
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e Festës së 28 Nëntorit, bëri homazhe te varri i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.Ai ishte bashkë me Familjen Demaçi. Në shenjë kujtimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e Demaçit, në shërbim të kombit dhe atdheut, Veseli vendosi lule pranë varrit të tij.
“Sot është një ditë e madhe për kombin tonë. Në këtë ditë, kemi për obligim të jemi pranë kujtimit të atyre që me jetën e tyre e nderuan kombin. I tillë ishte Adem Demaçi, simboli më unik i gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës. Gjithë jeta e Adem Demaçit ishte në shërbim të frymës së 28 Nëntorit, prandaj sot jemi këtu për të nderuar dhe për t’u përkulur para këtij burri të madh të kombit”, ka thënë me këtë rast Veseli.
Po ashtu, kreu i Kuvendit ka bërë sot homazhe edhe tek varret e Gjeneral Major Ilir Konushevci, Hero i Kombit dhe Dr. Hazir Malaj, Dëshmor i Kombit.




Sot, në 19-vjetorin e masakrës së Izbicës, në të cilën forcat serbe vranë 147 civilë shqiptarë të pafajshëm, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen asnjëherë derisa të ketë drejtësi për Izbicën dhe për dhjetëra masakra që u kryen mbi popullin tonë gjatë luftës.
“Sot jemi shtet sovran, falë sakrificës së dëshmorëve e martirëve tanë. Askënd kurrë nuk do ta cenojmë, por as kurrë nuk do ta lejojmë askënd ta cenojë lirinë tonë, shtetin tonë, të ardhmen e fëmijëve të Izbicës dhe gjithë Kosovës”, tha kryeparlamentari Veseli.Veseli tha se vetëm drejtësia e vërtetë i shëron plagët e të kaluarës dhe jo përpjekjet për balancim mes agresorit dhe çlirimtarëve.“Çdo vit ne mblidhemi në këtë lëndinë të dhimbjes e krenarisë. Na bashkon kujtimi për martirët tanë, për bijtë dhe bijat e kësaj toke që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Dëshmorët janë themeli mbi të cilin qëndron shteti ynë i pavarur dhe Sovran. Janë nderi dhe krenaria jonë e përhershme. Vitet po kalojnë, por ne nuk harrojmë, sepse harresa është shërbim ndaj atyre që bënë krimin në Izbicë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Kreu i Kuvendit shtoi se Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, në rrugën e integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO.