Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA –Dega Washington DC zhvillon takim me Fondacionin e Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit./
NGA ARMIN ZOTAJ/
Në vitin 1993 me inisiativën e kongresmenit Dana Rohrabacher (Partia Republikane nga California), Congresmenit Robert Toricelli (Partia Demokrate nga New Jersey), Senatorit Claiborne Pell (Partia Demokrate nga Rhode Island) dhe Senatorit Jesse Helms (Partia Republikane nga North Carolina) u paraqit ligji 103-199 perpara Kongresit Amerikan. Ky ligj i cili ishte një kompromis i 2 partive politike amerikane kërkonte krijimin e një fondacioni që të edukonte publikun amerikan me krimet e regjimeve komuniste anembanë botës, të përkujtonte dhe nderonte 100 milion viktimat e komunizmit kudo në botë. Ligji 103-199 u aprovua në mënyrë unanime nga kongresi amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga Presidenti Bill Clinton.Në vitin 1994 Fondacioni i Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit (victimsofcommunism.org) u krijua duke pasur si objektiv kryesor: edukimin e kësaj gjenerate dhe gjeneratave të reja rreth historisë, ideologjisë dhe legjitimitetin e kësaj ideologjie. Fondacioni i Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit krijoi Medaljen e Lirisë Truman –Regan që u jepet personave dhe institucioneve që kanë treguar një dedikim kundër regjimeve komuniste dhe kundër gjithë diktaturave në botë. Ky çmim u eshte dhene ish-presidentit te pare post komunist te Çekise Vasllav Havel më 2003 dhe Shenjtërisë së tij Papa John Paul II më 2005. Ishte ky fondacion që me punën e tij krijoi Memorialin e Viktimave të Komunizmit në Washington DC i cili u inagurua në vitin 2007 nga Presidenti George W. Bush.
Ditën e enjte më 30 Mars 2017 një përfaqësi e Degës së VATRES në Washington DC e përberë nga kryetari z. Armin Zotaj, nënkryetarja zj.Vera Gjata dhe anëtari z. Eduard Buçaj zhvilluan një takim pune me drejtorin ekzekutiv të ketij fondacioni Z. Marion Smith. Gjatë këtij takimi u diksutua rreth domosdoshmerisë së edukimit të brezit të ri në SHBA rreth krimeve të ideologjise komuniste në mënyrë që kjo ideologji të mos përsëritet më. Tema kryesore e këtij takimi u perqendrua tek Shqiperia dhe krimet e kryera gjatë periudhës së komunizmit ku dihet se për nga numri i popullsisë zë vendin e parë për vrasjet me dhe pa gjygj; për burgosjet e internimet, fakt që u theksua dhe nga vetë z.Marion Smith. Në këtë takim u diskutua për dështimin që ka ndodhur në Shqipëri në 25 vitet e fundit përsa i përket de-komunizimit të historisë dhe shoqërisë shqiptare. De-komunizimi i shoqerise dhe historisë shqiptare është kërkuar gjithmonë nga VATRA, drejtuar të gjithë qeverive shqiptare në këto 25 vitet e fundit.
Takimi u përqëndrua dhe në zvarritjen e 25 viteve te fundit te procesit të hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit fakt që e vendos Shqiperinë në listën e fundit të vendeve të Europës Lindore, vende të cilat kanë kohë që i kanë bërë dosjet e sigurimeve të policisë sekrete të komunizmit, të vlefshme për publikun. Gjithashtu u diskutua dhe domosdoshmeria e hapjes së dokumentave të Partise së Punës ideatores së ideologjisë komuniste dhe të Sigurimit të Shtetit. U diskutua gjithashtu reth ringjalljes sidomos në këto 4 vitet e fundit në Shqipëri të historive dhe ideologjive nostalgjike të komunizmit dhe perpjeket për të deformuar historinë e vertete të krimeve te kryera nga kommunizmi si dhe deshtimin total politik, ekonomik, ideologjik dhe kulturor që ndodhi për 45 vjet në Shqipëri. Kthimi në klasën politike në pushtet i shumë drejtuesve të ideologjisë komuniste dhe i pasardhësve direkt të tyre ishte, objekt i ketij takimi.
Z.Marion Smith theksoi nevojen qe ka Fondacionin i Perkujtimit të Viktimave të Komunizmit per fakte e deshmi nga krimet e komunizmit në Shqipëri. Misioni i fondacionit – theksoi ai – është një botë e lirë nga shpresa e gënjeshtër e ideologjisë komuniste. Z. Marion Smith tha se fondacioni do deklarojë këtë vit vendin dhe kohën se ku do të ndërtohet museu për viktimat e komunizmit, i cili do të ngrihet këtu në Washington. Ai do jetë një vend ku do të tregohet e verteta për regjimet komuniste kudo që vepruan dhe shkaterruan kudo në botë dhe gjithashtu do të bëhet një vend edukimi për gjithë ata që do ta vizitojnë. Perfaqesuesit e VATRES theksuan se do thellojnë bashkëpunimin e tyre në të ardhmen dhe se së shpejti do të paraqesin pranë këtij fondacioni fakte dhe dëshmi të hollësishme nga ata persona që vuajtën gjatë tmerreve të regjimit komunist në Shqipëri.