimin e zotërisë së nderuar Naim Miftari, ku mund të njihen edhe me shumë krime të tjera të Thaçit. Reagimi  tij titullohet: “Demantohet Thaçi, personi që ishte prezent në sigurimin e tij, zbulon gjithçka se çfarë ndodhi në Mitrovicë”. Faqja e internetit  e gazetës “Bota Sot”. 09 qershor 2019.

Është me të vërtetë për të vënë kujën që Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka anashkaluar tradhtinë e rëndë të Thaçit dhe ka lejuar që ai të mbajë postet më të larta në krye të vendit, si deri tani. Një gjë e tillë, me siguri, ka ndodhur për arsye se Thaçi dhe banda e tij, me kohë, janë kujdesur tej  mase që shumica e deputetëve të përbëhet nga njerëz pa kurrfarë morali kombëtar, nga mercenarë në shërbim të Beogradit. Lexuesit e nderuar le të kujtojnë rastin e deputetit Haxhi Shala, i cili një ditë më parë ishte shprehur kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti. Gjatë votimit në Kuvend, vota e deputetit Haxhi Shala do të ishte vendimtare, se nëse ai edhe në Kuvend do të votonte kundër, qeveria Kurti nuk do të ishte rrëzuar. Por Thaçi, bashkë me mercenarin e vet moralhumbur Ramush Haradinaj, i shkoi natën në shtëpi Haxhi Shalës për t’i mbushur mendjen që të votonte pro mocionit. Dhe Haxhi Shala e tradhtoi Kurtin, pa iu skuqur faqja. Nuk dihet arsyeja e vërtetë se pse Haxhi Shala mbajti atë qëndrim të turpshëm: e bleu Thaçi me ndonjë shumë të majme parash apo e kërcënoi? Në një analizë, kushtuar rrëzimit të qeverisë Kurti, publicisti i njohur nacionalist shqiptaro-amerikan në Nju Jork, anëar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Hafiz Shala, e pati demaskuar mirë votën kundër të Haxhi Shalës, duke përdorur shprehjen e famshme “çdo fis e ka një pis”.

Me humbjen e Mitrovicës së Veriut, Kosova mbetet “pa kokë”, Ujmani dhe minierat e Trepçës janë “truri” ushques i Kosovës. Por e keqja s’mbaron me kaq, sepse duhet pritur se ka dava Janina (dardha e ka bishtin prapa).

Me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe me statusin e kishave “ortodokse” që shtrihen në mbarë vendin, Republika e Kosovës mbetet edhe pa “mushkëri”. Pra, ajo do të shndërrohet në një pseudoshtet-robot, pultet e komandimit të të cilit i ka në dorë Beogradi. Dhe ç’duhet të bëjë paskëtaj? Derisa Kuvendi i Kosovës, fill pas shpalljes së pavarësisë, nuk mori vendimin e dytë për hedhjen në koshin e mbeturinave të Pakos Ahtisaari dhe nuk organizoi menjëherë zhvillimin e referendumit për ribashkimin me atdheun amë, nuk mund të shpresohet kurrsesi që Kosova mund të bëhet ndonjëherë e pavarur. Kryepeshkopi Irinej, i cili qëndron vendosmërisht pas perdes së politikës shoviniste serbe, duke e njohur mirë natyrën mercenariste dhe servile të kastës politike të deritanishme në Kosovë, në raport me Beogradin, sidomos rolin e saj për shpopullimin e Kosovës përmes varfërimit të njerëzve, nuk ka pasë deklaruar kot se Serbia do të kthehet në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh.

A do të arrijnë Vetëvendosja dhe formacioni i ri politik që do të formatojë Zonja Vjosa Osmani, që, në zgjedhjet e ardhshme, të krijojnë një tjetër klasë politike me vetëdije të lartë kombëtare, ta rikthejnë Veriun e Mitrovicës në gjirin e Kosovës dhe t’i thonë publikisht minoritetit serb, që, nëse dëshiron të bashkëjetojë me shqiptarët – mirë, nëse nuk dëshiron – të largohet për në Serbi? Ardhja në pushtet e kësaj klase të re politike me dinjitet të lartë kombëtar, në këndvështrimin tim, do të ishte baras me një shpallje të dytë të pavarësisë së vërtetë të Kosovës, për të pasur një shtet me të vërtetë sovran dhe funksional dhe për ta nxjerrë Hashim Thaçin para organeve të drejtësisë për tradhtinë e rëndë që ka kryer në Mitrovicën e Veriut.

Analistët, opinionistët dhe publicistët me vetëdije të lartë kombëtare, përsëri në këndvështrimin tim, duhet të jenë të bindur përfundimisht për një gjë: nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, në krye të një klase të re politike, nesër do të vijnë pushtet, ata nuk duhet të zhvillojnë kurrfarë bisedimesh me Beogradin, përderisa ai nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk kërkon ndjesë publike para opinionit ndërkombëtar për krimet e kryera dhe nuk jep kurrfarë përgjigjeje për të zhdukurit. Bisedimet, pa përmbushjen e këtyre tre kushteve, janë vazhdim i vetëposhtërimeve të klasës së vjetër politike të Republikës së Kosovës para shovinizmit serbokriminal.

Është në dorën e popullit shqiptar të Republikës së Kosovës se për kë do të votojë në zgjedhjet e ardhshme: për klasën e vjetër kriminale mercenariste, apo për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Nëse, në shumicën e vet, populli do të votojë për bandën e Thaçit, të Mustafës dhe  të Hotit, atëherë do të duhet të pranojmë se ai popull ka parapëlqyer sundimin e shqiptarëve prej shqiptarëve, i cili, siç e ka vlerësuar profesori i nderuar Vedat Kokona, ka qenë më i rëndë se sundimi i huaj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, kosova, Prof.dr.Eshref Ymeri, veriu

Kosovë-Interpelanca për Kodin Telefonik dhe Veriun

September 26, 2016 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës të enjten dy interpelanca të kryeministrit Mustafa, demarkacioni s’është në axhendë/

-Në Bruksel kanë nisur bisedimet 4 ditëshe për kodin telefonik/

PRISHTINË, 26 Shtator  2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Dy interpelanca të kryeministrit Isa Mustafa do të jenë në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, të enjten, të dytën ne sesionin vjeshtor, por jo edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, i cili ishte në rend dite, por u tërhoq nga qeveria në seancën e fundit të sesionit pranveror, në 1 shtator, ku mungonte grupi parlamentar i Listës Serbe dhe opozita deklaronte se koalicioni qeverisës për miratim nuk i kishte së paku 80 votatat e duhura nga parlamenti 120 anëtarësh.Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen e sotme me shefat e grupeve parlamentare, përcaktoi rendin e ditës për seancën plenare të Kuvendit, e cila do të mbahet në 29 shtator, në orën 10:00.Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në axhendën e seancës plenare, Kryesia vendosi që të jetë: Interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri (kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje), i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kodin Telefonik Shtetëror të Republikës së Kosovës. Po ashtu, në këtë  seancë, është paraparë edhe interpelanca tjetër e kryeministrit Mustafa, sipas kërkesës së deputetit tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 10 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.Këto dy interpelanca ishin në axhendën e Kuvendit të Kosovës edhe në seancën e 1 shtatorit, në pikat 4 dhe 5, por u tërhoqën nga vetë kërkuesit – grupi parlamentar i Vetëvendosjes dhe u kalua më shpejtë në pikën e demarkacionit, që ishte e 6-ta.Në seancën plenare të enjten, sipas kërkesës së Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, do të shqyrtohet edhe Projektligji për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.

Do shqyrohen edhe dy Propozim-vendimeve të qeverisë së Kosovës, sipas  të cilave konstatohet interesi publik për lëshimin e licencës për hulumtim për dy kompani:  “Envidity Energy Kosova LLC” dhe “Sharr Cem dhe Titan America”.

KOSOVË-SERBI, NË BRUKSEL KANË NISUR BISEDIMET 4 DITËSHE PËR KODIN TELEFONIK

Në Bruksel, sot, në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka nisur takimet për telekomin që do të zgjasin katër ditë, deri në 29 shtator.“Tema kryesore dhe e vetme e këtyre takimeve është kodi telefonik për Kosovën dhe bisedimet do të fokusohen për finalizimin e gjithë hapave, në mënyrë që Kosova ta marr kodin telefonik shtetëror +383 nga ana e ITU-së”, u bë e ditur pak më parë në njoftimin e dërguar. “Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që marrëveshja për telekomin do të zbatohet ashtu siç palët janë marrë vesh më herët dhe se Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje palëve për zbatim të asaj çka janë marrë vesh në Bruksel”, deklaroi ministrja Tahiri.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kodi Telefonik, Kosova Interpelance, veriu

Kosovë-Veriut, projekte 2.5 milionë euro nga Fondi për Zhvillim

December 16, 2015 by dgreca

Four Northern Kosovo municipalities awarded projects worth 2.5 million euros from Development Fund/

PRISHTINË, 16 Dhjetor 2015-B.Jashari/ Bordi Menaxhues i Fondit për Zhvillim i ndau mbi 2.5 milionë euro për komunat në veri të Kosovës gjatë takimit të mbajtur sot në Prishtinë.Mbi 900.000 euro i janë ndarë komunës së Mitrovicës së Veriut për ndërtimin e sallës sportive. Bordi më parë i kishte ndarë 1.6 milionë euro për këtë komunë në muajin shtator. Këto fonde do të shfrytëzohen për të ndërtuar një qendër të brigadës se zjarrfikësve, për të përkrahur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për shpronësimin e tokës ku do të ndërtohet ndërtesa e re e komunës. Në përgjithësi, Mitrovicës së Veriut i janë ndarë mbi 2.5 milionë euro për katër projekte.

Bordi vendosi që të ndajë pothuajse 500.000 euro për komunën e Zveçanit për tre projekte. Këto fonde do të shfrytëzohen për të përkrahur organizatat e shoqërisë civile përmes aktiviteteve sportive dhe kulturore, për të zhvilluar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të), fermat e vogla dhe prodhimin e qëndrueshëm bujqësor. Për më tepër, muajin e kaluar, Bordi ia ndau komunës së Zveçanit 350.000 euro për shpronësimin e tokës për një rrugë që ofron qasje për te deponia. Deri më tash Zveçanit i janë ndarë afro 850.000 euro për katër projekte.Komunës së Zubin Potokut i janë ndarë rreth 1.4 milionë euro për tri projekte. Fondet do të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik të komunës, ndërtimin e një pishine dhe rindërtimin e shtegut të atletikës, si edhe për rehabilitimin e rrugëve lokale.

Komunës së Leposaviçit i është dhënë 140,000 euro për blerjen e pajisjeve për çerdhen në Leshak.Katër komunat gjithashtu kanë dorëzuar një numër të koncept dokumenteve, të cilat do të zhvillohen në projekt propozime dhe do të shqyrtohen në takimin e ardhshëm të Bordit në janar të vitit 2016.Fondi për Zhvillim i nxjerrë të hyrat nga taksat e mbledhura në pikat kufitare të Jarinjës/Rudnicës dhe Tabavinjës/Bernjakut. Të hyrat e mbledhura deri më tani arrijnë vlerën prej 8 milionë euro dhe shfrytëzohen për përkrahje të zhvillimit socio-ekonomik të komunave në veri të Kosovës.Funksionimi i Fondit vendoset nga Bordi Menaxhues i përbërë nga Samuel Zhbogar, Kryesues i Bordit në cilësinë e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti në emër të autoriteteve kosovare dhe Danijela Zubac në emër të komunitetit serb, bën të ditur njoftimi dërguar nga Zyra e BE-së në Kosovë.Të katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviçi janë të banuara me shumicë nga komuniteti serb.

Four Northern Kosovo municipalities awarded projects worth 2.5 million euros from Development Fund/

PRISTINA, 16 December 2015 – The Management Board of the Development Fund awarded over 2.5 million euros to Kosovo’s four northern municipalities at its meeting in Pristina today.

Over 900.000 euros were awarded to the municipality of North Mitrovica for the construction of a sports hall. The Board previously allocated 1.6 million euros to this municipality in September. These funds will be used to build a fire brigade centre, support small and medium sized enterprises, as well as for the expropriation of land to construct a new municipality building. In total, North Mitrovica has been awarded over 2.5 million euros for four projects.The Board decided to allocate almost 500.000 euros to the Zvecan municipality for three projects. The funds will be used to support civil society organisations through sports and cultural activities, develop small and medium size enterprises (SMEs), small farms and sustainable agricultural production. In addition, last month the Board awarded Zvecan municipality 350.000 euros for land expropriation for an access road to a landfill site. To date, Zvecan has been awarded close to 850.000 euros for four projects.

The Zubin Potok municipality has been awarded almost 1 million euros for three projects. The funds will be used for construction of a swimming pool and reconstruction of an athletic arena, as well as for the rehabilitation of local roads.

The municipality of Leposavic was awarded 140.000 euros for the purchase of equipment for the kindergarten in Lesak.

The four municipalities also submitted a number of concept notes, which are to be developed into project proposals and reviewed during the next Board meeting planned in January 2016.

The Development Fund derives its revenues from taxes collected at the Jarinje/Rudnica and Tabavije/Brnjak crossing points. The revenues collected so far amount to over 8 million euros and are used to support socio-economic development of the northern Kosovo municipalities.

The operation of the Fund is decided by the Management Board composed of Samuel Žbogar, Chair of the Board in his capacity as the EU Special Representative in Kosovo, Kosovo Minister of Finance Avdullah Hoti on behalf of the Kosovo authorities, and Danijela Zubac on behalf of the Serb community.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: 2.5 milion Euro, Fondi per zhvillim, Kosove, veriu

BARONESHA ASHTON E PASKA ZGJIDHJEN PER VERIUN E KOSOVES!

January 5, 2013 by dgreca

BE po synon ta zgjidhë çështjen e Veriut duke ua ofruar komunave veriore mundësinë e anëtarësimit në mekanizma europianë, që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale dhe rajonale. Burime të Express bëjnë të ditur se propozimi i Brukselit do t’u prezantohet palëve gjatë muajit janar, kur do të takohen Thaçi dhe Dacic./

Nga Faton Ismajli*/

Bashkimi Europian ka paralajmëruar bisedime për Veriun gjatë takimit të Kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet më 17 janar në Bruksel.Burime të Express bëjnë të ditur se Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton, mund ta hedhë në tryezë një propozim me të cilin synohet të gjendet një zgjidhje për situatën në pjesën veriore.Merret vesh se Brukseli ka në propozim këtë çështje që është hartuar nga një diplomat europian, që është i angazhuar direkt në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Sipas këtij propozimi, komunave veriore u ofrohet anëtarësim në mekanizma specifikë europianë që promovojnë bashkëpunimin komunal dhe rajonal e në të cilat kryesisht anëtarësohen asociacionet e komunave.

Siç dihet një mekanizëm i tillë është Këshilli i Komunave dhe Rajoneve Europiane, që është organizata më e madhe e qeverive lokale dhe rajonale në Europë.

Po ashtu një mekanizëm që ka të bëjë me qeverisje lokale është edhe Komiteti i Regjioneve, që është trup i BE’së.

Burime të gazetës po ashtu theksojnë se propozimi nuk tejkalon Pakon e Ahtisaarit, e cila lejon bashkëpunimin direkt të komunave me shumicë serbe me Serbinë.

“Komunat kanë të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar në fushat e

kompetencave të tyre vetjake dhe të zgjeruara”, thuhet në një nga provizionet e pakos së Ahtisaarit.

Sipas planit 11 pikësh, me të cilin synohet të zgjidhjet çështja e Veriut, Kosova dhe Serbia do të kenë mundësi të interpretojnë marrëveshjen si fitore sipas interesit të tyre.

“Kjo marrëveshje do të interpretohet nga Serbia se Veriu mori statusin special, ndërsa në Kosovë do të thuhet se zgjidhja është në kuadër të praktikave më të mira të BE’së”, ka thënë një diplomat i BE’së i akredituar në Prishtinë.

Në plan parashihet edhe shuarja e strukturave paralele serbe, mbrojtja e veçantë e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe si dhe ruajtja e lidhjes së veçantë mes serbëve me shtetin e Serbisë.

Po ashtu bëhet e ditur se europianët janë duke e diskutuar edhe çështjen e mbikëqyrjes së këtij plani.

Express ka pyetur Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Ashton, për të gjitha këto çështje, por nga ajo nuk ka pasur një përgjigje specifike.

“Ju mund ta gjeni qëndrimin e BE’së për këto çështje në konkluzionet e Këshillit, të miratuara më 11 dhjetor të vitit të kaluar”, thuhet në përgjigjen e Kocijancic.

Në konkluzionet e BE’së i kërkohet Kosovës një plan për Veriun, ndërsa Serbisë bashkëpunimin në arritjen e një marrëveshjeje për këtë çështje.

Ndryshe, në Kosovë vazhdimisht është mohuar mundësia që të flitet për Veriun, ndërsa zyrtarët serbë kanë thënë se temë e bisedimeve mes dy vendeve do të jenë edhe çështjet e brendshme të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se edhe ai do të paraqes vizionin e tij për Veriun.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka thënë kohë më parë se për serbët në Veri do të ketë një zgjidhje të veçantë nga pjesët tjera të Kosovës si një zgjidhje e përkohshme.

“Është kristalizuar se duhet shikuar që të zgjidhet çështja e paralelizmit të institucioneve dhe që serbët në Veri të jenë diçka e veçantë në krahasim me pjesët tjera në Kosovë dhe ne duhet të jemi të gatshëm për negociata në këtë temë. Për të gjitha që do të flasim këto ditë, është një pikëpamje se si e gjithë kjo mund të funksionojë në kushtet kur ajo është një zgjidhje e përkohshme”, ka thënë Dacic.

Kohë më parë Serbia kishte përgatitur një platformë për Veriun me të cilën parashihej një autonomi për Veriun e me të cilën Beogradi ndërhynte në rendin kushtetues të Kosovës.

Pala kosovare dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e kishin hedhur poshtë një plan të tillë.(*Express-Titulli i Diellit)

 

Filed Under: Opinion, Rajon Tagged With: baronesha Ashton, Faton Ismajli, veriu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT