• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kamillafi i “Hirësisë” si gozhda e Nastradinit

June 11, 2014 by dgreca

*Atdheu s’është vetëm i imi, as i yti, porse na përket të gjithëve./
*Të kthejmë sytë nga e kaluara e mundimshme dhe padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë./
*Pësimi për këdo, për politikën apo individët, duhet të shërbejë si mësim./
* A do të rishikohen dhe ndëshkohen ndonjëherë fajtorët për krimet makabre që u janë bërë shqiptarëve?/
*Të pranosh sfidën do të thotë të jesh i bindur në vetvete se je pajisur me dije shkencore për ku do të aplikosh./
*Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të jemi ndonjëherë shtet i së drejtës që me politikat e tij në çdo fushë të jetës, do të pasqyrojë identitetin kombëtar?/
*Po nuk u shkul gozhda e Nastradinit nga trualli ynë, ne do të vuajmë/
Shkruan:Vilhelme Vrana Haxhiraj/
*Atdheu s’është vetëm i imi, as i yti, porse na përket të gjithëve.
Shqipëria është vendi im, vendi yt dhe i të gjithë atyre që lindën në këtë tokë të shenjtë…Këtu në këto troje lindën të parët tanë, në këtë tokë që rënkon nga padrejtësitë. Balta është sanksionuar në pronë me gjak e djersë dhe e përjetësuar nga bëmat e banorëve autoktonë, që gradualisht i shndërruan ato në histori kreshnikësh. Po këtu…,në këtë tokë lindën edhe të parët e 4-5 familjeve që themeluan qytezën e Kaninës të cilën po e marrë për model, si të vetmen qendër që vazhdon jetën në po ato themele prej 3000 vjetësh. Ashtu si banorët legjitim të kësaj qyteze, sa e sa kështjella, sot të shndërruara në rrënoja u ndërtuan si qytete apo krahina dhe morën emrin e atyre që hodhën themelet për herë të parë. Them me plot gojën se nuk ka pëllëmbë hapësire të populluar të kombit tonë që të mos ketë banorin e saj që e themeloi si qendër banimi, birin legjitim të tokës mëmë, të cilin e lindi dhe e rriti vlagu i saj. Ndaj vendlindja është po aq e dhembshur sa vetë jeta. Shqiptarët janë vëllezër të një gjaku pellazg, që i bashkon një racë, një gjuhë unikale, gjuha shqipe. Janë bijtë e këtij trualli që kanë siguruar vazhdimësinë e zakoneve apo dokeve ilire, pasardhës ose trashëgimtarë të të cilëve jemi ne. Për këtë ne jemi krenar. Veçse ne si shqiptarë a e kemi bërë detyrën ndaj tij? A ndihen shqiptarët përgjegjës për ndodhitë e shëmtuara në kohëra? Për shkaktarët këto janë “pa të keq”, “të padëmshme”, madje “rastësi”, kurse për atdhetarët e vërtetë janë incidente dhe provokime të qëllimshme? Le të shohim…
*Të kthejmë sytë nga e kaluara e mundimshme dhe padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë.
Krenaria për vendlindjen është legjitimitet i atij që e vlerëson si dhe sa duhet vendin e tij. Që të ndihesh krenar për mëmëdhenë, duhet ta barazosh e ta vlerësosh atë me dritën e syve dhe me jetën. Nëse çdo qytetar duke nisur që nga ai më i thjeshti e deri tek ai që shorti, apo fati e ndoshta aftësitë e veçanta e vunë apo e ngjitën në sferat më të larta të pushtetit, të cilësdo fushë, po t’i referohet sadopak historisë, duke i kthyer sytë herëpashere pas në të kaluarën e mundimshme të të parëve, jam e bindur se ka për të ndjerë mall të shprehur në dhembje. Veçse ai që harron se si ka arritur majat, është bukëshkalur, mosmirënjohës i mundit, i djersës dhe i gjakut të etërve. Natyrisht njeriu ndryshon, rritet, madhohet si individualitet, krijon personalitetin e tij dhe si më largpamës, ecën më përpara se paraardhësit e tij. Por gjithmonë njeriu është me vlerë, kur është mirënjohës i asaj që i ofruan të parët, e trashëgoi dhe diti ta përvetësojë atë e ta verë në shërbim të vetes ose të mbarëvajtjes kombëtare. Është e pranueshme se kur ke bërë maksimumin e të mundshmes tënde për kombin, ke bërë më të mirën për familjen dhe për të ardhmen e fëmijëve. Pasi familja është atdheu i vogël, ndaj vendlindja është e shtrenjtë dhe e shenjtë. Po a i justifilojnë shqiptarët vlerat e pamohueshme të këtij trualli? Nëse po, atëherë ne nuk do të ishim në këtë udhëkryq të madh, ku na ka vërvitur fati ynë i keq dhe i pamerituar. Po kalon gati një çerek shekulli e një tranzicion i paparë, ku galopon korrupsioni, baret nëpër rrugë papunësia, të ngërdheshet krimineli, kapardiset trafikanti, mburret tutori i prostitucionit.
Sa e hidhur është kur të nxjerrë gjuhën e këlthet si zot vatani shovinisti i kishës greke dhe asaj serbe, i cili duke na përqeshur thotë “Kosova është zemra e Serbisë”. Me këto fenomene që fatkeqësisht është molepsur shoqëria, e cila s’di ta ndajë shapin nga sheqeri dhe disa e quajnë “fat të madh praninë e këtyre të ashtuquajtur apostuj a të dërguar të Zotit”, shqiptari i sinqertë vë duart në kokë dhe këlthet:” Përse ndodh ky absurditet? Si e pranojnë këtë fyerje e cënim dinjiteti e identiteti kombëtar vallë? Nga ç’baltë janë gatuar këta njerëz mendjemykur e shpirtkalbur që pranojnë “Apologjinë e Djallit? Turp, turp për gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë dhe janë të lumtur që një klerik i huaj drejton kishën shqiptare dhe meshën e mban në gjuhën greke! O Zot, çfarë mban mbi tokë. Janullatosit po i bie shëpia e tij dhe kërkon të ngrejë shtëpinë tonë…Kjo është Shqipëria e paradokseve. Pse ia lëndoni kockat Nolit dhe Visarion Xhuvanit? Atë kohë kur Shqipëria nuk ishte ende shtet dhe ata jo vetëm themeluan Kishën Autoqefale Shqiptare më 1922, por nuk pranuan vartësinë e saj nga kisha greke, kundërshtuan Patriarkanën e Kostandinopojës dhe shërbesat fetare bëheshin në gjuhën shqipe.”
*Pësimi për këdo duhet të shërbejë si mësim:
Fjala e urtë thotë: “Kush pëson ..mëson.” Mjafton që ta mbajmë “vath në vesh” këtë thënie, sepse gjatë jetës njeriu në çdo pozitë shtetërore apo private qoftë, ndodh që edhe rrëzohet, porse gjatë rënies mëson se si të ringrihet. Nëse kjo arrihet duke u bazuar në fuqitë fizike dhe mendore të qenies së tij, atëherë ai duhet të falenderojë formimin e tij individual i cili varet nga shumë faktorë. Së pari që të ringrihesh, duhet mbështetur në dijet e në forcat vetjake, në përvojën e të parëve, ku përfshihet edukata që ke marrë, kultura e trashëguar mbi të cilën kultivohet formimi kulturor në bazë të dijeve shkencore të përvetësuara gjatë arsimimit dhe gjatë shkollës më të përsosur që është jeta, si mësonjtorja më e madhe. Gjithashtu i rrëzuari e gjen veten, duke mos mohuar arritjet e kujtdo e në veçanti të të gjithë atyre që pranojnë sfidën dhe që ndërtuan atë që më pas gjejnë brezat e rinj. Sundimet e gjata shekullore dhe padrejtësitë e më të mëdhenjëve, qofshin vendas apo të huaj, qoftë shteti ynë apo shtetet e huaj, e lanë vendin tonë në kuotat e niveleve mesjetare të zhvillimit në çdo fushë. Kjo prapambetje që na çoi në regres. Ndaj për të ecur vendi përpara, duhej të ishte dhe është detyrë primare e pushtetit shqiptar të çdo kohe dhe ngjyre politike,që duhet të gjejë arsyet e prapambetjes dhe mos realizimeve, sepse pësimi bëhet mësim.
Është thënë e thuhet se në diktaturë ne ishim “vendi simbol shembulli e modeli’, ‘Fanar ndriçues në Evropë”. Me një ekonomi të hiperbolizuar në mënyrë fiktive, përballë varfërisë materiale dhe mendore, si ka mundësi që mendjet e mykura vazhdojnë ta besojnë nivelin e lartë jetik të asaj kohe? Ishte pikërisht kjo farsë që e çoi ekonominë në zero në fundin e viteve 80-të. Kjo ishte gjendja e vendit me të cilën u përballën proceset demokratike…ku sundonte zija e bukës, papunësia, 80%-shi përfshiu gjithë shqiptarët, mugesa e elektricitetit, rrugët plot njerëz të hallakatur, që pa asnjë dritë shprese nisën një rrugë të panjohur, atë të kurbetit, atë rrugë plagërëndë të shqiptarëve e nisur shekuj më parë. Dikur detyroheshin të mërgonin nga frika e pushtuesit, kurse më 1990 morën arratinë nga diktatura që i kishte izoluar e i kishte mbajtur ngërthyer si miun në çark, nga varfëria dhe urrejtja gjysmë shekullore që i kishte ndarë në njerëz të partisë dhe në armiq të betuar të saj, hasëm të njëri-tjetrit. Në këto kushte sfidat ishin të pamundura për vendin tonë të varfër.
*Të pranosh sfidën do të thotë të jesh i bindur në vetvete se je pajisur me dije të plota shkencore për aty ku do të aplikosh.
Përballja e demokracisë sonë të brishtë në kushte të tilla e me një prapambetje skandaloze, krahas me vendet e zhvilluara, kërkonte dhe kërkon aftësi maksimale nga pikpamja profesionale, intelektuale e organizative, njohjen e të rejave të shkencës botërore, kërkon njohjen e stadeve të zhvillimit tërësor dhe rrugët nëpër të cilat kanë kaluar demokracitë e avancuara Perëndimore. Dihet se edhe në këto vende bëhen gabime, por ama kanë ndërtuar shtete. Individi dhe aq më tepër ata që drejtojnë institucionet e të gjitha niveleve të pushtetit, kurrë nuk duhet ta anashkalojnë, ta shpërfillin përvojën e të tjerëve që e kanë përftuar nga koha dhe duke e përsosur atë, fitojnë përvoja të reja dhe i venë në shërbim të jetës. Në mënyrë të tillë duke kërkuar më shumë nga vetja, duke e mohuar së paku për një legjislaturë etjen për t’u pasuruar me urdhër të peshkut, secili është në gjendje të pranojë konkurencën. Janë këto arsyet që demokracitë e zhvilluara, vetëm me arsimim, me punë e në konkurim me më të mirët, i kanë shndërruar shtetet e tyre në vende të mundësive dhe sfidave.
*Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të jemi ndonjëherë shtet i së drejtës që me politikat e tij në çdo fushë të jetës, do të pasqyrojë identitetin kombëtar?
Lind pyetja : “Pse nuk u realizua kjo gjë dikur…atëherë kur bota na shihte me kërshëri ngaqë i rezistonim izolimit të kopshtit zoologjik, duke na i prerë të gjitha burimet jetike?”
Në këto vite postkomuniste vazhdimisht është dhënë përgjigja se fajin e kishte koha, apo sistemi diktaturë komuniste. Kjo është mëse e vërtetë.
Dihet se vendi ynë edhe në çdo periudhë historike të shkuar apo të tashme, me sisteme dhe qeverisje politiko-ekonomik të ndryshme, ka krijuar shtratin e vetë administrimtiv- institucional, si në politikë, në ekonomi, drejtësi, arsim, kulturë, diplomaci etje. Ç’ndodhi vallë me vendin tonë? Le ta shohim…
Fatet e rrjedhave politiko-historike të Shqipërisë kanë nisur herët. Si vend ballkanik fati ynë nuk ka qenë i shkëputur nga fatet e fqinjëve tanë jugor dhe verior. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Greqisë, qysh më 1830 lindën pretendimet e shovinistëve grekë për Vorio Epirin, me idenë e Greqisë së Madhe. Po ta vëresh me kujdes rrjedhën e fakteve apo ngjarjeve historike në marrëdhëniet ndërfqinjësore dypalëshe, ata kanë vepruar si mola që grryen drurin gati për dy shekuj. E nxorën kollën me Çamërinë ndërsa më pas…do ta shohim se ç’po ndodh.
Kurse fati i cungimit të trungut shqiptar nisi me Traktatin e Shën Stefanit, vazhdoi në Paris dhe u vendos në Londër. Më e dhembshmja ishte se, pa praninë e Shqipërisë, jepej dënimi kapital i saj, duke ia vënë trupinë në gijotinë, ia prenë gjymtyrët pamëshirë dhe e lanë vetëm trungcung. Asnjë përfaqësues shqiptar nuk ndodhej në Konferencën e Ambsadorëve. Cila ishte drejtësia që u ndoq ndaj Shqipërisë që u dënua në mungesë? Përse duhej t’i ndanin vëllezërit e një race, e një gjuhe e një gjaku? Mbi ç’bazë janë mbështetur, cili ligj ndërkombëtar i jep përparësi pushtuesit, kriminelit, xhelatit dhe i mohon të drejtat legjitime të pafajit? Këto pyetje janë për politikanët e së tashmes, si dhe për ata që kanë qeverisur. Ky problem i pazgjidhur, që ka ngelur pa përgjigjen e atdhetarëve, si dhe vendosja e Janullatosit në krye të Kishës ortodokse shqiptare janë ngulur në trupin e sakatosur të Shqipërisë si gozhda e Nastradinit.
*I kujt ishte faji i vallë? I Shqipërisë së vogël dhe pa përkrahje, apo i Fuqive të Mëdha që e nxorën në ankand, duke plotësuar oreksin e shovinistëve grykës të pangopur?
Ende pa mbaruar mirë Lufta e Dytë Botërore, Greqia gllabëroi Çamërinë, duke vrarë, masakruar dhe përndjekur banorët e saj autoktonë shqiptarë. Një pjesë e tyre emigroi drejt trungut Amë dhe një pjesë drejt Turqisë.
Në veri serbët të vendosur vonë në Evropën jugëlindore, kanë pasur synimin për supremaci në gadishullin e Ballkanit. Pengesa kryesore për shtrirjen e sundimit të tyre kanë qenë shqiptarët autoktonë.
Duke pasur përkrahjen e rusëve dhe ndonjë fuqie tjetër, si internacionalistët francez apo shovinizmi grek aprovuar nga organizmat evropiane e ato ndërkombëtare, më 1948 nën juridiksionin e Jugosllavisë, futën Kosovën dardano-shqiptare, si dhe trevat shqiptare të Malit të Zi e të Maqedonisë . Ndaj tyre u ndoq një politikë shfarosëse e si pasojë mbi një milion shqiptarë morën rrugën e mërgimit drejt Turqisë, shteteve të Evropës dhe Amerikës. Si i zbatuan këto dy shtete (Greqi-Serbi) të drejtat e njeriut, si moscënimin e të drejtave ndërshtetërore apo ruajtjen e integritetit dhe fqinjësisë së mirë?! Kjo vlen të analizohet dhe të gjykohet nga organizmat më të larta ndërkombëtare. Këto shtete kryen krim ndaj një kombi, Shqipërrisë dhe shqiptarëve. Po si reagoi vallë qeveria shqiptare nën drejtimin e PKSH, që e kishte të sanksinuar me ligj paktin e moscënimit teritorial dhe kufitar të trojeve amtare? Bëri një sy qorr dhe një vesh të shurdhët, vetëm të mos u ndërpriteshin mësimet marksiste- leniniste që jepte Moska dhe Beogradi. Ndoshta për ta nuk ishte Shqipëri, as Kosova, as Çamëria, as Malësia e Madhe, as Uliqini e Tivari, as Hoti e Gruda, as Shkupi, as Tetova e Gostivari…Për shtetin komunist shqiptar mjaftonte që të mos prisheshin me mësuesët e shkollës së të paudhit(Djallit), e punë e madhe se ndiqej gjenocid ndaj tyre, pasi ajo shfaroste fisnikët dhe intelektualët,palcën dhe trurin e kombit. Heshtja e Qeverisë komuniste shqiptare tregonte se ishte katërcipërisht e kënaqur me vendimet antishqiptare të Konferencës së Londrës. Kurse gjenocidi që u ndoq nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës, nuk mund të tregohet me fjalë. Ndaj, para se Serbia të futet në BE, duhet hapur një “Nuremberg”, sepse duke parë raportin mes numrit të popullsisë dhe të viktimave nga gjenocidi sllav dhe ai grek, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm, ndaj të cilit duhet mbajtur qëndrim prej organeve më të larta të drejtësisë evropiane dhe nd/kombëtare. A do të rishikohen dhe ndëshkohen fajtorët ballkanik ndonjëherë për krimet makabre që u kanë bërë shqiptarëve. Kjo e drejtë vendoset vetëm me kërkesë dhe këmbëngulje të shqiptarëve, duke i vënë para përgjegjësisë autoritetet e drejtësisë evropiane.
* A e ka bërë faktor parësor politika shqiptare këtë?
I mençuri ka thënë: “Po s’qau fëmija, nuk i jep gji e ëma…” Që të ulemi në një tryezë me të tjerët e që të na pranojë në gjirin e saj, BE na ka vënë kushte. Këto detyra unë i vlerësoj, pasi janë tregues integrimi të shtetit shqiptar nëse realizohen, por mjerisht jemi larg. Po ne nuk kemi të drejtë të vëmë kushte dhe të kërkojmë drejtësi për krimet ndaj shqiparëve? Përse na kanë vrarë, na kanë mohuar, na kanë shkatërruar apo vjedhur truallin e pasurinë me të padrejtë? Pse trajtohen disa shtete si bijë nëne dhe disa si fëmijët e njerkës?
Ligji kombëtar apo nd/kombëtar është i barabartë për të gjithë, si për të madhin dhe për të voglin dhe kur ai zbatohet njëlloj për gjithë shtetet apo individët vetëm atëherë ka barazi. Pikërisht këtu hynë edhe diferencimi racial edhe gjinor. Ndaj shteti mban në çdo kohë përgjegjësitë e veta si për vendimet e gabuara të së shkuarës dhe për padrejtësitë e së tashmes. Duke qenë e paaftë, e papërgatitur, e mbytur në gabime e korrupsion, politika shqiptare ul kokën para së vërtetës. Ndaj Shqipëria nuk po del dot nga udhëkryqi që e ka futur në kolaps.
* Duke qenë kaq të paskrupullt, a u lejohet të shfajësohen në këtë mënyrë sot pas gati një çerek shekulli?!
Si mund të na njohë bota të drejtat tona kombëtare, kur politika jonë ka heshtur, hesht, apo kujtohet si kofini pas të vjelit, sidomos për probleme madhore që cënojnë identitetin dhe autoritetin kombëtar? Për fat të keq asnjë nga qeveritë e këtyre 70 viteve të fundit, jo të kërkojë drejtësi për trevat shqiptare, por nuk ka bërë asnjë kërkesë të drejtë institucionale, për trojet dhe për shtetasit e vetë. Po marrë një rast…
Cila qeveri u kujtua të sjellë hirin e mbi 800 shqiptarëve që u dogjën në krematorët e Aushvicit dhe Mat’hauzenit, të quajtur viktima(nga 1260 të internuar). Vetëm në Vlorë arrestimi i fundit nga nazizmi ka qenë i (48) dyzetë e tetë vlonjatëve më 14 gusht 1944, nga të cilët vetëm dy(2) u kthyen. Disa u shpallën dëshmorë të atdheut, kurse të tjerët jo vetëm u dogjën, por u quajtën viktima lufte nga PKSH (më vonë PPSh). Diktatura bëri krim, që edhe mes të vdekurve zbatoi luftën e klasave, duke i ndarë në dëshmorë dhe viktima. Kurse qeveritë e tranzicionit nuk e kanë vënë ujin në zjarr për të vendosur në vend identitetin kombëtar të këtyre shqiptarëve që kanë ngelur pa atdhe. Ndërkohë vendosin autoritetin e shtetit. Edhe qeveritë e vendeve pushtuese, shkaktar të luftrave dhe mjerimit të popujve të pafajë, erdhën e i morën eshtrat e ushtarëve të tyre, kurse ne…bijët legjitim të këtij trualli i nxorëm të jashtëligjshëm. Fqinjët tanë që na duan të pjekur shfrytëzojnë pikërisht dobësitë e politikës shqiptare e të gjitha ngjyrave që ende nuk po e gjen shtratin e vetë.
Me ndryshimet e kushtëzuara të sistemit soc-politik që ndodhën në vendin tonë më 1990, shqiptarët duhet të ishin të vendosur të ndiqnin përvojën më të përparuar botërore. Në këtë mënyrë do të realizonin ëndrrën shumëshekullore të shqiptarëve që ndihen përgjegjës si atdhetar, të Rilindasve dhe intelektualëve të shquar të të gjitha kohërave, që nuk i kanë munguar kurrë Shqipërisë. Bota që ka ditur të japë vlerat e duhura, emrat e shumë prej tyre i ka përjetësuar pasi janë shkruar me shkronja të arta, në enciklopedi, në memoriet e shteteve, nëpër biblioteka, nëpër katedra e universitete, në akademi shkencash, ushtarake, arti, filozofie apo mjekësie, në objekte arkitekture, në vende të shenjta etje… Këta elitar, krenarë për origjinën e tyre, punuan dhe lanë mesazhe të panumërt. Amaneti i tyre i fundit për brezat ishte për Atdheun që lindi, u formua e mori emër në Evropë, ta bënin Shqipëri Evropiane. Nuk ka dyshim që vendi ynë është shtet i Evropës, por ata donin që në vendin e tyre të bëhej jetë evropiane (perëndimore).
Pak rreshta më sipër i quajta “ndryshime të kushtëzuara” dhe nuk kam as më të voglin dyshim. Tek ne varfëria materiale, mendore e pakënaqësia në vitet 80, kishin arritur kulmin, por pjekuria ndërgjegjësore kombëtare nuk ishte në lartësinë e duhur që t’i përgjigjej asaj që po ndodhte në Evropë, por ishte dhe është për të dëshiruar. Ndaj shoqëria shqiptare nuk ishte në gjendje të bënte ndryshimet e duhura.
Që të sjellësh përmbysje sistemi shoqëror pa luftë, do të thotë që gjithë atdhetarët ose pjesa dërrmuese e komunitetit shqiptar është zhveshur nga mendësitë e të shkuarës komuniste dhe është mëse e bindur se e ka përgatitur veten se ndryshimi rrënjësor është i vetmi shpëtim kombëtar. Si njerëzit edhe shtetet nuk jetojnë dot vetëm. Shembulli më i mirë për këtë, që na hodhi në greminë ishte Shqipëria komuniste. Kemi nevojë për marrdhënie miqësore, aleanca diplomatike, ekonomike, kulturore mes fqinjëve, apo me ShBA e largët. Miku ka vendin e mikut, por jo ta bëjmë zot shtëpie, siç ndodhi duke vënë Janullatosin në krye të Kishës Ortodokse shqiptare. Në zhvillimin ekonomik të vendit kanë shumë rëndësi investuesit e huaj, por duke respektuar disa kritere të domosdoshme. Kufiri shqiptar u shndërrua si një han pa zot, ku më lirisht hynin e dilnin të huajt sesa vendasit. Që të bëhet një takim i krerëve të ortodoksisë në Tiranë, ku patriarku serb shfaqi lirisht shovinizmin serbomadh ndaj Kosovës duke e quajtur “zemra e Serbisë”, është diplomacia, qeveria dhe politike shqiptare që aprovon. Kurse përfaqësuesit e shtetit dhe politikës shqiptare e dhanë përgjigjen vonë. A nuk kishte dijeni qeveria se do të bëhej një takim për përurimin e kishës? Si mund të hyjë e të dalë në Shqipëri, si në shtëpinë e tij sa herë dhe kur të dojë antishqiptari, shovinisti Gejxh, i cili jo vetëm i ka shfaqur pretendimet e tij mbi Vorio Epirin, por i mbron me fanatizëm. Ne i kemi hapur portat e Atdheut në katër kanata për të huajt. Po cili shtet na i ka hapur portat dhe na fton të hyjmë brenda me tolerancë rregullash?! Këto gabime nga padija apo nga dashamirësia për miqtë e vendit, me kohë shndërrohen në faje të pariparueshme.
Ballafaqimi 24 orë në ditë me dhunën, mungesën e edukatës, fjalorin e rëndomtë mes grupeve parlamentare, krijon një psikozë të rëndë sociale? Shqiptarëve që i mbajnë sytë nga politika, nuk u interesojnë skena të tilla vulgarizmi, sepse u shuhet çdo shpresë për të nesërmen. As si shembull pozitiv edukimi për brezin e ri nuk shërben grindja mes parlamentarve. Atëherë kujt i intereson vallë? Vetëm atyre që duan ta shikojnë vendin tonë në anarshi e të përçarë, se kështu penetrojnë kollaj. Ndaj nuk mund të shfajësohen sot pas gati një çerek shekulli.

Pas vitit 1990 filluan thirrjet e duam Shqipërinë demokratike, e duam Shqipërinë si Evropa, apo si e gjithë bota.
Për t’ia dalë mbanë e të arritur stadet jetike të vendeve të zhvilluara, kërkoheshin kllëqe nga politika shqiptare, që ishte me ekonomi të pakonsoliduar, pa përvojë, pa ekspertët e duhur,por e mbarsur me idetë marksiste dhe me metodat e vjetëruara. Për çudi brenda natës ndërruan ngjyrë dhe ide sipas programimit të Katovicës, ku Gorbaçovi mblodhi kryetarët e shteteve të ish kampit të lindjes. Mes tyre ishte edhe Ramiz Alia, i cili ndoqi zbatimin e udhëzimeve pikë për pikë. Menjëherë u ndanë sferat e influencës mes besnikëve të të PPSh-s. U dhanë udhëzimet dhe programet dhe ata nga të kuq u bënë blu, rozë, të gjelbër apo vjolë…Dhe që nga ai çast për ata nisi historia e kombit.
Askush nuk mund t’i mohojë ndryshimet e këtyre viteve, por ne duhet të kishim ecur përpara me galop, pasi Shqipëria çshtë vendi i resurseve, veçse të dish t’i shfrytëzosh me nikoqirllëk dhe mençuri. Sot Vlora duhet të ishte në majën e kurbës së fitimeve nga turizmi, por çfarë do ta tërheq turistin e huaj apo vendas:mungesa e organizim- menaxhimit të vlerave turistike të saj apo infrastruktura? Po a lejon i kudogjenduri Janullatos që në Shqipëri të lulëzojë turizmi? Duhet pyetur…
Të gjithë shqiptarët u bënë me diploma e tituj shkencor. Të gjithë duan të jenë të parët dhe vetëm të udhëheqin.Po token djerrë të lënë shkretë kush do ta punojë?! ”Unë Zot dhe ti Zot…,”kopenë” kush e kullot?!”
Egoizmin e shfrenuar të shqiptarëve, si mendësi e së shkuarës, e shfrytëzojnë përmes një apologjie ”Apostujt“e djallëzuar, që qëndrojnë në vendin tonë si gozhda e Nastradinit.
Ndaj duhet shkulur kjo gozhdë, që shqiptarët të marrin frymë lirisht, si zotër vatani, si në besimet fetare, ashtu edhe në fushat e tjera. Kjo është detyrë primare e politikës. Tek e fundit vendin e drejtojnë shqiptarët dhe jo shovinistët e kishës greke që qëndrojnë gati për aneksimin e detit, të Krahinës Autoktone të Shqipërisë Jugore, janë aty enkas për dhunimin e varrezave shqiptare, për të shuar emrin e Rilindasve duke shndërruar në Kishë QK Përmet që mban emrin e vëllezërve Frashëri. Janë të parët që mbërrijnë në Himarë për çdo ndodhi a incident. Janë të parët akuzues për shkeljen e të drejtave të minoritetit.Natyrisht shovinistët greko-serb shijnë si kali në lëmë, kur dëgjojnë ish krerë të Qeverisë shqiptarë që shprehen :”Edhe Himara, edhe Tropoja janë shqiptare?!” Pra kur e vënë në dyshim ish krerët e Qeverisë,i pangopuri dhe lakmitari aq kërkon. I jep gishtin të merr dorën. Ndaj duhet vendosur kufiri te thana,-thotë vlonjati i mirë.

*Lidhur me sa ndodh, mos vallë të persekutuarit janë fare pa faj? Jo…
Nuk di kush i mënjanon këta mjeran nga këto kërkesa kombëtare tejet alarmante dhe i përdorin të gjorët duke i shtyrë të futen në grevë?! Të persekutuarit duhet ta kenë të qartë se, përderisa nuk vlerësohen për aftësitë që kanë, qëndrojnë pa punë, shihen si segmenti më i keq i kombit e janë të parët që u mohohet profesioni, me urrejtje dhe hakmarrje pa arsye ndaj tyre, kështu nuk mund të ndërtohet demokracia e vërtetë. Po bëjë një pyetje: Sa të persekutuar janë zgjedhur apo emëruar këto vite tranzicioni në Qeveri, në KLD, apo si diplomatë? Sa aksionerë nga ish të burgosurit ka nëpër miniera, ku u ranë brinjët, dhanë edhe jetën? Përjashtoj vetëm ata të persekutuar apo pseudo të persekutuar që kanë qenë lidhur me sigurimin e shtetit apo prindërit e tyre i kanë shërbyer të huajit, të cilëve u kanë besuar ndonjë post të lartë shtetëror apo në fushën diplomatike. Më vjen keq që abuzohet me ata syleshë dhe naiv, që mashtrohen lehtë. Pastaj këto gënjeshtra e mashtrime hyjnë në histori si zbatim programi i një force të caktuar politike. Në raste të tilla ata rivriten dhe u rihapen plagët e vuajtjeve. Unë nuk e besoj kurrë se persekutori dhe xhelati vë shenjën e barazimit me viktimën. Ata që ishin dje, drejtojnë sot, veç ndërruan kostum, tesrën, terminologjinë dhe janë më bashkëkohor se perëndimorët. E duan demokracinë, por me marksizmin në gji. Këtë e dëshmon më së miri, që politkanët e majtë kërkojnë me çdo kusht të rivendosin lidhjet e dikurshme me mëmën Rusi. Sipas tyre këtu nis historia…
*Për fat të keq, pa përjashtim, çdo qeveri e re, përfaqësuese e forcës politike fituese në zgjedhjet elektorale, mes deklaratash mediatike, përligj se rrota e historisë nis rrokullisjen me fillimin e qeverisjes së saj.
Është e pafalshme për cilindo që shprehet në këtë mënyrë, pasi historia nis me fillimin e jetës së një komuniteti. Se ç’peshë ka dhe çfarë vlere ka secila Qeveri, treguesi më i mirë është koha, e cila pohon progres pozitiv mbarëkombëtarë apo pëson regres negativ nëse i ka shërbyer vetëm pakicës. Autoriteti i një pushteti rritet kur realizon mangësitë e pushtetarëve paraardhës, jo me fjalë dhe fyerje, por me veprime, me paanshmëri dhe drejtësi. Shovinizmi kurrë nuk do që në Shqipëri të shkojë prona te pronari legjitim. Nuk u pëlqen asnjëherë integrimi i të përndjekurve politikë. Iu erren sytë nëse minimizohet korrupsioni. Sepse realizimi i këtyre kërkesave fuqizon kombin dhe shpejton integrimin. Ndaj kërkohet shumë punë për pasurimin ndërgjegjësor kombëtar dhe kulturë demokratike e të gjithë shqiptarëve. Vetëm kështu përballohet e keqja që na ka lidhur këmbë e duar dhe ne pa frikë mund të ecim drejt zhvillimit kombëtar.

Filed Under: ESSE Tagged With: e Nastradinit, Haxhiraj, Kamillafi i “Hirësisë”, si gozhda, Vilhelme Vranari

Apelim i vetëdijes

May 20, 2014 by dgreca

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/
Kupola qiellore këtë mbrëmje ka veshur një mantel transparent ngjyrë gushëpëllumbi. As unë nuk di përse më përngjan me një velë të hollë argjendor, i cili duket se e përkëdhel me shumë dashuri trupin e hajthëm e tekanjoz të natyrës. Gjithsesi brenda kornizës së kësaj tabloje magjepsëse dhe kryeneçe, se ç’ka diçka të ftohtë drithëruese e madje, madje rrëqethëse, që depërtohet tek unë. Ndoshta kjo ftohtësi përcillet tek të gjithë ata që e kanë përqëndruar vëmendjen tek kjo natë kristaline grivoshe, ndërsa sjellin ndërmend dhe kujtojnë sa e sa ndodhi të freskëta apo…
Në një pikë të hapësirës së pafundme, ndoshta në atë më kulmoren e saj, si një biskajë harkore, si vetulla gajtan e vashëzës sime, një dukuri feksi si e skalitur nga magjistarja “natyrë”. E skicuar mjeshtërisht, si kurrë ndonjëherë, doli në pah një profil i ngushtë e i ndritshëm fytyre, gati-gati e padukshme,jo plotësisht e qartë. Një pamje e tillë ishte aq e papërfillshme për shikuesit e zakonshëm, sa vetëm një sy i kujdesshëm e i stërvitur e vinte re. Kjo ishte hëna e rilindur.
Gjithçka e rilindur është e jashtëzakonshme. Është një përtëritje e asaj që iku, të cilën e tashmja e ka lenë pas shpine. Veçse nuk duhet të harrojmë se ende ekzistojnë në mënyrë të pamohueshme, të gjalla e të pashlyeshme gjurmët e hapave tanë, të cilat i rishohim me sytë e së djeshmes. Po të zhbirosh me pak mund, ato i gjen në pluhurin dhe baltën e kohës, në rrugët e drejta apo tinzare, në udhëkryqet fushore ose me pengesa apo në rrugët pa vazhdimësi, përgjatë një rrugine me dritë apo me labirinte të errëta…Ndërsa sodisja mrekullinë që më dhuronte çasti, ndjeva haplehtën, gojëmblën, time shoqe, të cilën ende e quaja si dikur, si në kohën e pafajësisë së rinisë sonë, kur për herë të parë i thirra:”vashëz”, e cila m’u afrua dhe më përkëdheli ëmbël si atëherë.
-Sonte, i zhytur në mrekullinë e magjisë me emrin “mbrëmje”, më dukesh si një djalë i ri që bisedon me kohën, duke iu drejtuar hënës. Me gjithë afshin e shpirtit dhe me ëndje, i flet fjalë zemre, më të bukurat, ato që tingëllojnë më ëmbël në të gjitha gjuhët e botës. Po më xhelozon pak, i dashur…Ç’të jetë ky intimitet me universin?! Mos vallë ke rënë në dashuri me atë trup qiellor që merr pjesë në gjithë ëndrrat, dëshirat, ndjenjat dhe ndryshimet kohore të gjithë botës universale?!
-Eh, vashëza ime …sikur vërtet ai satelit i tokës sonë të ishte një trup që frymon dhe nëse mund të më dëgjonte, do t’i kisha shprehur gjithë lëmshin e pazgjidhshëm që kam në shpirt dhe gjithë mendimet e koklavitura që ziejnë në trurin tim të verbër, duke më krijuar vetëm ankth. Do t’i kërkoja ndihmë të më shplekste gjithë litarët që më kanë lidhur këmbë e duar, që më kanë shndërruar në një trup inert. Ajo që më dallon e më ndan nga sendet apo trupat pa jetë, është frymëmarrja ime, që më bën të ndihem i gjallë mes të të gjallëve. Kam ngelur i zbrazët, i ngjashëm me një skelet të zhveshur pa mish, pa inde, pa gjak e pa nerva…
-Shëëët…! Mos ia prish magjinë kësaj mbrëmjeje të pakrahasueshme.Të lutem, leri mënjanë të gjitha mendimet…Ato të plakin para kohe, i miri im.
-E dashur, ndihem i lodhur, tejet i drobitur…i zhgënjyer nga koha, nga njerëzit, ndoshta edhe nga vetvetja. Nuk di më se cili isha dje, cili jam sot dhe cili do të jem nesër, nëse…
-Nëse…?!
-Poqese do ta kaloj paq këtë fazë… Më duket sikur nga e vërteta, me të cilën duhet të përballem dhe ta njoh në thelb, më ndan një humnerë e pakapërcyeshme. U futa në një valle që nuk dija ta kërceja…
– Unë të njoh dhe e di që do t’ia dalësh. Edhe pse në dukje e brishtë, apo frymëzuese, kjo atmosferë mbrëmjesore, është e mbarsur me lagështi. Ndaj eja të hyjmë brenda.
-Faleminderit për aperitivin e freskët. Ti shko se nesër je në punë.Unë po qëndroj edhe pak. Nuk do të mërzitesh…,se kam nevojë të tërhiqem brenda guaskës sime. Ndoshta vetmia do të më qartësoj…
-Bëj si të të duket më e mira për ty. Po të sjell diçka që ta hedhësh krahëve, se këtu në veradën tonë fryn nga të gjitha drejtimet.

***
Ime shoqe më hodhi një triko të hollë krahëve, ndërsa unë isha zhytur në një botë tjetër.
“Kjo natë kaq e heshtur, duket sikur gjurmon e përdjek mendimet e mia të hallakatura.
I gjori baba! I ndrittë shpirti atje ku i prehen eshtrat! Përvoja e kishte bërë të mençur, ndaj dhe ka lenë një thesar me fjalë të urta. Por këto thënie të mençura, tejet të goditura, të mirëpërshtatura, nuk duhen ruajtur vetëm si relike,por duhet të gjejnë shprehjen e tyre në kohën dhe vendin e duhur, ndryshe iu bije vlera. Nëse një mendim i mirëpeshuar, që i kundërvihet së keqes, nuk vihet në zbatim sa herë paraqitet rasti, është pa vlerë. Një individ që e di kuptimin e shprehjes apo fjalës së urtë dhe nuk e vë ujët në zjarr, atëherë ai është i ligu i vetes. Pa e kuptuar një ditë të bukur, do të jetë varrmihës i vetes së tij. ‘Mos u gëzo,o i gëzuar, as me shëndetin, as me paratë dhe as me fëmijët!’
Biri im,zakonisht sinqeritetin e të ndershmit e quajnë “Idiotri”,të cilën me kohë, i pandershmi e shndërron në një njeri mediokër,pjellë e fantazisë së tij. Sa keq që virtytin e njeriut të mirë e pa vese, bastardi e quan…budallallëk. Pse vallë? Mos nga që i besoi fjalës së tij? Kjo paaftësi e sajuar që s’sheh dot tej hundës, shfrytëzohet nga mendjet e talentuara për dinakëri e shfrytëzim,nga njerëz që rendin pas famës farse. I tilli që varet mijëpërqind nga fitimi dhe mjerisht është në funksion të parasë apo të servilit që s’lë gjurmë këpuce pa lëpirë me gjuhë, i cili paturpësisht para lekut përkulet deri në tokë, i duket vetja gjeni . E në këtë rast cinizmi dhe hipokrizia, duke fshirë pluhurin e palltos së tjetrit, i nxjerrin gjuhën të virtytshmit. Ndërgjegjja që ka zgjedhur rrugën e të paudhit, të lajkos e të lavdëron deri në atë masë sa ti bëhesh me krahë. Arrin në atë pikë sa nuk ecën me këmbë mbi tokë, as me kokën mbi supe, por fluturon në hapësirë me trurin e hipnotizuar se ke arritur majën më të lartë të universit. Mendja euforike ngre kështjella rëre në stratosferë pa e prekur fare realitetin, të cilin duhet ta ndjekësh hap pas hapi, ndaj duhet të arrish shkallën më të lartë të njohjes që më pas këtë ta vësh në shërbim të jetës,apo të të mirave materiale. Jetojmë në shekullin e ri, në qytetërimin e njëzetenjëjtë dhe nuk dimë të reagojmë ndaj gënjeshtrës e hipokrizisë, mashtrmit e vjedhjes, që duke na hedhur hi syve me dogma të deklaruara përmes një fjalori “të ri modern”, pompoz e të bastarduar në shpirt e në ndërgjegje, kanë injektuar heshtjen e heshtur…Si i verbëri para dritës,apo i drejti që beson në shenjtërinë e vërtetësisë së fjalës së thënë, vepron i bindur se është duke hedhur hapin e duhur në jetë… Duke qenë tejet i sinqertë brenda qenies së tij, si shpirtërisht dhe ndërgjegjësisht, beson se edhe ai tjetri që i është përbetuar se e ka mik kaluar mikut nërì ditë të mira dhe të vështira, jo vetëm për taverna e dollira, i kënaqur thotë:”Ky po, që është mik për kokë…”
…dhe babai im vazhdonte e vazhdonte …” -Djalo,të rrallë janë shokët e mirë. Besa është fjalë e lashtë, e cila ka lindur me njeriun bashkë. Kurse shokë ngelet ai me të cilin je rritur dhe ke kaluar të mira e të këqija. Edhe ai provohet gjatë kapërcimit të vështirësive që ke hasur në jetë, ke provuar se ai nuk është stepur, nuk të ka sjellë cytjet smirëzeza të të tjerëve, po u ka bërë ballë vetë,pa e tronditur dëlirësinë dhe qetësinë e shpirtit tënd. Atë njeri që nuk e sheh shoqërinë me ty si interes, besoje, se ai është miku që të duhet.
Në moshë madhore zakonisht lidhjet miqësore bëhen për interes. Nga përvoja dimë se miqësi të tilla nisin papritur e pakujtuar dhe forcohen me hapa galopante sidomos në politikë, ku lind nevoja për mbështetje, lindin në biznes, si dhe kur ke pasuri të madhe. Në rastin e fundit më bajatja dhe më e pështira…, dikush nis miqësi me ty”kur ke gruan e bukur”. Pse jo kur ke vajzën në moshën për të krijuar lidhje të reja krushqie. Kujdes nga një njeri i tillë që pasi të të ketë mjelë mirë, pastaj do të ta marrë erzin nëpër këmbë. Kur të jetë poziciouar dhe të ketë pushtet në fushën ku investoi me mashtrim, do të të flakë tej me neveri si një lëvere,duke të të nxjerrë gjuhën pas shpine…” -Këto porosi të tim Atit i kisha mësuar përmendsh. Madje kur bëheshim bashkë rreth një tavoline disa të njohur apo të afërm, i tregoja me mburrje si shembuj virtyti. Po a i vura në jetë thëniet e babait? A e pyeta ndonjëherë ndërgjegjen, përse arrita në këtë gjendje? Kurrë.
“Kur të vijnë mendtë, nuk t’i hanë as qentë.” Pa u thelluar se nga lindi ky njeri, deri dje i panjohur. Çfarë e shtynte atë drejt afrimit me mua. Më kujtohet mirë, sikur ka ndodhur sot…
Një ditë po hyja i pavëmendshëm në një bar. Teksa ngjisja shkallët, pa dashje më ndodhi një përplasje e vogël me dikë. Në atë çast një paketë e vogël u rrokullis në të tatpjetën e shkallëve. Prej zhurmës që dëgjova, ktheva kokën, pa e ditur se isha unë shkaktari. Tani që e mendoj them, se incidenti ishte sajesë e krijuar prej tij, sepse ai nuk i kishte duart prej qulli.
– Ishte ndonjë gjë me vlerë? U dëmtua? -pyeta teksa ai po e hapte paketën.
– S’ ka gjë…,s’ka gjë…Nuk ishte faji juaj.Unë duarthari e kam fajin. Ishte një dhuratë e vogël për nipin. Po ia riblej.
-Meqënëse shkaktari jam unë, ju lutem më thoni çmimin.
-Ç’është ajo fjalë?! Ne jemi burra e nuk jemi fëmijë.
-Ejani ju lutem dhe ma tregoni…- me gjithë kundërshtimin e tij, e binda të ringjiste shkallët.
E ftova të ulej në tavolinë. I shkujdesur e la paketën mbi xhamin e tryezës.
Përfitova nga rasti dhe e hapa . Ishte skulpturë mermeri,një kalë që ishte dëmtuar duke u ndarë në dy-tri copa. Më erdhi keq se jo vetëm ishte e bukur, por aq më tepër ishte dhuratë.
-Sa kushton?
-Nuk ka rëndësi…pastaj s’ishte faji juaj…
-Atëherë shkoni bashkë me shoferin në dyqan dhe merrni një tjetër të njëjtë.
-Jeni shumë i sjellshëm.
-Më duket se bëra gjënë e duhur.
-Jo kudshdo e bën një gjë të tillë. Duket që jeni bujar. Me këtë rast njihemi: -Artani…
-Gëzohem!…-Kurse unë…Indridi.
Qysh nga ajo ditë nuk ma kishin zënë më sytë atë njeri. Madje e kisha harruar edhe si ndodhi…

***
Një mëngjes isha duke dalë me makinë nga shtëpia. Po prisja të vinin fëmijët për t’i çuar në shkollë. Papritmas Artani më del përpara makinës si fanti spathi. Më bëri përshtypje sjellja e tij, që la përshtypjen sikur ishim njohur prej një jete.
-Tungjatjeta! Si jeni miku im? Duket se nuk më mban mend, hë…, -dhe nisi të bilbiloste si malli pa doganë.
-Si nuk të mbaj mend? Porse nuk më kujtohet se kur kemi qenë miq! Çudi! Me sa duket më je fshirë nga kujtesa. Gjëra që ndodhin.
-Urime! Paskeni shtëpi të bukur, – anashkaloi vërejtjen time.
-Ka edhe më të mira. Gjithsesi nuk qahem…, – ndërkohë erdhën fëmijët. E përshëndeta dhe u nisa. Ai ngeli si hu gardhi, ende i përkulur, duke më ndjekur me sy me përgjërim. Qofsha i gabuar, por m’u duk sikur priste diçka nga unë… “Sa e vogël është bota! Ndoshta ishte rastësi ritakimi me Artanin,” – porse nuk isha shumë i bindur për këtë të papritur. Se ç’ më la një shije jo të mirë
Shumë raste të tilla, ashtu siç shfaqen, edhe po aq shpejt harrohen…por me këtë tip ndodhi diçka jo e zakontë. Të nesërmen në mëngjes e në ditët në vijim u përsërit e njëjta histori. Të shtunën që fëmijët e kishin pushim, Artani nuk e pati për gjë që të më hapte e madje edhe ta mbyllte portën e shtëpisë sime duke mos më lenë të zbrisja fare. “Për deri sa po më shërben me kaq përulësi dhe zell, me siguri që ka diçka në këtë mes”, – mendova vetëtimthi dhe pa hezituar e ftova të futej në makinë.
-Ku do të zbresësh? – e pyeta pasi kishim bërë nja dy a treqind metra rrugë.
-Ti kujdesu që mos të të prishet ty puna, pa unë…
-Më habit që këto kohët e fundit të kam ndeshur thuajse çdo ditë. Dikur s’të kam parë kurrë në këtë zonë. I njoh banorët e rajonit, sepse është i populluar nga familjet më të vjetra të qytetit. Kurse ti..nuk më…
-Kam pak që jam vendosur në pallatin përballë shtëpisë suaj. Jemi aq afër, sa shoh çdo lëvizje të familjes suaj…
“E bukur kjo histori?! Po ky mos më është vënë pas…? Po përse vallë?”- pyeta veten dhe në atë çast sikur u kujtova për diçka…
-Më fal Artan,por këtu më duhet të të zbres se do të kthehem për të zgjidhur diçka të lenë pezull.
Ai sikur hezitoi pak, pastaj vendosi të zbriste.
Edhe pse i shmangesha takimit me të, ai më ishte qepur si rrodhe dhe nuk më shqitej. I kudogjenduri Artan, më dilte përpara kudo e kurdo, me kohë dhe pa kohë. Ishte i pafytyrë të më ndalte për të më përshëndetur me cilindo të isha.
-Artan, ku punon ti, se nuk të kam pyetur.,- e pyeta një mëngjes kur po pinim kafe.
-Jam diplomuar për menaxhim biznesi dhe punoj në dy-tri biznese të vogla si financier.
-Besoj se të del mirë, apo…?
-Jo keq, por më pëlqen të punoj me ndonjë ndërtues të fuqishëm se kam aftësi për një punë të tillë që ka volum, ku fjala peshon.
-Ku i dihet, ndoshta të buzëqesh fati ndonjë ditë…

***

Tashmë pas kaq vitesh biznesi im ishte rritur dhe kisha ekonomi të mirë. Natyrisht kjo ishte një arritje me punë e sakrificë, porse nuk duhet të harroj se drejtoja një nga firmat e para të ndërtimit. Bashkëshortja ime merrej me financën e biznesit, gjë që ishte një garanci për mbarëvajtjen. Por tani ishte shtatzënë me fëmijën e tretë. Në muajin e pestë ishte rënduar dhe nuk mund ta mbaja në punë deri në kohën e lindjes. Ishte krim ndaj shëndetit të saj si dhe ndaj bebit që do të dilte në jetë.
Duke kapërditur gllënjkat e vogla të kafesë, mendoja se si do ta zgjdhja problemin e zëvendësimit të punës së saj. Ndërkohë syri më kapi Artanin që hyri në bar dhe u drejtua në një tavolinë tjetër. I dërgova kamerierin që e lajmëroi të vinte në tavolinën time.
-Artan, mund të shkëputesh dot nga puna që ke? Natyrisht pa prishur as punën tënde dhe as të atyre që të kanë punësuar.
Papritur ai zgjati qafën çuditshëm, si nepërka kur është gati të sulmojë, picërroi shikimin, kurse dimensioni i bebes së syrit iu zvogëlua dhe retina iu zgjat vertikalisht si objektivi i aparatit fotografik me qëllimin efikas për të fotografuar sa më qartë dhe sa më larg. Në këtë rast hapësira pamore për të kishte kuptimin e largpamësisë…
“Cila është e mira që do të më sjellë lenia e punës që kam? Varet nga propozimi i tij,” -mendoi Artani dhe në çast u transformua në një skuth. Një psikolog ndryshimin e tij do ta krahasonte me masat mbrojtëse të iriqit që nga zhurma apo zërat fsheh kokën dhe këmbët, duke nxjerr në pah gjembat e tij si mjetin mbrojtës më të përshtashëm.
-Nëse e lë punën, çfarë më propozoni, zoti Indrid?
-Kam nevojë për një ekonomist që të zëvendësojë për disa kohë financieren.
-Nuk po përgjigjem sot, aq më tepër pa njohur kushtet e punës, pagën etje …
Një nënqeshje vetëgrykësie iu ravijëzua në gjithë qenien e tij prej “inteligjenti cinik” . Kjo vetëknaqësi dukej më së miri veçanërisht në çehren e fytyrës që papritur i ndryshoi si ajo e kameleonit. Për një hop ngela pa fjalë. Kurrë nuk më kishin zënë sytë një ndryshim të befasishëm të temperamentit, brenda pak sekondash, më shumë se dy herë. Jo se po rrëfehem tani dhe mbase duket se e tepëroj, por ishte vërtet një tip i rrallë, ndoshta një ekzemplar që ka nevojë të merret si model studimi, pse jo… Ose, ose s’më kishte rastisur të takoja njëherësh tek i njëjti person, njeriun me disa fytyra apo me temperament të dyzuar. Këtë analizë të vonuar të karakterit të tij po e bëj, jo për mungesë aftësie njohëse nga ana ime, porse i jam futur punës së biznesit, duke vënë në shërbim gjithë shqisat, njohuritë dhe gjithë energjinë fzike, mendore dhe shpirtërore. Natyrisht pa lënë pas gjendjen materiale, pa të cilën nuk do të arrija në pikën ku mbërrita.
Këto dukuri të befta të karakterit të tij i anashkalova për çastin. Madje sjellja e tij e rrëshqitshme si ngjalë më pëlqeu. Ky lloj peshku që jeton në ujëra dhe vezët i lëshon në tokë, siguron vazhdimësinë e saj si specie. Atëherë shkathtësia e tij m’u duk e përshtatshme për punën që do të kryente. Më duhej një njeri i tillë, i zhdërvjellët, që të mos ia merrnin arrët nga duart, që ta përballonte ngarkesën e madhe të biznesit.
Së pari duhej ta bëja të kuptonte se e besoja. Mungesa e sinqeritetit ka shkatërruar ekonomi, familje, pse jo,… edhe shtete. Kjo ndodh kur mes të mëdhenjve të politikës shtetërore nuk ka mirëkuptim, mirëbesim, kur mes tyre ka smirë, e cila po të kishte qenë mikrob do të kishte infektuar, apo molepsur dhe do të kishte shuar gjithë botën. Gjithsesi duke e punësuar realizoja mangësinë time në punë dhe i jepja atij një mundësi. Por kisha harruar diçka të rëndësishme, se dora e lirë të bënë gjëmën. Sot çfarë nuk na shohin sytë. Janë korruptuar njerëz me pozita të rëndësishme politike, në sferat e larta shtetërore, apo në drejtësi, e jo më në një firmë private që nuk bëhet fjalë.

***

Besoj se për të rritur vlerat e vetes, Artani vetëm pas një jave më dha përgjigje pozitive. Ime shoqe qëndroi një javë a më shumë me të sa, e njohu me ecurinë e punës. Asaj i ishte dukur inteligjent, orientohej shpejt dhe dinte ta kryente detyrën apo të dilte shpejt nga situata të vështira. Përsa kohë dokumentet i kontrollonte gruaja, gjithçka shkoi normalisht si më parë. Pas lindjes ajo nuk e përballonte dot një gjë të tillë. Mendimi i saj ishte se Artani ia ka marrë dorën detyrës. Fjalët e saj ishin bindëse, gjë që më qetësoi.
Më pëlqente rregulli i tij në zyrë, se si i mbante dosjet dhe dokumentet. Kjo mbarëvajtje e kishte bërë me krah Artanin. Sjellja e tij përulëse ndaj meje, që më dilte sa përpara…,mbrapa, që më tërhiqte karrigen kur ulesha, apo më hapte derën e makinës ose të zyrës apo Barit, m’u neverit aq sa, një ditë nuk durova dhe…
-Artan, ti ndoshta e ke “edukatë” një sjellje të tillë, por mua nuk më pëlqen. Unë jam njeri i thjeshtë. Jam mësuar ta bëj çdo gjë vet. Deri para se të vije ti, punën me ndërtimin e kemi përballuar ne të dy, unë me gruan. Nëse e ke vënë re edhe makinën e ngas vetë. Jo se nuk kam, por paratë venë e vijnë… Kurse karakteri duhet të ngelet i qëndrueshëm. Unë dua të jem “Ai” që kam qenë dhe “Ky”që jam. Kur të largohemi nga kjo botë, nuk marrim pasurinë me vete, por admirimin apo urrejtjen dhe duke lenë pas një emër të mirë apo të njollosur. Këtë bisedë po e mbyll këtu dhe dua të ngelet këtu.
Unë bëj punën time, kurse ti bëj punën tënde. Të dy për atë që bëjmë dhe për përgjegjësitë që mbajmë, marrim shpërblimin… Apo e kam gabim? Të ngelesh “Njeri” është një epitet i ndritur apo një fjalë e bukur që përdoret nga të gjithë. Një përdorim gjithëpërfshirës më duket i padrejtë. Pse?- do të pyesësh ti.
Sepse të jesh gjallë, të marrësh frymë, të punosh apo…të kesh familje, të jesh prind e gjithçka tjetër, nuk do të thotë se je njeri. Qenie frymore janë si kafsha edhe njeriu, si i moralshmi edhe i pamoralshmi, si ai që thotë të vërtetën edhe gënjeshtari, si i besueshmi edhe hajduti, si paqësori edhe krimineli. Pra jo të gjithë këta e meritojnë emrin e bukur “Njeri”.I dhunshmi që sjell shqetësime, shkakton dëme, kryen krime, që mashtron, gënjen, vjedh, spiunon dhe korrupton, që nuk shikon punën e tij, por që ha bukën e vetë dhe boshatis xhepin e tjetrit, quhet shtazë ose përbindësh. Po në këtë kategori hyn edhe servili edhe hipokriti. Ndaj në kohë vetmie, në kohë kritike, si: shëndetësore, gjatë marrëdhënieve njerëzore, në kohë krize financiare, morale apo mendore, secili duhet të mbyllet brenda qenies së tij dhe t’i bëj apel ndërgjegjes.
-Më falni z.Indrid! Sot mora një leksion të mirë nga ju… Më duhej një mësim i tillë,- belbi nën zë.
-Këto quhen dackat apo shuplakat e jetës për të cilat ka nevojë çdo njeri. Vetëm këto përplasje kujtojnë këdo se ku është, në ç’gjendje është, se çfarë është i zoti të bëjë dhe të pyes veten nëse ka bërë gjënë e duhur apo jo. Një fjalë goje e thënë pa mend, një veprim i pastudiuar mirë, prish gjithçka të mirë dhe të bukur. Ndaj kanë thënë: “Gjuha tule është, por kocka thyen.” Mos harro se edhe ajo fjalë që dikujt i duket e bukur, rëndon. Nganjëherë është e kundërta e të vërtetës.
-Kurrë s’më ka shkuar ndërmend t’ju lëndoj e t’ju fyej as me veprime dhe as me fjalë, përkundrazi…
-Artan, edhe tepërimet në sjellje apo në të shprehur, janë si një mal mbi shpinë. Nuk është nevoja të deklamosh para askujt se jemi “miq të mirë”. Kjo është tepëri.
Se në çfarë niveli qëndron miqësia jonë, do ta tregojë koha. Aty ku ka sinqeritet, aty ku nuk merren për bazë thashethemet që lindin nga xhelozia apo smira për shkak të marrëdhënieve të mira mes individëve, miqësia është e gjatë. Ndryshe farsiteti i një miqësie të sipërfaqshme, bën që ajo të shuhet si vesa para rrezeve të diellit. Madje më shpejt se sa e mendon. Artan, më duhet të të kujtoj se miqësia jonë është marrëdhënie pune. Nesër kur koha mund të na ndajë, nuk besoj se do të kemi më lidhje. Do të jemi veçse dy qytetar të njohur si gjithë të tjerët.
Ai qëndroi edhe pak ashtu i ngrysur. Tani që e solli rasti, më kujtohet mirë se pamjen e tij e mbuloi një hije trishtimi ngjyrë hiri. Pas pak u ngrit dhe doli. Atë çast dukej si moti në shtërngatë. Poqese do t’i afrohej dikush, me siguri që do të dëgjonte kërcitje nofullash dhe dhëmbësh.
Gjithsesi marrdhëniet në punë i vazhduam normale. Me kohë u vu re një rënie e nivelit të shitjeve të apartamenteve.
-Epo gjëra që ndodhin. Pastaj shitja varet edhe nga tërësia e nivelit ekonomik kombëtar. Indrid, i ke verifikuar të gjitha dokumentet?- më pyeti ime shoqe kur i shpreha shqetësimin.
-I kam parë…Gjithashtu jam dakord për rënien e përgjishshme të biznesit, por…Ja do të shohim në ditëlindjen e djalit. I kam ftuar të gjithë, natyrisht edhe Artanin. Madje me gjithë fëmijët apo nipat dhe mbesat e tyre.
-Organizuam një festë të bukur fëmijënore. Nganjëherë edhe të rriturit duhet të bëhen pak bebe, që fëmijët të ndihen të barabartë dhe të vlerësuar.
Tani që janë ndërtuar qendra argëtuese për fëmijët, realizohen festa të bukura, mjafton të paraqesësh një projekt për moshën. Veç t’i shihje kur ata luanin dhe realizonin ëndrrat dhe imagjinatën e tyre foshnjarake. Kurse prindërit i gëzohen ekzistencës dhe rritjes së tyre nën tringëllimën e gotave.
Ishte gati në të përfunduar festa. Papritur Artani mori një mirësi të çuditshme në adresë time, për të cilën nuk ishte as koha dhe as vendi. Menjëherë pasi rrëkëlleu gotën me një frymë, m’u drejtua mua dhe njëkohësisht gruas. Besoj se tani financierja kryesore do të kthehet në punë. Këtu detyra ime si zëvendësues mbaroi…
-Jemi të mendimit që djali të rritet nën kujdesin e nënës. Na bëhet mirë edhe për dy fëmijët e mëdhenj. Këto tre vite që kanë qenë në mbikqyrjen e saj, kanë pasur përparësi në shkollë. Ti do të jesh në vendin tënd të punës. Ndaj mos e prish aspak grupin e gjakut .
-Duke menduar se tani që djali juaj u bë për të shkuar në kopsht, kam kohë që interesohem dhe kam gjetur një vend pune.
-Nëse të intereson, shko…unë nuk të ndaloj dhe as nuk të mbaj me zor.
Kjo ishte mbyllja e festës së trevjetorit të djalit tonë. M’u duk se gjithçka kishim organizuar aq bukur, u fshi me zero. Ai e bëri si lopa, që pasi e mbush vedrën, i jep një shkelm dhe e derdh.
Të nesërmen paraqiti dorëheqjen. Dorëzimet ia bëri gruas, e cila e la djalin me dadon. Derisa të gjeja një zëvendësues, do të punonte ajo. Gjatë kontrollit ajo vuri re disa shkelje ligjore, që nuk iu dukën të rënda. Gjithsesi kur ka mospërputhje të dhënash, duhet kërkuar shkaku.
Një ditë fare papritur, na trokiti në zyrë një blerës, të cilit nuk i ishte dorëzuar dokumenti i pronësisë. Por ajo që na bëri përshtypje të dyve ishte çmimi i blerjes së apartamentit më i lartë se çmimi real. I kërkova ndjesë klientit dhe i premtova se do ta kishte në dorë Çertifikatën e pasurisë. Menjëherë kërkova të takoja Atanin për sqarim. Më ra këmisha nga krahët ku rmësova se ishte larguar nga qyteti dhe se nuk kishte lenë adresë. Nuk kisha më nevojë për sqarime. Iu drejtova organeve përkatëse dhe kërkova një kontroll nga ekspert ligjor, më tepër për të vënë në vend dinjitetin tim që e nëpërkëmbi një sharlatan, një lustraxhi i paskrupullt, sesa doja hakmarrje ndaj mashtrimit tij.
Ndërsa kontrolloja postën elektronike, më kishte ardhur një E-mail çuditshëm përmes internetit. Ishte një foto me pamje të llahtarshme, ku mezi dallohej kufoma e sakatosur e një gruaje dhe një vajze të vogël e të pafajshme. Të dyja ishin të shfytyruara dhe të gjakosura.
Nën të shkruhej diçitura: “Mos të duket si skena e një filmi të frikshëm? Jo, jo, jo…Nuk do ta besosh?Të duket diçka e pamundur? E ke gabim nëse mendon kështu. Nuk është çudi dhe as që e merr dot me mend se një gjë e tillë mund të të ndodh edhe ty?! S’është për t’u habitur gjëra që ndodhin fare papritur… Bile atëherë kur as nuk e pret dhe pa e ditur se nga të vjen.”- ishte një kërcënim.
Ky mesazh më shqetësoi, se ishte shkruar nga një dorë vrastare. Shumë shpejt istitucioni hetimor më dha përgjigje të saktë për Artanin. Jetonte në një nga qytetet e mëdhenj të vendit, ku kishte nisur punë. Ishte ortak në një biznes, me një sekser, po në ndërtim.
Pasi ia tregova gjithë ndodhinë e mësipërme ekspertit ligjor, ai buzëqeshi dhe pyeti.
-Ato fjalët e urta të babait, i ke zbatuar ndonjëherë?
-Kisha besim te vartësit e mi, aq më tepër me financierin.
-Çfarë mase kërkon për të?
-Ligji të bëjë punën e vetë, gjithmonë nëse ekziston drejtësia. Unë u tregova naiv. M’u paraqit si “mik i përgjëruar”, i besova gjithë ekonominë time, duke e quajtur një profesionist brilant
-Beso dhe kontrollo. Indrid,nuk ka mik në pasuri. As vëllai nuk të do më mirë se veten. Ai që ka gjenet e një babai me ty, që keni lindur dhe jeni ushqyer nga e njëjtë nënë, nuk të do turpin dhe vdekjen, por po të jesh disa shkallë më poshtë se ai në të gjitha sferat e jetës, fle i qetë…e bën gjumin si qengj.
-Jo,nuk ka mundësi.Unë jap jetën për vëllanë. Besoj se edhe ai…
-Nuk e di një gjë të tillë ? Sa keq që beson verbërisht! – ishin fjalët e ekspertit.
“Nuk u shpreha me fjalë, por me ndërgjegje i dhashë të drejtë. Të mos dish nuk është mëkat. Veçse kur di dhe e nënvleftëson aftësinë tënde njohëse, është e pafalshme, madje është krim ndaj vetes.”
Ishte në të aguar. Këndezat me kohë kishin lajmëruar për rilindjen e dritës, të diellit e të një dite të re, ndoshta e mbarsur me plot të papritura. Lagështia e natës më kishte hyrë në embrionin e çdo qelize të trupit.Por unë isha aq i mpirë mendërisht sa nuk ndieja asgjë. Veç drithmat që më përshkuan trupin, më kujtuan se kisha përgjuar një natë të gjatë e të lodhshme. Gjatë saj, në prani të vetmisë dhe errësirës, bëra bilancin e një gabimi, apo të një pakujdesie që e lashë të zvargej tre vjet para syve të mi. Pësimi bëhet mësim dhe të tregon se mikut, për ta nderuar, i lëshon njërën qoshe të oxhakut të shtëpisë , por asnjëherë të dyja, sepu i mirë… në kohë të vështirë.” se vjen një ditë dhe ta merrë edhe atë, duke të të nxjerrë jashtë saj. “Sa keq… që s’ e di!” Ndaj herë -herë kemi nevojë për një vetgjykim, i cili apelon sjelljen tonë në jetë e korregjon gabimet apo lëshimet me apo pa dashje.”Miku i mirë… në ditë të vështirë”

Filed Under: Featured Tagged With: Apelim i vetëdijes, Vilhelme Vranari

Preludi i Pavarësisë Kombëtare, Kryengritja e Malësisë

April 6, 2014 by dgreca

*Çudi! Përse ka heshtur dhe hesht politika për këtë ngjarje të madhe historike?! /

*Aty ku lindi besa dhe mirësia, po aty jeton atdhetarizmi, trimëria dhe shqiptaria./

* U mbushën 103 vjet nga ngritja e falmurit në Deçiç nga heroi legjendë Ded Gjo Luli/

 Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

 Përse qarqet politike shqiptare janë heshtur në 100 vjetorin dhe po heshtin për këtë ngjarje kaq të madhe, që ishte embrioni që lindi nga fara e hedhur gjatë shekujve, prej të cilit aty u mbollën rrënjët e lirisë, në krahinan e Mbi Shkodrës në vitet 11910- 1912. Ishte zanafilla e kushtrimit kundlër robërisë që çoi në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare nga Plaku i mençur Ismail Qemali. Kur vet shqiptari harron veten, kombin, historinë e tij, të shkruar me gjak, bëmat që i dhanë një emër, bota s’e ka për gjë që ta fshijë e ta mohojë nga /në harta gjeopolitike. Mbushen ekranet, faqet e gazetave dhe revistave shqiptare me budallallëqet qesharake se “X” yll kinemaje apo muzike, u nda për të dhjetën herë me bashkëshortin se ishte homoseksual, se e tradhtoi, apo gruaja e “Y” ishte biseksuale. Të njohësh kulturën botërore është pasuri, investim intelektual, por të mbushësh programet mediatike me jetën private të vipave dhe nuk flitet për një kryengritje kaq të madhe që tronditi nga themelet Portën e lartë, Diplomacinë evropiane apo Fuqitë e Mëdha, duke e bërë Shqipërinë faktor politik, etnokulturor dhe etnëhistorik në Ballkan dhe në Evropë, për mendimin tim është e pafalshme.

Ka vetëm 8 vite që Mali i Zi fitoi Pavarësinë kombëtare duke u shkëputur nga Serbia. Pikërisht brenda kësaj kohe kaq të shkurtër, shqiptarët që jetojnë aty në trojet e tyre, trojet që u kanë lënë të parët ilir, po mbajnë gjallë gjuhën shqipe, traditën, po zhvillojnë kulturën amtare me parametra bashkëkohor, gjithmonë mbështetur mbi tabanin kombëtar. Krenar për atë që janë dhe ç’trashëgojnë, ata mbajnë lart simbolete e Kombit, si flamurin e Skënderbeut, atë flamur të kuq me shkabën dykrenare, që ngriti në Bratilë të Deçiçit, më 6 prill 1911, heroi legjendë Ded Gjo’Luli. Edhe pse përbëjnë minoritet në shtetin e ri të Malit të Zi, gjuha e tyre në familje, në rrugë është ajo shqipe. Në shkolla flitet dhe mësohet gjuha e mëmës, gjuha e bukur shqipe. Kanë gazetën e tyre shqip “Koha Javore” dhe TV “Borana”, ku shkruhet dhe flitet vetëm shqip.

*Po sjell në kujtesë 100 vjetorin…

Edhe pse mungoi politika në 100 vjetorin e kryengritjes , aty kishin ardhur nga Shqipëria (nga  Muzeu historik ,Instituti i Historisë), nga Maqedonia dhe nga Kosova. Adem Jashari i kishte lënë amanet të nipit:“Murat, bir, mos e korit gjakun e 50 e ca Jasharëve dhe martirëve të Kosovës, ndaj kurrë mos mungo aty, ku të thërret zëri i tokës mëmë!”-dhe magjistri Murat Jashari, bashkë me ish deputetin Ramadan Gashi dhe miqtë e tyre, erdhën dhe nderuan kujtimin e kësaj kryengritjeje. Kleri katolik, si atëherë kur e përkrahu kryngritjen e 7 Bajrakëve, edhe kur kryengritja mbushi një shekull, nuk mungoi. Ishte i pranishëm në festë Dom Gjergj Simoni i Shkodrës, si dhe grupi artistik- filarmonia dhe baleti “Prenk Jakova”

  Mungoi media shqiptare, gjithsesi, dashamirësit nga të gjitha trevat shqiptare, apo ku banohet nga shqiptarë dhe flitet gjuha shqipe, shkuan në Tuz dhe ndoqën festimet që kishin filluar për vendasit, qysh më 25 mars dhe përfunduan në datën 6 prill.Nuk mungonin as shqiptarët me banim në Sh BA, si Kol Gojçaj me banim në Miçigan, Zoti Camaj nga Hoti, po në ShBA, z. Dod i cili kishte ardhur nga vendi i demokracisë për të rindërtuar kullën e të parëve, si dhe shumë të tjerë, të cilët jo vetëm ishin të pranishëm çdo ditë, në çdo aktivitet, por për nder të Kryengritjes së vitit 1911 kontribuan financiarisht në këto aktivitete. Për nder të pranishmëve aty u dha programi artistik nga  SHKA “Dedë Gjon Luli” dhe “Rapsha” nën drejtimin e Gjon Dushaj dhe Nikollë Berishaj.

 

Liria rrënjët i mbolli në Malësinë e Madhe dhe hodhi shtat në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

 

Që të gjykojmë vlerat apo rëndësinë vendimtare të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në përgatitjen e terrenit të vendit për Pavarësi Kombëtare, duhet më parë të dimë se në ç’rrethana lindi kryengritja e vitit 1911? Si e la kryengritja e vitit 1910 Malësinë? Cili ishte qëndrimi i Malit të Zi, Austro- Hungarisë dhe Serbisë ndaj kësaj treve shqiptare? A kishte mbështetje kjo kryengritje nga kleri katolik apo rrethet diplomatike brenda dhe jashtë vendit?

Pas pushtimit të gjatë osman gjysmë shekullor, u zgjua ndërgjegja kombëtare e shqiptarëve udhëhequr nga atdhetarët e Rilindjes Kombëtare në mërgim, e cila mori hov gradualisht . Pas kuvendesh të njëpasnjëshme krahinore, kombëtare apo ndërballkanine, u arrit në formimin e Lidhjes së Prizrenit, si formacioni i parë politik i organizuar, me atributet e Qeverisë së përkohshme. Pavarësisht nga jetëgjatësia e saj, Lidhja e Prizrenit që hodhi rrënjë në Janinë dhe u kurorëzua në Priyren, pati vlera të padiskutueshme për vendin dhe rajonin. Në këtë lëvizje mbarëkombëtare, e cila fillimisht e shkëputur apo sporadike, edhe pse zgjati 3 vjet, ishte një ngjarje që i tregoi politikës evropiane, pushtuesit dhe shqiptarëve se ne ishim në gjendje të vetëqeveriseshim dhe ta ndërton im shtetin në mënyrë të pavarur. Pra Lidhja e Prizrenit hapi perspektivën e së nesërmes, çeli rrugën e shpresës drejt Pavarësisë Kombëtare.

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, pas Lidhjes së Prizrenit, është një nga ngjarjet më kryesore të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kjo është zanafilla ku u mbollën rrënjët e lirisë sonë kombëtare. Me këtë kryengritje u arrit një kulm pjekurie politike për kohën, pasi ajo zë një pozicion kulmor në vijimësinë e ngjarjeve kohore që do të pasojnë këtë lëvizje. Ajo përmban karakteristikat e mirëfillta të një kryengritjeje me orientim kombëtar, sepse përfshiu në qellimet e veta, një plan të mirëfilltë mbarëshqiptar. Kjo kryengritje shpërtheu në një nga rajonet më të shtypura nga pushtuesi turk, ku kontradikta themelore ashpërsohej në një besim fetar krejtësisht të ndryshëm me atë të Perandorisë Osmane. Kryengritja e 1911 e ngriti për herë të parë seriozisht çështjen shqiptare, në nivelin e një çështjeje të mirëfilltë nacionale në tryezat e diplomacisë evropiane. Shqipëria u bë e njohur si një etnitet i veçantë nacional, kulturor dhe gjeopolitik, që do të diskutohet në skenën e diplomacisë evropiane dhe ballkanike.

Me këtë ngjarje Shqipëria filloi të bënte pjesë seriozisht në rajonin ballkanik, duke e bërë veten faktor të debatueshëm mes Fuqive të Mëdha që luftuan nga fillimi i shekullit XIX e në vazhdim, mbi një bazë tashmë nacionale, ndaj një pushtuesi aziatik, që i rrezikonte identitetin etno – kulturor dhe fetar, që shkatërroi vlerat qytetare të mesjetës dhe i vuri në dyshim ekzistencen “fizike” të kombit.

Pushtimi osman shkatërroi vlerat më të mira nacional – kulturore, që evolucioni historik shumë-shekullor autokton kishte krijuar në trevat tona. Shqipëria përbënte tanimë, një entitet të qartë dhe të dallueshem nga trevat e popujt e tjerë të rajonit. Fatmirësisht ky pushtim, edhe pse pesë shekuj, nuk i eliminoi treguesit themelorë që bëjnë të dallueshëm një komb. Ndër këto elemente, rezistenca kulturore është ndër më themeloret. Kultura dalluese e një kombi ka qenë përherë baza e mëvetësimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Për kohën më e spikatura ishte Malësia e Madhe, si një vatër ndërgjegjësimi kombëtar. Kurse kryengritja ishte fakti më pozitiv, që tregon formimin nacionalist antiturk të Malësisë. Kjo veti dalluese, karakteristik për popujt me ndërgjegje kombtëare të formuar në Ballkan, ishte segment i rëndësishëm i shqiptarizmës. Kjo do të jetë prova e qartësisë politike të malësorit e shqiptarit mëmëdhetar. Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911, paraqitet si një shpërthim i zemëruar, i një popullsie rajonale me një pozitë politiko-nacionale, social – ekonomike dhe fetare të nënshtruar, kundër pushtuesit të atëhershëm në trevat shqiptare.

Duke nisur si një rezistencë e paorganizuar e popullatës në kushtet e dhunimeve të rënda të statusit vetqeverisës, pas ndërmarrjes luftarake të Turgut Pashës së vitit 1910, ajo do të merrte karakteristikat e një kryengritjeje të mirëfilltë me pikësynime të kristalizuara nacionale në periudhen mars-gusht 1911. Për ecjen përpara, Dedë Gjon Luli me 7 Lekët e Malësisë thirrën kuvendin e Greçës ku u drejtuan fuqive të mëdha Memorandumin e Greçës, me kërkesa të tilla që nuk u ndikuan dot as nga ndërhyrja e  Malit të Zi. Edhe pse me origjinë të hershme ilire, të lidhur me krushqi ndër breza me shqiptarët, Mali i Zi kishte nisur të sllavizohej. Kjo bëri që masat popullore të emigrojnë drejt Malit të Zi, si e vetmja rrugë shpëtimi. Nga ana tjetër, Mali i Zi, shteti i ri dhe i vogël, për të forcuar identitetin e vet, shfrytëzoi çastet historike për zgjërimin territorial.

Se e çfarë kategorie është kjo kryengritja, po paraqes disa të dhëna të kohës.

Këtë na e tregon letërkëmbimi i Edith Durham-it me konsullin anglez në Trieste, Spence, që tregon qëndrim realist dhe miqësor ndaj çështjes shqiptare. Nga ana tjetër, diplomatët anglezë, përkatësisht Akers-Douglas në Cetinjë, zëvendës-konsulli Suma në Shkodër, vetë ministri i jashtëm Edward Grey, ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë britanikë në Vjenë, Kostandinopojë, Romë, Beograd, Shën Petersburg, Berlin etj, mundësojnë të zgjerohet dhe të hidhet dritë e re, më e plotë, mbi kuadrin diplomatik të kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës së vitit 1911. Tashmë mund të thuhet pa frikë, ndryshoi mënyra e shqyrtimit dhe e trajtimit të çështjes shqiptare nga diplomacia ndërkombëtare. Nga ky moment çështja shqiptare do të mund të trajtohet realisht si çështje e veçantë e diplomacisë evropiane, me qëllime të qarta nacionaliste të kryengritësve malësorë, që e bënë të dallueshme Shqipërinë nga Turqia. Më me shumë* rëndësi ka madhështia e kryengritjes. Dokumentet arkivore dhe sidomos korrespondencat e gazetës “The Times” të kësaj kohe, nga Podgorica, Cetinja, Shkodra, Kostandinopoja dhe Vjena, kanë mundësuar studiuesit për të krijuar një tablo të epopesë së *Shtatë Lekëve të Malësisë, që në të vërtetë ka qenë në përmasat e një legjende. Rëndësi të veçantë kanë pasur *shkaqet e kryengritjes që nuk janë artificiale por reale, bazuar *jo në intrigat e Malit të Zi, por në *ashpërsimin e kontradiktës themelore në këtë rajon. Gjithashtu hidhet dritë e plotë mbi* rolin e madh nacionalist të klerit katolik, që u bashkua në masë me kryengritësit dhe luajti në momente të caktuara, rolin e mediatorit pro çështjes shqiptare. *Ismail Qemali, si figurë e madhe, u përfshi gjërësisht në përkrahje të Kryengritjes shqiptare të malësorëve, në orientimin e drejtë të kryengritjes, si dhe në njohjen e çështjes shqiptare nga diplomacia evropiane. *Kopja e origjinalit të Memorandumit të Greçës dhe bashkëngjitur me të, *letra drejtuar Edward Grey-it, shkruar në gjuhën frënge me dorë, dhe *vulosur me gishtërinjtë e vulat përkatëse të Ded Gjo’ Lulit e 19 krerëve të tjerë të kryengritjes, duket se është një fakt i ri, që i sillet dokumentacionit të historisë kombëtare tani vonë nga Instituti i Shkodrës, më 2002 .

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 është një nga ngjarjet më me rëndësi të historisë shqiptare dhe në veçanti, moment dallues i lëvizjes rilindëse në krahinën e Shkodrës.

*Shkaqet e kryengritjes ishin veprimet Turqve të Rinj në Shqipëri, që pati si pasojë pakënaqësi dhe lëvizje revolucionare në vend. Prirjet islamike dhe propaganda antikatolike e pushtuesit turk, si dhe qëndrimi jo i sinqertë i qeverisë së vilajetit të Shkodrës ndaj ngjarjeve të vitit 1910, i nxitën malësorët në një kryengritje me karakter kombëtar dhe në një lloj aleance me Malin e Zi. Të çarmatosje malësorët shqiptarë nënkuptoje afirmimin e nënshtrimit të tyre ndaj armikut shekullor, mbasi mbajtja e armëve pa iu nënshtruar kontrollit apo kufizimeve qeveritare ishte një lloj privilegji shumë i vjetër i zonave malore shqiptare. Megjithatë, mbledhja e armëve, përjashtimi nga taksat dhe nga shërbimi ushtarak i detyrueshëm, ishin vetëm shkaqe dytësore. Shkaku kryesor i kryengritjes shqiptare të vitit 1911 duhet kërkuar në bazen e  zhvillimeve të përgjithshme politike, ekonomike dhe shoqërore.Gjendja e krijuar në Shqipëri, në tërësi, zgjoi dëshirat dhe vullnetin e patriotëve shqiptarë  për t’i dhënë fund pushtimit osman. Kështu filluan përgatitjet për një kryengritje të përgjithshme në vitin 1911, e cila, ndryshe nga kryengritja zonale e vitit 1910, do të përfshinte të gjitha krahinat shqiptare. Krahina e Malësisë përfshihej në këtë kryengritje të përgjithshme për faktin e njohur të qënies si bërthamë ekzistente e qëndresës shqiptare, ashtu edhe për thellimin e kontradiktave themelore në këtë rajon, që nga gushti 1910, mbi bazën e një programi politik. Por organizimi mbarëkombëtar i kryengritjes së vitit 1911 ishte i një shkalle jo të kënaqshme. Nuk duhet të harrojmë shkallën e ulët kulturore-arsimore të të gjithë zonës.

Kryengritja antiosmane e vitit 1911, filloi para kohe dhe nuk mundi të përhapej në të gjithë Shqipërinë etnike.Gjithsesi ajo përbën një nga përpjekjet më të rëndësishme të shqiptarëve për të fituar autonominë.

Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 shpërtheu në ditët e para të pranverës, e ndihmuar me armatim nga Mali i Zi (apo prej disa segmenteve politiko-ushtarake të këtij shteti), pritej edhe një ndihmë e premtuar nga ana e gjeneralit italian, Ricciotti Garibaldi. Nga ana tjetër, ata shpresuan më kot ndërhyrjejen e Perandorisë Austro-Hungareze, në rastin e ndonjë ndërlikimi të situatës së tyre ushtarake. Mali i Zi e nxiti shpërthimin e kryengritjes një javë para kohës së vendosur nga udhëheqësit shqiptarë, për qellimet e veta.

Planeve shoviniste malazeze malësorët iu përgjigjen me ngritjen e flamurit shqiptar në majen e Bratilës (Deçiç). Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, edhe pse kryengritja nisi para kohe, nuk qëndruan duarkryq. Ata u drejtuan nëpër Evropë për përkrahje dhe ndihmë, në mënyrë që kryengritja të përfundonte me sukses dhe Europa ta njihte autonominë e Shqipërinë dhe të drejtat e saj.

Kryengritja shpërtheu me 24 mars të vitit 1911, në Malësinë e Madhe,jo si rezultat i intrigave të Malit të Zi, por si rezultat i kontradiktës politike në Shqipëri. Kjo shënon fazën e parë që pati një zhvillim të kryengritjes në të gjitha vijat e frontit. Momenti kulminant që shënon  karakterin e kryengritjes është ngritja e flamurit shqiptar me 6 prill në Bratilë. Veprimet luftarake të shqiptarëve, tërhoqën vëmendjen e forcave nacionaliste shqiptare dhe të diplomacisë ndërkombëtare, e cila ishte tepër e interesuar në ruajtjen e status-quo-së politike të Perandorisë otomane. Pra mbronte  interesat e Turqisë.

Shpirti i kryengritjes së vitit 1911 ishte Dedë Gjo’ Luli, i njohur ndryshe edhe si “Heroi i Traboinit”, një burrë energjik, me karakter të fortë, që nuk bëri kurrë asnjë lëshim në kurriz të të drejtave të malësorëve dhe të shqiptarëve. Madje edhe atëherë kur iu nënshtrua kërcënimeve nga më të rënda. Për t’i zbutur malësorët iu ofruan shuma të konsiderueshme në të holla nga Turqia ashtu dhe nga Fuqitë e huaja, por ai nuk u mposht.

Operacione turke rifilluan në shkallë të gjërë më 14 maj, pasi u erdhën përforcime ushtarake. Këtu nis faza e dytë e Kryengritjes, që zgjati deri në prag të 23 qershorit 1911. Ushtria e huaj e madhe në numër, disa herë më e madhe , bëri që forcat kryengritëse të venë në zbatim planin strategjik ushtarak. Nisën qëndresën në rajonet e vështira , të papushtueshme nga armiku.Por gjendja e krijuar pati pasoja edhe në situaten politiko- diplomatike të Ballkanit, duke i detyruar Fuqitë më të interesuara, të ndërrmarrin lëvizjet e veta që ta veçojnë çështjen shqiptare si një nga problemet më të rëndësishme të kohës për Perandorinë Osmane.

Figurave të shquara nacionaliste shqiptare, si:Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ismail Qemali dhe Nikoll Ivanaj hynë në shtabet kryesore të kryengritësve dhe refugjatëve shqiptarë, mbështetja e plotë e kryengritësve nga ana e qytetarëve shkodranë në mërgim, e klerit katolik,do të kurorëzohet në Memorandumin e Greçës më 23 qershor 1911 ose “Librin e Kuq”, ku u miratuan kërkesat për krijimin e një province autonome shqiptare, bashkimin e të katër vilajeteve në një të vetëm. Memorandumi i Greçës pati një rëndësi se doli nga gjiri i kryengritjes dhe pati karakter kombëtar. Kërkesa për një provincë autonome shqiptare ishte e moderuar, duke pasur parasysh se ekzistonte edhe paramendimi i një shteti autonom shqiptar, e cila ishte më e mundshme për t’u pranuar. Pati rëndësi se parandaloi në ndryshimin të status kuo-së, copëtimin e trojeve kompakte etnike shqiptare për atë kohë. Memorandumi i Greçës shndërroi dhe e zgjeroi çështjen shqiptare më 1911, nga një çështje e paqësimit të Malësorëve, në një çështje më të gjërë, kombëtare që lëvizja të shtrihej në të gjithë Shqipërinë. Qeveria turke, e frikësuar nga karakteri kombëtar i lëvizjes, nisi bisedimet me udhëheqësit e fiseve kryengritëse të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit etj, duke u përpjekur që të shmangte fillimin e bisedimeve mbi bazen e Memorandumit të Greçës. Qeveria turke dhe Fuqitë e Mëdha, duke e kuptuar seriozitetin e lëvizjes dhe rëndimin e situatës vendosën të shpëtonin interesat e tyre në Ballkan, duke bërë  përpjekjet për ta shuar kryengritjen sa më parë që të ishte e mundur. Fuqitë e Mëdha, mbasi Turqia pranoi të modifikonte listen e lëshimeve, vendosën që të ftonin qeverinë malazeze të këshillonte malësorët refugjatë në territorin e saj që të ktheheshin në vatrat e tyre. Në këtë mënyrë arriheshin disa qëllime të shumëfishta: ruhej integriteti territorial i Perandorisë Osmane, nyja më e rëndësishme kjo për ruajtjen e status-quo-së; Fuqitë e Mëdha përfshiheshin drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemit dhe në garantimin e të drejtave të dhëna malësorëve kryengritës; garantohej dhe lidhej më mirë përgjegjshmëria e Malit të Zi në zhvillimet politiko-diplomatike ndërkombëtare. Kryengritja e vitit 1911 nuk u përhap në masën e duhur dhe mbeti e kufizuar në Malësinë e Madhe. Gjithsesi pati rëndësinë e madhe historike të pakundërshtueshme ,se shërbeu si shkak i lëvizjes së përgjithshme shqiptare.Aty nisën fillimet e Kryengritjes së përgjithshme 1912, e cila u manifestua me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.

Në kryengritjen e Malësisë së Madhe hodhi rrënjë liria, kurse Pavarësia e shumëpritur shtatin e hodhi në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Le të shërbejë kjo festë e përvitshme e Malësisë së Madhe si një apel për historinë, politikën dhe kulturën tonë kombëtare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Kombetare, Kryengritja e Malësisë, Preludi i Pavarësisë, Vilhelme Vranari

“A ka protezë për një zemër të thyer?!…”

March 16, 2014 by dgreca

Nga Ahmet Demaj*

 “A ka protezë për një zemër të thyer?!…“/

Analizë e novelës “Një mall i pashuar”, i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj/

  Asnjë njeri në rruzullin tokësor s’ka komoditetin dhe s’ka fituar imunitetin të parashikojë, se çfarë ëndërrash do të na bien sërishmi në pjesë për të përjetuar gjatë jetës.  E nisa nga faqja 116, që është fundi i kësaj novele, për të reflektuar ndaj mesazheve që përjetova kur lexova rrëfimin letrar, të thurur aq bukur sikur të ishte e jetuar nga unë, nga ti, nga të gjithë ata që do ta lexojnë.  Si çdo libër që na bie në dorë, edhe novelën lexova për kureshtje dhe e rilexova nga emocionet memoriale që më solli për jetën time. Ndaj e titullova analizën  e novelës me një pyetje të personazhit, pyetje domethënëse, por që cilindo lexues  e vë në dilemë…“A ka protezë për një zemër të thyer?!“

Dhe secili që do ta lexoj këtë libër, jam i bindur që do të thotë: “Edhe mua kështu më ka ndodhur…“-Sa mbarova së lexuari, pyeta veten:“- Autorja amos vallë ka dëgjuar ndonjë rrëfimin tim?

– A po mos më ka zbuluar ndonjë nga letrat dhe ngjarjet e dashurisë sime të parë?

– Ndoshtadukezbuluar plagën e dashurisësë cilitdodhe si ilaç për këtë dhembje që shkakton kjo ndjenjë,sajoi këtë novelë?!

ç- Apo mos shkrimtarja Vranari ka njohur, ka vuajtur problemet sociale të pas lirimit, të socializmit nëndiktaturave, të demokratizimit të jetës tonë,sisteme pa elementet e shëndosha që dashuria të lindë etë rritet madhërishëm?”

Si gjithnjë, por më i lartë se në librat e tjerë, Vilhelmja vë në qendër familjen, si burim për të dhënë dashuri, paqe e qetësi Sipas autores familja është një burim vlerash morale, mirëqenieje dhe shoqërore. Burri për gruan, prindërit për fëmijët edhe anasjelltas, motra për vëllain, brezi për brezin jano detaje që duket sikur vetëm prej ken por lënë vragë në kujtesë. Aktorët e dramës së familjes janë të barazvlefshëm edhe për çdo njeri, sipas portreteve të të cilëve formohen ata vetë dhejanë shëmbulltyrë për të tjerët.

Personazhi kryesor i novelës, Aureli, një djalosh i bukur si bredh Çipini, i dashuri i Brikenës ikën me studime në Moskë. Brikena një vajzë që sipas thënies së nënës të Aurelit i kishte thënë hënës: “Dil, apo të dal”.

Babai i tij, njeri shumë i mirë, por patriarkal në ekstrem, si në ide edhe në . Dhe dëgjoni një shprehje: “Sa shumë u deshëm…, por nuk na lanë…”

Kush…,kush  e vrau vallë dashurinë e brishtë të të dy të rinjve? Krimineli që vrau dashurinë e tyre hyjnore, një bastard, që nuk njihte as më të voglin element pendimi ndaj krimit që kishte bërë. Të paktën të heshtëte, të heshtëte dhe të mos zbulonte krimin e tij që ishte mohim i të drejtave dhe  i lirive tvetjake që e gejto shprehjen në dhunën morale, apo shpirtërore te “Vrasja e dashurisë”. Përkundrazi ai krenohej për gjëmën, krimin që kishte bërë, në bazë të të cilit kishte ngjitur shkallët e karrierës, madje  dhe në ndryshimin e sistemeve ishte bërë edhe pushtetar i lartë.

Përballë dashurisë, lufta e klasave, ngjet si parajsa para ferrit. Udhëton në novelë dhe rruga për te fundi i saj të mbërthen në çdo faqe dhe në çdo kapitull, derisa kur lexon dhe fjalën e fundit, një peshë e rëndë në kraharor të merr frymën.

Cila është arsyeja?

Sepse aty, në çdo faqe e paragraf gjen këshilla për tu ruajtur nga e keqja, gjen fakte se e keqja qëndron prapa derës. E parandjen atë dhe thua: “Ruhu! E keqja të gjen dhe vjen edhe atëherë kur nuk e pandeh!”

Me mendime dhe fjalë njeriu e ndërton jetën me thjeshtësi. Por veçse në praktikë, sheh se familja krijohet me shumë vështirësi, por shkërrmoqet shumë lehtë. Dhe kështu deri në fund shkon te çasti që novela jo se e zbulon për herë të parë, por lexuesi mëson edhe për kohën që jetojmë se sekreti është te mesazhet që jepen:

“- Mos vrisni dashurinë! Ajo vjen një herë në jetë dhe vritet vetëm një herë.

– Se dashuria është arti, fjala dhe ndjenja më e bukur njerëzore në glob.” ,- gjë që e provojnë këto pak fjalë

“…Oh, e dashur…  Dhe unë zgjohem me emrin tënd në gojë, me portretin tënd në sy, me ëmbëlsinë e zërit tënd në vesh..., “- thotë Aureli në një letër që dërgon nga Moska, por që nuk mbërriti kurrë në dorë të Brikenës. Me të drejtë pyet: “-A ka protezë për një zemër të thyer?“– thotë Brikena, kur humb çdo lidhje me të dashurin e saj, pra kur ka humbur shpresën.

“– Në dashuri s’flet goja, flet syri, flet buza, flet loti, flet zemra, por se dëgjoi Aureli,” – thonë pa folur me zë veç në ndërgjegje, të dy personazhet kur takohen pas 30 vjetëve.

” -Sepse duhet të mbisundojë dashuria në shtratin e ëndrrave të secilit”,- thotë Autorja Vranari.

“-Të jetosh pa dashuri, jeton kot. – Të vrasësh dashurinë ke vdekur dhe kur je gjallë”, – i thotë Aureli kriminelit që u vrau dashurinë e parë, kur merr vesh të vërtetën për sekuestrimin e letrave të tyre të padorëzuara dhe të palexuara nga ata dy të rinj që tashmë ishin në moshë mesatare.

Pra lexon e lexon me ëndje dhe më në fund kokludon, se dashuria s’është deklarata që vret por një medaljon që mes shpirtit hyn në zemër, në gjak e në mendje.

Në novelën “Një mall i pashuar”, të rinjtë marrin një leksion për dashurinë. Të vjetrit kujtojnë me nostalgji zgjedhjen e mundimshme të fjalëve për të shprehur dashurinë.

Më duket interesant dhe po kthehet në modë zbatimi i letërkëmbimeve (origjinale apo të sajuara nga autorja), lexuesi shqyen sytë për bukurinë shprehëse që ka gjuha sepse kur arrin të përdorësh mirë atë. Vendosja e personazheve në Labëri zbulon margaritarët e vërtet të dialektit dhe folklorit lab.

Veç sjelljes nga autorja për të rritur nivelin artistik të novelës, ajo bën edhe një detyrë tjetër atdhetare, patriotike e kulturore, që e pasuron me fjalë të reja.

Po shënoj disa syresh:artfjala, sypagjumja, natpafjetura, plaghapës,  ledhbahçeja, fatlumturia, kapen dhe shqiptohen ëmbël nga të gjithë.

Ngjarja mund të tregohej edhe sipas traditës në vetën e tretë, por jo, shkrimtarja e thyen këtë veçori: si në gjithë veprat e saj e trajton rrëfimin në vetën e parë, fut veten, qëndron, analizon si qytetare, merr pjesë aktive, merr edhe përgjegjësi, logjikon pa dhënë urdhër. Kjo të bën të menedosh se kemi të bëjmë me një letërsi ndryshe, bashkëkohore dhe moderne, që lexohet dhe tingëllon bukur në të gjitha gjuhët e botës..Pra aq sa e copëzon ngjarjen, edhe po aq e bashkon në një të tërë duke na thënë: “Jemi bërë copa-copa, kemi shumë urrejtje, kemi shumë krim, kemi shumë shthurje, kemi shumë të këqija brenda vetes sonë, që me indiferentizmin tonë po i ushqejmë më shumë…! Përse vallë ndodh kështu?!”

Hajde të ndihmojmë njëri-tjetrin për të jetuar në paqe. Dhe me paqe jetohet duke falur dashuri. Shkrimtarja po bëhet pjesë e atij opinion letrar që shkund pluhurin e shoqërisë shqiptare si në veprat e Ali Asllanit. Që e thërret sot poezinë e tij, jo urrejtja por dashuria për vendin, të gjitha dashuritë për njeriun.

Ekspertët e mirfilltë letrar , profesor, doktor dhe kritikë, janë shprehur në prolog dhe në epilog. Unë si lexues do të doja ta përfundoja mendimin tim me këto fjalë:

“Brenda 17 vjet krijimtari jeni rritur shumë Zonja Vilhelme aq sa konstatoj:  Ju s’keni më nevojë të thoni: Merre e lexoma këtë libër.Unë lexuesi juaj duhet të them: Të lutem më jepni të lexoj librin tuaj të radhës.”

Në fund dua të di: Sa libra do të shkruash, që unë të planifikoj sirtarët e bibliotekës sime?.

Urime dhe suksese! Ju falenderoj së tepërmi për çka i dhuroni lexuesit!:

* Ahmet Demaj- (Mësues Kryetar i Sh A.K. “Labëria”-Vlorë

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: a ka proteze, Ahmet demaj, per nje zemer te thyer, Vilhelme Vranari

Gruaja shqiptare në shekuj dhe pozita e saj shoqërore

March 5, 2014 by dgreca

“Ekzistenca e shoqërisë njerëzore mundësohet nga dy segmente, femra dhe meshkuj.”     

“…nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore dhe fatet e kombeve të vegjël…”

“...Ju gjyshe, nëna, bashkëshorte, motra e bija…luftoni për të drejtat, liritë dhe dinjitetin tuaj. Nuk jam për lirinë pa kufi që shtrembëron e përdhos nocionin e kësaj fjale të bukur, fisnike, të vyer dhe të pazëvendësueshme. Jam për atë liri që i jep gruas mundësinë për të qenë vetvetja.”–Vivra/

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

Historia e kombeve është zhvilluar sipas epokave politike, ekonomike dhe sociale që të marra në tërësi, janë ato që bëjnë historinë e një kombi. Historinë e bënë njerëzimi me bëmat e tij, por janë epokat, ato që nxjerrin në pah vlerat e njerëzve të shquar. Ekzistenca e shoqërisë njerëzore mundësohet nga dy segmente,femra dhe meshkuj.Të flasësh për historinë e një kombi duhen pasur parasysh vlerat dhe kontributi që ka dhënë çdo segment i shoqërisë së tij. Kjo gjithmonë e parë nën dritën e së vërtetës me një paanshmëri politike, sociale apo kulturore, duke i dhënë vendin e duhur reales, pa mohuar apo anashkakaluar as epokën, as vendin dhe as ngjarjen që ka lënë vragë në histori. E theksoj këtë sepse zakonisht politikat më tepër i kanë prishur dhe i prishin punë, se sa i japin vlerat e duhura këtij segmenti të pazëvendësueshëm në gjithë jetën politiko-sociale, ekonomike dhe kulturore. Ky mentalitet i njëanshëm do të ekzistojë për aq kohë sa gjinia mashkullore nuk do ta pranojë si të barabartë gjininë femërore. Madje ky qëndrim do të vazhdojë deri sa të pranohet se femra ka të njëjtin potencial intelektual e profesional, si dhe burrat. Pikërisht për këtë diferencim gjinor, dalim në një përfundim se historia jonë kombëtare është e lidhur ngushtë me jetën, veprimtarinë dhe sfidat e gruas.

Kurrë nuk mund të themi se fazat që kalon një komunitet për ndërtimin e një shoqërie, që të quhet komb dhe që të marrë një vizion të tillë, konformë shtetit të zhvilluar, atëherë pushteti i çdo lloj forme administrimi, nuk i takon vetëm njërit segment të shoqërisë, si për shëmbull vetëm meshkujve ose kësaj apo asaj shtrese shoqërore. Gjatë gjysmë shekulli diktaturë jemi mësuar të dëgjojmë se Shqipëria dhe historia e saj i përkasin  fukarait, gjë që është absurde.

Historinë e këtij kombi e kanë bërë epokat, njerëzit që ishin faktorë të ndryshimeve politiko-sociale, si dhe ata atdhetarë që nxori koha që i lindi, të cilët e çmonin aq shumë lirinë, sa kishin vënë shenjën e barazisë mes saj dhe jetës. Ekzistenca e kombit tonë është meritë e të gjithë shqiptarëve pa dallim gjinie apo shtrese sociale. Shembuj më të mirë virtyti dhe trimërie ishin mbretërit ilir, si: Bato, Pleurati, Monuni, Mytili, Pirro i Epirit, Genti, Agroni e më vonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Ismail Qemali.

Duhet theksuar se në lashtësi dhe më pas në kohë luftrash, gruaja mbante peshën e familjes dhe të gjithë shoqërisë. Jo rrallë gratë ilire merrnin pjesë në kuvende dhe herë -herë u dëgjohej fjala më shumë se sa burrave. Një vlerësim të tillë për femrën e përmban edhe Kanuni i Lek Dukagjinit.

Ashtu siç ekzistojnë gojëdhanat për heroizmat e pashoqe të burrave trima, të tilla drithëruese dhe vetëmohuese, janë legjendat edhe për gratë trimëresha.

*Pas vdekjes së Agronit drejtimin e shtetit Ardian e mori Teuta,mbretëresha që diti t’i udhëheqë ilirët nga beteja në betejë,në luftën e drejtë e çlirimtare kundër romakëve.Teuta u shqua si një stratege e zonja që e nxori popullin e vet nga situata të vështira ndërlufuese, jo shaka por me një Perandori që ishte sundimtare e botës. Kjo u tregoi ilirëve dhe botës se edhe një grua është e aftë të drejtojë si çdo burrë. Shembuj vitaliteti e besnikërie ishin gratë ilire që luftonin përkrahë burrave. Në kohën që ata ishin në luftë, gratë jo vetëm drejtonin ekonominë, rrisnin dhe edukonin fëmijët për tu bërë luftëtarë të zotë, por drejtonin dhe mbronin edhe pronën e tyre. Pra koha në rrjedhat e saj nxori, jo vetëm burra por edhe gra të famshme.

Të shumta janë gratë shqiptare që ia rrisin emrin Shqipërisë dhe shqiptarizmit, që nga mbretëresha Teuta e Ilirisë, Dora d’ Istria e Rumanisë, ky ishte pseudonimi i princeshës me origjinë shqiptare Elena Gjika, Nënë Tereza,

*Dy princeshat e Kaninës Rugjina Balsha, e cila në shekullin e XIV bëri epokë, e Princit të Kaninës Gjergj Arianiti, Donika Arianiti Kastrioti, e cila ishte e denjë për t’u kurorëzuar Mbretëreshë e Arbërisë, titull që e mbajti me nder edhe pas vdekjes së të shoqit, Skënderbeut. Donika Kastrioti jetoi në oborret e Napolit, Venedikut me dinjitet prej mbretëreshe. Deri në vdekjen e saj, në fillim të shek XVI ajo nuk reshti duke ndihmuar shqiptarët që atje ku jetonte në mërgim.

Rilindja Evropiane dhe të drejtat e gruas

Qysh në shekullin e XVIII, evolucioni social- ekonomik dhe kulturor që solli në oborrin perandorak të Petërburgut Perandoresha Katerina e Madhe, gruaja me origjinë gjermane, shërbeu si shembull për femrat përparimtare dhe të arsimuara të Evropës, që kërkonin ndryshim, të cilin duhet ta sillte gruaja prej së cilës lind jeta. Askush nuk mund ta mohojë se nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore dhe fatet e kombeve. Shumë zonja të nderuara, që e urrenin skllavërinë e femrës si segment, izoluar brenda katër mureve të shtëpisë, kishin vërejtur se mungesa e lirive dhe të drejtave të gruas, mospjesmarrja e saj në votime, mosarsimimi dhe mohimi i të drejtës së punës intelektuale në administratën shtetërore, ishte një pengesë për zhvillimin e kontinentit plakë. Femrat e arsimuara e dinin mirë se pa një grua të kulturuar nuk mund të ketë as rini dhe as të ardhme të zhvilluar. Si pasojë nuk do të ketë nivel të lartë jetese, ku njerëzimit do t’i mungojnë kombet e qytetëruar.

*Në Evropë kishte nisur lëvizja femërore madje e iniciuar nga burrat, si në Paris nga Rusoi që njihet si themelues i shoqatës “Lega e Gruas” më 1869.

* Shumë femra që kërkonin ndryshim, përfunduan në gijotinë, shumica e të cilave ishin nga shtresa e lartë e aristokracisë, mbretëresha e princesha si në Skoci, Angli, Hollandë, Francë etje.Një shembull i tillë është e reja franceze Zhan d’Ark.

*Në shek.XVII, në Shqipëri doli një vajzë Nora e Kelmendit, nga Malësia e Madhe. E shquar për bukurinë dhe trimërinë e saj në vitet 1637-38, tërhoqi vëmendjen e sundimtarit boshnjak që atë kohë kishte pushtuar kryeqytetin e kulturës shqiptare, Shkodrën. Ai kërkoi të martohej me të. Por i ati, sipas traditës shqiptare nuk e martonte të bijën me një të huaj. Megjithëse për Norën janë thurur versione të ndryshme legjendash, unë po tregoj më të pranueshmen. Si një Zanë mali që të huajt e quajtën Brunilda Shqiptare, pranoi të martohej kundër vullnetit të të atit me kryekështjellarin, të cilin e vrau me një kamë me dorezë argjendi, që e kishte fshehur nën xhubletë. Si Brunilda e antikitetit që vrau Zigfridin, edhe Nora e Kelmendit u hakmorr ndaj pushtuesit të huaj.

*Revolucioni në industri, solli ndryshime rrënjësore në Evropë. Dalja e gruas në punë, kushtet e vështira të punës, paga e ulët, orari 12-14 orë si dhe puna e rëndë e të miturve në miniera, ose si hamenjë, e zgjuan gruan ndërgjegjësisht sidomos në Angli e Francë.

*Shekulli i XIX i quajtur shekulli i Rilindjes Evropiane, ishte një lëvizje social- kulturore, në të cilën u përfshinë edhe mjaftë zonja. Një ndër gratë e shquara të shekullit të Rilindjes Evropiane, kohë ku krahas industrisë, mori hov letërsia, piktura, skulptura, muzika, teatri, baleti, ishte dhe hyjnesha Elena Gjika, ose Dora D‘Istria, që ishte pseudonimi letrar i saj. Elena Gjika ishte shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. Lind pyetja: Pse mbante këtë pseudonim? Elena nuk ishte rasti i parë. Në Evropë atë kohë kishte mjaft femra të kulturuara, por mes tyre ishin 4 femra të famshme që ngjallën respektin e botës mashkullore, zgjuan dhe rritën interesin e rretheve politike, të salloneve mondane, tryezave diplomatike për mençurinë, kurajon dhe elegancën e tyre. Në Francë ishte Zhorzh Sandi, e cila vetëm kur mohoi emrin femëror dhe e veshur si kalorës, mundi t’i botonte veprat e saj letrare, sepse letërsia, politika, drejtësia, diplomacia, ishin pronë për mendjet meshkullore. Ndërkohë që gruas i ishin mohuar shumë të drejta. Nuk kishte të drejtën e votës apo të ushtronte profesionin e diplomatit, shkrimtarit, të drejta që ishin vetëm për burra. Një grua tjetër e shquar ishte në Angli, londinezja,Virxhinia Woolf, shkrimtarja moderne, publicistja e shquar, eseistja dhe mbrojtëse e të drejtave të grave. Duhej kurajo dhe guxim nga gra të virtytshme që të thyenin konceptet mesjetare dhe të dilnin nga kornizat e kohës. Këtë rrugë ndoqi edhe kjo femër Elena Gjika ose Dora D’Istria, që u bë pjesë aktive e Rilindjes Evropiane, e cila jo më kot u quajt princesha e kulturës Evropiane.

   *Nobelistja “Nënë Tereza“, e mohuara nga Diktatura Komuniste e cila është një prej person Më pas i vlerëson dhe i përjetëson. aliteteve më të mëdha të kombit shqiptar. Madje është një nga pesonalitetet më të mëdha botërore të shekulli XX. Bota nuk i ka heronjtë dhe i krijon.Kurse ne i kemi dhe i mohojmë, duke i lënë në errësirë, ku i mbulon pluhuri i harresës. Jo vetëm kaq por nuk ndalemi duke hedhur baltë mbi ta. Është fatkeqësi dhe krim për një komb kur antivlera ngrihet kundër vlerës, që mohohen deri në atë shkallë, sa të tjerët na quajnë provincialë dhe kulturën tonë provinciale .Unë nderoj portretin e ndritur të Nënë Terezés, e cila si shumica e intelektualve u vlerësua vetëm pas vdekjes. Në këtë rast është domethënëse shprehja:“Vdis, pa të të dua!” sepse ajo u njoh nga bota si shqiptare, vetëm pasi u vlerësua me çmimin “Nobel” për Paqen.

Sa bukur, sa thjesht, sa natyrshëm dhe po aq i madhërishëm ka qenë pohimi i saj:
“Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit ,jam murgeshë katolike.Sipas thirrjes së Zotit, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.
“

  *Si mund të mohosh labëreshën trime Maro Kondi që i tërhoqi ushtritë turke në greminë, duke sakrifikuar jetën e saj dhe të të birit.

*Në Luftën greke për Pavarësi ,mes shumë burrave shqiptarë, mori pjesë gruaja shqipëtare, luftëtarja trime Laskarina Bubulina e cila e vuri gjithë pasurinë në shërbim të revolucionuit grek. Në muajt e parë të 1825, ajo u kthye në ishullin Spetses ,ku jetoi në varfëri deri sa u vra në qershor të 1825 dhe njihet si heroinë greke.

*Nuk duhen harruar motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi që hapën shkollën e vashave më 1892.

*Kush nuk e kujton trimëreshën Shote Galica, e cila u vesh si burrë, ngjeshi armët e Azem Galicës, (bashkëshortit) dhe luftoi kundër të huajve. Ç’bëri më shumë heroi legjendar El Sidi, se kjo grua malësore që mbrojti trojet arbërore?

*Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, me në krye heroin legjendar Ded Gjon Luli, ku u përfshinë edhe gra si Tringa e Malsisë, ose Tring Smailja. Kjo kryendgritje u kurorëzua me ngritjen e flamurit në Deçiq, më 3 prill të po këtij viti,që është Preludi i shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912. 

Ja se ç’shkruan për trimërinë dhe bukurinë e femrës shqiptare:*New York Times 25 maj 1911 dhe Gazeta franceze ‘Le Petit Journal’, më 28 maj 1911: Beteja e Vraninës – një Zhan d’Ark shqiptare
CETTINJE, 9 maj. Në betejën e Vraninës, Malësia mbi Shkodër – u shqua një vajzë e re, emri së cilës përkon me emrin e dhënë të Vajzës së Orleans. Kur javën e kaluar, në betejën e Vraninës, babai i saj, kryetari i fisit shqiptar Martinaj, u vra, ajo menjëherë zuri vendin e tij dhe i udhëhoqi Martinajt në fitoren kundër turqve. Vajza me emrin Janica Martinaj, ishte shumë e bukur. Sipas një personi i cili njihet mirë me të, kjo Zhan d’Ark e re nuk i ka ende 22 vjeç, dhe është “një grua e re e mirë-zhvilluar, e gjatë dhe e bukur.” Të gjitha gratë shqiptare janë të guximshme dhe janë të mësuara që nga vajzëria e tyre me përdorimin e armëve të zjarrit, dhe në kohët e luftës, duke qenë se nuk ka mushka, ato ngarkojnë ushqimet e municionin për luftëtarët e tyre dhe shkojnë në vijën e zjarrit për shpërndarjen e tyre.”-
*Marigo Pozio, e përndjekura nga Hoçishti i Korçës, e cila u vendos në Vlorë, ku ia kushtoi jetën çështjes për pavarësi kombëtare. Njihet si qëndistare e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, por ka meritën e madhe se krijoi shoqatën e parë të grave vlonjate “Shpresa e Kombit” më 1914 dhe më 1921 ajo nisi botimin dhe drejtoi gazetën “Shpresa Kombëtare“, një media me shumë vlera për kohën.

*Gjatë Luftës Ballkanike dhe më pas në Luftën e Parë Botërore, Sado Koshena, kjo grua trime, pa arsim nga Dukati Vlorës, i priti ushtritë greke në Llogara.

* Askush nuk i harron 6000 gra e vajza që morën pjesë në luftën e Dytë Botërore, ku për çlirim kombëtar luftuan dhe u vranë përkrah burrave apo vëllezërve.

* Gjatë luftës së II Botërore doli një grua trime, Musine Kokalari, intelektuale me vizion të gjerë për demokracinë në Shqipëri, të tipit evropian, pasi ishte arsimuar në Universitetin e Romës.Ajo luftoi me penë duke lënë mbi 5000 faqe dorëshkrim. Ishte gruaja që nuk i ndërroi idetë edhe pse e kaloi gjithë jetën në burg dhe internim.

*Në kohët moderne vlen të përmendet Nermin Vlora Falaski, studiuesja dhe gjuhëtarja që ka mbrojtur me shumë dije e kulturë origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe, që vërteton se përmes gjuhës shqipe deshifrohen shumë gjuhë të botës. Kjo tezë e Nermin Vlorës, që thekson se shqipja rrjedh nga pellazgishtja, është një dokument i rëndësishëm për ekzistencën parahelene të shqiptarëve si pasardhës direkt të ilirëve .

* Vlen të përmendet rumunia Aurelia Graur Vokaj nuk kishte lindur shqiptare, por ajo lindi fëmijë me gjak shqiptari dhe ia kushtoi jetën atdheut të saj të dytë,Shqipërisë. Aurelia lindi në një vit me Nënë Terezën-1910 dhe vdiq po më 1997 që u nda nga jeta kjo Nënë e Madhe. Elena Gjika ndikoi në formimin ideor të Aurelias, e cila më 1932, e martuar me shqiptarin Ajvaz Voka, tregojnë se e mësoi gjuhën shqipe brenda një nate dhe qëndisi në gjuhën shqipe këtë shprehje: “Rrnoftë Shipëria dhe e ndihmoftë Perëndia”që ekziston edhe sot. Kjo grua e huaj, u mësoi fëmijëve të saj gjuhën shqipe. Shtëpia e tyre në Bukuresht u bë qendra për shiptarët e mërguar,që vazhdonin aktivitetin në Shoqërisë Shqiptare .Në vitin 1941, Ajvaz Voka me gruan u transferuan në Shipkovicë, mbi Tetovë. Aurelia e ndoqi pas Ajvazin dhe punoi për emancipimin e femrës shqiptare të kësaj zone deri në 1997 . Mediat rumune e pariziene do të shkruanin:“U nda nga jeta Nënë Tereza e Shipkovicës” ku vinin në pah vlerat e saj si veprimtare e shquar, që s’ lindi shqiptare por punoi për çështjet e këtij kombi,që u bë atdheu i prehjes së përjetshme të eshtrave të saj.

Sot në vendin tonë, apo në emigracion ka me qindra gra të famshme në fusha të ndryshme, në ekonomi, shkencë, politikë, kulturë, art, letërsi, ushtri, histori, mjekësi etje.

Gruaja shqiptare arriti të ketë vendin e N/kryetares së Parlamentit, Kryetare e Parlamentit, Prokurore e Përgjithshme, Deputete, ministre dhe zv/ministre. Këto zonja, a e kanë justifikuar apo e justifikojnë veten në rolin e të qenit në poste të rëndësishme, së pari si femra (shembull urtësie), si bashkëshorte dhe si nëna?! Këtë do ta tregojë koha. Më pas ajo(Koha) do të flasë, veçse me gjuhën e së vërtetës. Por mos harroni se behari nuk vjen me një lule,sepse potenciali femëror është vendimtar në integrimin e kombit, vetëm duhet të dimë ta përdorim intelektin, arsimin, profesionin dhe të qenit femra…

 Pyes pushtetarët, këto zonja intelektuale që punojnë me vetmohim, a vlerësohen të gjitha njëlloj, sipas aftësive, arritjeve në fushën ku japin vlera me paanshmëri politike, klasore, krahinore, me apo pa prejardhje të realizmit socialist apo të pas rënies së diktaturës komuniste?

Të nderuara Gjyshe, nëna, bashkëshorte, motra dhe bija, duke Ju uruar Gëzuar Ditën e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, luftoni për të drejtat dhe liritë tuaja. Nuk jam për lirinë pa kufi që shtrëmbëron dhe përdhos nocionin e kësaj fjale të bukur, fisnike dhe të pazëvendësueshme. Jam për atë liri që na jep mundësinë për të qenë vetvetja. Vetëm kështu meritojmë vendin që na takon në shoqërinë e qytetëruar.

  Të gjithë kolegëve dhe kolegeve të mija që kanë ushtruar apo ushtrojnë profesionin e bukur, fisnik dhe të vështirë të mësuesit: Gëzuar 7 Marsin!

Gjithë grave shqiptare në mbarë botën ju uroj: “Gëzuar 8 Marsin!”

Filed Under: Featured Tagged With: Vilhelme Vranari

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT