• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR HISTORIA SHKRUHET NGA ATA QË KANË BËRË HISTORI

February 3, 2021 by dgreca

–– Të vërteta të “luftës së jetës” të Kadri Cakranit – /

NGA VISAR ZHITI/

Besojmë dhe themi që Atdheu është si një familje e madhe, po kështu ka dhe familje të mëdha që janë si atdheu. Që mbartin fatin e tij, nga drama e përjetësisë së tij, që marrin dhe japin nga identiteti i përbashkët nëpër kohëra, nga himni dhe ajo hijeshi ideale, e patjetërsueshme. Familja dhe Atdheu bëhen njësh me jetët e tyre dhe punën, me përjekjet dhe paqen dhe më shumë me luftën dhe vdekjet, me fitoret e vështira dhe ato humbje që farkëtuan bashkë me qëndresën dhe ndërgjegjen kolektive, gjithë antropologjinë, ngjarjet, karakteret, vetë lavdinë e kombit duke paraprirë ardhmërinë, e cila bëhet e tashme, duke shtuar përvojën dhe pasi ikën e shumta si çdo e shkuar, lë dhe histori dhe mbetet si truall. Por dhe si frymë. Si legjendë. Antike dhe moderne. 

Familja e madhe Cakrani është një histori e gjallë e Shqipërisë së pavarur, tashmë dhe e shkruar mrekullisht, që përfshin dy shekujt e fundit, kapërcimin e shekullit XIX bashkë me robërinë e gjatë dhe të rëndë otomane dhe zë të gjithë shekullin XX, me pavarësinë dhe konfliktet ballkanike me armë, Luftën e Parë Botërore, Kongresin e Lushnjës si pavarësi e dytë e Shqipërisë, pushtimin fashist dhe Luftën e Dytë Botërore, fitimtarët dhe vendosjen e diktaturës së tyre, më të egrën në vendin më të vogël në të gjithë perandorinë komuniste dhe ikjet prej saj. 

Familja Cakrani është kështu dhe një rrënjë e futur thellë, që përshkon nëpër Perandorinë Otomane dhe përhumb në atë Bizantine. Si e tillë, kjo familje e njohur feudale ka patur dhe fatin e rrënjës, e mbetur nëntokë, ushqimdhënëse, por dhe me trungje të prera përsipër, në harresën e re vrastare. Por siç arriti ta parashikonte dhe njëri nga personazhet e shumtë të këtij libri memoaristik, politikani dhe shkrimtari i ikur Ernest Koliqi në dramën e tij “Rrajët lëvizin”, do të vinte dhe koha e një kujtese tjetër, e një ringjalljeje shpirtërore, ku bashkë me vlerat dhe virtytet do të çrroposeshin dhe emrat e atyre që punuan “për Shqipëri”, duke shkrirë jo vetëm pasuritë, por edhe jetët, duke vënë në shërbim nderin dhe fatin. 

LIBRI I KUJTESËS                                                                                 

Pas librit befasues dhe i një rëndësie të shumfishtë, “Kujtimet e një firmëtari”, nga Hajredin Bej Cakrani, ndërkaq dhe dokumet historik, që mungonte për kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, madje dhe i vlerave gjuhësore në rrëfimin shqip në toskërisht dhe pa mbaruar habia mbi këtë zbulim, ja, tani del dhe libri i të birit, Kadri Cakrani, “Të vërtetat e luftës sime”, që përfshin vazhdimin, jetën e tij e të familjes dhe të Atdheut, të ndërthurura bashkë si një e tërë. Ashtu siç i mori detyrat dhe përgjegjësitë atje ku e la i ati, me ndjesitë e një misioni të lartë, me përkushtimin e birit, pasi bëri luftëtarin e atdheut, me karakterin dhe mendësitë tipike ballkanike, por sidomos ato shqiptare, ku përzihen virtyti dhe veset, pasi iku në mërgimin e detyruar, në Perëndimin e kulturuar, në fund bëri dhe një akt, nga ato prej europiani, perëndimori, la kujtimet, që i quan të vërtetat e tij, por që po aq, janë të vërtetat e shqiptarëve dhe të vetë Shqipërisë. “Shqiptarët bëjnë shumë, por shkruajnë pak”, – thoshte Dora D”Istria, shkimtarja me origjinë shqiptare, ndër gratë më të kulturura në Europë në kohën e saj. Por ja, që pas saj Cakranët e paskëshin thyer këtë çkujdesje atavike, konservatorizëm i padobishëm, jo një, por dy herë, nga ati dhe biri. 

Edhe dalja e kujtimeve të Kadri Cakranit i ngjan një arkeologjie, që nuk zbulon, si të thuash veç vende, – ngjarjet nisin në vendlindjen e autorit, në Mallakastër, ku kishin domenin, “Republikën Cakrani”, vazhdojnë në Berat, ku kishin dhe aty shtëpi të madhe dhe autori shërbeu si Kryekomandant i Ballit Kombëtar, por dhe në Austri më parë, ku ai u shkollua në Akademinë Ushtarake Tereziane, vazhdimet, lufta dhe ikja e detyruar më në fund, në Itali, ende më larg, në Siri, dhe përtej oqeanit në SHBA, sikur i largohej një të keqeje, por jo kacafytjes me të. Por në këto kujtime zbulohet më e rëndëshimja, zbulohet kohë, sa vetanake, po aq dhe e përbashkët, kohë familjare dhe mbretërore, kohë për të bërë kohën, dhe vjen koha e pushtimit nazi-fashist, e luftës civile, siç e quan autori atë midis partizanëve nën udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar nën udhëheqjen e pinjollëve të familjeve të mëdha, ku ai bën pjesë si themelues dhe prijëtar, mundja e atyre që duhej të fitonin dhe fitorja e atyre që duhej të humbnin, etj, por duhej kohë tjetër që të përmbysej përmbysja, qoftë dhe si një realitet tjetër, dhe autori i këtij libri e shpalos si një realitet moral. Libri është i të vërtetave të Kadri Cakranit, rrëfim dhe qortime, për të tjerët dhe i asaj që i përkiste, por dhe ndaj vetes, që duhej të kishin bërë më shumë, por dhe ndryshe, i bindur në rrugën e tij dhe në drejtësinë e saj, me një sinqeritet të ashpër, ushtarak siç dhe ishte, që ndërsa zbatonte parimet e Organizatës së tij për një luftë kundër pushtuesit me sa më pak gjakderdhje, vetë shpërthente si hero, me moton dhe dalldinë që vrasësit duhen vrarë dhe s’e lëshoi armën kurrë nga dora, që natyrisht e përdori me pasion. E rëndesishme është që të vërtetat e Kadri Cakranit, më themeloret, shtyjnë disa të vërteta të tjera, që kishin zënë vend me dhunë dhe ishin zyrtarizuar, sipas atij ligjit që historinë e shkruajnë fitimtarët.           Diktatura me historianët e saj ribëri një të kaluar ashtu siç do të donte ajo të kishte qenë, mbivendosi një realitet tjetër, por krimi gjithsesi mbeti në thelb… Nga Kadri Cakrani tani na vjen një tjetër realitet i po asaj kohe, i besueshëm mes pabesive, por dhe i natyrshëm, në natyrën e tij, kur po denatyroheshin koha dhe shqiptarët.                                                        “Të vërtetat e jetës time” kthehet në të vërtetat e jetës së atdheut. Libri të tërheq dhe si një “roman”, ku çdo ngjashmëri me ngjarje dhe njerëz realë nuk është e rastësishme, por qëllim. Nis me fëmininë në atë familje të madhe, sarajet, lojrat, futbolli, pastaj lojrat e mëdha të njerëzimit, lufta, Ballkani, Europa, bota, kthehet prapë në atdhe, ndarjet, konfliktet, takimet politike në oda burrash dhe sheshet me njerëz, jeta aristokratike, hipodromi, fushat e tenisit që ata kishin dhe ku, në Mallakstrën e atëhershme, shëtitjet me kuaj, me djem dhe vajza, të ardhur dhe nga jashtë vendit, shokët dhe miqtë e tyre. Hajredin Bej Cakrani me të vëllanë, Bekash bej Cakrani, ishin bashkëpunëtorë të Ismail Qemalit, shpallësit të Pavarësisë, e kishin mbajtur në sarajet e tyre në ato ditë dhe kishin ikur bashkë me qerre nëpër baltën e kohës të themelonin shtetin e ri shqiptar në Vlorë, kur njëri vëlla do të ishte firmëtar dhe tjetri ministër, i cili jo vetëm nuk merrte pagë për punën, por paguante administratën nga arka e shtëpisë së tij.                                                          Në vitet e Kongresit historik të Lushnjës, ku ishin pjesëmarrës, krahas halleve, ra nëpër Europë dhe ajo që u quajt “Gripi Spanjoll” dhe “Vëllezërit Cakrani” krijuan fondacionin e parë shqiptar, duke iu gjendur popullit me ndihma dhe mbështetje, veshmbathje dhe barna, duke e kthyer konakun e tyre në spital. Bijtë e familjes Cakrani i ishin përkushtuar dhe dijes, duhet të bëheshin për atdheun ashtu siç ai priste: mbrojtës të tij, ekonomistë, agronomë, mjekë, juristë, diplomatë, politikanë, etj, dhe ishin shpërndarë nëpër universitete të famshme, në Vjenë e Paris, Romë, e Berlin, por dhe në Rumani e Poloni e Hungari, etj. dhe, nëse do të duhej, të merrnin armët në dorë sërisht, ishin dhe luftëtarë. 

Motra e autorit të këtij libri, Suhade Cakrani, vajza e vetme e Hajredin Beut, që na përshfaqet paksa si një përndritje vetëtime. studionte në Firencen mahnitëse të Dantes, të Mikelanxhelos e Makiavelit, etj, të atyre që udhëhoqën Rilindjes Europiane. Po për çfarë studionte ajo? Për mjekësi, financë, shkencë? Jo, për Artet e Bukura, ashtu siç ishte dhe vetë. Se atdheut do t’i duhej dhe art, kulturë, që të bëhej sa më i bukur. Por dhe rebelimi. Kadriu do të burgosej si kundërshtar i Mbretit Zog, por dhe në burg ai do të ishte aq i hijshëm, me shokët, me borsalina e kravata e këpucët që i shkëlqenin.                                     Duke ndjekur rrjedhën e kujtimeve të “Princit”, siç i pëlqente ta quanin Kadri Cakranin, zbulojmë më shumë Ballkan, absurd, ku fitorja është dhe humbje dhe i munduri mund te jete firimtari, dhe, “kur monarkitë ktheheshin në republikë, Republika e Shqipërisë bëhet monarki, – thotë autori me një buzagaz të hidhur dhe përshkruan një Shqipëri kaotike, “ku atentatet u bënë si moda sot”. Mes saj është dhe ai. Protagonist. Jeta bashkohet me historinë. Konfliktet botërore mbërrijnë dhe në Mallakastër. Njësitet partizane, – tregon autori,- shpesh bënin punën e bandave dhe merrnin po përgjigje të tilla. Me armë. I biri i Shehut – partizan, i biri i Hajredin beut – ballist. Ndarje që u thellua gjithnjë e më tepër në fshat, në krahinë, në qytete, në Shqipëri. Dhe në botë. Berlini ishte ndarë më dysh, me mur në mes. Marrëveshja e shqiptarëve në Mukje u tradhtua nga komunistët. Nacionalistët nuk donin vëllavrasjen, siç e quanin hapur autori. Po ajo erdhi dhe e deshi udhëheqja e komunistëve, me saktë Enveri që ishte nën tutelën e jugosllavëve, dy misionarë të së cilës ishin në shtabin e lartë si mbështetës a këshilltarë, por në fakt ata drejtonin dhe qëllim ishte marrja e pushtetit nga ana e tyre në një Shqipëri pa Kosovën, të cilat pushtuesi i kishte bashkuar. Pas lufte plani ishte që dhe Shqipëria e gjithë të bëhej një nga republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa nacionalistët, Balli Kombëtar, në organizatën plulariste të cilëve lider ishin bijtë e Frashërllinjve dhe të familjeve të tjera të mëdha, pra dhe të Cakrajve, dhe profesorë – patriotë të sprovuar, qëllim ishte Shqipëria, mëvetësia e saj e humbur, prosperiteti demokratik si në botën Perëndimore, duke u shtuar kështu dhe çështja tjetër, aq shumë kritike dhe shqetësuese, jo Shqipëri komuniste. Lufta midis dy të vërtetave ashtu si mes dy të drejtave bëhet gjithnjë e më e ashpër ashtu siç dhe janë luftrat civile. 

PATJETËR DHE LETËRSI                                                                      

“Të vërtetat e luftës sime” në arritjet më të mira është shkruar dhe si letërsi dhe patjetër nëpër faqet e tij do të gjenim dhe biseda tërheqëse për letërsinë dhe artet. Duke qenë kohë lufte, ato ndjehen dhe janë pjesë e qëndresës dhe e mbrojtjes. Në fillim ndeshim se ç’thonë mes tyre etërit Cakrani, kur njëri vëlla mbështeste filozofinë e Samiut dhe tjetri poezinë e Naimit, por nuk bëhet shteti me poezi, ia kthente njëri, po bëhet ndërgjegjia, ngulmonte tjetri. Pra duket sikur po kërkohet një strategji veprimi si strategjitë në luftë. Ndërsa bijtë, Kadri Cakrani, ushtarak profesionist, do të debatonte për letërsinë europiane me profesor Abaz Ermenjin, i pari fliste për superioritetin e letërsisë gjermane e i dyti për atë franceze, jo pa tension. etj, etj. Edhe tek biseda e tyre duket sikur po kërkohet aleati më i fortë dhe kjo nis nga kultura. Por atë që s’e prishi dot lufta, do ta shkatërronte diktatura e fitimtarëve pas luftës. Dhe në mërgimin e autorit në SHBA, ka përsëri përsiatje për letërsinë, aty nga faqet e fundit të librit, kujton Borhertin, Heminguejin, Remarkun dhe Bël-in që e ai i pëlqen, por letërsia shqipe sot nuk lexohet dot, thotë, e ka fjalën për Realizmin Socialist, por çuditërisht ka pikasur një libër ndryshe, që jep shpresë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Si ushtarak e ka tërhequr dhe tema dhe fundi, i ngjashëm me veprën e tyre. Si ideolog ai te letërsia sheh gjendjen shpirtërore të një populli dhe shpresën për të ardhmen, nëse do të ketë… 

VAZHDIME ME VEPRA 

Por le t’u kthehemi çështjeve të luftës, që zotërojnë librin. Me Kadri Cakranin bindemi gjithnjë e më shumë se komunistët kërkonin të arrinin qëllimin me çdo çmim, idealin e tyre, qoftë dhe me terror, me vrasje, pabesi dhe ndaj të vetëve, deri dhe bashkëpunim me pushtuesin, gjë që dihej fare pak ose aspak dhe fshihej nga historiografia zyrtare, kur trumbetohej e kundërta. Ndërsa Ballit Kombëtar, na tregon Kadri Cakrani, duket se i interesonte njeriu, jeta dhe fati i çdo njeriu, qoftë dhe i huaj ky, të cilët së bashku përbëjnë Atdheun. Janë të shkëlqyera aktet e humanizmit dhe të guximit të madh që na tregon Kadri Cakrani. Hebrenjtë e Beratit, rreth 450 familje, te vjetra dhe të reja, të sapo ardhura nga përndjekja në shtetet përreth, do të shpëtoheshin nën kujdesin e tij, duke u dhënë të gjithëve pasaporta shqiptare, nëpër Mallkastër, në tokat e tyre, tani nën kujdesin e xhaxhait, Bektashit. Letërkëmbimi midis tyre tashmë është në muzeumet e Holokaustit në Izrael. Akti human më i madh në Ballkan. Frika ishte se partizanët mund ta dekonspironin këtë aksion tek gjermanët, për të krijuar terror e panik e ta shfrytëzonin për fitoren e tyre. Me qeverinë e Mustafa Krujës u bë ajo që nuk ishte bërë dot në vende më të mëdha, më të fuqishme e më të kulturuar, mbrojtja e hebrenjve, duke mos dorëzuar asnjërin te nazi-fashistët dhe në fund të luftës në Shqipëri, “në atdheun e dytë të hebrenjve” kishte dyfishin e tyre. Kadri Cakranit, por sidomos të birit të Bektash beut, Kujtim Cakranit, ashtu si gjithë popullit iu hap dhe një punë tjetër e vështirë, shpëtimi i mijra ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë Fashiste, se ata kërcënoheshin nga pushtuesi gjerman si dezertorë dhe nga partizanët si pushtues, pavarësisht se një pjesë e tyre më pas, me urdhër nga aleatët, u hodh të luftonte bashkë me partizanët. Shqipëria bëri atë që s’e kishte bërë kush në botë, ushtrisë që kishte ardhur si pushtuese, pasi u mund, ushtarëve të braktisur të saj u dha bukë dhe strehë, mbi 25 mijë bij dhe i përcolli si vëllezër. Është biblike që armiqtë t’i kthesh në vëllezër. 

Përsëri Kadri Cakrani, nga Kryekomandant i Ballit Kombëtar, do ta gjejmë në aksione humanitare, në shpëtimin e infermiereve amerikane, aeroplani me të cilin fluturonin, gabimisht ra në Shqipëri në zonat e luftës, ku partizanët, duke mos pyetur për jetët e tyre, donin t’i përdornin si propagandë, si zbarkim të aletarëve, na thotë Kadri Cakrani. Tjetër, lirimi i disa ushtarëve gjermanë, të kapur rob nga partizanët në Berat, kur ata, ushtarët gjermanë, nuk e dinin se partizanët do ta shkelnin marrëveshjen që kishin bërë me ta. Komanda gjermane menjëherë mori 140 pengje, shqiptarë të pafajshëm, që do t’i pushkatonte, nëse nuk ktheheshin në repart dy robërit gjermanë. Partizanët e donin masakrën, se kështu shtohej urrejtja kundër gjermanëve, por Kadri Cakrani shkoi në zonat e tyre dhe i liroi robërit gjermanë, që të shpëtonte jetët e 140 njerëzve, bashkëqytetarë të tij. Bashkë me tensionin rritet dhe mrekullia e librit. Fshehja e Kodikëve të Beratit, mijëvjeçarë, bizantinë, sidomos atë të purpurtin, që e kërkonin gjermanët dhe, po të mos ua dorëzonin, do të pushkatoheshin priftërinjtë tanë ortodoksë, sa të ishin aty. Përsëri Kadri Cakrani është në vorbull, për të gjetur zgjidhjen, teksa përkthen gjermanët e ardhur nga Tirana për këte çështje. Duheshin ruajtur priftërinjtë nga pushkatimi, por dhe kodikët patjetër dhe kush kallzonte, “do ta pushkatoj unë” – kërcënonte Kadri Cakrani si përherë. Dhe ai propozoi benë e rreme te gjermanët, pasi priftërinjtë i ishin lutur ikonës së Shën Mërisë që t’i falte për atë që do të bënin. 

Libri është plot me ngjarje e kundërngjarje, zbulime dhe kundërzbulime, aleanca të fshehta e kritike, rreziqe dhe humnera, natë dhe luftë, vrasje dhe sherre kombëtare që do të zgjidheshin si do të mund të zgjidhej bota e të vendoste për Shqipërinë, etj, etj, teksa dhe çështje befas hapte të tjera e më të mëdha si rrathët e ujit, kur hidhet një gur mbi një pellg. Ato rrathë shkonin dhe më përtej vendit, në Beograd e Athinë, Londër e Moskë, e Uashington dhe s’ishin prej uji, por shpesh rrathë gjaku. Akuzat e kudërakuzat tashmë nuk kishin të sosur, krahu i partizanëve kishte mjeshtra të propagandës, gjithmonë në rritje, akuzohej Balli Kombëtar për bashkëpunim me pushtuesin, si organizatë tradhtarësh, teksa gjermanët po arrestonin dhe internonin nga radhët e Ballit, sipas Kadri Cakranit, psh, internohet poeti Kudret Kokoshi, më pas i burgosur i komunistëve etj. 

Gjithsesi Balli Kombëtar, kur po dukej absurde në atë realitet të çmendur, po arrinte fitore humane e morale, duke pranuar që t’i binin mbi shpinë dhe akuzat. Ndërkaq terrori po u jepte sukses partizanëve. Që ata po e përdornin më së miri, nuk e thotë vetëm Kadri Cakrani me dëshmitë e tij, por dhe të tjerë, madje dhe nga radhët e partizanëve, p.sh, i ikuri i tyre, Xhelal Staraveska, ushtarak i lartë, por dhe teoricieni po i tyre, që kishte studiuar në Moskë, poeti Sejfulla Malëshova, ua tha në një nga konferencat që Partia Komuniste, po shndërrohej në një bandë me terroristë. Kadri Cakrani i mëshon ngulmimit që vrasësit e Shqipërisë duheshin vrarë, qofshin këta dhe shqiptarë. Lufta ka ligjet e saj, ajo nuk fitohet me falje atyre që nuk të falin.                   Gjermanët po mundeshin si kundërshtarë dhe po fitonin kundërshtarët e tjerë, komunistët, sipas Kadri Cakranit, dhe ajo që po humbte vërtet, ishte Shqipëria. Kadri Cakrani me gjithë krerët e Ballit Kombëtar, Legalistëve, kolaboracionistëve, etj, ikin. Humbën betejën, por jo luftën, sipas Mit’hat Frashërit. Dhe do ta vazhdonin nga jashtë “Për Shqipërinë”. 

Terrori i fitimtarëve do të ishte më i keq dhe më i madh se i pushtuesve. Xhaxhain e Kadri Cakranit, Bektash bej Cakrani, ai që e kishte rritur, ministri i parë i financave në shtetin e ri shqiptar, do ta pushkatonin. Skena është heroike nga ana e të pushkatuarve, kurse nga ana e atyre që pushkatonin, kishte grotesk. Ata bënin provat e pushkatimit se pritej një i madh që do të asistonte, do të vinte ai, tashmë i lartë në pozitë, që Kadri Cakrani donte ta vriste, por nuk e kishte lënë xhaxhai, që po pushkatohej tani prej tij. 

Në Shqipëri, në mes të qytetit të Fierit, varin një vëlla të Kadri Cakranit, dy të tjerë i burgosin, ndërsa e motra e tyre, ajo e Arteve të Bukura, Suhadja e bukur, vdes në moshë të re, e tmerruar në çmendinë. Si një metaforë e rinisë së asaj kohe. Një metaforë tjetër e rëndë në libër është dhe ajo me kafkën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, që mendohej se ishte në një varr të fshehtë në një Kishë të vogël në Lezhë, por duke mos treguar përkujdesjen e duhur shteti i ri, duke bërë të kundërtën, dukej se kështu do të humbte dhe ajo traditë e lashtë, zakonet, lavdia historike e shqiptarëve, etj, etj. 

Edhe në SHBA, në një mledhje të OKB, ku vinte të merrte pjesë nga Tirana dhe ai, armiku i tyre, Kadri Cakrani po e priste në një rrugë të Nju Jorkut, përballë hotelit t’i bënte atentat me sanjper. Prandaj dhe në libër, në fund, gjejmë dhe skena si të filmave hollivudianë, kur Kadri Cakrani ndjek me çifte veturën e atyre që kishin qendruar dyshueshëm para restorantit së tij, që duhej të ishin vënë nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Libri mbyllet ashtu siç fillon, si me një ironi, me ndeshje fotbolli. A thua ashtu janë përpjekjet e gjithë kësaj jete, një lojë? 

E rëndësishme në Kujtimet e Kadri Cakranit nuk janë ngjarjet, por lënda, koha që sjell dhe të vërtetat e tij përballë të vërtetave të të tjerëve, të vetë historisë zyrtare. Kjo përballje e re, dikur me armë dhe tani me libra, ndihmon kujtesën kombëtare, krijimin e një të vërtete të përbashkët, se asnjëra më vete nuk mund të jetë absolute, por nga këndvështrimet arrijmë në përfundimin se të gjithë u përpoqën për Shqipërinë, sipas asaj që besonin dhe interesave vetiake, me strategjinë dhe taktikat që njihnin apo iu imponuan. Cilët ishin në anën e duhur të historisë? Po ne ende nuk kemi një histori të përbashkët, me ngjarje dhe heronj të pranuar nga të gjithë. U dukën se ishin fitimtarët, por kur morën pushtet, ata u bënë antihistorikë të tmerrshëm. Të mundurit? Koha duket se u dha të drejtë tani që s’janë. Që nuk do të dihej si do të ishin po të kishin marrë pushtet. Por mjaftojnë idetë, vizioni, madje dhe humbja. Më mirë të humbësh në kohën që duhet, se sa të fitosh, kur nuk duhet. Janë më të rënda për një popull fitoret e dëmshme. E cilët ishin kolaboracionistë më të rrezikshëm për vendit, ata të kohës së luftës nën pushtim perëndimor apo ata të kohës së paqes me Bllokun e Lindjes? Cakrani, vetëkuptohet, është kundër të dytëve dhe i luftoi. Po jo vetëm ai. Ndërkaq po shtohen ata që mendojnë ashtu. Nëse nuk është arritur të përcaktohet se cila ishte më mira që do të duhej për atëhere, të jemi në gjendje të gjejmë se ç’ishte më e keqja, që nuk do të duhej. Të paktën të na bashkonte kjo. 

Ndihmesa e librit të Kadri Cakranit në këtë çështje është e jashtazakonshme. Dhe e dashurisë pa kushte për atdheun.                                                                    

NJË EPILOG I VOGËL                                                                   (jashtë këtij libri)                                                                                   

…tashmë, që nga viti 2000, është ringritur Fondacioni “Vëllezërit Cakrani” dhe dy librat me memoaristikë, “Kujtimet e një firmëtari” dhe “Të vërtetat e luftës time” të shkruara nga ati, Hajredin Cakrani dhe biri, Kadri Cakrani, të një rëndie të veçantë, thesar mes veprave të Kujtesës Kombëtare, na vijnë për herë të parë si zbulime falë pasardhësit të tyre, avokat Kujtim Cakranit. Puna e tij, pasioni, këmbëngulja, guximi i trashëguar janë si një ringjallje, jo vetëm e Familjes së tij të Madhe. 

Ai është i angazhuar edhe profesionalisht në zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit, qoftë dhe moralisht, edhe pse ka munguar një Gjyq shqiptar i Nurenbergut. Së fundmi ai ka marrë një nismë të vaçantë, do të thosha të mrekullueshme, ka hedhur në gjyq institucione shtetërore, pra shtetin, që pse nuk është dhe nuk gjendet ku është Dokumenti autentik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ku një nga firmëtarët ësht:e dhe stërgjyshi i tij. Shqetësimi i tij e tejkalon atë familjar, është shqetësim për gjithë Familjen e Atdheut. Sipas avokat Kujtim Cakranit ai dokumet është si dokumenti i pronësisë së shtëpisë, ne e kemi shtëpinë e përbashkët, Shqipërinë, por nuk kemi dokumentin. Ku është? Pse fshihet? Pse nuk gjendet? Ai ka zbuluar se deri në 1944 ai dokument themeltar ka qenë, i ruajtur në Kasafortën e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe kur çelsat i morën fitimtarët, ai dokument u zhduk dhe përdorej një i falsifikuar, ku qenë fshirë mjaft firma, hedhësit e së cilës ishin vrarë apo burgosur nga regjimi dhe ishin shtuar firma të atyre që nuk kanë qenë në shpalljen e Pavarësisë, si p.sh, xhaxhai i diktatorit Enver Hoxha.

Avokati Kujtim Cakrani kërkon në emrin e gjithë shqiptarëve, për Shqipërinë, edhe pse e pa shpallur kështu, Dokumentin e Pavarësisë tonë. Akt i lartë, madhështor, vazhdim i udhës së të parëve të tij. Megjithëse ai dokument është në gjakun e shqiptarëve, në ajrin e atdheut, madje është dhe monument prej bronzi në kryeqytet me firmat si shtigje të ndërprera, por që i bashkon bëma e madhe, historike. Ne dhe shteti jemi të lirë dhe të të pavaruar aq sa është ky dokument vërtet brenda nesh. 

Këtë kërkon të çertifikojë avokati ynë.

Filed Under: Opinion Tagged With: historia, Kadri Cakrani, Visar Zhiti

Visar Zhiti shpallet “Qytetar Nderi” në qytetin e Kongresit, Lushnjë…

January 22, 2021 by dgreca

– URIM I GAZETËS ”DIELLI” DHE KOMENTI I SHKRIMTARIT THANAS L. GJIKA- WORCESTER, MA-/

Shkrimtari Visari Zhiti është shpallë “Qytetar Nderi” i qytetit të Kongresit, i qytetit të Lushnjës. Redaksia e Gazetës”Dielli” në SHBA i përcjell urimet më të përzemërta shkrimtarit të shquar Visar Zhiti. Është një vlerësim shumë i merituar, edhe pse i vonuar. Qyteti i artistëve të shquar dhe i shkrimtarëve të zëshëm të Kombit ka nderuar veten duke nderuar Shkrimtarin Zhiti. Së paku me Visarin nuk ka kush i kritikon ata që morën vendimin e shpalljes “Qytetar Nderi i Lushnjës” pas 30 vitesh demokraci se ai nuk ka parti politike që e mbron, ai është vetja. Visari është një vlerë Kombëtare, është një zë i fuqishëm kundër padrejtësive të djeshme dhe të sotshme, është një penë e fuqishme në Letërsinë shqiptare dhe botërore, është një shpirt i lirë, që meriton të vlerësohet nga institucionet Kombëtare.

Urime Visar!

Redaksia e Diellit

***

PËRSHËNDETJA E SHKRIMTARIT DËRGUAR KRYETARIT TË BASHKISË DHE KËSHILLIT TË BASHKIAK

Shkrimtari Visar Zhiti i dërgoi këtë mesazh për kryetarin e Bashkisë: 

I dashur Kryetar i Bashkisë së Qytetit tonë, 

Zoti Fatos Tushe! 

Të dashur anëtarë të Këshillit Bashkiak të Lushnjës, të dashur bashkëqytetare e bashkëqytetarë! 

Sot është dita e Kongresit të madh të Lushnjes, 

aq jetik për Atdheun, që 101 vite më parë u mblodh aty ku jeni mbledhur ju tani, për ta përkujtuar. Nga këtu doli një qeveri e re e patriotëve që do ta shpëtonte Vendin nga një copëtim tjetër dhe ky Kongres ka hyre në lavdinë e historisë kombëtare si “Pavarësia e Dytë” e Shqipërisë. 

Me këtë rast ju do të shpallni, si dhe më parë, “Qytetar Nderi” të tjerë, mes të cilëve është dhe emri im. Jam i emocionuar. Jemi ne të nderuar nga Lushnja jonë, e dashur dhe mikpritëse. Do të doja shumë të isha mes jush, por jam shumë larg, përtej oqeanit, në SHBA, atje ku kongresistët e Lushnjes, me një largpamësi mahnitëse, shihnin shpetimtarin e Shqipërisë dhe nga këtu qytetarët e Lushnjës, 

101 vjet më parë, i dërguan një letër historike, apel, Presidentit Wilson, në emër të të gjithë shqiptarëve, firmosur nga Kryetari i atëhershëm. 

E parandjenë që Shqipërisë do t’i duhej miqësia 

dhe aleanca me Amerikën, që do të bëhej realitet.

Nderime Lushnjës!

Unë në Lushnjë kolova fëmininë time dhe rininë e parë. Lushnja na deshi dhe na mbajti mirë. 

Tim atë, Hekuran Zhiti, e bëri prapë mësues, aktor të Teatrit të Estradës së Lushnjës, që në themelim, 

i dha njohje gjithandej, e bëri dhe “Qytetar Nderi” dhe një rruge i vuri emrin e Tij. Ai ka shkruar në Lushnjë dramën e vetme të Kongresit të madh. 

Dhe unë shkrimet e para i nisa në Lushnjë. Mbasi mbarova gjimnazin, Lushnja më dërgoi në shkollë të lartë. Kudo ku kam qenë dhe jam, them si përherë: jam dhe lushnjar. Më deshi dhe në kohë të vështira, më dha miq e shokë, më mbrojti, dënimi im në diktaturë më ka ndodhur larg Lushnjës, më priti dhe kur u ktheva nga burgu. Me qytetarë të tjetë së bashku u hodhëm në lëvizjen për liri dhe demokraci të vendit. Lushnja më bëri dhe deputet, nga Lushnja botova librat e parë, në Lushnjë kemi kryer veprimtari të ndryshme social-kulturore dhe, edhe kur kam qenë me punë jashtë vendit në ambasadat tona, jam përpjekur të bëj dhe kam bërë për të rinjtë lushnjarë, për shkollat, autorët e Lushnjës, etj. 

Në krijimtarinë time si shkrimtar gjithmonë ka “Lushnjë” e do të ketë. E them per mirenjohje. 

Lushnja nuk është vetëm vendi i bujqëve dhe fermerëve të mirë, i agronomëve dhe biznesmenëve, por dhe qyteti i artisteve të njohur, poetë, shkrimtarë, piktorë, muzikantë, këngëtarë, sportistë, historianë, shkencëtarë, etj. Nderim atyre!Lushnja, mes shumë virtyteve, na ka dhënë dhe atë të modestisë. Vetem desha t’ju falenderoj dhe uroj nga larg, nga Chicago, por dhe nga afër, nga zemra, gjithë të mirat juve dhe Lushnjës tonë 

dhe Kongresit – përjetësi! 

Gjithmonë pranë jush,

me dashuri,

bashkëqytetari juaj ,

Visar Zhiti

Illinois, Roselle, 20 janar 2021

****.   

KOMENT I SHKRIMTARIT THANAS L. GJIKA- WORCESTER, MA

Thanas L. Gjika/

Lexova sot ne fb ‘Miq me Visarin’ se shkrimtarit Visar Zhiti iu dha titulli “Qytetar Nderi i Lushshnjes”. Ky vleresim gezon jo vetem Visarin e familjen e tij, por dhe miljona lexues shqiptare e te huaj. Prekese ishte dhe falenderimi i Z. Zhiti ndaj Kreytarit e zyrtareve te Bashkise se Lushnjes e qytetareve te atij qyteti per kete vleresim. Por mua me la nje ndjenje jo te kendshme fakti qe ky titull nderi iu dha shkrimtarir Visar Zhiti me kaq vonese dhe se pse nuk eshte kujtuar deri sot Presidenca ose Kryeministria e R.Sh. ta shpalle “Neri i Kombit” kete talent te shquar, veprat e te cilit nderojne mbare kombin tone kudo ku jeton ne Ballkanin Perendimor dhe ne diaspore. Uroj qe se shpejti te realizohet dhe nje vleresim i tille e ta urojme Visarin, kete Thesar te letersise sone…

Filed Under: LETERSI Tagged With: lushnje, qytetar Nderi, Visar Zhiti

KUJTESA-101 VITE- NGA LUSHNJA NË WASHINGTON, LETER PRESIDENTIT WILSON…

January 21, 2021 by dgreca

101 VJET KONGRESI I LUSHNJES OSE PAVARËSIA E DYTË E SHQIPËRISË/

nga Visar Zhiti/Ashtu si  Pavarësia e Shqipërisë, shpallja e shtetit modern shqiptar, edhe Kongresi i Lushnjës ose pavarësia e dytë e Shqipërisë e kaloi shekullin nga dita kur nisi, 21 Janari i 1920.  

Flamuri I Kongresit/

Gjëndja e Shqipërisë në kohën e këtij Kongresi jetik ishte e rëndë, alarmante, e rrëmujshme dhe e paqartë nga brenda, varfëri dhe përçarje; kurse nga jashtë, teksa ishin ende gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, vinin kërcënime aggressive. Dukej sikur nanxharët e një kasapapne po mpriheshin sërish për ta copëtuar sërisht Shqipërinë, njëherë e përgjithmonë. 

Ndërgjegjia e kombit dhe kushtrimin skenderbejan. Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vëndit, kush e ndjente e mundëte, nga ata që kishin bërë emër, nga paria, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin sakrifikuar për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati sa qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës, nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe halle madhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë? Si u përcoll lajmi 101 vjet më parë, në vendin më të varfër në Ballkanin e trazuar, ku mungonin posta, institucionet, universitetet, trenat, media,  shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër erë, me ç’frymë?

Dësmori i parë ra, Abdyl Ypi. Por u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhaj. Teksa i priste një lodhje tjetër, madhështore. S’i caktoi kush delegatë, veç ndërgjegjia dhe përgjegjësia. Thirrja nga thellësitë katakombeve të Kombit. Pra, jo me vota, pa e blerë besimin, por sipas bëmave dhe përkushtimit dhe arritjeve. U mblodhën si oligarki morale, jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke humbur nga e tyrja, veç “të bënin Shqipëri”, siç këdohej drmatikisht atëhere..

U mblodhën në Lushnjën e vogël, ende katund, në sarajin më të shquar, atë Fugajve. Qëllimi ishte që jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun mbi krye, jo vetëm të tyre, por të Shqipërisë, dhe të vepronin menjëherë, me qendresë e luftë, edhe me diplomaci, duke përcaktuar aleatët, nëse do të kishte përreth, atëhere më tutje, përtej oqeanit, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve i ishin marrë. Të ruhej ajo që ishte, gjithmonë mëma Shqipëri. 

Ku e gjeti forcë që të siguronte mbrojtjen e Kongresit një emëri, pothuajse i panjohur, Sulë Zdrava, me luftëtarët e vet, me atë pushkë që kishte marrë pjesë dhe në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë?

Kongresi i Lushnjës në 10 ditët e punimeve të tij, ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit. Institucionet dhe detyrat nga ideale u bënë mundësi e vërtetë. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia u arrit. Me guxim dhe mënçuri, mbi të gjitha nga fryma e përbashkët e të gjithave, që vinte nga kohërat dhe varret, por dhe nga e ardhmja. 

         Ka një 101 vite që ecin delegatët e atij kuvendi, arrin bëma e tyre dhe fjala e tyre në ditët tona, e arkivuar, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, jo thjeshtë si histori, por t’i kthejnë në përvojë e mësime. 

         Lushnja me kryetarin e saj të Bashkisë, fatos Tushe, ta kthejnë Shtëpinë e kongresit në tempull të patriotizmit, ku të bëjnë pelegrinazh gjeneratat e reja… 

                         Delegat:e të Kongresit të Lushnjes (1920)

Presidenti amerikan Wilson…

Duket e çuditëshme! Sa largpamësi ruan ky fakt!  Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit.

Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen. 

Përfytyroj gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që i thoshin me zë, hiq këtë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve ziliqare të copëtimit të mëtejshëm.

         Letra është e shkruar me dorë, me pendë a stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve. Por dhe të politikanëve dhe lidershipit. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së ndrit si yll polar. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë, për token dhe detin. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:

Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes

I Shteteve të Bashkuem Vashington.

Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.

I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. 

Kryetari Katundaris së Lushnjës

Lushnjë, më 17.3.1920

                                       Presidenti i SHBA, Wilson

                   Letra e Lushnjes për Presidentin e SHBA

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i mbronte? 

Le të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç’thuhet: 

 “…në fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që ‘populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten’. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, ‘padrejtësinë’ ndaj popullit shqiptar.” 

Në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit më së fundmi në shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij në 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion, që gjendet në Arkivin Qendror dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në Muzeun Kombëtar në Tiranë, pse jo dhe në Parlamentin Shqiptar.

DRAMA E FRYMËS SË KONGRESIT

                     Hekuran Zhiti – Autor i Drames “Te mblidhemi në Lusnje”

Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë në skenën e Shqipërisë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, që s’është vënë ende në skenë, e një gjysmë shekulli më parë, mbase e vetmja, që sjell më së miri atë frymë e popull. 

Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estardës së Lushnjës, tashmë “Qytetar Nderi” i atij qyteti, kur një rrugë mban emrin e tij.

Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” ishte menduar të vihej në skenë në kushtet e atëhershme, në Lusnjë, plot mangësi. Nis me persoanzhet vendas, të trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Bajrami, i njohur në Lushnjë si Xha Bami, korrieri i Kongresit  dhe shkon te delegatët, përfaqësues të krahinave të vendit, figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha, quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtritë të huaja aty. Ka persoanzhe ushtarë e oficerë italianë, ndonje filogrek, etj, etj. Si një mister në dramë ndjehet mbështetja amerikane, fryn si një fllad shpresëdhënës. Fundi i dramës është një magjistrale patriotike. Çahet rrethimi për të mbërritur në kryeqytetin e ri, në Tiranë, për të shkuar në ardhmëri…

Harrimi i dramës i bën dhe më të mëdha mangësitë. Arriti të botohet postume nga editori “Uegen” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe të ribotohet me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, shoqëruar me një studim nga botuesi, historinai Xhevair Lleshi. Në gjimnazin e Lushnjë nxënësit e vunë në skenë për veten e tyre dramën e kongresit. Akt prekës, por vetëm kaq.

Si një vazhdim emocional po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë dhe i fundit.

Në Kongres:

(Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…

Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

Zera:

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…

– …nuk kanë mbrritë të gjithë…

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?

– Francezët për grekërit…

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

-Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…

Përfaqësuesi i Lushnjës – Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!

Elbasan Pasha (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!

Duartrokitje.

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes

Kryetar (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

Delegati i Matit – (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

Zera – Me shka, me çfarë?

Delegati i Matit  – Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

Delegati i IV – Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

Kryetari – Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

Sheh Karbunara – Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

Rojet e Armatosura – Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)

Nënkryetari – Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

Plaku i Butkës – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

Përfaqësuesi i Matit – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

Vrenozi – Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

Delegati IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

Kryetari – Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

Delegati II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

Delegati I – Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

Delegati II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

Kryetari – S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

Delegati II- Ai të vijë sa më shpejt.

Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…

Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…

Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…

Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

Votohen. Duartrokitje…

Kryetari – Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.

Sekretari – (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”

Të zgjedhurit  – (Një zëri) Betohemi! Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.

Një zë – Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

Një zë tjetër: – Rroftë Poeti! Duartrokitje prapë.

Kryetari – Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

Sekretari – Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.

Shpërndan flamujt e vegjël.

Njëri nga delegatët – Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

Zëra të ashpër – Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…

Ministëri i Punëve të Mbrendshme – Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

Një zë i ashpër – Kush jeni ju?

Ministër i Punëve të Mbrendshme  – Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

Zëri – Mos lëvizni.

Ministër i Punëve të Mbrendshme – Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.

* * *

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur hingëllimat e shqetësuara të kohës, vazhdojnë mitike dhe ndryshe, pa ata kuaj dhe kalorsa dhe pa ato barra mbi shpinë, ndërsa trokëllimat ngjajnë si të shndëruara në trokitje në dyert e institucioneve euroatlantike.  

Në vitin e 101-të të atij Kongresi lavdimadh t’i rikthehemi betimit shqiptar, të lartë dhe me besë, me fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, dhe të gjithë, tani e gjithmonë, të ndjehemi si para “Mbledhjes së shenjtë të Kombit”, ndërkaq si ai misteri që ndihej në frymën e dramës së Kongresit, të bëjmë që të na vijë vazhdimisht zëri i shpëtimit, nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, që shqiptarët të gëzojnë Atdhe dhe prosperitetin e tij, duke iu shtuar Kombit dhe Republika e Kosovës e të jenë të mbrojtur ku ka shqiptarë e truall të tyre. Me emblemën e Kongresit të Lushnjës. Së bashku në Europë. Në një botë me paqe…

Filed Under: Featured Tagged With: Kongresi i Lushnjes, Presidenti Wilson, Visar Zhiti

VISAR ZHITI:Sot, në ditën e shuarjes së Koliqit

January 15, 2021 by dgreca

ERNEST KOLIQI NE 60 VJETORIN E DIELLIT NE NJU JORK, 29 nentor 1969/

ERNEST KOLIQI NË LIBRIN “KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR”

NGA VISAR ZHITI/

Në ditë e ikjes nga kjo jetë para 46 viteve, shkrimtarin e rëndësihëm Ernest Koliqi po e përkujtojmë  me një kartelë dhe një paralelizëm letrar, të nxjerra nga libri i porsa botuar i Visar Zhitit “Kartela të Realizmit të Dënuar”. 

https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/7/7d/Ernest_Koliqi_%28portret%29.jpg/212px-Ernest_Koliqi_%28portret%29.jpg
https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2020/12/1-a-Visari-Kartela.jpg

Themeltar në letrat… 

Ernest Koliqi  (1903 – 1975)

Do të ikte…

…mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit… u lind në Shkodër, kur Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë të  shekullit të kaluar, në majin plot petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës. Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci, mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve, i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së vet…

Kur emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte Koliqët dhe veprën e tyre…

Mbarimi i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali duke iu mbyllur përjetë rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje. 

Gjatë mërgimit të detyruar politik Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari, themelon katedrën e albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën, ringjall shpirtin arbëresh, harton antologji të poezisë mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të mëvonshme të letërsisë shqipe. Vdes papritur në dhjetor të vitit 1975, në Romë. Ende atje prehen eshtrat e tij, në Varrezat e Monumentale.

https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/f/fa/Ernest_Koliqi_%281938%29.jpg/220px-Ernest_Koliqi_%281938%29.jpg
Ernest Koliqi/
https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/7/7e/George_Orwell_press_photo.jpg/236px-George_Orwell_press_photo.jpg

 George Orwell/

PROFETË 

TË KOMUNIZMIT QË S’E PËRJETUAN…

DY SHKRIMTARË MOSHATARË 

– George Orwell dhe Ernest Koliqi 

nën tmerrin e imagjinatës dhe mbi rrënjët e traditës –

“1984”- roman dhe “Rrajët lëvizin”- dramë. Dy vepra fantastike të së ardhmes… së shkuar tashmë. Romani është i famshëm, i përket gjuhës botërore, anglishtes dhe është përkthyer në shumë gjuhë të tjera dhe vazhdon të kujtohet, kurse drama është e vogël, pak fleta, e shkruar në gjuhën e një vendi të vogël, shqip, që harrohej me qëllim, duke e nxjerrë jashtë dhe nga letërsia e asaj gjuhe.

Të dy autorët e tyre, shkrimtari anglez George Orwell dhe shkrimtari shqiptar Ernest Koliqi kanë lindur në shekullin XX, në vitin e tij të tretë, 1903, e vetmja gjë e përbashkët, rastësi natyrisht. Ndërkaq Orwell-i lindi jashtë atdheut të tij, në Indi, perandoria angleze, mund të themi, kurse Koliqi lindi në Shqipëri, perandoria otomane, ndërsa Orwell-i do të bëhej i majtë ideologjikisht, deri dhe komunist, që shkoi dhe në Spanjë në luftën civile krah republikanëve, kurse Koliqi do të ishte  i djathtë, madje dhe ministër nën pushtimin fashist.

Orwelli do të kthehej të vdiste në atdhe, në Londër, nga tuberkulozi në 1950, Koliqi kishte ikur për të vdekur jashtë atdheut, në 1975 në Romë. Për të vdekur për së dyti, se në atdhe e kishin dënuar me pushkatim fitimtarët, atë dhe veprën e tij

Orwell-i, shkrimtar dhe gazetar i njohur, mbas Luftës së Dytë Botërore, në 1949, boton romanin “1984”, një imagjinatë e frikshme, sipas së cilës në vitin e titullit të veprës, gati e gjithë bota dominohej nga një totalitarizëm i rreptë, mizor, udhëhequr nga një parti e vetme, sunduese me “Vëllanë e Madh” në krye (Big Brother). Policia shtetërore e pranishme kudo, e dukshme dhe e padukshme, kontrollonte dhe drejtonte gjithçka, jo vetëm veprimet, po deri edhe mendimet e ndjenjat, një nënshtrimin masiv kapitullues, një shoqëri “trushpëlarë”, aq sa hitleriane, po aq dhe staliniste, e të dyjave bashkë, si mos më keq. 

Orwell e njihte romanin distopik “Ne”, të shkrimtarit sovjetik Evgenij Ivanoviç Zamjatin, të shkruar në vitet 1919-1921 dhe botuar për herë të parë në anglisht në 1924. Në Bashkimin Sovjetik s’ishte lejuar të dilte atëhere ajo satirë marramendëse e totalitarizmit të Bashkimit Sovjetik, e gjitha një utopi negative. Fundi i botës vërtet.

Kujtoj vitin 1984, më gjeti në burg.S’isha më i burgosur i ri, por as i vjetër, nga ata që kishin bërë mbi 15 vjet burg, 20, 25, 30, edhe 40 vjet, që kur kishte mbaruar Lufta, por s’kishte nisur ende paqja.

Në oborrin e burgut, në stendën ku vendosej gazeta politike “Zëri i Popullit” ishte një shkrim kritik për “1984”. Aty gjeta se paskësh një roman të tillë dhe gazeta e partisë në Shqipëri e bënte copë-copë, që ja erdhi dhe ky vit dhe alarmi që kishte dhënë autori borgjezo-revizionist se ç’ishte komunizmi dhe që në 1984 duhej të binte, ishin të rreme. Komunizmi do të triumfonte në të gjithë botën së shpejti, sipas gazetës së partisë, sidomos po të kishte një luftë të tretë botërore… 

Bashkëmoshatari i Orwelli-t, shkrimtari Ernest Koliqi, që nuk besoj se njiheshin, shkruajti në Romë dramën me një dukë/akt, “Rrajët lëvizin”, titullin e së cilës e mori nga një varg i poetit Tomas Eliot. Ngjarjet e dramës ndodhin në vendlindjen e autorit, në Shkodër, në perspektivë, kanë ardhur vitet ’70, flitet për shekullin e kaluar, pra jemi një dhjetvjeçar para 1984 oruelliane dhe çudia është se aty parashikohet e  kundertën e Orwellit, jo fitorja botërore, por rënia e komunizmit. 

 Unikale dhe largpamëse deri në mrekulli, e brishte, madje dhe lirike, trama e saj e ka forcën jo te konflikti i brendshëm, me fare pak personazhë e dialogë të zakonshëm, po te konflikti historik, i popujve, ndërkombëtari, te rënia e natyrshme e komunizmit. 

Vepra, sa klasike është dhe risi, etj, por ajo mbetet profetike si asnjë vepër tjetër në të gjithë letrat në perandorinë komuniste. Koliqi ishte i pari dhe i vetmi shkrimtar që parashikoi rënien e asaj perandorie me një vepër letrare, kur totalitarizmi stalinist ishte në kulmin e vet, në mesnatën e rëndë në vendin e tij.. 

Autori si një orakull kishte parashikuar vdekjen e vet në ato vite dhe të diktaturës. Saktësia është tronditëse për parashikimin e parë, por ndodhi dhe parashikimi i dytë, pak më vonë se vitet e tij dhe i Orwellit, në vitet ’90, por krizat e tatëpjetës kishin nisur që në kohrat e tyre.  

Koliqi si një AntiOrwell ose Orwell pozitiv me dramën e vet vegoi fitoren e njeriut në shoqërinë totalitariste. 

 Kuptohet që regjimi në Shqipëri e mori informacionin nga rrugët e fshehta diplomatike të saj, që shkrimtari i arratisur Ernest Koliqi, armik i betuar i popullit dhe i Partisë, që meriton plumbin ballit, ka botuar në Romë në revistën e tij reaksionare që del shqip, “Shejzat”, dramën më reaksionare “Rrajët lëvizin”…  

Kritikës cinike dhe mediokre të realizmit socialist i vinte më për mbarë heshtja vrastare dhe ashtu bëri si zakonisht, por në leksionet e studentëve të letërsisë, i mbaj mend dhe i diskutonim me njëri-tjetrin, në njërën nga dispencat si e shaptilografuar, ishte dhe një fletë nga fundi që e godiste ashpër dramën e Koliqit, si frojdiste i cila kërkon të thotë se regjimi socialist në Shqipëri bëri ndryshime të mëdha, shkatërroi dhe vrau shumëçka dhe sipas autorit reaksionar, dmth Koliqit, vetëm përsipër, se nëntokë, rrënjët e jetës janë gjallë dhe lëvizin…. 

Me një ngazëllim djallëzor kritika socrealiste tha atëhere se Koliqi nga dy parashikimet që bëri, gjeti veç atë të vdekjes së vet.

Ne si studentë, rrethi më i ngushtë yni, i ngazëllehej kumtit koliqian, duke na pataksur që paskësh një drame të tillë, nga Koliqi, ja aty e ka shtëpinë, te rruga matanë, jo shumë larg institutit tonë, që ja, përtej vendit tonë, u folka për rënie të komunizmit, nuk qenka i përjetshëm dhe diskutonim që këtë pasazh lektori e kishte futur për të rroposur Koliqin apo me dinakëri, për të bërë me dije se ç’është shkruar. Gjethsesi ne i ishim mirënjohës për kritikën dhe shikonim se kishte shkrimtarë të tjerë shqiptarë më përtej, jo si tek ne…

 Në dramën “Rrajët lëvizin” bien dhe kambanat e së dielës në kishat e qytetit të Ernest Koliqit, ku ishim studentë, se ndërkaq, sipas parashikimeve të dramës ishin ripahur kishat, që diktatura ateiste i kishte shtetëzuar bashkë me xhamitë duke i kthyer në kinema, ku shikonim filmat e socrealizmit, në pallate sporti, ku zhvillonim dhe mësimin e fizkulturës apo në magazina ushtrie, ku na jepnin uniformat dhe armën, që të stërviteshim për të luftuar imperializmin dhe revizionizmin botëror dhe nëse na sulmonin të dy njëherësh, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, ne të fitonim..

Ndërkaq erdhi dita që “1984” të botohej dhe në Shqipëri, dhe jo vetëm me një përkthim. Rilexova atë të Çelo Hoxhës, pashë që kishte dhënë tmerrin dhe absurdin dhe në gjuhë. 

Ndërsa drama “Rrajët lëvizin” vazhdon të jetë si një kambanë e madhe, bie dhe bie dhe harrojmë ta dëgjojmë… Me të do të mund të mburrej çdo skenë, nder për kulturën, për inteligjencën në të gjithë Evropës Lindore. Ishte dhënë kështu kumti i madh që atëhere dhe vinte nga letërsia shqipe, nga pjesa e dënuar e saj.

Profecia e shkrimtarit të arratisur Ernest Koliqi do të dilte. Do të shëmbej Muri i Berlinit në vitin 1989, pas tij do të binte dhe perandoria komuniste dhe diktaturat me radhë. Edhe kjo, jona. S’ishte e jona, por që na shtypte ne… Akujt e saj andej larg, përmbysnin dhe këtej…

Teatri, ku u prit gjatë se mos do ta vinin në skenë ndonjëherë, sa po e shëmbën brenda parashikimit oruellian dhe jashtë parashikimit koliqian. Me shpresë për në teatrin e ri. 

Filed Under: Featured Tagged With: Ernest Koliqi, ne Diten e Shuarjes, Visar Zhiti

Ç’FSHIHET PAS POLITIKËS SE SHPIFJEVE DHE DUKURISË SË DËMSHME “NISHANI”

January 5, 2021 by dgreca

Kjo është një letër e hapur për të gjithë. Në qëndrimet dhe zgjidhjet e çështjeve të tilla varet e tashmja dhe e ardhmja e mbetur, jo vetëm e partive, të opozitës dhe jo të opozitës, por më e rëndësishmja, e gjithë vendit, që s’po ndahet dot nga e kaluara që e shtypte lavdishëm dhe nga tranzicioni me shtypësit e konvertuar, para dyerve të ëndrrës Euro-Atlantike.  Të shohim… A mund të fillohet me Romeo Gurakuqin president?…/          

Nga Visar Zhiti/Një vit i ri duket se nis ashtu siç mbaron ai para tij, i vjetri. Fitimtarët imitojnë të mundurit e tyre, thoshin latinët. 

Në fund të vitit që lamë pas, bëri përshtypje në media një sulm jo dhe aq i beftë dhe jo aq i qartë i Bujar Nishanit si ish Ministër i Brendshëm dhe si ish President i Republikës, ndërsa mediatika e ditëve të para të vitit të ri patën kundërsulmin e të sulmuarit, vetëmbrojtjen më saktë, të Romeo Gurakuqit, intelektual i njohur, pedagog, historian profesionist, veprimtar i demokracisë, idealist, por dhe ish deputet dhe ai. Ndërkaq i dyti hapi gjyq kundër të parit, i sulmuari ndaj sulmuesit, madje dha me një intervistë në “Zërin e Amerikës”. Nxitoj të them se Shqipërisë i munguan gjyqet e domosdoshme, ku të dënohej e keqja, një “Nuremberg shqiptar” kundër diktaturës dhe diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, gjë e cila e çoroditi politikisht dhe jo vetëm tranzicionin e gjatë posdiktatorial. 

Do të doja të shkruaja një letër të hapur për Kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha. Çështja është serioze, ka të bëjë me moralin e partisë, s’ka rëndësi se cilës, dhe më shumë se aq, me moralin qytetar të vendit, edhe pse është shfaqur në mënyrë ordinere nga mediokër me karrierë partiake dhe mbi të gjitha duke shkelur ligjet dhe statutin. Nga partitë, opozita dhe pozita, nga kryesitë e tyre, herë pas here dalin sulme të rënda politike, ku përzjehen mashtrimi dhe amoraliteti, me interes vetiak, fabrikohen shpifje publike, etj, të cilat mbulojnë korrupsionin dhe krimin siperan. I kujt është interesi? Dhe këto nuk ndodhin vetëm në pragje fushatash zgjedhore, kundër kundështarit politik, kur dhe dhe si të tilla do të ishin të dëmshme, sepse presim te përballen programet dhe aftësitë e zbatuesve në ngritje të vendit dhe jo sherret dhe ligësitë e drejtuesve, cenet dhe veset e politikanëve, etj. Sulmet bëhen nga sipër për ata që qëndrojnë më sipër si dije dhe punë e moral, shkurt që kanë dhënë më shumë e japin ende për demokracinë dhe vendin, por që i bëhen pengesë paaftësive të promovuara dhe korrupsionit galopant.

Dua të jem konkret, lufta bëhet para nesh, nga ata që i njohim, na njohin, na vlerësojnë, na godasin prapa shpine, na japin, na vjedhin, na harrojnë, i harrojmë, etj, etj. Në emrin e Romeo Gurakuqit unë gjej qytetarin europian dhe në mbiemër patriotizmin kombëtar.

Shpifjet kundër tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, kur bujar nishani ishte oficer i ushtrisë së shtetit të atij Sigurimi, u rrëzuan zyrtarisht duke i nxjerrë të pavlefshme dokumentet që ai hodhi, teksa Autoriteti i Dosjeve vërtetoi se qytetari Romeo Gurakuqi apo familjarë të tij nuk rezultojnë ashtu siç akuzonte nishani. 

Si ish president i vendit prej atij pritej, si për çdo president që lë detyrën, të mbetet moralisht në atë lartësi, të një kryeqytetari, figurë përbashkuese, garant i Kushtetutës, frymëzues, i drejtësisë dhe i mbrojtjeve të lirive. Por nishani s’ka qenë i tillë as kur ishte president. Përkundrazi, ishte i përdorshëm, manekin. Vetëm në Shqipëri ndodh çudia që presidentët dalin kundër qeverive që dekretojnë vetë, kryeministrit apo ministave, të cilët e fillojnë detyrën pasi marrin firmën e presidentit. 

Unë kam përvojën time bezdisëse me president. E kujtoj, jo për vete, por si dukuri për të kuptuar se ç’fshihej pas, që ka interes të dihet, për të dalë te e përgjithshmja, me shkelje të parimeve, kthim të krahëvë institucioneve, kapjen e kreut të shtetit nga oligarkia, nëpërkëmbjen që donin t’i bënin dhe i bëjnë të përndjekurve të diktaturës, vuajtjes dhe dhëmbjes njerëzore, etj, duke zhgënjyer kështu dhe të vetët..

Dhe në fund shpifja. Politike. Mediatike. Ordinere. Si klimë dhe kulturë. Më keq se shpifja vetë. Kur nishani ishte president i Republikës, nisi dhe një katandisje më humnerore e presidencës, duke u bërë pjesë e interesave, jo vetëm partiake, por oligarkike, e klanit të tij, ku ai ishte i kapur. Kam marrë veten si shembull, sepse kam siguri në atë që them. Po sjell një pjesë nga libri im i porsadalë “Kartela të Realizmit të Dënuar”. 

C:\Users\User\Desktop\20201225_233214.png

PRESIDENTI I GABUAR

Edhe pse puna duket se ka zbritje dhe më të neveritshme. Ka një lakmi si të përgjithshme për të bërë një barazi në të keqen morale, të gjithë duan të përbaltin të gjithë, ishim njëlloj mëkatarë, duan të thonë, ashtu si mëkatarët, u bëmë pis njëlloj ashtu si pisat, u dënuam njëlloj ashtu si të burgosurit, kur s’ishin njëlloj as dënimet dhe as privilegjet.

Në postdiktaturë.veglave të mbetura të diktaturës u duhet dhe u pëlqen si më parë të pengojnë, të mos punohet, koha të merret me ata, të qëndrojë me ata, për ata, duke i patur në krye si dikur etërit e tyre. Dhe kultura të jetë po ajo, me ata shkrimtarë e artistë që bëri partia e tyre, të tjerët nuk na duhen.  

Suksesin tani e gjejnë te shpifja, propaganda dhe zbulimet e rreme, shtoji dhe kompleksin e Stockholm-it, gjithmonë me adhurimin e dëmshëm për atë sistem dhe rend, që iku. Hidh akuza false për të barazuar gjithçka me veten e tyre të dikurshme. Dhe këto veprime jo se i bën vetëm ndonjë studiues a gazetar i paguar, deputet me vota të blera, ndonjë ziliqar, sa dështak, po aq dhe i zellshëm a televizon privat oligarkik, por arrin në majë, deri te President i Republikës.

Turpi dhe rënia janë kombëtare.

*  *  *

Jo se presidenti i Republikës gaboi, por ishte gabim i përsëritur ai lloj presidenti, që shkëlqente bezdisshëm nga mediokriteti i keq dhe paaftësia, ku nga njëra anë flisnin për të persekutuarit, edhe i dekoronin, sidomos po të ishe i vdekur, bashkë me ta dekoronin dhe persekutorë të shquar, ndërsa të gjallët harroheshin, nëpërkëmbeshin dhe pengoheshin, sidomos po të ishte shkrimtar, arrinin dhe në sulme të dënueshme, por kush mund t’i dënonte?.  . 

Bujar Nishani, i edukuar si të gjithë, nëse mund të quhet edukatë, me mësimet e partisë dhe të shokut Enver, siç thuhej atëhere, bëhet oficer i ushtrisë së diktaturës, madje dhe pedagog-oficer i oficerëve të ardhshëm në shkollën e bashkuar që mbante emrin “Enver Hoxha”, ku ishte dhe shtatorja e diktatorit në oborr dhe do të ishte dhe ai mes atyre me kallashnikov në dorë që pikerisht atë shtatore donte ta vendosnin atje, në sheshin “Skënderbej”, më i madhi dhe kryesori i kryeqytetit, mbi piedestalin e mbetur bosh, ku populli i revoltuar sapo kishte rrëzuar shtatoren e përbindshme të diktatorit, ku kishin mbetur ca hekura si paterica të thyera. . 

Kjo sindromë e zëvëndësimit të një statuje të madhe të enverit me një statujë më të vogël po të enverit ndoshta shpështolli komplesin katovician që enveri të zëvendësohej herë pas here me dishepuj, natyrisht më të vegjël se ai, madje dhe se ramiz alia dhe u katandis puna që në krye të vendin të vendoseshin karikatura të enverit. Dhe i erdhi radha bujar nishanit, që u mahnit dhe vetë se si u gdhi një ditë i pari i vendit, president i Republikës.

Që të mos zgjatem, ajo mendësia e tij forcashterrur u përndez vagëllimthi që të bënte si dikur, të paktën në disa aspekte të luftës se klasave në kushtet e demokracisë. I doli përpara një ish i burgosur, i dënuar për poezi dikur, gazetar dhe shkrimtar tani, i përkthyer dhe në gjuhë të tjera, me çmime, madje dhe me një dekoratë që ia kishte dhënë po ai, me vlerën sa dhënësi, etj, etj, dhe, meqënëse iu bë pengesë për planet e tij oligarkike, hodhi mbi të urrejtjen presidenciale, duke marrë hakën e enverit, duke shpifur llapaqenshe si ai.      

Meqënese s’gjeti dot ndonjë “kleçkë’ në biografinë e tij, nuk ia luante dot integritetin prej ish të burgosuri politik dhe poeti edhe në burg, pasi i thanë zyrtarisht ata të Autoritetit të Dosjeve se në dosjen e tij jo vetëm që s’ka asgjë të dyshmitë, por, përkundrazi ka një kartelë që dëshmon se ka refuzuar të jetë bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit, atëhere si një revansh për kolegët e tij oficerë të Ministrisë së Puneve të Brendshme, presidenti nishanlli shpifi diçka që s’ekzistonte, tha që ai, ish i burgosuri politik dhe poeti, kishte bashkëpunuar me zyrën teknike të burgut, personeli i së cilës ishte po me të burgosur, por në shërbim të komandës, dhe këtë e vërtetonte me një mesazh anonim disa fjalësh që i kishte ardhur në celular, që, ja, sapo i mbërriti. Dhe e botoi në gazetë foton e ekranin të celularit të tij të zi. Presidentit kështu. Sikur nuk kishte shtetin në dorë ai. Dhe zgjodhi më të kotën, vogëlanen, grotesken siç është dhe vetë dhe klani që rrinte mbas tij..

Bashkëvuajtës të mi, shokë të Spaçit dhe të Qafë-Barit dhe jo vetëm ata, iu vësulën presidentit me të shara si në burg, siç iu vërsulën oficerëve në revoltë. Gënjeshtar ordiner, i thanë, e plot të tjera me zhargonin e burgut, që s’i përsëris dot këtu, na ke fyer të gjithëve, i thoshin, p-l-e-h-r-a, bërtisnin me plot gojën si rebeli plot dije Petro Zheji.

Kartelën me emrin tim, ku shenjohej refuzimi im për të qenë bashkëpunëtor me të keqen, e nxori së pari botuesi im Luan Pengili, ndërsa shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të komunizmit, e botoi po në atë gazetë ku presidenti kishte botuar mesazhin e tij të zi si vazhdim i atyre krimeve.

Ishte fyerje dhe mjerim për të gjithë, kur një dështak i zakonshëm bie dhe ku? Në poltronen e presidentit..          

kartela antispiun

Kartel model 3

“Kategoria:Nuk pranoi bashkëpunimin.

Pseudonimi: Nuk pranoi”

*   *   *

Kam qenë për hapjen e dosjeve, e kam trajtuar këtë çështje që në fillimet, që kur isha gazetar në të parën gazetë opozitare “RD”, duhej bërë me kohë hapja e dosjeve të diktaturës dhe të diktatorit, të bashkëpunëtorëve të tyre, politikanëve të vjetër dhe të rinj. Të fillonin me presidentët, kryeministrat, ministrat, zëvendësit, deputetët, oligarkët Që më së shumti së bashku vijnë nga nomenklatura e vjetër. Nga ajo e dyshimta, vrastarja. Pse? T’u hapeshin dosjet intelektualëve që po bëheshin publikë. Shkrimtarëve, se shkrimtarët janë dënuar dhe me shkrimtarë, të njerëzve të artit dhe jam i pari që kam shtruar çështjen kështu:   

Në anë të emrit të çdo bashkëpunëtori të policisë sekrete, spiuni, në listë të vihet në krah dhe emri i atij që e bëri ata të tillë, si, me ç’torturë. Të shihej se sa dëme kanë sjellë, secili, të gjithë. 

NGA LIBRI NË REALITET

Nuk është çështja të dalësh i pa fajshëm apo i pastër nga akuzat e bujar nishanit, kjo nuk është e vështirë, por të gjejmë dhe të pengojmë që pse në kohë krizash ekonomike, politike e morale, pikërisht atë ose si ai i bëjnë president. Duke mos dashur të bëjnë ndonjë gjë për ndryshimin, vendoset në krye një asgjë, që befas e kap një marramenth, që e mban gjatë, gjatë gjithë mandatit, se, pa e parë as në ëndërr, në një mëngjes i thonë: ti je president. Bëhet dhe sikur votohet. E si të mos kthehet ky lloj presidenti i emëruar ombrellë e atyre interesave që e vunë duke ndërkallur dhe të vetat? 

Në qartësim të kësaj që nisa, presidenti i Republikës më akuzonte mua, një qytetar të Republikës, me provë celularin e tij, siç thashë, që e nxori si revole, për qëndrimet e mia në burg, që më mirë se ai e dinë bashkëvuajtësit e mi, e ka dosja ime. 

I jap të drejtën çdo gazetari, kujdo, që do të donte ta hulumtonte. Ndërkaq, po ai vetë, presidenti, e përsëris, më kishte dekretuar për Ministër Kulture më parë, madje dhe më parë akoma më kishte dhënë atë dreq dekoaratën e tij, “Mjeshtër i Madh”, që unë e pranova, e kam treguar, nga shkaku i bashkëvuajtësit tim, këshilltar në presidencë, shkrimtarit Amik Kasoruho, që në fakt ai duhej të ishte Presidenti dhe mbase nishani kujdestar i rojeve përreth deri sa të hiqej mbas ndonjë shpifje të përsëritur, nejse unë desha ta ktheja atë dekoratë, (kur ndërroi jetë miku im Kasoruho), por nuk e gjeta, s’mbaja mend ku e kisha hedhur, por ia thashë që kur ishte president. Puna jote, – më tha, sikur të mos kishte qenë puna e tij. Dhe e vazhdonte fushatën kundër meje, kur unë isha shëmbur nga tjetër gjë, nga tragjedia e fatit tim. Një dehumanizëm të tillë kisha parë vetëm në burg dhe jo nga të gjithë oficerët, kolegë të nishanit. Por duke qenë ai president, ky dehumanizim administrativ i kalonte dhe vendit, për fat të keq.

Shqetësimi im tani nuk është për mua, por më përtej, për të tjerët, për të vërtetën, çështjen. Nuk ka më rëndësi që ai nuk dekretoi për ambasador në Vatikan as mua dhe as para meje intelektualin e njohur, studiuesin, autorin e shumë librave filozofikë, Ardian Ndreca, profesor në një nga universitetet papnore në Romë. Por pse? Ç’prapaskena luheshin dhe luhen? Që si epilog u vinin një shpifje. 

Kur ma propozoi Kryeministri i vendit, Edi Rama, detyrën e ambasadorit në Vatikan, unë e bisedova dhe me Kryetarin e PD në opozitë, Lulzim Basha, dhe me Dr. Berishën, kryeministrin e qeverisë, ku kisha qenë pjestar së fundmi. Për të qenë korrekt me të gjithë. Me moralin e detyrave që lija dhe të atyre që do të merrja. E kam treguar dhe në një libër tjetër timin, që ata jo vetëm më siguruan mbështetjen, që besoj se ka qenë utilitare dhe për ta dhe e sinqertë, në kundërshtim me ç‘thonë të tjerë, se dhe grupi parlamentar i marrëdhënieve me jashtë e miratoi propozimin për mua në unitet, si pozita dhe opozita, siç rrallë herë ndodhte. Po pse s’deshi nishani përsëri e përsëri? 

Ç’ishte më e fortë se partia nga kishte dalë ai për president? Po nga Ministria e Punëve të Jashtme? Po nga Kryeministri që e kishte dekretuar po vetë? Po nga Parlamenti që e kishte votuar? Po nga media? Dhe, më e rëndësishmja për mua, po nga ajo shtresë që vinte nga persekutimet, që solli moralin e munguar, atë të qëndresës ndaj së keqes dhe kulturën e saj, kur shoqatat e ish të burgosurve politikë i kishin dërguar letër që ai, presidenti të miratonte një përfaqësues i tyre. Ndërkaq dhe Vatikani vetë, në të kundërt me parashikimin e presidentit, më mirëpriti hapur dhe pata fatin të bashkëpunoja deri dhe në shenjtërimin e Nënë Terezës tonë.  

Ç’djallin ishte më e fortë se të gjitha këto? Dukja e ngrehinës shteterore, presidenca në krye të saj, binte dhe pashë oligarkinë, që kishte kapur për fyti vendin. Një shtet vrastar brenda shtetit. Po ku ishte kapur në prapapskenë presidenti? Peng i kujt klani ishte? A vazhdon të jetë? Vetëm është? Si munden që nuk i shërbejnë detyrës së lartë, por e vënë atë në shërbimin e tyre të ulët?  

Me mua ato zbulohen, por kundërveprimi duhet të jetë i shoqërisë, politik, moral, ligjor, gjyqe, protestë, pa u harruar “Nurembergu shqiptar” së pari, sado vonë qoftë. Me presidentë si nishani janë gjallëruar dhe kryepolicët e burgjeve, kryeprokurorët e diktaturës duke i sulmuar dhe tani ishte të burgosurit e tyre politikë, duke rikthyer kulturën e barbarisë. 

Unë ndjej shkrimtarin brenda vetes, këtë s’ma heqin dot presidentët dhe asgjë më. Dhe s’kam ndonje inat që të më mbajë gjatë me nishanin dhe nishanët. Përkundrazi, ata janë personazhe interesant që shpjegon kohën e lirisë që po përjetojmë, për të mos thënë që po vuajmë idealisht. Ai, ata i duhen letërsisë, ka filluar që t’i fusë në burgun e saj.  

Po partisë i duhen? Demokracisë së saj dhe të vendit?   Nëse kjo do të ishte letër e hapur për kryetarin e Partisë Demokratike, do t’i thosha që ka një aluvion rëndues nga e kaluara, mendësi dhe praktika, se shpifjet dhe nishanët nuk janë rastësi, të shikohet. Është krijuar, si një antikulturë, kultura e mashtrimit, e shfaqur banalshëm nëpërmjet politikës së përbaltjeve kundër vlerave dhe të vërtetave, kundër moralit, duke cënuar qytetarinë e gjithsecilit, që dobëson qëllimin e përbashkët, mirëqenien mendore që kalon në atë ekonomike, në ngritjen e vendit për të cilën sakrifikohehen të gjithë, programet i zhbën në propagandë të dyshimtë, kur mendon se me kë do të zbatohen.

S’është fjala thjesht për bujarnishanin që ndoshta ashtu vepron se aq di e do, thënë hapur nga papërgjeshmëria, që e shquan. Por të lejuarit e tij mos është mision destabilizues, pa e kuptuar as ata që përdoren për atentate kundër demokracisë me kallashin e shpifjeve, si atëherë ata që e mbanin gati për të rivendosur shtatoren e diktatorit dhe djallit të tyre, që populli dhe historia e shkuli dhe e zvarriti dhe e hodhi ku e meritonte. Po dishepujt e enverit, që po gëlojnë gjithkund, në pozitë dhe opozitë?

Bujar nishani na qenka dhe në grupin që përzgjedh kanditatët për deputetë të Partisë Demokratike. Ç’është ky grup skulpturor me fantazmën në mes, si të ardhur nga e kaluara kundërshtare e demokracisë? Me të përzgjedhurit e nishanëve do të të fitojë shpresa opozitare? Duke larguar autoritete të shkencës si Doktor Halim Kosova? Dhe i kërkojnë pushim absurd liderit historik, kur ai është shumë e më shumë se ata. Nuk mund të përzësh. Ata që s’duhen, duhet të bien vetë. Dhe e vendos vota e sovranit popull. Sa pa u bërë vonë më shumë, duhet parë në sy, rreptë, gjendja që na  rrethon. Kryetari i opozitës më të madhe të guxojë për interesat e partisë që drejton, të opozitës demokratike, se klani i nishanit i ka nisur më herët përgatitjet për nishanët dhe kjo s’është hamendje, por rrezik, që vetëm madhohet kangrenshëm. Nëse pozita socialiste merr nga “Blloku”, opozita demokratike nuk duhet të marrë nga oficerët e atij “Blloku”. Prandaj dhe u mbyllet perspektiva shumë nga punëtorëve të mëdhenj të PD-së dhe krijojnë parti tjetër demokratike a ikin fare.

Po përgjegjësia dhe dëmi moral që pësohet, por dhe dëmi real, duke zhgënjyer falanga votuesish? Demoralizohet puna, ideali dhe frymëzimi për arritje, krijohet përçarja dhe do të mbizotërojë sërish urrejtja si vazhdim i luftës së klasave. A do ta shqyrtojë PD-ja preçedentin përsëritës nishani, kryetari i saj, kryesia, këshilli drejtues, etj, deri dhe anëtarët më të thjeshtë, ata të ndershmit, të varfërit, sakrifikuesit, që mbas çdo fitoreje braktisen të parët? Pse bujar nishani shpif dhe për përbrenda partisë si rasti më i fundit për Profesor Romeo Gurakuqin, që me të tjerë si ai, të përkushtuar të heshtur, janë shtylla morale në PD. Mos duan t’i lëkundin këto shtylla? Që nëse janë anuar si për të rënë, Romeo me shokë mund t’i drejtojnë. A do ta ndëshkojë partia shpifjen të paktën? Dhe  pastaj dhe shpifësit politik, që duke flakur kapotat e përbaltura staliniste, që ua dhuroi enveri apo klani i tij, kanë uzurpuar tashmë ç’duhej, duke iu bashkuar gjithmonë pushtetit që fiton, për të keqen e të gjithëve. A do ta marrin nishanët partinë? Apo e kanë marrë? Mos po pritet marrshimi triumfal i tyre kudo. 

Nuk do të mjaftonte vetëm falja, që kërkon Profesor Romeo Gurakuqi. Por si të shërohet shoqëria demokratike nga dukuria “nishani”? Kur presidenti, para mandatit, gjatë mandatit dhe pas mandatit është thjeshtë palë, pjesë e oligarkive, noterizues i interesave të tyre, shkelës i Kushtetutës deri dhe i dinjitetit qytetar, etj, etj. Ku janë të rinjtë opozitarë të se keqes, të shkolluar mes vështirësive në universitetet e varfëra të vendit, por dhe në Europë e Amerikë, me dije dhe shpirt? Qytetarët që u mbijetojnë halleve me dinjitet? Shoqëria civile? Apo kudo ka rënë hija e kapotës së nishantë? Edhe shqiptarët e diasporës, në Europë e SHBA janë të shqetësuar dhe i ndjekin me vëmendje zhvillimet në vend. Vatranët e Amerikës kërkojnë transparencë për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Por nuk duhet harruar kufiri i njerëzores dhe çnjerëzor në vend. Ndryshe do të humbi shumëçka. Kjo është një letër e hapur për të gjithë. Në qëndrimet dhe zgjidhjet e çështjeve të tilla varet e tashmja dhe e ardhmja e mbetur, jo vetëm e partive, të opozitës dhe jo të opozitës, por më e rëndësishmja, e gjithë vendit, që s’po ndahet dot nga e kaluara që e shtypte lavdishëm dhe nga tranzicioni me shtypësit e konvertuar, para dyerve të ëndrrës Euro-Atlantike.  Të shohim… A mund të fillohet me Romeo Gurakuqin president?          

Filed Under: Politike Tagged With: Dukuria Nishani, Politika e shpifjeve, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT