• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJITHMONË NË RASTE KRIZASH, E VËRTETA ËSHTË VIKTIMA E PARË

April 16, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ata që më njohin dhe ata që mund të kenë lexuar, nga koha në kohë, shkrimet e mia modeste e dinë se sa për “për zemër” e kam lirinë e fjalës në përgjithësi dhe lirinë e shtypit në veçanti –mbështetjen ndaj të cilës e kam konsideruar gjithmonë, pothuaj, si një mision i jetës.  Mbështetjen dhe promovimin e lirisë së fjalës, e kam si një obligim moral personal por dikur edhe si një detyrim profesional për 30-vjet pranë Zërit të Amerikës, gjatë luftës së ftohtë midis lindjes komuniste dhe perëndimit.  Madje edhe në pension pas më shumë se 15-vite që jam larguar nga VOA, vazhdon të më mbetet një subjekt ky, gjithnjë, tepër i rëndësishëm për shoqërinë amerikane ku jetoj për një gjysëm shekulli, por edhe për çdo vend tjetër në botë.  Është një subjekt të cilin e kam trajtuar në dyzina artikuj këto vitet e fundit.  Edhe ky shkrim modest është në rrjedhën a dyzina të tjerëve më parë, ku kryesisht kam shprehur shqetësimet e mia ndaj kërcënimeve që i bëhen fjalës së lirë këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës ku liria e fjalës vazhdon të shkelet, të abuzohet dhe të mos respektohet,– përfshir edhe trojet shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë.  

Por, këtë artikull nuk po ia kushtoj mungesës së lirisë së shtypit dhe as nuk po promovoj lirinë e fjalës në vende dikatoriale ose autoritare të njohura botërisht për shkeljet flagrante të fjalës së lirë – siç janë Rusia, Kina, Turqia, Irani, Arabia Saudite, e tjera e të tjera, por atyre që Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) me qëndër në Nju Jork, Joel Simon, i cilëson si një, “mori presionesh, fyerjesh dhe abuzimesh që dalin nga goja e Presidentit Trump”, kundër gazetarëve këtu në Shtetet e Bashkuara. 

Sipas një njoftimi për shtypin të (KMG), në një raport të botuar më 16 prill i sponsorizuar nga Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, thuhet se, “prej shumë mënyrave të ndryshme që ka përdorur Administrata Trump në sulmet e saja kundër gazetarëve, ndër më efektivet dhe më të rrezikshmet është përpjekja për të shkatërruar kredibilitetin e medias, duke minuar të vërtetën dhe konsensus-in, ndërkonë që pandemia e koronavirusit kërcënon të shkaktojë vdekjen e dhjetëra mijëra amerikanëve.” 

Në raportin me titull, “Administrata Trump dhe Media” e botuar të ënjtën, me 16 prill, përgatitur nga Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Arizonës dhe ish-kryeredaktori i gazetës the Washington Post,  Leonard Downie, Jr me bashkautoren Stephanie Sugars, përfshihen intervistat me mbi 40 gazetarë dhe ekspertë të medias, akademikë si dhe zyrtarë të administratës Trump.

Në njoftimin për media me këte rast, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon, shprehet se, “ Gazetarët në Shtetet e Bashkuara, kryesisht, nuk i janë penguar aspak, (në kryerjen e punës së tyre) nga kritikat, fyerjet dhe presionet e përditshme që vijnë nga Presidenti Trump, por megjithëkëtë, shtoi ai, “ato kanë ndikuar në minimin e besimit të publikut tek media si një institucion publik”, gjë që sipas tij është diçka e rrezikshme, sidomos në mes të një krize shëndetësore.

Për më tepër, thekson Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, kritikat e Presidentit Trump ndaj gazetarëve, “inkurajojnë dhe fuqizojnë autokratët anë e mbanë botës, të cilët janë duke shkelur liritë e medias dhe lirinë e fjalës me një ashpërsi dhe vendosmëri të paparë, në një kohë kur informacioni i vërtetë, nevojitet më shumë se kurrë.” 

Në raportin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, me qëndër në Nju Jork, përfshishen një numër rekomandimesh –https://cpj.org/reports/2020/04/trump-media-attacks-credibility-leaks.php#11 — për administratën Trump, përfshir nevojën për të folur publikisht në mbrojtje të lirisë së fjalës, ndërsa (KMG) i ka dërguar Shtëpisë së Bardhë edhe një letër, https://cpj.org/2020/04/cpj-calls-on-trump-to-improve-press-freedom-in-us.php, bashkangjitur me raportin Adminstrata Trump dhe Media, me të cilën i kërkohet edhe një takim  në Shtëpinë e Bardhë, për të biseduar mbi këto çështje.

Ndërkaq, gjatë takimit me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, Presidenti Trump zgjodhi Zërin e Amerikës, për ta venë kësaj radhe në shënjestrën e kritikave të tij.  Në raportin e transmetuar mbi këtë çështje nga Zëri iAmerikës në gjuhën shqipe, të enjtën https://www.zeriamerikes.com/a/trump-congress-voa-bennett/5374257.html, në kritikën e tij ndaj Zërit të Amerikës, Trump përmendi si shembull një postim në llogarinë e Zërit të Amerikës në Twitter, të një videoje të agjencisë Associated Press.  Videoja tregonte një shfaqje dritash në Wuhan për të shënuar riahpjen e qytetit, ku COVID-19 u diktua për herë të parë.  Në këtë ndërkohë, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi dje se kritikave të Presidentit Trump iu përgjigj Drejtoresha e Zërit të Amerikës të mërkurën në mbrëmje, duke i hedhur poshtë kritikat e Presidentit Trump, ndërsa theksoi se Zëri i Amerikës “ka diskredituar shumë nga informacionet që vijnë nga qeveria kineze dhe media e kontrolluar prej saj”.  Për më tepër, Drejtresha e VOA-s, Amanda Bennett u shpreh se, “Për mbi 75 vjet, Zëri i Amerikës ka ndjekur misionin e tij për të treguar historinë e Amerikës në vende të tjera dhe për të dhënë informacion objektiv, bazuar në fakte, në vende në gjithë botën që nuk kanë qasje në këto informacione.  Siç kemi thënë për një kohë të gjatë, ne përhapim (parimet) e Amendamentit të Parë (që përfshin lirinë e shprehjes dhe medias)”, citohet Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett në një deklaratë për dtafin dhe median.  Ajo shtoi duke thënë se, “Unë besoj në atë mision.  Dhe duke gjykuar nga mënyra se si po zgjerohen audiencat tona, duke kërkuar informacion të besueshëm gjatë kësaj krize të koronavirusit, edhe bota beson në misionin tonë.  Është punë e vështirë, punë e rëndësishme, ndoshta sot më shumë se kurrë më parë”, vazhdon deklarata e Drejtoreshës së Zërit të Amerikës, Amanda Bennett.

VOA në gjuhën shqipe citon gazetën New York Times të ketë shkruar në lidhje me kritikat e Presidentit Trump ndaj VOA-s, se “Akuzat drejtuar agjencisë 75 vjeçare të transmetimit, dukeshin aq të tepruara saqë disa lexues shprehën shqetësimin se hakerat mund të kishin depërtuar në rrjetet e Shtëpisë së Bardhë”. 

Edhe për mua – bazuar në përvojën time 30-vjeçare me Zërin e Amerikës, kritikat e Presidentit Trump ndaj VOA-s janë aq të pakuptimta sa edhe të çuditshme për një president.  Jo se VOA, në gjuhë të ndryshme të mos ketë bërë ndonjë gabim, nga koha në kohë, në lidhje me ndonjë lajm ose raportim te cilësdo natyrë qoftë.  Por, çdo gjë tratohej ndryshe.  Na vinte ndonjë kërkesë për ndonjë shpjegim, jo vetëm nga Shtëpia e Bardhë por edhe nga Kongresi, nga Departamenti i Shtetit e tjera ente qeveritare, përfshir ambasadat.  Më kujtohet një rast kur një zyrtar i lartë amerikan po interesohej për një lajm të VOA-s nga Evropa Lindore, në periudhën e Solidaranostit.  “Po interesohem, tha ai, për atë lajm jo se nuk i besojmë VOA-s, por nëqoftse jeni gabim, për arsye të besueshmërisë së madhe që gëzoni në rajon, mund të shkaktohet një luftë.  Prandaj, nëqoftse ishte lajm i gabuar të kërkoni falje dhe ta tërhqini.   Pas një shqyrtimi të shpejt të programeve, lajmi i VOA-s doli i sakt dhe as nuk shpërtheu ndonjë luftë, si rrjedhim.   Dua të them se gjërat trajtoheshin krejt ndryshe, dikur.

Është e vërtetë se gazetarët në Amerikë nuk shqetësohen shumë për kritikat ndaj tyre, madje qoftë edhe kur ato vijnë edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, që konsiderohet njeriu më i fuqishëm në botë.  Falë nderës të Madhit Zot dhe baballarëve të këtij Kombi që kanë lënë pas një Kushtetutë dhe që krijuan institucione të forta qeveritare dhe jo-qeveritare, të cilat i qëndrojnë dhe kundërshtojnë – pa frikë ndëshkimi – abuzimin me pushtet të cilitdo president ose degë qeveritare qoftë.  Jo më kotë garancia e fjalës së lirë zen vend në artikullin e parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.  Nuk e luan as topi!

Por, sot më shumë se kurrë, Amerika dhe bota kanë nevojë për lirinë e medias, për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe për mbështetjen e të vërtetës.  Bota ka nevojë për ente dhe burime lajmesh, kombëtare dhe ndërkombëtare, siç është Zëri i Amerikës, i cili që nga themelimi i tij në fillim të Luftës së Dytë Botërore, është angazhuar të thotë të vërtetën.  Përgjatë ditëve të errëta të Luftës Botërore, trazirave të Luftës së Ftohtë, përballë terrorizmit, apo në krah të përpjekjeve të njerëzimit për të fituar lirinë, Zëri i Amerikës i ka shërbyer botës si shembulli i ruajtjes së parimeve të shtypit të lirë.  Karta e Zërit të Amerikës përmbledh tre vlera themelore.  Së pari, Zëri i Amerikës shërben si një “burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta, objektive, dhe gjithëpërfshirëse.”  Janë këto vlera themelore të një shtypi të lirë që duhet të mbrohen nga të gjithë ata që besojnë në liri, por mbi të gjithë nga ata përgjegjësia kushtetuese e të cilëve është që t’i mbrojnë ato vlera dhe liritë bazë të njeriut – madje edhe në kohë krize, nepër të cilën po kalon sot Amerika dhe bota.

Filed Under: Politike Tagged With: e verteta, Victim e pare, VIKTIMA E PARË

Shqipëria, viktima e parë e agresionit fashist

May 17, 2014 by dgreca

Akuzatorët e Mbretit Zog po duan ta rehabilitojnë e shesin si kombëtariste figurën e diskredituar të Hoxhës.
Nga Sulejman GJANA*/
Për legalistët dhe kombëtaristët shqiptarë, prilli shënon një muaj të veçantë plot emocione, pasi na kujton data historike që lidhen me fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Periudha 15 vjeçare e stabilitetit politik, e zhvillimit dhe përparimit, gjatë të cilëve edhe u hodhën themelet e shtetit të ri shqiptar nën drejtimin e Mbretit Zog, u ndërpre prej pushtimit nga Italia fashiste, e cila në kundërshtim me të gjitha traktatet dypalëshe, ligjet dhe konventat ndërkombëtare për respektimin e integritetit dhe sovranitetit tokësor, me 7 prill 1939 pushtoi pabesisht vendin tonë.
Atë ditë, përveç faktit që Shqipëria humbi pavarësinë, diktatura fashiste ia bëri djepin diktaturës komuniste dhe në bilancin fundor këto të dyja sëbashku shkaktuan një numër të frikshëm viktimash ndër shqiptarët, gjatë LDB dhe periudhës komuniste.
Prilli po ashtu na kujton dy ngjarje të tjera të rëndësishme, pasi më 5 prill 1939 lindi Mbreti Leka, jeta dhe vepra e të cilit ishin një shembull për të gjithë shqiptarët, sesi duhet të punojmë dhe t’i kushtojmë gjithçka të shtrenjtë atdheut dhe kombit.
Por fatkeqësisht Mbreti Leka nuk është më midis nesh dhe kjo na e shton dhimbjen dhe emocionin. Sikurse është përkujtimi i 9 prillit 1961 kur ndërroi jetë arkitekti i Shqipërisë moderne dhe jetësuesi i Shqipërisë së pavarur, Mbreti Zog.
Në nderim të të gjithë atdhetarëve shqiptarë që ia dedikuan jetën atdheut dhe kombit, me në krye Mbretin Zog dhe Mbretin Leka, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.
Sot e përkujtojmë 7 Prillin, jo për t’u kujtuar shqiptarëve të Premten e Zezë, pasi ne legalistët-antifashistë të parë dhe gjenuinë, nuk i bëjmë homazhe fashizmit dhe nuk vajtojmë e glorifikojmë humbjet e mëdha duke i kthyer në data historike, sikurse serbët, por e bëjmë për të nderuar me përulësi rezistencën heroike dhe heronjtë e kësaj rezistence ndaj pushtimit, me në krye Heroin legjendar Abaz Kupi. Rezistencë disaditore kjo që tronditi dhe mrekulloi mbarë opinionin ndërkombëtar, e që u pasqyrua për javë të tëra në pothuajse gjithë shtypin botëror, që glorifikoi meritueshëm luftën heroike dhe gjakun e derdhur të zogistëve dhe kombëtaristëve shqiptarë. Sepse ishte pikërisht kjo rezistencë që ndezi fitilin e rezistencës antifashiste botërore, e që vazhdoi më pas në mbarë truallin tonë dhe bëri shkrumb e hi planet e fqinjëve shovinistë për coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Konferencën e Paqes së pasluftës.
Kontributi i zogistëve në rezistencën antifashiste me në krye Abaz Kupin-anëtar ndër kryesorët e Këshillit Antifashist të dalë nga Konferenca e Pezës, dhe më pas lufta heroike e formacioneve zogiste kundër nazistëve me ndihmën dhe nën mbikqyrjen e misioneve britanike, është pasqyruar gjerësisht dhe thellësisht në librat me kujtime të oficerëve të djathtë britanikë, sikurse Dejvid Smajli, Bill Maklini, Xhulian Emeri dhe Piter Kemp.
Opinioni botëror dhe shtypi antifashist e glorifikuan rezistencën shqiptare kundër pushtimit të 7 Prillit, pasi kjo rezistencë e përgjakshme ku u martirizuan qindra atdhetarë, kontrastonte thellë me pushtimin dhe aneksimin pa luftë të Sudeteve, Çekosllovakisë dhe Austrisë, dhe sidomos me kapitullimin e mëvonshëm, pa kushte dhe brenda 4 ditësh, të Francës.
Fatkeqësisht Shqipëria u bë viktima e parë e agresionit fashist, për shkak të afërsisë gjeografike, pozitës avangardë strategjike si urë kalimi në Ballkan dhe synimeve të Duçes për t’u dëshmuar si aleat i denjë i Hitlerit, duke konsideruar rëndësinë e Ballkanit në planet gjeostrategjike të Boshtit nazifashist. Gjithashtu Shqipëria u viktimizua edhe për shkak të urisë fashiste për pasuri që do shërbenin si karburant për luftën, si dhe për shkak të fuqisë së faktorit shqiptar në arealin politik ballkanik, me synimin për ta manipuluar duke i servirur Shqipërinë e Madhe si kundërshpërblim për kolaboracionizmin dhe aspiratën kombëtare të bashkimit të trojeve të coptuara shqiptare, gjithmonë në suazën e perandorisë dykontinentale fashiste.
Mbreti Zog i sprovuar në të gjitha luftërat dhe betejat e fillimshekullit XX, ku jo vetëm nuk bishtnoi por qëndroi në ballë, u detyrua të largohej dy ditë pas pushtimit, për shkak të pushimit të ekzistencës së mbarë institucioneve dhe vetë shtetit shqiptar, kryetar i të cilit ishte.

Në kushtet kur shtetet fqinjë, (që më parë kishin refuzuar propozimin e Tij për Aleancën ballkanike), shpallën mbylljen e kufijve shtetërorë, qeveria dhe parlamenti vendosën që Mbreti Zog dhe Familja e Tij të largoheshin për të mos rënë në duart e pushtuesve dhe për të mos e lënë shtetin shqiptar pa përfaqësimin e domosdoshëm ndërkombëtar. Në zbatim të këtyre vendimeve, Mbreti u largua në botën e lirë për të vazhduar aksionin diplomatik të denoncimit të pushtimit fashist dhe rifitimin e të Drejtës ndërkombëtare të rikthimit të sovranitetit dhe pavarësisë së shtetit shqiptar, me fuqi të plota. Atribute juridike këto të konsakruara edhe në statutin e Lidhjes së Kombeve, anëtar me të drejta të plota e së cilës ishte Shqipëria, sikurse edhe Italia.
Mbreti Zog jo vetëm nuk pranoi kolaboracionizmin me fashistët, por nuk pranoi kurrnjëherë të bëhej kukull dhe fasadë për pushtuesit. Po kështu vepruan më pas edhe monarkët dhe qeveritarët e Greqisë, Jugosllavisë, Hollandës, dhe pothuajse të të gjitha vendeve europiane, pas pushtimit nazifashist.
Por Mbreti Zog nuk u largua pa siguruar rezistencën e armatosur të forcave legale, Ushtrisë dhe Xhandarmërisë mbretërore, nën drejtimin e major Abaz Kupit, veprim ky që ua zbardhi faqen Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe që e radhiti meritueshëm vendin tonë, më vonë, përkrah Aleatëve të Mëdhenj, kur edhe ata e vuajtën në kurriz pushtimin dhe agresionin nazifashist.
Urrejtja e fashistëve ndaj Mbretit Zog u mishërua jo vetëm në propagandën fashiste kundër Tij por edhe në aktet arbitrare të administratës fashiste që çuan në shpronësimet e paligjshme të pronave të Familjes Mbretërore, dënimin personal kapital, dënimin e funksionarëve të lartë në mungesë, si dhe burgosjen e internimin e shumë titullarëve të institucioneve, që nuk mundën të largoheshin.
Apologjetëve të historiografisë sllavokomuniste, që për 50 vjet kanë propaganduar se Mbreti Zog e shiti Shqipërinë tek Italia fashiste, u kujtojmë sot se ata që shesin atdheun shpërblehen për tradhtinë nga hasmi dhe nuk dënohen me vdekje e nuk kërcënohen ushtarakisht, sikurse Mbreti Zog dhe shteti shqiptar në vitet 1931-1935. Atyre nuk u grabitet kurora e sovraniteti në favor të një mbreti tjetër, aq më tepër i huaj, e sidomos pa abdikim.
Tashmë dihet se deri më 7 Prill komunistët numëronin si merita pjesëmarrjen në konfliktin civil ndërspanjoll midis republikanëve komunistë dhe monarkistëve, si dhe brohorimat për Paktin Molotov-Ribentrop, sipas porosive të Moskës dhe Kominternit. Ata nuk derdhën asnjë pushkë dhe asnjë pikë lot më 7 Prill, përveçse veshën kostumet ngjyrë gri të bashkimxhinjve veteranë, që ishin bërë që të gjithë anëtarë të grupeve fashiste ose komuniste, dhe pelegrinë romanë ose moskovitë.
Vetëm pas prishjes së paktit Molotov-Ribentrop, më 22 qershor 1941, komunistët u bënë antifashistë dhe shkuan në Serbi, ku ftuan serbët t’u bënin partinë e t’u caktonin punët, krahas ofiqeve dhe shërbimeve.
Gjatë diktaturës komuniste, Enveri, historiografët komunistë dhe emisarët e Sigurimit të Shtetit, nuk gjetën asnjë provë për të fajësuar për ujdi antikombëtare Mbretin Zog. Edhe funksionarët e lartë të Sigurimit famëkeq, para pak vitesh kanë pohuar publikisht se veprimtaria e Mbretit Zog në raport me çështjen dhe interesat kombëtare, është e panjollë.
Pas shpalljes së pluralizmit politik dhe hapjes së vendit e arkivave, veprimtaria e Mbretit Zog doli në dritën e diellit si e paqortueshme dhe thellësisht atdhetare, sidomos në momente vendimtare për Shqipërinë, siç ishte pushtimi fashist i 7 Prillit.
Tashmë edhe akuzat e stërvjetëruara dhe të dala boje, nuk po gjejnë konfirmim në dokumentacionin arkivor të ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme apo Arkivit Qendror të Shtetit.
Akuzatorët e Mbretit Zog po duan ta rehabilitojnë e shesin si kombëtariste figurën e diskredituar të Hoxhës. Por ne legalistët u bëjmë thirrje që ta pranojnë më në fund të vërtetën e pakundërshtueshme të antikombëtarizmit të Enverit të tyre.
Ne zogistët nuk mburremi vetëm për rezistencën më 7 Prill 1939, por kemi të drejtë të mburremi për gjithë shpirtin dhe aksionin e rezistencës në mbrojtje të interesave të atdheut e kombit, sikurse vepruam gjatë LDB dhe gjatë viteve të diktaturës komuniste, edhepse vuajtëm në kurriz vrasjet, burgimet, internimet, ekzilin, por asnjëherë nuk bëmë dhe nuk bëjmë mbrapsht.

Ne, me shembullin dhe mësimet e Mbretit Zog dhe Mbretit Leka, si në Shqipëri, ashtu edhe në mërgim, nuk pranuam asnjëherë të bëjmë kompromis me diktaturën dhe armiqtë historikë të kombit shqiptar.

Ishim ne europeistët dhe atlantistët e parë. Ishim ne propaganduesit e lirisë dhe demokracisë. Ishim ne jetësuesit e idealeve të Rilindjes kombëtare.
Simbolet tona ishin dhe mbeten Mbreti Zog dhe Mbreti Leka.

Zonja dhe Zotërinj,

Sot PLL dhe legalistët janë trashëgimtarët legjitimë dhe bartësit e frymës e të filozofisë zogiste për çështjen kombëtare, vizionin e zhvillimit, forcimin e shtetit e institucioneve, si dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

PLL mendon se integrimi europian kërkon si parakusht zhvillimin nëpërmjet identifikimit dhe shfrytëzimit të rezervave të zhvillimit brenda vetë trojeve dhe popullit shqiptar, në Shqipëri dhe përtej kufijve.

Shtetarët e mëdhenj dhe mendjet e ndritura, shqiptarë ose jo, kanë argumentuar se kombi shqiptar me burimet njerëzore e materiale që disponon, është i vetëmjaftueshëm (autosufiçient) për ekzistencë dhe zhvillim kah bota e përparuar ku synon të integrohet.

Por klasa politike e pluralizmit në tranzicion nuk ka arritur të ndërtojë shtetin dhe institucionet e veta, për shkak të dominimit prej interesave të pushtetit.

Sot shteti është inefiçient, i varur totalisht nga politika dhe pothuajse i molepsur nga korrupsioni me prapavijë dhe koperturë politike në të gjitha nivelet dhe institucionet. Administrata vuan nga politika dhe qytetari e ndjen veten të huaj, i papërfaqësuar nga shteti i tij dhe i diferencuar në ndihmë dhe të drejtat themelore.

Drejtësia konsiderohet e korruptuar dhe e nënshtruar nga politika. Ajo nuk ka asnjë mundësi të funksionojë sipas ligjit, të varet nga ligji dhe të japë drejtësi sipas ligjit.

Të drejtat e qytetarëve shiten e blihen dhe askush nuk përgjigjet për shkeljet e hapura të parimit të barazisë para ligjit.

Në rrafshin pasuror shqiptarët janë ndodhur në pozita të pabarabarta para ligjeve, ku shpesh injorohet e drejta e shenjtë e pronësisë.

Ligji 7501 është një ligj antikombëtar, që ka mbjellë vëllavrasjen dhe pabarazinë përballë kushteve të mbijetesës në kapitalizmin allashqiptar, në raport me pronën si burim jetese.

Pronarët e ligjshëm që komunizmi i likujdoi me mburrje si klasë, duke përdorur metoda staliniste, sot sërish kanë mbetur pa pronën e trashëguar, e cila është përvetësuar me ligje të padrejta e të keqzbatuara dhe shpesh herë me korrupsion.

Privatizimet, strategjike e jostrategjike, në përgjithësi jo vetëm nuk kanë sjellë rritje të efikasitetit ekonomik, mirëmenaxhimit, punësimit, rritje të gamës e sasisë së produkteve e shërbimeve, por shpesh kanë shërbyer vetëm si troje, tulla, tjegulla e skrap për privatizuesit klientelë e politikës. Shumica e pronarëve të trojeve janë përjashtuar nga e drejta e privatizimit, me anë të formulës së famshme të përshpejtimit të qëllimshëm të privatizimit dhe pengimit të procesit të kthimit të pronës.

Pseudoreformat në sistemin arsimor kanë sjellë rrënimin e dijes dhe cilësisë së arsimimit, duke prodhuar padituri dhe mungesë kompetiviteti në krahasim me kërkesat e tregut tejet të pamjaftueshëm shqiptar dhe ato tejet të larta të tregut ndërkombëtar të punës.

Sistemi shëndetësor i është larguar pacientit nëpërmjet ndërtimit të rrjetit spitalor në qendrat e mëdha urbane dhe shitblerja e këtij shërbimi i ka shndërruar pacientët në klientë, duke rrezikuar seriozisht jetën e këtyre klientëve sidomos në zonat e thella.

Ndotja dhe kequshqyerja në kushtet e varfërisë ekstreme, kanë rritur numrin dhe shkallën e rrezikshmërisë së sëmundjeve vdekjeprurëse e atyre që shkaktojnë invaliditet.

Mospërcaktimi i minimumit jetik, propaganda boshe për 10-fishim të GDP për frymë në dy dekadat e fundit, ka sjellë rritjen e mjerimit dhe përdorimin e ndihmës ekonomike si mundësi përfitimi të padrejtë.

Pyjet dhe ekuilibrat ekologjikë janë shkatërruar, duke shkaktuar mbindotje të ajrit, ujërave tokësorë e mbitokësorë, duke shkatërruar jo vetëm burimet ekonomike dhe ato të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, por e kanë sjellë situatën mjedisore në kufij ekstremë, athua se kemi superindustri petrokimike e kimike, apo aksidente bërthamore.

Ligji 7501 dhe politikat e dështuara agrare të zhvillimit të prodhimit bujqësor e agroturizmit, jo vetëm shkatërruan fondin e tokës dhe kanalizimeve në këmbim të trojeve për ndërtim, por e kanë çuar prodhimin e përgjithshëm bujqësor në nivele 4 herë më të ulëta se ato të kohës së komunizmit, duke dëshmuar se pasardhësit e komunistëve janë shumë më të paaftë se edhe vetë paraardhësit e tyre.

Sot nga privatizimet e panumërta strategjike, ideatorët, zbatuesit dhe apologjetët nuk gjejnë një rast të vetëm për të dëshmuar se privatizimi ishte i suksesshëm dhe siguroi investime të mëdha kapitale, teknologji të përparuar dhe efikasitet ekonomik me rritje të të ardhurave për arkën e shtetit, në raport me subjektet para privatizimit.

Në kundërshtim me mësimet e shtetarëve të mëdhenj për vetëmjaftueshmërinë ekonomike të faktorit dhe kombit shqiptar dhe synimin tek avantazhet kompetitive me tregjet e tjera, politikat dritëshkurtëra kanë rrënuar ekonominë e shqiptarëve në të gjitha anët e kufijve administrative.

Pavarësisht emigrimit të 1/3 të popullsisë dhe krahut të aftë për punë, në kushtet e shkatërrimit të tregut të punës dhe mundësive për punësim, qeveritë nuk kanë mundur të përballojnë me programe zhvillimi prurjet e reja të tregut të punës. Kësisoj papunësia ka arritur në nivele kritike, sidomos tek rinia, çka ka sjellë rritje të varfërisë dhe kriminalitetit me sfond ekonomik.

Për legalistët punësimi nuk sigurohet me slogane elektorale për krijimin e 250 apo 300 mijë vendeve të reja të punës.

Pabarazia e qëllimtë në garën kapitaliste, margjiinalizoi dhe distancoi nga shanset e integrimit shtresën e të përndjekurve politikë dhe pronarëve legjitimë, të cilët u trajtuan me frikë dhe urrejtjen e dikurshme klasore, për shkak të origjinës së paragjykuar dhe frikës për rehabilitimin e saj në kushtet e barazisë së shanseve për edukim. Atyre iu mohua dhënia e incentivave ekonomikë me përparësi në punësim dhe privatizim, sidomos në kushtet e moskthimit të pronës legjitime.

Në pluralizëm, urrejtja kundër këtyre dy shtresave që zhvilluan dhe shpëtuan Shqipërinë nga armiqtë historikë, ishte ndëshkimi pasues për shkak të kontributeve atdhetare dhe bartjes së genomës kombëtariste, nga e cila trembeshin armiqtë historikë dhe rivalët ekonomikë që emëruan dhe hierarkuan klasën politike me anën e Ramiz Alisë. Themi kështu sepse nuk ka shpjegim tjetër përjashtimi nga gara politike deri më 22 mars 1992 të partive nacionaliste Legaliteti e Balli, të cilat më pas i përçanë e u grabitën votat deri në defaktorizim, ndërkohë që vendin e tyre e zunë parti me sfond etnik e të të gjitha llojeve.

I radhita këto dështime të klasës politike, ndonëse jo të gjitha, për të dëshmuar se vendi ka ende shpresë për ringjallje ekonomike dhe morale. Këtij synimi do t’I kontribuojnë zogistët dhe PLL. Ky është amaneti i Mbretit Zog dhe Mbretit Leka, që legalistët do ta përmbushin, duke mbrojtur gjithmonë interesat kombëtare.
* Fjalim më rastin e 75-vjetorit të 7 Prillit 1939

Filed Under: Opinion Tagged With: e agresionit, fashist, shqiperia, Sulejman Gjana, VIKTIMA E PARË

E VËRTETA ËSHTË GJITHMONË VIKTIMA E PARË

April 10, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Është thënë se vërteta gjithmonë është viktima e parë e luftës.  Ç’prej se është këthyer për të tretën herë në detyrën e presidentit të Rusisë, më 2012, Vladimir Putin ka marrë masa konkrete dhe me paramendim për të eliminuar të drejtat politike dhe për të mbytur debatin publik duke venë kontrolle të forta mbi median dhe  njëkohësisht duke vendosur në krye të enteve të ndryshme mediatike me rëndësi, aleatët e tij politikë.  Ai ka filluar të bëjë këtë veprimtari   me qëllim për të kontrolluar jo vetëm median në Federatën Ruse, por edhe median dhe transmetimet përendimore në gjuhën rusishte, siç janë ato të Zërit të Amerikës dhe të Radios Europa e Lirë.  Analistë të çështjeve ruse thonë se Putini  kishte vendosur të bllokonte  transmetimet dhe median elektronike të huaj, para se të vente në veprim planet për aneksimin e Krimesë.  Për më tepër, ata thonë se bllokimi i mediave të huaja në territorin e Federatës Ruse është një shënjë e keqe, sepse sipas tyre, kjo do të thotë se planet e Rusisë putiniste për agresion nuk do të përfundojnë me Krimenë.  Andaj masat e egëra të regjimit të Putinit për tu mbyllur gojën transmetimeve perëndimore dhe për të frikësuar median e pavarur ruse, janë vetëm fillimi i diçkaje më të madhe.

Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli nga koha kur regjimet komuniste të udhëhequra nga Moska, si dhe vendet satelite të saj, u bënin zhurmë programeve radiofonike perëndimore, si Zëri i Amerikës, BBC-ja dhe Radio Europa e Lirë.  Për atë kohë, kjo konsiderohej ndoshta si masa më ekstreme për të ndaluar qytetarët e vendeve komuniste të dëgjonin programe që nuk i përmbaheshin vijës zyrtare dhe versionit të lajmeve dhe informacionit të sanksionuar nga ideologët e partisë komuniste.

Zhurma që iu bëhej programeve perëndimore të lajmeve, kishte filluar gjatë Luftës së dytë Botërore, kur regjimi nazist gjerman i bënte zhurmë BBC-së dhe radio tranmetimeve të tjera, por  pengesat ndaj radiove perendimore, u intensifikuan, duke u bërë një armë e vërtetë në luftën e ideve, me fillimin e Luftës së Ftohtë e deri në mbarim të saj.  Ishte kjo një luftë që i kushtonte udhëheqjes komuniste të Kremlinit miliarda dollarë, për të mos lejuar depërtimin e influencës së ideve perëndimore mbi lirinë dhe demokracinë, në radhët e popujve nën regjimet komuniste.  Në të vërtetë, sipas ekspertëve, në atë kohë llogaritej se  sovjetikët shpenzonin më shumë fonde për të ndaluar penetrimin e radio programeve perëndimore me valë të shkurtëra dhe të mesme në hapësirat e tyre, se sa i kushtonte Perëndimit për të transmetuar  të gjitha programet  radiofonike përmbeldhur së bashku, drejtuar ish-Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Europës lindore.

Kjo ishte situata atëherë. Sot, programet perëndimore përhapen në mënyra të tjera. Një ndër to është edhe vendosja e programeve, siç janë ato të Zërit të Amerikës dhe enteve të tjera perëndimore,  në stacionet e radiove dhe televizioneve vendore në bazë të marrveshjeve dy palëshe.  Kjo praktikë është ndjekur deri tani edhe me programet e Zërit të Amerikës dhe Radios Europa e Lirë dhe Radios Liria, drejtuar Rusisë.  Por, sipas Bordit të Guvernatorve (BBG) që drejtojnë dhe mbikëqyrin transmetimet ndërkombëtare amerikane — duke filluar nga viti 2006 — autoritetet ruse kanë filluar dalngadalë eliminimin sistematik të përhapjes së transmetimeve amerikane të lajmeve nga stacionet radio-televizive anë e mbanë Rusisë.  Sipas një njoftimi për median, Bordi  (BBG) që mbikqyrë transmetimet ndërkombëtare amerikane, tha se ishte njoftuar, kohët e fundit, nga Drejtori i ri i Agjencisë Ruse të Informacionit, Rusia Sot, Dmitry Kiselev — një anti-amerikan ky i përbetuar dhe ksenofob – me anë të një letëre prej një fjalie, se “Ne nuk do të bashkpunojmë me me ju” për transmetimin e programeve të këtij enti, duke u dhënë fund kështu programeve Zërit të Amerikës që deri tani transmetoheshin nga radiot lokale në hapësirën ruse.

“Moska ka zgjedhur rrugën e gabuar duke kufizuar fjalën e lirë”, tha kryetari i Bordit të Guvernatorve, Jeff Shell duke reaguar ndaj vendimit të Moskës për të mos lejuar më transmetimet e Zërit të Amerikës në hapësirën ruse. “Liria e fjalës”, shtoi ai, “Është një vlerë themelore universale, e pranuar si e tillë nga shumë vende të botës.”  Zoti Shell u angazhua se enti që ai drejton do të vazhdojë të shpërndajë lajmet në Rusi nepërmjet platformave të tjera si ato digjitale dhe transmetimeve satelitore.  Zoti Shell u bëri thirrje autoriteteve ruse që të lejojnë transmetimet ndërkombëtare, duke thënë se,”Megjithëse lufta e Moskës kundër medias së lirë vazhdon, ne po kërkojmë vetëm që programet tona në Rusi, të gëzojnë të njëjtën të drejtë  dhe liri veprimi që media ruse gëzon në Shtetet e Bashkuara, përfshirë programin televiziv, Rusia Sot. Populli rus meriton të njëjtën liri lajmesh e informacioni”, tha ai.

Në njoftimin e BBG për media thuhet gjithashtu se vendimi për të bllokuar transmetimet e Zërit të Amerikës dhe Radios Europa e Lirë dhe Radios Liria në rusisht, u mor ndërkohë që autoritetet ruse po zhvillojnë një fushatë të shpejtë dhe të egër madje edhe kundër medias së pavarur vendore dhe të opozitës, anë e mbanë Rusisë, ndërkohë që  në Moskë qarkullon lista e “tradhëtarve”, e atyre që nuk ndjekin vijën e propagandistëve të rinjë të Kremlinit.  Ndërsa ata kanë shpallur luftë kundër lirisë së medias së zakonshme,  njëkohësisht njoftohet se Kremlini është duke shtuar kontrollin dhe censurën edhe mbi internetin.

Analistët që ndjekin çështjet ruse thonë se këto masa që ka marrë kohët e fundit regjimi putinist në Rusi kundër medias së lirë dhe  transmetimeve perëndimore në radio-televizionet lokale, është i njëjtë me vendimet e politikës së regjimit komunist sovjetik kur u bëhej zhurmë radio-stacioneve perëndimore, gjatë luftës së ftohtë,  vetëm e vetëm për t’i mohuar popullit të vet të drejtën e lirisë së fjalës.

Këto masa kundër lirisë së fjalës, të papara ç’prej periudhës së luftës së ftohtë, duhet të jenë një çështje që  të shqetësojë çdo përkrahës të fjalës së lirisë kudo. Kjo sepse, vendimi i regjimit të Putinit për të bllokuar programet radio-televizive ndërkombëtare amerikane është në kundërshtim të plotë dhe të drejtë për drejtë me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat Universale të Njeriut, e cila thotë se: “Çdo person ka të drejtë të gëzojë lirinë e mendimit dhe të  shprehurit: kjo  përfshinë të drejtën për të shprehur mendimet pa ndërhyrje dhe për të kërkuar dhe për të përhapur informacion dhe ide, nepërmjet çdo media dhe pa marrë parasyshë kufijtë.”

Ndalimi i transmetimeve ndërkombëtare të lajmeve të Shteteve të Bashkuara nga ana e regjimit të Putinit si dhe ushtrimi i censurës ndaj medias ruse në përgjithësi dhe asaj të pavarur në veçanti, është një shkelje e të drejtave bazë të popullit rus dhe një shënjë ogurzezë e një regjimi që me veprat e tija, duket se po zhytet në një konflikt   gjithnjë e më të madh me popullin e vet dhe fatkeqësisht po futet edhe në një luftë me fqinjtë dhe me botën, duke rrezikuar kështu rendin dhe marrëdhënjet ndërkombëtare, një rend nga i cili ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë,  ka përfituar e gjithë bota.

Kohë më parë, revista britanike Economist, ka shkruar se si “Një person që ka jetuar gjatë periudhës së shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, nga pikpamja e tij, Putini i njeh mirë rreziqet që vinë nga media e lirë. Bashkimi Sovjetik mbahej në këmbë nga shtypjet dhe ideologjia. Kur këto dy mbështetse të tij u zhdukën, sistemi sovjetik u shkatërrua. Instrumenti kryesor i qeverisjes së Putinit ka qenë dhe është paraja që ai e ka përdorur për të blerë mbështetjen. Por tani, ndërsa  veprimtaria ekonomike ruse po ngadalsohet dhe ndërkohë që monedha ruse tregon shënja lëkundjeje,   Putini po përpiqet të forcojë pozitën e tij”.  Ai siç duket mendon se mënyra më e mirë për të  bërë këtë, është  që t’i shpallë luftë fjalës së lire, me vendimet që ka marrë për të mos lejuar  transmetimet e lajmeve dhe programet perëndimore dhe njëkohësisht duke censuruar edhe median e pavarur ruse që nuk ndjekë vijën e tij.  Revista Economist e përfundon komentin e saj duke thënë se, “Lojërat Olimpike në Soçi kishin për qëllim të mobilizonin popullin rus për një nismë të re. Por pa një media të lirë, krijimi i një vendi të qytetëruar dhe modern, siç u përpoq (regjimi i Putinit) ta shfaqte Rusinë gjatë hapjes së lojrave olimpike, do të mbetet vetëm një ëndërrë dhe asgjë tjetër.”

Historikisht, transmetimeve ndërkombëtare të lajmeve, sidomos atyre nga Shtetet e Bashkuara, u bëhej zhurmë dhe bllokoheshin gjatë periudhave  të caktuara dhe politikisht sensitive ose kur regjime të ndryshme diktatoriale planifikonin sulme të mbrendshme ose të jashtëme. Kështu veproi edhe regjimi rus i Putinit kohët e fundit, me bllokimin e programeve të Zërit të Amerikës dhe të Radios Europa e Lirë dhe Radio Liria, duke shpallur të vërtetën dhe lirinë e fjalës, si viktimat e para të luftës dhe të agresionit.  Një shënjë ogurzezë kjo për të vërtetën dhe lirinë e shtypit jo vetëm në Rusi, por kudo.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: E VËRTETA ËSHTË GJITHMONË, Frank shkreli, VIKTIMA E PARË

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT